Një nga kontributet më të rëndësishme të diasporës shqiptare në fillim të shekullit XX ishte nxjerrja dhe shpërndarja e shtypit në gjuhën shqipe, në funksion të ndërgjegjësimit kombëtar dhe mbrojtjes së kulturës shqiptare. Në këtë kontekst, duhet theksuar roli që luajti Parashqevi Qiriazi, në bashkëpunim me Sevasti Qiriazin (Dako) dhe Kristo Dakon, të cilët përbënin bërthamën organizative dhe intelektuale të revistës “Ylli i Mëngjezit”, një ndër nismat më të dalluara në fushën e arsimit dhe propagandës kulturore.
Revista Ylli i Mëngjezit, një botim prej 32 faqesh në gjuhën shqipe, doli për herë të parë më 13 janar 1917 në Boston dhe përfaqësonte një nga angazhimet më të qëndrueshme të Parashqevi Qiriazit pas kthimit të saj në Shtetet e Bashkuara. Krahas përpjekjeve të saj të drejtpërdrejta në fushën e arsimit dhe organizimit shoqëror të grave shqiptare në diasporë, ajo ia kushtoi me përkushtim të veçantë drejtimin dhe botimin e kësaj reviste, që synonte të ngjallte vetëdijen kombëtare, emancipimin gjinor dhe përparimin kulturor të mërgatës shqiptare.
Që në faqen e parë të numrit të parë, nën titullin e revistës theksohej qartë se ajo ishte “revistë shqiptare kushtuar ndriçimit dhe naltësimit të popullit shqiptar”, dhe ky program shpirtëror nuk ishte thjesht një deklaratë botuese, por një mision i ndërgjegjshëm dhe i ndërmarrë me përkushtim të rrallë nga një grua otodokse që vinte nga një traditë ortodokse e thellë dhe me vetëdije të lartë kombëtare.
Qëllimi i saj thelbësor ishte të mbushte një boshllëk në shtypin dhe jetën intelektuale shqiptare të diasporës. Siç theksonte vetë editorja: “Mbushim një vend të zbrazët dhe jemi të siguruarë, se duke botuar këtë të përkohëshme, i sjellim dobi kombit”².
Parashqevia shfaqet si një yll i mëngjesit në qiellin e errët të padijes dhe të shpërndarjes shpirtërore të kohës — një yll që lajmëronte agimin e dijes dhe vetëdijes kombëtare, duke ndriçuar rrugën e një kombi që kërkonte të gjente veten mes kaosit dhe rreziqeve të kohës. Si një bijë e një familjeje të shquar ortodokse shqiptare, e lindur dhe e rritur në një klimë shpirtërore ku ndjenja e përkatësisë fetare ndërthurej natyrshëm me idealin e rilindjes kombëtare, ajo mishëroi në vepër atë që shumë burra e shprehën vetëm me fjalë: ndërgjegjen e një shërbëtoreje të popullit të vet, nëpërmjet penës dhe përkushtimit.
Revista ishte konceptuar si mjet propagandistik në funksion të çështjes kombëtare, duke ndjekur shembullin e rilindasve të mëdhenj, të cilët edhe se përballeshin me vështirësi ekonomike shpërndanin falas veprat e tyre. Edhe Parashqevia ndiqte këtë model: revista u dërgohej falas të rinjve dhe studentëve shqiptarë kudo ku ata studionin, në Amerikë apo Europë. Siç pohonte vetë ajo: “Ylli i Mëngjezit u dërgohet pa të holla”³.
Rubrika kryesore e revistës ishte “Fleta e editorit”, e cila përgatitej nga vetë Parashqevi Qiriazi. Ajo trajtonte tema që kishin të bënin me arsimin, edukimin dhe moralin, duke qëndruar në frymën e rilindasve iluministë që besonin në fuqinë transformuese të dijes. Qëndrimet e saj mbështeteshin në ide të qarta dhe të vendosura lidhur me domosdoshmërinë e arsimit në gjuhën amtare. Ajo kishte qenë një ndër përpilueset e programit arsimor të Qeverisë së Ismail Qemalit më 1913 dhe që atëherë kishte theksuar rrezikun e madh që paraqisnin shkollat e huaja për kulturën dhe vetëdijen kombëtare shqiptare. Në mënyrë të drejtpërdrejtë, ajo shkruante: “Shkollat e huaja kanë shtrënguar kombin e mjerë të humbasë ndjenjat kombëtare dhe në vend të tyre kanë mbjellë ndjenja të huaja”⁴.
Parashqevia e shihte si detyrë të ngutshme krijimin e një opinioni të fortë shoqëror për të përballuar ndikimin e shkollave të huaja, për të nxitur arsimin kombëtar dhe për të mobilizuar rininë shqiptare. E vetmja rrugë për përparim, shkruante ajo, ishte arsimi në gjuhën shqipe, “sepse arsimi është mbrojtja e hekurt kundra propagandës së huaj”⁵.
Në një tjetër artikull të revistës, ajo theksonte nevojën urgjente për ngritjen e shkollave kombëtare, të cilat do të përgatitnin kuadro të aftë për t’i shërbyer vendit. Në mendimin e saj pedagogjik, ajo besonte se “arsimi është mbrojtja e hekurt kundër propagandës së huaj”, duke theksuar se “padija është burimi i varfërisë dhe gjer më një shkallë i tërë ligësive nga të cilat vuan sot kombi ynë”. Me një gjuhë të ngrohtë dhe nganjëherë figurative, ajo e krahasonte përpjekjen për dije me gërmimin e pusit për të nxjerrë ujë të pastër, duke kujtuar se kënaqësia e fundit e suksesit e tejkalon çdo lodhje të rrugës.
Parashqevi Qiriazi, nën drejtimin e vëmënshëm të Sevastisë, integroi mendimin e saj pedagogjik dhe vizionin e saj për rolin e gruas dhe të shkollës në formimin e karakterit të kombit, përfaqëson një model të rrallë të ndërthurjes së identitetit fetar ortodoks me përkatësinë e fortë kombëtare. Ajo nuk predikonte asnjëherë ndasi fetare, përkundrazi, përmes veprës së saj promovonte një frymë përfshirjeje dhe përparimi për gjithë shqiptarët, duke treguar se një grua ortodokse nga Manastiri mund të bëhej frymëzim dhe udhërrëfyes për mbarë kombin.
Ndërkohë, ajo theksonte se për të arritur këto synime, duhej përgatitje, sakrificë dhe vullnet: “Pa arsimimin e të rinjve, vendi nuk do të përparojë; padija është burimi i varfërisë dhe, gjer në një shkallë, i të gjitha ligësive nga të cilat vuan sot kombi ynë. Arsimi i mbaruar është mjekësi që shëron çdo ligësi ose sëmundje shoqërore”⁷. Ajo kujtonte lexuesve se çdo sukses arrihet me përpjekje dhe punë të vazhdueshme: “Të shumta janë pengimet e mundimet në të rëmihurit e pusit gjer të dalë ujë i kulluar; por kur arrijmë burimin dhe pimë, ndjejmë një kënaqësi të përsosur”⁸.
Me këto qëndrime, Parashqevi Qiriazi jo vetëm komunikonte me masat, por i frymëzonte ato. Ajo dinte të zgjonte emocione dhe të mbante të ndezur frymën e atdhetarizmit. Në një artikull tjetër theksonte: “Lufta jonë, në të cilën duhet të marrim pjesë, është të përpiqemi me të gjitha fuqitë tona që të arsimohemi me anën e mësimit dhe diturive, që kështu të mundim të mbledhim gjithë fuqitë tona në një vend dhe t’u shërbejmë idealeve kombëtare”⁹.
Revista “Ylli i Mëngjezit”, ashtu si gjithë vepra e Parashqevi Qiriazit, ushqehej nga idetë rilindëse dhe e vendoste veten në shërbim të përhapjes së gjuhës dhe kulturës shqipe, duke mishëruar frymën e përkushtimit dhe të misionit shoqëror e kombëtar që ajo kishte përvetësuar qysh herët në edukimin familjar ortodoks.