VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Vuante nga një sëmundje e rëndë, ndahet nga jeta Altin Qoshja, student i dhjetorit

By | April 16, 2018

Komentet

Shqipëria si Serbia? Kosova vendos tarifa shtesë edhe për frutat dhe perimet nga Shqipëria

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës Bajram Hasani ka miratuar vendimin për të aplikuar tarifa shtesë për frutat dhe perimet e importit. Edhe nga Shqipëria!

Këto tarifa sipas arsyetimit të Ministrit vendosen për të mbrojtur 21 produktet bujqësore të Kosovës.

Të gjitha frutat dhe perimet që hyjnë në Kosovë nga data 18 Korrik 2018 do të duhet të paguajnë një masë të përkohshme prej 30 për qind të vlerës doganore, shkruan Kosovapress.

Kjo masë është caktuar të premten e kaluar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani. Vendimi do të hyjë në fuqi me datën 18 të këtij muaji.

Në vendimin e publikuar nga KosovaPress, thuhet se deri te caktimi i kësaj mase  ka ardhur pas një hetimi të gjerë dhe konsultave me prodhuesit vendor, siç parashihet me Ligjin për Masa Mbrojtëse në Importe ku janë hetuar të gjithë pemët dhe perimet me origjinë nga të gjitha vendet e botës.

Vendimi i Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës

“Njoftimi erdhi pas vlerësimit paraprak të gjendjes; përfshirë konsultimet me prodhuesit siç parashihet në paragrafin 1 të nenit 6 të Ligjit nr.04/l-04 për Masat Mbrojtëse në Importe.

Vlerësimi ofroi bazë të mjaftueshme për të përcaktuar se produktet që do të hetohen, importohen në Republikën e Kosovës në sasi aq të mëdha dhe në ato kushte të cilat kërcënojnë t’u shkaktojnë dëm serioz prodhueseve të pemëve dhe perimeve në vend ose të shkaktojnë parregullsi që mund të përkeqësojnë gjendjen ekonomike të prodhuesve të pemëve dhe perimeve në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendim.

Kjo është lista e frutave dhe perimeve që u është caktuar tarifa shtesë e importit prej 30% të vlerës

Patatja, Domatja, Speci, Trangulli,

Shalqini, Pjepri, Lakra e hershme (pranverore), Lakra e vonshme (vjeshtore),

Sallatë, Spinaqi, Qepa, Karrota, Fasulja,

Molla, Dardha, Kumbulla, Qershia,

Dredhëza, Mjedra, Manaferra, Misri.

Aplikimi i masave proteksioniste dhe tarifave shtesë ka vënë në alarm eksportuesit e Shqipërisë, por edhe vendeve të tjera të rajonit si Maqedonia.

Përfshirja në listë e frutave të stinës si shalqini, pjepri, dardha dhe kumbulla i bëjnë të pamundura volumet e eksporteve shqiptare në Kosovë pasi çmimet e tyre do të jenë automatikisht 30% më të larta sesa sot.

Burime të mirëinformuara të AgroWeb.org në Maqedoni tregojnë se ekipe të Ministrisë së Bujqësisë dhe të Tregtisë së Maqedonisë po llogarisin impaktin e tarifave dhe po konsiderojnë marrjen e masave reciproke për të tarifuar eksportet kosovare.

Ndërkohë që nëse autoritetet shqiptare aplikojnë masa reciproke kundër eksporteve të Kosovës, një nga produktet e prekura do të jetë gruri dhe mielli që importohen prej Kosovës në Shqipëri.

Një rritje e çmimit të miellit që kompanitë kosovare e rishesin në Shqipëri me origjinë nga Serbia apo vende të tjera të rajonit, do të sillte padiskutim lëvizje të çmimit të bukës në vend.

AgroWeb.org po kërkon informacion të verifikuar nga Ministria e Bujqësisë dhe autoritetet të tjera në Shqipëri për të mësuar mbi masat reciproke që do të ndërmerren ndaj tarifimit shtesë të eksporteve shqiptare në Kosovë./AgroWeb.org

Në foto vendimi i Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës:

Linku origjinal i botimit nga KosovaPress

Faqja 1 e Vendimit

Faqja 2 e Vendimit

Faqja 3 e Vendimit

Thaçi e Vuçiçi diskutojnë sot kornizën e intensifikimit të dialogut

Zijadin Gashi

Prishtina dhe Beogradi pritet të vazhdojnë sot dialogun në nivel të presidentëve në Bruksel. Takimi lehtësohet sërish nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq ka thënë se në këtë takim do të diskutohet përparimi i arritur në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, por edhe intensifikimi i punës për marrëveshjen gjithëpërfshirëse.

Si zakonisht, para se të realizohet takimi midis presidentëve Hashim Thaçi e Aleksander Vuçiq, pritet që të realizohen takime të ndara me Përfaqësuesen e Lartë, Federica Mogherini.

Delegacioni i Kosovës këtë herë do të udhëtojë në Bruksel në një përbërje shumë më të gjerë. Ky delegacion, i kryesuar nga presidenti Hashim Thaçi, do të ketë në përbërje edhe kryeministrin Ramush Haradinaj, kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin, ministrin e Jashtëm, Behgjet e Pacollin dhe zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj dhe pritet që të realizojnë një takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Kurse në takimin me delegacionin nga Serbia, të cilit i prin presidenti Aleksander Vuçiq, pritet që të marrë pjesë vetëm presidenti Hashim Thaçi me ekipin e tij.

Që nga kërkesat e Bashkimit Evropian që dialogu të intensifikohet dhe përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, në Prishtinë, por edhe në Beograd, janë zhvilluar konsultime të brendshme për qëndrimet dhe pozicionet që do të mbajnë palët në raport me marrëveshjen që po paralajmërohet.

Të dyja palët kanë paralajmëruar vendime e kompromise të vështira.

Këto paralajmërime, nga opozita në Prishtinë nuk janë mirëpritur dhe janë përcjellë me kritika ndaj presidentit Thaçi. Sipas opozitës, paralajmërimet për vendime të vështira dhe kompromise mund të jenë të rrezikshme për Kosovën.

Ndërsa dialogu po hyn në një fazë më dinamike, në Prishtinë ka edhe përpjekje që si pjesë e ekipit të përfshihen edhe partitë opozitare, sado që ka një rezistencë të vazhdueshme nga opozita që të hyjë në këtë delegacion që po kryesohet nga presidenti Hashim Thaçi, pa një mandat paraprak nga Kuvendi i Kosovës.

Trumpi pranon përfundimin e zbulimit amerikan për ndërhyrjen ruse

Presidenti Donald Trump tha se ai kishte ndërmend të kundërtën kur deklaroi në Helsinki se ai nuk shihte se përse Rusia duhet të ndërhynte në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.

Presidenti u deklaroi gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të martën se ai kishte ndërmend të thoshte se nuk shihte arsye se përse Rusia të mos ishte përgjegjëse.

Ai tha gjithashtu se e pranonte përfundimin e nxjerrë nga komuniteti amerikan i zbulimit se Rusia ndërhyri në zgjedhje, por mohoi që fushata e tij të kishte bashkëpunuar fshehurazi në këtë përpjekje.

Presidenti Trump i bëri komentet një ditë pas kthimit në SHBA, ku u kritikua thuajse nga të gjithë lidhur me ato që tha në konferencën e shtypit të mbajtur në Helsinki në krah të Presidentit rus Vladimir Putin.

Vetë Presidenti Putin tha se kishte qenë dëshira e tij që zoti Trump ta fitonte garën kundër demokrates Hillary Clinton.

Në Helsinki, Presidenti Trump nuk e dënoi aspak ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje dhe nuk pranoi të thoshte se ai u besonte agjencive amerikane të inteligjencës dhe jo mohimeve të Rusisë për ndërhyrjen.

Kreu i Senatit vlerëson NATO-n

Ndërkohë, në komentet për gazetarët të martën, udhëheqësi republikan i Senatit Mitch McConnell e quajti NATO-n “aleancën më të rëndësishme ushtarake në histori”. Zoti McConnell tha: “vendet evropiane janë miqtë tanë, rusët nuk janë.”

Senatori McConnell tha gjithashtu se ekzistojnë “prova të padiskutueshme”, që Rusia u përpoq të ndikojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Ai tha se Senati e kupton “kërcënimin e Rusisë” dhe kjo është “një pikëpamje e përhapur në Senatin e Shteteve të Bashkuara midis anëtarëve të të dyja partive.”

Komentet e zotit McConnell u bënë vetëm pak minuta para se presidenti Trump të fliste në Shtëpinë e Bardhë. Synimi i senatorit ishte mesa duket t’i dërgonte një mesazh të qartë si Presidentit Trump ashtu edhe evropianëve.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan, duke iu referuar komenteve të zotit Trump në Helsinki, tha:

“Le të jemi shumë të qartë: Rusia ndërhyri në zgjedhjet tona”. “Ne e dimë se ata ndërhyjnë në zgjedhjet tona dhe ne kemi miratuar sanksione për Rusinë për t’i mbajtur ata përgjegjës”.

Në takimin e nivelit të lartë në Helsinki, Presidenti Trump u duk se favorizoi mohimin e bërë nga Presidenti Putin për ndërhyrjen ruse, në vend që të mbështeste vlerësimin e agjencive amerikane të zbulimit se Rusia në fakt u përpoq të ndërhyjë.

Trump përballë kritikave

Kritikët kanë akuzuar Presidentin amerikan Donald Trump për një veprim të paprecedent, duke i dhënë mbështetje presidentit rus, kundër agjencive amerikane të cilat kanë dalë në përfundimin se Moska ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

Republikanët e Kongresit, me disa përjashtime, i shmangën kritikat e drejtpërdrejta ndaj zotit Trump.

Disa prej tyre i dolën në mbrojtje qëndrimit të tij kundër Prokurorit të Posaçëm që po heton nëse ndërhyrja e Rusisë ndihmoi zotin Trump të fitojë zgjedhjet.

Komentet e Presidentit Donald Trump që fajësonin të dy vendet për ndërhyrjen e Rusisë në procesin zgjedhor në Shtetet e Bashkuara, shkaktuan reagimeve të ashpra, veçanërisht të demokratëve.

Është një veprim i pamenduar, i rrezikshëm dhe dobët që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të mbështesë Presidentin Putin kundër autoriteteve amerikane të zbatimit të ligjit, zyrtarëve të mbrojtjes, agjencive amerikane të zbulimit “, tha Chuck Schumer udhëheqësi i pakicës në Senat.

Sipas disa analistëve dhe komentuesve mediatik, presidenti Trump nuk ia doli të tregonte forcë.

Presidenti u tregua i përulur ndaj Vladimir Putinit, ai ishte i drojtur, ai nuk kritikoi asnjë prej veprimeve të Rusisë jashtë apo brenda vendit që kanë shkaktuar kaq shumë vështirësi në sytë e SHBA-së për shumë vite“, thotë Jeffrey Rathke i Qendrës për Studimeve Strategjike e Ndërkombëtare,

Me pak përjashtime, republikanët i shmangën kritikat e hapura ndaj zotit Trump. Disa i dolën në mbrojtje sulmeve të tij ndaj hetimit mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.

Dyshimi mbi diçka, deri në momentin e shqyrtimit dhe verifikimit të saj është i arsyeshëm. Por megjithë këtë, e përsëris: e shoh Putitin si dikë me të cilin duhet të përballemi, si dikë që padyshim është pjesë e një perandorie të vjetër, të ligë dhe që nuk i ka ndryshuar zakonet“, thotë ligjvënësi republikan Darrell Issa.

Një nga senatorët e rëndësishëm republikan John McCain e quajti daljen e presidentit Trump përkrah Vladimir Putinin një “gabim tragjik”. Në një deklaratë me shkrim, senatori nga Arizona shkruante se zoti Trump ka bërë një “zgjedhje të vetëdijshme për të mbështetur një tiran”.

Takimi i zotit Trump me homologun e tij rus me qëllim pajtimi, i dha fund një turi evropian gjatë të cilit presidenti amerikan kritikoi NATO-n dhe e quajti Bashkimin Evropian “armik”.

Ai ofendoi dhe kërcënoi aleatët tanë të NATO-s. Ai kërkoi të prishë një proces zgjedhor në pritje në Mbretërinë e Bashkuar dhe më pas u pozicionua me rusët“, thotë Eric Swalwell, ligjvënës demokrat.

Senatori i Floridës Bill Nelson i bëri thirrje të dyja palëve në Kongres të bashkohen kundër rrezikut që paraqet për demokracinë amerikane Presidenti rus Vladimir Putin, një ish-spiun sovjetik.

Shpresoj të bashkohemi së shpejti, të dyja palët, për të mbrojtur veten dhe t’i bëjmë opozitë Putinit“.

Lara Gut mbron Valonin e saj kundër racizmit të keq – “Kam parë njëmbëdhjetë zviceranë”

Pasi lojtarët zviveranë me rrënjë shqiptare përformuan me simbolin e shqiponjës në një ndeshje shumë të ngarkuar emocionalisht me Serbinë ku u provokuan keqas nga tifozët serbë në stadium të cilët mbanin në gjoks t-shirte me fotografitë e Mlladiçit, i dënuar për krime lufte u desh, ata të përballen edhe me një segment me komente te këqia në mediat sociale e përtej.

Në këtë përballje u gjend edhe e fejuara e Valon Berhamit, Lara Gut, skijatore pjesë e kombëtares zvicerane, e cila në reagimin e saj ndaj komenteve të këqia shkroi: “Në ndeshje kam parë njëmbëdhjetë lojtarë zvicranë”!

Lara Gut ka vënë pikat mbi “i”! S’ka realitet tjetër veç ky!/ Burimi kryesor/schweizer-illustrierte.ch

Lara Gut Valon Behrami WM 2018 SChweizer Nati

 

Presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitarović vjen në Tiranë të enjten, fjalim në parlamentin shqiptar

Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović, pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tiranë gjatë kësaj jave. Kitaroviç do të vijë në kryeqytetin shqiptar ditën e enjte, ku është parashikuar që të mbajë edhe një fjalim në Parlament para deputetëve.

Kitaroviç do të takojë krerët e shtetit shqiptar, Presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama, me të cilin zhvilloi një takim edhe në samitin e NATO-s, kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Presidentja kroate u mediatizua në rajon dhe Evropë gjatë kampionatit botëror të futbollit Rusi 2018. Kitaroviç u konsiderua si një nga politikanet më mbështetëse ndaj një ekipi, në këtë rast, ndaj ekipit kroat.

FOTOT – Lot e dhimbje, miqtë e shokët i japin lamtumirën e fundit artistit Fadil Hasa. Në homazhe edhe Basha

UPDATE – Artistë nga i gjithë vendi i japin sot nderimet e fundit në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, artistit të ndjerë tashmë, Fadil Hasa i cili nje dite me pare u nda nga jeta pasi humbi betejen me semundjen e rende nga e cila vuante.

Njerëz të artit dhe kulturës, përfaqësues të institucioneve, miq e të afërm, gjithë grupi i artistëve të Durrësit e Shkodrës, etj., të prekur nga ndarja nga jeta e artistit të merituar, marrin pjesë në homazhet e një prej aktorëve të humorit, që bëri të qeshë me vite me radhë breza të tërë shqiptarësh. Ne homazhe ka marre pjese edhe kryetari i PD Lulzim Basha dhe ish kryeministri Sali Berisha.

 

Vdekja e Fadil Hasës, Muharrem Hoxha: S’di si t’i ngushëlloj të bijat

ANI JAUPAJ/ Kujtimet e qeshura e bëjnë ikjen më të vështirë, ndryshe nuk ka si shpjegohet që një pjesë e mirë e miqve e kolegëve të aktorit durrsak të humorit, Fadil Hasa, thuajse nuk flisnin dot dje pasdite, kur i telefononim, për të ndarë qoftë edhe një kujtim të kohëve të fundit nga miku e bashkëpunëtori i tyre i një jete të tërë.

 

Këtë tha miku i tij i ngushtë, regjisori Haxhi Rama, këtë tha edhe partneri i tij i skenës, Muharrem Hoxha. Për të dy, kolegët më të ngushtë që doemos kthehen në miqtë e jetës, ishte e vështirë të ndanin momentet e tyre të të qeshurave me të tjerët. U duhej më tepër kohë… Edhe kur dy vajzat e Fadil Hasës, Oerda dhe Blerona, i kërkuan Muharremit t’u kujtonte të paktën atyre një ngjarje që të kujtonin humorin e tij, ai nuk mundej.

 

“Nuk di ç’t’iu them, e kam pothuajse të pamundur të flas sot, kam nevojë për pak kohë. Sapo dola nga shtëpia e mikut tim dhe nuk kam mundur të shkëmbej dy fjalë as aty brenda. Ai nuk ka qenë vetëm kolegu im, nuk kemi shkëmbyer bashkë vetëm të qeshura për shkak të punës, kemi jetuar një jetë, më ka rritur vetë, në të gjitha kuptimet”, kaq mundi të thoshte Hoxha, bashkë me premtimin se do të na tregojë gjatë për mikun e tij e do t’u kthehet të qeshurave të tyre të gjata, sapo të mundet.

Edhe pse jo kaq i ekspozuar për publikun, por njësoj i afërt në passkenë, ka qenë për të regjisori Rama, që gjithashtu kërkonte të ndante vetëm disa kujtime të përqendruara, jo fjalë të gjata, siç i shkonin mikut të tij. Edhe aktori Mirush Kabashi pohon në fjalët që ka nisur nga jashtë shtetit, ku ndodhet këto ditë, se është dëgjuar me shokun e tij të vjetër në telefon, vetëm tri ditë më parë…

IKJA

Aktori i Durrësit, Fadil Hasa, u nda nga jeta mëngjesin e ditës së djeshme, pas disa vitesh që luftonte me një sëmundje të rëndë. Fadili nuk kishte qenë në gjendje të rëndë në gjithë këtë kohë, ai nuk kishte hequr dorë nga humori asnjëherë. Edhe dy ditë përpara se të largohej, siç pohoi Muharrem Hoxha, i kishte bërë sërish familjarët të qeshnin me të madhe, siç do të bëjë të qeshin të gjithë shqiptarët, sa herë të dalin në ekran rolet e tij komike. Edhe nëse brezat e rinj nuk njohin shumë role të tij, mjaftojnë ata të tjerët, për të cilët Fadili ka qenë në ekran për vitet më të vështira, atëherë kur skeçet e tij, megjithëse përcillnin varfërinë, realitetin e kohës, të bënin sërish të qeshje.

“Në jetën time si aktor humori, kam pasur gjithmonë vëmendje të mos bëhem i përsëritshëm. Unë dhe gjithë kolegët e mi mbahemi mend, sepse kemi prekur ato probleme që populli i kishte çdo ditë në shtëpi, ky ka qenë sekreti ynë. Ne nuk kemi bërë kurrë humor për humor, nuk kemi thënë fjalë banale në humor. Ne ishim të edukuar në shpirt, se nuk ia vlen për një fjalë që publiku mund të qeshte edhe një herë më shumë”, ka thënë Hasa për rolet e tij të dikurshme në një intervistë të disa viteve më parë dhe sa më tepër kalojnë vitet, aq më vlerë marrin fjalët e tij apo kolegëve bashkëkohës, që mungojnë sot në skenën e ekranet shqiptare. Homazhet për të përcjellë aktorin Fadil Hasa bëhen sot, nga ora 10:00 deri në 11:00, në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Kërkuam dy fjalë edhe prej drejtorit të këtij teatrit, Bashkim Hoxhës, por edhe ai, i prekur siç ishte nga përgjegjësia e mbajtjes së fjalës së fundit në homazhe, po shtrydhte kujtimet për të nxjerrë më të mirën e për t’i dhënë lamtumirën, vetëm fizikisht, bashkëqytetarit e kolegut të tij.

ROLET DHE KARRIERA E FADIL HASËS

Fadil Hasa ka luajtur në një prej filmave më të bukur shqiptar “Mao Ce Dun”, me regji të Besnik Bishës. Pikërisht me këtë film, ai është vlerësuar edhe me çmimin “Aktori më i mirë”, në Festivalin e 13-të të Filmit. “Ai ka qenë një fat për mua, rrallë vjen. Interpretoja personazhin e Hekuranit, ka qenë një film, i cili u mirëprit nga publiku. Me këtë film, unë kam një kënaqësi të jashtëzakonshme, sepse në pesë festivale ndërkombëtare të filmit, sot po e them për herë të parë, 5 herë jam nominuar për çmimin si aktori më i mirë, në Festivalin e Filmit në Moskë, Egjipt, etj.”, ka thënë Hasa lidhur me këtë rol në një intervistë të disa viteve më parë.

Ai lindi në Krujë, më 8 prill 1940, dhe kreu gjimnazin “29 Nëntori” në Shkodër, ku u aktivizua në aktrim. Hasa u bë i njohur si aktor, me të dhëna të shprehura ndaj teatrit të varietesë qysh me grupin e Estradës Amatore të Portit të Durrësit (1963-1970). Falë aftësive të tij, në vitin 1970 u thirr si aktor profesionist në Estradën e Durrësit, ku punoi derisa doli në pension, në vitin 1993. Gjatë karrierës së tij, aktori i njohur ka luajtur mjaft role në komedi me një akt, skeçe, parodi e pantomime, dialogë dhe forma të tjera të shkurtra të estradës. Ndër to, u bënë të njohura për publikun e gjerë interpretimet e disa roleve, si: Latifi te “Sheqer-sheqer”, Rrema tek “Or ti i këshillit”,” Hamdiu te “Mysafiri i paftuar”, “Qyli” (monolog) etj. Fadil Hasa ka shënuar emrin e tij edhe në kinematografi. Ai ka luajtur në disa filma të suksesshëm si: “Zëvendësi i grave”, “Mao Ce Dun” (Hekurani, 2004), “Trapi i vjetër” (oficeri, 2005), “Lutje dashurie” (besimtar mysliman, 2005). “Artisti i Merituar”, vitet e fundit të jetës i kaloi në qytetin e Durrësit, ku edhe pse në pension, u aktivizua me disa shfaqje. Vitet e fundit, Fadil Hasa ishte thuajse tërësisht i tërhequr nga skena edhe për shkak të sëmundjes që i mori jetën.

HUMORI I INTERNETIT, ZHGËNJIMI I FUNDIT I FADIL HASËS

“Sot bëhet humor interneti dhe nuk më pëlqen, por dhe këtu ka një ndarje. Djemtë dhe vajzat e reja janë jashtëzakonisht të talentuar në interpretim, por brumi, materiali i humorit ka probleme. Mund të shikojmë një shfaqje një orë e gjysmë dhe nesër nuk kujton asgjë, sepse nuk janë ato probleme nga hallet e mëdha që ka populli sot. Tri minuta është një numër humori dhe nuk mund të zbërthesh të gjithë problemin, por të paktën t’i prekësh problemet që të thonë ‘bravo’.

Ne sot rrimë në radhë dhe për të bërë një pasaportë, na del shpirti në radhë për të paguar një taksë makine etj., këto janë probleme që has shqiptari, që thotë ‘i lumtë goja atij Fadil Hasës’, që e preku këtë temë për humorin, por sot tema të tilla nuk ekzistojnë”, këto janë disa nga mendimet e fundit që Fadil Hasa ka lënë në lidhje me profesionin e tij të cilin, ndërsa thoshte këto fjalë, mbase edhe prej zhgënjimit o pafuqisë së sëmundjes, nuk e ushtronte më. Megjithatë, humori ngeli përherë pjesë e tij dhe ishte humori që dinte të bënte ai, i painfektuar nga “mençuritë” e kohës…

Artan Fuga: Dridhen leqet e këmbëve, nuk prishet teatri, se bie mallkimi mbi 7 breza

Pa problem.

I vetëm, sepse aktorët nuk ndihen?

Pa problem, ata janë aktorë kanë një drejtor, unë jam spektator nuk kam drejtor si i tillë, pra jam i lirë.

Qullem nën rrebeshe shiu qoftë dhe vetëm për një ide?

Pa problem.

I braktisur nga njerëz që mendojnë si unë por e delegojnë protestën sepse vetë qendrojnë brenda facebookut, ose nuk mendojnë si unë, ose nuk mendojnë fare?

Pa problem.

I mundur në betejën e forcës me buldozerin e Lezes?

Pa problem.

I anatemuar nga propaganda totalitare dhe nga fushatat e censurës?

Pa asnjë problem.

Bindja nuk tundet: Nuk prishet një ndërtesë teatri, nuk prishet kurrë, sepse bie mallkimi mbi shtatë breza, mbi një popull të tërë, sikurse na kapi mallkimi nga prishja e kishave dhe xhamive në 1968.

Dridhen leqet e këmbëve kur mendon se merr pjesë me heshtjen tënde në prishjen e ndërtesave të kulturës.

Ubububuja!

Shqiptarët në Serbi kërkojnë të drejta të njëjta me ato të serbëve të Kosovës

Arton Konushevci

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të tri komunave në jug të Serbisë, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, po kërkojnë që në procesin e dialogut dhe marrëveshjes politike që pritet të arrihet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të futet si çështje edhe zgjidhja për këto tri komuna.

Ata me anë të një deklaratë të përbashkët kërkojnë që në dokumentin përfundimtar të një marrëveshjeje të mundshme Kosovë – Serbi, të jetë e përfshirë edhe çështja e statusit të tyre.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi tha për Radion Evropa e Lirë se shqiptarët në Luginë të Preshevës, vazhdojnë të ballafaqohen me probleme dhe shkelje të mëdha të të drejtave njerëzore.

“Nuk mund të ketë stabilitet dhe paqe afatgjate në Ballkan derisa vazhdojnë të ekzistojnë burimet e krizës, çfarë janë këto në Luginën e Preshevës. Mendojmë se nuk mund të ketë raporte ndërfqinjësore të mira midis Serbisë dhe Kosovës, edhe eventualisht nëse arrihet një marrëveshje, derisa të drejtat e shqiptarëve këtu vazhdojnë të cenohen”.

“Prandaj, kemi kërkuar nga të gjitha palët pjesëmarrëse në këtë dialog në Bruksel, që të angazhohen që edhe çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët në Luginë të gjejnë një zgjidhje dhe të marrin drejtimin e duhur”, tha Kamberi.

Shaip Kamberi

Kamberi tha se shqiptarët e Luginës së Preshevës, kërkojnë nga Presidenti i Kosovës, Kuvendi dhe Qeveria që të angazhohen shumë më tepër në realizimin e kërkesave të shqiptarëve në këto tri komuna.

Ai tha po ashtu se është irelevante nëse në procesin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë të ketë ndonjë përfaqësues nga Lugina e Preshevës, por, sipas tij, relevante është zgjidhja e problemit.

“Çështjet e pakicave kanë rol vendimtar. Derisa Kosova u ofron mundësi maksimale serbëve atje, në të njëjtën kohë Serbia ka kërkesa edhe mbi ato që ofron bashkësia ndërkombëtare, kurse shqiptarëve në Serbi u mohohen të drejtat më elementare, bile edhe ato të drejta të cilat me të drejtën e brendshme të Serbisë janë të garantuara”.

“Atëherë, ne kërkojmë që këtu të vendoset një paralelizëm. Krijimi i pakicave të privilegjuara si në rastin e serbëve në Kosovë në dëm të të drejtave fundamentale të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, nuk besoj se mund të jetë në të mirë të ndërtimit të fqinjësisë së mirë”, tha Kamberi.

Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për rajonalizim thotë se është joreale të pritet që në dialogun e Brukselit të zgjidhen çështjet e serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi, ngase, siç thotë ai, të dyja vendet i kanë sistemet e tyre normative, që rregullojnë të drejtat e pakicave.

“Diku të drejtat e pakicave rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve bilaterale të cilat Serbia i ka me Maqedoninë, Kroacinë, Hungarinë, Rumaninë, por që këto të drejta në gjithë Evropën janë të ndryshme. Kështu që këtu nuk ka një model të caktuar. Secili vend është rast më vete”, thotë Popov.

Aleksandar Popov

Ndërkaq, shefi i diplomacisë së Serbisë, Ivica Daçiq, duke komentuar deklaratën e përfaqësuesve shqiptarë nga Lugina e Preshevës, u kishte thënë atyre që të “mos luajnë”, duke nënvizuar se “çdo durim e ka edhe kufirin e vet”.

“Prishtina nuk dëshiron që të zbatojë atë që ka nënshkruar me Marrëveshjen e Brukselit për Asociacionin e komunave serbe, kurse këtu flasim për atë se këta tash po kërkojnë të drejta që nuk i kanë. Cilat të drejta nuk i kanë?”, kishte deklaruar Daçiq, duke kundërshtuar kërkesat e shqiptarëve të Luginës.

Në anën tjetër, Aleksandar Popov thotë se deklarata e përfaqësuesve shqiptarë të Luginës së Preshevës mund të jetë një tjetër përpjekje për realizimin e ideve për shkëmbim territoresh, ide këto të cilat i cilëson fare pak të besueshme.

“Pjesa më e madh e bashkësisë ndërkombëtare, sidomos ajo pjesë e përfshirë në vendosjen e asaj se si do të duket marrëveshja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nuk mbështet opsionin e ndarjes së territorit të Kosovës, ngase atëherë do të hapej procesi i ndarjeve të reja”, thotë Popov.

Ai thotë se komunat, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë janë ndër më të varfrat në Serbi, kështu që sipas tij, shteti serb duhet të investojë në zhvillimin e tyre dhe integrimin e të gjithë banorëve të atjeshëm, shqiptarë, serbë, romë e të tjerë.

Kurse, Jeta Krasniqi, njohëse e procesit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, [Instituti Demokratik i Kosovës] tha për Radion Evropa e Lirë se përfaqësuesit e qytetarëve të Luginës së Preshevës, kanë të drejtën të kërkojnë respektim të të drejtave të tyre në bazë konventave ndërkombëtare, reciprocitet të këtyre të drejtave me komunitetin serb në Kosovë, duke përfshirë këtu, siç tha ajo, edhe Kartën Evropiane të vetëqeverisjes lokale, të njëjtën mbi të cilën është synuar dhe ofrimi i të drejtave të komunitetit serb në Kosovë.

“Të drejtat elementare të qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës në mënyrë të vazhdueshme janë shkelur nga autoritetet e Serbisë. Dialogu Kosovë-Serbi synon përmirësimin e jetës së qytetarëve, patjetër që dhe çështja e garantimit të të drejtave të qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës duhet të jenë pjesë e adresimit dhe zgjidhjes në mes palëve. Kjo zgjidhje duhet të kërkohet edhe nëpërmjet rrugëtimin të Serbisë në BE”.

“BE-ja duhet të kërkojë nga Serbia respektim të të drejtave të komunitetit shqiptar në Serbi, duke e kushtëzuar rrugëtimin e Serbisë në BE dhe hapjen e kapitujve të rinj me respektimin të të drejtave njerëzore, politike dhe ekonomike të tyre. Liderët kosovarë në mënyrë të vazhdueshme kanë deklaruar se do të ketë reciprocitet me palën serbe. Të njëjtën po e kërkojnë edhe qytetarët shqiptarë në Luginën e Preshevës”, tha Krasniqi.

Qasja konstruktive e cila promovon të drejtat e qytetarëve, duhet të jetë thelb i këtyre diskutimeve në të dy anët e kufirit, pohon Krasniqi.

“BE-ja si lehtësuese e këtij procesi duhet ta synojë, për të ndërtuar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon. Prandaj dhe vullneti i qytetarëve të Luginës së Preshevës duhet të merret parasysh, qoftë nga lidershipi kosovar, por ashtu dhe nga vetë lidershipi i Serbisë”, tha ajo.

Drejtuesit e komunave shqiptare në Luginën e Preshevës thonë se shqiptarët e këtyre komunave vazhdojnë të kenë probleme me arsimin, me pamundësinë që të furnizohen me tekste shkollore nga Kosova, si dhe pamundësinë për nostrifikimin e diplomave që i kanë marrë në Kosovë, pavarësisht marrëveshjeve që janë nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për njohjen e diplomave.

Sopranoja me famë boterore Inva Mula sjell në Korçë në MIK 150 artistë – Ja programi

Edicioni i parë i festivalit ndërkombëtar  “MIK” starton nga qyteti i Korçës.

Festivali “MIK” lindi si ide e inkurajuar nga sopranoja Inva Mula. Festivali do sjellë 150 artistë, që do performojnë muzikën më të mirë, të ndërthurur me historinë e kulturën e qytetit të Korçës. “MIK Festival” do të zgjasë pesë ditë nga data 25 deri më 29 korrik, si një aktivitet për të promovuar kulturën, historinë e këtij qyteti.

Inva Mula premton gjithashtu një cikël koncertesh ku edhe muzika franceze do të pushtojë pazarin e vjetër e teatrin e ri, por në skenën e tij nuk do të mungojë dhe vetë sopranoja e njohur.  Për sopranon shqiptare me famë ndërkombëtare  edhe emri i festivalit që nis në edicionin e parë pas disa ditësh ka një domethënie. Sipas saj lidhet me miqtë e artit dhe muzikës. “Festivali quhet “MIK”. Më ka pëlqyer kjo fjalë, pasi përdoret shumë, por jo aq shumë sa ne do të dëshironim. Dëshironim që të ishim mik me njëri-tjetrin, një fjalë që shqiptarët më duket se e kanë harruar.

Do të dëshironim të ishim miq të artit, të projekteve të bukura dhe MIK është Muzika Internacionale në Korçë, që përkon me një fjalë që unë e kam përzemër”, tha mes të tjerave sopranoja Inva Mula.  Për sopranon Mulat të gjithë e dinë sharmin e qytetit të bukur të Korçës, të gjithë tërhiqen nga ky qytet, dhe ky duhet të jetë një festival që mos ti ndahet asnjëherë këtij qyteti. “Të gjithë e dimë sharmin e këtij qyteti, ka diçka shumë atraktive. Të gjithë tërhiqen nga ky qytet që nuk ka as det, nuk ka as male, por ka një energji të jashtëzakonshme.

Pikërisht me këtë energji të bukur korçare, donim ta përkthenim edhe në art, edhe në muzikë, në një aktivitet që uroj të ketë një fillim të mbarë këtë vit edhe mos t’i ndahet asnjëherë qytetit të bukur të Korçës”, vijoi sopranoja Inva Mula. E pranishme në prezantimin e festivalit “MIK” që pritet të startojë në edicionin e parë në qytetin e Korçës ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro e vlerësoi këtë event si simotrën e fustanellës, festivalit që mori jetë vjet në Gjirokastër duke ndërthurur historinë me muzikën e traditën.

Pesë ditë aktivitete

Festivalit “Muzika Internacionale në Korçë” (MIK) do të zgjasë plotë 5 ditë me aktivitete gjithëpërfshirëse për të promovuar kulturën. “Koncepti i tij është ndërthurja e formave të ndryshme të shprehjes së artit dhe vendosja e tyre në funksion të hapësirës dhe kohës. “MIK Festival” është festivali i parë që bën bashkë rreth 150 artistë të zhanreve të ndryshme për të performuar si asnjëherë më parë në këto 5 ditë të festivalit”, shkruhet në faqen e festivalit. Inva Mula tashmë është e njohur për suksesin e saj. Më 1993 merr një çmim në Operalia-n e parë të Placido Domingos në Paris. Ka bashkëpunuar me tenorë të famshëm në operën e Bastille-s në Paris, në Bruksel, në Mynih dhe në Oslo. Në vitin 1996 mori pjesë në operën “Medee” të Luigi Cherubini-t në Francë. Në 1998 rikthehet në operën e George Bizet “La Jolie fill de Perth”. Në filmin “Elementi i pestë” më 1997 i jep zërin këngëtares në rol Lucia di Lammermoor në skenën “The Diva Dance”. Më vonë ajo luajti në “Ivan IV” të Bizetit në Paris. Në vitin 2001 ishte e angazhuar në Itali ku luajti në teatrin “La Scala” pjesën e Verdit “Falstaff” dhe “Riggoleto” në Arenën e Veronës. Ka marrë pjesë rregullisht në “La Scala” ku luajti “Lucia di Lammermoor”, “La boheme”, Manon (2006). Luajti gjithashtu disa herë dhe “La Traviata” në qytete të rëndësishme si Tokio, Bilbao, Orange, Trieste dhe Toronto. Në 2007, ajo luajti Norine-n e parë në “L’elisir d’amore” në Toulouse të Francës. U  njoh shumë dhe vlerësua për mënyrën e të kënduarit të saj gjë që e bëri atë të famshme./ Julia VRAPI

 

Trumpi dhe Putini bëjnë “hapat e parë” për përmirësimin e marrëdhënieve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, thanë se kanë bërë “hapat e parë” për përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve të tyre.

Dy presidentët u takuan të hënën në Helsinki të Finlandës, në samitin e parë prejse Trump ka marrë detyrën në janar të vitit të kaluar.

Putin i cilësoi bisedimet si “shumë të suksesshme dhe të dobishme” dhe tha se ai dhe Trump diskutuan për kontrollin e armëve, konfliktet në Siri dhe Ukrainë, tregtinë dhe çështje të tjera.

Në konferencën e përbashkët për media, pas katër orë bisedimesh, Putin tha se Trump ngriti çështjen e ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet në SHBA, më 2016, dhe përsëriti mohimin e tij për ndërhyrjen e Moskës.

Në përgjigje të pyetjes së një gazetari, Putini tha se ai ka dashur që Trumpi t’i fitojë zgjedhjet, sepse i nominuari i Partisë Republikane ka shprehur dëshirën për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë.

Trumpi tha se iu adresua Putinit drejtpërdrejt në lidhje me akuzat për ndërhyrje në zgjedhje dhe se ata kaluan “një pjesë të madhe të kohës” duke folur për këtë çështje.

Trumpi nuk ofroi detaje dhe nuk la të kuptohet se ka pasur ndonjë rezultat specifik nga ky diskutim.

Me këmbënguljen e një gazetari, Trump tha se Putin ka qenë “mjaft i fuqishëm” në mohimin e tij.

Ai po ashtu përsëriti se nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë midis fushatës së tij dhe Rusisë dhe tha se hetimet e zyrtarëve amerikanë në këtë çështje kanë shkaktuar “dëm serioz”.

Presidenti amerikan u vu nën presion shtesë për të sfiduar Putinin, rreth ndërhyrjes së dyshuar, pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi më 13 korrik se një juri e madhe ka akuzuar 12 zyrtarë të inteligjencës ruse për piraterimin e kompjuterëve të Partisë Demokratike në SHBA dhe publikimin e emalileve të vjedhura dhe të informacioneve të tjera, gjatë fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Ka pasur po ashtu thirrje për anulimin e samitit në Helsinki, por Trump e mbrojti atë, duke thënë se diplomacia është vendimtare dhe se “dialogu produktiv” me Moskën është një gjë e mirë për SHBA-në, Rusinë dhe pjesën tjetër të botës

Të dy presidentët shprehën po ashtu dëshirën për bisedime për kontrollin e armëve.

Putin tha se është e rëndësishme që të nisë dialogu për armët bërthamore dhe se ai ka bërë propozime konkrete në këtë fushë.

Ai po ashtu tha se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara duhet të bisedojnë për zgjerimin e Traktatit START të vitit 2010, i cili ka vënë kufizime të reja mbi madhësinë e arsenalit bërthamor të të dyja vendeve.

Ka qenë ky samiti i parë dypalësh i liderëve të të dyja vendeve qysh në prill të vitit 2010.

Përpara takimit, Trump tha se shpreson se SHBA-ja dhe Rusia do të përfundojnë me “marrëdhënie të jashtëzakonshme” dhe se “bashkëpunimi me Rusinë është një gjë e mirë, jo një gjë e keqe”.

Ai po ashtu se hetimet e agjencive amerikane mbi ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, i kanë përkeqësuar rëndë marrëdhëniet e Uashingtonit me Moskën.

Our relationship with Russia has NEVER been worse thanks to many years of U.S. foolishness and stupidity and now, the Rigged Witch Hunt!

— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) July 16, 2018

“Marrëdhëniet tona me Rusinë nuk kanë qenë kurrë më të këqija, falë shumë viteve të marrëzisë dhe budallallëkut të SHBA-së dhe tani ‘gjuetisë së shtrigave’”, shkroi Trump në Twitter, duke iu referuar hetimeve që po bën këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Mueller.

Ministria e Jashtme e Rusisë, e cila i ka akuzuar kundërshtarët e brendshëm të Trumpit dhe establishmentin amerikan për pengimin e përpjekjeve për përmirësimin e marrëdhënieve, e pëlqeu postimin e Trumpit.

Gjatë një takimi me presidentin e Finlandës, Sauli Niinisto, përpara takimit me Putinin, Trump tha se se “NATO nuk ka qenë kurrë më e fuqishme dhe kurrë më e bashkuar”.

Komentet pasuan samitin e tensionuar të aleancës në Bruksel, më 11 dhe 12 korrik, ku vendet anëtare janë pajtuar që të rrisin shpenzimet në mbrojtje, nën presionin e Trumpit.

Përgatiti: Valona Tela

Trumpi: Takimi me Putinin, “një fillim i mirë”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se diplomacia është vendimtare dhe se “dialogu produktiv” është një gjë e mirë mirë për SHBA-në, Rusinë dhe botën.

Trump i bëri këto komente në një konferencë për media në Helsinki, pas takimit që mbajti atje me presidentin rus, Vladimir Putin.

Putin tha se ai dhe Trump morën “hapin e parë të rëndësishëm” për të përmirësuar marrëdhëniet SHBA-Rusi.

Në fillim të takimit, Trump e përgëzoi Putinin për organizimin e suksesshëm të Kampionatit Botëror të Futbollit, përpara se të përvijonte disa nga temat që do të prekin gjatë bisedimeve.

“Dua t’ju përgëzoj për një Kampionat vërtet të mirë, një nga më të mirët”, tha Trump, duke shtuar se me Putinin do të diskutojë për “gjithçka”, nga tregtia deri te Kina.

Ai tha se shpreson se SHBA-ja dhe Rusia do të përfundojnë me “marrëdhënie të jashtëzakonshme” dhe se “bashkëpunimi me Rusinë është një gjë e mirë, jo një gjë e keqe”.

Është ky samiti i parë dypalësh i liderëve të të dyja vendeve qysh në prill të vitit 2010.

Përpara takimit, Trump tha se hetimet e agjencive amerikane mbi ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, i kanë përkeqësuar rëndë marrëdhëniet e Uashingtonit me Moskën.

“Marrëdhëniet tona me Rusinë nuk kanë qenë kurrë më të këqija, falë shumë viteve të marrëzisë dhe budallallëkut të SHBA-së dhe tani ‘gjuetisë së shtrigave’”, shkroi Trump në Tëitter, duke iu referuar hetimeve që po bën këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Mueller.

Ministria e Jashtme e Rusisë, e cila i ka akuzuar kundërshtarët e brendshëm të Trumpit dhe establishmentin amerikan për pengimin e përpjekjeve për përmirësimin e marrëdhënieve, e pëlqeu postimin e Trumpit.

Takimi i dy liderëve ndodh në kohën kur marrëdhëniet SHBA-Rusi janë më të tensionuara se kurrë qysh nga koha e Luftës së Ftohtë, për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, intervenimit ushtarak të Moskës në lindje të Ukrainës dhe në Siri, si dhe ndërhyrjes së saj në zgjedhjet në SHBA.

Gjatë një takimi me presidentin e Finlandës, Sauli Niinisto, përpara takimit me Putinin, Trump tingëlloi pozitiv. I pyetur se çfarë do t’i thotë Putinit, ai tha: “Do të jemi mirë, faleminderit”.

Në këtë takim, Trump po ashtu tha se “NATO nuk ka qenë kurrë më e fuqishme dhe kurrë më e bashkuar”. Komentet pasojnë samitin e aleancës në Bruksel, më 11 dhe 12 korrik, ku vendet anëtare janë pajtuar që të rrisin shpenzimet në mbrojtje.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha para takimit Trump-Putin se Moska nuk pret që ai të jetë i lehtë.

“Natyrisht se Siria do të diskutohet nga dy presidentët. Të gjithë e dimë se çfarë mendon Uashingtoni për Iranin. Por, në të njëjtën kohë, Irani është partner i yni i mirë në tregti, bashkëpunim ekonomik dhe dialog politik. Pra, nuk do të jetë një shkëmbim i lehtë i pikëpamjeve”, tha Peskov.

Rusia, megjithatë, shpreson se samiti do të jetë “hapi i parë” në tejkalimin e krizës në marrëdhënie, tha ai.

“Presidentët Trump dhe Putin e respektojnë njëri-tjetrin dhe shkojnë mirë. Nuk ka agjendë të qartë. Do të përcaktohet nga vetë krerët e shteteve”, shtoi Peskov.

Samiti në Helsinki po ashtu zhvillohet nën hijen e një mjedisi të ndarë politik në Shtetet e Bashkuara, ku Mueller po udhëheq hetimet për kontakte të mundshme të paligjshme midis agjentëve rusë dhe fushatës së Trumpit në vitin 2016.

​Më 13 korrik, Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se një juri e madhe i ka akuzuar 12 zyrtarë të inteligjencës ruse për rolin e tyre në piraterimin e Partise Demokratike në SHBA dhe për publikimin e emailve të vjedhura dhe informacioneve të tjera gjatë fushatës presidenciale.

Shtëpia e Bardhë, më 14 korrik, i refuzoi thirrjet e disa anëtarëve të Kongresit për të anuluar takimin Trump-Putin si pasojë e akuzave, që tani kanë rritur presionin e brendshëm mbi Trumpin që të marrë një qëndrim më të ashpër ndaj Putinit.

Përgatiti: Valona Tela

Artan Fuga për Turbinën: “Një hale publike, stallë derrash”

Akademiku Artan Fuga është një nga emrat që është rreshtuar kundër shembjes së godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental.

Me anë të një shkrimi në Facebook, Fuga ka komentuar dhe hapjen e qendrës kulturore Turbina, për të cilën shkruan se është një kapanon dhe hale publike.

“Ishte një halé e vërtetë, një kapanon, një hangar, një barrakë kampesh përqendrimi, një stallë derrash, një depo misri. Një turp”, shkruan ndër të tjera Arta Fuga në postimin e tij.

 

Postimi i plotë

Për teatrin nën shi!
——————————

Nën çadër, në shi, me njerëz të respektuar, e miq, Orilda, Rudi, Ervini, bashkë me ta edhe unë, për të mbrojtur ndërtesën e Teatrit.

Dje vajta pashë gjoja ndërtesën e re, Turbina, për teatër. Ishte një halé e vërtetë, një kapanon, një hangar, një barrakë kampesh pëqendrimi, një stallë derrash, një depo misri. Një turp.

Aty, aty, meritojnë të aktorojnë disa nga këta aktorët që na recitonin vargjet e Fan Nolit dhe na dolën karagjozë.

Turp!

As kam pikë fije dyshimi që ceshtja e teatrit është e lidhur me zhdukjen e kujtesës të qytetit, me lobitë e ndërtimit, me boshatisjen e territorit të Shqipërisë nga popullsia, me zhdukjen nga faqja e dheut e kulturës shqiptare, e historisë shqiptare, bashkë me të e ka pësuar e gjithë kultura, e kanë pësuar shkenca, arsimi, muzetë, sporti, kështjellat, vlerat arkeologjike që po vidhen, libri, drama shqiptare, opera shqiptare, kinemaja, gjithçka që mban shpirtin e një populli.