VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Zbërthehet burimi i Lapsi.al- Si e përdorin Drejtuesit Politikë të PS programin me të dhënat për 3.5 milionë shqiptarë

By | April 18, 2021
blank

Komentet

blank

Ndahet nga jeta kompozitori i njohur Fahri Beqiri

Ka vdekur kompozitori i njohur kosovar, Fahri Beqiri, raporton Express.

Lajmin e ka bërë të ditur muzikanti Ylber Asllanaj, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

“Pusho në paqe prof.Fahri Do të të kujtojmë me respekt e dashuri për aq sa t’jemi edhe ne!”, ka shkruar ai.

Fahri Beqiri (lindur më 1936) ishte kompozitor dhe ish profesor shqiptar në Departamentin e Muzikës në Universitetin e Prishtinës. Beqiri u diplomua për kompozicion në Universitetin e Arteve në Beograd, Serbi, ku studioi në klasën e kompozitorit të shquar serb Enriko Josif.

Beqiri konsiderohej të ishte një nga kompozitorët më të rëndësishëm shqiptarë në ish Jugosllavi. Ai shkroi kompozime për orkestër simfonike, kor, piano, klarinetë, kuintet frymore, teatër filmi dhe muzikë baleti, muzikë popullore, këngë në traditën popullore, muzikë popullore, shumë pjesë për fëmijë, etj. Kompozimet e tij u interpretuan nga muzikantë të shquar serbë dhe jugosllavë , përfshirë Milenko Stefanoviç, Ernest Ačkun, Miodrag Azanjac dhe Zorica Dimitrijević-Stošić. 

Beqiri dha mësim në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës për tridhjetë vjet.

blank

Liderët e Ballkanit Perëndimor mblidhen në Bruksel

RFE/RL

Të martën në Bruksel do të mblidhen liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një darkë pune, të thirrur nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell.

Por ndryshe nga takimi i një dite më parë në Brdo të Sllovenisë, në takimin e Brukselit kryesisht do të jenë kryeministrat e vendeve të rajonit, me përjashtim të Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës.

Në takim do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ai i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq dhe kryesuesi i radhës i presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës Millorad Dodik.

Sipas paralajmërimeve, në Bruksel ky takim do të shërbejë për të diskutuar “në mënyrë të hapur” për zhvillimet e fundit në rajon, procesin e zgjerimit, çështjet gjeostrategjike dhe forcimin e bashkëpunimit në rajon si dhe raporteve mes rajonit e BE-së.

Edhe pse në disa media të Kosovës ka pasur spekulime se në këtë vizitë do të realizohet takimi i parë mes kryeministrit te Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, kjo nuk do të ndodhë.

Sipas burimeve të BE-së, një takim i tillë asnjëherë nuk ishte planifikuar për këtë ditë, dhe nga ana tjetër, Vuçiq fare nuk do të marrë pjesë në këtë darkë pune, pasi Serbia do të përfaqësohet nga kryeministrja Bërnabiq.

Kjo është hera e dytë që kryeministri i Kosovës Kurti shkon në Bruksel, prej kur ka marrë mandatin në krye të qeverisë.

Herën e kaluar ai ishte në një vizitë për të takuar zyrtarë të institucioneve të BE-së dhe Belgjikës ndërsa tani është pjesëmarrës në një darkë të përbashkët me liderët e vendeve tjera të rajonit.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë pritet të ndodhë para datës 22 qershor, dhe në këtë mënyrë të shënohet edhe rifillimi i dialogut.

Megjithatë, ende nuk është konfirmuar asgjë në këtë drejtim.

blank

Intervista – Joseph: BE-ja duhet të ketë pozicion unanim për çështjen e Kosovës

Krenare Cubolli

Profesori Edward P. Joseph nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington beson se Bashkimi Evropian duhet të vendosë në mënyrë unanime për çështjen e Kosovës dhe në këtë mënyrë, bashkë me Shtetet e Bashkuara, të fitojë ndikim në krijimin e stabilitetit në Ballkan. Ai beson se Perëndimi duhet t’i japë fund qasjes privilegjuese që ka ndaj Serbisë, për shkak të qëndrimit që ka kjo e fundit ndaj Kosovës. Ai po ashtu propozon miratimin e dy parimeve nga blloku evropian dhe NATO-ja, përmes së cilave ndalet agresioni politik dhe shmangen ndryshimet territoriale.

Radi Evropa e Lirë: Zoti Joseph, në artikullin tuaj të fundit për Qendrën Wilson, ju keni thënë se besoni që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë mungesë ndikimi për të mbyllur çështjen e Kosovës dhe se ky problem ndikon edhe në shtetet tjera të Ballkanit. Ju po ashtu keni thënë se korrigjimi i ndasive brenda BE-së ndaj Kosovës është në njëfarë mënyrë çelësi. A mund të flisni më shumë për këtë gjë?

Edward P. Joseph: Është shumë e thjeshtë. Unë në fakt besoj se i gjithë ky konfuzion nuk është edhe aq i komplikuar. Ne nuk kemi pasur mundësi të mbyllim çështjen e Kosovës, dhe kjo gjë lidhet natyrisht me Serbinë, dhe Serbia më pas lidhet përveçse me Kosovën edhe me Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën dhe Kroacinë. Kjo gjë lidhet edhe me vetë zhvillimin politik në Serbi. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi lidhet me zhvillimin e saj demokratik, që është duke bërë kthim mbrapa. Dhe krejt kjo lidhet me mungesë të ndikimit. Mungesa e ndikimit që kemi në Kosovë, ka të bëjë me atë pse çështja e Kosovës është ende e hapur.

Serbia nuk e ka njohur Kosovën, andaj edhe çështja e Kosovës ka mbetur pezull, ashtu sikurse edhe e Serbisë. Serbia nuk ka qenë në gjendje të ecë përpara. Në vend që të ecë përpara, është duke bërë kthim mbrapa. Udhëhëqësia e drejtuar nga presidenti Aleksandar Vuçiq është duke bërë kthim mbrapa. Dhe nuk jam vetëm unë që po e them këtë. Kështu po thonë edhe akademikë dhe aktivistë serbë. Dhe krejt kjo ka të bëjë me mungesën tonë të ndikimit.

Përse kemi këtë mungesë? Jo pse Shtetet e Bashkuara nuk janë të fuqishme, në fakt janë shumë të fuqishme apo se Bashkimi Evropian nuk është i fuqishëm, pasi shumë vende brenda tij janë të fuqishme. Problemi është se ne nuk jemi të bashkuar sa i përket çështjes së Kosovës. Për shkak të këtyre ndasive, për shkak të këtyre pesë shteteve të BE-së që nuk njohin Kosovën, kjo i bie që ato pesë vende kanë pozicionin e njëjtë sikurse ai i Serbisë. I bie se ato kanë pozicionin e njëjtë me të Rusisë dhe Kinës. Kjo i bie që ne jemi të penguar. Nëse pesë shtete të BE-së kanë të njëjtin pozicion sikurse Serbia, Rusia dhe Kina, kjo i bie që Serbia nuk është stimuluar për ta njohur Kosovën, sepse Kosova është e bllokuar nga Rusia dhe Kina.

Të imagjinojmë se Rusia dhe Kina do të thonë se nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës edhe nëse Serbia do ta njohë shtetësinë e saj. Por nëse pesë vendet e BE-së e njohin Kosovën, kjo gjë nuk do të ishte edhe aq problematike, dhe aq serioze. Kjo pasi Kosova më pas do të mund të ishte pjesë e NATO-s dhe BE-së, dhe kjo bllokadë në Kombet e Bashkuara nuk do të kishte shumë rëndësi. Në këtë mënyrë, Serbia nuk do të kishte kaq shumë ndikim dhe potencialisht do të mund t’i ndalej ritmi, ndërkohë që Kosova do të bëhej anëtare e NATO-s, do të avanconte drejt BE-së dhe do të bëhej shtet më i fuqishëm. Çfarë do të fitonte Serbia përveçse do të shikonte dhe do të humbiste në strategjinë e të mbajturit Kosovën të izoluar. Pra krejt kjo është e lidhur me ndasitë në Evropë, që rrisin më pas ndikimin te Serbia dhe për shkak se Serbia ka ndikim, problem është i pazgjidhur.

Serbia “i duhet Perëndimit” më shumë sesa Perëndimi Serbisë

Radio Evropa e Lirë: Ju jeni edhe kritik i Perëndimit kur është fjala për qasjen e tij ndaj Serbisë. Për të qenë më e saktë ju thoni se “Qeveria më anti-demokratike në rajon dhe partnerja strategjike e Rusisë dhe Kinës – regjimi në Serbi, i udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq – trajtohet në mënyrën më të favorshme.

Edward P. Joseph: Po, plotësisht e saktë, madje është edhe më keq se aq. Ajo çfarë kam thënë është absolutisht e vërtetë dhe ka të bëjë pikërisht me këtë mungesën e ndikimit. Për shkak se kemi këto ndasi, Serbia ka më shumë ndikim. Dhe meqë ajo ka ndikim, ne jemi në pozicion të dobët dhe prandaj na “duhet” Serbia. Neve “na duhet” Serbia, më shumë sesa që ne i duhemi asaj. Ne jemi gati se në një pozitë të përgjërimit të saj. Dhe çfarë bëjmë ne? A jemi duke kërkuar llogari nga Serbia rreth përkushtimeve të saja për t’iu bashkuar BE-së dhe të mbajtur vlerat dhe standardet e BE-së? Jo nuk jemi. Në vitin kur Serbia ka prezantuar kandidaturën drejt BE-së, Vuçiq ka dobësuar nivelin e demokracisë në Serbi. Dhe përgjigjen tonë mund ta shihni nëpër deklarimet publike.

Vetëm muajin e kaluar, një politikan i mirënjohur perëndimor, që është publikisht i lidhur me Rusinë dhe Kinën, ka thënë se Serbia është lidere ekonomike dhe politike në rajon. Dhe ne vazhdojmë të mos e mbajmë Serbinë përgjegjëse, e cila ka një qeveri që në thelb nuk është liberale, ndonëse dëshiron ta prezantojë veten si demokratike, por që nuk është e tillë. Nuk zbaton praktika demokratike dhe as ato të BE-së. Ajo promovon vlerat e Rusisë, Kinës dhe Hungarisë, dhe ne ende nuk e mbajmë përgjegjëse, pasi “na duhet” në çështjen e Kosovës.

Kështu edhe jemi përfshirë në çështjen e shkëmbimit të territoreve në kohën e administratës së ish-presidentit amerikan Donald Trump, dhe udhëheqësinë e asaj kohe në krye me Federica Mogherinin. Ne u patëm pajtuar që Kosova të bëjë ndërrim territoresh dhe më pas muajin e kaluar u befasuam kur non-paperi slloven kërkonte që e njëjta të ndodhte në Bosnje-Hercegovinën. Diplomatët më të lartë në SHBA dhe BE kanë qenë duke promovuar konceptin e njëjtë sikurse dokumenti slloven.

“Duhet ndalur agresioni politik”

Radio Evropa e Lirë: Çështja e ndryshimit të territoreve në Ballkan është duke qarkulluar nga viti 2018. Ju thoni se Uashingtoni dhe Brukseli kanë hequr dorë nga shkëmbimi i territoreve, por kjo temë nuk ka hequr dorë nga këto dy vende. Megjithatë, ju ende përmendni mundësinë që administrata aktuale amerikane të krijojë një standard për të gjashtë vendet që synojnë BE-në, duke theksuar se luftërat në rajon kanë mbaruar.

Edward P. Joseph: Po, kjo është zgjidhja ime. Uashingtoni dhe Brukseli patën thënë se heqim dorë nga tema e shkëmbimit të territoreve. Por muajin e kaluar papritur u prezantua “bomba sllovene” për ndryshime territoriale. Koncepti i njëjtë. Kthehemi prapë te mungesa e ndikimit. Përgjigjja për këtë çështje në teori mund të zgjidhet shpejt. Nëse pesë vendet e BE-së, Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qiproja do ta njihnin shtetësinë e Kosovës, ky problem do të zgjidhej menjëherë dhe situata në mes të Kosovës dhe Serbisë do të stabilizohej. Mirëpo e dimë që këto pesë shtete nuk do ta njohin shtetësinë e Kosovës për shkak të problemeve të tyre të brendshme, siç është Katalonja në Spanjë.

Prandaj unë kam gjetur zgjidhje për këtë gjë. Këto vende nuk kanë nevojë që ta njohin Kosovën, por ato vende bashkë me pjesën tjetër të BE-së dhe Shtetet e Bashkuara duhet të krijojnë një pozicion unanim që zbatohet për Kosovën, Serbinë dhe pjesën tjetër të rajonit. Qasja e tyre duhet të jetë drejt dhënies fund të agresionit politik. Ato mund të mos e njohin të gjitha Kosovën dhe kjo mund të jetë në rregull, por ato vende duhet të vendosin limite sepse Serbia është kandidate për anëtarësim në BE dhe Kosova ka Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me bllokun evropian.

Ato më pas mund t’iu tregojnë këtyre vendeve se çfarë duhet të bëjnë, pasi të dyja vendet duan të jenë pjesë e BE-së. Prandaj ato mund të ndalohen në bërjen e luftës përmes mënyrave politike. Në këtë mënyrë, një pozicion unanim i gjithë BE-së nuk mund të injorohet. Serbisë do t’i ndalohet kryerja e fushatës për mosnjohje të shtetësisë së Kosovës, sepse kush është ajo që ta bëjë një gjë të tillë nëse BE-ja dhe SHBA-ja nuk ndalojnë diçka të tillë apo kush është Serbia që t’ia ndalojë Kosovës anëtarësimin në Interpol, nëse fuqitë e mëdha nuk e bëjnë një ndalesë të tillë?

Por në anën tjetër edhe Kosova nuk mund të nisë agresion politik kundër Serbisë dhe serbëve në Kosovë dhe të kërcënojë me bashkim me Shqipërinë, duke bërë serbët në Kosovë minoritet edhe më të vogël. Pra kush është Kosova që ta bëjë një gjë të tillë? Kosova nuk mund ta bëjë këtë gjë. Jo nëse dëshiron ta zbatojë MSA-në. Dhe këto veprime nuk janë në linjë me të. Përbëjnë agresion dhe kjo gjë duhet të ndalet.

Kur ky agresion politik të ndalet, gjithçka ndryshon, sepse fuqia e ndikimit bartet. Në situatë të këtillë, kur ndalet fushata e Serbisë për mosnjohje të Kosovës, ky shtet nuk mund ta ndalë Kosovën nga zhvillimi, nga rritja e kapacitetit të saj ndërkombëtar, më pas nuk mund t’ia ndalojë anëtarësimin në BE dhe organizata tjera apo edhe krijimin e marrëdhënieve me vendet tjera. Serbia më pas ose duhet të negociojë – diçka që duhet të bëjë – apo mund ta refuzojë një gjë të tillë. Nëse refuzon, tregon qartë se cila është zgjedhja e saj. Tregon për refuzim të BE-së për dallim nga të pretenduarit kinse po i bashkohet BE-së, ndërkohë që promovon agjendën e Rusisë, Kinës dhe Hungarisë.

“Serbia nuk duhet privilegjuar më”

Radio Evropa e Lirë: Në artikullin tuaj, ju keni përmendur nevojën e hartimit të dy parimeve koncize – një të formalizuar nga BE-ja, dhe tjetrën nga NATO-ja. A mund të na i shpalosni ato më shumë?

Edward P. Joseph: Na duhet ta kujtojmë se për çfarë është gjithë kjo gjë. E gjitha kjo synon që t’i mundësojë BE-së dhe SHBA-së që të mos privilegjojnë më Serbinë, sepse këtë gjë janë duke bërë tani. Meqë nuk kemi ndikim mbi Serbinë, ne privilegjojmë atë. Serbia mund të sillet në mënyrë jodemokratike, mund të jetë aleate me Rusinë dhe Kinën dhe ne të themi “ju jeni lidere”. Kjo gjë duhet të marrë fund. Kjo gjë mbaron kur të sillemi me Serbinë sikurse me vendet tjera. Jo duke e vendosur në një pozicion më të keq, por jo edhe më të mirë sesa të tjerët. Më pas do të mund të kishim dy parime. Njërën nga BE-ja dhe tjetrën nga NATO-ja. Ato janë të hartuara në atë mënyrë që kurrë nuk mund të zbatohen, shembull për Katalonjën. Gjithçka është e hartuar shumë me kujdes dhe lidhet me Serbinë dhe Kosovën, të cilat kanë marrëveshje zyrtare me BE-në. Katalonja nuk mund të përfshihet në këto parime asnjëherë, përveç nëse Qeveria në Madrid miraton diçka të tillë, por ajo nuk do të ndodhë. Parimi i BE-së përcakton që këto dy shtete nuk mund të kryejnë agresion politik kundër njëra-tjetrës. Parimi NATO-s është shumë specifik dhe lidhet me ndryshime të kufijve. Në këtë rast lidhet me mundësinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, por edhe Bosnje-Hercegovinën. Pra kjo mund të vlejë për të gjitha shtetet.

Kjo është ajo që bëjmë këto parime. Ato i mundësojnë BE-së dhe SHBA-së të bëjnë diçka që nuk mund të bëjnë tani, pasi nuk e kanë mbështetjen e të gjitha shteteve, sepse pesë shtetet e BE-së janë të lidhura me Serbinë dhe Rusinë dhe Kinën sa i përket çështjes së Kosovës.

Alternativa për shtetet mosnjohëse

Radio Evropa e Lirë: Ju keni prezantuar edhe mundësinë që SHBA-ja të hartojë një Traktat për Mbrojtje të Ndërsjellë me Kosovën, sikurse atë që ka me Korenë Jugore.

Edward P. Joseph: Ky Traktat është i rëndësishëm për dy arsye, pasi pesë shtetet mosnjohëse të BE-së mund të kundërshtojnë idenë që t’ia ndalojnë Serbisë fushatën për mosnjohje të Kosovës dhe të thonë se Serbia mund të bëjë çfarë të dëshirojë dhe nuk na intereson nëse Rusia dhe Kina shtrijnë ndikimin në Ballkan.

Epo nëse ekziston një disponim i tillë, atëherë na duhet rritje e ndikimit aty po ashtu. Nëse Spanja është e interesuar vetëm për Katalonjën dhe kështu ia mundëson Serbisë që të vazhdojë kryerjen e agresionit politik dhe ia mundëson ndikimin Rusisë dhe Kinës, atëherë ashtu na shtyn edhe neve të bëjmë disa ndryshime. Kështu SHBA-ja mund të detyrohet të krijojë një marrëveshje bilaterale me Kosovën, për të cilën nuk mund të bëjë asgjë as Spanja, as Serbia, as Rusia dhe as Kina. Dhe nëse SHBA-ja e kthen Kosovën në partnere strategjike, atëherë për Serbinë ndryshon gjithçka. Strategjia e Serbisë në atë rrafsh dështon, ndërsa Kosova fiton siguri gati sikurse të ishte anëtare e NATO-s.

Prandaj nëse këto shtete nuk pranojnë propozimin që të mos e njohin Kosovën, madje që as Serbia të mos njohë Kosovën, atëherë kjo gjë e detyron SHBA-në të marrë vendime tjera, sepse një gjë e tillë nuk mund të tolerohet më.

‘Një skenar i ri ndryshon pozicionin e opozitës në Serbi”

Radio Evropa e Lirë: Parimet e reja do të cenonin politikisht presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Pse mendoni kështu?

Edward P. Joseph: Kjo është gjë shumë e rëndësishme. Kjo është pyetje shumë e rëndësishme sepse një nga argumentet që përdorin njerëzit që thonë ‘ju nuk e kuptoni këtë, sepse nëse e kritikojmë Serbinë për nivelin e demokracisë apo për pozicionin në rajon për dëmtim të Malit të Zi apo Bosnjës, presidenti Vuçiq do të thotë se shikoni, unë jam duke mbrojtur interesat e serbëve në Kosovë, Mal të Zi, Bosnje, apo edhe Kroaci, unë jam duke i mbrojtur dhe për këtë ata më bëjnë presion mua’.

Në këtë mënyrë ai mendon se mund të bëjë diçka të tillë dhe opozita të mbetet më e dobët. Por jo me këtë skenar, sepse edhe opozita në Serbi nuk ka pse ta njohë Kosovën. Ata mund të thonë çfarë të duan për Kosovën, por edhe do të mund ta kritikojnë presidentin Vuçiq në një mënyrë që nuk munden tani. Opozita nuk mund ta kritikojë tani Vuçiqin sepse ai ka përkrahjen publike të SHBA-së dhe BE-së. Ai mund të thotë se shihni se si jam duke ndërhyrë në çështjet e Malit të Zi dhe sërish e kam mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së. Por me skenarin e ri ai nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, sepse opozita mund t’i thotë nuk e ke përkrahjen e SHBA-së dhe BE-së dhe ju jeni fajtor për këtë gjë. Ju e keni bërë këtë.

“Kosova, në pozicion sekondar”

Radio Evropa e Lirë: Përgjatë tekstit, ju përmendni presidentin serb Vuçiq, por jo edhe liderët e Kosovës. Si e komentoni qasjen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në dialogun me Serbinë? Ai ka thënë se ky proces duhet të ketë parime, dhe të dyja palët duhet të jenë të barabarta.

Edward P. Joseph: Nuk është e nevojshme për mua. Pse me duhet mua të flasë për liderët e Kosovës? Ata pothuajse nuk kanë fare ndikim. Ata janë në pozicion sekondar. Kosovës i duhet njohja. Nuk ka rëndësi fare çfarë flet Kurti se dialogu nuk është prioriteti i tij, sepse ky nuk është realiteti. Realiteti është që Kosovës i duhet kjo gjë, dhe ai e di mirë këtë.

Kosova është në pozicion më të dobët sepse nuk ka ndikim dhe as ne nuk kemi ndikim. Pra nuk është qendër e problemit. Dua t’i referohem Kurtit në deklaratën që ka bërë në muajin shkurt për një të përditshme kroate. Ai hapur ka promovuar idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Ai po ashtu ka votuar në zgjedhjet në Shqipëri dhe partia e tij ka garuar në zgjedhjet në Shqipëri. Përmes të gjitha këtyre veprimeve, ai është duke promovuar bashkimin mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe një gjë e tillë është e ndaluar sipas qasjes sime. Partia e tij nuk duhet të garojë në zgjedhjet në Shqipëri dhe ai nuk duhet të promovojë bashkimin me Shqipërinë. Kjo gjë duhet të ndalojë. Ky është agresion kundër serbëve në Kosovë dhe Serbisë.

Albin Kurti është kryeministër i të gjithë qytetarëve, dhe aty përfshihen edhe serbët e Kosovës. Ai nuk mund të ndryshojë kombësinë e qytetarëve të vet, nuk mund të thotë se ‘ju tani jeni qytetarë të Kosovës, por ne do ta ndryshojmë këtë sepse do të jemi konfederatë me Shqipërinë’.

Radio Evropa e Lirë: Mendoj se Kurti së fundmi ka thënë se nuk mund të bëjnë bashkimin me Shqipërinë sepse Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon një gjë të tillë.

Edward P. Joseph: Ai e ka thënë këtë gjë edhe në intervistën e tij në shkurt. Mirëpo ka thënë edhe se Kushtetuta e Kosovës është e padrejtë. Ai nuk thotë se duhet të bëjmë bashkimin me Shqipërinë sepse Serbia nuk na lë të anëtarësohemi në NATO dhe kjo është mënyra e vetme për ta bërë një gjë të tillë. Ai nuk e thotë këtë gjë.

Ai e thotë arsyen e ngjashme sikurse që ekziston për Serbinë e Madhe. Ai e përmend sesi shqiptarët janë ndarë një shekull më parë. Ky është mentalitet që nuk duhet ta kemi. Kjo nuk i përket shekullit XXI. Kjo është diçka e shekullit XIX. Luftrat kanë mbaruar. Shqiptarët do të jetojnë në Maqedoninë e Veriut, në Kosovën e pavarur, në Malin e Zi dhe Shqipëri, por jo në një shtet të përbashkët.

blank

Pronari i kamionit me kokainë i përfshirë në skandalin “Spilleja” me Elvis Roshin e Gent Dajën

Bledar Habili, bashkëpronar i kompanisë “MC Food”, në kamionin e së cilës u gjet një sasi gjigande kokaine mesditën e kësaj të Hëne në Kosovë, rezulton një emër i njohur për drejtësinë shqiptare.

​Ai rezulton të jetë një prej përfituesve të pronave bregdetare në Spille të Kavajës, në një çështje që u hetua nga Prokuroria e Kavajës në vitin 2017, ku u arrestuan edhe disa zyrtarë të lartë për falsifikim dokumentash.

Sipas të dhënave hetimore të asaj kohe, Bledar Habili dyshohej se kishte përfituar pronësinë mbi një truall në bregdet, duke u shënuar si “tokë arë”.

Çështja e Spillesë ishte një prej rasteve më skandaloze të abuzimit me tokën në bregdet, brenda së cilës kishte një numër të konsiderueshëm emrash të rëndësishëm.

blank

Në foto: Dokumenti hetimor i Prokurorisë së Kavajës për “Spilleja”

Prokuroria e Kavajës provoi në atë kohë se, ndër përfituesit e tokave në mënyrë abuzive, ishin familjarët e ish-kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi dhe ish-kryetarit të Partisë Socialiste të qytetit, Gentjan Daja.

Personazhi kryesor i kësaj skeme ishte ish-drejtuesi i Zyrës Vendore të Pasurive të Paluajtshme, Seid Cikalleshi, njëkohësisht vjehrri i ish-kryesocialistit, Daja.

Po ashtu, ndër personat e tjerë të përfshirë në atë skemë ishte edhe Altin Çopa, i cili kishte mbajtur më herët detyrën e drejtorit të ALUIZNI-t në qytetin e Kavajës.

Çopa, pas largimit nga administrata publike, u bashkua me Bledar Habilin në një kompani ndërtimi, të regjistruar në tetor 2020, “Fokus 2020”.

Bashkë me Habilin dhe Çopën, në këtë kompani është bashkëpronar edhe Donald Rroshi, djali i xhaxhait të Elvis Rroshit, sipas të dhënave të portalit informativ ‘Open Corportes.al’

blank

Në foto: Aksionerët e kompanisë “Fokus 2020”

Të dhënat e deri më tanishme nga Prishtina zyrtare nuk kanë dhënë detaje mbi përgjegjësinë e pronarëve të ‘MC Food” në trafikun e rreth 2.2 ton kokainë nga Brazili drejt magazinave të kompanisë në Lipjan të Kosovës.

Spilleja

Në Nëntor 2017, Prokuroria e Kavajës njoftoi për finalizimin e hetimeve të rastit “Spilleja”.

Organi i akuzës dha detaje në atë kohë për falsifikimin e pronave në bregun e Kavajës.

Në bazë të dokumentave zyrtarë, të vendosura në dispozicion të gjykatës, rezulton se kanë përfituar toka nga skema mashtruese familjarë të ish-kryetarit të Bashkisë, Elvis Roshi, të ish- kryetarit të Partisë Socialiste, Gentian Daja, familjarë dhe lidhje fisnore të nënprefektit të Tiranës, Fatos Kaja, si edhe të ish-kryetarit të Komunës Kryevidh, Nezir Leçini.

Këta persona, siç rezulton nga dokumentat zyrtarë, kanë qenë përfitues të drejtëpërdrejtë ose e kanë marrë pronësinë nëpërmjet transaksioneve nga shtetas të tjerë. Në disa raste, rezulton se familjarët e drejtuesve lokalë, pasi janë bërë pronarë, ua kanë shitur tokat e tyre kompanive ndërtuese për zhvillimin e tyre.

Nga hetimi i Prokurorisë së Kavajës rezultoi se drejtues dhe ish-drejtues lokalë të qytetit kanë tjetërsuar llojin e tokës nga ranishte në tokë arë, nëpërmjet dokumentave të fallsifikuar. Pas ndryshimit të regjimit të tokës, ata e kanë ndarë atë tek persona të ndryshëm, si edhe e kanë regjistruar në Hipotekë.

Me urdhër të Prokurorisë së Kavajës u arrestuan 9 persona, mes tyre edhe nënprefekti i Tiranës, drejtori i ALUIZNI-t në qytet, si edhe disa zyrtarë të Hipotekës.

Ish-kryeregjistruesi i Hipotekës së Kavajës, Seid Cikalleshi, i cili është edhe vjehrri i ish-kryetarit të PS-së në qytet, Gentian Daja, fillimisht u shpall në kërkim dhe më pas u vetëdorëzua.

Nga Boldnews

blank

Kurti, Merkel: Rezultat i dialogut duhet të jetë njohja reciproke

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim virtual me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

 

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbajti të hënën një takim virtual me kancelaren gjermane, Angela Merkel, me të cilën, pos tjerash, bisedoi edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Sipas një komunikate për media, të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, Kurti tha se dialogu me Serbinë “duhet të jetë dialog mes dy palëve të barabarta, që zgjidh kontestet mes dy shteteve e që normalizon marrëdhëniet ndërmjet tyre”.

Në komunikatë thuhet se Kurti dhe Merkel “u pajtuan që procesi i dialogut duhet të jetë i drejtë” dhe “i ndërtuar mbi mirëbesim” dhe se rezultati i tij “duhet të jetë njohja reciproke”.

“Pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial nuk mund të jenë temë e bisedimeve dhe nuk mund të kthehemi në kohën para vitit 2008”, tha Kurti.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë pritet të rinisë në qershor.

Kurti dhe Merkel biseduan edhe për Procesin e Berlinit dhe rëndësinë e tij në nxitjen e bashkëpunimit rajonal.

“Në pritje të Samitit të Berlinit, që do të mbahet në fillim të korrikut, kryeministri Kurti theksoi se rajoni ka nevojë për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, por jo për projekte si zëvendësim i BE-së. Ai shtoi se bashkëpunimi ekonomik duhet të shkojë paralel me demokratizimin e rajonit”, thuhet në komunikatë.

Po sipas saj, Kurti kërkoi nga kancelarja gjermane angazhim për liberalizmin e vizave për popullin e Kosovës, duke thënë se “Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim” dhe se “Gjermania mund të ndihmojë ta shtyjë këtë çështje përpara”.

Kancelarja Merkel citohet të ketë rikonfirmuar mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

blank

Kosova dhe Serbia përplasen rreth mosprekjes së kufijve në Ballkan

VOA

Presidentët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ata të Kroacisë dhe Sllovenisë, nuk arritën të merren vesh për një deklaratë të përbashkët rreth kufijve të vendeve të rajonit për shkak të qëndrimeve tërësisht të ndryshme të Kosovës dhe Serbisë.

Kjo çështje ishte pjesë e diskutimeve në takimin e presidentëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, i njohur si Procesi Bërdo-Brioni, një nismë e Sllovenisë dhe të Kroacisë, si shtete anëtare të Bashkimit Evropian që synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe nxitjen e dialogut politik midis rajonit të Ballkanit dhe bllokut 27 anëtarësh.

Gjatë muajit të kaluar, u ngritën shumë debate pas shkrimeve në mediet kroate e boshnjake për një dokument joformal (non paper) me siç thuhet, propozimin për ndryshimin e kufijve në Ballkan. Sipas tyre një dokument i tillë i hartuar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, propozon ripërcaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor si zgjidhje për problemet e hapura në rajon. Kryeministri Jansha e ka mohuar të jetë autor i një dokumenti të tillë.

Por, çështja nuk u përfshi në deklaratën e përbashkët pas takimit të sotëm për shkak të kërkesës së presidentit të Serbsië, Aleksandër Vuçiç, që në tekst të përfshihet angazhimi për “mosndryshimin e kufijve të njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara”.

Një qëndrim i tillë është kundërshtuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, meqë një formulim i tillë do të nënkuptonte njohjen e Kosovës brenda kufijve të Serbisë.

“…Më lejoni ta them këtu me zë të lartë dhe të qartë: Republika e Kosovës si një shtet sovran dhe i pavarur është një projekt i përhershëm. Askush dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë realitet. Aventurat e rrezikshme mbi ndryshimet e kufijve duhet të refuzohen me vendosmëri nga të gjithë ne, nëse me të vërtetë dëshirojmë paqe dhe stabilitet në rajonin tone”, tha presidentja Osmani në fjalimin e saj.

Mikpritësi i takimit, presidenti slloven Borut Pahor, tha se pati diskutime me tone të larta dhe përplasje rreth kësaj cështjeje. Ndërsa, presidenti kroat, Zoran Milanoviç, tha se cështjet dypalëshe nuk zgjidhen në takime të tilla.

“Të themi agjenda e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ishte më ambicioze dhe për shkak të kundërshtimit të Serbisë disa pjesë u desh të lihen jashtë. Ky është një kompromis. Ne jemi këtu të ndihmojmë shtetet që janë në proceset integruese. Problemet dypalëshe nuk mund të zgjidhen në kuadër të procesit Bërdo Brioni”, tha ai.

Presidenti slloven vendi i të cilit do të kryesojë Bashkimin Evropian nga 1 korriku ritheksoi kundërshtimin e tij ndaj çdo ideje për prekje të kufijve.

Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura. Në një njoftim të zyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ajo citohet të ketë thënë se rajoni nuk mund të përparojë drejt integrimeve pa pranimin e së vërtetës.

“Krimet e kryera nga regjimi i (Slobodan) Millosheviçit t’i quajmë me emrin e tyre të vërtetë: Krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Dhe, më e rëndësishmja është të kërkojmë nga fqinji ynë verior, Serbia, të sjellë para drejtësisë autorët e këtyre krimeve të tmerrshme kundër civilëve të pafajshëm”, citohet të ketë thënë presidentja Osmani.

Megjithatë presidentët miratuan një deklaratë që ka në thelb thirrjet për integrim të të shpejtë të Ballkanit në Bashkimin Evropian.

“I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian që të t’i qaset Ballkanit Perëndimor si një tërësi, tha ai duke theksuar se blloku duhet të përshpejtojë procesin e zgjerimit, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përshpejtojnë reformat”, tha presidenti Pahor.

Gjatë vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja, Mali i Zi dhe Serbia aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Aktualisht Mali i Zi dhe Serbia janë në pritje të hapjes së kapitujve të rinj në negociata me Bashkimin Evropian, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në pritje të fillimit të negociatave. Por çështja ka ngecur në kundërshtimin e Bullgarisë për hapjen e negociatave me Maqedoninë dhe kjo ka bërë që të pësojë edhe Shqipëria, e cila ka përparuar në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian së bashku me Shkupin.

Kosova është e fundit në proces. Ajo pritet të vazhdojë bisedimet me Serbinë në pjesën e dytë të muajit qershor. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008, por të dyja palët janë të detyruara të kërkojnë një marrëveshje normalizimi si kusht për integrimet evropiane.

blank

Sekuestrohen rreth 2 tonë kokainë në Kosovë, kaluan me kamion nga Porti i Durrësit

KOSOVË

Sekuestrohet sasi rekord kokaine në Kosovë. Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se është kapur një sasi prej rreth 2 tonë kokainë, pas një super-aksioni të kryer në bashkëpunim mes forcave policore italiane, shqiptare e kosovare.

Siç raporton gazetarja Lala për “BalkanWeb”, kamioni ka kaluar nga porti i Durrësit dhe kishte një ngarkesë bananesh. SPAK ishte sinjalizuar për ngarkesën e dyshimtë, që do të vinte nga Italia, dhe kishte mbajtur në vëzhgim kamionin prej 10 ditësh.

Autoritetet shqiptare do të ndërhynin vetëm nëse do të kishte tentativa për të marrë ngarkesën brenda territorit të Shqipërisë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pasi mjeti ka vijuar rrugën drejt Kosovë, ku dhe mësohet të ketë pas destinacionin.

blank

Tiranë: Mbërrijnë trupa të tjera amerikane për stërvitjen “Defender 21”

Ilirian Agolli

Një avion me 267 trupa amerikane mbërriti të dielën në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” si pjesëtarë të stërvitjes “Defender Europë 21”.

Kjo është stërvitja më e madhe ushtarake në rajonin Ballkanit që nga Lufta e Dytë Botërore, më e rëndësishmja në kuadër të NATO-s, që po zhvillohet në 7 baza të ndryshme ushtarake në Shqipëri.

Në këtë stërvitje marrin pjesë më shumë se 28 mijë trupa nga 26 shtete.

Shqipëria ka rol kryesor në këtë stërvitje si vend mikpritës dhe stërvitor, duke vënë në dispozicion disa baza ushtarake ajrore, detare dhe tokësore.

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor, Bajram Begaj, pritën në aeroportin e Rinasit ushtarët nga Skuadra e 53-të Luftarake e Brigadës së Këmbësorisë.

Ambasadorja Yuri Kim e vlerësoi atë një ngjarje historike. “Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar 35 milionë dollarë në Shqipëri, duke punësuar qytetarë shqiptarë si shoferë, punëtorë ndërtimi, kuzhinierë dhe në çdo profesion tjetër. Kjo është shumë e rëndësishme dhe shpresojmë vazhdimin e saj në javët e ardhshme. Ne do të kemi më shumë se 6 mijë trupa këtu. Kjo nuk do të ndodhë njëherësh, por janë 6 mijë trupa të ndryshme, që do të kalojnë nëpër Shqipëri dhe besoj se në fund të kësaj, të gjithë do të kenë provuar mikpritjen shumë të rrallë dhe të mrekullueshme të Shqipërisë, kurse udhëheqësit ushtarakë do të mund të shikojnë vlerën strategjike të bashkëpunimit dhe aleancës sonë shumë të fortë me Shqipërinë”, – tha ambasadorja Kim.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral-major Bajram Begaj u shpreh se kjo stërvitje ndodh për herë të parë në Shqipëri.

“Është një stërvitje komplekse që përfshin pjesë ajrore, detare dhe tokësore. Sot pjesa pjesë e ekipit të stërvitjes të forcës tokësore që do të bëhet në Bizë është dhe pjesa e ushtarakëve të mbërritur sot prej 276 personash. Kështu është një ngjarje historike jo vetëm për ushtrinë, por dhe për vendin tonë”, – tha gjeneral-major Begaj.

Kolonel Blake Glass, komandant i Skuadrës së 53-të Luftarake e Brigadës së Këmbësorisë e vlerësoi stërvitjen “Defender 21” si një rast shumë të mirë për bashkëpunimin me Forcat e Armatosura shqiptare.

“Defender Europe 21” është një stërvitje e përvitshme, që udhëhiqet SHBA për të rritur gatishmërinë dhe ndërveprimin midis ushtrive të Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe atyre të vendeve partnere.

blank

Presidentja e Kosovës feston sot ditëlindjen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, feston sot ditëlindjen.

Osmani u lind me datë 17 maj të vitit 1982 dhe sot i ka mbushur 39 vjet.

 

Ajo është presidentja e dytë grua e Kosovës, pas Atifete Jahjagës.

Vjosa Osmani shkollën fillore dhe atë të mesme, e përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm në qytetin e saj të lindjes në Mitrovicë.

Studimet themelore i përfundoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet master dhe doktoraturën e përfundoi në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA, ku u dallua në mesin e qindra studentëve ndërkombëtarë.

Përgjatë të gjitha fazave të studimit, ajo ishte bursiste. Si profesoreshë universiteti, në Kosovë ajo ligjëron lëndë nga fusha e së Drejtës Ndërkombëtare, ndërkaq në Amerikë ligjëron lëndën “Shtet-ndërtimi dhe e Drejta: Përvoja e Kosovës”.

Më 27 gusht të vitit 2009, Vjosa Osmani – Sadriu u zgjodh shefe e stafit të Presidentit të atëherëshëm të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Osmani më herët ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane dhe nënkryetare e Komisionit për Reforma Kushtetuese në Kosovë.

Vjosa Osmani është e martuar dhe është nënë e dy vajzave binjake.

blank

Basha në Këshillin Kombëtar: Zgjidhni dhe dua t’ju shoh në sy. Ose zgjedhjet janë të vjedhura dhe vazhdojmë në betejë, ose nëse për ju janë në rregull, jap dorëheqjen tani

Kreu i PD, Lulzim Basha ka vënë Këshillin Kombëtar para dy alternativave. Basha thekson se nëse zgjedhjet e 25 prillit janë të vjedhura atëhere duhet të vijohet beteja, raporton gazetari Osman Stafa.

Nga ana tjetër ai thotë se nëse për anëtarët e Këshillit zgjedhjet e 25 prillit janë në rregull, atëhere ai jep dorëheqjen që tani.

‘’Zgjidhni dhe dua tju shoh të gjithëve në sy. Ose zgjedhjet janë të vjedhura dhe vazhdojmë në betejë, ose nëse për ju janë në rregull, atëherë unë jap dorëheqjen tani.’’- tha Basha.

blank

Artan Fuga: Kërkesa për dorëheqje të parevokueshme të Bashës do të ishte një gafë politike e PD

Akademiku Artan Fuga deklaron se është gafë e madhe që Këshilli Kombëtar ti kërkojë sot dorëheqjen e parevokueshme, kryetarit të PD, Lulzim Bashës.

Fuga kërkon që sot të japë dorëheqjen kolektivisht Kryesia, pasi përjashtimi i Bashës nga kandidimi nuk i shërben demokratizimit të partisë.

Ai thekson se përderisa më 13 qershor do të mbahen zgjedhjet në PD, secili kandidat për kryetar mund të konkurojë lirshëm.

Për Fugën, Basha ka shansin të demokratizojë partinë dhe kandidatët të dalin me platforma politike se çfarë propozojnë më mirë.

STATUSI NGA ARTAN FUGA
Kërkesa për dorëheqje të parevokueshme të z. Basha do të ishte një gafë politike e PD
—————————
Do të ishte një gafë e madhe që Keshilli Kombëtar i PD të kërkonte sonte dorëheqjen e parevokueshme të z. Lulzim Basha. E para, sepse përjashtimi nga kandidimi nuk i shëben fare demokratizimit të partisë demokratike, sepse është një akt përjashtimi. E dyta sepse nëse ka përgjegjësira në atë parti, dhe unë vazhdoj të mendoj se ka, pavarësisht zgjedhjeve antidemokratike të 25 prillit, ato janë kolektive. Po deshët i numurojmë. E treta sepse përderisa në 13 qershor bëhen zgjedhjet për kryetarin, të gjithë kandidatët mund dhe duhet të konkurojnë lirshëm para partisë. Por vota të numurohet si duhet, jo si në 25 prill. Komisioni duhet të ketë antarë nga të gjithë kandidatët. Demokratizimi nuk është përçarje. Askush nuk mund të thotë se meqë kishim përballë shtetin nuk ka të tjerë që mund ta bëjnë më mirë punën. Por besimin e jep vota e partisë, madje edhe elektorati, jo me akte përjashtimi si biroja. Ne duhet të shkëputemi nga ajo kulturë staliniste ngado që të vijë. Zoti Lulzim Basha ka shansin ta demokratizojë partinë, ta shohi realitetin në sy, sikurse kandidatët të dalin me platforma politike t’i shohë e gjithë shoqëria se çfarë propozojnë më mirë!
Dorëheqjen sot kolektivisht duhet ta japi kryesia! Këshilli e pranon ose jo!

blank

Basha në Këshillin Kombëtar: Aspiratën për ndryshim e mishëron sot vetëm Partia Demokratike e Shqipërisë, do të vazhdojmë luftën të bashkuar

Kreu i PD, Lulzim Basha ka mbajtur fjalën e tij në Këshillin Kombëtar ku ka kërkuar bashkim nga demokratët, sipas gazetarit Osman Stafa për BalkanWeb.

Ai thotë se nuk mund të drejtohet gishti ndaj askujt në sallën e PD për atë që ndodhi në 25 prill. Basha thekson se në të kundërt kundërshtari i PD do të ketë një armë më shumë.

Për Bashën, në PD ka vend për të gjithë, por ripërsërit se s’duhet të ketë vizione të ndryshme për zgjedhjet e 25 prillit.

Sipas tij, PD-në e pret një sfidë e madhe përpara, por nuk duhet harruar ajo çfarë u ndërtua si dhe mbështetja nga shqiptarët e demokratët.

‘’E gjithë struktura e PD funksionoi. Ajo që pamë është se u përballëm me një strukturë kriminale të blerjes së votës. Ka vend për të gjithë në PD, por kam bindjen se s’duhet të kemi vizione të ndryshme për zgjedhjet e 25 Prillit.

Nëse pajtohemi me atë që ka ndodhur në 25 Prill, nuk mund të drejtojmë gishtin në këtë sallë. Nëse e bëjmë, i japim kundështarit tonë një armë më shumë. Shqiptarët e duan ndryshimin ndaj duhet të jemi të bashkuar dhe ti prijmë ndryshimit. Nuk do përballemi me ta me të njëjtin monedhë. Larg krimit, bandave dhe korrupsionit. Ka qenë është dhe do mbetet vizioni im çdo kohë.

Ajo që na pret përpara është një sfidë e madhe, por të mos harrojmë atë që kemi ndërtuar dhe arritur së bashku, të mos harrojmë kë dhe cfarë kishim përballë, të mos harrojmë mbështetjen e jashtëzakonshme që morëm nga demokratët dhe gjithë shqiptarët.Aspiratën për ndryshim e mishëron sot vetëm Partia Demokratike e Shqipërisë. Nuk ka sot vend tjetër në Shqipëri, nuk ka sot një bashkim të këtyre përmasave dhe cilësive, mendjesh dhe zemrash, që mund ta bëjë realitet aspiratën tonë dhe të gjithë shqiptarëve për ndryshim dhe demokraci. Përvecse këtu ne mesin tone. Ky vend është Partia Demokratike. Prandaj ne do të vazhdojmë të luftojmë të bashkuar derisa demokracia të fitojë.‘’- tha Basha.


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend