VOAL – SHKUP – Vazhdon edhe në këto çaste protesta e opozitës para Qeverisë me një pjesëmarrje masive të qytetarëve të ardhur nga të gjitha qytetet e Maqedonisë.
Aty vazhdojnë të protestojnë së bashku maqedonas, shqiptarë dhe pjesëtarë të të gjitha bashkësive tjera etnike.
Aktualisht, masës së tubuar në protestën gjithëpopullore para Qeverisë në Shkup, i është drejtuar lideri i opozitës, Zoran Zaev .
Kryetari i Lidhjes Social-Demokrate tha se ka ardhur koha që kryeministri, Nikolla Gruevski, përfundimisht të ikë nga pushteti.
“Gruevski i ka orët e numëruara dhe çdo moment duhet të braktisë godinën e Qeverisë”, deklaroi Zaev.
Ai akuzoi Qeverinë për veprimtari kriminale, falsifikim të zgjedhjeve, dhunë ndaj institucioneve dhe ndaj qytetarëve përmes shantazheve të ndryshme.
“E vërteta për Maqedoninë ka dalë në sipërfaqe dhe kjo dëshmohet edhe me rrugët e Shkupit të mbushura me njerëz. Ne kemi vendosur të kthejmë demokracinë. Ky muaj do të hyjë në histori për kthesën e re të Maqedonisë. Do të vendosin sundimin e ligjit. Këtë po e bëjmë me të gjithë qytetarët pa dallim përkatësinë e tyre etnike dhe fetare”, theksoi Zaev duke kërkuar dorëheqjen e kryeprokurorit, drejtuesve të televizionit shtetëror dhe të gjithë funksionarëve të përfshirë në aferën e përgjimeve.
Ai tha zgjidhja e vetme për krizën politike është formimi i qeverisë kalimtare dhe përgatitja e vendit për zgjedhje të lira dhe demokratike.
Zaev tha se nuk do të ketë tërheqje pa vendosjen e rendit dhe ligjit në Maqedoni, duke shtuar se një gjë e tillë do të arrihet vetëm me largimin e Nikolla Gruevskit.
Folësit e deritashëm drejtuan kritika të ashpra ndaj Qeverisë për, siç thanë, krimet që janë zbardhur nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve, për dhunën dhe frikën që po praktikohet nga regjimi i kryeministrit Gruevski.
Ata thonë se protesta e sotme është shans për një fillim të ri në Maqedonisë, për kthimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit.
Protesta po ndiqet edhe nga përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa vërehet edhe prani e madhe e forcave speciale të policisë që po sigurojnë objektin e Qeverisë.
“Gruevski ik”,”Lamtumirë Nikolla” “Poshtë Qeveria kriminale”, “Protestoj”, janë vetëm disa nga parullat që po mbajnë protestuesit në duar.
Deri në këto momente, protesta po zhvillohet e qetë dhe pa incidente.
Masës së tubuar të parët i janë drejtuar studentët.
“Studentët janë këtu janë jo për të mbështetur ndonjë parti, por për t’i thënë ik këtij regjimi. Kërkojmë të ardhme këtu në vend dhe jo jashtë vendit”, ka theksuar një student, i cili iu drejtua të pranishmëve.
Më pas një studente tjetër shqiptare, 21 vjeçe, tha se dëshiron të jetojë në një shtet, që siguron të ardhme për të rinjtë.
“Gjenerata ime tashmë i ka vendosur themelet e një shoqërie multi-etnike dhe jam e bindur se gjenerata ime asnjëherë nuk do të jetojë një luftë të re, sepse gjenerata ime beson në fuqinë e bashkësisë, beson në lirinë dhe demokracinë, prandaj jemi më rezistent dhe kosistent në betejën për realizimin e ideve tona”, iu drejtua masës së tubuar një studente shqiptare.
Ndërkaq, edhe qytetarët e shumtë që i janë bahskuar protestës, shprehin kritika ndaj udhëheqësve politikë.
“Vij nga qyteti i Gostivarit, ne protestojmë për të drejtat e qytetarëve shqiptarë, sepse ministrat tanë flenë dhe kjo na ka nxjerrë në protesta. Ministrat shqiptarë derisa rrinë brenda në Qeveri, ndodh Kumanova, pra të gjithë ministrat e kësaj qeverie duhet të shkojnë, sepse prej tyre s`ka gjë”, ka thënë një qytetar, i cili kishte ardhur për të protestuar nga Gostivari.
“Unë protestoj se ky pushtet është i papërgjegjshëm dhe i pamoralshëm, prandaj duhet të japë dorëheqje”, ka thënë një qytetar tjetër, i cili tha se kishte ardhur në Shkup nga Shtipi.
“Kërkojmë lirimin e qytetarëve të pafajshëm që mbahen në burgje për rastin MONSTRA. Kërkojmë realizimin e të drejtave të shqiptarëve, realizmin e Marrëveshjes së Ohrit. Ajo që ndodhi në Kumanovë ishte terror, kërkojmë që ngjarje të këtilla të mos përsëriten më”, ka theksuar një qytetare nga Kumanova.
“Kam ardhur të protestoj kundër një pushteti jodemokratik, protestoj kundër asaj se pushteti refuzon të dëgjojë popullin, protestoj kundër kësaj qeverie, e cila mbijeton falë nxitjes së nacionalizmave”, është shprehur një një qytetare nga Shkupi./REL
Komentet