VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Xhevat Korça – Përballja në qeli me Mehmet Shehun e Kadri Hazbiun: Enver Hoxha do t’ju hajë kokën

By | February 13, 2019

Komentet

Parashtruemja e Kërkesavet Shqiptare përpara Këshillit të të Dhetvet – Nga MUSTAFA KRUJA

Shqiptarët e mbështesin të tânë shpresën e tyne më drejtësín e kësaj Mbledhjeje të Naltë. Ata shpresojnë se parimi i kombsivet, qi âsht proklamuem aqë naltas e me aqë bujë si nga ana e kryetarit Wilson ashtu edhe prej shokvet të mëdhâj të tij, nuk ka me qênë nji fjalë e kotë e se të drejtat e Shqipnís qi kanë qênë marrë deri sod nëpër kâmbë kanë për t’u nderuem në këtê Kongres, i cili ka marrë mbi vete misionin e naltë për me begatun njerzín me nji paqë qi, për me qênë e qêndrueshme, duhet të jetë ngrehun vetëm mbi të drejtën e drejtësín.
Ay qi nuk i ka njohun mâ s’pari të drejtat e kombit shqiptar ka qênë Kuvêndi i Berlinit. Arsyet e kësaj mosnjohjeje shkoqiten me fatin qi Shqipnia s’ka pasun kurrë projtës ashtu si kombet e tjera të Balkanit. Shkoqiten edhe me situatën gjeografike të Shqipnís qi ka tërhekun gjithmonë lakmít e fqîjvet të vet.
Traktati i Berlinit i ka këputun Shqipniës Tivarin, Hotin, Grudën, Triepshin, Kuçin, Podgoricën, Plavën e Gucín për Malin e Zi, edhe nji pjesë nga ana e poshtme ndërmjet gjînit të Prevezës e lumit Kalamas për Greqín. Mbi këtê padrejtësí Shqiptarët formuen Lidhjen patriotike të Prizrêndit qi i u kundrështue me armë lëshimit të Plavës, Gucís, Hotit e Grudës. Fuqít e Mëdhaja i dhanë at’here Malit të Zi, si shpërblim të këtyne viseve, limanin e Ulqinit. Edhe ky shpërblim mundi të vêhet në veprim vetëm me njê “demostratë navale”, qi njihet mjaft mirë me êmnin “Demostrata Navale e Ulqinit”.
Nga ana e poshtme Lidhja qêndroi gjithashtu gallsisht. Komisioni ndërkombtar qi kishte vajtun në Prevezë për me i dhânë Greqís ato vise shqiptare, hasi në qêndrimin e popullsís e duel e shkoi pa qênë i zoti me e mbaruem misionin e vet. Mbi raportën e këtij komisioni Mbretnít e Mëdhaja u shtrënguen t’i a njohin karakterin shqiptar asaj krahine qi deshën t’i japin Greqís dhe e zbritën kufînin e kësaj te lumi i Nartës.
Me arsye të drejtë âsht thirrun traktati i Berlinit “traktati i vorrimit të Shqipnís”. Me gjithë këtê cungllimet q’i ka bâmun traktati i Berlinit Shqipnís munden me u quejtun gërvishtje, po të përkrahasohen me ato q’i ka bâmun Konferenca e Londrës më 1913. Kësaj Konference nuk i mjaftoi via e Kalamasit si kufî, të cilën Shqiptarët, sikur u pa, e kishin prishun e çuem në Nartë, por i dha Greqís gjith’ atê krahinë prej gjînit të Prevezës e deri në Kep Stilos. Kjo krahinë, qi shtrihet deri më 30-40 kilometra thellë, ka pasun, para luftës balkanike nji popullsí të përgjithëshme 63.000 shpirtësh, nga e cila 40.000 Shqiptarë musulmanë, 14.000 Shqiptarë të krishtênë e 9.000 Grekë.
Në Nord e n’Est i ka falun Malit të Zi e Serbís Krajen, Anën e Malit e bajrakët e Hotit e Grudës, Plavën, Gucín, Pejën, Gjakovën, Mitrovicën, Prishtinën, Gjilanin, Ferizovikun, Kaçanikun, Shkupin, Prizrêndin, Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Dibrën, Strugën e Ohrin. Në këto vise, qi gjinden në dy vilajetet e hershme të Kosovës e të Monastirit, popullsia shqiptare formon nji shumicë 80% mbi elementin slav. Kërkojmë pra të gjitha këto vise qi na janë këputun me Kuvêndin e Berlinit e me Konferencën e Londrës.
Kosova qi Serbvet u pëlqen t’a quejnë “Serbia e Vjetër” ka qênë heret e vonë vênd i populluem me Shqiptarë. Serbët kanë shkelun aty më të shtattin shekull, por s’kanë mundun kurrë të zânë vênd si prej kryengritjeve të Shqiptarvet si prej bashklakmís së Bullgarvet.
Mbipeshimi serb në krahinët e Kosovës kurrë ndo njê herë s’ka ngjatun; Shqiptarët kanë formuem gjithmonë shumicën e madhe të popullsís së saj, me gjithë të ndrydhunit e salvimet qi kanë psuem prej Serbvet. Popullsia serbe qi âsht futun mbasandej nuk formon mâ tepër se 15%.
Shqiptarët kanë bâmun në kohnat e fundme e sidomos më 1910, 1911 e 1912, sa kryengritje për me fituem lirín e tyne. Më 1912, 18.000 Shqiptarë prej Kosove, pas nji lufte të fortë kundra ushtrís turke, pushtuen qytetin e Shkupit, duke shtrënguem Turqín qi t’u bânte konqesina.
Qeveria turke qe gati për t’u njohun Shqiptarvet të drejtën për sa kishin kërkuem e për të formuem nji administratë autonome, e cila do të përmblidhte tre vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Janinës edhe nji pjesë të vilajetit të Monastirit. Shtetënit e Balkanit duke kuptuem dobsín e Turqís qi s’po mundte me i shtruem Shqiptarët e duke pasun frigë se po formohej nji Shtet vetqeverimtar shqiptar n’ato vênde qi lakmojshin prej sa kohe, shpejtuen me i shpallun luftën Turqís e prandej Shqiptarët nuk mundën të nxjerrin ndo nji fitim nga konqesít qi kishin fituem me armë në dorë.
Në të damen e vêndevet të Balkanit më 1913, atdheu ynë u bâ flia e fqîjvet për me mos i u dhânë shkak njê lufte europiane. Por tashti qi kjo luftë u bâ edhe âsht tue marrë fund me triumfin e të drejtavet të gjithë popujvet, besojmë plotësisht se ato krahina të gratëshme thjesht shqiptare, pa të cilat Shqipnia as nuk mundet me jetuem, kanë për t’i u këthyem mâmës-atdhè.
Ndonse âsht e vërtetë qi do të hyjnë disa pakica të hueja në kufîjt e Shtetit shqiptar, do të ketë edhe grumbuj të mëdhâj Shqiptarësh qi kanë për të mbetun jashtë.
Konferenca do e mos do t’a shohë ndryshimin qi gjindet ndërmjet deshirit t’onë të drejtë për me futun vëllaznit t’anë në familjen shqiptare, e lakmivet të padrejta të fqîjvet t’anë, të cilët, duke mos u ngîmun me aqë vênde thjesht shqiptare qi na kanë këputun me përdhunë, vijnë përsëri me i kërkuem qi të na këputen të tjera.
Greqia kërkon nji pjesë të Shqipnís së Poshtme, të quejtun Epir i Veriut, duke prumun si argument se në këtê krahinë ka njê popullsië prej 120.000 Grekësh e 80.000 Shqiptarësh. Na i qesim të padrejtë këta numra e thomi qi popullsia greke në këtê krahinë nuk i kapërcen 20.000 shpirtë. Këta 20.000 shpirtë rrijnë në fushët të Dropullit e të Vurkut të Delvinës. Janë të gjithë bujqë, pa tokë e pa shtëpí, qi punojnë dhenat e Shqiptarve.
Thuhet edhe qi të tânë Shqiptarët ortodoksë duhet të quhen Grekë, pa u marrë para sŷsh kombsia e vërtetë e tyne.
Kjo davà e kotë e ka shtymun natyrisht priftnín greke me e bâmun fenë nji vegël të ndrydhuni e tiraníe.
Lidhja e Prizrêndit i pati këputun Turqís lêjën me hapun nji shkollë shqipe në Korçë. Priftnía greke mallkonte ata prindën ortodoksë qi dërgojshin fëmijët në këtê shkollë e i paditshin te qeveria turke si kospiratorë kundra njësís së Shtetit. Kjo manovër ka shkaktuem mërgimin e burgimin e shumë krenëve familjesh shqiptarë e mbërrîni deri në të mbyllunit e shkollës.
Nga ana tjetër, qeveria turke duke i shtrënguem gjithashtu prindnit musulmanë për me mos i lânë të dërgojnë fëmijët në shkollën shqipe, kishin, në këtê rasë, me priftnín greke njisí qëllimesh e bashkpunim të plotë ndërmjet tyne.
Tue i marrë Shqiptarët ortodoksë për Grekë, po qitet mêndimi qi s’do t’ishte punë e drejtë me i shtruem nji pakice mâ pak të qytetnueme nji shumicë me njê qytetní mâ të naltë. S’mundet me u bâmun fjalë për ndryshim qytetníe ndërmjet bijvet të nji fare qi jetojnë bashkë pa ndryshim konditash, qi flasin nji gjuhë pa ndryshim zakonesh. Në qoftë se Shqiptarët ortodoksë janë mësuem në shkolla greke, Shqiptarët musulmanë e katolikë, të cilvet u ishte ndaluem e drejta me u mësuem në gjuhë kombtare, kanë kënduem në shkolla turke, italiane, frênge, hinglize e amerikane.
Po merren për shkak ndîesít filogreke të Shqiptarvet ortodoksë. Këtij mêndimi i vêmë kundra atê të Lord Hobhouses qi ka shoqnuem Lord Byronin në Shqipní e qi shkruente në fillim të shekullit të nândëmbëdhetë mbi popullsít e Epirit otoman:
“Vetëm Shqiptarët e kanë ndîesín e kombsís; as nji prej popujvet tjerë të mbretnís otomane s’ndîen tjetër gjâ përveç fesë”.
Z. Abaret, delegat i Francës në Komisionin e Rumelís Lindore, në nji mêndore q’i ka paraqitun komisionit më 13 Gusht 1880, ka thânë:
“Shqiptarët rrojnë në nji harmoní të plotë; para ç’do sêndi tjetër janë Shqiptarë. N’âsht e vërtetë qi katolikët janë të lidhun me gjithë zêmër mbas fesë së tyne, s’âsht mâ pak e vërtetë prap se për ata, si edhe për bashkatdhetarët e tyne musulmanë, ndîesía kombtare, dashunia për vêndin e vet e nderimi i zakonevet të vjetra janë sênde qi kanë mâ të madhen rândësí e qi dalin përmbi të tâna tjerat”.
Qe edhe se çë shkruen Z. Vaucher, në “L’Ilustration” të 7 Prillit 1917, mbi kazán e Korçës:
“Shqipnia e Shqiptarvet, kjo âsht kryefjala e të tânë ndêjësvet të kësaj fushe pjellore të Korçës.
“Qyshë sod dy muej qi âsht formuem republika e Korçës, Shqiptarët po na e provojnë se janë të zott me jetuem në harmoní njêni me tjetrin. Ngatërresa fetare s’ka mâ, përse s’ka mâ se kush t’i nxisë”.
Anmiqt t’anë kërkojnë nga Shqipnia bash nj’atê krahinë qi çetat gjeritase të Zografit me ushtarë grekë të shndërruem, nên urdhën t’oficerve grekë, e kanë djegun vetë me dorë. Asht çudí me pamun qi Grekët të munden me i quejtun të tyne këto vise, mbas si i rrenuen e i rrafshuen krejt për tokë. Mbi këtê, Z. Vaucher, korrespondenti i Illustration-it shkruen:
“E gjithë kjo krahina e Kolonjës âsht rrenuem prej çetavet greke më 1913. Emnat qi gjinden mbi kartët s’janë mâ tjetër veçse kujtime. Mbi dhé s’kanë tjetër shêj veçse disa gërmadha të paforma qi dëftejnë vêndet e katundevet musulmane”.
Duket se tue kërkuem Epirin e Epër, Grekët s’kanë qëllim tjetër veçse me frigsuem Shqiptarët e me i bâmun të hekin dorë nga kërkesat e drejta të tyne n’Epirin e Poshtër e sidomos mi Çamërín qi âsht thjeshtë shqiptare.
Kur kundrëthânsit t’anë bâjnë davá se Shqiptarët ortodoksë t’Epirit t’Epër do të kishin dëshirë me u bashkuem me Greqín, Vëlleht e Pindit, qi e kanë njohun mirë administratën greke, po lypin bashkimin me Shqipnín.
E si munden me u pajtuem këto dy mêndime? Si mundet me u pranuem qi të ketë Shqiptarë me mohuem vëllaznit e vet, kur njê element i huej, si Vëlleht, s’po kërkon tjetër veçse bashkimin me Shqiptarët?
Shqipnia qi ka vuejtun shumë të këqia, po sa të jetë përngrehun, do t’a bâjë detyrë të veten me jetuem në bashkim të plotë e me nji shpirt tolerance sa mâ të gjânë, duke u dhânë pakicavet të hueja të gjitha të drejtat qi u njihen në vêndet mâ të përparuemet në qytetnim.
Kufîni i Shqipnís në Sud duket si me qênë caktuem prej natyre: âsht vargu i malevet të Gramozit e Pindit. Vetëm ky kufî mundet t’u përgjigjet nevojavet projtorake e ekonomike të nji vêndi kaqë të pafuqishëm si Shqipnía.
Po të kishte pasun Shqipnía lirië në veprimet e saj, do t’ishte vûmun do e mos në shërbim të Kuptimit me i ndihmuem me të tâna fuqít e veta. Deri ditën kur âsht pushtuem prej anmiqvet, të gjitha mjetet qi ka pasun në dorë, i ka vûmun në shërbim të Kuptimit, duke u dhânë ndihmë e ushqim ushtrivet serbe në të tërhekunit e tyne nëpër Shqipní.
Shërbimet e bâme ushtrivet serbe marrin njê rândësí mâ të madhe, kur të kujtohen barbarít e plojet sistematike të bâme po prej këtyne ushtrive serbe, sidomos kundra popullsivet shqiptare të Kosovës në luftat e pas luftash balkanike, si edhe të djegunit e shumë katundeve shqiptare të raportueme në kohët të vet nga ana e të tânë korrespondentavet të shtypit europian.
Shqiptarët u kanë bâmun mâ të mëdhajat shërbime ushtrivet italiane e frênge qyshë se ato kanë arrijtun në Shqipní, e, nga ana tjetër, s’kanë ndëgjuem me formuem trupa ndihmëtarë në Shqipní të Poshtëme, me gjithë zotimet qi Austriakët, bashkë me nji Shtet balkanik, nuk prâjshin tuke u bâmun.
Konferenca âsht duke u kujdesuem për me hudhun themelet e nji paqe të qêndrueshme. Kjo paqë s’mundet me u bâmun pa u marrë para sŷsh të drejtat e kombsivet.
Për sa i përket Shqipnís, në qoftë se Kongresi, kundra këtij parimi, kishte me i pëlqyem cungllimet e bâme aqë fatkeqsisht më 1878 e më 1913, vêndi i ynë kurrë ndo nji herë s’ka me e gëzuem atê qetësí q’i duhet për zhvillimin e tij ekonomik; ky do t’ishte edhe krijimi i krizave periodike në Greqí e në Serbí, të cilat s’janë aspak të zôjat me përtypun njê shumicë Shqiptarësh aqë madhështorë për mëvetësín e tyne e aqë të lidhun mbas gojdhânavet kombtare. Kjo situatë âsht e atillë natyre me shkaktuem turbullime të padame për të gjatë gjithë kufîjvet të Shqipnís.
Padrejtësít e plojet e bâme kundra popullsivet shqiptare qi banojnë krahinat e zaptueme nga ana e Shtetënvet të sipërêmnuem, bâjnë me pasun frigë prej fatit qi po i pret, këto popullsí, të cilat s’kanë me njohun paqë veçse në hikë ase në vdekë.
Kjo do të sjellë në kujtim fjalët e Taqitit: “Ubi solitu dinem faciunt, pacem appellant”.

Paris, më 24 Shkurt 1919

Marrë nga vëllimi “Mustafa Kruja në historinë shqiptare”
Kapitulli “Shqipnia përpara Konferencës së Paqes”

The Guardian: Më 23 mars 1989 Millosheviçi si ia hoqi autonominë Kosovës

Në mars 1989, presidenti i atëhershëm serb Sllobodan Millosheviç nisi ndryshimet kushtetuese për të krijuar “Serbinë e Madhe” dhe viktima e tij ishte Kosova.

Si pjesë e federatës jugosllave, në vitin 1974, Krahinës së Kosovës iu dha autonomi e plotë, duke i dhënë pothuajse të njëjtat të drejta si gjashtë republikat e Jugosllavisë. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, kryekrimineli serb Millosheviç propozoi ndryshime në Kushtetutën e Serbisë, të cilat do t’i merrnin pushtetin autonom Kosovës.

Gazeta britanike Guardian përkujton në një shkrim të sotëm se kjo shkaktoi protesta të dhunshme dhe më 3 mars 1989 u shpall një gjendje e jashtëzakonshme, duke imponuar sundimin e drejtpërdrejtë nga Beogradi mbi Kosovën. Më 23 mars 1989, Kuvendi i Kosovës votoi për të pranuar amendamentet e propozuara dhe pesë ditë më vonë, Kuvendi i Serbisë miratoi ndryshimet kushtetuese duke hequr në mënyrë efektive autonominë e dhënë në vitin 1974.

Millosheviç do të vazhdonte më tej nacionalizmin serb, i cili përfundimisht çoi në shpërbërjen e Jugosllavisë dhe luftërat pasuese të viteve 1990. Amendamentet kushtetuese u miratuan nga Partia Komuniste dhe Kosova tani ishte një krahinë e pushtuar, ku frika e Serbisë për luftën e armatosur shqiptare mund të bëhej vetëpërmbushëse, përkujton gazeta, e cila tregon për vendosjen e atëhershme të policisë federale në rrugët e Prishtinës, ndërkohë që të gjitha tubimet masive të shqiptarëve kundër suprimimit të autonomisë ishin ndaluar.

Ndërkohë që kishte shpërthyer greva e minatorëve të Trepçës, njësitë e ushtrisë federale – të dominuar nga serbët – po lëviznin. Shqiptarët e Kosovës kërkojnë që reforma kushtetuese, e cila kërcënon t’i privojë ata nga autonomia, duhet të dorëzohet në diskutim demokratik. Dhe ata bëjnë thirrje për t’i dhënë fund trajtimit të qytetarëve të klasës së dytë, shumë të vetëdijshëm për propagandën serbe, e cila nën udhëheqjen e Millosheviç kishte adoptuar një ton gjithnjë e më racist, shkruan Guardian. “Mund të simpatizohet lehtë me pakicën shqiptare – një shumicë brenda krahinës së tyre – por të kërcënuar si krahina tjetër autonome e Vojvodinës me nënshtrimin ndaj Serbisë. Për dy vitet e fundit ata kanë jetuar nën një siguri të ngushtë, me dënime të rënda për kundërvajtje dhe kufizime për blerjen e tokës dhe lëvizjen e lirë. Për shumë kohë ata kanë vuajtur nga ndarja e pabarabartë veri-jug e burimeve federale.

Por Millosheviç ka shfrytëzuar ashpër mitet e vjetër serbe, në mënyrë që të avancojë ofertën e tij për pushtet federal”, shkruan Guardian. Ndryshimet kushtetuese i dhanë Serbisë kontrollin e policisë, gjykatave dhe mbrojtjes civile, dhe një dorë të lirë për të ndryshuar statusin e Kosovës. Ato gjithashtu i dhanë Serbisë kontrollin e marrëdhënieve të Kosovës me vendet e tjera, përfshirë Shqipërinë fqinje, ndërkohë që rreth 100 tanke dhe 15,000 trupa ishin vendosur në Kosovë në një përpjekje për të trembur protestuesit në bindje.

Guardian përkujton se ndaj shqiptarëve që po protestonin në shenjë pakënaqësie ndaj suprimimit të autonomisë së Kosovës, ndërhynë forcat jugosllave, duke lënë 21 shqiptarë të vrarë dhe shumë të lënduar. Por kjo nuk pengoi kryekriminelin Millosheviç të aprovojë ndryshimet kushtetuese më 28 mars në Parlamentin e Serbisë Lidershipi jugosllav vendosi të dërgojë forca shtesë në Kosovë, për të shtypur “fanatizmin nacionalist”, siç e quanin ata kundërshtimin e shqiptarëve ndaj suprimimit të autonomisë, të vendosur nga ish-shefi i Jugosllavisë Tito në vitin 1974.

Serbia ndërkohë Kosovën e quajti pronë të saj dhe kryekrimineli Millosheviç nxori njësitë speciale dhe ato paramilitare të armatosura rëndë në rrugë si kundërpërgjigje ndaj pakënaqësisë së shqiptarëve. Serbët festuan ndryshimet kushtetuese në rrugët e Beogradit, duke e quajtur atë si një fitore të Serbisë, e cila më vonë do t’i ktheje asaj bumerang pas luftës së lavdishme të UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s, duke detyruar kryekriminelin Millosheviç të kapitullojë në qershor 1999 dhe Kosova të shpallej shtet i pavarur më 2008, duke vënë kështu drejtësinë në vend për popullin autokton shqiptar/KP

Kërkesat e Shqypnís – Nga MUSTAFA KRUJA (Dokumente nga Konferenca e Paqes, Paris 1919)

 

Kombi shqyptar po del përpara Kongresit të Paqës duke u mbështetun mbi nj’atê fuqi ideale qi ka bâmun të pamundshme ushtrít e kombevet liridashëse e qi ka shtrënguem anmiqt e tyne të lëshojnë armët prej dore; ay po shfaqet edhe plot me besim se parimet e kombsís, falë drejtësís së njerzvet të shquem qi janë mbledhun në Kongres, do të marrin zbatimin e plotë të tyne.
Fara shqyptare, mâ e vjetra në Balkan, ka mundun t’a ruej, kombsín, shpirtin e lirís e të mëvetësís së vet, me gjithë qi Shqypnia herë pas here, nëpër kalimt e shekujvet, âsht bâmun fushë pushtimesh të hueja.
Pas mâ se katër shekujve zotnimi të huej, po sa qe thirrun me jetuem si Shtet më vete e kur po përpiqej edhe ndër të vështira qi s’i dahen përlindjes së popujvet, Shqypnia pa prit’e pa kujtuem, u gjind përpara luftës botnore. Asnjansín e saj, qi Fuqít e Mëdhaja i kishin garantisun, i a prishën ushtrít luftare e, si Belgjika, Shqypnia ka pamun gjithë tmerrimet e pushtimit.
Populli shqyptar, as duke rënkuem nên thêmbrën e pushtuesit, nuk e harroi detyrën e vet kundrejt Kuptimit, i cili po ishte duke luftuem për parimet e kombsís dhe për të drejtën e popujvet.
Shqyptarët, tue harruem shnderimet e tmerrimet të bâme motmot mâ para në Shqypní, e bânë njê detyrë për veten e tyne t’u ndihmojnë tepricave t’ushtrivet serbe qi po hiqeshin nëper Shqypní. Me të vërtetë, këto, të lodhuna e të mbarueme, pa armë e pa ushqim, kurrë nuk do të kishin arrijtun n’Adriatik po t’ishte qi shqyptarët, dyke u vûmun veshin Austriakvet, të mos ishin sjellun pas dashunís qi ndienin për Kuptimin si edhe pas gojdhânavet burrnore të tyne.
Shqypnia, e pushtueme nên zgjedhë dhe e rrenueme, i mbështette shpresat e veta përmbi ushtrít mikesha të Kuptimit qi po shkelshin në Maqedhoní e në Shqypní të Poshtme; e rrjeshtat e tyne po shpejtojshin me zânë vênd pranë ushtrivet shpëtimtare për të marrë pjesë në luftat qi po bâheshin në sinisín balkanike kundra Mbretnivet Qêndrore. Sikur t’u ishin dhânë edhe shqyptarvet gjith’ajo mbështetje e gjith’ato lehtësina si kombevet tiera, do t’ishin drejtuem të tânë së bashku, si njê trup i vetëm, për të kapun armët, të gëzuem kreit nj’ashtu si vëllaznit e tyne të mbledhun nën flamurët e Kuptimit, nga të cilët shumë kanë mbetun në fushët të nderës. Por, edhe pa pasun ato ndihma e lehtësina, bânë gjithë ç’kishin në dorë për të vështirsuem punën e anmikut, duke i sjellun ndalime n’ushqimin e tij e duke mos e lânë, për nji periudhë të gjatë të marrë e t’apë me nji Shtet balkanik qi mundohej të merrej vesht nëpër Shqypní me Komandën anmike për dâmt të Kuptimit, e kur Besararët e mblodhën me marrë turrin në Balkan, shqyptarët u çuen peshë kundra ushtrivet austriake e lehtësuen përparimin e ushtrivet të Kuptimit në Shqypní gjithmonë me kontingjentet shqyptare në ballë.
Shqyptarët, të lumë për shërbimin e vogël qi kanë mundun t’i bâjnë çâshtjes së lirís, po vjinë sod, me besim të plotë, të shtrojnë përpara botës kërkesat e drejta të tyne. Çâshtjet toksore të sinisís balkanike nuk do të jenë zgidhun me të drejtë, në qoftë se çdo Shtet nuk do të ketë përmbledhun ndër kufijt e tij ato krahina ku elementet e farës së vet formojnë shumicën e popullsís. Bash në faktin qi s’ka qênë nderuem ky parim në Shqypní, e gjêjnë shqyptarët, e me arsye, shkakun e mjerivet e të vuejtjevet të tyne. Parimet e aqpeshimit e të statu quo-it qi formojshin bazën e kongresevet në kohnat e kalueme, s’mund, t’ishin veçse nji mynxyrë për Shqypnín, si vênd pa projtje e i lakmuem prej fqîjvet të vet grek e slav të mbështetun mbi projtës të fuqishëm.
Kështu pra qe qi Kongresi i Berlinit më 1878 përpara dhe Konferenca e Londrës më 1913 mbasandej vêndosën cungllimet e tokës kombtare të Shqypnís për fitimin e Malit të Zi, Serbís e Greqís, cungllime aqë mâ tepër të padrejta kur në viset e sakrifikueme lêjshin pa farë garantie grumbuj shqyptarësh qi formojshin nji shumicë të madhe.
Le të na ipet lêjë të vêmë n’oroe, këtu duke kaluem, se syproria e qytetnimit grek dhe slav, për të cilën fort shpesh âsht bâmun fjalë, rrin keq me salvimet sistematike, me rrenimet e të djegunat e sa tjera tmerrime të shkaktueme prej Grekvet e Serbvet kundra popullsivet paqtore të Shqypnís: fakte këto të njohuna prej Fuqivet të Mëdhaja, sa nuk lânë nevojë për me u treguem këtu hollë e gjatë.
Mbas si ky Kongres s’ka mâ në shpirt formula të thata, por parime të vërteta të drejtësís qi po kërkon gjithë bota, shpresa po përtrîhet me arsye të drejtë në zêmrat e shqyptarvet.
Kërkesat qi kombi shqyptar i paraqet Kongresit, përmblidhen në trí kategorí; do me thânë t’i këthehen Shtetit Shqyptar, mëvetesía e të cilit âsht njohun e garantisun prej Konferencës së Londrës më 1913:
1°) Viset shqyptare qi i janë dhânë Malit të Zi me vêndimet e Kongresit të Berlinit e me ato të Konferencës së Londrës 1913;
2°) Viset shqyptare qi i janë dhânë Serbís me vêndimet e Konferencës së Londrës 1913;
3°) Viset shqyptare qi i janë dhânë Greqís me vêndimet e Konferencës së Londrës 1913.
Kur Shqypnia po kërkon kështu të drejtën e bukur të saj, po vijnë për qark disa lajme, pak t’errta âsht e vërtetë, pas të cilavet disa nga këta Shtetën balkanas po nxjerrin pretesa të reja përmbi vise qi gjinden ndër kufîjt e Shtetit Shqyptar më vete, ndër nj’ata kufîj qi janë caktuem me aktet e Konferencavet të Londrës e Firencës, të cilat akte edhe kishin bâmun nji padrejtësí të sheshtë duke mos marrë para sŷsh të drejtat e ligjëshme të popullit shqyptar. Duket e tepër me dëftyem se sa të padrejta do t’ishin këto pretesa, por me gjithë këtê âsht edhe e nevojshme me shkuem për sŷsh pak argumentat, me të cilët’anmiqt t’anë kishin me dashun t’u provojnë drejtësín atyne pretesave.
Serbët kanë vûmun para, në kohnat e kalueme, nevojën për me dalun në det nëpër tokën Shqyptare. Tash kjo arsye s’âsht mâ sod, tue qênë se Serbia nuk do të jetë mâ pa limane n’Adriatik; por, si do me qênë, nji aso nevoje tregtare nuk do t’ishte e atillë natyre sa t’i epte të drejtë Serbís për nji grabitje si ajo qi thamë.
Të gjitha statistikat qi kanë paraqitun Grekët për me mbështetun kërkesat e tyne në Shqypní, kanë njê bazë të gabueme. N’aktet e lindjes të Qeverís Turke të gjithë të krishtênët ortodoksë të mbretnís ishin quejtun rumë (grekë). Ky gabim rridhte nga fakti qi të gjithë këta të krishtênë vareshin fetarisht te Patrikata e Stambollit. Por kjo nuk donte me thânë aspak se të gjithë këta të krishtênë ishin prej farës greke. Tuke qitun si Grekë të gjithë këta të krishtênë pra, e vetëm kështu, Qeveria Helenike po arrin me gjetun njê farë shumice në disa pjesë të Shqypnís. Por mbas atij hesapi duhej me besuem se nuk ka as nji Shqyptar ortodoks në Shqypní.
Nuk janë pra cungllime të reja ato qi kombi shqyptar pret, por, për kundras fare, ay pret të përtânsohet në kufîjt e tij etnikë, pret qi t’i këthehen në gjît të vet ata grumbuj qi i ishin këputun me përdhûnë në kohnat e shkrueme e qi t’i njihet e bukura e drejtë e tij; e, bash kjo çâshtje e shêjtë âsht qi ay do t’i vênë krahat përpara Kongresit të Paqës me anën e përfaqsuesvet të tij, të cilët as nji kongres në kohnat e shkueme s’ka dashun t’i a ndëgjojë.
Sikurse do të shihet nga karta gjeografike ngjitun këtu, kufini etnik i Shqipnís fillon prej gjînit të Spicës (në verit të Tivarit), këthehet drejt nord-estit duke marrë mbrênda Tuzin, Hotin, Grudën, Triepshin, Podgoricën, dhe, duke ndjekun kufinin e Malit të Zi qi ka pasun përpara motit 1912, përmbledh Pejën, Gjakovën, Mitrovicën (pjesën lindore), Prishtinën, Gjilanin, Ferizovikun, Kaçanikun, nji pjesë të kazás së Shkupit, Tetovës, Gostivarin, Kërçovën, Dibrën, për me arrijtun te “Mali i Thatë” ndërmjet liqêjvet t’Ohrís e të Prespës. Qy nga kjo pikë kufîni ndjek vijën e 1913-s deri te maja e malit Gramoz e vazhdon drejt sudit për me dalë afër gjînit të Prevezës. Të gjitha viset qi gjinden në Perëndim të këtij kufîni përbâjnë Shqypnán etnike e historike.
Mbrênda ndër këta kufîj qi caktuem mâ sipër, jetojnë afër 2.000.000 Shqyptarë, nga të cilët mâ pak se gjymsa ndër kufîjt e shënuem në Konferencën e Londrës dhe tjerët n’ato vise qi u ishin lânë, po n’atê Konferencë, Malit të Zi, Serbís e Greqís.
Pas rrokullimesh qi kanë ngjamun në Shqypní këto vjett e fundëm: vrasa të gjithmbarshme e shpërngulje e tjera, do t’ishte njê guxim me u çuem për me dhânë statistika të preme përmi gjinden e sodshme. Por mund të thuhet, pa u larguem prej së vërtetës, se në viset e lëshueme Shtetënvet qi u përmêndën mâ sipër, popullsia shqiptare përbân nji shumicë 80% mbi elementët slav e grek. Në disa nga këto vise, për shêmbëll në kazát e Pejës, Gjakovës e Prizrêndit në Nord e në Krahinën e Çamërís në Sud, elementet slav e grek formojnë nji pakicë fare të vogël.
Nuk po kërkojmë kurrgjâ qi s’âsht shqiptare. Kurrë s’kemi pasun në shpirt të përmbledhim në Shtetin shqiptar grumbuj qi u përkasin tjera kombsive, të cilët, për me qênë mandej të bashkuem me vëllaznit e tyne, do të mundeshin me na shkaktuem turbullime qi na kemi interesë me i larguem prej vetes me të tâna mënyrët.
Po kërkojmë me u bâmun të zott e vêndevet shqiptare qi na janë këputun me traktatin e Berlinit e me Konferencën e Londrës; po kërkojmë mëvetesín e tânsín toksore të Shqipnís e respektimin e të drejtavet syprane të kombit shqiptar. Po kërkojmë edhe shpërblime ekonomike për nji numër të madh katundesh të djeguna nga ana e Grekvet n’anën e poshtme të Shqypnís e për rrenimet qi kanë bâmun ushtrít e Mbretnivet Qêndrore sa kanë mbajtun vêndin nên pushtim të tyne. Tue pasë qênë vêndi i pushtuem, tue pasë mbetun pa qeverí, s’ka pasun deri sod se si me e çmuem në nji mënyrë të preme shumën e këtyne dâmeve. Qeveria e Përkohëshme Shqyptare, qi âsht zgjedhun me 25 dhetor 1918, âsht tue punuem për me bâmun gati listën, e cila ka me u paraqitun në Kongres sa mâ shpejt.
Kombi shqiptar deshiron të punojë në paqë për me zhvilluem pasunít e vêndit të vet; të bâhet nji element mbarsie në sinisín balkanike e të marrë radhën e tij ndër kombet e tjera të qytetnueme.
Vêndimet e padrejta të kohës së shkueme e kanë shtuem mâ tepër lakmín e guximin kundra të dobtëve edhe kështu janë bâmun shkaku i shumë mjerimeve e vuejtjeve. Kongresi i sodshëm, duke fshimun padrejtësít e kalueme e duke i dhânë secilit atê qi i përket, do të ketë hudhun themelët e nji paqe të qêndrueshme në sinisín balkanike, ku turbullina të herë-pasherëshme u kanë qitun gjithmonë punë të vështira e të mërzishme kanqellarivet të Fuqivet të Mëdhaja.

Paris, 12 Shkurt 1919

(Nênsh.) TURHAN
Marrë nga vëllimi “Mustafa Kruja në historinë shqiptare”
Kapitulli “Shqypnia përpara Konferencës së Paqes”

1990 – Letra që i dënuari Haxhi Baçinozi i dërgoi Nexhmije Hoxhës: Krimet tuaja s’ka sociolog dhe shkrimtar në botë që t’i përshkruajë

Haxhiu në hetuesi pas revoltës së Qafë Barit në vitin 1984 dhe letra e vitit 1990 dërguar Nexhmije Hoxhës

Nga Kastriot Dervishi

Haxhi Shefqet Baçinozi, lindur më 2.7.1957 në Fier, banues në Radostimë të Rrethit Fier, u nda dje nga jeta. Plumbat i morën jetën një prej të dënuarve politikë më qëndrestarë e më të papërkulur ndaj regjimit komunist. Në këtë çast të dhimbshëm për familjen e tij, kam dëshirë të kujtoj burgosjet dhe letrën e jashtëzakonshme drejtuar bashkëshortes së diktatorit komunist të Shqipërisë.

Haxhiu ishte efektiv i repartit ushtarak nr.4832, Poshnjë Berat, kur u arrestua më 11.8.1981. Me vendimin nr.7, datë 30.1.1982 në Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Rrethit Tiranë, u deklarua fajtor kryesisht në bazë të nenit 55 të Kodit Penal dhe u dënua me 10 burgim. Së bashku me të u dënuan edhe Agim Sula nga Tirana dhe Dashamir Lufta nga Elbasani. Gjatë vuajtjes së dënimit, për pjesëmarrje në revoltën e Qafë Barit, me vendimin nr.3, datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, u dënua me 20 vjet burgim.

Më 18.2.1990 ai i dërgon një letër Nexhmije Hoxhës, asokohe drejtore e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste dhe kryetare e Frontit Demokratik të Shqipërisë, në të cilët shkruan për krimet e regjimit ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe atyre të Kosovës në veçanti. Nexhmija nuk lë shënim në letër, por Leka Shkurti, ia përcjell më 5.3.1990 zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizit. Ky i fundit kërkon të dhëna prej zëvendëskryetarit të Degës së 8-të (që mbulonte kampet dhe burgjet) të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit në MPB, Nazmi Domi. Në përgjigjen e datës 12.3.1990, Domi shkruan se qysh prej datës 17.6.1984, Baçinozi vuante dënimin në Burgun e Burrelit ku mbante “qëndrim shumë negativ”. Në fillim të vitit ishte takuar me të prokurori i përgjithshëm në burg, por edhe para tij kishte mbajtur “qëndrim të keq”. Më 23.2.1990 kishte qenë njëri prej 32 të burgosurve që shpallën grevën e urisë.

U lirua nga burgimi me dekretin nr.7471, datë 12.3.1991 të Presidiumit të Kuvendit Popullor (nr.149 i listës), kur i kishin ngelur edhe 3 vjet nga dënimet e dhëna. Vuajti gjithsej 9 vjet, 7 muaj e 18 ditë. Mbeti gjithnjë i kthjellët si antikomunist.

***

Letra drejtuar Nexhmije Hoxhës

Znj.kryetare!

Një kosovar i dënuar në Shqipëri me burg të përjetshëm kërkon përgjigje. Quhem Haxhi Baçinozi, pinjoll i një familje luftëtarësh që qëndruan në malet e Kosovës 15 vjet me radhë me armë në dorë, më hollësisht shih Enciklopedinë Shqiptare! Jam arrestuar në radhët e ushtrisë në vitin 1981 krimi agjitacion e propagandë, paragrafi nr.55 i Kodit Penal dhe duke vuajtur dënimin në burgun skëterrë të Qaf Barit. Në maj 1984 arrestohem përsëri, por kësaj radhe si pjesëtar i organizatës kundërrevolucionare, fantazia e bandës kriminale të Sigurimit të Shtetit nuk njeh kufi, imagjino organizatë kundërrevolucionare e krijuar brenda telave me gjemba e grykës së mitralozave dhe me këtë mora një dënim të përjetshëm e gjendem në burgun mesjetar të Burrelit, natyrisht mbas një torturimi fizik dhe psikik dhe një gjyqi me dyer të mbyllura dhe në mbarim të gjyqit më merret akt-akuza me dhunë nga inkuizitorët e mi, e të dhjetëra-mijëra të pafajshmëve si unë, këto ishin një e qindta e atyre që unë kam heq, e po heq aktualisht në burgun tuaj shfarosës të Burrelit.

Të përshkruhen krimet e gjenocidit që ushtrohet mbi popullin shqiptar nga regjimi juaj rreth një gjysëm shekulli me radhë, duhen penat e sociologëve e shkrimtarëve të të gjithë botës dhe zor se do të ishin në gjendje me e portretizuar realitetin tragjik të këtij populli të martirizuar. Por desha t’ju pyes ju çfarë i kam bërë unë shtetit konkretisht dhe kush jam unë? Një njeri krejt i thjeshtë me arsim fillor, pra kuptohet edhe aftësia ime për t’ju rrezikuar juve pushtetin.

Për të tilla “krime” asnjë lloj regjimi diktatorial as që do të merrte mundimin me më pyetur dhe jo më të më merrte rininë dhe krejt jetën time, përveçse regjimi juaj gjakatar.

Ku keni ju gojë të flitni për humanizëm apo për të drejtat e njeriut, kur ju keni 46 vjet që torturoni një popull 3 milionësh që Shqipërinë e keni kthyer në burg 28 mijë km2. Mbasi nuk njeh historia që një vend të quhet shtet e të jetë i rrethuar me tela me gjemba. Ju arritët t’i shpërfytyroni shqiptarët duke i shkaktuar dëme shqiptarëve, si mund të flitni në mbrojtje të kosovarëve kur me qindra kosovarë që erdhën në Shqipërinë e pas luftës vdiqën ose u gjymtuan përjetë në kampet e burgjet shfarosëse të çifligut të burrit tuaj. Kalaja e Gjirokastrës, Maliqi, Tërbufi, Thumana, Bedeni i Kavajas, Zadrima, Bulqiza, Spaçi, Batra dhe maja e ajsbergut të krimeve, Burreli, do të kujtohen brez pas brezi si varrezat e mijëra shqiptarëve të pafajshëm në këto vende pellgje gjaku kufomash e gjymtimesh. Ka arritur të hajë të vjellat e shokut i burgosuri juaj, atëherë me ç’të drejtë flet për kosovarët kur sot e kësaj dite dergjen prej 3 dekadash me dhjetëra kosovarë, një përqindje e vogël e atyre që janë shfarosur nga banda kriminale e sigurimit të shtetit, me sloganin e njohur “agjentë të UDB-së” jugosllave. E atëherë si mund të flitni për kosovarët që jetojnë në Jugosllavi, kur ju s’keni lanë krim as poshtërsi pa ju bërë e që me dhjetëra si unë na mbani hala në burg, kur në Jugosllavi asht demokracia amerikane nëse mund të bëhet krahasim me terrorin që ekziston në burgun tuaj 3 milionësh. Ju, me paturpësi arritët me i bë telegram Nelson Mandelës, duke e ngushëlluar për “vuajtjet” në burgjet raciste, kur ai bën burg me çokollata dhe është politikan i deklaruar dhe kur në burg takon gazetarë e personalitete nga e gjithë bota dhe në rast sëmundje, kurohet në klinika private. Kurse mua, e qindra si unë, njerëz të zakonshëm, nuk lejohet as shokë, as miq as farë e fis, vetëm familja në takim dhe ky takim vetëm 10 minuta në muaj nëpërmjet një sporteli të blinduar ku nënat tona nuk na shohin vetëm 1/3 e fytyrës. Po kufizimi i ushqimit në 2 kg në muaj. A ka krim më çnjerëzor se një trajtim I tillë dhe kundër kujt pa? kundër njerëzve të pafajshëm, a mendon se nënat e motrat shqiptare këtu në Kosovë i ke veshë në të zeza, sa gra i ke lanë të veja dhe sa mijë jetimë. Për këto gjana nuk do të ketë as sociolog, as shkrimtar në glob t’i përshkruajë apo portretizojë realisht një gjenocide të tillë, që nuk njeh asnjë periudhë e historisë njerëzore. Ju kujtoj një thënie shqiptare se “met nana pa djalë, se nuk met gjak pa marrë”!

Jua drejtoj këtë letër me qëllim përgjigje dhe përgjigjja juaj do të jetë ekzekutimi im. Por jam krenar t’i jap fund këtij poshtërimi dhe asgjësimi të ngadalshëm.

S’kam frikë nga vdekja, se jam pjellë e atyre që veç pushka i ka marrë dhe vdekjen e kanë përbuzë. Natyrisht që ju nuk do të keni kurajo me me ekzekutu direkt, por me metoda të stërholluara siç keni ba tash e 46 vjet, por dije se gjithë shqiptarët nuk do t’i shfarosësh.

I dënuari politik, Haxhi Baçinozi

18 shkurt 1990

1990/Letra që i dënuari Haxhi Baçinozi i dërgoi Nexhmije Hoxhës: Krimet tuaja s’ka sociolog dhe shkrimtar në botë që t’i përshkruajë

Yllka Mujo dhe Viktor Zhusti magjistarë të shpirtit njerëzor – Nga Vepror Hasani

Besoji testamentit të jetës dhe do të jesh i lumtur deri në vdekje

Dritat u fikën. Spektatori në sallë mbeti në errësirë të plotë. Një grimë më pas, skena u ndriçua nga një dritë e zbehtë. Kishte shumë errësirë, zor se dallohej gjë. Befas drita u bë më e plotë. Në skenë u shfaq figura e aktorit Viktor Zhusti. Luante rolin e doktorit të quajtur Zhan. Nuk donte ta thërrisnin doktor, i pëlqente emri i vet. Ndaj dhe ne do ta quajmë vazhdimisht Zhan. Ishte vetëm, duke ngrënë darkë. Ngriti kokën, vështroi nga salla dhe goditi me pirun gotën prej qelqi, sikur kërkonte të na tërhiqte vëmendjen. Miku im që ishte ulur përkrah meje, më vështroi paksa i çuditur sikur donte të më thoshte: “Me ne shikuesit e ka”? Nuk dija si t’i përgjigjesha, edhe mua ashtu m’u duk, sikur donte të na thoshte: “Më ndiqni, kam një histori për t’ju treguar, e kam quajtur Testament i Ri”. Ishte kaq mbresëlënës sa të habiste. Ishte hera e parë që bashkëpunonte me teatrin e Korçës. Njerëzit kishin shumë kërshëri. Dhe ja, ende nuk kishte thënë asgjë dhe në të njëjtën kohë kishte thënë shumë gjëra. Nuk e kishte me ne spektatorët, kërkonte shërbëtorin e tij. Deri atëherë kishte patur një shërbëtor tjetër, por tashmë e kishte zëvëndësuar, kishte marrë një tjetër.

Shërbëtori

Shërbëtori i ri, i luajtur nga aktori Sotiraq Bratko, hyri në skenë. Si hyri ashtu! Ç’magji bëri, që njerëzit vunë buzën në gaz, qeshën dhe nisën ta ndiqnin me kërshëri. Kur Zhani e pyeti si quhej. Ai u përgjigj: “Theofil”. Por jo, Zhani donte që ai të kishte një emër tjetër. Po pse një emër tjetër vallë”? Spektatori ishte bërë sy e veshë, përgjonte çdo fjalë që thuhej. Ah, të kuptosh është gjëja më e rëndësishme në këtë botë. Mos vallë Zhani donte të thoshte që njerëzit duhet të kenë dy emra, sepse ndryshe hiqen e ndryshe janë në të vërtetë? Ranë dakord, që shërbëtori të quhej Andrea. Edhe Sotiraq Bratkon tani e tutje do ta quajmë Andrea. Roli i tij të krijonte idenë e një njeriu të lehtë, të padjallëzuar, por në të vërtetë ai ishte krejt ndryshe. Dinte gjithçka që ndodhte në atë shtëpi. I njihte njerëzit edhe nga mënyra si i binin ziles. Ua dinte huqet dhe sillej siç e dëshironin ata. Vetëm kur largohej prej tyre pëshpëriste me zë të ulët gjithçka që atij si pëlqente. Kjo mënyrë komunikime sillte humor si me magji. Një shërbëtor i di të gjitha, ndaj duhet ndërruar ndonjëherë. Vënia në zbatim e planit “Testamenti i Ri” kishte filluar.

Zhani zbulon tradhtinë e bashkëshortes

Ndërsa shërbëtori vazhdonte të qëndronte para tij, e porositi: “Kur të vijë zonja Lysi, thuaji që po e pres”. Zonjën Lysi, (bashkëshorten e Zhanit) e luante aktorja Yllka Mujo. “Ajo sapo ka ardhur”, iu përgjigj shërbëtori. “Shumë mirë atëherë, po e pres”, ishte pak a shumë përgjigjja e tij. Sigurisht, ajo nuk erdhi që në çastin e parë, u vonua disi, ndoshta për ta bërë të shoqin të priste. Kishin një jetë të tërë bashkë. Mirëpo atë ditë Zhani kishte zbuluar se ajo e tradhtonte me një djalë të ri, shumë më të ri nga mosha e saj. I dashuri i bashkëshortes ishte djali i mikut të tij. Edhe ajo dyshonte se i shoqi e kishte kuptuar, por nuk ishte e bindur, ende shpresonte që ai të mos dinte gjë Zhani i kishte ndjekur me makinë, mundet të kishte qenë edhe rastësi. Diku automjetet e tyre ishin këmbyer. Ata e kishin parë njëri-tjetrin. Ishte një çast shumë i shkurtër. Ajo ishte përpjekur të mbulonte fytyrën me duar, për t’iu fshehur syve të të shoqit, uronte që ai të mos e kishte parë. Po a mund të fshihet njeriu vetëm pse mbyll sytë? Pas pak ajo u gjend para të shoqit. Përpiqej të ishte e qetë, e sigurtë për të treguar se çdo gjë ishte ashtu si më parë. Lysit i duhej të luante të pavërtetën, kurse atij njeriun që nuk di gjë. E pyeti edhe për djalin e mikut të tij. Ata që ishin të pranishëm në shfaqe mbetën të mahnitur nga dialogu i tyre. Batutat ishin magjepsëse: këmbehej ironia me humorin, e vërteta me gënjeshtrën, provokimi me qetësinë, nervi me durimin, mençuria me naivitetin. Ajo hiqej sikur s’kishte asgjë me djalin e mikut të tij, e çmonte vetëm për inteligjencën. S’mund të qëndroje dot pa qeshur. Ishte një e qeshur me shpirt. Rrallë të qëllon ta shohësh skena kaq të bukura nga dy aktorë të mëdhenj si Yllka Mujo dhe Viktor Zhusti.

Do të marr një sekretare të bukur!

Batutat me nënkuptime mes tij dhe bashkëshortes vazhdonin. I tha të shoqes që e kishte ndërruar sekretaren. Ajo që kishte patur deri tani ishte një vajzë e re, e sjellshme dhe e përmbajtur. E respektonte Zhanin. Edhe ai ishte sjellë mirë me të dhe e paguante mjaftueshëm. E shoqja kishte besim tek ajo. Rolin e sekretares e luante Lola Meta, ishte një rol i vogël, por regjisori Gëzim Kame ishte kujdesur që gjithçka të mbetej në mendjen e spektatorit. “Pse do ta ndërrosh sekretaren”? – pyeti e shoqja. “Do të marr një më të re, por edhe më të bukur, ishte përgjigjja e tij, që tua prezantoj edhe miqve të mi; kështu bëjnë në kohët e sotme me sekretaret e tyre. Çuditërisht, Lysi, bashkëshortja e Zhanit, nuk e priti mirë ndërrimin e sekretares. Mënyra si i foli për sekretaren e re, kuptoi se ai kishte ndërmend ta tradhtonte me të, por ajo nuk dëshironte të ishte e tradhtuar. Si mund ta tradhtonte me një sekretare të re. Nëse kjo do të ndodhte ajo do të ndihej e poshtëruar dhe e pavlerë. Ata ishin betuar t’i qëndronin besnik njëri-tjetrit deri në vdekje. Ky është testament i çdo martese. Kurse ajo ia lejonte vetes të shkonte me një djalë të ri, madje me djalin e mikut të bashkëshortit, me Fernandin. Të qenit e pëlqyer edhe nga djemtë e rinj, e shihte si vlerësim për vetveten. Madje tentoi ta dëbonte sekreteren, por ajo nuk iu bind. Kishte një arsye të fortë për të qëndruar. Të vërtetën do ta mësoni në fund të këtij shkrimi.
Të gjitha këto ndiheshin te loja e mrekullueshme e Yllka Mujos. Madje pati edhe një skenë mes saj dhe të dashurit. Kishte shumë zjarr dhe pasion. Nuk kuptohej mirë në ishte dashuri apo aventurë. Edhe pse rrethanat ishin të pafavorshme, pasi mund t’i kapnin në flagrancë, ai i lutej të bënin seks edhe të fshehur pas një perdeje, përpiqej ta bindte se mund ta bënin edhe për disa sekonda. Dhe Lysi, nën lutjet e tij të shumta, shpërthente si të ishte një vajzë e re. Të qeshurat e spektatorit ishin të papërmbajtshme. Rolin e të dashurit të saj e luante Kristian Koroveshi, fitues i çmimit aktori më i mirë, në festivalin kombëtar të teatrove në Tiranë. Jam me fat që pata rastin të luaj përkrah, aktores së mirënjohur Yllka Mujo, deklaroi ai pas përfundimit të shfaqjes.

Loja “Testamenti” në zbatim

Dikush trokiti në derë. Shërbëtori shkoi të shihte kush ishte. U kthye pas pak me xhaketën e Zhanit në dorë. Tha se e kishte harruar te rrobaqepsi dhe ai e dërgoi me dikë këtu. Në shtëpinë e Zhanit ndodheshin të gjithë: e shoqja, Lysi; i dashuri i saj, Fernandi; miku i tij, Adrieni, që luhej nga aktori Guri Koço, bashkë me gruan e vet, Margaret, që shkurt e thërisnin Geri, luajtur nga Zamira Kita. Fillimisht e shoqja e Zhanit mendoi për ndonjë tradhti, por kur kontrolluan xhepat e xhaketës panë se nuk i mungonte asgjë, as portofoli dhe të hollat. Atëherë e shoqja mendoi se ai ishte mbytur. Por pse duhej të mbytej vallë? Nuk duroi dot tradhtinë e së shoqes apo nga që e kishte dashur shumë? E shoqja u ndje e pikëlluar, ishte gati të shpërthente në lot. Shtirej apo ishte e vërtetë? Të gjithë ishin të dëshpëruar, madje edhe i dashuri i Lysit, Fernandi. Spektatori që dinte tradhtinë e saj, nuk përmbahej dot së qeshuri. Kontrolluan edhe një herë xhepat e xhaketës. Te xhepi i brendshëm gjetën një zarf. E hapen nxitimthi, të nxitur nga kureshtja çfarë shkruhej aty. Ishte një testament i ri, që anulonte testamentin e vjetër, firmosur dikur nga ai dhe e shoqja, Lysi. Testamenti ishte shkruar për avokatin e tij. Aty rrëfente se kishte edhe një vajzë, fryt i një dashurie të hershme në rininë e tij; rrëfente që kishte qenë i dashuruar edhe me Margaritën, me gruan e mikut të tij Adrien, ose me nënën e të dashurit të gruas së tij, Lysit. Adrieni, që e dëgjonte për herë të parë këtë të vërtetë, mbeti i befasuar. Të gjithë ishin të tradhtuar. Për ata situata ishte dramatike, kurse për spektatorin një komedi e vertetë.

Përballja

Të gjithë gjendeshin në pozicion të vështirë. Në shtëpi u kthye edhe Zhani. Ai i shikon miqtë e tij në sy, nuk ka droje. Zamira Kita, (Margarita) gruaja e Guri Koços (Adrienit), përmes lojës së saj, të një personazhi të veçantë, solli për spektatorin një grua që ka mënyrën e saj të të jetuarit, disi të hutuar, paksa të mefshtë, që përpiqet të flasë në çdo kohë, pa kuptuar që situata s’është në favor të saj; ajo flet edhe kur nuk ia kërkon kush mendimin, shpesh nuk e kupton as vetë çfarë është duke thenë. Situatat që krijoheshin prej saj e bënin spektatorin të shpërthente në të qeshura. Madje kur i shoqi, Adrieni, e kishte pyetur, a kishte patur mardhënie me Zhanin, ajo ndërsa kishte nisur t’ia pohonte, harroi që gjendej para të shoqit dhe e rrëfeu gjithçka me aq pasion detaje dhe imtësi, sa edhe vetë mbeti e çuditur, kur kuptoi se çfarë po bënte. “Paske hequr shumë”, – i tha Zhani. “Jo, i tha ajo, ai që hoqi shumë nga ato që dëgjoi, ishte im shoq”.
Sërish të qeshura pa fund. “Komedia Testamenti ri” është komedi franceze, e shkruar shumë-shumë vite më parë, por që tingëllon aktuale edhe sot. Është komedi me humor shumë elegant, therës, por shumë të bukur. Humori është i pranishëm edhe në situata edhe në batuta, kurse karakteret janë mjaft të spikatur.

Finalja

“Njerëzit, u tha Zhani të pranishmëve, edhe kur e marrin vesh tradhtinë e grave të tyre, nuk ndahen. Por nëse në një marrëdhënie bashkëshortore nuk ka më dashuri, nuk i pengon kush të ndahen, që të mos jenë modeli i keq për fëmijët (ndoshta kishte parasysh djalin e mikut të tij). Ai e prezantoi rolin e tij me shumë finesse dhe me shumë elegancë, simpatik nga fillimi në fund. U bë i dashur për spektatorin me rolin që krijoi. Dhe ndërsa batutat vazhdonin, ai vuri në dijeni miqtë e tij se të nesërmen, me ftesë të një Universiteti të dëgjuar, do të nisej në një turne ku do të vizitonin shumë vende të botës. Do të qëndronte për një kohë të gjatë. “Do ta marrësh edhe sekretaren”?- pyeti e shoqja. “Sigurisht”, ishte përgjigjja e tij. “Zhyljet”, thiri ai, sekretaran e tij. Në skenë u duk një vajzë e re, simpatike, luajtur nga aktorja Ilda Pepi. Atë çast dukej sikur gjithë miqtë e tij mendonin: “Pra edhe ky njeri që deri pak më parë na bënte moral, po shkon në turne bashkë me sekretaren e tij, ky njeri që edhe në rininë e tij paska patur edhe një fëmijë, ky njeri që para se të martohej me Lysin, paska dashur edhe një grua tjetër, Margaritën, bashkëshorten e mikut të vet. Ky njeri…Nisemi i tha, ai Zhyljetës. “Jo”! – ishte ndërhyrja e të shoqes. “Je gati, Zhyljetë”?- e pyeti sërish ai.
Po BABA, ishte përgjigjja e saj.

Në udhën e jetës

Mjaftoi fjala “baba” që gjithçka të bëhej e qartë. Nuk ishte ai që kishte tradhtuar nënën e së bijës, ndaj e bija ishte me të atin. Ndoshta ajo e kishte tradhtuar, ndoshta kishte vdekur, kjo pak rëndësi ka, ai vazhdonte të ishte babai i vajzës së tij. Por ai kishte dashuruar edhe Margaritën! Nuk ka dyshim, që edhe ajo grua e hutuar, që nuk kuptonte as vetë ato që thoshte, nuk e kishte të vështirë të gjendej në gabim, ashtu siç i ndodhi kur i rëfente të shoqit dashuritë e saj të rinisë.
Pas pak ata të dy, at e bijë, u nisën për udhë. Duartrokitje pa fund nga spektatorët.

“Dashuria është si një temperaturë që ikën edhe vjen në mënyrë të pavarur nga vullneti… dashuria nuk ka limite të moshës… (dashuria nuk njeh moshë).” – Stendhal

POPULLIT SHQIPTAR – Nga MUSTAFA KRUJA (Dokumente nga Konferenca e Paqes në Paris, 19019)

Shqiptarë!

Më 25 të Dhetorit 1918, përfaqsuesit e juej, të përbashkuem në Durrës në Mbledhje Kombtare, e mbaruen kuvêndin me formimin e njê qeverie të përkohëshme, së cilës i u vu për detyrë kryesore t’i rrëfente e t’i provonte botës se në mest t’Adriatikut e të Jonit më nj’anë, të Vardarit, të Bosnes e të Malit-të-Zi më tjetrën, rron njê komb qi kërkon vêndin e vet ndërmjet Shtetënvet të lirë të rruzullimit. Ç’ka bâmun kjo qeverí deri tashti për me i ardhun rreth kësaj barre të shenjtë e të rândë? Shumë sênde mund të ju kenë mërrimun në vesh, të mira e të këqia, por mâ tepër të këqia se të mira, e neve, qeverín t’uej, rasa të jashtzakonshme e të pamundshme, na kanë pasë bâmun të pazotnit, deri në këtê ças, me dalun para jush me provat zyrtare në dorë për me mos ju lânë në dyshim e në kujdes mbi veprën t’onë. S’ka qênë besuem se puna do të shkonte kaqë gjatë e shpresojshim dita më ditë, se do të mundeshim me ju parashtruem, me anë të nji Mbledhieje Kombtare, nji fund të gëzueshëm e të lumnueshëm për fatin e atdheut t’onë të dashun. Por Konferenca e Paqës, mbas si e ka lânë më nj’anë udhën e madhnueshme të haptë e të shkurtën të drejtësís, mbas si pra i ka pëlqyem me çamun ferra e male tue kërkuem në të tâna çâshtjet e botës, e sidomos n’ato qi u përkasin kombeve të pafuqishme e të vogla si na, tue kërkuem gjithmonë interesën, të mbështetun mbi padrejtësín, kapërceu gjymsën e motit pa mërrijtun n’as njê vêndim të premun. Çâshtjen t’onë e ka marrë për dorë deri tashti vetëm kur ka thirrun Dërgatën Shqiptare për me parashtruem kërkesat qi kishte vajtun të bânte n’êmën të Shqipnís; edhe kur deshi të gjykojë kërkesat greke mbi tokën t’onë me anë të nji komisioni të posatshëm, ku qe thirrun edhe Dërgata e jonë e pyetun, mbas si përfaqsonte bash të zotnit e atij vêndi (Epirit t’Epër), thirrun e pyetun sa për formë, tue qênë se shumë prej asish qi ishin mbledhun me e ndëgjuem e dijshin qyshë parandej se ku u duhej me mbërrimun. Kaqë, deri sod, e as gjâë tjetër zyrtare në Konferencën e Paqës për çâshtjen shqiptare, e cila mundet me u quejtun fare e paprekun, mbas si të gjitha çâshtjet qi bisedohen nëpër komisionet i kqyrë e i vêndos mâ në fund vetë Konferenca.
Nuk duhet të na pakojë shpresën kjo vonesë neve Shqiptarvet, por për kundras të na e shtojë. Anmiqt i kemi të tânë me njê organizim shekullor e ka mot e jetë qi punojnë për dâm t’onë sa me fjalë, sa me pêndë e sa edhe me të holla; këto mjete neve na kanë pasë munguem kryekëput deri dje e na janë të pamjaftueshme ndoshta edhe sod.
Ka njerëz në botën diplomatike qi, tue na vumun thikën në fyt ne Shqiptarvet, kujtojnë se janë tue shkadhitun nji ferrë, nji bimë t’egër qi i bân jezullí përparimit njerzor! Kështu u a kanë mbushun mênden agjentët e propagandistët e anmiqvet t’anë sa me fjalë aqë me libra të shkruem në gjuhnat mâ të këndueshmet të botës.
Kjo kohë pra qi do të kemi përpara deri sa Konferenca të marrë me zgidhun çâshtjen t’onë, mundet me na shërbyem për me ndriçuem mêndet e zêmrat e atyne qi janë të rrêjtun prej anmiqvet t’anë e kujtojnë se tue na bâmun keq neve janë tue i bâmun mirë njerzís; me i ndriçuem edhe mâ mirë se sa kemi mundun deri sod.
Por mbas si puna shkoi kaqë gjatë e mbas si nuk dihet edhe se deri kur do të zgjatet mbas këndej, e pamë të detyrëshme qi t’i a bâjmë të njohun popullit gjithë ç’kemi shkruem zyrtarisht deri sod me anën e Dërgatës s’onë në Paris. Do të gjêni pra, të dashun bashkatdhetarë, këtu në këtê libërth zyrtar, të tânë dokumentat qi Dërgata e jonë i ka paraqitun Konferencës së Paqës si edhe ndo nji qeverie të ndo njê Pushteti të Madh veçanërisht, deri më 5 të Qershorit qi kaloi. Janë përkthimet fjalë për fjalë të shkresavet zyrtare qi Dërgata ka paraqitun drejt për drejt nga ana e vet. Përveç këtyne i janë paraqitun Konferencës me ndërmjetsín e Dërgatës s’onë, edhe shkresa nga ana e përfaqsuesve qi Shqiptarët e përjashtëm kanë dërguem në Paris.
Sikurse do të merrni vesht prej këndimit të kujdesshëm të dokumentavet qi po ju paraqesim në këtê libërth, Dërgata Shqiptare e ka zbatuem pikë për pikë programën qi i ka qênë caktuem si prej Mbledhjes Kombtare ashtu edhe prej qeverís. Kjo programë âsht kreit e këthjelltë dhe e kuptueshme prej kujdo: Shqipnia e Shqiptarvet me kufîjt qi i ka falun Zoti deri ku flitet gjuha e âmbël e zogjvet të shqipes.
Duhet t’a dini, ju Shqiptarë, se anmiqt e atdheut e të kombit t’onë punojnë, si ç’kanë punuem gjithmonë, jo vetëm përjashta, por edhe mbrênda në vêndin t’onë, e sidomos përmbrênda, për me na qitun para botës, para atyne qi do të gjykojnë fatin t’onë, të damun e të përçamun, jo si njê komb qi meriton jetën e vet më vete, por si disa fise qi s’kanë pasun kurrë bashkim njêni me tjetrin, si njerëz t’egjër e të padisiplinë qi, po të lêhen më vete, kishin me ngrânë shoshoqin për së gjalli e kishin me turbulluem paqën e përgjithëshme. E për me mbërrimun në këtê qëllim të fshehtë e të mallkuem s’lânë çark pa ngrehun qi të bâhen sa mâ shumë vrasa e vjedhsina e ç’do sênd tjetër qi âsht kundra ligjës e njerzís e të gjitha këto i qesin mandej me shtesa të çuditëshme me të tâna gazetat e botës.
Shqiptarë, ju e dini fort mirë qi ku s’ka besë e qeverí të këqiat s’mêngojnë kurrë. Prandej pra anmiqt ju shtyjnë sa munden me prishun besën e me ju hekun ç’do besim prej qeverís s’uej, tue ju thânë se kjo po ju tradhton, po ju shet, s’po punon për Shqipní, por për atê a për këtê. Nga do qi të ju vijnë këto të shpifuna të poshtra, nga i jueji a nga i hueji, nga i afërmi a nga i largti, t’a dini se nji qëllim të vetëm kanë: me ju futun dyshimin e mosbesim në zêmrat, me ju bâmun qi të mos njihni qeverín t’uej por nji të huejën, cila do qoftë ajo; se vetëm kështu munden t’i thonë botës: “A e shihni? Shqiptarvet u pëlqen ja anarkia qi të munden me vumun në veprim naturën e egër të tyne, ja se njê qeverí e huej, tue qênë se në shoqishoqin s’kanë besim e nderim!”
Në të gjitha viset e botës, në kohna të vështira, populli i nep qeverís mâ të plotin besim e nderim, pa të cilat ajo s’ka se si të veprojë për me qitun në bregt barrën qi ka marrë për sipër; dhe në fund, në pastë ndonji dyshim prej saj, e thërret përpara gjygjit e po pati tradhtuem i dëften shtyllën trikâmbshme!
Qevería e Përkohëshme, për me qênë e zôja me luftuem kundra ç’do anmiku të Shqipnís e ç’do të hueji qi mundohet me hymun në mest të saj e të popullit shqiptar, ka nevojë të ketë besimin e ndihmën e gjithë këtij populli, të cilit, me anë të këtij libërthi, po i del para me dokumentat zyrtarë të derisodshëm, sikurse ka me i dalun, po sa të ketë marrë çâshtja e Shqipnís nji fund, me i dhânë hesapin e të tâna vepravet të saja e me i u shtruem gjygjit të tij me ball të hapun!
Mustafa Kruja

Marrë nga libri “Mustafa Kruja në historinë shqiptare”
“Shqipnia përpara Konferencës së Paqes”

Dosja e përndjekjes/ Kush e spiunonte Aleksandër Kondon? Intervista e ish-Sigurimit

U aksidentua apo e vranë në Nju Jork? Vdekja e legjendës se peshëngritjes shqiptare, Aleksandër Kondo, vijon të jetë e mbuluar me mister, edhe sot pas më shumë se 3 dekadash. Në vitin 1985, ai shfrytëzoi kampionatin Europian të peshëngritjes në Poloni për t’u arratisur në ish-Jugosllavi, e më pas në Amerikë.

 

Por, ndërsa familjarët përpiqen që të gjejnë të vërtetën, Top Channel zbulon për herë të parë dhe ekskluzivisht dosjen e përndjekjes së tij nga Sigurimi i shtetit, para dhe pas arratisjes së bujshme.

Gazetari Endi Tufa ka siguruar dosjen me mbi 100 faqe nga informatorë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit. Ajo është cilësuar si dosje e kategorisë më të lartë të shërbimit sekret, e klasifikuar si “2A”.

Në emisionin “Exclusive”, mbrëmjen e kësaj të diele patët mundësinë të mësoni anën e panjohur sesi spiunohej Aleksandër Kondo.

“Në qytetin e Titogradit, nga verifikimet e bisedat e bëra deri tani, në përgjithësi në ambiente, lokale tregtie, hotele dhe në stacionin hekurudhor të trenit për mallrat, del se ngjarja e ndodhur nuk është mësuar nga qytetarë dhe punëtorë jugosllavë. Më datën 2.6.1985 spedicioneri i “Jugospetit” në stacionin e trenit të mallrave, midis të tjerave tha: “Më datë 1.6.1985, vëllai im (oficer i UDB-së me punë në Titograd) më tregoi se ditë më parë në Titograd janë zhdukur dy sportistët shqiptarë që vinin nga Polonia. Ekzistojnë rrethana të tilla që Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi të jenë larguar nga grupi, duke realizuar kështu arratisjen e tyre gjatë kthimit për në Atdhe”.

Regjimi komunist e pati konsideruar sportin dhe edukimin fizik të shqiptarëve si një nga shtyllat, ku duhet të mbështeste fort ideologjinë dhe pushtetin e tij. Sportistët, duke qenë se kishin mundësinë për të udhëtuar jashtë vendit, ishin pikërisht ndër figurat më të ndjekura për kontrolle nga Sigurimi, policia sekrete komuniste e regjimit të Enver Hoxhës. Shumë prej tyre thurnin plane arratisje prej vendit ku jetonin. Pothuaj të gjithë, pa përjashtim, e ëndërronin, por pak prej tyre ia dilnin. Një ndër ata të paktët ishte edhe Aleksandër Kondo, djaloshi nga Tirana i rritur në një familje ushtarakësh. Ai e kishte të qartë fatin e tij.

Shumë shpejt Aleksandri kuptoi që regjimi i kohës nuk kishte asgjë të mirë, si për njerëzit e thjeshtë, ashtu edhe për sportistët e nivelit të tij, që as me trajtime ushqimore nuk përballoheshin. Por ç’thuhet nga informatorët në dokument për mënyrën e arratisjes?

“Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, ditën e arratisjes kanë shkuar me një taksi të Tirogradit në Berane të Ivangradit, ku njëri prej tyre ka njerëzit e tij. Meqenëse nuk kanë pasur parà për të paguar, taksisti i ka dorëzuar në UDB-në e Ivangradit. Tani të dy sportistët ndodhen në Beograd në hotel ‘1000 Ruzha’ dhe presin të shkojnë diku në Perëndim”.

Ky ishte vetëm fillimi i vuajtjeve për shefin e Shtabit të Gardës së Republikës, Vangjel Kondon. Ngjarja kishte pasoja që ai, më mirë se kushdo tjetër i dinte, thjesht priste momentin.

Aleksandër Kondo ishte subjekt përgjimi dhe vëzhgimi nga Sigurimi i shtetit që nga viti 1981, disa vite përpara arratisjes, megjithatë kjo nuk e pengoi që të fillonte punë në Policinë e Shtetit në vitin 1982. Por në një nga udhëtimet e tij jashtë, në Kampionatin Ballkanik në Rumani, solli dyshime të mëdha për shfaqet jokorrekte të kohës. Në raport thuhet se Aleksandri u tregonte shokëve dhe kolegëve të tij se kishte blerë disa veshje atje, duke theksuar se pavarësisht se nuk i kishin dalë paratë, ai i kishte plotësuar shpenzimet me 200 lei nga një sportist bullgar dhe nga një përkthyes shqiptar.

I pyetur për këtë çështje, peshëngritësi tjetër, shok i Aleksandër Kondos, Mirjan Hakani deklaron:

“Dietën e kishim të vogël për të marrë aq shumë gjëra dhe sesi i ka marrë Aleksandri nuk di gjë, por di vetëm një gjë, që shokët e Ambasadës na porositën të mos shoqëroheshim me përkthyesin, i cili e kishte emrin Ilia dhe s’ma merr mendja që Ilia t’i ketë dhënë parà atij”.

Intervista e ish-Sigurimit

Më datë 6.6.1985 së bashku me Ili Robjan, shkuam në orën 10:00, në zyrën e Komisariatit të Lartë të OKB për refugjatët ku u pritëm nga Zhivojin Bulat, shef i kësaj zyre, Slivije Kranjovic zëvendësshef, si tha vetë sepse nuk dha kartëvizitë. Të dy me shtetësi jugosllave. Bajram Haliti sic u prezantua, politolog i diplomuar, përkthyes dhe një grua punonjëse teknike jugosllave. Porsa filluam të këmbenim kartëvizitat me ta unë po i thoja shefit të zyrës për të biseduar me të, ata sollën qytetarët Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi.

Më falni, nuk ua jap dorën kot që u çuat në këmbë. Bile keni bërë gabim që keni ardhur këtu, sepse ne kemi ikur vetë dhe nuk na ka rrëmbyer njeri, siç doni ta paraqitni ju. Të ishte për neve nuk do të kishim ardhur, por çfarë t’u bëjmë këtyre që na thirrën”.

Ne i thamë uluni, ne e ndiejmë shqetësimin dhe nervozizmin tuaj, por na thoni si ju ndodhi, sepse është shqetësuar e gjithë familja, shoqëria, shteti ynë, gjithë kolektivi juaj i sportistëve, të cilët ju presin në gjirin e vet për të vazhduar jetën normale. Në këtë kohë Aleksandri tha “Nuk dua të bisedoj fare me juve. Nuk kemi punë me këta”.

Ne i ftuam me gjakftohtësi që të uleshin duke i vënë në dukje gjendjen jo të mirë shpirtërore, të cilën ne e kuptojmë shumë mirë dhe ajo nuk duhet të bëhet shkak për një sjellje të tillë. Pavarësisht nga rrethanat që u ka ndodhur dhe si ju ka ndodhur, do të ishte mirë që të na tregonit atë që ngjau me ju. Hë more Xhelal si ju ndodhi. Aty ndërhyri sërish Aleksandri, i cili tha lërë se u përgjigjem unë këyre:

Nëse doni të dini, unë jam djali i shefit të Shtabit të Gardës dhe për shkakun tim se mora dy revista në Spanjë, atë e ulën nga përgjegjësia. Megjithatë njerëzit e dinë se ne jetojmë mirë. Por ju duhet të dini se ne, për javë të tëra nuk kemi pasur bukë në shtëpi. Merreni me mënd si jetojnë të tjerët. Ju flisni kështu se jetoni jashtë dhe i keni ca plaçka. Nuk e din si jeton populli në Shqipëri, të cilin e ka çuar regjimi i Enver Hoxhës në këtë gjendje. Unë e realizova qëllimin tim. Do të iki në fund të botës dhe do të jem kundërshtar deri në fund i atij vendi”.

Aleksandri më pas tha se unë dhe shoku im nuk do të përgjigjen e nuk do të japin asnjë hollësi.

Ne e dimë se çfarë na gjen po të kthehemim, por edhe po të jetë kështu si thoni ju, ne nuk e duam atë jetë. A e di ti që unë nuk përgjigjem fare dhe do më lësh rehat tani, apo të veproj ndryshe e të të qëlloj me filxhan”.

Ne i thamë se në këtë gjendje që jeni edhe këtë gjë mund ta bëni dhe ne nuk do të kundërpërgjigjemi, sepse e kuptojmë gjendjen tuaj, pavarësisht se jem këtu si përfaqësues shteti. Ne nuk jemi marrë me persona të tjerë, e jo më me ju që nuk ju bëjmë fajtor. Këtu ndërhyri shefi i zyrës i cili thotë “Këtu jam unë dhe për mua ligj është fjala juaj”, tha ai duke ju drejtuar shtetasve tanë dhe duke ja përsëritur disa herë këtë fjali.

Më pas na u kthye neve: “Ju e shikoni se këta nuk duan të bisedojnë me ju. Një njeri i ndërgjegjshëm për aktin që kryen, nuk ka pse të mos thotë ndodhinë si ka rrjedhur, ju e kuptoni fare mirë këtë”. Më pas shefi i zënë ngushtë shtoi se “ne jemi organ humanitar i OKB-së”.

Mbërritja në Amerikë është një nga diskutimet më të mëdha që edhe vet informatorët e Sigurimit të Shtetit hasin në kontradikta të shumta. Gjithsesi, fillimi i vitit ’86 sjell edhe sinjalet e para të Aleksandër Kondos në Shtetet e Bashkuara. Tentativat e tij për të komunikuar me familjarët dhe miqtë nga Shqipëria rezultuan nul, Sigurimi i shtetit filtronte çdo gjë.

Më datë 10.3.1986 i arratisuri Aleksandër Kondo dërgon një kartolinë me monumentin e “Lirisë” në SHBA, të cilën e ndalëm dhe është informuar udhëheqja e Ministrisë, ku është dhënë urdhër nga shoku Ministër që lidhjet e këtij të arratisuri të verifikohen shpejt dhe me kujdes”.

Burimet të ndryshme në Amerikë hedhin hije dyshimi për kohën e gjatë të qëndrimit të Aleksandër Kondos dhe Xhelal Sukniqit në Jugosllavi. Në një nga informacionet që vinte nga Nju Jorku, informatori thekson:

Të dy kanë nënshkruar deklaratë bashkëpunimi me UDB-në. Në kohën që janë nisur për këtu ku jemi ne, ata janë porositur që të paraqiten në Konsullatën Jugosllave. Në prani të 7 personave Aleksandri ka thënë se ai vetë ka qenë dy herë në konsulltatën jugosllave dhe prej tyre në të dyja rastet ka marrë të holla”.

Në raportin e datës 2.4.1986, vet informatori thekson bashkëpunimin si dëshmitar të Kondos dhe Sukniqit me UDB për dy vëllezërit e arratisur nga Tropoja. Njëri prej të cilëve ndodhet në burg, ndërsa tjetri ende jo. Ata u akuzuan nga jugosllavët se janë dërguar nga Sigurimi i shtetit shqiptar për eliminimin e Aleksandër Kondos dhe Xhelal Sukniqit.

Sipas tij (Aleksandër Kondos) për 7-8 vite do të ndryshojë sistemi në Shqipëri, sepse në pushtet do të vijnë të rinj liberalë. Këtë gjë mund ta bënte edhe udhëheqësi i ri (Ramiz Alia), por nuk e la gruaja e udhëheqësit që vdiq (Nexhmija) e cila ka të gjithë pushtetin në dorë. Por më të këqinj janë ata të Sigurimit, që nuk lenë njeri pa kontrolluar. Ka dëshirë të stabilizohet këtu dhe të gjejë punë në ndërtim, pasi është i fortë fizikisht dhe mund të fitojë parà. I vjen keq që humbi sportin. Kondo është shumë i shqetësuar për jetesën e vështirë këtu, por nuk shpreh asnjë pendesë për arratisjen. I vjen keq për familjen që i bëri dëm, por kjo punë mbaroi tani”.

Megjithatë, në raportet e shumta të informatorëve të ndryshëm të Sigurimit të shtetit theksohet gjithnjë e më tepër pakënaqësia e gjendjes së Aleksandër Kondos, i cili ishte vendosur të jetonte në Harlem të Nju Jorkut dhe punonte si roje në një lokal seksi, gjë që i sillte pak të ardhura. Ndërkohë që veprimet e tij dhe shprehjet hapur kundër regjimit gjithnjë e më tepër po rrisnin presionin e Sigurimit. Në një plan të ri të masave në fund të vitit 1986, për 6-mujorin e vitit pasardhës 1987, vit ku edhe peshëngritësi shqiptar humbi jetën, u hartua një plan i ri agresiv masash. Mes të tjerave detyrat ishin të qarta:

Sipas burimit ‘6402’, Fuat Myftia e Rasim Sina, janë shprehur se Aleksandër Kondo nuk ka pranuar të flasë për radion e Legalitetit, nga frika se mos u ndodh gjë njerëzve që ka këtu. Të shfrytëzohet kjo me qëllim, që nëpërmjet lidhjeve familjare, që Aleksandër Kondo ka këtu, pasi të studiohen, të shikohet mundësia e bërjes një letër presioni prej tyre. Të studiohen kushtet dhe mundësitë, për të shfrytëzuar ndonjë rast të përshtatshëm që ti bëhet një telefonatë anonime për ta frikësuar. Nisur nga të dhënat që bëjnë fjalë për shprehje pakënaqësie nga ana e A. Kondos dhe Xhelal Sukniqit për gjendjen e keqe të jetesës dhe papunësinë, duhet të shfrytëzohet. Agjentura jonë që ka lidhje kontakti me këta të arratisur, të punojë për t’i shtuar dhe thelluar këto pakënaqësi. Mbi këtë bazë, duke shfrytëzuar të dhëna të tjera mbi veset negative dhe pikat e dobëta që dimë për ta, të përpunohet një letër anonime”.

Në raportin e datës 4 prill të viti 1987 thuhet se Aleksandër Kondo është aksidentuar nga një person anonim në datën 20 mars, duke i shpëtuar mrekullisht vdekjes. Sipas vet peshëngritësit shqiptar, siç raporton punonjësi i Sigurimit të shtetit me kodin ‘6110’, aksidenti ishte i rëndë, theu tre brinjë dhe pati një frakturë në qafë, por në spital qëndroi vetëm 3 ditë.

Ai shprehu për herë të parë dyshimet se dikush po kërkonte ta vriste. Në autostradë një person i paidentifikuar ndaloi makinën përpara tij dhe më pas i dha me shpejtësi, por duke qenë se ka rënë pa ndjenja në tokë nuk ka mundur të japë informacione sesi ka qenë ky person”.

Rreth një muaj më pas, më 2 maj të vitit 1987, Aleksandër Kondo humb jetën. Buletinët informativë në Shtetet e Bashkuara njoftojnë që në moshën 27-vjeçare, peshëngritësi shqiptar humbi jetën në një aksident automobilistik.

Në raportin e datës 15 maj të vitit 1987 shkruhet se kanë qenë dy persona, të cilët e kanë marrë, lëvizur nga padija Aleksandrin, duke e nxjerrë nga makina dhe duke e transportuar në një spital shumë larg, duke i shkaktuar kështu hemorragjinë që i solli humbjen e jetës.

Top Channel

Kur Italia fashiste urdhëroi refugjatët hebrej, të pranuar nga mbreti Zog, të largoheshin nga Shqipëria

Ahmet Zogu – Mbreti i shqiptarëve

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 17 Mars 2019

 

Gazeta “Paix et Droit”, organ i Aleancës Universale Izraelite, ka botuar, në qershor të 1939, në faqen n°12, një shkrim mbi fatin e refugjatëve hebrej në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Të gjithë refugjatët hebrej do të duhet të largohen nga Shqipëria

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Autoritetet italiane kanë urdhëruar refugjatët hebrenj që banojnë në Shqipëri që të largohen nga vendi deri më 7 qershor.

 

Në Shqipëri, mes njëqind dhe dyqind refugjatë u pranuan në këtë vend nga Mbreti Zog I. Deri tani, ata gëzonin lirinë më të plotë dhe kishin marrëdhëniet më të mira me popullsinë shqiptare.

 

Paris-Midi (1919) – Shqiptarët ortodoksë të Amerikës kundër pretendimeve të atyre të Epirit të Veriut dhe të Jugut

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Mars 2019

 

“Paris-Midi” ka botuar, të dielën e 9 marsit 1919, në ballinë, një shkrim në lidhje me kërkesën e shqiptarëve të Amerikës drejtuar asokohe delegatëve të Shtetit të Pavarur Shqiptar në Konferencën e Paqes, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

 

Shqiptarët e Amerikës

 

Shqiptarët ortodoksë të kolonisë së Amerikës (Southbridge dhe Centralfalls), më origjinë nga Korça, Përmeti, Kolonja, Gjirokastra, Leskoviku, Delvina dhe Çamëria, sapo u kanë dërguar delegatëve të Shtetit të Pavarur Shqiptar në Konferencën e Paqes një telegram për të protestuar kundër pretendimeve që përfaqësojnë shqiptarët ortodoksë të Epirit të Veriut dhe të Jugut, të cilët kërkojnë aneksimin e tyre në Greqi.

 

Përkundrazi, dëshira e të gjithë shqiptarëve ortodoksë, refugjatë në Amerikë, është të jenë pjesë e një shteti të pavarur shqiptar. – (Radio.)

 

Gruaja e ish-ministrit Gjiknuri rrëfen takimin me Guru-në: Gjeta dashurinë që flinte, përkulja vjen nga brenda dhe …

Rovena Agolli, bashkëshortja e ish-ministrit Damian Gjiknuri, tregon eksperiencën e saj gjatë takimit të gurusë së saj, Paramahamsa Vishwandanda.

 

Zonja Agolli ishte e ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, ku rrëfeu se përmes Bahtimargës, një prej praktikave të jogës që praktikon guruja indian, Paramahamsa Vishëandanda, ka gjetur dashurinë që flinte brenda shpirtit të saj.

Rovena, ju jeni një prej ndjekëseve të gurusë Paramahamsa Vishwandanda. Pastor Pano thotë se është mallkim të besosh te njeriu. Për ju, a është mallkim të besosh një person të vdekshëm?

Nuk më takon mua të komentoj ideologjitë, që vijnë nga filozofi të tjera fetare.

Cila është filozofia që ju ndiqni?

Unë jam shumë e re në këtë takim me hyjnoren, dua të them se unë nuk vij nga ndonjë background fetar apo se jemi rritur ne Shqipëri me filozofi fetare. Thellë-thellë, shpirti im është lutur dhe kam besuar gjithmonë te një forcë supreme, krijuese sepse e kam ditur se ne nuk vetëkrijohemi. Nisur nga kjo, kam pasur gjithmonë shpresën se unë diku, dikur, në mos ketë jetë në një jetë tjetër, ashtu sikundër shumë hinduistë, sikurse do të vetëpërcaktohen disi në atë krah, besojmë në rimishërimet. D.m.th në shpirtin e pazhbëshëm, si pjesë e pandashme e Zotit. Pjesëza të Zotit jemi të gjithë ne. Unë kam besuar dhe besoj në pafundësinë tonë. Në lidhje me gurunë, nuk është se unë po kërkoja një guru.

Guruja shfaqet kur dishepulli është gati, çfarë do të thotë?

Këtë e ka thënë Buda dhe më ka pëlqyer sepse më është dukur si abstrakte të them të drejtën, sepse janë gjëra që me aq sa dimë, nuk i kuptojmë dot dhe nuk u japim dot një shpjegim. Duke qenë se të gjithë historitë dhe librat që kam lexuar vinin ngjarje që kanë ndodhur në Indi dhe mendoja se kjo është një gjë që mund t’u ndodhë indianëve, ose duhet të lindësh atje që të kesh një eksperiencë të tillë.

Emocionalisht, çfarë raporti krijohet me gurunë?

Eksperiencat janë të jashtëzakonshme dhe unë i kam parë të ndodhin që ditën e parë që jam takuar me të. Nuk e dija që po kërkoja një guru, unë po kërkoja të ikja në Indi, sepse më tërhiqte shumë dija që vinte prej andej dhe doja të zbuloja dhe të eksperiencoja vetë praktikat spirituale, siç janë meditimi, kur prej vitesh praktikoja një metodë tjetër meditimi, ndryshe nga ajo që bëj tani. Ndërkohë që mendoja të ikja në Indi, unë mesa duket isha gati. Një mësues vjen nga Gjermania, i cili është nxënës i Paramahamsa Vishwandandës dhe mban në Tiranë një leksion të Takmakrija Joga, e cila është një nga teknikat më të vjetra të meditimit. Kur ai nisi të më tregojë historinë e tij, se si e kishte takuar masterin e tij, adhurimi që unë pashë në sytë e tij për gurunë e tij, ishte si ai që unë kisha lexuar nëpër libra.

Pra, kemi adhurim për njeriun dhe jo për shenjtin. Ka perceptime të ndryshme…

Perceptimi në fakt, duhet të vijë në bazë të një eksperience. Në rast se ti nuk ke eksperiencuar një gjë, nuk mundesh ta shpjegosh.

Kur e takuat vetë, çfarë ndodhi?

Në shkuam në Gjermani që ta takojmë mjeshtrin e madh në një nga darshanet, si ai që u mbajt në Tiranë. Kur e takuam, ne ishim të gjithë në lot dhe pamë aty vetë dashurinë. Unë e ndjeva atë, është një ndjesi që sado të mundohem ta artikuloj, është e pamundur, e palogjikshme se si ti të shikosh një njeri, apo që duket si njeri, dhe të mbytesh në lot.

Gjatë mbërritjes në Rinas ju i përuleni në gjunjë, përse?! Është adhurim për të apo është ritual?

Përkulja edhe mua më ka bërë përshtypje ditën e parë në Ashramin ku ai jeton dhe që është qendër spirituale e ku vijnë qindra e mijëra njerëz nga e gjithë bota, edhe unë nuk u përkula, as ditën e parë dhe as ditën e dytë. Atëherë më dukej përulëse, ajo që i duket të gjithë njerëzve kur shohin këto pamje. Përkulja nuk vjen dot nga mendja, ajo vjen nga brenda, nga shpirti. Përkulja vjen nga brenda dhe nuk të gënjen. Nëse ajo tregon në mënyrë simbolike një lloj dorëzimi, është vlerësim për një qenie superiore. Kjo gjë nuk dëmton askënd. Mua më çudit fakti që diskutohet aq shumë, por njerëzit këtu edhe kur luten përkulen në të gjitha fetë. Nëse e ndien atë që i përkulesh si shenjtor, këtu nuk ka asgjë të keqe. Është shumë personale.

Por kur faleni apo luteni i faleni Zotit, ndërsa ju i faleni një njeriu..

Në hinduizëm, guruja është Zoti, sepse është i dërguari i Zotit. Unë tani kam kuptuar të gjitha gjërat që nuk kuptoja më parë në lidhje me fenë dhe me Zotin. Njerëzit historikisht kanë limituar Zotin në një formë të paformë dhe harrojnë se ne të gjithë jemi, gjithçka ekziston, vjen prej tij. Dhe një inteligjencë superiore, nga e cila është krijuar gjithçka, pse qenka e limituar të paraqitet…

Çfarë e bën këtë njeri qenie superiore në përballje me njerëz të zakonshëm si ju e unë?

Ai ka lindur i tillë. Nuk ka lindur pa baba si Krishti, por ka shumë gjëra që e bëjnë superior, këtë e tregon e gjithë historia e tij.

A po shtohen ndjekësit e Paramahamsa Vishwandandës në Shqipëri?

Gjithnjë e më shumë. Ne kemi krijuar një qendër në Tiranë, bijë e lëvizjes Bahtimarga, që guruja zhvillon prej 15 vitesh në botë dhe praktikon disa teknika të jogës. Ne jemi aty për të ndarë këtë dashuri dhe këtë filozofi me njerëzit, vijnë të rinj, shumë vijnë me ne në Gjermani.

Çfarë ka ndodhur me ju pas kësaj eksperience?

Unë po zbuloj veten, sepse ne nuk e njohim veten tonë, nuk njohim atë pjesë hyjnore tonën që bëhet e mundur vetëm përmes dashurisë, vetëm nëse dashuria zgjohet, sepse ajo është e fjetur brenda nesh. Ne mendojmë se duam, por në fakt ne nuk duam.

Guruja që ju ndiqni thotë se mund të ndryshojmë të ardhmen me forcën e mendjes?

Unë jam dakord se mendimi strukturon edhe fizikisht trurin. Natyrisht që forca e mendimit krijon. Ne jemi një miniaturë e Zotit dhe mbartim cilësi të tij sepse ai na ka krijuar.

GURUJA VISHWANDANDA: PREDIKOJ UDHËN E PËRKUSHTIMIT NGA MENDJA TE ZEMRA

I intervistuar nga Blendi Fevziu, guruja Paramahamsa Vishwandanda tregon se në filozofinë e predikimit të tij, është përkushtimi nga mendja te zemra. “Çështja nuk është nëse njerëzit duhet të besojnë tek unë ose jo. Është diçka personale. Në Indi ne besojmë se guruja shfaqet kur dishepulli është gati. Para këtij çasti ai nuk shfaqet. Edhe Jezusi u shfaq kur ishte koha e duhur. Të jesh gati do të thotë…ka mjaft njerëz që lexojnë libra spiritualë, por nuk janë gati të pranojnë. Kur dikush është gati, kuptohet nga gatishmëria brenda tyre. Bahtimarga, Bahti do të thotë përkushtim, Marga do të thotë udhë. Pra, Bahtimarga është udha e përkushtimit, nga mendja te zemra. Ne flasim për zemra të hapura, që do të thotë mendje të hapura, një mendje që nuk paragjykon dhe as kritikon. Çdo njeri mund të ndryshojë të ardhmen e tij nëpërmjet mendjes. Çdo veprim është funksion i mendjes”, u shpreh Paramahamsa Vishwandanda.

Fillesat e pasqyrimit të gruas shqiptare në kulturën europiane në shekullin XIX – Nga Dr. Dorian Koçi

Fillimi i shekullit të XIX përkon me fundin e shekullit të Arsyes dhe fillimin e Romantizmit në Europë. Përmirësimi i kushteve teknologjike bëri të mundur dhe përhapjen e dukurisë së udhëtimit dhe kontaktit me kulturat e reja. Një nga vendet që sipas Edward Gibbonit, autorit të librit historik me 10 vëllime “Rënia dhe tkurrja e Perandorisë Romake” (1776) ishte një vend që mund të shihet nga brigjet e Italisë, dhe njihet më pak sesa brendësitë e Amerikës” (Shënimet e Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 204 , përkthyer nga Skënder Luarasi), ishte Shqipëria. Në vitin 1809, siparin e udhëtimeve në Shqipëri dhe rizbulimin e saj në Europë e hapin Lord Byron dhe Hobhouse që vizitojnë Ali Pashë Tepelenën në vendlindjen e tij në Tepelenë.

Udhëtari dhe poeti i njohur romantik G.G. Byron (1788-1824) përshtypjet dhe eksperiencat e veta nga udhëtimi i tij në Lindjen e Afërt ku përfshihej dhe Shqipëria e asaj kohe i përjetësoi përgjithmonë në veprën e vet poetike “The Pilgrimage of Child Harold” (1812), vepër e cila e bëri atë të famshëm jo vetëm në rrethet letrare të Londrës por dhe në letërsinë botërore. Ndërmjet referencave dhe përshkrimeve të jetës shqiptare, poeti i madh romantik anglez përshkruan dhe gratë shqiptare.

Ky është nga imazhet dhe përshkrimet e para të gruas shqiptare që përcillet në kulturën europiane. Gruaja shqiptare në atë kohë jetonte në një shoqëri tipike patriakale siç ishte shoqëria e Perandorisë Osmane, ku nuk kishte shumë dallim mes grave të mileteve që përbënin shoqërinë e Perandorisë Osmane. Mes gjithë epiteteve lavdërues për bukurinë e tyre, gjë për të cilën bien dakord pothuajse gjithë udhëtarët e huaj të shekullit të XIX, të bie në sy një përshkrim që ai i bën tërthorazi statusit social të tyre ku i përshkruan si “tamed in their cave”- në kafaz mësuar, një figuracion që vështirë ti përshtatet natyrës së butë femërore. Në pak rreshta Bajroni rrëfen statusin social të gruas shqiptare që s’del dot vetëm pa shoqëri dhe pothuajse gjithmonë e mbuluar. Në të njëjtën kohë ai gdhend dhe tiparin e besnikërisë dhe përkushtimin ndaj fëmijëve dhe familjes.

Në këtë vend s’i ndihet zëri gruas:

E mbyllur, s’del dot pa çarçaf e rojë,

Mësuar në kafaz, as do të dalë;

Njëjt vetëm ia jep trupin dhe zemrën,

Atij q’e ka pranuar zot e burrë;

E lumtur në detyrë amtare t’ëmbël

— Në më të shenjtën përmbi gjithë ndjenjat

— Me gjin’ e saj e rrit fëmin’ e saj,

E nuk e lë t’u bindet epsheve më t’ulta.

(Bajron. Çajld Harold. Tiranë: 1973, përkthyer nga Skënder Luarasi)

Në të njëjtën kohë kemi dhe përshtypjet e Konsullit francez në Janinë (1806-1814) Francois Pouqeuville, për femrat shqiptare. Francois Pouqeuville  kishte studiuar për teologji, por shpërthimi i Revolucionit Francez e bën që të ndërpresë studimet në seminar dhe të vazhdojë studimet në mjekësi. Ai ishte pjesëtar i ekspeditës shkencore franceze në Egjipt dhe i tërhoqën vëmendjen profesionet e tjera si gjeologji, etnografi, etnopsikologji, histori të disa popujve të Ballkanit, veçmas të grekëve dhe të Greqisë. Pouqeuville për afër nëntë vjet qëndron pranë Ali Pashë Tepelenës në Janinë (mars 1806-shkurt 1815), si konsull i përgjithshëm frëng, kohë në të cilën shkruan dhe veprën e tij të madhe “Udhëtime në More, Shqipëri dhe Perandorinë Otomane”. Përveçse shënimeve historike, diplomatike e kulturore ai ka lënë dhe disa përshkrime rreth femrës shqiptare, të cilat i shikon si amazona moderne. Përshkrimi i tij sa i përgjigjet realitetit po aq ka dhe ngjyrime orientalizmi. Në kundërshtim me Bajronin, Pouqeuville nënvizon faktin se ato nuk mbulohen dhe i gdhend me penën e vet si hyjnesha të bukurisë dhe gjuetisë.

“Armëmbajtëse tek Skipëtarët e Drinit, vështrimi i tyre krenar, ecja kryelartë tregojnë se ato janë bashkëshortet dhe nënat e atyre burrave kalitur në sfilitje, mësuar me rreziqet, që po aq sa nuk njohin kënaqësitë e jetës, po aq shpërfillin edhe vetë vdekjen si të mos ishte gjë. Kur shtegtojnë, me brezin gjithë pisqolla, shoqëruar nga qen të tmerrshëm që i nënshtrohen zërit të tyre, i merr për Dianë a për shoqet e veta…I sheh në luftëra kur vatra atërore kërcënohet, amazona të reja tek zënë vend në radhët e luftëtarëve dhe tek i cysin këta për të bërë kërdinë. Të krishtera apo muhamedane, asnjë prej tyre nuk mban perçen e sajuar nga xhelozia orientale; të bukura, gjithë ndrojë e dëlirësi, veç i kushtohen një familje të shumtë…” (Fotaq Andrea. Pena të arta franceze për shqiptarët.(1332-2007). GentPrint, Tiranë:2009).

Gjithsesi të dy autorët nënvizojnë faktin e besnikërisë ndaj familjes, klanit dhe fisit të vet. Në vitin 1803 gjatë rrethimit të Sulit kish ndodhur një ngjarje tragjike që frymëzoi dhe piktorët e mëvonshëm europianë pasi lexuan librin e Pouqeuville, “Udhëtime në More, Shqipëri dhe Perandorinë Otomane” dhe Historinë e Sulit. Në datën 25 dhjetor 1803, malësorët trima të Sulit nënshkruan aktin e kapitullimit para Veli pashës, i cili pranoi kushtin që ata të largoheshin jashtë kufijve të pashallëkut. Në këtë pikë të marrëveshjes nisi dhe një nga keqkuptimet më të mëdha, midis Ali Pashës dhe suliotëve, pasi ky dëshironte që ata të vendoseshin brenda kufijve të pashallëkut, pasi e dinte që nëse do të largoheshin, suliotët do të ishin kundërshtarë të përjetshëm të tij. Ali Pasha premtoi se do t’u krijonte kushte jetese, pune dhe shërbimi, ndërsa suliotët nuk pranuan të ktheheshin dhe filluan luftimet me repartet e Vezirit. Në këto luftime ndodhi dhe heroizmi grave të Sulit, të cilat sakrifikuan veten e tyre së bashku me gjithë fëmijë duke u hedhur në rrëpirën e shkëmbit të Zalongut. Një dëshmi konkrete e valles së Zalongut iu përshkrua Ibrahim Mansur Efendiut, autorit të “Kujtimeve nga oborri i Ali Pashës”(1828),  nga një oficer i ushtrisë së Ali Pashë Tepelenës i quajtur Sulejman Aga. Ai ishte dëshmitar në ngjarjen e dhimbshme që ndodhi në shkëmbinjtë e Zalongut, në Sul të Çamërisë. Sipas kësaj dëshmie, gratë të mbajtura për dore filluan një valle, e cila ishte e udhëhequr nga një heroizëm i pazakontë, me një frikë nga vdekja dhe duke përforcuar ritmin. Në fund, të lodhura gratë lëshonin një klithmë rrëqethëse që nga shkëmbi në të cilën binin së bashku me fëmijët e tyre.

Gratë e Sulit ishin nga të parat gra shqiptare që u bënë subjekt i tablove të romantizmit europian për fatin tragjik të tyre. Në vitin 1820 piktori Claude Pinet, realizoi tablonë “Vallja e Zalongut”. Po kështu  piktori romantik Ary Scheffer pikturoi tablonë “Femrat Suliote” (1828). Akti tragjik i femrave suliote është regjistruar dhe në memorien kolektive përmes folklorit.

 

Lamtumirë, o Sul, i shkretë,

se po ndahemi per jetë.

Lamtumirë, o Sul i shkretë,

se na do t’ikim për jetë.

 

Ne po vdesim për liri,

se nuk duam skllavëri.

Lamtumirë, ju male e fusha,

na e punoi Pilo Gusha,

I pabesi faqezi,

s’pati turp, as perëndi.

 

Lamtumirë, o fusha e male,

ne vdesim pa frikë fare.

Jemi bila shqipëtare,

vdesim duke hedhur valle.

Lamtumirë, o Sul i shkretë,

lamtumir’ për gjithë jetë.

(Mero Rrapaj, Fatos (1983). Këngë popullore nga Çamëria]. Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore. fq. 451).

 

Që nga ky moment fillon pasqyrimi i femrave shqiptare në artin botëror. Një moment interesant është romanca “La jeune albanaise” apo “Vasha shqiptare”, e shkruar më 1833, me muzikë të Theodore Labarre, kompozitor i njohur francez, konsideruar si virtuoz i harpës, që ka kompozuar opera, balete e mori romancash, si dhe është dekoruar Kalorës i Legjionit të Nderit të Francës më 1862. Teksti i këngës është shkruar nga shkrimtari dhe poeti Ambroise Bétourné, nga Kaeni i Normandisë. Ky poet ka shkruar romanca franceze nga më populloret, që janë përcjellë gojë më gojë për vite të tëra, janë kënduar nëpër festa, ballo e gëzime kolektive, si për shembull romancat “Festa e Madonës”, “Kujtime nga vendlindja”, “Vasha syzezë”, “Zezakja e shkretë”, etj.

 

“Shqiptarka”

 

A do të bëhesh mikja ime

Moj Shqiptarka këmbëlehtë?

Eja pra në mal me mua,

Mes rrezikut në më do.

 

Jo, skllave s’ke pse shko (n)

Për harem të sulltanit,

Më mirë shoqe me një trim,

Ditë lirie do na vinë.

 

Eja pra, mikja ime,

Moj Shqiptarka këmbëlehtë,

Eja pra, në mal me mua,

Mes rrezikut në më do.

 

Besim të kesh tek unë,

Veç ty të dua shumë.

Me të gjithë jam gati të luftoj,

Veç eja, eja mikja ime moj!

 

Lamtumirë kodra, brigje,

E ti qiell përherë qeshur,

Aty në mal të rreptë,

Liria është strehur.

 

A do të bëhesh mikja ime ….

 

Arranxhimi:

 

Lumturinë më në fund gjeta,

Për të, vuajta aq shumë!

Dashuri në shpirt unë kisha,

Por prapë e lumtur s’isha.

 

Një buzëqeshje e tim trimi,

Sa e ëmbël pamja e tij,

Kur e putha krejt u qesh,

Shpirt’i tij, vetëtimë mes resh!

(Fotaq Andrea: Romancë franceze e vitit 1833: Moj Shqiptarka këmbëlehtë)

Imazhi i dhënë në këtë romancë i përket tërësisht arketipit romantik të kulturës europiane të ushqyer nga kultura ballkanike e hajdukut/hajdutit të rebeluar dhe vashës së robëruar. Fakti që i kushtohet një vashe shqiptare dëshmon se autori ka qenë në kontakt me elementë të ndryshëm rrëfimtarë të kulturës shqiptare.

Si një simbol i bukurisë fizike së vajzës shqiptare mbahet tabloja “Vajzë e re shqiptare e veshur me kostum popullor duke mbledhur rrush” nga Johann Frankenberger (1846).Johann Frankenberger (1807-1874) ishte një piktor vjenez që realizoi shumë tablo , portrete të aristokracisë vjeneze dhe gjermane dhe të zyrtarëve të lartë nga Lindja e Afërt që shërbenin pranë oborrit perandorak të Vjenës. Ka të ngjarë që vajza shqiptare të jetë e bija e një prej këtyre dinjitarëve apo ushtarakëve të lartë që shërbenin në ushtrinë austriake. Johann Frankenberger nuk e vizitoi kurrë Shqipërinë dhe tabloja duket se është realizuar mbi përvojat emocionale të piktorit diku në zotërimet austriake të banuara dhe nga shqiptarë. Ambienti i tablosë është dritarja e një pallati të hijshëm ku shquan dhe elementi gjeorgjik nëpërmjet bistakëve të rrushit që mbledh, por mbi të gjitha një përshkrim i veshjes tradicionale ku shquan jeleku i femrave i dekoruar me fije ari. Më vonë jeleku i femrave shqiptare do paraqitet pothuajse në të gjitha tablotë ku paraqiten femra shqiptare. Një jelek i tillë ndodhet në koleksionin Durham në Bankfield Museum në Halifax, pjesë e koleksionit që dhuroi udhëtarja e njohur britanike Edith Durham. Jeleku pa mëngë dhe i qëndisur me ar ishte një veshje e aristokracisë së lartë shqiptare dhe dëshmon për një nivel mirëqenie të shtresave shoqërore që e vishnin. Në të bie në sy sasia e madhe e arit e përdorur për të realizuar ornamentet e ndryshme.

Një nga trajtimet më të plota të femrës shqiptare në letërsi është poema “Serafina Topia” (1839) e ribotuar më e plotë me titull “Një pasqyrë e jetës njerëzore” (1897) nga Jeronim De Rada. Ajo meriton një vëmendje të veçantë pasi edhe pse De Rada i përket komunitetit arbëresh është krijuar në Itali dhe për rrjedhojë është një këndvështrim europian mbi femrën shqiptare. Ky trajtim është i rëndësishëm pasi vjen si një jehonë e kujtesës kolektive të shqiptarëve të përshtatur në ambientin europian të mbretërisë së Napolit. Heroina kryesore e veprës, Serafina Topia përkundet mes ndjenjës dhe sakrifikimit për familjen e atdheun, një temë tipike e romantizmit arbëresh që rrezatoi më vonë dhe në letërsinë shqipe. Serafina Topia mishëron idealin e gruas shqiptare dhe njëkohësisht idealin e njeriut të zhvilluar në mënyrë të gjithanshme. Serafina Topia edhe pse një personazh i krijuar nga De Rada është gdhendur sipas tipareve kulturore e fizike të bashkësisë arbëreshe duke u shndërruar në një simbol të gruas arbëreshe.

Ndërsa si një simbol i gjenialitetit intelektual mes grave shqiptare mbahet Elena Gjika alias Dora D’Istria, një nga katër gratë më të rëndësishme të Europës në shekullin e XIX. Dora D’istria lindi  në Bukuresht më 22 janar 1828 dhe ishte kozmopolite ne formimin e saj kulturor duke njohur shumë mirë kulturën franceze, italiane dhe greke. Origjina e familjes së saj siç e pohon vet Dora D’Istria është shqiptare. Në librin e vet “Shqiptarët në Rumani. Historia e princërve Gjikaj në shekujt XVII,XVIII,XIX”, ajo shkruan se  Del Chiaro, shkrimtar, nga ana tjetër është i pasaktë kur pretendonte se Gjikajt janë grekë, por në kundërt ata jashtë çdo dyshimi janë shqiptarë dhe emërtimi Moldav  iu dha Gjergjit , në njoftim të Venedikut është për t’iu aplikuar për funksionet që ai ushtronte. (Dora D’Istria.Shqiptarët në Rumani. Historia e princërve Gjikaj në shekujt XVII,XVIII,XIX.Tiranë, 2015. Shtëpia Botuese Kadeli ). Mësimet e para i mori në Konstancë e më pas në Bukuresht, kurse studimet e larta i filloi në Vjenë e pastaj i vazhdoi në Dresden e në Berlin. Në shkurt të vitit 1849, Elena u kthye në Bukuresht. Ajo ishte pajisur me një kulturë të gjerë; njihte mirë frëngjishten, italishten, gjermanishten anglishten, rusishten, greqishten, shqipen(për këtë të fundit ka një debat të hapur) e  sidomos rumanishten , gjuhën e saj të nënës nëpërmjet të cilave zgjeroi horizontin e diturisë dhe dha mendime me vlerë në shumë studime e vepra letrare. E pajisur me këtë kulturë të gjerë , ajo debuton për herë  të parë në 1855 në frëngjisht La vie monastique dans l’Église orientale. Nga veprat e saj mund të përmendim: “La nationalite Albanaise d’apres les Chants populaires-Les Albanais des deux Cotes de l’Adriatique” (1866) “Kombësia shqiptare, sipas këngëve popullore, Shqiptarët e dy brigjeve të Adriatikut”, “Les ecrivains Albanais de d’Italia meridionalë” (1867) “Shkrimtarët shqiptarë të Italisë së Jugut”, “Excuisses albanaises” (1869) “Vizatime shqiptare”, “Gli Albanesi in Romania” (1873) “Shqiptarët në Rumani” etj. Ajo ka bashkëpunuar me organe të rëndësishme të kohës si: “Revue de Deux-Mondes”, “Independence hellenique”, “Nuova Antologia” etj.

Mes gjithë veprave të shumta të saj shquan trajtimi shkencor “Les femmes par une femme”. Në këtë vepër ajo ka paraqitur në mënyrë të thellë e shkencore historinë e marrëdhënieve që kanë përcaktuar vendin e femrës në shoqëritë njerëzore. E pajisur me një kulturë të jashtëzakonshme ajo tregon se çdo shoqëri matet me vendin që i ka rezervuar femrës. Ajo analizon me detaje rolin e femrës në shoqëritë europiane dhe progresin e arritur të tyre ia dedikon dhe emancipimit të gruas. Kështu p.sh  duke folur për fiset gjermanike ajo tregon se edhe në këta fise gruaja ishte një pronë për të cilën kujdesej babai dhe në mungesë të tij vëllai i madh. Por këto fise dalloheshin prej të tjerëve sepse kishin një pëlqim të veçantë për fjalën e femrës. Sa herë që ajo fliste ata e adhuronin si një sfinks. Kjo shenjë e lashtë paralajmëronte sipas saj një komb të virtytshëm që do të arrinte një progres dhe një qytetërim brilant. (Mimoza Cika. Dora D’Istria – monumenti historik i femrës në diasporë. Gazeta elektronike Albinfo.ch.).

Figura e gruas shqiptare në kulturën europiane të shekullit të XIX ndonëse nuk ka trajtimin e gjerë që gjetën elementë të tjerë të kulturës shqiptare meriton një vëmendje të veçantë pasi është një dëshmi e rëndësishme antropologjike se cili ishte roli i femrës në shoqërinë patriakale shqiptare dhe sesi ato që ishin të integruara në shoqëritë europiane si rasti i Dora D’Istrias arritën të shquhen në kulturën e kontinentit.

Si e dënoi Enver Hoxha ministrin e tij të Arsimit Gjergj Kokoshi (fotot)

Gjergj Kokoshi i kishte të gjitha mundësitë për të bërë karrierë e të kalonte një jetë të qetë. Vetë Enver Hoxha e kishte bërë ministër Arsimi, duke e vlerësuar si një njeri të zotin e të pakompromis. Por Gjergj Kokoshi ishte një intelektual i klasit të parë. Ai nuk do të bënte asnjëherë kompromis në hir të lirisë dhe të drejtave të njeriut.

Do të jepte dorëheqje nga posti i ministrit, do të dilte kundër ligjit të zgjedhjeve dhe të tjerave nismave ligjore, që ndalonin veprimtarinë e grupimeve të tjera politike. U bë nismëtar dhe drejtues i një grupi opozitar, të quajtur Bashkimi Demokratik, me shpresën se do të merrnin pjesë në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 1945.

Ndërhyri pranë misioneve të huaja për shtyrjen e zgjedhjeve, por këto të fundit nuk bënë asgjë në këtë drejtim. Të gjithë firmëtarët e memorandumit të Bashkimit Demokratik, të survejuar dhe spiunuar nga bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, atëherë…, u arrestuan dhe u dënuan me akuzën se donin të rrëzonin me dhunë qeverinë. Gjergj Kokoshi u dënua me 30 vjet dhe vdiq në burg në moshën 57-vjeçare.

Gjergj Kokoshi

Historia e Gjergj Kokoshit dhe 8 intelektualëve të tjerë, studiues, shkencëtarë, inxhinierë, etj. jepet në faqet e librit “Kur Sigurimi merrej me shkencë”, një botim i Autoritetit për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me projektin PERFORM. Një grup historianësh kanë shfrytëzuar dosjet e ish-Sigurimit, duke nxjerrë në dritë përndjekjen e elitës intelektuale shqiptare. Historia e Gjergj Kokoshit është hulumtuar nga historianet Sonila Boçi dhe Enriketa Pandelejmoni, sjellë në një variant të shkurtuar nga gazetarja Fatmira Nikolli.

Nga gjyqi i deputetëve në qershor 1946

NGA LIBRI

Më 1943-in, kur Tirana ka ndërruar dy pushtues në 5 vite, Gjergj Kokoshi i bashkohet Frontit Nacionalçlirimtar. Është 39 vjeç. Nga Shkodra ku ka lindur, në 1904-n, ka ikur për të studiuar në Itali dhe Francë për filozofi, është doktoruar në Paris për Letërsi dhe në vitet 1930 është kthyer për t’u bërë profesor në gjimnazin shtetëror në Shkodër dhe në Tiranë. Rrethanat dhe dorëzimi i dalëngadaltë i Shqipërisë nga ndikimi italian në pushtimin fashist, por edhe kundërshtimi i politikave të mbretit, e kanë bërë antizogist. Por edhe antifashist. Aq sa më 1940-n, kur ftohet të jetë pjesë në Konferencën e Parë të Studimeve Shqiptare, që shënoi themelimin e Institutit Mbretënuer të Studimeve, refuzon për arsye shëndetësore.

Kur lufta kishte filluar, Kokoshi kishte dëshmuar afiliacion me partizanët dhe lëvizjen e drejtuar nga Partia Komuniste. Pasi kishte propaganduar idetë antifashiste dhe përhapjen e tyre te të rinjtë në shkolla, profesori kishte lënë klasat dhe ishte bërë pjesë e rezistencës së armatosur kundër pushtuesit në veri të Shqipërisë, në Dibër, duke arritur të gradohej deri kolonel.

Emri i tij fillon të bëhet i njohur pas Kongresit të Përmetit, kur nis instalimi i regjimit komunist në Shqipëri. Filozofi i diplomuar edhe për Letërsi ishte zgjedhur anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar, strukturë e qeverisjes në atë kohë.

Historiania Enriketa Pandelejmoni, mbi studimin e së cilës bazohet ky artikull, thotë se duhet të jetë propozuar si i ngarkuar me punë për arsimin që gjatë ditëve të Kongresit në maj, pasi emri i tij gjendet në një dokument pa firmë, ndërsa zyrtarisht Kokoshi u ngarkua më 20 qershor 1944. Enver Hoxha e prezantoi me elozhe të mëdha, si pjesëmarrës i Lëvizjes “njeri që nuk ka bërë kompromise dhe kompetent me eksperiencë në fushën e arsimit”. Katër muaj më vonë, në mbledhjen e Këshillit në Berat, Kokoshi emërohet ministër i Arsimit në qeverinë provizore të drejtuar nga Hoxha.

Megjithëkëtë, siç mësohet nga Dosja Formulare e ish-deputetit Selaudin Toto, edhe gjatë luftës, Kokoshi ishte i pakënaqur nga elementët e majtë ekstremë, që ishin në pushtet. Pavarësisht situatës, ish-profesori organizon Kongresin e Arsimtarëve Antifashistë dhe përpilon platformën për arsimin. Është koha kur pikëpamja e Kokoshit për zhvillimin cilësor të arsimit përplaset me pikëpamjen e Sejfulla Malëshovës për masivizimin e arsimit. Debate mes tyre ka edhe mbi kompetencat e Ministrisë së Kulturës Popullore, si dhe mbi zërin e ulët që i është lënë arsimit në buxhetin e vitit 1945, kur më parë i ishte rezervuar 13%. Kokoshi nis ta gjejë veten jashtë rryme, teksa ata që fituan luftën po konsolidonin pushtetin. Besonte, se Lëvizja Nacionalçlirimtare nuk qe njëqind për qind e së majtës ekstreme. E dinte se në të kishte edhe të moderuar, por fakti që ata më ekstremistët morën pushtetin, nuk i pëlqente, madje, shkaktonte dëshpërim edhe te shumë të tjerë.

Pas rreth 80 ditësh ministër, përtej përplasjeve, profesori kuptoi që nuk arrinte dot të sillte në jetë vizionin e tij. Gjergj Kokoshi jep dorëheqjen më 13 janar 1945, ndërsa Malëshova është ministër Kulture e Propagande dhe më vonë, ministër Arsimi.

Vijon të jetë pjesë e Këshillit Nacionalçlirimtar, i cili në gusht 1945 quhet Fronti Demokratik, por e shpreh hapur kundërshtimin e tij ndaj ligjit të ri zgjedhor, që nuk lejonte pjesëmarrjen në zgjedhje të partive të tjera. Kjo ndodhte kur aleatët ndërkombëtarë, si SHBA e Britania kishin vënë kusht për njohjen e qeverisë, mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Në zgjedhjet lokale, Partia Komuniste vuri në lista njerëzit e vet “të sprovuar në luftë, të vendosur dhe besnikë ndaj interesave të popullit”. Tashmë po merrte në duart e veta drejtimin e shtetit, duke eliminuar më parë “përfaqësuesit e reaksionit”. Gjergj Kokoshi kandidoi në zgjedh jet lokale të mbajtura në maj 1945, në Lagjen e Re në Tiranë, por nuk mundi të zgjidhej. Kishte marrë vetëm 17 vota.

Më 27-29 shtator, dy muaj para se të mbaheshin zgjedhjet qendrore të 2 dhjetorit 1945, u miratua një paketë ligjore për to. Ligji Elektoral, Ligji mbi Asamblenë Kushtetuese si dhe Ligji mbi Listat e Votuesve, kufizonin zhvillimin e zgjedhjeve të lira. Fronti Demokratik që drejtohej nga komunistët nuk lejonte krijimin e grupeve të vogla politike, procesi i administrimit të votimit, nga komisionet te mbikëqyrësit, sipas historianes Sonila Boçi, ishte në duart e tyre.

Pakënaqësitë ishin të mëdha. Që kur ishin bërë diskutimet mbi hartimin e ligjit, Gjergj Kokoshi, në atë kohë ministër i Arsimit, por edhe anëtar i Këshillit të FANÇ, ishte shprehur se nuk ishte i përshtatshëm me parimet demokratike. Ai doli hapur kundra miratimit të tij, duke argumentuar se cenonte vendosjen e një rendi demokratik dhe pluralist. Vërejti se në kushtet e pasluftës, ligji nuk u mundësonte njerëzve të arsimuar dhe të kualifikuar të kontribuonin dhe nuk u jepte kohën e mjaftueshme grupimeve jashtë tyre. Ai theksonte se kjo binte ndesh me parimet e demokracisë liberale. I dorëhequr nga posti i ministrit, në mbledhjet e Këshillit ku ende ishte pjesë, Kokoshi ngulmonte të vinte në dukje dëmet e politikave të ashpra ekonomike, që, sipas tij, mund të justifikoheshin për kriminelët e luftës, por jo të merreshin masa të rrepta e rekuizim pasurie ndaj familjeve të tyre, sidomos kur personat në fjalë kishin vdekur. Ai këshillonte kujdes për tatimin e jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës, sepse siç po bëhej, ishte kthyer në makth për tregtarët.

I dorëhequr dhe në kushtet kur zëri u tij nuk dëgjohej, ndërsa masat e marra kishin shkaktuar frikë kudo, Gjergj Kokoshi vendosi të rimendojë pozicionin e tij brenda Frontit dhe mundësinë e largimit. Ai e dinte se në publik flitej kundra Frontit, e dinte se s’kishte liri dhe se vendi ishte në diktaturë, ndaj e shihte veten në zgjedhje jashtë listave të tyre. Prej kohësh, duke e njohur natyrën e tij, antikomunistë të tjerë e kishin kontaktuar që të organizohej me ta, ndonëse ndjehej pezmi mbi mënyrën si po bëheshin zgjedhjet dhe frika e kandidimit jashtë Frontit.

Kishte takuar disa herë intelektualë si Shefqet Beja, Selaudin Toto, Riza Dani, Kosta Boshnjaku, Kol Kuqali, Irfan Majuni e Musine e Salim Kokalari, duke shpresuar te mbështetja amerikane për të formuar një parti klandestine, me parime të demokracive perëndimore. Ishte menduar të shtrihej ndikimi te shtresat e pakënaqura sociale dhe të prekurit nga regjimi i ri, tregtarë, pronarë, çifligarë dhe intelektualë me parime të kundërta me pushtetin popullor. Kokoshi propozon që në fillim themelimin e një opozite dhe daljen si parti më vete në zgjedhjet e 2 dhjetorit, edhe pse e kundërshtuan dhe e këshilluan që më mirë të rrinin brenda Frontit Demokratik se sa të dilnin më vete. Doemos, një organizimi politik nën presionin e kohës e një ligji elektoral që nuk u jepte hapësirë, kishte jo vetëm mendime ndryshe, por edhe përplasje.

Ishin bashkë me të grupi socialdemokrat i Musine Kokalarit, por edhe simpatizanti i monarkistëve Qenan Dibra. E gjithë kjo bëhej në kushtet e një terrori politik të nisur me gjyqet speciale e gjyqet e popullit të marsit 1945 në fillim ndaj “kriminelëve të luftës”, e më pas ndaj antikomunistëve në veri.

Megjithëse situata nuk i favorizonte organizimet politike kundër qeverisë, presioni i ndërkombëtarëve, lejimi i gazetarëve të huaj në fushatë dhe votime, u bënë nxitës që jokomunistët të dilnin me listat e veta në zgjedhje. Me vetëm dy muaj kohë, në takimet e fshehta u kuptua që do të ishte e vështirë të siguroheshin firmat e nevojshme për të shpallur kandidaturat apo grupin politik. U mblodhën vetëm 25-30 firma, krejt të pamjaftueshme. Më 17 nëntor 1945 grupi doli me emrin “Bashkimi demokratik”, si bashkim i rrymave politik, me qëllim formimin e një opozite.

Në këtë kohë Kokoshi kupton që është i nevojshëm hartimi i një programi dhe i një lutjeje, të nënshkruara prej disa “njerëzve të ndershëm me qëndrim politik korrekt”. Programi ngjante me atë të Frontit Demokratik, ndaj Kokoshi thotë se është kundra politikës së qeverisë shqiptare, që “don me bashkue Shqipërinë me Jugosllavinë”. Për të, ky bashkim ishte kundra vullnetit të popullit shqiptar, i cili “don që Shqipëria të mbetet shtet indipendent dhe sovran, na duhet ta rum një shtet të tillë, por pa Gjirokastër e pa Korçë nuk ka shtet shqiptar”. Për çështjen e Kosovës, ndryshe nga të tjerët, sugjeron të lihet mënjanë për momentin “pasi Jugosllavia na ndihmon për me rujt integritetin tokësor”. Studiuesja Enriketa Pandelejmoni shprehet se Gjergj Kokoshi kishte besim te misionet britanike dhe amerikane në Shqipëri dhe tek influenca e tyre mbi qeverinë e tyre. Me naivitet ai thotë se programi dhe lutja duhej t’i dërgoheshin qeverisë shqiptare, pasi ai kishte biseduar me gjeneralin britanik Hodgson. Logjika e drejtë e Kokoshit mbi hapat që ndërmerren para zgjedhjeve për një grupim të ri politik, bëheshin në kohën e gabuar. Ai ende nuk e kish kuptuar.

Propozimi i tij pritet me skepticizëm nga pjesëmarrësit në mbledhje. E dinin që po të informonin qeverinë për formimin e kësaj partie, rrezikonin të arrestoheshin. Por Kokoshi këmbëngulte, duke shtuar se duhej marrë parasysh edhe arrestimi në momentin që po krijonin një parti opozitare si Bashkimi Demokrat që përfshinte të pakënaqurit, monarkistët e socialdemokratët. Ishte rënë dakord që kryesia e opozitës t’i lihej Kokoshit. Drejtimi i besohej profesorit, se njihte mirë rininë në shkolla e gjimnaze e do të mund ta organizonte atë. E shihnin si personin më të përshtatshëm pasi kishte qenë në Front, kishte luftuar, kishte qenë ministër dhe ishte një personalitet i njohur për aleatët…

Më 20 nëntor u vendos që t’u dërgohej misioneve ndërkombëtare një notë mbi shtyrjen e zgjedhjeve, formën demokratike të regjimit pas tyre dhe mundësinë e kthimit të mbretit Zog në Shqipëri, nëse e vendosnin votuesit. Në një mbledhje tjetër u hartua një memorandum, ku bëhej me dije se zgjedhjet nuk mund të zhvilloheshin lirisht, sepse populli do të votonte Frontin nga frika. Memorandumi i opozitës së drejtuar nga Kokoshi përmblidhte çfarë po ndodhte në vend dhe cili qe ndryshimi që ofronin ata.

Theksohej se komunistët luftuan dhe premtuan një sistem demokratik, ndaj të rinjve nuk u shkoi në mendje se po niste ngritja e një regjimi komunist në Shqipëri. Kujtohej se Fronti nuk lejonte formimin e një partie tjetër, as shkëputjen nga Fronti. “Në të dy rastet akuzohen si sabotatorë, fashistë dhe reaksionarë. Rasti i prof. Gjergj Kokoshit, më parë ministër i Arsimit në qeverinë e Enver Hoxhës e tregon qartë këtë gjë”, nënvizonte memorandumi, duke shtuar se në nëntor 1945.

“të tria fuqitë, pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, ndarja e të cilave garanton një regjim me liri politike, në fakt janë një përzierje”. Njëherësh informohej se “katër liritë (e fjalës, e fesë, e nevojës dhe e frikës) janë shkelur nën këmbë”….

Por kur ua dorëzuan dy ushtarakëve anglezë, Palmer dhe Arnott, në misionin e tyre në Tiranë, morën përgjigje se ishin shumë vonë dhe pak shpresë kishte për shtyrjen e zgjedhjeve, por sidoqoftë do t’ia dorëzonin gjeneralit Hodgson. Koloneli Palmer dhe majori Arnott, më vonë do të mohonin t’i kishin bërë premtime konkrete opozitës…

Bashkimi Demokrat hodhi idenë e një kryengritjeje kundër regjimit komunist dhe të një demonstrate para zgjedhjeve, më 29 nëntor për festën e pavarësisë. Qe përgatitur madje edhe një thirrje për popullin. Demonstrata nuk u mbajt prej frikës së survejimit. U hodhën vetëm trakte kundra pushtetit. Misionet e huaja nuk ndërhynë pranë qeverisë shqiptare për të shtyrë zgjedhjet. Zhgënjimi dhe hidhërimi qe i madh. Musine Kokalari i rrëfente në fshehtësi nipit më 1972-in se “Aleatët nuk i ndërhynë qeverisë dhe heshtën mbi një çështje, e cila, logjikisht, rezultoi si e pashmangshme për dënimin e firmosësve. Një nga një firmëtarët u arrestuan me akuzën për rrëzim të qeverisë. Pasojat për të gjithë këta njerëz janë thjesht të imagjinueshme”.

E ardhmja qe fatale për Bashkimin Demokratik, që ndërkohë ishte survejuar nga strukturat e Seksionit të Mbrojtjes Popullore (Sigurimi). Katër informatorë dhe bashkëpunëtorë të tij ishin vënë brenda opozitës. Goditja ishte e afërt. Në dhjetëditëshin e parë të 1946-s filluan arrestimet. Mes të parëve.

që arrestuan ishte dhe Gjergj Kokoshi e Musine Kokalari, por në total 37 vetë u futën në qeli. Gjyqi ndaj tyre nisi 6 muaj më vonë në Tiranë. Ishte data 17 qershor 1946. Në kinema “Nacional”, në prani të një populli të “zgjedhur” dhe gazetarëve vendas, gjykimi zgjati 15 ditë dhe u transmetua në radio, që ta dëgjonin njerëzit në çdo skaj të Shqipërisë. Ishin para Gjykatës së Lartë Ushtarake. I akuzuan se ishin mbledhur për të rrëzuar me dhunë pushtetin popullor, për të shkaktuar një ndërhyrje të imperialiste të jashtëm, që të kishte vetëvrasje dhe të bënin atentate kundra udhëheqësve.

Gjergj Kokoshi, që e kishte marrë parasysh edhe arrestimin, akuzohej se kishte udhëzuar e frymëzuar për të tërhequr sa më shumë elementë; akuzohej se i kishte mësuar të përpilonin nota për misionin e huaj dhe se kishte shfrytëzuar vendin, emrin dhe kredinë që i kishte dhënë Fronti për të sabotuar e përmbysur pushtetin.

Profesori, i diplomuar në Filozofi e Letërsi, ish-kolonel, ish-ministër dhe ish-kryetar opozite, vendos të mbajë një fjalë në mbrojtje të tij. Vetë fjala mungon në aktet gjyqësore, por ka mbetur deri sot fraza e tij që pohonte se “qeveria komuniste nuk përfaqësonte vullnetin e popullit”, ndaj ai i ishte bashkuar opozitës. Duke e ditur që gjyqi ishte farsë, ai vendos të mos flasë më dhe thjesht pyet se “çka ishte në ishte në kundërshtim me ligjet shtetërore në fuqi?”

Më 2 korrik 1946 u dhanë dënimet për 37 persona, prej të cilëve 8 u pushkatuan dhe të tjerët u dënuan me 2-30 vjet. Informatorët e Sigurimit u dënuan minimalisht ose u liruan si të pafajshëm.

Kokoshi dënohet me 30 vjet burg, punë të detyrueshme, humbjen e të drejtave qytetare dhe politike e konfiskimin e pasurisë. Pas gjashtë muajsh në Tiranë, dërgohet në Burgun e Sigurisë së Lartë në Burrel. Opozita që drejtoi, Bashkimi Demokratik, nuk arriti të dilte në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 dhe anëtarët e saj u arrestuan kudo. Dënimi i tij do të mbaronte në 23 janar 1976, por ai ndërroi jetë në Burgun e Burrelit më 1961-n në moshën 57-vjeçare. Vuante nga tuberkulozi dhe kushtet e këqija duhet ta kenë përshpejtuar ikjen. 18 vitet e fundit të jetës, prej kur iu bashkua Luftës, qenë një udhëtim drejt vdekjes. Gjergj Kokoshi nuk u martua dhe nuk la fëmijë. Mundi të linte vetëm shembullin se si njeriu heq dorë nga pushteti, kur sheh se a po e ha shtetin dhe liritë e qytetarëve. Mundi të vërtetonte edhe fjalët e Enver Hoxhës për të, kur e cilësonte si njeri të pakompromis.

PANORAMA