VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Weber: Thaçi diskuton për kufijtë për t’u amnistuar nga Gjykata Speciale

By | April 9, 2019

Komentet

Reeker: SHBA nuk do të bëhen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë – Por ne nuk jemi krenarë me gjendjen aktuale politike në Shqipëri

Philip Reeker

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Philip Reeker tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen arbiter i politikave të brendshme të Shqipërisë.

Ambasadori Reeker, zyrtar me përvojë në çështjet e Ballkanit, i bëri komentet të mërkurën në një forum të organizuar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington.

Ai tha se Shqipëria vazhdon të jetë një ndër aleatet më të forta të Shteteve të Bashkuara në Evropën juglindore.

“Por ne nuk jemi krenarë me gjendjen aktuale politike në Shqipëri,” tha zoti Reeker.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të Zërit të Amerikës, zoti Reeker tha se rruga institucionale është mënyra e vetme për tejkalimin e krizës së tanishme.

“Nuk jemi krenarë me shqiptarët këto javët e fundit, sepse ata nuk përdorën institucionet që kanë. Nuk mundet që thjesht të bojkotosh parlamentin ose të dorëzosh mandatet. Ato institucione duhen përdorur, duhen përdorur gjykatat, duhet të emërohen anëtarët e gjykatës kushtetuese, që përmes Kushtetutës dhe përdorimit të këtyre mjeteve të tejkalohen kohët e vështira politike. Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë, por ne do të vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha palët të punojnë së bashku me institucionet dhe të bëjnë hapat e duhur që të ecin përpara. Dhe nëse institucionet nuk bëjnë punë, atëherë puno që t’i ndryshosh ato, nëpërmjet parimeve kushtetutese që keni”, tha zoti Reeker. za

Buxhovi: Askund nuk kam deklaruar se UÇK-ja i ka vrarë njerëzit e LDK-së

Historiani e publicisti Jusuf Buxhovi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se asnjëherë nuk e ka thënë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës, i ka vrarë veprimtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Zoti Buxhovi, tha ditë më parë në një intervistë për emisionin Rubikon në Kosavision, se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare dhe përgjithësisht rezistenca e armatosur në Kosovë ishte e drejtë, por çdo luftë ka elementë të papastër. Ai përmendi edhe vrasjet e 102 veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deklaratat e tij nxitën reagime e kundërshtime të ashpra, përfshirë edhe kryetarin e Parlamentit, Kadri Veseli, i cili i tha Zerit të Amerikës se deklarimet e tilla nuk i ndihmojnë qartësimit të së vërtetës historike. Me zotin Buxhovi bisedoi korrespondenti ynë në Prishtinë, Leonat Shehu.

Zëri i Amerikës: Z. Buxhovi, ditëve të fundit jeni përballur me akuza të rënda nga zyrtarë të lartë të shtetit, pas disa deklaratave tuaja lidhur me pastërtinë e luftës së ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si i shihni këto reagime?

Jusuf Buxhovi: Po këto janë shkëputur dhe qëllimisht është krijuar një atmosferë linçimi nga një kontekst pak më i gjerë. Ata që e kanë përcjellë emisionin “Rubikon” (Kohavision), shkas ka qenë përfundimi i librit “Kosova” vëllimi gjashtë, shtatë dhe tetë, ku përfshihet periudha e shtetndërtimit, veçmas problemet nga vendosja e protektoratit ndërkombëtar deri te shpallja e pavarësisë, do të thotë hyrja e NATO-s në qershor të vitit 1999 deri te 17 shkurti i vitit 2008. Në këtë problematikë gjithsesi bën pjesë edhe çështja e shtetndërtimit dhe problemet të cilat kanë qenë dhe gjithsesi koha kalimtare ka qenë e përcjellë me vrasje, me kriminalitet dhe tjera, do të thotë ai vakuumi që UNMIK-u ka qenë dashur ta plotësojë duke vendosur institucione demokratike, është plotësuar prej grupeve kriminale dhe tjera, që objektivisht është vlerësuar prej të gjitha institucioneve botërore që ka qenë një kohë shumë e vështirë për Kosovën dhe unë mbështetëm te librat dhe të dhënat e librave. Në atë kohë kemi pra edhe vrasje të shumta, 102 janë aktivistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe 92 janë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Janë 603 qytetarë të Kosovës për të cilët pjesërisht ose fare hiç drejtësia nuk e ka dhënë përgjigjen e vet. Unë si shkrimtar dhe historian i kam përfshirë në librin tim dhe unë jam kritik ndaj kësaj dhe në librin tim hedh edhe një faj te UNMIK-u dhe veçmas EULEX-i, që jo vetëm nuk i ka zgjidhur këto raste, por ka bashkëpunuar edhe me struktura të caktuara kriminale. Kjo ka qenë. Askund nuk kam deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është bartëse e këtij procesi. Përkundrazi, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka përfunduar misionin e saj në qershor të vitit 1999, diku në shtator apo tetor është demilitarizuar në përputhje me marrëveshjen (Michael) Jacksonn- (Hashim) Thaçi dhe aty ka filluar një mision tjetër i FSK-së ku po ashtu ka probleme të shumta ku po ashtu shumë pjesëtarë të FSK-së janë përfshirë në disa veprime kriminale, terroriste dhe tjerë, por është një kapitull tjetër. Askund unë nuk kam thënë se janë vrarë aktivistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ajo është shkëputur prej kontekstit, një portal, “Expresi” e ka publikuar menjëherë të nesërmen se ka qenë një luftë e papastër dhe se unë e kam karakterizuar dhe aty ka filluar e gjithë fushata e linçimit.

Zëri i Amerikës: A ndjeheni të rrezikuar nga këto reagime dhe linçime?

Jusuf Buxhovi: Për mua të them të drejtën, kërcënimet janë dy llojesh. Kërcënimet që vijnë nga atmosfera e linçimit, do të thotë nga militantët e partive veçmas e klientelizmit të ndryshëm qw e mbikëqyr Partia Demokratike e Kosovës. veçmas nga një pjesë e veteranëve të rremë, të cilët, po ashtu janë të varur prej tyre dhe po ashtu, unë ndjehem i kërcënuar nga vet institucionet e shtetit. Kjo e para ka arsye sepse nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës ka dalur me një deklaratë skandaloze. Ai në një farë mënyre thotë se pse nuk i kemi qëruar hesapet gjatë luftës me Buxhovin dhe Buxhovizmin. Në një farë mënyre e pranon se ka qenë i përfshirë në vrasjet politike dhe se ato vrasje do të duhej të përfshinin edhe më tutje. Unë në një farë mënyre kam pritur që qeveria do të distancohet nga një zëvendëskryeministër i tillë. Nuk është distancuar, përkundrazi, kemi edhe deklaratën e (Ramush) Haradinajt në një farë mënyre kërkon prej meje gjoja sqarime, thuajse unë jam prokuror apo nëpunës i tij. Unë jam historian dhe këto janë libra dhe ai mund të shikoj librat dhe nuk ka nevojë të më shprehë mua pyetje të tilla. Edhe ajo që është edhe më keq dhe më tutje, unë kam prit që kjo fushatë së paku që është ushqyer prej niveleve shtetërore dhe veteranëve të ndërpritet në një farë mënyre. Kam pritur që kryetari i Parlamentit (Kadri Veseli) në Washington së paku të kërkoj falje dhe në një farë mënyre ta marr në mbrojtje fjalën e lirë sepse kryetari i parlamentit ka qenë mysafir në Washington, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA-ja është tempulli i lirisë dhe demokracisë dhe aty para njëzet vjetëve kemi qenë gjithë spektri jonë me të cilin SHBA-ja i ka ndihmuar shtetndërtimit tonë dhe lëvizjes tonë, ku ndër tjera është thënë se ju do të ndihmoheni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në qoftë se do zotoheni për një shoqëri të lirë e demokratike, çfarë në të vërtetë ka qenë angazhimi ynë. Ndërkohë pas njëzet vjetësh shkon krye parlamentari atje dhe në vend që të kërkoj falje, sulmon edhe më ashpër një krijues, tregon se nuk është përkrahës i fjalës së lirë, nuk është përkrahës i mendimit shkencor dhe në një farë mënyre për mua kjo paraqet një shqetësim shumë të madh, sepse merr përsipër barrën e shtetit, në këtë moment, do të thotë pas 20 vjetësh të lirisë, shteti i Kosovës i linçon krijuesit e vet, i kërcënon krijuesit, i kërcënon historianët. Unë i kam shkruar 50 libra, kam shkruar historinë e Kosovës. Shumë nga veprat e mia janë të përkthyera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe atje mbaj ligjërata herë pas here dhe është e pakuptimtë se si një kryeparlamentar shkon në SHBA dhe kërkon partneritet të Kosovës me Shtetet e Bashkuara, por harron se partneriteti kërkon fjalën e lirë e demokracinë ndërsa ai e bën të kundërtën atje.

Zëri i Amerikës: Zoti Buxhovi përse keni zgjedhur të bëni akuza publike në vend që t’u drejtoheni institucioneve të drejtësisë për këto çështje?

Jusuf Buxhovi: Nuk kam bërë unë akuza publike, unë kam folur për librin. Emisioni i është kushtuar librit, e tjetër është që keqinterpretuar. Si historian, unë i kam hedhur këto të gjitha dhe në librin gjashtë e shtatë “Kosova” unë flas aty me burime relevante botërore dhe kurrfarë akuzash nuk kam bërë unë, vetëm kam treguar aspektin si historian, e kam trajtuar, do të thotë një aspekt i gjithë asaj është edhe problemet që e kanë përcjellur thash shtetndërtimin tonë, ato tetë vitet, krimi i organizaur, krimet politike tjera ku për fat të keq edhe shumë nga pushtetarët e tanishëm janë pjesë e grupit të organizuar dhe vet Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe institucionet më të rëndësishme evropiane vazhdimisht tërheqin vëmendjen se në Kosovë politika është e përfshirë prej krimit të organizuar dhe se jo rastësisht vet konstelacionet e fundit me qeverinë dhe parlamentin e Kosovës tregojnë se krimi i organizuar aty ka fuqi të madhe dhe se unë si intelektual por jo vetëm si intelektual, kam për detyrë që ta tërheq vërejtjen ndaj këtyre dukurive. Intelektualët janë të përgjegjshëm jo vetëm për atë që e thonë dhe duhet ta thonë, por për atë që duhet thënë e që nuk është thënë. Prandaj unë e kam mbrojtur kauzën e lirisë, kauzën e fjalës së lirë. Do të vazhdojë në ndërkohë, që kujtoj që edhe SHBA-të edhe faktori perëndimor do të jetë në gjendje të mbrojnë fjalën e lirë dhe kauzën e lirë, sepse për këtë edhe ka intervenuar.

Zëri i Amerikës: Z. Buxhovi pas gjithë këtyre akuzave të rëndë, a do të bëni ndonjë ankesë?

Jusuf Buxhovi: Jo absolutisht, unë nuk do të bëj kurrfarë ankese. Unë jam shkrimtar, historian dhe janë librat e mia. Njerëzit mund të manipulojnë, portalet e partitë e ndryshme, forcat politike të cilat objektivisht i kanë bërë dëme të mëdha këtij vendi dhe gjithsesi do t’i nënshtrohet edhe përgjegjësisë politike. Unë do të vazhdoj të punoj. E vetmja gjë që për mua ka qenë shqetësuese, ka qenë që shteti i Kosovës është përfshirë në një atmosferë linçuese kundër një krijuesi i cili e thotë fjalën ashtu si ai e mendon dhe këto të gjitha i shkruan në libra dhe unë kujtoj se librat janë ajo pasuria më e madhe. Ato do të duhej t’i vlerësonte një klasë politike dhe shteti dhe jo të ngrihen kundër tyre.

Haradinaj: Qëndrimet tona të ndara, po e ndihmojnë Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të mërkurën se qëndrimet jo unike të udhëheqësve të Kosovës rreth tarifave ndaj mallrave serbe dhe bisedimeve me Beogradin, e kanë bërë Serbinë më të fortë dhe i kanë dhënë mundësi të kushtëzojë kthimin në tryezën e bisedimeve.

Ai i bëri këto komente duke reaguar ndaj intervistës së kryetarit të parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, dhënë Zërit të Amerikës, në të cilën ai tha se ka dallime konceptuale me kryeministrin Haradinaj rreth tarifave dhe bisedimeve.

“Dhe ka një pragmatizëm ku unë e mbroj interesin tim, duke mos lejuar asnjëherë që komunikimi me Serbinë, forma në të cilën komunikoj me Serbinë të bartet njëtrajtshëm edhe me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Ky është dallimi mes meje dhe kryeministrit Haradinaj, i cili duhet ta bëjë këtë dallim. Kur flas për Serbinë, edhe 1000 për qind ia vë taksën, por kur flasim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian ne duhet të jemi pragmatikë, duhet të jemi pak më të mençur. Kjo është çështja që dallon”, tha zoti Veseli.

 

Veseli: Nuk mund t’i vëmë bashkë SHBA-në, BE-në dhe tarifat ndaj Serbisë

Pozicioni im është shumë i qartë që nga fillimi, është transparent: Kosova ka të drejtën legjitime të marrë vendimet të cilat janë qoftë tarifa, qoftë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial e institucional. Por duhet ta dimë, i gjithë populli ynë e di: populizmi është një opium që krijon një favor në një moment të caktuar për politikanë të caktuar. Për periudhën afatgjatë ne duhet të jemi të mençur dhe nuk kemi rrugëtim tjetër pa SHBA dhe Bashkimin Evropian, nuk mund të jemi të suksesshëm në qëllimin që kemi. Në qoftë se i vëmë bashkë: SHBA, Bashkimin Evropian, si dhe çështjen tarifën edhe Serbinë është gabim. Ne duhet të gjejmë momentumin dhe rrugën e cila e dallon Serbinë nga gjuha e cila përdoret ndaj nesh nga Bashkimi Evropian dhe SHBA. Për këtë arsye thashë, për Serbinë e vë edhe 1000% tarifën, por me Bashkimin Evropian dhe SHBA ne tregojmë se jemi tolerantë. Kam propozuar edhe një suspendim (pezullim) por ai suspendim nuk është i përjetshëm. Serbia po manipulon, (Aleksandër) Vuçiçi po manipulon.

 

“E pash intervistën, është kualifikim i paqëndrueshëm, pra, nuk kam qasje me Amerikën si me Serbinë. Me Serbinë njëherë jam nda në luftë, kam qenë ​krah për krah me Amerikën. Kemi dallime në tema me Serbinë të shumta, ma pak me Amerikën. Kemi dallim në një temë; suspendimin e taksës. Sikur kryetari Veseli e të tjerët të kishin qenë unik Amerika, ndoshta do të na kishte përkrahur më shumë, po kjo dëshirë me fol ndryshe po na bën dëm si Kosovë e na ka lënë ku jemi sot”, tha të mërkurën kryeministri Haradinaj.

Ai hodhi poshtë çdo mundësi që këmbëngulja për tarifat të jetë populizëm.

“Fatkeqësisht besnikëria ndaj atdheut ndaj temave të interesit nacional nuk duhet me u kalkulu kështu. Populizëm ose miqësi me Amerikën për Veselin e të tjerët ka qenë kur ishin momente të tjera, u pa se nuk e kemi fort shqetësim qasjen ndaj Amerikës se kemi fol me një gjuhë tjetër, ju e dini për cilën temë e kam fjalën. Ndërsa, kur janë temat e interesit nacional, me i kërku Kosovës me e suspendu taksën pra me ja dhanë tregun shtetit që e mohon ekzistencën tonë është e padrejtë. Edhe nuk shpjegohet kjo kurrqysh s’ki qysh me e shpjegu, nuk është në logjikën e Amerikës, e as të askujt tjetër, por, është fatkeqësia e udhëheqësve tonë që shkojnë atje dhe i thonë duhet me e gjet një zgjidhje, në vend se me i thanë ka të drejtë kryeministri jonë, kemi të drejtë që e kemi vendosë taksën… Po shihet këta unë e kam pas shumë të vështirë me e mbajt këtë drejtim politik, pikërisht për shkak të këtyre thyerjeve, se jam ankuar disa herë që nuk kemi qenë unik fatkeqësisht. Dhe kjo pastaj e bën Serbinë më të guximshme edhe nuk lëshon pe përderisa gjysma jonë i thotë kemi me e hekë taksën pse me e ardhë Serbia në dialog?”, tha kryeministri Haradinaj.

Qeveria e Kosovës u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave nga Serbia në nëntor të vitit të kaluar në shenjë kundërvënieje ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës.

Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve të pezulluara me heqjen e këtyre tarifave, ndërsa Prishtina kërkon që bisedimet të mos kushtëzohen.

VILSONI DHE GENCI NË FERRIN E ÇARË TË VISAR ZHITIT

 

      Dy të rinj nga fshatrat e Librazhdit, dy poetë, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, – shih, dhe emrat i kanë si në balada, – 42 vjet më parë, në 17 korrik 1977, u pushkatuan nga regjimi diktatorial me akuza të çmendura e barbare, të pavërteta.                                                         

Dy poetë të pafajshëm, por poezia e tyre ishte e lirë, metaforike, kundërshti dhe kërcënim i fshehtë për totalitarizmin dhe Realizmin Socialist të tij, Dhe gjyqi i shpalli “sabotatorë” të kooperativës bujqësore me bëma dhe me poezi(?!). Dhe i pushkatuan. Tmerr!

      I përkujtojmë me mall dhe dhimbje dhe me urrejtje të shenjtë ndaj së keqes, duke u lutur për drejtësi dhe nderim të përjetshëm.

Me këtë rast po sjellim pjesë tronditës nga burgologjia “Ferri i çarë” për Vilsonin dhe Gencin

 

 

       *   *   *

 

 

– Anonimi i skuadrës së pushkatimit tregon –                                                                                                                                                                                     

Ju flisni shpesh e shkruani nëpër gazeta për pushkatimin e atyre dy të rinjve nga Bërzeshta e Librazhdit, që bënin dhe poezi, Vilson Blloshmi e Genc Leka, botoni librat e tyre, i nderoni, u keni nxjerrë dhe eshtrat nga vendi ku i vramë dhe i mbuluam.                                                                                             

Është dhënë dhe një emision televiziv, e kam parë, ashtu është… Gjithmonë kam pasur frikë se mos shiheshim edhe ne, megjithëse isha i sigurt që atë natë s’kishte kamera a aparat fotografik, vetëm armë dhe plumba, dhe gjak.                     

Pres se mos dalin emrat tanë, me ankth, po ç’faj kemi ne? Vërtet ne i vramë, por s’ishim ne vrasësit. Gjejeni kush urdhëroi… Dhe unë sikur lehtësohem… Prandaj dua të tregoj ç’pashë atë natë, jam një nga ata të skuadrës së pushkatimit, burrë i vjetër tani, por mos më pyet për emrin, nuk ta them, as ku rri e ku do të iki, por s’mund të rri pa e treguar. E vërteta ka më rëndësi…

Pas mesnate, se ashtu bëhen pushkatimet, pa nisur zbardhëllimi, ndalën te vendi sekret, i caktuar më parë, një rrëpirë e shkretë në humbëtirë.

Zbritën nga karroceria e makinës ushtarake ata të skuadrës së pushkatimit. Nga “xhipat” dolën shefat, komandanti i skuadrës së pushkatimit, kryetari i Degës, prokurori i rrethit, mjeku…                                               Dhe i sollën ata të dy, Vilsonin me Gencin, të sfilitur, të torturuar. Të qethur, me nxirje në fytyrë e copërlime në gjymtyrë, as rrobat e shqyera nuk ua mbulonin. Mezi rrinin në këmbë. Gati me të shtyra shkuan tek ai pak shesh i gjymtë mes shkurreve e gurishtave. Terr dhe hije malesh më keq se terri. Heshtje, që prishej nga hapat e çizmeve ushtarake a nga ndonjë guriçkë që merrte të tatëpjetën. Groooopaaa…

Përroi i Firarit, tamam vend djajsh. Fenerët e dorës bënin dritë të frikshme a u ndezën dhe dritat e njërës nga makinat.

Ata të dy më këmbë, të zymtë përbuzshëm, të tronditur deri në moskuptim dhe në një si panik të shtypur, të drunjëzuar. A kështu u dukej atyre që ishin përballë, skuadrës së pushkatimit. Se ata s’do t’i shihnim më ata drurë përreth, as botën, njerëzit e tyre. Nuk mendoheshe dot më shumë, këputej çdo mendim, s’e dije ç’ishe e ç’ishin ata që do të pushkatoheshin.

Vilsoni dhe Genci. Anash rrinin drejtuesit e kësaj ceremonie vrastare, të tmerrshme, të pashembullt. Si në detyrë, si në punë.

Urdhri paraprak ishte që të qëllonin vetëm mbi Genc Lekën. Nga fare afër. – Zjarr!

Genci ra e po përpëlitej mbi barin e lagur me gjakun e tij. Rënkonte. Rrëketë e gjakut vërshonin nga plagët që sapo hapën plumbat në trupin e tij. Vilsoni, me sytë gjysmë të mbyllur i shtangur më këmbë.                       – E shikon shokun tënd? – u dëgjua një zë. Njëri nga shefat iu afrua kufomës ende më këmbë të Vilsonit. – Kështu do të biesh edhe ti, por prano. Duam bashkëpunimin… Di gjuhë të huaja, mund të na shërbesh, çështjes së madhe të…

– Kam thënë jo, mbaroni shpejt, – foli dënesshëm Vilsoni.

– Mendohu, por shpejt, s’ke kohë shumë, balta të pret.

– Më mirë baltë sesa me ju, – u duk sikur u përgjigj vetë balta.

– Shoku yt mbaroi, shiko te këmbët. Ti mund t’i arrish ëndrrat… – Ashtu guxoi e foli oficeri? Sa të poshtër!

– Jooo, – ndërpreu gjithçka ulërima e Vilsonit, – me shokun tim e nisa, me të ta mbaroj! – dhe po u bërtiste atyre, dukej sikur donte që të mbyllej sa më parë kjo tragjedi, ai i ishte dhënë vdekjes me kohë, që kur i arrestuan, në hetuesi, në gjyq, kur hodhën sentencën: dënim me vdekje, me pushkatim. Më herët akoma, ai endej në mbretërinë e vdekjes, që kur shkroi poezinë parë, që kur po përkthente fshehurazi njërin nga ata poetët e mallkuar, që, kur u dashurua me atë aktoren, por tani s’kishte kohë më për asgjë, veç për të nxjerrë dufin e fundit, para se të nxirrte frymën e fundit.

– Vrasës… më vrisni… se edhe ju… kriminelë…

– Zjarr! – u përsërit urdhri, më me rreptësi e më me mllef, dhe batareja e plumbave e griu të gjithin. Ra përsipër shokut të tij. Gjaku që sapo i vërshoi, iu përzie me të atij dhe, siç bëhen vëllamë duke pirë nga gjaku i njëri-tjetrit, ata u bënë vëllezër në pafundësinë e territ, ashtu siç është vetë vdekja.

Dy kokë të bronzta mbi siprinën e ujit, të mëdha, të rënda, si dy planete. Buzë rrugës në të hyrë të qytetit të Librazhdit. Grup skulpturor në nderim të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Uji është kujtesa a vetë koha, a kthjellimi i kujtesës. Sytë të mbyllur në një gjumë bronzi. U dola nga pas. Ndërrova prapë vend. Kërkoja vrimat e plumbave në kafkë. Më dukeshin të sapovrarë dhe uji më bëhej gjak. Se dhe pasqyronte perëndimin e diellit.                                    

Po shikoja i hutuar. M’u nëpërmend ajo ditë e largët, kur unë me shokun tim, Sherifin poet, të dy gjimnazistë, ishim në drekën e përshpirtjes së tyre në shtëpinë e motrës së Gencit, në Pluk, në internim. Ato dy kokë bronzi mund të ishin dhe tonat.                                                                                             

Iu afrova. Sikur i ngjan ca i biri Gencit, njëherë e kam takuar në një përurim të poezive të të atit. Kurse kokës së Vilsonit i ngjan tamam Bedriu, i vëllai. Në burg, kur e shihja, më dukej i sertë gjithmonë. I paafrueshëm. Hapu, i bërtiste kujtdo që gjente përpara. Mbase u thoshte xhindëve. Dhe atë e dënuan me vdekje, por ia kthyen dënimin pastaj me 25 vjet burg. Dhe ai jeton pas vdekjes tani, por jo në bronz, rojë në një shkollë. E ka çuar në Strasburg a Bruksel çështjen e pushkatimit të të vëllait dhe të mikut të tij. Kërkon drejtësi, se ata që e vranë, janë ende gjykatës, deputetë, punojnë nëpër ministri, tek të drejtat e njeriut, shpërblehen, kurse vajza e Vilsonit ka nevojë për ca para të paguajë spitalin në Milano, për një operacion të rëndë dhe do t’i mjaftonte dëmshpërblimi i të atit. Por ai vonon ose jepet me këste aq të pakta, sa nuk zgjidh dot halle.  Ç’është kjo demokraci me vrasësa?! Shih gazetat, na i mbushën me ligësi e spiunë, sikur vetëm kështu ka qenë. Po të tregojnë, të futen në tekstet e shkollave dhe bëmat e Sokolit me Tomën, Vilsonit me Gencin, baladë mbi baladat, si dhe të shokëve të tyre.                                                                                                  

Dy kokët e bronzta më dukeshin si mbi lot. Zgjata duart t’i ledhatoj.

     

      Sytë e… tragjedisë

…Shkresa që urdhëronte ekzekutimin e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, nënshkruar nga ministri Hekuran Isai, 8 qershor 1984, në anë kishte një shënim… e pabesueshme… të drejtorit të Drejtorisë së Zbatim-Vendimeve Penale: Me porosi të shokut ministër, dy të dënuarve që do të pushkatohen, sytë e tyre t’u jepen Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore”.                                       Çfarë?! E lexova prapë. Tmerr! Vura duart mbi ballë si për të mbrojtur sytë nga një shkulje mizore. Ekzekutimi është bërë më 9 qershor, ora 24:00… pa togë pushkatimi, e kanë kryer dy persona… Cilët janë? Po ja, nga ata, të gjithë… Dhe pastaj u kanë nxjerrë sytë… si? Me bajonetë? Horror! Dhe ia kanë çuar ministrit sytë? Ku? Ia kanë lënë mbi tryezë? Po ai a ka trokitur në zyrën e Enverit për t’ia treguar? Shikonte diktatori? Vërtet ia dhanë Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore? Kriminale, thuaj. Ministritë e vdekjes!… Apo kanë dashur retinën a ndonjë nerv, që t’ia vendosnin syve të ngrirë të diktatorit? Si, me ç’mjet? Po ku mundin këta! Apo e kanë provuar njëherë. Dhe zgjodhën sy të guximshëm, nga të maleve… Po në ata sy të vdekur ka qenë revolta, pushkatimi… mos kanë dashur t’i shohin, t’i kalonin në ndonjë mikrofilm a t’i zhduknin fare…? Po më dhembnin sytë… E ç’nuk kanë bërë këta, kanë prerë këmbë e krahë nëpër tortura, me sharrë, kanë shkulur thonj, dhëmbë, të brendshmet, rropullitë i kanë derdhur, kanë mbuluar njerëz të gjallë me kokën përjashta mbi tokë, fol, i kanë ulërirë, u kanë prerë gjuhën për të mos folur kurrë. Dhe u paskan shkulur sytë të vrarëve. Jo, ua kanë shkulur para pushkatimit. Ej! U duheshin sy të gjallë… Mos! Po këta e paskan zhbërë njeriun fare!       

Botë Edip, qorre, ulëri e masakruar në fundin tënd!

 

* * *

Epilog i vogël:

– Çfarë kërkon, cilat janë fjalët e tua të fundit? – e pyetën Trifon Xhagjikën, pasi i dhanë dënimin kapital, me pushkatim.

– Do të doja një top, – tha ai, – jam altilier, që t’i bija Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë…

 

 

INDEKSONLINE NJOFTON NGA KOSOVA SE DIKUSH PO E VRET PËR TË DYTËN HERË AT SHTJFEN GJEÇOVIN DHE GJERGJ KASTRIOTIN SKENDERBEUN

– MBETET PËR TU PARË NËSE PËR KËTO AKTE ANTI-KOMBËTARE, FAJTORË JANË “HADUTËT” E RENDOMTË, A PO DIKUSH TJETËR!

“Bustet para shkollave në Kosovë po mbesin pa koka, hajdutët po i vjedhin ato!

Busti i At Shtjefën Gjeçovit që ishtë i vendosur në shkollën fillore në Zllakuqan të Klinës është lënë pa kokë.

Persona të panjohur e kanë vjedhur atë, teksa dyshohet se ky akt ka ndodhur gjatë vikendit, pasi që në shkollë nuk ka pasur personel e as roje, përcjellë Indeksonline.

Derisa policia është duke hetuar rastin, ky veprim po konsiderohet si i shëmtuar dhe i ulët.

Këto janë disa nga komentet e mësimdhënësve të Komunës së Klinës:

Cenimi i bustit te A’t Shtjefen Gjeçovit ne oborrin e shkolles se Zllakuqanit, eshte nje akt vandal, I trishtueshem dhe ogurzi. Prandaj institucionet komunale dhe ato shtetrore duhet te vihen ne veprim menjehere ne zbulimin e rastit, qe busti te kthevet ne vend e vet dhe akteret e ketij veprimi te shemtuar te marrin denimin e merituar”.

Edhe këtë veprim është në gjendje t’a bëjë dora dhe mendja e shëmtuar e ndonjë injoranti të krisur mendërisht, dhe skajshmërisht e dënueshme , kushdo qoftë ai apo ata

Nuk është hera e parë që koka e një busti në një instistucion shkollor është vjedhur. Ditë më parë edhe në fshatin Treboviq dikush mori kokën e bustit të Gjergj Kastriotit Skenderbeut./Indeksonline/

Kadri Veseli e quajti “fosil që s’i ndihmon të vërtetës”, Jusuf Buxhovi i reagon ashpër Kadri Veselit

Buxhovi: Ka mbetur pa iu bashkuar fushatës linçuese vetëm edhe presidenti, që e gjitha të marrë vulën shtetërore nga “Triumvirati i komandantëve”

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, ka reaguar për deklaratën e historianit Jusuf Buxhovi se “UÇK-ja ka qenë e drejtë, por nuk ka qenë e pastër”.

Veseli në një intervistë për Zërin e Amerikës, e ka quajtur “një lloj fosili” Buxhovin, i cili sipas tij, “nuk i ndihmon as qartësimit të së vërtetës historike dhe vrasjeve të pasluftës”.

“Është një nga elementët më të dhembshëm pas luftës së Kosovës, së cilës duhet t’i shkohet deri në fund. Ka të bëjë me vrasje pas luftës të cilat janë kriminale nga njerëz të këqij të cilët nuk ia duan të mirën Kosovës, por personi i cili e ka vënë këtë theks në këtë formë njëngjyrëshe, është lloji i fosilit i cili nuk i ndihmon as qartësimit të së vërtetës historike, pavarësisht se lufta në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar Veseli.

E ndaj kryeparlamentarit ka reaguar historiani Buxhovi, i cili ka akuzuar Veselin për përfshirje në “fushatën linçuese kundër mendimit të lirë dhe të autoritetit shkencor”, përcjell Bota sot.

Buxhovi ka thënë se kësaj fushate, ka mbetur pa iu bashkuar vetëm edhe presidenti në mënyrë që e gjitha të marrë vulën shtetërore nga “Triumvirati i komandantëve”.

“Pas Kryeministrit, në SHBA, në vendin e demokracisë dhe të lirisë, në fushatën linçuese kundër mendimit të lirë dhe të autoritetit shkencor, qenka përfshirë edhe Kryeparlamentari i Kosovës. Mbetet që asaj t’i bashkohet edhe Presidenti në mënyrë që e gjitha të marrë vulën shtetërore nga Triumvirati i komandantëve!”, ka shkruar Buxhovi në një postim në Facebook.

Ursula von der Leyen zgjidhet presidente e Komisionit të Bashkimit Evropian

VOAL – Ursula von der Leyen arriti një shumicë në Parlamentin Europian për t’u zgjedhur presidente e Komisionit të BE. Votuan po 383 parlamentarë, nëntë më shumë se është e nevojshme. Kishte 327 kundër, 22 abstenime dhe një votim të pavlefshëm.

Vendimtarë për kandidaturën e politikanës gjermane, e cila premtoi një kthesë të gjelbër dhe pagën minimale evropiane, ishin krerët e shteteve dhe qeverive të 28 vendeve në një mbledhje të Këshillit të Evropës në fillim të muajit.

“Për mua vetëm një gjë është e rëndësishme, Evropa duhet të forcohet dhe ata që duan ta bëjnë atë të lulëzojnë do të më kenë në anën e tyre, por ata që duan ta dobësojnë këtë Evropë do të më gjejnë një armik të ashpër”, tha von der Leyen, duke folur sot në Strasburg. Sa i përket paktit të stabilitetit, “nevojiten reforma dhe investime, duhet të sigurohemi që të gjithë fleksibilitetin e parashikuar nga rregullat të mund të përdoren” për këtë qëllim.Nuk janë njerëzit që i shërbejnë ekonomisë, por ekonomia që është shërbimi i popullit tonë “, shtoi ai.

“Unë do të propozoj një pakt të ri për emigracionin dhe azilin, duke përfshirë rifillimin e reformës së Dublinit”, tha ai.

ATS

Shitja dhe blerja e floririt vetëm me urdhrin e Kryeministrit, Meta i rikthen ligjin në Kuvend PS-së. Ja argumentet

Presidenti, Ilir Meta i ka kthyer Parlamentit për rishqyrtim ligjin për “Për rezervat materiale të shtetit”.

Në argumentin e Presidentit theksohet se me ndryshimin e ligjit më datë 20 qershor, me urdhër të Kryeministrit mund të vendoset blerja e Mallrave të Grupit A.

Në këtë grup sipas relacionit përfshihen “Prodhime ari, argjendi, platini etj. të kësaj natyre.
Mjete të rënda për çdo lloj transporti, Grurë.  Mallra të ndryshme tepër vëllimorë”.

“1. Lëvrimi dhe shitja e mallrave rezervë të grupit A bëhet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit.”.

Pra sipas këtij ndryshimi në ligj, të gjitha mallrat e Grupit A, të cilat deri tani, kanë qenë në kompetencë të Këshillit të Ministrave për të vendosur lëvrimin e tyre, nëpërmjet këtij ndryshimi ligjor propozohen që ato të lëvrohen me akt individual të Kryeministrit me propozimin e ministrit.

Siç u përmend edhe më sipër, ky ndryshim justifikohet nga qeveria dhe Kuvendi me të vetmin argument se thjeshtohet procesi i lëvrimit të mallrave rezervë shteti të grupit A, për shkak se miratimi i lëvrimit të mallrave të grupit A bëhet nëpërmjet një akti kolegjial, si ai i vendimit të Këshillit të Ministrave, dhe kjo sjell vonesa në daljen e aktit të miratimit dhe deri në lëvrimin e tyre”, thuhet në relacionin e kreut të shtetit.

Por argumenti ligjor sipas kreut të shtetit nuk është I mjaftueshëm. “Presidenti i Republikës vlerëson se ky argument i Këshillit të Ministrave dhe i Kuvendit të Shqipërisë, nuk qëndron dhe nuk justifikon aspak ndërmarrjen e kësaj nisme ligjore për miratimin e ndryshimeve në nenin 10 pika 1 të ligjit ekzistues”.

“Republika e Shqipërisë, ka në fuqi një bazë ligjore të shëndoshë që parashikon mbledhjen në urgjencë të Këshillit të Ministrave, për të ushtruar në çdo kohë përgjegjësitë dhe funksionet e tij.

Prandaj çdo aludim se lëvrimi i mallrave të rezervave të shtetit, mund të pengohet nga vonesa e vendimarrjes së Këshillit të Ministrave, nuk qëndron dhe është një argument fiktiv për të legjitimuar ndërhyrjen që po tentohet të realizohet në ligjin ekzistues nr.9900/2008.

Për më tepër, nisur nga rëndësia dhe vlera që kanë mallrat e Grupit A të rezervave të shtetit është në interes të publikut të gjerë që kontrolli ndaj çdo veprimi administrativ mbi këto mallra të jetë maksimal dhe jo një marrëdhënie midis dy autoriteteve politik Ministër – Kryeministër, ku padyshim kjo marrëdhënie varësie midis tyre (Kryeministër-Ministër) mund të ndikojë drejtëpëdrejtë në objektivitetin e vendimarrjes.

Presidenti i Republikës vlerëson se nisur nga natyra dhe lloji i mallrave të Grupit A, të rezervave të shtetit, është e domodoshme të ruhet standarti ligjor i vendosur prej 11-vjetësh, ku vendimarrja mbi mënyrën e administrimit të mallrave të Grupit A, t`i lihet vendimarrjes së Këshillit të Ministrave.

Presidenti i Republikës, vlerëson se në zbatim të nenit 100 pika 1 të Kushtetutës, ku përcaktohet se Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore është e detyrueshme që të gjithë anëtarët e Këshillit të Ministrave duhet të jetë në dijeni dhe të japin mendimin e tyre për çdo lëvizje apo lëvrim të mallrave të rezervave shtetërore pjesë e kategorisë A, pasi ruajtja e këtij standardi kontrollues mbi këtë verimtari garanton një mënyrë më objektive për të ruajtur të pacenuar interesin publik.

Ndryshimet ligjore të mriatuar me ligjin nr. 36/2019, dobësojnë mekanizmat e kontrollit mbi këtë proces, si dhe ulin nivelin vendimarrës mbi mënyrën se si këto mallra do të administrohen dhe qarkullojnë në vijim, duke krijuar kështu një rrezik të shtuar që interesi publik të cenohet”, thekson Presidenti.

Argumentet e plota

Arsyet e kthimit të ligjit nr. 36/2019

 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”

 Të nderuar deputetë,

Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare të datës 20 qershor 2019 ka miratuar ligjin nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”. Me shkresën e Kuvendit nr. 2596 prot, datë 26.06.2019, administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr.2003 prot, datë 26.06.2019, ligji nr. 36/2019, i është përcjellë Presidentit të Republikës, për dekretim dhe shpallje.

Nga vlerësimi i praktikës parlamentare rezulton se ky projektligj është propozim i Këshillit të Ministrave, nisëm e Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo nisëm ligjore është shqyrtuar nga Komisioni për Sigurinë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë në cilësinë e komisionit përgjegjës.

Referuar relacionit shpjegues të Këshillit të Ministrave që ka shoqëruar propozimin e projektligjit, si dhe raportit të datës 17.06.2019 të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, rezulton se ndryshimi ligjor i miratuar synon të thjeshtojë procesin e lëvrimit të mallrave rezervë të shtetit që bëjnë pjesë në grupin A, duke e zëvendësuar miratimin e lëvrimit të tyre nga me vendim të Këshillit të Ministrave siç parashikon aktualisht ligji në fuqi, me një akt individual, “Urdhër të Kryeministrit”.

Sipas relacionit të Këshillit të Ministrave dhe Raportit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, kjo mënyrë e re e vendimarrjes bëhet për shkak se miratimi i lëvrimit të mallrave të grupit A bëhet nëpërmjet një akti kolegjial, si ai i vendimit të Këshillit të Ministrave, gjë e cila sjell vonesa në momentin e daljes së aktit deri në lëvrimin e mallrave.

Presidenti i Republikës për shqyrtimin e ligjit nr. 36/2019, ju referua përmbajtjes së vet aktit të dërguar për dekretim dhe shpallje, si dhe praktikës parlamentare të ndjekur për këtë qëllim. Presidenti vlerësoi përputhshmërinë e këtij ligji, duke bërë një analizë të përmbajtjes së qëllimit për të cilën ky akt është propozuar në raport me interesin publik.

Nga shqyrtimi i ligjit nr. 36/2019, konstatohet se ndërmarrja e kësaj iniciative ligjore është e pajustifikuar ligjërisht dhe për më tepër kjo mënyrë e re e lëvrimit të mallrave pjesë e rezervës shtetërore nëpërmjet Urdhërit të Kryeministrit, nuk garanton plotësisht mbrojtjen e interesit publik në procedurat e administrimit dhe lëvrimit të mallrave me vlerë që përbëjnë grupin kryesor të mallrave të rezervave të shtetit.

 Bazuar mbi këtë arsyetim, të shpjeguar si më poshtë vijon, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës, vlerëson se ligj nr.36/2019, duhet kthyer në Kuvend, me qëllim rishikimin e tij për të vlerësuar objektivisht nëse miratimi i këtij ndryshimi në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit” është vërtet i nevojshëm apo jo.

 Konkretisht;

Kuvendi i Shqipërisë nëpërmjet ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit” ka krijuar bazën ligjore të nevojshme për rregullimin e të gjitha marrëdhënieve që lindin, ekzistojnë dhe shuhen gjatë administrimit, mirëmbajtjes dhe kontrollit të pronësisë në rezervat materiale të shtetit.

Ky ligj i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, që prej datës 10.04.2008, nuk është ndryshuar për një periudhë 11 vjeçare dhe implementimi i tij në praktikë, nuk rezulton të ketë sjell ndonjë problematikë të theksuar, e cila të jetë bërë pengesë në veprimtarinë administrative të strukturave shtetërore të ngarkuara për zbatimin e tij.

Sipas nenit 2 të ligjit ekzistues nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, rezervat materiale të shtetit janë lëndët e para, materialet, produktet e gatshme, prodhimet dhe mjetet e tjera të domosdoshme për depozitimin, mirëmbajtjen dhe ruajtjen e tyre, ndërkohë që administrimi i tyre është lëvrimi, këmbimi, freskimi, plotësimi, ruajtja ose mirëmbajtja, heqja apo seleksionimi, huadhënia, blerja, shitja dhe çdo veprim tjetër, që mund të kryhet me rezervat materiale të shtetit.

Në po këtë nen në pikën 4 të tij, jepet përkufizimi i termit “lëvrim” ku sipas ligjit lëvrimi është dhënia, falas ose me pagesë, e rezervave materiale të shtetit.

Ndërkohë në nenin 3, të ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, përcaktohet se:

“Rezervat materiale të shtetit krijohen për të ndërhyrë, në mënyrë operative, për mbrojtjen e popullsisë, të ekonomisë dhe mbrojtjen e vendit, në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, veprimeve terroriste, veprimeve ushtarake (në gjendje lufte), të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, për shëndetin e popullatës dhe të gjësë së gjallë, për pasurinë, për trashëgiminë kulturore dhe për mjedisin. Rezervat materiale të shtetit përdoren edhe për dhënien e ndihmave humanitare, në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare”.

 Referuar dispozitës së mësipërme, është e qartë se Kuvendi i Shqipërisë ka vlerësuar të përcaktojë me ligj rëndësinë madhore që ka krijimi, administrimi dhe përdorimi i rezervave materiale të shtetit, të cilat përveç krijimit dhe rifreskimit permanent të tyre, përdoren kryesisht në ato raste kur vihet në rrezik jeta dhe shendeti i popullatës, apo prona publike dhe private që në thelb të tyre bëjnë pjesë në ato marrëdhënie juridiko shoqërore mbrojtja e të cilave përbën interes të lartë publik.

 Pikërisht për nga shumëllojshmëria dhe rëndësia e materialeve që përbëjnë rezervat shtetërore, ligjvënësi në nenin 5, pika 3 të ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, ka përcaktuar se:

Lista përbërëse e mallrave rezervë, në lloje e sasi, e ndarë sipas grupeve, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave” .

Këshilli i Ministrave me vendimin nr.1128, datë 05.08.2008 ka miratuar listën përbërëse të mallrave rezervë shtetërore, në lloje dhe sasi, e ndarë sipas grupeve, si dhe limiti minimal për secilin artikull, ku në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi parashikohet dhe Grupi A, i mallrave rezervë material shtetërore si më poshtë:

Lidhja nr. 1

LISTA E MALLRAVE REZERVË MATERIALE SHTETËRORE, SIPAS GRUPEVE,

E NDARË NË LLOJE DHE SASI

 GRUPI A

Nr.ArtikujtNjësia MatëseGjendja orientuese e mallrave (Sasia)Limiti minimal
1.Prodhime ari, argjendi, platini etj. të kësaj natyrekgRelative sipas burimitrelativ
2.Mjete të rënda për çdo lloj transporticopë5030
3.Grurëton600300
4.Mallra të ndryshme tepër vëllimorëcopëRelative sipas burimitrelativ

Kuvendi i Shqipërisë, për lëvrimin e mallrave të Grupit A, që kanë një rëndësi të lartë dhe një vlerë të konsiderueshme për rezervat shtetërore, ka përcaktuar në nenin 10 pika 1, të ligjit nr.9900, datë 10.4.2008, se:

Lëvrimi dhe shitja e mallrave rezervë të grupit A bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit”.

Ndërkohë që me ndryshimet që propozohen të realizohen me ligjin nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, Kuvendi ka miratuar ndryshimin pikërisht të pikës 1, të nenit 10 të ligjit bazë. Sipas nenit 1 të ligjit nr. 36/2019, parashikohet se:

Pika 1, e nenit 10, të ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, ndryshohet si më poshtë:

“1. Lëvrimi dhe shitja e mallrave rezervë të grupit A bëhet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit.”.

Pra sipas këtij ndryshimi në ligj, të gjitha mallrat e Grupit A, të cilat deri më tani, kanë qenë në kompetencë të Këshillit të Ministrave për të vendosur lëvrimin e tyre, nëpërmjet këtij ndryshimi ligjor propozohen që ato të lëvrohen me akt individual të Kryeministrit me propozimin e ministrit.

Siç u përmend edhe më sipër, ky ndryshim justifikohet nga qeveria dhe Kuvendi me të vetmin argument se thjeshtohet procesi i lëvrimit të mallrave rezervë shteti të grupit A, për shkak se miratimi i lëvrimit të mallrave të grupit A bëhet nëpërmjet një akti kolegjial, si ai i vendimit të Këshillit të Ministrave, dhe kjo sjell vonesa në daljen e aktit të miratimit dhe deri në lëvrimin e tyre.

Presidenti i Republikës vlerëson se ky argument i Këshillit të Ministrave dhe i Kuvendit të Shqipërisë, nuk qëndron dhe nuk justifikon aspak ndërmarrjen e kësaj nisme ligjore për miratimin e ndryshimeve në nenin 10 pika 1 të ligjit ekzitues.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 100 përcakton ndër të tjera se Këshilli i Ministrave merr vendime me propozim të Kryeministrit ose të ministrit përkatës.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 9000, date 30.1.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, ligj ky në të cilin është përcaktuar faqe qartë, mënyra se si mblidhet, kush e thërret dhe si i merr vendimet qeveria e Republikës së Shqipërisë.

Në nenin 13 të këtij ligji përcaktohet se mbledhja e Këshillit te Ministrave thirret nga Kryeministri ose, ne mungesë dhe me porosi të tij, nga Zëvendëskryeministri.

Pra, autoriteti që ka për detyrë dhe përgjegjësi që të thërrase mbledhjen e Këshillit të Ministrave, është vet Kryeministri. Në këtë mënyrë rezulton se, ndryshimet e propozuara në ligjin nr.9900/2008, për t’i kaluar Kryeministrit një kompetencë të Këshillit të Ministrave, nën argumentin se Kryeministri mund të vonojë mbledhjen dhe vendimarrjen e këtij organi kolegjial është absolutisht i pambështetur në ligj dhe krejtësisht i pajustifikuar.

Për më tepër, ligji nr.9000/2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, ka parashikuar edhe ato raste kur mbledhja e Këshillit të Ministrave është e domodoshme të realizohet në mënyrë urgjente dhe në raste të jashtëzakonshme.

Konkretisht në nenin 14 të ligjit, parashikohet se: Në raste të veçanta, Këshilli i Ministrave thirret në mbledhje të jashtëzakonshme nga Kryeministri ose, në mungesë dhe me porosi të tij, edhe nga zëvendëskryeministri. Në rastet e thirrjes së mbledhjes të jashtëzakonshme nuk zbatohen rregullat e parashikuara në nenin 15 të këtij ligji”.

Pra edhe sipas kësaj dispozite është parashikuar edhe zgjidhja e atyre situatave të jashtëzakonshme që bëjnë të pamundur zbatimin e rregullit se rendi i ditës dhe projektaktet që do të shqyrtohen në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dërgohet 2 (ditë) përpara datës së zhvillimit të mbledhjes.

Pra është vet ligji organik i Këshillit të Ministrave që e ka zgjidhur qartësisht se si veprohet në situata emergjece me rëndësi të jashtëzakonshme.

Në këtë mënyrë, referuar parashikimeve të ligjit nr.9000/2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, rezulton se argumenti i përdorur për ndryshimin e nenit 10 pika 1 të ligjit  nr. 9900/2008 “Për rezervat material të shtetit”, nuk qëndron dhe është ligjërisht i pajustifikuar, pasi Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, është i detyruar të mblidhet në çdo kohë dhe nuk ka asnjë pengesë ligjore që të vështirësojë procesin vendimarrës të tij, përfshi këtu edhe vendimarrjen për lëvrimin e mallrave pjesë e rezervës shtetërore.

Republika e Shqipërisë, ka në fuqi një bazë ligjore të shëndoshë që parashikon mbledhjen në urgjencë të Këshillit të Ministrave, për të ushtruar në çdo kohë përgjegjësitë dhe funksionet e tij.

Prandaj çdo aludim se lëvrimi i mallrave të rezervave të shtetit, mund të pengohet nga vonesa e vendimarrjes së Këshillit të Ministrave, nuk qëndron dhe është një argument fiktiv për të legjitimuar ndërhyrjen që po tentohet të realizohet në ligjin ekzistues nr.9900/2008.

Për më tepër, nisur nga rëndësia dhe vlera që kanë mallrat e Grupit A të rezervave të shtetit është në interes të publikut të gjerë që kontrolli ndaj çdo veprimi administrativ mbi këto mallra të jetë maksimal dhe jo një marrëdhënie midis dy autoriteteve politik Ministër – Kryeministër, ku padyshim kjo marrëdhënie varësie midis tyre (Kryeministër-Ministër) mund të ndikojë drejtëpëdrejtë në objektivitetin e vendimarrjes.

Presidenti i Republikës vlerëson se nisur nga natyra dhe lloji i mallrave të Grupit A, të rezervave të shtetit, është e domodoshme të ruhet standarti ligjor i vendosur prej 11-vjetësh, ku vendimarrja mbi mënyrën e administrimit të mallrave të Grupit A, t`i lihet vendimarrjes së Këshillit të Ministrave.

Presidenti i Republikës, vlerëson se në zbatim të nenit 100 pika 1 të Kushtetutës, ku përcaktohet se Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore është e detyrueshme që të gjithë anëtarët e Këshillit të Ministrave duhet të jetë në dijeni dhe të japin mendimin e tyre për çdo lëvizje apo lëvrim të mallrave të rezervave shtetërore pjesë e kategorisë A, pasi ruajtja e këtij standardi kontrollues mbi këtë verimtari garanton një mënyrë më objektive për të ruajtur të pacenuar interesin publik.

Ndryshimet ligjore të mriatuar me ligjin nr. 36/2019, dobësojnë mekanizmat e kontrollit mbi këtë proces, si dhe ulin nivelin vendimarrës mbi mënyrën se si këto mallra do të administrohen dhe qarkullojnë në vijim, duke krijuar kështu një rrezik të shtuar që interesi publik të cenohet.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë

Siç u relatua më sipër, në përfundim të këtij shqyrtimi Presidenti i Republikës, konstaton se;

  • Nisma ligjore për ndryshimin e nenit 10, pika 1 të ligjit 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, është e pajustifikuar;
  • Dispozitat e ligjit të miratuar nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, përbëjnë rrezik të shtuar për cenimin e interesit publik, që mund të vijë nga keqadministrimi dhe shpërdorimi i pushtetit vendimarrës për lëvrimin e mallrave të rezervave të shtetit, pjesë e grupit A.

Për këto arsye, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, kam vendosur kthimin e ligjit nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit” për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë.

Doktor i Ri i Adhamudhit tek “Blloku” (Përgjigje H. Çilit, botuesit të tij) – Nga SADIK BEJKO

Profesor Isuf Kalo, ish-doktori i Adhamudhit të Bllokut, ka shkruar një libër. Në një status timin në fb, i shpenguar, si në një status fb-je, unë shpreha me shkrim një përshtypje. E them prapë: përshtypje. Gazetat, rrjetet sociale atë status e shpërndanë pa ndonjë autorizim prej meje. Botuesi i librit të Doktorit të Adhamudhit të Bllokut më kthehet sot me në një goxha përgjigje.
Prej më shumë se pesëdhjetë vjetëve në këtë vend kam statusin e shkrimtarit. Dhe e kam me shumë nder. E kam që atëherë kur Henri Çili and Co… ishin ende matanë kësj bote, në… AND-në e prindërve të tyre. Formalisht kam respekt për Çilin, kam respekt dhe për dr. Isuf Kalon. Deri më sot ishim secili në punë të vet. Nuk doja, nuk kisha pse të vihesha me ta përballë. Por … duhet të përgjigjem.
Shkrimtari për nga motivi i genit është dëshmitar. Ja… po dëshmoj:
Mora pjesë në promovimin e librit të dr. Isuf Kalos në hotel Rogner. Vapë e lemerisshme, kohë pushimesh, korrik. Jo klimë fort e përshtatshme për të botuar, për të promovuar një libër. Por Henri Çili, beznesmen me nuhatje tregu, mendon ndryshe. Ai nxiton ta publikojë, ta promovojë, t’i bëjë marketing librit për të joshur lexuesin e sezonit veror dhe atë turistik. Dhe… e shpall, e plas me bujë promovimin në hotel Rogner. Ngjarje… ngjarje në një kryeqytet bosh, pas zgjedhjeve, në një kryeqytet vape, pa ngjarje. Oooo ! Dr Isuf Kalo ka bërë libër… për Ne… për Enverin… për Bllokun. Oooo.. o burraaaa!
Ishin mbledhur aty në Rogner gjithë “buka e vjetër”, pra, gjithë rrethi i atyre që kanë përtypur jargë e thërrime nga sofra e ish-Bllokut.
Ja, po vjen dhe vetë dr. Sali Berisha, po… edhe çifti Berisha. Një qokë kjo e Berishës jo vetëm si e kolegut për kolegun dr. Kalo, por dhe se ata kanë qenë bashkë në një “varkë”, kanë shijuar flladet e valët e liqenit të kohërave bashkë me djemtë e zonjës së parë të Bllokut. Zoti Berisha… një veteran i zvenitur prej moshës, prej konsumimit të gjatë, së paku, duhet të ishte mënjanuar prej politikës, të vetmohej drejt e në shenjtninë e tij. Por ja, si hije e kohërave të shkuara e të perënduara dhe vetë zoti Berisha… na e nderon, doktorin e Adhamudhit të Bllokut. Ahh…ahh Moj kasolle (mor Rogner) ku na mblodhe..
Librin e prezanton biri i ish-nëndrejtorit të Institutit të Nexhmijes, prof F. Tarifa. Ky zotni Tarifa junor para ca javësh ka deklaruar në shtyp se është krenar për atin, Tarifën senjor-nëndrejtor në Bllok, që edhe sot e në këto ditë shkruan e boton në një gazetë shkrime glorifikuese për kryeministrin, udhëheqësin “tao tao”, për Adil Çarçanin. (Moj kasolle… ku na mblodhe).
Kjo është shija që ka botuesi, administratori i një universiteti, promovuesi i neoliberalizmit, gazetari, intelektuali, biznesmeni, i suksesshmi dhe i shumë etj, etj i rëndësishmi, zotëria e tij Henri Çili.
Është era e tij, është e drejta e tij ta ketë cilëndo shije.
Po unë? Ç’po më duhej mua këtu? Mua më vinte një erë aq e ndohtë, e ndohtë sikur lumin e Lanës ta kishin kthyer e ta kishin ndryrë, përhapur në mjediset luksi të hotel Rognerit.
Dola, u largova prej andej me të shpejtë.
Tani që fragmente nga libri “Blloku” janë në faqet e para të shtypit më me peshë në këtë vend, më vjen era e një shpifësire më të madhe sesa e asaj mbasditeje në Rogner. Jo lumi i Lanës, po gjirizet e Tiranës kanë shpërthyer sheshit dhe po rrëkëllehen në bulevardet dhe sheshet e Tiranës dhe në sheshet e të gjithë vendit. Fotot luksi të bllokmenëve, nuseve, bijve e mbesave të tyre i sheh në faqet e pra të gazetave. Nga dita në ditë.
Kjo m’i bie zorrët në grykë. Një idolatri e shfrenuar për zotat e dikurshëm komunistë. Kjo është pasoja e botimit të këtij libri të doktorit të Adhamudhit të Bllokut. Dhe e botuesit, e neoliberalit Henri Çili.
Nuk besoj se sot do të mbusheshin kështu faqet e para të gazetave me fotot e Egon Krenzit në Gjermani, me fotot e Brezhnjevit në Rusi, apo me fotot e bllokmenëve në Poloni, në Hungari.
Po pse te ne ndodh? Mos doktor Isuf Kaloja ka bërë një kryevepër e na ka bërë të gjithëve magji?
Jo, nuk është as libër për të qenë, as magji. Mos u hutoni. Shpjegimi është diku tjetër.
Shqipëria ka ndërgjegje të deformuar. Në zonat e vdekura të trurit të saj janë të gjallë zotat e vjetër.
Para disa javësh një deputet i mykur enverist skrapali u ngrit kundër Institutit të studimeve kundër komunizmit. Në krye të atyre që sulmonin ata që denonconin si kriminal komunizmin, ishte Fatos Tarifa dhe ati i tij. Ky fliste dhe në promovimin e Çilit. Ky rreth njerëzish që duan t’ia mbrojnë erzin komunizmit ishte atë ditë në Rogner, për të promovuar librin rehabilitues të Bllokut nga doktori i Adhamudhit të Palortosë.
Deputeti i mykur skrapali dhe neoliberali Henri Çili janë në një vijë. Por secili për hesap të tij. Të cilit hesap? Ka vetëm një luftë, vetëm një motiv… madhor. Lufta e paskrupullt për para e për pushtet.
Ndaj Blloku është i gjallë ende. Jo vetëm në nëndërgjegje. Në realitet. Ne ende po qeverisemi prej tij. Këta që kemi në krye sot janë kopja e ish-bllokut. Jo origjinalet. Henri Çili guxon e boton origjinalet e bllokut, etërit e hijeve që i kemi sot në qeveri
Shumë nga personazhet e elitës së Shqipërisë së sotme ngjajnë me atë fshatarin nga Labinoti (nga është Henri Cili), fshatar që në bodrumin me kashtë kishte fshehur statujën e Enver Hoxhës.
Ne qeverisemi nga filozofia e old school: luftë e pamëshirë shfarosëse politike, luftë vrastare për privilelegje, për pushtet, për xhepin e bllokmenëve… për dje sot e në seri.
Ne ecim përpara, përpara gjithmonë… përpara me Bllokun e Ri. Me Enin, me Çilin, me Fevzon etj…me infrastrukturën e superstrukturën në seri.
Herë pas here duhet t’i vadisim me lule e me lajle e me lavde idhujt e vjetër, duhet t’u blatojmë dafina kufomave të kalbura në morgun e historisë.
Ky është mision i vazhdimësisë, i mirënjohjes së brezave, i mosmbetjes pa emër, pa histori.
Veç se mision, ky është biznes. Elitat universitare, letrare, mediale duhet të jenë gjithmonë pranë tepsisë së bllokmenëve të rinj. Ta zgjasin të parat dorën në sini/tepsi.
Kështu doktorët e Adhamudhëve të vjetër, Isuf Kalot, e shkëmbejnë përvojën me dishepujt e sotëm neoliberalë, me ujqit në moshë e në modë më të rinj.
Unë jam shkrimtari. Pesimisti. Pa të ardhme. Pa të sotme. Pa histori. Vetëm dëshmoj.

Artan Fuga letër të hapur Komisionit të Arsimit në Kuvend: Asnjë ligj për reformimin e Akademisë së Shkencave përpara vetingut të institucionit

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë! Përpara disa ditësh pata rastin të paraqes përpara jush komentet dhe vërejtjet e mia për projektligjin që keni marrë në shqyrtim për Akademinë e Shkencave, si edhe për të paraqitur perspektivën time për rithemelimin e saj nëpërmjet një reformimi të thellë.

Më kërkuat që gjithçka ta paraqes me shkrim, çka edhe kam bërë, por po ju drejtohem edhe publikisht duke përmbledhur gjithçka kam thënë me një thirrje: Mos u nxitoni të votoni një projektligj si ai dhe ta dërgoni atë në Kuvend për votim, sepse ai që keni në dorë jo vetëm nuk e reformon Akademinë e shkencave të Shqipërisë, por edhe përbën një alibi të rëndë për të mbajtur në gjendje kalbëzimi një institucion monist, dogmatik dhe pa asnjë funksion shoqëror.

Mbi të gjitha, duke e votuar atë ligj me nxitim ju përligjni një Akademi Shkencash, e cila si institucion ka nevojë për një veting të veprimtarisë shkencore të akademikëve, të pastërtisë së figurës së tyre, si edhe për një hetim me duar të pastra të veprimtarisë së drejtuesve të asaj Akademie në planin ligjor, financiar dhe administrativ. Hetim me duar të pastra për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë! Pastaj të merret në shqyrtim projektligji i paraqitur, i cili është produkt i trafiqeve të interesave dhe në kundërshtim me të mirën publike.

Ju nuk më lejuat të shprehem përpara jush për shkeljet ligjore, financiare dhe administrative në Akademinë e Shkencave. Kompetenca dhe përgjegjësia juaj. Por, në çastin kur problemet do të shpërthejnë shumë shpejt, ju do të jeni përballë opinionit publik shqiptar, prandaj më mirë ballëlartë sesa kokulur.

Sapo Presidenti i Republikës i konsideroi zyrtarisht zgjedhjet e fundit në Akademinë e Shkencave si të parregullta ligjërisht dhe i ktheu ato mbrapsht, duke refuzuar të emërojë kryetarin e zgjedhur! Nuk ka asnjë dyshim, sikur e ka parashtruar dhe argumentuar zyrtarisht edhe kryetarja e komisionit tuaj, zonja Fatjona Dhimitri, se ato zgjedhje u bënë në kundërshtim me ligjin.

Nuk ka nevojë të jesh “baba i jurisprudencës shqiptare”, por mjafton student i vitit të dytë Drejtësi, për ta pasur fare të qartë këtë. Por, zgjedhjet me shkelje të rënda ligjore nuk janë veçse maja e ajsbergut në veprimtarinë e asaj Akademie, ku shpërdorimi i parasë publike bie në kundërshtim me ligjet e shtetit shqiptar. U drejtohem fillimisht dhe veçanërisht deputetëve të shumicës qeveritare, për t’u rikujtuar se strategjia e qeverisë së tyre shprehur nga ana e Kryeministrit ka qenë “rithemelim i Akademisë së Shkencave”. I gjithë opinioni publik, si edhe juve vetë, e keni fare të qartë se aty jo që nuk ka rithemelim, por as edhe njëfarë reformimi.

Po t’i hiqen atij projektligji nenet që konsiderohen si shkelje të ligjeve në fuqi, prej tij nuk mbetet më asgjë. Madje, unë kam guximin t’ju deklaroj që ligja në fuqi aktualisht është edhe më e mirë në kalbësinë e vet sesa projektligji që e fundos përfundimisht shkencën shqiptare! Mos u bëni varrmihësit e dijes shqiptare në emër të bindjeve politike! Jua tha edhe zëvendësministri i Arsimit i pranishëm në seancën dëgjimore, z. Redi Shtino. Nuk ka kuptim të votohet një ligj për Akademinë e Shkencave përpara hyrjes në fuqi të një ligji kuadër për kërkimin shkencor në përgjithësi. Dhe ka të drejtë.

Jua tha edhe ish-ministrja e Arsimit, zonja Lindita Nikolla, të gjitha pretendimet sikur Akademia e Shkencave ka respektuar diversitetin e mendimeve, janë rrena, ajo dëshmoi se ndaj mendimit alternativ në atë Akademi ka një censurë zyrtare, ushtruar kryesisht nga ish-sekretari i saj shkencor dhe sot nënkryetar i saj, Vasil Tole. Faktet për këtë janë të administruara shkresërisht dhe ju i keni në dispozicion. Vetë ministrja aktuale e Arsimit, qytetarja Besa Shahini, ka deklaruar publikisht që Ministria e Arsimit u mënjanua nga grupi i deputetëve me në krye qytetaren Eglantina Gjermeni, në çastin kur kishte arritur në krye të procesit të hartimit të atij ligji.

Dhe ka pasur të drejtë. A nuk jua kanë thënë të gjithë rektorët që dëgjuat se ai projektligj shkel me këmbë autonominë universitare dhe të drejtat e kërkuesit shkencor? Jua thanë dhe me shumë të drejtë! Nuk ju ka paralajmëruar me shkresë zyrtare qeveria, firmosur nga zëvendëskryeministri, z. Erion Braçe, se ai projektligj në shumë e shumë pika bie në kundërshtim flagrant me kuadrin ligjor në fuqi? Dhe ka të drejtë.

Mos u nxitoni të redaktoni gjoja si shqyrtim nen për nen atë projektligj, me nxitim në këtë vapë korriku me diell, por edhe me furtuna të forta. Mos mundohet deputetja, qytetarja Milva Ikonomi, t’u mbyllë gojën specialistëve dhe teknicienëve, sikurse bëri me zëvendësministrin, z. Redi Shtino, në seancën ku unë isha i pranishëm dhe filmuar integralisht.

Nuk mundet që projektligji për shkencën të redaktohet nen për nen nga deputetë që janë përfaqësues politikë, ndërkohë që specialistët e fushës kanë ngritur shqetësime e probleme serioze për atë tekst. Hiqni nenet që konsiderohen edhe nga qeveria si antiligjore dhe gjeni se çfarë mbetet nga ai ligj. Kush mund t’u japë përgjigje dy pyetjeve që nuk lidhen me nene të veçanta, por me frymën e përgjithshme të atij projektligji? Nga ndryshon ai ligj në thelb nga ligji në fuqi? Në çfarë e reformon Akademinë e Shkencave ai projektligj tërësisht i deformuar dhe i dështuar?

A keni ju sot një relacion shpjegues për këtë? Jo, nuk e keni. Ju nuk mundeni që me nxitim brenda këtyre tri ditëve vere me vapë dhe furtuna të çoni në Kuvend për votim sikur të ishte një ligj për gjykatë ushtarake, një projektligj që ka probleme të rënda konceptuale. Në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, që grupi iniciator i deputetëve e ka shkelur me të dyja këmbët, konkretisht nenin 82 të Kushtetutës, ju ende nuk keni një relacion të mirëfilltë financiar për projektligjin sikurse jua ka vendosur në vëmendje edhe z. Erion Braçe dhe me të drejtë!

Akademia e Shkencave, sikurse e keni parë vetë, është e paaftë ta bëjë atë relacion financiar dhe prandaj i bën karshillëk edhe qeverisë, duke anashkaluar vërejtjet e saj. Kritikat dhe vërejtjet për atë projektligj kanë qenë aq të shumta nga ana e ekspertëve të Bashkimit Europian, sikurse ua thanë në mbledhjen e seancës dëgjimore, Asnjë ligj për reformimin e Akademisë përpara vetingut të institucionit! nga ana e rektorëve, nga ana e qeverisë, si edhe nga ana ime si përfaqësues i mendimit alternativ brenda Asamblesë së Akademisë së Shkencave, saqë ai projektligj është bërë copë–copë, katandisur si mos më keq, si një xhaketë e kthyer mbrapsht qepur në vitet ’80 dhe rikuperuar në vitin 2019. Kthejuani atë projektligj atyre që ua sollën duke e grabitur të papjekur në sirtarët e Ministrisë së Arsimit!

Ata duhet ta ripunojnë propozimin e tyre pas një reflektimi shumë të thellë, sepse e kanë futur procesin në qorrsokak. Madje, ju takon për të ruajtur nderin tuaj ta riktheni atë në Ministrinë e Arsimit që ju dhe ne qytetarët paguajmë me taksat tona pikërisht për të na dhënë projektligje të mira, bazuar në ekspertiza profesionale dhe kompetente.

Sado të zotët që të jeni në politikë, ju nuk mund të merrni përsipër formulime që në mënyrë urdhëruese të zgjidhin probleme të sociologjisë së njohjes, të industrisë së krijimit, të epistemologjisë së shkencave, të logjikës së shkencave etj., sepse do të kishte qenë sa absurde edhe qesharake, dhe unë e di se midis jush ka që e dinë shumë mirë këtë pamundësi, sikurse ju të gjithë jeni të përgjegjshëm për këtë.

Do të kishte qenë një puç i politikës ndaj shkencës nëse ju brenda tri ditësh do të kishit çuar në Kuvend një projektligj, i cili është thjesht një alibi për të shmangur vetingun në Akademinë e Shkencave, të cilin dikush nga ju, me heshtjen tuaj, ma pengoi ta paraqisja para jush.

Ai projektligj, që dikush prapa skene kërkon dhe urdhëron ta çoni në Kuvend, nuk mund të mbrohet as nga ndonjë shprehje qesharake e ndonjë deputeti, që i futur në rol nga dikush tjetër që i pret sot palla, bën sikur nuk kupton as gjënë më bazike të një njeriu të kulturuar në shekullin tonë, ndarjen mes familjares dhe publikes!

Ai projektligj nuk mund të konfigurojë as edhe një Akademi Shkencash honorifike, sepse Shqipëria, madje as edhe një vend i botës, nuk ka luks dhe nuk është çmendur të paguajë miliarda për honore dhe ynere. Ai projektligj është bërë thjesht për të siguruar privilegje dhe paga të majme për një grusht njerëzish, që në mënyrë të paligjshme kanë uzurpuar një institucion publik. Ai projektligj nuk ju jep asnjë mundësi ta përmirësoni atë.

E para, sepse nuk është në kompetencën tuaj dhe e dyta, sepse ai në parim është kaotik, i shqepur, pa logjikë minimale sepse nuk përcakton se çfarë do të jetë kjo Akademi Shkencash: Institut kërkimi shkencor? Institucion koordinues i shkencës? Kupolë drejtuese e një grumbulli institutesh kërkimore? Polici truri dhe polici etike për kërkimin shkencor? Komitet shkencor për shkencën? Çfarë?

Apo institucion honorifik? Ka një rrugë të vetme, sipas mendimit tim, sikurse jua thashë: Ta ktheni si të papjekur dhe joadekuat këtë projektligj, në mënyrë që të mos bëheni palë me një Akademi Ahkencash që ka nevojë për reformim, rithemelim, por përpara nga të gjitha, për veting! Unë e thashë fjalën time. PËR VETING! Unë ende shpresoj se ju do të dini të merrni veprimin e pjekur dhe ta pranoni peshën e rëndë të kësaj fjale: veting! Me konsiderata, Artan Fuga

Banorët e Astirit: O të na vrasim o do ti vrasim. Do bëjmë kufoma në pragun e shtëpisë

Banorët e Astirit kanë protestuar sërish ditën e sotme për banesat e tyre. Të revoltuar ata janë shprehur se nuk do të dalin nga shtëpinë dhe do të bëjnë kufoma në pragun e shtëpive të tyre. “Te Unaza e Re nuk keni asnjë lloj shansi t’i prishni. Ne jemi për shtëpitë tona. O të na vrasin ata, o do i vrasim ne, kështu do të përfundojë. Ne do të bëjmë kufoma në pragun e shtëpisë tonë. Duam drejtësinë tonë”, u shpreh një prej banorëve. Protesta ka nisur pas informacionin se ditën e sotme mund të niste prishja e shtëpive që do ti hap rrugën ndërtimit të Unazës së Madhe.

Çka përmban letra që Albright ia dërgoi Haradinajt

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pranuar letër nga ish Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ku konfirmon miqësinë që Kosova ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Haradinaj në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se është mirënjohës përjetë për përkrahjen dhe kujdesin që ish Sekretarja Albright dhe Amerika kanë treguar për Kosovën.

“I nderuar të pranoj letër falënderimi nga ish Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, që rikonfirmon edhe njëherë miqësinë speciale që Kosova ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ish Sekretarja Albright, është ikonë e paqes dhe gruaja që bëri shumë për shtetin e Kosovës. Mirënjohës përjetë për përkrahjen dhe kujdesin që ish Sekretarja Albright dhe Amerika kanë treguar për vendin tonë! Amerika është aleati ynë i përhershëm dhe ne jemi të bekuar që jemi në rreshtin e tyre”, ka shkruar në Facebook, Haradinaj.