VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Zgjedhjet si zgjedhë apo Zgjedha e zgjedhjeve – Nga Andon Dede, Nju York

By | May 15, 2018

Komentet

KRIMINELËT NGULMOJNË NË INKRIMINIMIN E UÇK-SË – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

     Kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, ishte i vetëdijshëm se ai u thirr si i akuzuar dhe jo si dëshmitar, nga Gjykata Speciale. Me porosi të shefave të tij, sabotatorë të luftës, përndoqi e dënoi individë të “dyshimtë”, kryesisht, mbështetës të LDK-së. Por ne nuk kemi dëgjuar e mësuar që juristi Dobruna të këtë reaguar, hetuar apo gjykuar kriminelët, të cilët, në emër të UÇK-së, kidnaponin, burgosnin, maltretonin, deri në vrasje, aktivistët, luftëtarët e FARK-ut, ndoca syrësh pjesëmarrës edhe në Betejën fitimtare të Loxhës.
 
     Edhe sot kujtohet, me indinjatë e dhimbje, kur për një provokim pivat, pason hakmarrja zyrtare e bandës të uniformuar, me tri gërmat “UÇK”, në Dukagjin. Madje, pët ta kamufluar rastin, arrestojnë edhe një të dytë, nga komuna tjetër, fqinj, i ekzekutojnë së bashku dhe, në mbremje, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, përmes Televizionit Shqiptar, lëshon Komunikatën e  turpshme të radhës, duke akuzuar luftëtarët e lirisë, “për bashkëpunim me pushtuesin!” Ja se çfarë palo Shtabi kishte “UÇK-ja” e LPK-së.?! Ja, sa e “pastër” ishte “lufta” e kësaj biçim “UÇK-je”! Mos, vallë, kjo është drejtësia e kryetarit të Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna me shokë?!
 
     Krerët e krimit, tashmë, të tufëzuar në PAN, në pamundësi garimi e fitimi, me ata që bënë paqen dhe luftën, pra, me LDK-në, për t`i mbuluar krimet e tyre përgjatë luftës, vazhdojnë edhe krimet e pas luftës. Dhe, vërtet, qenë të suksesshëm në krime, duke terrorizuar popullin e traumatizuar nga lufta. 
 
      Krerët kriminelë, u trimëruan aq shumë, sa më 22 qershor 1999, vetëm 10 ditë pas hyrjes së NATO-s, në Kosovë, arrestuan, në mes të qytetit, ditën me diell, oficerët e Brigadës “Mërgimi”, i dërguan në zyrën e prefektit të Pejës, Ethem Çeku, i cili urdhëroi t`i dorëzohen Ramush Haradinajt. Dhe, asaj nate u ekzekutuan në malet sipër fshatit Ratish të Gjakovës. 
 
      Ndërkohë, shefi i UNMIK-ut, francezi Kouchner zgërdhihej e puthej me kryekriminelët e Kosovës. Këtë gjendje të krimeve, pothuaj se, legale, e favorizoi shumë miqësia konspirative e Hashimit, me Shërbimin e fshehtë francez.
 
      Krerët e krimit, tashmë, në pushtet, nuk pyetën fare për imazhin e shtetit të Kosovës. Për t`i përgjithësuar krimet e tyre individuale e grupore, akuzat e adresuara atyre, madje, me emër e mbiemër, ia mëveshën UÇK-së! Ata u kujdesn të krijojnë disa  Shoqata, si: Shoqata e familjeve të dëshmorëve dhe të invaidëve të luftës; Shoqata e të pagjeturëve; Shoqata e Miqve të TMK-së. Të gjitha këto, të futura nën e ombrellën e Shoqatës më të madhe, më agresive, të veteranëve të luftës të UÇK-së. Në krye të këtyre Shoqatave, u vunë kriminelë me kartelë, pjesëmarrës në dajakosjen e vrasjen e kundërshtarëve politikë, besnikë të krerëve pushtetarë të sotëm.
 
     Kur policia e UNMIK-ut arrestonte “komandantë gjeneralë”, për krimet faktike e serike, Shoqatat e cituara, të manipuluara nga banditër, me mbështetjen direkte të krerëve të partive-banda, PDK-e dhe AAK-a, bllokonin rrugë dhe bulevarde. Nismonin nga Peja, drejt Deçanit, për t`i masivizuar deri në bulevardët e Prishtinës. Dhe, parullat bosht ishin: “Lironi luftëtarët e UÇK-së”; “Lironi komandantët e UÇK-së”; “Lironi çlirimtarët tanë!” Pra, këta “komandantë”, vrasës të shqiptarëve të pambrojtur dhe të pafajshëm shqiptarë. 
 
     Arresto e burgos, saktësisht e me prova “komandantë” e “ushtarë” të tyre. Pastaj, mbajë me javë e muaj dhe liro “me pafajësi”, gjithnjë në konsultim me Serbinë dhe miqtë e saj. Kështu, UNMIK-u i blerë me milionat e kriminelëve, grabitës të pasurive të brezave shqiptarë, dëgjeneroi, tërësisht, sistemin e drejtësisë në Kosovë, duke ndodhë e njëjta gjë edhe në Hagën e “drejtësisë”. Të paktën, deri më tani, kjo është provua.
 
     Rrjedhimisht, “komandantët” kriminelë, në sytë e botës, inkriminuan UÇK-në, thjeshtë, në përpjekjen imorale, për ta përgjithësuar fajësinë, për ta lënë atë pa adresë individuale, duke e kolektivizuar krimin, që gjithësesi ka ndodhur. Dhe, dëshmi faktike janë shumë qindra varre, anekënd Kosovës, kryesisht, shqiptarë të vrarë, nga shqipfolës kriminelë,  gjithnjë të listuar nga Shtabi i “UÇK-së” të LPK-së. 
 
     Pas luftës, autorësia e krimeve numerike u bart ke partitë-banda, në koalicionin e sotëm PAN, i cili edhe tani po ia bënë gjëmën  Kosovës, me pazaret e pista me shtetet fqinjë.
 
 
     Gjykata Speciale dhe cinizmi i “komandantëve” kriminelë 
 
     “Komandantët” në pushtet, jan bërë edhe zotër të mediave, në veçanti, atyre vizive. Ditë e natë i sheh në ekran. Ata janë të shpenguar për t`u vetëlavdëruar për “luftën” e pa bërë, për karrierën e tyre të “suksesshme”. Së fundi, temë prezente Gjykata Speciale dhe, sipas tyre, një “rënie në qafë kot se koti!” Eksponentët e krimeve serike, i konsederojnë të shkuara dhe të harruara krimet e tyre. “Kanë kaluar 20 vjet dhe dëshmitë janë vjetëruar e zhdukur”, – shprehen ata me një cinizëm kriminal. I kësaj mendjeje është edhe Ramush Haradinaj, mjerisht, kryeministër i vendit. 
 
     Edhe pse eksponentët e krimeve numerike, kanë bërë shumë për “harresën” e krimeve , duke mitosur, blerë e vrarë dëshmitarët, varret e viktimave të “komandantëve”, janë këtu, në tokën e Kosovës. Krimit nuk i skadon afati. As dhimbjes, për humbjen e njerëzve të familjes, nuk zvetnohet, nuk harrohet.
 
     Kur u shtrua në Parlament votimi i Gjykatës Speciale, më i zëshmi në kundërshti ishte  Ramush Haradinaj, me ngulmimin se “gjykatat vendore në Kosovë janë të afta për t`i hetuar, zbuluar dhe dënuar krimet e luftës dhe të pas luftës!” Sot shqiptarët pyesin: Sa vrasje politike zbuloi e ndëshkoi Ramushi, gjatë kryeministrimit të tij”?! Asnjë! Përkundër, tallet me cinizëm me shqiptarët se “janë vjetëruar e zhdukur provat, dëshmitë”, sikur këto krime të kishin ndodhur në prehistori dhe jo në epokën e dixhitalizimit!
 
     “Komandantët” vrasës, me banditërit e tyre, tashmë, në pushtet, po zhurmojnë për “padrejtësitë” e Evropës, për ndjekjet penale të “luftëtarëve të UÇK-së”. Ndërkohë që, kjo Gjykatë e ka bërë të qartë se akuzat janë individuale dhe assesi nuk kanë të bëjnë me UÇK-në si formacion. Thirrjet ligjore pët intervistim hetimor, nga kjo Gjykatë i përgojojnë, kinse,  “jo serioze”, “jo ligjore”, të mangëta” në procedurë!
 
     Realisht, irriton sjellja kaq e moderuar ndaj krimeve makabre, që “komandantët” i kanë bërë ngeshëm e me sadizëm klasik. Prandaj, ka një skepticizëm në popull, se mos pason dështimi për zbulimin dhe ndëshkimin e krimeve  dhe të kriminelëve, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën me, kinse, hetimet e UNMIK-ut dhe të EULEX-it. 
 
     Përvoja e gjatë e jetës, na ka mësuar se krimet nuk hetohen e zbulohen efektshëm, duke i lënë të lirë kriminelët e paralajmëruar për akuzat, duke u dhënë mundësi për prishjen e hetimeve, të dëshmive, deri në eliminimin fizik të dëshmitarëve. Por, mbi bazën e provave faktike, arrestimin e befasishëm të kriminelëve dhe regjimin izolues të tyre. Aq më parë, kur shumica e krimeve janë në grup, listime emërore dhe pjesëmarrje të disa kriminelëve, në një krim.
 
     Disa avoketër janë bërë shpifarakë të neveritshëm. Ata thonë së disa dëshmitarë mund të dëshmojnë rrejshëm, sepse duan të përfitojnë azilin dhe dokërra tjera bajate. Ndërkohë që, krimet janë aq të bollshme, sa që nuk ka nevojë për asnjë sajesë shtesë.
 
     Shtrohet pyetja: Çfarë u duhen kriminelëve të akuzuar mbrojtësit e huaj, kur ata duhet të veprojnë në teren të panjohur, për sigurimin e ndonjë prove favorizuese, për klientin e tyre?! Thjeshtë, për të mitosur, kompromentuar e blerë gjykatësit. Milionat e grabitura me korrupsion, hajni zyrtare, tendera, privatizime e, deri me haraçin e përgjakur, janë llogaritur për t`i pasur, pikërisht, për pisllëqet e avokatëve dhe të gjyqtarëve të huaj. Kjo është dëshmuar me “pafajësimin” dhe lirimin e kriminelëve faktik nga Gjykata e Hagës. Por, populli kurrë nuk i pafajësoi dhe as nuk i fali. Varret e kudondodhura në Kosovë, janë provë vetëfolëse e krimeve faktike të “komandantëve”, me bandat e tyre gjithnjë aktive.
 
     Përpjekjës të krerëve kriminalë të koalicionit PAN, për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, i parapriu këshillimi juridik i avokatit matrapaz, Gregor Guy Smith. Ai është angazhuar në mbrojtjen e “komandantëve” dhe të banditërve të tyre. Smith, mjeshtër i penetrimeve intime, i sigurtë se “milionat qajnë bllokadën!” Qeveria e Kosovës, në vend të mbrojtjes t viktimave, mbron persekutorët, madje, edhe në financim, sa kriminal, aq edhe cinik. “Edhe kjo bani vaki”!!!
 
 
        LDK-ja nuk ka pasur strukturë vrastare
                        brenda shqiptare
 
    Eksponentët potencialë të krimit të organizuar, qoftë vrastarë politik, qoftë korruptivë, të hajnisë zyrtare, e kanë “lëshuar gojën” dhe shpifin pa doganë fare, sikur kamionat e tyre, kontrabandues të mallit, që kalojnë trarin e Tërminalit doganor, pa kontroll fare. “Koha do ta dëshmojë se shumë nga vrasjet politike, i kanë bërë njerëzit e LDK-së”, – thonë ata, madje në emisionet publike televizive!
 
     E vërteta është se LDK-ja kurrë nuk ka pasur strukturë vrastare brenda shqiptare. Nëse ata nisën nga ndonjë emër, i lakuar në media, i cili ka pranuar se ka bashkëpunuar me kreun e SHIK-ut, Kadri Veselin, e themi me bindje se ai nuk është pjesë e LDK-së. Tendenca për ta legalizuar organizatën terroriste SHIK, nëpërmjet Presidentit Rugova, pas shuarjes së Tij, tashmë, ka dështuar, sepse Ai nuk e ka pranuar fare atë. Kushdo që ka vepruar jasht këtij përcaktimi, nuk mund të jetë pjesë e LDK-së.
 
     Këtë përcaktim të LDK-së e përforcon edhe kuadri madhor i FARK-ut, Kolonel Tahir Zemaj, Hero i Popullit, kur i përgjigjet provokimit të rëndë, deri në rrugaçëi, me krisma kallashi, në kazermëm e Prapaçanit, Ramush Haradinajt: “Unë nuk kam plumba për shqiptarë!” Ndërkohë, sjellja lopçare e banditeske e Ramushit, dëshmon jo për ndihmën e dhënë Kolonel Zemajt, por, për pengimin dhe sabotimin e luftës.
 
     Edhe gënjeshtra e madhe e Ramushit, se “unë e kam përmbyllur Betejën e Loxhës”, demantohet, bindshëm, nga komandanti i operativ i kësaj Beteje , major Nazif Ramabaja, kur, i habitur nga përrallisjet, në emisionin ke “T7”, me Berat Buzhalën dhe Leonard Kërçukun, shënon në Facebook-un e tij: “Ramushi sheh ëndërr…” Kjo na kujton prillin e sivjem në Koshare, kur Hashim presidenti, në fjalën e tij, përmendi “rolin” e aksionit “Shigjeta” në Luftën e Kosharës! Dhe, demantimi i atypëratyshëm i Komandantit të Brigadës 138, në Koshare se “për ekzistencën e “Shigjetës”, kemi mësuar vetëm pas çlimit të Kosovës!”
 
     Shpifjet e eksponentëve të krimit për LDK-në, nuk kanë të sosur: “Gjykata Speciale po shërbëhet me dosje të hartuara nga LDK-ja. Për këtë është krijuar edhe një komision”, – shpifë Bekim Haxhiu i PDK-së. Broçkulla! LDK-ja nuk ka bërë “as lavrën e miut”, për hetimin, zbulimin e vrasjeve politike. Edhe tani, ndaj këtyre akuzave, reagojnë përgjumshëm, siç bëri njeriu i dytë i LDK-së, Agim Veliu, se “LDK-ja nuk ka pasur arsye për ta krijuar komisionin apo hartuar dosje!”
 
     Realisht, LDK-ja ka pasur dhe ka njëmijë e një arsye, për ta ndihmuar Gjykatën Speciale në hetimin, zbulimin e ndëshkimin e kriminelëve, të cilët ekzekutuan burrat, vajzat dhe djemtë më të mirë ushtarakë dhe veprimtarë të LDK-së. Është detyrë e çdo qytetari të denoncojë e ndihmojë, në hetimin dhe zbulimin e krimit dhe të kriminelëve. Heshtja, pasiviteti, është pajtim me të keqen, pjesë e krimit. Gjenerali freng De Gol, në pesëshën e armiqëve të Francës, i radhiste edhe indiferentët përgjatë luftës.
 
     Krejt përqartë flet edhe shefi i Agimit, Isa Mustafa, kur lavdëron lëvriçën Editë Tahirin për dialogun! Pse, jo? Horrakja Editë shkriu, “si fluska bore” 6 pikëshin e Baki Mun-it dhe na “bindi” se dialogu me Serbinë, është vetëm teknik dhe “kurrë politik!?”
 
     Dhe, në përmbyllje, po sjellim një konstatim të komandantit trim dhe fisnik të Kosharës, Hisen Berisha, i cili sfidoi shefat aktual të LDK-së, me kërkesën e bashkëpunimit me luftëtarët e Kosharës, për ta begatuar LDK-në,  me elektoratin e dikurshëm të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova. Por, shefat klanorë të LDK-së, fort të koracuar, pretendojnë se kanë kuadrin dhe elektoratin e mjaftueshëm, për të qenë kryesuese e opozitës!
 
     “Kur lapsin e kap injoranti, pushkën krimineli, pushtetin tradhtari, vendi kthehet në një xhungël, ku s`mund të jetojnë njerëzit”, – konstaton luftëtari i djeshëm i Kosharës, Hisen Berisha. Shëmbullojmë me 800 djemtë e larguar, së fundi, nga Dardana, për në Evropë! 

30-VJETORI I VIZITËS SË PARË TË DR. IBRAHIM RUGOVËS NË WASHINGTON DHE 13-VJETORI I KALIMIT TË TIJ NË AMSHIM – Nga Frank Shkreli

Foto ekskluzive nga vizita e parë e Dr. Ibrahim Rugovës në Washington

Dr. Ibrahim Rugova dhe Dr Engjëll Sedaj në shtëpinë e autorit në Falls Church, të shtetit Virginia, jo larg Washingtonit (1989) ku miqët e dashur kaluan dy netë e tre ditë, të shoqëruar nga aktivisti i komunitetit, Z. Simon Simolacaj.  Mysafirët e lartë nga Kosova erdhën për herë të parë për vizitë në Washington pasi kishin marrë pjesë në seminarin e organizuar me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit, të organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Universitetin e njohur Fordham, të New Yorkut.

Disa ditë pas përfundimit të seminarit në Universitetin e njohur Fordham, Dr. Ibrahim Rugova dhe Dr. Engjell Sedaj erdhën me një mik timin, Zotin Simon Simolacaj të më vizitonin në Washington. Në atë kohë, unë punoja si Këshilltar i Programeve radiofonike drejtuar botës komuniste në Drejtorinë Evropiane të Zërit të Amerikës.

Dr. Ibrahim Rugova, Frank Shkreli dhe Dr. Engjëll Sedaj në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në Washington, Tetor 1989.  Ishte kjo vizita e parë dhe takimi im i parë me Presidentin e ardhëshëm të Republikës së Kosovës në Washington, por jo e fundit.

Në atë kohë, unë nuk i njihja dhe as nuk dija shumë as per Dr. Rugovën as per Dr. Sedajn, perveç faktit se ishin dy intelektualë të dalluar nga Kosova, tç ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare nç New York për të folur me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit. Por e prita mirë vizitën e tyre pasi, pa dyshim, ishte një privilegj për të patur në shtepinë tonë dy mysafirë të tillë, të nderuar. Për më tepër, vizita e tyre bëri të mundur për të biseduar me dy intelektualë të kalibrit të tyre, mbi gjendjen e atëherëshme në Kosovë, pasi megjithëse punoja në qënder të informatcionit dhe lajmeve ndërkombëtare, lajmet nga Kosova ishin të pakëta dhe ato që na vinin në redaksi ishin pothuaj, pa përjashtim, të ngjyrosura nga propaganda serbe, e cila ia paraqiste botës çeshtjen shqiptare në Kosovë si donte vetë dhe bota fatkeqësisht e besonte. Zëri i shqiptarëve në Kosovë nuk ndëgjohej dhe bota e jashtëme nuk ishte aspak në dijeni të vuajtjeve e torturave që diktatura serbe bënte mbi popullësinë shqiptare në atë krahinë. Ishte jetike që të krijohej një kundër-balancë, por edhe të zbuloheshin shpifjet e Beogradit dhe të njoftohej bota, e sidomos Washingtoni rreth instalimit të një regjimi diktatorial dhe terrorist, policor e ushtarak serb në Kosovë, që si objektiv kryesor kishte zbatimin e planit për cfarosjen e shqiptarëve nga Dardania antike.

Në një moment miqësor me vizitorët e nderuar nga Kosovan në Washington, 1989

Kanë kaluar 30-vjetë, por me kënaqësi e kujtoj këtë vizitë dhe bisedat e paharrueshme me miqtë nga Kosova, të cilët megjithse nuk i kisha njohur më parë, na shkoi biseda si është më mirë dhe sikur të kishim qenë miq të vjetër, megjithse isha pak më i ri nga mosha. Pa ditur se si do shkonin punët në Kosovë dhe për atë vetë si person dhe politikan i ardhëshëm i Kosovës, pasi në atë kohë ishte vetëm Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, më kujtohet se shqetësimi i tij kryesor ishte nevoja për sensibilizimin e çështjes shqiptare në arenen ndërkombëtare, në përgjithësi, por sidomos në Washington. Si studjues i mirë i historisë dhe si atdhetar i vërtetë që ishte – ai i dallonte mirë miqët nga armiqët e Kombit shqiptar. Megjithse ishte vizita e parë e tij në Washington dhe në Shtetet e Bashkuara, Dr. Rugova ishte bindur në mendjen e tij se Kosova dhe shqiptarët — në Shtetet e Bashkuara dhe në Washingtonin zyrtar, do të gjenin mikun dhe përkrahsin e të drejtave të shqiptarëve, ashtu siç ka ndodhur c’prej përkrahjes së pavarësisë së Shqipërisë nga Presidenti Udrou Wilson e këtej.

Në mendimin tim, vizita e parë e Dr. Ibrahim Rugovës në Nju Jork dhe në Washington – sigurisht pa e ditur as ai vet këtë gjë në atë kohë — mund të konsiderohet si fillimi i diplomacisë moderne të Kosoves, ose si fillimi i ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Koha e tregoi se Dr. Rugova u këthye në Kosovë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i frymëzuar dhe me një ndjenjë misioni personal, megjithëse disa kritikë e ndoshta edhe disa miqë të tij mund të thonë se i hyri kësaj fushe, me një mungesë dëshire për t’u marrë me politikë.
Historia e mëvonshme tregoi se megjithë të metat që mund të kishte si njeri dhe si udhëheqës, që kundërshtarët e tij, pa hesitim ia venin në dukje vazhdimisht, jo vetem Kosova, por i mbarë Kombi shqiptar tashti kishte një zëdhenës ndryshe dhe si asnjëherë më parë. Sidomos Kosova, megjithse në rrethana shumë të vështira, tashti kishte një zë të urtë që dëgjohej dhe respektohej nga të gjithë bashkbiseduesit e tij ndërkombëtarë.

 

Ishte një zë që fliste për të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre, për liri dhe demokraci për popullin e vet dhe si asnjë përfaqsues tjetër i Kombit shqiptar, siç ka thënë edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara Bill Klinton, Ibrahim Rugova e shpjegonte çështjen shqiptare në një mënyrë të kuptueshme — nga pikëpamja historike dhe njerëzore, sidomos për të huajt.

Si askush tjetër – para tij ose pas tij — Dr. Ibrahim Rugova i paraqiti botës përdhunimin historik të Kombit shqiptar dhe bota filloi ta ndëgjonte dhe më në fund filloi të interesohej për tragjedinë dhe krimet që regjimi kriminal i Serbisë po bënte në Kosovë, me qëllim zhdukjen e racës shqiptare nga trojet e veta mijëvjeçare.

Foto e fundit e autorit me Presidentin Ibrahim Rugova, në zyrën e tij në Prishtinë, 2005

Në këtë 30-vjetor të vizitës së tij të parë në Washington, deshta vetëm të shënoj dhe të ndajë me miqtë e mi disa mbresa, shkurtimisht — por për mua të paharrueshme — nga vizita dy-tri ditëshe e Dr. Rugovës në shtëpinë tonë në Washinngton me 1989 dhe arsyet se pse jam përpjekur ta përkrahi gjatë viteve. Ajo vizitë nuk më harrohet mua as familjes time dhe njohuria ime me të, gjatë asaj vizite, çoi në një miqësi shumë vjeçare, deri sa ai ndërroi jetë — dritë i baftë shpirti. Respekti im për Dr. Rugovën e ka zanafillën, pikërisht, në atë vizitë, pasi përshtypjet e mia të para dhe respekti për këte udhëheqës të madh të Kombit shqiptar, sa ka ardhur e rritur gjatë viteve. Për mua, arsyeja për këte është se, si asnjë udheheqs tjetër shqiptar që unë kam njohur, Presidenti Rugova kishte një vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës dhe të Kombit shqiptar. Si asnjë tjetër udhëheqës, ai ishte i bindur në rrugën që duhej të ndiqte Kombi shqiptar për tu radhitë ndërshmërisht në radhën e kombeve të përparuara të përendimit. Ai ishte i bindur në përkrahjen e perëndimit drejt kësaj rruge e sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikes — drejt rrugës së bashkimit dhe integrimit të Kombit shqiptar me vendet perëndimore.

E respektova për bindjen e tij se komunizmi ishte rreziku dhe fatëkeqësia më e madhe që i kishte ndodhur Kombit shqiptar në shekullin e 20-ët dhe për faktin se besonte që Kombi shqiptar duhej të ndërtonte bazat e ekzistencës së tij mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindasve të vërtetë. Ibrahim Rugova nuk mburrej me retorikë të zbrazët, por me ide e vizione të qarta për një të ardhme më të mirë të Kombit të vet, duke i dhenë kështu një emër të nderuar dhe të respektuar gjakut shqiptar edhe në arenën ndërkombëtare. E respektova Dr. Rugovën sepse ai nuk ishte i frymëzuar nga ideologjia komuniste – as në mendime as në veprime — si shumë nga ata të brezit te tij që ishin rritur e shkolluar në atë sistem ideologjik të huaj. Përkundrazi, Ibrahim Rugova kishte parime gjykuese dhe një kulturë e qytetërim njerëzor plot urtësi, të gërshetuar nga traditat dhe vlerat më të mira të Kombit shqiptar. Ai ishte i vetdijshëm se, natyrisht që, trimëria dhe pushka e kanë vendin dhe kohën e vet për tu përdour në mbrojtje të interesave të Kombit, por me shembullin e tij, ai gjithashtu tregoi se dashuria për popullin e vet dhe mbrojtja e interesave kombëtare, dëshmohet gjithashtu duke i ruajtur nderin emrit shqiptar — një mesazh ky shumë i përshtatëshëm dhe tepër i nevojshëm për kohën sot — sidomos për politikanët e sotëm anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Kjo është edhe njëra nga trashëgimitë e Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës me rastin e 30-vjetorit të vizitës së tij të parë në Washington dhe në 13-vjetorin e kalimit të tij në përjetësi. Për këto ai gëzon respektin tim!

Duke bërë nderimet e mia para arkivolit të ndjerit President Ibrahim Rugova, Prishtinë, 21 Janar, 2006

Sipas Hashimit, pas marrëveshjes me Serbinë, Kosova do të hapë ambasadën në Moskë!? – Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Barometri diplomatik

      *** Megjithëkëtë parashikim të dëshiruar të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se do të arrijë marrëveshje me Beogradin zyrtar,  Kosova nuk do të ketë ambasadë e as konsullatë në Moskë, por  mund  të ketë ambasador shqiptar nga Kosova, nëse Kosova e humbet shtetësinë e saj të pavarur dhe sovrane(17 shkurt 2008).

Nëse Serbia dhe Kosova përfundojnë ndonjë marrëveshje kompromisi në frymën e Rezolutës 1244 të KS-së të OKB-së, Kosova do të humbasë statusin e  shtetit të pavarur, por do të jetë nën “ombrellën e Serbisë kolonialiste (1912-1999). Ndaj, rrjedhimisht nuk do të mund të ketë as ambasadë e as konsullatë në Moskë, pavarësisht nga “strategjia” e teorisë politike parashikuese e presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçi. Mirëpo, mund të ketë vetëm ndonjë ambasador apo konsull shqiptar nga  Serbia. Kjo mund të ndodhë nëse Kosova zhbëhet  si shtet, atëherë sigurisht se për atë shërbim kapital Serbisë, Hashimi, do të mund të emërohej ambasador  i Serbisë në Moskë. Ndryshe,  nëse Kosova  mbijeton si shtet i pavarur (jashtë  Rezolutës 1244 të KS të OKB-së), atëherë nuk do të ketë as Marrëveshje me Serbinë, as ambasadë, as konsullatë në Moskë e as ambasador  të Kosovës në OKB.

Pra, nëse Beogradi dhe Prishtina do të arrinin ndonjë Marrëveshje kompromisi për statusin e Kosovës në frymën e rezolutës 1244 të OKB-së, sigurisht se atë do ta mbështetnin Uashingtoni dhe Moska  së bashku me aleatët e tyre ndërkombëtarë. Por, kjo në asnjë  formë nuk nënkupton edhe “mbështetjen globale” siç është shprehur presidenti Hashim Thaçi. –“Globale”, do të thotë kur të  mbështetë e gjithë bashkësia ndërkombëtare. Mirëpo, duhet të jemi realistë  dhe objektivë, se  Kosova as para lufte, as gjatë lufte, as pas lufte e as pavarësimit të saj më 17 shkurt 2008, asnjëherë nuk e ka pasur dhe, as sot nuk e ka “mbështetjen globale” . Këtë e provon edhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga ana Kombeve të Bashkuara (2008-2019).

Mirëpo, hëpërhë as Moska e as Beogradi nuk kanë dhënë asnjë sinjal të gjelbër diplomatik  se Serbia dhe Rusia janë të gatshme që ta njohin Republikën e pavarur të Kosovës (17 shkurt 2008).

Këtë status quo të politikës dhe të diplomacisë serbo-ruse kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës e dëshmoi edhe vizita e presidentit rus, Vladimir Putin, që i bëri Beogradit, më 17 janar 2019, i cili pohoi se “pajtohemi se është i domosdoshëm miratimi reciprok i zgjidhjes në bazë të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së”. Këtë qëndrim zyrtar të Rusisë e mbështeti edhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiq,  duke e vënë dijeni Putnin se “para arritjes së Marrëveshjes me Prishtinën, patjetër, do të konsultohet me presidentin rus Putin, sepse pa Rusinë nuk ka  zgjidhje të çështjes së Kosovës”. (https://www.bbc.com/serbian/lat/srbija-46912785).

Ja, Hashim Thaçi, ky është “momentumi global” për arritjen e Marrëveshjes mes Prishtinës dhe Kosovës. Pra, sipas Rezolutës 1244 të KS-së së OKB-së, e cila nuk njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës

Kjo është strategjia dhe “rruga më e shkrutër’ e jotja, që ta hapësh ambasadën e Kosovës në Moskë, apo jo?!

-Ky është “momentumi i përshtatshëm global” për rishqyrtimin e statusit politik të Kosovës,  ashtu siç  keni deklaruar në intervistën e juaj dhënë gazetës vjeneze “Kurrier”, se gjoja  ju nuk merreni me “politikën ditore” të Kosovës, por me “strategji”?!

Ku është këtu ajo farë “strategjie”, që në “nivel global” , duke marrë për bazë Rezolutën 1244 , të debatohet  për statusin e Kosovës, kur ai është mbyllur më 17 shkurt 2008. –Ju me enver hoxhët dhe me mbështetësit e juaj në qeverinë dhe në kuvendin e Kosovës, e keni pohuar me dhjetra e dhjetra herë se “statusi i Kosovës është mbyllur më 17 shkurt 2008”.

-Pse tash, çfarë debati global dhe çfarë  marrëeshjeje globale, duhet të  arrihet mes  Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel, në mënyrë që Serbia dhe  Rusia ta njihnin pavarësinë e Kosovës, kur këto dy shtete në mënyrë decidive ia kanë bërë të ditur Prishtinës, Amerikës dhe BE-së, se “zgjidhja e problemit” të Kosovës, duhet bëhet vetëm brenda “kornizave” të Rezolutës 1244 të KS-së së OKB-së. Ndryshe, nuk do të ketë kurrfarë kompromisi politik mes Beogradit dhe Prishtinës në Dialogun e Brukselit (2011-2019).

Sa më sipër, me deklarimin e Moskës zyrtare se është e gatshme që të mbrojë interesin nacional dhe shtetëror të Serbisë, duke përfillur Rezolutën 1244 të KS-së së Kombeve të Bashkuara, kjo nuk nënkupton kurrëfarë krijimi të klimës së re politike  në “shkallën ndërkombëtare globale”, ashtu siç është shprehur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Përkundrazi, involvimi i Moskës në “zgjidhjen e çështjes” së Kosovës, është një momentum i ri  i padëshirueshëm dhe shumë  i rrezikshëm për  qenien e pavarur shtetërore të Kosovës, sepse Rusia së bashku me Serbinë nuk do të pranojnë njohjen e Republikës së pavarur të Kosovës (2008-2019), duke qenë se këto dy shtete (ëmë e bijë) këmbëngulin se Kosova “është territor i Serbisë”.

Në këtë rast konkret, logjikisht  e as realisht nuk mund të pritet  kurrfarë “Marrëveshje gjithëpërfshirëse-globale” siç ka pohuar H. Thaçi, sepse  as  qeveria e Kosovës, as ajo Amerikës e as aletëve të saj evropianë perëndimorë nuk do të pranojnë kurrfarë “Marrëshjeje mes Serbisë dhe Kosovës, nëse ajo arrihet në përputhje me Rezolutën 1244 të KS-së së Kombeve të Bshkuara, të cilën padyshim se do ta pranonte Moska, sepse me nënshkrimin e një  “Marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ” të Hashim Thaçit dhe të presidentit serb, Aleksanda Vuçiq,  shteti i Kosovës, do të “avullohej” nën sovranitetin territorial dhe shtetëror të Serbisë. Kjo “marrëveshje gjithëpërfshirëse”, do të hidhte në erë Republikën e pavarur të Kosovës, të cilën deri tani e kanë njohur më se 100 shtete të OKB-së me Amerikën në krye.

Prandaj, kujdes presidenti Thaçi, të mos hysh në një “thes gjithëpërfshirës” me Moskën dhe me Beogradin, (që bashkërisht po luftojnë ta “bombardojnë” Republikën e Kosovës) pa marrjen e bekimit të qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës. –Pavarësohst nga fakti se ju jeni treguar dhe dëshmuar si “strategjist i suksesshëm” në eliminimin e oponentëve politikë si në kohë lufte, ashtu edhe në kohë paqeje. Ndëraq, kjo “strategji” që keni zgjedhur me Beogradin dhe me Moskën, është  shumë më komplekse dhe me pasoja të mëdha për  fatin e sotëm të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, ju nuk do të mund ta luani rolin e “kryeprotagonistit” e as të “heroit” global të suksesshëm të Kosovës, sepse aktorët janë të ndryshëm dhe një milion herë më strategë dhe më të fuqishëm sesa “strategjia” juaj lokaliste, provincialiste,  nepotise dhe sektariste, që pa llogaritur këtë raport të forcave të marrëdhënieve ndërkombëtare verbërazi keni pranuar hyrjen në Dialogun e Brukselit, ( produkt direkt i Rezolutës 1244 të KS) i cili mund të jetë  “varr” i pavarësisë së Kosovës, nëse Rusia do ta ketë fjalën kryesore, ashtu sikurse me veto-n e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Çfarë (çka) duhet pritur e mësuar shteti e pushteti kosovar nga vizita e fundit e Presidentit të Rusisë në Beograd (Serbi) …? – Nga AGRON SHABANI

Nga vizita e fundit e Presidentit të Rusisë, Dr. Vladimir Putin ne Serbi ose Beograd, shtetit dhe pushteti kosovar, përveç lirisë, pavarësisë, identitetit, subjektivitetit, ekskluzivitetit, dinjitetit, sovranitetit dhe integritetit të munguar individual dhe kolektivë, përkatësisht, shtetror, nacional, politik, teritorial, gjeografik dhe kështu me radhë: Mëse tepërmi duhet mësuar, reflektuar dhe interferuar në faktin e njohut se liria (çlirimi), pavarësia, shkurorëzimi ose shpronësimi i tyre esencial ose substancial, gjegjësisht, objektivë dhe subjektivë, nga e kaluara ose nga frika, tutelja, diktati, kurora, varësia, prona ose monopoli i Serbisë dhe Rusisë, nuk po duken (nuk po shihen) asgjëkundi në horizont. Jo.
Mbase, liria ose çlirimi i tyre (esencial ose substancial) nga “logjika” dhe “filozofia” nënshtruse ose fatalitike (fataliste) e robit ku në emër të frikës latente ose permanente ndaj Rusisë, Serbisë ose dikujt tjeter te perkthyer ne “trubunale” ose “gjykata speciale ndaj X-it dhe Y-nit” : Kosovës dhe shqiptarëve nga ana e faktorëve të ndryshëm botërorë ose ndërkombtar, vazhdojnë t’iu imponohen ligje, diktate dhe standarde të dyfishta politike, administrative, juridike dhe tëtjera të cilat në të shumtën e rastëve janë të diktuara, imponuara dhe sponzorizuara nga Rusia, Serbia dhe miqtë ose aleatët e tyre në SHBA-së, Nato, BE-së etj. Gjegjësisht, koncesione dhe kompromise të vazhdueshme ndaj Serbisë si “asociacioni”, “demarkacioni”, “gjykata speciale” , “korigjimi i kufinjve” e kështu me radhë. Dhe, kjo në formen ose profilin e njohur “urbi et orbi”, “ultima ratio” ose “sine qua non”!
Janë në pyetje formula ose ekuacione të shumë strategjike, gjeopolitike dhe të tjera, me shumë të panjohura dhe të papritura në sfond, për të cilat lidershipi kosovar, si duket nuk kanë zgjidhje ose strategji të unifikuar, konkrete, alternative dhe konvencionale. Dikush flet për kembime teritoresh dhe heqje të takses ose embargos totale (1OO %) ndaj Serbisë në emër të dalogut, marrëveshjes ose pajtimit historik me Serbinë, dikush për ashpërsim të embargos ndaj tyre deri në njohjen zyrtare të Kosovës nga Serbia, dikush tjetër per “piano, piano” (avash-avash) ose “modus vivendi” etj. etj.
Ndonëse, pa i harruar në ketë “histori” reaksionare, paradoksale dhe tepër anakronnike edhe demagogët dhe hipokritët e ndryshëm institucional dhe funksional në Kosovë së bashku me profiterët e ndryshëm të luftës dhe pasluftës si dhe tregtarët ambulant të shpirtërave, flamujve, popullit (kombit), shtetit, pronës (pasurisë), kapitalit, vlerave, resursëve dhe moralit të gjithëmbarëshem shtetror dhe nacional-prej nga e kanë burimin ose origjinen e tyre të gjitha anomalitë dhe patologjitë e mundshme institucionale, funksionale, politike, diplomatike, kadrovike, shkencore, kulturore, akademike, pedagogjike, sociale, finansiare, ekonomike dhe të tjera në Kosovën e pasluftës.
Se këndejmi, duke u shpronësuar ose shkurorëzuar nga frika, tutelja, imponimet ose diktatët e brendshme dhe të jashtme: Shteti, pushteti dhe populli shqiptarë në Kosovë, njëherë e përgjithëmonë, gjegjësisht, më tepër dhe më bukur se kurrë, do lirohen (çlirohen) dhe shkurorëzohen nga skamja (varfëria), robëria, frika dhe pasiguria e gjithëmbarëshme objektive dhe subjektive për të nesërmen ose ardhmërinë e tyre të diktuar, imponuar, determinuar dhe stigmatizuar nga Serbia, Rusia dhe të tjerët. Në ketë kontekst të suspektshëm dhe dubiozë, do çlirohëshin (lirohëshin), shkurorëzohëshin dhe pavarësohëshin edhe juridikativi (gjyqësori) nga legjislativi (parlamenti), legjislativi nga ekzekutivi (qeveria), ekzekutivi dhe legjislativi nga relativizimi, instrumentalizimi, fosilizimi, monopoli dhe paternailizmi vendorë dhe ndërkombtarë etj.. Do bëhej çlirimi dhe shkurorëzimi i preferuar shkencorë ose dialektikë i subjektit nga objekti ose objektit nga subjekti. Respektivisht, i gjërave, aspektëve ose çështjeve subjektive nga gjërat, aspektët ose çështjet objektive dhe anasjelltas. Sigurisht. Nuk do kete me frike akute ose kronike nga Serbia, Rusia ose dikush tjeter.
Se këndejmi, edhe të të ashtuquajturat shtetët ose shoqëritë e larta industriale ose kapitaliste të Perëndimit, shpeshherë kanë një përceptim dhe konceptim publik dhe politiik tepër të verbër, të vrazhë (rixhid), borgjez, reaksionar, paradoksal dhe anakronik kur i shohin ose kundrojne njeriun, popullin (kombin), politikën, diplomacinë dhe vlerat tjera, si një fakt ose realitet natyrorë ose ordinar. Kjo për faktin se edukata, kultura dhe emancipimi së bashku me artin e njohur politik ose diplomatik si dhe vlerat e njohura shkencore dhe humaniste të jetës së njeriut, i binden dhe nënshtrohen të njëjtit ligj: ligjit të shndërrimit, nënshtrimit, konvertimit, mohimit, pronës, kapitalit etj. Mbase, ligjit të konfirmimit me vetvetën si dhe me gjithëçka tjetër nga brenda dhe nga jashtë nesh. Në këtë rast, çdo gjë ose gjithëçka, sikur i zhvatët dhe nënshtrohet diktatit, tutelës ose monopolit të njohur ushtarak (luftarak), industrial dhe teknologjik të ‘teknologjisë së lartë” nukleare ose atomike te Rusise etj. Duke i bërë të pamundura ose inekzistente skemat ose formulat dialektike dhe evolutivo-empirike të dialogut, korrespondencës ose komunikimit real dhe të barabartë në mes “triumfiratit” dhe “vegjelisë”!

Në ketë prizëm, edhe ngritja, hartimi ose formulimi i një teorie evolutive dhe dialektike të edukatës dhe kulturës së lartë shtetrore dhe nacionale, të pandarë ose të pashkëputur prej diktatit ose monopolit të fuqive ose superfuqive të ndryshme ushtarake dhe politike si dhe interesave te tyre globale, strategjike, gjeopolitike dhe të tjera, të duket i pamundur, absurd ose abstrakt.

Ndryshe nga kjo, motivi, vullneti dhe guximi për të jetuar i lirë, i pavarur, sovran, integral dhe autonom në një botë të sunduar ose dominuar nga “dishepujt” ose “apostujtë” e ndryshëm të “mbretërisë së të keqës”, sipas Arthur Schopenahauerit, janë faktorët, indikatorët ose prediakatorët kryesorë që e mbushin, plotësojnë dhe dominojnë jetën e njerëzve të ditur, të guximshëm dhe liberatorë. Përderisa, frika, dyshimi dhe pesimizmi i përgjithshëm total ose absolut, si pezhorative ose një “alternativë solomonike” -ndaj nënshtrimit dhe robërisë së stisur ose kamufluar si liri, patjetër çojnë në konkluzionin ose përfundimin e njohur sipas të të cilit: “të lirët, të diturit, të mençurit, të urtët, të pavarurit ose njerëzit sovran, patriot dhe ekselent, e kanë idealin e jetës dhe përparimit të gjithëmbarëshem individual dhe kolektivë, ndërsa, të paditurit, të robëruarit dhe nënshtruarit e ndryshëm, e kanë “motivin” dhe”idealin” e vdekjes, nënshtrimit (skllavërimit) dhe shkatërrmit.
U mor vesh se në politikë të lartë ose diplomaci, me kalimin e vitëve ose me “ndërrimin e epokave”, njerëzit ose politikanët e ndryshëm ditorë ose periodikë, i tradhtojnë idhujt, miqtë, aleatët, liderët, partitë politike, idealet, ideologjitë politike ose ushtarake, konceptët e ndryshme ose doktrinat ushtarake dhe politike, idealet ose vizionet e ndryshme shtetrore, nacionale, politike, diplomatike dhe të tjera, më një “epokë tjetër” më të re ose më aktuale, ashtu siç e tradhton një burrë gruan e tij për një grua tjetër më të bukur dhe më të re ose anasjelltas. Sidomos në Kosovë, ku liderët e ndryshëm institucional ose funksional, shpeshherë janë të detyruar t´i ndryshojnë përditë fjalët, bindjet, mendimet, premtimet, konceptët, ideologjitë, idealet ose vizionet e tyre si shtetrore, nacionale, politike, ushtarake (luftarake), historike, patriotike dhe të tjera..Sidomos kur e viziton Dr.Putini Beogradin! (….)
Çdo filozof, politikan ose diplomat, sipas H. Bergsonit, mendon ose reagon ndaj një filozofi , politikani ose diplomati tjetër në kuptimin e asaj se liri, drejtëësi dhe barazi absolute nuk ka, por vetëm liri, drejtësi dhe barazi relative ose selektive. Kjo për faktin se i forti (i fuqishmi) i pushtetshmi, i pasuri dhe i dituri, në shtetët ose “shoqëritë e larta” industriale dhe kapitaliste të Perëndimit, gjithëmonë kanë të drejtë . Sidomos Rusia nukleare ose atomike e Vladimir Putinit. Në dukje te parë, kjo është pra filozofia e mbjelljes së optimizmit të antropomorforizuar në ide “elitare ose egakitare” ku “qielli me yje” i Hashim Thacit , Ramush Haradinajt, Kadri Veselit, Fatmir Limajt..është lebroz. Dhe, kjo sidomos atëherë kur natyra ‘tretët’ ose shkrihet në mendjen dhe shpirtin e njeriut, objekti në subjekt dhe kështu me radhë…Ku natyra identifikohet me ‘procesin praktik dhe teorik të ndjenjave, emocioneve, dëshirave, orekseve dhe kërkesave të përbashkëta, të kënaqësive dhe dhimbjeve të ndryshme objektive dhe subjektive etj.
Në këtë ‘ritual’ ose ‘celebrimë të përbashkët’ të mendjes (koshiencës), shpirtit dhe nytyrës, është logjika ose koshienca e lartë njerëzore ose politike ajo që na flet ose udhërrefen vazhdimisht mbi “vullneti për të jetuar” (wille zum leben). Kështu që “fenomenët” e ndryshme natyrore dhe mbinatyrore, interferojnë dhe integrohen edhe në vullnetin për të jetuar. Madje, edhe me frikë ose pasiguri totale ose absolute e cila ne disa raate është thelbi i i jetës dhe botës sonë.
Për Immanuel Kantin, vullneti për të jetuar, që në krye të herë është i njohur dhe identifikuar në vetëdijen (koshiencën) dhe ndërgjegjen tonë. Gjithashtu besohej (besohet edhe sot) se ligji i shkakësisë që i rregullon fenomenet e ndryshme natyrore dhe mbinatyrore dhe parimi i arsyes që i shpjegon dhe pranon ato, ishin (janë) ligje të përhershme dhe absolute. Respektivisht, “veritates aeternae” (të vërtetat e përjetshme ose absolulte).
Për më tepër ndërkaq, vullneti për të jetuar na vë në gjumë dhe kur jemi zgjuar, dhe na vë në levizje edhe kur jemi të fjetur ose në gjumë.
Ndaj, edhe ndarja dhe thellimi i dy sferave të njohura filozofike, sferës racionale, të kufizuar nga parimi i arsyes, dhe asaj iracionale, të pakufizuar nga vullnetit për të jetuar, shënon mbizotërimin e qartë të së dytës mbi të parën. Sidomos atëherë kur vullneti bëhet pavetëdije.

A ka më Kosova iluzione pas vizitës së Putinit në Beograd? – Nga SHABAN MURATI

Vizita e pestë në Beograd e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin në 17 janar dhe takimi i tij i 19-të me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, bashkë me 25 marrëveshjet shtetërore të nënshkruara atë ditë, ku hyn edhe marrëveshja e dyshimtë për një Qendër Atomike ruse në Serbi, i konfirmuan Brukselit, gjithë Europës e botës, se e vetmja kishë, ku falet Serbia, është Rusia dhe jo BE.

Në të njejtën kohë vizita e Putinit duhet të shërbejë si hapje sysh për ata zyrtarë e diplomatë në Prishtinë, Tiranë, Bruksel, Paris e gjetkë, që shpresojnë se teoria e shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës po ndryshon kursin e Rusisë ndaj Kosovës.

Në mjegullnajën e ngritur qëllimisht në arenën diplomatike ndërkombëtare qysh nga vera e vitit të kaluar për modalitetet e një marrëveshje përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, nuk dihet se mbi çfarë baze është krijuar ndonjë iluzion në disa qarqe shqiptare se Rusia ka ndryshuar qendrim dhe është bërë mirëkuptuese ndaj njohjes së Kosovës. Iluzione, të cilat hasen në qarqe, që ose nuk njohin mirë Serbinë dhe Rusinë, ose që ndodhen nën rrezatimin e lobeve serbe dhe ruse. Mesazhet dhe qendrimet intransigjente, që presidenti rus Putin paraqiti në bisedimet e tij në Beograd, nuk lejnë më justifikim për ndonjë iluzion diplomatik apo propagandistik në këtë drejtim.

Janë tre elemente të reja negative, të cilat presidenti rus i formuloi gjatë vizitës së tij.

Elementi i parë është se ai doli me termin e ri rus “zgjidhje kosovare dhe rregullim kosovar”. Kjo don të thotë se për Rusinë, ajo që është emërtuar“marrëveshje e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”, është një çeshtje e brendshme serbe, e cila ka të bëjë jo me njohjen midis dy shteteve të pavarura, por me zgjidhjen e një çështjeje lokale brenda shtetit serb. Pra Rusia synon degradimin e rendit të ditës të bisedimeve Serbi-Kosovë nga çështje e normalizimit të marrëdhënieve në çështje të statusit të Kosovës, që don të thotë zhbërje e shtetit të pavarur të Kosovës.

Elemeni i dytë i ri dhe i rrezikshëm është kërkesa e presidentit rus, e shprehur për herë të parë nga ai, për vendosjen e policëve dhe rojeve kufitare serbe në territorin e Kosovës. Është një kërkesë e re dhe provokuese ruse, e cila zbulon një kahje tepër të rrezikshme, ku kërkon Rusia ta fusë dinamikën e bisedimeve midis Serbisë dhe Kosovës. Presidenti rus e paraqiti këtë kërkesë si në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB të 20 viteve më parë. Diplomacia ruse, në përpjekjen që të fusë në rrugë pa krye bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës, bën sikur nuk e din se ajo rezolutë ka mbaruar funksionin e saj pas vendimit të Tribunalit më të lartë juridik të OKB, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për ligjëshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

E keqja është se Prishtina po harron prej shumë vitesh t’ia përmendë Serbisë dhe Rusisë të vërtetat e mëdha juridike, diplomatike dhe historike. Rusia dhe Serbia e dinë fare mirë se largimi i forcave të ushtrisë, të kufirit dhe të policisë serbe nga territori i Kosovës është bërë në bazë të një marrëveshje ndërkombëtare midis qeverisë së Serbisë dhe NATO-s në 9 qershor 1999 në Kumanovë dhe ajo hyri në fuqi një ditë pas miratimit të rezolutës 1244. Pra Serbia, forcat ushtarake dhe policore serbe, janë larguar me vullnetin dhe firmën e qeverisë së Serbisë, gjë që don të thotë se ata nuk kanë asnjë lloj të drejte për rivendikimin, që e nxorri nga varri presidenti rus në Beograd.

Marrëveshja e Kumanovës është pranuar edhe nga Rusia, e cila ishte pjesëtare e samitit të grupit G-8, që vendosi miratimin e rezolutës 1244 në Këshillin e Sigurimit. Ajo që është e rëndësishme dhe që për fat të keq nuk e di pse nuk shtrohet çdo ditë nga diplomacia e Kosovës dhe e Shqipërisë është fakti i madh juridik që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka sanksionuar që shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me rezolutën 1244 të KS të OKB.

Ka edhe një element tjetër të natyrës juridike, të cilin e kam  theksuar disa herë në librat e mia. Rezoluta 1244 nuk i takon Serbisë, ajo flet për “RFJ”, që ka qenë shtet tjetër, dhe nuk përmend në asnjë rresht të saj të drejta apo kompetenca të Serbisë. RFJ është shkrirë si shtet dhe nuk ekziston më dhe Serbia është shtet i ri, që ështëpranuar në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare si anëtar i ri pas vitit 2000. Rezolutës 1244 i pretendohet pronësia nga Serbia mbi bazen e një delegimi “fake” dhe të paligjshëm, që Mali i Zi ia ka bërë Serbisë, kur u ndanë në dy shtete. Ka qenë një veprim alla ballkanik dhe në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare, si i Malit të Zi, ashtu dhe i Serbisë, sepse rezoluta 1244 është një akt i Këshillit të Sigurimit dhe vetëm Këshilli i Sigurimit ka të drejtën dhe kompetencën të ndryshojë, të amendojë apo të bëjë përcaktime të reja terminologjike të rezolutës së vjetër. Serbia dhe Rusia duhet të kishin kërkuar rezolutë të re nga KS i OKB. Kjo nuk është bërë dhe praktikisht rezoluta 1244 është e kapërcyer historikisht dhe e vdekur.

Fakti që presidenti i Rusisë ngrihet dhe kërkon pas 20 vitesh rikthimin  e ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës tregon se Moska jo vetëm nuk po demostron fleksibilitet, por një prapakthehu absurd historik, në një strategji të komplikimit edhe më shumë të klimës së bisedimeve midis Serbisë dhe Kosovës. Kjo don të thotë se Rusia është shumë larg shpresave dhe iluzioneve që mund të kenë ndaj saj në Prishtinë, në Tiranë apo në Bruksel.

Ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, në 17 janar në Beograd e cilësoi “sukses historik për Serbinë që 12 shtete kanë tërhequr njohjen e tyre për Kosovën”. Dihet që bllokimi dhe tërheqja e njohjeve për Kosovën është operacion diplomatik ndërkombëtar i udhëhequr nga Moska. Ndaj presidenti rus iu drejtua me mburrje Serbisë: “Nëse ne jemi bashkë, ne na pret fitorja”.

Elementi i tretë, që doli nga vizita e presidentit rus, është se ai për herë të pare doli me tezën millosheviçiane “të gjithë serbët në një shtet”. Agjencia shtetërore ruse “Sputnik” në 17 janar jepte deklaratën e presidentit Putin atë ditë në Beograd: “Shikojmë me vëmendje gjithçka po ndodh në rajon, dhe shpesh na duket që vendimet e mëparshme kanë qenë marrë vetëm për të ndarë popullin serb në shtete të ndryshme dhe këto lloj vendimesh nuk do të praktikohen”. Se ku çuan teoritë fashiste “të gjithë serbët në një shtet” të kriminelit ndërkombëtar të luftës, Sllobodan Millosheviç, dihet, por pikëpyetja e madhe e re është përse po i ringjall presidenti Putin, i cili edhe në takimin, që pat me regjisorin boshnjak filorus, Emir Kusturica, folën për “Serbinë e bashkuar të pavarur”.

Në fakt ka nota humoristike në hiperbolën e presidentit rus se krijimi i ushtrisë së Kosovës rrezikon stabilitetin e Ballkanit, siç ka të tilla nota edhe zhurma ruse për taksën e Kosovës për mallrat serbe. Lexuesi duhet ta ketë të qartë se zhurma e madhe dhe kundërshtimi, që Rusia dhe Serbia po bëjnë për krijimin e ushtrisë së Kosovës dhe për taksën 100 përqind, nuk ka të bëjë as me ushtrinë dhe as me taksën. Thelbi i kësaj zhurme diplomatike dhe propagandistike është se Rusia dhe Serbia nuk njohin dhe nuk duan të njohin pavarësinë e Kosovës si shtet sovran. Nuk duan të njohin të drejtën e shtetit të Kosovës për krijimin e ushtrisë dhe ndërmarrjen e taksës si akte të një shteti sovran, që vendos vetë për çeshtjet e mbrojtjes së interesave të tij.

E habitshme është që ka shtete anëtare të BE dhe të NATO-s, që i janë bashkuar qendrimit të Rusisë dhe të Serbisë në këto dy pika. Kjo vjen nga që disa shtete të BE dhe të NATO-s po kërkojnë të luajnë një shah të ri gjeopolitik në favor të interesave të tyre të ngushta, duke sakrifikuar Kosovën.

Rusia nuk është e interesuar për zgjidhjen e konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës. Nuk e don as zgjidhjen, as normalizimin dhe as njohjen reciproke, sepse asaj i intereson konflikti në një rajon europian dhe atlantik si Ballkani. I intereson konflikti i ngrirë për të mbajtur Serbinë nën kontrollin e saj dhe rajonin nën tension të përhershëm.

Në kohën që kjo strategji tensioni rajonal është në zhvillim e sipër do të ishte naive të besohej se Rusia po shkon drejt njohjes së Kosovës.  Gjithkush e pa se me vizitën në Beograd presidenti rus personalisht u përpoq t’i jepte një impuls të ri tensioneve dhe konflikteve në rajon,  duke thirrur në takimet e tij në Beograd si udhëheqësin separatist të serbëve të Bosnjës, ashtu dhe udhëheqësit e opozitës proserbe dhe proruse të Malit ë Zi. Udhëheqësi separatist i serbëve të Bosnjës, Dodik iu ankua Putinit për boshnjakët dhe e siguroi se “serpska republika” nuk do e lejojë Bosnjë-Hercegovinën të hyjë në NATO.

Në prag të vizitës në Serbi Putini sulmoi Maqedoninë dhe të drejtën e saj për t’u anëtarësuar në NATO dhe kritikoi marrëveshjen midis Greqisë dhe Maqedonisë për zgjidhjen e konfliktit për emrin, gjë që e detyroi ministrinë e jashtme greke në 14 janar të dënonte Rusinë për ndërhyrje në punët e brendshme të Greqisë.

Në një dinamikëtë tillë të ngjarjeve është shqetësuese nëse në disa qarqe politike në Prishtinë dhe në Tiranë kanë ndonjë iluzion se Moska do të ndihmojënë njohjen reciproke midis Serbisë dhe Kosovës. Nuk do ta çojnë Rusinë në atë drejtim as lëshimet apo “kompromiset e reja të dhimbshme” në dëm të sovranitetit të Kosovës. Nuk do ta zbusë Rusinë as ndonjë lëshim, që mund të sugjerohet për të pranuar ofertën, të cilën i ka drejtuar Tiranës qeveria e Rusisë për të financuar ristrukturimin e gjithë rrjetit hekurudhor të Shqipërisë. Diplomacia shqiptare, qoftë e Kosovës, qoftë e Shqipërisë, duhet ta lexojnë mirë vizitën e Putinit në Beograd dhe të njohin më thellë taktikat dhe strategjinë e diplomacisë ruse në Ballkan.

Botuar sot në Dita

Beogradi dhe Moska, mosmirënjohja dhe vetëngushëllimi – Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

Lidhur me vizitën e Presidentit rus Putin në Beograd më 15 janar, në njërën nga faqet e internetit lexova këtë informacion:

“Me gjithë tërheqjen e saj emocionale për Serbinë, Malin e Zi dhe më gjerë, Rusia nuk është as e gatshme dhe as e aftë të dominojë në këtë rajon… Dhe serbët janë plotësisht të vetëdijshëm për këtë realitet. “Rusia mund të jetë në zemrën tonë, por si destinacion kemi Mynihun,” thonë ata… (Citohet sipas: “Putini në Beograd, loja që Rusia po luan në Ballkan”. Faqja e internetit “Lapsi.al”. 18 janar 2019).
Me rastin e kësaj vizite, Presidenti Putin e dekoroi Presidentin Vuçiç me “Urdhrin Aleksandër Njevski”. Ёshtë e çuditshme se për çfarë meritash ia akordoi këtë dekoratë të lartë? Presidenti Putin e di me siguri se “Vuçiçi ishte një nga vullnetarët më aktivë dhe besnikë të ultranacionalistit Voisllav Sheshel gjatë luftës në Bosnjë, por edhe në Kosovë. Ishte Partia Radikale Serbe, ku Vuçiçi ishte Sekretar i Përgjithshëm, e cila kishte përgatitur dhe firmosur nga ana e tij, e Kryetarit Sheshel dhe zv.Kryetarit Nikoliç, për pastrimin etnik të Kosovës, platformë kjo, e botuar në gazetën “Velika Serbia” (Serbia e Madhe) më 14 tetor 1995 në Beograd” (Citohet sipas: Flori Bruqi. “Shtëpia e verdhë”. Shtëpia botuese “Klubi i poezisë”. Tiranë 2018, f. 46).
Ja disa deklarata të Vuçiçit, i cili tani mban në gjoks dekoratën e lartë të Putinit, deklarata këto, në mbrojtje të dy kryekriminelëve me damkë Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç:
“Radovan Karaxhiçi është simbol i luftës për liri të popullit serb (viti 2001). Karaxhiçi dhe Mlladiçi janë patriotë të shquar serbë dhe heronj të luftës atdhetare (vitit 2001). Nuk do ta dorëzojmë as Radovan Karaxhiçin dhe as Ratko Mlladiçin. Nëse i takoj diku, do të pi me ta kafe (vitit 2003). Shtëpia ime, ashtu si edhe shtëpitë e gjithë familjes Vuçiç, do të jenë pikërisht “shtëpia e sigurt” e gjeneralit Ratko Mlladiç” (viti 2007)… Shpresa e vetme që të mbrojmë Kosovën është që të na mbështetë Rusia dhe Putini (viti 2005)” (po aty, f. 50, 51).
Pas këtij portretizimi që intelektuali i shquar kosovar, akademiku Flori Bruqi, i ka bërë figurës kriminale të Aleksandër Vuçiçit, lexuesi vjen në përfundimin e vetvetishëm se presidenti Putin, me “Urdhrin Aleksandër Njevski”, ka dekoruar personalitetin më të lartë serb me një të kaluar kriminale. Me këtë dekoratë të lartë, Moska kërkon më kot ta ketë Serbinë me domosdo vetëm nën ndikimin e vet, me qëllim që ajo të mos hyjë në Bashkimin Evropian.
Po Serbia a e meriton vallë me të vërtetë këtë dashuri përvëluese që Rusia ka ushqyer dhe vazhdon të ushqejë ndaj saj prej sa e sa kohësh? A nuk do të ishte mirë që politika dhe diplomacia ruse ta kthenin kokën prapa dhe të shikonin se sa shumë ka sakrifikuar Rusia për Serbinë, e cila ia ka shpërblyer vetëm me mosmirënjohje?
Ambasadorët e fuqive të mëdha, në fundin e vitit 1876, u mblodhën në Konferencën e Stambollit për zgjidhjen e krizës lindore. Bisedimet nuk përfunduan me sukses. Atëherë Rusia filloi të përgatitej për luftë. Në janar të vitit 1877, Rusia dhe Austro-Hungaria nënshkruan një marrëveshje sekrete, sipas së cilës Austro-Hungaria do të ruante neutralitetin, në shkëmbim të okupimit të Bosnjës dhe të Hercegovinës. Por edhe Serbia me Turqinë nënshkruan një marrëveshje për paqe. Më 12 prill të vitit 1877 Rusia i shpalli luftë Turqisë. Ndërkohë, Serbia u kujtua t’i shpallte luftë Turqisë vetëm në muajin dhjetor të po atij viti. Më 19 shkurt të vitit 1878, Rusia dhe Turqia nënshkruan Traktatin e Shën Stefanit. Në bazë të atij Traktati, principata serbe fitoi pavarësi të plotë. Por fill pas Kongresit të Berlinit, Serbia filloi ta orientonte politikën e saj drejt Austro-Hungarisë dhe nuk u kujtua më fare për Rusinë, deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore. Kësisoj, Serbia, pasi u bë e pavarur në saje të sakrificave njerëzore dhe diplomatike të Rusisë, kësaj i ktheu krahët aty për aty.
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, kur tashmë u krijua mbretëria e bashkuar e serbo-kroato-sllovenëve, “e majmur” sidomos me territore shqiptare, me përkrahjen e drejtpërdrejtë të diplomacisë ruse, serbët, që ishin “violina e parë” në atë mbretëri, pas ardhjes në pushtet të komunistëve në Rusi në tetorin e vitit 1917, “harruan” të lidhnin marrëdhënie diplomatike me Rusinë Sovjetike. Tanimë mbretëria jugosllave marrëdhëniet e veta i kishte orientuar nga Franca, Gjermania dhe Italia. Rusia vërtet ishte bërë një vend komunist, por rusët kishin vazhduar të mbeteshin rusë. Serbojugosllavët u kujtuan të vendosnin marrëdhënie diplomatike me Rusinë Sovjetike vetëm në vitin 1940, kur rreziku i pushtimit gjerman kishte filluar të bëhej tashmë kanosës. Trupat sovjetike çliruan Jugosllavinë nga pushtuesit gjermanë, por “dashuria e zjarrtë” e serbojugosllavëve për Rusinë Sovjetike nuk zgjati më shumë se tre vjet. Më 1948 serbojugosllavët i kthyen shpinën Moskës dhe u lidhën me Perëndimin.
Por nuk do të ishte pa interes që Kremlini t’i kthehej edhe traditës së mendimit racional rus për marrëdhëniet e serbëve me rusët. Në vitin 1877, në Sankt-Peterburg u botua një libër interesant me titull “E vërteta për Serbinë”, libër ky, që, çuditërisht, nuk u ribotua më kurrë në Rusi. Autor i atij libri është princi Vladimir Meshçerski (1839-1914), një publicist i njohur ky, [nip i Karamzinit (1766-1826), historianit të njohur rus], të cilin autoritetet sovjetike e patën vlerësuar si një gazetar reaksionar. Princi Meshçerski ka pasë qenë njëri nga organizatorët kryesorë të grumbullimit të trupave vullnetare ruse që u nisën për të luftuar përkrah trupave serbe, në mënyrë që Serbia të fitonte pavarësinë nga Perandoria Otomane. Në librin e vet, princi Meshçerski shkruan për zhgënjimet e thella që pësuan trupat vullnetare ruse dhe vetë ai personalisht, gjatë kohës që u gjendën mes serbëve. Ja disa nga përshtypjet e tij:
“Patrioti serb nuk është patriot rus. Kjo është arsyeja se pse një rus, që vjen në Beograd, bie në mosmarrëveshje me një serb lidhur me çështjen e patriotizmit. Rusi na del shumë më tepër serb sesa një serb i Beogradit… Ata (rusët – E.Y.) u nisën (për në Serbi – E.Y.) me mendimin për të gjetur atje vëllezërit e vet… Atje ata gjetën një popull, pjesa e kulturuar e të cilit e konsideron veten më lart se rusët dhe i vjen turp para Evropës të vëllazërohet me rusët, kurse pjesa e ulët, populli i thjeshtë, në shfaqjet kryesore të botës së tij shpirtërore, është shpërfillës ndaj rusëve se nuk ka arritur t’i kuptojë dot. Mes këtyre dy shtresave të popullit serb…rusi e ndien veten keq…
Rusët u bërtisnin rusëve “shpejt”, kur po i përcillnin drejt tokës serbe. Kurse toka serbe, kur ata arritën, ishte shurdhmemece kur po priste rusët. Rusët ishin gati të sakrifikonin gjithçka që kishin të shenjtë. Kurse serbët nuk u jepnin as gjërat më të domosdoshme që u duheshin për të luftuar. Rusët filluan të flisnin për serbët me emocionet e një dashurie vëllazërore. Kurse serbët flasin me një rus për rusët me tonin e një njeriu mëshirues. Të gjitha këto, të marra së bashku, nuk mund të mos u ngjallnin rusëve ndjenjat e një zhgënjimi të thellë dhe, si pasojë e këtij zhgënjimi të thellë, në shpirtin e rusëve nuk mund të mos lindte një ftohje armiqësore ndaj serbëve…Por, sado të këqija të jenë përshtypjet e rusëve, prapëseprapë ne nuk duhet të biem pré e tyre deri në atë masë, saqë të mos jemi në gjendje që prej tyre të nxjerrim një përfundim të hollësishëm dhe mandej t’ia bëjmë të qarta vetvetes arsyet e fakteve të mësipërme që për ne ishin befasuese, në mënyrë që prej këtyre fakteve dhe prej këtyre përshtypjeve, të nxjerrim për veten tonë një mësim historik, bindës dhe serioz.
Gjatë tërë kohës së qëndrimit tim në Serbi, po më mundonin ca përshtypje të rënda dhe, që të flas me zemër të hapur, asnjëherë nuk m’u shqit nga koka mendimi se ato përshtypje ishin të rënda për faktin se në to reflektohej në një mënyrë të dukshme dhe të thellë një qortim që i takonte çdo rusi, një qortim që i takonte çdo çasti të së kaluarës që Rusia ka përjetuar…
Disa thonë se e tillë është natyra e sllavit: as dy rusë, as dy sllavë nuk bashkëjetojnë dot. Shtoni këtu edhe diçka tjetër: që serbët urrejnë bullgarët, urrejnë rumunët, urrejnë malaziasit, urrejnë njëri-tjetrin (princi Meshçerski duhej të shtonte më kryesoren: urrejtjen e serbëve për shqiptarët – E.Y.). Por atëherë vetvetiu ngrihet çështja: nëse sllavët nuk mund të jetuakan dot në paqe me njëri-tjetrin, atëherë a ia vleka t’ia bëjmë vetes pyetjen se cili na qenka roli historik i Rusisë në fatin e çështjes lindore?.. Jo, mua më duket se…çdo provë duhet të na shërbejë si mësim… Para se të jemi sllavë, ne duhet të dimë të jemi rusë. Ndryshe, të tjerët mund të thonë: doktor, në fillim shëro veten tënde” (Revista “Ogonjok”, nr.30, korrik 1995, f.69, 70, 71).
Një ditë të bukur Serbia mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe s’është për t’u çuditur që ajo përsëri do t’i kthejë krahët Rusisë, si një herë e një kohë. “Dashuria e përndezur” që sot Serbia ushqen për Moskën shpjegohet vetëm me hallin që e ka zënë për çështjen e Kosovës, siç e thekson Presidenti Vuçiç. Sikur çështja e Kosovës të zgjidhej ashtu siç ia do “mideja” Serbisë, me siguri që Serbia do të përfundonte “në krahët e dashnorëve” evropianë dhe Rusisë përsëri do t’i linte pendët, ashtu siç ka vepruar me të tradicionalisht.
Për çlirimin e Bullgarisë nga Perandoria Otomane dhe shpalljen e pavarësisë së saj, Rusia sakrifikoi male me të vrarë në betejën e zhvilluar në Qafën e Shipkës të maleve Stara-Pllatina (9-14 gusht 1877), ashtu siç sakrifikoi për çlirimin e saj edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, por sot Bullgaria është anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, pavarësisht se dashurinë për Rusinë e ka pasur shumë më përvëluese sesa Serbia. Ajo fjala e urtë ruse “ot dobra dobra nje ishçut” (nga e mira mos prit të mira), që ne shqiptarët e përdorim në një kuptim edhe më konkret (bëj mirë e gjej keq), mishërimin e vet e gjen spikatshëm në marrëdhëniet e rusëve me serbët.
Një fakt i thjeshtë, në shikim të parë, mund të përmbajë në vetvete një mesazh tepër domethënës për dashamirësinë apo urrejtjen që mund të përcillet në adresë të një populli. Kështu, fjala vjen, vetëm një ndeshje futbolli që skuadra përfaqësuese e Rusisë zhvilloi me përfaqësuesen tonë në qytetin e Shkodrës më 29 mars 2003, në kuadrin e eliminatoreve të kampionatit evropian të futbollit të vitit 2004, mund të shërbente në njëfarë mënyre për përcjelljen e ndonjë mesazhi sadopak dashamirës për popullin shqiptar, përmes mjeteve ruse të informimit pamor dhe të shtypit të shkruar. Por meqenëse përfaqësuesja ruse e humbi ndeshjen me rezultatin 3:1, mjetet në fjalë dhe shtypi i shkruar folën dhe shkruan keq për shqiptarët. Për më tepër, të nesërmen, më 30 mars 2003, gazetat “Komsomolskaja pravda” dhe “Moskovskij komsomolec”, në faqet e para shkruanin me gërma të mëdha”: “Ndeshja përfundoi me rezultatin 3:1 në favor të varfanjakëve”! Siç më njoftonte një ish-studentja ime, e cila asokohe po i vazhdonte studimet në Moskë, gjatë kohës që komentatori sportive rus ishte duke transmetuar ndeshjen në televizion, fliste keq për Shqipërinë.
Nuk e di se si e kanë ndier veten të gjithë studentët shqiptarë që asokohe ndodheshin me studime në Federatën Ruse kur kanë lexuar “hyneret” që ishin shkruar në faqet e para të gazetave të lartpërmendura! Rusët kanë një fjalë të urtë shumë të goditur: “Bjednost nje porok” (varfëria nuk është ves). Por cinizmi i skajshëm i këtij takëmi gazetarësh rusë nuk e njeh filozofinë e kahershme të popullit të vet. Për ata gazetarë, që flasin keq për një popull që është i varfër, nuk do të mjaftonte etiketimi që mund t’u bëhej si njerëz faqezinj. Ata gazetarët e atyre dy gazetave ruse, me sa duket, standartin e jetesës së popullit rus e matnin me kutin e miliarderëve dhe të milionerëve të Moskës dhe të Peterburgut.
Por ata gazetarë, racistë në qëndrimin e tyre ndaj popullit shqiptar, le të mundohen të bëjnë ndonjë “teferiç” deri në fshatrat që shtrihen në këmbët e maleve Urale, apo përtej tyre, në Siberi, të ngjiten në Arhangelsk, ose të zbresin poshtë, deri në shpatet e Kaukazit, që të njihen më mirë me standartin “e lartë” të jetesës së popullit rus.
Lexuesve të nderuar po ju sjell në vëmendje një njoftim të vitit të kaluar për gjendjen ekonomike të Rusisë:
“Populli i thjeshtë rus është lodhur tashmë nga arbitrariteti i regjimit të Kremlinit, i cili e ka çuar vendin në mjerim dhe në humbjen e shpresave. Një qytetare me prejardhje nga Kaukazi, që banon në Irkutsk (qytet në Siberinë Lindore – E.Y.), Valentina Nikollajevna, ia përcjell fjalët e veta Presidentit të Rusisë Putin. Atë e shqetëson tej mase fati i Rusisë, ajo nuk dëshiron që ne ta humbasim atdheun tonë. Dhe kjo grua jep alarmin për gjendjen e popullit në Rusi” (Citohet sipas: “Gllas naroda (Një zë nga populli): Ore Putin, deri në ç’derexhe e ke katandisur vendin dhe popullin”. Faqja e internetit “Livejournal”. 05 shkurt 2018).
Kur nga Moska u vura në dijeni për ato që qenë thënë e shkruar kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë, pas asaj ndeshjeje futbolli, më erdhën ndër mend fjalët e avokatit të shquar dhe personalitetit politik rus Vasilij Maklakov (1869-1957) , të thëna në një fjalim që ka mbajtur në Dumën ruse në gusht të vitit 1915 dhe të cituara nga ambasadori francez Moris Paleologu në kujtimet e veta:
“Rusia është modeli i shtetit, ku njerëzit nuk janë në vendin që u takon” [Moris Paleologu. “Carskaja Rossija vo vremja mirovoj vojnëj” (Rusia cariste në kohën e luftës botërore), Shtëpia botuese “Mezhdunarodnëje otnoshenjija”. Moskva, 1991, f. 9).
Kam jetuar dy vjet mes rusëve si student (gusht 1959 – qershor 1961) dhe, megjithëse në moshë të re, jam munduar të hyj në psikologjinë e njerëzve të thjeshtë të atij vendi të madh. Një popull me një traditë mikpritëse befasuese, me një shpirt të gjerë dhe të qetë, si stepat e pafundme dhe si rrjedha e Vollgës ujëplotë. Jam i bindur se populli i thjeshtë rus e do dhe e respekton të vërtetën. Prandaj, sikur klasa politike ruse, sikur intelektualët rusë, sikur mjetet e informimit pamor dhe shtypi i shkruar, t’ia kishin thënë opinionit publik rus të katër të vërtetat në sy për Çështjen e Kosovës, a thua se mund të mbahej ai qëndrim aq i egër ndaj NATO-s dhe sidomos ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë bombardimeve kundër Serbisë? A thua se afshi i dashurisë për serbët do të njihte kuota aq të larta si kurrë ndonjëherë? A thua se për shqiptarët do të flitej e do të shkruhej aq keq si asnjëherë? Se është paradoksale ta mendosh se si qenka e mundur që dashuria e rusëve për serbët të ushqehet me mosrespekt apo urrejtje ndaj shqiptarëve? Atëherë mos u dashka menduar që populli rus qenka i indoktrinuar deri në palcë me mëri, me urrejtje për kombin shqiptar? Një gjë e tillë mund të jetë edhe e vërtetë, se kombi shqiptar në Evropën Juglindore, në masën 90%, është i besimit mysliman. Por rusët, për arsye të indoktrinimit të tyre ortodoks, marrëdhëniet e serbëve dhe të grekëve me kombin shqiptar, në shumicën dërrmuese të besimit mysliman, i vlerësojnë pikërisht nën prizmin e këtij indoktrinimi, që është përçues i urrejtjes kundër elementit mysliman në Evropën Juglindore. Ky lloj indoktrinimi ka bërë që në psikologjinë e popullit rus të lindin ca paragjykime, të cilat janë krejtësisht të huaja dhe të papranueshme për kodin filozofik të popullit shqiptar. Kështu, në gjuhën ruse haset një shprehje frazeologjike tepër domethënëse: na russkij bajram, e cila në gjuhën shqipe përkthehet: asnjëherë, kurrën e kurrës. Po cili është motivimi i kësaj shprehjeje frazeologjike? Për këtë le të shikojmë se çfarë thonë burimet shkencore të frazeologjisë së gjuhës ruse:
“Bajrami, ose fitër-Bajrami, është festa e mbarimit të agjërimit në kalendarin mysliman. Shprehja është një oksimoron (një figurë stilistike – E.Y.) që bazohet mbi pamundësinë logjike të festimit nga ana e të krishterëve të një feste fetare myslimane” [A.K. Birih, V.M. Mokijenko, L.I. Stepanova. “Sllovar russkoj frazeologii. Istoriko-etimollogiçeskij spravoçnjik” (Fjalor i frazeologjisë ruse. Manual historiko-etimologjik). Sankt-Peterburg 2001, f. 39].
Kjo shprehje frazeologjike e gjuhës ruse më bën të ndihem gjakftohtë, kur kujtoj ca ditë të qëndrimit tim në Kosovë, në nëntor të vitit 1999, kur, si përkthyes, po shoqëroja ca gazetarë rusë. Në një bisedë të lirë me ta, për gjëra nga më të ndryshmet, në hollin e “Grand Hotel”-it, ata u befasuan kur morën vesh se në varrezat e shqiptarëve prehen pranë e pranë eshtrat e myslimanëve, të katolikëve dhe të ortodoksëve. Unë, si shqiptar mysliman i paindoktrinuar, e kuptoja fare mirë befasimin e tyre, kurse ata, si ortodoksë të indoktrinuar, nuk e kuptonin dot gjakftohtësinë time. Vetëm ky fakt i thjeshtë i prehjes së eshtrave të bashkatdhetarëve të mi të besimeve të ndryshme fetare në të njëjtat varreza, tregon frymën e admirueshme të tolerancës që ka pasë karakterizuar në shekuj kodin filozofik të popullit shqiptar, tregon se sa fisnik është kombi shqiptar në krahasim me kombet e tjera. Toleranca proverbiale fetare e shqiptarëve është e përjetësuar bukur fare në një këngë të vjetër të Veriut të vendit tonë, në të cilën del mirë në pah se si shqiptarët e besimeve të ndryshme i festojnë bashkërisht festat fetare:
“Turk Isuf e Lulash Ndré… / Hajshin mish e pishin venë, / Nuk e njihte qeni qenë, / Cili â turk, cili â i kshtênë!” (Tahir N. Dizdari. “Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe”. Tiranë 2005, f.1055).
A nuk duhej vallë që ata gazetarët rusë të shkruanin dhe të flisnin me zë të lartë për tolerancën e shkëlqyer fetare që karakterizon mbarë kombin shqiptar, për t’ia bërë atë të njohur mbarë opinionit publik rus? Nuk e di se çfarë shkruan dhe çfarë folën ata gazetarë kur u kthyen në Moskë, se nuk më dërguan asnjë informacion, siç ma patën dërguan gazetarët ukrainas nga Kievi, të cilët, po në vitin 1999, i pata shoqëruar tri herë si përkthyes gjatë vizitave të tyre në Kosovë.
E vlen të theksohet fort se klasa politike ruse keqpërdor natyrën e urtë, të bindur, të duruar të popullit rus dhe, duke u mbështetur tërësisht në të dhëna të falsifikuara nga burime serbe, e keqinformon rregullisht mbarë opinionin publik rus për të vërtetën rreth Çështjes së Kosovës. Ndryshe s’ka se si shpjegohet që një personalitet i lartë i politikës ruse, ish-ministri i jashtëm, Igor Ivanov, të shkruante kësisoj:
“Po vijnë dëshmi alarmante (me siguri nga burime serbe – E.Y.) që tregojnë se pushteti “në hije” në Kosovë, gjithnjë e më shumë po kalon në duart e grupimeve të ndryshme që janë të lidhura ngushtë me organizata kriminale ndërkombëtare, me narkobiznesin, me ekstremizmin islamik” [Igor Ivanov. “Vnjeshnjaja politika Rosii i mir. Statji i vëjstuplenjija” (Politika e jashtme e Rusisë dhe bota. Artikuj dhe fjalime”. Shtëpia botuese “Rosspen”. Moskva 2000, f. 231).
Asokohe, kur Igor Ivanovi shkruante kësisoj, Kosova kishte një vit që ndodhej nën mandatin e OKB dhe as që mund të bëhej dhe as që bëhej fjalë se atje na paskej ekzistuar një tjetër pushtet, “në hije”, veç atij të UNMIK-ut. Por tërë halli i Beogradit dhe i Athinës ishte që Kosova, përmes personaliteteve të larta të Moskës, të reklamohej në sytë e opinionit publik rus si “qendër” e ekstremizmit islamik, të cilin mund ta mbakej në zap vetëm “dajaku serb”. Me pikësynimin e tyre që Kosova të mbahej sa më larg statusit të pavarësisë. Në këtë mënyrë, Igor Ivanovi, informacionin e rremë që merrte nga Beogradi për Çështjen e Kosovës, “ia bënte dalje”, ia shiste mbarë opinionit publik rus për “ar të kulluar”, duke dhënë ndihmesën e vet për ngulitjen në radhët e opinionit publik rus të ndjenjave historikisht armiqësore të politikës ruse jo vetëm ndaj popullit shqiptar të Kosovës, por edhe ndaj mbarë kombit shqiptar.
Vitet që kanë kaluar që pas vendosjes së pluralizmit, duhej të kishin ndikuar sadopak që Rusia të mendonte më shumë për veten e vet, që rusët, siç vëren me shumë objektivitet princi Meshçerski, të ishin para së gjithash rusë e pastaj sllavë. Me këtë rast, dëshiroj të citoj përsëri Moris Paleologun, i cili, kur flet për popullin rus, thekson në një mënyrë bindëse:
“E çuditshme është psikologjia e këtij populli, që është i gatshëm të bëjë sakrifica nga më fisniket, por që, në shkëmbim, shumë shpejt e pllakos dëshpërimi dhe pikëllimi dhe që paraprakisht i bie në pjesë më e keqja” (po aty, f.135).
Prandaj Beogradi, në qëndrimin ndaj Moskës, fsheh brenda vetes mosmirënjohjen tradicionale, sa herë që “hedh lumin” me ndihmën e saj, kurse Moska përjeton vetëngushëllimin për këtë pabesi të tij, duke u rrekur më kot të vetëbindet se serbët “i ka” dhe “do t’i ketë” në anën e vet, si “varkën e fundit të shpëtimit” të reputacionit të saj të gremisur në gadishullin tonë.
Të lënë mbresa të thella edhe fjalët e poetes së shquar ruse, zonjës Olga Sjedakova, e cila thotë:
“Rusia është atdheu i hidhërimit dhe nëse dikush e do, e do pikërisht për këtë gjë, për atë që njerëzit këtu dinë të vuajnë dhe të durojnë” (Intervistë, dhënë zotit Agron Tufa. Moskë, 14 janar 1991. Citohet sipas: “Fjala”, suplement kulturologjik i gazetës “Tema”, 9-10 shkurt 2003, f. 10).

PO SHTOHET REZISTENCA BOTËRORE NDAJ UDHËHEQËSVE AUTOKRATË – Nga Frank Shkreli

Organizata jo-qeveritare ndërkombëtare, “Human Rghts Watch” me qëndër në Nju Jork, e cila merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, botoi para disa ditësh në Berlin raportin e saj vjetor për 2019. Siç dihet, kjo organizatë, si mbështetëse e të drejtave të njeriut, ka si mision të vetin ushtrimin e trysnisë ndaj qeverive, politikanëve dhe shkelësve të ndryshëm të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, duke u kërkuar atyre që të prononcohen dhe të denoncojnë abuzimin e të drejtave të njeriut, kudo që ndodhë. Po vihet re një prirje botërore, gjithnjë në rritje, për të rezistuar abuzimet e të drejtave të njeriut nga ana e udhëheqësve autokratë, deklaroi organizata Human Rights Watch, duke paraqitur raportin e saj vjetor, për vititn 2019. “Në radhët e Bashkimit Evropian, në Kombet e Bashkuara dhe anë e mbanë botës, koalicione shtetesh, të mbështetura nga grupe civile dhe nga protesta popullore, po rezistojnë politikat e udhëheqësve populistë, të cilët ndjekin politika që nuk janë në përputhje me të drejtat e njeriut”.

Në raportin vjetor prej 674 faqesh të Human Rights Watch, flitet për “anën e errët” të politikave të udhëheqësve autokratë dhe mbi gjëndjen dhe praktikat e zbatimit ose jo të të drejtave të njeriut, në më shumë se 100-vende. Kosova përmendet shkurtimisht, por Shqipëria nuk përmendet në raport, por ndërkaq theksohet se mungesa e shumë shteteve në raport nuk do të thotë se ato vende nuk kanë probleme me të drejtat e njeriut dhe me qeverisje autoritare, por thjesht, është bërë për mungesë burimesh financiare dhe personeli në vendet që nuk pasqyrohen në raportin vjetor të Human Rights Watch.

Në parathënien e raportit, Drejtori Ekzekutiv i Human Rights Watch, Z. Kenneth Ross thekson se lajmi më me rëndësi për vitin që kaloi është në të vërtetë rezistenca popullore ndaj prirjeve autoritare, duke i kundërshtuar politikat e tyre anë e mbanë botës. Kjo rezistencë ndaj sulmeve kundër demokracisë nga udhëheqës të caktuar autokratë, sipas tij, vihet re sidomos në Evropë, në përpjekjet për të ndaluar gjakdherdhjen në Siri, në protestat për të sjellur para drejtësisë personat që po kryejnë spastrime etnike kundër myslimanëve në Myanmar, kundërshtimet e politikës saudite në Jemen, protestat kundër armëve kimike si dhe kërkesat për një hetim të gjithanshëm për vrasjen e gazerit sauidt, Jamal Khashoggi, e të tjera.

Të njëjtit udhëheqës populistë, të cilët po përhapin urrejtje dhe mos tolerancë, po nxisin një rezistencë mbarë popullore, rezistencë e cila është duke shënuar fitore kundër tyre”, u shpreh Z. Ross, duke shtuar se, “Fitorja kundër tyre (atuokratëve) nuk është siguruar ende, por sukseset e shënuara vitin që kaloi, sugjerojnë se abuzimet e qeveritarëve autoritarë, janë duke shkaktuar kundër sulme të fuqishme ndaj tyre, nga mbështetsit e të drejtave të njeriut”. Në Evropë, për shembëll, gjatë vitit që kaloi, mbështetja për të drejtat e njeriut u shpreh në forma të ndryshme, me protesta nepër rrugë si dhe mbrenda institucioneve. Në një demokraci perëndimore, nuk është i lehtë sundimi autoritar dhe tolerimi i tij. Kjo u vu re në Hungari dhe në Poloni, ku populli polak dhe hungarez reaguan ndaj atyre që ata i shikuan si kufizime të lirive të tyre bazë duke protestuar politikat e Kryeminstrit hungarez, Z. Viktor Orban dhe të Presidentit polak Andrzej Duda. Ndërsa raporti përmend si shembëll edhe zgjedhjet e nëntorit që kaloi këtu në Shtetet e Bashkuara, duke përmendur fitoren e demokratëve të opozitës, të cilët tani kontrollojnë Dhomën e Përfaqsuesve — si një reagim të votuesve amerikanë ndaj asaj që raporti e cilëson si politikë, “frikësimi” e Presidentit Trump, një reagim ky, sipas Z. Roth, nga poshtë lart.

Në parathënien e raportit të Human Rights Watch thuhet se Bashkimi Evropian dhe disa vende anëtare të saj u treguan mbështetse të forta të drejtave të njeriut, madje edhe përtej kufijve të tyre. Kancelarja e Gjermanisë, Angel Merkel dhe ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas kanë kritikuar publikisht Presidentin e Rusisë, Z. Vladimir Putin, Presidentin kinez, Z. Xi Jinping dhe Presidentin e Turqisë, Z. Recep Tayyip Erdogan, si abuzues të të drejtave të njeriut dhe shtypës të opozitës politike, të gazetarëve dhe aktivistëve të drejtave civile, thuhet në parathënien e raportit vjetor të Human Rights Watch. Por, megjithë sukseset e shënuara kundër autokratëve vitin që kaloi, aty thuhet se jo të gjitha prirjet ishin pozitive në fushën e të drejtave të njeriut. Raporti thekëson se autokratët e sotëm politikë, po përpiqen të fajësojnë grupe të shoqërisë që mund të jenë kundër tyre, me qëllim për të shtuar mbështetjen popullore për ndaj tyre dhe partive politike që ata përfaqësojnë. Këta autokratë, thuhet aty, po dobësojnë ato që në anglisht cilësohen si “checks and balances” të një shoqërie, ose balancimi dhe kontrolli i detyrave dhe i përgjegjësive midis degëve të ndryshme të qeverisjes, duke përfshirë gjykatat e pavarura, legjislativin, median e lirë dhe grupet civile. “Autokratëve u përshtatet shkelja e të drejtave të njeriut, sepse kështu ruajnë pushtetin dhe mbushin xhepat. Në këtë mënyrë ata shpërblejnë miqtë. Këto janë arsyet pse qeveritë duan të shkelin të drejat e njeriut”, thekson raporti vjetor i Human Rights Watch.

Drejtori Ekzekutiv i organizatës Human Rights Watch, Z. Roth përfundon duke thënë se, “Përpjekjet dhe terreni në mbrojtje të të drejtave të njeriut po ndryshojnë për nga forma dhe për nga pjesëmarrësit, ndërkohë që disa mbështetës të vjetër të këtyre të drejtave nuk janë më të tillë… por nga ana tjetër, koalicione të forta dhe efektive janë themeluar për të kundërshtuar qeveritë të cilat nuk janë përgjegjëse ndaj popujve të tyre dhe të cilët njëkohësisht nuk respektojnë as të drejtat e tyre bazë të njeriut.”

Sfidat ndaj respektimit të drejtave të njeriut mbeten anë e mbanë botës, megjithë sukseset e arritura vitin që kaloi, sipas raportit. Megjithëse tani standardet ndërkombëtare për të respektimin e të drejtave të njeriut janë bërë pjesë e rëdnësishme e vlerësimit se si qeveritë trajtojnë shtetasit dhe të drejtat e tyre – të drejtat bazë të njeriut vazhdojnë të jenë të kërcënuara nga politikanët autoritarë të cilët shohin gjithnjë përfitime politike dhe ekonomike për veten dhe të tjerët kur shkelin dhe abuzojnë me të drejtat e njeriut, thekësohet në raport. Por u takon mbrojtësve të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut që të bindin qeveritë dhe udhëheqsit autoritarë se do të paguajnë një çmim të lartë për sjelljet e tyre dhe se nuk ia vlen të ndiqet një politikë e tillë nga qeveritarët autoritarë. Organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch premton se vitin që vjen do të shtrijë hapësirën e një veprimi më energjetik në mbrojtje të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, nga abuzimi dhe shkelja e këtyre të drejtave bazë, prej qeverive dhe udhëheqësve politikë autoritarë.

KONGRESI I LUSHNJËS OSE PAVARËSIA E DYTË E SHQIPËRISË – Nga VISAR ZHITI

– Një letër Presidentin Wilson dhe drama e atyre njerëzve –

Sa larg është Kongresi i Lushnjës? – Është një pyetje që mund t’u bëhet shqiptarëve. Sa larg nga çfarë dhe nga cilët? Si kohë 99 vjet më parë. Si hapësirë, po të nisemi… nga ku? Nga Europa, nga ç’vend, nga Zvicra? Ka gjithë ato male përpara… ndërsa nga Amerika? Larg, shumë larg, është një oqean në mes, duhet të shkosh në Europë, në Mesdhe, në Ballkan, në brigjet e Adriatikut… Nga kryeqyteti i Shqipërisë, që pikërisht ky kongres caktoi Tiranën si të tillë, është 84.57 km. Në vijë ajrore shumë më pak.
Dhe mua do të më interesonte ajri, fryma. Se ishte kuvendi i një vendi të vogël mes rreziqesh të mëdha, që ëndërronin të ishin një Zvicër, të cilit SHBA i dha mbështjetjen e vet, aq jetike dhe ekzistenciale për kombin shqiptar. Po sa pranë frymës së atij kuvendi është kujtesa? Po shteti shqiptar dhe institucionet e tij? Po njerëzit?
Ndërsa Pavarësia e Shqipërisë dhe shpallja e shtetit modern shqiptar janë futur tashmë në shekullin e dytë të jetës së tyre, saktësisht në vitin e shtatë të tij, ndërkaq më 21 janar mbushen 99 vjet nga Kongresi jetik i Lushnjës ose “Pavarësia e Dytë e Shqipërisë”, siç është cilësuar.
Gjëndja e Shqipërisë në kohën e këtij Kongresi ishte e rëndë, alarmante, e rrëmujshme dhe e paqartë nga brenda; kërcënuese dhe tejet agresive nga jashtë. Ishin mprehur hanxharët si në një kasaphanë dhe po kërkonin të bënin copëtimin e dytë dhe përfundimtar të Shqipërisë.
Përfaqësues, të përzgjedhur apo të vetëcaktuar, nga të gjitha trevat e vëndit, kush e ndjente e mundëte, nga ata që kishin bërë emër, kryengritës a nëpunësa, që kishin qenë në Vlorë 8 mote më parë në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë, që kishin punuar në perandorinë otomane apo kishin studiuar nëpër Europë, që kishin mërguar deri në Amerikë, nga ata që kishin bërë për vendin dhe kishin sakrifikuar, u nisën për në Lushnjë, me ndonjë makinë, nga ato të pakat që ishin atëhere, e ngadaltë si qerret, me kuaj, në këmbë, kaptonin male, çanin borën dhe baltën e dimrit, rreziqet nëpër shtigjet ku mund të gjendeshe befas mes ushtrive të huaja.
“Të mblidhemi në Lushnjë!” ishte thirrja. Qeveria heroike dhe halle madhe e Ismail Qemalit ishte shprishur. Lufta e Dytë Botërore kishte mabruar, por pasojat jo. E si u lajmëruan shqiptarët të mblidhen në Lushnjë? Si u përcoll lajmi 99 vjet më parë, në vendin më të varfër në Ballkanin e trazuar, ku mungonin universitetet, trenat, postat, media, institucionet, shteti vetë, etj, etj? Si kaloi lajmi nëpër ajër me ç’frymë?
Dhe erdhën, u bashkuan. S’i caktoi kush, veç ndërgjegjia dhe përgjegjësia. Thirrja nga thellësitë e zërave të Kombit. Pra, jo me vota të blera, por sipas bëmave sakrificave dhe arritjeve. Jo për të bërë pasuri, por përkundrazi, duke humbur nga e tyrja veç “të bënin Shqipëri”.
U mblodhën në Lushnjën e vogël, ende katund.
Qëllimi ishte që jo vetëm të gjykonin dhe të vendosnin se ç’duhej bërë në ato rrethana të rënda e me rrezikun mbi krye, jo vetëm të tyre, por të Shqipërisë, dhe të vepronin menjëherë, me diplomaci e luftë, duke përcaktuar aleatët, nëse do të kishte, pra ata që do të mund të ndihmonin në shpëtimin e Vëndit. Se gjysma e trojeve i ishin marrë dhe po kërkohej copëtimi dhe i kësaj që kishte mbetur.
Kongresi i Lushnjës në 10 ditët e punimeve të tij, ribëri shtetin shqiptar, caktoi kryeqytetin, Tiranën, Kryeministrin dhe Qeverinë e tij për t’i dalë zot vendit, institucionet dhe detyrat.
Dhe u arrit mrekullia. Me përpjekje, sakrifica, përkushtim dhe mënçuri, mbi të gjitha nga fryma e përbashkët e të gjithave. Kjo i dha forcë që të siguronte mbrojtjen e Kongresit një emëri, pothuajse i panjohur, Sulë Zdrava, me luftëtarët e vet, me atë pushkë që kishte marrë pjesë dhe në Rrethimin e Shkodrës apo kishte mbrojtur Beratin nga andartët grekë.
Duke mos hyrë në zejen e historianit, për të mos thënë ato që tashmë janë arkivuar në historinë e Kongresit shpëtimtar të Lushnjë, ndërsa qeverive të tanishme u del si detyrë jo vetëm që t’i njohin thellë dhe t’i përkujtojnë, por t’i kthejnë në përvojë e mësime, unë dua të risjell këtu një letër, që më çudit me largpamësinë, dërguar në SHBA nga Lushnja e humbur e Shqipërisë së vogël e në rrezik Presdentit të SHBA.

LETËR NGA LUSHNJA NË WASHINGTON

Kryetari i Katundarisë së Lushnjës, gati një muaj pas mbarimit të Kongresit, më 17.3.1920, dërgon një letër në Washington. Dhe kujt? Presidentit të SHBA-së, Wilsonit.
Letër e mrekullueshme, e sinqertë, e qartë, me fjalë të zgjedhura, e ndjeshme, pa stërhollimet dinake kancelareske, e urtë dhe me dije, e bukur, vizionare për të ardhmen. Përfytyroj gjyshërit tanë të mbledhur rreth atij që shkruante, fjalët që thoshin me zë, hiq këtë fjalë, shto këtë, po si t’i drejtohemi? Kujdes këtu, mos e zgjat shumë “e-rej, se isht Presidenti më i madh i botës, lale”, etj, etj. Kërkonin njohje të Shqipërisë, mbështetje dhe ndalim të copëtimit të mëtejshëm.
Letra është e shkruar me dorë, me stilolaps mbase dhe pastaj është transkriptuar dhe gjendet në Arkivin e Shtetit. Meriton vëmendje shkencëtari. Orientimi i drejtë i shqiptarëve mes atij kaosi drejt SHBA-së. Ndjesia e fuqishme e atdhedashurisë, Shqipëria quhet Mëmë dhe dhimbja therëse për Kosovën dhe Çamërinë. Ja, teksti i saj i plotë, pa asnjë ndryshim dhe në drejtshkrim:

Shkëlqesisë së Tij Wilson, kryetar t’Amerikes
I shteteve të bashuem Vashington
Shqiptarët që kanë mbështun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh. S’Uaj, sot iu luten të të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshir madh që jeni tye kryer për shpërtimin e atdheut tyne.
I nalti kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-es, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufite natyrale ethnografike të sh. s’uej nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.
Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike.
Kryetari Katundaris së Lushnjës
Lushnjë, më 17.3.1920

Po si ia çuan atë letër historike Presidentit Wilson? Shqip? Po kush e përktheu? Ç’do me thënë ‘Kryetar i Katundarisë’? A, qenka Kryetari i atëhershëm i Bashkisë, zoti Besim Nuri. Mes atij analfabetizmi të madh, varfërisë e malarjes e trallisjes kombëtare, si iu arrit kësaj largpamësie, me ç’mister dhe ç’engjëll i mbronte? Ja, një nga kronikat e kohës:
“…në fillim të vitit 1920 Wilsoni i irrituar refuzoi ta pranonte propozimin britanik, francez e italian për ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë: Jugosllavia do të merrte veriun, Greqia jugun, kurse italianët do të kishin mandatin për ta qeverisur një shtet të vogël shqiptar që do të mbeste pas kësaj rrudhjeje. Vlora do të bëhej pjesë e Italisë. Britanikët dhe francezët po përpiqeshin ta arsyetonin planin e tyre duke thënë që “populli shqiptar kurrë s’ka qenë në gjendje ta themelojë një qeveri të veten”. Wilsoni fuqishëm refuzoi, siç tha vetë ai, “padrejtësinë” ndaj popullit shqiptar. Ai prej njerëzve vlerësohet që vetë i dha fund idesë së ndarjes dhe një mandate italiane që ka qenë në zemër të negociatave në Versajë. Bile edhe në atë kohë, përfaqësuesi i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, shkruante në gazetën “New York Times” të 11 marsit: ‘Shpëtimi i vendit tim i mbetet borxh tërësisht veprimit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara’”…

Në kryeqytetin që caktoi Lushnja, në Tiranë, u ngrit më së fundmi në shtatorja e Presidentit Wilson në sheshin që iu dha emri i tij, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, por po në atë bronz meriton të derdhet dhe kjo letër-institucion dhe të vihet si memorial në Lushnjë, në sheshin para Bashkisë a para Shtëpisë së Kongresit, pse jo dhe në Muzeun Kombëtar në Tiranë.

FRYMA NË DRAMËN E KONGRESIT

Vetë Kongresi i Lushnjës është një dramë, por dhe për atë ka një dramë të shkruar, e një gjysmë shekulli më parë, por ende gati e panjohur, edhe pse e vetme, që sjell më së miri atë frymë e popull. Është vepër e dramaturgut Hekuran Zhiti, aktor në Teatrin e Estardës së Lushnjës, tashmë “Qytetar Nderi” i atij qytetit.
Drama “Të mblidhemi në Lushnjë” ishte menduar të vihej në skenë në kushtet e atëhershme, plot mangësi, por harrimi i saj i bën dhe më të mëdha mangësitë. Arriti të botohet postume nga editori “Uegen” me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit, ndërsa në gjimnazin e Lushnjë nxënësit e vunë në skenë për veten e tyre. Akt prekës, por vetëm kaq.
Vendi ynë vazhdon të harrojë shumë dhe të bëjë pak, shumë pak për ato që do të duheshin dhe konsumohet me tepri për ato që s’do të duheshin dhe aq, që janë kohëhumbëse, deri dhe të dëmshme si diktaturat, s’e kam fjalën për atë të madhen, që erdhi me dhunë botërore dhe u vendos në gjysmën e kontinentit të Europës, në Azi, Afrikë e deri në Amerikë dhe besojmë se iku përgjithmonë, por si pasojë e saj, prej arsenalit të saj, trashëgimisë dhe mendësisve e praktikave gëlojnë “diktaturat e vogla”, gjithsesi të hatashme, të institucionalizuara si varfëria dhe korrupsioni e për pasojë sherret, marrëzi e delire, një mediokritet kombëtar i pashëmbullt.
Si kundërveprim po sjellim këtu pak nga fryma e dramës, nga akti i tretë.

Në Kongres:
Salla me 10 ose 12 sërë karrikesh. Në krye një tryezë e madhe, në anë të saj një flamur kombëtar me shtizë dhe një portret i Skënderbeut në njërën dhe i Ismail Qemalit në anën tjetër. Kongresistët, disa me veshje karakteristike të Veriut dhe të Jugut dhe disa me kostume europiane, barsolina e gravata e çanta, janë shpërnarë në grupe, dy e nga tre, duke biseduar…
Lushnjarë e bashkë me ta e të tjerë të armatosur, Vathi, Bajrami, Vrenozi, Thimiu, etj., si roje rrinë pak larg, hyjnë dhe dalin.
ZËRA:
– …kam ardh mes borës, ujqve dhe ushtrisë serbe…
– E madhe shtëpia… e mblodhi Shqipërinë…
– …nuk kanë mbrritë të gjithë…
– …ku ishit mbrëmë?
– Këtu afër. Na kanë pritur me këngë. Këndonin me rradhé dhe dilnin bënin roje me pushkë jashtë shtépisé…
– …kush e kishte Korçën, grekërit apo fracezët?
– Francezët për grekërit…
– Shiko Plakun e Butkës… legjendarin…
– … sa kohë që s’jemi parë? Qysh në Vlorë,
– …atë ditë kur u ngrit flamuri…
– A fillojmë, burra? Koha nuk pret…
– I përndershmi Sheh Karbunara do t’i bëjë një lutje Zotit, që të na bekojë… ogur i mirë… në mbrojtje nga të papriturat e shumta… ka kaq trazira…
(Të gjithë pa lëvizur nga vendi ngrijnë në heshtje dhe secili, sipas menyrës së vet, luten, dikush me kokën lart, me duart e bashkuara, me kryet ulur, ndonjë gjunjëzohet, mërmërisin, etj., në mes tyre Sheh Karbunara i statujtë duke krijuar kështu një si grup skulpturor sugjestionues, suprem…
– Përfaqësuesi i Lushnjës ta marrë fjalën… Zoti Vokopola nise…
PËRFAQËSUESI I LUSHNJËS- Në emër të Prefekturës së Lushnjës, Beratit e Skraparit ju uroj mirëseardhjen në Kongres. Nuk jemi këtu vetëm në shtëpinë e mikut tonë bujar, lushnjarit të nderuar Kaso Fuga, por dhe brenda mureve të historisë. Po nisim një betejë, sot më 21 Janar 1920, e mërkurë, që nuk do të harrohet, e ndjej… (emocionohet) Zini vendet… në këtë sallë… por dhe në ngjarjet që na presin…
Ia jap fjalën patriotit të flaktë, veprimtarit të palodhur kundër pushtimit otoman, mbështetësi kryesor i Ismail Qemalit, ministër në qeverinë e parë, Elbasan Pashës, i zbardhur në përpjekjet për çështjet e më mëdheut. Urdhëroni!
ELBASAN PASHA (I moshuar, me pak mjekërr të bardhë, i hollë, i thatë, me kravatë e qylaf, me zë të ngadaltë e pak të ngjirur.) Të dashur qytetarë, delegatë nga i gjithë vendi, ju që keni ardhur dhe ata që nuk kanë arritur ende, por dhe ata që nuk do të vijnë dot kurrë se janë vrarë për ideal, (duartrokitje të forta), luftëtarë, burra që më bëtë nderin ta çel këtë kuvend, vazhdim i atij të Lezhës me Skënderbeun dhe i atij të Prizrenit me Abdyl Frashërin me shokë, duke ju falenderuar me shpirt, shpall të hapura punimet. Së bashku të hapim udhën që do të ndjekim. Nëpër vazhdën e gjakut do të shkojmë ku na e do zemra e plasur që të arrijmë te ëndrra, atje ku na e do puna, sipas amanetit të të parave. Shqipëria është bërë një herë dhe nuk ka pse zhbëhet!
Duartrokitje.
Zotërinj, jeni të lodhur, e di, keni ardhur rrugë e pa rrugë, mespërmes pushtonjësve të Shqipërisë, kjo na ka vrarë më shumë se sa të tatëpjetat e shtigjet e humnerat, se nata me erë e bora, kemi ecur me mjete që prisheshin, kështu e lanë atdheun tonë, me karroca e kuaj e më këmbë, po u shplodhëm që gjetmë sho-shoqin e do të bëhemi me flatra kur të gjejmë dritën që na duhet.
Kam kërkesën që të nderojmë dëshmorin e kësaj ideje, bashkëpunëtorin tonë të ngushtë, Abdyl Ypin, që e vranë ca ditë më parë për të mos qënë këtu ai dhe të gjithë ne e ky Kongres të mos mbahej. Nëpërmjet tij duam të përulemi para gjithë të rënëve dhe martirëve të Kombit…
Të gjithë ngrihen më këmbë. Heshtje e thellë…

KRYETARI (i porsazgjedhur) – Të vazhdojmë më tej… të formojmë komisionet, që tani, të ndahen përfaqësonjësit në grupe dhe… Po emërojmë Sekretarin e Kuvendit, zotin Vokopola dhe për të këqyrur letërpërfaqësimet e delegatëve, pra një komision të posaçëm prej 5 vetash… Hë, të presim… për të mos pritur…
DELEGATI I MATIT- (ngrihet) Unë jam për sulm, i përndershmi Sheh!
ZËRA- Me shka, me çfarë?
DELEGATI I MATIT- Me armën e diplomacisë, me diplomacinë e armëve.
DELEGATI IV- Konkretisht: burra, gra, djem e pleq, me spata e me hunj, me armët që kemi, të përzëmë armiqtë nga toka jonë. Të hedhim si leckë qeverinë e sotme, që nuk bën për sot. (Duartrokitje)
KRYETARI- Traktatin e Fshehtë të Londrës… Kongresi e hedh poshtë me vendosmëri duke përgatitur një protestë energjike për Konferencën e Parisit.
Kjo bëhet në emër të Asamblesë së Kombit në Lushnjë, kundra vendimeve të Francës, Anglisë, Italisë për copëtimin e Shqipërisë ndërmjet Italisë, Greqisë, Sërbisë e Malit të Zi. Rezolutën, na vjen një kërkesë, përfundoje kështu (lexon): Shqiptarët janë gati të bëjnë çdo lloj sakrifice dhe me e derdh pikën e fundit të gjakut të tyre kundra çdo veprimi, që mundet me vue në rrezik pamvarësinë dhe tërësinë e saj tokësore…
Ndizen drita ngadalë, salla e kuvendit, përfaqëuesit nëpër vende, kongresi vazhdon punën…
SHEH KARBUNARA- Të tregojmë që dimë të qeverisim. Shteti i pavarur shqiptar është realitet. Kështu kanë bërë dhe disa shtetet të tjera të robëruara, zotërinj, kështu Çekosllovakia, Finlanda, Polonia, Lituania… Edhe ne. Shtet i vjetër, qeveri e re!
ROJET E ARMATOSURA- Rroftë Qeveria e re!… (Duartrokitje)
NËNKRYETARI- Të përgatiten tekstet që do t’i dorëzohen Konferencës së Paqes në Paris dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sugjerime!
PLAKU I BUTKËS – T’i drejtohemi Parlamentit italian, por jo me ton të butë, kështu m’u duk se dégjova, me lal e me lule ose me tryla si thotë myzeqari. Me spatët dardharit siç e përdorin nga Korça…
PËRFAQËSUESI I MATIT – Shkronjat duhet të bjenë erë barut!….
VRENOZI- Zoti ka urdhëruar këtë Kongres për të shpëtuar Shqipërinë.
DELEGATI IV – Populli është mbret vetë dhe s’ka nevojë për mbretër, sulltanë e perandorë.
KRYETARI- Të gjykojmë situatën ku ndodhemi.
DELEGATI II – Kongresi do përballet dhe do krijojë situatë vetë. Ne na shkon republika, republika, zotërinj dhe asgjë tjetër.
Zëra: republikë, po, po republikë… THOMAJ- Mbështetur nga shumë pëlqime, mendoj të kemi kryeministër zotin Sulejman Delvina.
DELEGATI I- Tani ai ndodhet jashtë shtetit, në Konferencën e Parisit, pra askush këtu nuk mendoi tjetrin pranë a vetveten.
DELEGATI II- Gjithmonë më i mirë është ai që mungon… (Të qeshura)
KRYETARI- S’është ashtu gjithmonë. Ne i dimë vlerat e mëdha të zotit Delvina, rrjedh nga një familje ndër më të njohura dhe më të famshme në të gjithë Jugun. Ka kryer gjimnazin e Janinës dhe mandej në Stamboll. Fakultetin e Mylqijes në kryeqendrën e Perandorisë Osmane dhe pas marrjes së diplomës, siç e dini, ai u caktua menjëherë atasheut në Ministrinë e Brendshme të Turqisë dhe më pas si sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë. Po në ato vite, ai shërbeu si profesor i literaturës në Gallata Saraj, etj. Në Bibliotekë gjithmonë e gjeje me libra francezë, të kulturës dhe shkencës perëndimore, dihen dhe interesi i tij e adhurimi dhe mirënjohja për Amerikën…
DELEGAT II- Ai të vijë sa më shpejt.
Ministër i Punëve të Mbrendshme Delegatin e Matit, Zogun e maleve, trimin 25 vjeçar… po, po…
Ministër i Punëve të Jashtme z. Mehmet Bej Konica…
Ministër i Arsimit z. Sotir Peci…
Ministër i Drejtësisë z. Hoxhë Kadri Prizrenin… Zëvendës z. Hysen Bej Virjoni… Ministër Finance Z. Ndoc Çoba… Zëvendës z. Idhomen Kosturi…
Votohen. Duartrokitje…
KRYETARI- Tani nuk na mbetet gjë tjetër, veç të bëjë betimin Këshilli i Naltë dhe Qeveria e re dhe të gjithë delegatët për ato që marrim përsipër. (Heq flamurin me shtizë e del para tavolinës duke e mbajtur në dorë.) Urdhëroni, zotërinj, të bëjmë betimin më të lartë para Kombit.
Delegatët ngrihen në këmbë ndërsa të zgjedhurit afrohen para flamurit.
SEKRETARI- (Lexon me zë të lartë) “Betohem n’Emën të Perëndis, tue dhanë besën shqiptare e fjalën e nderit përpara Mbledhjes së Kombit, se do t’i shërbej popullit dhe shtetit shqiptar drejtësisht dhe mproj ligjet dhe indipendencën e plotë të atdheut të shenjtë!”
TË ZGJEDHURIT – (Një zëri) Betohemi!
Duartrokitje. Kryetari u jep dorën. Delegatët ulen.
NJË ZË- Dua të shtoj dhe poetin e madh Gjergj Fishta! Le ta kenë si sekretar më vonë…
NJË ZË TJETËR: – Rroftë Poeti!
Duartrokitje prapë.
KRYETARI- Kongresi i Lushnjës është Pavarsia e Dytë e Atdheut!
SEKRETARI- Si kujtim nga ky Kongres kemi ca flamurë të vegjël si lulkuqet e fushave me grurë të Muzeqesë, vërini nga ana e zëmrës. Këta do t’i shpërndajmë kudo.
Shpërndan flamujt e vegjël.
NJËRI NGA DELEGATËT- Ja, kështu dua ta kem plagën në gjoks në luftë për atdhe…
ZËRA TË ASHPËR- Jeni të rrethuar… ndalni!… Kongres i paligjshëm… Dorëzohuni… do ju shpërndajmë me forcë…
Jehona e kërcënimeve përsëritet në gjuhë të tjera, italisht, greqisht, serbisht: ndalni… të rrethuar…
MINISTRI I BRENDSHËM SHQIPTAR- Largohuni! Kongresi shqiptar është mbledhur si vullnet i popullit dhe jo në mëshirë të ndokujt, ushtri qoftë a qeveri e huaj. Po ju them që mos u përzieni në punët tona, përndryshe do ju godasim. Ne nuk duam armiq, por bëni mirë të largoheni nga Lushnja… dhe nga Shqipëria. Ndryshe do ju përzëmë dhe me luftë. Unë, bashkë me forcat e mia të armatosura do të marrshojmë drejt Tiranës!
NJË ZË I ASPËR- Kush jeni ju?
MINISTRI I BRENDSHËM- Ministri i Brendshëm i Qeverisë së vendit tim. Hapnu udhën!
ZËRI- Mos lëvizni.
MINISTRI I BRENDSHËM- Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjës. Ju përdorni armët që keni në dorë, në guxofshi. (Të vetëve.) Përpara me mua!
Hingëllima kuajsh, trokëllima… Bie perdja.
* * *

Kështu mbyllet kjo dramë dhe duket sikur hingëllimat e shqetësuara të kuajve vazhdojnë, po ndryshe, pa kuaj e kalorsa dhe pa barra mbi shpinë, britma gjithandej, sidomos brenda në parlament, ndërsa trokëllimat janë kthyer dhe në flakje çizmesh, dosjesh, batare armësh, etj.
Sa larg është salla e gjorë e Kongresit të Lushnjës me atë të Parlamentit shqiptar sot? Po antarët midis tyre? Nëse do të mateshin me idetë, përgjegjësitë, moralin? Atë kongres e kemi lënë prapa apo ai na ka lënë prapa 99 vjet?
Pa ardhur viti i 100-të t’i rikthehemi atij betimi autentik, të lartë me besë e fe e nder e përkushtim, me drejtësi dhe ligje, se të gjithë tani e gjithmonë jemi para “Mbledhjes së Kombit”, ndërkaq si një mister në dramë ndihet fryma e shpëtimit, si e dërguar nga Zoti, nga përtej oqeanit, nga shteti më i fuqishëm në botë, SHBA, që shqiptarët të gëzojnë Atdhe dhe pavarësinë e tij të ndjejnë të shenjtë, po kështu dhe të shërbyerit popullit tënd.

Duke reflektuar ose interferuar në filozofinë politike të Kryeministrit Haradinaj…. – Nga AGRON SHABANI

Të kesh forcën dhe guximin e njohur qytetar dhe politik për t´i vërejtur, qortuar, kritikuar ose kundërshtuar hapur ose publikisht “nihilizmin modern” dhe “atavizmin progresivë” së bashku me ikjen e botës, shtetit dhe shoqërisë moderne ose bashkohore nga diskursi global ose universal në retorikën, oratorinë ose frazeologjinë dogmatike, demagogjike, hipokrizike, ekskluziviste, proteksioniste, reaksionare ose anakronike që kanë për qëllim bartjen, relativizmin dhe reduktimin ekstrem të vlerave, moralit, resursëve dhe kapitalit të gjithëmbarëshem kontinental dhe interkontinentalë në një qark ose rreth të ngushtë vicioz ose biocenoz të “mbinjerëzve” ose “supermenëve” të ndryshem industrial, teknologkik, politik, ushtarak, finansiar ose ekonomik, të ngjanë në punë ose mision Herkulesi. Duhet të kesh urtësi dhe frymëzim platonik për t´i njohur dhe identifikuar problemet, sfidat dhe vështirësitë e hetueshme që ekzistojnë edhe në demokracitë më të përparuara të Perëndimit.

Ndërkaq, të kërkosh definicion ideal dhe final të demokracisë së lartë evroperëndimore, kjo nuk do të thotë automatikisht të braktisësh përfundimisht praktikën ose realitetin e njohur praktik dhe periodik në llogari të teorive ose ideve të njohura shkencore ose humaniste.

Kuptohet se pa ide, teori, koncepte, definicione dhe vizione të njohura shkencore ose humaniste, çfarëdollojë gjykimi do ishte i pamundur dhe i gabuar. Ndonëse, idetë ose idealet e njohura të demokracive të larta evroperëndimore ose kapitaliste, nuk paraqesin ndonjë model ose koncept të qartësuar dhe final i cili e ka arritur përsosjen ose perfeksionizmin e tij optimal ose maksimal. Jo. Sepse, idetë ose teoritë e ndryshme të demokracisë së lartë industriale ose kapitaliste, nuk përmbajnë ndonjë substrat ose substitut esencial ose substancial që do e imponin vetvetën e tyre si fakte ose realitete të pakontestueshme. Sigurisht.

Koncepti mbi demokracinë si një koncepcion shkencor ose metodologjikë, nuk do vlente aq shumë poqese nuk do të nxirrej nga kontekstet ose ndërthurjet dhe interferimet e njohura të interaksionit social dhe atij antropologjiko-epistemologjik. Përkatësisht, nga singularizimet, implikimet, amplifikimet, gërshetimet dhe konvergjencat e njohura eksterne ose eksplikative në mes socilogjisë, psikologjisë, antropologjisë, epistemologjisë, ontologjisë etj.

Ndryshe nga kjo, a është e mundur dhe si është e mundur që një lider i lartë shtetror, nacional, qeveritar ose politik (rasti konkret i kryeministrit kosovar, z. Ramush Haradinaj) si qenie individuale, të gjejë pajtim, kompromis ose konsenzus të përhershëm me grupin (kolektivitetin) ose shoqërinë e gjërë njerëzore ose qytetare si dhe me rregullat, nevojat dhe kërkesat e tyre optimale ose maksimale? Sidomos me opozitën e atjeshme parlamentare ose politike?

A janë të dënuar personat ose individët e ndryshëm institucional ose funksional të cilët për të përjetësuar dhe glorifikuar popullin (kombin) dhe shtetin e tyre, gjithëmonë janë të detyruar t´i braktisin, shkelin, dhunojnë, asgjësojnë dhe suprimojë lirinë, individualitetin, spontanitetin, identitetin, integritetin dhe eksksluzivitetin e vet personal, institucional ose politikë si z. Haradinaj? Në këtë kontekst të suspektshëm dhe tepër dubioz, pashmangshëm shtrohet pyetja tjetër: A është e mundur ndonjëherë të kënaqen dhe pajtohen mes veti të të gjitha rrymat ose shtresat (kategoritë) e njohura njerëzore ose qytetare? Sidomos liria individuale me lirinë kolektive. Duke i nënkuptuar këtu edhe ‘paqën sociale’ së bashku me harmoninë e gjithëmbarëshme shoqërore ose qytetare në mes teknokracisë ose “borxhezisë moderne”, proletariatit, sindikalizmit dhe politokracisë.

Kjo është njëra prej çështjeve më thelbësore ose themelore që mund të shtrohet edhe në shtetët dhe shoqëritë e pasura industriale ose kapitaliste, ku jo rrallë konceptet ose teoritë elitare dhe egalitare mbi shtetin dhe shoqërinë, jo rrallë bëhen konkubine ose kurtizane të parasë ose kapitalit. Duke iu nënshtruar diktatit ose monopolit material, sociial ose ekonomik. Ky mbase është edhe preokupimi kryesor i etikës, politikës, filozofisë, sociologjisë dhe psikologjisë politike.

Se këndejmi, me liri, drejtësi dhe barazi të gjithëmbarshme shoqërore ose qytetare, duhet nënkuptuar një koncepcion, ideal dhe vizion të përbashkët të jetës së organizuar në kuader të lirisë, drejtësisë dhe barazisë së njohur globale ose universale për të gjithë, ku sëcilit person ose individ i mundësohet liria dhe e drejta për të zënë vendin e merituar që i takon në pajtim me natyrën dhe karakterin e tij, me dëshirat dhe aftësitë e tij, me eduaktën, kulturën, emancipimin dhe arsimimin e tij, me potencialin, kapacitetin dhe profesionalizmin e tij e kështu me radhë….Duke i garantuar dhe siguruar në ndërkohë mirëqenien e familjes, shtetit dhe shoqërisë me punën ose angazhimin e tij profesional, funksional, institucional etj. Ose, praktik dhe teorik.

Kjo çështje zatën paraqet edhe shpaten e Damokleut të cilën Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, e vënë gjithëmonë mbi kokë në emër të pozitës, statusit dhe obligimit të tij ligjor, moral, institucional dhe funksional ndaj individit dhe kolektivitetit. Respektivisht, ndaj kombit dhe atdheut. (Rasti i embargos totale ose 1OO % ndaj mallrave ose produkteve serbe etj. )

Vetëm përmes një koncepcioni esencialist ose substancialist si dhe përmes definicionit, kuptimit dhe përceptimit të qytetarit si ‘cityoen i lartë’ ose ‘burgeros politik’ e jo si banor i rëndomtë ose “instrument elektoral” dhe “mekanik” (!)- mund të pajtohen mes veti dimensioni i veçantë personal ose individual me dimensionin e përgjithshëm global ose universal. Vetëm duke u ngritur, qytetëruar, edukuar, arsmimuar, emancipuar dhe kulturuar si individ dhe kolektivitet, ne mund të arrijmë paqën sociale dhe harmoninë e njohur politike ose dialektike. (Filozofia politike e Kryeministrit Haradinaj)

Liria, drejtësia, barazia, mirëqenia, lumturia, edukata, kultura, arsimimi, emancipimi, morali dhe disiplina e lartë për të gjithë, janë ylli ndriçues i ngadhënjimit të përgjithshëm individual dhe kolektivë, sipas kryeministrit kosovar, z. Haradinaj.

Ndryshe nga kjo, t’i pranosh tjetrit cilësinë dhe të drejtën e votës, vetvendosjes, reflektimit, interferimit dhe gjykimit racional, objektiv dhe subjektiv, kjo do të thotë të pranosh të drejtën për t´u edukuar, arsimuar, emancipuar, kulturuar, përmirësuar dhe disiplinuar në menyrë globale ose universale. Kjo për faktin se edukata, kultura, emancipimi ose arsimimi i mundësojnë personit ose individit për të qenë ai që është ose ata që janë. Mbase, si qenie të logjikshme, intelegjente ose homosapiente që mendojnë, që gjykojnë, flasin, rezonojnë, përceptojnë, reflektojnë, interferojnë, ndërmjetësojnë, komunikojnë, koperojnëetj. Një nga të drejtat ose liritë themelore ose bazike të secilit njeri, përveç lirisë individuale dhe kolektive, është edhe e drejta për të pasur mundësi objektive dhe subjektive për të fituar, realizuar dhe mbrojtur lirinë individuale dhe kolektive, respektivisht, shtetrore, nacionale, politike etj.

Dhe, cilat janë ato vlera të njohura globale ose universale që dëuhet të arrihen dhe realizohen patjetër sipas z. Haradinaj?

Në njerën nga vlerat ose veçoritë themelore të kulturës dhe demokracisë perëndimore e cila rezulton në maksimën ose formulën e njohur parlamentare ose demokratike sipas të së cilës: identiteti, ekskluziviteti dhe integriteti i një shtetit dhe i një kombi janë aftësia dhe identitet i tyre debatues ose polemik së bashku me unitetin, dialogun, kompromisin ose konsenzusin e gjithëmbarëshem shtetror ose nacional i cilit konsiston në debatin e njohur parlamentar ose demokratik ku ballafaqohen, kundërshtohen, por edhe pajtohen preferencat, referencat ose interferencat e ndryshme politike, partiake, konceptuale, ideologjike, fetare, kulturore, morale, shtetrore, nacionale, internacionale dhe të tjera, të cilat bashkërisht i japin një populli (kombi) dhe një shteti fizionominë, imazhin dhe identitetin e tyre. Janë debati, dialogu ose diskutimi ata që përbëjnë esencën (substancën), unitetin, identitetin dhe jetën e popullit (kombit) dhe shtetit. Janë gjuha, stili, sintaksa, retorika, oratoria ose forma e debatit, ata ose ato që krijojnë mesazhin dhe imazhin e tyre.

Boshti kurrizor i metafizikës së moralit dhe etikës së lartë konstitucionale dhe institucionale, sipas kryeministrit Haradinaj, pos tjerash janë edhe edukata, kultura, morali, disiplina dhe aftësia e njohur profesionale ose funksionale për universalizimin, globalizimin dhe postulimin e parimëve dhe principëve të njohura shkencore ose humaniste të personit ose individit. Gjegjësisht, individualiteti i personit ose individit në globalitet, universalitet, kolektivitet ose totalitetit dhe anasjelltas.

Në instancë të fundit, pavarësisht asaj se vendet ose shtetët e zhvilluara industriale ose kapitaliste të Perëndimit, edhe sot e kësaj dite kanë mospajtimet ose mosmarrëveshje të shumëta konceptuale, ideologjike, sindikaliste, manufakturale, nomenklaturale, konjukturale dhe të tjera mes veti. Në çështjet e kapitalit, pronës (pasurisë) dhe resursëve të njohura globale ose universale-sidomos. Kjo nuk i pengon aspak parimet dhe principet e njohura globale dhe universale për liritë dhe të drejtat e përgjithshme të njerëzve, popujve (kombëve) dhe shtetëve të ndryshme anëtare të UE-s (BE-s) për liri dhe pavarësi të plotë individuale dhe kolektive. Sidomos në çështjet dhe aspektët e njohura të vlerave, resursëve dhe kapitalit të njohur shtetror dhe nacional në raport me monopolin ose blasfemizimin e “tregut global” të vlerave, resursëve dhe kapitalit të gjithëmbarëshem botëror ose ndërkombtar ku vlerat e naftës, benzinës, arit, xhevahirëve të ndryshme ose diamantëve, shpeshherë ose vazhdimisht nuk i njohin vlerat e larta hyjnore, globale ose universale të jetës së njeriut.

Historianëve, mashtrues të historisë kombëtare, ta mësojnë se jo përjetësisht mund t’i mbajnë të përbaltur personalitete si Mustafa Merlika Kruja – Nga Mërgim Korça

(Komente rreth Letërkëmbimit Mustafa Kruja – Patër Paulin Margjokaj)

 

Jemi në mesin e dhjetvjeçarit të dytë qëkur de jure u përmbys diktatura, ai sistemi i dhunshëm komunist, por praktikisht mendësía komuniste ësht’ajo e cila vazhdon e mbisundon në vëndin tonë lidhur me parimet e demokracisë si edhe gjykimin e historisë. Nisur nga ky pohim i përgjithshëm, që të jetë ky edhe i besueshëm, doemos që duhet t’a mbështes këtë arsyetim por, me që objektivi i këtij shkrimi nuk është analiza e krahasuar e dy sistemeve, atij diktatorial nga njera anë si edhe i atij demokratik, por analiza e letërkëmbimit të lartpërmendur në titullin e shkrimit, do të trajtohen vetëm themelet mbi të cilat duhet mbështetet demokracía që analizat historike të rezultojnë sa më racionale e po aq edhe të paanëshme.
I a fillojmë pra, hap mbas hapi, mbështetur në kriteret bazë të koncepteve lidhur me demokracinë, rreth të cilëve fatkeqësisht aq është spekulluar edhe vazhdon e spekullohet, të vemë në dukje se cilët duhet të jenë vetë këto koncepte.
Etimologjikisht koncepti demokrací nënkupton pushtet të popullit por, në regjimet diktatoriale në emër të këtij pushteti, për ironí janë ndërmarrë veprimet më antipopullore.
Koncepti i dytë themelor ësht’ai që u takon politikave demokratike. Këto duhet t’i mishërojë të zbatuarët e një qeverisjeje kushtetuese ku, përligja e ushtrimit të saj, të përcaktohet nga vullneti i lirë dhe i pavarur i popullit. E mbi gjithë këtë kollonë mbi të cilën duhet të mbështetet demokracía e vërtetë, themelorja e themeloreve është kontrolli si edhe kufizimi i pushtetit të udhëheqësit i cili kurrsesí nuk duhet të ketë pushtet absolut ! Në të tillë pushtete, e ka treguar përvoja, edhe historia deformohet simbas interesave të udhëheqësve.
Herodoti, i cili ruan veçorí arsyetimesh tejet bashkëkohore, ka shpjeguar qartë nga ana filozofike ndryshimin ndërmjet mythos (shtrëmbërimit me qëllim) dhe histora (fakteve historike). Ai tregonte se si Egjyptasit e vjetër i quanin barbarë të gjith’ata që nuk e flisnin gjuhën e tyre (Hist.II 158, 5) e njëkohësisht ka lënë edhe maksimën e madhe : … është kusht i pakundërshtueshëm fakti që pushteti i pakufíshëm, detyrimisht çon në pushtet absolut !
Që këtej lind edhe koncepti i tretë bazë lidhur me domosdoshmërín’e njohjes hollësishme të fakteve të kaluara të pashtrembëruara, për t’a gjykuar të kaluarën si edhe për të mos rënë më në gabime të përsëritura. I konkretizuar ky koncept, gjëndet i zbatuar në hulumtimet tejskajshmërisht të gjera të Sokratit përtej normave e përtej tabúve !
U zunë në gojë këto premisa pikërisht sepse paralelisht ka ardhur duke u rritur nevoja e leximit të historisë sipas optikës gjyqësore, gati domosdoshmëría e vënjes nën proces e historisë ose së paku të episodeve të saja më tragjike. Planet e veprimit të historianit me të gjykatësit të paanshëm, dëndur thuajse mbivendosen ndaj njeritjetrit dhe sinteza e tyre duhet të shërbejë si udhërrëfyese për veprimet bashkëkohore si edhe të na bëjë sa më të vëmendshëm lidhur me të ardhmen. Gërshetimi kompleks ndërmjet historisë dhe kujtesës, ndërmjet dëshirës për drejtësí si edhe gjykimit historik, ndërmjet rindërtimit të së vërtetës dhe dënimit, (moral apo faktik), të personave përgjegjës për egërsín’e regjimeve të përmbysura, duhet t’i zhdukë përfundimisht disa nga fantazmat që veç makth vazhdojn’edhe mbjellin.
Mbështetur tashti në gjithë premisat e shtruara më lart ku sintetizimi i tyre na çon në përfundimin se : Mësimet e të vërtetave pa shtrembërime, të së kaluarës, kanë vlera absolute lidhur me të ardhmen, e ftoj lexuesin t’a ndjekë këtë analizë fluturimthi që do t’i bëhet vëllimit të botuar me letërkëmbim 11-vjeçar (1947 – 1958) ndërmjet Mustafa Merlika Krujës si edhe priftit françeskan Patër Paulin Margjokajt. Në qoftë se, mbas leximit të kësaj analize, lexuesi intrigohet t’a lexojë gjithë letërkëmbimin origjinal, suksesi do të jet’i dyfishtë : Së pari, kjo analizë do t’ia ketë arritur qëllimit, si ftesë në vetvete, që të lexohet krejtë vëllimi. Nga ana tjetër, lexuesi i ndershëm dhe objektiv, shpresoj se do t’a zgjerojë shumë këndvështrimin rreth gjykimeve që ka dhënë përparandej, i keqinformuar, krahasuar me ato që do të japë në të ardhshmen, mbas leximit të këtij margaritari patriotizmi, guri themeli të një sjelljeje shëmbullore etiko – morale si edhe të një erudicioni skajor !
E ndjej me vënd t’a filloj analizën e vëllimit me letërkëmbime, me portretizimin e bërë nga Tahir Kolgjini të figurës Mustafa Krujës : Dy gjâna ishin ato që mund t’ia lidhshin kâmbë e duer Mustafës në zbatimin e vendimit të vet : Kur çashtja paraqitej e pápajtueshme me interesat e Atdheut, ose kur ajo vinte ndesh me parimet e Tija morale.
Tek i shkruan Padres Mustafa Kruja se e ndjen veten në shkretí “… pa familje, por me uzdajë (shpresë) se nji ditë e shoh, veçse pa miq për gjithmonë … un kam me kênë këtu deri qi mos të jetë gjetun në çdo skânj të botës nji kafshatë buke për mue e fitueme me djersën t’eme … ” (Fq. 13). E lemë në një anë situatën e trishtë ku familja dhe gjiníja e tij u kalb burgjeve e internimeve e ai s’e pa kurrë më përgjatë jetës tij. Po a mund të mendohet e të bëhen përqasje me ish kryeministra bashkëkohës ? M.Kruja, sapo nuk e mban më postin e kryeministrit, për t’iu shmangur të jetuarit në kurriz dashamirësh e mirëbërësish, gjashtëdhjetëvjeçar ëndërron t’a nxjerrë kafshatën e bukës me djersë të tijën !
Mirënjohje Abas Kupit i cili, duke e marrë vesh se M.Kruja nuk e përballonte dot jetesën në Itali, e fton në Egjypt pranë Ahmet Zogut. E M. Kruja shkruan “… rrethanat më kanë pasë pajtue me Zogun qyshë më 1943, kur m’u mbush mêndja se populli shqiptar ka nevojë për Të. Tash po pajtohem edhe për s’afri …! (Fq. 20).
Sa prekëse tek M. Kruja, duke zënë në gojë veprën e Patër Gjergj Fishtës Anzat e Parnasit, ku autori ka vënë mbishkrimin filozofik “Qeshem veç pse s’muj me kjá”, (marrë nga një autor latin), i tregon Padres se si ndërsa ai (M.Kruja) rrekej t’ia mbushte mëndjen më 1920-ën Patër Gjergjit të hartonin një program partije politike, Ai (Patër Gjergji) i kishte thënë “… Pse po lodhe, more Mustafë, Shqipnija qi duem ti e un nuk bâhet!” (Fq. 26).
E ftoj lexuesin t’a ndjekë me vëmëndjen e duhur, si edhe sipas optikës së sotme të viteve 2000, arsyetimin e M.Krujës hedhur në letër më 20 dhjetor 1949 (Fq.26 – 27). “… Nji dhunë, po, na kanë bâmë Tyrqit kombtarisht. Jo qi na sunduen katër shekuj e gjysë, se pa ta ndoshta do të na kishte pasë sundue Sllavi me konsekvenca shumë mâ të këqija kombtarisht, por qi na ndërruen fén, neve nji grusht gjind mjedis nji bote të krishtenë. Kjo gjâ mund të na e ketë vonue indipendencën t’onë nja 100 vjet e me atë vonesë pengue unitetin t’onë kombtar.”
Një mësim i madh nxirret teksa frati i lutet M.Krujës të mos humbasë kohë por t’i shkruajë kujtimet e tija, e M.Kruja i flet lidhur me dy pengesa themelore q’e bëjnë të stepet në atë drejtim. Pengesa e parë, ngurrimi para faktit se duhej të shkruante shumë si edhe gjerësisht për vete, duke pasë qenë gjithmonë protagonist në jetën politike që nga pjesëmarrja e tij në ngritjen e flamurit në Vlorë më 28 Nëntor të 1912-ës e në vazhdim.
Kurse pengesën e dytë, dhe më themeloren, M.Kruja e lidhte me faktin që “… Me shumë prej njerëzve qi bâjnë pjesë të padame të kujtimeve të mija kam pasun kundërshtime politike mjaft t’ashpra e prandej drue se nuk mundem me qênë nji gjykues aqë objektiv sa e lyp historija për ta e për veprat e tyne.” (Fq. 29). Duke mos dashur as të bëjmë përqasje konkrete, pa le të shprehemi me insinuata, por e ftojmë secilin nga ata që profesionalisht e kanë titullin historianë, t’a venë dorën në zemër e të shprehen sinqerisht rreth këtij pozicionimi të atij që ka qenë dhe vazhdon e mbetet nga personalitetet e shquara të kombit tonë mbi të cilët më shumë mllef, baltë dhe insinuata janë derdhur që nga traktet e para komuniste e përgjatë gjithë periudhës diktaturës. Po nuk e bënë shkencëtarët historianë këtë gjë, atëhere e ftoj lexuesin e gjerë që vetë ai, tashti që i ndriçohet ky pozicionim i M.Krujës të cilin vetë lexuesi kurrë nuk do t’a kishte menduar, t’a krahasojë me pohimet tendencioze e deri edhe me qëndrime rrugaçëríje të mbajtura nga pseudo-historianë, (t’ashtuquajtur edhe të shquar), përgjatë ballafaqimesh televizive!
Lidhur me përgatitjen e kryengritjes kundra Mbretit Zog për t’a rrëzuar atë nga froni, M.Kruja si përfaqësues i të gjithë patriotëve të emigruar, kur takon përfaqësuesin e qeverisë italiane, Giovanni Giro, i thotë se donin marrëveshje me karta të hapura. Kur italianët i zbuluan ato, patriotët shqiptarë njëzëri i refuzuan të tëra pikat duke i thënë M.Kruja, në Hotelin Exelsior – Gallia të Milanos, Giros : “Me këto kushte, njiqind vjet mbretnoftë Zogu mbi thronin e Shqipnis!”. A ka nevojë për koment ky qëndrim skajshmërisht kombëtar ku, para plotësimit të ambicjeve italiane, le të qëndronte më mirë mbi fron armiku i M.Krujës, por shqiptar e jo mik i huaj. Pa le të ketë nevojë e të fillohet nga përqasjet me pozicionimet e P.K.Sh. ndaj Jugosllavisë, pa le në vazhdim ! (Fq. 45).
M.Kruja, shtjellon një kuadër tejet të qartë, (Fq.54-55-56-57), si nga ana e prejardhjeve historike e pastaj edhe e zhvillimeve dinamike, që çuan në L.N.Çl., Konferencën e Pezës, qëndrimet e tri partive kryesore shqiptare, lindjen dhe qëndrimin ndaj fenomenit të vëllavrasjes, si edhe dredhítë komuniste ballafaquar me naivitetin dhe pavendosmërín’e nacionalistëve për t’a kuptuar qartë situatën. Përgjatë leximit të këtyre faqeve lexuesit, hap mbas hapi, i kthjellohen pyetjet të cilat kurrë nuk guxoi t’i bënte hapur, por dhe të cilave vetë, kurrë nuk u pati gjetur përgjigje. Le t’ia lemë lexuesit të gjykojë vetë. T’i bashkojë ai ato që dinte, (me gjithë ato që i dukeshin jo aq bindëse), me këto që M.Kruja me aq pozicionim hulumtuesi të drejtpeshuar, thjeshtësí dhe racionalitet i shpjegon, (e që lexuesi nuk kishte se si t’i dinte përparandej), dhe le t’a krijojë vetë mozaikun e atyre ngjarjeve që sido që të jetë, i krahasuar me mozaikun e mëparshëm aq të vagëlluar e me boshllëqe që kishte, do të ndikojë që jo vetëm rrethanat, por edhe gjykimin rreth personave aktivë në ato rrethana, t’a japë shumë më racional e të drejtë tashti e në vazhdim.
Tek u përgjigjet pyetjeve të Padres françeskan, (Fq.63-64-65-66-67), M.Kruja me vërtetësí nxjerr në dritë shumë momente që kanë qenë të vagëlluara nga historiografía komuniste ku me qëllim shtrembëroheshin të vërteta, liheshin pa treguar rrethana si edhe fakte, ose bëheshin insinuata që kuadri historik të deformohej simbas interesave komuniste. Kur lexuesi e ndjek se si M.Kruja e përshkruan dështimin e qeverisjes F.Nolit e gjithashtu se si ky i fundit i kërkon mbështetje B.Sovjetik, del në dritë të diellit se ajo nuk qe një nismë apo simpatí thjeshtë e F.Nolit ose e Kosta Boshnjakut komunist por patriot, por ai bashkëpunim kishte gjetur edhe mbështetje më të gjerë, bilé edhe bejlerësh të kamur. Kësisoji arsyetimi i M.Krujës pse e vetmja alternativë ndihme për t’a përmbysur regjimin e Zogut kishte ngelur kërkimi i mbështetjes nga B.Sovjetik është tejet bindës, sepse vëndet perëndimore europiane pa përjashtim e mbështesnin Zogun. Jo vetëm bindës, por edhe tejet domethënës shpjegimi i tij. Gjithashtu e posaçme dhe pa rrëmbime vërtetësía me të cilën M.Kruja referon pozicionimin e klerit katolik ndaj marrëveshjes eventuale me sovjetikët e se si, kur ata deshën të tërhiqeshin e të mos pranonin se e kishin mbështetur atë përkrahje, ngrihet Patër Ambroz Marlaskaj edhe e thotë të vërtetën në mes burrave pa u stepur fare se i nxirrte gënjeshtarë kolegët të tij klerikë. Këto janë momente kyçe të historisë së Kombit tonë të cilave u hidhet dritë që e vërteta, edhe kur ësht’e hidhur, të dalë në shesh. Kësisoji gjykohet drejtë e pa asnjë prirje, qoftë lavdíje apo errësimi figure, rreth atyre që ishin farkëtonjësit e së kaluarës të popullit tonë. E kjo në ndryshim me historiografinë komuniste e cila shihte vetëm heronj ose tradhëtarë e gjatë së cilës në fund, dilte në shesh, se udhëheqësi i vetëm dhe i pagabueshëm kishte qenë një dhe vetëm një, e të tjerët që e kishin rrethuar për 40 vite në masën 90 %, kishin qenë të gjithë tradhëtarë. Me gjithë shpjegimet e hollësíshme të M.Krujës lidhur me prirjen e F.Nolit, Padreja françeskan, në përgjigjen e tij shkruan së rishmi “ … në letrën e ardhshme bani mirë me më diftue prap mâ gjatë mbi Fan Nolin. Prej kah vjen qi atij i ka hî aq fort në zemër Rusija me komunizëm? A thue âsht se ai don me u bâ papë i ortodoksve në Shqypni? …” Në përgjigjen e tij, M.Kruja, i shtjellon edhe një herë edhe më thellë ngjarjet e doemos edhe ndërthurjen me to të figurës F.Nolit, por jo pa e theksuar qart’edhe shquar “… Âsht nji punë tepër e vështirë me u gjykue në se kjo rrjedhë e ndodhívet shqiptare në perjodën e mbasluftës botnore ka qênë historikisht nji fat i mirë apo i keq për Kombin (Fq.76). Kallzimet e mija këtu kanë vetëm karakter kronike e jo historije.” Nuk ka se si të mos vihet në dukje përgjegjësía e jashtëzakonëshme që e karakterizon M.Krujën në dhënjen e gjykimeve të karakterit historik e prandaj ai dëshmon vetëm faktet si kanë ndodhur e nuk jep asnjë gjykim për tá ! Në këto rrethana ësht’e pamundur të mos i rikujtojmë lexuesit pozicionimin e M.Krujës kur Padreja françeskan e nxit të shkruajë kujtimet e ai, duke qenë se duhet të gjykojë edhe veprimet e kundërshtarëve të tij pohon “…nuk mundem me qênë nji gjykues aq objektiv sa e lyp historija për ta e për veprat e tyne.” (Fq. 29). Pa dashur fare të jepen konsiderata apo të bëhen krahasime, vetëm një moment duhet theksuar : vetë lexuesi potencial i vëllimit me letërkëmbimin që po analizojmë, me gjithë indoktrinimin e pranuar të kohës kaluar, do të vrejë se sa më shumë që dora dorës shtohen faqet e lexuara të vëllimit, n’atë raport, por me kah të kundërt, do të vijë duke i u zvogëluar konsiderata për ata historianë q’e kanë shkruar historin’e kombit tonë duke mbajtur syze të kuqe.
Me që Padreja kërkon thellim, M.Kruja nuk përton dhe ia plotëson dëshirën. Kësisoji, përgjatë shpjegimeve dhe analizave që bën, (Fq.77-78), me një stil konçiz, elegant por edhe gjithëshpjegues, bën radiografinë e Fan Nolit nga ana shoqërore, vlerave të mëdha intelektuale si edhe figurës si politikan. Dhe jo vetëm kaq, por ve në dukje edhe burrërín’e tij tek rikujton se si, ndonëse Luigj Gurakuqi i lojti të gjitha kartat që Imzot Noli mos të emërohej kryeministër, ky i fundit jo që e mposhti egoizmin duke e emëruar Gurakuqin ministër financash, por, siç e citon tekstualisht M.Kruja, kur Faik Konica do t’a përbaltë Nolin duke shkruar në Gazetën Dielli, mbas ardhjes në fuqí të Zogut, se Noli qe bërë vegël si edhe kukull në duart e Gurakuqit, Noli përgjigjet gjithë modestí edhe madhështí njëheresh “… edhe në qofsha bâmë vegël e nji Luigj Gurakuqit, siç thotë Faiku, kjo gjâ s’do të ishte veçse nji nderë për mue.”
Pa le se si e përshkruan M.Kruja me penën e tij të fortë, po n’ato faqe, ngjarjen rreth takimit të Mussolinit me përfaqësuesin e Shqipërisë në Romë, Tefik Mborjen. Rreth bisedës tyre tepër sekrete, ku Mussolini këmbëngul mos të dilte asnjë fjalë se ndryshe do t’i quante të pabërë propozimet e tij, brënda tri ditësh biseda mori dhénë kafeneve të Tiranës. E M.Kruja intuitivisht merr pozicion duke i dalë zot T.Mborjes se veç kryeministrit Noli, Mustafa nuk besonte se Tefiku mund të kishte informuar as pjestarët e qeverísë. Por nga ana tjetër hedh dritë mbi rrethanat duke u shprehur “… sigurisht sekretarët e tij, miqtë e tyne e të vet sigurisht po … fati i qeverisë së Fan Nolit ishte caktue qyshë prej atij çasti.”
Nuk mund të lihet pa u përmëndur përgjigja e fratit françeskan, sepse në përgjigjen e tij lidhur me F.Nolin, do t’a shohin veten shumë lexues të këtyre radhëve. “Letra e juej âsht nji minierë njoftimesh fort të randsishme. Kta mund të thohet tashmâ për të tana letrat t’Ueja. Përshkrimi i jetës së Fan Nolit më ka interesue fort. Me u diftue të drejtën, përpara kësaj letre e kam gjykue Fan Nolin krejt ndryshej. Un nuk dijshem kurrgja tjetër për te, veç se ai âsht mik i Rusve, e kjo më shtynte mue me formue nji gjykim jo aq të favorshëm për te.” Ndonëse Padreja e njihte mirë anën intelektuale të Imzot Nolit, duhet theksuar se sa i takon anës politike sa keq kishte ndikuar mosnjohja nga ana e tij e personalitetit te Nolit, mbetur deri atëherë në errësirë.
Ësht’e qartë se, po të mos ishin intriguese pyetjet që i drejtonte Padreja M.Krujës, letërkëmbimi do të kishte zgjatur jo më shumë se tri letra të ndërsjella. Por ishin pyetjet e françeskanit të atij niveli që ia ngacmonin fantazínë edhe M.Krujës të zgjatej me to. Rezultati ? Kemi para nesh një letërkëmbim hiç më të vogël po prej 123 letrash të ndërsjella. E përgjatë kësaj vazhde, në letrën me nr. 31, Padreja shtron pyetjen madhore “ Po t’u vête nji i huej e me të shá tue të përmendun punën e gjakut në Shqypni, (vendetta, ose Blutrache), shka kishi e si kishi me i përgjegjë Ju atij ? Trajtimi i problemit të gjakmarrjes nga ana e M.Krujës, (Fq.106-107-108-109), ndonëse zhvilluar fare shkurt prej tij, pa as më të voglën mëdyshje, është një leksjon i mirëfilltë akademik ku ai gërsheton këndvështrimin juridik teorik, (si duhet konsideruar nga shoqëría e organizuar në shtet), me filozofín’e të gjykuarit të kësaj forme barbare të shpagimit, që e sintetizon në mënyrë konçize : “… parimin e drejtsís s’ka bir robi në botë qi t’a mohojë e qi, kur kjo s’i bie krés së vet, të mos t’a dishrojë e mos t’a kërkojë me kâmbëngulje e me zâ të naltë … Ndër shoqnít qi e kanë kapërcye kamot atë fazë drejtsíje, kërset shkandulli (skandali). E në vazhdim trajtohet me një kompetencë të lartë shkencore edhe problemi i parë nga këndvështrimi i besimeve fetáre ku M.Kruja shtjellon kthimin e shoqërisë Ilire pagane në fen’e krishterë e cila mbeti sipërfaqësore. E mbi këtë nënshtresë pagane “ erdh shqizma e Shqipnija u ndodh shí në kufi të Okcidentit e t’Orjentit ku s’prâni lufta fetare ndërmjet këtyne dyve deri në ditën qi i a mbërrini Tyrku me nji fé tjetër. Kështu qi ndërgjegja fetare e popullit t’onë, pa qenë formue ende mirë, u pështjellue e u bâ lamsh. Anarqija morale vazhdoi e nji pushtet i fortë s’u themelue kurrë në vêndin t’onë. Prandej zakonet e vjetra, me të mirat e të këqijat bashkë, mbetën gjallë. Ndër ta edhe ndiesija e shpagimit të gjakut.” Gjithashtu M.Kruja shpjegon se si këto zakone e kanë rrënjën kush e di sa mijë vjet para Lekë Dukagjinit.
I gjithë trupi i vëllimit me letërkëmbimin ndërmjet M.Krujës dhe Patër P.Margjokajt, përshkohet pandërprerë nga një mësim etike dhe morali niveli të lartë kur është fjala lidhur me të vërtetat historike. Padreja i kërkon M.Krujës hollësira rreth delegatëve në Kongresin e Paqës në Paris si Patër Gjergj Fishtës si edhe Imzot Luigj Bumçit. Do sqarime të hollësishme rreth Kongresit të Lushnjes, etj.etj. Pa dashur t’ia shuajë aspak kërshërínë lexuesit të këtyre radhëve duke u zgjeruar rreth përgjigjeve që i dha M.Kruja Atit françeskan, duke ia lënë kësisoji lexuesit të plotë kënaqësínë e të lexuarit të vëllimit të botuar, do të ndalem vetëm në disa momente kulmore që e ndjej të nevojëshme t’i nënvizoj. M.Kruja pohon dhe ripohon vazhdimisht se të dëshmuarit si edhe dhënja e gjykimeve rreth faktesh e rrethanash historike e ballafaqojnë studjuesin me vështirësí shkalle sipërore (Fq.161 deri 173). E këto ai i sheh akoma më të theksuara tek i duhet t’ia fillojë me autobiografín’e tij, para Padres. Nuk mund të mos vihen në dukje, përgjatë kësaj hullíje, disa momente kulmore që kanë të bëjnë me karakterin e M.Krujës. Princ Wiedi ishte larguar. Esat Pashë Toptani e kishte vendosur pushtetin e tij dhe i kishte burgosur të gjithë meshkujt Merlikas, përfshirë edhe të atin e M.Krujës. E sikur nuk mjaftonte me kaq, por burgosi edhe xhaxhan’e Mustafës, të famëshmin Xhiun e Fajës që kishte vrarë mu në Stamboll, tek Ura e Gallatës, të birin e vetë Vezirit të Madh të Turqisë. Në ato rrethana Esat Pasha lëshon një urdhër që, po të mos dorëzohej M.Kruja, të gjithë burrat Merlikas do të vareshin. Lind natyrshëm pyetja se ku e kishte shkelur në kallo M.Kruja Esat Pashën që ai të vepronte me aq armiqësí? Kur Pashai e kishte kërkuar bashkëpunimin e M.Krujës, ky i qe përgjigjur me shkrim: “ Juve ju ka falë Perëndija nji emën të madh e nji kambë të naltë, páre edhe gjâ; un s’kam veçse nji nderë, po t’a humb edhe këtê, s’më jet mâ kurrgjâ tjetër!” Ky refuzim i prerë i M.Krujës e kishte mbushur kupën e prandaj edhe Esat Pasha i vendosi atë kusht madhor alternativ M.Krujës. E Mustafa ç’bëri? Vete e dorëzohet me këmbët e veta. Tek e sheh në burg i ungji, Xhiu i Fajës dhe mëson se ai qe dorëzuar që të liroheshin Merlikasit e tjerë u hidhërua keq dhe tha: “Paj flaka t’i kish mbërrîmë në kupë të qiellit krejt familjes me sa ka e ça ka, veç ty mos të të shihshem këtu!”. Situata qe e rëndë. E.Pasha kishte varur në litar gjithë rebelët që mbas ikjes Princ Wiedit nuk ishin bashkuar me të. Kështu që veç kob pritej nga ai. Kurse, të nesërmen e vetdorëzimit të M.Krujës, gjithë burrat Merlikas u kthyen të lirë në vatrat e tyre. Le këta, por në vazhdim, jo që nuk e vari M.Krujën por edhe së bashku me 300 të burgosur të tjerë, mbas gjashtë muajsh kur pushteti i E.Pashës u lëkund, i ngarkoi në anije dhe i dërgoi në burgun e Barit. Vazhdimi është histori dhe lexuesi do t’a mësojë kur t’a lexojë gjithë vëllimin me letërkëmbime, por për t’u ndalur dhe nënvizuar janë dy momente. I pari, se si M.Kruja me ndershmërinë dhe drejtësínë që e karakterizon, rikujton faktin historik duke pohuar se si fjalën e dhënë Esat Pasha e mbajti : me t’u dorëzuar Mustafa, burrat Merlikas u liruan nga burgu. E pastaj vjen pohimi i dytë i M.Krujës që për armikun e tij pohon: Me mue u suell burrë (e ka fjalën për E.Pashën). Rebelët e zakonshëm i kishte varur në litar, ndërsa M.Krujën, jo. E M.Kruja e thellon gjykimin gjithmonë në favorin e armikut të tij duke shtuar … Nuk bâni asnjânën prej dy anve të dilemës qi kishem drashtun un. Shërbimet qi i kishte bâmë familj’e ime s’i kishte harruem.
I kërkoj tashti ndjesë lexuesit por nuk mundem të hesht pa e bërë një përqasje. Të krahasohet mirënjohja e E.Pashës ndaj Merlikasve me qëndrimin e mbajtur nga Enver Hoxha jo vetëm ndaj mirëbërësve të tij ku miqtë e ngushtë i pushkatoi, por edhe ndaj atyre që duke rrezikuar kokat e tyre i kishin shpëtuar jetën atij gjatë luftës si edhe e kishin mbështetur diktatorin në vazhdim. Në këtë kontekst binomi E.Pashë – E.Hoxhë.
Nga ana tjetër pastaj marrim binomin M.Kruja – E.Hoxha. Si i pohon të vërtetat M.Kruja për E.Pashën e si i shtrembëron të vërtetat E.Hoxha për tërë viktimat e tija ku bukëdhënësit bëhen armiq kurse heronjtë bëhen herë tradhëtarë të atdheut e herë poliagjentë.
I gjithi ky material shtjellohet në letrën me nr. 49 të M.Krujës. E Padreja, duke e lexuar të gjithë atë letër me vëmëndjen më të madhe e duke patur parasysh qëndrimin e M.Krujës se si ai trembet se mos duke i trajtuar faktet historike mos nuk është skajshmërisht i drejtë ndaj vlerave të kundërshtarëve politikë të tij, Padreja pohon e thotë në letrën me nr. 50 … Njerzt, qi nuk shofin veçse deri sa t’u mbërrijë maja e hundës, mâ vonë, edhe ata kanë me e justifikue veprimin t’Ând politik … Shqypnija e shkretë në periudhën ndërmjet dy luftave nuk ka pasë tjetër alternativë, posë asaj: Itali-Jugosllavi …
Padreja, në vazhdim, i bën edhe një analizë tamam radiologjike vetë popullit tonë. Ai e sheh si të keqe të madhe dembelizmin e tij, egoizmin, mosmbajtjen e fjalës së dhënë, të mos kuptuarit se vjedhja e shtetit është po aq e dëmshme sa edhe vjedhja e pronës së privatit, etj. etj. dhe përfundon me pohimin se … Mkati mâ i madh i shqyptarit, mbas mendimit t’em, âsht ky : na e mbajmë vehten për dishka. Po t’i njihshim na mungesët e mdhaja t’onat, kishin me shkue shum punë fort mâ mirë se shkojn …
Letra me nr. 51, ku M.Kruja përshkruan gjëndjen e tensionuar të fund vitit 1918 e në vazhdim, e gjithashtu sqaron se si duke pëgatitur materialet për delegacionin e Konferencës së Paqës të Parisit, gjatë 4-5 muajve pune gjithëditore së bashku me Luigj Gurakuqin, ata të dy nuk kanë ditur se ç’ishte e si ishte Parisi, duke i përshkruar në një mënyrë tejet bindëse rreziqet që i kanoseshin vëndit tonë nga qëndrimet shoviniste, i ve kapak me pohimin madhor konkluziv … Çë çase trishtimi e dëshprimi kemi kalue n’at Paris … 800.000 bajonetat e mobilizueme t’Austro-Hungaris në 1913 për me shpëtue qytetin e Shkodrës, tash s’ishin mâ. Italija mbahej në konferencën e paqës për njâj traktati që shënonte dekën e Shqipnis … Franca përkrahte miqt e vet qi ishin anmiqt t’anë. Anglija, si gjithmonë kur s’luejnë interesa direkte të saja, kishte për ligjë oportunitetin. Wilsoni mjedis dhelpnave plaka t’Evropës i kishte harrue 14 pikat e tija. Me ç’vërtyt do të bâjshim mrekulli na të shkretët në kët lâmsh pasjonesh e padrejtsish …
Vetëm nëntë janë faqet e kësaj letre. Por ato nëntë faqe hedhin dritë të madhe rreth zhvillimeve të asaj kohe si edhe ndikimeve ndaj së ardhmes së vëndit tonë.
Letra me nr.53, në përgjigje të letrës Padres ku ai i shtron M.Krujës pyetje karakteri themelor historije kombëtare, nuk mund të ishte e shkurtër, (Fq.191 – 214). Në përfundim vetë autori i drejtohet Padres duke i theksuar : “… me këtë kapitull Të kam dhânë çelsin e historis politike shqiptare ashtu siç e shoh e e gjykoj un vetë. Mund të jem i gabuem, mund të kemë harrue a mbajtun mênd keq ndonji pikë ndër hollsina qi s’e prek e s’e cënon themelin; por të jesh i sigurtë se me qëllim s’kam ndryshue asnji germë …”.
Vetë ky pohim i M.Krujës në përfundimin e shtjellimit të pyetjeve që kërkonin përgjigje, menjëherë e intrigon lexuesin kureshtár të mësojë se si i trajton M.Kruja problemet. Unë as nuk do t’ia prish bukurinë leximit të materialit origjinal e as do t’ia shuaj kureshtjen atij që dëshiron t’a lexojë materialin e plotë, duke cituar ndonjë kalim. Përkundrazi, do t’ia mpreh akoma më shumë dëshirën e leximit të plotë duke cituar dy nga pohimet madhore të M.Krujës të cilët janë leksjone si edhe themele etiko – morale mbi të cilat duhet të jet’i mbështetur mirë historiani tek e fillon ai trajtimin e problemeve. M.Kruja pohon : “… gjyqtarët n’Angli përpiqen me i kufizue sa mâ fort qi munden miqsít e tyne. Edhe historjani mund të krahasohet shumë mirë me gjyqtarët, se edhe ai âsht nji gjyqtar, sidomos ky krahasim vlén aqë mâ tepër po qe se marrim me shkrue historín’e kohës s’onë.” Në vazhdim, gjithmonë përgjatë kësaj hullíje, M.Kruja këmbëngul në pohimin madhor : “ Miqsija e mirnjohja janë sende të shênjta, por ka përmbi ta nji gjâ tjetër edhe mâ të naltë : e vërteta.”
Që të dy këta pohime madhorë të M.Krujës, posaçërisht në kushtet e sotme të zhvillimeve post – komuniste në Shqipëri, do të ishin objekt trajtimi më vete si në shtrirje e gjithashtu edhe në thellësí të një analize konkrete shumë interesante. Ësht’e qartë se një analiz’e tillë në vazhdim, do t’a devijonte vetë objektin e temës që trajtohet, (e prandaj nuk po bëjmë përqasje as me gjyqtarë e as me historianë bashkëkohës). Prandaj, në sintoní me linjen që i kemi vënë detyrë vetes që të ndjekim, (përgjatë trajtimit të letrës me nr. 53), nuk i shmangemi dot sjelljes para lexuesit edhe të një pozicionimi të M.Krujës, i cili është shëmbëlltyrë e një qëndrimi karakterial konsekuent. Tregon M.Kruja se si Esat Pashë Toptani i drejtohet Xhemil Bej Vlorës duke i thënë për Mustafën : … Ky âsht mâ i madhi kundrështar i im, ky qi kam pasë kujtue se s’do t’ia pritonte edhe pushkë me qitun për mue, si axha i vet ! E M.Kruja flakë për flakë i përgjigjet : “Pashë, hiq dorë prej këtyne punëve qi ke nisun për dâm të Shqipnis e provomë atëherë a qes a s’qes pushkë për ty !” Ky qëndrim i M.Krujës patjetër që më shtyn t’ia drejtoj lexuesit pyetjen vërtet retorike, (që në rastin e M.Krujës aspak e tillë, sepse historiografia komuniste ç’nuk volli kundra tij përgjatë dhjetëvjeçarësh), se si e gjykon lexuesi tashti, nën dritën e re që hidhet rreth personalitetit të M.Krujës, patriotizmin si edhe karakterin e tij ?
Derisa M.Kruja ka mbajtur letërkëmbim të rregullt me Padren, siç është përmëndur edhe më parë, kuptohet se ai e vlerësonte lart vetë fratin. Mirëpo përgjatë kësaj analize të vëllimit me letërkëmbimin e cituar, nisur nga fakti se protagonisti është M.Kruja i cili sjell faktet historike edhe jep në vazhdim gjykimet e tija, doemos figura e Padres, ndonëse kuptohet se ai ka qenë nxitësi i bisedave, detyrimisht ka ngelur dishka si në hije. Për t’i dhënë pak larmí analizës e doemos edhe për të hedhur së rishmi dritë mbi figurën e Padres, po i sjellim lexuesit pyetjen nr.5 që françeskani i drejton M.Krujës (nga 12 pyetjet e letrës me nr. 56) :
5) Mons.Kaçorri, me të cilin – si më ke shkrue përpara – keni pasë punë sa heresh, a âsht kenë mâ fort italofil apor austrofil a por âsht kenë shqyptar i saktë si Ti e Luigji, qi mendojn kryekrejet të mirën e atdheut pa u fiksue në nji idé : jo Italí, jo Austrí, jo Francë e jo Gjermaní !
Me pyetjen që frati drejton si edhe me bindjen e tij të shprehur pa mëdyshje ose dyshime, duhet vënë në dukje së pari, se si ai me ndershmërínë si edhe atdhedashurínë që e karakterizojnë dhe pa u prirur fare nga fraternalizmi ekleziast heton, kur është fjala për besnikërí kombëtare, edhe Monsinjorin e tij ! Nga ana tjetër, sa bukur e shpreh ai pozicionimin e tij nga lartësít’e vitit 1952, lidhur me shqiptarofilínë e dy laikëve, Mustafa Krujës dhe Luigj Gurakuqit ! Çfarë shëmbulli për t’u marrë si model i një qëndrimi të prerë atdhetar, objektiv si edhe mospërfillës i shkarravinave pseudohistorike të kalemxhinjëve të periudhës komuniste, për të cilat ai ishte krejtësisht në dijení ! Qëndrova tek kjo pika “5” e pyetjeve të fratit françeskan, sa për të hedhur një rreze drite më të shtrirë edhe mbi Padren.
E tashti doemos duhet t’i kthehemi e t’i a përndritim lexuesit përgjigjen që jep M.Kruja : “Kaçorri ka mendue thjesht e vetëm si mâ i kullueti Shqiptar idealist , e ashtu edhe ka veprue.”
E donte dhe e priste këtë përgjigje frati, për Monsinjorin e tij; sepse e donte të pamëdyshur. Nga ana tjetër aq më shumë të vyer e konsideronte ai përgjigjen, se e dhënë nga një laik feje muslimane ! Nga ana tjetër M.Kruja, tejet objektiv dhe i ndershëm, duke dijtur t’i gjykojë qëndrimet të pandara nga rrethanat, kushtet si edhe mundësítë për të arritur sa më maksimalisht objektivat nga kënvështrimi atdhetár, jep gjykimin e tij të prerë Nuk qëndroj dot pa hedhur dritë edhe sa i takon pikëpamjes së M.Krujës lidhur me dokumenta që, po qenë të shkruara veçanërisht nga studjues të huaj dhe sjellin ujë në vijën e mullirit të historianëve shkarravitës të historisë kombëtare, merren si fakte historike të mirëfillta. Tek i citon frati se çfarë ka shkruar studjuesi italian Giannini rreth kërkesave të Kongresit të Lushnjes lidhur me kufijtë tonë kombëtarë, M.Kruja replikon me një pozicionim studjuesi të mirëfilltë … Për mue ai tekst âsht apokryf (me autenticitet të dyshimtë – shënim i M.K.). Do t’a besojshem vetëm kur të më provohej me dokument authentik, b.f. (bie fjala – shënim i M.K.) me proces – verbalin e nënshkruem prej delegatvet ase nji kumtim diplomatik t’atij kongresi kancellarive të hueja. Giannini ka gabime edhe n’atë pjesën tjetër …
Me këtë rast nuk kam se si të mos i kthehem edhe një herë atij që do t’a quaja postulati i M.Krujës, i cili duhet të jetë A-ja e moralo – etikës së studjuesit të historisë: “ Miqsija e mirnjohja janë sende të shênjta, por ka përmbi ta nji gjâ tjetër edhe mâ të naltë : e vërteta !” Dhe kërkimi i kësaj të vërtete i përshkon të gjitha letrat e përgjigjeve që M.Kruja i drejton fratit.
Përgjatë të gjithë letërkëmbimit bije në sy edhe një element shum’i veçantë i mënyrës së të shkruarit të M.Krujës. Se sa konçiz ishte ai, del në pah në dy përgjigjet që i jep Padres lidhur me personalitetin e fortë e karakterplotë të Luigj Gurakuqit. Rasti i parë është tek përshkruan skenën e ngjarë në shtëpin’e nipit të Ismail Qemalit, Xhemil Bej Vlorës ku e kishte selínë akoma qeveria e porsadalë mbas shpalljes së mëvehtësísë. Përshkruhet se si i zoti i shtëpisë i drejtohet me përçmim Luigj Gurakuqit duke i thënë ushak, (turqisht – shërbëtor – shënim i M.K.), shprehje përbuzëse me të cilën Xhemil Beu aludonte marrëdhënjet në mes L.Gurakuqit si edhe I. Qemalit. E Gurakuqi ç’qëndrim mban ? Ja si e përshkruan M.Kruja skenën : … Gurakuqi u çue si rrufeja e i mbet me nji paravesh (shuplakë fytyrës – shënim i M.K.) turîjve. Tjerët e kapën beun e e çuen në harém te gratë e s’u bâ mâ kurrfarë reakcjoni. Luigji s’e hiqte n’ato kohna të turbullta kurrë alltijen (koburen – shënim i M.K.) nga brezi … (Fq.219 – 220).
Rasti tjetër i një qëndrimi të papërkulshëm të Gurakuqit, ka lidhje me Faik Konicën. Ishte viti 1914. Esat Pashë Toptani, sipas mendimit të shumë patriotëve, ishte tradhëtar. Italia e mbështeste atë. Faik Konica bashkëpunonte ndërkohë me E.Pashën. Një grup patriotësh caktojnë L.Gurakuqin që të përgatiste një dokument i cili do t’i paraqitej Princ Wiedit. U mblodhën në Durrës shumë intelektualë që t’a miratonin dokumentin, mbasi t’i bënin vrejtjet që mendonin. Sapo del Gurakuqi para tyre me dokumentin në dorë që t’a lexonte, (vazhdojmë tani me fjalët e M.Krujës) … Faik Konica s’e lên me çelë gojë : Ç’janë ato intriga italiane (?) këlthet (Konica – shënim i M.K.). Gurakuqi edhe s’bâni tjetër, veç përlau shkopin qi kishte atje pranë dhe ia veshi krés si nji rrufé. Gjindja u çue në kambë, hyni ndërmjet e n’emën t’Atdheut, vûni paqë. U ndëgjuen spjegimet, u këndue memorandumi, u pëlqye pa asnji ndryshim, pa asnji objekcjon as prej Konicës e puna mbaroi me kaq. (Fq.225). Paraqitin interes të veçantë në këtë kontekst pikëpamja e fratit lidhur me incidentin e gjithashtu përgjigja që i jep M.Kruja Padres. (Fq.229) Padreja është çuditur se si Konica i hodhi Gurakuqit fjalët … Ç’janë ato intriga italiane dhe vazhdon … Luigji e tjerë nacjonalista bashkëpunojnë me Wiedin kundra Esatit, i cili asht i ndihmuem e i prujtun prej italjanvet, e si mund t’i hidhet Luigjit kjo fjalë ? E M.Kruja i përgjigjet: “ Paj duhet me e pasë njohun Konicën. Cili shqiptar s’ka qênë për tê tradhtuer, intrigant, vagabond, kusar, ignorant, etj.etj.? Ai Luigjit s’i ka lânë vênd në vorr, se jo mâ kur ishte gjallë …” (Fq.233).
Në vazhdim lexuesi do të verë re se kemi kapërxime periudhash kohore. Kjo nuk shpreh moskujdesje nga ana e ynë, porse stilin pindarik me të cilin Padreja i drejton pyetjet. Megjithatë secila pyetje si edhe përgjigjet, në bashkësín’e tyre, hapin dritare që kanë qenë të mbyllura dhunshëm duke filluar që nga periudha e diktaturës e në vazhdim që të vërtetat të mos e shihnin dritën e diellit por të rrinin e t’i mbulonte tisi i harresës nëpër fondet e ndaluara të arkivave të ndryshme !
Përgjatë vazhdimit të letrës me nr.59, Padreja shtron tezën e tij se si lidhur me çfarosjen e elitës shqiptare fajin e kanë serbët që e dinin se si nuk mund të kishte patriot shqiptar i cili të mos ishte antiserb dhe vazhdon shprehimisht … Mbas mendimit t’em prá, Enver Hoxha me klyshat e vet të kuq, s’ka bâ tjetër veçse me çue në vend urdhnat e Belgradit qi prá, simbas mendimit t’em, e ka plotsisht fajin e shfarosjes s’elitës shqiptare … (Fq.230) Nuk shmangemi pa e vënë në dukje objektivitetin e fratit që krim primar quan hartimin e listave të personave për t’u pushkatuar, ndonëse vazhdon duke pohuar se si … Mbas gjaset, edhe po t’ mos ishin kenë urdhnat e Belgradit, do t’ishin kenë shqiptarët vetë qi me u derdhë trûtë vllazënve të vet shqyptarë … Si thue ti ? M.Kruja përgjigjet : “… a i a ka fajin pyllit spata apo bishti ?” (Fq.234). Por në vazhdim pastaj ai, duke i bërë një analizë diferenciale të një niveli tejet të thellë problemit, e çon Padren drejtë përfundimit se kur një armik arrin e fut përçarje në familje, si në rastin tonë ku vëllai vret vëllanë për të qen’i parë, kurse armiku do t’a gëzojë grabitjen që po përgadit (Kosovën), padyshim që faji kryesor dhe më i madh u mbetet shqiptarëve ! Kjo sa i takon krimit të madh të zhdukjes së elitës të kombit tonë. Në vazhdim pastaj nuk ka nevojë për koment qëndrimi i qeverisë komuniste shqiptare nga njera anë lidhur me problemin e Kosovës e pa le pastaj se si, mbas aneksimit të saj Federatës Jugosllave pa plebishit, (votim i përgjithshëm popullor – shënim i M.K.), kur pyetet Enver Hoxha gjatë Konferencës Paqës në Paris më 1946-ën lidhur me marrëdhënjet Jugosllavi – Shqipëri, (ku pyetja i drejtohet me tendenciozitet ), ai përgjigjet : “ … Ne nuk kemi asnjë problem me Jugosllavinë, përkundrazi … “ Duke e lexuar këtë pohim profesorët tanë historianë në dokumentat lidhur me Konferencën e Paqës të Parisit të vitit 1946, e kuptoj se janë gjëndur para vështirësishë por, me që ato vështirësi si edhe të tjera partia dhe komandanti u kishin thënë se duhej t’i kapërxenin, historianët ashtu bënë. E pastaj në vazhdim doemos edhe u specializuan dora–dorës në këtë drejtim e s’pati më vështirësí që ata të mos i shmangnin dot, doemos jo pa ndihmën e partisë mëmë !
Letra me numër 61 e shkruar prej fratit dhe e drejtuar M.Krujës, mund të thuhet pa as më të voglën frikë, se është një dokument ku ndërthuren hulumtimet e bëra nga frati rreth së vërtetës lidhur me veprimet e karakterit “tërhiq e mos këput” të nacionalistëve shqiptarë, në ballafaqim me politikën italiane, për të arritur maksimumin e të mirave të mundëshme në favor të Shqipërisë, ku sinteza e Padres bëhet bartëse pyetjesh kardinale nga ana e tij. Frati citon pohimet e studjuesit gjuhëtar edhe historian Kostë Çekrezit, (botues në Londër më 1919-ën i punimit Shqipëria, e kaluara dhe e tashmja – shënim i M.K.), i cili në një fashikull botuar nga fundi i vitit 1951 në Washington shprehet se pas dështimit të lëvizjes së Fierit … parësia e vëndit dhe jo vetëm bejlerët, arriti në përfundimin logjik që, mbasi Zogu mbahej në fuqi me anën e përkrahjes që kishte nga Italija Fashiste, e vetmja rrugë për t’a hequr qafe ishte q’ata, si të parët e vëndit, të bënin një marrëveshje direkte me qeverinë e Romës. Ndërmjetës për këtë marrëveshje ishin Shefqet Bej Vërlaci i Elbasanit dhe Mustafa Merlika i Krujës. Marrëveshja u plotësua në Dhjetor 1938. E mbasi shtron pikëpamjen e Çekrezit, frati e fton M.Krujën t’ia kthjellojë mirë rrethanat, pozicionimin e Italisë si edhe përzgjedhjet që detyrohet të bëjë paría e emigracionit shqiptar, nisur gjithënjë nga parimi i veprimit sa më në favor të interesave kombëtare shqiptare. Në faqet 239 e deri në faqen 248, M.Kruja i bën Padres një paraqitje të plotë e me të gjitha detajet, (të cilat pikë për pikë gjënden në Arkivin e Shtetit Shqiptar si edhe në Arkivin e Ministrisë Jashtme të Italisë – shënim i M.K.), duke treguar hapat e ndërsjella të ndërmarra përgjatë bisedimeve si nga përfaqësuesi i qeverisë fashiste italiane Giovanni Giro e nga ana tjetër nga ana e M.Krujës si i caktuar të përfaqësojë të katër grupet e nacionalistëve shqiptarë jashtë Atdheut mëmë. Ësht’e qartë se vetëm leximi i plotë i atyre dhjetë faqeve shkruar nga M.Kruja në sqarim të pyetjes fratit, e ndriçojnë lexuesin. Megjithatë, me pak rrjeshta të mijtë sa për t’a ngjallë kërshërín’e mëtejshme të lexuesit, do të cek ndonjë moment kulmor pozicionimi nga ana e M.Krujës sipas marrëveshjes me grupet nacionaliste. * Shqiptarët e pranonin një princ të shtëpisë Savoia (siç kishte qenë edhe Princ Wiedi). * Nuk pranonin regjim fashist në Shqipëri. * Asnjë koncesjon, (lëshim në dëm të vëndit), Italisë në kundërshtim me pavarësinë kombëtare shqiptare. E mbasi i shtrohen G.Giros këto sinore, M.Kruja e ndjen nevojën edhe t’i shtojë … me që ndërmjet shteteve kurrë nuk është dhënë asgjë e as jepet pa një leverdí të ndërsjellë, e pyes Qeverinë Italiane nëpërmjet teje, në se Italia e ndjen veten plotësisht të kënaqur me një Princ të Shtëpisë Savoia mbi fronin e Shqipërisë apo mendon të parashtrojë edhe pretendime të tjera … E kur Giro-ja shton se mendimi i palës italiane është që të ketë shkrirje të dy kurorave mbretërore, të ketë shkrirje të ushtrive, të diplomacisë si edhe financave, M.Kruja i pohon pa lëkundje “… Atëhere, i dashur Giro, në këto kondita dhe përsa më takon mua si edhe miqve të mi, Mbreti Zog mundet të mbretërojë edhe njëqind vite mbi fronin e Shqipërisë !”
Pa dashur të zgjatem, i lejoj vetes t’i drejtoj vetëm një pyetje lexuesit : përgjatë 47 viteve të diktaturës komuniste, është ndeshur lexuesi me ndonjë qëndrim sadopak të krahasueshëm me pozicionimin krenár dhe dinjitoz të M.Krujës ndaj shtetit që ai priste t’a mbështeste ? Edhe pak fjalë lidhur me një fakt me të cilin lidhen spekullime tejet të ulëta të bëra gjatë dhjetravjeçarësh për t’a ndikuar opinionin publik shqiptar në një drejtim krejtësisht të padrejtë ndaj realitetit. Fjalën e kam rreth telegrameve të drejtuar Mussolinit nga Grenobli. Kopjet e telegrameve ndodhen në arkiva dhe janë të botuara në gjithë shtypin italian të datës 8 prill 1939. Ata kurrë nuk janë botuar integralisht përgjatë diktaturës, kurse popullit, duke ia cituar me nënkuptime dhe insinuata, i janë paraqitur ata si kulmi i tradhëtisë ndaj Atdheut. Ja se si formulohej pak a shumë (sipas kujtesës së M.Krujës – shënim i M.K.) telegrami i parë : “ Në çastin që fati i Kombit t’onë gjëndet tashmë krejtësisht në dorën t’uaj, duam të shpresojmë se do t’a tregoni bujarínë t’uaj duke i respektuar të drejtat e tija si Shtet i pavarur.” Lidhur me telegramin e dytë, të nisur me 13 ose 14 prill 1939, M.Kruja pohon … si pamë qi u shpall bashkimi personal, të cilin na e kishim prapsun, si dhe formimin e nji qeverije shqiptare me të gjithë ministrat, si ma parë, aty mbrenda edhe ministër të jashtëm, lufte e financash, na erdh pak shpirti e i dërguem Mussolinit nji telegrafë të dytë tue i thânë se i pranojshim vêndimet e atij kuvêndi me shpresë qi prej atyne vendimeve do të dilte bashkimi i të tânë Shqiptarvet nën flamurin e Skënderbegut.
Këta telegrame aq të përfolur nga historiografía komuniste, a nuk na dalin tashti në një dritë krejtë tjetër pa le edhe të gjindshëm (vetë telegramet) si qenë formuluar origjinalisht ? Dhe momenti që duhet theksuar e nënvizuar është se në telegramin e dytë i mëshohet të kujtuarit të marrëveshjes kaluar për t’u bashkuar gjithë Trojet Shqiptare, Kosova, pjesërisht Maqedonia si edhe Çamëria, nën flamurin e Skënderbeut !
Me këtë rast kërkimi i së vërtetës si edhe pozicionimi i ndershëm ndaj fakteve historike të paraqitura pa deformime, pa le pastaj shtrembërime në interpretim, më detyron t’ia nënvizoj lexuesit vullnetmirë faktin se si Mustafa Kruja, kur flet për pastërtín’e figurës historianit kërkon që historiani t’a pohojë të vërtetën siç është, qoftë ajo e vërtetë edhe kundra bindjeve patriotike të historianit vetë ! (Fq.285).
Siç e sheh lexuesi i këtyre radhëve, jemi munduar të vemë në dukje pohimet madhore të Mustafa Krujës përgjatë letrave të tija me përgjigje drejtuar Padres, ku si një fill i ngjyrosur duket qartë pozicionimi i tij tejet i ndershëm ndaj të vërtetave historike pa marrë parasysh interesa as partishmërí edhe kur është fjala të thuhen të vërtetat cilatdo qofshin ato, edhe kur bijnë ndesh me bindjet patriotike të hitorishkruesit !. Ja ku po e kujtojmë, mes shumë syresh, edhe një pohim gati – gati të pabesueshëm (Fq.315). Tek e pyet frati në se ishte e vërtetë që gjatë tërheqjes së ushtrive serbe nëpër Shqipëri, (mbas thyerjes që pësuan ato prej ushtrive austro – hungare), ato ishin sulmuar nga njësi ushtarake shqiptare, M.Kruja, ai antiserbi i regjur, pohon : … Ça paske kënduem mbi trazimin e Sërbet prej nesh kur janë tërhjekun nëpër Shqipni përpara sulmit austro –hungar në fillim të 1916-s nuk âsht rrênë, mjerisht. Po thom mjerisht, se mbas mendimit t’em nuk na nderon aspak. Esati nuk kishte kurrfarë pushteti ndër malet asokohe. Ç’mësim niveli tejet të lartë etiko – moral duhet të nxjerrin nga ky pozicionim historianët bashkëkohorë ! E konsideron turp goditjen mbrapa krahëve të një ushtríe të thyer në ikje e sipër, qoftë ajo edhe ushtría serbe armike tradicionale e jona. Nga ana tjetër, edhe në rastin kur e kishte mundësínë të heshtëte, duke ia lënë përgjegjësínë Esat Pashës, armikut të betuar të vetë Mustafa Krujës, ky i del zot duke u shprehur se ai (Esat Pasha – shënim i M.K.) nuk kishte asnjë pushtet në malet shqiptare. A kanë nevojë për komente këto pozicionime shkencore jashtë ç’do kuadri politik dhe mëríshë personale të M.Krujës, pa le të bëhen përqasje me pseudostudime e pseudoanaliza historishkruesish të periudhës diktatoriale e që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite e mbahen akoma për historianë ?
Letra e 101-të është një model analize shkencore historike se si M.Kruja i përgjigjet Padres lidhur me pyetjet rreth rolit të Esat Pashës në vrasjen e komandantit të Shkodrës së rrethuar, Hasan Rizait.
Në faqen 382 M.Kruja u bën një ndarje krerëve kosovarë në katër kategori, lidhur me pozicionimin e tyre ndaj pavarësísë. T’a lexojë lexuesi atë faqe. Të qëndrojë pastaj dhe me mëndje të tijën emrat e Hasan Prishtinës ose Bajram Currit e në vazhdim, t’i zëvëndësojë me emrat e drejtuesve të sotëm të Kosovës, (doemos edhe në kushtet e rrethanave të sotme). E kur t’a ketë ndërtuar këtë kuadër në mëndjen e tij, nga përqasja a nuk vjen në përfundimin e M.Krujës që pohon se … ndër krenët e Kosovës mbretnonte Khaosi …? (rrëmuja – shënim i M.K.).
Përmbyllje :
Për një gjysëm shekulli historia u shkrua sipas fitimtarëve dhe pavarësisht nga
deformimet dhe shtimit të radhëve të tradhëtarëve me armiq të rinj, historianët zyrtarë shkruanin histori të re sipas skenarit të urdhëruar nga udhëheqësi i pagabuar. Edhe sot, me inercinë e autoritetit shkencor të fituar në sistemin e kaluar, vazhdojnë të përkujtojnë dhe të shkruajnë nëpër tekste historie, sipas tyre te vertetat e ashtuquajtura historike !
Përgjatë kësaj hullíje nuk i shmangem dot dhe e ftoj grupin e personave që e kanë paraqitur librin e Çatin Saraçit si hedhje dritë mbi figurën e Ahmet Zogut, t’a dëgjojnë një këmbanë rreth ortakut të tretë të treshes A.Zogu, Jak Koçi dhe Ç.Saraçi, të cilët honoraret (lexo ryshfetet) i ndanin më tresh me përqindje të caktuara. Këta janë vallë njerëzit pohimet e të cilëve na rekomandohet t’i marrim si fakte historike ? Njihemi tashti me përgjigjen që i jep M.Kruja fratit, tek e pyet ky se si e njihte ai Jak Koçin. M.Kruja i përgjigjet duke e cilësuar si aventurier nga më të poshtrit në botë dhe të pashoq ndër shqiptarë. E bile shton se po të kishte qenë Jak Koçi personalitet historik, M.Kruja do të sillte në tryezë edhe fakte por shton … Jaku s’e meriton as me ndymë gojë e letër me tê …
Gjithsecili person që rreth M.Krujës nuk ka pasë dëgjuar asgjë tjetër veç propagandës komuniste, e mendon atë tradhëtar të atdheut, të shitur tek Italia Fashiste si edhe kriminel. Si pasojë as e përfytyron dot se si ky njeri ishte bashkënënshkrues i Dokumentit të Mëvehtësísë më 28 Nëntor të 1912-ës në Vlorë, bashkëhartues me L.Gurakuqin i të gjitha memorandumeve edhe notave që delegacioni shqiptar i paraqiste Konferencës së Paqës në Paris. Nga ana tjetër as që mund t’a mendojë se M.Kruja qe personi që për të pranuar portofolin e kryeministrit i vuri kusht Italisë që flamurit t’i hiqeshin dy simbolet e fashizmit si edhe nyja e shtëpisë Savoia. A i shkon mëndja këtij lexuesi se M.Kruja, duke parë se qeveria italiane i shkeli kushtet e marrëveshjes për rrëzimin e Mbretit Zog dhe e shkeli ushtarakisht Shqipërinë, qeverin’e tij e ndërtoi me antiitalianë të njohur ? Dhe cili qe pikësynimi i tij me këtë veprim ? Që qeveria, në të gjithë sferën e veprimtarísë së saj, të ishte sa më e ngurtë ndaj ndërhyrjeve të qeverisë italiane duke e frenuar shtrirjen e ndikimit të saj.
Mund të duket e pabesueshme, por M.Kruja qé kryeministri i cili jo që Qazim Koculin, ish udhëheqësin ushtarak të Luftës Vlorës të vitit 1920, e pati emëruar komisar të lartë të qeverisë, po kur italianët nxitën veglat e tyre t’a vrisnin me atentat Qazim Koculin, Mustafa Kruja në emër të qeverisë tij dha dorëheqjen e pakontestueshme dhe të prerë !
Mbasi të jenë lexuar këto radhë e pastaj të jetë zgjeruar fusha e njohjes duke e lexuar edhe vëllimin e plotë të letërkëmbimit, ësht’e qartë se secili që ka një minimum ndershmëríe në ndërgjegjen e tij do të duhet tani e tutje t’a rishikojnë me sy si edhe mëndje kritike gjithë morínë e pohimeve që janë paraqitur dhe predikuar si të vërteta historike deri më sot nga ata historianë shkarravinash pseudohistorike për të cilët folëm pak më sipër.
Kaq sa u shkrua deri më tani, ka për qëllim vetëm t’a tërheqë lexuesin potencial të vëllimit të plotë, për t’a parë Mustafa Krujën në dritën e tij të vërtetë që i takon si atdhetar i skajshëm dhe i papërkulshëm lidhur me pozicionimet e tija parimore të një qëndrimi etiko – moral shkalle nga më sipëroret. Mirëpo diktatura veç baltës që hodhi e nuk pushoi së hedhuri mbi këtë figurë patriotike madhore të kombit tonë, me dhunë bëri të mbulohet me harresë ana tjetër, po aq e shquar e këtij personaliteti vërtet shumëplanesh, si studjues i gjuhës edhe prejardhjes së saj, aspekt i cili, për të mos u zgjatur shumë materiali, nuk u trajtua fare. Kërshërínë edhe në këtë drejtim lexuesi do t’a shuajë kur t’a ketë në dorë vëllimin e mirëfilltë origjinal.
Detroit, dhjetor 2006

AKTORËT E VJETËR DHE PUSHTETI I MORALIT – Nga FLAMUR HOXHA *

A mos gjithmonë jemi të dënuar ta nisim nga e para?

Gjithkush në këtë botë ka të drejtën të ndryshojë, por duket më shumë se absurde situata jonë. Bota jonë është e vogël, më e vogël se e mendojme ne.

Pushtetarët kur marrin pushtet u duket vetja të mëdhenj dhe edhe vendi ku drejtojnë i madh. Kjo është drama.

Por këtu të gjithë dinë kush me kë bëri trafik, ngriti trarin në doganë, bleu një vend pune, fshehu një korrupsion, kush me kë bëri e ben…etj…etj

Ndaj ndershmëria është neni i parë i kushtetutës së moralit tonë politik. Prekja e njerzve me dorë, begenisja e tyre, shikimi sy për sy, kushtimi i dy minutave kohë secilit dhe degjimi i çdo fjale… me pak fjalë të vihesh në vendin e tij. Kaq pak do ndershmëria.

Nuk është shqiptari i dikurshëm që të sheh me sy të jeshilta dhe shtrin duart e mpita për një copë bukë. Jo! Shqiptari i sotëm do vlerësim, sherbim, konsiderim, respekt prej deputetit, zyrtarit, nëpunësit, partiakut…

Duke besuar se opozita është kolona pa të cilën nuk rri dot në këmbë një shtet demokratik apo edhe që thirret demokratik apo synon të bëhet i tillë, u uroj deputetëve të opozitës punë të mbarë e fat në misionin e tyre në përfaqësimin e gjithë qytetarëve, e sidomos atyre më të pamundur e më pa përkrahje.

Partia Demokratike dhe Deputetët e saj, pavarësisht luftës së pandershme të fjalëve e gjuajtjeve të pabesa nën brez, janë e do të mbeten opozita e vetme e ligjshme dhe e moralshme e vendit dhe sfida e saj është si të jenë sa më seriozë, sa më të besueshëm dhe të ngjallin besim e shpresë.

Zhvillimet që ndodhën, fitorja e pabesueshme e të majtës në zgjedhjet e fundit, me hile e pa hile, me lekë e me drogë, na venë para një situate të vështirë e të çuditshme.

Konfigurimi i parlamentit, nxjerrja në krye të tij e eksponentëve ndaj të cilëve u ngrit në këmbë vendi para rreth tre dekadave dhe kërkoi ti rrëzonte nga pushteti, njeriun e thjeshtë e bën të pyesë: ku jemi?

Une besoj se rruga e vetme që e sjell Partinë Demokratike në pushtet me votë është rritja e besimit të ndërsjelltë mes eksponentëve të PD dhe qytetarëve, është përfaqësimi dinjitoz që u bëhët nga opozita qytetarëve, është ndershmëria e sjelljes dhe marrëdhënieve të ndërsjellta.

Njerezit do ta durojnë ende thikën sepse frika sillet rrotull kokave të njerzve, njëmijë frika, frikë për rrogën, frikë për fëmijën, për prindin, frikë nga frika…

Por një ditë do të bëhët mjaft, do të bëhët boll dhe kur të bëhet boll, kemi aftësinë t’i nxjerrim gjerat jashtë kontrolli siç ndodh fillim i ri me figura të vjetra dhe ne të jemi gjuhëkafshuar se këtu kemi qenë të tërë prej tri dekadash dhe kemi vallëzuar bashkë.

Partia Demokratike nuk ka kohë të zhgënjejë më askënd, nuk ka më tolerancë. Duhet të bëhet detyrimisht diga e qëndresës që mbron sistemin pa u shembur plotësisht.

Hekurudha e sigurtë është ajo e moralit. Mënyra e vetme është me folë sy më sy me njerzit e jo të bëjmë sikur flasim me to. Çdo shpërfillje e secilit na është kthyer e do na kthehet gjithmone.

Ne si Parti Demokratike dhe deputetët e saj mund ta ushtrojnë me sukses maksimal një pushtet, pushtetin e moralit, pushtet që fiton mbi çdo pushtet tjetër.

———————

(*Flamur Hoxha është biznesmen i njohur në Shqipëri në prodhimin e veshjeve, kandidat për deputet i Partisë Demokratike në Tiranë, cilësohet si fytyra e re e Partisë Demokratike, humanist i njohur, ndër të vetmit biznesmenë të mëdhej që mbështet botimin e librave me vlerë të Klubi i Poezisë, sponsorizon printimin e revistës më serioze letarare ballkanike e më gjërë në gjuhën shqipe, Illz – revistë letrare e Tiranës, periodike dy mujore që ka mbërri në 16 numra.)

“SYRI I POPULLIT”, PJELLË E LPK-SË, E SHIK-UT – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

 
     “Ka ardhur koha me dalë nga çubat”, – thoshte studenti Ibrahim Rugova, në vitin 1967. Sepse ilegaliteti, i sanksionuar me ligj, si veprimtari antikushtetuese, luftohej vrazhdësisht nga pushteti monist. Megjithatë, në rrethanat e pushtimit serbo-sllavë, duke qenë të ndaluara veprimtaritë legale, që i bënin oponencë pushtetit, shprehja e lirë e mendimit, logjikisht, ishte ielegaliteti, mundësi organizimi, për këndelljen e popullit, deri në kundështinë e pushtetit, në mënyra të ndryshme.
 
     Por, lëvizja ilegale, në epokën plurale partiake, në demokracinë parlamentare të sotme, aq shumë të reklamuar, është anakronike, është kthim prapa, është futje e sërishme në “çuba”. Organizata ilegale “Syri i Popullit”, me listat vrastare, është vijimësi e Organizatës kriminale terroriste – SHIK -, e cila  filloi me listëbërjen emërore të viktimave të ardhshme, ngeshëm të pikasura, me emra komandantësh, luftëtarë të zëshëm të FARK-ut, kuadro e veprimtarë të LDK-së. 
 
      Por, lista sekrete, ende të pa publikuara, ka edhe për brenda llojit, kryesisht, kuadro e luftëtarë të gardës së vjetër të LPK-së, të pabindur ndaj Kryesisë së re uzurpatore të LPK-së. Dhe, ekzekutimi i të listuarëve emërorë, filloi në vitin 1997, për të vazhduar përgjatë luftës dhe pas luftës. Pra, shefat e rinj të LPK-së, “komandantë”, pa hyrë në luftë fare, vranë luftëtarët e lirisë, veprimtarë të LDK-së dhe të tjerët, për t`i hapë rrugën pushtetit të tyre kriminal e hajnor.
 
 
     Pse dhe kush e krijoi “Syri i Popullit”?
 
     Letrat me pyetjet domëthënëse për “komandantët” e krimit, të bëra nga Murat Jashari, shquhen për elemente të dyshimit të bazuar kriminal. Duke qenë brenda llojit, sojit, një lëvizak i ekstremit të majtë enverist e stalinist, ishte përdorur, më saktë, i keqpërdorur, nga hileqarët batakçinj, në krye të Lëvizjes. Murat Jashari kishte udhëtuar nga Zvicra në Itali, me porosi të krerëve të LPK-së, për ta marrë, ilegalisht, fshehurazi, azilantin e djeshëm dhe nënkryetarin e sotëm të Parlamentit të Kosovës, Xhavit Halitin.
 
     Letra-pyetje, me 3 (tre) e 4 (katër) shifrore, për krerët aktual pushtetarë, në Kosovë dhe Maqedoni, sjellin fakte diskridituese, madje, deri në denoncime penale, për “komandantët”, vrastarë të shqiptarëve. Letrat, fillimisht, u publikuan në gazeta e portale shqiptare, pastaj u përmblodhën në libër.
 
     Letrat-pyetje që u adresohen “komandantëve”, të cilët thirrën në luftën e pa bërë: Hashim Thaçit, Fatmir Limaj, Kadri Veselit, Xhavit Halitit, Ali Ahmetit dhe lukunisë tjetër të krimit të organizuar dhe të korrupsionit, hajnisë zyrtare, janë dëshmi shokuese e faktike, për ta penalizuar secilin syrësh. 
 
     Krerët e krimit, me SHIK-un e tyre, për t`i devalvuar, amortizuar akuzat fatale, për karrierën e tyre të psitë e kriminale, i nxitën agjentët e tyre, për të krijuar Organizatën kriminale “Syri i Popullit”. Në stilin e SHIK-ut, hartuan edhe listat emërore për atentatim, por, pa atë përzgjedhjen e bërë nga SHIK-u, i cili godiste për vdekje kndërshtarët politikë, kuadro e veprimtarë të LDK-së dhe ushtarakët luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës.
 
     Përkundrazi, lista emërore e personave “të dënuar me vdekje” si “armik i popullit”, në pritje për ekzekutim, është shumë kontraverse, mishmashe, iracionale, e qëllimshme për huti totale, një veprim çmendurak, që mund ta bëjnë vetëm të sëmurët psiqikë, budallenjtë! Pra, qëllimi i SHIK-ut PAN-istë, është për t`i asgjësuar provat faktike të krimeve serike vrastare e korruptive, pikërisht. të shefave të PAN-it dhe të vartësve të tyre kriminelë. Ja, pra, kjo shtë arsyeja dhe përgjigja – pse dhe kush e krijoi Organizatën kriminale “Syri i Popullit” -.
 
     Shëmbullojmë me pa logjikshmërinë e qëllimshme të listës emërore të personave publikë, të dënuar me eliminim fizik:
 
    Ish-presidenti Fatmir Sejdiu bëri dy “mëkate” dhe u ndëshkua me shkarkim:
 
     1) Refuzoi 6 pikëshin e Baki Munit të OKB-së;
     2) “Të hetohen e zbulohen vrasjet politike të veprimtarëve të LDK-së dhe të ushtarakëve të FARK-ut, sepse ata nuk i kanë vrarë jashtëtokësorët”.
    
     Mos, vallë, kjo është tradhti ndaj Atdheut-Kosovë?!
 
     Publicisti i mirënjohur, ish-kryeredaktori i kombëtarës “Bota Sot”, Bajrush Morina, dhe ish i burgosuri shumëvjeçarë politik, si dhe ish-ministër Informacionit të Republikës të Kosovës, Xhafer Shatri, i cili punoi e veproi për Republikën e Kosovës, më shumë se sa e gjithë LPK-ja, e marrë si tërësi, çfarë tradhtie bënë?! Që të dy – një jetë për Kosovën, për Atdheun. Këtu mund të citonim edhe emra të tjerë.
 
 
      Përzgjedhja e viktimës së parë, domëthënëse
 
     Nga ato që dimë, Azem Vllasi nuk ka qenë funksionar i vendimmarrjes kyçe. Madje, në kundërshtinë e tij ndaj Serbisë, në një kohë zezonë, ishte dinjitoz dhe motivoi, edhe më shumë, popullin për rezistencë karshi pushtuesit. Por, Vllasi kishte një “fajësi” tjetër, denoncoi stalinistët-enveristë të së majtës ekstreme, pra, LPK-në, për foshnjërinë politike, të treguar në demonstratat e vitit 1981, të organizuara nga Serbia dhe Shqipëria staliniste, qëllimshëm, për ta stopuar Kosovën, në ecjen e saj rapide, të shpejtë, drejt zhvillimit ekonomik dhe politik të saj.
 
     Por, për çudë, nuk e di pse Vllasi e kurseu Tiranën zyrtare të kohës, për të shpjeguar qëllimin e ndyrë, thellësisht, kundra-kombëtar, të bandës diktatoriale e kriminale  të Enver Hoxhës me shokë dhe tradhtinë e radhës ndaj Kosovës?! Sidoqoftë, e vërteta është shokuese dhe hiç vëllazërore!
 
 
    Çjerrja korale e bandës PAN, kundër Vetëvendosjes
 
     Çorbën e thartuar të PAN-it, ua servirin të tjerëve, për ta pirë. Në rastin konkret, akuzojnë Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën, për shkruarjen e letrave-pyetje, të cilat zbulojnë, madje, bindshëm, krimin, tashmë, të bërë, nga shefat e PAN-it, në koalicioni aktual. 
 
     “Kush ma vrau vëllain, Ismet Jashari – Kumanova”, – është pyetja-bosht i të gjithë letrës me pyetje në vazhdim, e bërë nga Murat Jashari për komandantin Fatmir Limaj? Vërtet, shokuese! Por, karadaklia, Komandant “Kumanova”, është ekzekutuar me urdhër të bandës të “komandantëve” në pushtet. Fshehja e vrasjes, pastaj edhe e kufomës e, deri ngulmimi për t`ia ngritur shtatorën në Prizren, pa përfillur urbanistikën e qytetit, ishte skajshëm cinik. Kjo na kujton vrasjen, prapa shpine, të gjeneralëve nazistë, të dyshuar nga Hitleri dhe dekorimi e varrosja ceremoniale e tyre, me tam-tamet zyrtare!
 
     Vrasjet brenda llojit e komandant Ismet Jasharit-Kumanova, të sekretarit organizativ të LPK-së në Kosovë, Behajdin Hallaçit, të profesorit Shaban Shala, shefit të Emergjencës të luftës, për krahun e LPK-së, Ilir Konushevcit dhe vënia në pritat e policisë pushtuese serbo-sllave, të kuodrove tjerë në luftë, janë vepër ekskluzive e shefave të LPK-së së djeshme, të PAN-it të sotshëm.
 
     Këtu kemi të bëjmë me faktet konkrete, që i sjell opinionit gjithë-shqiptarë, madje, jo vetëm atij, Murat Jashari, me letrat e tij unike, me pyetjet rendore numerike. Lektorimi apo redaktimi teknik, nga ndonjë i dytë apo i tretë i mundshëm, assesi nuk ia heq autorësinë e letrave-pyetje anëtarit besnik të LPK-së së hershme, Murat Jasharit. Edhe nëse, vërtet, përgaditja teknike e letrave pyetse është bërë nga Albin Kurti e Glauk Konjufca, kjo nuk do të thotë asgjë. Edhe unë do ta kisha bërë me kënaqësi, edhe pse përmbajtja e pyetjeve është e sikletshme, dramatike e tragjike, sepse krimet shpalosën, si në ekranin filmik, por, mjerisht, jo artistikisht, por, faktikisht. Fundja, është detyrë, madje, më shumë se morale, për çdo qytetar, luftimi i së keqes, aq më parë i krimeve, që kanë ngulfatur Kosovën tonë.
 
 
      Autori më kërkoi përurimin e librit në Gjermani
 
     Autori i librit, me letrat-pyetje, drejtuar pushtetarëve PAN-istë aktual dhe të tjerëve, Murat Jashari, tani, i parë i Organizatës ilegale “Syri i Popullit, më shkroi letër. Ai kërkoi nga unë organizimin e promovimit, përurimit të librit në fjalë, në Gjermani. Arsyeja pse ma besoi mua këtë organizim, është e thjeshtë: Si njeri i letrave dhe veprimtar veteran i çështjes kombëtare. 
 
     Edhe pse, unë dhe Murat Jashari militojmë në parti të ndryshme, ekstremisht, me dallime ideologjike e konceptuale, bashkëpunimi legal, me interes të përgjithshëm shoqëror, është tej ndarjes partiake. Unë, pa hamendje, e pranova kërkesën e tij miqësore, duke marrë përsipër të gjithë organizimin, përgaditjen peruruese. Aq më parë, kur dihet se Famlja Jashari e Karadakut të Kosovës, e shpërngulur, nga furtunat e jetës, në Orizare të Kumanovës, është dëshmuar për qendresë luftarake dhe vetëmohim kombëtar.
 
     Ndërkohë, ndodhi aksidenti fatal, atentati intrigues, i porositur në mënyrë përfide, jo nga “Syri i Popullit”, por, nga SHIK-u terrorist, mjeshtër i gjakderdhjes shqiptare. Dhe, projekti i perurimit të librit të Murat Jasharit, u anulua, nuk u realizua.
 
     
    Këndellja, edhe pse e vonuar, domosdo e kohës
 
     Poeti drenicar, i cili jeton e krijon në Mërgatë, autor i këngës-hymn, – Thërret Kosova mori Shkodër -, Sylë Bajrami, , shkruan: “Amerika na ktheu në shtëpitë tona, por, nuk na çliroi, derisa na i la komandantët kriminelë në komandë, në pushtet”.
 
     Këta komandantë, me bandat e tyre, të organizuara në SHIK, kanë hyrë në të gjitha poret e shoqërisë, në shtetin e brishtë të Kosovës. Madje, edhe në partitë e pozitës dhe të opozitës. Dhe, këtë të vërtetë absolute, e thotë, publikisht, nënkryetari i Parlamentit të Kosovës, Xhavit Haliti.
 
     Që “Syri i Popullit” është pjellë e SHIK-ut, nuk e fsheh as Xhavit Haliti, kur e quan viktimë veprimtarin veteran të LPK-së, Murat Jasharin. A nuk do të ishte më mirë që organizimi “Syri i Popullit”, të ishte legal, i ligjshëm dhe të angazhohej për zbulimin e shumë qindrave të vrasjeve politike, përfshi këtu edhe komandantin trim, Ismet Jashari-Kumanova, me shokë? Sigurisht, se po. Dhe, jeta e Murat Jasharit me shokë, do të kishte rrjedhë njerëzore dhe jo kriminale.