VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Z.Sandër Lleshaj, jepni dorëheqjen! Nga Elida Buçpapaj

By | February 12, 2019

Komentet

Vdekja e palavdishme politike e Edi Ramës – Nga REXHEP SHAHU

Me 16 shkurt 2019 ra politikisht Edi Rama nga një protestë e madhe burrash e grash të dëshpëruara të këtij vendi të tradhtuar e dhunuar prej qeverisë së tij që nuk ka fytyrë njerzore. Nga një protestë e fuqishme burrash e grash, jo të rinjsh e të rejash se rreth 500 mijë të rinj të Shqipërisë Edi Rama i ka dëbuar prej Shqipërie me arrogancën e keqqeverisjen e tij që mbjell frike e terror e nuk jep shpresë e mundesi jetese në atdhe.
Edhe në renie Edi Rama don të zërë të tjerë nën vete, nën gërmadhat e tij.
Edhe në rënie don të shëmtojë dikë, të damkosë dikë, siç bëri sot me Vlorën.
Shkoi në Vlorë dhe kërkoi strehë e mbrojtje duke shpallë kështu vdekjen e tij politike.
Po Vlora nuk bojatiset kollaj nga bojrat e tij, nuk merr ngjyrat e tij. Vlora ka paguar shumë jetë njerzish për lirinë dhe kundër komunizmit. Këtë Vlora e di edhe pse Rama don t’ia faturojë Vlorës vetëm faturën e zezë të turpit të 1997 që në fakt nuk është e vlonjatëve, por e antishqiptarëve dhe edhe e enveristëve të Kosovës të mobilizuar nga UDB e shërbimet sekrete serbe e greke.
Sot dështoi me lavdi shoku Rama.
Pas bllokimeve të gjithanshme të rrugëve që të pengohen protestuesit me ardhë në Tiranë, pas terrorit policor në media për protestë pa leje, pas terrorit të tellallëve të tij se ka infiltrime e axhenda të këqinjsh vendas e të huaj në proteste, pas bllokimit pa arsye të linjave të urbanit në kryeqytet, me bisht nër shalë shkoi e kërkoi strehë si liliput në bythë të Vlorës.
Nuk të mjafton Vlora o mavri me të mbrojtë, nuk ka qenë as bëhet kurrë Vlora strehë horash, nuk është Vlora kundër Shqipërisë. Nuk duron asnjë damkë Vlora.
Nuk është Vlora strofulla jote dhe as ti nuk je ariu që shkon të ngordhë në strofullën e tij. Ik shko dhe gjej vendin e ogjigjinës tënde dhe aty ngordh politikisht nëse ke ndokund ndonje cep vend a origjinë për varr politik.
Nuk e shëmton dot Vlorën as ia ngordh nervin kombëtar e demokratik me regjinë mjerane që i detyron njerzit nga frika e rrogës të mbledhin karriget e bukës nëpër shtëpia e ti nxjerrin në shesh të dëgjojnë piskamat e tua të deshpërimit e të frikës, vnerin tënd për kundërvënie e karshillek ndaj opozitës së vendit, ndaj të deshpëruarve e njerzve shpresëvrarë të vendit.
Edhe dhentë e qarkut të Vlorës ti mbledhësh nuk të mbrojnë dot dhe nuk të shpëtojnë dot prej dëshpërimit, frikës e braktisjes politike vendase e të huaj që po të shkakton humbje të orientimit, deshpërim total, ankth e pagjumësi.
Të dëgjova pak tek llomotisje në Vlorë.
Shkove atje të kujtosh burimin nga ka dalë pushteti yt, të kujtosh 1997 kur unat e zjarrit antishqiptar dogjën Shqipërinë me duart e kriminelëvë të burgosur me dënime të përjetshme që dolën nga burgjet greke, me duart e pushtetit të fshehtë të diktaturës komuniste që u rrëzua por që ka ende gjallë metastazat kanceroze antishqiptare.
Shkove në Vlorë qe ta “armatosje” Vlorën si Zani i saj i turpit dhe ta bëje gati ta mësyje drejt Tiranës. E bërë me zjarrin e fjalëve që volle që atje, u bërë një Zançaush.
Shkove në Vlorë t’i thuash asaj se “Ata po vijnë”, po dynden Ata. Ata malokët, ata kokëpalarët, ata çeçenët. Ata gegët. Shkove atje të mobilizoje toskët, të ngjallje frikën prej gegëve sic bëri gjysmë shekulli diktatura komuniste e shefat e saj. Shkove të mbillje e të ndizje urrejtje por dështove. Nuk arrin të mbijë më fara e urrejtjes së toskës a labit kundër gegës. Se të mbysin nipat e mbesat e njëri – tjetrit, nipat e mbesat që kanë sfumuar kufirin tënd të urrjetjes. Veç sa e poshtrove me atë shfaqje antimitingjesh komuniste e enveriste sot Vlorën.
U bërë i vogël sot, bubrrec politik, frikacak i pashembullt. A kështu duhet të bëjë Shkodra, Korca, Elbasani, Durrësi, Kukësi që bëri të të shpëtojë shurra pika pika…
Deshe të jepje mesazhin se ti ke Shqipërinë tënde, Vlorën tënde që në fakt nuk është tëndja, një mut është tëndja. Është e madhe Vlora që ta kesh a ta bësh ti tëndën dhe je i vogël ti për gjithë atë Vlorë të madhe.
Shkove të tregoje se janë dy Shqipëri, por dështove, nuk janë dy Shqipëri pse të do bytha ty, është një Shqipëri unike, janë një gegë e toskë, jane një se edhe të duan nuk bëjnë pa njëri – tjetrin, janë një se janë dy këmbët e një trupi, dy sytë e një balli, dy duart e një shtati, dy buzët e një goje dhe Shkumbini ndarës mes gegëve e toskëve është thjeshtë një vijë imagjinare ku ndahen me bashkim gegë e toskë të një atdheu që nis në Mitrovicë e mbaron shumë larg poshtë Vlorës.
Shkove në Vlorë mbase të sigurosh një varr politik atje te dëshmorët e gjallë ku varret politike janë rezervuar me kohë për ata që kishin ndërmend të bënin ndonjë luftë për atdhe.
Ishe shumë i varfër sot në metafora. Të vdiqën edhe metaforat shoku Rama. Mbase boja që t’u hodh në gojë në parlament t’i fshiu metaforat…
Ti kishe shumë frikë sot në fjalimin tënd të thatë pa ndonjë frymëzim tjetër veç nxitjes së urrejtjes kundër Atyre…, kundër dyndjes së Atyre… Sa më lart që e ngrije zërin aq më ë madhe të lexohj frika.
Në mesditë e dhive me atë vajtimin tënd për vazon që u thye nga protestuesit. Na dhive gazit…
M’u bë të thërras, digje Vlorën, atë Shqipëri tëndën që kujton se e ke marrë peng, digje gjithë Shqipërinë, edhe këtë timen e tonën, por mos u shit e mos mashtro me ato statuse me gjasme dhimbje për vazon sikur je artist, një mut je artist.
Një artist nuk krijon një pushtet që prodhon frikë e terror, pasiguri kudo, ankth, një pushtet që dëbon njerzit nga vendi, dëbim nga atdheu, që në një mënyrë është genocid ndaj kombit, genocid me pakësim shqiptarësh në teritor të kombit, një pushtet që mediat serioze deklarojnë se 60 përqind e njerzve duan të ikin nga ky vend për shkak të keqqeverisjes së Edi Ramës që bën karagjozin, që është dhi e zgjebur dhe e mban bishtin përpjetë, që krenohet me arrogancën e qeverisjes së tij, që i duket si kënaqësi seksuale kur tall e përgojon tjetrin dhe thotë se nuk janë në nivelin tim të debatit, që ushtron pushtet përsonal për veten e familjen, për veten, miqtë e shokët e tij.
Me 16 shkurt ra Edi Rama politikisht. Nuk e di kur do ta largojnë kufomën e tij politike drejt varrezave të harrimit.

Prishtina nuk ka platformë strategjike për Veriun e ndërkombëtarizuar të Kosovës – Nga Prof.Dr. Mehdi HYSENI

Barometri diplomatik

Edhe pse për këtë çështje ish-kryeministri dhe, tani presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me “bekimin” e qeverive dhe të kuvendeve të Kosovës ka zhvilluar bisedime me palën serbe në Bruksel, Jo më pak se 9 vjet (2011-2019), mirëpo, deri tani Kosova nuk ka pasur dhe, ende nuk ka ndonjë platformë politiko-strategjike për zgjidhjen e problemit të territorit verior të Kosovës.

Sepse de fakto ajo është pjesë e ndarë qe 20 vjet, të cilën nuk e kontrollon Kosova, por Serbia. Kështu që, tani kemi të bëjmë me një gjendje “pat-pozicioni”, ku “Serbia dhe serbët nuk mund të bëjnë luftë për këtë territor. Gjithashtu, qeveria e Kosovës nuk mund të bëjë luftë. Madje, forcën nuk do ta përdorin as forcat ndërkombëtare.- Autonomia e veriut nuk është e mundur brenda Kosovës shqiptare. Atëherë çfarë do bëhet me Veriun? “

-Asgjë, derisa Amerika të ndërhyjë në këtë çështje, që Serbia të tërhiqet nga territori verior i Kosovës, tjetër zgjidhje nuk mund të ketë në favroin e tërësisë së sovranitetit territorial dhe shtetëror të Kosovës.

Prandaj, janë të kota “platformat” e “shuttle grupeve” negociuese të Kosovës se gjoja në Bruksel “nuk do të lejojnë prekjen e kufijve të Kosovës”.

-Çfarë konstatimi ky, po, kush ka sy, vesh e mendje, kufirii veriut të Kosovës, tanimë është prekur qe 20 vjet (1999-2019), por çështja është se si ta përzëmë Serbinë nga ajo pjesë vitale e territorit të Kosovës.

Vazhdimi i Dialogut në Bruksel nuk sjell njohjen e Kosovës nga Beogradi, por vetëm prekjen e kufijve të saj territorialë

Të gjithë ata liderë politikë të Kosovës, të involvuar dhe, të tjerët që kanë shprehur dëshirën të involvohen në Dalogun e Brukselit (2011-2019), janë dijeni se epilogu i tij nuk do të jetë NJOHJA E KOSOVËS nga ana e Serbisë ( me gjithë dëshirën e tyre), por vetëm po e gënjenjë dhe po e mashtrojnë popullin shqiptar të Kosovës, se gjoja në Bruksel po bisedohet për ta bindur Beogradin që ta njohë Kosovën e pavarur dhe sovrane. Kjo nuk është e vërtetë, thjesht, për faktin se, sikur Serbia të donte ta njihte Kosovën, ky vendim do të merrej në Beograd, Jo në Bruksel. Pse në Bruksel?!

Pra, fare nuk është e ndershme, e nevojshme as e ligjshme, që të zhvillohet një propagandë e tillë politike se gjoja në Bruksel, Serbia do ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës. Kjo nuk do të ndodhë në dialogimin serbo-shqiptar në Bruksel.

Prandaj, nuk ekziston nevoja që ndonjë “ ad hoc grup politik” të udhëtojë për në Bruksel, që ta marrë “izën” e Serbisë, sepse ajo këtë mund ta bëjë drejtpërdrejt nga Beogradi, pa shkuar fare në Bruksel.

Mirëpo, “lepuri fle dikund tjetër”, pikërisht në “pat-pozicionin” e statusit të territorit verior të Kosovës, që Serbia përmes Dialogut të Brukselit me palën kosovare dhe me atë ndërmjetësuese të BE-së, me çdo kusht po kërkon që ta rikthejë nën sovranitetit territorial dhe shtetëror të saj. Kjo është “tema kyç” për të cilën pala kosovare ka pranuar të dialogojë me palën serbe në Bruksel, jo më pak se 9 vjet (2011-2019).

Derisa të vazhdojnë negociatat serbo-kosovare në Bruksel, nuk do të vlejë kurrfarë garancie nga pala negociuese e Prishtinës, sepse ai dialog pikërisht po bëhet për zgjidhjen e statusit politik të veriut të Kosovës. Këtë “ grupet negociuese” të Kosovës e dinë shumë mirë. Parandaj, edhe kanë përgatitur “Platformën” e tyre se gjoja në Bruksel nuk do të “debatojnë për korrigjimin e kufijve të Kosovës, por për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë”!?

Çfarë kulmi i gënjeshtrës ky se gjoja “ Viti 2019, është viti kur Kosova do të anëtarësohet në OKB, është viti që Kosovës do t’i hapet rruga drejt NATO-s, viti i liberalizimit të vizave, dhe viti i integrimit në BE.”. (https://www.kosova-sot.info/lajme/355930/ahmetiveselielimajnjezerikufijteerepublikessekosovesnukprekenngakydialogduamnjohjenngaserbia/).

-PO, cili shqiptar në Kosovë dhe jashtë saj nuk do ta dëshironte që brenda këtij viti(2019), Kosova të njihej nga Kombet e Bashkuara dhe të aderonte në NATO?

Mirëpo, si të jetësohet ky gëzim dhe kjo dëshirë në praktikë, kur Beogradi po ngulmon, jo ta njohë Kosovën, por ta copëtojë territorin verior të saj, kinse duke i “korrigjuar lehtë” kufijtë e saj së bashku me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka deklaruar se me përfundimin e Marrëveshjes në Bruksel, do të fitojnë të dy palët (Fifty-Fifty-Win-Win), jo vetëm Serbia, apo vetëm Kosova. Sipas kësaj progonoze politike të tij : “Rezultati i dialogut të Brukselit, do të jetë WIN për Serbinë dhe WIN për Kosovën”.( https://www.blic.rs/vesti/politika/taci-rezultat-dijaloga-ce-biti-win-win-i-za-srbiju-i-za-kosovo/4rmbmgf).

Jo, anasjelltazi!

SË PARI REFERENDUM (pëlqimin nga SOVRANI), pastaj mund të blihen “biletat” për në Bruksel apo për në Beograd, JO ANASJELLTAZI, sepse bashkësia ndërkombëtare nuk do të njohë kurrfarë rezultati të REFERENDUMIT (qoftë në Serbi apo në Kosovë), nëse PARAPRAKISHT arrihet ndonjë Marrëveshje e kompromisit politik mes palëve negociuese në Bruksel. Përkundrazi, do të urdhërojë urgjentisht dhe pa kushte, që ajo të ratifikohet nga Kuvendi i Serbisë dhe nga Kuvendi i Kosovës.

Këtë duhet ta mbajnë parasysh si “grupi ad hoc negociues”, ashtu edhe presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka deklaruar se “Fjalën përfundimtare për marrëveshjen me Serbinë do ta thonë qytetarët përmes Referendumit. Ne do të miratojmë këtë platformë, ndërsa vendimmarrjen për marrëveshjen finale, do ta keni ju vetë me referendumin që do ta kemi në Republikën e Kosovës”. ((Po aty, www.kosova-sot,info).

-E thënë mirë kjo deklaratë për qetësimin e nervave të opinionit publik shqiptar. Mirëpo, siç theksuam më sipër, nëse paraprakisht arrihet ndonjë Marrëveshje me palën serbe në Bruksel, palët e involvuara ndërkombëtare në këtë marrëveshje nuk do të pranonin rezultatet e ndonjë REFERENDUMI qoftë në Kosovë ose në Serbi. Për më tepër, nuk do të lejonin mbajtjen e referendumit në Kosovë, ashtu siç ndodhi edhe pas Konferencën e Rambujesë ( 14-19.3.1999).

Me gjithë premtimet garantuese të garniturës udhëheqëse shtetѱrore të Kosovës (president, kryeministër dhe kryeparlamentar) dhe të grupit të sapoformuar ad hoc, se gjoja në Brukesl nuk do të bisedojnë me palën serbe për ”korrigjimin e kufijve” të Kosovës, nuk parapëlqehet që, së PARI të lidhet ndonjë Marrëveshje me Serbinë në Bruksel, pa mbajtjen PARAPRAKE TË REFERENDUMIT në Kosovë se, dëshiron apo jo populli shqiptar të zhvillohen negociata politike me Serbinë në Bruksel për fatin e Kosovës.

PROF. DR. REXHEP KRASNIQI: BIR SHPIRTI I BAJRAM CURRIT Me rastin e 20-vjetorit të largimit nga kjo jetë – Nga Frank Shkreli

Në bisedë e sipër me mikun dhe kolegun tim Idriz Lamaj, ai më kujtoi se ky muaj shënon 20-vjetorin e kalimit në amshim të njërit prej udhëheqsëve më të dalluar, më të nderuar dhe për shumë dekada ndër më të respektuarit e diaporës shqiptaro-amerikane, Prof. Dr. Rexhep Krasniqi. Për më tepër, Idrizi më njoftoi se me këtë rast, në Kosovë është botuar një libër për jetën dhe veprimtarinë e këtij burri të madh të Kombit shqiptar. Nuk e kam lexuar ende librin, por mund të them se një vepër e tillë na mungonte ne këtu në diasporë, megjithse kemi pasur nderin dhe fatin ta njihnim Dr. Krasniqin, por më shumë besoj se kjo vepër u nevojitet lexuesve anë e mbanë trojeve shqiptare – e sidomos brezit të ri, të cilët, për arsye që dihen, mund të mos kenë dëgjuar fare për Dr. Rexhep Krasniqin.

Libri i autorit Dr. Besim Muhadri: “Prof Dr. Rexhep Krasniqi Një Jetë në Shërbim të Shqipërisë Etnike”, botuar kohët e fundit në Kosovë

Por kush ishte Prof Dr. Rexhep Krasniqi? Ai lindi në Gjakovë në vitin 1906 ku edhe mbaroi shkollën fillore, ndërsa shkollën e mesme e kreu në akademinë e njohur “Theresanium” të Vjenës, një ndër entet më të njohura dhe aristokrate të para Luftës së Dytë Botërore në Evropë. Siç shkruan – në vend të parathënies — edhe autori i librit, “Prof. Dr. Rexhep Krasniqi -Një jetë në shërbim të Shqipërisë Etnike” – në artikullin e botuar ditët e fundit në gazetën Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, “Rexhep Krasniqi kaloi një jetë tepër të rëndë dhe shumë të dhimbëshme, sepse që në moshën 8 vjeçë mbeti jetim, pa të dy prindërit. Duke parë një fëmijë tepër të zgjuar, por edhe në një gjendje tepër të vështirë, atdhetari dhe arsimdashësi, Bajram Curri, ose siç do ta quajë Noli ynë i madh, Tribuni i vegjëlisë, personalisht atë do ta adoptojë si “Bir shpirti”. Në mungesë të prindërve Bajram Curri do ta shoqëronte atë për herë të parë me rastin e regjistrimit në shkollë në Vjenë”, shkruan autori.

Në vitin 1934 Rexhep Krasniqi ka marrë titullin akademik “Doktor Fillozofie” nga Universiteti i Vjenës, teza e të cilës ka qenë, “Kongresi i Berlinit dhe Shqipnia Verilindore”, nën mbikqyrjen e Profesorit austriak Karl Patsch, Kryetar i Institutit për studime ballkanike pranë Universitetit të Vjenës dhe njëri prej albanologëve dhe historianëve më të njohur të asaj kohe në Evropë. Pasi përfundon studimet universitare në Vjenë, Rexhepi i ri këthehet në Atdhe dhe emërohet menjëherë profesor i historisë dhe gjeografisë pranë gjimnazit në Gjirokastër, ku edhe shërbeu si zëvendës drejtor deri në vitin 1938. Po këtë vit, Rexhep Krasniqi emërohet Drejtor i Arsimit të Mesëm në Ministrinë e Arsimit në Tiranë dhe më vonë Inspektor Epruer pranë kësaj ministrie. Më 1941, ai caktohet Komisar i Lartë i Shkollave të Mesme në Kosovë dhe Drejtor i Gjimnazit të parë në gjuhën shqipe në Prishtinë. Dr. Rexhep Krasniqi në një numër të revistës “Shëjzat” të vitit 1974 e përshkruan kështu emërimin e tij në Gjimnazin e Prishtinës nga Ministri i atëhershëm i Arsimit shqiptar, Prof. Ernest Koliqi: “Për organizimin e Internatit ku do të banojshin 200-studentë – shumica e të cilëve do të studjonin me bursa të qeverisë shqiptare – Ministri i Arsimit, Prof. Ernest Koliqi, emëroi Prof. Vasil Andonin me titull rektor dhe si ndihmës mësues, Lirak Dodbibën, të cilët qenë dërguar në krye të detyrës (në Kosovë) në Tetor, 1941. Për drejtimin e gjimanzit të Prishtinës ishte caktuar një arsimtar i merituar Kosovar që ishte në Tiranë. Por ky për arsye personale në çastin e fundit u tërhoq. Ministri Koliqi, që i kishte dhënë një rëndësi të jashtëzakonshme, zhvillimit të arsmit kombëtar në krahinat kosovare, u gjënd në njl pozitë të vështirë për zevëndsimin e tij. Më në fund, me pëlqimin e plotë të tij, ai i ofroi Prof Krasniqit drejtimin e shkollës në fjalë si Komiser i Ministrisë, i cili njëkohsisht do ruante pozitën që kishte në atë kohë edhe si Inspektor Epruer në Ministrinë e Arsimit, bashkë me arsimtarët e njohur si Karl Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Anton Deda, Kolë Kamsi e Kostaq Cipa.”

Për t’i ra shkurt, fati i këtyre burrave gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore dihet. Megjithëse, me këto koka, jo vetëm atëherë, por edhe sot, Kombi shqiptar mund të krenohej para botës së qytetëruar dhe me të cilët – atëherë dhe sot – për nga përgatitja e tyre akademike, politike dhe njerëzore, e sidomos për nga atdhedashuria e tyre, do të krenohej çdo popull. Pas luftës, Dr. Rexhep Krasniqi pësoi të njëjtin fat me të tjerët — ndër më të mirët e Kombit – duke u detyruar të largoheshin nga Atdheu i tyre. Edhe ai merr rrugën e mërgimit, duke u vendosur së pari në Siri pastaj prej aty shkon në Australi, ku për mungesë të gjuhës anglisht detyrohet të bëjë lloj punësh, përfshirë fabrikën e automjeteve, për të siguruar bukën e gojës.

Për fat të tij, por më shumë për fatin e komunitetit shqiptaro-amerikan, Dr. Rexhep Krasniqi ftohet në vitin 1957 nga Departamenti Amerikan i Shtetit që të vinte në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në formimin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, me qëndër në New York. Dr. Krasniqi e drejtoi këtë ent shqiptaro-amerikan, të financuar nga Amerika, deri në shëmbjen e komunizmit. Ishte në këtë rol që Prof. Dr. Rexhep Krasniqi siguroi admirimin e komunitetit shqiptaro-amerikan, pothuaj pa dallim. Komiteti Shqipëria e Lirë shërbente në atë kohë, si ambasadë dhe si konsullatë, por edhe si zyrë ndihmash për shërbime të ndryshme për të gjithë shqiptarët në nevojë, pasi nuk ekzistonin marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa për Kosovën dihej pak ose aspak. Për çfardo nevoje qoftë, shqiptarët e arratisur nga regjimi komunist i drejtoheshin Komitetit “Shqipëria e Lirë” për ndihmë.


Dr Hamdi Oruçi duke i dorëzuar pllakën e artë Dr. Prof. Rexhep Krasniqit, në emër të komunitetit shqiptaro-amerikan, New York, 28 Nëntor, 1975

Ishte pikërisht për aktivitetin e tij në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan, që Dr. Hamdi Oruçi, një tjetër kolos i diasporës shqiptare të pas luftës në Amerikë, i dorëzoi Dr. Rexhep Krasniqit, në emër të komunitetit shqiptaro-amerikan, pllakën e artë – simbol falënderimi jo vetëm për punën e tij të palodhur për të ndihmuar shqiptarët e shpërndarë, por edhe për veprimtarinë e tij politike dhe atdhetare, në fushën e ruajtjes së gjuhës dhe të kulturës shqiptare në këtë vend, të drejtave bazë të njeriut dhe për përpjekjet e tija për liri e demokraci të vërtetë për Kombin shqiptar.

Unë e kisha takuar disa herë Rexhep Krasniqin dhe me çdo rast, ashtu si edhe disa të tjerë të kalibrit dhe të brezit të tij, gjithmonë na jepte zemër e kurajo ne të rinjve në atë kohë, që të vazhdonim punën e tyre në komunitet, që të mos harronim gjuhë e kulturë, e prejardhje. Në vitin 1972 kisha filluar një broshurë tepër modeste për të rinjët, “Rinia Shqiptare në Mërgim”, e cila i kishte rënë në dorë Doktorit të nderuar. Dhe në karakteristikën e tij që e dallonte, për një nismë megjithse tepër modeste, Prof Krasniqi kishte gjetur kohë të më shkruante një letër duke më dhënë kurajo për të vazhduar ndërsa me porosiste: “I kam lexue rishtas edhe të dy numrat e së përkohëshmes “Rinia Shqiptare në Mërgim”. Secili fillim ashtë i vështirë, por nga përmbajtja e artikujve që keni botue deri tashti më duket se jeni në rrugë të mbarë e që përputhet me moton e juej, “Lux et Veritas” (Drita dhe e Vërteta”. Të shpresojmë se me kohë, broshura juej ka me u ba një përmbledhje e fuqive të reja të kulturës dhe virtyteve të Kombësisë Shqiptare në këtë vend të lirisë dhe të përparimit.” Në të njëjtën letër, Doktor Krasniqi më jepte kurajo gjithashtu për vazhdimin e shkollës, dhe të mësoja anglishten, ashtuqë, sipas tij të, hyja “në radhën e shqiptarëve të paktë të kësaj kategorie, në këtë vend.”

Fjalët dashamirëse, porositë, këshillat, guximi, por edhe ndihmat që nuk i kursente për të gjithë, e dallonin atë nga shumë të tjerë. Në këtë përvjetor, kujtimet e mia më të sinqerta, jo vetëm nga unë, por nga të gjithë ata që e kanë njohur dhe të cilët në një mënyrë ose një tjetër kanë përfituar nga ndihmat dhe nga këshillat e tija në nivel personal — janë të shumëta dhe të përzemërta dhe vazhdojnë të jenë të gjalla edhe në ditët e sotëme. Për kontributet e tija të panumërta dhe për arritjet jetësore në diasporë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare në Atdhe, komuniteti shqiptaro-amerikan i kishte shprehur falënderimet e veta Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, me 28 Nëntor, 1975 duke e dekoruar Dr. Rexhep Krasniqin me pllakën e artë me këtë motivacion: “Për punën e tij të vazhdueshme në Shqipëri dhe jasht Atdheut, me vendosmëri dhe ndershmëri kombëtare, me dedikim të papërkulur, në lamën e përparimit kulturor dhe politik të popullit shqiptar dhe Shqipërisë, ku një ditë jo të largët do të vendosen liria e fjalës dhe ajo e mendimit, liria e besimit dhe liria e mbledhjes, si dhe të gjitha liritë e tjera demokratike, si kujtim i paraqitet kjo pllakë Rexhep Krasniqit për shenjë nderimi dhe falënderimi, sot me 28 Nëntor, 1975 në qytetin e Nju Jorkut të Shteteve të Bashkuara, Bashkësia e Nju Jorkut.”

Rexhep Krasniqi ka lënë pas një trashëgimi të madhe kulturore dhe historike me shkrimet e tija në median e mërgimit, përfshirë Shëjzat dhe sidomos me shkrimet e tija në organin e entit që ai drejtonte, gazetën Shqiptari i lirë. Për më tepër, si Kryetar i “Komitetit Shqipëria e Lirë”, Dr. Rexhep Krasniqi ishte i pranishëm në shumë seminare dhe konferenca akademike dhe ndërkombëtare në universitetet amerikane dhe më gjërë, për të folur për historinë e Kombit shqiptar dhe për gjëndjen e mjerë politike të tij, nën regjimin komunist të asja kohe. Si përfaqsues i lartë i komunitetit shqptaro-amerikan për dekada, Dr Krasniqi gjëndej shpesh edhe pranë komuniteteve shqiptare të përhapura në Amerikë dhe në Evropë, përfshirë Arbëreshët e Italisë dhe ishte ndër ata të pakët nga i cili — përsonalitetet më të shquara politike të Evropës dhe të Amerikës — kërkonin këshilla dhe të dhëna mbi gjëndjen e botës së mbyllur shqiptare nën komunizëm.

I zgjedhur nga vet Heroi i Dragobisë, si “Bir shpirti” i tij – ai kishte mbetur jetim pasi kishte humbur prindërit që në vegjëli – Bajram Curri e kishte shoqëruar Rexhepin e vogël në udhëtimin e tij të parë për në Vjenë të Austrisë, ku Dr. Rexhep Krasniqi mbaroi studimet e larta dhe prej ku është doktoruar nga Universiteti i Vjenës.

Në këtë 20-vjetor të vdekjes së të “Birit në shpirt”, caktuar si i tillë nga vet heroi i Dragobisë — me mall e respekt e kujtojmë këtë muaj Prof. Dr. Rexhep Krasniqin, njërin prej protagonistëve kryesorë të nacionalizmit të shëndoshë shqiptar, i cili me bashk-kohasit e tij, të të njëjtit mendim e qëllim — po tu ishte dhënë mundësia — do ta kishin “bërë Shqipërinë”, ashtu siç e donin ata atëherë dhe siç ende e dëshirojmë edhe ne sot për mbarë Kombin — të bashkuar, të lirë dhe vërtetë demokratike, të integruar një herë e mirë në organizmat politike, ekonomike dhe ushtarake verio-atlantike të botës perëndimore. Kjo ishte ëndërra e Dr. Rexhep Krasniqit dhe e shokëve të brezit të tij – një ëndërrë për realizimin e të cilës ata jetuan e vepruan gjithë jetën e tyre në mërgim, por që fatkeqësisht mbetet ende endërra jonë e pa realizuar krejtësisht edhe sot, në çerekun e parë të shekullit 21.

Frank Shkreli

Kosova dikur ishte vetëm një ëndërr, sot është një realitet – Nga JAHJA LLUKA

Dikur ishte e pamundur të mendojmë se e nesërmja do të jetë më e mirë, por na mbajti shpresa dhe fryma atdhetare. Kosova sot është e pavaur dhe po rritet dita ditës, një shtet i ri në Europë, me një komb më të lashtë sesa vetë lashtësia.
Dikur na mbajti buka dhe lotët, sot ne po i tregojmë botës vlerat tona të shumta, pa të cilat s’do ekzistonte as civilizimi perëndimor.
Eksode masive, vrajse, dhunime, burgosje, tortura, nuk u ndalën përgjatë një shekulli, regjimi serb donte t’i çrrënjoste shqiptarët nga toka nanë, dhe jo vetëm qëllimi ishte që qenia shqiptare të zhdukej nga planeti Tokë.
Në këto kushte çnjerëzore, pushtim pas pushtimi, çdo popull tjetër nuk do të ekzitonte më, por populli ynë u unikifua për të mirën e përgjithshme dhe brezave që do vijnë.
Meritat më të mëdha për kauzën e popullit shqiptar i kanë nënat shqiptare. Nënat shqiptare, përkunden djepat dhe rritën fëmijët me dashurinë ndaj atdheut.
Nënat shqiptare linden trima për ta mbrojtur atdheun, ruajtën nderin dhe pragun edhe pse fati i tyre shpesh ishte i trishtë, ato ishin dhe do mbeten hyjnoret tona, andaj në këtë përvjetor të 11 të Pavarësisë së Kosovës, propozoj që në shenjë nderimi për sakrificën dhe vuajtjet e Nënës Shqiptare, e cila ishte shtylla mbrojtëse e pragut dhe popullit shqiptar përgjatë shekujve, të inaugurohet një Memorial i “Nënës Shqiptare”, në kryeqytetin e Kosovës.

Populli shqiptar i Kosovës, përgjatë një shekulli rezistencë nga regjimi dhe pushtimi serbo-sllavë, e shkroi lirnë e tij me gjak, me vuajtje dhe sakrificë.
Ishte dëshira e madhe për liri dhe vullneti i këtij populli që ngriti para botës çështjen e tij fundamentale,për të mos u nënshtruar dhe për të jetuar i barabartë me të gjithë popujt tjerë të botës së qytetëruar.
Edhe pse kushtet dhe presioni nga regjimi serb ishin ç’njerëzore,ai nuk arriti ta ndali frymën kombëtare, andrrën e madhe për pavarësi dhe jetë të dinjitetshme në atdheun që lëngonte nga vuajtjet.
Eksode masive, vrajse, dhunime, burgosje, tortura, nuk u ndalën përgjatë një shekulli, regjimi serb donte t’i çrrënjoste shqiptarët nga toka nanë, dhe jo vetëm qëllimi ishte që qenia shqiptare të zhdukej nga planeti Tokë.
Në këto kushte ç’njerëzore, pushtim pas pushtimi, çdo popull tjetër nuk do të ekzitonte më, por populli ynë u unikifua për të mirën e përgjithshme dhe brezave që do vijnë.
Meritat më të mëdha për kauzën e popullit shqiptar i kanë nënat shqiptare. Nënat shqiptare, përkunden djepat dhe rritën fëmijët me dashurinë ndaj atdheut.
Nënat shqiptare linden trima për ta mbrojtur atdheun, ruajtën nderin dhe pragun edhe pse fati i tyre shpesh ishte i trishtë, ato ishin dhe do mbeten hyjnoret tona, andaj në këtë përvjetor të 11 të Pavarësisë së Kosovës, propozoj që në shenjë nderimi për sakrificën dhe vuajtjet e Nënës Shqiptare, e cila ishte shtylla mbrojtëse e pragut dhe popullit shqiptar përgjatë shekujve, të inaugurohet një Memorial i “Nënës Shqiptare” , në kryeqytetin e Kosovës.
Le të jetë përkujtim dhe mirënjohje për të gjitha nënat shqiptare të cilat, pavarësisht vuajtjeve dhe lotëve që derdhën, ato asnjëherë nuk ndaluan dhe sakrifikuan çdo gjë që kishin dhe fëmijet e tyre për lirinë dhe pavarësinë që po e gëzojmë sot.Nënat shqiptare ishin dhe do mbesin fryma dhe shpirti i kombit shqiptar.
Në përvjetorin e 11 të Pavarësisë së Kosovës, dua të shpreh falenderimet e mija dhe mirënjohjen e pakufi për të gjitha gjeneratat, të cilat dhanë çdo gjë që sot ta gëzojmë këtë shtet të pavarur.
Respekt dhe mirënjohje familjeve të mëdha shqiptare: Familja Jashari, Familja Haradinaj, Familja Ramadani, që u bënë shembëlltyrë në sytë e botës, se si ruhet atdheu dhe se dashuria për të nuk ka çmim.
Të gjithë martirët dhe dëshmorët e këtij kombi, të pagjeturit, janë shtylla e këtij shteti të ri por më i lashtë sesa vetë legjendat.
Intelektualët e shumtë dhe lëvizjen paqësore,të Presidentit Rugova, mësuesit, profesorët, studentët, mjekët, minatorët, që ngritën zërin tonë para botës, në rrethana pothuajse të pamundura, bënë që ky popull ta gëzojë lirinë dhe pavarësinë pas shekujsh pushtuesish.
Andaj sot shteti ynë me të gjitha pengesat dhe problemet, ka arritur progres në të gjitha fushat dhe po forcohet çdo ditë e më shumë.
Sukseset e artistëve, sportistëve,studentëve tanë nëpër botë po na bëjnë krenar, duke hapur rrugët edhe për gjeneratat e tjera të cilët andërrojnë një Kosovë të fuqishme ku dëshirat e secilit pë një jetë të dinjtetshme do të marrin frymë.
Bota le te kuptojë që vuajtjet dhe sakrifica e këtij populli u shndërruan në suksese dhe vullnet, për ti ndihmuar kombit dhe për të kontribuar me vlera të shumta në civlizimin perëndimor.

Nga Jahja Lluka

“JO”-ja e BE-së PARISIT e BERLINIT – Nga MARIO MONTI* – E përktheu nga italishtja Eugjen Merlika

Një vendim i marrë dje në Bruksel nga Komisioni Evropian, edhe se nuk ka të bëjë drejt për së drejti me Vëndin tonë, meriton një vëmëndje të veçantë nga ana e opinionit publik dhe politikanëve italianë. Në një çast kur flitet shumë për Evropën, shpesh me një afsh polemik që e kapërcen shumë njohjen e fakteve, vendimi i djeshëm ndihmon për të kuptuar shumë gjëra: ka arsye të sakta nëse në disa fusha BE shkon mbarë e në të tjera jo; “burokratët e Brukselit” janë qeveritarë që ushtrojnë mandatin e dhënë atyre nga Shtetet antarë; kundër vendimeve të tyre mund të bëhet ankesë në Gjykatën e drejtësisë të BE; nuk është e vërtetë që Komisioni çon në vënd dëshirat e “pushteteve të fuqishme” apo i përulet “ligjit të më të fortit”, kritika shpesh të drejtuara nga ai që nuk është në gjëndje të mbrojë qëndrimet e tij me prova të qëndrueshme dhe parapëlqen sharjet; madje Komisioni dhe Gjykata, duke vënë në jetë të drejtën e bashkësisë, në fakt mbrojnë të gjithë nga përpjekjet e mundëshme të më të fortëve apo të më të mëdhenjve për të përfituar nga pushteti i tyre, siç do të ndodhte sigurisht nëse do të zhdukej BE.
Dje, pra, Komisioni ka ndaluar shkrirjen ndërmjet Siemens dhe Alstom, gjigandit gjerman dhe atij francez në prodhimin e trenave me shpejtësi shumë të lartë e me sistem sinjalizimi hekurudhor. Veprimi i dëshiruar fuqimisht nga qeveritë e Berlinit e të Parisit, është bllokuar sepse, mbas një hulumtimi të thelluar, komisaria Margrethe Vestager ka dalë në përfundimin se ai do të kishte pakësuar në mënyrë të ndjeshme konkurencën.
Shoqëritë hekurudhore do të kishin vuajtur për shkak të çmimeve më të lartë të trenave e të sistemeve të sinjalizimit, duke përcjellë shtesat mbi milionë udhëtarë që çdo ditë lëvizin në të gjithë Evropën. Nuk kam nërmënd të shprehem këtu mbi thelbin e vendimit që i ka hapur shtegun rrahjeve të gjalla të mendimeve.Do të desha t’a përdornja si një letër turnësoli mbi temat më të gjëra të cekura më sipër.
Përse shkon mbarë. Nuk ka dyshim se politika e garimeve është njëra nga ato pak fusha në të cilat BE shkon mbarë. Mund të jemi në një mëndje apo jo mbi vendimet e veçanta. Mund të urohen ndryshime në drejtimet bazë të politikës së konkurencës, siç u bë për shembull me një sërë reformash në vitet e para 2000. Por është një politikë në të cilën merren vendime në kohët e parashikuara. Vendimet zbatohen. Ata respektohen edhe nga ndërmarrje jo evropiane, përfshirë edhe shumëkombëshet më të mëdha amerikane.
Si është e mundur që e gjithë kjo funksionon edhe kur preken interesa ekonomikë e politikë të stërmëdhenj? Thjesht, sepse, që nga Traktati i Romës i 1957, Shtetet antarë i kanë dhënë Komisionit të drejtën dhe detyrën të bëjë që të respektohet konkurenca, por edhe pushtetin ligjor për t’a bërë. Një tjetër fushë në të cilën ka të tillë pushtet federal e që në fakt funksionon, është ajo e politikës monetare. Margrethe Vestager dhe Mario Draghi janë jashtzakonisht të aftë, por as ata nuk do të kishin qënë në gjëndje të kryenin në mënyrë të vlefshme detyrat e tyre, nëse nuk do të kishin këtë fuqi federale. Kolegët e tyre që merren psh. me mërgimet, me politikën e jashtëme apo harmonizimin e taksave, me gjasë lodhen më shumë, por nuk mund të bëjnë të shkojë mirë BE në fushat e tyre. Në to Shtetet kanë dashur të mbajnë një fuqi të vetos. Shpesh e padisin Evropën se është e munguar. Do të duhej të padisnin vetveten që kanë dashur të mbajnë shtrënguar fuqitë e tyre, të cilat i a bëjnë të pamundura BE të kalojë mbi qëndresat e Shteteve, duke filluar nga ata më sovranistët.
Pushtete të forta, ligji i më të fuqishmit. Gjermania dhe Franca, edhe se me qeveri pak të mjegulluara, quhen si dy Vendet më të forta të Evropës. Dyfish më të fortë do të ishin në rastet kur bashkojnë fuqitë e tyre, akoma më shumë në një fazë kur kanë vendosur të fuqizojnë bashkërendimin e tyre me Traktatin e fundit të Aquisgranës. A mund të përfytyrohet ndonjëri n’Evropë që të jetë i aftë të derdhë mbi “burokratët e Brukselit”, për më tepër në fund të mandatit, një breshëri zjarri si ajo e një kombinati politik-industrial Berlin-Paris-Siemens-Alstom? Nuk besoj. E megjithatë komisria Vestager dhe Komisioni kanë thënë “jo”. Mos të vijnë e të na tregojnë në Itali se Brukseli është sistematikisht në shërbim të interesave gjermanë dhe francezë.
Dje në Gjermani e në Francë qeveritë dhe mjediset industrialë kanë sulmuar ashpërsisht komisaren Vestager. Kanë kërcënuar të pakësojnë fuqitë e Komisionit në kontrollin e shkrirjeve e të politikës së konkurencës në përgjithësi. Nuk është e para herë që ndodh kjo, nuk do të jetë e fundit.
Nga Italia, Vënd i madh e i rëndësishëm, por jo me të vërtetë “i fortë” për sa i përket sistemit ekonomik dhe aparatit administrativ, një Komision i qëndrueshëm dhe i respektuar duhej të ishte parë si një aleat i mundshëm në shumicën e rasteve. Duhet të kuptojmë se si duhet t’i paraqesim më mirë n’atë seli interesat e ligjëshme italianë. Flas për interesat e vendit. Nëse më parë janë jo italianët, por ata që, në këtë çast qeverisin italianët, atëherë ndoshta leverdis të mbulojmë me sharje Komisionin dhe Evropën, sepse kjo kënaq inatin e italianëve dhe zhvendos vëmëndjen nga përgjegjësitë tona. I takon qytetarëve të mos bien n’atë grackë, të mos duartrokasin ata që duan të dobësojnë një Evropë, për të cilën kanë më shumë nevojë qytetarët e jo politikanët.

*Marrë nga “Corriere della Sera”, 7 shkurt 2019
E përktheu nga italishtja Eugjen Merlika
.

NJË BESË BURRASH – Nga MUSTAFA MERLIKA KRUJA

(Letër Flamuri-t)

Z.Drejtor,
Si i paparti që jam do të kisha dëshiruar që antikomunizma shqiptare të kishte në mërgim një organ të lirë, dmth. të palidhur me programe e tendenca partizane, ku secili të kishte mundësinë të çfaqte mejtimet e tija vetëm si Shqiptar. Po mjerisht një organ të këtillë s’po e kemi. Prandaj, Z. Drejtor, unë qeshë shtrënguar ca kohë më parë të ju kërkonja juve hospitalitet për botimin e ca ideve të mija personale që e kisha ndier për detyrë kombëtare t’u a thonja bashkëatdhetarëve të mij e kujt ishte për to. Pasandaj prapë ju trazova me një letër si këtë. Ajo s’kishte nevojë për shumë fjalë. Kurse këtë herë, Z. Drejtor, e shoh se do të më duhet të flas si gjatë, në paçi vënd për to në fletoren t’uaj. E tepër t’a përsëris se unë flas kurdoherë vetëm ashtu siç ndienj dhe gjykonj vetë e vetëm për vetëhe.
Është gazeta Flamuri që po më jep shkas, madje mundem të them se po më josh e trimëron t’i shkruanj këto rradhë. Sepse, Z. Drejtor, lejomni t’a them shqip se me njerëz që dijnë të flasën e t’arsyetonjën, edhe kundrështarë t’i kemë mua m’a kënda kuvêndin. Madje, për qëllimin që kam shpallë me këto shkrimet e fundit, më shumë dua të flas me kê qëndron larg meje me idera se me atê që kam afër.
Paravë që ndë krye se e vetmja lakmí që kam në perëndim të ksaj jete të shkretë që po mbaronj në këtë mërgim, është që të shoh të bashkuara gjithë vullnetet e energjivet shqiptare antikomuniste me sinqeritet të plotë, me besë të vërtetë gjer ditën që t’i arrihet qëllimit të shënjtë. Kush të dyshonjë se kam ndonjë qëllim personal të fshehur ndën këtë fjalë të bekuar të bashkimit, le t’a ruajë këtë pohim solemn si peng nderi për të m’a përplasur fytyrës në çdo kohë që të ketë në dorë një fakt për të m’a provuar. Ç’do të presë më sot e tutje për vetëhen e tij një njeri me një këmbë ndë gropët ? Pasandaj, cilido që s’e ka kuptuar se koh’e pleqvet ka perënduar për lakmira personale, ay vetëm se lodh shpirtin e tij mbë kot. Sa për të shkuarën, i kam aqë mênd, aqë eksperjencë dhe aqë sedër sa të mos pres e të mos kërkonj një gjykim të drejtë gjer sa s’më ka mbuluar toka e zezë. Pra nëse kam hapur çështjen e kollaboracionizmës e t’antikollaboracjonizmës, s’kam dashur të kërkonj për askênd një reabilitim pa vênd as të pruanj një palë e të kritikonj një tjetër, por vetëm të pretendonj se nuk është sot koha e këtyre llogarive. Pretendim’i im ësht’i shprehur fare qartazi në letrën e botuar prej jush më 20 shkurt të këtij viti, ku them : “Ndër malet t’ona…..”. Dhe më poshtë : “Pse të mos i mundim dot ndjenjat që na këshillojnë keq…”. Me fjalë tjera, nuk po dua të them që të bëjmë tabula rasa ase një amnistí të përgjithëshme që fshin e harron çdo padí reciproke për faje ase gabime që i përkasin një perjode të turbulltë të historisë s’onë ; por po kërkonj që të vihet një besë e sinqertë, një besë burrash ndërmes gjithë Shqiptarëve nacjonalista gjer ditën që kombi do të jetë i lirë, të vihet një kapak mbi ato padí për një bashkëpunim të përzêmërt të të gjithëve, sipas aftësisë e kompetencës së gjithkujt. As nuk po them se fajet ase gabimet që i hjedhim shoshoqit t’i a lêmë historisë t’i gjykonjë, por t’i a lêmë popullit shqiptar të çliruar, të vetmit që ka të drejtë të padisë, të gjykonjë e të dënonjë ase të çfajtonjë.
Flamuri shkruan që në krye : “Bota shqiptare në mërgim…..” oh, jo ! Vaj hall’i atij kombi në të cilin bazat morale të politikës së tij, do t’i caktonte një partí dhe do të gjykonte po ajo në janë respektuar apo jo. Sikur edhe vetë populli shqiptar t’i kishte mveshur a të kishte për t’i mveshur njerzit e Flamurit me një farë pushteti, ky nuk mund t’ishte veçse njëri nga tri pushtetet klasike të një Shteti demokratik, por jo të trija bashkë. Flamuri e tepron këtu, dhe do të përpiqem t’a bind se ësht i gabuar. E par’e punës, ka ndër padit’e tija fakte që ay i quan antimorale e antipatriotike, të cilat ekzistojnë vetëm n’aparencë. Së paku kjo është bindja që kam formuar unë nga provat që kam në dorë. Nuk jam i auktorizuar t’i zbulonj botërisht këto prova, e prandaj Flamuri ka të drejtë të bënjë reservat e tija. Por kemi edhe n’analet e gjyqsisë plot shêmbuj njerzish të paditur në bazë provash, të pandyera evidente, që përpara gjykatores kanë dalë të paqêna ase false. Kemi prova të këtilla që i pandyeri s’ka pasur mundësí t’i rrëzonjë a t’i çfuqizonjë dhe është dënuar duke qênë në realitet i pafajshim. Kemi shêmbuj që na tregojnë njerëz të dënuar në këtë mënyrë, makar duke pohuar edhe vetë, për shkaqe të ndryshme, një faj që s’e kishin bërë, të cilët pas një kohe shum’a pak të gjatë kanë dalë të larë e kryekëput dorjashtë nga ay delikt. Për më tepër, gjithkush e di se çdo fakt njerzor, qoftë vetëm moral ase gjyqsor, edhe si të jetë provuar se ësht një fakt, nuk gjykohet i izoluar, por bashkë me shkaqet e rrethanat që e kanë prodhuar. E pra në një kohë kur populli shqiptar ndodhet në rrezik të vdesë e kontribut’i më të prapmit bir të tij mund të jetë vendimtar për t’a shpëtuar, s’i ka hije as Flamurit as kurrkuj tjetër të bënjë diskriminime morale pa vênd ase të bazuara mbi prova të dyshimta.
Qiqeroni e ka quajtur historinë “magistra vitae”. E na e dijmë të gjithë se Fatos’i ynë, ay që na jep të drejtë t’a quajmë vetëhen me krye përpjetë shqiptar, ka falë Moisiun e Hamzanë, tradhtorë, me koxha vulë në ballë, të Shqipërisë e të personës së tij. Sot s’ka ndër ne as Moisi, as Hamza mbë njêrën anë e as Skënderbeg në tjetrën. Pra aqë më tepër duhet të na vlejë për mësim historij’e jonë. Skënderbegu ka qênë shpirtmadh, po edhe shtetist e politikan i shquar. Prandaj s’kemi të drejtë t’i quajmë gjestet e tija bujare vetëm një efekt shênjtërije, por më tepër urtije e patriotizme.
Kemi plot edhe shêmbuj tjerë, gjithnjë nga historij’ e kombit t’onë, nga ajo më e reja madje. Sa përqind kanë qênë ata Shqiptarë që e kanë dashur Shqiprinë të ndarë mbë vete nga Turqija në 1912 ? E nëse ata që s’e kanë dashur atëherë Shqipërinë të lirë, dmth. shumicën e popullit tonë, duhet t’i quajmë tradhtorë, lypset në këtë rasje edhe të konkludojmë pa fjalë se jemi një popull tradhtorësh ! As që ishin me të vërtetë tradhtorë rebelët e Shqiprisë së mesme që u vranë e u dërmuan për të sjellë përsëri Turqinë në Shqipërí, dy vjet mbas pamvarësisë kombtare. Por këtu kemi të bëjmë me turma të padijshme e prandaj të papërgjegjëshme, do të thuhet, dhe ësht e vërtetë. Po vallë a s’ka patur dhe atëherë Shqiptarë intelektualë shumë të shquar e me tradita patriotike të shkëlqyera që s’e kanë quajtur popullin shqiptar të pjekur për pamvarsí e që prandaj mallkonin ata pak “të marrë” që luftonin për lirinë e kombit të tyre ? E ndonjë tjetër madje që e kishte tepruar zullumin gjer n’atë pikë sa t’a quanjë botërisht flamurin e Skënderbegut “një copë lëvere”, e kur Shqiptarë të tjerë e zëmruan me sulmimet gazetare të tyre i a shtoi dozën profanimit me fjalët “jo vetëm lëvere, por lëvere e ndyrë”? Eh mirë, ç’bënë Ismail Kemali e shokët e tij në Vlorë kur ai Shqiptar u gjênd në Vlorë, vetëm mbas 3-4 vjetësh, si mis i Kuvêndit që shpalli pamvarsinë ? I dhanë dorën, e përqafën si vëlla. Ata thanë : “Ka qênë ç’ka qênë, tashti kemi Shqipërinë, nënën e përbashkët përpara syshë”. Këtij i thonë gjest patriotik.
Vazhduan hallet e Shqipërisë dhe më vonë, se këto s’kanë pasur kurrë të mbaruar. S’ishte mbushur viti edhe, e na dolli në shesht Esad Pashë Toptani si tradhtor me vulë, edhe ay. U vëndos në Durrës me një qeveri të tij kundra Ismail Kemalit. E kë pati rretherrotull tij si kshilltarë, bashkëpuntorë e shërbestarë ? E dijnë të gjithë, se ka edhe njerëz nga ay brez që rrojnë. Vallë ç’titull e ç’pozitë morale e patriotike u shënon Flamuri këtyre profanatorve të flamurit kombtar dhe bashkëpuntorve t’Esad Toptanit ?
Ndër sa tjera që mbaj mênd, do të citonj edhe një rasë të vetme. Një Shqiptar që banonte në Stamboll, tregtar i madh e pa dyshim dashamir i vêndit të tij si të gjithë tjerët edhe ay. Në mes të 1909-s e 1912-s atij i venin punët pupa me Turqit e Rij, por Shqipërisë fare keq. Ndjekje kundër patrijotvet, kundër alfabetit latin, kundër gjuhës shqipe e kundër zakonevet shumshekullore të popullit t’onë, kryengritje, masakra. Tregtar’i ynë s’u turbullua aspak nga këto ngjarje as që i ra ndër mênd për Shqipërinë. Gjatë luftës së parë botore s’i eci zar’i tregtisë dhe u bë diletant politike shqiptare, gjithënjë me banim në Stamboll. Dikur qeverija shqiptare i lidhi një pensjon, se kish qênë me dërgatën e kolonisë shqiptare në konferencën e paqës dhe kishte zhvilluar atje veprimtarí patriotike. Më vonë, nga huaja Svea që kontraktoi Shqipërija me Italinë, atij Shqiptari të mirë, që asohere ndodhej përkohësisht në Tiranë, i ra një pjesë e majme katërmijë napoljonash ar si një farë shpërblimi, natyrisht se kishte nevojë, ndonse në Stamboll bënte politikë kundra regjimit t’atëhershëm me kundrështarët e mërguar. Ky Shqiptar ka hypur n’altarët më të lartët të patriotizmës shqiptare ndër syt’e disa patrijotëve. Kjo mënyrë partizanije mua më pëlqen shumë më fort se e kundërta, dmth. se sa mërija e shkreditimi kundra atyre që nuk duam, edhe sikur të jenë shkrirë për idealin kombëtar.
Gjithë këta shêmbuj zakonesh kombëtare dhe traditash politike të vêndit t’onë në politikë sa më shumë toleranta e jo sektarë ase puritanë, se nuk na ka hije e nuk na jep dorë. Sa herë që ndiejmë vetëhen të tentuar për t’a zënë tjetrin me gurë për imoralitet kombëtar, duhet të na vinjë ndër mênd fjal’e shênjtë e Krishtit për Mari Magdalenën : “Kush t’a dijë vetëhen të larë nga mëkatet le të hjedhë gurin e parë” ! Më në fund, a është vallë i sigurtë grupi i Flamurit se s’ka pasur kurrë e s’ka as sot kollaboracionista të të dy tipavet kollaboracionista me italjanë dhe me gjermanë ?
S’ka gjë sepse më ka futur Flamuri në kategorin’e “pêndavet oportuniste”, unë nuk do t’a ndjek n’udhën e polemikës, mbasi nuk më përmeton qëllim’i ksaj fushate që kam hapur pa më nxitur askush veç mêndjes e zêmrës s’ime. Të kisha qênë, në gjithë jetën t’ime, jo oportunist, po dhe vetëm një “politikan i hollë” që di të mejtonjë shum’a pak edhe interesat e tija, do të kisha patur sot e në të shkuarën një pozitë, jo vetëm materjale, po edhe “morale”, mu me kuptimin që i pëlqen t’i japë ksaj fjale Flamuri. Po, mbasi e kam urryer gjithmonë oportunizmën, duke i peshuar fare mirë të gjitha pasojat e një qëndrimi t’atillë, jam i kënaqur kështu pa pikën e pendimit. Kaqë sa për të pruajtur vetëhen kundra një padije të padrejtë. Edhe i them Flamurit se historinë e vërtetë të një kombi s’e kanë shkruar kurrë e nuk mund t’a shkruajnë pêndat politike e partizane të kohës kur ajo thuret, por vetëm brezat e ardhëshëm. Prandaj e lê të kalonjë edhe pjesën e kronikës së rezistencës shqiptare ashtu siç e ka redaktuar vetë Flamuri, me gjithë që jam i bindur se ndryshe ka për t’a përshkruar historija.
Unë çuditem që as redaktorët e Flamurit s’kanë mundur, apo s’kanë dashur t’a kuptojnë frymën e krahasimit t’im ndërmjet “Azjatikve të marrë” e neve “të mêndshimet”. Pra nuk duhet një kulturë e madhe për të dijtur se tjetër është identiciteti, që s’ka vênd n’artikullin t’im, dhe analogjia që kam dashur t’evokonj unë. E njerzve të Flamurit, s’ka si t’u mohohet aftësija për t’a kuptuar këtë ndryshim. Unë kam dashur pikë së pari të vê në dukje ndryshimin e atmosferës mjegullore të kohës së luftës që kishte turbulluar mëndje të larta shtetistash e politikanësh me famë, me atmosferën e pasluftës kur mjegulla e afshevet kishte filluar të zhdaravitej si në mes të kombevet njëri me tjetrin, gjer dje të përleshur në luftë, ashtu dhe ndërmjet qytetarësh të secilit prej atyre kombeve, gjer dje të përçarë ndër mendime e t’ashpruar ndër afshe gjithnjë si pasojë e asaj lufte. Dje luftohej për vdekje kundra Gjermanisë, Italisë e Japonisë në bashkëpunim vëllazëror me Rusinë bollshevike e i blatohej Stalinit gjithë ç’kishte mundur të dëshronte ay vetë, gjer në dorzimin pa kushte të tre armiqvet që kishin provokuar luftën ; sot kërkohej miqsij’e tyre kundër ish aljates së djeshme. Besonj se analogjij’e këtij fakti ndërkombëtar është aq’e qartë me faktin t’onë kombëtar, sa s’është nevoja të stërhollohet më gjatë. Mac Arthury ishte në Tokjo për të shtypur militarizmën japoneze e për të vendosur një regjim demokratik sipas gustit të tij a të vêndit të tij. Heroizmin e Tojos e kam sjellë vetëm si shêmbull guximi civil, pasi isha duke folur për Japonezët, për t’u ndjekur nga çdo Shqiptar që vepron me bindje patriotike ndë një udhë a një tjetër që mundet edhe të dështonjë. Po pun’e Hatojamës me shokë, miq e admiratorë të Hitlerit, është dy fijsh kuptimtare : e para, se tregon që një popull i pjekur mundet të vepronjë e të rregullohet sipas interesave të tija edhe në qoftë se nuk u duket mirë miqve të përjashtëm ; dhe e dyta, se gjer e mëngjëra socjaliste përkrah një qeverí të së djathtës kur e kërkon interesa kombëtare. Vallë a s’ka dhe ndër neve të djathta e të mëngjëra për të marrë mësim nga Japonezët ? A s’ka analogjí edhe kjo rasje me davan’e bashkimit a të bashkpunimit që bënj unë për Shqiptarët ? Po Sukarno, fatos i Indonezisë ? Ësht’ e vërtetë se Indonezija, siç e kam thënë vetë me shkrola të qarta, ishte një koloní kolosale e Hollandës e prandaj bashkëpunoi Sukarno me Japoninë. Por ç’garantí kishte ay se, po t’a kishte fituar luftën kjo, vênd’i tij nuk do t’ishte bërë koloní e asaj ? Sigurisht jo më shumë se ç’kishin shpresë disa kollaboracjonista shqiptarë që Shqipërija, e bashkuar me Kosovën, një ditë do t’ishte e zonja t’a fitonte prapë lirin’e saj të plotë. Po Sukarno fitoi e atdheu i tij sot lumturisht ësht i lirë e ai vetë, siç e thashë, u bë fatos, se pati fat. Ndërsa kollaboracjonistat shqiptarë dështuan dhe ashtu mbetën “kollaboracjonista”. Me gjithë këtê prap se prap u ka mbetur një ngushullim : Kosova u bë për tri vjet shqiptare, u quajt pjesë e Shtetit shqiptar, u mbush me shkolla që po vazhdojnë e po përparojnë edhe nën komunizmën titiste. Rëndësín’e një precedenti historik e të këtyre shkollave le t’a çmojë secili me masën e gjykimit të tij. Nuk pretendonj, se do t’ishte një gjë absurde, që këto dý fitime janë themelisht meritë e kollaboracjonistavet, këto i a solli Shqipërisë zhvillim’i një lufte gjiganteske, siç i solli Indonezisë lirín’e saj. Prandaj analogjija ësht e plotë ndërmjet dy kollaboracjonizmavet, veçse në terme të kundërta për sa i përket fatit të protagonistave të tyre. Mjerisht po një fat analog i ra mbë krye edhe rezistencës shqiptare, si në gjithë vêndet balkanike. Ky mjerim i përbashkët, që do të kishte pak rëndësi sikur të mos ishte njëkohësisht edhe mjerim i atdheut e i kombit mbarë, i këshillon, i urdhëron të dy palët që t’i japin dorën shoshoqit, siç e kam thënë edhe më parë, jo me kleçka e zhigla në zêmër, por burrërisht.
Ja se ç’pret populli shqiptar nga fautorët e pamvarsisë e tërësisë kombtare të gjithë botës së lirë ! Bota ndodhet sot përpara ndodhive që munt të kenë pasoja fatprera, jo vetëm për ne Shqiptarët, por për të gjithë popujt që gjênden nën kontrollin sovjetik. Ndër të gjithë këta popuj, i yni është më i vogli, më i pafuqishmi dhe më pakrahësi. Dhe s’ka tjetër gojë të lirë që mund të flasë për tê veçse atê të bijvet që ka në botën e Perëndimit. Por prej kësaj goje duhet të dalë një zë i vetëm, në qoftë se duam që të jetë i fortë e të dëgjonet. Shumë zëra nuk do bëjnë tjetër veçse një kakofoní të mërzitëshme për veshët delikatë të një bote që para çdo gjëje përpiqet të sigurojë vetëvetëhen e interesat esencjale të saja. Prandaj, jo vetëm që zëri shqiptar duhet të jetë një i vetëm e i forcuar nga iso sa Shqiptare që ndodhen jashtë, po lypset të merren dhe disa nisjativa oportune për të bashkuar e orqestruar gjithë zërat e popujve të robëruar si na. Kurrë s’ka qënë më i madh rreziku për këta popuj ka dhjetë vjet e tëhu.
Prandaj, një zë Shqiptari që s’kërkon asgjë për vetëhe thërret :
1) Ti, K. K. SH. L., zgjohu, ligjoje me vepra ekzistencën t’ënde. Vepra më e para për të cilën duhet të përpiqesh menjëherë, është Bashkimi, themel’i çdo hape tjetër që të pret. Them të përpiqesh, të përpiqesh me tërë sinqeritetin, me patriotizmën dhe vetmohimin që lypin rasjet. Në mënyrë që një ditë a një tjetër, në qoftë se do të ketë një Shqipëri të lirë, të bindet populli shqiptar se kush ka dëgjuar zërin e tij dhe kush atë të t’egoizmës personale a partizane.
2) Ju, aventinistat e Komitetit, keni lënë një zbrazësirë në kopenë Shqiptare. Nuk është fjala nëse do të presë ujku juve apo do të çkatërronet kopeja. Është fjala që përçarja çnderon Kombin e dobson shanset e shpëtimit t’Atdheut. Në më të mirën hipotezë, qëndrim’i juaj do të thotë : “Perisse la patrie vivent les principes !” , pa diskutuar nëse principet janë apo jo të ligjuara prej realitetit objektiv. Nuk ju ka hije të qëndroni n’udhën që keni zënë. Kthehuni ndë vathët. Kam besim se jeni në gjëndje t’a kuptoni situatën.
3) Ju Shqiptarë t’Amerikës ! Mos u mundoni t’a zbuloni se nga ju vjen ky zë : nga parajsa apo nga skëterra, nga pafundjet e oqeanevet apo nga stratosfera e qiejvet, është zër’i një Shqiptari të vdekur, i një Shqiptari që di se ç’keni bërë ju dhe etrit t’uaj për Shqipërinë ka nja një gjysmë shekulli e tëhu. Po sot ku jeni ? A ka qênë ndonjë herë Shqipërij’e dashur e juaj dhe e imja në një rrezik më të math se sot ? Ç’bëni atëherë për t’a shpëtuar, ju që kaqë sakrifica keni bërë për të gjer dje ?Ah ! po, e kuptonj se ç’ju ka paralizuar, ca më keq, se ç’i ka shtyjtur një palë jush dhe më tutje akoma ! Por jam i bindur që patriotizma e njëhershime s’është shuar fare ndër zêmrat t’uaja. Tregojeni pra, ndo sot ndo kurrë. Kur të jetë tepër vonë s’mjafton të bërtasim mea culpa tuke qarë mbi fatin e vëndit t’onë të skllavëruar për jetë të jetëvet. Ç’ të bëni ? Ju e keni gjetur kurdoherë vetë udhën e Atdheut. E par’e punës e dini më mirë se cilido tjetër ju që rroni n’atë vënd të bekuar se pa një organizim të shëndoshë individët e vegjël si na s’bëjnë dot asgjësendi për Shoqërinë. Prandaj mblidhuni e organizohuni, tërë sa jeni për një Shqipëri të lirë me një demokraci të vërtetë, si ajo që gëzoni ju aty. Thirrini ndër mënd Shqiptarët refugjatë të harrojnë të shkuarat e hidhura plot vrer e mëri, të bashkohen për të shpëtuar vêndin bashkë me juve. Kërkoni të merrni pjesë dhe ju në K. K. Sh. L. Si elementi më i aftë për të krijuar n’at organizëm një frymë paqe dhe harmonije me delegatët më të përshtatëshmit për këtë barrë. Ja se ç’më merr mêndja që duhet të bëni.
4) Madhëri, Zog I, Mbret’i Shqiptarvet ! Mos të Ju vinjë keq që e lashë për në funt fjalën t’ime modeste për Juve. Ju e dini më mirë nga unë që për t’arrirë në majë të një piramideje duhen nisur çapet nga baza. Jeni i pari qytetar i kombit t’Uaj. I pari që keni nisur kalvarin e gjatë të këtij mërgimi kaqë të hidhur. Ishit mbret i Shqiptarëvet mbi thron, sundojshit një popull që kishit dijtur t’a futshit në një disiplinë e t’a drejtonit n’udhën e mbarë të qytetërisë perëndimore. Sot ç’bëni, Madhërí ?
Në kohën e luftës, që nga 39-da gjer në 45-n, kur kishte të drejtë vetëm topi të fliste, e dijmë se s’kishit ç’bënit. Ju topa s’kishit e në mes të krismës së tyre as fjala nuk Ju dëgjonej, edhe këtë e dijmë. Mirpo e pastaj, që dhjetë vjet e tëhu ? Kemi kënduar ca mesazhe Shqiptarëvet plot me këshilla t’urta për bashkim, që mjerisht nuk u dëgjuan. Kemi kënduar ndonjë intervistë ndonjë agjencije a gazete të huaj, gjithashtu me fjalë ari. Po kaqë, Madhëri, e tjetër na nuk dijmë. Duam të besojmë se keni zhvilluar edhe ndonjë aktivitet propagande ndër qarqe të larta të politikës botërore në favor të Shqipërisë, që na s’e dijmë, siç mund të keni dërguar dhe nota e memoranda kancellarive të ndryshme për të pruajtur të drejtat e Atdheut. Po na, vegjëlija, jemi fare në t’errët të të gjitha këtyreve. Po një gjë sidomos na çudit, Madhëri, mbi të gjitha : thamë se Shqiptarët e mërgimit nuk ju dëgjuan, të pakën jo aqë sa duhet, për një bashkpunim vëllezëror në mes të tyre siç i keni këshilluar sa herë. Po, Madhëri, na duket se në mërgim ka dhe një grup të madh refugjatësh të deklaruar monarqista. E këta ku janë vallë ? A kanë ndonjë farë organizimi, zhvillojnë vallë ndonjë farë veprimtarije të frytëshme për monarqinë apo përgjithësisht për Shqipërinë ? Marrim vesh se kudo që ndodhen refugjatë shqiptarë në botë, numri më i madh qênkan monarqista. Po pse s’u dëgjonet zëri këtyre ? Na thonë bile se këto grupe të ndryshme refugjatësh monarqista s’paskan më asnjë lidhje në mes të tyre, dmth. s’paskan ndonjë organizim të përbashkët e për të qênë. Si bëhet kjo, Madhëri ? Që as monarqistat e deklaruar të mos e dëgjojnë fjalën e mbretit të tyre është një gjë që ka zor njeriu t’a besojë. Prandaj na që s’jemi ndë rrjedhjen e punravet e që shikojmë vetëm syt’e të mbëdhenjvet, e kemi humbur toruan fare, nuk po marrim vesh asgjë as nga rrëmbulla e partivet dhe e gazetave të tyre që shahen e kritikohen e as nga heshtja e të tjerëvet. Jemi të dëshpëruar, Madhëri, e për këtë shkak na u duk se si Shqiptar kishim të drejtë të Ju qahemi edhe Juve. Na falni.
Mustafa Kruja
Marrë nga vëllimi “Gjysmë shekulli me pendë në dorëî

ERRĀTĀ-CORRIGE* – Nga MUSTAFA MERLIKA KRUJA

 

Në Javën nr. 22 me 1 shtator këndova një kritikë mbi përkthimin e Vorrevet të Foscolo-s që ka bêrë Z. E. Koliqi. Kritiku êshtë Z. Ve-Ri. Dhe ja seç këndojmë shkurtazi në këtë kritikë:
I. E. Koliqin e kanë lavduar për veprat dhe përkthimet e tija njerëz më kompetenta se vetë kritiku, prandaj atij nuk i mbetet barra të bënjë lëvdata “à propos” (duket se në frëngjishtet çalon pakëz kritiku i ynë!)
II. E. Koliqit s’i mungojnë ca cilësíra, që “kanë m’u përmirësue me kohë; prodhon mjaft dhe âsht’ i pajosun me nji vullnet të hekurtë : cilësíra që nuk lypset t’i mungojnë nji artisti” (se po s’prodhoi mjaft dhe s’pati një vullnet të hekurt, atij meazalla se munt t’i thomi artist, qoftë dhe vetë Danteja, për të përmêndun nji sa p.sh.)!
III. Vetëm se, mjerisht për tê, E. Koliqi sot për sot “ende s’ka mrrî në nji pjekuni intelektuale që të meritojë emnin e nji shkrimtari e të hyjë në kategorín’ e atyneve të pakëve që sot u ndîhet emni”. A dëgjove ti, këndonjës i dashur? E. Koliqin nuk do t’a quajmë kështu e tutje shkrimtar, dhe në kemi gabuar t’a thërresim të këtillë gjer tani. Më parë duhet të marrë njê herë diplomën e “pjekunís’ intelektuale” nga Z. Ve-Ri, të shkruajë e të përkthejë ca vepra që ky t’i gjykojë të mjafta për t’i dhënë titullin e shkrimtarit dhe më në funt t’i shënojë dhe shkallën e radhën q’ i përket…
IV. Kritiku ësht’ i bindur se “shumica e admiruesvet” të Koliqit do t’a quajnë “të marrë” për këto gjykime.
V. Kritiku pyet: “A ka nxjerrë Z. Koliqi në sheshë nji përkthim të mirë artistik?” Jo more! Ç’ kërkon arti tek ay i humbur? Të pakën kështu na siguron Ve-Ri. I cili Vorret i quan “nji gjâ kaotike, të zgjidhun e të gjymtuem”
VI. Vargun 6 të Karmit Koliqi e ka përkthyer keq, dhe që të bindeni, Z. Ve-Ri ju porosít t’a krahasoni me përkthimin e Zit Andrea Varfi. Gjithashtu liksht janë përkthyer dhe vargjet 17, 25, 26, 70 (kr. A. Varfi), 73, 140, 159, 250 (kr. A. Varfi) e 279.
Këto thotë Z. Ve-Ri mbi Koliqin. Sa për mua, unë me Koliqin nuk do të kem punë fare këtu. Unë s’kuptonj nga poezíja. Unë diç marr vesh vetëm nga gjuha shqipe, se gjuhët e huaja që s’na hyjnë apo na hyjnë tepër pak dhe tërthorazi në punë këtu, s’po i zêmë në gojë. Dhe çfarëdo shkrimi letrar: prozë, poezí, kritikë, shkruar në gjuhë shqipe me gabime ortografíje, gramatike a sintakse e hedh patjetër në kosh të plehrave. Këtê do të meritonte dhe kritika e Zit Ve-Ri. Mirëpo që t’a marrin vesh si ay vetë ashtu edhe shokët e tij e drejtorët e organeve që botojnë shkrime të këtilla, nganjëherë ay veprim duhet bërë me një farë ceremoníje duke treguar arsyet, të pakën ato më kryesoret. Ja, atë po bënj dhe unë këtu me këtë errata-corrige.

Po e nisim punën nga gabimet ortografíke, duke treguar vetëm ato për të cilat të gjithë shkrimtarët e mirë të shqipes janë në një mëndje. Po ndjekim kritikën e Ve-Rit dhe gabimet po i dallojmë me numra të shtuar e trajtën e drejtë me gërma italike pas një shênjë barazimi. Ja, kështu:
Gabime ortografíke: 1. ma parshëm = mâparshëm, 2. pa lodhshëm = palodhshëm, 3. penda = pênda, 4. po i sjellë = po i siell, 5. mburje = mburrje, 6. arritë = arrijtë, 7. kategorin = kategorín-riën-rinë, 8. nji shkrimtarë = nji shkrimtar, 9. mâ naltë = mâ nalt, 10. dot mbetet = do të… 11. shkrujta = shkruejta, shkrova, 12. sheshë = shesh, 13. i dejë = i dêjë = i denjë, 14. me vu = me vû, 15. parasyësh = para sŷsh(ë) a sysh(ë), 16. qellim = qëllim, 17. në qoft = në qoftë, 18. shtyen = shtŷn, 19. neglixhencë = negligjencë, 20. me mujt = me mujtë, 21. gjymonte = gjëmonte, 22. largë (adv.) = larg, 23. ai vet = ai vetë, 24. mos përkthim = mospërkthim.
Gabim gramatike: 1. që të bajë un (verbi bajtun = bartun = mbajtur) = që të bâj un (verbi bâmë = bërë), 2. un shprehë = un shpreh, 3. do t’iu lutesha = do t’u lutesha, 4. gjâ të gjymtuem = … të gjymtueme, 5. eksperiencës tij = … së tij, 6. analizë të mbaruem = … të mbarueme, 7. ajo na bânë = … na bân, 8. vargun në të cilën = … në të cilin, 9. nji përkthim të cilën, … e cila = … të cilin … i cili, 10. në (vargun) 26 e përkthyeme = … të përkthyem, 11. ky i fundit âsht’ nji folje transitiv aktif (bukkkurí! dhe s’ka nevojë për qërtim…).
Gabim sintakse: 1. “me kuptue me leximin” = … nga leximi; 2. “ka përkthye I Sepolcri paralajmue me bujë të madhe dh’ e pajosun…” = … dhe pajosun…; 3. “ata që mundet” = ata që munden; 4. vargun 6…. Z. Koliqi përkthen kështu” = … e përkthen; 5. “në vargun 73… e përkthen” = vargun 73… e përkthen; 6. do t’ ishte shumë mâ mirë… nji përkthim në prozë, me qëllim vulgarizimi, se nji gjá të tillë”; 7. “Gjâja, mandej, mâ e çudítshme, dhe që më shtyën me besue patjetër, âsht’ ajo që Z. e tij nuk e ka kuptue mirë origjinalin, nuk âsht’ imedezimue me estrin e Ugo-s, të shkaktueme nga përkthimi arbitral në shumë vende”. Këto dy frazat e funtme le të përpiqet këndonjësi t’i analizojë e t’i qërtojë e t’i kuptojë vetë, po mundi, dhe Auktori le të “konsultohet me ndonji koleg mâ kompetent” se si t’a shprehë mendimin e tij që ka dashur të na shfaqë me këto fjalí “kaotike”, e gjithashtu për perjudhën e katërt t’artikullit të tij që nis “Në këto mendime që po shpreh mbi Z. Koliqi…” e që këtu, për të mbajtur numrin e gabimevet në radhë të shtuar, duhet t’a shënojmë me 8.
Gabime semantike: 1. “gjuhës s’onë embrionale” = me fjalë të huaj do të thosh rudimentale, dhe shqip të palavrueme; 2. à propos = à ce propos ka dashur të thotë atje ku e ka përdorur po frëngjishtja êshtë gjuhë e huaj, të cilën i bir’ i botës s’ësht’ i detyruar t’a díjë më mirë nga të tijën; 3. “Ka gabue taktikë”? Po, ju lutem, çë pune na paska taktika në njê hartim letrar? Më duket se keni dashur të thoni methudhë! Kjo munt të shkojë ndofta; 4. “Përligjue” nuk do të thotë justifikue; për këtê kemi ligjuar dhe larë, shkarkuar, lehtësuar fajin, barrën; 5. “Arbitral” êshtë përdorur për arbitrar, e në vafshim pas gjuhëvet të huaja nga të cilat i marrim hua këto fjalë, njëra me tjetrën kanë kuptime krejt të ndryshme; 6. T’u konsultonte” = t’u kshillonte, të kshillohej me…, të pyeste… thonë shqip ; po as frëngjisht apo italisht fjala e kritikut t’onë s’ka atë kuptim q’ay ka dashur t’i japë n’atë trajtë!
Tashti po ju them me dorë në zêmër se u lodha. Është për të zënë leshrat me duar kur sheh njeriu foshnja të këtilla të dalin para botës si kritikë të një vepre poetike në çfardo gjuhe dhe hartuar e përkthyer prej kujtdo qoftë. Kur them foshnja dua të them, natyrisht, në fushën e kulturës gjuhsore e letrare, se për vërsë munt të jetë fare mirë një djalosh i pjekur si edhe një tatëlosh i thinjur.
Edhe një pikë është për të vênë ré në kritikën e… Ve-Rit : hiq citatat, në një faqe të vetme të Javës kam numuruar më shumë nga 50 (them pesëdhjetë!) fjalë të huaja, nga të cilat të pakën 40-ve mund t’u shpëtohej pa asnjë mundim as dëm. Dhe duhet shtuar që s’êshtë njê artikull politik, por letrar dhe… njê kritikë letrare bile!
Z. Ve-Ri, kritika është pun’ e rëndë shumë!
PROFESORI PEDANT
Gazeta “CIRKA”, Nr. 30, 9 shtator 1937

*Marrë nga vëllimi “Gjysmw shekulli me pendë në dorë”

Anëtarësimi në OKB nuk është tagër i bisedimeve Kosovë-Serbi – Nga SHABAN MURATI

Në përpjekjet për të bindur opinionin shqiptar që të pajtohet me ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe me lëshime të tjera, që po konturohen në horizontin diplomatik, udhëheqësit e Prishtinës kanë nxjerrë si argument se nga bisedimet me Serbinë do të vijë si sukses anëtarësimi i Kosovës në OKB.

Një nga udhëheqësit më të lartë të Prishtinës në 5 shkurt 2019 deklaroi para një auditori perëndimor të kualifikuar: “Kosova dhe Serbia mbeten të angazhuara që të arrijnë një marrëveshje të gjithanshme paqeje brenda këtij viti, një marrëveshje, që do të sjellë menjëherë njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Marrëveshja e paqes si pikë të parë ka njohjen e Kosovës nga Serbia dhe si pikë të dytë anëtarësimin e Kosovës në OKB”.

Nuk jepet asnjë shpjegim dhe asnjë arsye se përse anëtarësimi i Kosovës në OKB do të vika nga bisedimet midis dy shteteve. Nuk jepen, sepse nuk ka bazë logjike diplomatike dhe juridike që të jetë objekt i bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë anëtarësimi i Kosovës në OKB. Anëtarësimi në OKB nuk është tagër i bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë.

Anëtarësimi i një shteti në OKB është raport dhe marrëdhënie individuale midis atij shteti dhe OKB. Që një shtet dhe konkretisht Kosova të bëhet anëtare e OKB, nuk ka asnjë rëndësi nëse e njeh apo nuk e njeh Serbia. Rëndësi ka që Këshilli i Sigurimit të OKB dhe më konkretisht pesë shtetet anëtare të përhershme, që kanë të drejtën e vetos, të japin pëlqimin për rekomandimin e anëtarësimit tek Asambleja e Përgjithshme e OKB. Me një fjalë, Kosova duhet të kalojë veton e Rusisë dhe të Kinës, që të bëhet anëtare.

Problemi këtu del se përse udhëheqja e Kosovës ka pranuar që të përfshihet si objekt i bisedimeve midis saj dhe udhëheqjes së Serbisë çështja e anëtarësimit në OKB. Objekti primar dhe kryesor i bisedimeve duhet të jetë njohja reciproke si shtete të pavarura. Serbia me taktikat e saj diplomatike të konfuzionit e ka përfshirë në rendin e ditës të bisedimeve anëtarësimin e Kosovës në OKB.

E para, se nuk i kushton gjë dhe nuk varet prej saj, dhe e dyta se Serbia në shkëmbim të diçkaje, që nuk varet prej saj, mund t’i kërkojë Kosovës një lëshim tjetër. Që në 11 dhjetor 2017 kam paralajmëruar për një plan të fshehtë të qeverisë serbe që Serbia t’i ofrojë Kosovës anëtarësimin në OKB, por pa e njohur Kosovën si shtet.

Në shkëmbim Kosova duhet të ndihmojë Serbinë të anëtarësohet në BE, duke hequr dorë nga kërkesa e njohjes së Kosovës.(Shih “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, 2018, fq.268). Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaronte ato ditë se “Kosova mund të marrë vendin në OKB vetëm nëpërmjet marrëveshjes me Serbinë dhe Serbia duhet të marrë diçka”.

Serbia me këtë rast, siç thuhet në gjuhën e diplomacisë, shet ajër. Pikëpyetja e madhe është përse Prishtina e blen këtë ajër serb. Prishtina e ka një përvojë të hidhur të freskët lidhur me marrëveshjen e nënshkruar me Serbinë në Bruksel në 19 prill 2013 për hyrjen e Kosovës në BE dhe normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.

Në këtë marrëveshje Serbia merrte detyrimin të mos pengonte, pra të pranonte, anëtarësimin e Kosovës në BE. Serbia merrte përsipër gjithashtu të mos pengonte as tek palë të treta, tek shtetet e tjera, të drejtën e Kosovës për anëtarësim në BE. Këtë marrëveshje Serbia e shkeli me të dy këmbët dhe nuk e zbatoi në asnjë germë të saj, duke organizuar fushata publike diplomatike kundër njohjes së Kosovës, madje duke kërkuar edhe çnjohjen e Kosovës nga shtetet, që e kanë njohur atë.

Në trajtimin e tematikës së anëtarësimit të Kosovës në OKB del në plan të parë keqkuptimi dhe dilema artificiale, që ka zënë vend në udhëheqjen e Prishtinës, midis njohjes së Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimit të Kosovës në OKB. Nxjerrja në plan të parë e anëtarësimit në OKB, duke spostuar njohjen e Kosovës, dhe reklamimi i saj si sukses i marrëveshjes së ardhshme, ka qenë lojë diplomatike e Serbisë për të shmangur njohjen e Kosovës si shtet. Në tratativat e fshehta me udhëheqës të Prishtinës, Serbia u ka ofruar atyre që në vend të njohjes Kosova të pranojë anëtarësimin në OKB.

Ndaj dhe portali serb “B92”, në datën 6 shkurt, jo rastësisht raportit të tij për fjalën e udhëheqësit të Prishtinës, që përmendëm në fillim të shkrimit, i vinte titullin: “Qëllimi i marrëveshjes Beograd-Prishtinë është Kosova në OKB”. Fatkeqësia është se disa udhëheqës të Kosovës i shkuan me entuziazëm kësaj loje dinake të Serbisë, dhe dolën me tezën absurde që nuk ka nevojë të na njohë Serbia, mjafton të marrim ulësen në OKB.

Unë e kam dënuar këtë qëndrim që në vitin 2017, sepse ishte një tezë e rrezikshme, që i vinte bisedimet në funksion të interesit strategjik serb për të pranuar Kosovën si pjesë të Serbisë. Ishte përpjekja serbe për të zbatuar atë, që unë e kam quajtur “formula ukrainase”, kur gjatë kohës së Bashkimit Sovjetik Ukraina ishte anëtare e OKB, por nuk ishte shtet i pavarur, por thjesht një republikë sovjetike.

Karremi i anëtarësimit të Kosovës në OKB është hedhur në qarkullim nga diplomacia serbe për të devijuar dhe për të deformuar kërkesën kryesore, që duhet të kenë bisedimet, dhe që përbën normalizimin e vërtetë të marrëdhënieve midis tyre, që është njohja reciproke si dy shtete të pavarura. Është njohja para anëtarësimit në OKB, dhe jo anëtarësimi në OKB, që çon tek njohja.

Udhëheqësit e Prishtinës, para se t’i japin kredite Beogradit për anëtarësimin në OKB, për të cilin nuk kanë tagër, duhet të kenë të qartë se çështja e anëtarësimit të Kosovës në OKB varet nga ekuilibrat makro-strategjikë të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, dy prej të cilëve nuk e njohin Kosovën. Rusia do ta luajë kartën e Kosovës në funksion të rritjes së pranisë dhe peshës ruse në punët e Ballkanit. Gatishmëria e Moskës “për të pranuar çdo marrëveshje, që do të bien dakord Serbia me Kosovën” dhe gjeneroziteti artificial i presidentit Putin për të pranuar të takohet me presidentin e një shteti të vogël, të cilin nuk e njeh, lidhen me interesat strategjike ruse në Ballkan dhe jo për sytë e bukur të Serbisë. Në këto kushte duhet pritur se çfarë do të kërkojë Rusia nga Kosova si shkëmbim të heqjes së vetos ruse në Këshillin e Sigurimit. Gjithashtu duhet pritur se çfarë do të kërkojë Rusia nga tre anëtarët e përhershëm perëndimorë të KS të OKB në këmbim të pëlqimit të saj për pranimin e Kosovës në OKB. Pra këto janë raporte, që nuk kanë lidhje me bisedimet aktuale midis Kosovës dhe Serbisë, dhe as nuk ka logjikë diplomatike dhe juridike të futet çështja e anëtarësimit në OKB në rendin e ditës të bisedimeve midis dy shteteve. Dhe aq më pak ta shesësh për sukses të ardhshëm të këtyre bisedimeve.

Një element tjetër i habitshëm i platformës së udhëheqjes së Prishtinës është teza e tyre që një marrëveshje dypalëshe midis Kosovës dhe Serbisë duhet të shkojë në Këshillin e Sigurimit të OKB. Është një tezë absurde, së pari sepse një marrëveshje e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është marrëveshje dypalëshe midis dy shteteve dhe nuk ka asnjë punë Këshilli iSigurimit të merret me të. Së dyti, dërgimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi në Këshillin e Sigurimit do të thotë të kthesh mbrapa rrotën e historisë para dymbëdhjetë viteve, kur atje diskutohej plani Ahtisaari dhe statusi i Kosovës, dhe ku Rusia vuri veton për pavarësinë e Kosovës. Nuk kuptohet çfarë llogarish bëjnë në Prishtinë, duke ikur nga kuadri juridik dhe diplomatik i ndërmjetësimit dhe i garantimit të bisedimeve dhe të marrëveshjeve në Bruksel nga BE dhe t’i hapin vetes telashe me Këshillin e Sigurimit, ku do të detyrohen t’i paguajnë haraç Rusisë dhe Kinës.

Komplikimi i bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë me teza e këshilla joshqiptare, që çojnë drejt theqafjeve shtetërore dhe kombëtare, është një tendencë, e cila duhet të ndalet. Në Prishtinë nuk duhet të konsumojnë pa u menduar produktet e gatshme apo gjysmë të gatshme diplomatike filoserbe, që po u serviren nga të katër anët, qoftë me etiketa lindore, qoftë me etiketa evropiane, dhe që mund të helmojnë të tashmen dhe të ardhme ne Kosovës. Prishtina duhet ta ketë të pandryshueshme vijën e kuqe të njohjes së Kosovës nga Serbia pa asnjë kosto dhe pa asnjë kusht. Kosova nuk ka asnjë arsye të ngutet, sepse ngutjen e kërkon Serbia, të cilës i duhet marrëveshja më shumë se sa Kosovës.

Anëtarësimi në OKB gjithashtu pret, ai nuk varet nga Serbia dhe nuk ka arsye të bisedohet për të me Serbinë. Kosova dhe Shqipëria duhet të pushojnë së bleri ajër diplomatik nga Serbia, gjë që nuk u falet dy shteteve shqiptare dhe kombit shqiptar, të cilët e kanë Serbinë 1300 vjet mbi kurrizin e historisë së tyre.

KOHA KUR DUHET TË “KALOHET YLBERI” APO TË LARGOHESH…! – Një pasqyrim ndryshe, shkruar nga Reshat NURBOJA

Jam i vetëdijëshem se opinionet e këtilla apo të ngjajshme nuk janë populiste dhe atraktive dhe si të tilla nga pak kush kuptohen, gjegjësisht, lehtë keqkuptohen, keqinterpretohen e krijojnë hapsirë shumë të madhe që patriotët e vertetë dhe ata të tjerët të reagojnë, kundërshtojnë, akuzojnë, shajnë e mallkojnë e ndoshta edhe të pajtohen…?! Por politka jonë ka ardhë në një udhëkryq kur lidershipi që ka fuqi e përgjegjësi vendimmarrëse duhet të vendosë a do të pranon që për interes të përgjithshëm të popullit dhe vendit të tij “ta kalon ylberin” apo të hapë rrugë e të largohet e ta lën të ardhmën e shtetit në duar të sovranit, gjegjësisht, populli të vendos…???

Kosova ka nisur një rrugëtim të saj nëpër “shkretirë” me shekuj e vetme…Pothuaj në fund të këtij rrugëtimi iu është bashkangjitur një bashkëudhëtar i pasur dhe i fuqishëm pa ndihmen e së cilit, nuk do të mund ta gjenim e as ta kalonim rrugën e daljës nga shkretira… Duke mos harruar edhe faktin se gjatë tërë këtij rrugëtim nuk na u ndanin prapa apo paralelisht me ne “hijenat” shekullor që na ndiqnin…
…Pothuaj, në fund të rrugëtimit, një “pogllavicë” vendor në bashkëpunim me kryehijenen që i vinte pas e binden Pogllavicen e Madh, gjegjësisht, fanarin ndriques të rrugëtimit tonë që të i kërkon Kosovës, lidershipit dhe popullit të saj të ndalen e të mos ecin më para drejt cakut të trasuar pa u kthyer pak prapa e të mirren vesh me hijenat se çka po deshirojnë si kusht që të mos i pengojnë kur ta kalojnë shkretiren të jetojnë pa frikë e në bëgati që e kanë grumbulluar gjatë këtij rrugëtimi, edhepse natyrshëm e paraprakisht nga të gjithë dihet se çfarë është kërkesa e qëllimi i hijenave të brendshëm e të jashtëm……
…Tani, një kërkesë e tillë e parashtruar publikisht nga “Pogllavica i Madh” shfaq një sfidë dhe problem serioz tek populli dhe kombi dhe jo vetëm të ta, çka me bo…Mos me e ndegju Pogllavicen e Madh, parashtrohet pyetja, jo vetëm si do të arrijmë ta kalojmë këtë pjesë të mbetur të shkretirës pa ndihmen e vendit e popullit të Tij, si dhe pas këtij rrugëtimi si do të “mbijetojmë” pa përkrahjen e tyre…Nga ana tjetër, po të pranojmë të kthehemi prapa dhe të ulemi prap të bisedojmë me hijenat që i kemi lën njëhere e përgjithmonë pas, mos po përshfaqim jodinjitet dhe tradhëti ndaj të kaluarës historike dhe çmimit të paguar gjatë rrugëtimit shekullor nëpër “shkretirë”…Andaj, nuk është çudi pse tek i gjithë populli parashtrohet dilema hamletiane “Të jesh apo të mos jesh…” gjegjësisht, si të jesh apo si të mos jesh, si kush të vazhdosh para…?!
…Çmimi që duhet paguar e kërkohet nga “pogllavica” që nëse deshirojmë edhe këtë pjesë të mbetur të rrugës ta kalojmë bashkarisht me te, është i padrejtë, jo koorekt dhe jo etik në veçanti kurrë një kushtëzim i tillë vjen nga një vend mik i dëshmuar tek i cili ke pasur dhe vazhdon të kesh besim e ta duash e respektosh edhe më shumë se vetvetën…! Por ske ku shkosh pos të ballafaqohesh me këtë shantazhim aktual, i cili pashmangshëm parashtron para një burrshtetasi, një nga sfidat më të mëdha njerëzore e shtetare: ta degjosh Pogllavicen e Madh që po ta kushtëzon ndihmen e tij duke të detyruar ta tejkalosh vetëveten e ta kalosh “ylberin” se ndryshe do të hakmirret ndaj teje duke ta “denuar” vendin dhe popullin tend apo ta kundërshtosh këtë kërkesë absurde, të padrejtë e jo korrekte të pogllavicës e popullin ta sfidosh me shumë të panjohura…
Koha ta imponon të vendosish shpejt… Për interes të vendit dhe popullit tënd të pranosh kërkesen e pogllavicës duke ndyshuar veten e “kaluar ylberin” që është një nga flijimet e mundimet më sublime të një njeriu, apo të largohesh e fatin e vendit tend ta lësh në duart e tjetërkujt, aktualisht askujt…!
KUR ËSHTË NË INTERES TË VENDIT DHE SHTETIT DUHET MENDUAR THELLË E THELLË QË TË MOS GABOHESH…A DUHET TË LUFTOSH PËR TA NDRYSHUAR TË PADREJTËN POR DUKE E PASUR PARASYSHË TË VERTETEN SE KE TË BËSH ME NJË POGLLAVICË TË MADH E JO BURRËSHTETAS SI DERI ME TANI AMERIKAN… APO DUHET GJETUR FORCË E GUXIM QË PËR INTERES TË POPULLIT DHE VENDIT TËND TA MUNDËSH VETEN E “TA KALOSH YLBERIN” APO ZGJIDHJA E KOMPROMISIT POR NJERËZORE, TË LARGOHESH E TA LËSH SHTETIN TËND NË TAVOLINAT E PAZAREVE TË BIZNISMENËVE E TREGTARËVE POLITIKË… PËR SHUMË KËND ËSHTË DILEMË DHE SFIDË E MADHE DHE VËSHTIRË E KALUAR, UNË PËR VETE KURRË NUK KISHA MUNDUR TA KALOJA YLBERIN, PËR KËTË ARSYE AS NUK MË TAKON E AS NUK MUNDEM TË JEM NË ATË POZICION KU FATI I VENDIT TIM VENDOSET E VARET PREJ NJË VENDIMI “TA KALOSH YLBERIN APO JO…!”
NUK ËSHTË LEHTË ME QENË KRYEMINISTËR, KRYEPARLAMENTAR, PRESIDENT OPO LIDER I MADH PARTIAK SE DUHET TË SFIDOHESH EDHE ME VENDIME TË KËTILLA QË TË NDJEKIN TY, FAMILJEN TËNDE DHE POPULLIN ME SHEKUJ…!

TA KALOSH APO JO YLBERIN KJO ËSHTË PYETJA QË KËRKON PËRGJIGJE…!

Pse u shpërfillën regjisorët e vjetër – Nga Gani MEHMETAJ

Klint Istvudi, Akira Kurosava, e një varg regjisorësh të famshëm, edhe pas moshës 80-vjeçare, ishin aktivë e bënë filma që e mahnitën botën. Në Shqipëri regjisorët më të mirë i shuan, i pensionuan, i hodhën në harresë, sepse ashtu e kërkuaka ligji i tregut e fryma revolucionare, sipas të cilave u dashka të dalin në pah vetëm “të rinjtë”!!!
Dhimitër Anagnosti e bëri filmin e fundit “Gjoleka, djali i Abazit” më 2006. Ndonëse në dhjetëvjetëshin e parë të demokracisë nuk e realizoi asnjë vepër kinematografike. Filmi “Kthimi i ushtrisë së vdekur” ishte i vitit 1989. Autori i filmave emblematikë “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara” dhe i 16 filmave tjerë ishte fare pak i pranishëm në filmin shqiptar në 28 vjetët e fundit.
Regjisori tjetër i njohur, Viktor Gjika, i ndjerë (“I teti në bronz”, “Rrugë të bardha”, “Gjeneral Gramafoni’, “Njeriu me top” etj.) bëri disa filma dokumentarë pas rënies së diktaturës, por ai ishte i njohur me filma artistikë, ndërsa filmin e tij emblemë, “Nëntori i Dytë”, e shfaqim në çdo përvjetor të Pavarësisë.
Ndërkaq, “Trishtimi i zonjës Shnajder”, i Piro Milkanit, u realizua më 2008. Para tij, “Ngjyrat e jetës”, më 1990. Milkani, autor i mbi 17 filmave artistikë e disa dokumentarë, edhe pse aktiv në jetën publike, aty ku pritej prej tij nuk iu dha mundësia të punonte.
Saimir Kumbaro, një tjetër regjisor i famshëm shqiptar, autor i veprave “Koncert në vitin 1936”, “Rrethimi i vogël”, “Tre njerëz me gunë”, “Historiani dhe Kameleoni” etj., filmin e fundit, “Ne dhe Lenini”, e bëri më 2007. Kumbaro bëri dhjetëra filma dokumentarë, mirëpo filma artistikë, me të cilët bëri emër, shikuesit shqiptarë nuk panë. Kishte disa projekte që i ngelën në sirtar, sikurse shumicës së kineastëve të brezit të tij a më të vjetër.
Shkëputje të mëdha ka edhe Kujtim Çashku (“Ballë për ballë”, “Të paftuarit, “Balada e Kurbinit” etj.), një emër tjetër i paharrueshëm i kinematografisë shqiptare, që po ashtu sikur kolegët e vet nuk realizoi asnjë film artistik në dhjetëvjetëshin e fundit. “Syrin magjik” e bëri më 2004. Tetë vjet para tij e bëri filmin “Kolonel Bunkeri” (1996).
Mevlan Shanaj, aktor e regjisor në zë, është aktiv në filmin dokumentar, por kohë të gjatë nuk bëri filma artistik.
Ekrem Kryeziu (Kur pranvera vonohet”, “Gjurmë të bardha”, “Viktimat e Tivarit”, “Kodi i jetës” etj.) qe nga viti 2009 nuk ka bërë film artistik.
Isa Qosja (“Proka”, “Rojet e mjegullës”, “Kukumi, ” “Tri dritare dhe një varje”) sipas një inercioni gati çdo dhjetë vjet e bënë nga një film.
Agim Sopi (Njeriu prej dheu”, “Kulla” “Vjeshta e trëndafilave”, “Anatema” “Agnus dei”), është në mesin e regjisorëve më të mirë që i kemi, ndërsa gati në çdo dhjetë vjet e bënë nga një film me vështirësi e peripeci të mëdha. Edhe këta kineastë pothuajse e kanë humbur betejën në arenën e gladiatorëve.
Janë edhe disa regjisorë e aktorë të suksesshëm që i dhanë vulë kinematografisë shqiptare, ndërsa pas rënies së diktaturës ishin fare pak të pranishëm në filmin shqiptar. Të gjithë ata patën plane, projekte, ishin të gatshëm të realizonin përvojën e tyre të gjatë në film, ose duhej shtyrë që të punonin. Krijimtaria në rrethana të reja duhej të ishte përparësi e madhe, sepse nuk do t’i godiste çekani i censurës, i vetëcensurës e frikës nga keqkuptimi.
Mirëpo riorganizimi i kinematografisë shqiptare e kaosi në kulturë e dërmoi filmin. Nga 13 filma që xhiroheshin në kohën e diktaturës, prodhimi ra në një ose dy filma artistikë, që ishte e paparë në Evropë. Shteti shqiptar, në kohën e demokracisë, gati hoqi dorë nga kinematografia, përderisa në Evropë shteti e ka shumëfishuar buxhetin për filmin. Riorganizimi i detyroi kineastët që gjysmën e mjeteve për një film t’i kërkonin jashtë shtetit, të bëheshin vetë producentë, organizatorë e financierë, ndërsa kjo ishte barrë e madhe, shpeshherë e papërballueshme, sepse askund tjetër në Evropë nuk punohet në këtë mënyrë. Regjisorët detyroheshin të regjistronin një firmë-shtëpi filmike, të ballafaqoheshin me tagrambledhësin, me tatimet, të bënin pazare me figurantë e pronarë hotelesh, kështu që edhe ata që e provuan një apo dy herë hoqën dorë, sepse ishte punë e lodhshme. “Producent, regjisor, skenarist – të gjitha i bën një njeri. Kush i bën të gjitha vetë nuk i bënë të gjitha mirë”, thotë Saimir Kumbaro për këtë fenomen.
Si nuk u gjend një shtëpi filmike që do t’ua krijonte kushtet, kurse kategoria e regjisorëve si Dhimitër Anagnosti, Piro Milkani, Saimir Kumbaro, Kujtim Çashku, Isa Qosja, Ekrem Kryeziu, Agim Sopi të bënin filma. Në Shqipëri nuk ka shtëpi të njohur filmike që do të çante rrugën e do të angazhonte kineastë, ashtu sikurse nuk ka as në Dardani, sepse kryesisht janë shtëpi që e bëjnë një film e pastaj shuhen, apo ringjallen pas dhjetë vjetësh. Kështu nuk bëhet kinematografia, kjo është kinematografi manifakture, por jo industri filmi, as produksion kombëtar që do të konkurronte në festivale prestigjioze të Evropës e të botës.
Filmi nuk është si politika. Në krye të shtetit mund të vësh politikanë amatorë, që mund të fshihen prapa fjalëve boshe, por në krye të kinematografisë menaxherët diletantë bien në sy menjëherë, sepse ata që nuk janë të profesionit e dëmtojnë rëndë filmin. Pastaj tërë cirku rreth konkurrimit është i padinjitetshëm: e heqin nga konkurrenca pa u trembur një regjisor me 10-15 filma dhe e mbështesin një tjetër që me asgjë nuk dëshmon se di të bëjë film. Lufta për mbështetjen financiare nga shteti shpesh është luftë gladiatorësh e jo konkurrencë e më të mirëve.
Regjisorët që i përmenda e kaluan kohën më të frytshme në pensionim të dhunshëm, ndërsa zëvendësimi i tyre nuk shihet. Kinematografia shqiptare ka boshllëk të madh, i mungon identiteti, kineastëve u mungon shpesh integriteti, ka bredhje që nuk e shpijnë filmin shqiptar askund.
E kundërta me filmin shqiptar është kinematografia polake, çeke, hungareze, rumune etj. Pjesa më e madhe e regjisorëve të suksesshëm polakë, çekë, hungarezë e kroatë, që patën sukses në komunizëm, i angazhuan edhe më vonë, madje shënuan kulmin e pjekurisë artistike.

DITA NDËRKOMBËTARE E RADIOS, 2019 Dialog, Tolerancë dhe Paqë – Nga Frank Shkreli

“Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Radios, le të kujtojmë dhe të njohim rolin e këtij mjeti të fuqishëm mediatik për të promovuar dialogun, tolerancën dhe paqën”. Kështu është shprehur Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në mesazhin e tij për të shënuar 13 Shkurtin, Ditën Ndërkombëtare të Radios.

Radio-ja, sidomos në të kaluarën, para shpërthimit të teknologjisë informative dhe transmetimeve satelitore, por edhe sot njihet gjithnjë si një medium që mund të ketë numrin më të madh të njerzëve që e ndjekin anë e mbanë botës. Natyrisht, se në botën e zhvillimeve moderne të teknologjisë informative, edhe shërbimet që ofron radioja po ndryshojnë gjithashtu në hap me ndryshimet e tjera në fushën e shpërndarjes së lajmeve dhe të informacionit, ndërsa ente të ndryshëm mediatike kanë adaptuar ndryshimet teknologjike që ofron në këtë fushë shekulli i ri dhe media shoqërore moderne. Si gjithmonë, ashtu edhe sot, radioja është unike në rolin e vet për të bashkuar komunitetet dhe për të promovuar një dialog pozitiv për bërjen e ndryshimeve, qoftë në nivel vendor ashtu edhe atë ndërkombëtar.

Duke u përballur me nevojat dhe me sfidat e dëgjuesve të saj, radioja si një mjet mediatik shumë i përhapur botërisht, mundëson transmetimin e pikëpamjeve të ndryshme dhe u jep hapësirë zërave që për ndryshe nuk do të dëgjoheshin për zgjidhjen e problemeve dhe të sfidave me të cilat përballet cilado qoftë shoqëri ose komunitet në botë. Radioja, sidomos transmetimet ndërkombëtare radiofonike — nepërmjet valëve të shkurtëra dhe të mesme gjatë Luftës së Ftohtë dhe deri më në ditët tona – kanë shërbyer si një platformë për dialog dhe për debate demokratike mbi çeshtjet me rëndësi vendore, rajonale dhe ndërkombëtare. Njihet tanimë roli historik që kanë luajtur gjatë Luftës së Ftohtë — radiot ndërkombëtare perëndimore, siç janë Zëri i Amerikës, Radio Evropa e Lirë dhe BBC-ja – në shembjen e komunizmit ndërkombëtar dhe në arritjen e objektivave të strategjisë së perëndimit kundër komunizmit, duke shërbyer vazhdimisht, sipas Kartës së Zërit të Amerikës, si një “Burim i besueshëm dhe autoritar lajmesh. të sakta, objektive, dhe gjithëpërfshirëse.”

Transmetimet ndërkombëtare perëndimore dhe sidomos Zëri i Amerikës, të cilin e njoh mirë, pasi kam punuar për këtë ent për 30-vjet në detyra të ndryshme përgjegjësie – ç’prej themelimit të tij gjatë Luftës së dytë Botërore dhe më vonë gjatë Luftës së Ftoftë e deri në ditët e sotëme, është angazhuar, jo vetëm si detyrim gazetaresk –por madje edhe si detyrim ligjor, si asnjë ent tjetër mediatik –që të thotë të vërtetën. “Është i famëshëm transmetimi i parë i Zërit të Amerikës, kur folësi ka deklaruar se: “Lajmet mund të jenë të mira ose të këqia. Ne do t’ju themi të vërtetën”. Zëri i Amerikës për më shumë se 75-vjetë — përfshirë Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe – ka qëndruar vazhdimisht dhe gjithmonë, pa asnjë dyshim, në mbështetje të përpjekjeve për liri e demokraci jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe kudo në botë. Ç’prej fillimit, VOA, sidomos ka shërbyer si shembull i zbatimit dhe ruajtjes së parimeve të lirisë së fjalës dhe të shtypit të lirë.

Në Ditën Ndërkombëtare të Radios – sipas fjalëve të Drejtoreshës së Përgjithëshme të UNESCO-s, Zonjës Audrey Azoulay në mesazhin me këtë rast — “Le të bashkohemi përball shqetësimeve të përbashkëta për të promovuar dialogun dhe pjesëmarrjen”, për të zgjidhur problemet me të cilat përballen shoqëritë vendase dhe bota në përgjithësi. Le të festojmë në këtë ditë, sipas saj, “Rolin e madh të radios duke përdorur këtë mjet mediatik për të zgjëruar horizontet tona, me qëllim që të ndërtojmë shoqëri më të harmonishme.”

Duke filluar nga radiot e mëdha ndërkombëtare e deri tek radiot vendore, në mesazhin e saj me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Radios, zyrtarja e lartë e UNESCO-s, shtoi duke thënë: “Le të kujtojmë rolin e rëndësishëm që luan radioja në nxitjen e debatit publik rreth çeshtjeve të ndryshme, në angazhimin e shoqërisë civile në këtë debat dhe kontributin e saj në frymëzimin e mirëkuptimit të përbashkët, bazuar në temen e këtij viti kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Radios: “Dialog, Tolerancë dhe Paqë”.

Sepse sfidat me të cilat përballemi, përfundon mesazhin e saj Drejtoresha e UNESCO-s, “Varen gjithnjë e më shumë nga aftësia jonë për të komunikuar dhe për të folur me njëri tjetrin me qëllimin për të gjetur zgjidhje të përbashkëta”, për problemet me të cilat përballet shoqëria e të cilat kërkojnë zgjidhje urgjente.

Gëzuar Dita Ndërkombëtare e Radios!

Frank Shkreli

Radio Evropa e Lirë

Kryeqendra e Zërit të Amerikës në Washington

Së pari referendum, që Kosova të bashkohet me Shqipërinë ose me Amerikën, JO të copëtohet territorialisht – Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Barometri diplomatik

-Ndryshe, çdo revidim i kufijve, do të shpiente në luftë,  e cila Kosovën do ta rikthente  nën sovranitetin kolonmial të Serbisë (1912-1999).

Pra, shikuar në afat të gjatë,  realisht, Kosova vetëm  e ka të vështirë të “mbijetojë” si krijesë shtetërore e pavaraur dhe sovrane pa u bashkuar me Shqipërinë ose me Amerikën, sepse “brenda natës”, do ta gllabëronin Serbia dhe Rusia. Këtë rrezik permanent duhet ta mbajnë parasysh si Prishtina edhe Tirana, ashtu edhe Uashingtoni, Berlini e Londra.

                                                  *   *   *

Meqë Shqipëria e humbi shansin historik, duke mos u treguar e gatshme  e as e vullnetshme për ta çliruar dhe pavarësuar Kosovën shqiptare nga Serbia kolonialiste gjenocidale(1989-1999), këtë e bëri Amerika  me presidentin e saj Bill Clinton në krye. Si rrjedhim, Amerika sot i ka duart e lira dhe, të gjitha të drejtat të vendosë për Kosovën, sepse vetë e pavarësoi dhe e shpëtoi nga terrorizmi dhe nga kolonializmi gjenocidal i Serbisë(1999-2019).

Tani, nuk kemi alternativë tjetër bashkim me Shqipërinë ose bashkim me Amerikën si shtet federal, ashtu sikur 50 shtetet e tjera ekzistuese të saj. Natryrisht, nëse këtë opsion do ta pranonte Amerika.

Ndërkaq, ndarja, shkëmbimi ose  korrigjimi i kufijve të Kosovës me Serbinë, do të ishte humbje e madhe për Kosovën, humbje për Shqipërinë, humbje për Amerikën dhe humbje për aleatët e saj të Evropës Perëndimore, sepse Kosova do të përfundonte nën Serbinë kolonialiste dhe në sferën e interesave gjeopolitike dhe gjeostrategjike të zonës së errët të Rusisë dhe të amalgamës së saj sllave të Evropës Lindore dhe asaj Jugore.

Sa më sipër, çdo opsion dhe kompromis tjetër politik me Serbinë,  shtetit të Kosovës nuk i garanton kurrfarë jetëgjatësie  të pavrur dhe sovrane, por vetëm krizë dhe konflikte të paparashikuara me Serbinë dhe me Rusinë deri në zhbërjen përfundimtare të saj.

Prandaj, për t’iu shmangur një rreziku të tillë permanent serbo-sllav, Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës, do të duhej të dakordoheshin që të organizonin një  REFERENDUM, ku populli  në mënyrë demokratike me votën e lirë, do të deklarohej PËR   1)Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ose  PËR 2)  Bashkimin e Kosovës me Amerikën.

Pa asnjë dilemë, miratimi nga populli, i njërit prej këtyre dy opsioneve të propozuara,  do të eliminonte përjetësisht pretendimet territoriale, agresionet, ripushtiminn, rikolonizimin  dhe përzierjen e Serbisë në   çështje të brendshme të Kosovës shqiptare.

Pra,  në vend të vazhdimit të Dialogut të dështuar të Brukeslit (2011-2019), Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, së pari, të organizojnë një REFERENDUM GJITHËPOPULLOR për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë ose me Amerikën, pastaj, varësisht nga rezultati i REFERENDUMIT, le të vendosin duan  apo nuk duan dialog me Serbinë.