VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Vuçiçi: Serbinë e pret katastrofa rreth Kosovës

By | June 7, 2018

Komentet

Tërmeti vdekjeprurës ngroh marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë

Ekipet e shpëtimit në të dy anët e detit Egje po vazhdojnë të shtunën kërkimet për të mbijetur nga një tërmet i fuqishëm që goditi qytetin turk të Izmirit e që u ndje edhe tek dy ishuj grekë.

Ata arritën të nxjerrin nga gërmadhat e ndërtesave trupat e paktën 27 viktimave si dhe të qindra të plagosurve. Ekspertët në Athinë njoftuan të shtunën se të paktën 60 pasgoditje kanë tronditur ishujt grekë të Samosit dhe Ikarias, që kur tërmeti vdekjeprurës me magnitudë 7 goditi rajonin.

Disa orë pas rënies së tërmetit Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan zhvilluan një bisedë të rrallë telefonike duke ngushëlluar njëri-tjetrin lidhur me ngjarjen. Një zhvillim që vjen në një periudhë të tensionuar mes dy vendeve mbi pretendime mbi shelfin kontinental.

Ekspertët parashikojnë se numri i të vdekurve do të rritet. Sizmologu grek Akis Tselentis tha se pasgoditjet mund të rezultojnë të fuqishme për shkak të thellësisë së cekët të tërmetit, rreth10 kilometra dhe mund të zgjasin deri në dy muaj. Të shtunën, Franca ofroi ndihmë për të dy vendet, duke ofruar “solidaritet të plotë si për Greqinë ashtu edhe për Turqinë”.

zëri i amerikës

Turqi- Shpëtohet nëna dhe 4 fëmijët që kishin ngecur në apartamentin e shembur

Një nënë dhe 4 fëmijët e saj u arritën të shpëtohen në apartamentin e shembur në Doğanlar të Izmirit.

Përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë për afërsisht 20 persona, të cilët vlerësohet se janë bllokuar nën rrënojat e Apartamentit Doğanlar, ku 2 persona vdiqën dhe 10 njerëz u shpëtuan.

Ndërkohë 25 njerëz mbetën të vrarë në zonat bregdetare në perëndim të Turqisë nga tërmeti fatal.

Të paktën 804 njerëz janë plagosur në Turqi, tha agjencia e katastrofave e vendit. Dhjetra u shpëtuan nga ekipet e shpëtimit duke përdorur fadroma dhe helikopterë për të kërkuar të mbijetuarit.

Tërmeti në Izmir, tetë viktima dhe 331 të plagosur

Në Izmir, qyteti më i goditur nga tërmeti shkatërrues që ra disa orë më parë në detin Egje, vijon operacioni i shpëtimit. Nga informacionet e para zyrtare, konfirmohen deri më tani 8 viktima dhe 311 të plagosur. 6 viktima në Turqi dhe 2 në Greqi. Mes viktimave në ishullin Samos janë dhe dy minorenë, një 15-vjeçare dhe një 17-vjeçar.

Dhjetëra objekte atje janë shembur, ndërsa deri më tani është nxjerrë e gjallë nga rrënojat një grua. Të shumtë raportohet të jenë personat që kanë mbetur poshtë pallateve të shembura.

Agjencia e kërkim-shpëtimit i bën thirrje qytetarëve të mos futen nëpër banesat e tyre, ndërsa vijojnë kërkimet nën rrënoja.
Kryebashkiaku Tunc Soyer tha për CNN Turk se vetëm në Izmir janë shembur 20 godina. Presidenti turk, Reccep Tayyip Erdogan shkroi në Twitter “Shërim të shpejtë Izmir”, ndërsa premtoi ndihmë të menjëhershme për personat e prekur. “Kemi nisur punën me të gjitha agjencitë shtetërore për t’i qëndruar pranë popullit tonë”.

Tërmeti me magnitudë 6,6 ballë të shkallës Rihter goditi brigjet e rajonit Seferihisar në qytetin Izmir të Turqisë.

Sipas informacionit në faqen e internetit të Kryesisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), theksohet se tërmeti u regjistrua në orën 14:51 me kohën lokale, me magnitudë 6,6 ballë Rihter në detin Egje, 17 kilometra nga brigjet e rajonit Seferihisar në qytetin e Izmirit. Epiqendra e tij ishte me një thellësi 16,54 kilometra.

(Video) Shaip Kamberi – një zë ndryshe në Parlamentin serb

Bekim Bislimi

“Është e trishtueshme për demokracinë, sepse një Kuvend të tillë nuk do të mund ta prodhonte as Sllobodan Millosheviqi”, ka thënë shefi i grupit parlamentar Lugina e Bashkuar – SDA e Sanxhakut, Shaip Kamberi, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Serbisë, më 28 tetor. Këto fjalë kanë nxitur reagime të shumta të përfaqësuesve të pushtetit në Serbi, por edhe në rrjetet sociale.

“Alleksandar Vuçiqi dhe (Ivica) Daçiqi, janë treguar më efikas sesa baballarët e tyre politikë”, ka theksuar Kamberi gjatë fjalimit të tij.

Sonja Biserko, kryetare e organizatës joqeveritare “Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut” në Serbi, i vlerëson fjalët e Kamberit, si një deklaratë e guximshme.

“Ky është një zë mjaft i fuqishëm i përfaqësuesve të pakicës shqiptare, e cila deri më tash ka qenë në Kuvend, por nuk ka qenë kaq eksplicite dhe mendoj që kjo është një deklaratë e guximshme dhe e domosdoshme për kuvendin serb“, theksoi Biserko për Radion Evropa e Lirë.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që fjalimi i Kamberit ka qenë përmbajtësor, politikisht korrekt dhe i ndërtuar mbi parimin qytetar. Sipas tij, ky fjalim nuk ishte zë opozitar, por një zë përbashkues i asaj që njihet si Serbi qytetare dhe demokratike.

“I gjithë fjalimi përshkruhej me orientimin evropian të Serbisë, me drejtimin që të ketë demokraci, që të respektohen të gjitha dallimet, si dhe me kritikën ndaj qeverisë aktuale, por edhe të politikës aktuale të presidentit, Alleksandar Vuçiq, që po shkon drejt autokracisë, duke e shtypur çdo zë opozitar”, theksoi Tahiri.

Çfarë tha Kamberi?

Gjatë fjalimit të tij në seancën e Kuvendit të Serbisë, në të cilën u zgjodh qeveria e re serbe, Kamberi vlerësoi se midis 250 deputetëve, opozita përfaqësohet nga vetëm gjashtë deputetë të partive të pakicave dhe deklaroi se grupi i tij parlamentar, i cili përbëhet nga gjashtë deputetë, nuk do të mbështesë qeverinë e re serbe. Si arsye për një vendim të tillë, Kamberi e ka theksuar atë që qeveria e kaluar me në krye Ana Bërnabiqin, nuk ka bërë asgjë për integrimin e shqiptarëve që jetojnë në jug të Serbisë.

“Unë nuk përfaqësoj as të verdhët, as të kuqtë, as të zinjtë, por shqiptarët e diskriminuar të Luginës së Preshevës”, ka thënë Kamberi.

Ai gjithashtu theksoi se, askush nga pakicat nuk udhëheq ndonjërën prej ministrive të qeverisë së re.

“Një koalicion i përbërë nga kinse qendra e majtë dhe e djathtë prodhoi një qeveri totalitare në Serbi, si kurrë më parë, natyrisht përmes procesit zgjedhor. E vërteta e vetme në slloganin ‘Serbia është Evropë’ është ‘Serbia është Bjellorusi’, megjithëse atje ka opozitë, të paktën në rrugë”, ka thënë Kamberi.

Kamberi deklaroi se në Serbi ka “gjuhë të urrejtjes në përdishmëri, seksizëm dhe denigrim të opozitës”. Ai gjithashtu vlerësoi se ksenofobia po lulëzon, ashtu sikurse etiketimi me emra fyes, i cili ka hyrë në “zhargonin e përditshëm”.

Kamberi vlerësoi gjithashtu se nga Serbia nuk mund të pritet që të zgjidhë çështjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, përderisa, ndër të tjera, vrasja e gazetarit (pronarit dhe kryeredaktorit të së përditshmes “Dnevni Telegraf”), Slavko Quruvija, nuk është zgjidhur.

Deklarata e tij i referohej çështjes së vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi – Yllit, Agronit dhe Mehmetit, të cilët u arrestuan më 1999 në hyrje të Serbisë për, siç pretendonin autoritetet e atëhershme serbe, kalim të paligjshëm të kufirin. Pas lirimit nga burgu, pas kryerjes së dënimit, ishin vrarë.

Trupat e tyre u zbuluan në korrik të vitit 2001 në një varr masiv në Petrovo Selo, në Serbinë lindore. Kërkesa për të ndriçuar këtë çështje erdhi në Serbi në disa raste nga instancat më të larta botërore, përfshirë Uashingtonin.

“Unë jam kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, i cili ka avokuar institucionalisht për të drejtat e shqiptarëve që nga vitit 1990, unë kam një pasaportë serbe, por në Serbinë e sotme, nuk kanë rëndësi shtetësia dhe qytetaria.Atëherë si mund të presim lirinë dhe barazinë”, ka thënë Kamberi në fjalimin e tij.

Ai theksoi që më parë “njerëzit kanë ikur për shkak të luftërave, ndërkaq sot ata po ikin për shkak të autoritarizmit”, dhe se “Serbia ka sunduesin e saj, prej të cilin varet fati i secilit prej nesh, duke përfshirë Qeverinë”, duke aluduar në kryetarin e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) dhe presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq.

Kamberi i bëri thirrje kryeministres, Bërnabiq që së bashku me të ta vizitojë Batajnicën, Peruqacin, Petrovo Selon dhe Rudnicën, ku dyshohet se shqiptarët nga Kosova, të vrarë gjatë luftës në fund të viteve 1990, ishin varrosur në varreza masive, si dhe duke theksuar se këto ishin kryer nga “strukturat e organizuara të shtetit”, të cilin ajo tani e përfaqëson.

“Këto krime lufte ishin urdhëruar dhe kryer nga zyrtarë serbë. Nuk ka prosperitet pa pajtim, nuk ka pajtim pa u ballafaquar me të kaluarën”, ka thënë Kamberi.

Reagime të ashpra ndaj deklaratave të Kamberit

I pari që reagoi ndaj fjalimit të Kamberit, ishte kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili është edhe lider i Partisë Socialiste të Serbisë, themelues dhe kryetar i së cilës nga viti 1990 e deri në vdekjen, më 2006, ishte Sllobodan Millosheviq.

Daçiq e paralajmëroi Kamberin, gjatë seancës, duke i thënë që duhet të përdorë “një fjalor që është i përshtatshëm për Kuvendin, në mënyrë që ai të mos detyrohet të marrë masa”. Daçiq shtoi se prezantimi i Kamberit ishte “provokues”.

“Askush nuk ka paragjykime për shkak të identitetit tuaj, por për shkak të asaj që ju po thoni. Akuzat janë pa asnjë bazë dhe një imazh i rremë se ekziston njëfarë pabarazie e pakicave”, tha Daçiq.

Mandatarja për përbërjen e qeverisë së re, e cili u zgjodh kryeministre disa orë më vonë, Ana Bërnabiq deklaroi se nuk është e vërtetë që shqiptarët që jetojnë në komuna në jug të Serbisë janë të diskriminuar. Ajo e pyeti Kamberin se “çfarë ke bërë ti për ta”, duke thënë se ai ka qenë në politikë më shumë se shumica e të pranishmëve në Kuvend.

Ndaj deklaratave të Kamberit ka reaguar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se Kamberi nuk ka shumë bazë për të fajësuar autoritetet në Serbi për totalitarizmin dhe mosrespektimin e të drejtave të pakicave.

“Dikush që dëboi 42 për qind të serbëve nga pushteti në Bujanoc flet për rrezikimin e komuniteteve pakicë. Ata po kërkojnë një pozicion ministror me 0,5 për qind të popullsisë në Serbinë qendrore dhe në Vojvodinë, ndërkaq ata që kanë 42 për qind nuk lejohen të marrin pjesë në qeveri. Kaq për totalitarizmin” tha Vuçiq.

Ai shtoi se ishte i lumtur që shqiptarët në Serbi mund të flisnin kaq hapur për këto probleme, para një audience milionëshe.

“A guxojnë disa të tjerë që këtë ta thonë në Prishtinë, Tiranë apo diku tjetër? Ata ankohen se nuk morën një post ministror. Ne ua ofruam një zëvendës, por duket se kishim një vlerësim të mirë për të mos i dhënë postin ministror dikujt që flet kështu për vendin e tij”, tha Vuçiq.

Artikulim i së ardhmes

“Mendoj që për herë të parë kemi zë në Kuvend, sidomos në një kuvend të tillë që është njëpartiak dhe i një mendësie, zë i cili për herë të parë në kuvend ka sjellë disa fakte që janë shumë të rëndësishme për Serbinë, por edhe për t’u ballafaquar me të kaluarën“, theksoi Biserko.

Pa një zë të tillë, siç thotë ajo, Serbia “nuk mund ta artikulojë të ardhmen e saj, sidomos marrëdhëniet e saja në rajon“.

Biserko thekson që edhe përfaqësuesit tjerë të popullit serb duhet të flasin në të njëjtën mënyrë, sepse siç thotë ajo, para Serbisë është një proces i rëndësishëm i ballafaqimit dhe i normalizimit të marrëdhënieve në rajon.

Sipas saj, zëri i përfaqësuesve të komunitetit pakicë shqiptar është i rëndësishëm edhe në kontekstin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj se ai zë është i rëndësishëm për shkak se në këtë dialogun Beograd-Prishtinë, pakica shqiptare në Serbi asnjëherë nuk ka pasur vend, as përfaqësim dhe as që është marrë parasysh situata e shqiptarëve në jug të Serbisë“, theksoi Biserko.

Politologu, Ramush Tahiri, vlerëson se është mirë që një fjalim i tillë, siç e kishte paraqitur deputeti Kamberi në Kuvendin e Serbisë, është pranuar mirë nga intelektualët dhe nga elita në Serbi dhe nuk është trajtuar si fjalim i një shqiptari, por si fjalim i një qytetari të Serbisë, i cili, siç tha ai, “ia do të mirën Serbisë si shtet dhe si shoqëri e demokratizuar, si dhe mbarë rajonit”.

Përkrahjen që ka marrë në opinionin në Serbi fjalimi i Kamberit, politologu Tahiri e sheh si hapje të vizionit, përkrahje të mendimit kritik dhe tejkalim të ndarjeve partiake, etnike dhe fetare.

“Fjala e Shaip Kamberit ishte fjalë qytetare që e kalon çdo dallim dhe ishte fjalë e sinqertë për atë se si e sheh të tashmen, por sidomos të ardhmen e Serbisë. Kjo përkrahje, në secilën pjesë të fjalimit, unë besoj që vetëm do të zgjerohet dhe do të jetë një mendim dhe qëndrim kritik edhe i opozitës, e sidomos i elitës intelektuale në Serbi, sepse argumentet janë argumente dhe ato janë të pranueshme për cilëndo pjesë të historisë për të cilën ai foli, por edhe për cilindo koncept për të ardhmen e Serbisë”, theksoi Tahiri.

Fjalimi i tillë, siç shtoi Tahiri, “do t’i bënte nderë cilitdo parlament në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe është një përkushtim që përmes argumenteve të ndërtohen raportet politike brenda shtetit, por edhe në vet Kuvendin e Serbisë”.

Akuzat dhe etiketimet

Drejtori i organizatës joqeveritare Qendra për rajonalizim nga Novi Sadi, Aleksandar Popov, thotë për Radion Evropa e Lirë se atë që e ka thënë Kamberi në Kuvendin e Serbisë, do të mund ta thoshte cilido deputet tjetër opozitar.

“Në fakt, nuk do të thoshte asgjë që nuk është vërtetë. Po ta thoshte këtë në fjalimin e tij dikush nga opozita e Serbisë – sikur ajo të ekzistonte fare në Kuvend, por që nuk ekziston – atëherë do të vinin akuza të llojit tjetër, se bëhet fjalë për manjatë, si dhe do të merrnin lloj-lloj etiketash të ndryshme“, theksoi Popov.

Sipas tij, ndryshimi i vetëm do të ishte në atë se e ka thënë një njeri që nuk është me komb shqiptar dhe pastaj kjo do të kishte konotacion tjetër.

“Nëse pjesëtarët e pakicave nuk i gëzojnë të drejtat dhe nëse nuk ndjehen mirë, atëherë, sipas rregullit, do të duhej që as pjesëtarët e shumicës të mos ndjehen mirë, sepse atëherë do të thotë se këtu nuk ka sundim të ligjit dhe nuk ka liri qytetare në kuptimin e plotë të asaj fjale“, tha Popov dhe shtoi: “Nëse cilido qytetar nuk është i sigurtë, pa marrë parasysh se cilit komb apo besim i takon, atëherë askush nuk është i sigurt në një shtet të tillë“.

Reagimet në rrjetet sociale

Themeluesja dhe ish-drejtoresha e Qendrës për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, shkroi në llogarinë e saj në Twitter se për të gjitha ato që Kamberi i ka thënë në Kuvendin e Serbisë, “ne kemi nevojë sikurse për ajër”.

“Sot unë jam duke marrë frymë më lehtë”, ka thënë Kandiq.

Shkrimi i saj nxiti reagime të tjera.

Rada Trajkoviq, një politikane serbe nga Graçanica dhe kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, e quajti Kamberin udhëheqës të ri të opozitës.

“Të paktën ai në mes të Beogradit dhe para Kuvendit të Vuçiqit guxon t’ia thotë në sy regjimit. Për dallim nga Lista Serbe e cila rri në Prishtinë, hesht dhe miraton, ndërkaq që Mitrovica e zgjedh pa rezistencë”, ka shkruar Trajkoviq.

Marko Jakshiq nga Mitrovica e Veriut ka reaguar në Twitter duke thënë se ajo që ka deklaruar Kamberi, megjithatë nuk e bën atë si kreun e opozitës në Serbi.

“I qoftë për nderë e gjithë ajo që tha. Listën Serbe nuk mund ta krahasojmë me të, sepse ata janë qesharakë dhe nuk na ka faj ai që ato koka janë përfaqësuesit tanë në Kosovë. Por, e gjithë kjo nuk e bën atë udhëheqës të opozitës në Serbi”.

Slobodan Giorgev ka shkruar në Twitter që “Shaip Kamberi e meriton të paktën postin e sekretarit shtetëror në Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave”, në Serbi.

Por, ndaj fjalimit të Kamberit ka pasur edhe reagime kundërshtuese. Branimir Saraçeviq ka shkruar në Twitter se Shaip Kamberi, “për të cilin po thuhet se është shef i opozitës, në fakt është kopjuesi më vullgar i deklaratave të moqalit opozitar”.

Ndërkaq, një komentues tjetër, me nofkën Garfilld ka thënë se “i njëjti Shaip Kamberi është ai që kërkon bashkimin e të ashtuquajturës ‘Luginë e Preshevës’ dhe Medvegjës me ‘shtetin’ e Kosovës”.

Kuvendi i Serbisë i ka gjithsej 250 deputetë. Lista e partisë në pushtet, Partisë Përparimtare Serbe, ka fituar 188 nga 250 ulëset e deputetëve të Kuvendit.

Qeverinë e re të Serbisë, e cila ka 21 resorë dhe dy minsitri pa portofol, Kuvendi i Serbisë e ka miratuar me 227 vota “për” dhe 5 vota “kundër”.

Katër partitë shiptare nga jugu i Serbisë, nga Presheva dhe Bujanoci, kanë marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në Serbi, me 21 qershor, me listë të përbashkët, me emrin Alternativa demokratike shqiptare – Lugina e Bashkuar dhe kanë fituar 6 mandate të deputetëve.

Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës ka nëntë deputetë dhe Partia e Drejtësisë e Muamer Zukorliqit ka katër deputetë. Ata gjithashtu e kanë mbështetur zgjedhjen e Ivica Daçiç si kryetar të Kuvendit.

Vdiq kreu i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, mitropoliti Amfilohije, vdiq mëngjesin e së premtes.

Lajmi u konfirmua nga Kisha, e cila tha se Amfilohije, 82 vjeç, vdiq në Qendrën Klinike të Malit të Zi në Podgoricë.

Udhëheqësja e Klinikës së Pulmologjisë në këtë spital, Jellena Boroviniq Bojoviq, tha pas mesnatës së shkuar se gjendja e mitropolitit është serioze, se është intubuar dhe vendosur në ventilim invaziv.

Më 7 tetor është bërë e ditur se Amfilohije është shtruar në spital për trajtim të koronavirusit.

Fillimisht, mjekët e kanë vlerësuar situatën e tij si të qëndrueshme.

Mali i Zi ka regjistruar gjithsej mbi 17,300 raste me koronavirus dhe 282 viktima. rel

Mali i Zi kërkon ndihmën e Interpolit për kërcënimet ndaj Dritan Abazoviçit

Mali i Zi ka kërkuar ndihmën e Interpolit për shkak të kërcënimeve përmes mediave sociale ndaj Dritan Abazoviç, udhëheqësi i Aksionit të Reformës së Bashkuar (URA).

Policia malazeze identifikoi R.SH nga Rozhaja, i cili kërcënoi Dritan Abazoviqin, përmes rrjetit social Facebook. Por, meqenëse R.SH nuk jeton në Mal të Zi, u kërkua ndihma e Interpolit. Kjo u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga policia malazeze.

“Sipas deklaratës së një të afërmi të ngushtë, R.SH nuk jeton në Mal të Zi, por në Suedi dhe kemi përcjellë një kërkesë për Interpol-in në Suedi përmes Departamentit për Bashkëpunim Operacional, duke kërkuar kontrolle të caktuara për këtë person”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Përmes komenteve në Facebook dyshohet se R.SH, më 10 shtator, i tha Abazoviqit se do të masakrohej nëse vazhdonte “miqësinë” e tij, domethënë negociatat dhe bashkëpunimin me “çetnikët”.

Kjo çështje, sipas policisë, po trajtohet nga Prokuroria e Ulqinit.

“Abazoviq u informua për aktivitetet e ndërmarra dhe deklaroi se ai nuk ndihej i kërcënuar në lidhje me këto kërcënime”, tha policia.

Për shkak të një sërë kërcënimesh, më 3 shtator, URA kërkoi një vlerësim urgjent të sigurisë së udhëheqësit, Dritan Abazoviq ,dhe pronës së tij nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Malit të Zi (ANB) dhe Drejtoria e Policisë.

Koalicioni “E zeza mbi të bardhë” i udhëhequr nga Dritan Abazoviq, ai “Për të ardhmen e Malit të Zi” në krye me Frontin Demokratik dhe koalicioni “Paqja është kombi ynë” dolën fitues të zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 30 gusht në Mal të Zi.

Serbia kërkon Asociacion me kompetenca ekzekutive

Delegacioni serb gjatë pritjes nga përfaqësuesi i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Foto nga arkivi.

Në Bruksel është zhvilluar të enjten (29 tetor) një raund i ri i takimeve në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me pjesëmarrjen e shefave të delegacioneve.

Qeveria e Kosovës ka lëshuar një komunikatë pas këtij takimi, në të cilën thuhet se temë e diskutimit ishte zgjidhja e pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve.

“Në kuadër të kësaj teme, sot është biseduar ekskluzivisht për pensionet dhe kadastrin. Pavarësisht diskutimit të gjatë për këto tema, ende nuk ka përafrim të ndjeshëm të qëndrimeve. Por, megjithatë, është arritur pajtueshmëri që diskutimi i këtij elementi të marrëveshjes së përgjithshme, pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve, të vazhdohet në takimin e radhës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili po merr pjesë në këto takime në emër të palës serbe, u tha mediave në Bruksel se gjatë takimit të së enjtes (29 tetor) ata ngritën çështjen e formimit të Asociacioni të Komunave me shumicë serbe, dhe këmbëngulën në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, që sipas tij, “është e nevojshme për vazhdimin e dialogut, por edhe për ndërtimin e besimit shumë të nevojshëm midis të dy palëve”.

“Pa formimin e Asociacionit, ne nuk mund të përparojmë në dialog. Ne do të shohim se si pala e Prishtinës do të veprojë tani për këtë çështje. Ajo flet për mundësinë e formimit, siç e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese, e cila është e papranueshme, sepse për të nuk është rënë dakord në Bruksel, nuk është pjesë e parimeve të dakorduara në vitin 2015. Diçka që mund të quhet OJQ (Organizatë Joqeveritare), nuk na duhet, na duhet një institucion serioz, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive”, tha Petkoviq.

Sipas tij, duke formuar një Asociacion të komunave me shumicë serbe, populli serb në Kosovë mund të “ushtrojë të drejta kolektive që nuk i gëzon tani”.

Ai shtoi se është diskutuar edhe për pronat dhe pretendimet financiare, çështje këto që janë diskutuar edhe në takimin e kaluar.

“Kemi diskutuar për pronat dhe pretendimet financiare për çka kemi këndvështrime të ndryshme, por megjithatë të dyja palët kanë paraqitur qëndrimet e tyre”, tha Petkoviq.

“Ajo që është e rëndësishme për Beogradin është se sa herë që vijmë këtu në Bruksel, jemi të përgatitur plotësisht me ekspertët tanë dhe propozimet tona, si t’i qasemi një problemi të caktuar. Kur bëhet fjalë për pronën dhe pretendimet financiare, ne insistuam që së pari të vendosim parime të qarta dhe mekanizmat për zgjidhjen e kësaj çështjeje të rëndësishme, e cila, ndër të tjera, ka rënduar marrëdhëniet tona për shumë vite”, shtoi Petroviq.

Shefi i delegacionit serb tha se në mënyrë që të normalizohen më tej marrëdhëniet, është e nevojshme të diskutohen “shumë çështje të tjera që nënkuptojnë kompromis”.

“Kompromisi do të thotë që të dyja palët të fitojnë ose të humbin njësoj. Pra, të takohemi diku në gjysmë të rrugës. Por, që njëra palë të fitojë gjithçka dhe tjetra të humbasë gjithçka, kjo është e papranueshme për ne”, shtoi ai.

Delegacionin e Kosovës e përfaqësoi Skender Hyseni, koordinator për dialog, ndërsa me të kanë qenë edhe ekspertët për temat që kanë të bëjnë me ekonomi dhe financa, pasi palët pritet të diskutojnë pretendimet financiare dhe pronësore.

Sikur edhe në takimet e mëparshme, edhe kësaj radhe palët patën së pari takime bilaterale me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, dhe më pas takime të përbashkëta ndërmjet dy palëve.

Takimi i së enjtes vjen pas më shumë se një muaji, prej kur ishte zhvilluar takimi i fundit.

Ky takim ishte planifikuar të zhvillohej në fund të muajt shtator, por ishte shtyrë për shkak të masave parandaluese si shkak i pandemisë, por edhe për shkak të pengesave të paraqitura rreth temave në dialog, për të cilat palët nuk ishin dakord palët.

Shefi i delegacionit serb tha se takimi i radhës do të caktohet varësisht prej planifikimeve të Bashkimit Evropian. rel

Shqiptari Abazoviç merr Ministrinë e Brendshme dhe Shërbimin Sekret në Mal të Zi, ndërkombëtarët zmbrapsin serbët

Qeveria e re e Malit të Zi, e cila konfigurohet zyrtarisht ditën e diel, ka marrë formën e saj dhe siç bëjnë të ditur mediat e vendit fqinj, gjithçka është arritur në momentin e fundit pas presionit të komunitetit ndërkombëtar.

Shqiptari Dritan Abazoviç, që drejton partinë URA dhe ka 4 deputetë vitalë për mazhorancën e re, do të mbajë dikasteret e Sigurisë; Ministrinë e Brendshme, të Mbrojtjes dhe agjencitë e shërbimit sekret.

Këtë opsion e kanë kundërshtuar fuqishëm partitë proserbe, por në fund ka qenë presioni i madh ndërkombëtar që ka ndikuar për t’u tërhequr.

Ende nuk dihet nëse në krye të këtyre dikastereve do të ketë ndonjë shqiptar etnik, deri tani Dritan Abazoviç ka bërë të ditur se do të delegojë ekspertë dhe jo politikanë në postet e reja ministrore.

NATO dhe vendet e Perëndimit kanë qenë kundër emërimit të ndonjë politikani të lidhur me Moskën në krye të agjencive të sigurisë.

Marrëveshja përfundimtare mbi programin dhe vendimet e personelit është planifikuar për 30 Tetor.

Krerët e “Demokracisë së Re Serbe dhe Partisë Socialiste të Popullit mund të jenë zëvendëskryeministra.

Kurse radikalët e Frontit Demokratik pritet të marrin nënkryetarin e Kuvendit. Megjithatë partia radikale në koalicionin që drejton kryeministri i ri, Lëvizja për Ndryshime bëri të ditur se udhëheqësi i tyre Nebojsha Medojeviç duhet të emërohet për një pozicion në sektorin e sigurisë.

Fronti Demokratik do të derjtojë ministrinë e Arsimit, ku do të emërohet serbja Branka Boshnjak, kurse Branko Raduloviç do të emërohet ministër i Zhvillimit.

Serbi, stërvitje me dronë kinezë dhe avionë rusë

Manovrat e quajtura Bashkëpunimi 2020 ishin demonstrim i një fuqie ushtarake të ripërtëritur të Serbisë

Marrë nga Reuters

Avionë, helikopterë dhe tanke të prodhimit rus zhvilluan qitje të shtunën në Pester, një zonë e vetmuar stërvitjesh në Serbinë perëndimore, ndërsa në qiell fluturonin dronët ushtarakë kinezë.

Manovrat e quajtura Bashkëpunimi 2020 ishin demonstrim i një fuqie ushtarake të ripërtëritur të Serbisë dhe u ndoqën nga Presidenti Aleksandar Vuçiç dhe personalitete të tjera.

Gjatë stërvitjeve u nënvizuan lidhjet e ngushta ushtarake të Serbisë me Pekinin dhe Moskën.

Vitet e fundit, Beogradi ka përshpejtuar shpenzimet e mbrojtjes ndërkohë që kërkon dominim në Ballkanin Perëndimor.

Buxheti i tij ushtarak u rrit në rreth 1.14 miliardë dollarë në vitin 2020 dhe 2019, që është 43% më shumë se në 2018. Shpenzimet ushtarake të këtij viti përbënin rreth 2.4 përqind të produktit të brendshëm të përgjithshëm.

“Jemi duke forcuar ushtrinë tonë për të parandaluar çdo agresor, nuk kemi ndërmend të nisim ndonjë konflikt”, u tha zoti Vuçiç gazetarëve pas stërvitjes.

Për herë të parë, Serbia demonstroi përdorimin e dronëve luftarakë kinezë CH-92A, dislokimi i parë i mjeteve fluturuese kineze pa pilot në Evropë. Ajo mori gjashtë dronë të tillë në qershor.

Pekini e sheh Serbinë si pjesë të nismës “Një Brez Një Rrugë”, që synon hapjen e lidhjeve të reja të tregtisë së jashtme për kompanitë kineze që kanë investuar miliarda euro, kryesisht kredi të buta, për projekte të infrastrukturës dhe energjisë.

Stërvitja Bashkëpunimi 2020

Stërvitja Bashkëpunimi 2020

Për stërvitjen e së shtunës, ushtria serbe dislokoi atje 40 avionë, rreth 150 automjete, përfshirë tanke dhe transportues të blinduar si dhe rreth 2’800 trupa.

Ushtria serbe përdor kryesisht teknologji ish-sovjetike, por vitet e fundit Beogradi ka blerë avionë luftarakë MiG-29 dhe armë të tjera nga Rusia, përfshirë helikopterë Mi-35 dhe sistemin e mbrojtjes ajrore Pancir, që u demonstrua të shtunën.

Serbia, e cila është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shpalli neutralitetin ushtarak në vitin 2006. Ajo iu bashkua Programit të NATO-s Partneritet për Paqe, megjithëse nuk kërkon anëtarësim të plotë në aleancën perëndimore të mbrojtjes.

zëri i amerikës

Mitsotakis: Sot demokracia fitoi, si grek jam krenar që u njoh karakteri kriminal i ”Agimit të Artë”

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka përgëzuar vendimin e Gjykatës së Apelit në Athinë për ta shpallur ”Agimin e Artë” një organizatë kriminale.

Mitsotakis thotë se si kryeministër i Greqisë duhet të jetë i rezervuar, por si qytetar grek nuk e fsheh dot kënaqësinë për njohjen e karakterit kriminal të partisë neofashiste.

Po ashtu ai kujton se partia që kryeson, Demokracia e Re, nuk bashkëpunoi dhe e ka luftuar gjithmonë qëndrimin dhe idetë e ”Agimit të Artë”.

Sipas tij sot demokracia fitoi në Greqi dhe tashmë duhet luftuar ende në vijim racizmi, intoleranca dhe dhuna në vend.

“Me vendimin e sotëm të Gjykatës Penale tre anëtarëshe të Apelit për veprimin e Agimit të Artë, një cikël traumatik i jetës publike të vendit mbyllet. Dimensioni i tij politik, për fat të mirë, është gjykuar nga fitorja e Republikës, e cila dëboi formacionin nazist nga parlamenti. Tani, gjyqësori i pavarur po jep përgjigjen e vet.

Si Kryeministër, me vetëdije përmbahem nga komentimi i vendimeve të gjykatës. Megjithatë, si një qytetar grek, unë marr pjesë në kënaqësinë universale për njohjen e karakterit të tij kriminal. Dhe unë jam krenar për qëndrimin e palëkundur të fraksionit tonë që vendosi si qëllim strategjik margjinalizimin politik dhe shoqëror të Agimit të Artë.

Sepse Demokracia e Re gjithmonë, në mënyrë të qëndrueshme dhe kudo ka luftuar fashizmin. Ai denoncoi populizmin që e ngriti atë në sheshet e urrejtjes së verbër dhe dhunës. As për një moment ai nuk bashkëpunoi me përfaqësuesit e tij, qoftë në zgjedhjet politike ose në zgjedhjet parlamentare. Me një urdhër që ajo miratoi, ajo i përjashtoi ata nga fondet e shtetit. Ai madje refuzoi të legjitimojë praninë e tyre edhe në ngjarje të thjeshta, ceremoniale.

Historia ka shkruar se në ditët e Demokracisë së Re, u hap rruga për gjyqin e Agimit të Artë. Në kohën e saj, një proces që zgjati për katër vjet e gjysmë gjithashtu u lehtësua dhe përshpejtua. Kështu që ne mund ta bëjmë Drejtësinë të marrë vendimet e saj sot.

Formacioni nazist, pas sondazheve, u dënua gjithashtu në gjykatë. Është një dëshmi e fuqisë së sistemit parlamentar dhe ndarjes së pushteteve. Uniteti, e vërteta dhe butësia. Sidoqoftë, gjykimi i racizmit, intolerancës dhe dhunës në shoqëri mbetet në vazhdim. Demokracia fitoi sot. Na takon të gjithëve që të fitojmë çdo ditë ”. bw

Shqiptarët në Mal të Zi mund të përdorin simbolet kombëtare

Ali Salaj

Me propozim nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi qeveria e atij vendi ka miratuar përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar. Po ashtu qeveria e Malit të Zi ka miratuar edhe përdorimin e himnit kombëtar të Shqipërisë si dhe 28 nëntorin si festë kombëtare për shqiptarët në atë vend.

Përdorimi i simboleve kombëtare nga pakicat në Mal të Zi paraqiste një problem të vazhdueshëm dhe ishte objekt debatesh midis forcave politike shqiptare dhe zyrtarëve malazezë.

Pas mosmarrëveshjeve të shumta, qeveria e Malit të Zi në nëntor të vitit të kaluar miratoi projektligjin për simbolet kombëtare të propozuar nga Ministria për të Drejtat e Njeriut.

Dënimet për shfaqjen e simboleve kombëtare në Mal të Zi janë pasojë e Ligjit për ruajtjen e qetësisë publike, i cili ishte në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën dhe parashihte dënime në rast se shpalosen simbolet e shteteve të tjera.

Në bazë të ligjit të Malit të Zi për rendin publik, një qytetar që tregonte publikisht një flamur, stemë ose simbol të një shteti tjetër pa autorizim, gjobitej me 100 deri 500 euro ose dënohej me burgim deri në 30 ditë.

Gjykatat në Mal të Zi kanë ndëshkuar shumë shqiptarë në Tuz apo Ulqin për shkak të përdorimit të flamurit shqiptar.

Zdravko Krivokapiq propozohet për mandatar të Qeverisë së re në Mal të Zi

Pas verifikimit të mandatit të parlamentit të ri në Mal të Zi, shumica parlamentare e kësaj legjislature përbëhet nga tre grupe koalicioni, që drejtohen nga Zdravko Krivokapiq, Aleksa Beçiq dhe Dritan Abazoviq.

Aleksa Beçiq, udhëheqës i koalicionit, “Paqja është kombi ynë”, është zgjedhur kryetar i Parlamentit të Malit të Zi.

Me votim të fshehtë, 45 deputetë kanë votuar për Beçiqin.

Përveç partive të shumicës parlamentare, ai siguruar edhe mbështetjen e disa partive kombëtare të pakicave.

Një deputet ka votuar kundër, ndërsa Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) ka abestenuar.

Në fjalimin e tij të parë si kryetar parlamenti, Beçiq, ka deklaruar se për të është nder të jetë “zyrtari i parë i zgjedhur publik, pas ndryshimit të parë demokratik të qeverisë në historinë e Malit të Zi”.

Deputetët e koalicionit trepalësh i kanë dërguar një kërkesë të nënshkruar presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, për t’i dhënë Zdravko Krivokapiqit një mandat për përbërjen e qeverisë së re.

Përndryshe, seanca konstituive e së mërkurës filloi me intonimin e himnit kombëtar, dhe në këtë ceremoni nuk morën pjesë disa anëtarë të Frontit Demokratik, megjithatë, udhëheqësi i listës “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, Zdravko Krivokapiq, me deputetët dhe mysafirë të tjerë të pranishëm respektuan himnin kombëtar.

Në seancë nuk mori pjesë presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

Pas verifikimit të mandateve të deputetëve të përbërjes së re të kuvendit, kryesuesi, Miodrag Lekiq tha ndër të tjera, se për herë të parë ka pasur një ndryshim të qeverisë dhe transferim paqësor të pushtetit. Ai tha se nuk do të ketë asnjë revanshizëm në lidhje me qeverinë e mëparshme dhe këmbënguli në dinjitetin dhe pavarësinë e kuvendit si institucion.

“Qeveria e re nuk duhet të mbështesë legjitimitetin e saj në mohimin e gjithçkaje që është bërë më parë. Si rezultat, kjo duhet të pranohet. Gjërat negative, dhe kam frikë se kishte më shumë, kërkojnë një ndërprerje radikale. Pra, nuk do të ketë revanshizëm, por do të ketë realizime të kapitujve 23 dhe 24 (kapitujt i referohen shtetit të së drejtës)”, tha Lekiq i cili drejtoi seancën si deputeti më i vjetër i parlamentit.

Shumica parlamentare përbëhet nga tre koalicione: “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” i udhëhequr nga Zdravko Krivokapiq, që fitoi 27 vende, koalicioni “Paqja është kombi ynë” i udhëhequr nga Aleksa Beçiq, me dhjetë vende dhe koalicioni “E zeza mbi të bardhë” i udhëhequr Lëvizja qytetare, Dritan Abazoviq me katër vende.

Partia Demokratike e Socialistëve, e presidentit Millo Gjukanoviq, ka fituar 30 vende në përbërjen e re të parlamentit.

Partia Boshnjake dhe Social-Demokratët fituan nga tri vende secila, Partia Socialdemokrate dy, dhe nga një vend në parlament e kanë fituar: Lista Shqiptare “Nik Gjeloshaj-Genci Nimanbegu” dhe koalicioni “Bashkë një za”.

Seancës konstituive të Kuvendit i parapriu një përpjekje për të arritur një marrëveshje midis përfaqësuesve të tre koalicioneve dhe drejtuesve të subjekteve politike të shumicës së re parlamentare, mbi mandatarin dhe përbërjen e qeverisë dhe ndarjen e ministrive.

Negociatat që u zhvilluan më 22 shtator, në manastirin e Ostrogut me ndërmjetësimin e Peshkopit të Kishës Ortodokse Serbe, Amfilohije, sipas pretendimeve të disa pjesëmarrësve, përfunduan pa rezultat.

Më parë krerët e tre koalicioneve fituese të zgjedhjeve kanë bërë publike parimet për formimin e Qeverisë së ardhshme të Malit të Zi.

Liderët e tri subjekteve politike të koalicionit opozitar kanë thënë se qeverisja e tyre do të përfshijë edhe bashkëpunimin me aleancën e NATO-s, mosvënien në diskutim të njohjes së Kosovës dhe se do të përjashtojnë mundësinë e ndryshimit të simboleve shtetërore të Malit të Zi. rel


Send this to a friend