Ju lutem, mos e lini pa lexuar. Kam kaq ditë që e kam në mendje se nga zemra s’do ta heq. Postimi i parë për 2025 i takon asaj. Sikur flet me mua Anila Seferi. Ka kaq ditë që zgjohem me ty. Të kërkoj falje se s’të plotësova disa dëshira, por s’isha as vetë mirë. Iku viti… u ndave nga gjiri familjes në moshë fare të re. Sa dhimbje le mbrapa… Ju kam folur për Anilën, për jetën e saj, për babën që e njohu veç nga foto e nga një pikturë. Babën, të cilin e pa në një kafaz hekuri në guroren e Vlorës për herë të parë dhe e vunë të recitonte për Enverin, që ta linin ta takonte. Anilës i ndjehem borxhlie shpirtërore, në fakt Anilës gjithë shoqëria shqiptare i ka hy në hak. Të gjithë i kemi borxh derisa historia e saj të shkruhet në librat e historisë, e të tilla gabime çnjerëzore mos t’i përsërisim më si komb. Për nënën e saj, zonjën Nadire Bardhoshi-Seferi, ka shkruar vetë ajo në 8 mars 2023, pak muaj para se të ndahej nga jeta. Lexojeni si shkruan për nënën./Marsida T.Najdeni
___________________
E shihni këtë foto… është Nëna ime, e vjetër si foto, por është e pastër. Më mirë po ju rrëfej rreth jetës së saj, sepse ia vlen të shkruash për nënat edhe pse sot nuk është festa e Nënës, por 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, dita e protestës, kur punëtoret e një fabrike veshjeje në Nju Jork protestuan me 8 mars 1857 dhe kërkuan kushte më të mira pune. Nëna ime lindi në një familje autoktone tiranase, të pasur për kohën, e rritur nga babai Rexhep Bardhoshi, i cili kontribojë në edukimin e 3 vajzave duke i shkolluar, (shkollë katolike), si dhe dy djem të cilët fituan dhe ushtruan profesionin e rrobaqepësit stilist. Profesion, të cilin më parë e mësuan dhe e morën nga stilisti i njohur Jonuz Korça Përnaska dhe më pas e perfeksionuan në Itali.
Babai i tyre, Rexhep Bardhoshi, ishte një burrë i pashëm dhe fisnik, me shtatëlartësi rreth 190 cm, një proamerikan, pasi në shtëpine e tyre mbajti mikun amerikan, inxhinierin dhe profesorin e madh Harry T. Fultz, të cilit i vuri në dispozicion të gjitha pronat për t’i shërbyer njerëzimit dhe shqiptarëve. Në truallet që ai dhuroi u hapën Strehë për të Vobektit dhe në vitin 1927 i dha truallin për të ndërtuar Legatën Amerikane, sot Ambasada Amerikane dhe për ta përdorur për 99 vjet, sipas ligjeve të kohës. Ai ishte liberal dhe asaj kohe i lejoi vajzat e tij të martoheshin me dashuri. Dy vajzat u martuan me zotërinj tregtarë me emër në atë kohë dhe bashkëshortët e tyre i përkisnin familjeve Këllezi dhe Xhihani. Ndërsa vajza e tretë, nëna ime u fejua në moshën 22 vjeçe me Islam Seferin, babain tim. Fejesa zgjati jo më shumë se dy muaj, pasi babai arrestohet në vitin 1944. Aq e madhe ishte dashuria e nënës sime sa që vendosi të priste bashkëshortin derisa të dilte nga burgu, për t’u martuar 38 vjeçe. Pritja shkoi 16 vite, pasi ishte burri që kishte dashur dhe do ta donte gjithë jetën e vet, në të mirë dhe të keq, betim që nuk u thye kurrë. Kalvari i vuajtjeve të nënës sime filloi pas martesës, pas daljes nga burgu i parë i babait tim. Gjatë 7 viteve martesë, familje ishte zgjeruar dhe nëna ime punonte si guzhiniere në kopësht. Ajo ishte një shembull në rritjen e fëmijëve, por e larguan me motivin “mund të helmosh fëmijët në kopësht”, e cila nuk ishte e denjë për një grua me përkujdesje të lartë për ushqimin. Ajo filloi punë në një ndërmarje artistike, në qëndisje, një profesion i marrë dhe i fituar prej saj tek suorat apo murgeshat në shkollë. Në moshë shumë të re ajo kishte qëndisur disa paja të vajzave të lagjes, aty ku jetonte në rrugën “Ali Pashe Guxia”, sepse qëndisja ishte pasioni i saj. Por, rregjimi komunist nuk mund të linte nusen e reaksionarit të qëndiste me duart e arta dhe e la pa punë.
Babai arrestohet për së dyti dhe e la nënën time me shumë probleme, me rritjen e 3 fëmijëve, si dhe me një fëmijë tjetër në bark dhe pa shtëpi, pasi i nxorrën jashtë për gjithë natën nga pallati i ndërtuar në ish pronën e babit, që ndodhet përballë Toptanit, sot janë dyqanet e floririt. Në atë kohë, e vetmja ndihmë ishte mbështetja e vëllait të saj, i cili nuk mundej të shihte motrën të rriste fëmijët në atë mjerim. Nëna ime survejohej e përndiqej nga sigurimi i shtetit, njerëz të cilët e detyronin herë pas here të shkonte dhe të rrëfente për aktivitetin e bashkëshortit. Dihej se ai burrë i edukuar me rregullin ushtarak mendonte që jeta përendimore dhe kthimi i Ahmet Zogut në atdhe, ishte një shpëtim për kombin, për drejtimin e vendit, sepse shihej në dritë të diellit që vendi po shkonte drejt mjerimit të skajshëm dhe izolimit total. Duke më rrëfyer nga sekretet e jetës së saj, një natë mbaj mend të shihja nënën time nervoze, por ajo ishte një grua e fortë. Ishte një heroinë edhe qëndronte e tillë, pasi jo vetëm për faktin që përballej me vështirësi të ndryshme gjatë gjithë kohës, por atë natë rrëfeu për ish kryetarin e frontit të asaj kohe Sabri Godon, i cili e përçmonte sa herë e shihte në rrugë, duke i kërkuar llogari: “Moj gruaja e reaksionarit me çfarë ushqehesh, ku i ke florinjte, pse nuk punon? Të pret internimi nesë nuk futesh në punë!” Nëna ulte kokën dhe vazhdonte rrugën duke tërhequr fëmijet nga mbrapa.
Pas disa kohësh, filloi punë në ndërtim. Ishte shtatëzane me fëmijën e katërt dhe tërhiqte kovat e llaçit dhe karrocat me tulla. Ajo punoi në ndërtimin e Pallatit të Kulturës. Qante pa zë, se shihte pronën e saj të rrëmbyer, si dhe lodhjen e vet me një fëmijë në bark. Dikush në brigadë foli që të mos punontë në ndërtim po të kalonte një sektor tjetër, në lyerje. Punoi në këtë ndërmarje deri sa doli në pension. Por nëna ime përveç burgut, frikës së internimit, sepse e kërcënonin herë pas here, kishte përkushtimin ndaj rritjes dhe edukimit të katër fëmijëve. Nëna u gëzua shumë kur erdhi demokracia. Ajo ndihej më e çliruar, por shpejt erdhi `97 dhe nuk harroj shqetësimin në sytë e saj kur dëgjonte kërcitjen e armëve gjithë andej dhe thoshte: “Përse po luftojnë, më kë po luftojnë? Vetëm në revolucione luftohet. Ne jemi në demokraci.” Këto fjalë të nënës sime të butë e të zgjuar nuk i harroj askurr. Prandaj nënë, nuk ka shkrim dhe fjalë sikur netë të gjata të rri të shkruaj për ty, për jetën tënde, për mendimet e tua, për mundimet e tua, sakrificat që ke bërë. Nënë, ne fëmijët të detyrohemi për gjithçka, ti je heroina që do të donin të gjithë të kishin. Ke duruar dhe ke sakrifikuar orët e gjumit për t’u kujdesur, me atë dashurinë tënde të ëmbël, nuk je lodhur aspak e askurr.
Prej teje mësova të vleresoj të qënit femër. Sa herë më rrëfeje për sekretet e jetës, e mbyllje me frazën “të jesh e sjellshme, e dashur dhe humane në këtë jetë”. Më ke mbështetur kaq e kaq herë, edhe kur të gjithë ishin kundër meje, më ke falur çdo gabim sikur të mos kishte ndodhur, më ke përgatitur si të jem shumë veta brenda meje; shoqe, vajzë e dikujt, bashkëshorte, nënë edhe si të jem femër mbi të gjitha. E dua edhe nje herë ndjesinë e përkëdheljes tënde, tek përshkon flokët e mia. “Ah vajza ime, je rritur tashmë, rrugën e bën edhe vetëm dhe unë jam kaq krenare për ty!” Por, ajo që është krenare, jam unë për ty nënë! Kjo është ndjenja më e bukur dhe më e fortë, në këto momente, kjo është një forcë e madhe që mund të bëjë mrekulli, të ringjallë jetën, të më shpëtojë nga kjo sëmundje e rrezikshme, me të cilën po luftoj çdo ditë. Dashuria e nënës është ndjenja më e fortë dhe më e bukur në botë, është kujdes, është përkëdhelje, është butësi, është mbështetje në kohë të vështira. Të dua nëna ime edhe pse nuk ndodhesh më në këtë jetë, por e di që më mbron dhe sa herë që nuk ndjehem mirë, vrapon në ëndrrat e mia për të më dhënë kurajo. Nëna është fjala që tingëllon më bukur nga buzët e cdo
njeriu..
Kjo është e gjitha!
Pa nënën, nuk do të kishte jetë në tokë!
Anila Seferi