VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Zile-kambana – Poemë nga EDGAR ALLAN POE – Shqipëroi: LAURETA PETOSHATI

By | December 7, 2015
1 Comments
  • author avatar
    Anonymous 2 years ago Reply

    vjersha me kot ne bote

Komentet

PROZË E DHEMBJES DHE E KRENARISË E SHKRUAR NDRYSHE – Nga Sejdi BERISHA

TIRANA, VLORA, SHKODRA, ELBASANI,… FJALË TË NGUJUARA NË ZEMËR

(Fragment nga libri “Konflikti me vetveten”)

 

Sa herë që kam dëshirë të shkruaj apo të them diçka në shkrimin tim, në të njëjtën kohë ndjej një dridhje por edhe kënaqësi, e kur të bashkohen këto, sikur më bëjnë më të lumtur për guximin që kanë njerëzit. Ndoshta, një gjë e tillë edhe të detyron të futesh në brendinë e njeriut dhe të nxjerrësh gjëra që i ngjajnë misterit, apo ta hasesh dritën, e cila rri në terr dhe ashtu me ngjyrë ndryshku dhe erë myku. Dhe, pikërisht për këtë arsye, më kujtohet Gabriel Garcia Marques, i cili thotë: “Çdo gjë që del nga goja ime, më shqetëson mua”! Po, natyrisht se ashtu është, kur ende ka shumë gjëra pa u thënë ashtu si duhet. Por, kjo (s)ka rëndësi…

“Dikur, kur babai im ma përmendte Tiranën, krahinën e Tropojës, kur më fliste për Shqipërinë, më dridhej trupi, shpirti s’më zinte vend

Tirana, Vlora, Shkodra, Elbasani,… m’u bën fjalë e ngujuar në zemër, edhe varg poetik që e ruaja në shtatë palë tokë, në shtatë palë qiell, atëherë kur babai nuk ishte më.

*    *    *

 

Posa dolëm nga restoranti, na afrohet një burrë në moshë të mirë që mbante syza dielli. Na u afrua, hoqi syzet dhe u përshëndet së pari më mua e pastaj edhe më dy miqtë e mi.

Me përzemërsi më pyeti se ku gjendem. Kur i thash se për çdo ditë jam në “vendin tim”, në restorantin “Nositi”, menjëherë më tha:

-Ka kohë që nuk të kam parë! – më flet me përzemërsi dhe m’i kishte ngulitur sytë thua se sikur donte për të më studiuar, apo kishte aq etje për t’u takuar me mua.

Ky njeri, i cili një kohë kishte qenë edhe kryetar gjykate, më pyeti edhe për krijimtarinë time dhe na luti të kthejmë sërish në restorant për nga një kafe. Por, ishte vonë dhe që të tretë iu falënderuam. Në shenjë përshëndetjeje, ma zgjati dorën:

-Sërish po të them, se ka kohë që nuk të kam parë, dhe, të ta them të vërtetën, kur të shoh dhe kur të takoj Ty, disi të identifikoj me Pejën…!

Ngela i nemitur, por vetëm arrita t’i them: Ju faleminderit! Ndërsa, në ndërkohë, njëri prej miqve të mi, posa u larguam pak nga ky njeri, me admirim shtoi:

-E sheh, çfarë do të thotë të bësh e të krijosh vepra… Të shkruash monografi si atë “Zejtarët e Pejës” dhe “Teatri i Pejës”?!

Pas kësaj, të tretë ngelëm pa thënë asnjë fjalë, pa dhënë koment për këtë, por unë vetëm ngrita supet, që ishte shenjë se megjithatë thoshte diçka… Kështu u ndamë me dëshirën për t’u takuar sërish nesër apo një ditë tjetër…

 

*    *    *

 

Një ditë, sërish duke kaluar atypari, por tani duke u kthyer në shtëpi, pranë asaj ordinance grumbuj njerëzish. Bënte vapë, kurse ata në pishë të diellit. Duke shikuar pa cak, dëgjoj një zë duke më thirr me emër. Kthehem dhe shikoj. Nga turma ndahet njëri i cili më përshëndeti me: mirëdita!

E shikova, por nuk e njihja dot. Ishte një plak thatak me një kasketë në kokë, që ma qonte mallin e atyre pleqve nga Kalabria. U ngrit në këmbë dhe duke kaluar këndej rruge ku isha unë, ma shtrëngoi  dorën duke më thënë:

-Ndoshta nuk më njeh, por jemi takuar para një viti e sa, në të pame me rastin e vdekjes së gazetarit N. L. Prej aty, kurrë nuk të harroj dhe shumë të respektoj,… Ishe njeri i madh! –pa përfunduar tërë atë që kishte pas ndërmend, lotët ia përlanë faqet thatake. Edhe njëherë ma shtrëngoi  dorën me të dy duart e veta, duke mos mundur të flas nga dridhja e buzëve. Iku atje ku kishte qenë duke pritur për ta “relaksuar” kurrizin e tij të shtrembëruar nga koha.

Ngela mu sikurse njeriu i varur në ndonjë gozhdë të madhe, që rri kacavjerrë, dhe duke u luhatur si lavjerrës pret se ç’po ndodhë me te. Ashtu, i shtangur vazhdova rrugën për në shtëpi. Vapa e kishte bërë të vetën. I tëri isha bërë qull nga djersët. Më digjnin sytë. Nuk e di, nga djersët apo nga kripa e lotëve të atij plakut që më kishte përshëndetur, dhe me fjalët e tij ma hapi edhe një plagë, dhe ec e gjëje ilaçin për ta shëruar atë! Nuk e di, por për ngushëllim vetvetes, thash: “po, sa njerëz e njerëzi, po sa butësi i nevojitet këtij populli, kësaj toke…!

Të jeni të sigurt, edhe mua,… po sa shumë më shtrëngon kurrizi,… sa më dhembin eshtrat,… si të isha i rrahur, maltretuar dhe i vuajtur prej ditës kur më lindi nëna!

 

*    *    *

 

Nuk kishte shumë kohë që në Tiranë isha në një manifestim, në një dasmë, por kjo dasmë kulturore. Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë u promovuan disa vepra të krijuesve dhe krijueseve nga Shqipëria dhe nga Kosova. Ishte madhështi dhe kënaqësi, që frymonte me aromën e bashkimit krijues e shpirtëror. Për këtë, edhe unë fjalën time përkitazi me disa nga veprat që promovoheshin e fillova kështu: “Dikur, kur babai im ma përmendte Tiranën, krahinën e Tropojës, kur më fliste për Shqipërinë, më dridhej trupi, shpirti s’më zinte vend; athua çfarë ëndrre është kjo që ma tregon prindi im me plis të bardhë, kurse babait tim duke folur i përvidheshin lotët nëpër të qarat e faqeve.

Dikur, kur u rrita, fjala Tiranë, Shkodër, Tropojë, m’u bënë flakë shpirti, ëndërr e parealizuar, etje e pashuar. Edhe atëherë babait i përvidheshin lotët, por edhe lotët e mi ma përcëllonin rininë.

Dikur më vonë, kur u rrita pak më shumë, Tirana, Vlora, Shkodra, Elbasani,… m’u bën fjalë e ngujuar në zemër, edhe varg poetik që e ruaja në shtatë palë tokë, në shtatë palë qiell, atëherë kur babai nuk ishte më.

Kurse tash, po të ishte sot gjallë im at, do t’i thosha: Ja, o prindi im, rrëfimet tuaja, etja për atdheun, por edhe ëndrrat e mia u bën realitet. Tash, Tiranën dhe tërë Shqipërinë e përqafoj si dua vetë…”.

Gjatë fjalës sime, disa herë më ndërpriten me duartrokitje. Ndërsa, pasi mbarova fjalën, redaktorja e një shtëpie botuese në Tiranë, nuk ia mësova emrin, ma kërkoi fjalën time të shkruar:

-A ka mundësi të ma jepni shkrimin Tuaj, së paku atë pjesën e parë, që ishte e padëgjuar kështu ndonjëherë, aq me peshë e me domethënie…

Ia dhashë shkrimin, por ngela duke medituar, athua me të vërtetë kisha thënë diçka të mençur… Athua, sikur të ishte babai im gjallë, çfarë do të më thoshte sot, dhe, a do të më përqafonte për shuarjen e etjes sime, për shkrumbin e tij. Por, më së miri Ju jepni vlerësimin për këtë gjë, e cila edhe sot e kësaj dite ende nuk është puthitur në binarët e jetës. Fjalën e kam për unitetin e mendjes dhe të veprimit,… E dini ju fort mirë…!

FUSHËS ELB TË MBJELLË – Poezi nga ROBERT BURNS – Përktheu SERVET BYTYÇI

 

Oh vjen Xheni trupin lagur

S’thahet asnjehere

Zvarrë tërheq fustanin

Fushës elb të mbjellë.

 

Fushës elb të mbjellë e mjera

fushës elb të mbjellë

Zvarrë tërheq fustanin

fushës elb të mbjellë.

 

Ti do vesh me mua të piqesh

Fushës elb të mbjellë

Ti do vish me mua të puthesh

loti valë do rrjedhë.

 

Përroit përpjetë

Xheni do më vijë

Puthjen tone të fshehtë

Askush t’mos e dijë.

 

Oh vjen Xheni trupin lagur

S’thahet asnjehere

Zvarrë tërheq fustanin

Fushës elb të mbjellë.

BRIGJE TË DUNIT – Poezi nga ROBERT BURNS – Përktheu SERVET BYTYÇI

 

O  bregore të bukura të Dunit

Si paskeni bleruar kaq per bukuri

E ju zogj te vegjel vallë si këndoni?

Kur jam i vetmuar e mbuluar në zi.

 

 

Ma këput shpirtin sot kjo Laureshë

Aty prane lulëzuar ka kjo ferrë

Jo nuk ka ilaç as sot nuk mund te qeshë

Gëzimet fluturuan s’kthehen më asnjëherë.

 

 

Shëtita gjatë brigjeve te Dunit

Nje trëndafile të shoh e ndoshta vashën time

Dashurinë e tij zogu e këndon

E dashurine time e qaj me ligjërime.

 

 

E pranë tek nje therre e lashë prapë trëndafilin

E përkëdhela me dorë lehtas plot kujdes

Lulen time e mori mua më la therrēn

Dashuria ime pa shpirt e pa besë.

OH E DASHURA IME NGJYRË E TRËNDAFILIT – Poezi nga ROBERT BURNS – Përktheu SERVET BYTYÇI

Kjo poezi së bashku me poezine Daffodils te William Wordsworthit konsiderohen me te bukurat ne Anglisht te shkruara ndonjëhere…

 

Oh e dashura ime ngjyrë e trëndafilit

I kuq i kuq si gjaku

Që në lëndina, mes  tërfilit

Qershori e çel tek pragu.

 

 

Si kënga e zogut në Pranvere

Ndër gurra plot freski

E ndër livadhe ku fryn erë

Këndon sa këngë e melodi.

 

 

Të dua shumë ty vajzë e bukur

o dashuria ime, lot e mall

E do te dua deri atëhere

Kur të thahet lumi të bëhet zall.

 

Gjersa deti do të thahet

E dielli shkëmbinjte ti thërrmojë

Dashuria jote ne zemër mbahet

gjersa pluhur i jetës të na mbulojë.

 

Lamtumire pra tani e dashur

O dashuria ime e vetmja

Se prapë nga larg  do vij patjer

dhe po te jene qindra mijë kilometra..

SHIKO E DASHUR, SA TË BLERTA PYJET – Poezi nga ROBERT BURNS – Përktheu SERVET BYTYÇI

Kjo poezi e bukur e Robert Burnsit eshte kompozuar nga Bethoven me  ndërmjetësimin e publicistit George Thompson i cili shpresonte te krijonte te ardhura nga ky bashkëpunim i bujkut me parmende gjeni i poezise skoceze. Rabi ( Rabbie ,Roby ) Burns ,por qe pati fatin e keq pasi Bethoveni kërkoi nje çmim te shtrenjte dhe nuk pranoi te leshonte pe fale talentit te tij .

Sidoqofte Robert Burns eshte poeti me i madh Skocez dhe numri i permendoreve te tij eshte i treti ne bote pas Mbretëreshës Victoria dhe Kristofor Kolombit.

 

Shiko e dashur, sa të blerta pyjet

E mbi bregore çelën borzilokët

Fryn erë e lehtë e flladit lulet

Ty ti  shpupuris e lehtas lëkund flokët.

 

E mbi shtëpi një laureshë

Hareshëm shkon mbi stanët

Natyrë e bukur buzëqeshe

E si mbreter duken sot çobanët.

 

Rapsod thuaja një balade

dridhja telat asaj çiftelie

Ja qobanët e ndaluan fyellin

E vashë e bukur rri dëgjon nën hije.

 

Këta pasanikë që na vështrojnë

Kur lirshem vallëzojme pa frike e ndroje

nuk kane zemra jo si tonat

Të bardha mal me borë.

 

Këto lule te freskëta plot nektar

Ky gjiri yt i freskët i mbushur krua

Nje pasanik ështe veç një dëshmitar

Por s’dashuron jo kurr si ti me mua.

përkujtimore malli për ibron! (ose për plakun e ri, të epokës së re!) – esé nga bajram sefaj

I çmuari dhe fort i dashuri, vëlla Ibro!

Unë nuk e zgjodha çastin për ta shkruar këtë letër mallëngjimi.

Çasti më zgjodhi mua!

Dhe, të them menjëherë, çast më i lig nuk mund të imagjinohej se që është ky!

Kam shumë vështirësi, të papërballueshme dhe të pakapërcyeshme fare, për ta shkruar këtë letër. Ashtu si prej kohësh, dëshiroja dhe ëndërroja të ta shkruaja. Nga ajo mori pengesash që më dalin përpara në këtë synim, e që bënë të hezitoj e të lejoj të parakalojnë një milion vjet pranë meje, si pranë një të vdekuri, pa ta shkruar këtë letër, me këtë rast, po i veçoj, vetëm dy, kur janë më të mëdhatë dhe më të papërballueshmet. E para, respekti i lartë, dashuria e madhe dhe pikëllimi i thellë, që ndiej për Ty, zoti President. Pengesa e dytë, sasi e madhe dhe kallaballëk mllefi, deri në shkatërrim, ndaj të gjithë atyre hasmëve dhe shpirtligjve, kur aq pamëshirshëm e në mënyrë trupërisht spektakolare e (krye)skandaloze iu gëzuan fatit tënd të lig! Gëzimit për fatkeqësinë e tjetrit dhe kënaqësinë për vuajtjet e tjetrit, ti e di mirë, Ibro, u thonë Sadizëm! Zoti të ruajttë prej të prekurve nga kjo dergjë e rëndë!

Fati, njëmend, ishte i tillë. Por, sa më i egër dhe tragjik që shfaqej, në destruktivitetin e tij makabër, ai fat e ai çast, në anën tjetër, nxori në pah fisnikërinë, burrërinë, besnikërinë dhe trimërinë tende të pashoqe!

Bravo!

Veprimi dhe qëndrimi yt burrëro, kur pa dy  mendje, pa dilema dhe pa më të voglin hezitim e luhatje, gjete shtëpinë tënde Kosovë! Shkove atje për të vdekur bashkë me anëtarin e fundit të familjes së madhe shqiptare të Kosovës (zot shtëpie i së cilës je tani e një mijë vjet!), kur automatikisht e përnjëherësh, hyre në odën e burrave të pavdekshëm shqiptarë. Iu bashkove, kështu, plejadës së trimave më të shtrenjtë të kombit tonë, për të cilët janë thurur dhe këndohen, legjenda.

U bëre plak i ri i epikës tonë të re!

Urime!

Po qe se them se ke pasur një milion mundësi të ngelësh jashtë Kosovës, në vend të sigurt, komod e me beneficione, kjo do të ishte vetëvrasja ime më banale. Shthurje e shkrirje e pamëshirshme e flakës së kësaj letre! Shumë herë, më mirë të menduar sesa të folur! Të realizuar.

Je shkrimtar e filozof, i çmuari im, e beson dhe e njeh (mirë) këtë dhimbje të thellë!

Et, je me demande?”.

E, bëj pyetje, me ç’rrobë të zezë e çoroditëse tradhtie do të vishej qenia jote fisnike, sikur, përnjëmend, të ngjante ajo që kurrsesi, nuk mund të ndodhte Ty, të ikje e të rrije larg popullit tënd!

Mbrojtës dhe baba i të cilit je!

Lehtë e kanë të tjerët, kur ti, në anën tjetër, nga diktatura fashiste ke kllapa në duar (pas shpine). Ke gojë të kyçur. Sy të mbyllur. Ke pranga në këmbë. Ke helm në gjak e në zemër të lënduar… Ke fëmijë e familje të kërcënuar vdekjeje…

E, si të vritet vdekja!

Më jep përgjigje kush?

Tash, keq, dhimbshëm e dhunshëm përnjëherësh, po e përfundoj këtë letër, kur dora e dridhur trishtimi, nuk arrin dot, ta shkruajë ndryshe pos ashtu si dikton zemra (ime) e plasur!

Më dhemb, me djeg e më bluan fare, keqardhja për këtë vonesë të pafalshme mijëvjeçare! Kur, në anën tjetër, u kisha aq shumë zili, kolegëve të mi, odës së madhe të burrave të dheut, brenda dhe jashtë mëmëdheut tonë, kur shkruan e folën, kur ngritën zërin e indinjatës së thellë, ndaj tërë tragjedisë që ndodh rreth teje! Veçmas ndaj trillimeve e cilësimeve, pa fije hezitimi dhe tejet të pamatura, kur, në anën tjetër, dihet e njihet aq mirë, veprimi yt fisnik. Vepra jote madhore.

Ashtu sikurse jam i vonuar në çdo shteg të jetës, nga trungu i thatë i së cilës, kurrë nuk kam vjelë asnjë fryt të ëmbël, jam vonesëmadh edhe në shkrimin e kësaj letre. E shkruaj në çastin e lig e të dhimbshëm, kur fotografia me portretin tënd, mbi tryezën time të “punës”, dot nuk më gjegjet: je, apo nuk je më në jetë?

Nuk me ngel, prandaj, tjetër udhë, i dashuri vëlla, Ibro, pos të fshij lot pikëllimi e të qes (ngjis), një varg të ri, në poemën kushtuar Ty, që e kam nisur para shumë vjetësh, diku në mërgim. Diku në Parisin e rinisë sate. Kur ishe student (nxënës) i filozofit dhe mendimtarit francez të kohës, Roland Barthes, më të shquarit të epokës sonë. Autorit të veprës së madhe, mendore, filozofike, shkencore, nga universi planetar filozofik i tij, na e solle një mendim të tij të artë, monumental do të thosha, mendim që nuk e brejnë as nuk e ndryshkun as vrushkujt e shekujve në kalim, kur thoshte: frika mbetet një, (përjetë e pandryshuar), mbetet frikë, por. ndërrojnë vetëm burimet e saj! Të kujtohet kur çdo kush matej të zhytej në thellësinë e këtij medimi, kur është një e tjetër nuk ka!

Fort mirë po e shoh se poema ime nuk do të përfundojë kurrë. Vepra jote del e denjë për penda shumë herë më të mprehta e talente shumëfish më të mëdha se që është imtësia ime e imët!

Sa më ka zënë malli, Ibro, të pimë bashkë nga një filxhan kafe te “Qarri”, në Prishtinë. E pastaj të nisim e të llafosim e të rrahim tema të letërsisë dhe të rrjedhave kulture në botën shqiptare dhe përgjithësisht. Sikur bënim shpeshherë, dikur. Të kujtohet, sigurisht! Qoftë edhe atëherë kur ishin bashkë, në emisionet e kulturës në gjuhën (tonë) shqipe të Televizionit të Prishtinës.

Ibro, më prit se, ja, po “…lidh mbathcat…” sikur na porosit i pavdekshmi varg kushtrimi i poetit Azem (Shkreli), e po vij.

Erdha, ma ki besën!                                                                        (prill, 1998)

(Ribotohet me rastin e 14 vjetorit të vdekjes, së të pavdekshmit, president të Kosovës, z. Ibrahim Rugova).                    

PENGJET E PËRJETSHME – Poezi nga BETIM MUÇO


Për Robert Shvarc

Më mori malli
Miku im
Për qoshkun tënd në kafene,
Cigaren e varur në buzë
Dhe kapelen tënde
Alla Bogart .
Më mori malli
Për zemërimet e tua të befta
Si shirat e verës
Vështrimin e mençur
Dhe veset e tua prej njeriu.
Më mori malli për bisedat tona kapriçoze
Lodhur nga gjërat që s’ua thoshim dot emrin.
Konturi yt i vogël
Më fshihet pas morisë së librave
Si kaproll i hazdisur
Në pyllin e fjalëve të shqipes tënde.
Nganjëherë kur hyj në kafe
Më duket sikur do të shoh ty tek vendi i zakonshëm,
Por ti je larg tashmë
Në trafikun e madh të kozmosit
U tregon udhën kometave
Ashtu me pengjet e tua
Të përjetëshme.

NEWBORN – Poezi nga BETIM MUÇO

Erëra të reja fryjnë mbi Kosovë
Në Sharr
Një bari më dha adresën e e-mailit
Dhe një prift serb në Deçan
Ma rrëfeu shqip historinë e manastirit
Në Renesansë të Prishtinës
Kënduam “A kanë ujë ato burime”
Dhe një film nga Zelanda e Re
Fitoi Dokufestin e Prizrenit.

Erëra të reja fryjnë mbi Kosovë
Flamuri i lashtë i kuq
Mbetet në zemër
Flamuri i ri i kaltër
Hapet në qiell
Dielli bën rrugëtimin e zakonshëm
Lindje-perëndim
Pa u ndikuar nga lajmet e ditës
Dhe makinat e KFOR që venë e vijnë
Rrugëve
Tek ngrihet
Shtetit më të ri të botës
I merren këmbët
Por nuk ka vend që s’bëhet
Kur duan njerëzit ta bëjnë.

Erëra të reja fryjnë mbi Kosovë
Dhe u japin udhë ditëve të reja.

Më 21 janar 1947 lindi Betim Muço – shkrimtar, poet, përkthyes dhe sizmolog shqiptar

Betim Muço (21 janar 1947 – 15 janar 2015) ishte një shkrimtar, poet, përkthyes dhe sizmolog shqiptar.

Betim Muço lindi në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, më 21 janar 1947. Ai u diplomua në fizikë bërthamore nga Universiteti i Tiranës në vitin 1970, i specializuar në sizmologji. Ai mbajti një doktoraturë në Shkencat e Tokës. Karriera shkencore e Muços përfshin më shumë se katër dekada. Ai kontribuoi në praktikën dhe zhvillimin e sizmologjisë në Shqipëri dhe Ballkan përmes punës së tij në Institutin Sizmologjik Shqiptar (1974 – 2001). Ai ishte drejtues i institucionit nga 1993 deri në 1997. Si drejtor i Rrjetit Sizmologjik të Shqipërisë, ai drejtoi disa projekte ndërkombëtare dhe rajonale dhe botoi një gamë të gjerë artikujsh dhe librash shkencorë. Nga viti 1998 deri në 2005 Muço drejtoi dy projekte të Shkencës për Paqen të NATO-s mbi sizmologjinë. Në vitin 2001 ai u transferua në Shtetet e Bashkuara me familjen e tij, dhe mori nënshtetësinë e Sh.B.A-së si një “individ i aftësisë së jashtëzakonshme në shkencat dhe artet, prejt të cilit do të përfitonte në mënyrë të konsiderueshme në perspektivë ekonomia kombëtare, interesat kulturore ose arsimore, ose mirëqenia e Shteteve të Bashkuara.”

Nga viti 2001 Muço jetoi dhe punoi me familjen e tij në Rockville, Maryland, ku vazhdoi punën e tij shkencore. Ai ishte Redaktor i Shkencave dhe Përkthyes në General Dynamics Technology Technology dhe një konsulent për Institucionet e Kërkimit të Përfshira për Sizmologjinë (IRIS) në Washington DC. Ai prezantoi punime shkencore në shumë konferenca në Sh.B.A dhe Evropë. Ai shkroi një seri punimesh në lidhje me lidhjen midis shiut dhe tërmeteve në shtetin e Virxhinisë.

Muço ishte shkrimtar dhe poet; poezitë e tij të para u botuan kur ishte në shkollë të mesme në vitin 1967 në Shqipëri. Ai gjithashtu shkroi tekstet e shumë këngëve. Ai vazhdoi të shkruajë dhe botojë më shumë se 25 libra me poezi, tregime të shkurtra, romane dhe ese. Ai gjithashtu shkroi libra për fëmijë, duke përfshirë tri përmbledhje përrallash, kushtuar secilit prej tre fëmijëve të tij. Fitoi disa çmime letrare në Shqipëri dhe jashtë saj. Shumë nga poemat dhe tregimet e tij të shkurtra janë përkthyer dhe botuar në antologji letrare, revista dhe revista në anglisht, rusisht, frëngjisht, holandisht, rumanisht dhe turqisht.

Ai ishte gjithashtu një përkthyes në shqip i veprave të Graham Greene, Saul Bellow, Yukio Mishima, Reiner Maria Rilke, James Joyce, Vladimir Nabokov dhe Alice Munro. Në vitin 2008 ai përktheu në shqip një “Antologji të Poezisë Botërore të Shekullit 20”, një nga koleksionet më gjithëpërfshirëse të poezive të botuara në shqip, duke përfshirë përkthime të përfshira të veprave nga 135 poetë të botës. Në mbrëmjen para vdekjes së tij ai po vinte prekjet përfundimtare të romanit të tij të fundit, “Yjet janë mjaft afër”, i cili do të botohej pas vdekjes.

Muço ishte konsull nderi i Japonisë në Shqipëri në vitet 1990. Gjatë një programi pas doktoratës në Universitetin e Tokios (1990-1991), ai zhvilloi lidhje të ngushta me Japoninë, kulturën e saj dhe veçanërisht komunitetin e saj të sizmologëve. Pas kthimit të tij, ai botoi një libër të haiku (i pari në shqip) dhe një përmbledhje esesh mbi zakonet dhe kulturën japoneze.

Muço studioi fizikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, nga i cili u diplomua në vitin 1970. Pas diplomimit ai punoi për katër vjet si mësues i matematikës dhe fizikës në rrethin e Krujës, në veri të Tiranës. Në 1974 u zhvendos përsëri në kryeqytet për të punuar si studiues në Institutin Sizmologjik të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nga viti 1993 deri në 1997 ai ishte Drejtor i Institutit dhe, deri në vitin 2001, ishte drejtuesi i Rrjetit Sizmologjik të Shqipërisë. Në vitin 2001 ai emigroi në Shtetet e Bashkuara. Ai ishte një specialist në shkencat e tokës dhe bashkëpunoi ose drejtoi shumë projekte shkencore ndërkombëtare në këtë fushë.

Muço u nda nga jeta në Shtetet e Bashkuara më 15 janar 2015 në Rockville, MD.

Në atë kallnor – Poezi nga Neki Lulaj

(Kushtuar Presidentit historik)

Unë, cumraku i vogël

Cucërroj pas dere si culan

Shumë gajasa në atë Kallnor

E di

Loti im shkriu akullin në shpirtin e bardhë.

 

Ti emër i përveçëm çarës i robërisë

E Dardania e fitoi Shtetin

E trasove rrugën e drejtë

Arkitekt i Pavarësisë

 

At ditë kallnori

Ti urtaku i jonë

Rrije i qeshur në fotografi

Në krye të kolonës flamur

Ta kujtoj

Ditën e varrimit, o Pinjoll i Dardanisë

100 VJETORI I KONGRESIT TË LUSHNJËS, LETRA PRESIDENTIT AMERIKAN DHE DRAMA… – Nga Xhevair Lleshi dhe Visar Zhiti

 

100 vjet më parë, në 21 janar 1920, shqiptarët, krerë të tyre, patriotë dhe të urtë nga të gjitha trevat e vendit, u mblodhën në Lushnjën e vogël, në kuvendin e tyre të madh me qëllim që t’i dilnin zot Shqipërisë, që kërcënohej nga rreziku i mosqeverisjes, i copëtimit dhe i zhbërjes.
Ai kongres është quajtur dhe “pavarësia e dytë e Shqipërisë” dhe përsëriti “Lidhjen e Prizrenit”, “Kuvendin e Lezhës” me Skënderbeun në krye, e shpëtoi vendin e bëri me qeveri e me kryeqytetin që kemi sot..
Për këtë ngjarje madhore të historisë tonë ka dhe një dramë, e vetmja që është shkruar, me autor mësuesin, aktorin dhe dramturgun Hekuran Zhiti, 50 vjet më parë, por që nuk është vënë ndonjëherë në skenat e teatrove tona.
Shtëpia botuese “Uegen” e zbuloi dhe e nxori në këtë 100 vjetor.
Po sjellim pjesë nga pasthënia e dramës, shkruar nga Xhevair Leshi:

Hekuran Zhiti

APOSTUJT E KONGRESIT TË LUSHNJËS
Pa Kongresin e Lushnjës do të humbte si në shkretëtirë Pavarësia e Shqipërisë, e arritur nëntë vjet para Ngjarjes së Madhe. Pa Kongresin e Lushnjës Pavarësia do të kish mbetur nën rrebeshet e tmerrshme të kohërave që, siç kishin kaluar nëpër Luftën e Parë Botërore, priteshin të binin sërish mbi trupin e Atdheut… Por Kongresi erdhi. E sollën ata, atdhetarët e fisëm e të mëdhenj të Shqipërisë, që, të tillë kanë mbetur për jetë.
Kanë 100 vjet që ata i kemi në bronz dhe ky jubile na i sjell sërisht afër, duke pasur ndjesinë sikur ka ndodhur dje….
Lexoja shënimin e Visar Zhitit bash për këtë ditë të shënuar e për dramën e saj dhe m’u duk se ishim në të njëjtin përdytyrim. «Përfaqësues, të përzgjedhur apo të vetëcaktuar, nga të gjitha trevat e vendit, kush e ndjente dhe mundte, nga ata që kishin bërë emër, kryengritës a nëpunës, që kishin qenë në Vlorë 8 mote më parë në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë, që kishin punuar në perandorinë otomane apo kishin studiuar nëpër Evropë, që kishin mërguar deri në Amerikë, nga ata që kishin bërë për vendin dhe kishin sakrifikuar, u nisën për në Lushnjë, me ndonjë makinë, nga ato të pakat që ishin atëherë, e ngadaltë si qerret, me kuaj, në këmbë, kaptonin male, çanin borën dhe baltën e dimrit, rreziqet nëpër shtigjet ku mund të gjendeshe befas mes ushtrive të huaja…» Çfarë sakrifice dhe vetëdijësimi!…
“Të mblidhemi në Lushnjë!” ishte thirrja. Pa telegraf, por me thirrjen e thjeshtë të zemrës, se vetëm ashtu do të shkruhej ndryshe historia, pa menduar ndonjë tender se ku mund të mblidheshin dhe s’i mund të ndaheshin milonat, sepse ishte rreziku i ndarjes së atdheut.
…u lajmëruan shqiptarët të mblidhen në Lushnjë! Me telin e zemrës, mik pas miku, frymë gojë më gojë. I thoni Ferid Bej Vokopolës. I thoni Aqif Bej Elbasanit. I thoni At Bumçit. Mos harroni, mik, të m’i çoni fjalë Ahmet Bej Zogollit…
Sa me ndjenjë u përcoll ky lajm 100 vjet më parë, veç me fluturim shpirtëror, me frymë të shenjtë. Dhe erdhën, u bashkuan.
Dhjetë ditët që tronditën botën, dhjetë ditët e mahnitshme që ngritën nga balta dhe uria Shqipërinë dhe ua falën atë njerëzve të së ardhmes. Dhjetë ditët e Kongresit të Lushnjës! Në to do të ribëhej shteti shqiptar, do të caktohej kryeqyteti, Tirana (me të sotmen e papërfytyrueshme atëherë!), «do të emërohej kryeministri dhe qeveria e tij për t’i dalë zot vendit, institucionet dhe detyrat.»
…Pushka e gjatë e Sulës Zdravës, me të cilën kishte marrë pjesë në Rrethimin e Shkodrës apo kishte mbrojtur Beratin nga andartët grekë, çante qiellin dhe errësirën, ngrohte shpirtra dhe jepte forcë… fare i vetëm do të bënte epokë…

* * *
Kongresi Kombëtar i Lushnjës u mblodh më 21 janar 1920 dhe i zhvilloi punimet nga 28 deri më 31 janar 1920. Në të morën pjesë mbi 50 përfaqësues nga të gjitha krahinat e vendit.
Në fillim Kongresi shqyrtoi planet e Konferencës së Paqes të Parisit për copëtimin e Shqipërisë dhe i hodhi ato poshtë në mënyrë të vendosur. Ai u shpreh për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, kundër protektoratit të cilësdo fuqie të huaj dhe për mbrojtjen e tërësisë tokësore të vendit. Në protestën që Kongresi i dërgoi kryetarit të Konferencës së Paqes thuhej se shqiptarët ishin gati të bënin «të gjitha sakrificat, të derdhnin edhe pikën e fundit të gjakut, kundër çdo vendimi që do të vinte në rrezik tërësinë tokësore dhe pavarësinë e tyre të plotë».
Vendim tjetër i rëndësishëm ishte ai për krijimin e organeve të larta të shtetit shqiptar. Kongresi zgjodhi një Këshill të Naltë prej 4 vetash, i cili do të përfaqësonte kryetarin e shtetit shqiptar derisa të përcaktohej përfundimisht forma e regjimit nga ana e një Asambleje Kushtetuese…
Këshilli i Naltë do të ushtronte pushtetin ekzekutiv. Ai caktonte kryeministrin, i cili pasi formonte qeverinë, merrte miratimin e Këshillit Kombëtar. Ndërsa Këshilli Kombëtar ushtronte pushtetin legjislativ dhe kontrollin mbi qeverinë. Veprimtaria e Këshillit Kombëtar ishte e pavarur nga Këshilli i Naltë…
Përpara kësaj qeverie dilnin detyra të rëndësishme. Brenda vendit ajo duhej të merrte në dorë administratën shtetërore dhe të kërkonte largimin e pushtuesve të ndryshëm nga Shqipëria. Në të njëjtën kohë ajo duhej të për t’i siguruar shtetit të pavarur shqiptar tërësinë tokësore dhe rinjohjen e tij në arenën ndërkombëtare.
Më 11 shkurt 1920 qeveria e Sulejman Delvinës, Këshilli i Lartë dhe Këshilli Kombëtar u vendosën në Tiranë, ku u pritën me entuziazëm nga populli. Qysh nga ajo kohë, Tirana u bë kryeqyteti i Shqipërisë.

KJO LETËR E MADHËRISHME:

«Shkëlqesisë së Tij Wilson,
Kryetar t’Amerikes i Shteteve të Bashuem,
Vashington
Shqiptarët që kanë mbështetun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh. S’Uaj, sot iu luten të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshir madh që jeni tye kryer për shpëtimin e atdheut tyne.
I nalti Kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-es, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufite natyrale ethnografike të Sh. S’uej nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.
Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike.»
Kryetari Katundaris së Lushnjës
Lushnjë, më 17.3.1920

Kryetari i Katundarisë së Lushnjës… O Zot, ç’ndodh! Kishte mbaruar Kongresi. Kishin ikur Burrat e Kombit, kishte ikur edhe Sula: nuk kishte ç’ruante më! Dhe ky burrë i padukshëm, kryetar i Katundarisë së Lushnjës, më 17.3.1920, dërgon një letër në Washington. Dhe kujt? Presidentit të SHBA-së, Wilsonit!… «Letër e mrekullueshme, e sinqertë, e qartë, me fjalë të zgjedhura, e ndjeshme, pa stërhollimet dinake kancelareske, e urtë dhe me dije, e bukur, vizionare për të ardhmen…. gjyshërit tanë të mbledhur rreth atij që shkruante, fjalët që thoshin me zë, hiq këtë fjalë, shto këtë, po si t’i drejtohemi? Kujdes këtu, mos e zgjat shumë ‘e-rej, se isht Presidenti më i madh i botës, lale’, etj., etj.» Këtë përshtypje të hollë do ta shkruante Visar Zhiti.
«…në fillim të vitit 1920 Wilsoni i irrituar refuzoi ta pranonte propozimin britanik, francez e italian për ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë: Jugosllavia do të merrte veriun, Greqia jugun, kurse italianët do të kishin mandatin për ta qeverisur një shtet të vogël shqiptar që do të mbeste pas kësaj rrudhjeje. Vlora do të bëhej pjesë e Italisë.
Wilsoni fuqishëm refuzoi, siç tha vetë ai, padrejtësinë ndaj popullit shqiptar.
Përfaqësuesi i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, shkruante në gazetën New York Times të 11 marsit: ‘Shpëtimi i vendit tim i mbetet borxh tërësisht veprimit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara’» shkruhej atëherë…

DRAMA E KONGRESIT:
«Vetë Kongresi i Lushnjës është një dramë, por dhe për atë ka një dramë të shkruar, e një gjysmë shekulli më parë, por ende gati e panjohur, edhe pse e vetme, që sjell më së miri atë frymë në popull. Është vepër e dramaturgut Hekuran Zhiti, aktor në Teatrin e Estradës së Lushnjës.
Sot një rrugë në qytetin e Lushnjës mban emrin “Hekuran Zhiti” dhe ai është shpallur dhe “Qyetar Nderi”.
Ndoshta kjo dramë ishte dhe testamenti i tij. Që do ta përfundonte i biri, Visar Zhiti, që na e solli të plotë dhe ja ç’shkruan në pasthënie:
…si e pa përfunduar, e mbetur në dorëshkrim që nga mesi i shekullit të kaluar, – kisha thënë, – por me gjakimin, që, nëse do t’ia kërkonin ndonjëherë të vihej në skenë, autori do ta rimerrte dhe do ta përshtaste me kohën, domethënë me rrethanat, jo veç ato të skenës, të vegimit regjisorial dhe lojës së aktorëve etj, ngaqë Kongresi i Lushnjës, i quajtur dhe si Pavarësia e Dytë e Shqipërisë, është një ngjarje kulmore në histori, e patundshshme, që kërkon përtëritje në riparje, në shëmbëlltyrën e lartë që dha, të përbashkimit dhe të mënçurisë, të veprimeve të guximshme në shpëtimin e vendit.
Nuk e di a kishte menduar autori rënien e perandorisë komuniste dhe të diktaturave të saj.Ai besonte e jetonte dhe me Shqipërinë e vjetër, atë të përjetshmen. Kështu e pa dhe Kongresin e Lushnjës, një dramë me tre akte, nga e zakonshmja tek ato që ikin me përditshmërinë, nga antropologjia në rreziqet ekzistenciale e deri tek derdhja si në bronz e një altoreliefi të ngjarjes së madhe.
Në ndjekje të asaj porosie të heshtur, tani me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjës, botuesi UEGEN ndjeu detyrën e ribotimit të dramës, ashtu të plotësuar dhe të përfunduar, me atë dëshirë siç e nxori në dritë për herë të parë në vitin 2011, në 100 vjetorin e lindjes së autorit dhe në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit, por tani dhe me pasionin e historianit dhe të shkrimtarit, kështu që z. Xhevair Leshi vendosi t’i shtonte botimit të ri pak histori për Kongresin dhe autorin, për t’u kuptuar, më saktë për t’u ndjerë më mirë drama e Kongresit dhe e autorit, që edhe pse ngjajnë të largëta midis tyre dhe nesh, kanë lidhje dhe kanë prodhuar njëra-tjetrën ndërsjelltas.
Gjithmonë ka një prag jete dhe vdekjeje. Pragu i vdekjes është dhe në jetë, ndërkohë që dhe pragu i jetës është edhe në vdekje. Ka dhe ringjallje…
Kongresi që u mbajt në Lushnjë, sërisht i duhet vendit, jo vetëm si kujtesë kolektive, aq më tepër tani që ka dy shtete shqiptare në Ballkan dhe zjen ankthi i bashkimit, me rreziqet e zhbërjes ndryshe, me modernitetin globalizues. Se duhet t’i bashkohemi së tërës (BE) me identitetin tonë, që kohërat e deshën të jetë sakrificë e heroizëm, por dhe një mrekulli.

VETMI E BURGOSUR – Cikël poetik nga TAHIR BEZHANI

 

 

VETMI E BURGOSUR

Dimri po më fut frikën

Çdo gjë e ngrirë, tharë edhe pemët

Gishtërinjtë e duarve nuk i ndjej

Afër zjarrit kallem, nxihem si dru i lagur

Larg tij dridhem si zog pa krahë

Në vetminë e burgosur pa ty

Në rrafsh tmerr vape, frikë acari

A do vish prap një ditë?!….

 

 

 

VALBONA E BARDHË

 

Isha dje në Valbonë

(ëndërr malli më dërgoi)

Kishte vënë qeleshen e bardhë

Iu kishin rritur amat shtatit

Rrëmbyeshëm  valët  shkonin shtratit

Sa e këndshme ajo këngë qumështore

Ujëvaret shkumbë e bardhë

Pishat nën streq si nuset me duvakë

Sa shpesh më përkund në  ëndrra

Trishtueshëm  iki prej saj

Shpirti shprush  përmallshëm

Të ngrirë e mbaj shikimin…

 

 

 

 

AS FTOFTE AS NXEHTE…

Verës, përvlohëm nga vapa,

Frymëmarrja ngadalsohet

Aritmia  dalldiset

Shkoj birucave  të podrumit

Prap val, ku të shpëtoj?

Ku ta gjej freskinë e humbur

Varë dredhave në bistekët e tu…

 

Gjakovë,

Janar,2020