VOAL

VOAL

Vuçiçi paralajmëron marrëveshje për linjën hekurudhore Prishtinë-Beograd

January 24, 2020

Komentet

Jostabiliteti në Bosnje “ka efekt zinxhir” në Kosovë dhe më gjerë

Forca mbrojtëse e BE-së në Bosnje, EUFOR.

Valona Tela

Në vitin 2021, udhëheqësi nacionalist i serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, shkaktoi krizën më serioze politike që nga lufta e viteve 1992-95, kur tha se do ta tërheqë rajonin serb, të njohur si Republika Sërpska, nga institucionet shtetërore të Bosnjës: gjyqësori, sistemi i taksave dhe forcat e armatosura.

Të tria këto përfaqësojnë shtyllat kryesore të shtetit, i cili pas luftës u nda në dy rajone autonome: Republika Sërpska dhe Federata e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët.

Përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, tha atëkohë se plani i Dodikut është i barasvlershëm me ndarje.

“Perspektivat për ndarje dhe konflikt të mëtejshëm janë shumë reale. Bosnja mund të përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial që nga paslufta, nëse komuniteti ndërkombëtar nuk merr masa për t’i ndaluar separatistët serbë”, tha Schmidt.

Edhe pse vazhdimisht përsëriti kërcënimet për ndarje, Dodik nuk bëri ndonjë hap në praktikë, duke thënë se do të presë për një moment më të përshtatshëm gjeopolitikisht.

Por, inteligjenca amerikane tha se ai, në fakt, po merr hapa për shkëputjen de facto të Republikës Sërpska.

Në një raport të Zyrës së drejtorit të inteligjencës kombëtare të SHBA-së, që u bë publik këtë javë, u tha se “udhëheqësi serb i Bosnjës, Millorad Dodik, po ndërmerr hapa provokues për të neutralizuar mbikëqyrjen ndërkombëtare në Bosnje dhe për të siguruar shkëputjen de facto të Republikës Sërpska”.

“Veprimi i tij mund t’i shtyjë udhëheqësit e popullsisë boshnjake që t’i forcojnë kapacitetet në mbrojtje të interesave të veta, dhe të çojë ndoshta në konflikte të dhunshme, që mund t’i mposhtin forcat paqeruajtëse”, tha po ashtu inteligjenca amerikane.

Dodik, i cili është i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për shkak të “aktiviteteve destabilizuese”, tha se Republika Sërpska “nuk planifikon ndarje apo rrezikim të paqes dhe stabilitetit”.

Në një postim në platformën X, pas publikimit të raportit të inteligjencës amerikane, Dodik tha se “Amerika do një vatër të re të nxehtë, në të cilën njëri prej presidentëve më të pasuksesshëm në historinë e Amerikës [Joe Biden] do të mund të fitonte ndonjë pikë, përpara zgjedhjeve”.

Ai tha, po ashtu, se “nuk do të lejojë të rrezikohet siguria e njerëzve”.

Por, sipas vëzhguesve, Perëndimi duhet të ketë “qasje më vigjilente” ndaj asaj që ndodh në Bosnje e Hercegovinë, sepse situata mund të dalë shpejt “jashtë kontrollit”.

Ata thonë se paralajmërimet për Dodikun nuk janë një gjë e re, por se vijnë në një moment të ri gjeopolitik – në njërën anë të botës lufta në Ukrainë, në anën tjetër lufta në Gazë.

Vesko Garçeviq, profesor i Praktikës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit, flet për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:

“Nëse diçka ndodh në Bosnje e Hercegovinë, nëse Dodik ndihet i inkurajuar për të organizuar referendum për pavarësi dhe për ta shpallur Republikën Sërpska shtet të pavarur, një gjë e tillë ka të ngjarë të çojë në një reaksion zinxhiror në rajon. Atëherë, mund të presim diçka të ngjashme, ose jostabilitet dhe përshkallëzim të situatës edhe në Kosovë”.

Vesko Garçeviq

Vesko Garçeviq

Dodik është aleat me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Prej se Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022, Dodik ka takuar katër herë Putinin – herën e fundit muajin e kaluar.

Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, thotë se Rusia nuk ka synime specifike strategjike në Ballkanin Perëndimor, por se është e vetëdijshme se, praktikisht, “pa përpjekje” mund ta pengojë integrimin e tij euroatlantik.

Vogel thotë se forca paqeruajtëse e BE-së në Bosnje, EUFOR Althea, nuk ka as njerëz, as pajisje, për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate dhunës së mundshme në Bosnje.

Sipas tij forcimi i këtyre forcave është parakusht për zgjidhjen e problemeve të tjera në këtë vend.

“Nëse trupat e EUFOR-it do të dislokoheshin në Bërçko [që është njësi administrative vetëqeverisëse], ato do të dërgonin një sinjal se çfarëdo që të bëni, çfarëdo lëvizjeje secesioniste që të bëni, ne jemi këtu dhe do ta ‘përgjysmojmë’ Republikën Sërpska. Do të ishte e pamundur fizikisht që Republika Sërpska të shkëputej”, thotë Vogel për REL-in.

Vogel thotë se BE-ja nuk ka “oreks” për t’i forcuar ndjeshëm këto forca, edhe pse, sipas tij, paralajmërimet e SHBA-së do të duhej të shërbenin si “thirrje zgjimi” për të.

Ai nuk mendon se përparimi i Bosnjës drejt integrimit evropian, do ta ndryshonte sjelljen e Dodikut. Sipas tij, BE-ja është fajtorja kryesore për situatën aktuale në Bosnje.

“BE-ja ka qenë lojtarja dominuese ndërkombëtare në Bosnje për gati dy dekada. Fakti që SHBA-ja, pas një periudhe kaq të gjatë, ngre alarmin për kërcënimet secesioniste, flet për dështimin e BE-së për të ndërtuar paqe konkrete”, thotë Vogel.

Toby Vogel

Toby Vogel

Por, ndryshe nga Vogel mendon Garçeviq. Sipas tij, integrimi i përshpejtuar në BE do ta ulte rrezikun e përshkallëzimit të situatës.

“Së dyti, do të duhej vigjilencë edhe ndaj sigurisë dhe inteligjencës, si dhe lidhje më e afërt me Ballkanin. Idetë ekstreme mund të çojnë në situata ekstreme. Nëse nuk i trajtojmë në mënyrë parandaluese, atëherë mund të përshkallëzohen në diçka që nuk duam ta shohim”, thotë Garçeviq.

Dodik, në disa paraqitje publike, ka shprehur mbështetje për rikthimin e Donald Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë. Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen në nëntor.

Nëse Trump fiton kundrejt presidentit aktual, Joe Biden, Vogel thotë se nuk pret ndryshime të rëndësishme në marrëdhëniet e SHBA-së me Bosnje e Hercegovinën, por se pret rikthimin e “tendencave të rrezikshme për t’i parë diktatorët si miq”.

Vogel thotë se Trump nuk ka ideologji apo strategji të qarta, por se ka, sipas tij, mbështetjen e autokratëve të ndryshëm – në mesin e tyre Putin dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Garçeviq thotë se tendencat e Trumpit për zgjidhje pragmatike dhe radikale mund të përkthehen edhe në praktikë, jo vetëm në Bosnje e Hercegovinë, por në të gjithë Ballkanin Perëndimor, sipas tij.

“Nëse Trump kthehet në zyrë në SHBA, nuk mund të presim që SHBA-ja të vazhdojë të punojë në sienergji me BE-në, ashtu siç ka qenë rasti me administratën e Bidenit. Ajo që mund të presim është që SHBA-ja, për shembull, të dalë me planin e vet për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë. Një prej ideve, që është hequr nga tryeza disa vite më parë, por mund të kthehet në agjendë, është shkëmbimi territorial midis Kosovës dhe Serbisë”, thotë Garçeviq.

Në rast se ky skenar realizohet, shton ai, ndarja e Republikës Sërpska do të bëhej shumë e mundshme, dhe efekti vargua do të niste edhe në vende të tjera të rajonit.

Inteligjenca amerikane, në raportin e publikuar këtë javë, kujtoi se përleshjet “midis nacionalistëve serbë dhe autoriteteve të Kosovës” kanë çuar “në vrasje dhe plagosje, përfshirë edhe plagosjen e paqeruajtësve të NATO-s, në vitin 2023”.

“Ballkani Perëndimor ka gjasa të përballet me një rrezik në rritje të dhunës së lokalizuar ndëretnike, gjatë vitit 2024”, tha inteligjenca amerikane.

Në janar, Dhoma e Lordëve në Mbretërinë e Bashkuar kërkoi nga Qeveria e këtij vendi që ta rishikojë qasjen e saj ndaj Ballkanit Perëndimor.

Ajo tha se tensionet në këtë rajon janë përshkallëzuar dhe përmendi përleshjet e dhunshme në veri të Kosovës dhe protestat antiqeveritare në Serbi. Për Dodikun në Bosnje tha se ka intensifikuar retorikën e tij secesioniste, duke vënë në rrezik paqen.

Ndër rekomandimet që i bëri Qeverisë britanike ishin: t’i bëhet presion Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë obligimet e dala nga marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, si dhe të rivlerësohet mundësia për t’iu ribashkuar misionit paqeruajtës të BE-së në Bosnje.

Tash për tash, është e vështirë të shihet se si situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor mund të përmirësohet dukshëm në një të ardhme të afërt. Megjithatë, aktorë të fuqishëm, me vullnet të mjaftueshëm politik, mund ta pengojnë ndoshta rajonin që të rrëshqasë sërish në dhunë.

NATO-ja, në raportin e saj vjetor të publikuar këtë javë, tha se prania e aleancës ushtarake në Kosovë është kyçe për sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

Bashkimi Evropian këmbëngul se e ardhmja e vendeve të këtij rajoni është në BE. Ai ka ndarë një paketë prej 6 miliardë eurosh për t’i ndihmuar ato në reforma, por se kur do të jetë gati për t’i hapur dyert për to, nuk dihet. Radio Evropa e Lirë

Vuçiq: Pres lajme të këqija për ne, do ta ndryshojmë qasjen në dialog

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të dielën se pret “vetëm lajme të këqija” për vendin e tij dhe se Serbia do ta ndryshojë qasjen në dialog me Kosovën, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian (BE).

“Unë do të shpjegoj se si na mashtruan, ku dhe si na kanë gënjyer disa të ashtuquajtur miq, e shumë të tjerë, dhe kjo ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE)”, tha Vuçiq.

Vuçiq, duke folur për anëtarësimin e Kosovës në KE, tha se “ne u thamë atyre se çfarë do të ndodhte nëse kjo do të ndodhte. Sepse mendojnë se kanë të drejtë ta interpretojnë marrëveshjen në mënyrë të rreme, jo në mënyrë të gabuar apo si të duan, por në mënyrë të rreme”.

“Do të jetë shumë e vështirë për ne, sepse synimi i dikujt është që ta shtyjë popullin serb sa më larg Kosovës”, shtoi ai.

Në marrëveshjen e arritur në fillim të vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Serbisë i kërkohet, ndër të tjera, edhe të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Kosova shpreson se do të mund të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, pasi më 13 mars Qeveria e Albin Kurtit i kërkoi Agjencisë Kadastrale t’i transferojë 24 hektarë tokë në emër të Manastirit të Deçanit. Kryeministri Kurti tha se zbatimi i vendimit të Kushtetueses për tokën do të ishte vendimtar për pranimin e Kosovës në KE, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

Në rast se Kosova merr dritën jeshile në Asamblenë Parlamentare, atëherë fjalën e fundit duhet ta japë Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës – gjë të cilën Qeveria e pret të ndodhë në muajin maj.

Në atë rast është e mundur që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të kushtëzohet edhe me çështje të tjera.

Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, tha për Radion Evropa e Lirë të premten se janë disa vende evropiane që po i kërkojnë edhe dy kushte për anëtarësimin e Kosovës.

“Njëri ka të bëjë me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, tha ai.

Vuçiq, po ashtu, paralajmëroi ndryshime në qasjen e shtetit të tij në dialog.

“Nuk do të jetë e lehtë, para së gjithash për popullin tonë në Kosovë. Por do të ketë ndryshime në doktrinën dhe qasjet tona. Nuk do te na sjellin më përpara një akti të përfunduar dhe na thonë se kanë rënë dakord të behet pagesa këtu, pastaj të paguhet atje, dhe pastaj të konvertohet nga dollarë në euro, dhe nga euro në të tjera”, theksoi ai.

Të martën, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruskel për të biseduar në kuadër të dialogut çështjen e dinarit serb, përdorimin e të cilit autoritetet kosovare e ndaluan përmes një rregulloreje të re për valutën që hyri në fuqi në shkurt.

Escobari tha për REL se nuk arriti ta bindë kryeministrin Kurti gjatë vizitës së tij në Prishtinë këtë javë, që pezullojë vendimin për ndalimin e monedhës serbe në Kosovë, derisa Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeveria e Kosovës të gjejnë një zgjidhje afatgjate, siç do të ishte transferimi elektronik i eurove përmes sistemit të Kosovës.

Vuçiq – shteti i të cilit ndan miliona euro për serbët në Kosovë dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë – i akuzoi autoritetet kosovare për zbatimin me forcë të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, i cili përcakton që vetëm euroja të përdoret për pagesa me para të gatshme.

“Mund të zbatosh gjithçka me force, por duhet të pranosh që e ke zbatuar me force. A do të duhet të pranojmë ndonjëherë, është e mundur, por do të jetë e qartë se nuk ka një pajtim për këtë dhe se e keni zbatuar me force. Do të flasim në një mënyrë tjetër. Jemi gjithmonë të gatshëm të dialogojmë, por tani me një qasje tjetër. Ne nuk jemi më budallenj”, theksoi Vuçiq.

Radio Evropa e Lirë

Rusët në Serbi dhe në Mal të Zi votojnë në zgjedhjet presidenciale ruse

Anëtarët e një komisioni qendror zgjedhor i përgatisin fletëvotimet në një qendër votimi, para zgjedhjeve presidenciale në Moskë, Rusi, 14 mars 2024.

 

Qytetarët e Rusisë që jetojnë në Serbi dhe në Mal të Zi do të votojnë në zgjedhjet presidenciale ruse të dielën në ditën e fundit të tyre.

Ata kanë mundësi të votojnë për njërin prej katër kandidatëve në fletëvotim, ndër ta edhe presidentin e tanishëm Vladimir Putin, i cili fitoren e ka pothuajse e sigurt, meqë kundërshtarët e tij janë në burgje, në mërgim apo të vdekur.

Zgjedhjet në Rusi kontrollohen fuqishëm nga Kremlini dhe nuk janë as të lira e as të drejta.

Qytetarët rusë në Serbi do të votojnë në shkollën e Ambasadës ruse në Beograd.

Organizata joqeveritare Shoqëria Demokratike Ruse, e udhëhequr nga qytetarë rusë në Serbi, njoftoi se do t’i bashkohet aksionit global “Mesdita kundër Putinit”, për ta nderuar amanetin e fundit të Alexei Navalny, kritikut më të zëshëm të Kremlinit, i cili vdiq më 16 shkurt në një burg të izoluar të Arktikut nën rrethana të dyshimta.

“Qytetarët e Rusisë që kundërshtojnë diktaturën e Vladimir Putinit dhe synojnë të votojnë kundër tij do të dalin në qendrat e votimit në mesditë të 17 marsit për të demonstruar publikisht numrin e tyre, pavarësisht falsifikimit dhe propagandës zgjedhore”, tha Shoqëria Demokratike Ruse.

Në Mal të Zi, votimi për zgjedhjet presidenciale ruse u organizua në ndërtesën e Ambasadës së Federatës Ruse në Podgoricë.

Qendra e votimit do të jetë e hapur nga ora 08:00 deri në 20:00 të dielën.

“Për të votuar duhet ta vizitoni personalisht qendrën e votimit dhe të tregoni një pasaportë të vlefshme”, tha Ambasada ruse në uebsajtin e vet.

Ambasada deklaroi në rrjetin Telegram se masat e sigurisë dhe kontrollit do të forcohen ditën e votimit për të mbrojtur sigurinë e votuesve dhe anëtarëve të komisionit zgjedhor.

Në faqen e internetit dhe rrjetet sociale të Ambasadës nuk ka asnjë të dhënë për numrin e qytetarëve rusë që kanë të drejtë vote në Podgoricë.

Rreth 27.000 rusë banojnë zyrtarisht në Mal të Zi.

Në fund të janarit, aktivistë rusë në Mal të Zi organizuan mbledhjen e nënshkrimeve për kandidaturën e politikanit opozitar rus, Boris Nadezhdin, për zgjedhjet presidenciale.

Megjithatë, Nadezhdin – një politikan 60-vjeçar me qëndrime kundër luftës – nuk u lejua të garojë nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë muajin e kaluar, për shkak të, siç tha, nënshkrimeve të pavlefshme të përkrahësve në aplikacionin e tij për t’u regjistruar si kandidat presidencial.

Ai u ankua, por vendimi i komisionit u mbajt në fuqi nga Gjykata Supreme e Rusisë. Radio Evropa e Lirë

Turqia përfshihet në marrëveshjen për pastrimin e Detit të Zi nga minat

VOA/Dorian Jones

Turqia është bashkuar me Bullgarinë dhe Rumaninë për të pastruar Detin e Zi nga minat, gjë që do ta bënte më të lehtë eksportin e drithërave ukrainase drejt tregjeve botërore. Turqia po u reziston thirrjeve për të lejuar futjen e anijeve të NATO-s për pastrimin e minave duke cituar një marrëveshje ndërkombëtare. Sipas Konventës Montreux të vitit 1936, qasja në Detin e Zi bëhet vetëm përmes ngushticës së Bosforit në Stamboll.

Turqia, Bullgaria dhe Rumania nënshkruan në janar një marrëveshje për pastrimin e Detit të Zi nga minat e luftës në Ukrainë.

Por aksidentet e anijeve të mallrave në minat detare po nxjerrin në pah kërcënimet në rritje për një prej rrugëve më të rëndësishme detare për eksportin e drithërave dhe energjisë.

Tayfun Ozberk, ish-oficer i marinës turke që tani punon si analist për çështjet e mbrojtjes, tregon për Zërin e Amerikës se pse ndodhin aksidentet me anijet e transportit.

“Anijet tregtare nuk kanë pajisje për të zbuluar minat nga distanca. Minat janë gjysmë të zhytura në ujë, dhe kur shihen nga anijet është tepër vonë”.

Analistët thonë se eliminimi i kërcënimeve nga minat do të ishte një nxitje e rëndësishme e përpjekjeve të Ukrainës për eksportimin e drithërave drejt tregjeve botërore pas prishjes së marrëveshjes me Rusinë e cila ishte ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara.

Analistët thonë se Rusia po i kërcënon eksportet ukrainase duke thënë se nuk mund të garantojë sigurinë e anijeve.

Por nga ana tjetër, Ankaraja shpreson se rritja e sigurisë për anijet ukrainase mund të shërbejë si shtysë që Moska të rikthehet tek marrëveshja për eksportin e drithërave.

Mesut Casin me Universitetin Yeditepe të Stambollit thotë se pastrimi i minave është çelësi

“Shpresoj se do të jetë shumë e dobishme për palën ukrainase për eksportin e drithërave të tyre. Rusia u tërhoq nga marrëveshja dhe ndoshta mund të kthehet përsëri në tryezën e bisedimeve”, thotë ai.

Marina turke ka aftësi moderne për pastrimin e minave dhe gëzon mbështetjen e Rumanisë dhe Bullgarisë, por vëzhguesit paralajmërojnë se aleatët e NATO-s përballen me sfida të konsiderueshme.

“Nuk dihet sasia dhe vendndodhja e minave detare. Operacionet e kërkimit, gjetjes dhe shkatërrimit të minave do të marrin shumë kohë”, thotë Tayfun Ozberk, analist për çështjet e mbrojtjes detare.

Britania ka ofruar dislokimin e anijeve për pastrimin rrugëve detare nga minat, por Turqia ka bllokuar hyrjen e të gjitha anijeve luftarake që nga fillimi i luftës në Ukrainë duke cituar Konventen ndërkombëtare Montreux.

Në fillim të luftës, në shkurt 2022, Turqia riaktivizoi Konventën Montreux të vitit 1936, për të bllokuar kalimin e anijeve ruse ose ukrainase nëpër ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve. Turqia u tha gjithashtu shteteve që nuk i përkasin Detit të Zi që të mos dërgonin anije luftarake.

Sipas Konventës Montreux të vitit 1936, qasja në Detin e Zi bëhet vetëm përmes ngushticës së Bosforit në Stamboll. Konventa, që vihet në zbatim nga Turqia, kufizon anijet detare nga vendet që nuk i përkasin Detit të Zi, të transportojnë një maksimum ngarkese prej 10,000 tonësh për anije, për vetëm 21 ditë.

Si vend anëtar i NATO-s, Turqia po balancon marrëdhëniet e saj me Perëndimin si edhe me Rusinë e Ukrainën në një përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit.

Analistët thonë se eliminimi i rrezikut të minave nga rrugët detare në Detin e Zi do të ishte një hap i vogël drejt këtij qëllimi.

Përpara zgjedhjeve më të rëndësishme lokale, presidenti turk zotohet se do të tërhiqet nga politika

“Po punoj me të gjitha forcat sepse kjo është finalja për mua, me ligj këto zgjedhje do të jenë të fundit.” Kjo fjali e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan shkaktoi një stuhi në Perëndim, agjencitë e lajmeve raportuan: “Erdogan po mendon për largimin” ose “Erdogan shpall tërheqjen”. Megjithatë në Turqi u prit me tallje. “Ai po heq dorë përsëri”, shkruan përdoruesit e shumtë, duke spekuluar në rrjetet sociale se sa herë e kishte parashikuar largimin e tij: dy, tre apo me shume herë?

Sipas Dr. Sipas Hakki Tas, një shkencëtar politik në Institutin Gjerman për Studime Globale dhe Zona (GIGA), njerëzit janë me të drejtë skeptikë sepse kanë dëgjuar tashmë deklarata të ngjashme nga Erdogan. “Ai foli për zgjedhjet e tij të fundit në vitin 2009. Në vitin 2012 tha se do të kandidonte për herë të fundit në krye të partisë, në vitin 2023 premtoi se do të kërkonte mbështetjen e votuesve për herë të fundit dhe më pas do të dorëzonte stafetën brezit të ri”, kujton Tas. Tani, thotë Tas, dëgjojmë të njëjtat deklarata se zgjedhjet e ardhshme lokale do të jenë të fundit për të.

Në të njëjtën kohë, Erdogan zbatoi qëllimet e tij pas çdo zgjedhjeje dhe zgjeroi kompetencat e tij pas çdo fitoreje. Sot ka më shumë kompetenca se kurrë më parë. Ai është kreu i parë i shtetit, nën autoritetin e të cilit është qeveria. Ai është gjithashtu kryetar i partisë AKP. Kjo është arsyeja pse Tas beson se deklarata e Erdoganit është më shumë një lëvizje taktike. Ai përdor lidhjen emocionale të votuesve të tij dhe kërkon edhe një herë besimin e tyre për t’i mobilizuar ata.

Në pushtet për 22 vjet

Erdogan, i cili njihet si një politikan islamik-konservator, ka qenë në pushtet për 22 vjet. Së pari si kryeministër, e pastaj nga viti 2014 si president. Megjithatë, zgjedhjet e ardhshme lokale të 31 marsit janë shumë të rëndësishme për të. Në dhjetë vitet e fundit, vendi ka përjetuar kaq shumë referendume, zgjedhje parlamentare, zgjedhje lokale dhe zgjedhje presidenciale – politika, shoqëria dhe ekonomia ishin vazhdimisht në modalitetin e fushatës zgjedhore.

Pas zgjedhjeve lokale, të cilat mbahen në fund të marsit, fillimisht situata do të jetë më e qetë. Nëse nuk caktohen zgjedhje të parakohshme parlamentare ose presidenciale, Erdogan do të sundojë edhe për katër vjet të tjera. I përforcuar nga fitorja në zgjedhjet lokale, ai do të dëshirojë të zgjerojë edhe më tej pushtetin e tij, ndoshta të ndryshojë kushtetutën dhe të mendojë për pasardhësin e tij. Për këtë, atij i duhen veçanërisht metropolet e forta ekonomikisht si Stambolli, Ankaraja, Izmiri dhe Antalia, sepse ato përbëjnë pothuajse gjysmën e prodhimit ekonomik të vendit.

Në rreshtin e parë qëndron metropoli 17 milionësh i Stambollit. Sondazhet atje parashikojnë se do të ketë një luftë për çdo votë. Që nga viti 2019, qyteti ka qenë në duart e partisë më të madhe opozitare CHP. Kryebashkiaku Ekrem Imamoglu dëshiron të rizgjidhet. 52-vjeçari është i njohur në të gjithë Turqinë dhe deri më tani ka pasur një fushatë të suksesshme zgjedhore. Murat Kurum, kandidati i partisë në pushtet AKP, nga ana tjetër, nuk ka sjellë ndonjë vrull real në fushatën zgjedhore dhe deri më tani është dëshmuar të jetë një figurë joemocionale dhe e zbehtë. Ndonëse ka qenë ministër i Mjedisit, Urbanizmit dhe Klimës për pesë vjet, ai është relativisht i panjohur. Që nga futja e sistemit presidencial, qytetarët nuk dinë as emrat e anëtarëve të qeverisë, sepse vetëm Erdogani është gjithmonë në plan të parë.

Kandidati i Erdoganit, Turgut Altinok, nuk ka fituar ende një garë në kryeqytet, Ankara. Pavarësisht parullave të ashpra nacionaliste-fetare, ai nuk grumbulloi shumë pikë. Sondazhet tregojnë se presidenti aktual Mansur Yavas i partisë opozitare CHP ka një epërsi të ngushtë. Kështu, Erdogan edhe një herë e ndjeu se ishte detyrë e tij të përfshihej vetë në fushatën zgjedhore. Për ditë të tëra, 70-vjeçari kalonte nga një ngjarje e madhe në tjetrën, duke mbajtur fjalime dhe duke brohoritur sikur të ishte vetë në fletën e votimit.

Ai është i vetëdijshëm për rolin që luan Stambolli në politikën e vendit. Edhe karriera e tij filloi në Stamboll. Erdogan ishte kryebashkiak atje nga viti 1994-1998. Stambolli është ekonomikisht i fortë. Jo më kot thonë në Turqi: “Kush fiton në Stamboll, fiton në vend”.

Aq më tepër që metropolet janë në thelb burime të rëndësishme të ardhurash për Erdoganin për të qëndruar në pushtet. Pas ndryshimit të qeverisë në shumë këshilla bashkiake në vitin 2019, doli në dritë se AKP kishte vite që punësonte kuadro pranë partisë në administratat e qytetit. Prej andej shkonin edhe porosi të shumta të mëdha për sipërmarrësit besnikë ndaj partisë. Ata gjithashtu u dhanë privilegje vëllazërive nacionaliste dhe islamike. Tas beson se një fitore në zgjedhjet e ardhshme do të rriste vetëbesimin e partisë në pushtet. Qeveria, thotë ai, do ta interpretojë çdo fitore si mbështetje për linjën e saj politike dhe do të vazhdojë me një kurs edhe më të ashpër.

Kush mund të jetë pasardhësi i Erdoganit?

Edhe pse shumë nuk besojnë realisht se Erdogani mund të tërhiqet vërtet tani, kohët e fundit është folur shumë për një pasardhës të mundshëm. Erdogani së fundmi ka mbushur 70 vjeç. Kohët e fundit po shfaqen gjithnjë e më shpesh foto dhe inçizime me shëndet të dobët. Në këtë rast, kush do të vijë në karrigen e Erdoganit? Pas dështimit të dhëndrit të tij të madh Berat Albayrak si ministër i Financave, shumë supozuan se ai do të mbështeste ose djalin e tij Bilal Erdogan ose dhëndrin e tij më të vogël, prodhuesin e armëve Selcuk Bayraktar, si pasardhës të tij.

A do të jenë në gjendje këta kandidatë të mundshëm të vazhdojnë ta udhëheqin partinë me aq sukses sa Erdogani? “Në thelb, nuk ka më një parti që zhvillon politika dhe mobilizon njerëzit,” përgjigjet shkencëtari Hakki Tas. Në fakt, që nga futja e sistemit presidencial, ekziston vetëm Erdogani. Gazetari turk Ragip Soylu beson se shumë gjëra mund të ndodhin përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Në platformë, X ai shkroi se 2028 është larg. Deri atëherë, Erdogani mund të ndryshojë mendje disa herë apo edhe mund të përpiqet të ndryshojë kushtetutën, shkroi ai. Fakti është se AKP po punon për t’i dhënë mundësi Erdoganit të ketë një mandat tjetër. Atij aktualisht i mungojnë pothuajse 40 vota për ndryshimin e kushtetutës apo për zgjedhjet e parakohshme. Aktualisht është e pasigurt nëse Erdogani mund të bëjë për vete ndonjë nga partitë opozitare për qëllimet e tij./DW

Ballkani goditet nga një tërmet i fuqishëm

Harta e epiqendrës së tërmetit e publikuar nga EMSC-ja më 14 mars 2024.

 

Një tërmet i fortë 5.4 ballësh i ka goditur disa vende të Ballkanit Perëndimor të enjten herët në mëngjes. Epiqendra e tij ishte në Mal të Zi.

Lëkundja nga tërmeti është ndier në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci dhe Shqipëri.

Qendra Evropiane Sizmologjike Mesdhetare (EMCS) njoftoi se epiqendra e tërmetit që u regjistrua në orën 4:06 të mëngjesit, ishte në një thellësi prej dhjetë kilometrash, në qytetin perëndimor të Malit të Zi, Nikshiq.

Departamenti i Sizmologjisë i Institutit për Hidrometeorologji dhe Sizmologji të Malit të Zi bëri të ditur se ka regjistruar një tërmet 5.4 ballësh.

“Ky tërmet mund të ketë shkaktuar dëme materiale në zonën e epiqendrës së tij”, njoftoi Instituti.

Lëkundjen intensive e kanë ndier edhe qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa sipas komenteve në faqen e internetit EMCS, tërmeti është ndier edhe në Kroaci.

Vendndodhja e epiqendrës së tërmetit (shenja e kuqe), 14 mars 2024.

Vendndodhja e epiqendrës së tërmetit (shenja e kuqe), 14 mars 2024.

Në orën 4:30 të mëngjesit, Mali i Zi është goditur nga një tjetër tërmet, por me magnitudë më të dobët – 3.1 ballësh, raportoi EMCS.

Pas tërmetit të parë të fortë të së enjtes në mëngjes, pasoi një seri prej rreth 30 lëkundjesh më të dobëta, u tha gazetarëve të enjten shefja e Departamentit të Sizmologjisë malazeze të Institutit Hidrometeorologjik, Milena Tomanoviq.

Siç tha ajo, aktualisht nuk ka raportime nga terreni nëse ka dëme të mëdha materiale.

Gati saktësisht 45 vjet më parë, më 15 prill 1979, Mali i Zi ishte goditur nga një tërmet me magnitudë 7 ballësh.

Epiqendra e tij ka qenë në Detin Adriatik, mes Ulqinit dhe Tivarit, rreth 15 kilometra nga bregdeti. Në atë kohë humbën jetën 101 persona në Mal të Zi dhe 35 në Shqipëri, ndërsa mbi 100 mijë persona mbetën të pastrehë.

Tërmet i fuqishëm në Malin e Zi, lëkundjet u ndien edhe në Kosovë

Një tërmet i fuqishëm ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Malin e Zi. Raportohet se lëkundja e tokës ka qenë me magnitudë 5.4 shkallë të Rihterit, teksa është regjistruar në orën 04:06.

Sipas të dhënave nga Qendra Evropiane Sizmologjike Mesdhetare (EMSC) epiqendra e tërmetit ishte rreth 72 kilometra nga Podgorica dhe 28 kilometra nga Nikshiqi, njofton RTK.. Thellësia e tërmetit ka qenë 10 km. Lëkundjet e tokës janë ndier edhe në Kosovë, e sidomos në qytetin e Pejës me rrethinë

Ende nuk ka të dhëna për dëme të mundshme, ndërsa sipas informacioneve të ZHMS-së mund të jetë shkaktuar në zonën qendrore.

“Bazuar në modelin numerik të ndryshimit të intensitetit me distancën në këtë rajon, magnitudës së tërmetit dhe thellësisë së hipoqendrës, ky tërmet mund të kishte shkaktuar disa dëme materiale në zonën epiqendrore”, theksohet në deklaratën e Institutit.

Lëkundjet e tokës të kësaj shkalle i përkasin grupit të tërmeteve mesatare të forta, të cilët mund të shkaktojnë dëme në objektet e ndërtuara dobët, derisa ndihen nga shumica e qytetarëve në atë rajon.

Image

Komuniteti i inteligjencës amerikane: Dodik po merr hapa për shkëputjen de facto të Republikës Sërpska

Ballkani Perëndimor mbase do të përballet me një rrezik të shtuar të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024, posaçërisht në Bosnjë e Hercegovinë ku lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, synon shkëputjen de facto të Republikës Sërpska, dhe në Kosovë ku tensionet u rritën skajshëm vitin e kaluar, tha komunitetit i inteligjencës amerikane në një raport të vlerësimit vjetor të kërcënimit në botë.

“Liderët nacionalistë ka shumë të ngjarë t’i acarojnë tensionet për përfitime politike, ndërsa aktorët e jashtëm do t’i shfrytëzojnë dallimet etnike për ta rritur apo mbrojtur ndikimin e vet rajonal, apo për të mos e lejuar integrimin më të madh të Ballkanit në institucionet euroatlantike dhe të Bashkimit Evropian”, thuhet në raportin e publikuar muajin e kaluar.

Në raportin e Zyrës së drejtorit të Inteligjencës Kombëtare thuhet se “përleshjet mes nacionalistëve serbë dhe autoriteteve kosovare kanë shkaktuar vdekje dhe lëndime, përfshirë lëndimin e paqeruajtësve të NATO-së në vitin 2023”.

Më 29 maj 2023, gjatë protestave të vazhdueshme të serbëve në komunat veriore, ishin sulmuar dhe kishin pësuar lëndime 30 ushtarë të KFOR-it.

Më 24 shtator 2023, një grup i serbëve të armatosur e sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan, u vranë tre sulmues serbë.

Kosova e fajësoi Serbinë për sulmin duke thënë se ajo tentoi “ta aneksojë” veriun, por Serbia e mohoi çdo përfshirje.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, e shtoi numrin e trupave pas sulmit të 24 shtatorit, ku tani i ka 4.500 pjesëtarë.

Në lidhje me Bosnjë e Hercegovinën, raporti thekson se “lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, po ndërmerr hapa provokues për ta neutralizuar mbikëqyrjen ndërkombëtare në Bosnjë dhe për ta siguruar ndarjen de facto për Republikën e tij Sërpska”.

“Veprimi i tij mund t’i nxisë liderët e popullsisë boshnjake [myslimanët e Bosnjës] t’i rrisin kapacitetet e veta për t’i mbrojtur interesat e veta dhe kështu mbase të nxisin konflikte të dhunshme, të cilat mund t’i tejkalojnë forcat paqeruajtëse”, thuhet në raport.

Dodik, presidenti i Republikës Sërpska, është duke u përpjekur tash e dy vjet që entiteti i Bosnjë e Hercegovinës të marrë pushtetin e shtetit dhe të krijojë institucione paralele, duke kërcënuar se Republika Sërpska do të ndahet nga Bosnja e Hercegovina përgjithmonë.

Për shkak të “aktiviteteve të tij kundër marrëveshjes së Dejtonit”, Dodik është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.

Dodik më herët ka deklaruar se nuk ka frikë nga paralajmërimet amerikane dhe ka kërcënuar se do ta kthejë kufirin e entitetit në kufi shtetëror.

Ambasada amerikane në Sarajevë paralajmëron për rrezikun e politikës separatiste të Dodikut, duke deklaruar se ajo “vë në rrezik perspektivën evropiane të Bosnjë e Hercegovinës, demokracinë dhe ekonominë e saj”.

Roli i drejtorit të Inteligjencës Kombëtare amerikane është ta mbikëqyrë dhe ta drejtojë zbatimin e Programit të Inteligjencës Kombëtare dhe të veprojë si këshilltar parimor i presidentit amerikan, i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Atdheut për çështjet e inteligjencës në lidhje me sigurinë kombëtare.

Ai emërohet nga presidenti me këshillimin dhe pajtimin e Senatit.REL

Vuçiç: Gjuriçin e kritikojnë ata që shkojnë te varri i Adem Jasharit, që ka vrarë ushtarë e policë serbë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar në lidhje me foton që po qarkullon në media ku shfaqet ambasadori serb në SHBA, Marko Gjuriç dhe organizatori i sulmit terrorist në Banjskë, ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç.

Vuçiç tha se nuk e ka pyetur Gjuriçin se kur është bërë fotografia, as ku dhe pse. “Nuk e pyeta kur, ku dhe pse. Nuk e pyeta asgjë nëse është ngritur nga tavolina për të parë Milan Radoiçiqin, për t’u ulur një ose dy minuta apo ka ardhur me të”, tha Vuçiç. Ai shtoi se këtë e kritikojnë njerëzit që shkojnë te varri i Adem Jasharit, duke menduar për politikanin serb, Nikola Sanduloviç. “Tani po sulmojnë Marko Gjuriçin, po i shikoj të gjithë denoncuesit dhe hajdutët e tjerë se si do t’i raportojnë dikujt diku”. Dhe lavdëroni ata që shkojnë te varri i Adem Jasharit, i cili vrau ushtarë dhe policë serbë. Dhe pastaj shkruani se si BIA paralizoi një kriminel (Nikola Sanduloviç).

“Gjithçka është kthyer përmbys në këtë vend”, u shpreh Vuçiç, raporton Nova. Vuçiç muajin e kaluar paralajmëroi se Gjuriç do të kthehet në Serbi dhe se do të ketë “një nga postet më të rëndësishme në vend”. Ndërkaq, INTERPOL ka lëshuar për Milan Radoiçiçin për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë shtator të vitit 2023, ku u vra një polic i Kosovës dhe tre serbë nga grupi i Radoiçiçit.bw

Mali i Zi, analistët të shqetësuar për riorganizimin e qeverisë me përfaqësues pro-serbë dhe pro-rusë

VOA/Ali Salaj

Analistët në Malin e Zi thonë se riorganizimi i qeverisë me përfaqësues të partive pro-serbe dhe pro-ruse, që pritet të bëhet muajve në vijim, paraqet shqetësim për të ardhmen e vendit. Kjo lëvizje sipas tyre, do të ndikojë negativisht në procesin e integrimit evropian të vendit.

Riorganizimi i qeverisë së Malit të Zi dhe përfshirja në të e përfaqësuesve të partive pro-serbe dhe pro-ruse, që pritet të bëhet ditëve në vijim, sipas analistëve mund të ndikojë negativisht në procesin e integrimeve evropiane. Shqetësimi është edhe më i madh pasi përfaqësuesit e këtyre partive u kundërvihen vlerave euroatlantike.

Analisti Ismet Kallaba vë në dukje rikthimin e nacionalizmit nëpër institucione me deklarata dhe veprime të ndryshme.

“Nëse deri në gusht të vitit 2020 luftën e tyre e kanë zhvilluar jashtë sistemit duke mos qenë në pushtet, nga ky vit duke hyrë në pushtet bëjnë luftë nga brenda dhe e kanë më të lehtë. Për çdo ditë jemi dëshmitarë të deklaratave dhe veprimeve të ndryshme të partive pro-serbe dhe pro-ruse”, tha zoti Kallaba.

Analistja Suzana Ganiç vlerëson se riorganizimi i qeverisë mund të ngadalësojë, por jo edhe të ndalojë procesin e integrimit.

“Sa i përket riorganizimit të qeverisë vlerësoj se Mali i Zi nuk do e ndryshojë rrugën evropiane pasi ka një mbështetje të madhe të qytetarëve, por mund ta ngadalësojë procesin e integrimit”, tha zonja Ganiç.

Këtë qëndrim sipas zonjës Suzana Ganiç e pasqyroi më së miri takimi i para disa ditëve mes udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Dodik dhe Mandiç, në parlamentin e Malit të Zi ku sipas saj demonstruan një gjest politik me të cilin duan t’i dërgojnë një mesazh publikut se do të punojnë me përkushtim për të krijuar “botën serbe”.

“Vizitën e Dodikut në Malin e Zi mund ta cilësojmë si një shfaqje teatrale, ku u prit me protesta nga qytetarët. Ai erdhi në Podgoricë për të përcjellë mesazhe të caktuara nga bota ruse dhe serbe”, tha zonja Ganiç.

Ndërkaq, analisti Ismet Kallaba tha se vizita Dodik në Podgoricë ishte në shërbim të interesave të botës serbe.

“Në këtë kontekst do të përmendja edhe vizitën e fundit të kryetarit të entitetit serb në Bosnjë e Hercegovinë, Milorad Dodik, i cili ndër të tjera shpalosi hapur duke i ofruar Malit të Zi marrëveshjen për lidhje të veçanta që në një farë mënyre është jetësim i projektit të ashtuquajtur ‘bota serbe'”, tha zoti Kallaba.

Veprimet e përfaqësueseve të partive pro-ruse dhe pro-serbe, sipas analistit Kallaba në vazhdimësi po krijojnë incidenti diplomatike me shtetet fqinje

“Janë kundër politikave të fqinjësisë së mirë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor duke na përkujtuar retoriken nacionaliste, që është përdorur në vitet 90”, tha zoti Kallaba.

Uashingtoni zyrtar dhe Bashkimi Europian janë shprehur shumë të shqetësuar dhe kundërshtues për përfshirjen në qeveri të partive që janë nën ndikimin rus. Kjo sipas tyre mund të ndikojë në marrëdhëniet ndëretnike në Malin e Zi dhe në qëndrueshmërinë në rajon.

Gërvalla takon homologun turk, diskutojnë mbi mbështetjen e Kosovës në KiE dhe NATO

Shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla është takuar me homologun turk, Hakan Fidan, në margjina të “Antalya Diplomacy Forum”.

Në këtë takim u diskutua mbështetja e Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, NATO dhe organizata tjera ndërkombëtare.

“Mbështetja e Turqisë ndaj Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në NATO dhe organizata tjera ndërkombëtare, fuqizimi i bashkëpunimit në shkëmbime tregtare dhe investime strategjike, ishin temat kryesore të diskutimit në takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë Hakan Fidan, në margjinat e “Antalya Diplomacy Forum””, ka shkruar Gërvalla në facebook.sn

Vuçiq e ‘pranon’ se ka pasur vjedhje, Beogradi shkon në zgjedhje të reja

Pas evidentimit të shkeljeve të shumta në zgjedhjet e fundit komunale dhe parlamentare, duket se presidenti serb është dorëzuar pas presionit ndërkombëtar.

Aleksandar Vuçiq ka deklaruar sot se ka këshilluar kryesinë e Partisë Progresive Serbe (SN) që të shkojnë në zgjedhje të reja në Beograd, e cila gjë do të ndodh në muajt në vijim.

Ai pohoi gjatë një konference për shtyp se “kam këshilluar presidentin e SNS-së, Millosh Vuçeviq dhe kandidatin e kësaj partie për kryetar të Beogradit, Aleksandar Shapiqin se duhet ta shqyrtojnë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në kryeqytet”, raporton N1.

“Ne e ushqejmë dhe e ruajmë demokracinë për hir të vetvetes. Këshilla ime është që ta merrni parasysh atë që do ta them tani. Që të mos kemi përsëritje të vitit 2008 dhe dikush të thotë se qeverisja juaj s’ka legjitimitet sikur në kohën mes DP dhe SPS-it. E di që ju e keni shumicën, por është shumë e rëndësishme të shkoni në zgjedhje të reja. Më mirë të humbni edhe qeverisjen, si do që të ndodh, sesa të etiketoheni si vjedhës të zgjedhjeve siç kishin bërë ata në vitin 2008”, shtoi Vuçiq.

Ndërkohë, Shapiq pas konferencës së ish-shefit të partisë, ka njoftuar se kryesia e SNS-të ka marrë vendim që të shkohet në zgjedhjet e reja për Beogradin.

Kujtojmë se seanca e djeshme konstituive e Kuvendit të qytetit të Beogradit ishte shtyrë për 3 mars, kur skadon edhe afati ligjor për konstituimin e tij.

Ndryshe, OSBE/ODIHR kanë evidentuar shumë parregullsi në zgjedhjet për kryeqytet, duke përfshirë edhe votues të ardhur nga Republika Serbe e Bosnje-Hercegovinës, të cilët nuk kishin adresë banimi në Beograd.


Send this to a friend