VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Zv.ambasadori i OSBE “legjitimon” mbrojtjen e teatrit: Jam tifoz i objekteve klasike

By | August 8, 2019

Komentet

DOKUMENTI- Meta shpall ‘non grata’ në Presidencë ambasadorin e OSBE: Vuri në diskutim dekretin për 30 qershorin dhe u tregoi gishtin shqiptarëve

Presidenti Ilir Meta shpall ‘non grata’ në Presidencë ambasadorin e OSBE Bernd Borchardt.

Në dokumentin që disponon “Panorama”, kreu i shtetit është drejtuar me një letër Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenghagë, Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit MEPJ në Tiranë dhe u bën me dije se “Bernd Bochardt, i cili vuri në diskutim Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajit qershor 2019 dhe që publikisht i tregoi gishtin qytetarëve shqiptarë nuk është më i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës”.

LETRA E PLOTE

“Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë i paraqet komplimentat Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenghagë, Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit MEPJ në Tiranë dhe u bën me dije se:

Z. Bernd Bochardt, i cili vuri në diskutim Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajit qershor 2019 dhe që publikisht i tregoi gishtin qytetarëve shqiptarë nuk është më i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës.

Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë përfiton nga rasti për t’i shprehur Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenhagë, Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit të MEPJ në Tiranë dhe vlerësimet e konsideratës më të lartë’, shkuhet në shkresën që presidenca i dërgon Zyrës së OSBE-së.

“17 nëntori” fyerje për tironasit, si pushkatuan komunistët civilë të pafajshëm kur hynë në qytet – Nga Armando MAHO

Pashe kalimthi kremtimet e asaj që komunistët e quajnë “çlirimi i Tiranës”. Data korrespondon me hyrjen e bandave komuniste, që morën në dorë kryeqytetin pas largimit pa shumë e rrokopujë të ushtrisë gjermane, së cilës “heroizmi” i bandave komuniste, me ç’duket, nga njëri vesh i hynte dhe nga tjetri i dilte.

Në planin global Shqipëria ishte, as më shumë e as më pak, një vrimë në mes të detit dhe Gjermania, që kishte nisur të merrte rrokullimën, e kishte mendjen gjetkë, në gjëra shumë më të rëndësishme sesa të merrej me një vend që ia la Italia peshqesh. Por krerëve jugosllavë, të ndjekur nga banditët komunistë shqiptarë, u duhej një luftë, qoftë dhe e stisur, për të justifikuar krimet që do të vinin më pas. Nga ana tjetër, komunistët shqiptarë, të trembur se mund t’u ikte shansi i fundit për të marrë pushtetin, e mbështetën me afsh idenë serbomadhe për zhdukjen e nacionalizmit, madje kishin detajuar një listë emrash, të cilët do të bëheshin kurbani i parë i komunistëve në Tiranë. E gjithë loja, më shumë se çlirimi i kryeqytetit, ishte të shtrohej tapeti për ardhjen e Enver Hoxhës.

E ç’kuptim do të kishte në rast se ata do të hynin në qytetin e braktisur? Gjërat ishin kalkuluar mirë. Luftën ata s’e kishin me ushtrinë gjermane, sepse çobanët dhe argatët tanë, pavarësisht injorancës së tyre, e dinin sa e kishin hapin. Ata e dinin fare mirë se mund të shiteshin si trima me popullsinë civile, të pambrojtur dhe të pangatërruar me luftën, por një ushtri të mirorganizuar dhe që kishte pushtuar gjysmën e botës as në sy nuk ishin në gjendje ta shikonin dhe jo më të luftonin me të.Banditët në fillim u organizuan në rrethinat e Tiranës dhe vëzhguan mirë lëvizjen e trupave gjermane.

Pasi ishte tërhequr më shumë se ¾ e divizionit gjerman që mbronte Tiranën, së bashku me pjesën tjetër të ushtrisë, pas urdhrave të krerëve të lartë të Vermahtit për të mbledhur trupat në Berlin, mësynë trimat me opinga. Shënjestra ishte e qartë: nën fushatën e terrorit që kishin ndjekur dhe në rrethe të tjera të vendit, gjëja e parë që bënë ishte bastisja dhe vrasja e nacionalistëve dhe njerëzve që kishin sadopak ndikim në popull. Vjedhja dhe plaçkitja ishin gjëra normale për kohën. Shumë familjeve tiranase u ishte dashur të linin qytetin jo për shkak të luftës, as nga frika e ushtrisë gjermane, por pikërisht nga frika e terrorit komunist. Vrasjet dhe përdhunimet që kishin bërë bandillët e Enver Hoxhës kishin marrë dhenë dhe në shtëpi kishin mbetur vetëm pleqtë, me mendimin se komunistët do t’i kursenin.

Në një bisedë që kam bërë me Dashamir Shehun më ka treguar se gjyshi i tij, një njeri fetar dhe me njëfarë ndikimi te njerëzit, u vra pikërisht nga bandat komuniste teksa merrnin Tiranën, madje i kishin vjedhur dhe ato pak para që i kishin gjetur në shtëpi. Familja kishte dalë në male dhe komunistët nuk ia kishin kursyer plumbin plakut, që kishte qëndruar për të ruajtur shtëpinë. “Më pas të afërmit e mi u detyruan ta varrosnin shpejt e shpejt dhe të thoshin se u vra nga bombardimet”, – më tregonte Dashamir Shehi. E njëjta gjë ndodhi dhe me pushkatimet te hoteli “Bristol” të shumë intelektualëve dhe nacionalistëve, të cilët u morën shtëpi më shtëpi më 16 nëntor dhe u pushkatuan të gjithë. Më tej historia dihet: vrasjet, plaçkitjet dhe në jo në pak raste dhe përdhunimet vazhduan, duke e shndërruar pushtimin komunist në një ankth të pafund.

Tiranasit në pjesën dërrmuese të tyre nuk i kanë dashur komunistët. Madje dhe ndonjë që i bashkohej qoftë dhe nga halli ideologjisë së kuqe, nuk fitonte ndonjë respekt të madh në sytë e pjesës tjetër të fisit, për të mos thënë se shihej shtrembër, aq sa thënia “s’ka mo keq se tironci komunist” e tiranasit të vjetër Sefer Daja (një tiranas i hershëm, të cilit komunistët i morën dhe atë pak pasuri që kishte dhe e punësuan si pastrues të WC-të publike te monumenti “Ushtari i panjohur”, ku sot vihen kurorat e çlirimit të Tiranës) u kthye në profeci për kohën. Por antipatia, madje mund të thuhet dhe urrejtja e tiranasve për komunistët, ishte edhe më e hershme se pas çlirimit. Dhe kjo për bëmat që përjetonte kryeqyteti nga ata që i thoshin vetes ilegalë.

Vjedhje të tregtarëve, vrasje pas shpine nga antetatorët e tipit Kajo Karafili, pa asnjë shkak e të tjera si këto. Por një tjetër arsye se pse Tirana i mbante larg ata ishte dhe se temat mbi imoralitetin e tyre në shtëpitë që u merrnin me qira tiranasve kishin marrë dhenë. “Shoqet” që mblidheshin në këto baza shërbenin më shumë si femra haremi për krerët e lartë të partisë. Në shumë raste të zotët e shtëpive zgjidhnin në mënyrë të njëanshme qiratë me ilegalët, duke i kërcënuar se për veprimet e tyre do t’i raportonin dhe në milici, por pa e ditur se më pas do të futeshin në listat e zeza të tradhtarëve dhe armiqve të luftës. Ndoshta kjo është dhe arsyeja pse nga Tirana ka pasur pak ose aspak femra që do t’u bashkoheshin çetave komuniste.Festimi i 17 nëntorit për tiranasit është ofendim.

Atyre u kujton marrjen e pronës dhe katrahurën që solli pushtimi komunist. Mund të quhet “dita e largimit të gjermaneve nga Tirana”, por kurrsesi çlirimi i saj. Tiranasit e vjetër janë ata që e vuajtën më së shumti këtë paçavure që na i vënë një emër të madh, që simbolizon lirinë. Si pasojë e atyre që dje i vranë e i vodhën, sot ata duhet të enden nëpër dyert e gjykatave me vite të tëra për të njohur pronën e tyre. Përfaqësuesit e PS-së u mblodhën sërish duke vendosur kurora. dhe jo vetëm se me këtë veprim duan të kënaqin interesat e shumicës së votuesve të tyre, që janë ish-komunistët dhe pinjollët e tyre, por sepse në shumë raste ata e mendojnë si çlirim ose data simbol e lirisë. Kjo është e tepërt për këtë qytet.

Mirush Kabashi: Adela Gjoka, 23 vjeçe i dha fund jetës për shkak të varfërisë ekstreme e pamundësisë për të gjetur një vend pune

Aktori i shquar Mirush Kabashi reagon në Facebook pas vetvrasjes të Adela Gjokës, vajzës 23 vjeçare, që posa ishte diplomuar në inxhinieri por nuk gjente dot vend pune. Ja si shkruan Kabashi:

“Adela Gjoka, një vajzë vetëm 23 vjeçe nga Rrësheni i dha fund jetës në kushtet e një depresioni të rëndë për shkak të varfërisë ekstreme të familjes së saj dhe pamundësisë për të gjetur një vend pune.

E diplomuar për inxhinieri, ajo u end më kot dyerve shtetërore pasi nuk mori kurrë një përgjigje pozitive.

Çdo përplasje dere ishte një thyerje zemre për të. I vranë shpresën teksa i duhej me patjetër një punë që të shlyente borxhet e familjes. Prindërit e saj të papunë, ishin zhytur në halle vetëm e vetëm që të shkollonin Adelën. Kishin qenë entuziastë se së paku hallet do tu mbaronin kur e bija të diplomohej.

Diploma në perceptimin e tyre përkthehej me punësim. Punësimi, në para. E paratë në shlyerje borxhesh. Se dinin ende të gjorët se për një vend pune duhet të kesh zyrtar partie, 5 mijë euro, ose të jesh dashnorja e ndonjë drejtori idjot që vjen era kërmë e që paguhet për të bërë kurvarin, sekserin, spiunin e servilin.

Adela u hodh mbrëmë rreth orës 23:00 nga kati i shtatë i pallatit ku jetonte në Rrëshen.

Britmat e Adelës në “fluturimin” drejt fatalitetit tmerruan një qytet të tërë.

Sot në Rrëshen të gjithë ulën kokat para trupit të së ndjerës.

Askush nuk pati guximin për ti hedhur sytë këtij engjëlli që me vetëvrasjen e saj deshi të vriste një shoqëri të tërë.

Deshi të vriste ata që e nëpërkëmbën. Ata që përqafojnë antivlerat dhe injorantët.

Ata që nuk i dhanë një dorë që të ngjitej si shoqet e saja që kanë prindër nëpunësa apo me poste politike.

Për Adelën askush se gjeti dot një vend pune. Aq shumë e donte punën sa së fundmi ajo po kërkonte të ikte nga vendi. Të gjente një punë edhe si babysitter diku në Europë, mjafton që të largohej…

Por fati se deshi dhe gjërat nuk shkuan në vijën e duhur. Ajo mbrëmë nuk e përballoi më gjendjen që e kishte kapluar. I

Iku duke na dhënë një shuplakë të mirë të gjithëve dhe për të pushuar e vetme në paqe!”😥😥

Ngushellime familjes për këtë humbje te madhe.🙏

Presidenca: Brenda javës nxjerrim videon. Prova përvëluese jo vetëm për Dvoranin, por edhe zyrtarë të tjerë

Presidenti Ilir Meta ka rikonfirmuar përmes zëdhënësit të tij, Tedi Blushi, se ditën e hënë do të bëhet kallëzimi penal ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Adrian Dvorani.



Përmes një mesazhi në “Facebook”, Blushi thekson se po administrohen prova të reja përvëluese për Dvoranin, por që sipas tij, “shtojnë mundësinë për të patur edhe padi për persona e zyrtarë të tjerë”.

Më tej, zëdhënësi i Metës paralajmëron se “brenda javës Presidenca do të publikojë një VIDEO me fakte të pakundërshtueshme për opinionin vendas dhe botëror, që të mos ngelet asnjë analfabet në planet, i cili të mos e kuptojë dhunimin që një bandë ka tentuar t’i bëjë Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

Reagimi i plotë:

Të dashur kolegë gazetarë që më pyesni vazhdimisht a do të bëhet ditën e hënë kallëzimi penal i paralajmëruar nga Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, ju konfirmoj me përgjegjësi maksimale se:

Pa asnjë diskutim, ditën e hënë do të bëhet kallëzimi penal, madje po administrohen prova të reja përvëluese, që shtojnë mundësinë për të patur edhe padi për persona e zyrtarë të tjerë.

Gjithashtu, ju bëj me dije se brenda javës Institucioni i Presidencës do të publikojë një VIDEO me fakte të pakundërshtueshme për opinionin vendas dhe botëror, që të mos ngelet asnjë analfabet në planet, i cili të mos e kuptojë dhunimin që një bandë ka tentuar t’i bëjë Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Kjo VIDEO me prova të pakundërshtueshme, do zbulojë fytyrën e vërtetë të një individi të papërgjegjshëm, i cili guxoi në mënyrë të tmerrshme kriminale t’i përvetësojë kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës, që as noterja e nderuar znj.Miranda Xhemalçe nuk pranoi ta bënte, pasi e dinte shumë mirë se betimi me dorën mbi Kushtetutë bëhet vetëm në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe askund tjetër.

Përveçse në gjuhën tonë të bukur shqipe, kjo VIDEO, po përgatitet edhe në anglisht, në gjermanisht, në italisht, në frëngjisht, dhe në disa gjuhë të tjera europiane, në mënyrë që të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, që janë të interesuar, jo vetëm për realizimin me sukses të Reformës në Drejtësi, që u votua me konsensus, por edhe që janë kaq të shqetësuar për problemet skandaloze të funksionimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, të mos mashtrohen më.

Në këtë mënyrë, jo vetëm mbrojmë Kushtetutën e Republikës dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve shqiptarë, por edhe tregojmë përgjegjshmëri për të gjithë taksapaguesit e vendeve partnere, që paguajnë aq shtrenjtë që ky vend i NATO-s dhe nesër i BE-së, të arrijë standardet e tyre, të shtetit ligjor dhe të demokracisë.

Letra e Presidentit për partitë e opozitës – çfarë kërkon Meta

Pas deklaratave për shpërndarjen e Parlamentit me një dekret dhe përplasjes me maxhorancën për emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka bërë lëvizjen e radhës.

Ilir Meta i ka dërguar një letër 9 partive që u larguan nga Parlamenti, të cilave u kërkon takim urgjent për “situatën dramatike” që është krijuar në vend.

Letra e Metës i është drejtuar kreu të PD-së, Lulzim Basha, kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, Kreu të PR-së, Fatmir Mediu, kryetari të PAA-së, Agron Duka, kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, Kryetarit të PDK-së, Nard Ndoka, kreut të LZHK-së, Dashamir Shehi, po ashtu dhe Shpëtim Idrizit të PDIU-së dhe Shpëtim Axhamit të Legalitetit.

Në letër theksohet se: “ I nderuar zoti Basha, nisur nga situata dramatike në të cilën ndodhet vendi dhe pasojat e saj të paparashikueshme ju ftoj juve dhe të gjitha kryetarëve të Partive të Opozitës së Bashkuar në një takim, në një kohë sa më të shpejtë, mundësisht përpara ditës së mërkurë, datë 20.11.2019”, thuhet në letrën e kreut të shtetit.

EMRAT- KLP publikon listën e prokurorëve për shortin e KED

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka publikuar listën e kandidatëve të cilët plotësojnë kushtet dhe kriteret ligjore për t’u përfshirë në shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Nga kjo liste jane perjashtuar Arqilea Koça, Ferdinand Elezi, Alfred Agolli, Artan Bajrami,  Irma Balli dhe Elvin Gokaj, te cilet nuk kane permbushur kriteret per te qene pjese e ketij shorti.

Emrat qe jane ne liste:

I) Prokuroria e Përgjithshme

1. Arta Marku

2. Adnan Xholi,

3. Adnand Kosova,

4. Alfred Progonati,

5. Alma Muça,

6. Anila Leka,

7. Arben Kraja,

8. Bilbil Mete,

9. Kujtim Luli,

10. Sokol Stojani,

11. Thoma Jano

II) Prokuroritë e Apeleve

1. Dritan Peka,

2. Altin Dumani,

3. Arben Qosja,

4. Edmond Hyka,

5. Fatjona Memcaj,

6. Genti Xholi,

7. Nezir Gjoka,

8. Moisi Duda,

9. Ludovik Dodaj,

10. Altin Binaj,

11. Henrik Haxhiraj,

12. Pelivan Malaj,

13. Kleanthi Zeka,

14. Brahim Dragjoshi,

15. Rozeta Qirjaqi.

16. Gjon Fusha.

Lista me kandidatët që plotësojnë kushtet dhe kriteret ligjore për t’u përfshirë në shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi si dhe lista me kandidatet që nuk i plotësojnë kushtet dhe kriteret ligjore, i dërgohet Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë.

Kushtetuesja publikon listën: Ja gjyqtarët që plotësojnë kushtet e parashikuara (Mungon Arta Vorpsi)

Në mbështetje të nenit 221 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar me ligjin nr.47/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, sot, më 15.11.2019, Gjykata Kushtetuese i ka dërguar institucionit të Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë listën e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj për të qenë anëtar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Znj. Vitore Tusha, gjyqtare me kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese;

  1. Z. Besnik Muçi, gjyqtar;
  2. Znj. Elsa Toska, gjyqtare;
  3. Znj. Marsida Xhaferllari, gjyqtare;
  4. Znj. Fiona Papajorgji, gjyqtare.

Hetime federale ndaj Rudy Giulianit, avokatit të Presidentit Trump

Rudy Giuliani, ish-kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut, duke folur në aktivitetin e MEK-ëve në Shqipëri, 13 korrik 2019.

Prokurorët federalë kanë hapur një hetim ndaj Rudy Giulianit, avokatit personal të Presidentit Donald Trump, njoftoi rrjeti televiziv Bloomberg.

Prokurorët po hetojnë për shkelje të mundshme të ligjit për financimin e fushatave elektorale, si dhe faktin që zoti Giuliani nuk u regjistrua si një agjent i huaj, thuhet në artikullin e rrjetit Bloomberg-ut.

Zoti Giuliani, ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, është shfaqur si një personazh kryesor në hetimet për shkarkimin e Presidentit Trump. Ligjvënësit po shqyrtojnë ndër të tjera se çfarë roli luajti zoti Giuliani në presionin ushtruar Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, që të hetonte rivalët e Presidentit Trump.

Mimi Rocah, ish-prokurore federale me Prokurorinë e Distriktit Jugor të Nju Jorkut i tha rrjetit Bloomberg, se ajo “nuk do të befasohej” nëse ndaj zotit Giuliani ngrihen akuza si rezultat i këtij hetimi federal.

Është e qartë se Giuliani është i zhytur thellë në gjëra të errëta“, tha ajo. zëri i amerikës

“Parlamenti me një dekret shpërndahet”, paralajmërimi i fundit i Metës

Kreu i shtetit Ilir Meta tha se ka një paralajmërim të fundit për atë që e quajti bandë uzurpatore që ka dy vjet që ka përdhosur Kushtetutën e vendit. I pyetur nëse po paralajmëron shpërndarjen e Parlamentit me shprehjen se “parlamenti me një dekret shpërndahet’, Meta tha se në momentin e duhur do i drejtohet popullit dhe gjithë botës për të mbrojtur demokracinë.

FJALA E KREUT TE SHTETIT

Pavarësisht nga deformimet e pandershme që janë bërë në pabesi ndaj vullnetit të popullit shqiptar gjatë këtyre 21 viteve kam një paralajmërim të fundit për gjithë ata që mendojne se betimi i Ilir Metës me doren mbi Kushtetute ka qenë një proces formal apo ceremonial.

Nuk ka institucion më të rëndësishëm në republiken e Shqiperise se sa Kushtetuta e Rebublikes se Shqiperise e cila ka vetëm një garant të padiskutueshëm e pacënueshëm në integritetin e vet, qe është Gjykata Kushtetuese.

Përpjekjet për të dhunaur Kushtetuten në përpjekje për të kapur përfundimisht gjithë sistemin e drejtësisë me kapjen e GJK janë të dështuara, jane të vdekura.

Askush të mos guxojë të përdhosë GJK, është institucioni më i rëndësishëm.

Parlamenti me një dekret shpërndahet, qeveria me një mocion rrezohet, presidenti përsëri shkarkohet por jo GJK.

Nëse dikush mendon se angazhimet e mia kanë qenë ceremoniale duhet ti bëj të qartë se në fund fare kjo është kuhtetutë që mbron popullin dhe do jetë detyra e presidentit që ti tregojë vendin kësaj bande uzurpatore”.

PYETJE: Po paralajmëroni për shpërndarjen e parlamentit?

Presidenti: Jam i qartë, secili të shikojë detyren e vet detyra do jetë e presidentit
dhe në momentin e duhur presidenti do i drejtohet popullit dhe gjithe botës per të mbrojtur demokracinë që është dhunuar në mënyrë barbare sidomos në këto dy vite që u la pa GJK vendi.

Zëri i Amerikës: Prokurori i Përgjithshëm, Çela i pari në listë

Në Shqipëri, Këshilli i Lartë i Prokurorisë njoftoi renditjen përfundimtare të kandidatëve për Prokurorin e Përgjithshëm, ku në krye të listës që do i propozohet parlamentit është renditur prokurori i Krimeve të Rënda Olsian Çela.

Ai është në garë me drejtuesen aktuale të Prokurorisë Arta Marku, e cila u rendit e dyta dhe Prokuroren e Apelit në Tiranë Fatjona Memçaj, e treta në listë. Vendimi i Këshillit erdhi pasi dje dëgjoi platformat që të tre kandidatët shpalosën për detyrën që synojnë të marrin, dhe ku zoti Çela ra në sy për prezantimin e një platforme tejet të detajuar, e cila përmbante nga plani veprimit, te objektivat e synuar dhe mekanizmat për realizimin e këtyre objektivave.

Pavarësisht renditjes, parlamenti i cili duhet të thotë fjalen e fundit, mund të zgjedhë një nga tre kandidatët. Por zoti Çela është i favorizuar, pasi ai kalon automatikisht nëse nuk arrihet kuota e 84 votave të nevojshme. Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi tha se besonte që “në frymën e Reformës e cila i mëshon fort meritokracisë, depolitizimit në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve dhe drejtuesve të organeve të sistemit të Drejtësisë, edhe parlamenti shpresoj se do të marrë parasysh pozicionin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe do të votojë atë që ne e renditëm të parin”.

Revista e njohur „Stav“ e Sarajevës boton shkrim për librin „Bosnja: Pikëpamje nga Tirana“ të diplomatit shqiptar Shaban Murati (fotot)

Revista e njohur „Stav“ e Sarajevës boton shkrim për librin „Bosnja: Pikëpamje nga Tirana“ të autorit Shaban Murati, shkruar nga Dr. Admir Lisica, studjues i njohur në „Qendrën Ballkanike për analiza dhe studime“ të Sarajevës, që po ua sjell të përkthyer në gjuhën shqipe nga diplomati dhe përkthyesi i mirënjohur Xhelal Fejza.


Boshnjakët dhe shqiptarët duhet të bashkëpunojnë më mirë.
Dr.Admir Lisica
Libri „Bosnja: Pikëpamje nga Tirana“ i autorit Shaban Murati, diplomat shqiptar me eksperiencë pesëdhjetëvjeçare, ka lindur gjatë pesëmbëdhjetë viteve, nëpërmjet artikujve të Muratit, të cilat i ka publikuar vazhdimisht në mediat shqiptare dhe rajonale. Bëhet fjalë për pikëpamje të autorit në lidhje me problemet shoqërore-politike në rajon, me theks të veçantë në pozitën e Bosnjë-Hercegovinës dhe të popullit boshnjak. Mbi bazën e eksperiencës shumëdekadëshe diplomatike, që e ka fituar në Suedi, Finlandë, Islandë dhe Maqedoninë Veriore, autori analizon raportin e Europës ndaj Bosnjë-Hercegovinës, e cila në pesëmbëdhjetë vitet e kaluara ka qenë shpesh temë e zyrtarëve të lartë europianë. Murati në këtë libër e vë theksin në mënyrë të veçantë në padrejtësinë, që i është bërë shtetit të Bosnjë-Hercegovinës dhe popullit të saj më të madh në numër, nëpërmjet krijimit të Republikës Srpska, e cila lindi si pasojë e genocidit, gjë të cilën autori në artikujt e tij e nënvizon. Një nga temat thelbësore të këtij libri ka të bëjë edhe me raportin mes dy popujve miq, boshnjakëve dhe shqiptarëve, të cilët në të shkuarën, për fat të keq nuk e kanë ndihmuar njëri tjetrin
„Dy popujt tanë, boshnjakët dhe shqiptarët, kanë shumë gjëra të përbashkëta, që i lidh nga e kaluara, dhe për këtë duhet të bashkëpunojnë më mirë. Sarajeva dhe Tirana janë shumë të ngjashëm për nga njerëzit që jetojnë në to, xhamitë e tyre janë të ngjashme, e përbashkët është e kaluara e tyre osmane dhe shumë gjëra të tjera. Ky është një libër për mirëkuptimin e çështjes së Bosnjë-Hercegovinës nga një shqiptar. Gjatë pesëmbëshjetë viteve të kaluara, nga 2003 deri në 2018, në mënyrë të vazhdueshme kam publikuar analiza politike me theks çështjen boshnjake. Librin tim e publikoi qendra kërkimore „Alsar“ nga Tirana dhe më bëhet qejfi për këtë, sepse vetë fakti i përkthimit në gjuhën boshnjake dhe shqiptare flet për atë se kemi një dëshirë të dyanshme për afrimin e dy popujve tanë“, tha Murati në promovimin e librit të tij në Sarajevë.
Duke lexuar artikujt e Muratit mund të konkludohet se autori e njeh jashtëzakonisht mirë situatën politike në rajon, në mënyrë të veçantë në Bosnjë-Hercegovinë, gjë për të cilën disa herë kritikon pushtetin në Shqipëri, i cili në disa raste nuk ka treguar mirëkuptim për Bosnjë-Hercegovinën dhe popullin boshnjak. Një prej artikujve të tij mban titullin „Linçimi serb i Izetbegoviçit dhe heshtja shqiptare“. Në këtë tekst Murati problematizon heshtjen e pushtetit dhe të mediave në Shqipëri, të cilat nuk u rreshtuan menjëherë përkrah antarit të atëhershëm të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç, i cili në një intervistë për „Dojçe Vele-n“ shprehu bindjen se Bosnjë-Hercegovina një ditë do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Murati nënvizon se ky qëndrim i antarit boshnjak të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës flet shumë, dhe se nëpërmjet tij mund të shihet përse zyrtarët e Kosovës duhet të kenë një qëndrim më miqësor ndaj boshnjakëve dhe shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Murati thekson se në kohën e kaluar shqiptarët dhe boshnjakët kanë qenë deri diku të distancuar me njëri-tjetrin.
„Kam shkruar për Bosnjën dhe boshnjakët në mënyrë të vazhdueshme, duke u përpjekur që opinionit publik shqiptar t’i dëshmoj se çfarë po ngjet në skenën politike të atjeshme. Kam folur për të ashtuquajturën pjesë separatiste të Bosnjë-Hercegovinë, që quhet Republika Srpska. Ajo që më duhet të nënvizoj është se unë jam ndoshta i vetmi, që është marrë në mënyrë të detajuar me këtë çështje, se ky është libri i parë që merret me çështjet e politikës së jashtme shqiptare dhe boshnjake, me theks të veçantë: të ashtuquajturën entitet Republika Srpska, Sanxhakun, Kosovën dhe natyrisht Bosnjë-Hercegovinën. Dhe për këtë nënvizoj se ka shumë rëndësi që është publikuar ky libër“.
Një prej promotorëve, Anes Xhunuzoviç, nënvizoi se në librin „Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana“ autori ka theksuar se çdo shpërthim konflikti ndëretnik në Bosnjë-Hercegovinë do të kishte pasoja direkte edhe në shtetet fqinjë, por edhe në mbarë rajonin. Ka vlerësuar se për këtë, procesi i konsolidimit dhe forcimit të funksionimit të shtetit, duhet të ketë mbështetje të të gjithë shteteve në Ballkan.
POZICIONIMI PËR TË VËRTETËN NË BOSNJË-HERCEGOVINË
Interesant ishte edhe fjala e një promotori tjetër, Edhem Biçakçiçit, i cili nënvizoi mirënjohjen për organizatorin, „Qendrën Ballkanike për analiza dhe studime“, e cila është përpjekur të realizojë promovimin e kësaj vepre, e cila është publikuar në gjuhën shqipe dhe boshnjake. Biçakçiçi shfrytëzoi rastin që të falenderojë autorin e librit Shaban Muratin për pozicionimin e tij direkt në lidhje me të vërtetën në Bosnjë e Hercegovinë, gjë që është e dukshme në faqet e këtij libri.
„Vepra analizon marrëdhëniet në rajon nga perspektiva e një diplomati, i cili mbi bazën e eksperiencës së pasur, i flet opinionit publik në vendin e tij mbi ngjarjet në vendin mik Bosnjë-Hercegovinë. Boshnjakët dhe shqiptarët, të cilët në shtetin e përbashkët osman kanë garuar se kush e kush do t’i japë më shumë ministra cilësorë të oborrit (të Sulltanit. Shën. im), pashallarë, artistë, mësues, gjë që flet për ngjashmërinë mes nesh. Ne jemi dy popuj miq, që i lidh historia dhe përkatësia fetare e përbashkët. Ajo që është interesante sot, Bosnjë-Hercegovina është një vend me më shumë se 50% popullsi muslimane, ndërsa në Shqipëri kjo përqindje shkon deri në 70%. Autori, në 30 tekste, analizon tema jashtëzakonisht thelbësore edhe për këtë unë e falenderoj. Ajo që konsideroj urgjente është se në në të ardhmen duhet të zhvillojmë marrëdhënie të mira me Shqipërinë, në mënyrë të veçantë kur bëhet fjalë për lidhjet mes të rinjve, të cilët në të ardhmen do të forcojnë lidhjet mes vendeve tona. Kur bëhet fjalë për njohjen e pavarësisë së Kosovës shumica e qytetarëve tanë dëshiron njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, por procedura e marrjes së vendimit në Presidencën e Bosnjë-Hercegovinës kërkon konsensusin. Kjo për momentin është e parealizueshme, por besoj se së shpejti do të krijohen kushtet. Megjithatë, mendoj se mund të përparojmë marrëdhëniet mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës në kuptimin e njohjes së dokumenteve, siguracioneve, gjë e cila do të na siguronte lidhje më të mira mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës. Ne e konsiderojmë Kosovën si shtet të pavarur. Ajo që janë Austria dhe Gjermania, janë Kosova dhe Shqipëria“, nënvizoi Biçakçiçi.
Konkluzioni i përbashkët i promotorëve, botuesve dhe organizatorëve të promovimit për veprën „Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana“ : E përbashkët është se boshnjakët dhe shqiptarët duhet të bashkëpunojnë më intensivisht, sepse mes dy popujve nuk ka asnjë çështje të hapur, e cila mund të ishte pengesë në këtë rrugë.

Donika Prela: Edhe pse brenda burgjeve, kriminelët vazhdojnë të rrezikojnë seriozisht sigurinë e vendit

Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, u shpreh sot se “elementë shumë të rrezikshëm eshte konstatuar që edhe pse ndodhen brenda burgjeve ose si të dënuar apo paraburgosur kanë vazhduar me intensitet të ruajnë lidhjet e tyre kriminale si brenda dhe jashtë burgut duke u bërë rrezik serioz për rendin dhe sigurinë në burgje por jo vetëm.”

Madje sic tha ajo, “kanë guxuar  megjithëse kanë qenë të izoluar në burg të bëhen rrezik serioz edhe për punën e punonjësve të drejtësisë”.

Donika Prela kujtoi se në fillim vit kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja ligjore, ndërkohë që regjimi i posacem ne burgje eshte deleguar edhe per Prokurorin e Krimeve te Renda.