VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Zjarr në një banesë në Vlorë, dy të vdekur

By | January 21, 2018

Komentet

Një mijë policë për protestën e nesërme, gazetarët këshillohen të marrin maska kundragaz

Ashtu si të shtunën e protestës së 16 shkurtit edhe për ditën e nesërme policia e shtetit ka marrë një plan masash për mbarëvajtjen e protestës që do të zhvillohet përballë parlamentit në orën 10:00.

Mbi një mijë forca të policisë, gardës së Republikës e forcave të ndërhyrjes së shpejtë do të stacionohen pranë kuvendit për protestën. Madje policia i ka bërë dhe një thirrje gazetarëve që të pajisen me maska anti-gaz pasi mund të ketë përshkallëzim të situatës dhe policia mesa duket do të përdorë sërish gaz lotsjellës nëse në protestë do të ketë elementë të dhunës.

Kujtojmë se këtë të mërkurë në zyrën e Bashës shkuan ambasadorja e Gjermanisë Schutz si dhe ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca. Ky i fundit foli shkurtimisht për median dhe deklaroi se pret që protesta e nesërme përballë parlamentit të mos ketë dhunë./Express

A ka Rama një skenar për braktisjen e kuvendit të nesërmen e protestës?!

Të nesërmen ashtu si çdo të enjte parlamenti mblidhet në seancë, por ndryshe nga të gjitha rastet e tjera, Kuvendi ende se ka bërë të ditur orarin e mbledhjes.

Opozita ka lajmëruar protestë në orën 10:00 po të nesërmen përballë parlamentit, duke patur parasysh se ora zyrtare e fillimit të seancës mbetet kurdoherë pikërisht paraditja.

Në faqen zyrtare të kuvendit tashmë është publikuar rendi i ditës për seancën e të nesërmes, por ende nuk ka një orë zyrtare, ç’ka lë mundësin për spekulim.

Frikë nga protesta, apo një plan i mirfilltë për të spostuar seancën plenare në një orë tjetër, kur tubimi i opozitës të përmbyllet?!

Skenari i një largimi të deputetëve nga vatrat e zjarrit nuk do të ishte i habitshëm nëse kemi parasysh që të njëjtën gjë bëri dhe kryeministri Edi Rama më 16 shkurt/ Teksa poshtë zyrës së tij në kryeministri mijëra shqiptarë protestonin, Rama ndodhej në Vlorë duke folur në një anti-miting ‘klasik’./Express

Basha i përgjigjet ambasadës amerikane me një shprehje të Abraham Lincolnit

Kryetari i PD-së Lulzim Basha foli për mediat në përfundim të mbledhjes së kryesisë.

I pyetur nëse kishte një qëndrim lidhur me deklaratën e ambasadës së SHBA për djegien mandateve, Basha u përgjigj me një shprehje të ish- Presidenti, Abraham Lincoln për demokracinë.

Përgjigja e Bashës

Unë nuk komentoj kurrë asnjë deklaratë të përfaqësive të huaja në Tiranë, por dua t’jua them fare qartë: për PD dhe për mua, personalisht, nuk ka frymëzim më të madh sesa SHBA dhe demokracia amerikane. Në veçanti, mes galerisë së personaliteteve që kanë dhënë kaq shumë në altarin e demokracisë amerikane, veçoj presidentin Lincoln. Dhe dua ta citoj, ndjesë se citimi duhet bërë fjalë për fjalë, po aq sa më kujtohet nga fjalimi i tij në Gettysburg.

“That we we here highly resolve that these dead shall not have died in vain – that this nation, under God, shall have a new birth of freedom – and that government of the people, by the people, for the people, shall not perish from the earth”.

Tani, për të gjithë bashkëqytetarët e mi dhe bashkëkombasit kudo që na ndjekin.

Djegia e mandateve nuk është qëllim në vetëvete. Djegia e mandateve është rekursi i fundit që i është lënë opozitës për të arritur një qëllim madhor: që të shembim një qeveri të krimit, për krimin dhe nga krimi dhe t’i japim shqiptarëve një qeveri të njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit. Për këtë, ne nuk po kërkojmë të marrim diçka.

Nuk po kërkojmë të marrim mandate me ndihmën e krimit të organizuar, siç ka bërë Edi Rama dhe siç është vërtetuar edhe nga provat gjyqësore të publikuara nga Zëri i Amerikës. Ne po japim. Dhe për ta përkthyer tani thënien e Presidentit Lincoln, shpresoj që kjo sakrificë nuk do të shkojë dëm. Se ky komb nën Zot, do të ketë një lindje të re të Lirisë dhe Demokracisë dhe se qeverisja e njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit nuk do të zhduket nga faqja e dheut, nuk do të zhduket nga faqja e Shqipërisë.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Zoti e bekoftë Amerikën!

“E bëra për fëmijët e mi”, Florenc Hoxha sot në gjykatë: Nder të jap kontributin tim që të rrëzohet kjo qeveri

Ish drejtori i INUK, Florenc Hoxha deklaroi gjatë seancës gjyqësore ku ai ishte i pandehur i akuzuar për dhunë gjatë protestës së 16 shkurtit se do të vazhdojë të protestojë deri sa kjo qeveri krimi të bjerë.

Ai hodhi poshtë akuzën për dhunë, ndërsa u ankua për veprimet jo njerëzore të policisë ndaj familje së tij.

(Pjesë nga deklaratat e sotme në gjykatë)

Dua të theksoj se kam marrë pjesë në të gjitha protestat e opozitës dhe këtë e kam bërë për fëmijët e mi dhe jo të më arrestojnë, por edhe masa më të rënda të aplikojnë ndaj personit tim, unë do të vazhdoj të protestoj deri sa kjo qeveri e krimit, kjo qeveria e bandave të largohet nga pushteti.

Dua të theksoj dhe një aspekt tjetër: momentin që jam shoqëruar, kam parë që banesa ime po rrethohej nga disa persona me kapuçë, mund t’u them kapuçonë të zinj se punonjës policie apo forca speciale nuk mund t’i quaj, të cilët kanë dhunuar banesën time. Kanë terrorizuar një kushëri timin që po qëndronte brenda banesës, duke kërcënuar me armë. Në atë moment kam komunikuar me shefin e Komisariatit 4, duke kërkuar të di se çfarë po ndodh me banesën time dhe zotëria në fjalë më ka thënë: janë urdhra të drejtorit dhe unë nuk kam çfarë të bëj, nuk janë kompetenca të miat. Në këtë moment i kam kërkuar vetëm disa minuta kohë sa të vishem. Në katin e parë qëndronte e gjithë familja ime, gruaja ime djali im 8 vjeç, vajza ime 12 vjeçe dhe halla ime, të gjitha femra. Në momentin që po vishesha kam dëgjuar një zhurmë të fortë dhe mbi 20 persona, e kam të pasqyryar me kamera, në momentin që do të kem mundësi t’i kem ato kamera, t’Ia vë në dispozicion mediave, kam parë disa punonjës policie që i kanë drejtuar vajzës time armën në kokë duke I kërkuar se ku është babai?! Në ato momente kam ndjerë, jo lotë, por një dhimbje shpirtërore se çfarë po ndodh me këtë shtet. Ku ka degjeneruar kjo bandë kriminale e drejtuar nga Edi Rama? Dhe djalit tim 8 vjeçar, i cili mundohej të largonte armën e këtij banditit me maskë, duke I thënë mos ma dhuno motrën. Në këtë moment, mbi dhjetë punonjës policie nëpër shtëpi, në sy të familjes time, në sy të fëmijëve të mi dhe më kanë tërhequr zvarrë. Më kanë tërhequr zvarrë vetëm me arsyen se kam marrë pjesë në protestë. Pasi jam futur në furgon, po ta sqaroj dhe po e theksoj, njëri prej këtyre banditëve, më ka goditur në vazhdimësi gjatë rrugës dhe më ka nxjerrë pistoletën dhe ma ka vënë në gojë. Ma ka vënë për së dyti, sepse e kam ndjerë fishekun që ka dalë nga arma dhe më ka thënë: Këlysh I Bashës, guxo të dalësh edhe njëherë në protestë. Këto i keni të monitoruar dhe me kamera, jua vë në dispozicion. Nuk duket për të qeshur, është për të qarë në fakt.

 Gjyqtarja: Për cilat kamera e keni fjalën?

Florenc Hoxha: Për kamerat e sigurisë së banesës sime.

Përpos kësaj, në aspektin policor, gjatë protestës, thuhet në fjalën e prokurores se unë paskam dhunuar një vepër arti. Me thënë të drejtën vetëm vepër arti nuk më duket në në syrin tim se nuk jam piktor si Rama, vepër arti nuk më është dukur. Kam thënë se ajo jo që nuk është vepër arti, por është dhuratë e Eskobarit të Ballkanit, gjethe e hashashit dhuruar Edi Ramës si formë e bashkëpunimit të tij dhe falenderimi për bashkëpunimin e vitit 2016-2017-të. Me të dëgjuar e kam, nuk e kam të provuar, se do të paraqisja provat.

Gjithashtu, dua të theksoj edhe diçka tjetër, jo vetëm si person në hetim, por edhe si ish punonjës policie: në momentin e protestës jam etiketuar si person që kam dhunuar punonjësit e policisë. Dua t’i ritheksoj prokurores: ka një emër konkret punonjësi policie që më ka akuzuar mua që e kam dhunuar?! Apo janë thjesht thënie apriori, thënë prej këtyre militantëve të partisë në pushtet që janë nëpër komisariatet e policisë?

Unë e quaj për nder që të jap kontributin tim, që të rrëzohet kjo qeveri. Dhe nuk i trembem as vdekjes, jo burgut. E quaj për nder, sepse kam kundërshtuar banditi zimin dhe bandat e Shqipërisë, për jetën e fëmijeve të mi, por njëkohësisht edhe për jetën e fëmijëve tuaj zoti prokuror. Për të ardhmen e tyre. Nuk kam mundësi t’i largoj jashtë shtetit, siç bën një pjesë e ministrave të qeverisë, apo siç mund të bëni juve. Unë e kam ndërtuar jetën time në Republikën e Shqipërisë, në këtë vend që e dashuroj, ku jam rritur dhe dua të vdes po në këtë vend. Fëmijët e mi dua t’i rris pa drogë dhe pa shtet kriminel.

i urrej fjalimet, por pas atyre skenave makabre që kanë parë fëmijët e mi, si mund ta them tani, se s’dua të intimidoj trupin gjykues, por çdonjëri nga juve, po të shikojë ato skena, sesi fëmija i mitur kërcënohet dhe kanoset me armë, si mund të veprojë një qytetar, i cili paguan taksat dhe është i rregullt. Nëse të do isha unë bandë e armatosur, ju siguroj i nderuar prokuror, se Edi Rama nuk do të ekzistonte më. Me aftësitë e mia policore, nëse do e kisha rrethuar me paramendim, ju siguroj se kryeministria sot nuk do të ekzistonte.

Po ju garantoj sërish se nuk kam bërë asnjë veprim të dhunshëm , as unë e as këta personat e tjerë. Nëse jam afruar për një moment, tek shkallët e kryeministrisë, kam vendosur shallin. Shalli ka qenë për mbrojtjen nga gazi CC, sepse e pashë se çfarë gazi po hidhej. A është e vërtetë se ky është gaz CC apo gaz CM? Në momentin që kam parë gazin CC, i kam provuar një ish-kolegut tim, që sot nuk mund ta kujtoj për momentin, që po, është gaz CC, dhe duhen kujdes për këta persona, sepse mund të vdesin, nëqoftëse thithen nga rrugët e frymëmarrjes.

Po e sqaroj edhe njëherë. Nuk e mohoj faktin se kam qenë në shkallët e kryeministrisë dhe kam identifikuar bombolat me gaz CC dhe CM. Ju mund të rilexoni manualet policore se çfarë efektesh anësore kanë gazi CC apo CM.

Kaq kam për të thënë zoti prokuror e zotërinj të trupit gjykues. Dhe nëse do të më jepet mundësia të jem në protestën e së enjtes, prapë do ta quaj për nder të jem në krah të liderit të opozitës.

Pa Republikën e re, do të vërtitemi si minj në çark! – Nga ARTAN FUGA

Katër gjëra megjithatë rrekem t’i kuptoj por nuk arrij ende t’a kap fillin:

E para, si është e mundur që krerët e partisë në pushtet merren me ushtruesit e dhunës para kryeministrisë ose me opozitarët në Kuvend, dhe nuk shohin mijra njerëzit që vijnë të shprehin pakënaqësinë e tyre nga ana e anës në kryeqytet! Po me këta si i bëhet hallit? Si studentët paskëshin halle të drejta kurse familjarët e tyre jo?

E dyta, si arritën krerët e opozitës ta lexojnë mesazhin e popullit protestues, oh sa legjitim! që ky mesazh ishte : “digjni mandatet!” Mund të jetë veprim i drejtë ose i gabuar, nuk më takon ta shpreh duke bërë parashikime në erë, por më mbetet misterioz fakti se me çfarë e lexuan mesazhin e elektoratit të tyre? Si e lexuan?

E treta, nëse një qeveri teknike do të jetë zgjidhja për zgjedhje të drejta, dhe mundet që ajo të jetë rruga, nuk i hy atij debati, si do të lihet një qeveri teknike me një kuvend ku të mos ketë deputetë nga të gjitha krahët. Do të ishte e frikshme një Shqipëri me qeveri teknike nëse pas nuk do të kishte një Kuvend mbështetës!

Qeveri teknike pa kuvend funksional???

Unë i druhem!!!

E katërta, po këshilltarët nëpër bashki a do t’i djegin mandatet, apo ata do të qendrojnë? Cfarë kuptimi ka që ata të qendrojnë nëse deputetët i lenë pendët Kuvendit!

Sa për mua unë i qendroj mendimit njësoj si para dy vitesh: Duhet REPUBLIKË E RE!

Pa lëvizur asnjë presje. Prej 15 vitesh argumentuar te libri im Shoqëria Periferike që shtëpia botuese PAPIRUS, po e riboton së shpejti!

Pa atë, pra pa një reformim rrënjësor të shtetit dhe vendosjen e një shteti të së drejtës, politika në gjendjen sikurse është nuk e nxjerr dot gomarin nga balta!

Përtej dështimit të një politike të caktuar, kemi edhe dështimin e të gjithë modelit të qeverisjes, të drejtësisë, të shkollës, të pronësimit, të të drejtave të njeriut, të shpërndarjes të pasurisë, të modelit ekonomik, etj., të të trija këtyre dekadave.

Nuk jemi budallenj të mos e shohim realitetin në sy!

Pa Republikë të re, do të vazhdojmë të rrotullohemi si minj të zënë në çark!

Romeo Gurakuqi: Qeveri tranzitore eshte para se gjithash nje qeveri e njerezve patriote, te ditun dhe te ndershem

Te mos mendoje ndonje nga zedhenesit e perkushtuar te Ortakerise, qe kriza do te zgjidhet duke zevendesuar djalin aventurier te anetarit te Presidiumit te Kuvendit Popullor, me djalin “patriot” te anetarit te Komitetit Qendror!

Eshte veçse nje manover qesharake e papranueshme, nje levizje foshnjerake e aktoreve te lidhjeve te vjetra.

“Dirigjenti” dhe “violina e pare” e “orkestres” se grabitjes se mandateve ne zgjedhjet e 25 qershorit 2017, jane njelloj pergjegjes per ndertimin e piramides ilegjitime te pushtetit socialist.

Madje, askush nga pergjegjesit e drejtperdrejte te krimit elektoral, te grabitjes se parase publike, te ndertimit te ndermarrjeve dhe bankave fantazme, nuk do te jete i pranueshem si trampoline e zgjidhjes se krizes.

Qeveri tranzitore eshte para se gjithash nje qeveri e njerezve patriote, te ditun dhe te ndershem; nje ekip teknicienesh te paanshem dhe racionale, qe do te kene si mision te vendosin ne balance Shtetin dhe nensistemet perberes te tij, te deformuara ne menyren me te pangjashme, nga veprimi irracional dhe i kompromentuar, i njeriut qe drejtoi per 6 vite qeverine.

Asnje kompromis i ketij lloji nuk e shpeton kete legjislature nga asgjesimi. Vetem nje zgjidhje e vertete dhe thelbesore, qe perjashton nga vendimarrja politikanet delinkuente te kapur ne vjedhje dhe pergjime me bandat, mund te jete e pranueshme.

Problemi themelor mbetet pikasja e nje Kryeministër te duhur, atij te paanshmit dhe te pakapurit prej Ortakerise se kompromiseve te paprincipta.

Koha e numerimit mbrapsht per Grupimin Socialist tashme ka filluar!

Opozita Demokrate e tha fjalen e vet.

Te enjten populli do te thote kumtin e tij, pavaresisht nese KM do ta mbaje ose jo, telefonin ne veshin e tij te majte.

Avokati i Popullit nis hetimet për gazin lotsjellës dhe ushtrim dhune në protestën e 16 shkurtit

Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur hetimet për sjelljen e policisë gjatë protestës së opozitës të zhvilluar më 16 shkurt për përdorimin e shpërpjesëtuar të gazit lotsjellës dhe për ushtrim dhunë gjatë arrestimit të protestueseve.

 

Ky institucion njoftoi se ka monitoruar në mënyrë të kujdesshme tubimin e qytetarëve më datë 16.02.2019 si dhe sjelljen e autoriteteve ligjzbatuese gjatë dhe pas zhvillimit të këtij tubimi.

Ish drejtori i INUK Florenc Hoxha ka bërë ankesë për dhunë nga ana e policisë.

Njoftimi

Një ekip i zgjeruar ekspertësh të Avokatit të Popullit ka qenë i angazhuar në ndjekjen nga afër të zhvillimeve duke kryer të gjitha verifikimet e nevojshme në përputhje me mandatin e sanksionuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë për institucionin e Avokatit të Popullit.

Në përfundim të monitorimit, Avokati i Popullit ka konstatuar se protesta e 16 shkurtit është zhvilluar përgjithësisht brenda standardeve normale të një tubimi paqësor.

Qytetarët kanë qenë të pranishëm të shumtë në numër dhe – përveç një numri të vogël e të veçuar individësh – në një shumicë dërrmuese qytetarët janë shfaqur të qetë dhe të paangazhuar në akte kërcënuese për rendin, qetësinë dhe sigurinë publike.

Avokati i Popullit çmon se sado i parëndësishëm qoftë numri i qytetarëve që e injorojnë ligjin dhe përfshihen në veprime të dhunshme, cenimi i pronës publike si dhe veprimet në kundërshtim të sigurisë dhe rendit publik janë te papajtueshme me të drejtën kushtetuese të protestës dhe demtojne jo thjesht pasurinë publike por edhe të drejtën e qytetarëve të tjerë për të protestuar paqësisht.

Gjithsesi, roli i Avokatit të Popullit ka të bëjë me garantimin e sjelljes së autoriteteve shtetërore në respekt të ligjit dhe të drejtave civile të qytetarëve.

Nga verifikimet paraprake të ekipit monitorues është konstatuar se forcat e ruajtjes së rendit në përgjithësi e kanë menaxhuar me rregullsi protestën, pa u angazhuar në ushtrim dhune mbi qytetarët protestues.

Gjithsesi, nisur edhe nga ankesa të ardhura prej qytetarëve të pranishëm në protestë, Avokati i popullit ka ngritur pyetje në lidhje me proporcionalitetin e përdorimit të gazit lakrimogjen apo edhe të pajisjeve të tjera shpërthyese që u hodhën nga forcat e ruajtjes së rendit mbi masën e qytetarëve gjatë protestës.

Avokati i Popullit, në datë 17/2/2019 u ka drejtuar kërkesa zyrtare autoriteteve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, për të dhënë sqarime mbi llojin, sasinë, përqendrimin, përbërjen, dhe prejardhjen e këtyre lëndëve.

Gjithashtu Avokati i Popullit ka kërkuar të informohet zyrtarisht mbi protokollin zyrtar që zbatohet për përdorimin e këtyre lëndëve, llogaritjet sipas të cilave administrohet sasia e duhur për një numër të caktuar qytetarësh dhe të dhëna të tjera që do të përcaktojnë nëse sasia e përdorur e lëtyre lëndëve nga ana e forcave të rendit synonte vetëm neutralizimin e grupit të vogël të dhunuesve, apo intimidimin dhe privimin e një numri të madh protestuesish paqësorë nga ushtrimi i së drejtës së tyre kushtetuese për tubim.

Po ashtu, Avokati i Popullit ka ndjekur zyrtarisht edhe procedurat e ndalimit të një numri pjesëmarrësish në tubim nga ana e organeve ligjzbatuese gjatë orëve të mbrëmjes në vijim.

Përfaqësuesit e Institucionit kanë marrë informacione pranë autoriteteve drejtuese të Policisë së Shtetit dhe u janë vënë në dispozicion dokumentet shoqërues me anë të të cilave janë kryer këto arrestime.

Avokati i Popullit ka kërkuar dhe i është lejuar të zhvillojë takime me të 16 qytetarët e ndaluar nga Policia e Shtetit pas përfundimit të tubimit.

Të pyetur individualisht nga Avokati i Popullit, 15 prej qytetarëve nuk kanë shprehur pretendime për ushtrim dhune apo për shkelje të procedurave standarde të ndjekura nga Policia e Shtetit në ndalimin e tyre.

Në një rast, dhe posaçërisht qytetari F.H. ka raportuar një seri shkeljesh nga ana e Policisë së Shtetit gjatë operacionit për ndalimin e tij, pamje filmike të të cilit janë publikuar edhe në disa media.

Sipas deklarimeve të qytetarit por edhe pamjeve filmike të publikuara në media, një numër i madh forcash policore janë angazhuar për të kryer ndalimin në orët e mbrëmjes në banesën e tij. Sipas Avokatit të Popullit, ky raport kaq i shpërpjesëtuar angazhimi i një numri kaq të lartë anëtarësh të organeve ligjzbatuese për thjesht arrestimin e një qytetari të vetëm, mund të përbëjë një formë demonstrimi të panevojshëm represiviteti.

F.H. ka denoncuar edhe se hyrja e forcave të rendit në mënyrë të dhunshme pa kërkuar më parë as akses normal në mjediset familjare është në shkelje të procedurave standarde. Në mënyrë të veçantë ekspozimi i armëve në brendësi të banesës dhe në prani të fëmijëve të tij të mitur si dhe përdorimi i fjalëve fyese dhe degraduese ndaj tij përbëjnë shkelje të ligjit nga ana e efektivëve që kanë ekzekutuar urdhërin e arrestit. Sipas deklarimeve, bashkëshortja e qytetarit si dhe të dy fëmijët e mitur 12 dhe 5 vjeç kanë pësuar shok psikologjik nga ky manifestim i panevojshëm brutaliteti.

Si nga pyetja e shtetasit F.H. ashtu edhe nga pamjet filmike të bëra publike në media, rezulton se sjellja e efektivëve që kanë ekzekutuar mandatin e arrestit është në kundërshtim me procedurat e ndalimit dhe shoqërimit dhe jo vetem kaq, por gjithashtu rezulton se nga ana e tyre ka edhe pasur ushtrim dhune verbale e fizike.

Pasi është dërguar në ambientin e shoqërimit të DVP Tiranë, qytetari është vizituar nga mjeku i këtij institucioni i cili ka rekomanduar që të dërgohet në Spitalin Ushtarak të Traumës për të marrë ndihmë mjekësore, sepse sipas atij goditjet në pjesën e kafkës prapa veshit ishin të rrezikshme për jetën. Pas rekomandimit të mjekut ai është dërguar në Spitalin Ushtarak dhe ka bërë ekzaminimet përkatëse ndërmjet të cilave skaner, si dhe ka marrë serum. Mbasi ka përfunduar ekzaminimet është shoqëruar në DVP Tiranë ku Oficeri i Policisë Gjyqësore në pranë të avokatit të tij i ka komunikuar arrestimin në flagrancë.

Ndërkohë u konstatua se nga mjeku i institucionit të policisë ishte bërë shënimi në regjistrin e vizitave të personave të arrestuar/ndaluar duke pasqyruar pretendimet e tij për ushtrim dhune fizike, si dhe konstatimin e hematomave në pjesën e kokës prapa veshit të djathtë.

Gjithashtu, sipas deklarimeve të avokatit të qytetarit F.H dhe familjarëve të tij, në banesën e tyre është kryer edhe një kontroll (i pasuar edhe nga një i dytë në orët e natës), gjë për të cilën nuk është paraqitur asnjë dokumentacion justifikues.

Nga ana e Avokatit të Popullit do të vazhdojë kryerja e veprimeve të mëtejshme hetimore administrative duke pyetur efektivët që kanë bërë shoqërimin e shtetasit F.H., si dhe të dëshmitarëve të mundshëm që kanë dijeni rreth pretendimeve të tij, si dhe të dokumentacionit të administruar lidhur me atë dhe personat e tjerë nga organet e Policisë dhe Prokurorisë Tiranë.

Përtej dhunës verbale dhe fizike të evidentuar në pamjet filmike, raportet mjekësore dhe kontaktin fizik vizual me shtetasin F.H., verifikimi i pretendimeve për shkelje të procedurave në ndalimin e këtij shtetasi si dhe i kryerjes së kontrolleve në kundërshtim me procedurën ligjore të parashikuar nga ligji, cenon rëndë të drejtat e tij kushtetuese.

Lubonja: Rama e keqja më e madhe, të rrethohet prokuroria

Vendimi i opozitës së bashkuar për të djegur mandatet, për Fatos Lubonjën nuk është e vetmja mënyrë që të çon tek rrëzimi i kryeministrit Rama.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, Lubonja tha se duhet të rrethohet Prokuroria e Krimeve të Rënda tashmë.

“E keqja kryesore e këtij vendi është Rama, ai i poshtëron çdo ditë, ju thotë deputetëve të opozitës se janë qenë që lehin, pra për të je i vrarë, i papërfillur. Në këtë situatë jemi përballë të panjohurave, ndaj unë shkoj në prokurori dhe ju rrethoj zyrat, se i kanë provat për vjedhjen e votave në zgjedhje. çfarë ndodh në botë? Në një rast të tillë kryeministrit i hapet një proces për vjedhje votash dhe le të thotë ky pastaj Dako do zgjidhet prapë se këto të përgjimeve janë veç llafe. Unë rrethoj Prokurorinë dhe nuk e lë këtë të dalë pa e marrë një vendim. S’ka nevojë fare të reflektojë Rama, shkoj atje e rrethoj Prokurorinë”,- u shpreh ai.

Salianji: Kundër protestuesve u përdor gaz helmues luftarak

Pas përfundimit të protestës deputeti i PD-së Ervin Salianji është ndalur te gazi lotsjellës i përdorur sot nga policia për të larguar demonstruesit. Përmes një postimi në faqen  e tij të ‘Facebook” Salianji ngre pikëpyetjen për prejardhjen e gazit të përdorur ndërsa shton se shumë protestues u paralizuan. Deputeti demokrat shprehet se gazi ka një lëndë shtesë ‘additiv’  që dha efekt aq të fortë.

Postimi i Ervin Salianjit

E vetmja dhunë sot ishte dhuna e qeverisë!

Përdorimi i Gazit Lotesjelles i cili sipas ekspertëve klasifikohet ne lendet kimike luftarake te lehta, por me pasoja.
Fakti paralizues i momentit, tregon per nje additiv, prandaj duhet kerkuar burimi nga ka ardhur ky gaz. Ne vende si Shqiperia perdoren arme kimike eksperimentale antidemonstrate. Qytetarët sot janë rrezikuar, sot qeveria i ka hapur luftë qytetarëve!
Prokuroria duhet të hetojë dhe të nxjerrë para përgjegjësisë shpërdoruesit e pushtetit!

Një protestë e sakrifikuar në altarin e “17 majit” – Nga ERL MURATI

U duk si një lajthitje post-Shën Valentini deklarata e 15 shkurtit e Elisa Spiropalit në emisionin “Provokacija”. Ajo tha se PS-ja është e gatshme të lëshojë pushtet ndaj opozitës sipas modelit “ca bashki t’i drejtojmë ne, ca ata”. Por Spiropali vetëm e lajthitur nuk është, prej pak javësh ajo u emërua ministre dhe mban postin e zëdhënëses së qeverisë, pra është zëri direkt i Edi Ramës.



Kjo “ofertë” e Ramës 24 orë para protestës, mund të ketë qenë diversion ndaj opozitës. Por, në dritën e zhvillimeve të sotme ajo shëmbëllen më shumë me një këmbanë alarmi. Dhe “alarmi” është, mos është marrë peng opozita në këtë vend?

Lulzim Basha ka disa javë që mobilizon popullin për “protestën më të madhe që ka parë ndonjëherë Shqipëria”, siç thotë ai, apo për protestën ku “populli merr në dorë fatet e tij” apo ca më keq, ku “shqiptarët do të rrethojnë kryeministrinë”. Ai përsëriti se opozita nuk do të tërhiqet derisa të arrijë qëllimin: qeveri tranzitore, pa Edi Ramën, që do të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme.

E pra në orën e pestë të protestës, me bilancin e xhamave të thyer, kërpudhës së prishur, skelës së shembur dhe syve të lotuar nga gazi lotsjellës, ajo që u paralajmërua si demonstratë pa kthim, mori fund.

“Herën tjetër…”, kërcënuan krerët e opozitës para kamerave.

Po herën tjetër, sepse këtë herë opozita vendosi të zbatojë lejen e policisë, protestuesit u rreshtuan para kryeministrisë dhe jo në krah të saj, siç ishte paralajmëruar në rrethimin e famshëm.

E pra unë nuk besoj se opozita s’ka fuqi të rrethojë kryeministrinë apo se krerët e protestës u bënë papritmas “burra shteti” që zbatojnë rregulloret e Sandër Lleshajt.

S’dua të keqkuptohem: ky shkrim nuk është zhgënjim për “dhunën e pamjaftueshme”, përkundrazi. Dhuna është krim dhe ajo nuk duhet relativizuar apo glorifikuar në asnjë rast.

Por populli thotë: o fol e mba, o…

Nëse ke paralajmëruar qëndresë, qëndresë duhet të bësh. Studentët u thanë në të ftohtin e dhjetorit dhe pavarësisht se ca thonë “protesta dështoi”, qëllimin e arritën. Kërkuan anulim tarifash, fituan përgjysmim tarifash. Pra, sakrifikuan, por nuk dolën duarbosh.

Pse kujtoni se bërtisnin sot “Berisha – Berisha” militantët e PD? Mos i mori malli pas 6 vitesh për Doktorin? Aspak, por ata refuzojnë mënyrën “tërhiq e mos e këput” të të bërit opozitë nga Lulzim Basha.

Ka gjasë që kumti i Spiropalit “ca bashki ne, ca ata” të mos ketë qenë diversion, por një konfirmim i hijes së zezë të mesnatës së 17 majit 2017, ku Edi Rama dhe Lulzim Basha u mbyllën për orë të tëra, kokë më kokë, për të vendosur fatin e zgjedhjeve të ardhshme.

Dihet përfundimi i marrëveshjes: bashkëqeverisje, pra ndarje pushteti në tavolinë.

Andaj unë e shoh si kulminacion të filozofisë së 17 majit, emërimin e Bodes në BSH, emërimin e Bregut në RCC, emërimin e gardistëve të 21 janarit në PS, rikthimin e drejtorëve të kohës së Berishës në krye të policisë së Shtetit, promovimin e negociatorëve të paktit famëkeq detar nga kjo qeveri, ruajtjen e bizneseve të përbashkëta nëpërmjet oligarkëve të përbashkët, etj.

Kohë pas kohe, njerëz të ndryshëm politikanë ose jo, kanë hedhur dyshime se ky pakt famëkeq vazhdon, se Rama dhe Basha pavarësisht teatrit me vezë dhe bojë ditëve të enjte, ruajnë komunikimin mes tyre. Këtë e pohoi edhe kryeministri Rama 3 javë më parë. Ditën kur i tha Berishës “a e kalon dot Atlantikun”, midis rreshtave ai iu drejtua Bashës “se ne komunikojmë…”

E pra, nëse Rama dhe Basha komunikojnë, ata nuk e bëjnë se janë shokë fëmijërie, klase e lagjeje, nuk e bëjnë se i lidh profesioni e pasioni. Ky komunikim është një thikë në shpinën e demokracisë, ku popullit i serviret një teatër kinse pluralist dhe në fakt, pluralizmi sakrifikohet në altarin e një duopoli politik, ku rotacioni ndodh në tavolinë e ku pushteti i rradhës kujdeset për shëndetin, pasurinë dhe mosprekjen nga drejtësia të opozitës së rradhës.

Teatri vazhdon, të gjithë flasin në emër të popullit dhe i vetmi që e ha në fund, është populli.

Mbyllet protesta e opozitës, të enjten tubimi i radhës para parlamentit

Pas pothuajse 5 orësh u mbyll protesta e sotme e thirrur nga opozita përballë kryeministrisë.

Në fjalën e tij mbyllëse, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, falenderoi pjesëmarrësit në protestë dhe i la takim ditën e enjte për një protestë tjetër, kësaj radhe përpara Parlamentit.

“Dua sot në emër të opozitës t’u shpreh mirënjohjen më të thellë qindra mijëra shqiptarëve që i dhanë zë revoltës dhe kryengritjes qytetare. Le të zotohemi sot se kjo kryengritje qytetare do të vazhdojë deri në përmbysjen totale të këtij sistemi të kalbur dhe t’ju ftoj të enjten në orën 10:00 në protestën tjetër më të bashkuar dhe të vendosur se kurrë.

Ne do të vazhdojmë të jemi të vendosur kundër qeverisë hajdute. Ditën e enjte, populli do t’i japë një përgjigje tjetër narkoshtetit duke marrë fatin në duart e tij. Ndaj ju ftoj të gjithëve, duke u falenderuar nga zemra për këtë qëndresë të jashtëzakonshme të jemi edhe më shumë edhe më të vendosur edhe më të bashkuar të enjten e javës së ardhshme”, tha Basha.

Protesta – Dhjetëra mijë drejt Tiranës, ja sa qytetarë janë nisur sipas qarqeve

Burime nga PD-ja bejne me dije se mengjesin e sotem raportohet se drejt Tiranës janë nisur më shumë se 50 mijë qytetarë drejt Tiranës.

Ja pjesemarrja sipas qarqeve:

Qarku Shkodër – 8000 qytetarë

Qarku Lezhë – 6800 qytetarë

Qarku Kukës – 4000 qytetarë

Qarku Dibër – 3500 qytetarë

Qarku Durrës – 9100 qytetarë

Qarku Elbasan – 7500 qytetarë

Qarku Berat – 3000 qytetarë

Qarku Fier – 4800 qytetarë

Qarku Vlorë – 4500 qytetarë

Qarku Gjirokastër – 2000 qytetarë

Qarku Korçë – 4200 qytetarë