25 vjet nga masakra e Qirezit të Skenderajt dhe Likoshanit të Drenasit.
Më 28 shkurt 1998 ditë e shtunë ushtria, milicia, paraushtarakët e civilë çetnikë serbë të armatosur gjerë në dhëmbë e të pajisur me artileri e helikopterë, shkojnë në Likoshan ku, brenda në shtëpi të vet, pushkatojnë 10 anëtarë të familjes Ahmeti dhe një mysafir që kishte qenë në atë familje. Në familjen Xheli pushkatojnë babë e djalë dhe prej aty shkojnë në Qirez fshat ky që kufizohet, është në fqinjësi me Likoshanin, ku vetëm në familjen Sejdiu pushkatojnë katër të rinj vëllezër, djem të Sheremet Sejdiut, dy djemë të Sefer Nebihut, renë e tij shtatzanë dhe Seferin e plagosin rëndë, pastaj vrasin, Rexhep Rexhepin dhe nipin e tij Beqir Rexhepi.
Më këte rast janë plagosur rëndë e lehtë disa ushtarë të UÇK-së, në mesin e tyre me rëndë kanë qenë të plagosur Sabit Lladrovci nga Gllanasella e Drenasit, Musa Jashari nga Prekazi dhe Sabit Geci nga Llausha e Skenderajt, duhet të theksohet se Sabit Geci ka qenë i plagosur shumë rëndë për çka, sot e asaj dite, ka mbetur invalid i luftës së UÇK-së i përjetshëm. Këtu, pra, kanë pushkatuar 24 shqiptarë në mesin e tyre edhe një grua shtatzanë.
Dihet se atë ditë në Qirez e Likoshan është zhvilluar luftë e rrept mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe hordhive kriminele çetnike serbe ku rreth 40 çetnikë serbë kanë mbetur të vrarë e të plagosur.