Njerëzve…
Koha shëron plagët, por lëngon një “oh!” përbrenda..
Prolog…
Lexoja në një kalendar xhepi se çfarë kishin arritur të bënin njerëz të ndryshëm në moshën dyzetedyvjeçare. Kristofor Kolombi zbuloi Antilet (1493); L.V.Bethoven kompozoi “Simfoninë IX” (1812); Albert Ajnshtajn merr çmimin “Nobel” në fizikë (1921); Salvador Dali pikturon “Kërkimi i Shën Antonit” (1946); Sigfrid Lenz shkruajti “Ora e gjermanishtes” (1968), ndërsa unë arrita të çapitem përsëri në asfalt me mendimin për të riformuar familjen e shuar nga tsunami komunist…
Ishte ndijim kënaqësie që nuk përshkruhet, ai vetëm përjetohet, kuptohet vetëm nga dikush, të cilit i janë privuar për vite me radhë hapat mbi asfalt. S’janë thjesht hapat apo asfalti, është vetë domethënia e tyre.
Kjo është kryevepra ime dhe e shumë të tjerëve, të amnistuar për atë që kryem një natë dimri të vitit 1982 nëpër bulevard, për t’u shpërndarë më pas … nëpër shtëpira. Ne, deri atë ditë, kishim rrahur oborrin e burgut duke përshkuar kilometra të tëra mbi sipërfaqen e tij, mbuluar me një shtresë qymyrguri të djegur, tharmuar nën peshën e kalimtarëve kokëqethur që lëviznin si thnegla nën alarmin e përkeqësimit të motit.
Mua ma donte puna jo të çapitesha, por të zvarritesha përkrah një plaku shekullor, ose për të qenë më i saktë një nëntëdhjetegjashtëvjeçari, Myqerem Janinës. U drejtuam për tek një institucion jo fort i këndshëm: Drejtoria e Punëve të Brendshme. Myqeremi s’kishte shtëpi ku të shkonte, sepse shtëpinë e tij ia kishin uzurpuar. Me një makinë na çuan te hotel “Arbëria”. Ajo do të ishte për të rezidenca e përkohshme deri sa t’i jepnin diku një banesë. I shpëtoi Myqeremi i gjorë Panahorit (kështu quhej varreza e burgut të Ballshit). Doli i pariedukuar ende plotësisht, duke përfituar nga amnistia. Rrezikshmëri e lartë. Ishte dënuar me dhjetë vjet riedukim. Sigurisht do t’u mbetej borxh. Nuk i kryente dot. A shkonte fjala “riedukim” për këtë plak të thatë njëqindvjeçar?
Është e vështirë të shkruash për këto kohëra të vështira. Njëkohësisht, më e vështirë është shmangia e unit nga cilido këndvështrim që e sheh këtë epokë, në të cilën në mos pjesëmarrës protagonist, të paktën jam dëshmitar, e ky status më vë para detyrës të rrëfej sa e si mundem. Herë pas here kisha botuar ndonjë shkrim për ngjarje të shkëputura me hezitimin e përhershëm ndaj penave të njohura që e sillnin këtë kohë tragjike nëpërmjet librave të tyre. Edhe përshkrimi pasiv nuk shkon, prandaj m’u desh të bëhem komentator i kësaj periudhe me qëllim paraqitjen jo vetëm të tragjikes, por në përgjithësi të asaj jetësores.
Shumë njerëz i përfytyrojnë të burgosurit të zymtë e të pikëlluar. Jo! Ata edhe luajnë, edhe qeshin e ëndërrojnë, por për lirinë ama, çmendurisht ëndërrojnë.
Edhe unë ëndërrova, vuajta, qesha e luajta, farkëtova miqësi si të tjerët, bile i atribuoj vetes veç fatkeqësisë, një privilegj që jetova përkrah shumë njerëzve, të cilët në mos marrshin medalje prej nesh, kanë fituar në mënyrë të pakufijshme respektin tonë. Në radhë të parë qëndrojnë ata që nuk mundën të shijojnë lirinë.
Për ta ndiej një dhembje si për njerëzit e mi më të dashur. Në një mënyrë, pjesa më e madhe e popullit ishte e dënuar, por për të burgosurit kjo kohë e veçantë kishte filluar me fjalët: “vuajtje e dënimit”, ndërsa fundi nuk i dihej. Këta ishin viktimat e para të tsunamit komunist. Rrethi i tyre familjar vuante pasojat e absurdit: diskriminimin, diskreditim nëpër mbledhje, internim e shpërfytyrim, grabitje të pamjes njerëzore nëpër këtë kalvar të pabesueshëm. Me këto bëma mund t’i krenohen kriminelët komunistë shqiptarë, historisë botërore të njerëzimit. E përsëris se me këto shkimëza rrëfenjash nuk pretendoj të sjell imazhe të gjalla, por një kontribut fare të vogël në memorialin për nder të kujtimit të tyre. Uroj që në kujtesën e gjithkujt, të gërvishtet ajo membranë sado e hollë e harresës, që pështjellon memorjen historike të gjithsecilit.
Do të isha i lumtur sikur në ndërgjegjen e persekutorëve, në rast se e kanë një të tillë, të shkrepë një shkëndijë brerjeje. Nuk e kam fjalën këtu për kategorinë e sadistëve të cilët në atë regjim gjetën fole të ngrohtë për lulëzimin e geneve të tyre kriminale.
Për ne, “armiqtë, mizorët”, që ishte predikuar se do të çanim kafka, do të tërhiqnim zvarrë njerëz nëpër bulevarde, do të varnim qenie të gjalla në çdo shtyllë dritash neoni, u vërtetua se nuk mund të ishim si ata që na ndëshkuan dhe persekutuan për vite të tëra “në emër të popullit”.
“Hakmarrje!” thërrasin martirët nga varri
Se gjaku i tyre sot gjak po kërkon…
Kundër kujt?! Kundër gjithkujt. Ishte kjo hakmarrje absurde apo “luftë klasash”, siç u quajt teorikisht, me të cilën për pesëdhjetë vjet radhazi me predikimin e zbatimit të saj, nuk u kursyen djem, vajza, gra e burra, pleq, plaka e fëmijë naivë. Kjo luftë në Shqipëri (sui generis) përfshiu deri dhe krijesën e llojit të vet, duke ngritur sadizmin në piedestalin e virtytit. Kjo iu përgjigj “Oh!”- eve me “Urra!”. Kjo shpiku shpërfytyrimin e “njeriut të ri”, e ndau shoqërinë shqiptare në njerëz me partishmëri dhe armiq, në familje të mira e të këqija. Qëndrimi ndaj kësaj ndarjeje përkufizohej me komponentin përbërës të moralit komunist i cili quhej: “atdhetarizëm”. Kjo tragjedi kam frikë se po harrohet. Është një plagë e rëndë të cilën kombi e vuan dhe e transmeton në shtrembërimin e shëmbëlltyrës së tij.
Ishim të etur. Menduam se liria e demokracia do të kthente faqe të re në shoqërinë shqiptare… Brezat që vijnë do të dinë të vlerësojnë pse ne u zhgënjyem nga demokracia.
Por sa për tani, të paktën kam kënaqësinë të flas për atë kohë realisht, gjë që më parë do më çonte përsëri ku isha: në burg, sipas nenit 73 apo 55 ose …
Seanca hetuesie
Më njeh?
Jo, gënjeva.
Jam Kadri Rasim Ismailati, komunist i 42-shit. (Më gënjeu për një vit. Në komunikatën e vdekjes mësova se kish qenë i 43-shit.) Jam nëndrejtor i Drejtorisë së Punëve të Brendshme për sigurimin. Kam një karakter unë … top, – shtoi duke mbledhur dorën e djathtë grusht. – Dëgjo mirë se ç’do të them: Sa vjeç je ti?
Tridhjetë e pesë.
Nuk të premtoj se do të të liroj, por në do të festosh dyzetvjetorin pranë nënës tënde, më trego se çfarë ke biseduar…
Në këtë kohë hyri Nasho Gjinopulli, i cili me siguri, ndërkohë dëgjonte në një dhomë pranë se çfarë i thonte “miu i birucës” Gjergj Luka, i cili qëndronte me mua prej afro një muaji e gjysmë. Ndërsa kërkonte diçka në sirtar, Kadriu vazhdoi :
Me Ingri Begon…
Me Stefo …. Si e ka ky more mbiemrin?
Nashoja : – Çami. E more, është i vëllai i Foto Çamit.
Kadriu: – I kujt ore, i atij Çamit të Krujës?
– Me këtë Dorin me …
– Ç’ke ore, që dridhesh? Ore Nasho, si e ke lenë këtë kështu ore, me përparësen e punës? Lajmëroje ore, nënën t’i sjellë ose dërgo ndonjë t’i marrin një pallto.
– Nuk i sjellin ore, s’kam ç’ti bëj, – vazhdoi Nashoja duke dalë me një shkresë si proces-verbal në dorë.
Nga dritarja e hetuesisë shoh se si dëbora kishte zbardhur tërë horizontin e kufizuar që mund të shikoja. Mbi peronin e trenit ishte një shtresë dëbore afro tridhjetë centimetra.
– A i grisim tërë këto proces-verbale dhe bëjmë një marrëveshje bashkë?
– Eja, të marr me makinë dhe shkojmë andej nga stadiumi Dinamo. Atje, në ndonjë klub marrim nga një fërnet e një kafe e flasim si burrat ndërmjet nesh. Duhet ta dish se kemi shumë në dorë. Avoketërit që na bezdisnin, i hoqëm qafe. Po u tregove i sinqertë, i themi ndonjë fjalë gjykatës… se ne e kemi në dorë…, na ecën fjala për një dënim minimal 3-4 vjet dhe…hë, si thua? Se duhet ta dish… Ja, … e sheh këtë? Vendim internimi. Është i vulosur me emër bosh. Mjafton emri dhe një firmë nga unë dhe në Esfel…Ishe jashtë ti kur internuam dyqind familje nga Tirana? Po hartojmë planin për vitin 1976 tani.
Kishte hequr njërën këpucë dhe po ngrohte këmbën pranë sobës. E shikoja dhe më kujtohej Ganiu me të cilin punonim në një brigadë dikur si saldatorë. Sapo e shihte rrugës, thoshte:- Bubu, sa e ka pallën e këmbës! Po të të gjuaj ky, nuk del huq kurrë se s’ke nga i shmangesh në birucë….
– Hë, se dhe Ingri me Stefon në fillim kështu hezitonin, por tani që u rrëfyen janë të qetë. U lejojmë ushqime, cigare…
-Ata nuk i arreston dot kollaj, jo, se njeri është kushëriri i Muço Saliut e tjetri vëllai i Foto Çamit, kurse me mua e patët kollaj fare, se nuk kam çadër…
– Ore, qenke tip interesant ti! Sa shumë dyshime ke tek fjalët tona. Mblidhe mendjen, ne nuk po pyesim për anëtarë të Komitetit Qendror e jo më për kësi çapaçulash. Desha të të ndihmoj, por ti po tregon se je konseguent në vijën tënde dhe nuk je nga ata që kanë rrëshqitur rastësisht. Ne i dimë të gjitha, por unë desha të di nëse ke reflektuar ndonjë çikë… Ja për shembull: kush ka thënë prej jush: “Këtyre sigurimsave po t’i kem në dorë, të betohem do ua ha turirin me dhëmbë.” I kemi të regjistruara, duhet ta dish, këtu flitet vetëm për sinqeritetin, qëndrueshmërinë dhe vihet në lojë masa e dënimit tënd. Sikur të të shpie tani te birucat e t’i shohësh shokët e tu brenda, a do flasësh…
-Nuk kam se ç’flas. Më keni arrestuar kot.- Unë nuk flisja kundër pushtetit.
-Po ja, për çfarë ke folur me Ingrin?
-Për letërsi, muzikë, sport, për vajza….
Kadriu shënonte përgjigjen përkrah emrit. Kishte mbi tavolinë një listë me 7-8 emra.
-Po me X-in?
-Ku di gjo un?
Ndërkohë brofi nga tavolina, ku u afrua dhe më mbërtheu nga veshët, duke më ngritur nga karrigia.
– Ku di gjo un? – Përqeshi dialektin tim tiranas. -Të dhjefsha dialektin e atij qelbësirës, Beqir Ballukut. – Filloi të më qëllonte me grushta e shqelma dhe për çudi, gjithë ai trup nuk kishte forcë në goditjet e tij. Kur më godiste me shqelma, m’u kujtua Ganiu që fliste për pallën e tij të këmbës dhe në moment nga e qeshura më doli një poç qurresh nga hunda.
Bëra sikur ngashëreja për të mos e nxehur me qeshjen time, sepse kushedi ç’më priste pastaj. E vetmja gjë që më shkaktonte dhembje, ishte e shkundura e tij. Isha dobësuar mjaft. Kisha humbur mbi njëzet kilogramë. Ai më tërhiqte nga një anë e murit dhe me dorën tjetër më shtynte drejt murit përballë e në kohën që përpiqesha të amortizoja goditjen, duke çuar duart përpara, ai më tërhiqte me gjithë forcën mbrapsht nga përparësja që kisha veshur. Më dukej sikur do nxirrja mushkëritë nga goja. Isha gati të duroja më shumë goditjet e tij për çerek ore sesa këtë shpikje djallëzore të këtij përbindëshi. Kjo punë për fat nuk zgjaste shumë se atij i fillonte dihatja e nuk kish fuqi të vazhdonte.
Dy djemtë
– Djemtë kanë patur shumë punë këto kohë, – më tha Kadriu, – ndaj dhe s’të kanë marrë në pyetje…
Dy hetuesit e mi kryesorë ishin Nasho Gjinopulli dhe Kosta Gazeli. I pari ishte i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, ndërsa i dyti kryehetues i Ministrisë së Brendshme. Nashoja ishte i idhët e cinik. Nganjëherë flisnin greqisht ndërmjet tyre. Prototipi i njeriut që kish vuajtur nga kompleksi i inferioritetit në rrethin e tij shoqëror, kishte gjetur vendin e duhur në atë pozicion, për ta ndierë vehten të barabartë, në mos superior mes shokëve të hershëm, të cilët nuk e kishin çmuar më parë duke e parashikuar si dështak. Karrierist, finok, ishte mjaft i idhët. Për këtë, pak kohë më parë se të arrestohesha, më kishte folur një miku im i cili e kishte komshi. Më tregonte veç këtyre, se kishte një baba shumë të urtë, në mos të humbur. Kalamajtë e lagjes i kishin vënë dhe nofkën Kopili. I zbehtë në fytyrë tregonte se ishte i sigurt në vetvehte dhe hiqej si i prerë në biseda. Qëllonte me pjesën e prapme të dorës dhe me shqelma në kërcinjtë e këmbëve.
Kosta ishte më i bëshëm. Këtij i pëlqente të fliste gjatë e gjerë dhe për të treguar erudicionin e tij kalonte nga ca emra piktorësh « dekadentë » tek Modugno, Celentano e Beatles, « shtjellonte » Freudin, të cilët më vonë do të kishin autorësinë time në aktakuzë.
Gjatë hetuesisë më shkulte qimet e gjoksit. Këtë e kish «hobi». Me të tjerët që nuk ishin leshatorë, nuk e di se çfarë metodash përdorte. Një ditë më këputi një grusht dhe më theu dhëmbin e qenit, gjysmën e mbetur të të cilit ma hoqi Hasani, një dentist të cilin e njihja që jashtë burgut. Ai u prish në fytyrë kur më pa buzën e enjtur, sepse e kuptoi se çfarë kishte ndodhur.
Një herë tjetër më qëlloi në stomak dhe më hodhi përtokë.
A mor qen, – i thashë,- po të isha jashtë, a do guxoje të më qëlloje?
Të qëllon që ç’ke me të,- ndërhyri Nasho,- se ka atë të shkretën prapa,-duke aluduar për revolen.
Që nga ajo ditë i vura nofkën «Kasus Klei».
Po, – më tha Nashoja,- ai Kasus Klei e ti Xho Frezer. Ti ke të drejtën e revanshit. Bëj njëherë këtë dhjetëshen, se pastaj të dytën e kemi kollaj. Kishim keq sa të futëm brenda, se për të dalë, kjo porta dykanatëshe ku hyre, megjithë makinë bëhet sa një vrimë gjilpëre.
Vonë kam marrë vesh për karrierën e tyre. Kosta Gazeli kaloi pedagog i së drejtës penale e si për ironi, më pas arriti deri këshilltar i ambasadorit në Greqi. Nashoja, nga seksioni i zbulimit në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranës, kaloi sekretar i ambasadës sonë në Budapest dhe pas rënies së komunizmit, u kthye në trafikant vizash e u bë pasanik. Sipas modës është biznesmen i kamur.
Adem Bajrami, kolegu i dy djemve
Meqë fushata e burgosjeve për agjitacion kishte arritur kulmin, rrethet kishin dërguar për eksperiencë në Tiranë disa nga hetuesit e tyre. Nashoja e Kosta ishin në rolin e pedagogut. Tek më pyesnin, Adem Bajrami asistonte pothuajse rregullisht. Ai nuk fliste, vetëm vëzhgonte. Herë-herë lëshonte ndonjë “llaf” si për të treguar se e kish mendjen në mësim. Një ditë më lanë vetëm me të. Bënte përsëritje të pyetjeve që më ishin bërë. Në një moment, mbasi lexoi tre emrat, ngriti kokën nga shënimet dhe tha me çudi: – Si ore paske patur tre dashnore!? Po ti nuk je as i bukur !
Jo, – iu përgjigja, ato ishin shoqe.
Pastaj doli në temën që i interesonte. U ngrit nga karrigia dhe më zgjati një cigare. Konfidencialisht më pyeti:
Ore, sa lekë u jipje?
Lekë?!
– E pra, qejfi me lekë bëhet.
– Jo mor zoti hetues, lekë nuk u kam dhënë ndonjëherë. Do të ishte ofendim për to. Qëllonte që futeshim në ndonjë lokal dhe kur s’kishte njëri, paguante tjetri. Kuptohet që më takonte mua më shpesh, por sa për pare, nuk u jepja as unë atyre e as ato mua.
Bajrami vinte nga Burreli dhe kishte shumë pyetje për të sqaruar. Ai donte të dinte se ku ishte «përqendrimi » më i madh i «femrave të qejfit », siç i quante ai.
Unë fle tek Peza dhe aty natën nga mbrapa dëgjoj zëra. Bëhen dhe pazare.
S’di ç’të them… Unë flija në shtëpi dhe nuk kam dëgjuar ndonjëherë kësi pazaresh.
I gjori Adem, nuk ishte lakmiqar vetëm për karrierë. Ai ishte i etur dhe për qejf…
Shkurt 1976, muaji i pestë i hetuesisë
Është përvjetori i pushkatimit të babait tim. Njëzet e pesë vjet më parë, më 21 shkurt, u arrestua babai e mbas një jave torturash të tmerrshme, duke u gdhirë 27 shkurti, u pushkatua pa gjyq së bashku me njëzet e një persona të tjerë, ndër ta edhe një grua. Edhe pse kanë kaluar njëzet e pesë vjet, i kam të fiksuara mirë shumë momente…
Fjeta më herët atë natë dhe nuk prita babanë, sepse i tërhequr nga loja lashë mësimet pa përgatitur. Ai ma kontrollonte përgatitjen për çdo ditë. Afër mesnatës zgjohem nga zhurma zërash. Shoh babanë me flokë të ndarë në mes, që m’u duk se hodhi vështrimin nga unë me çudi, një person me uniformë e një tjetër civil, ndërsa gjyshja rrinte kruspull mbi minder. Babai më ktheu nga muri duke thënë: “Fli xhan i babit!” Gjumi më mbylli qepallat për të më ndarë përjetë nga im atë.
Ikja majë një kamioni të hapur bashkë me tri familje të tjera. Gjyshja, mamaja, unë dhe motra trevjeçare që shikonte familjen dhe nuk guxonte të pyeste për babanë, thuaj se parandiente diçka të keqe. Gra me sy të enjtura nga të qarët, një tufë fëmijësh që kuptonin dhe nuk kuptonin se këtej e tutje ishin pa baballarë, kushedi për çfarë shkaku …! Në atë thëllim të atij fillimi marsi udhëtonte ky kontigjent i çuditshëm, i shoqëruar nga një polic me automatik.
Para tre ditësh, në dyert e këtyre familjeve kishin ardhur dy oficerë sigurimi për t’i komunikuar thatë:”X është pushkatuar si armik i popullit. Bëhuni gati se më datë 3 mars do të internoheni…”
Kështu u shkrua e u komunikua një nga masakrat më rrënqethëse të njërit prej kapitujve më gjakësorë të diktaturës enveriane; në mes të Europës… duke bërë sehir Shën Bartolomeon shqiptar.
Tani ecja duarlidhur, i shoqëruar nga polici në po ato korridore e ndoshta edhe biruca ku kishte kaluar e qenë edhe im atë atëherë. Asokohe, nëna ime ndiente dhembjen për bashkëshortin që i la fëmijët jetimë, ndërsa sot po përjetonte dhembjen e nënës, që djalin që ia kishin shkëputur tre muaj pas martesës së tij, të cilës as nuk arriti t’i gëzohej dot, sepse do ta priste i njëjti fat.
Një jetë e tërë e shoqëruar me makthe. Tani sillte me siguri ndërmend gjyshen time e cila e përballoi me stoicizëm të rrallë atë goditje. Së gjorës, rrallë herë i dilte thellë nga gjoksi një lloj psherëtime e bashkuar me ulërimë:
U-u-u….uh! Ne fëmijët i përgjëroheshim: – Nëno, mos bëj kështu!
Kjo klithmë më ka shoqëruar e më shoqëron dhe sot e kësaj dite dhe përgjatë gjithë jetës sime. Kishte dhembje, protestë e vaj, kjo klithmë.
Mbas afro tre muajsh më kishin transferuar lart, në katin e dytë, në birucën e parafundit, djathtas, përballë banjos. Nëpërmjet një vrime shikoja fytyrat që kalonin për në banjë, por nga shpejtësia, rrallë i shquaja se cili ishte. Një herë dëgjova zëra grash me një ton që ngjanin sikur grindeshin. Kur dola për të kryer nevojat e mia, pashë pllakat me shumë gjak të papastruar mirë. E njëjta gjë edhe në gropën e WC-së. Kishte gjasë të kishte abortuar ndonjëra prej tyre. Në katin e dytë, shumica e grave qëndronin në birucat e korridorit majtas, sepse edhe gardiania qëndronte më shumë në atë krah. Djathtas ku ndodhesha unë tani, kisha pikasur se vetëm dy biruca ishin me gra. Biruca ime e re kishte numrin 44. Së bashku me birucën 45 kishin qenë në një birucë të vetme e cila ishte ndarë në mes me një mur bylme.
Dritarja e saj shihte në oborrin e hetuesisë. Provova të hyj në kontakt me fqinjët me anë të alfabetit “Mors burgaxhinjsh”. Djathtas më erdhi përgjigjja: “Të njoh, je piktor në OMT. Mos trokit më!” E kapa situatën. Duket se kishte brenda ndonjë “mi birucash”. Tek ana tjetër, nga biruca 45, heshtje. Mesazhin e jepja me trokitje. Numëroja shkronjat e alfabetit dhe kur arrija atë që doja, bëja pauzë. Pastaj vazhdoja të formoja shkronjën tjetër e më pas fjalën, e gjithë fjalinë. Ia dola të trokas shumë shpejt. Këtë e mësova në katin e parë. Në qoshin e birucës, tek muri bylme, provova me një fije kashte, e cila kalonte lirisht, t’i tërhiqja vëmendjen fqinjit duke i folur: “Kush je ti?”
Asnjë përgjigje.
Enigma m’u zgjidh mbas afro dy-tri javësh kur dëgjova një zë basi:
Novruz, o Novruz, Novruz, ore! – Novruz si duket quhej gardiani. – Ore ti që troket, bjeri një çikë derës se kam nevojë.
Pse nuk i bie vetë? – iu përgjigja.
Nuk e merr vesh ti ore, që jam i lidhur këmbë e duar? – më foli një zë me një dialekt korçar. I rashë derës dhe kur erdhi gardiani ia shpjegova situatën. Për çudi, nuk më tërhoqi vërejtje se ai nuk duhet ta linte postin asnjëherë vetëm, qoftë edhe kur kryente nevojat e tij personale. Një ditë, kur erdhi polici që më shoqëronte për në hetuesi, u përpoqa të shoh fqinjin korçar të cilin e ndjeva që e tërhoqën për në banjë, mirëpo tek dera qëndronte Novruzi me një copë litar të yndyrosur e të nxirë nga përdorimi e që ishte më i hollë se gishti. Me siguri shërbente për të lidhur prangat e duarve me ato të këmbëve. Ato kohë na merrnin më rrallë në hetuesi.
Një ditë tjetër kur dola në banjë, pashë Novruzin i cili i hiqte kockat një pule të pjekur. Duket, ishte e fqinjit korçar. Nga mesi i natës, po atë ditë, u zgjova nga disa hapa të çrregullta. Vura syrin tek vrima për të vëzhguar. Dera e birucës fqinjë u hap e përsëri hapat e çrregullta u larguan pa u dëgjuar asnjë zë. Gardiani mbylli derën, shtyu llozin pa e mbyllur me dry …
Më vonë, në kamp, mora vesh nga Minella Cami se korçari me zë basi që u muar atë natë për t’u pushkatuar, kishte qenë Koço Plaku, inxhinier nga “Grupi i naftës”.
(Marrë nga “O njeri…”Autor Gëzim Peshkëpia)
Komentet