[easy-share buttons="facebook,google,twitter" image="https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2021/03/vjosabrn3v.jpg" counters=0 native="no" url="https://www.voal.ch/vjosa-osmani-pritet-nga-presidenti-i-keshillit-kombetar-te-zvicres-z-andreas-aebi/"]
Aebi: Zvicra është vendi i katërt në botë që ka ndihmuar Kosovën gjatë këtyre më shumë se 20 viteve
VOAL – “Isha e nderuar sot të pritem nga Presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, z.Andreas Aebi, për të diskutuar thellimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës e Zvicrës. Prioritetet e institucioneve të ardhshme, menaxhimi i pandemisë e sigurimi i vaksinave, potenciali i jashtëzakonshëm i mërgatës sonë si dhe bashkëpunimi ndër-parlamentar e ekonomik, ishin vetëm disa nga temat që i diskutuam gjatë takimit tonë shumë përmbajtësor. Mirënjohje e thellë për mbështetjen e deritanishme nga Zvicra e poashtu optimizëm i thellë për rrugën tonë përpara.”
Me këto radhë zonja Vjosa Osmani në faqen e saj në facebook na njeh përmbledhtas me përmbajtjen e takimit në Parlamentin e Zvicrës, ku u prit nga qytetari numër një i Konfederatës.
Sipas albinfo.ch, mikpritësi i ka uruar fillimisht zonjës Osmani fitoren “e shkëlqyer” siç është shprehur ai, të saj dhe të partisë për të cilën ajo ka garuar. Më tutje, kryeparlamentari zviceran ka kujtuar raportet shumë të mira në mes të dy shteteve. Në këtë kuadër, përveç ndihmave dhe mbështetjes që Zvicra i ka ofruar në vazhdimësi shtetit më të ri të Kosovës, ai ka thënë se raportet e tilla i ka mundësuar edhe diaspora kosovare “e integruar shumë mirë” në Zvicër. Kjo ka bërë, sipas tij, që krahas marrëdhënieve zyrtare, politike, ekonomike etj., të krijohen edhe shumë lidhje miqësore e familjare në mes të njerëzve të të dy vendeve.
Aebi ka thënë se Zvicra është në vendin e katërt të të gjitha vendeve të botës që kanë ndihmuar Kosovën gjatë këtyre më shumë se 20 viteve. Ai ka theksuar edhe kontributin që Zvicra po jep për mbrojtjen e paqes në Kosovë, përmes misionit paqësor Swisscoy në kuadër të KFOR-it.
Ndërsa presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar Zvicrën për gjithë kontributin që ajo ka dhënë e vazhdon të japë për Kosovën. Në këtë kontekst ajo ka veçuar ndihmën e madhe që shteti helvetik i ka ofruar Kosovës që nga “kohët e errëta” të përpjekjeve për çlirim e pavarësi, raporton albiunfo.ch. Më tutje, ka vënë në pah ajo, Zvicra ka qenë ndër vendet e para që kanë mbështetur fuqishëm të drejtën e Kosovës për pavarësi dhe rrjedhimisht, ndër vendet e para që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Më tutje znj. Osmani ka theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve forcohen edhe falë diasporës së madhe kosovare, të integruar në të gjitha sferat e jetës në Zvicër. Këtu ajo ka përmendur veç tjerash edhe sukseset e kësaj diaspore, duke veçuar shembullin e futbollistëve të famshëm me prejardhje nga Kosova, të cilët janë edhe një urë tjetër lidhëse mes dy vendeve.
Kryeparlamentarja dhe presidentja në detyrë e Kosovës vazhdon gjatë pasdites së sotme takimet me autoritete tjera të larta të Zvicrës, mes të cilëve edhe me ministrin e jashtëm, Ignazio Cassis.




Komentet