VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Zvicra, në vend të parë për të drejtat e grave

By | March 8, 2019

Komentet

Familjarët në Kosovë dyshojnë se 7-vjeçari mund të jetë vrarë për arsye raciste

Një ditë më parë, derisa po kthehej nga shkolla i vetëm, 7-vjeçari nga Lipjani, Ilias Mahmuti, u vra mizorisht në Bazel të Zvicrës. Një grua 75-vjeçare e preu atë në fyt me thikë. Ajo më pas e lajmëroi policinë për rastin dhe e pranoi fajësinë para organeve të drejtësisë. Trupi i pajetë i miturit, që do të kthehet në Kosovë për t’u varrosur, është ende në obduksion. Express ka qëndruar sot në Gjilan dhe Lipjan nga ku familjarët e të miturit kanë folur për tragjedinë që u ka ndodhur. Xhaxhai i Valon Mahmutit, babait të viktimës duke folur për gazetën la të kuptohet se rasti mund të ketë të bëjë edhe me racizëm. Arlena Krivenjeva

Familja Mahmuti, nga fshati Bregu i Zi i Lipjanit, si dhe ajo Xhemaili nga Gjilani, u tronditën kur morën vesh lajmin se nipi i tyre, Iliasi, ishte vrarë me thikë në fyt nga një grua 75-vjeçare, derisa po kthehej nga shkolla në Bazel të Zvicrës.

Për 7-vjeçarin, i cili u vra mizorisht, shkruajtën edhe mediat më të mëdha botërore. Familja tashmë është duke bërë përgatitjet për të pritur trupin e pajetë dhe për t’i kryer procedurat e varrimit.

Ilias Mahmuti qe u vra ne Zvicer

Deri më tani atyre u është thënë se bëhet fjalë për një plakë e cila dyshohet se ka probleme psikike, ndërkaq një burim tjetër ka thënë, për Express, se e njëjta e kishte vrarë djalin me thikën me të cilën ishte duke ngrënë bukë në një restorant në cep të rrugës ku ndodhi rasti.

Gazeta Express sot gjatë ditës ka qëndruar në Gjilan dhe Lipjan ku familjarët kanë rrëfyer për rastin.

Rrëfimi nga Gjilani – si e morën vesh familja Xhemaili lajmin

Këtë të hënë, pas një pushimi dy javor në Gjilan, familja Mahmuti u nisën për në Zvicër, aty ku Valoni (babai i 7 vjecarit të vrarë), jetonte së bashku me gruan Samirën dhe të dy djemtë.

Por, po atë ditë, Samira u sëmurë dhe kështu u shtri në spital. Për këtë, të dy fëmijët mbetën në përkujdesjen e të atit.

Njëjtë kishte ndodhur edhe të enjten, herët në mëngjes. 7-vjeçari, Elias Mahmuti, që këtë vit kishte filluar klasën e parë, pak para se të nisej për në shkollë e kishte telefonuar të ëmën e sëmurë për t’i treguar se çka kishte veshur, duke i premtuar se do ta vizitonte sapo ta kryente mësimin.

Familja ne Gjilan

Por, e enjtja ishte e kobshme për familjen Mahmuti pasi Iliasi djali i tyre 7 vjecar duke u kthyer nga shkolla u përgjak nga duart e një 75-vjeçareje, e cila e theri atë me thikë në fyt në mes të rrugës. Fëmija ndërroi jetë në spital pak minuta më vonë.

Gjyshërit e Iliasit (nga nëna), Zaimi dhe Ajshja, që jetojnë në Gjilan, sot gjatë ditës, në një bisedë për Gazetën Express, kanë rrëfyer krejt mënyrën se si morën vesh për rastin.

Mes lotësh, të tronditur, ende nuk po mund të besojnë se nipi i tyre, që e përcollën pak ditë më parë për në mërgim, nuk është më, e aq më pak për mënyrën e tmerrshme se si ai kishte ndërruar jetë.

Familja ne Gjilan

“Dje në mëngjes ish çu djali për në shkollë me shku, e ish veshë, ja kish marrë babës së vet telefonit e ka thirr nanën e vet i ka thanë mam kshyrëm a jam vesh mirë se jam tu shku në shkollë, ajo me dhimbje të vet mos me pa djali, i ka than shumë mirë mami, tash a të ka kalu ka pyet ai kur ki me u kthy te shpia”, rrëfen Ajshe Xhemaili, duke treguar se pas kësaj bisede djali ishte nisur për në shkollë, e ky ishte komunikimi i fundit që prindërit kishin pasur me të.

Pas kësaj, djali i përcjellë nga babai i tij, Valoni do të shkonte për në shkollë, e prindërit për të pas disa orësh dëgjuan nga policia, pasi të njëjtin veçse e kishin dërguar me plagë të rënda për në spital.

Derisa 7-vjeçari po kthehej nga shkolla, në rrugën që përshkonte çdo ditë, u sulmua nga një grua 75-vjeçare, e cila pasi që goditi të miturin me thikë u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Familjarët u shqetësuan nga vonesa e djalit e kështu lajmëruan mësuesen e tij për të pyetur se a ishte kryer orari. Pikërisht mësuesja është ajo që, sipas mediave zvicerane, e ka gjetur e para djalin e plagosur rëndë.

Prindërit morën edhe mesazhin, por jo ashtu siç kishte ndodhur rasti, atyre iu tha se djalin e kishte goditur një veturë, e kështu e kishin futur në operacion urgjentisht.

Nëna e djalit, Samira, që ishte vetë e shtrirë në spital, u dërgua menjëherë para sallës ku po mbahej operacioni i 7-vjeçarit, e pak minuta më vonë asaj ia kumtuan lajmin – djali nuk kishte mundur t’u mbijetonte plagëve.

Njëjtë siç edhe ka deklaruar Samira Xhemaili për “Blick”, edhe familjarët po thonë se asnjëherë në jetë nuk kishin problem me askënd, aq më pak me një grua të moshuar.

Samira Xhemaili ne vendin ku ju vra djali

Në kohën kur Express po qëndronte në familjen Xhemaili në Gjilan, familjarët e të ndjerit kishin shkuar për të parë trupit e pajetë, ndërkaq iu ishte kumtuar se gruaja që kreu veprën makabër kishte probleme të rënda shëndetësore të natyrës psikike, e për veprën kishte rrëfyer para organeve të rendit në Zvicër.

Madje siç thuhet plaka u kishte dërguar vet sms organeve të rendit për t’u treguar për aktin që kishte kryer.

Trupi i pajetë i 7-vjeçarit Ilias Mahmuti do të kthehet në Kosovë sapo të përfundojnë të gjitha procedurat, ndërkaq varrimi i tij do të bëhet në Gjilan, ashtu siç kanë kërkuar gjyshërit, te të cilët gjithmonë ai i kishte kaluar pushimet.

 Rrëfimi i familjarëve të 7-vjeçarit në Lipjan

Në fshatin e babait të 7-vjeçarit të ndjerë, në Breg të Zi të Lipjanit, të premten po prisnin njerëz që niseshin për ngushëllime. Atyre iu ishte thënë se afër vendit ku u vra Iliasi, ishte një vend për të ngrënë, nga ku edhe doli gruaja e cila kreu veprën makabër.

Këta të fundit madje po thonë se edhe thika me të cilën u krye vrasja u mor nga aty, megjithëse deri më tani këto janë vetëm fjalë që kanë marrë nga familjarët, pa konfirmim.

Familja ne Lipjan

Xhaxhai i Valonit, Skender Mahmuti, thotë se janë informuar nga familjarët që i kanë në Zvicër për rastin tragjik.

“Informatat i kam marrë nga djali, djali ka shku në shkollë, ka u kthy prej shkollës, një grua 75-vjeçare me thikë e ka pre te arteria në vesh, ka ikë njëherë pastaj u shku u paraqit në polici”, po thotë ai, duke shtuar se djali ka qenë një fëmijë shumë i urtë.

“Gjeneratat e vjetra të zviceranëve nuk i donë shumë njerëzit që vijnë prej vendeve të tjera”, deklarohet ai, duke thënë që mësuesi e gjeti të mbuluar me gjak në mes të rrugës.

Familja ne Lipjan

Këta po shtojnë se Bashkësia Islame në Zvicër ka marrë përsipër shpenzimet e varrimit, duke thënë se njëherë iu ishte thënë se trupi do të vinte për në Kosovë nesër, por nuk kanë asgjë të konfirmuar deri më tash.

Çka dihet deri më tani për këtë rast?

Vrasja në mes të rrugës në qytetin e Bazelit ka marrë vëmendjen e të gjitha mediave më të mëdha botërore.

U shkrua për një akt makabër të kryer nga një grua 75-vjeçare, e cila pak orë më vonë do të lajmëronte përmes një SMS organet e rendit për krimin, e pastaj do të jepte rrëfimin e saj edhe para prokurorit.

Sot në vend të ngjarjes dolën edhe prindërit e Iliasit, ndërkaq, persona të shumtë në atë vend kanë vendosur gjatë ditës lule e kanë ndezur qirinj. Vepra gjithashtu ka ngjallur ankth e frikë te fëmijët e tjerë dhe te prindërit e atij vendi.

Sipas informacioneve që janë bërë të ditura deri më tani kryesja e krimit nuk e kishte njohur as viktimën e as familjen e tij.

Momentalisht është duke u bërë ekzaminimi psikiatrik për të kuptuar se a ka pasur probleme mendore, ashtu siç po dyshohet./GazetaExpress

Vendi ku ndodhi vrasja

E moshuara zvicerane, që vrau fëmijën 7-vjeçar nga Kosova, iu nënshtrohet ekzaminimeve psikiatrike

VOAL – Ekzistojnë dyshime në lidhje me 75-vjeçaren e dyshuar si autore e vrasjes së një fëmije 7-vjeçar, dje, në Bazel. Prandaj, gruaja e moshuar, një shtetase zvicerane, po i nënshtrohet një ekzaminimi psikiatrik, sipas një deklarate nga zyra e prokurorisë kantonale.

Sipas hetimeve të kryera deri tani nga një komision i posaçëm i veçantë, pensionistja nuk njihte as fëmijën as familjen e saj, me prejardhje nga Kosova.

Provat e institutit të mjekësisë ligjore zbuluan se gruaja kishte shkaktuar një plagë të rëndë në qafën e fëmijës me thikë. Arsyet për veprimet e saj ende nuk janë sqaruar, shton burimi.

Ngjarja ndodhi dje rreth orës 12.45 disa qindra metra nga një shkollë në St Galler-Ring, në rrethin e Gotthelf, ku fëmija ndiqte klasën e parë.

Një mësuese që po shkonte në shtëpi e gjeti fëmijën të plagosur rëndë në trotuar dhe menjëherë kërkoi ndihmë. Gratë e tjera, duke përfshirë edhe mësuesja e fëmijës, duke kaluar rastësisht, dhanë ndihmën e parë deri në ardhjen e punëtorëve shëndetësorë, thuhet në deklaratë.

Personeli i ambulancës fillimisht u përpoq ta ringjallte fëmijën në vend dhe më pas e çoi në spitalin pediatrik të universitetit, ku ai u nënshtrua, fatkeqësisht, kot, në një operacion urgjence.

Pas sulmit, gruaja e vjetër e dyshuar për krimin shkoi në Schützenmattpark dhe informoi disa njerëz dhe institucione me SMS se ajo kishte therur një fëmijë. Pastaj ajo u paraqit në zyrën e prokurorit.

Zyra e Prokurorit është duke ftuar njerëzit që janë në gjendje të japin informata relevante për të kontaktuar departamentin e hetimit të kësaj prokurorie ose stacionin më të afërt të policisë.
ATS

Shokët e 7-vjeçarit vendosin lule në vendin e krimit, kosovari u vra 200 metra larg nga shkolla

Derisa po kthehej nga shkolla të enjten, një shtatëvjeçar nga komuna e Lipjanit që jetonte me familjen në Bazel u ther me thikë nga një 75-vjeçare në mes të rrugës, raporton Gazeta Express.

Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 12:45, kur fëmija ishte duke u kthyer nga shkolla. Sulmi ndodhi 200 metra larg nga shkolla.

Pak pasi ndodhi sulmi, djaloshi u dërgua në spital mirëpo nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.

Në vendin ku ndodhi ngjarja tragjike, janë vendosur qirinjtë dhe lule nga shokët e 7-vjeçarit.

Të njëjtët u deklaruan se kur dëgjuan për rastin nuk kishin mundur të besojnë. /GazetaExpress

The Guardian shkruan për vrasjen makabre të 7-vjeçarit nga Lipjani

Krimi makabër që ndodhi në Zvicër mori vëmendjen edhe të prestigjiozes “The Guardian”, që shkruan për vrasjen e 7-vjeçarit nga një plakë, e cila e theri atë me thikë në fyt, raporton Gazeta Express.

“Policia në Zvicër ka arrestuar një grua 75-vjeçare nën dyshimin për vrasjen e një djali shtatëvjeçar, i cili u godit me forcë në rrugën e tij në shtëpi nga shkolla. Fëmija u sulmua duke ecur vetëm në qytetin veriperëndimor të Bazelit, rreth orës 12:30 të kohës lokale, tha policia. Mësuesi i djalit e gjeti atë të shtrirë në tokë në një gjendje të rëndë dhe bëri thirrje për një ambulance”, shkruan Guardian.

Tutje, shkruhet edhe se 75-vjeçarja pasi që u vetëdorëzua ka pranuar se ka kryer sulmin para organeve të rendit. /GazetaExpress

Shqiptarët në Zvicër, marsh protestues pas vdekjes së 7-vjeçarit

Pas rastit tragjik që ndodhi dje në Bazel shqiptarët e Zvicrës kanë paralajmëruar një marsh protestues raporton Gazeta Express.“Njoftohen gjithë shqiptarët e Zvicrën Veri-Perëndimore se me datën 24.03.2019 nga ora 14:00 do të organizohet një marsh protestues për vogëlushin 7 vjeçar i cili u vra nga një 75 Vjeçare në Bazel”, thuhet në njoftim, nga ku bëhet e ditur se protesta do të bëhet në vendin kur vogëlushi humbi jetën.

Dje rreth orës 13:00 në një rrugë të Bazelit një 75-vjeçare ka therur me thikë një 7-vjeçar që me prejardhje është nga Lipjani.

E njejta, është kapur nga organet e rendit dhe ka pranuar se ka kryer fajin./GazetaExpress

Vritet me thikë në Zvicër një shtatë vjeçar nga Kosova

Në rrugën St. Galler-Ring të Bazelit në Zvicër, dje rreth orës 12:30 është vrarë me thikë një 7 vjeçar, që siç merret vesh është kosovar me prejardhje nga komuna e Lipjanit.Sipas medieve zvicerane, djali ishte duke shkuar në shtëpi, pas përfundimit të mësimit, kur edhe është qëlluar me thikë derisa, është gjetur në rrugë nga mësuesi i tij.Më pas fëmija është dërguar me urgjencë në spital por nuk ka mundur tu mbijetojë plagëve ka bërë të ditur Peter Gill, zëdhënës i zyrës së prokurorisë së Bazelit, njofton Klan Kosova.Pas veprimeve hetimore që nisën menjëherë, zyra e prokurorit shkruan se një një grua e moshuar u pa duke u larguar nga skena e krimit. Pak kohë më vonë, një grua 75-vjeçare zvicerane u kthye në zyrën e prokurorit publik në Waaghof dhe rrëfeu për krimin. Derisa pas kësaj deklarate u arrestua.

Akoma nuk dihen motivet e vdekjes, ndërsa banorët janë shumë të shqetësuar për rastin.

Këshilli Zviceran i Shteteve: AHV duhet të paguhet edhe në Kosovë

Këshilli i Shteteve (Senati) miraton konventën e re për të siguruar pensionet e pleqërisë për punëtorët e moshuar që janë kthyer në atdhe

 

VOAL – Koha po afrohet kur punëtorët kosovarë të moshuar, që veprojnë në Zvicër prej shumë vitesh, do të jenë në gjendje të marrin një pension AHV ose AI. Këshilli i Shteteve (Senati) në fakt miratoi të enjten – me 38 vota për dhe 1 kundër – Konventën e re të Sigurimeve Shoqërore, e cila përmbyllet me Kosovën. Ndryshe nga projekti i qeverisë, Dhoma e Kantoneve synon ta dorëzojë marrëveshjen në një referendum opcional. Dosja tani kalon në Këshillin Kombëtar (Dhomën e Deputetëve).

Marrëveshja e re koordinon në veçanti sigurimin pensional për moshën e vjetër, të mbijetuarit dhe invalidët nga shtetet kontraktuese dhe rregullon pagesën e pensioneve jashtë vendit.

Që nga prilli 2010, Konventa e Sigurimeve Shoqërore e përfunduar në atë kohë me ish Jugosllavinë nuk zbatohet më në Kosovë. Në këtë moment, rreth 100 000 qytetarë kosovarë që kthehen në atdhe nuk mund të marrin pensionet zvicerane AHV ose IV. Në vend që të paguahen pensionet e pleqërisë ose të të mbijetuarve, megjithatë, është e mundur të merret rimbursimi i kontributeve të AHV sipas kërkesës.

Duke filluar nga hyrja në fuqi e Konventës së re, e cila duhet të ratifikohet nga të dy Dhomat e Parlamentit, qytetarët kosovarë të moshës së pensionit të cilët nuk kanë kërkuar rimbursimin e kontributeve mund të kërkojnë pagesën e pensioni jashtë vendit, por ata nuk mund të pretendojnë të drejta retroaktive për periudhën e mëparshme.
ATS

Gazeta zvicerane: Kosova e fillon një epokë të re

E përditshmja zvicerane, Le Matin, ka shkruar për sfidën që ka para vetes ekipi përfaqësues i Kosovës, i cili këtë vit do të garojë për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020.

Kosova e Bernard Challandes e fillon një epokë të re të enjten, me ndeshjen kundër Danimarkës, që pastaj do të përballet me Zvicrën në Basel, të martën, shkruan Le Matin, transmeton Gazeta Express.

“Ne fituam kundër ekipeve të Ligës D, ishte e mrekullueshme. Por, sot, ne fillojmë nga e para kundër skuadrave të cilat janë shumë më të mira”, ka thënë Challandes, fitues i grupit të tij në Ligën e Kombeve me Kosovën, i cili tani do të garojë për t’u kualifikuar në EURO 2020.

Pasi shorti u ra të radhiten në Grupin A, futbollistët kosovarë do të përballen këtë herë me Bullgarinë, Malin e Zi, Republikën Çeke dhe, më e veçanta, me Anglinë. Në një ndeshje që është më shumë si përgatitje, ata do të përballen të enjten me Danimarkën, kundër të cilëve do të luajë edhe Zvicra pas disa ditësh.

Të hënën, Kosova do të ndeshet me Bullgarinë, përsëri në stadiumin “Fadil Vokrri” për ta dëshmuar përmirësimin e skuadrës. Për këtë ndeshje, trajneri do të mbështetet në grupin e lojtarëve që janë të lidhur edhe me Zvicrën.

Pesë lojtarë të Kosovës luajnë në Super Ligës Zvicerane: mbrojtësi i Xamaxit, Arbenit Xhemajli, Idriz Voca i Lucernit dhe treshja e Zurichut, Mirlind e Hekuran Kryeziu dhe Benjamin Kololli. Një tjetër lojtar nga Zvicra, portieri i ri dhe i talentuar, Arijanet Muric, i cili më herët luante për Zurichun dhe tani është pjesë e Manchester Cityt.

Megjithatë, në skuadrën e Kosovës nuk ka gjurmë të Bastien Tomas, i cili luan për Sionin dhe është i zgjedhur për ekipin e Zvicrës U-21, e as të Florent Hadërgjonaj të Huddersfielt Toënit. Për të dy këta futbollistë, ishte përfolur se do të ishin në radhët e Kosovës së shpejti, para gjashtë javëve.

“Ishte një cirk i bërë nga mediat. Në realitet, gjërat nuk ndodhin ashtu. Duhet të bëjmë dokumente të plota. Duhet t’u lejojmë së pari atyre pak kohë, vendimi i tyre duhet të piqet. Në një pikë, ndoshta ata do ta kuptojnë se Zvicra është vetëm një ëndërr dhe Kosova u jep më shumë mundësi për të luajtur në nivelin ndërkombëtar”, ka thënë Challandes.

Në fillim të kësaj jave, lojtarët e Kosovës, heronjtë e ri të këtij vendi, u vizituan nga shumë parlamentarë dhe kryesues të shtetit, të cilët erdhën t’i urojnë dhe inkurajojnë ata.

“Më duhet të them jemi këtu në Kosovë, një vend i ri, dhe jam shumë i lumtur me përkrahjen e tërë vendit, që nënkupton me të politikës dhe njerëzit. Mendoj se ekipi kombëtar është i rëndësishëm në vend. Mendoj se t’i japim pak kohë politikës dhe sponsoreve është normale. Nuk mund të kërkojmë, kërkojmë e kërkojmë dhe mos të japim”, u shpreh Challandes.

Sonte, Kosova, e renditur në pozitën e 130-të në rangimet e FIFA-s, do ta sfidojë Christian Eriksenin e Kosovës dhe shokët e tij. Danimarka është e renditur në pozitën e dhjetë në botë.

Nëse gjasat e Kosovës për të përfunduar në pozitën e dytë në grupin A për kualifikimet në EURO 2020 janë të vogla, Kosova mund të shpresojë ta sigurojë një vend në këtë garë edhe përmes play-offs të grupit D, ku i ka kundërshtarë Bjellorusinë, Maqedoninë dhe Gjeorgjinë. Shorti do të mbahet më 30 nëntor të këtij viti.

“Kur e dimë se ne mund të marrin pjesë në Evropian edhe në këtë mënyrë është një ëndërr e madhe. Do të ishte e mjaftueshme ta arrinim atë dy herë”.

Para se të vazhdojnë ëndërrimet, Kosova do të përballet me realitetin pas disa orëve, para publikun të entuziazmuar dhe spiunit të Zvicrës që Vladimir Petkovic do ta ketë dërguar në Prishtinë.

Koncert në Gjenevë me artistë shqiptarë e zviceranë e të ftuar speciale artisten e mirënjohur Mimoza Nazarko

Të shtunën më 6 prill ora 19:30

në aulën e shkollës Boudines,

Rue des Boudines, 10, 12 17 Meyrin

ju ftojmë në një koncert me artistët shqiptarë e zviceranë Marco Zapa dhe Lir Kryekurti

që do të paraqiten me një repertor shumë të pasur

të këngës në shqip, italisht, frëngjisht dhe anglisht.

E ftuar speciale e koncertit do të jetë artistja e mirënjohur Mimoza Nazarko.

Zvicra, në vend të parë për të drejtat e grave

Zvicra, e cila promovon barazinë e grave në vendin e punës, është renditur si vendi më i mirë për të drejtat e grave, njoftoi Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik (OECD).

Pas saj vinin Danimarka, Suedia, Franca dhe Portugalia, sipas një treguesi që rendit 120 vende për nga mënyra se si e trajtojnë diskriminimin kundër grave, me ligjet dhe reformat e tyre politike.

Ndërkohë, Guinea, Jordania, Irani, Pakistani dhe Jemeni renditeshin në fund të treguesit të OECD-së për Institucionet Sociale dhe Gjininë.

Treguesi u publikua me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Diskriminimi gjinor, duke përfshirë gjymtimin e organeve femërore, shkeljen e të drejtave riprodhuese, pagat dhe dhunën gjinore, vlerësohet se i kushton ekonomisë globale 6 trilion dollarë, ose 7.5 për qind të vlerës, thuhet në raport.

OECD i jep Zvicrës rezultatin 8.1 në renditje për diskriminimin gjinor “shumë të ulët” si dhe për ligje të forta dhe norma shoqërore që trajtojnë këto çështje.

Ndërsa Jemeni kishte rezultatin 64 për ashpërsinë e normave gjinore që kufizojnë liritë, qasjen financiare, dhe drejtësinë për viktimat femra të dhunës dhe përdhunimit.

“Pavarësisht nga një mirëkuptim global se barazia e grave është një

Përparësi e ngutshme, po lëvizim shumë ngadalë në mbylljen e hendekut gjinor, madje në disa vende hendeku është zgjeruar” tha në një deklaratë shefja e stafit të OECD, Gabriela Ramos.

Hendeku i pagave mes gjinive është 13.6 për qind në vendet e zhvilluara të marra së bashku, ndërkohë që gratë zënë më pak se një të katërtën e vendeve parlamentare në shkallë botërore, tha ajo.

Ambasadori zviceran në Kosovë: Rishkrimi i kufijve asnjëherë s’ka funksionuar, nuk jep paqe

Ambasadori i Zvicrës, Jean-Hubert Lebet tha se Zvicra ka koncentruar kapacitetet e saj në sektorët në të cilët duhet të kenë zhvillim, duke mbështetur kështu dialogun dhe çështjen e të pagjeturve, duke arritur drejtësinë për viktimat.

Ai tha se politikanët duhet të parashtrojnë pyetjen se si do të ndikojë një marrëveshje në jetën e qytetarëve, teksa dha 4 leksione.

“Pikë së pari, mund të them që rishkrimi i kufijve asnjëherë nuk ka funksionuar. Kjo nuk ka dhënë paqe të qëndrueshme. Nëse nuk kujdesen vazhdimit për paqen, të njëjtat gjëra do të jenë të gjalla edhe pas lëvizjes së kufijve, madje vetëm sa do të bëhen edhe më të komplikuara. Mësimi tjetër është; ,mos bëni asnjëherë marrëveshje me zor, madje edhe më pak për këto imponimet për të shtyrë me forcë përpara. Më lejoni të kujtoj çfarë tha presidenti Trump: ‘mos u nxitoni, mos u nxitoni’, kjo është ne Guardian më 27 shkurt dhe mund ta gjeni aty. Mësimi i tretë është se nuk ka asnjë model ku duhet të merret model për ndonjë vend. Nënshkrimi i një marrëveshjeje nuk është mësimi kryesor. Nëse palët nuk dëshirojnë të arrijnë tek një marrëveshje, atëherë kjo nuk do të ndodhë”, tha ambasadori i Zvicrës në tryezën me temën “Si e sheh delegacioni shtetëror të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi”, organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Në këtë tryezë nuk janë të pranishëm drejtuesit e Ekipit shtetëror për dialog me Serbinë, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj.

Sa flitet gjuha shqipe në Zvicër?

Pothuajse dy të tretat e njerëzve që jetojnë në Zvicër flasin rregullisht më shumë se një gjuhë. Me katër gjuhë zyrtare kombëtare, Zvicra ka një peizazh të veçantë gjuhësor dhe shumë gjuhë jokombëtare që mund të dëgjohen edhe në jetën e përditshme.

Gjuha franceze është bërë më e popullarizuar në 50 vitet e fundit, derisa më pak zviceranë flasin gjuhën gjermane. Kjo lidhet me migrimin.

Sipas të dhënave aktuale nga Zyra e Statistikave Federale (FSO), pjesa më e madhe e popullsisë së përhershme flet gjuhën gjermane ose zvicerane gjermane. Në mesin e gjuhëve jo-kombëtare, gjuha angleze dhe portugeze janë më të zakonshmet e më pastaj është edhe gjuha shqipe, përcjell albinfo.ch.

Për shkak të numrit të madh të të huajve, edhe gjuhët e huaja gjithnjë janë më të përhapura në Zvicër.

Gjuha angleze po bëhet gjithashtu një gjuhë e shquar në Zvicër. Në vitin 2010, 4.6% e popullsisë zvicerane foli gjuhën angleze si gjuhë kryesore, krahasuar me 5.4% shtatë vjet më vonë. Kjo është gjithashtu për shkak të rritjes së emigracionit nga vendet që flasin anglisht, si Britania e Madhe dhe SHBA.

Në Zvicrën frankofone, emigrantët priren të përshtaten me gjuhën lokale. Për shembull, shumë njerëz që flasin spanjisht, portugalisht ose italisht emigrojnë në Zvicrën frankofone, dhe ata priren të mësojnë shpejt frëngjishten.

Dhe, të huajt në përgjithësi integrohen më shpejt në Zvicrën frankofone, sesa në Zvicrën gjermanofolëse.

Trendet e emigracionit janë të ndryshme në pjesën gjermanofolëse të Zvicrës. Për shembull, njerëzit që emigrojnë nga Kosova ose Turqia kanë më shumë probleme duke folur gjermanisht në fillim krahasuar me spanjollët që mësojnë frëngjishten në Zvicrën frankofone.

Sipas statistikave zyrtare, 62.6 flasin gjermanisht ose zvicerane-gjermane, pastaj 22.9 frëngjisht, 8.2 italisht dhe 0.5 romanish.

Nga gjuhët e huaja, 5.4 flasin anglisht, 3.7 portugeze, 3.2 shqip, serbisht ose kroatisht 2.5, spanjisht 2.4 dhe 7.7 gjuhë tjera.