VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

ZOJA E SHKODRËS NË DY POEZI

By | October 21, 2020

Komentet

FAN NOLI SI POET DHE SI POET-PËRKTHYES – Studim monografik nga NEXHAT PESHKËPIA*

VOAL prej sot fillon të botojë veprën “Fan Noli si poet dhe si poet-përkthyes” të autorit Nexhat Peshkëpia.

Nexhat Peshkëpia është një personalitet shqiptar i dënuar nga regjimi komunist, mësues, publicist, botues, anëtar i Nënkomitetit të Shtypit të Ballit Kombëtar, delegat i Ballit Kombëtar në Kuvendin e Mukjes. Lindi më 15 mars të vitit 1908, në Vlorë. Mësimet e para i mori në shkollën fillore italiane të qytetit të lindjes, duke ndjekur njëkohësisht edhe mësimin e shqipes, që jepej, pas 1915-s, në një godinë të veçantë në lagjen Muradije. Pas mbarimit të fillores, ndoqi Institutin Briganti në Leçe. Studimet e larta i kreu në Belgjikë. Pas kthimit në atdhe, dha lëndët e matematikës dhe të fizikës në Shkollën Teknike në Tiranë. Më vonë u transferua në Liceun e Tiranës. Pas pushtimit italian në Shqipërisë, iu bashkua rezistencës. Është një nga organizatorët e Ballit Kombëtar. Bashkë me të vëllain, Manush Peshkëpinë, u transferua në Elbasan. Pas marrjes së pushtetit nga komunistët, në fund të vitit 1944 u arratis në Itali. Më 1953 u bë anëtar i Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë në Romë, ku editoi organin e këtij Komiteti, gazetën «Shqiptari i lirë». Më vonë u transferua në New York. Vdiq më 8 shkurt të vitit 1970, në Dearbon, Michigan. Vepra: Fan Noli si poet dhe si poetpërkthyes («Vatra», 1966), Një Zemër në mërgim (New York, 1967), Një Zemër në mërgim («Përpjekja», Tiranë). Nexhat Peshkëpia, Një Zemër në mërgim, «Përpjekja», Tiranë.

E falënderojmë nipin e tij, zotëri Gëzim Manush Peshkëpinë, që na e mundësoi t’ua japim edhe lexuesve tanë këtë vepër të rëndësishme të botuar për herë të parë në Amerikë në vitin 1966.

 

E  boton Federata  “Vatra”

1966

 

Nexhat Peshkëpia

 

 

FAN   NOLI  SI  POET

 

 

 

DHE   SI     POET-PERKTHYES

 

Me botimin vjershës së Victor Hugo-it

 

A VILLEQUIER

 

 

Dhe të shqipërimit të saj prej Fan Nolit

 

VAJTIM PER BIJEN

 

Ky shkrim ka qenë i botuar në fletoren Shqiptari e Lirë, New York, Organ i Komitetit Shqipëria e Lirë’’, më 20 Nëntor 1965 dhe 15 Shkurt 1966. Një përmbledhje të tij auktori e lexoi gjatë Drekës Përkujtimore që Federata “Vatra” shtroi në Boston më 5 Shtator 1965, për nder e dashuri ndaj një jetëndruarit Mitropolit, Kryetar Nderi i saj.

 

Radio “Voice of Amerika” (Zëri i Amerikës), më 4 Mars 1966, tejtoi një përmledhje të këtij syzimi për dëgjonjësit shqiptarë.

 

Përkthimin e fundit në frengjishte të Korbit e ka bërë Léon Lemonnier: Poèmes d’Edgar Poe, Première édition complète, Librairie José Corti, Paris 1949 – N’italishte e gjej të përkthyer, shumë bukur më duket, nga Romano Palatroni, në Orfeo, a cura di V. Errante e E. Mariano, Sansoni Editore, Firenze 1961.

 

Vjershën e Hugo-it, A Villequier e ka përkthyer n’italishte (pa rimë) në kohën e sotme, Gabriella Alzati dhe është botuar në Il Breviario dei Laici, a cura di Luigi Rusca, Rizzoli Editore, Milano 1957.

 

 

 

 

Victor Hugo lexohet Viktór Ygó

Villequier lexohet Vil-lëkjé.

 

 

 

 

 

 

Printed in the U.S.A.by

Waldon Press, Inc.,

150 Lafayette St., New York, N.Y. 10013

 

PAK FJALE

 

Në kuvendim me Imzot Nolin

 

 

M’është dukur e nevojëshme që këto pak fjalë që vijojnë t’i thom për të plotësuar disi paraqitjen t’ime të Nolit vetëm si letrar, ashtu sikundër e njoha unë. Kujtoj se tregimi dhe mendimi i im, pa shtuar shumë pasurinë e studimeve të bëra gjer sot mbi Nolin dhe veprën e tij, mund të jenë interesantë për një studim më të plotë të mendimeve dhe t’artit të Rilindasit të fundit, të Poetit-luftëtar të gjakut t’onë, në   periudhën e fundme të jetës së tij.

Këtë syzim të shkurtë dhe të kufizuar i a kam hua Fan Nolit. I a premtova se do t’a shkruaja dhe t’i a tregoja për të patur pëlqimin e tij, përpara se t’a botoja. Mallkoj përtacinë t’ime që më bën sot të ndjej një dëshpërim të thellë që s’e shkrova kur ishte ende gjallë.

Çdo herë që kam takuar Nolin, kam patur me ’të vetëm bisedime letrare, dhe një pajtim ideshë na ka afruar kur kemi folur për letërsinë frenge. Gjatë bisedimeve më ka kërkuar dhe i kam dhënë njoftime mbi shkrimtarët e rinj shqiptarë q’ai njihte pak, e që kishin filluar të zinin vënd në letërsinë shqipe pas largimit të tij nga atdheu dhe, veçanarisht, pas vjetit 1930. Mbi të gjitha, bisedimi që më ka mbetur shumë i ëmbël në kujtim është ai që pata me ‘të një ditë Shkurti 1964, kur shkova dhe e pashë për herën e fundme.

Kishte ndërprerë qendrimin e tij në Fort Lauderdale, Florida, ku zakonisht kalonte stinën dimërore dhe ishte kthyer në Boston për të përfunduar atë vit studimin e hebraishtes që kishte filluar që nga vjeti 1962 dhe të cilit i kishte kushtuar zell të madh, për të përkthyer n’anglishten moderne Psalmet drejt për drejt nga gjuha e Davidit .– <<Nje vepër koskëdërmonjëse>>, ma kishte cilësuar punimin, në një letër shkruar më 14 Dhjetor 1962. Me atë rast i pata dhuruar në përnderje librin t’im personal të Psalmeve, një përkthim frengjisht poetik aq i lartë sa dhe serioz, i bërë nga “École Biblique de Jérusalem”, me disa shënime dhe mendime të mija që herë pas here kisha shkruar “en marge”.

Atë ditë më foli me enthuziazëm për bukurinë e për madhështinë e hebraishtes dhe më tha se megjithëqë, për t’a mësuar, s’ishte munduar shumë sepse e kishte ndihmuar mjaft arabishtja, prapseprapë, kishte gjetur disa vështirësi pothuaj të pakapërcyeshme në përkthimin që kishte bërë, dhe më dha disa shembëlla. Duke vënë re se me ç’kënaqësi e me ç’vërejtje të madhe e dëgjoja, me ç’etje përpija sa më thonte, pa pandehur, në një çast ndërpreu fjalën dhe më pyeti si isha interesuar për çështjet dhe veprat fetare.

I tregova prirjen t’ime ndaj çdo shkrimi shpirtëror dhe sidomos pasionin t’im për Psalmet, për Ekleziastin, për Librin e Jobit, për Apokalypsin e Gjonit, për atë “Stabat Mater” të Jakoponit, për atë “Kantik” të Françeskut… Kur i shfaqa keqardhjen që s’mund të shijoj dot n’origjinal ato Letra të Vasilit të Madh, ato Homeli të Gojartit, ose ato faqe të larta shpirtërore të sufive persianë dhe të mistikëve indianë, kuvendimi filloi e mori një ngjyrë e një shpirt familjar më tepër se të përzemërtë, dhe Noli ateherë më shprehu dëshirën të më shihte më shpesh. Mjerisht, jo vetëm New York-u s’është një lagje e Boston-it, por e plotmëshirëshmja vdekje e mori përpara se t’a shihja e të kuvendoja qoftë edhe vetëm një herë tjetër me t’ë.

Gjithnjë në themë shpirtërore, u zgjatëm pak rreth sufive dhe i thash se më kishte pëlqyer që “veprën e tij” Rubairat e Omar Khajamit u a kishte kushtuar dy Persianëve t’atillë: lirikut Hafiz dhe romantikut Nizam.

-Edhe vetëm një “ghazel” të Hafizit të përkthesh Zotrote, Hirësi, i u luta, do të kënaqësh botën letrare shqiptare ashtu sikurse, kujtoj, e ke kënaqur me përkthimin e “A Villequier”  të Hugo-it.

– Oh, Hafizi, Hafizi! tha, dhe zëri i dolli nga zemra me një theks admirimi t’atillë që s’di si t’a përshkruaj, dhe më recitoi “rubai”-në e Goethes-s:

 

“Sei das Wort die Braut genannt,

                                               Bräutigam der Geist;

                                               Diese Hochzeit hat gekannt

                                               Wer Hafizen preist.”1

1 Afërsisht: “Fjalën le t’a quajmë nuse /Dhe shpirtin (frymën) dhëndër; /Një martesë e tillë është e njohur/ Nga ai që çmon (lavdëron) Hafizin.”

-Po të jemi gjallë, po të jemi gjallë . . . shtoi.

N’ato dit merresha me krahasimin e “rubai”-ve khajamiane të tija, të Fitzgerald-it dhe të poetit irano-freng Etessam-Zadeh. Nuk m’u ndejtë pa i thënë se s’ka hakë kur qorton Fitzgeraldin që është ndarë shumë nga teksti persian, sepse, me sa mund të gjykoja, edhe ai vetë ashtu kishte bërë, jo vetëm n’atë rast por në çdo përkthim tjetër të tij, dhe i prura si shembëll dy strofat e fundit të “Vajtimit për Bijën”. Vuri buzën në gaz pa thënë gjë.

*  *  *

 

Dëshiroj tani të tregoj dy gjëra që kanë të bëjnë më përkthimet dhe me karakterin e Nolit:

 

E para. Prof. Arshi Pipa i kishte thënë se atë vjershë të Hugo-it e kishte përkthyer edhe Vedad  Kokona dhe këtë fakt Noli ma kishte vrejtur, me një farë keqardhje, gjatë Seminarit të dytë të “Vatrës”, në Gusht 1961. Mbaj mend se i thash: “Hirësi, nuk e di këtë gjë, por më parë pyes: Mos vallë vetëm Rafaeli e ka pikturuar Madonën? Pastaj duhet të thom se, sidoqoftë, unë i a di vleftën Vedad Kokonës: si përkthyes është i mirë por jo i shkëlqyeshëm, prandaj mos u bëj merak, përkthimi i Zotrisate, jam i sigurtë, është më prekës, më i lartë, më poetik.” “Le t’a besojmë”, më tha me buzëqeshje.

 

E dyta. Është për të vënë re dhe për të shquar fakti se, sikundër thom në këtë syzim, vjersha e Nolit, pa qenë epike, është sulmuese, e vrullëshme, e tmerëshme; me një fjalë, për Nolin vlen më tepër baruti sesa zemra, më tepër një predhë topi sesa një pikë loti. Nuk janë domethënëse paraqitjet q’ai u ka bërë dy vjershave “A Villequier” dhe “Waterloo”?2 Ndërsa  për të parën thotë këto pak fjalë të thata: “Shkruar më 1844 dhe titulluar në origjinal “A Villequier”, ku ishte varrosur tok me të shoqin bija e vjershëtorit pas (një) aksidenti në lumin Seine”, së dytës, vjershë epike, Noli i kushton këtë ditiramb:

 

“Kjo kryevepër tronditëse s’ka shoqe as në letrëtyrën Frënge as në letrëtyrën e përbotshme. Vini re përshkrimin dramatik të betejës fatale: Franca vetëm lëfton kundër tërë Evropës. Napoleoni e kishte kapur për gryke kumandarin Ingliz Wellington. Po s’kishte mjaft ushtarë që t’a shtyp-te krejt. Priste riforcime nga Grouchy-u. Kjo ndihmë nuk i ardhi. Përkundër, Wellington-i mori riforcime nga i dëgjuari gjeneral Prusian Blücher. Menjëherë beteja u-kthye në favor të Aliatëve kundër Frënqve. Këtu Napoleoni i dëshpëruar bëri një marrësi me të cilën vrau veten. Si usta i artilerisë e dinte që topat Inglize mund të thyheshin vetëm me topat Frënge. Për fat të keq s’kishte topa mjaft. Pra dërgoi kundër topave Inglize Gardën Mbretërore me famë. Ushtarët e Gardës u-kornë literalisht si kallinj prej gruri nga mitrolozat Inglize. Këta ishin lulja e ushtërisë Frënge, të përbërë nga veteranët e epopesë Napoleoniane. Të tjerët ishin pothua kalamanj, të mbledhur me nxitim dhe pa asnjë stërvitje serioze. Veteranët e Gardës u-shuan të gjithë. Ahere kalamanjtë, që ishin mbledhur për kallaballëk, i muarnë nëpër këmbë oficerët e tyre veteranë dhe u-arratisnë të terrorizuar më të djatht’ e më të mëngjër. Poeti e përshkruan këtë katastrofë me një mjeshtëri demoniake.

 

“Po ka një ngushëllim për katastrofën e Waterloo-së. Pa këtë, nuk do t’ishte shkruar kjo vepër e pavdekur. Shqipërimi i saj i dedikohet Faik Konitzës, i cili e dinte pa kartë dhe e deklamonte Frëndjisht me ngashërim të thellë.” (Në Diellin, 7 Gusht 1963).

 

Si të mos admirojmë këtë paraqitje të bërë me një shpirt aq të zjarrtë? Noli ndodhet n’elementin e tij: në sulm e në betejë. Sentimentalizmat s’janë për ‘të. Për të forcuar sa thom, shtoj se kur e pyeta, një ditë, si e gjykonte paraqitjen që unë i kisha bërë vjershës “Vajtim për Bijën”, më tha se ishte “passable” (jo “i kishte pëlqyer”) vetëm paragrafi i fundit. (Fq.27-28)

 

*    *    *

 

Në vjetët e fundit të jetës së tij, (ndofta dhe më parë, por këtë s’e di) Noli më është dukur një njeri i izlouar. Këtë përshtypje më ka lënë, sidomos atë ditë pas së cilës s’do t’a shihja më. Ka qënë kur i thash se çdo herë që filloj të flas për çështjet e shpirtit dhe të zemrës si, për shembëll, për ndonjë nga vajtimet mortore aq të thella të Pygmeve, t’Eskuimezëve, si dhe të popujve të tjerë primitivë, për disa litani të murgjëve tibetianë, për disa faqe aq të larta shpirtërore të sufive, shoh se pas pak minutash mërzit botën. . .

 

  • Të kuptoj, më tha me simpathi, por pse s’bën si bëj unë? Mos fol. . .

  Më përcolli gjer te kryet e shkallës dhe fjalët e tija të fundme për mua kanë qenë:

  • Kur do të shoh prapë?

Po t’ju thom se këto fjalë më tingëlluan në vesh si një lutje, duhet të dyshoni : ka qenë një përshtypje e çuditëshme që më preku shpirtin dhe vazhdon të ma prekë në kujtim. Është një lojë, një tallje që fantazia e mendjes dhe ndjenja e zemrës s’ime, edhe tani në moshë të shtyrë, vazhdojnë t’i bëjnë njera tjetrës.

 

New York, Mars 1966.

Nexhat Peshkepia

 

2 Pas përkthimit të A Villequier, Fan Noli ka botuar në Diell edhe këto përkthime të tjera: Xhevahirin letrar If të Rudyard Kipling-ut, me titullin “Në munç”, për të kënaqur dëshirën e Zonjës Myevet Sula-Yero, 1 Nëntor 1961; tingëlimin e famshëm freng Sonnet të Félix Arvers, me titullin “Dashuria e fshehtë”, 20 Dhjetor 1961; katër vjersha të Goethe-s me këta tituj: “Qetësia”, “Vija”, “Kënga e Natës”, “I Përëndishmi”, 12 Qershor 1963, dhe Waterloo-në e Hugo-it, 7 Gusht 1963.

ME SA DUKET QENKEMI… Nga VEHBI SKËNDERI

Me sa duket qenkemi të rëndomtë. Tepër ordinerë.
Na thithin palcën, si përherë, çimkat. Gjërat e zakonshme.
Pimë kafe, në trotuar, nën një tendë të nejlontë. Në këtë ditë standart!

Shuajmë etjen me ujë mineral.
Flasim për gjëra të trishtueshme e të lodhshme.
Veshim kostume të përkohshëm. Në banesa të përkohshme. Udhëtojmë me mjete
të përkohshme. Me gra e dashuri
të përkohshme.

Ikim!

 

 

Tiranë, 4 gusht 1994

Nga libri “Bëjmë sikur”

UNË E TI JEMI DY YJE GJIGANTË, ANAMARIA Poezi nga VEHBI SKËNDERI

E di se drita rend me shpejtësi kozmike.
Dhe çasti qenka veç një grimcë budallaqe (atomike)
Milionvjeçare.

E di se je fluide dhe e prekëshme. E je, si unë: udhëtare.

E di! Të gjithë vjedhin! Deri edhe vetë Apostujt
Merren çdo orë me pedofili e kontrabandë.
E di se unë e ti jemi male të lartë, gjethe e milingona.
E po kështu: jemi dy yje gjigantë!

E di se pas pak çastesh shfaqet Roma. Karantina!
Ashtu siç shtrihen nëpër maja e kodrina
Sirakuza, Moska, Vjena e Athina.

E di: je manushaqe plot aromë e je grua. Unë të përkëdhel si bebe.
E di: je yll flakëritës i gjithçkaje.
Dhe bisht rrenacak i çdo amebe.

E di se çastet iu përngjajnë luleve të borës, që në sekondë shkrin.
E di se Ti po ikën përgjithmonë.
Dhe nuk ka Perëndi që të arrin!

 

Nga libri “Mirëmëngjesi Shqipëri”, 2012

NË DISA SEKONDA Nga VEHBI SKËNDERI

Në disa sekonda:

Ble një shportë me merlucë
Në portin e akullt të Groenlandës,
Nxeh këmbët pak mbi plehrat vullkanike të Islandës,
Flas me mikun tim të dashur Petro Zhejin
Në Detroit,
Dhe shtrihem që të fle
Në çairet plot bar të Zelandës së Re.Në disa sekonda

Në disa sekonda.

Dush nën stërkalat e arta të Niagarës!
Vadit të gjitha pemët e bimët e përzhitura të botës
Me tingujt e kitarës së Lorkës,
Një vizë kontrabandë
E shkoj në Prishtinë (ku nuk kam shkelur kurrë!)
Pi një kafe të hidhur. Në Hotel Grand.

Në disa sekonda.

Tiranë, 26 janar 1995

Nga libri “Bëjmë sikur”, 1995

Në botën e ëndërrave & Një lot nga hëna Dy poezi nga Stephanie Stoychevska I përktheu: Irena Dono

Në botën e ëndërrave

 

Lundroj në
qiellin e mesnatës.
Lundroj në
detin e mesnatës
në një varkë hëne.
Duke peshkuar ëndrrën
aq larg;
Duke peshkuar ëndrrën
aq afër.
Filispanja ime – një rreze hëne
dhe karremi – një yll i argjendtë.

Një lot nga hëna

Kapa një lot
që binte nga qielli i diamanttë.
Një kujtim të harruar nga hëna.

Tani e vështroj
si një perlë oqeani të argjendtë.
Sytë e purpurt të universit
stolisur me pluhurin e yjeve.

Lotët e saj
bien si petale të thara trëndafilash
Në verën e vonë…

LIRIA NIS TEK ZEMRA – Ese nga ATDHE GECI

…Shtëpitë na janë shndërruar në Trojë!…Ajo që kërkon t´i gjej bijtë e vet nëpër botë është nëna, babai, vëllai e motra, nuset që presin të dashurit, shtëpitë që kërkojnë të zotin e saj!… Jetojmë në një klinikë universale!…Zëri heroik i letërsisë do flas se s´bën. Ta shprangosim të vërtetën e burgosur! Kosova dardane e meriton një jetë më të mirë!…
Kush po i shpërngulë shqiptarët! Ajo tek né ka vetëm një emër, Qeveri!…Nuk dua vuajtja të sëmuret as dhimbja të vdesë! Është koha të kthehen tek toka mëmë, dallëndyshet e mërgimit!…Popull,të gjithë po pyesin! A kemi popull! Dhe të gjithë duan ta dinë, ku është!? Dhe,.. a kemi duar për grushta! Vendi im ku je!? Si është e mundur që, liria ta ketë emrin mashtrim, hajni, korrupcion, prostitucion, poshtërim, e çka jo!…
Kot përpiqem për ardhmëri artistike! Nuk ka art pa atdhe të konsoliduar! Ç´të bëjmë me qeveritë që mohojnë origjinën pellazgo- ilire!…gjykojeni vet! Pse liria tek ne vjedh, mashtron, prostituon, tradhëton, shet tokë e det!…
Fol forcë e ndryshimit! Folni nxënësa, studentë, mësues të lirisë! Jeta është e shkurt për të heshtë aq gjatë! Popull, nxirre heroin tënd! Në emër të lirisë, qeveritë këtë vend po e poshtrojnë. Krejt popujt i ndjekin armiqtë, qeveritë tona blejnë armiq!… Popull, gjeje rrugën tënde! Zogjtë me një fije bari në gojë bëjnë betejën me kohën. E kuptoj,… Në çdo shtëpi ka hyr frika e pasigurisë. Popull, liria nis tek zemra!…
Atdhe Geci – Dortmund, 2020

NJË BOTË TJETËR – Poezi të reja nga NEKI LULAJ

 

NJË BOTË TJETËR

 

Diçka nga brenda ma thyen heshtjen

Shpesh me vend e rrallë pa vend.

Po me djeg si meduza prek ndërgjegjjen

Vallë kjo botë e madhe pse po hesht?

 

Bota  çuditërisht është  para kolapsi

Nga një virus qe e krijoi njeriu vetë

Nuk e kërkon askush se i kujt është faji

Për  shekullin e  21-një është mëkat i vërtetë.

 

Thellë në shpirt me gërricin shpezët me  kakarisje

Si i agjësonin të gjalla  pa gjyq e pa faj.

U hap fjalë-rrufeja se gripi sulmon të reja shtigje

Digjeshin në furra i groposnin si në një varr.

 

Shpërtheu lajmi si vullkani më vonë.

Se u përhap  gripi-tërbimi i shtazëve, i rrallë

Mbyteshin shtazët gropoheshin në gropë

U harrua  shpejt e  një lajm i ri vjen prapë.

 

Nuk kuptohet kjo botë e civilizuar

Corona virusi  19  tronditës po bën kerdi

Ku e ka burimin  adresën ky  ferr i pambaruar

Vetëm në emrin djallit  “njeri”.

 

ÇAMJA  JONË

 

Pullaz e tavan e patëm qiellin

E yllësia dritë hije lëshon.

Fluturojnë engjëjt prekin Universin

Fjala urtake e dashurisë  na bashkon.

 

Do ta gatuajmë bashkë e ta tjerrim kujtesën

Mëkatet  t’i groposim

Në moçalin e patave

në batak t’i zhdukim harresën.

S’e dua padijen e kryeneçësisë së shekullit plak.

 

Çuditërisht në stinën e zogjve

Zogjtë nuk cicëruan në pranverë mbi dritare

Bulkthi  kishte zënë pusi

E heshtja e  shurdhëroi sheshin, e mira çame

 

Diçka më  rrëshqiti mollëzave në faqe.

Akullnaja e ngrohtë shkrihet në shpirtin qelibar.

Për ty po dënes, o çamja ime verdhake

Shekulli po ikën e unë të vij nga  pas.

 

Po flej e zgjohem unë, biri yt  te pragu.

Ne Paramithi gjumin e bëj jak.

O do të vij,

o do të vij të kulla e te oxhaku

Unë nuk jam bonjak i lindur në Sokak

 

 

 

PSE

 

Askush nuk e pranon fajin

As mëkatin.

Edhe pse me dashje a pa dashje vjen.

Gjatë rrugëtimit brumin  jetës ja merr

Ti përkund

djepin e vetmisë që sikut të  çmend.

 

 

Monopatin ia mbylle vetes me mëri

Thirrjet biblike ishin për ty zhurmë e mbërthyer.

Zgërdhiheshe nga mëria me neveri..

Si pasqyra me qelqin e thyer.

 

Ditët e  shtëngatave vijnë e ikin

Të sjellin

muzgun e zemrës me urrejtjen farmak

Si ti feksin ëndërrat e trishtuara

Kur ecën  vetmia  mbi kënetën moçal?

 

Universi e feks  terr nate dhe dritën në agim.

Kjo botë e krijuar jep e merrr.

Mbi  shkumën  katran e leshterikë ,

Bota sharmin e mashtrimeve s`ta pëlqen.

SONTE – Poezi nga FLORA SULDASHI

Kjo natë e gjatë
-pa hënë
le të jetë e imja,
të nesërmen e përflakur
-ta fali ty!
Sonte,
unë dua të dehem
me eliksirin që iku
Lozonjar,
që thërret në kthim,
dhe dua të shfletoj
fletë-fleeetë,jetën….
Kam nje detyrim!
(Ti merre agimin
e nise ditën e re…
Zgjohu!
Përgjak ndërgjegjen
se dielli, verbërinë
– perjetë e tremb.)
Unë po dehem
në këtë errësirë,
se sytë e mi janë nxirë,
lodhur e mërzitë:
nga fasadat kiç
-që botën shëmtuan,
nga maskat tinzare
-që botën tonë trazuan,
nga zombitë e trishtë
-që çdo gjë rrënuan.
Sonte , të lutem
mos më trazo ,
është nata ime,
kam ndërmend
të mbledh
palë-paaalë
gjithë ato kujtime,
të bredh e kthej:
ato zhurma,
-thirrje jete
copëza gëzime
-e thërrime dite…
Borën e parë
ecjen trotuareve,
përplasjen
-fëmijërinë skajeve…
gjithë ato zhgënjime
dhe dridhje.
Me këngë buzëvaj
pastaj
të ndezi zjarret
– kryengritjen e mbrendëshme…
Flakë le të digjen oqeanet!
Të thur një botë
me ditë e netë
-të reja ,
-të vërteta,
-Diellplotë !
SONTE ,se nesër
-është vonë!
FLORA SULDASHI
11.11.2020
Hamburg

LETER KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS PËR VËLLIMIN „KOSOVA“ ANGLISHT – Nga RAMIZ TAFILAJ

Letra që po ua dërgojmë Juve, zoti Kryemnistër, ka për qlllim që t’iu njohtojë me veprimtarinë tonë në këtë drejtim, por edhe të merrni masa që kjo veprimtari të bëhet pjesë e propagandës shkencore e shtetit të Kosovës. Tash, kur shteti serb po bën propagandë të madhe në SHBA dhe gjithandej në botë kundër qenies historike dhe kulturore të shtetit të Kosovës me anën e librave të shumta, siç janë ato për Kishat Ortodokse serbe në Kosovë dhe “Gjenocidi i shqiptarëve në Kosovës në shekullin XX” në pesë vëllime nga Kisha Ortodokse Serbe, është e udhës, që shteti i Kosovës, të shrytëzojë ato vepra që ka në gjuhën angleze që t’i kundërpërgjigjet kësaj propagande. Meqë Botuesi “Jalifat Publishing” nga Hustoni para katër vitesh ka përkthayer dhe botuar “Kosovën” e J. Buxhovit në tre vëllime në anglisht dhe se ky libër tashmë është futur në universitetet amerikane si literaturë alternative për Europën Juglindore, e shohim të udhës, që Qeveria e Kosovës, të marrë përsipër që libri “Kosova” nga ana e Qeverisë së Kosovës, nëpërmes ambasadave tona në botë, veçmasnë SHBA, të shpërndahet në qarqet diplomatike, politike, kulturoretë dhe shkencore. PO ashtu, Qeveria e Kosovës duhet t’i detrojë, insitutcionet shkencore dhe akademike,të krijojnë një plan për botimin dhe përkthimin e veprave historiografike që do të shpërndahen në botë. Shtëpia botuese “Jaliffat Publishing” do të përkthejë autorët e këtyre veprave dhe do t’i shpërndajë ato. Por që kjo punë të jetë sa më e organizuar, kërkon edhe përfshirjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që për fat të keq deri më tash ka munguar.

Me Adem Istrefin, nëpër natë e nëpër jetën e tij, nga Tirana në Gjurakovc – Nga SALIH KABASHI

Me rastin e vdekjes së shkrimtarit e poetit kosovar të Tiranës
Kur për herë të parë shkova në Shqipëri, dy vetë nuk e patën të vështirë ta gjenin njëri-tjetrin. Unë Ademin e Adem Istrefi mua. Shoqërohesha dhe jetoja me bindjen e çuditshme se atë e kisha dikë timin.
Ndoshta pse vepra e tij letrare në Kosovë kishte qarkullim klandestin dhe lexim të gjerë. Nëse për ndonjë libër mund të thuhej se jo vetëm lexohej por edhe hahej, atëherë ndër ato libra të parat do të ishin ato të Adem Istrefit. Qysh gjatë shkollimit tim në Gjimnazin pastaj edhe në Normalen e Pejës qejfin për lexim të poezisë ma nxitën e ma shishmuan vargjet e strellcjanit, bashkëvendës të të cilit kisha në klasë e në shkollë. Ai qysh i ri kishte dalë në Shqipëri…
Takimi im i parë me Adem Istrefin ishte pothuajse takim i njerëzve që njiheshin. Unë e doja atë shumë, shumë më herët.
E gjeta në kafenenë e Lidhjes së Shkrimtarëve. Këtu ku e tregon edhe fotografia. Nuk ishte vetëm. Me të ishin dhe mua po më prisnin, pos Ademit edhe figura shumë të njohura dhe që i gjeta para së gjithash njerëz të mrekullueshëm: Ndrekë Luca, Sadri Ahmeti e ndonjë tjetër.
Dikush kishte lajmëruar me kohë, hej! po vjen Salih Kabashi nga Lubjana e Sllovenisë…, doni ta takoni?
E kam shkruar edhe diku tjetër: kosovarët emigrantë në Tiranë, kur atje shkela për herë të parë, i gjeta të lodhur e gati të sëmurë. I kishte lodhur ankthi i të qenmit nën survejim të përditshëm, i rrezikut të burgosjes e internimit, malli për vendin e lindjes, kushtet e mjera të jetesës…
Kosovarët si dhe të gjithë shqiptarët dukej se i kishte lodhë Shqipëria.
I shihja të zbehtë e të frikësuar. Vetëm shishet e gotat e shumta të fernetit që zbraznin gurmazeve, atyre dikur u sillnin rreze efemere në sytë e dritë të pakkohëshme në fytyrat e tyre.
Në Tiranë asokohe ishin instaluar lloj-lloj kosovarësh dhe shqiptarësh të tjerë të Maqedonisë e Kosovës me punë apo në azil politik, por edhe thjeshtë badihavxhinj nëpër Evropë. Nuk ishin të paktë ata që kishin ardhë, siç thuhet – me shitë salltanet… Disa edhe për punë jo aq të pastra e aspak të lavdishme.
Shqipëria ishte e shqyer. Ishte e paushqyer. Nga banorët e saj ishte e urryer.
Pollavrat politiko-patriotike të disa kosovarëve asaj i tingëllonin shumë cinike.
Megjithatë heshtnin, dëgjonin, prisnin shpëtim. Dhe në fukarallëkun e tyre tregonin bujari të paimagjinueshme.
Fliste e heshtte edhe Adem Istrefi, personazhi i kësaj fotografie. Në të dyja rastet ai thoshte shumë. Pak muaj më vonë ai, për “Republikën” time pat bërë një shkrim mbi tredhjen e trurit që i kishte ndodhur Atdheut tonë përgjatë lulzimit në të gjitha fushat…
Mbrëmë gati më zu sabahi duke mbajtur nëpër duar fotografi të shumta. Secila më thoshte diçka. Secila zgjonte një kujtim, një mall. Secila sillte një jehonë. I ndava në më pak të rëndësishme dhe në më domethënëse. I lashë të gjitha për një vizitë tjetër. Te njëra u ndala dhe asaj iu thellova. Është kjo që më futi fellutave të këtij shkrimi.
U mallëngjeva jo për vitet që shkojnë. Jo, jo! Po mendoja se në çastin e fotografimit, as unë as Adem Istrefi, edhepse do të duhej, prapëseprapë nuk kishim se si të gëzoheshim.
As ai as unë nuk mund të dilnim matanë, ku ai të pinte nga një gërçamë ujë në të gjitha gurrat e Strellcit, ndërsa unë të shihja, sepse po përvëlohesha t’i shihja sytë plot gjak e lot që nuk po i thaheshin kurrë lokes sime…
Mustaqet e Adem Istrefit, skuqur nga duhani, ligjërimi i tij, me shumë fjali ndërmjetëze që atë e bëjnë të bujshëm e shumëdegësh, ndonjë grimcë humori si purpur i ëmbël, grushti para gojës për të bllokuar shpërthimin e një kolle…
Poeti im i preferuar më ngjante atëherë sikurse më duket edhe tash në fotografi: si ata burrat markant, pedant e urtak që me parakalimet e tyre, veshur allafranga, stolisnin kalldërmet e Pejës sonë të hershme.
Qeshje e lehtë. Një koll poashtu i lehtë shkaktuar nga duhan i keq. Dhe mjegulla e dendur e tymit. Adem Istrefi donte të thoshte diçka… Shumëçka. I tejkalonte apo i linte për një rast tjetër duke mbushur kraharorin dhe duke nxjerrë një ofshamë të shoqëruar me ulje koke…
*
Pas pesëmbëdhjetë vjetësh, në një pasdite me Ramadan Musliun, Hysamedin Ferajn dhe Adem Istrefin ishim ulur në një kafene në rrugën Myslym Shyri. Ishte pasdite. Ademi tashmë e kishte pa dhe e kishte shëtitur nëpër Kosovën e lirë. Gurrat e Strellcit më nuk do t’i mbajnë inat, ai secilës ia kishte zgjatur buzët e etura e të përmalluara.
Sa kisha ardhë nga Sllovenia. Më pyeti: Kur do të nisesh për n’at anë? Nesër, i thashë. Nëse do të shkoje sonte, do të shkonim bashkë! Shkojmë nesër. Jo nesër, sonte, sonte. Dukej se nesër do të ishte kot dhe se vetëm nisja e menjëhershme kishte kuptim.
– Mirë. U bë. Nisemi sonte! Shko bëhu gati – i thashë.
Pas një ore, Volvoja ime 15 vjeçare, me mua e me Ademin në bord u nis natën për në Kosovë si duke fluturuar. Mbi ne fluturuan si zakonisht disa gurë nga banesat sipër rrugës në Rrëshen… Nga gurët e guralecët e Kukësit shpëtuam. Gurëhedhësit i zumë në gjumë…
Në mesnatë shtëpia ime në Gjurakovc iu gëzua mysafirit të saj të papritur por shumë të dashur. Shtatë orë vozitje na kishin kaluar sa një orë. Bashkëudhëtimi më i bukur i jetës sime. Brenda atyre orëve unë isha i tëri dhe gjithë kohën brenda dramës së madhe të një Njeriu.
Në mëngjes, pas një kaftjalli të lehtë, poetit strellcjan të Tiranës i tregova sa i çmendur është gjelbrimi i majit në vendin tim. Poeti shijonte e përjetonte. Ne të dy po gëzoheshim me pranverën…
Në qytezën time ka ekzistuar një burg famëkeq i ngritur nga OZNA e UDB-a. Kam qenë banor i tij në periudha të ndryshme të rinisë sime. Deshi ta shihte. Shkuam dhe e pamë. Zymtësia largoi gazin e pakmëparshëm të pranverës. Një kollë i dridhi mustakun Adem Istrefit. Morëm rrugën e Pejës. Gurrat në Strellc po hidhni vrushkujt e akullt për të hequr shkrumin e rrënesës së ferrtë.
Nëna ime gjatë asaj kohe sa i ra me folë me Ademin, i thoshte: “Djali jem…, Zotit shyqyr djali jem…, po djali jem…, ani djali jem…
Të ketë qenë Adem Istrefi vëlla imi?!
Me siguri ishim vëllezër përnga dhimbjet e përnga dashuritë.
(Botuar te gazeta Tema, 27 shkurt 2013)
KU JANË LIRIKAT E MIA?…
Adem ISTREFI
Ku t’i kërkoj?
Kush m’i vodhi?…
Në petalet e luleve aromë-dehëse mos kërko,
As në flokët e pakrehuna të shelgjeve nuk i gjen.
Në ujëvarat e bardha shkumbë jo, nuk janë.
Me cicërimat e zogjëve nuk janë përzi.
Lirikat e mia nuk janë cicërima.
Nën kapuçin e bardhë janë thinjë,
Në tela me gjemba janë mbërthye,
Në zgavrat e çiftelisë janë strukë,
Nëpër rrugët e vorreve janë shkelë,
Në thinjat e zemrave të nanave janë kacavarë,
Në buzët e gjakosura të fëmijëve janë gri
Dhe në besimin tim janë shkri.

ZA FJETUN… – Nga LULZIM LOGU

Rreth librit më të ri të Hasan Selimit”Ditën n’diell e hanë”

Botimet “Eneas” Tiranë 2020

 

Sapo ka dalë nga shtypi ky libër, nuk e di se cili është në rradhën e botimeve të autorit, ai ka kohë që boton libra njeri pas tjetrit, muza e tij ka shpërthyer pas vitesh të gjata fshehtësie, ndrojtje dhe akumulimi shpirtëror, dilemash të shumta në vetvete, gjersa poezia e ka shpëtuar nga një ngarkesë e madhe, e cila dukej se do ta mbyste…

Të paktën këtë impresion e kam pasur gjithmonë, duke e soditur poetin, studjuesin, gjyqtarin dhe teologun, ndërsa shfaqte apo fshihte njërin apo tjetrin rol në bashkëjetesën e detyruar, në ditën e tij të punës përballë peshores së drejtësisë apo në kredhjen e lume të shpirtit të tij të pandalshëm të kujtimeve të fëminisë, ku dy elementë mbizotërojnë psikikën e tij aspak të pazakontë, nëna dhe babai, dy qënie që më së shumti i ka dashur, pasi ata janë larguar parakohe nga kjo jetë.

Nëna aq herët, një mesogrua e bukur, delikate, fisnike dhe ndonjëherë edhe burrnore, kur ja donte rasti për mbijetesën e familjes.Babai,më fjalëpakë, më i vrazhdë, i prerë në vendime, por kurajoz dhe përcaktues në fatin e familjes së vet.Të vendosur me tokë dhe kullë, në Kasaj, një vend dominant mes Kosovës dhe Shqipërisë, një vrap kali mes dy gjysmave të atdheut të ndara gjysmëshekulli padrejtësisht, ku natyra i tregon bujarisht të gjitha hiret e veta, në të gjitha stinët…

Duke dashur të garantojë karakter dhe personalitet, shpeshherë ka dominuar gjyqtari dhe toni i fortë dhe i prerë, më pas kur liria e besimit dhe e shprehjes hyri natyrshëm si frymë lehtësuese midis nesh, filloi të shfaqej njeriu i besimit që të afron ndjesi besimi dhe shprese mes marrëdhëniesh njerëzore, në biseda intime ku luhateshin fate të ndryshme individësh të vuajtur ose jo dhe së fundi poeti…

Shfaqet befasisht me vargun e çrregullt, por me forcë të çuditshme imagjinate dhe strukture interesante, me guxim krijues, ndonjëherë edhe tejkalues në përmasa, vargu ka sinqeritet dhe tematikë novatore dhe origjinale, që papritur shkakton habi të justifikuar tek lexuesit, por edhe kritikët jo të paktë të tij…

Shkruan poezi, poema të gjata, shfaqet dhe si prozator, i cili qëmton detaje të rralla, qasja ndaj studimeve të fushës së vet juridike, por edhe të besimeve dhe historisë së tyre në Shqipëri, i japin “kurorën” e dëshiruar të krijuesit të mirëpranuar dhe të merituar në botimet komplekse.Duke qënë aktiv dhe përfshirës në takime periodike dhe të gjithfarëllojshme me krijues, reflekton dhe stilin e veçantë të dialogut kulturor, që e afron së tepërmi në rrethet aktuale krijuese në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni…

Dhe pasi prushi dhe flaka e parë krijuese janë shuar sadopak, besoj se ja ka mbrritur maturia e motiveve poetike, qëndrueshmëria tematike, kujdesi i shtuar ndaj strukturës së vargut dhe latimit të tij të domosdoshëm brenda unit të tij poetik, luhatet në lavjerrësin e tij krijues të gjejë pjesën e tij më të mirë dhe  shpresoj se në këtë libër të ri shfaqet më së miri kjo tendencë.

I përcaktuar tashmë si “Zafjetun…” si “Krisht, gjithnjë në kërkim…” poetit i pelqen të kuptohet si krijuesi të cilit i dhemb aty ku i dhemb sot edhe botës në përgjithësi, por në momente të veçanta, atdheut të vet, gjendjes aktuale ku ndodhet ai:

…Fjala digjet, tund shpatë druni

Krahlodhun, hekuri mbart kob

Kombi im djegun, n’shpirt kallun

Prushin nxjerr nga xhepi

Djeg fjalën

Kërcej i trembun, zani hesht…

Libri ka 9 cikle, sa të ndarë, po aq të përafërt me njeri tjetrin, ku padyshim spikat ai me titull” Njomzim nga terri” dhe” Fjala zot” që ndoshta do të mjaftonin të vetme për një libër. Që nga dialogu i pandërprerë poetik dhe simbolik me prindërit dhe fëmininë, shumë përcaktuese në subkoishencën e poetit deri tek piskama e brendshme shpirtërore si himn dhe apel për fatin e ardhshëm të atdheut, rrugën e të cilit e kemi në dorë pafundësisht me sjelljet dhe veprimet tona të ditës:

Ju vdektarë harpçinj, të shtuem përtokë si gjethi

Shtypun nga kamba e lodhun e një rrugtari

Vdektar i gëzimeve të harrueme…

Ky libër i ri i autorit, i sapodalë nga botimi, me faqet ende të avullta, josh si buka që sapo del nga vatra e nxehtë, unë si ai i urituri që mezi pres ta vendosin mbi tavolinë dhe përpiqem të zhvesh një kore të nxehtë, të zbus sadopak nepsin tim të çastit, duke uruar zëmadh atë që e ka gatuar, me adhurim të sinqertë…

Kështu më josh edhe mua dhe ndoshta nxitohem e s’ja qëlloj plotësisht në mbresat e mia të para. Si ai i ngopuri me bukën qe e shijon përsëri kur ftohet dhe ankohet për kripën e tepërt apo fortësinë e kores së saj…

Hasan Selimi dëshmon pjekuri poetike, nerv ngacmues tek lexuesi dhe një botë shpirtërore që rrok të të marrë me vete në udhëtimin poetik, faqe për faqe. Nuk është pak besoj…

 

Tropojë, Nëntor 2020

HIJE NËPËR NATË Poezi nga Sadik Bejko

Është natë e udhëtarit plak.
Ecën nën një ndriçim si ai i syve gjysmë mbyllur.
Me kohë e ka humbur qytetin e tij, ka humbur miqtë, mikeshat, kafet, gotat me verë.
Është ngritur të ripushtojë territoret. Këmbët i dridhen, hijet trallisen nën erë.
Nata ka rënë pllanga pllanga mbi rrugë, pemë, blloqe banimi.
Është i humbur. E di këtë dhe fare nuk e pyet.
Të tjera vajza, gra, djem, të tjera fytyra i mbushin lokalet e tij.
Nuk e njohin më, vetmon i huaj në qytetin e vet.
..hapa.. terr.., vende ku rrinte me miq. Si i humbi buzët, fytyrat intime, bisedat me gota në duar?
Shtyhet i huaj mes të tjerash hije..
tej një çift i përqafuar.
(Ku t’iu gjej miq?) Këndi bosh, zbrazur nata. Froni braktisur.
Mikja i lektiset një telenovele në lotë.
Një shëtit qenin. Një tjetër pi kamomilin e shkretëtirës pa short.
Nesër rishmëz do shpalosë rrugët
si ta kthejë praptaz një film pa zë.
Gjurmon natës gjer në fund hijet endur me errësirë.
Hijet si hallka prangash të kyçura mbi gjakun e tij ende të pa mpirë.

Send this to a friend