VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Zëri i Amerikës – Lela: “Shembja e Teatrit Kombëtar ishte e padenjë dhe e padrejtë. Nuk ka drejtësi, as transparencë”

By | May 17, 2020

Komentet

Shqiptaro-amerikanët, apel Presidentit Trump për politikën ndaj Kosovës

Një koalicion me mbi 40 organizata shqiptaro-amerikane kanë shprehur shqetësim për kursin e politikës amerikane kundrejt Kosovës. Në një letër në adresë të Presidentit Trump, aktivistët paralajmërojnë se kahja e kësaj politike po ndikohet nga individë që nuk gëzojnë popullaritet apo mbështetje në popullatë.

“Kosovarët po frikësohen që lobimi serb ka dëmtuar kompasin moral të ShBA-ve dhe që ShBA-të mund të kthejnë kokën në anën tjetër përderisa Kosova potencialisht mund të copëtohet edhe më shumë për t’iu përshtatur ambicieve nacionaliste të Serbisë,” shkruhet në letër.

Në një bisedë me kolegen Ardita Dunellari, tre aktivistë shprehen se personat me të cilët po bisedon administrate në Ballkan nuk gëzojnë mbështetjen e popullatës dhe se alternativat që mund të propozojnë këta individë nuk do të sjellin stabilitetin dhe përparimin e premtuar. Sipërmarrësit dhe aktivistët Harry Bajraktari dhe Richard Lukaj dhe konsulenti dhe aktivisti në Uashington Drilon Gashi theksojnë në intervistë se në këtë periudhë krizash politike në Ballkan, nevojiten hapa të matur për të gjetur një zgjidhje afat-gjatë e të qëndrueshme, të bazuar tek vullneti i popullatës.

Europa Nostra: I ofruam ndihmë autoriteteve shqiptare për Teatrin, por si përgjigje morëm ekskavatorët

Nga: Euronews Albania

 

Teatri Kombëtar është në qendër të debatit publik në Shqipëri pas shembjes së tij nga qeveria dhe protestave të një grupi artistësh që kërkonin mbrojtjen e tij. Një nga organizatat më të zëshme europiane në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, Europa Nostra zbuloi detajet e përpjekjes për ta restauruar atë në Ilva Now. Ndër të tjera, sekretarja e përgjithshme e Europa Nostra u pyet nga gazetarja Tare lidhur me pretendimet për sigurimin e fondeve.

Ilva Tare: Ju lutem, më lejoni t’ju drejtoj një pyetje që shpresoj se do të qartësojë situatën që po diskutohet ditët e fundit. Komuniteti i artistëve, i atyre që donin ta mbronin dhe ta ruanin godinën, po thonë se Europa Nostra premtoi fonde për rindërtimin e godinës, ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se nuk ka dëgjuar kurrë për një ofertë të tillë për gjetjen e fondeve për rindërtim. Dhe ata gjithashtu po thonë se ju si organizatë do të kishit ndihmuar negociatat me bankat për një kredi. Cila është e vërteta lidhur me këtë çështje? A ofruat ju fonde për rindërtimin, sa nëse ky është rasti ose cili ishte premtimi juaj?

Sneshka Mihailoviç: Shumë faleminderit që e bëtë këtë pyetje. Sepse e kam dëgjuar shumë mirë që ka pasur thashetheme dhe gjithashtu edhe lajme të rreme që po qarkullojnë pas shembjes brutale të teatrit. Europa Nostra kurrë nuk ka ofruar apo ka vendosur para në tryezë, sepse ajo nuk është një organizatë financuese. Ne po ofrojmë ekspertizën tonë, po ofrojmë të vijmë e të flasim me të gjitha palët e përfshira, shoqërinë civile dhe ekspertët për të gjetur së bashku zgjidhjen për ta shpëtuar këtë godinë dhe për të gjetur një zgjidhje alternative për projekte të tjera zhvillimi që po diskutohen për Tiranën.

Pra, kurrë ne nuk kemi bërë premtime të tilla false, sepse kështu po nënkuptojnë disa persona për dhënien e parave. Por ajo që ne mund të themi është se Europa Nostra është një organizatë joqeveritare shumë e respektuar dhe e besueshme që ka punuar për shumë vite e dekada me institucionet e Bashkimit Europian.

Prej thuajse 20 vitesh, ne drejtojmë programin më prestigjioz europian të çmimeve për kulturën, së bashku me Komisionin Europian. Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë, siç ju thashë, me Institutin e Investimit Bankar, pra, kur Europa Nostra e vendos një vend në listën e pikave të rrezikuara, ky është një stimul për të mobilizuar të gjitha forcat, private dhe publike, që të kuptojnë si mund të shpëtohet një vend i caktuar. Dhe pikërisht nga kjo marrëdhënie që ne kemi me Bashkimin Europian, nëse do të kishte pasur vullnet politik nga autoritetet në Shqipëri, ne me siguri do t’i kishim rekomanduar Komisionit Europian dhe Bashkimit Europian të merrnin në konsideratë sigurimin e fondeve. Ju e dini mirë që Bashkimi Europian siguron shumë fonde për Shqipërinë dhe nuk kemi asnjë dyshim që ata do ta mendonin seriozisht një aplikim për të siguruar fonde për rinovimin e teatrit.

Europa Nostra për Euronews Albania: Teatri Kombëtar kishte vlerë arkitekturore, intelektuale dhe kulturore për Shqipërinë dhe Europën

 

Sneshka Mihailoviç, sekretarja e përgjithshme e Europa Nostra, shpjegoi në emisionin Ilva Now në Euronews Albania drejtpërdrejt nga Haga pse u përfshi në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Pjesë nga intervista

Sneshka Mihailoviç: Roli i Europa Nostra nëpërmjet listës së “7 Objekteve të Rrezikuara” është të ofrojë mbështetje dhe solidaritet për organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri. Qëllimi në fakt ishte të dërgonim një grup ekspertësh në Tiranë për të pasur një gamë të gjerë diskutimesh, fillimisht me autoritetet, qofshin ato kombëtare apo vendore, me ekspertët si dhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile. Ne dëshironim të dëgjonim në Tiranë zërat e të gjithëve, por për shkak të pandemisë e kishim të pamundur të vinim menjëherë dhe na u desh të presim zhvillimet e mëtejshme. Pjesë e grupit do të isha unë dhe një anëtar tjetër i bordit drejtues të Europa Nostrës, profesori i nderuar Paolo Viti, profesor historie dhe arkitekture, zëvendës president i organizatës sonë që për shumë vite ka punuar në Bankën Europiane të Investimeve. Misioni ynë ishte mision ndihme. Ne donim të ndihmonim për të gjetur një zgjidhje, të shpëtonim ndërtesën dhe në të njëjtën kohë të mos krijonim barriera për zhvillimin e Tiranës. Të siguronim që një ndërtesë e tillë ikonë dhe vend kujtimesh në Tiranë, të ruhej për brezat e tanishëm dhe ata që do të vijnë në të ardhmen.

Ilva Tare: Zonja Sekretare e Përgjithshme e Europa Nostra, si është realizuar vlerësimi i Teatrit Kombëtar shqiptar, për t’u cilësuar si një nga 7 ndërtesat e rrezikuara? Çfarë procesi ndoqët dhe kush ishte përfshirë në të? Cilat qenë kriteret mbi të cilat u bazuat?

Sneshka Mihailoviç: Ne kemi një grup të shquar ekspertësh, jo vetëm në Europë, por në të gjithë botën. Një pjesë e grupit këshillues u takua në Hagë në muajin nëntor dhe ne kemi marrë një numër të madh propozimesh nga e gjithë Europa. I kemi studiuar të gjitha këto raste në detaj, kemi bërë pyetje në lidhje me to, kemi plotësuar formularë në lidhje me to në mënyrë që paneli këshillues të marrë një pamje të plotë dhe serioze të situatës në terren. Kriteret për ta vendosur atë në listën e 7 vendeve më të rrezikuara, sepse ne përkujdesemi për të gjitha ndërtesat në rrezik, është që vendi i cili do të përfshihet  në atë listë duhet të ketë një simbolikë për kulturën europiane. Në lidhje me rastin në fjalë, Teatrin Kombëtar shqiptar, nuk ka asnjë dyshim se kjo ndërtesë nuk ka kuptim vetëm për Shqipërinë, por edhe për Europën. Jo vetëm në aspektin e dukshëm atë arkitekturor, por edhe për rëndësinë e madhe në jetën intelektuale dhe kulturore për 80 vite rresht në Tiranë. Kriteri i dytë mbi të cilin jemi bazuar është kërcënimi i dukshëm dhe serioz me të cilin përballej. Dhe siç edhe mund ta shihni, ne kishim të drejtë të mendonim se teatri përballej me një rrezik tejet të madh dhe të pashmangshëm për t’u shembur dhe në një mënyrë kaq brutale . Kriteri ynë i tretë për ta vendosur në atë listë, është ekzistenca e një komuniteti, një shoqërie civile, një numri të madh personash që gjenden aty e të cilët luftojnë për të mbrojtur teatrin. Dhe të gjithë e dinë shumë mirë se për pothuajse dy vjet ka pasur një qëndresë heroike, artistësh, gazetarësh dhe aktivistësh të shoqërisë civile, të cilët kanë ruajtur teatrin duke bërë thirrje për dialog. Dialog me autoritet vendore dhe kombëtare për të gjetur një zgjidhje, që do të siguronte ruajtjen e teatrit dhe nuk do të krijonte asnjë pengesë në planet e bëra për teatrin e ri, i cili sigurisht mund të ishte ndërtuar në një vend tjetër. Të gjitha këto kritere janë shumë të rëndësishme dhe të gjithë këto ishin të plotësuar për emërimin e Teatrit Kombëtar shqiptar. Vendimi i grupit tonë të ekspertëve dhe arkitektëve, planifikuesve urban dhe ekonomistëve ishte unanim, ata folën njëzëri kur thanë se kjo ndërtesë duhet përfshirë në listën e 7 ndërtesave më të rrezikuara.

Europa Nostra: I ofruam ndihmë autoriteteve shqiptare për Teatrin, por si përgjigje morëm ekskavatorët

Në një intervistë me gazetaren Ilva Tare, Sneshka Mihailoviç, sekretarja e përgjithshme e Europa Nostra tha se federata për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e kishte lajmëruar kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj që më 17 janar se Teatri Kombëtar me shumë gjasa do të futej në listën e 7 vendeve më të rrezikuara në Europë.

“E njëjta letër ju dërgua kryebashkiakut të Tiranës, kryeministrit dhe presidentit të Republikës së Shqipërisë, duke i informuar ata se teatri ishte vendosur në listën tonë prej 14 vendesh dhe me gjasa do të vendosej në listën me 7 vende dhe ne po ofrojmë ekspertizën tonë, po ofrojmë të vijmë e të flasim me ta, me të gjitha palët e përfshira, shoqërinë civile dhe ekspertët për të gjetur së bashku zgjidhjen për ta shpëtuar këtë godinë dhe për të gjetur një zgjidhje alternative për projekte të tjera zhvillimi që po diskutohen për Tiranën.  Por në vend të kësaj, nuk morëm asnjë përgjigje për letrën e 17 janarit. Do t’jua dërgoj një kopje të letrës, dhe së fundmi, përgjigja që ne morëm ishin ekskavatorët e dërguar në mes të natës të dielën e kaluar, për të rrafshuar jo vetëm godinën, por edhe brendësinë e teatrit me kostumet dhe arkivat, duke e kthyer në rrënoja të gjithë historinë. Nuk mendojmë se kjo ishte përgjigja që meritonim dhe prisnim nga autoritetet. Dhe veçanërisht jo ne, por qytetarët e Shqipërisë meritonin një përgjigje ndryshe nga autoritetet,” deklaroi znj. Mihailoviç.

Gjatë një interviste në Euronews Albania kryeministri shqiptar Edi Rama u pyet nga gazetarja Bruna Çifligu pse nuk iu kthye një përgjigje nga qeveria shqiptare federatës së organizatave të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

“Nuk kam parë asnjë arsye që të kthej ndonjë përgjigje dhe mbi të gjitha që ajo oferta se me 1 milion euro do të restaurohej ajo ngrehinë e parestaurueshme, ishte qesharake. Nuk kam pas nevojë që t’i kthej përgjigje”, tha z. Rama.

 

LIVE- Protesta për Teatrin, himni mbledh artistë e qytetarë në Bulevard, 300 efektivë policie të angazhuar

TIRANË

Ka nisur protesta e thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Me tingujt e “Himnit të teatrit”, qytetarë dhe artistë i janë bashkuar protestës në Bulevard. Me sa duket Policia e Shtetit ka vendosur të ulë numrin e efektivëve që do të mbajnë rendin dhe qetësinë në protestën e sotme të thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, 3 ditë pasi godina e tij u shemb nga fadromat e Bashkisë.

LIVE

Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se 300 punonjës policie janë të angazhuar, si dhe forcat e rendit, Shqiponjat dhe dy njësi të FNSH por më pak trupa se në protestat e kaluara. Do të ketë dhe efektivë të RENEA-s që do të monitorojnë nga lart protestën dhe personat e rrezikshëm.

Një grup i FNSH-së dhe autobotet me ujë do jenë të pozicionuara te Kryeministria të gatshëm për të ndërhyrë. Efektivët e policisë ndërkohë janë të pajisur me maska kundragazi. Në gatishmëri do jenë dhe zjarrfikësit.

Të rinjtë e teatrit Migjeni i bashkohen kauzës, mbajnë protestë të heshtur
Ora 17:59- Teksa në Tiranë ka nisur protesta kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, të rinjtë e teatrit “Migjeni” i janë bashkuar kauzës, duke zhvilluar një tubim të heshtur.
Te rinjtë mbaj ne duar mbishkrime ku thuhet “Teatri është shtëpia ime”, “Unë jam teatri”, “Shembët godinën por jo teatrin”, “Jetojmë për lirinë”, “Dhuna nuk më përfaqëson”, “Unë jam grushti i fortë i munguem i Migjenit”, “Jo diktaturës, Zgjohu”.
Me herët një proteste të tillë kanë bërë edhe aktorët e teatrit “Migjeni”.

Robert Budina: Edi Rama të japë dorëheqjen, do ta ndërtojmë Teatrin sërish ashtu sic ishte
Ora 17:48- Regjisori Edmond Bundina në një komunikim live në News 24 deklaroi se Rama vazhdon të bëjë veprime mafioze.

Ai tha se artistët dhe qytetarët janë bërë bashkë e do të firmosin një peticion për të rindërttuar Teatrin sërish aty ku ishte.
“Vëllezër, ne kemi qëndruar për të mbrojtur Teatrin mbi 2 vjet që të mbrojmë godinën e Teatrit. Ne fitojmë me dije, vendosmëri. Rama veprime mafioze, ne paqësore. Peticioni do të shpërndahet në të gjithë Shqipërinë. Ne jemi artistë, kjo është forca jonë më e madhe. Ne duam të sjellim ndryshimin tek njeriu dhe jo tek forca e fizikja.

Mund të ketë strategji për të shfryrë protestën, por ne nuk do lejojmë këtë gjë. Ne duam të zbardhet krimi që ka ndodhur në Teatër. Sot të gjitha materialet i kanë shkuar gazetave më të mëdha botërore. Kam marrë vesh se akuzat ndaj nesh mund të jenë edhe për terrorizëm, Rama po vepron si kamikaze në mes të Tiranës. Ne kemi lidhje me mediat e huaja dhe do të bëjmë me dije gjithcka”, tha regjisori Budina.

Teatri, Basha dhe Kryemadhi i bashkohen protestës, shoqërohen nga ish-deputetët e opozitës
Ora 17:47- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë nga selia blu, ndërsa është shoqëruar me duartrokitje nga mbështetësit e tij.
I shoqëruar dhe nga ish-deputetë, Basha i është drejtuar protestës para teatrit, bashke me Gazmend Bardhin.

Ndërkohë, protestës i është bashkuar dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Kjo e fundit shoqërohej nga nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.

Artistë e qytetarë nisin firmosjen e peticionit për rindërtimin e Teatrit Kombëtar, Licaj: Do mbledhim firma në të gjithë Shqipërinë
Ora 17:30 – Artistë e qytetarë nisin firmosjen e peticionit për rindërtimin e Teatrit Kombëtar, Licaj: Do mbledhim firma në të gjithë Shqipërinë
Ka nisur firmosja e peticionit për rindërtimin e Teatrit Kombëtar. Peticioni është duke u firmosur nga qytetarët në sheshin e protestës.

Peticioni përvec nënshkrimit në Tiranë, do të shpërndahet edhe në rrethe të tjera të vendit.

Gazetari Erjon Skëndaj raporton për “Balkanweb” se ky peticion kërkon që Teatri Kombëtar të mund të rindërtohet ashtu sic ishte.

Nga Rama tek ish-ministri Tahiri, zbulohen disa nga mesazhet e Aleancës para protestës për Teatrin
Ora 17:00– Pamjet e këtyre banderolave do të jenë mesazhet që aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit do të shpalosin sot kundër qeverisë në protestën që do të nisë në orën 17:30.

Siç shihet dhe nga fotot që publikon ‘BalkanWeb’ shihet se aktivistët kanë rrethuar kangjellat metalike të vendosura nga policia me shiritin e verdhë, që vendoset në një skenë krimi, për të ironizuar kështu edhe qeverinë me vendimin për shembjen e godinës së teatrit.

Protesta për Teatrin, policia e Elbasanit vijon me postbllokun në Bradashesh

Ora 16:32- Teksa sot në orën 17:30 është parashikuar që të nisë protesta kundër shembjen së Teatrit, e organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e mbështetur shoqëria civile si dhe nga opozita, policia nëpër rrethe ka forcuar kontrollet në rrugë.

Mësohet se në rrethrrotullimin e Bradasheshit policia e Elbasanit ka ngritur prej disa ditësh një postbllok i cili kontrollon të gjitha automjetet që udhëtojnë drejt kryeqytetit duke kaluar në ‘sitë’ edhe dokumentacionin e tyre. Ndërkohë gazetrari Fatmir Popja raporton për ‘BalkanWeb’ se sot nuk janë regjistruar raste të kthimit pas të automjeteve, nga Elbasani drejt Tiranës. Nga ana tjetër, lokale e PD pretendon se policia po pengon qytetarët t’i bashkohen protestës, duke kthyer makinat pas.

Protesta për Teatrin, demokratët e Beratit nisen drejt Tiranës, kreu i degës së PD: Edhe sot po na pengon policia
Ora 15:30- Përfaqësues të Partisë Demokratike të Beratit janë nisur sot drejt protestës së thirrur në orën 17:30 në Tiranë nga Aleanca Kombëtare për mbrojtjen e teatrit dhe opozita. Nisja e protestuesve beratas është kryer rreth orës 14:30 nga selia e Partisë Demokratike Berat, ku janë nisur rreth 25 automjete të vogla, ndërkohë që më herët dhe në orare të ndryshme janë nisur edhe automjete të tjera.

Kryetari i Partisë Demokratike në Berat, Gazmend Azizi ka deklaruar se makinat e protestuesve edhe sot po pengohen rrugës drejt Tiranës nga policia rrugore pa asnjë shkak.

“Demokratët beratas do të mbështesin fuqishëm protestën e thirrur nga Aleanca Kombëtare për Mbrojtjen e Teatrit dhe opozita, në mbrojtje të fjalës së lirë dhe të drejtave të çdo qytetari. Qëndresa jonë do të jetë e fortë dhe të gjithë bashkë do të bashkohemi në protestë në kryeqytet”, -ka thënë Azizi.

(BalkanWeb)

VIDEO – Historia u zhduk- Rrënojat e Teatri Kombëtar hidhen në landfillin e Sharrës

Bashkia e Tiranës me të njëjtin nxitim që veproi për shembjen e godinës së teatrit, po vijon për lirimin e hapësirës ku do ndërtohet teatri i ri. Të gjitha çfarë mbetën nga historia e Teatrit Kombëtar  po ngarkohen në kamionë për tu hedhur landfillin e Sharrës. 



Tiranë- Me të njëjtin nxitim që nisi puna për prishjen e teatrit, Bashkia e Tiranës po vijon për transportin e inerteve dhe lirimin e hapësirës ku pritet të ndërtohet teatri i ri kombëtar. Ora News ka ndjekur këtë të martë punën për transportin e inerteve.

Pas daljes nga ai që tashmë do të quhet kantieri i ish-teatrit, kamionët nisen drejt rrugës së Elbasanit, për të vijuar në Unazë, më pas në Kombinat dhe më në fund në landfillin e Sharrës, aty ku do të jenë pjesë e mbeturinave të qytetit edhe dosje, gardëroba apo elementë të tjerë të përdorur ndër vite nga artistët e teatrit.

Por para se kamionët të futen në brendësi të landfillit, ndalojnë që disa prej mbetjeve të teatrit ti hedhin në rrugë.

Këto mbetje siç duket e kanë një vlerë, pasi me t’i hedhur kamioni në rrugë, një makinë e Bashkisë ndalon dhe i ngarkon për ti çuar nuk dihet se ku.

Në landfillin e Sharrës janë depozituar të gjithë mbetjet e teatrit, ndërsa kamionët nuk ndalojnë punën për lirimin e tokës, duket për ta bërë gati për nisjen sa më parë të punës ndërtimore.

Janë të paktën 10 kamionë të cilët vijojnë punën pa ndërprerje deri në përfundim të punës.

Lubonja: Teatri u shkatërrua nga banda kriminale me në krye Edi Ramën, Erion Veliaj të japë dorëheqjen. Protesta të vazhdueshme

Gazetari dhe analisti Fatos Lubonja duke folur në protestën e organizuar sot kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, deklaroi sae godina u shemb nga një bandë kriminale e drejtuar nga Edi Rama.

Lubonja tha se kryetari i Bashkisë Erjon Veliaj duhet të japë dorëheqje, ndërsa shtoi se duhen protesta të vazhdueshme derisa përgjegjësit të dalin para gjyqit e të mbajnë përgjegjësi.

“Shembja e Teatrit ishte si një shembje brenda nesh, si një shembje ndaj lirisë, ndaj dëshirës sonë për të jetuar në një vend me demokraci dhe goditje ndaj të ardhmes sonë. Këtu kemi një bandë kriminale shumë të rrezikshme. Duhet të mendojmë si të clirohemi nga kjo bandë kriminale që ka kapur shtetin. Qytetarët duhet të mendojnë për të nxjerrë para gjyqit të gjithë autorët e këtij krimi. Sot duhet të dorëhiqet Veliaj i pari, duhet ta kërkojmë sot, nesër, vazhdimisht derisa të jetë i gatshëm për Prokurorinë për shkeljet që ka bërë.

Ne duhet të prrotestojmë para prokurorisë, se Veliaj ka shkatërruar pronën publike me dashje. Ky proces do të cojë tek kryetari i bandës që është Edi Rama dhe shkatërroi pronën publike. Rama ka bërë që të futet krimi në politikë dhe në ekonomi si dhe ka shkatërruar Shqipërinë. Përpara nesh kemi pushtet shumë të rrezikshëm që kërkon të jemi shumë të fuqishëm. Kjo bandë na ka shkaktuar një traumë. Duhet gjyq për të gjithë këta, që të hapim Shqipërinë e lirisë dhe jo Shqipërinë e kriminelëve. Këta kanë shkatërruar Tiranën. Të mbajnë përgjegjësi”, u shpreh Lubonja.

Aktivistja e Teatrit: Erdhën për të na vrarë. Fshihja celularin për të ruajtur provat

Aktivistja dhe avokatja Ardiana Kalaja deklaroi nga protesta kundër vendimit për shembjen e teatrit Kombëtar se banditë me uniforma të policisë shkuan dje për t’i vrarë artistët.

Ajo tha se mes dhunës që ushtrohej dje, tentonte që të ruante telefonin e saj, si të vetmen provë kundër kësaj situate.

“Ne duhet të ishim habitur nëse Rama do kishte ardhur në teatër, në psikopat nuk tërhiqet nga veprimtaritë kriminele. Ata erdhën me armë, për të na vrarë, ndaj qytetarëve që protestonin paqësisht. Ata nxorën me pranga Artan Liçajnë dhe Julin. A i keni parë se si Ardi Veliu i shoqëron kriminelët me fuorstrada. Ata nuk ishin policia e shtetit, por banditë të veshur me uniformën e policisë. Ata shemben teatrin. Por në fakt shembën vetëm muret e teatrit. Ai është brenda nesh deh brenda secilit prej nesh dhe kurrë nuk do ta shembin. Në ato rrënoja ka mbetur një pjesë e shpirtit tonë. Ndjeva dhimbje kur dhunonin miq dhe mikesha të miat. U ndjeva e trishtuar se s nuk mundesha të shpëtoja atë që kisha vite të shpëtoja. Para dhunës mundohesha të fshija celularin, të vetmet prova për të vërtetuar dhunën, që erdhën për të në vrarë. Unë jam nëna e dy fëmijëve. Kam vendosur që të luftojë kundër këtij pushteti, për të ardhmen e fëmijëve të mi, e mbesave dhe nipërve të mi.”, tha Kalaja.
(BalkanWeb)

Robert Budina: SPAK të hetojë ‘tentativën e vrasjes’ së artistëve, shembja e Teatrit bumerang për qeverinë.

Ka qenë regjisori Robert Budina ai që hapi zyrtarisht protestën para Teatrit Kombëtar, nga i cili tashmë kanë mbetur vetëm rrënojat.

Ai tha para turmës së qytetarëve se dhuna e djeshme e ushtruar nga artistëve, dhe shembja e godinës gjatë kohës kur brenda ishin edhe aktorë, ishte një tentativë për vrasje. Budina i bëri thirrje SPAK që të hetojë këtë tentativë vrasje.

Mes mesazheve të forta, Budina theksoi se sot ai bashkë me pjesëmarrës të tjerë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, nuk ishin aty si përfaqësues të asnjë partie, por si qytetarë në mbrojtje të kulturës.

“Ftojmë ministrin e Brendshëm, ftojmë SPAK, që të hetojë këtë ngjarje, pasi ishte tentativë për vrasje, të artistëve që ishin brenda teatrit. Sot kontaktuam me faktorin ndërkombëtar, dhe kërkuam që të zbardhet kjo ngjarje dhe pse u sulmua kultura në këtë ditë gjatë kohës së pandemisë. Deri tani sigurisht kemi marrë një mbështetje, kjo ngjarje nxori në pah sistemin e drejtësisë. Ju jeni sot të shumtë në numër këtu, pasi simbolika e teatrit kombëtar, ishte qëndrimi në këmbë i demokracisë shqiptare. Pasi ajo godinë u shemb me ligje antikushtetuese. Ne u detyruam që të mbronim fizikisht godinë dhe u gjendëm të vetëm, pa asnjë mënyrë se si ta zgjidhnim. Dhe në mënyrë të tërthortë ne përcollëm problemet e demokracisë shqiptare. Ja pra që kjo godinë nuk ishte halli jonë, por dhe halli juaj. Shembja në mënyrë mafioze me goditje të përqendruar, nga ana e qeverisë, ishte për t’ju thënë juve se; “qytetaria ka vdekur”. Ishte për t’ju treguar juve se “ne nuk jemi të aftë t’ju sigurojë të drejtat”. Pra “ju nuk ekzistoni dhe Shqipëria nuk bëhet më”. Ata kujtuan se do shembnin godinën dhe se do ta bënin në mënyrë fizike. Por ajo ndërtoi një simbolikë më të fuqishme. U kthye në bumerang për qeverinë shqiptare. Ne një pjesë e aktivistëve, qytetarëve, njerëzve të kulturës, jemi këtu për të mbrojtur, për të vënë në krah dhe pah vlerat e qytetarisë shqiptare. Pjesëmarrja juaj e tregon më së miri. (dëgjohen kapsolla) Ju lutem të tregojmë qetësi, Nuk jemi këtu kundër policisë. Ndaloni provokimet, urgjent. Ndaloni provokimet se nuk ka pikën e kuptimit. Është një lojë e pushtetit. Ne këtu nuk jemi për asnjë parti. Të dashur qytetarë, mbrojtësit e teatrit, nuk kanë ardhur këtu për protagonizëm politik. Nuk kemi asnjë interes politik. Qëllimi ynë i vetëm është zgjimi i qytetarisë. Armiku numër një nuk është vetëm qeveria që kemi në krye, por edhe mënyra se si ne jemi përleshur me njëri-tjetrin. Stop, tregoni vlerat e kulturës me njëri-tjetrin. Palët politike kanë detyrën se si të tregojnë mënyrën se si të ecë para vendi.”, tha Budina.
(BalkanWeb)

Zëri i Amerikës – Lela: “Shembja e Teatrit Kombëtar ishte e padenjë dhe e padrejtë. Nuk ka drejtësi, as transparencë”

Ilirian Agolli

Gazetari dhe analisti i njohur Alfred Lela u bë sot papritur njëri prej të ndaluarve nga policia në afërsi të Teatrit Kombëtar, ku shkoi me biçikletë nga zyra për të parë ngjarjet nga afër.

“Në zonën midis ministrisë së financave dhe asaj të brendshme u bëra dëshmitar i një ngjarje, ku një zonjë po i fliste një oficeri policie nga një largësi prej disa metrash jashtë rrethimit të zonës së sigurisë. “Si nuk ju vjen keq? Pse e bëni këtë?” – tha zoti Lela.

Aty një grup policesh femra, tregon ai, shkuan dhe e morën zonjën gjysmë zvarrë, e futën brenda rrethimit për ta arrestuar.

“Aty unë lashë mënjanë për një çast detyrën e gazetarit, u bëra njeri i zakonshëm dhe ju thashë policeve: “Po e arrestoni pa të drejtë, dhuna juaj nuk ka kuptim, se zonja nuk bëri asgjë. Po shkelni policimin korrekt” – shtoi zoti Lela.

Ai nuk arriti të mbaronte fjalinë, sepse 3-4 policë të tjerë i shkuan nga pas shpinee morën dhe e lidhën.

“Jam goditur disa herë me shkelma nga afër në trup dhe në kokë ndërkohë që ma vendosën fytyrën mbi asfalt. Ky qëndrim zgjati shumë, sepse nuk po gjenin dot pranga, kishin mbaruar prangat dhe po kërkonin pranga përmes radiove të njëri tjetrit” – tha zoti Lela.

Ai ka ende një një shenjë të kuqe në faqe prej asfaltit, ndërkohë që mori edhe 4-5 goditje në kokë.

Nga mbajtja e kokës mbi asfalt prej oficerëve të forcave operacionale me kapucë të zinj Lela ka edhe një dhembje të qafës dhe shembje të pjesës së pasme të kurrizit, që mbetet për t’u vizituar nga mjekët.

Ai tregon se si për shumë minuta të tjera policët e mbajtën përpara Teatrit Kombëtar, i cili po shembej, sepse nuk po vendosnin dot ku duhej ta dërgonin. Komunikonin me radio: “Ku ta çojmë? Nuk e di. Si t’ia bëjmë”, shtoi Lela, pastaj kërkuan një makinë dhe e shoqëruan me këmbë nga Teatri deri te një qendër tregtare përballë Akademisë së Shkencave.

“Unë nuk u thashë se jam gazetar, por ata e dinin shumë mirë se kishin vënë një gazetar nën vete. Nuk është e lehtë të mbash gjunjët e 7 policëve mbi shpinë. Hoqa dorë nga vetëmbrojtja si gazetar dhe mendova ta provoj deri në fund si qytetar këtë përvojë. Nuk u ankova asnjë çast dhe gjoja se nuk e dinin emrin dhe profesionin tim, vetëm kur më çuan te makina më pyetën si e ke emrin. Nuk u përgjigja asnjëherë” – tha gazetari Lela.

Por pasi e futën në makinë dhe në komisariat, policët u transformuan duke i thirrur “Zoti Lela, zoti gazetar, zoti analist”.

“Ata dinin të ishin etikë për një orë e gjysmë nëpër zyra, por në shesh nuk e bënë as me mua dhe as me të tjerët” – tha gazetari Lela.

Ai ironizoi lajmet e ditëve të pandemisë duke thënë se ishte “lajmi i mirë” që sot është dita e parë kur Shqipëria ka më shumë të arrestuar nga policia se sa të infektuar nga Covidi. “Natyrisht që është një lajm shumë i keq, sepse arrestimet u bënë për protestën në mbrojtje të një monumenti kulture, pjesë e një trashëgimie të përbashkët kombëtare. Këto arrestime janë një lloj vdekje dhe pandemie e shoqërisë demokratike” – tha zoti Lela.

Ai tha se ngjarja e vërtetë ishte shembja e Teatrit Kombëtar, jo arrestimi i tij. Arrestimet, tha ai, janë një lloj koronavirusi në trupin e demokracisë. “Janë 37 arrestime, që njoftoi policia, e ndërkohë po bëhen edhe shumë arrestime të tjera në disa rrugë e sheshe. Kjo nuk është pamja që duam të shohim te vetja jonë gjatë rrugëtimit drejt BE-së” – shtoi zoti Lelo.

Ai theksoi se Shqipëria ka një qeveri të supozuar se është zgjedhur demokratikisht dhe jo një pushtues.

“Fakti që shembja e Teatrit Kombëtar kryhet pa ardhur agimi, në një kohë hajdutëshe dhe tinëzash, në një kohë pandemie, kur lëvizja e njerëzve është e pamundur dhe e limituar lëvizja, protesta, grumbullimi, kjo tregon se ka diçka për të cilën ata që veprojnë kështu nuk janë të sigurtë” – thotë analisti Lela.

Ai kujtoi se institucione prestigjoze ndërkombëtare janë kundër shembjes, dhe folën deri ditën e fundit.

“Teatri Kombëtar i Shqipërisë u fut në galerinë e pasurive të rrezikuara nga Europa Nostra. Janë reagimet e komisioneres për kulturën në Parlamentin Europian, po ashtu reagime edhe nga individë dhe organizata të tjera. Problemi u dërgua në Gjykatën Kushtetuese, por zyrtarët kanë edhe ngutin që të mos presin Gjykatën Kushtetuese, të paktën sa të dëgjonim fjalën e parë të një institucioni të ri të drejtësisë as reformës” – tha zoti Lela.

Ndaj sipas tij, të gjitha shenjat dhe dëshmitë të çojnë tek dyshimet e hedhura, që qarkullojnë prej kohësh.

“Ishte një gjë e padenjë, e padrejtë, që nuk duhej bërë. Nuk kemi as transparencë, as drejtësi, as dhënie kohe, as dëgjim të miqve ndërkombëtarë, as pritje të institucioneve të larta të drejtësisë si Gjykata Kushtetuese, sa për të dëgjuar të paktën a është apo jo kushtetues ky hap. Duke i përsëritur të gjitha këto shpesh, dhe megjithatë gjithçka na u shemb para syve” – theksoi zoti Lela.

Në Elbasan postbllok policie, ndalohen makinat që udhëtojnë drejt kryeqytetit

Prej orës 08.00 të kësaj të diele, ndërsa në Tiranë, protestohet pas shembjes së Teatrit Kombëtar, duket se ministria e brendshme ka marrë masat që të pengojë hyrjen e qytetarëve drejt kryeqytetit.

Burime për “Balkanweb” thanë se në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Bradasheshit ” në hyrje të autostradës Elbasan – “Tyneli i Krrabës-Tiranë” është ngritur një postbllok policor me shërbime të përforcuara pas një urdhëri të posaçëm të Ministrisë së Brendshme.

Pas ngritjes së këtij postblloku policor është paralizuar plotësisht qarkullimi i të gjitha llojeve të automjeteve drejt kryeqytetit.

VIDEO – Zëri i Amerikës: Tiranë, prishet në orët e para të mëngjesit Teatri Kombëtar

Në Shqipëri, në orët e para të mëngjesit, mjetet e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit ndërhynë duke shembur godinën e Teatrit Kombëtar në Tiranë, ndërsa e gjithë zona u rrethua me forca të shumta policie, të cilat ndërhynë më parë forcërisht duke shpërndarë grupet e artistëve, qytetarëve dhe përfaqësuesve të opozitës që ndodheshin me ta.

Tensionet kanë vijuar për orë të tëra ndërsa mësohet se disa dhjetra persona, mes tyre artistë të ndryshëm që kundërshtojnë prej gati dy vitesh projektin për prishjen e Teatrit, si dhe drejtuesja e Lëvizjes socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, janë shoqëruar në polici. Mes të shoqëruarve dhe gazetari dhe analisti Alfred Lela.

Ndërsa e gjithë zona vijon të mbetet e rrethuar dhe mjetet e rënda avancojnë me prishjen e godinës, tensionet mbeten të larta, me qindra persona po protestojnë ndaj veprimeve të autoriteteve.

Kryetari demokrat Lulzim Basha foli per dhunë barbare dhe paligjshmëri dhe njoftoi një mbledhje të opozitës për të vendosur qëndrimin që do të mbahet pas këtyre zhvillimeve: “Opozita do të mblidhet sot, koalicioni opozitar do të mblidhet sot dhe do të ndërmarrë veprimet politike. Ajo që çdo shqiptar e kupton sot nga kjo ngjarje është se me Edi Ramën paligjshmëria, dhuna dhe pabesia do të vazhdojnë. Nuk do të ketë fund dhuna, paligjshmëria edhe padrejtësia pa marrë fund kjo qeveri dhe pa u larguar ky njeri. Nuk ka rrugë tjetër”, deklaroi zoti Basha.

Pasi u lirua nga policia ku u mbajt disa orë, zonja Kryemadhi foli me tone të ashpra. “Iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të mos e njohin shtetin e Edi Ramës. Mos të njohin asnjë gjë, që është mbijetesë. Mos e përdorni fjalën revolucion se na shqetësohen ambasadat, iu duket fjalë e keqe por harrojnë që këlyshët e komunizmit i kanë aty dhe me ndihmën dhe pazaret e tyre”.

Presidenti Ilir Meta, i cili ka kundërshtuar publikisht projektin për shembjen e Teatrt Kombëtar reagoi sot me tone të ashpra. “Mafia urdhëroi shkatërrimin, jo vetëm të një prej monumenteve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara të Europës, por edhe të çdo iluzioni për ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Dhunimi i njëkohshëm i artistëve dhe gazetarëve është një damkë e zezë për Mafien në pushtet. Ky është një krim kushtetues, ligjor dhe moral i paamnistueshëm”, shkroi zoti Meta në një postim në Facebook.

Ndërsa numri i qytetarëve që kanë sfiduar rregullat e ndalimit të lëvizjes për shkak të pandemisë COVID 19, e që po grumbullohen në zonën rreth Teatrit po shtohet, tensionet vijojnë të mbeten të larta. Herë pas here ka përpjekje për të çarë kordonin e policisë, të cilat sprapsen me forcë nga policia. Në zonë janë shfaqur dhe njësitë e trupave speciale.

VIDEO – Shkup, reagime ndaj heqjes së shenjave në shtëpinë e lindjes së Nënë Terezës

Isak Ramadani

Qyteti i Shkupit ka hequr shenjat që simbolizonin vendin ku ndodhej shtëpia e lindjes së Nënë Terezës në sheshin qendror. Kjo ka nxitur reagimin e Institutit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore rë Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, që kërkon kthimin sa më parë të këtyre shenjave, ndryshe do të njoftojë përfaqësitë diplomatike dhe Vatikanin.

Instituti i Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut kërkon nga komuna e Shkupit që të kthejë shenjat në sheshin e qytetit që simbolizonin themelet e shtëpisë në të cilën kishte lindur Gonxhe Bojaxhiu, e shenjta Nëna Terezë.

Këto shenja ndodheshin mbi asfalt në një pjesë të sheshit kryesor në hyrje të qendrës tregtare të qytetit. Qyteti i Shkupit i hoqi ato gjatë një rinovimi që i bëri kësaj pjese të sheshit dhe pikërisht në vendin ku ndodheshin shenjat, bashkia mbolli bar. E gjithë kjo ndodhi gjatë izolimit nga pandemia e koronavirusit.

Drejtori i Institutit për Trashëgiminë Kulturore të Shqiptarëve, Skender Hasani tha të enjten se ka pritur reflektimin e kryetarit të Komunës së Shkupit, Petre Shilegov lidhur me çështjen dhe pas shpërfilljes së tij, Instituti do të kërkojë mbështetjen e diplomacive perëndimore:

Ne jemi institucion shkencor dhe kulturor dhe detyra jonë është ta themi fjalën tonë përkitazi me këto figura të rëndësishme të historisë që dalin përtej kufijve tanë etnikë, urbanë e shtetërorë. Nëse nobelistja e vetme nga Shkupi, Nëna Terezë, nuk është një figurë me përmasa botërore që e nderon më shumë se askush tjetër Qytetin tonë dhe gjithë shtetin dhe një figurë që e kthen vëmendjen e gjithë botës drejt nesh, atëherë ne kemi problem serioz me atë se cili është standardi i vlerësimit të figurave të këtilla. Prandaj, e lus Kryetarin Shilegov të gjejë një zgjidhje, qoftë duke e kthyer atë në pronë publike, qoftë duke ndjekur procedurë gjyqësore ose duke gjetur mundësi të tjera. Kërkesat tona janë modeste: të rikthehen shenjat e themeleve të shtëpisë së Nënës Terezë, të krijohet një shteg për të vendosur lule në pllakën përkujtimore dhe teksti i pllakës ta reflektojë identitetin dygjuhësh të Kryeqytetit, të sanksionuar edhe me ligj. Ne prej sot do të fillojmë të kërkojmë përkrahje edhe nga faktorë të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa do t’i drejtohemi me letër edhe kreut të Kishës Katolike, Papa Françeskut, që edhe ai të ndihmojë në mënyrën e tij për t’i ndërgjegjësuar autoritetet tona për rëndësinë e prezantimit të personalitetit të Nënës Terezë”, tha zoti Hasani.

Kreu i Shkupit, Petre Shilegov, ndërkaq i kritikon palët që reagojnë tani, sepse ato nuk kishin reaguar vite më parë kur parcela i u privatizua dhe iu dha një kompanie nga ana strukturave të mëparshme qeverisëse. Zoti Shilegov u tha gazetarëve se “ky lokacion do t’u kthehet qytetarëve”. Parcela i ishte shitur kompanisë Amadeus Group nga Shqipëria gjatë qeverisjes mbi dhjetë vjeçare të VMRO-DPMNE-së me Nikolla Gruevskin në krye, dhe aty duhej të ndërtohej një kopje e “Shkallëve spanjolle”.

Qeveria e mëparshme e ndërtoi para disa vitesh shtëpinë përkujtimore të Nënës Terezë disa qindra metra larg sheshit, ku ndodhej shtëpia e lindjes së nobelistes dhe shenjtores që ishte prishur nga autoritetet komuniste të kohës me arsyetimin se ishte dëmtuar në tërmetin e vitit 1963.

100 ditëshi i qeverisë Kurti

Leonat Shehu

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i mbrojnë të korruptuarit dhe se ka kaluar çfarëdo kohe e imagjinuar që dikush mund të shfrytëzojë SHBA-të si strehë për shkak të korrupsionit vendor.

Ai i bëri këto komente gjatë një paraqitjeje me rastin e shënimit të 100 ditëshit të parë të qeverisë së tij, duke ju kundërpërgjigjur udhëheqësit të Autoritetit të Aviacionit Civil, Eset Berisha, i shkarkuar mbrëmë nga qeveria e Kosovës, i cili e cilësoi vendimin si politik.

Zoti Berisha, tha se shkarkimi i tij është jashtëligjshëm dhe se ai lidhet me “nënshkrimin e letrës së synimit me kompaninë ajrore Lufthansa për vendosjen e linjë ajrore Prishtinë-Beograd në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Berlin, me 20 janar te këtij viti”.

Marrëveshja për linjën ajrore ishte ndërmjetësuar nga i dërguari i posaçëm amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, i cili ndërmjetësoi më pas edhe një marrëveshje për linjën hekurudhore dhe transportin rrugor ndërmjet të dyja vendeve. Zoti Kurti kishte deklaruar se zyrtarët që hodhën firmat në këto marrëveshje nuk kishin autorizim nga qeveria e tij.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se shkarkimi i zotit Berisha nuk ka të bëjë me pohimet e tij dhe se vetë emërimi i tij ka qenë i kundërligjshëm, ndërsa poshtë vlerësimet e opozitës së shkarkimet nëpër ndërmarrje publike janë politike.

“E tash besoj që e keni vërejtur të gjithë këtë dukuri, sa herë që këtyre zyrtarëve të korruptuar qeveria jonë edhe e juaj e mirë ua cenon interesat korruptive, fillojnë e piskasin Amelika, Amelika. E keni vërejtur si orvatën ta keqpërdorin Amerikën sa herë që ja përmend korrupsionin, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i mbrojnë të korruptuarit. Ka kaluar çfarëdo kohe e imagjinuar e dikujt që mund të gjejë strehim te SHBA-të për shkak të korrupsionit vendor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kanë thënë askujt vidh popullin tënd dhe unë nuk kam asnjë kritikë nga SHBA-të pse kemi bërë këto shkarkime të bordeve të drejtorëve apo menaxhmenteve të korruptuar, asnjë kritikë, e vetmja kritikë më vjen prej këtyre të shkarkuarve”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se zyrtarët e korruptuar po përpiqen që të dëmtojnë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kur një i korruptuar i thurë lavde Shteteve të Bashkuara të Amerikës ai i bën dëm por është qeveria jonë e mirë që nuk do të lejoj që të bëjnë dëm këta njerëz meqenëse të korruptuarit nuk do t’i mbrojë askush përveç se një tjetër i korruptuar ama kurrsesi SHBA-të. Shtetet e Bashkuara janë vend i njohur që historikisht e kanë luftuar korrupsionin sepse e kanë parë sundimin e ligjit parakusht për demokracinë”, tha ai.

Shkarkimi ndodhi në një kohë kur qeveria e kryeministrit Albin Kurti mbushi 100 ditë të funksionimit të saj, nga të cilat gjysmën në detyrë pas mocionit të mosbesimit të 25 marsit. Opozita kritikoi të mërkurën qeverinë e zotit Kurti për trajtimin e aleancave ndërkombëtare, qasjen ndaj pandemisë së koronavirusit, por edhe shkarkimet në ndërmarrjet publike, duke i cilësuar ato si shkarkime politike.

Partia Demokratike e Kosovës në opozitë përmes një veprimtarie në sheshin qendror të Prishtinës i numëroi siç tha 100 dështimet e qeverisë Kurti.

“Kjo Qeveri dezertoi si pasojë e paaftësisë për të menaxhuar me pandeminë, dhe ekonominë e vendit. Nuk guxoi të merret me temat e ndejshme të vendit sikurse dialogu me Serbinë. Mbi të gjitha, Qeveria Kurti për 100 ditë rrezikoi miqësinë e shenjtë me SHBA-të dhe do të mbetet e fundit që kërcënoi këtë raport historik. Kryeministri Kurti është zyrtari i parë shtetëror që akuzoi rëndë ShBA-të për ndërhyrje në rrëzimin e qeverisë por që për një gjë të tillë nuk u pajtua ministri i jashtëm i tij, Glauk Konjufca”, tha deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zejnullahu.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në një mbledhje të qeverisë për të shënuar 100 ditëshin e qeverisë kritikoi presidentin e vendit dhe partitë opozitare për rrëzim të qeverisë.

“Fatkeqësisht pas gati 15 viteve të qëndrimit në opozitë ende pa i bërë 50 ditë pune si subjekt fitues i zgjedhjeve, na u bënë bashkë i gjithë regjimi i vjetër që kishte qeverisur për 20 vite në Kosovë vetëm për të rrëzuar një kryeministër dhe qeveri që nga çdo parametër është treguar suksesshme duke përshirë edhe menaxhimin e pandemisë. Pse i gjithë ky inat? Pse gjithë kjo nguti për të marr ulësen e kryeministrit përmes presidentit të cilën unë e kam fituar me votën e lirë të qytetarëve të ndershëm? Pse gjithë ky marshim dhe urrejtje ndaj një kryeministri e një qeverie që ka punuar mirë, ka punuar drejtë, pa rezervë e kursim. Pse gjithë ky luftim i qeverisjes sonë të mirë e cila jo që nuk i pati 100 ditë por as 100 orë pa ju kundërvënë frontalisht të gjithë ata që nuk e ndalën me 6 tetor”.

Ai tha se është për keqardhje trajtimi që partitë politike dhe presidenti i kanë bërë qeverisë së tij.

“Unë tashmë e kam sqaruar se rruga përpara janë zgjedhjet e lira dhe demokratike me masa mbrojtëse për shëndetin e qytetarëve dhe shëndetin e demokracisë, e tashmë ka edhe parti tjera që po kërkojnë të njëjtën gjë. Qeveria është në detyrë dhe do të vazhdoj të mbetet në detyrë deri në zgjedhjet e reja. Është e vërtetë që qeveria u rrëzua por është po ashtu e vërtetë një popull i tërë u ngrit”, tha kryeministri Kurti.

Fjala e zotit zotit Kurti ngjalli reagimin e ministrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, partia që kishte hedhur mocionin mosbesimit ndaj qeverisë.

“Nuk mund të konsiderohemi si ministra të suksesshëm në qoftë se sipas jush i takojmë një regjimi të vjetër. Nuk mund të konsiderohemi si ministra të pa korruptuar në qoftë se sipas jush ne i takojmë një familje politike pjesë e së cilës jemi që qenka në mbrojtje të së keqes dhe korrupsionit. Na lejoni i nderuar kryeministër që të bëjmë punën, të japim maksimumin ashtu siç kemi bërë që të kalojmë këto ditë të vështira dhe të punojmë sipas ligjit dhe të jemi në shërbim të qytetarëve të Kosovës ashtu siç kemi bërë nga dita e pare”, tha ministrja në detyrë e Arsimit nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami.

“Ne përfaqësojmë LDK-në prandaj çdo lëvdatë ndaj punës tonë është lëvdatë edhe ndaj LDK-së dhe çdo kritikë ndaj LDK-së është edhe kritikë ndaj neve. Çdo fyerje ndaj LDK-së është fyerje edhe ndaj neve. Unë t’ju them të drejtën u ndjeva i ofenduar prej pjesës së fjalimit që ofendon LDK-në dhe po besoj siç e patë bashkë me pjesën tjetër të kabinetit, nuk u bëmë pjesë e një diskutimi të tillë sepse deri sa përfaqësojmë qeverinë e Kosovës, përfaqësojmë çdo qytetar pavarësisht bindjeve tona politike dhe ndoshta kjo është pjesë e kulturës tonë partiake që e përfaqësojmë këtu”, tha ministri në detyrë i infrastrukturës, Lumir Abdixhiku.

Partitë opozitare e kanë kritikuar qeverinë e kryeministrit Kurti për mospërmbushje të premtimeve dhe posaçërisht për përkeqësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të mospajtimeve rreth heqjes së tarifave ndaj mallrave serbe, Kryeministri Kurti tashmë ka hequr tarifat duke vendosur masa të reciprocitetit, gjë që është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe partneri qeverisës Lidhja Demokratike e cila nëpërmjet një mocioni të mosbesimit rrëzoi qeverinë më 25 mars.