Demonstratat e `81-shit është shprehje që përdorej për të përshkruar revoltën spontane të studentëve më 4 mars 1981, ku ishin kërkuar kushte më të mira në mensën e studentëve në Prishtinë. Në atë kohë shërbimi policor pas intervenimit brutal ndaj studentëve të revoltuar, burgosi një numër të madh të tyre. Kjo ndërhyrje shkaktoi demonstratën e organizuar të studentëve më 11 mars, e cila shtypet me dhunë dhe burgosen disa studentë.
Me këtë fillon edhe zinxhiri i demonstratave të 81-ës dhe katër vjet pas demonstratave, organet e sigurimit jugosllav dënuan 4 mijë veta. Gjatë periudhës 1981-1990 si rrjedhë e zinxhirit të demonstratave janë vrarë 183 qytetarë civil dhe 63 ushtarë shqiptarë në armatën jugosllave, pastaj janë dënuar 1346 ushtarë dhe 10.000 civilë për kundërvajtje politike.
Protestat e 81-shes, sipas ish të burgosurit politik Berat Luzha, është një datë e rëndësishme në dy rrafshe, siç thotë ai filloi shpartallimi i perandorisë jugosllave dhe e cila vetëdijësoi shqiptarët se mund ta fitojnë lirinë. Ai kujton 26 marsin e vitit 1981, kur në mensë kishte ndodhur një brutalitet i madh dhe ku ishin arrestuar masovikisht studentët. Megjithatë, 30 vite pas ndodhjes së këtij promotori të popullit shqiptar,sipas tij deri tash ka munguar përkrahja institucionale për të burgosurit politik.
Ndërkaq, i burgosuri tjetër politik, njëherësh organizator i këtyre demonstratave, Jonuz Jonuzi ka thënë për Kosovapress se demonstratat e vitit 1981 ishin ndarja e Kosovës nga Jugosllavia dhe drejtimi i saj nga Shqipëria.
Komentet