VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, kryeson Pendarovski

By | May 5, 2019

Komentet

Certifikohen rezultatet, shqiptarët me 32 mandate në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ne Maqedoninë e Veriut ka miratuar vendimin për shpalljen e rezultateve zyrtare të zgjedhjeve parlamentare të 15 korrikut.



Gjatë seancës së hapur, kreu i KSHZ-së Oliver Derkovski njoftoi se janë certifikuar rezultatet e përbërjes së re parlamentare prej 120 deputetësh.

LSDM 46 mandate
VMRO-DPMNE 44 mandate

BDI 15 mandate
ASH-AA 12 mandate
E majta 2 mandate
PDSH 1 mandat

Gjatë këtij mandati katërvjeçar në godinën ligjvënëse, shqiptarët do të përfaqësohen nga gjithsej 32 deputetë shqiptarë nëpër parti dhe koalicione të ndryshme. Pa mandate mbeten Integra, GDU, Moro, Glas za Makedonija, E vetmja Makedonia, SDU, Tvoja prtija, Demokratët dhe Partia popullore rome.

Pendarovski flet me Lajçak për bisedimet Kosovë- Serbi: kufijtë s’duhen prekur

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, sot ka zhvilluar një bisedë me emisarin e BE’së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në rajon.

Pendarovski në fjalët që i ka thënë Lajçak ka thënë se kontributi i BE’së është i nevojshëm për gjetjen e një zgjidhje që është e pranueshme dhe që forcon stabilitetin e rajonit, duke aluduar kështu që kufijtë s’duhet preken.

“Me Miroslav Lajcak, Përfaqësuesin Special të BE’së për dialogun Beograd Prishtinë, folëm për zhvillimet e fundit në rajon. Kontributi i BE’së është i nevojshëm me qëllim të gjetjes së një zgjidhje të pranueshme dhe forcimit të stabilitetit në rajon”, ka thënë Pendarovski.

Edhe Lajçak ka njoftuar në profilin e tij për bisedën me Pendarovskin, duke treguar se e ka informuar presidentin maqedonas për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe se kanë folur edhe për krijimin e qeverisë në Maqedoninë e Veriut në kontekstin e rinisjes së negociatave për anëtarësim”.

Shkup, Talat Xhaferi shtrohet në spital

Isak Ramadani

Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi është shtruar të premten në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup, por nuk është bërë e qartë nëse bëhet fjalë për infektim nga koronavirusi. Zoti Xhaferi kishte përjetuar probleme shëndetësore gjatë disa ditëve të fundit, thanë bashkëpunëtorë të tij.

Ndërkohë, parlamenti i ri i dalë pas zgjedhjeve të 15 korrikut duhet të mblidhet në fillim të muajit gusht dhe këtë seancë e thërret kryetari në largim i parlamentit, që është vetë z. Xhaferi.

Sipas rregullores së parlamentit, kryetari i tij cakton seancën themeluese të përbërjes së re parlamentare, njëzet ditë pasi të jenë zyrtarizuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare. Nëse ai/ajo nuk është në gjendje të jetë i pranishëm në seancë, atëherë atë e drejton deputeti më i vjetër në moshë. Në seancën e parë zgjidhet gjithashtu kryetari i ri i parlamentit.

Dy zyrtarë të tjerë të Bashkimit Demokratik për Integrim kanë njoftuar se kanë rezultuar pozitivë në testet për COVID-19: Arbër Ademi, i cili është Ministër aktual i Arsimit dhe deputet në parlamentin e ri, si dhe Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë, të cilët kanë qenë aktivë gjatë fushatës parazgjedhore gjatë të cilës jo gjithmonë zbatoheshin protokollet dhe masat e mbrojtjes nga koronavirusi.

Situata e koronavirusit nuk është përmirësuar në Maqedoninë e Veriut që prej disa javësh, duke marrë çdo ditë disa jetë njerëzish. Vetëm në 24 orët e fundit janë raportuar 6 viktima dhe 129 raste të reja. Pesë nga viktimat janë nga Shkupi dhe një nga Struga. Brenda këtij intervali kohor janë bërë 1.535 teste, ndërsa 109 persona kanë rezultuar të shëruar nga virusi. Që nga shpërthimi i pandemisë janë regjistruar 451 raste vdekjesh nga 9.797 të prekur gjithsej, prej të cilëve 4.092 mbeten raste aktive dhe 5.254 të shëruar.

Ali Ahmeti sqaron thirrjen nga Haga: Jam ftuar si dëshmitar nga prokuroria speciale e Kosovës

Kreu i BDI, Ali Ahmeti sqaron se është ftuar si dëshmitar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e njëjta që ngriti akuzën për krime lufte ndaj Thaçit e Veselit.

Ahmeti thotë se është ftuar si dëshmitar pasi ka qenë themelues i UÇK-së dhe anëtar i shtabit të përgjithshëm.

Ai shton se është në dispozicion të tregojë çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit të Millosheviçit. Por ndërkohë që për Thaçin e Veselin ka një aktakuzë të ngritur nga kjo Prokurori për rreth 100 vrasje të cilësuara si krime lufte gjatë luftës në Kosovë, për Ahmetin nuk bëhet ende me dije asgjë madje edhe nëse kjo thirrje është në vazhdën e ‘dosjes’ së Thaçit e Veselit me disa ish- luftëtarë të tjerë të UÇK-së.

 

STATUSI NGA ALI AHMETI

Të nderuar qytetarë,

sundimi i ligjit dhe arritja e drejtësisë së mirëfilltë joselektive, vendore dhe ndërkombëtare, janë synim dhe detyrim i imi i përhershëm në të gjithë veprimtarinë time.

Andaj, ju njoftoj që Dhomat e specializuara të Republikës së Kosovës, gjegjësisht prokuroria speciale e Kosovës, si një nga themeluesit e UÇK dhe anëtar i shtabit të përgjithshëm, më ka ftuar në cilësinë e dëshmitarit dhe pa hamendje kam pranuar ftesën si dhe kam vendosur kontakt konstruktiv dhe bashkëpunues me zyrtarët në Hagë.

Gjithëmonë kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviçit.

Maqedonia e Veriut raporton 127 raste të reja me COVID-19 dhe 8 vdekje

Shkup

Maqedonia e Veriut gjatë 24 orëve ka regjistruar 127 raste të reja të koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA)

Me këtë, numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara në vend është rritur në 9.153.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se gjatë ditës së fundit po ashtu janë raportuar 8 vdekje të reja nga COVID-19, me çka numri i përgjithshëm i vdekjeve është rritur në 422.

Maqedonia e Veriut deri më tani ka kryer 85.829 teste të dyshuara për COVID-19, përfshirë 904 teste të kryera gjatë ditës së fundit.

Numri i pacientëve të shëruar nga koronavirusi në vend është 4.810, prej të cilëve 83 në 24 orët e fundit, ndërsa numri i rasteve aktive 3.921.

Maqedoni e Veriut: A do bashkohen shqiptarët për ta bërë kryeministrin e parë shqiptar?

Në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, për herë të parë në histori do të ulen 33 shqiptarë. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare të mbajtura më 15 korrik nxorën fitimtare partinë e Ali Ahmetit, BDI-në me 15 deputetë, e ndjekur nga koalicioni mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës me 12 deputetë, PDSH-ja e Menduh Thaçit 1 mandat ndërsa koalicioni “Mundemi” gëzon 5 deputetë shqiptarë, 1 i LSDM-së dhe 4 të Lëvizjes Besa.

BDI-ja morri besimin e mbi 100 mijë shqiptarëve të Maqedonisë pasi që ngriti kauzën për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoni të Veriut, pozitë kjo e paprekur asnjëherë më parë nga një shqiptar.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, kujton se nuk ka qenë e lehtë që të thyhen tabutë e të merren pozicionet kyçe në shtet (Kryeparlamentari, Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Punëve të Brendshme etj) por thotë se me insistimin e duhur dhe me bashkimin e forcave politike mund të jetësohet edhe ëndrra për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoni.

Ditëve në vijim, sipas informatave që ka siguruar Gazeta Express në Maqedoni, pritet që të takohen krerët e partive politike shqiptare, edhe atë si vend takim mësohet të jetë Kalaja e Shkupit.

Kreu i BDI-së një ditë pas zgjedhjeve ka kontaktuar me të gjithë liderët e partive të tjera politike. Nuk dihet saktë se për çfarë kanë biseduar konkretisht, megjithatë, jo zyrtarisht mësohet se janë koordinuar për takimin që pritet të mbahet.

Kreu i LSDM-së Zoran Zaev para zgjedhjeve tha se nuk do të pranojë kushte të tilla nga BDI-ja (pra kërkesën për kryeministrin e parë shqiptar) dhe se do të kërkonte deputetët e VMRO-DPMNE-së nëse do të ishte nevoja për të bërë qeverinë.

Tani të dy partitë maqedonase, edhe VMRO-DPMNE-ja por edhe LSDM-ja nuk kanë numra të mjaftueshëm për të bërë shumicën prej 61 mandatesh. Të dyja ndajnë nga 46 deputet (LSDM+BESA=46 dhe VMRO-DPMNE + E MJATA=46) dhe në çdo kombinim të mundshëm nuk mund të bëjnë shumicë pa BDI-në nëse nuk shkëmbejnë deputet me njëra-tjetrën, me të vetmin qëllim që mos jetësohet ëndrra për kryeministrin e parë shqiptar.

Në një emision debativ, Ali Ahmeti pak sa me cinizëm tha se nëse partitë maqedonase bëhen bashkë për të mos lejuar një kryeministër shqiptar, atëherë edhe partitë shqiptare do të bëhen bashkë për të marr atë që u takon, duke lënë shumë gjëra për të nënkuptuar!

Partitë politike shqiptare ende nuk kanë reflektuar në kërkesën e Ali Ahmetit për tu bërë bashkë, megjithatë pritet që ditëve të bëhen të qarta vendimet e tyre.

Pasi të kalojnë afatet ligjore që parashihen në Kodin Zgjedhor, Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski do t’i japë mandatin kreut të LSDM-së Zoran Zaev për formimin e shumicës parlamentare për formimin e qeverisë. E nëse Zaev dështon që të bëjë mbi 61 deputet në afat 20 ditorë, atëherë mandati i kalon partisë së dytë që në këtë rast është VMRO-DPMNE-ja.

Në opinion qarkullojnë skenarë të ndryshëm për ecurinë e ngjarjeve në Maqedoni, disa prej të cilave edhe jo të këndshme për tu dëgjuar, megjithatë mbetet të shihet se si do të reagojnë liderët dhe partitë e tyre në momente të caktuara, që pritet të jenë jo të lehta për të dy palët.

Sipas burimeve jozyrtare, në opsion mbetet edhe pozita e kryeministrit me rotacion, nga 6-18 muaj për partnerin shqiptar ndërsa pjese e mbetur e mandatit t’i takojë palës maqedonase.

Shqiptarët në Maqedoni të Veriut për herë të parë fitojnë 33 deputetë në Kuvend

Për herë të parë në Maqedoninë e Veriut, paritë shqiptare kanë fituar 33 mandate në Kuvend.

Ka disa palë zgjedhje që garojnë.

Por, për herë të parë partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, kanë arritur të fitojnë 33 ulëse në Kuvend.

Më së shumit deputetë ka fituar Bashkimi Demokratit për Integrim, të cilën e drejton Ali Ahmeti.

Kjo parti ka  fituar 15 mandate.

Pas saj me 12 deputet rendite koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, të cilën e kryeson Zijadin Sela.

Ndërkohë, katër ulëse në kuvend ka fituar edhe Lëvizja Besa, që hyri në koalicion me LSDM-në.

E një deputet ka fituar edhe Partia Demokratike Shqiptare, që udhëhiqet nga Menduh Thaci.

Ndërkohë, suksesi i këtyre zgjedhjeve po shihet si pozicion i mirë i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Sipas profesorit Nuri Bexhetit kjo situatë ka ardhur për shkak se shqiptarët atje kanë rritur potencialin e tyre. Sipas tij tashmë qeveria e re patjetër do të varet nga shqiptarët.

Nga certifikimi i rezultateve fillon rrjedhja e afateve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, me të edhe bisedimet për koalicione.

Ndërkohë, zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut i ka fituar LSDM e Zoran Zaevit.

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, dalin rezultatet paraprake

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) i Maqedonisë së Veriut njoftoi se nga 93,96 për qind e të dhënave të vendvotimeve të përpunuara në mbarë territorin e vendit, koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë (LSDM) kryeson në zgjedhjet e parakohshme parlamentare me 36,13 për qind të votave, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç njoftoi zëdhënësi i KSHZ-së, Admir Shabani, pas koalicionit të udhëhequr nga LSDM, me një rezultat të ngushtë pason koalicioni VMRO-DPMNE, i cili sipas rezultateve fillestare fitoi 34,65 për qind të votave.

Shabani tha se Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka fituar 11.57 për qind t votave, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 8.97 për qind, partia politike E Majta 3,96 për qind, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) 1,48 për qind dhe Integra 1.33 për qind të votave.

I pyetur nga gazetarët lidhur me mosqasjen në faqen zyrtare të KSHZ-së për monitorimin e rezultateve të zgjedhjeve, Shabani tha se bëhet fjalë për “një sulm të jashtëm të hakerave në platformën ku rezultatet tregohen për publikun”. Mbi këtë çështje, tha ai, më shumë informacione do të njoftojnë në periudhën e ardhshme.

Sipas Listës Zgjedhore të KSHZ-së, të drejtë vote kishin 1.814.263 qytetarë për të zgjedhur 120 ulëse në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku në garë morën pjesë 15 koalicione dhe parti politike me 1.560 kandidatë.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u hapën në ora 07:00 dhe u mbyllën në orën 21:00. Sipas rezultateve të fundit nga KSHZ, deri në orën 20:45 jehona e votuesve ishte 50,86 për qind apo 830.370 qytetarë shfrytëzuan të drejtën e tyre të votës.

Procesi i votimit në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare për herë të parë u zhvillua tri ditë për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Në dy ditët e kaluara, më 13 dhe 14 korrik, votuan personat e infektuar me COVID-19 dhe ato në vetizolim, si dhe personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, personat në shtëpi pleqsh, të burgosurit dhe personat e zhvendosur në Qendrën e Personave të Zhvendosur.

Zaev: Rruga përpara u konfirmua

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, që udhëhoqi me koalicionin “Mundemi”, shpalli fitore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik.

Në fjalimin e tij para shumë simpatizantëve partiakë, Zaev u zotua se do të vazhdojë edhe më fuqishëm në zbatimin e reformave.

 

“Qytetarët votuan për një të ardhme të sigurt, për unitet dhe solidaritet, për patriotizëm ekonomik, për rregull dhe drejtësi, dhe kjo është arsyeja pse qytetarët zgjodhën një të sotme më të mirë dhe një të nesërme më të mirë. Rruga përpara është konfirmuar, rrezikut i kemi thënë qartë jo”, theksoi Zaev.

Ai gjithashtu tha se zgjedhjet ishin të qeta, të lira dhe demokratike, “siç i ngjajnë një vendi anëtar të NATO-s dhe i cili hapëron drejt Bashkimit Evropian (BE)”.

“Vijon mbrojtja edhe më e mirë e shëndetit tuaj, shëndetit tonë, shëndetit publik. Vijojnë negociatat me BE-në dhe më në fund, populli im, vijon drejtësia”, tha ai.

Zaev nuk komentoi në lidhje me partnerin e mundshëm të koalicionit për formimin e qeverisë së re, duke shtuar se do të presë deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare dhe konfirmimin e mandateve.

 

Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev, theksoi se partia e tij hyn në garë për të formuar një shumicë parlamentare për një qeveri të re.

“VMRO-DPMNE po hyn në një garë për të formuar një shumicë për një qeveri të re, sepse qeveria aktuale është e lodhur dhe është koha për ndryshime”, tha Janushev.

Ai tha se sipas rezultateve nga partia e tij, VMRO-DPMNE kryeson në shumicën e qyteteve dhe vendbanimeve, por theksoi se për shkak të modelit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore (modeli Dontov) do të presin deri në mëngjes.

Përsa i përket bllokut të partive shqiptare, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, shpalli fitoren duke deklaruar se partia e tij është “fituese absolute” në të gjitha zonat zgjedhore. Ai tha se “kanë fituar shqiptarët, nuk ka humbur askush”.

Po ashtu edhe koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa shpalli fitore në bllokun shqiptar, ndërkohë Ziadin Sela, i cili përshëndeti dhe uroi aktivistët e koalicionit të tij, theksoi se në disa vendvotime ka ndodhur “fenomeni i mbushjes së kutive” dhe se do t’i ankimojnë këto rezultate.

Intervista – Ziadin Sela: Shqiptarët kanë nevojë për ndryshim

Isak Ramadani

Në Maqedoninë e Veriut, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se shqiptarët në këtë vend kanë nevojë për ndryshim dhe se padrejtësitë e diskriminimi kundër tyre duhet të marrin fund. Ai thotë se koalicioni me partinë Alternativa nuk do të hyjë në qeverinë e re pa plotësimin e kushteve që dalin nga programi i tyre. Me zotin Sela bisedoi korrespondenti ynë Isak Ramadani.

ZËRI I AMERIKËS: 15 korriku po afrohet, cilat janë pritshmëritë tuaja, duke qenë se zgjedhjet zhvillohen në rrethana të një krize shëndetësore me koronavirusin që po vjen duke u përhapur edhe më shumë?

ZIADIN SELA: E vërtetë që ne po mbajmë zgjedhje në një situatë të jashtëzakonshme; kuptohet që qytetarët janë të shqetësuar edhe për shëndetin, por paralelisht me këtë është i rëndësishëm edhe shëndeti i sistemit. E shëndeti i sistemit varet nga zgjedhjet dhe nga institucionet kryesore që do të duhet të jenë në një shtet dhe gjithçka nis nga konsolidimi i parlamentit dhe themelimi i institucioneve të shtetit, të cilat kanë legjitimitetin e qytetarëve. Kuptohet, këto zgjedhje kanë një simbolikë dhe janë të rëndësishme sidomos për shqiptarët këtu në Maqedoininë e Veriut, sepse pritshmëritë tona janë që përfundimisht të vijë demokracia brenda përbrenda shqiptarëve, për shkak se ka 18 vjet që shqiptarët jetojnë në monizëm, për shkak se nuk ka pasur ndërrim pushteti te ta dhe me këtë ne presim që të ndodhë ndryshimi dhe të kthehet shpresa tek qytetarët për një jetë më të mirë.

ZËRI I AMERIKËS: Cila është oferta juaj për elektoratin shqiptar?

ZIADIN SELA: Programi ynë i koalicionit Aleanca-Alternativa është i titulluar “Shtet për të gjithë” në të cilin janë të parashikuara gjashtë shtylla kryesore dhe mbi 200 masa imediate të cilat duhet të merren. Shtylla e parë është barazia e plotë, kuptohet që ne jemi duke punuar që t’i heqim edhe ato mbetjet diskriminuese të Kushtetutës dhe disa definicione për të drejta për të cilat kanë për qëllim që shqiptarët t’i bëjnë të përkohshëm këtu në trojet e tyre. Fjalën e kam për definicionin për ligjin për gjuhë shqipe, që është skandaloz dhe pas zgjedhjeve ne gjuhës shqipe do t’i themi gjuhë shqipe dhe jo “gjuha të cilën e flasin mbi 20% e popullatës dhe e ndryshme nga maqedonishtja”. Kuptohet, një ndër masat është ruajtja e kapitalit njerëzor. Ne synojmë që t’u japim fund kësaj pabarazie dhe diskriminimit që po na bëhet dhe që po na merren vendet e punës vetëm me një deklaratë që politikisht është e orkestruar nga ana e partisë që është në pushtet e me mijëra vende pune u zihen shqiptarëve.

ZËRI I AMERIKËS: Si do të arrini t’i realizoni këto? Ndryshimi i terminologjisë që gjuhën shqipe në kushtetutë e përcakton si “gjuha të cilën e flasin mbi 20% e popullatës…” kërkon ndryshime kushtetuese, apo jo?

ZIADIN SELA: S’ka pasur disponim për ta sjellë ligjin e gjuhëve as kur ishim ne brenda atyre 100 ditëve në qeveri. Në momentin që legjitimohet programi ynë, atëherë natyrisht që do të ketë kushte për krijimin e qeverisë. Aq më tepër që politikanët maqedonas do të duhet të jenë të vetëdijësuar, sepse sjellja e tyre ndaj gjuhës sonë është e njëjtë siç është sjellja e, bile akoma më keq, e Bullgarisë ndaj gjuhës së tyre, kur u thotë që gjuha maqedone duhet të quhet “gjuhë zyrtare” dhe gjuhë maqedone. Sjellja ndaj gjuhës shqipe është akoma më skandaloze e politikanit maqedonas.

ZËRI I AMERIKËS: Jo vetëm me fillimin zyrtar të fushatës por edhe shumë më herët duket sikur çështje kryesore e keni si ta rrëzoni BDI-në nga pushteti dhe kësaj i kushtoni një hapësirë të madhe në paraqitjet tuaja. A prisni që kjo retorikë të dalë me sukses?

ZIADIN SELA: Nuk është e vërtetë që një ndër çështjet kryesore e kemi se si ta rrëzojmë BDI-në, por nga ana tjetër, e vërteta është që BDI-së i duhet pak opozita sepse besojmë që kanë menaxhuar keq me verdiktin e shqiptarëve këto 18 vjet sa kanë qenë në qeveri dhe si të tillë do të duhet të shkojnë në opozitë. Por, ne nuk e kemi atë motivin kryesor; ne duam t’i çlirojmë shqiptarët, sepse këto janë shndërruar në të njejtën kohë në ata të cilët shantazhojnë, kërcënojnë, u hyjnë me dhunë në shtëpi shqiptarëve duke i kërcënuar me vende pune.

ZËRI I AMERIKËS: Sipas analizave tuaja, sa deputetë do të fitoni në koalicion me Alternativën?

ZIADIN SELA: Kjo është çështje e verdiktit të qytetarëve shqiptarë, të cilët do ta përkrahin këtë koalicion. Pa dashur që të spekuloj, ne do të jemi mbi dhjetë deputetë.

ZËRI I AMERIKËS: Si do t’i bëni reformat në drejtësi, në këtë shtet ku shkalla e korrupsionit sipas organizatave ndërkomnbëtare është mjaft e lartë?

ZIADIN SELA: Duke krijuar kushte, në mënyrë që të dahet gjyqësi, e jo të politizohet dhe etnizohet gjyqësia. Brenda 100 ditëve qeveria e Maqedonisë së Veriut do t’i drejtohet BE-së për të sjellë grup monitorues gjykatësisht dhe prokurorësh të cilët do t’i hapin lëndët tashmë të mbyllura; pastaj, monitorimi i përhershëm në Gjykatën për krim të organizuar këtu në Shkup i çdo seance gjyqësore që në të ardhmen të mos ndikojë politika si pasojë e monitorimit ndërkombëtar në vendimet e gjykatës këtu; Pastaj vetingu, i cili duhet të ndodhë patjetër dhe sa më shpejtë në kuadër të sistemit gjyqësor në Maqedoninë e Veriut dhe e para nga të gjitha këto është ndryshimi. Një shoqëri është demokratike dhe më e avancuar kur sa më shpesh ndryshohet partia politike që qeverisë, sepse llogaridhënia për formën se si ke qeverisur jepet pasi shkon në opozitë.

ZËRI I AMERIKËS: A shikoni reforma në partinë VMRO-DPMNE pas largimit të Nikolla Gruevskit dhe a jeni të gatshëm të hyni në koalicionin qeverisës me të nëse ajo i fiton zgjedhjet?

ZIADIN SELA: Jo që s’shoh reforma atje, por kam përshtypjen se edhe këto të tjerët po gruevizohen dal-ngadalë, këta të LSDM-së… dhe një ndër problemet kryesore që ka qenë me VMRO-në që nisi orientimi i tyre nga Lindja ishte fakti që ata u shndërruan në oligarkë dhe oligarku e kërkon strehën tek oligarku më i madh i botës që është Putini dhe Rusia. Dhe unë kam shqetësimin se në të njëjtin drejtim po lëvizë edhe LSDM-ja. Për t’iu përgjigjur pyetjes: ditën që ne marrim vota, ne nuk jemi më emra e mbiemra të përveçëm por jemi premtimi, programi që kanë votuar shqiptarët dhe që duhet të realizohet.

ZËRI I AMERIKËS: Si i shikoni debatet lidhur me mundësinë e ofrimit të disa deputetëve nga partitë maqedonase njëra-tjetrës në mënyrë që të mos ndjehen të kushtëzuara dhe shantazhuara, siç thonë vetë, nga shqiptarët, për të arritur numrin e nevojshëm për formimin e qeverisë?

ZIADIN SELA: E rrezikshme. Lojë politike, teatër në sytë e qytetarëve për të marrë ndonjë votë më tepër. Kjo lojë politike, në qoftë se do të ishte e njëmendtë, do të ishte e rrezikshme. A nga ana tjetër, për çka kushtëzojmë ne? Për një të drejtë që na takon me kushtetutë, për një të drejtë, e cila na takon edhe ne si të gjithë të tjerëve dhe nuk po kërkojmë diku tjetër t’i marrim dhe po mbajmë balancën e Maqedonisë (së Veriut) që të mos lëvizë drejt krijimit të një shteti monoetnik. Sepse ka një realitet binacional dhe shumëetnik. Në qoftë se do të bëjnë diçka të tillë, ata i përjashtojnë shqiptarët nga sistemi. Dhe kur dikush të përjashton nga sistemi është legjitime që ti ta bojkotosh atë sistem dhe atëherë imponohet ideja që të bësh sistem paralel. Këtë e dinë shumë mirë edher zoti Zaev edhe zoti Mickovski, por thjesht janë lojra politike që të marrin ndonjë votë më tepër, por janë lojra politike të rrezikshme.

ZËRI I AMERIKËS: A keni preferenca lidhur me partnerin qeveritar maqedonas pas 15 korrikut?

ZIADIN SELA: Perëndimin. NATO-n dhe BE-në. Gjithsecili që afrohet në derën tonë dhe synon t’i kthejë prapa disa dokumente që e kanë çuar vendin përpara, natyrisht që as nuk do të ulemi për të biseduar me ta.

Pendarovski: Srebrenica, kujtim i një virusi të rrezikshëm të intolerancës ndaj të ndryshmëve

Srebrenicë

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në një video-mesazh në përkujtimin e sotëm me rastin e 25-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës tha se ngjarjet e korrikut të vitit 1995 janë një kujtim i një virusi të rrezikshëm të intolerancës ndaj të ndryshmëve, raporton Anadolu Agency (AA).

“Përpara 25 vitesh ndodhi gjenocidi në Srebrenicë, kur më shumë se 8.000 njerëz, kryesisht burra dhe djem, u vranë sistematikisht vetëm sepse ata ishin boshnjakë. Kjo është pa dyshim një nga ngjarjet më të errëta në historinë moderne evropiane për të cilën nuk ka asnjë arsyetim racional. Disa nga kriminelët tashmë janë përballur me drejtësinë përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Disa nga të mbijetuarit mblodhën guximin për të parë në sytë e ekzekutuesve të tyre dhe për të falur ata që u penduan për krimet e tyre. Por shumë njerëz akoma jetojnë me trauma të tmerrshme, duke shtuar këtu edhe mohimin dhe relativizimin e së vërtetës për krimet”, tha Pendarovski dhe vazhdoi:

“Qendra memoriale dhe nënat e Srebrenicës me mesazh të qartë na ballafaqojnë me të kaluarën kolektive dhe ndërgjegjen e gjeneratës sonë. Ata nuk nxisin urrejtje dhe as kërkojnë hakmarrje, sepse kjo thellon padrejtësinë. Ata kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë vetëm si parakusht për paqen”.

Pendarosvki theksoi se historia, jo vetëm në Ballkan, na mëson se idetë rreth territoreve të pastra etnike gjithmonë çojnë në tragjedi dhe se luftërat e fundit ballkanike kanë treguar se gjenocidi mund të përsëritet edhe pas holokaustit.

“Nëse një gjeneratë nuk flet, gjenerata tjetër do të harrojë, gjë që krijon tokë pjellore për konflikte të reja. Përveç kujtimeve, alternativat bëhen përmes edukimit që promovon solidaritetin dhe dhembshurinë për të tjerët. Duke respektuar dinjitetin e lindur të secilit person, uniteti i diversitetit mbrohet nga mekanizmat që luftojnë padrejtësinë sistemike. 25-vjetori i gjenocidit të Srebrenicës vjen në një kohë të pandemisë së COVID-19, e cila po vret mijëra njerëz në të gjithë botën çdo ditë”, tha Pendarovski duke shtuar se:

“Srebrenica është një kujtim i një virusi të rrezikshëm të intolerance ndaj të ndryshmëve. Të ndërtojmë shoqëri në të cilat do të ketë vende për secilin nga ne, të ndërtojmë një shtëpi ku ne mund të pranojmë njëri-tjetrin pavarësisht nga dallimet tona, sepse ne të gjithë jemi qenie njerëzore”.

Kujtojmë se më shumë se 8.000 meshkuj myslimanë boshnjakë u vranë pasi forcat serbe sulmuan “zonën e sigurt” të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, pavarësisht pranisë së trupave holandeze të ngarkuara për të vepruar si paqeruajtës ndërkombëtarë.

Vdes në Shkup nga COVID-19 mjeku specialist Arifikmet Deari nga Tetova

Në Maqedonisë e Veriut ka vdekur mjeku i parë i diagnostikuar me sëmundjen COVID-19. Bëhet fjalë për mjekun specialist Arifikmet Deari nga Tetova.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe ka njoftuar se Deari para 15 ditëve ishte shtruar në spitalin e Shkupit për shkak të probleme neurologjike, por se i njëjti ka qenë pozitiv edhe me COVID-19.

Maqedonia e Veriut të dielën gjithashtu ka njoftuar edhe për shtatë persona të vdekur nga koronavirusi i ri, që shkakton sëmundjen COVID-19 dhe 115 të infektuar.

“Mjeku Deari, i cili kishte vetëm edhe disa muaj deri në pension, është mjeku i parë që ka vdekur nga komplikimet e ka shkaktuara koronavirusi. Shpreh keqardhjen time të thellë për familjen e tij. I bëj thirrje të gjithë punonjësve shëndetësorë që të ruhet dhe mbrohen në vendet e tyre të punë bazuar në protokollet në fuqi, por edhe jashtë institucioneve shëndetësore. I bëjë thirrje edhe qytetarëve që të respektojnë masat, të mbrojnë veten e tyre, punonjësit shëndetësor dhe të gjithë të tjetër”, thuhet në reagimin e Ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Që nga fillimi i pandemisë, në Maqedoninë e Veriut me koronavirus janë infektuar 540 mjekë apo 9 për qind e të gjithë të infektuarve me koronavirus.

Nga testimi i 66,133 mostrave, të infektuar me koronavirus janë 6,932 persona, prej tyre 334 kanë ndërruar jetë, 3,611 janë ende aktivë, ndërsa 2,987 persona janë shëruar. rel

Fillon fushata zgjedhore, BDI garon me idenë për kryeministër shqiptar

Zërijeta Hajro Jajaga

Partia shqiptare në pushtet në Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim, fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare e ka filluar në Prespë, qytet ky në jug të Maqedonisë së Veriut, duke vënë theksin në idenë e madhe, siç e kanë quajtur, për zgjedhjen e kryeministrit të parë shqiptar, përmes promovimit të Naser Ziberit si kandidat për këtë post.

Kandidati për kryeministër shqiptar, Naser Ziberi, në konventën promovuese të Bashkimit Demokratik për Integrim në Prespë, të mërkurën ka theksuar se në këtë moment “i gjithë vendi po flet, por jo vetëm vendi, po flet rajoni, po flet komuniteti ndërkombëtar për një ide e cila mund të behet realitet”.

“I thash po kandidaturës (për kryeministër shqiptar) se kjo ide është më e madhe se sa unë, kjo ide është më e madhe se vetë BDI (Bashkimi Demokratik për Integrim). Unë nuk do ta kisha pranuar këtë propozim sikur të mos bindesha se ky është një projekt kombëtar. Sikur të mos bindesha se përmes kësaj ideje do ta faktorizojmë popullin shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut edhe më tepër”.

“Këto janë arsyet se pse jam i gatshëm dhe përgjegjës të angazhohem në këtë kauzë, të kandidojë për kryeministër në emër të komunitetit shqiptar të Maqedonisë së Veriut“, ka theksuar Ziberi.

Por, paraprakisht, duke komentuar idenë e Bashkimit Demokratik për Integrim për kryeministër shqiptar, Naser Ziberi ish-deputet i partisë për Prosperitet Demokratik e cila parti është shuar, për Radion Evropa e Lirë tha se kjo ide që është promovuar si ide e madhe që duhet mbështetur nga të gjithë shqiptarët në asnjë mënyre nuk është ide e madhe që do të bëjë kthesë për sa i përket interesave të votuesve shqiptarë.

“Unë mendoj se ide të mëdha Maqedonia nuk ka në dispozicion dhe ofertat e ideve të mëdha kanë mbaruar, siç ishin euro-integrimet, zgjedhja e kontestit të emrit. Oferta, slogani për kryeministër shqiptar nuk është ide e madhe, e dhe ajo nuk mund të jetë atraktive për të bërë ndonjë kthesë radikale në dispononim e votuesit dhe sidomos votuesit shqiptar, prandaj nuk pres ndonjë kthesë të rëndësishme në këtë drejtim”.

“Përkundrazi, një numër i madh i qytetarëve veç më e kanë të formuar bindjen e tyre, aq më tepër kur kjo fushatë zgjedhore nuk do të jetë në stilin e tubimeve, tribunave, mitingjeve të mëdha ku do të mund të krijohet një dispononim momental për të animuar votuesin për zgjedhje”, kishte deklaruar vetëm katër ditë më parë për Radion Evropa e Lirë, Naser Ziberi.

Përderisa koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa nën moton “tash është koha” konventën promovuese e kanë caktuar për të enjten në Tetovë.

Partia maqedonase në pushtet, Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë me sloganin “Shkojmë në fitore” fushatën e ka filluar duke vendosur theksin në të arriturat e kësaj partie gjatë qeverisjes 3-vjeçare, përkatësisht anëtarësimet e vendit në NATO dhe procesin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE, pa lënë anash dhe rritjen e standardit jetësor.

Përderisa partia maqedonase VMRO DPMNE në zgjedhje futet me sloganin për “ripërtërije” pasi siç theksojnë shteti gjatë qeverisjes së socialdemokrateve ka humbur dinjitetin si në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtarë. VMRO-DPMNE në fokus të fushatës zgjedhore ka vendosur realizimin e ë shumë projekteve kapitale, uljen e papunësisë dhe ripërtëritjen ekonomike.

Presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski, me rastin e fillimit të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mërkurën u ka bërë thirrje të gjitha palëve që janë futur në garë të angazhohen për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare sipas standardeve dhe kritereve të larta, duke e pasur parasysh gjithnjë perspektivën euroatlantike të shtetit.

“Pres të gjitha partitë politike të organizojnë fushatë në të cilën pjesëmarrja do të jetë e sigurt për të gjithë, edhe për kandidatët, edhe për qytetarët. Pres nga të gjitha partitë politike fushatë dinjitoze, me nivel të lartë të kulturës politike, pa diskreditime”, ka theksuar presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.