VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

“Vrasja e Mustafa Gjinishit, duhej bërë…”, Bashkim Shehu zbulon dëshminë e Enverit: Isha pasqyrë e vijës terroriste të Miladin Popoviçit!

By | September 23, 2021

Komentet

Historiani anglez J. C. Hobhouse mbi Ali Pashën dhe shqiptarët – Nga Prof. dr. Refik Kadija (Profesor Emeritus)

 

Historiani dhe politikani John Cameron Hobhouse (1786-1869), i njohur edhe si Baron Broughton, lindi më 27 qershor 1786 në Bristol, Angli. Ai ishte mik i ngushtë i Lord Bajronit, bashkëstudent me të në Trinity College të Universitetit të Kembrixhit dhe bashkudhëtar i tij në udhëtimin në Portugali, Spanjë, Gibraltar, Maltë, Greqi, Shqipëri e Kostandinopojë më 1809-1810. Nga Malta ai dhe Bajroni u inkurajuan nga inteligjenca diplomatike e navale britanike që të udhëtonin në Shqipëri. Miqësia e tij e ngushtë me Bajronin vazhdoi gjatë gjithë jetës. Më 2 janar 1815 ai ishte “shoqërues i dhëndrit” në martesën e Bajronit me matematicienen Annabella Milbanke, ndonëse martesa e tyre u shpërbë fiks pas një viti. Në vjeshtën e 1816-ës Hobhouse-i shkoi te Bajroni në Zvicër në vilën Diodati pranë Gjenevës. Ai arriti atje pikërisht ditën kur miku i tyre Percy Shelley u largua. Pastaj Hobhouse-i e shoqëroi Bajronin në udhëtimet e tij nëpër Itali më 1817-1818 dhe së bashku vizituan Venecian dhe Romën. Gjatë kësaj periudhe Hobhouse-i shkroi shënimet për Këngën e Katërt të “Shtegtimeve të Çajld Haroldit”, të cilën pastaj Bajroni ia dedikoi atij. Në shtator 1822 në Pisa ai u takua për herë të fundit me Bajronin, i cili, kur u ndanë, i tha me lotë në sy: “Hobhouse, ti nuk duhej të kishe ardhur fare, ose nuk duhet të ikësh kurrë”. Më 1823 ai u bë një nga anëtarët më aktivë të Komitetit për Çlirimin e Greqisë në Londër, ndërkohë që Bajroni u nis për në Greqi për të marrë pjesë aktive në Revolucionin Grek, ku vdiq pas një viti nga malaria, me 19 prill 1824. Në korrik 1824, Hobhouse-i vërtetoi testamentin e Bajronit, si një nga ekzekutorët e tij, dhe mbikqyri përgatitjet për funeralin e Bajronit në Huckhall Torkard, Nottinghamshire, Angli. Me këshillën e tij “Kujtimet” e Bajronit (me të dhëna intime) u asgjësuan. Më 1830 Hobhouse-i, si miku më i ngushtë e më besnik i Bajronit, ishte gati t’i përgjigej publikisht “Vërejtjeve” të Zonjës Bajron për rrethanat e ndarjes me bashkëshortin. Mirëpo një mik tjetër i tyre, Doktor Hollandi, e bindi të mos e bënte një gjë të tillë. Megjithatë, ai përpiloi “një përshkrim të hollësishëm, të saktë e të plotë” të marrëdhënieve të tyre “për t’u përdorur nëse do të ishte e nevojshme”, i cili mbeti në dorëshkrim.

Hobhouse-i bëri karrierë të suksesshme politike, u bë antar parlamenti, ministër i luftës, president i Bordit të Kontrollit për Indinë, mbështeti politikën anti-ruse të ministrit të jashtën Lordit Palmerson, iu dha titulli aristocrat ‘baron’ më 1851, etj.  Vdiq në moshën 83-vjeçare, më 3 qershor 1869, në shtëpinë e tij në Londër. Vepra e tij e fundit “Kujtime të një jete të gjatë” u botua privatisht më 1865, por më 1909-1911 kjo vepër u botua e zgjeruar në 6 vëllime nga vajza e tij e dytë Charlotte, baronesha Dorchester (1831-1914), e cila gjithashtu vdiq 83 vjeçe, si babai i saj.

Vepra kryesore e Hobhouse-it “Udhëtim nëpër SHQIPËRI dhe në provinca të tjera të Turqisë në Europë dhe Azi, deri në Konstandinopojë, gjatë viteve 1809-1810” (angl. “A Journey through ALBANIA, and other provinces of Turkey in Europe and Asia, to Constantinople, during the years 1809 e 1810”) u botua për here të parë më 1813 në Londër, në 2 vëllime, me 1152 faqe, trajtuar në formë epistolare – në 51 Letra, të cilat janë faktikisht kapituj. Kjo vepër u botua edhe në Filadelfia (një fshat në veri-lindje të Anglisë) më 1817. Pastaj, pas 42 vitesh, më 1855 e ribotoi në Londër me titull pak të ndryshuar dhe me strukturë mjaft të ndryshuar. Në kohën kur e ribotoi këtë vepër Hobhouse-i nuk ishte më ai djaloshi romantik 23-24 vjeçar që rendi me Bajronin pas vendeve ekzotike, por ishte në moshën e tretë, rreth të shtatëdhjetave. Shumë gjëra kishin ndryshuar. Kauza e Revolucionit Grek kishte kohë që ishte mbyllur me ndihmën e tri fuqive të mëdha. Pashallëku i Janinës me Vezirin karismatik e të fuqishëm që kishte tërhequr aq shumë vizitorë të huaj gjatë tri dekadave të para të shekullit XIX nuk ishte më. Ali Pasha kishte 33 vjet që kishte vdekur. Çfarë kishte për të thënë Hobhouse-i për të, i kishte shkruar në botimin e parë. Ishin botuar tashmë edhe veprat e pesë udhëtarëve të tjerë – “Travels in Northern Greece,”(1835) nga Colonel W. Martin Leake; “Travels in Albania, Thessaly, &c.” (1815), nga Sir Henry Holland, M.D.; “Travels in Greece and Albania,” (1820 dhe 1830), nga Rev. T. S. Hughes, B.D.; “The Spirit of the East” (1838), nga D. Urquhart, Esq., “Journal of a Landscape Painter in Albania, &c” (1851) nga udhëtari e piktori i mirënjohur E. Lear.

Në parathënien e librit të tij miku i shqiptarëve Edward Lear vlerëson mbi të gjithë veprën e Leake-ut: “Nga shumë libra të shkëlqyer që janë botuar tashmë me këtë subjekt, veprat e Kolonel Leake-ut qëndrojnë më lart se të gjithë të tjerët, sepse bartin masën më të madhe të informacionit të saktë deri në hollësira në lidhje me këto vende interesante e të mrekullueshme.” (f. 3). Hobhouse-i ishte treguar i nxituar për t’i botuar sa më parë shënimet e tij të udhëtimit, siç thotë vetë në Parathënie, “duke i dërguar në shtyp faqe pas faqeje”, por e kuptoi me vonë se në botimin e parë më 1813 kishte pasaktësi e të meta. Prandaj u detyrua t’i referohej Leake-ut e të tjerëve shpesh, gjatë dhe për shumë çështje në ribotimin e 1855-ës të veprës së tij.

Në botimin e parë të veprës së tij, që para takimit me Ali Pashën, Hobhouse-i shprehet me respekt për personalitetin e vezirit: “Ali is, indeed, a very great man, as you will be inclined to acknowledge, if you have the patience to proceed with me on my journey.” (“Aliu është vërtet një njeri shumë i madh, dhe ju do të jeni i detyruar ta pranoni, nëse keni durim të më ndiqni mua në udhëtimin tim”. – Letra III, f. 35). Shënimet e Hobhouse-it mbi Shqipërinë, Ali Pashën dhe shqiptarët përfshihen në Letrat II – XV, nga faqja 2 deri në faqen 160, por sidomos në 50 faqet e Letrave XI – XIV (f. 109-159).

Me 12 tetor 1809 ai dhe Bajroni u pritën nga Aliu në sarajin e tij në Tepelenë. (Letra XI, f. 109-124). Hobhouse-i tregon se Aliu i priti në këmbë si shënjë e nderimit të veçantë; pastaj i ftoi të ulen pranë tij në divan: “Ai po na priste në këmbë kur hymë, gjë që kuptohej si kompliment, sepse një turk me pozitë nuk ngrihet kurrë për të pritur dikë që nuk është i një shkalle më të lartë…. Kur ecëm drejt tij, ai u ul dhe shprehu dëshirën që të uleshim afër tij.” (f.109). Pastaj Hobhouse-i përshkruan sallonin e pritjes “të mobiluar shumë këndshëm dhe që kishte një shatërvan prej mermeri në mes”.

Më tej ai jep portretin fizik të Ali Pashës dhe karakterin e tij: “Veziri ishte një burrë i shkurtër, rreth 5 këmbë e 5 inç i gjatë (rreth 165 cm), dhe shumë i bëshëm, por jo veçanërisht i dhjamosur. Kishte një fytyrë shume të këndshme, me lëkurë të bardhë e të rrumbullakët, me sy blu që lëviznin shpejt, të cilët nuk përputheshin fare me seriozitetin turk. Mjekrën e kishte të bardhë e të gjatë dhe të atillë që çdo turk tjetër do ta kishte për krenari; ndonëse ai, i cili merrej më shumë me miqtë e tij se me vetveten, nuk i mbante sytë te mjekra, nuk e nuhaste as nuk e ledhatonte, siç bënin zakonisht turqit, për të mbushur pauzat e bisedës. Nuk ishte i veshur me shumë salltanet, përveç një çallme shumë të lartë, të përbërë nga shumë mbështjellje të vogla nape prej muslini të qepur me fije ari, dhe jataganit të tij, apo një kame të gjatë me brilante të inkasuara.

Ishte jashtëzakonisht i njerzishëm, dhe tha se na konsideronte si fëmijët e tij. Na tregoi një ‘hoëitzer’ malor (një lloj arme artilerie midis topit e mortajës), të vendosur në apartamentin e tij, dhe gjeti rastin të na thoshte se kishte disa topa të mëdhenj. U rrotullua dy apo tri herë për të parë me një teleskop anglez dhe në fund na e dha ne që të shikonim një grup turqish mbi kuaj që po kalëronin gjatë brigjeve të lumit drejt Tepelenës. . . . Morëm nargjile, pimë kafe dhe hëngrëm ëmbëlsira me të; por ai nuk ishte edhe aq i dhënë pas këtyre gjërave sa ç’ishin turqit që kemi parë. Ai ishte shumë në humor dhe disa herë qeshi me të madhe, gjë që ishte e pazakontë për një njeri të rangut (rëndësisë) të tij. Nuk kam parë asnjë rast tjetër si ky në Turqi. Në vend që ta kishte dhomën e tij të mbushur me oficerë të këtij saraji, gjë që është zakon i padiskutueshëm i pashallarëve dhe i burrave të tjerë të mëdhenj, ai nuk kishte thuajse akënd tjetër që e shoqëronte, përveç katër a pesë djelmoshave të veshur me shumë madhështi me kostum shqiptar, dhe me flokët e gjatë që i valëviteshin deri në gjysëm të shpinës. Këta na sollën ëmbëlsira e pije freskuese dhe vazhdonin të na furnizonin me nargjile, të cilat, ndonëse nuk ishin konsumuar as deri në gjysëm, u zëvendësuan tri herë, siç është zakoni kur duan të nderojnë në mënyrë të veçantë një mik. . . . Gjallëria dhe lirshmëria e tij na bënë përshtypje për kapacitetin e tij të natyrshëm që meritonte shumë lëvdatë.”

Në vazhdim të bisedës Aliu i uroi ata për fitoren e anglezve, “për lajmet që kishin ardhur dy javë më parë për Zanten, Qefaloninë, Ithakën dhe Cerigon që i ishin dorëzuar skuadronit anglez: ai tha se ishte i lumtur që t’i kishte fqinjë anglezët, sepse ishte i sigurtë se ata nuk do të silleshin me të siç kishin bërë rusët dhe francezët që i kishin marrë nën mbrojtje robërit e tij të arratisur. Ai tha se gjithmonë kishte qenë mik i Kombit tonë, bile edhe gjatë luftës sonë me Turqinë, dhe se kishte luajtur rol vendimtar në rivendosjen e Paqes”. (f. 110). [Këtu është fjala për takimin e fshehtë midis Ali Pashës dhe W.M. Leake-ut natën e 12 nëntorit 1807 në rrënojat e Nikopolit të lashtë pranë Prevezës. Kapiten Leak-u erdhi me porosi direkte nga Mbreti George III i Britanisë së Madhe për të kërkuar zyrtarisht nga Ali Pasha që të negocionte pranë Sulltan Selimit III për rivendosjen e paqes midis Turqisë e Britanisë. Dhe Aliu ia arriti qëllimit.]

Gjatë bisedës me Ali Pashën, Hobhouse-i tregon se Aliu “na pyeti çfarë na kishte nxitur për të udhëtuar në Shqipëri? Ne i thamë se ishte dëshira për të takuar një njeri aq të madh si ai. ‘Vërtet’, na u kthye, ‘kishit dëgjuar për mua në Angli?’ Ne sigurisht e siguruam atë se ai ishte një subjekt shumë i zakonshëm i bisedave në vendin tonë; dhe ai dukej se nuk ishte fare i imunizuar nga lajkat” (f. 110). Në vazhdim Aliu i tregoi Hobhouse-it dhe Byron-it një kobure të praruar që e kishte dhuratë nga Napoleon Bonaparti: “Ai na tregoi disa kobure dhe një shpatë; pastaj mori një pisqollë që ishte varur mbi kokën e tij në një qese dhe na tha se ishte dhuratë nga Mbreti i francezve. Ishte një pushkë e shkurtër me qytë të larë në argjend dhe me diamante e brilante të inkasuara në të dhe dukej një dhuratë e bukur. Mirëpo sekretari na informoi se kur pisqolla erdhi nga Napoleoni, ajo kishte vetëm një qytë të rëndomtë dhe të gjitha zbukurimet ishin shtuar nga Madhëria e tij për ta bërë të duket sa më tepër si dhuratë mbretërore”. (f. 111).

Në Letrat (apo kapitujt) XII e XIII Hobhouse-i jep mendimet e tij mbi karakteristikat e shqiptarëve [XII, f. 132-138]:

(Portret shqiptari, vol. I, Letra XI, f. 133)

“Shqiptarët janë përgjithësisht me shtat mesatar, rreth 5 këmbë e 6 inç të gjatë (rreth 168 cm,). Ata janë muskulozë dhe me trup të drejtë, por jo të madh; janë veçanërisht të ngushtë rreth vitheve, pa fare dhjamosje, që mund t’i atribohet jetës së tyre aktive si dhe brezit të ngushtë që ata mbështjellin rreth mesit. Gjoksin e kanë të gjërë e të plotë dhe qafën të gjatë. Fytyra e tyre ka formë ovale të zgjatur, me mollëza të ngritura dhe ballë të sheshtë por të lartë. Shprehja e syve të tyre, të cilët janë blu e lajthi, por rrallë krejt të zinj, është shumë e gjallë. Gojën e kanë të vogël dhe dhëmbët me një ngyrë të mirë e të formuar mirë. Hundën e kanë, në pjesën më të madhe, të dalë e të drejtë, me flegra të holla por të hapura. Vetullat i kanë të harkuara. Nuk mbajnë flokë në pjesën ballore të kokës, por i lënë të valëviten poshtë në sasi të madhe nga maja e kurorës: përgjithësisht janë kaçurela të shpupurishur, por kur janë të drejtë e të gjatë, janë shumë tërheqës. Ata mbajnë mustaqe të vogla mbi buzën e sipërme, por e rruajnë gjithë mjekrën e mustaqet bashkë me pjesën e përparme të flokëve një herë në javë.

Ngjyra e shqiptarëve, kur janë të rinj, është e bardhë e pastër, me një nuancë rozë si të portokalltë në faqe; mirëpo puna dhe ekspozimi në të nxehtë e të ftohtë i jep lëkurës së trupit një ngjyrë të mugët, ndonëse fytyra e tyre ruan një ngjyrë lëkure të pastër. Ata kanë praktikën që zakonisht është aq e përhapur në shumë kombe, dhe të cilën Straboni e thekson si zakon të ilirëve, të bëjnë figura në lëkurën e krahëve dhe këmbëve, me punkturë (çpime me gjilpërë), të cilat i ngjyrosin me barut, saktësisht të ngjashme me shënjat që shihen te marinarët tanë.

Piktura e zakonshme Skënderbeut, në ‘Historinëë e turqve’ të R. Knolles-it, nuk është një përfaqësim i keq i pamjes së përgjithshme të kombit të tij. Mirëpo vizatimi që kam vënë në libër është bërë keq dhe është lënë vetëm si model i veshjes shqiptare. . . . Veshja e burrave i përshtatet mirë jetës së malësorit. Piktura qw kam pwrfshirw nw libwr pwrfaqwson pamjen e njw shtrese mw tw mirw. . . .Manteli është në shumicën e rasteve më i gjatë se ai në libër, siç është këmisha, dhe është e bërë prej leshi të bardhë, me shtresë shajaku përsipër. Përveç një kësule të vogël të kuqe, që i ngjan një kupe lënde lisi, në majë të kokës, ata që kanë mundësi shtojnë një shall, të lidhur rreth saj si çallmë, kurse në dimër e ulin përmbi veshë dhe e lidhin rreth qafës. Por ajo që përbën mbrojtjen e tyre kryesore kundër motit të keq dhe formon shtratin e tyre, qoftë në kasolle ose në fushë, është një pallto e madhe ose kapotë, me mëngë të hapura e të lirshme dhe një kapuç që varet në një copë katrore mbrapa, por kur vihet në kokë, ai shtrëngohet duke marrë formën e vet me anën e një gjilpëre të gjatë, ose nganjëherë me shufrën e kobures. Kapota është prej shajaku leshi të bardhë ose prej qimesh kali të zeza. Mendojmë se kjo është e veçantë për këtë popull, sepse (siç ma kujtoi Miku im) poeti ynë Spenser i ka dhënë njërit prej personazheve të tij “një kapotë të madhe të mbajtur shqiptarçe”.

Rreth belit ata mbajnë një shall të ashpër, të cilin e shtrëngojnë fort me një rrip lëkure që mban koburet e tij…. Burrat më të varfër mbajnë vetëm një kobure në brez, por ajo është shoqëruese e tyre e përhershme; dhe kur kanë mundësi financiare që ta veshin me filigran të ashpër argjendi dorezën e stërgjatur të kobures, ata nuk janë pak krenarë për armën e tyre….Shpata e përkulur, e cila mbahet kryesisht nga ata që janë aktualisht në shërbim të një pashai, mbahet e mprehtë si brisk; mirëpo doreza prej argjendi është aq e ashpër sa ta çajnë dorën e një personi që nuk është mësuar ta përdorë një shpatë të tillë. Pushka e gjatë gjëndet në çdo kasolle në Shqipëri: fshatari e merr atë me vete ose kur kullotë bagëtitë, ose kur plugon tokën. Është pikërisht arma në përdorimin e së cilës ai kujdeset që të shkëlqejë dhe e konsideron atë edhe si zbukurim, edhe si mbrojtje.”

Pastaj Hobhouse-i ai ndalet në mënyrë të veçantë te cilësia ushtarake e shqiptarit, trimëria dhe lidhja e tij e ngushtë me pushkën e shpatën. “Por të kthehemi te karakteristikat e këtij kombi. Dashuria e tyre për armët është aq e zjarrtë sa që ata të cilët mund të kenë frikë nga një interval tepër i gjatë paqeje në vendin e tyre, hyjnë në shërbimin e Pashallarëve në çdo pjesë të perandorisë turke. Ruajtja e flamurit të shenjtë nga Meka në Konstandinopojë i besohej njëqind e pesëdhjetë shqiptarëve të armatosur e të veshur me kostumin e tyre kombëtar. Udhëtari Browne i pa ata kur parkalonin në rresht përmes Damaskut. Egjipti aktualisht është në duart e tyre, nën sundimin e një Beu, mik i Ali Pashës; dhe ishin trupat e tyre, në një shkallë të madhe, që e detyruan ushtrinë tonë fatkeqe të tërhiqej nga ai vend.

Stradiotët, kavaleria shqiptare, spikatën në luftrat e Italisë; dhe bregdeti, deri në ditët e sotme, i ka furnizuar nbretërit e Napolit me një regjiment. Disa prej tyre ne i kemi parë në shërbimin tonë në Maltë.” Në vazhdim, në Letrën XIII (fq. 155-156) Hobhouse-i përmend rastin e shqiptarit të famshëm të shekullit XVIII Halil Patrona (1690-1730): “Ghalili i famshëm, i quajtur zakonisht Patrona, ishte shqiptar. Ky burrë, ndonëse detar i thjeshtë e shitës ambulant, udhëhoqi kryengritjen e 1730-ës, me të cilën rrëzoi nga froni Sulltan Ahmetin III, dhe pati një sukses të tillë që as historia e lashtë, as ajo moderne nuk na japin një shembull tjetër si ky; dhe Patrona mbeti për tri javë zotrues absolut i Kostandinopojës. Gjithashtu, familja Kioprili, e cila i dha sulltanëve tre Vezirë të Mëdhej, ishte nga Shqipëria”.[1] Edhe udhëtari tjetër anglez Sir Henry Holland, mik i Hobhouse-it dhe i Bajronit, e përmend Halil Patronan si shembull trimërie të shqiptarëve, me referencë të saktë bibliografike.[2]

Para se Hobhouse-i dhe Bajroni të niseshin për të vizituar Tepelenën, Aliu i pyeti nëse kishin ndonjë nevojë dhe ata kërkuan që Aliu t’i lejonte të merrnin Vasilin si shoqërues nëpër Turqi. Kush ishte Vasili? Ai ishte njëri nga dy shoqëruesit shqiptarë të Bajronit dhe Hobhouse-it gjatë turneut të tyre më 1809-1810; shqiptari tjetër quhej Dervish Tahiri. Vasili ishte nga një fshat në Dangëlli midis Tepelenës e Përmetit, prandaj dhe e thërrisnin Vasil Dangëllisi.

“Ne vetëm kërkuam leje që të merrnim shqiptarin tonë Vasilin për të na shoqëruar gjatë kohës që ishim në Turqi, të cilën ai menjëherë e pranoi, dhe pyeti se ku ishte ai. Kur i thamë se ishte te dera e dhomës, ai dërgoi për ta thirrur dhe Vasili menjëherë hyri brenda. Ndonëse me gjithë respektin e duhur, ai nuk ndjehej i sikletosur, por, me dorën në gjoksin e majtë, iu përgjigj pyetjeve të Vezirit në mënyrë të rrjedhshme e të vendosur. Aliu e thirri në emër dhe e pyeti përse, duke qenë te dera, nuk kishte hyrë për ta takuar. “Sepse ti e di, Vasil,” shtoi ai, “që unë do të kisha qenë i kënaqur për të të takuar!” Pastaj Veziri i tha atij se ai do të ishte shoqëruesi ynë dhe duhej të kujdesej që ne të mos na mungonte asgjë. Ai foli gjatë me të për etapat e ndryshme të udhëtimit tonë, dhe e përmblodhi bisedën duke i thënë si me shaka se, po të na ndodhte neve ndonjë aksident, ai do t’ia këpuste kokën; na tha edhe se ne duhej t’i shkruanim ku t’i tregonim si ishte sjellur ai.”

Në kujtimet e tij për Ali Pashën Hobhouse-i tregon edhe “dy histori melankolike, të cilat janë të mirënjohura dhe për të cilat flitet fshehurazi në Janinë”. Në fakt ato janë dy historitë tragjike vërtetë të mirënjohura – mbytja e 16 (Hobhouse-i thotë 15) vajzave në Liqenin e Janinës dhe mbytja e Frosinës, të cilën Hobhouse-i e quan Zofreni, por e korrigjon emrin në botimin e vitit 1855.

“Gruaja e Myftar Pashës, e bija e Ibrahimit, ishte e reja më e preferuar e Vezirit. Një mëngjes, kur i bëri një vizitë nuses së djalit, e gjeti të përlotur. Pasi e pyeti disa herë për shkakun e dëshprimit, ajo më në fund i pohoi me mëdyshje se djali i tij nuk e donte si më parë. Pastaj ai u interesua nëse ajo mendonte që i shoqi shkonte me gra të tjera. Ajo u përgjigj: Po. Veziri e pyeti se kush ishin ato. Atëherë zonja (thuhet se krejt rastësisht) shkroi emrat e pesëmbëdhjetë grave më të bukura, disa greke, disa turke, të qytetit të Janinës. Atë natë ato të gjitha u kapën në shtëpitë e tyre, u dërguan në pallat në fortesë dhe prej aty u çuan me varka në liqen dhe, pasi i lidhën nëpër thasë, i hodhën në ujë.” Këtu autori shton: “Kam frikë se nuk ka asnjë dyshim për vërtetsinë e kësaj historie, sepse kur ia përmendëm këtë çështje shoqëruesit tonë, Vasili na tha se ishte fakt, dhe se ai vetë, meqenë se në atë kohë bënte pjesë në gardën e qytetit, kishte qenë një nga tridhjetë ushtarët e caktuar për t’i kapur e për t’i shkatërruar këto femra fatkeqe. Duket e çuditshme që tridhjetë burra të kishin qenë të aftë për ta kryer një detyrë të tillë; mirëpo shqiptarët e urrejnë seksin dhe ushtari ynë e mbronte këtë veprim, i cili, sipas tij, ishte një veprim shumë i mirë, sepse ato ishin të gjitha gra të këqia. Nuk është e mundur që ky kopuk ta konsideronte veten seriozisht se kishte kontribuar në frenimin e vesit.”

Për fatin tragjik të Frosinës 17-vjeçare Hobhouse-i shkruan: “Fati i Zofrenit të bukur është akoma subjekt i një kënge të dhimbshme, të cilën ne e dëgjuam së pari në Janinë dhe pastaj në Athinë. Sipas kësaj historie, ishtë fatkeqësia e Zofrenit, zonjës greke nga Janina, e cila ishte më e bukura e seksit të saj, që të admirohej në të njëjtën kohë nga Aliu dhe nga njëri prej djemve të tij. Ajo kishte arritur ta fshehë këtë lidhje të dyfishtë nga dy të dashurit e saj gjersa Veziri i pa në gisht një unazë që ai e njohu se ia kishte dhënë gruas së djalit të tij. Kur e zbuloi këtë, babai i zemëruar e la atë menjëherë dhe dha urdhrin fatal. Zofreni u mbyt në liqen po atë natë. Ajo ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjejo ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç.”

Hobhouse-i i justifikon veprimet mizore të Aliut jo si një tipar karakteri i personit të Aliut por si ndëshkim i rëndomtë i grave në shoqërinë otomane të kohës: “Këtu përsëri ndeshemi me një tipar të egërsisë (mizorisë) turke dhe jo i një dispozite të veçantë mizorie të Aliut, sepse nuk ka asgjë të pazakontë në këtë mënyrë të ndëshkimit të grave: Hairaktari, Veziri i Madh famëkeq, eliminoi shumë nga gratë e haremit të Sulltan Mustafait me të njëjtën mënyrë vdekjeje, me qëllim që të ulte shpenzimet e sarait, ose, siç thonë disa, për t’i ndëshkuar ato për intriga të supozuara të oborrit”.   

Hobhouse-i e përfundon përshkrimin e portretit të Ali Pashës në fund të Letrës XI (f. 124) me fjalët: “Ai është paqyshim një njeri i madh, por pa thënë dhe pa e ditur se ai është një pasardhës i denjë i Pirros, të cilin, sipas një autori, ai zakonisht e quan Piros”.

Në botimin e vitit 1855 të veprës së tij, Hobhouse-i ka bërë shumë shtesa e komente në fund të faqeve, ku i referohet veprave të udhëtarëve të tjerë, të cilat ishin botuar pas veprës së Hobhouse-it të vitit 1813. Në parathënien e këtij ribotimi Hobhouse-i pohon se “ato janë rishtypje e ‘Udhëtimeve’ të mia ‘në Shqipëri dhe Provinca të tjera të Turqisë më 1809 dhe 1810’ dhe objekti im kryesor për t’i botuar ato ka qenë që të korrigjoj gabimet që gjënden në botimin e parë të tyre”. Këto shtesa janë më të shumta se vetë teksti i veprës në Kapitullin XI (tashmë ndarjet e librit vetë autori nuk i quan më ‘letra’ por ‘kapituj’). Në këto referenca ai citon Dr. Hollandin, Hughes-in, Robert Walsh-in e veçanërisht Leake-un, duke iu kundërvënë për korrigjimin e emrit të Frosinës, për ofertën e Napoleon Bonapartit për ta bërë Aliun mbret të Shqipërisë, për aftësitë e Ali Pashës për të lexuar e shkruar, etj.

Në faqen 114 (Kap. XI) Hobhouse-i shkruan: “Përveç gjuhës së tij amtare, ai flet greqisht rrjedhshëm, por sa për gjuhën turke ai di shumë pak; dhe, si Justin-i dhe Theodoric-u, lordët bashkëkohorë të Perandorive Lindore e Perëndimore, e ka ngritur veten në pushtetin e tij të tanishëm ndoshta pa i ditur shkronjat e asnjë alfabeti.”  Dhe për t’i qëndruar mendimit të tij se Aliu ishte analfabet, ai i kundërvihet atyre që mendonin ndryshe, pikërisht Sir Henry Holland-it dhe W. M. Leake-ut (dy udhëtarëve anglezë më të shquar që kishin qëndruar më gjatë e më afër Aliut se asnjë udhëtar tjetër). duke iu referuar në ‘footnote’ francezit Mansour Effendi: “Doktor Hollandi thotë se Ali Pasha dinte të lexonte, sepse e ka parë duke lexuar edhe në gjuhën romaike (greqishten e re) edhe në ate turke; dhe shton se, ndonëse nuk e mban mend ta ketë parë Aliun duke shkruar, megjithatë, ai nuk kishte fare dyshim, nga të dhënat që kishte marrë, se ai mund të bënte kështu. (Vol. I, f. 264). Kolonel Leake-u gjithashtu thotë se e kishte parë Ali Pashën edhe duke shkruar, edhe duke lexuar. Por Mansour Effendi-u (f. 831) është i sigurtë se Aliu nuk mund të bënte asnjërën, por pretendonte se i bënte të dyja.” (XI, 114) [I ashtuquajturi Ibrahim Mansour Effendi ishte një mercenar e aventurier çifut francez, emri i vërtetë i të cilit ishte Samson Cerfberr i Medelsheim-it, i cili gjatë jetës së tij e ndërroi fenë disa herë. Lindi në Strasburg më 1780 dhe vrau veten në Paris më 1826. Ai e shtjellon autobiografinë e tij në një parathënie të gjatë prej 76 faqesh me titull “Shënime mbi autorin” të librit me kujtime “Mémoirs sur la Grèce et l’Albanie” (Paris, 1826). Në këtë libër gjen mjaft gabime e absurditete, siç është, për shembull, besimi i Aliut në një ‘parashikim’ të një dervishi persian se do të jetonte deri në moshën 150 vjeç, etj. (f.233-234)]

Në fund të Kapitullit XI (f.114-116) Hobhouse-i ka përshkruar edhe fundin tragjik të Ali Pashës: vrasjen e tij me tradhti nga Kurshid Pasha më 25 janar 1822 (Hobhouse-i thotë më 5 shkurt), ekspozimin e kokës së tij në Stamboll, dhe varrosjen e kokës së Aliut dhe kokave të tre djemve dhe nipit të tij nga Sulejman Dervishi pranë Portës Silivria, duke iu referuar “Përshkrimit” të Robert Walsh-it. Në këto shënime Hobhouse-i shton edhe disa të dhëna të tjera për familjen e Aliut: “Hyseini, djali i madh i Myftarit, pas vdekjes së gjyshit të tij Ali, u vu në krye të një trupe shqiptarësh dhe për disa vite i rezistoi forcave që u dërguan kundër tij. Nuk di asgjë më shumë për karrierën e tij. Selimi, djali i dytë i Veliut, u shpëtua nga e ëma, vajza e Beut të Katerinit, afër Selanikut. Me këto përjashtime, familja e Hissajve u shua me Ali Pashën” (XI, 115)

Shënim. Ky shkrim është marrë i plotë nga libri “Ali Pasha dhe shqiptarët në kulturën e Anglosferës”, të cilin autori Refik Kadija e boton me rastin e 200-vjetorit të vdekjes së Ali Pashë Tepelenës.

[1] Historia e Halil Patronas gjëndet edhe në faqen 137 të botimit të librit të Hobhouse-it të vitit 1817 në Filadelfia.

[2] Holland, Sir H., Travels in the Ionian Isles, Albania, Thessaly, Macedonia, &c. during the Years 1812 and 1813, London, 1815. (f. 102)

Dokumenti sekret i arkivave ruse- Rrëfimi i agjentëve të KGB: Si e ndihmuam Enver Hoxhën të fitonte ndaj Koçi Xoxes

Kristofer Andrju (Christopher Andrew) dhe Oleg Gordievsky, i pari historian britanik dhe tjetri agjent i dyfishtë sovjeto-britanik, përgjatë ndërtimit të librit më të plotë për historinë e shërbimit famëkeq të spiunazhit sovjetik, KGB, me titull “KGB” kanë zbuluar detaje të panjohura për ndikimin në Shqipëri.

“Historia e operacioneve politike nga Lenini te Gorbaçovi”, kanë përfshirë të paktën dy histori shqiptare. E para ka lidhje me ndihmën që i kanë dhënë Enver Hoxhës, për të fituar mbi Koçi Xoxen, paraardhësit e KGB-së dhe e dyta sqaron saktësisht vlerën e informacioneve për krerët komunistë shqiptarë të agjentit britanik, Kim Filbi, që i shërbente KGB-së. Ishin vitet 1944-1947, kur Koçi Xoxe, i mbështetur nga jugosllavët, kishte pasur një karrierë të suksesshme në krye të Partisë Komuniste Shqiptare, madje në fund të kësaj periudhe, po me mbështetjen e jugosllavëve, ai kishte arritur të vinte nën kontroll pothuaj gjithçka, duke mënjanuar edhe vetë komandantin Enver Hoxha.

Sipas dy autorëve të librit, shërbimi sekret sovjetik, që në atë kohë emërtohej MGB (Ministria e Sigurisë së Shtetit, 1947 – 1951), pasi ende nuk ishte formuar KGB (Komiteti i Sigurisë së Shtetit, 1954 – 1991), kishte shtrirë rrjetën e tij të spiunëve në të gjitha vendet e kampit socialist, duke luajtur një rol vendimtar në kalimin e tyre në vende të “demokracive popullore”. Por në Shqipëri, më shumë se sovjetikët, deri në vitin 1948, ishte shërbimi sekret jugosllav OZNA (Byroja e Mbrojtjes Popullore), pararendësja e UDBA-s (Zyra e Sigurisë së Shtetit), që bënte ligjin.

JUGOSLLAVËT FUQIZUAN XOXEN

Sipas dy autorëve, suksesi i parë i rëndësishëm i shërbimit sekret sovjetik ishte pikërisht hedhja në erë e influencës së Titos në Tiranë. Tekstualisht sipas librit: “…suksesi i parë i rëndësishëm i MGB-së në luftën e fshehtë kundër UDBA-s ishte organizimi në Shqipëri i një puçi kundër Titos. Para ndarjes me Titon, Stalini kishte rënë dakord që Shqipëria të mbetej një satelit i Jugosllavisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore “këshilltarët” jugosllavë riorganizuan Partinë Komuniste të Shqipërisë nën udhëheqjen e Enver Hoxhës në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Koçi Xoxen në postin e ministrit të Punëve të Jashtme në qeverinë e kontrolluar nga komunistët.

‘Pa luftën e popujve jugosllavë – ka thënë Enver Hoxha pas luftës – kundërvënia e popullit shqiptar të vogël në numër, do të kishte qenë e pamundur.’ Nën trysninë e OZNA-s, partia e shqiptarëve u spastrua nga ‘trockistët’ dhe ‘devijuesit’: Anastas Lulo, kreu i Organizatës Komunistë të Rinisë u pushkatua për ‘anim nga e majta’; Llazar Fundo, një nga themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare më 1941-in, i kthyer nga internimi sovjetik më 1944-ën, ku kishte humbur iluzionet e dikurshme, u rrah deri në vdekje në prezencë të misionit ushtarak anglez; Mustafa Gjinishi, anëtar i Byrosë Politike, u ekzekutua për shkak të themelimit të një fronti antifashist të përbashkët me grupet ‘borgjeze’. PKSH-ja doli nga lufta praktikisht me pamjen e një dege të partisë jugosllave. Shërbimi sekret shqiptar ‘Sigurimi’ gjendej nën kontrollin e plotë të OZNA-s, ashtu si edhe shërbimet sekrete të vendeve të tjera evropianolindore gjendeshin nën kontrollin e NKGB-së (Komisariati i Popullit për Sigurinë e Shtetit, 1941- 1946). Hoxhën gjithmonë e më shumë po e shqetësonte kërcënimi nga rivali i tij Xoxe, i cili, duke zënë vendin e ministrit të Punëve të Brendshme, drejtonte ‘Sigurimin’ dhe kishte mbështetjen e Titos.

Në maj të vitit 1947 Xoxe ndërmori një proces ndëshkimor ndaj 9 anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, të cilët kishin shprehur pakënaqësi ndaj jugosllavëve. Të gjithë u dënuan me burgime të gjata për ‘veprimtari armiqësore’. Në mbledhjen e KOMINFOR-it (Byroja Informative e Partive Komuniste dhe Punëtore, 1947-1956) në gusht të vitit 1947, Shqipërinë e përfaqësonte partia jugosllave. Katër muaj më pas Stalini i thotë Gjilasit (Ish-ministër për Punët e Malit të Zi dhe më pas edhe Zv/president Jugosllavisë): ‘Ju duhet ta gëlltisni Shqipërinë, dhe sa më shpejt, aq më mirë!”.

 

REVANSHI I ENVER HOXHËS

“Konflikti sovjeto-jugosllav i vitit 1948 ndihmoi Hoxhën të fitonte luftën për pushtet ndaj Xoxes. Në kohën kur këshilltarët sovjetikë braktisën Beogradin, oficerët e MGB-së u dyndën në Tiranë. Pas ndarjes së Titos nga Moska, Hoxha urdhëroi largimin e menjëhershëm të të gjithë jugosllavëve që shërbenin (në Shqipëri, red.) dhe sulmoi rivalin e tij. Xoxe ndërmori përpjekje të pasuksesshme që të shpëtonte, duke u shtirur si i besuar i sovjetikëve. Atë dhe mbështetësit e tij i arrestuan ndërsa postin e ministrit të Punëve të Brendshme e zuri prosovjetiku Mehmet Shehu, i cili me ndihmën e këshilltarëve të MGB-së organizoi pastrimin dhe riorganizimin e “Sigurimit”. Pas pesë muajsh marrje në pyetje dhe torturash nga “Sigurimi”, nën vëzhgimin e këshilltarëve nga MGB-ja, Xoxja dhe mbështetësit e tij dhanë dëshmi të hollësishme… Xoxja pranoi se gjatë kohës së luftës ishte rekrutuar nga zbuluesit  anglo-amerikanë, se kreu i misionit ushtarak anglez i tha atij që në vitin 1943 se Tito ishte një spiun anglez dhe se ai kishte marrë pjesë në marrëveshjen që kishte për qëllim gëlltitjen e Shqipërisë nga Jugosllavia.

Më qershor të vitit 1949 Xoxen e pushkatuan për këto krime imagjinare. Gjyqi ndaj Xoxes dhe dënimi i tij ishin preludi i një serie të tërë gjyqesh demonstrativë ndaj përkrahësve realë dhe (më shpesh) imagjinarë të Titos, të organizuar nga MGB-ja në shumicën e vendeve të Evropës Lindore. Deri në vdekjen e Stalinit më 1953-in, Tito u konsiderua, ashtu si edhe Trocki, një heretik i madh. Por ndryshe nga paraardhësi, ai doli i padëmtuar, madje fitues nga lufta pesëvjeçare me MGB-në. Në këtë kohë MGB-ja arriti disa suksese të shquara në luftën kundër shërbimeve sekrete perëndimore. Por si në rastin e NKVD-së së viteve ’30, pjesa kryesore e energjisë të MGB-së kishte shkuar në luftë kundër një armiku imagjinar”.

KIM FILBI DHE SHQIPËRIA

Agjenti i famshëm i KGB-së sovjetike, Kim Filbi, i vendosur në kupolën e shërbimit sekret britanik, është një tjetër personazh i lidhur me historinë e Shqipërisë komuniste, që ka zënë vend në faqet e librit të Kristofer Andrju dhe Oleg Gordievskit. Sipas dy autorëve, Filbi ka ndihmuar me të dhëna MGB-në sovjetike, sidomos në periudhën 1947-1949, kur drejtonte në Turqi bazën e SIS (Shërbimit Sekret Inteligjent Britanik). Tekstualisht: “…ai (Filbi, red.) kishte mundësinë të dekonspironte agjentët që kalonin kufirin, duke zbuluar kontaktet dhe adresat e familjeve të tyre në Bashkimin Sovjetik. Posti i oficerit ndërlidhës mes SIS-it britanik dhe CIA-s amerikane, që ai zuri në Uashington nga 1949 deri në 1951, e lejonte atë që ta furnizonte kujdestarin e tij me materiale për operacionet, si të zbulimit britanik, ashtu edhe të atij amerikan.

Ai paralajmëroi MGB/KI (Komiteti i Informacionit i MGB-së, red.) në Shqipëri për zbarkimin e parë nga deti në tetor të vitit 1949, që e kishte përgatitur SIS-i, për planet e depërtimit përmes kufirit, të verës 1950, për desantët e parë të CIA-s, në nëntor të vitit 1950…” Pra, edhe nga brenda fortesës së KGB-së sovjetike, nga vjen një prej dy autorëve të këtij libri, pohohet se Kim Filbi ka ndihmuar komunistët shqiptarë përmes shërbimit sekret sovjetik. Por deri në vitin 1950 dhe jo më tej. Pasi siç është e njohur, në këtë kohë mbi Kim Filbin nisën të binin dyshime dhe në qershor 1951 atë e tërhoqën nga shërbimi aktiv, duke e kthyer mbrapsht në Londër dhe duke e vënë nën survejim të plotë.

Prandaj përkundër pasaktësive që hasën me shumicë, madje edhe nga historianë seriozë, Kim Filbi nuk ka gisht në mbarëvajtjen e radiolojës së famshme të Sigurimit Shqiptar me CIA-n – vitet 1952- 1953 – të quajtur “Liqeni i Vajkalit”. Kur për dy vjet me radhë celula e CIA-s në Greqi besoi se kishte kontakt me krerët e një grupi diversionist të futur në territorin shqiptar, por në fakt kishte rënë në lojën e Sigurimit që arrin të sjellë, të vrasë e arrestojë, përmes këtij kurthi, një numër kundërshtarësh të regjimit komunist.

CHRISTOPHER ANDREW

Christopher Maurice Andrew, lindur më 1941, është historian në Universitetin e Kembrixhit, i përkushtuar pas historisë së shërbimeve sekrete. Ai është gjithashtu historiani zyrtar i Shërbimit të Sigurimit Britanik, MI5. Reputacionin si historian profesorit ia kanë siguruar studimet e përbashkëta me dy ishoficerë të lartë të KGBsë, Oleg Gordievsky dhe Vasili Mitrokhin.

OLEG GORDIEVSKY OLEG ANTONOVICH

Gordievsky. Lindur në Moskë më 1938-ën ishte një Kolonel i KGB-së dhe rezident i saj si dhe shef i zyrës në Londër nga 1974 deri më 1985. Njëkohësisht ai ka bërë edhe agjentin e dyfishtë në shërbim të spiunazhit anglez. I spiunuar nga një amerikan që u shiste informacion sovjetikëve, atë e kthyen në Moskë më 1985-ën, ku e morën në pyetje dhe e torturuan. U arratis nga Finlanda dy muaj më pas me ndihmën e Shërbimit Sekret Britanik.

Kush është Kim Filbi

Harold Adrian Russell Philby, i njohur si Kim Filbi (1 janar 1912 – 11 maj 1988) ishte një spiun sovjetik i infiltruar në kastën më të lartë të drejtuesve të Shërbimit Sekret Britanik, i cili me veprimtarinë e tij ka shkaktuar dëmet më të mëdha historike për spiunazhin britanik e amerikan. Vetëm pak vite më parë, ish-Kryeministri britanik, Toni Bler, ka kërkuar ndjesë publike për disfatat që mbanin firmën e Kim Filbit. Dyshimi i parë për Kim Filbin u hodh më 1946-ën nga Xhejms Angelton, që e kishte dëgjuar Filbin të thoshte: “Ky vend mund t’ia dalë me një dozë të ashpër socializmi”. Drejtori i Përgjithshëm i CIA-s, Bedell Smith, u dërgoi një ultimatum britanikëve që ta pushonin Filbin, ose në të kundërt ata do të ndërprisnin marrëdhëniet mes dy agjencive.

Amerikani i bëri të qartë gjithashtu homologut të tij britanik, Stjuart Menzes, se Filbi nuk ishte i pranueshëm më tej nga CIA si një ndërlidhës me SISin dhe se duhet të largohet nga SHBA. Kim Filbi u zhduk më 23 janar të vitit 1963, në Bejrut, një javë para se të merrej në pyetje. Pak kohë më pas Kim Filbi u shfaq në Moskë, ku u zbulua se nuk ishte Kolonel i KGB-së, por thjesht një agjent. Këtu shpejt ai u dha pas alkoolit. Më 1968-ën publikoi librin e tij të famshëm “Lufta ime e heshtur”. Vetëm pas vdekjes, më 1988-ën, atë e vlerësuan ashtu siç ai kishte shpresuar sa ishte gjallë, duke e shpallur “Hero të Bashkimit Sovjetik”./Panorama

Dëshmia e rrallë/ “Djali i Ismail Qemalit vuajti dy vjet burg për revolen e të atit dhe në varrimin e tij ishim 6 veta…”! Si e persekutoi Enveri familjen e Plakut të Vlorës

Publikohet historia e panjohur të djemve të Ismail Qemalit, nga periudha e Monarkisë së Zogut, kur ata emëruan në funksione të larta zyrtare dhe u nderuan me medalje, dekorata e pensione të veçante. Nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, kur Qamil Vlora, u burgos që në vitin 1947, duke u akuzuar për armëmbajtje pa leje, ndërsa familja e tij, deri në fund të regjimit komunist, u persekutua, u denigrua dhe u shpërfill, duke mos u ftuar asnjëherë në përvjetorët e shpalljes së Pavarësisë. Dëshmia e rrallë e znj, Esma Hurshiti Vlora, mbesa e Javer bej Hurshitit, (ish-firmëtar i Pavarësisë në nëntorin e 1912-ës, funksionar i lartë i Monarkisë së Zogut, prefekt dhe kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës, deputet, ministër, Prefekt i Shkodrës, Senator në Këshillin e Lartë të Shtetit etj.), e cila tregon të gjithë historinë e trishtë të familjes së vjehrrit të saj, Qamil Vlorës, (djalit të vogël të Ismail bej Qemalit), nën regjimin komunist të Enver Hoxhës!

“Në fillim të vitit 1945, vjehrrin tim, Qamil Vlorën e kërkoi Mehmet Shehu, i cili i tha se e kishte thirrur për të biseduar e për t’i marrë disa mendime, si djali i Ismail Qemal Vlorës që ishte. Mbasi biseduan gjatë, Qamili i tha Mehmetit: ‘Në do të dish mendimin tim, unë po të them se mjaft u vranë shqiptarët me njeri tjetrin, prandaj mos bëni më gjakderdhje, mos vrisni më’. Siç na tha vetë Qamili kur u kthye në shtëpi, Mehmet Shehu e kishte thirrur atë, për ta kthyer në anën e komunistëve, duke e joshur dhe me premtime të shumta. Pasi krerët e lartë të shtetit komunist, nuk ja arritën dot ta bënin për vete Qamilin, ata vendosën arrestimin dhe dënimin e tij me burg”.

Kështu e kujtonte në mes të tjerash zonja Esma Hurshiti Vlora (bashkshortja e Ismail Qamil Vlorës, nipit të Ismail Qemalit, plakut të Vlorës që ngriti flamurin dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1912), takimin e të birit të Ismail Qemalit në vitin 1945, me Mehmet Shehun, e cila veç kësaj na tregonte edhe anën e panjohur të familjes Vlora, gjatë viteve të regjimit komunist, ku vjehrri i saj Qamili, djali i vogël Ismail Qemalit, përfundoi në kampet e burgjet e diktaturës dhe familja e tij u denigrua e u nëpërkëmb deri në fundin e viteve 80-të.

Ndonëse të gjithë shqiptarët kudo ku kanë qenë, që nga viti 1912-të, kur plaku i Vlorës ngriti flamurin kuq e zi në ballkonin e shtëpisë së tij, janë përulur me respekt, çdo 28 nëntor për ta përkujtuar atë, të pakët kanë qenë ata që e kanë ditur se, mbas 28 nëntorit të 1944-ës kur komunistët erdhën në pushtet, ende në Tiranë jetonin dhe dy djemtë e Ismail Qemal Vlorës. Po kështu ndonëse shteti komunist organizonte ceremonitë e mëdha në përkujtimin e ditës së flamurit, për djemtë e nipat e plakut të Vlorës që jetonin ende, nuk u fol asnjëherë dhe për ta u mbajt një heshtje e thellë, duke u fshirë fare nga historia e Shqipërisë, pjesë e së cilës, ata kishin pasur fatin të ishin, duke qenë bashkëpunëtorë më të ngushtë të babait tyre.

Pjesa e dytë

Dëshmia e Esma Hurshti Vlora, bashkëshortja e nipit të Ismail Qemalit!

Aty nga fillimi i muajit shkurt të vitit 1945, Mehmet Shehu thirri në një takim në zyrën e tij, Qamil Vlorën, të birin e Ismail Qemalit, i cili ishte i vetmi nga djemtë e Plakut të Vlorës që jetonte në atë kohë dhe ishte në Shqipëri, pasi të tjerët kishin ndërruar jetë gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, kurse ishte i vëllai tij, Qazimi, ishte larguar nga Shqipëri, duke u vendosur me banim në qytetin e Strugës, ku dhe ndërroi jetë pak kohë më vonë.

Lidhur me takimin e Qamil Vlorës me gjeneral-major Mehmet Shehun, Esma Hurshiti Vlora, kujtonte: “Në atë kohë që Qamili u thirr në takim prej Mehmet Shehut, babai im, Mehmet Hurshiti, së bashku me të atin Javerin, ishin të arrestuar dhe akoma nuk kishin dalë në Gjyqin Special, ku gjyshi të do dënohej me vdekje dhe do të pushkatohej, kurse babai do të dënohej me vite të gjata burgu. Siç na tregoi më pas Qamili, Mehmet Shehu i tha atij, se e kishte thirrur për të biseduar dhe për t’i marrë mendim, si djali i Ismail Qemalit që ishte. Pasi ata biseduan gjatë me njeri tjetrin, Qamili i kishte thënë Mehmet Shehut, se nëse donte të dinte mendimin e tij, ata komunistët duhet të ndalonin gjakderdhjen, duke pushuar ekzekutimet me dhe pa gjyq, sepse mjaft ishin vrarë shqiptarët me njeri tjetrin.

Me atë gjë Qamili, donte t`i tregonte Mehmet Shehut, se ai ishte kundër dënimit të Javer Hurshitit dhe grupit të madh të ish-politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të qeverive të mëparshme, që ishin arrestuar e pritej të pushkatoheshin. Siç na tha vetë Qamili atëhere, Mehmet Shehu e kishte thirrur atë, që t`i maste pulsin e ta kthente me komunistët, për ta shfrytëzuar emrin e tij, si djali i Ismail Qemalit dhe për ta joshur, ai i kishte bërë dhe disa premtime Qamilit.

Por, pasi Mehmet Shehu dhe disa funksionarë të lartë të shtetit komunist të asaj kohe me të cilët u takuam më pas, nuk arritën ta bënin për vete Qamilin, ata vendosën arrestimin e tij”, kujtonte Esma Hurshiti (Vlora), takimin e vjehrrit të saj, Qamil Vlorës, me gjeneral-major Mehmet Shehun, njërin prej krerëve të lartë të regjimit komunist të porsaardhur në fuqi, të cilët donin ta shfrytëzonin për interesat e tyre politike, figurën e djalit të Ismail Qemalit. Pas kësaj regjimi komunist, duke parë që familjen e djalit të Ismail Qemalit do ta kishte kundërshtare të saj, ja ndërroi asaj mbiemrin, duke ja bërë nga Vlora, në Ismaili, për të zhdukur çdo lloj lidhje midis emrit të patriotit të madh dhe pasardhësve të tij.

Arrestimi dhe dënimi me dy vjet burg, i Qamil Vlorës!

Pasi krerët më të lartë të regjimit komunist të Enver Hoxhës nuk ja arritën dot qëllimit të tyre, ata vendosën arrestimin e Qamil Vlorës. Arsyet e arrestimit të tij ishin të qarta, kurse preteksti për t’a dënuar atë, ishte nga më banalët: armë mbajtje pa leje. Askohe Qamil Vlora kishte një revolver me dorezë fildishi dhe të larë të gjithin me ar, të cilin e kishte kujtimin më të shtrenjtë nga babai tij, Ismail Qemali. Ndonëse Qamili e mbante të fshehur atë, pasi e dinte pozitën dhe raportet e tij me shtetin komunist, ajo gjë u zbulua nga Sigurimi i shtetit.

Kështu aty nga fillimi i vitit 1947, Sigurimi i Shtetit bëri arrestimin e tij, kur Qamili ishte duke punuar si punëtor, në një shtypshkronjë shtetërore. Lidhur me këtë, Esma Hurshiti Vlora, kujtonte: “Për arrestimin e Qamilit, ne si familje nuk u lajmëruam fare, atë gjë e mësuam pasi u interesuan dy djemtë e tij, Ismali me Xhevdetin. Pasi u mbajt për disa kohë në hetuesi, Qamili u dënua me dy vjet burg, duke u akuzuar për armë mbajtje pa leje, për revolverin që e kishte kujtim nga i ati. As kur doli në gjyqi, ne nuk morëm pjesë se nuk na lajmëruan. Ne mundëm që ta takojmë atë, vetëm kur filloi të vuante dënimin, të cilin Qamili e bëri në burgun e Tiranës. Atë e dërgonin për të punuar në Laprakë, ku ishte një stacion për rritjen e krimbit të mëndafshit dhe gjatë asaj kohe, nga lagështia, ai u sëmur rëndë dhe u bë me tuberkuloz.

Pas dënimit të Qamilit, familja jonë ngeli në një gjendje shumë të keqe ekonomike, pasi nuk ishte asnjë të ardhur. Bashkëshorti im, Ismaili, në atë kohë ishte pa punë, pasi nuk e afronte njeri, ndonëse kishte studiuar dy vjet për Mjeksi në universitetin e Vjenës. Ismaili mundohej të gjente ndonjë punë krahu, sa për të nxjerrë ndonjë të ardhur, duke shkuar herë pas here fshatrave të Tiranës. Nga gjendja e vështirë ekonomike në të cilën u ndodh familja Vlora, filluan që të shisnin mobiliet e plaçkat e shtëpisë, për të jetuar”, kujtonte Esma Hurshiti, atë kohë kur regjimi komunist dënoi me dy vjet burg djalin e Ismail Qemalit, me pretekstin absurd dhe banal, se ai mbante një armë pa leje, të cilën e kishte si kujtim nga babai i tij, ish- kryetari i parë i shtetit shqiptar, që kishte shpallur pavarësinë e Shqipërisë në 1912-ën.

Ndonëse nga familja dhe pasardhësit e Qamil Vlorës, nuk ka ndonjë dëshmi që të hedhi dritë dhe të implikoje direkt ose indirekt personalisht Enver Hoxhën në dënimin e djalit të Ismail Qemalit, vështirë të pranohet se ajo gjë është bërë pa lejen ose dijeninë e tij. Puna e vështirë në të cilën u caktua të punojë Qamil Vlora gjatë dy viteve të burgut, bëri që ai të sëmurej rëndë nga turbekulozi dhe të shtrohej në Sanatoriumin e Tiranës. Lidhur me këtë, Esmaja kujtonte: “Në atë kohë që Qamili vunte nga sëmundja e rëndë e turbekulozit në një spital të Tiranës (aneksi i Sanatoriumit), bashkëshorti im, Ismaili, kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në rrethin e Korçës.

Duke e ndjerë shëndetin që po i keqësohej dita-ditës, Qamili i bëri disa lutje qeverisë, që t`ja sillnin djalin Ismailin, me shërbim në Tiranë, në mënyrë që ai të kishte mundësi ta takonte ndonjëherë. Por edhe pas letrave të shumta që ai bëri, jo vetëm që nuk ja plotësuan kërkesën për ta sjellë Ismailin në Tiranë, por nuk i kthyen asnjëherë përgjigje”. Ndërkohë gjendja shëndetësore e Qamil Vlorës pas sëmundjes së tuberkulozit, filloi të rëndohej akoma më shumë, kur ai shikonte se si trajtohej nga regjimi komunist në fuqi familja e tij. Ndonëse në këtë gjendje të rëndë, ai mundohej t`i jepte kurajo familjes. Kështu, në një letër që i dërgonte djalit të madh, Ismailit, më 9 shkurt të vitit 1950, në mes të tjerash Qamili i shkruante: “Ismaili im i dashur, gjithë jetën time u përpoqa që ju dy djemtë e mi, të jeni të kënaqur dhe të lumtur, e të mos kuptoni mizerjet morale dhe materiale të kësaj jete.(Qamili bën aluzion me finesë për gjendjen kritike të regjimit komunist).

Besoj se deri diku dhe megjithëse nuk disponoj pasuri, ju rrita me përkëdhelje dhe në mos më mirë, baras me shokët tuaj, më të favorizuar mbase në të tilla situata. Tashti që u plaka dhe për fat të keq më preku një sëmundje që s`ka mëshirë, nuk jam më në gjendje të përpiqem, por vetëm që të uroj dhe lus që të jeni të lumtur. Por me anën e kësaj letre, dua të them se je mjaft i pjekur nga mosha, për të kuptuar se bota nuk është fushë lumturie dhe se njerëzit nuk janë si i idealizojmë ne, por janë të shtyrë nga pasionet e tyre. Kështu duke ditur këtë fakt, duhet të forcohemi për t`i bërë ballë gjendjeve dhe ngjarjeve që na rezervoi fati…”, e mbyllte letrën e tij Qamili.

Gjashtë vetë në varrimin e të birit të Ismail Qemalit

Qamil Vlora vdiq në mjerim të thellë, më 15 dhjetor të vitit 1950, pas dy vjetësh kurimi në aneksin e Sanatoriumit të Tiranës, i harruar krejtësisht nga shteti komunist i asaj kohe. Lidhur me vdekjen e Qamilit, Esma Vlora, gruaja e djalit të tij, Ismailit, kujtonte: “Në atë kohë që vdiq vjehrri im, Qamili, bashkëshorti im, Ismaili, sapo ishte liruar nga ushtria. Gjendja ekonomike e familjes sonë ishte përkeqësuar mjaft, për shkak se shteti na shihte si kundërshtarë politik të tyre dhe na sulmonte në mënyra të kamufluara, me të butë, pasi në një farë mënyre donte të ruante edhe figurën e Ismail Qemalit.

Por edhe pse mundohej që ta ruante këtë etiketë, qëndrimi i shtetit komunist ndaj familjes sonë, dukej hapur. Kështu, në varrimin e Qamilit, nuk pati guximin që të vinte asnjëri, por e kemi varrosur ne të familjes, unë, burri im, Ismaili, vëllai i tij, Xhevdeti dhe nëna e tyre së bashku me dy komshi që na ndihmuan. Pas vdekjes së Qamilit, familjes sonë ju shtuan edhe më tepër problemet, sepse sa herë që në Tiranë bëheshin shpërngulje dhe internime, ne rrinim gjithë frikë, se mos do të na internonin dhe ne, duke na hequr nga Tirana. Por për fat të mirë kjo gjë nuk ndodhi, jo se na donin ne, por sepse regjimi komunist, siç thashë, mundohej që të ruante disi etiketën ndaj familjes së Ismail Qemalit”, kujtonte Esma Hurshiti atë kohë, kur vdiq në mjerim të madh, vjehrri i saj, Qamil Vlora dhe u varros vetëm nga pjesëtarët e familjes.

Ismail Qemali i ri, tornitor dhe bukëpjekës!

Edhe pas vdekjes së Qamil Vlorës, ndaj familjes së tij, regjimi komunist në fuqi nuk e ndryshoi aspak qëndrimin, por përkundrazi, e vazhdoi dhe më shumë persekucionin e sjelljen harbute ndaj saj. Lidhur me këtë, Esma Hurshiti Vlora, kujtonte: “Në atë kohë, shtëpinë që kishim tek Moskatet, ja lamë Xhevdetit, vëllait të Ismailit, pasi ai u martua dhe u bë me fëmijë. Ne shkuam dhe u strehuam tek motra ime, në një shtëpi afër Ministrisë së Arsimit (asokohe ambasada sovjetike), që ishte shumë ngushtë për vete dhe ne detyroheshim të banonim në një korridor të ngushtë.

Ismaili nuk e duronte dot qëndrimin që mbante shteti komunist ndaj familjes sonë dhe pakënaqësinë e tij, e shprehte gjithmonë hapur me ne dhe ndonjëherë edhe me shokët e tij. Duke parë gjendjen e mjerueshme ku jetonim ne, Ismaili tepër i revoltuar, shkoi në Kuvendin Popullor dhe ju tha atyre që e pritën në takim, se; në rast se nuk do t’i jepnin një apartament për të jetuar, ai do të merrte gruan me gjithë fëmijët e vegjël, e do ti linte përpara ndërtesës së Kuvendit Popullor, që ta shihte e gjithë Tirana, se si trajtohej familja e djalit të Ismail Qemalit, duke u lënë pa shtëpi në mes të katër rrugëve.

Pas kësaj, si duket ato u frikësuan dhe duke e njohur mirë temperamentin e Ismailit, na dhanë këtë shtëpi (një apartament afër Sheshit Willson), ku banojmë akoma edhe sot”, përfundon Esmaja rrëfimin e saj, lidhur me trajtimin që regjimi komunist i Enver Hoxhës, bëri familjes së Plakut të Vlorës. Ndonëse shteti komunist detyrua që t`i jepte një apartament të vogël Ismail Qemalit të ri, ndaj tij nuk u kujdes kurrë, që ta ndihmonte për të punuar, të paktën si ndihmës mjek, me që ai kishte mbaruar dy vjet në Fakultetin e Mjekësisë së Vjenës.

Ndonëse Ismaili mundi të rregullonte për disa kohë një punë si llogaritar, atë e hoqën menjëherë nga ai vend dhe përfundoi si tornitor me tre turne, në uzinën “Enver”. Edhe në atë uzinë ai u trajtua shumë keq, duke e lënë të punonte gjithmonë në tornot më të vjetra, ku ai nuk mundej ta realizonte asnjëherë normën dhe mezi merrte gjysmën e pagës. Pas shumë vitesh në atë punë, Ismaili u largua që andej dhe mezi e rregulloi të punonte si punëtor në Fabrikën e Bukës, ku ai doli dhe në pension aty nga viti 1980. Të njëjtin fat, në mos dhe më keq, pati dhe Esmaja, bashkëshortja e Ismailit, të cilën nuk e lanë që të punonte as si pastruese në shkollën “Petro Nini Luarasi”, por e larguan menjëherë që andej, sapo e morën vesh biografinë e saj.

Sipas dëshmive të Esma Hurshiti Vlora, gjëja që e rëndonte më shumë Ismail Qemalin e ri, deri sa qe gjallë, ishte mospërfillja që krerët më të lartë të shtetit komunist, mbajtën ndaj familjes Vlora, të cilët nuk u thirrën asnjëherë në festat dhe ceremonitë zyrtare që organizoheshin në Vlorë e në Tiranë, me rastin e 28 nëntorit, Ditës së Flamurit. Tepër i indinjuar nga kjo gjë, Ismaili mundohej gjithë vitin që të kursente ndonjë lek dhe kur vinte fundi i nëntorit, merrte familjen, duke shkuar me tren në Vlorë, për të vendosur një tufë me lule pranë varrit të gjyshit të tij, Ismail bej Qemalit. Memorie.al

Jetë e përditshme në disa foto të Margaret Hasluck-u ose Shqiptarë në objektivin e Margaret Hasluck-ut – Nga Qerim Vrioni

Në opusin e madh të fotove të realizuara nga studiuesja e njohur skoceze Margaret Hasluck (1885-1948) në vendin tonë, një pjesë dërmuese e tyre i përkasin mënyrës së jetesës së shqiptarëve. Në të përfshihen vendbanimet dhe veshjet, punët e përditshme dhe aspekte të mësimit, ndjekja e riteve tradicionale fetare dhe pagane, veprimtari shoqërore dhe politike, thënë ndryshe një shpërfaqje e gjerë e antropologjisë pamore të shqiptarëve. Ndonëse me këto lloj fotografimesh ishte marrë përpara saj mikja tjetër e madhe e shqiptarëve, studiuesja angleze Edith Durham (1863-1944), fotot e Hasluck-ut janë disi ndryshe, sepse autorja e tyre ishte një etnografe e mirëfilltë. Në sajë të qëndrimit të saj të gjatë e të pandërprerë prej 13 vitesh (gjatë periudhës 1926-1939) në Shqipëri, kryesisht në zonën e Elbasanit si dhe fshatra te ndryshëm të krahinës, ajo mësoi gjuhën shqipe, zakonet dhe njohu gjendjen ekonomike të banorëve të zonës. Gjatë kësaj kohe, ajo kishte mbledhur si edhe kishte botuar krijimtari popullore shqiptare. Thuajse të gjitha shkrepjet-fotografike të mëposhtme janë foto-çasti (snapshot-ang.), pra jo të realizuara në ndonjë studio fotografike ose me pozime të subjekteve, por në mjedise të ndryshme kudo ku jetonin në përditshmërinë e tyre dhe punonin shqiptarët.

Fotoja nr.1, pasqyron një pjesë të fasadës dhe hyrjen e një kulle në veri të vendit (në fshatin mirëditor Kthellë) si dhe rojen e saj me armën pranë tij. Bie në sy qëndrimi, të themi skulpturor i malësorit, mjaft dinjitoz dhe i sigurt për detyrën e caktuar. Nga një këndvështrim tjetër, mund të mendohet  se roja është projeksioni i zvogëluar i kullës. Me gjasë skocezes i ka tërhequr shumë vëmendjen jo vetëm kulla e lartë, por sidomos malësori e qëndrimi i tij në mbrojtje të saj. Zgjedhja e saj për t’a fotografuar atë jo me armë në duar, duket mjaft e goditur, sepse kështu vihet në lëvizje edhe imagjinata e shikuesit, përkundër rastit me pushke në krah. Më ndryshe, kullën ai do t’a mbrojë me trup, por në rast nevoje edhe me armë.

Në foton nr.2 paraqitet një grup banorësh nga Shqipëria e Mesme, katër burra dhe dy fëmijë pas një ceremonie, me shumë mundësi, funerale. Nga veshjet e përziera prej qyteti dhe fshati kuptohet se janë nga ndonjë qendër urbane banimi, ende me ndikimin e traditës rurale. Tre nga meshkujt mbajnë nga një pushkë ndër duar, por me grykë të mbështetur në tokë. Nga disa të dhëna, mësohet se kështu mbaheshin armët si shenjë respekti për dikë që po ndahej nga jeta, dhe që armët i kishin hije jo vetëm në krah, por edhe në përdorim. Mendojmë se kjo traditë e mbajtjes kësisoj të armëve në raste të veçanta, ka nxitur skocezen që t’i fotografojë ata. Ndoshta fotografja e ka shikuar këtë aty pari  në ndonjë obor shtëpie dhe është habitur nga vendosja e pushkëve grykë poshtë. Mandej u ka kërkuar atyre të afroheshin tek muri ku kishte varur për fotografime një tekstil për sfond dhe të përsërisnin qëndrimin ceremonial. Disi të tepërt në foto duken dy fëmijët, njeri me një letër të madhe në duar , tjetri me një çantë në dorën e djathtë, kur tre nga të rriturit janë të armatosur mirë. Sidoqoftë, të dy djemtë e vegjël kanë mbi koka feste të zeza, ashtu si tre të mëdhenjtë. Kjo foto nuk është shkrepje-çasti. sepse është realizuar në një studio të improvizuar në mjedis të hapur dhe personat e fotografuar pozojnë para objektivit të aparatit fotografik. Ky imazh, për mënyrën e realizimit, na kujton disi foton e njohur të Kel Marubit të vitit 1922, “Dorëzimi i armëve”.

 

Lojra të ndryshme nxënësish, ndoshta gjatë programit mësimor nga shkolla e Burrelit, paraqiten në foton nr.3. Janë disa foto të dala nga aparati i Hasluck-ut me këtë temë. Prej tyre u zgjodh ky imazh sepse paraqet një lojë popullore që luhej deri nga mesi i gjysmës së parë të shekullit të shkuar  në mjaft qytete shqiptare. Aty vërejmë, përveç të tjerave, edhe se fëmijët janë me veshje të njëjta, uniformë shkollore, çka tregon për një farë serioziteti të sistemit arsimor të kohës (vitet ’30), dhe jo në ndonjë qytet të madh të vendit, por në qytet provincial.

Një skenë nga shirja e grurit (mund të jetë edhe tërshër ose thekër) në kushte familjare duket në foton nr.4. Në të dallohen dy gra fshatare që shkundin kallinjtë e grurit për të mbledhur kokrat e tij. Mënyra e punës së tyre duket qartë se është mjaft primitive. Nuk mbahet mend prej sa kohësh përdorej ajo mënyrë në atë krahinë, veçse ajo ishte e mjaftueshme për të marrë nga toka lëndën e parë për bukën e përditshme dhe për të plotësuar nevojat familjare.

Çaste shplodhjeje të një fshatareje janë përngrirë nga Hasluck-u në foton nr.5. Me sa kuptojmë, ajo po bën një ndalesë të shkurtër për t’u shplodhur rrugës për në shtëpi. Një imazh i tillë ku femrat krahasohen me kafshët e ngarkesës, përbënë një nga dukuritë më fyese për shoqërinë shqiptare, diçka që vihet re edhe sot, ndonëse shumë rrallë. Ka shumë të ngjarë që fotoja të jetë bërë pranë tendës së fotografes, pjesë e së cilës duket në passhpinën e subjektit. Mundet që skocezja e ka parë të ngarkuar dhe e ka ftuar të afrohet te tenda, mandej gjatë shplodhjes së saj e ka fotografuar. Nga një gjethe mbi koshin kuptojmë që bëhet fjalë për gjethe dushku (ose lisi) aq të nevojshme për bagëtinë e familjes. Duart e saj të lidhura mbi gjunjë dhe shikimi pa objekt, shpërfaqin kredhje në mendime të thella të fshatares. Koshi i saj është mbështetur te një kuti e thurrur nga ato të ekspeditave të Hasluck-ut. Mbresëlënëse është edhe trikoja e fshatares e cila nuk mendojmë se ishte e rëndomtë për atë kohë.

Në foton nr.6 paraqitet një bareshë të re në krye të tufës së dhive, duke ecur në një rrugë automobilistike, ndoshta duke u kthyer për në shtëpi pas kullotës ditore të tyre. Pranë saj duken edhe dy qentë që mbrojnë bagëtinë nga egërsirat. Në fund të kopesë duket edhe një burrë, me shumë gjasë, i ati i vajzës. Nga sa dallohet, baresha ka një fytyrë të hijshme dhe trup të rregullt. Ndoshta në një prej udhëtimeve të skocezes nëpër fshatra, vajza me kopenë e saj i ka prerë rrugën makinës, e ajo ka zbritur dhe me kënaqësi e ka fotografuar atë bashkë me dhitë.  Dy qentë kanë kthyer kokat nga vajza si për t’a pyetur se si të sillen me udhëtarët përballë tyre.

Këtu u paraqitën dhe u komentuan vetëm gjashtë shkrepje fotografike të Hasluck-ut, nga qindra të realizuara nga ajo në Shqipëri. Sidoqoftë, edhe ky numër shumë i vogël i fotove të saj antropologjike, pasqyron në mënyrë dokumentare dhe jo vetëm, një pjesë të jetës së përditëshme të shqiptarëve nga gjysma e parë e shekullit të kaluar. Edhe këto pak foto mendojmë se kontribuojnë për t’i siguruar asaj vendin e merituar në historinë e fotografisë shqiptare.

Fotot- Festat erotike të rojeve femra me ushtarët nazistë në kampin e Aushvic

Biografitë e mbi 200 grave që shërbejnë në kampin e vdekjes në Aushvic dhe “festat e tyre pas punës” janë publikuar në internet në një përpjekje për t’i treguar botës se nuk ishin vetëm burra të përfshirë. I titulluar “Gratë që punojnë për nazistët”, projekti nga Muzeu Shtetëror i Aushvic-Birkenau dokumenton jetën e grave që nga lindja dhe se si ato përfunduan duke i shërbyer Adolf Hitlerit. Një nga gratë ishte Maria Mandl, një roje e lartë në Aushvic nga tetori 1942 deri në tetor 1944, e cila u mbiquajt “Bisha” nga të burgosurit.


E lindur në vitin 1912, vajza e një këpucari, ajo fillimisht filloi punë në një kamp përqendrimi nazist në Lichtenburg në Gjermani në 1938 përpara se të transferohej në kampin për gratë në Ravensbruk, gjithashtu në Gjermani.

Në vitin 1942, ajo u dërgua në Aushvic, ku u bë e famshme për sadizmin e saj dhe dërgoi rreth gjysmë milioni gra dhe fëmijë në vdekjen e tyre në dhomat e gazit.

Sipas dokumentarit, në maj 1944, Mandl organizoi një festë për anëtarët e lartë të stafit të kampit. Një nga të ftuarit ishte një arkitekt austriak Walter Dejaco, kreu i departamentit të projektit të Menaxhimit Qendror të Ndërtimit të Waffen SS dhe Policisë në Auschwitz.

Ai hartoi planet për krematoriumin dhe dhomat e gazit në Birkenau. Në shenjë falënderimi për të ftuar në festë dhe për mikpritjen e Maria Mandl, ai la një mbishkrim në librin e saj të të ftuarve. Pasi Aushvici u çlirua në janar 1945, Mandl iku në malet e Bavarisë jugore. Mandl më vonë u kap dhe u arrestua nga ushtria amerikane në gusht 1945 dhe u mbajt në burgun Dachau.

Më pas, ajo u dorëzua në Poloni në nëntor 1946 dhe më vonë u dënua nga një sallë gjyqi në Krakov, si pjesë e gjyqit të Aushvicit, me vdekje me varje. Mandl u var më 24 janar 1948, në moshën 36 vjeçare.

Dr Sylwia Wysińska nga departamenti i edukimit i Muzeut të Aushvicit tha: “Disa roje femra SS që punonin në kamp e kalonin kohën e lirë duke takuar burra SS pas punës.

Vizitat natën e oficerëve duhet të kenë qenë mjaft të zhurmshme pasi në mars 1943, komandanti i ndaloi ata të hynin në lagjet e femrave.

“Kjo nuk i pengoi rojet femra që të angazhoheshin në marrëdhënie të ngushta me burrat.Si rezultat, dhjetëra çifte u krijuan në Aushvic dhe disa prej tyre përfunduan në martesë.

 

Një prej tyre ishte Luise Viktoria Rust. E lindur më 14 janar 1915 në Varel të Saksonisë së Poshtme në nëntor 1940 ajo filloi të punonte si roje femër në kampin e përqendrimit Ravensbrück për gra.

Në këtë periudhë, ajo u takua me Rottenführer Heinz Schulz, me të cilin u martua në korrik 1943.

“Gjatë përgatitjeve për dasmën e saj, ajo urdhëroi që fustani i saj i nusërisë të qepet në rrobaqepësinë e kampit.”

Një tjetër ishte Herta Martha Tack, e lindur në fshatin Dechtoë në Brandenburg.

Nga maji 1941 deri në tetor 1942, Tack punoi në kampin e përqendrimit Ravensbrück për gratë, ku ruante të burgosurit që punonin në ndërtimin e rrugëve.

Sipas faqes së internetit: “Në vjeshtën e vitit 1942 ajo u transferua në Aushvic ku u takua me oficerin Friedrich Stiëitz, i cili ishte një drejtues raporti në seksionin e meshkujve të kampit.

“Në maj 1944, gjatë një pushimi të shkurtër çifti u martua.”

Midis grave të paraqitura në projekt është Emma Zimmer, e cila punoi si roje femër  në tre kampe përqendrimi dhe më vonë iu dha Kryqi i Meritës së Luftës së Klasit të Dytë pa Shpata për shërbimin e saj të gjatë.

E lindur më 14 gusht 1888, në Haßmersheim, ajo filloi punën si roje në dhjetor 1937, fillimisht në kampin e përqendrimit Lichtenberg dhe nga maji 1939 në kampin e përqendrimit Ravensbrück për gratë.

Në fillim të tetorit 1942, ajo u delegua në kampin e përqendrimit të Aushvicit, ku qëndroi deri në dhjetor 1943.

Në shtator të vitit 1943, asaj iu dha Kryqi i Meritës së Luftës së Klasit të Dytë pa Shpata për shërbimin e saj të gjatë.

Por më vonë atë vit, për shkak të moshës, problemeve shëndetësore dhe abuzimit me alkoolin në punë, ajo përfundoi karrierën e saj si roje femër në kampet e përqendrimit.

Ajo u arrestua më vonë nga ushtria amerikane e detyruar në pranverën e vitit 1945 dhe u deportua në kampin e internimit numër 77 në Ludëigsburg.

Më pas, ajo iu dorëzua autoriteteve britanike. Ajo u dënua me vdekje me varje nga gjykata ushtarake britanike në gjyqin e 6-të të Ravensbrück-ut. Dënimi u krye në shtator 1948.

Një tjetër roje femër SS që u dënua me vdekje ishte Therese Brandl, e cila punoi në tre kampe përqendrimi midis 1940 dhe 1945. gsh

40 vite u foli shqiptarëve kundër komunizmit dhe Enver Hoxhës… – Historia e panjohur e priftit nga Shkodra

Publikohet historia e panjohur të Dom Zef Shestanit, me origjinë nga qyteti i Shkodrës, i cili pasi përfundoi mësimet në Kolegjin Saverian në vendlindjen e tij, shkoi në Padova të Italisë, ku studioi për gjashtë vite me radhë dhe në 1935-ën u diplomua, për Teologji në universitetin e atij qyteti, nga ku ai do të emërohej në qytetin e tij të lindjes në Shkodër, me detyrën e ndihmës – Famullitarit, në Kishën e Shën–Kollit të Lagjes “Rus i Vogël”, ku deri në atë kohë kishte shërbyer Dom Mikel Koliqi, i cili u ngarkua me detyrën e Famullitarit të Shkodrës.

Angazhimi i Dom Zefit, në punën për edukimin e të rinjve të atij qyteti, me rrethet jashtëshkollore të grupuara në “Shoqërinë Antoniane” dhe atë të “Veprimit Katolik”, ku së bashku me At Gjon Shllakun që ishte diplomuar për Teologji dhe Filozofi në Austri, u bënë idhujt e rinisë shkodrane, të cilën përveç mësimeve fetare, ata e edukuan me dashurinë për atdheun. Dëshmitë e rralla të Zef Stakut, një prej miqve të ngushtë të Dom Shtestanit, në periudhën e pushtimit të vendit, i cili tregon se si nën drejtimin e tij, ata firmosën peticionin, kundër priftit italian Fulvio Cordignano dhe më pas në ilegalitet të plotë, ata shtypnin e shpërndanin revistën “Zani i Lirisë” që kishte përmbajtje antifashiste. Angazhimi i Dom Zefit, në Lëvizjen Antifashiste në rrethin e Shkodrës, ku së bashku me miqtë e tij të ngushtë, Dr. Bahri Kopliku, Lec Kurti, Ymer Lutfia, Frederik Shiroka, Zef Pali, Prenk Kaçinari e Rruzhdi Daca”.

Ai doli në mal, duke luftuar kundra pushtuesve italianë. Largimi i tij nga Shqipëria në vitin 1944, për t’u vendosur në Itali, ku për gati 40 vite me radhë, ai drejtoi redaksinë e Seksionit të Gjuhës Shqipe, në Radio-Vatikani, të cilin e mbajti deri në vitin 1988, kur u largua që andej për arsye moshe dhe në vend të tij, u emërua Gjon Gjonmarkaj.

“Laudetus Jezu Cristus”. ‘Ju flet Radio Vatikani në gjuhën shqipe’. Për afro 40 vite me radhë, me zërin e tij karakteristik, ai i’u foli shqiptarëve, nga përtej Adriatikut, ku ishte vendosur që nga mbarimi i Luftës. Dom Zef Shestani, prifti rebel, që braktisi ‘Shtëpinë e Zotit’, për t’u bashkuar me çetat nacionaliste, duke mbajtur mbi veladon, pushkën me të cilën luftoi kundër italianëve, në marsin e vitit 1951, u thirr në ‘Radio- Vatikani’, për të drejtuar ‘Seksionin e Gjuhës Shqipe’. Ajo ishte e vetmja Radio, që mbajti gjallë shpresën te besimtarët katolik në Shqipëri, duke i bërë “presion” regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili e konsideronte atë Radio, si “armikja kryesore” para SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik.

Kush ishte Zef Shestani?

Ai u lind në Shkodër më 25 qershor të vitit 1912, në një familje qytetare, ku prindërit e tij, besimtar të njohur në të gjithë qytetin, vendosën ta dërgojnë Zefin në Kolegjin Saverian, që asokohe njihej si një nga shkollat më cilësore në të gjithë Ballkanin e më gjerë, pasi veç të tjerash, aty shërbente një trupë pedagogjike që ishte lauruar në universitetet, më të njohura teologjike e laike që kishte Europa. Pasi Zefi mbaroi edhe studimet e shkollës së mesme në atë kolegj, eprorët e tij, vendosën dhe e dërguan për të ndjekur studimet e larta fetare, në Padova të Italisë. Sistematik në programet mësimore, me vullnetin e këmbënguljen që admirohej prej të gjithë bashkëmoshatarëve të tij, që studionin në atë universitet, Zef Shestani, do të mbaronte studimet, aty nga mesi i vitit 1935. Nga fundi i vitit 1935, ai largohet nga qyteti i Padovës, pasi nga hierarkia kishtare, ai do të emërohej në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër, me detyrën e ndihmës – Famullitarit, në Kishën e Shën–Kollit, të Lagjes “Rus i Vogël”. Në atë detyrë, Dom Zef Shestani, u caktua pas emërimit të Dom Mikel Koliqit, në detyrën e Famullitarit të Shkodrës. Pak ditë pas mbërritjes në qytetin e tij, në pragun e Krishtlindjeve, ai do të celebronte meshën e parë, pikërisht në ditën e parë të vitit të ri 1936. Që nga ai moment, Dom Zef Shestani do t’i përkushtohej me shpirt një veprimtarie të gjithanshme, në qytetin e kulturës dhe me tradita të lashta, duke përçuar te njerëzit, përveç fjalës së Zotit, edhe pasionin e tij, për edukimin e brezit të ri, që bënin pjesë në rrethet shoqërore të “Shoqërisë Veprimi Katolik”, që ai kishte marrë përsipër të drejtonte. Së bashku me At Gjon Shllakun, që drejtonte “Shoqërinë Antoniane”, të cilët për vite me radhë, u bënë edhe idhujt e rinisë shkodrane, për veprimtarinë e tyre në edukimin e të rinjve, për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar.

Denoncoi priftin Fulvio Cordignano dhe doli në mal, duke luftuar kundra pushtuesve italianë!

Përveçse një klerik i përkushtuar, Zef Shestani, ishte edhe një nacionalist i flaktë dhe përbën një rast të rrallë, pasi ai braktisi urdhrin fetar, që i ishte ngarkuar nga Selia e Shenjtë e Vatikanit dhe me pushkë në krah, mbi veladonin e zi, doli në mal për të luftuar kundër pushtuesve italian. Lidhur me veprimtarinë antifashiste të Zef Shestanit, njëri prej miqve dhe shokëve të tij më të afërt, Zef Staku, nga qyteti i Shkodrës, kujton: “Kur për herë të parë hyra në odën e Dom Zefit, në ish-qelën e Famullisë së Shkodrës, ajo që më bëri më shumë përshtypje, ishte një citat i shkruar latinisht, që ishte qëndisur në pjesën e sipërme të flamurit kombëtar kuq e zi, ku thuhej: ‘Dulcem et decorum est pro Patria mori’ (E ëmbël dhe e bukur është të vdesësh për atdhe). Isha 18 vjeç atëhere. U miqësuam menjëherë. Them u miqësuam, pasi mua dhe shokët e mi moshatarë, Dom Zefi, me gjithë që i veshur me petkat e meshtarit, na trajtonte gjithnjë si shokë, e ndoshta edhe nga mosha e re. Një ditë, në periudhën e okupacionit fashist, ne vajtëm në Argjipeshkvi së bashku me Dom Zef Shestanin dhe kërkuam Imzot Gaspër Thaçin. Na thanë se ishte në oborrin e prapmë të Kishës. Dolëm atje dhe e gjetëm Imzot Thaçin, ulur në një poltron xunkthash. I puthëm dorën, e pastaj zumë një bisedë të shkurtër. Imzot Thaçi, buzagaz na tha: ‘I kam marrë vesh të tana punët tueja… (e kishte fjalën për veprimtarinë tonë antifashiste), e vijoj pastaj me seriozitet: vazhdoni, vazhdoni, se pas jush jemi dhe na”.

Dom Zefi, inkurajohej prej Imzot Gaspër Thaçit, pasi ky kishte dijeni të plotë për veprimtarinë e tij prej nacionalisti antifashist, nga që takohej me Mit’hat Frashërin, sa herë që ai vinte në qytetin e Shkodrës. Dom Zefi ishte një nga të parët që denoncoi Fulvo Cordignano, (priftin italian që merrej me politikë), për shpifjet dhe politikën e tij antishqiptare. Lidhur me këtë, Zef Staku kujtonte: “E para ngjarje që na bëri të lidhnim një miqësitë të ngushtë me Dom Zefin, ishte ‘Skandali Cordignano’, siç e përcaktoi bukur këtë gjë, shoku ynë Nik Barxolla, (pseudonimi letrar i Padër Nikoll Mazrrekut), miku i ngushtë i Dom Zefit. Ne studentët asokohe ishim të parët, që bëmë peticionin (korrik 1941), dhe ja dërguam eprorëve të Cordignano. Ai peticion, u nënshkrua nga djelmoshat e rrethit të “Veprimit Katolik” të Katedrales dhe ato të “Shoqërisë Antoniane” që asokohe drejtoheshin prej Dom Zef Shestanit dhe At Gjon Shllakut, të cilët na ndihmuan në veprimtarinë tonë, në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar. Në muajin maj të vitit 1942, nisi të botohej në qytetin e Shkodrës, revista “Zani i Lirisë”, që njihet si një nga të parat revista me përmbajtje antifashiste në Shqipëri. Kjo revistë që botohej nga një grup të rinjsh shkodranë me bindje nacionaliste, nxirrej në ilegalitet të plotë dhe pati ndihmën e përkrahjen e madhe të Dom Zef Shestanit. Për disa kohë, u detyruam që të punonim natën në çiklostil, ndër varrezat katolike të Rrmajit. Idenë për të gjetur një vend kaq të sigurt, na e dha Dom Zefi. Pasi punonim tërë natën me qiri, dilnim në mëngjes dhe grumbulloheshim të gjithë sërish. Nuk shkonim në shtëpitë tona, por në Kishën e Shën-kollit në Rus, ku shërbente Dom Zefi. Mbas meshës, shend e verë, pasi puna na kishte shkuar mbarë, na merrte në qelë dhe i thoshte motër Alfonsinës (një murgeshë italiane): ‘Tani motër, nga një kafe këtyre djelmoshave, pasi janë lodhë tanë natën’. Prej gëzimit, fillonte me këndue lehtë me vete. Kohë më vonë grupi ynë “28 nandori”, (siç u njoh më pas), u hodh i pari në radhët e organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”. Vetë Dom Zefi, ishte zgjedhur anëtar i Komitetit Qarkor të Shkodrës. Në këtë organizatë ai bashkëpunoi ngushtë me patriotët e njohur Lec Kurti, Ymer Lutfia, Frederik Shiroka, Bahri Kopliku, Zef Pali, Prenk Kaçinari e Rruzhdi Daca”, kujtonte Zef Staku, njëri nga miqtë më të afërt të Dom Zef Shestanit.

Në vitin 1943, pasi kishte rënë në sy të autoriteteve italiane për veprimtarinë e tij antifashiste, Dom Zefi u detyrua që të dilte në ilegalitet, pasi rrezikohej për t’u arrestuar prej tyre. Për t’i shpëtuar përndjekjeve, ai së bashku me Dr. Koplikun, Hasan Kazazin e Zef Logorecin, u larguan nga qyteti dhe shkuan e u strehuan në fshatin Zagorë të Shkrelit, ku qëndruan deri në shtatorin e vitit 1943, kur kapitulloi Italia fashiste e Benito Musolinit. Gjatë kohës që Dom Zefi me dy bashkëpunëtorët e ngushtë të tij, qëndronin të fshehur në Zagorë, autoritetet italiane i bastisën shtëpinë dhe i internuan nënën e tij. Këtë veprim, autoritetet italiane e ndërmorën pasi kishin të dhëna të sakta, që Dom Zefi ishte bashkuar me një çetë nacionaliste e cila udhëhiqej nga Ndue Pali.

Largimi nga Shqipëria për në Itali

Nga gjysma e vitit 1944, Dom Zef Shestani u detyrua që të linte qytetin e tij të lindjes, Shkodrën dhe me një varkë nëpërmjet Bunës, u largua për në drejtim të Ulqinit e nga aty, i ndihmuar nga disa miq të tij ulqinakë, ai shkoi në Itali. Me të mbërritur në gadishullin Apenin, Dom Zefi u paraqit pranë autoriteteve të Vatikanit, për të vazhduar veprimtarinë e tij fetare, të cilën ishte detyruar ta ndërpriste, për shkak të bindjeve të tij, nacionaliste dhe antifashiste. Që në ditët e para të mbërritjes së tij në Itali, pas përkrahjes që ai pati nga Vatikani, denoncoi publikisht krimet e fashistëve dhe komunistëve në Shqipëri. Gjatë qëndrimit të tij në Itali, Dom Zefi, bëri një punë kolosale në ndihmë të shumë shqiptarëve antikomuniste, që ishin të detyruar të linin atdheun dhe të gjenin strehë në vendin fqinjë, nëpër kampet e shumta që ishin hapur asokohe për pritjen e tyre. Pas pak kohësh në mërgim, ai u vendos në Romë, ku dhe krijoi dhe udhëhoqi “Komitetin për Shqiptarët në mërgim”. Në krye të këtij komiteti, Dom Zefi, kërkoi ndihma nga shteti Italian për të ndihmuar bashkatdhetarët e tij, që arratiseshin nga Shqipëria, për shkak të përndjekjeve të tyre nga regjimi komunist në fuqi i Enver Hoxhës. Po gjatë kësaj periudhe kohe, që Dom Shestani ishte vendosur në Romë, ai themeloi revistën “Zani i shqiptarëve në mërgim”. Në këtë organ, me shkrimet e tij dhe të shumë personaliteteve të tjera shqiptare, i bëri të ditur opinionit botëror mbi krimet që po bënte regjimi komunist në fuqi në Shqipëri.

Në ‘Radio-Vatikani’, foli 40 vjet për Shqipërinë!

Duke parë veprimtarinë e tij publicistike dhe bindjet antikomuniste, Dom Zefi u thirr nga autoritetet e Vatikanit, të cilët i propozuan vendin e përgjegjësit të redaksisë, së Gjuhës Shqipe në Radio-Vatikani. Kështu Dom Zefi, në tetorin e vitit 1951, për herë të parë do t’u fliste nga Radio-Vatikani, në gjuhën shqipe, bashkatdhetarëve të tij dhe besimtarëve katolikë, që përndiqeshin nga regjimi komunistë në Shqipëri. Në këtë kohë, Dom Zefit, ju dha nga Vatikani, titulli ‘Imzot’. Po kështu, Selia e Shenjtë, duke parë tek ai mbrojtjen e së vërtetës dhe të dinjitetit njerëzor, pas dhënies së titullit “Imzot”, e nderoi me titujt nderit “Cameriere Segreto del Papa” dhe “Capelano Segreto del Papa”. Lidhur me krijimin e Seksionit të Gjuhës Shqipe në Radio-Vatikani dhe punën kolosale prej afro 40 vitesh në atë radio, Gjon Gjonmarkaj, njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Dom Shestanit, kujton: “Kah mbarimi i shtatorit të vjetit 1951, Sekretaria e Shtetit të Vatikanit, vendosi me rendue edhe Gjuhën Shqype në transmetimet e Radio Vatikanit. U thirr ndër meshtarët shqiptarë në mërgim, Imzot Zef Shestani, ta drejtojë Seksionin e Gjuhës Shqype. Kështu më 3 tetor të vjetit 1951, n’orën 21.00, me temën “Udha e kryqit”, nisi transmetimi i parë, në gjuhën tonë të ambël. Transmetimet vazhduen mas-andej, për disa kohë me të njajtën temë, që atëhere ishte leitmotiv i të gjitha transmetimeve (dhe jo vetëm në shqip) të Radio-Vatikanit. Padyshim që ky vendim ishte një dhuratë e paçmueshme e Selisë së Shenjtë, ndaj popullit shqyptar, e ky fakt u vërtetue kur komunizmi në Shqypni u vu krejt në shërbim të të hujve. Kështu ai pat ngref kasaphanën njerëzore, në thikë të së cilës shkuen, me qindra e me mija krena, ndër të cilët ishin edhe shumë klerikë, nga të tre besimet fetare që ata përfaqësonin në Shqypni. Transmetimi i Rradio Vatikanit në gjyuën shqype, që prej asaj dite, kje jo vetëm në shërbim të Selisë së Shenjtë dhe Papës, por edhe një ushqim shpirtnor, për të gjithë shqiptarët në përgjithësi. Populli në atdhe, por edhe të gjithë shqyptarët kudo ku ishin, e pritën këtë transmetim, në gjuhën amtare me një gëzim të madh, e me mirënjohjen ma të thellë, tue vërtetue edhe njëherazi që Selia e Shenjtë, jo vetëm që nuk i kishte harrue, por ishte gjithmonë pranë tyne”. Që me krijimin e asaj redaksie të Gjuhës Shqipe, Imzot Shestani u përball me vështirësi të shumta, që ai mundi t’i kalonte, falë vullnetit e durimit të madh. Pas disa kohësh, ai thirri dhe afroi rreth vetes edhe Zef Palin, Andrea Shulin, murgeshën Luçia Laca dhe Gjon Gjomarkajn. Ndërsa një nga bashkëpunëtorët e jashtëm që i dha një ndihmesë të madhe Dom Zef Shestanit, ishte dhe prifti françeskan, Dom Daniel Gjeçaj (shkrimtar dhe publicist i njohur që botonte me pseudonimin letrar ‘Pal Dukagjini’). Në fillim, redaksia e seksionit të Gjuhës Shqipe, transmetonte vetëm tre herë në javë, por me pas, ato u bënë të përditshme, duke përzgjedhur jo vetëm tema, me karakter fetar, por edhe kulturore-letrare, shoqërore dhe humanitare. Në krye të seksionit të Gjuhës Shqipe, pranë Radio-Vatikanit, Dom Zef Shestani, punoi me përkushtim e zell të madh për afro 37 vjet, deri sa në vitin 1988, për arsye të moshës dhe shëndetit, ai u detyrua që ta linte atë detyrë. Në atë kohë, në vend të tij, u emërua Gjon Gjonmarkaj (me prejardhje nga Shtëpia e Kapidanit të Oroshit të Mirditës), i cili vazhdoi ta drejtojë atë seksion edhe pas viteve ’90-të.

Dom Zef Shestani, poet e muzikant!

Përveç veprimtarisë fetare, Dom Zefi ka qenë shumë i njohur edhe si një poet e muzikant. Ato dhunti të tij, ai i ka pas shfaqur që në moshë fare të re, kur ishte në bangat e Kolegjit Saverian në qytetin e Shkodrës. Lidhur me veprimtarinë krijuese të Dom Zefit, në fushën e muzikës, Tonin Zadeja nga qyteti i Shkodrës, kujtonte: “Për Dom Zef Shestanin, dua të shpreh konsideratat e mija, për një sferë tjetër, pothuaj të harruar fare, në veprimtarinë e tij. E kam fjalën për krijimtarinë e tij muzikore, që përbëhet nga një numër i konsiderueshëm këngësh të tipave të ndryshme, të cilat padyshim, përmbajnë vlera të mëdha artistike. Këngët e krijuara nga Dom Zefi, tërhoqën menjëherë vëmendjen e publikut shkodran, sidomos të rinisë shkollore. Ato kishin romantikë dhe pathosin e tyre atdhetar, si dhe intonacione të qarta kombëtare. Megjithëse me një përgatitje teknike muzikore jo sistematike, falë talentit dhe përkushtimit të tij, ai arriti të krijojë me një mënyrë të shprehuri mjaft origjinale, që së bashku me krijimtarinë muzikore të Dom Mikel Koliqit dhe atë pak më të njohur të At Bernardin Palajt, ndikuan në shijet muzikore të disa krijuesve të rinj shkodranë. Një pjesë e mirë e këngëve të kompozuara nga Dom Zefi, mbartin dukshëm shqetësimet e kompozitorit, lidhur me zhvillimet e ngjarjeve politike-shoqërore, të kohës (kujtojmë se Dom Zefi në më të shumtën e rasteve, është autor edhe i teksteve të këngëve të tij). Interes të veçantë, paraqesin edhe këngët e krijuara nga Dom Zefi në stilin popullor, midis të cilave kujtojmë këngët “Besa-besë” dhe “Karafili n’kodër”, të cilat për bukurinë e shprehjes, fituan shumë shpejt një popullaritet të madh, në qytetin e Shkodrës e më gjerë”.

Italianët: “Dom Zefi, la gjurmë në shkëmb”!

Për vitet që Imzot Shestani qëndroi në Itali, la pas kujtime dhe mbresa nga më të mirat, për të gjithë ata që patën rastin dhe fatin ta njihnin nga afër. Në San Francesko Saveri, ku Shestani shërbeu si famullitar, banorët e saj e kanë vlerësuar me konsideratat më të larta dhe për ta kujtuar, i kanë ngritur një pllakë përkujtimore, në të cilën kanë gdhendur emrin e tij. Në provincën e Boçehas, ku ai pati shërbyer, një gazetë lokale, midis të tjerash (më 4 mars 1989), shkruante: “I paraprirë nga një famë e merituar e njeriut të ashpër me zemër të artë, i rënduar nga angazhimi i përditshëm për t’i transmetuar, fjalën e zotit vëllezërve shqiptarë, ai do të përshtatej me çdo mënyrë. Në saj të nismave të tij të shumta, Boçeha, do të bëhej i pari ekip futbolli i denjë për këtë emër. I urtë, i edukuar, jashtëzakonisht i sjellshëm në rolin e tij si klerik, diti të fitojë në harkun e një dhjetëvjeçari, simpatitë edhe të atyre që për hir të një fushatizmi të errët politik, do të donim të shihnin tek ai, një “Don Camilio të ri”. Në funeralin e Imzot Dom Shestanit, në vitin 1990, morën pjesë nga e gjithë mërgata shqiptare në botë, si dhe të deleguar nga shtete të ndryshme të botës, me përfaqësi në Vatikan. “Ka njerëz që ecin mbi rërë dhe nuk lënë gjurmë, por ka nga ata që ecin mbi shkëmb dhe lënë gjurmë të pashlyeshme. Dom Zefi ishte njëri nga këta, që gjurmët e tij mbetën në shkëmb”, u tha mbi varrin e tij, atë pasdite marsi, plot 32 vite më parë./Memorie.al

Le Français (1903)- Do të hapet një konkurs midis skulptorëve italianë dhe të huaj për ndërtimin e një monumenti për Jeronim De Radën

Jeronim De Rada (1814 – 1903)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 23 Janar 2022

 

“Le Français” ka botuar, të martën e 17 marsit 1903, në faqen n°5, një shkrim në lidhje me ndërtimin e një monumenti për patriotin dhe shkrimtarin e shquar shqiptar Jeronim De Rada, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

 

Një monument për Jeronim de Radën.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Me iniciativën e princit Aladro Kastriota, pretendent për fronin e Shqipërisë, është formuar një komitet për t’i ngritur një monument, ndoshta në Catanzaro, patriotit dhe shkrimtarit të shquar Jeronim de Rada, i cili ndërroi jetë më 28 shkurt pranë Cosenza-s dhe të gjithë jetën e tij ia kushtoi rindërtimit të kombësisë shqiptare.

 

Për planin e monumentit, për të cilin do të paguajë Princi Kastriota, do të hapet një konkurs midis skulptorëve italianë dhe të huaj.

 

Le Moniteur Universel (1862)- Prodhimi i mëndafshit në Shkodër

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Janar 2022

 

“Le Moniteur Universel” ka botuar, të mërkurën e 18 qershorit 1862, në faqen n°7, një shkrim në lidhje me prodhimin e mëndafshit në Shkodër, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Turqi

Prodhimi i mëndafshit

 

 Na kanë shkruajtuar nga Shkodra e Shqipërisë më 30 prill 1862 :

 

Prodhimi i mëndafshit duket se do të jetë i bollshëm këtë vit. Lajmet që na vijnë nga brenda janë të favorshme dhe prodhimtarët shpresojnë të rikuperojnë humbjet që pësuan në 1861 për këtë artikull të rëndësishëm.

 

Krimbat e mëndafshit kanë hyrë në periudhën e tretë dhe janë në kushte më të mira. Tregtarët që vijnë çdot vit kryesisht nga Italia për të bërë blerje të konsiderueshme të krimbave të mëndafshit në Shkodër dhe në brendësi të Rumelisë, kanë filluar të mbërrijnë dhe janë nisur drejt vendeve të prodhimit.

 

Nga ky port u eksportua në vitin 1861 për gati 2 milionë franga dhe Franca nuk mori pjesë në blerjet.

 

(Analet e Tregtisë së Jashtme.)

Si u var në litar Nezir Muzhaqi, dokumenti i Gjykatës së Lartë Nga Bedri BLLOSHMI

 

Po publikoj dokumentin e Gjykatës së Lartë për varjen e nacionalistit dhe patriotit Nezir Mehmet Muzhaqi.

Nezir Muzhaqi ishte Komandat i Ballit për prefekturën Elbasan. Ishte vetëm 26 vjeç ku me urdhërin direkt të diktatorit u var në litar tek rrapi i Bezistanit në Elbasan në vitin 1946. Fjala e tij fundit ishte: “Rroftë Shqipëria“!

Partizanët dhe ballistët bënë një marrëveshje që të bashkërendonin luftimet e tyre kundër armikut të përbashkët. Më 18 prill 1943 për këtë qëllim në sopat të Bërseshtës përfaqësues nga të dyja palët zhvilluan një takim të përbashkët. Në këtë takim morë pjesë Tuk Jakova, Kadri Hoxha, Luto Leka etj. Ndërsa si përfaqësues të Ballit Kombëtar ishin përfaqësuar nga Haki Blloshmi, Nezir Muzhaqi, Hasan Bej Velçani etj. Kjo marrëveshje me komunistët u kthye në luftë civile dhe më 7 mars 1944 u vra pabesisht nga terroristët komunist komandanti i çetës Haki Blloshmi bashkë me të vëllanë dhe tre Blloshmë të tjerë. Aty në atë masakër u vranë 37 burra nacionalistë. Ndërsa më vonë, në kohën kur komunistët pushtuan Shqipërinë, në fillimet e vitit 1945, filluan terrorin mbi nacionalistët e mbetur gjallë.

Ja dhe një fakt nga komunistët se si i dënonin.

Lexoni vendimin për dënimin me vdekje (pushkatim) të komandantit të Ballit që mbante gradën e majorit Nezir Muzhaqit.

GJYKATA E NALTË USHTARAKE

Nr. i Vendimit 200

P R O C E S – V E R B A L
Gjykata e Naltë Ushtarake e formueme prej:
N/Kolonel Gaqo Fkoqi K r y e t a r
Major Frederik Nosi A n t a r
Kapiten I-rë Veledin Zejneli A n t a r

Në prezencën e Prokurorit pranë kësaj Gjykate, Major Myftar Tares dhe me asistencën e Sekretarit Aspirant Thoma Rinos, sot më datë 26/VII/1945, mori në shqyrtim aktet e padis penale kundër të dënuarit NEZIR MEHMET MUZHAQI, i biri i Mehmetit dhe i Hatixhes, vjeç 26 lindur e banues në katundin Polis, i cili në akt gjykimi Nr.79 datë 20 qershor 1945 të Këshillit Gjyqësue Ushtarak pranë Komandës së Qarkut T’Elbasanit është dënuar ME VDEKJE dhe konfiskimin e pasurisë së tij të lujtshme e të pa lujtshme në bazë të neneve 14, 15 e 18 të ligjës Nr. 41 datë 14 janar 1945, mbi organizimin e funksionimin e Gjykatave Ushtarake, mbasi është cilësue si kriminel lufte dhe armik i popullit.

G j y k a t a:

Mbasi shqyrtoj process-verbalin e mbajtur prej Komisionit Hetues për zbulimin e krimeve të luftës dhe armiqve të popullit;

Mbasi studjoj deponimet e dëshmitarëve e të dëmtuarve që kanë bërë sin ë hetuesi dhe para Gjykatës së Faktit;

Mbasi shqyrtoj proves-verbalin mbi rrjedhimin e Gjykimit para Gjykatës së Faktit si dhe gjithë shkresat, deklaratat që ndodhen në dosje;

Mbasi mori mendimin e Prokurorit të saj, i cili kërkon të vendoset aprovimi I akt-gjykimit të sipërme si me vend dhe I bazuem në ligjë;

Mbasi studjoj çështjen nga pikpamja e faktit dhe e së drejtës:

O b s e r v o:

NË FAKTË:

NEZIR MEHMET MUZHAQIN ish një nga inspironjësit dhe organizatorët e organizatës tradhëtare të Ballit Kombëtar, me anë prapagande dhe agjitacioni, është përpjekut të futi popullsinë e katundeve të ndryshme të rajonit të tij në radhët mercenare të Ballit dhe t’i largojë nga Lëvizja Nacional Çlirimtare duke i hethur në luftë kundra saj.

Si personalitet dhe eksponent i Ballit u bë komandant mercenarësh, dhe ka patur nën komandën e tij 250-300 vetë duke qënë njëkohësisht i propozuar të mbajë gradën Major; Ka marrë pjesë në shumë luftime kundra forcave të lëvizjes në bashkëpunim me ushtrinë naziste dhe në këso rastesh ka provokuar vjedhje, grabitje, plaçkitje e djegëje në katunde të ndryshme duke tmeruar popullsinë me vepra terroristike që bënte.

Është provokator i vrajses së 5 Partizanëve të Brigatës së I-rë në Çermenikë. Në Qershorin e vitit 1944 ka vrarë me dorën e tij Alush Agon së bashku me dy djemtë e tij asllan e Gjysh nga katundi Velç Mokër; Gjithashtu ka vrarë në Librazhd Kasapin Tushi Koci Ambon nga Pogradeci.

Ka vrarë katër veta të tjerë duke ekzekutuar dy veta me dorën e tij dhe dy Gjindarmi i tij që kishte me vete, për të vetmin shkak se formoj bindje se këta ishin njerëz të Lëvizjes.

I ka bërë pritje një Batalioni të Brigadës së III më 12 Dhjetor 1943, kur ky Batalion është hedhur në Polis, dhe në luftimet që janë zhvilluar ndërmjet fuqive të Lëvizjes dhe mercenarve ballista që komandoheshin prej këtij e që kishin zënë pozicione të favorshme; luftim ky që zgjati 18 orë rresht, u shkaktua vrasja e 39 vetëve nga ana e fuqive të Lëvizjes dhe 38 veta janë zënë robë dhe u janë dorëzuar Gjermanëve.

Në muajin maj të vitit 1944 së bashku me kriminelat Shefki Kreka nga Goliku i Mokrës, Xhevdet Blloshmin nga Bërzeshta, Aziz Biçakun nga Letmi, Adem Velçanin nga Velçani i Mokrës dhe Haki Sadikun nga Trebinja ka marrë pjesë në operacionin që është bërë në katunde të ndryshme duke shkuar në katundin Llenge kanë vrarë 30 e ca burra të gjithë prindër e vëllezër Partizanësh dhe pjestarë dhe simpatizuesa të Lëvizjes dhe midis tyre dhe babën e Partizanit Dhimitri Marko të quajturin Marko Pleshishti.

Ka bërë kontrollime e arestime te ndryshme në qytetin e Elbasanit dhe i ka dorëzuar Gjermanëve shumë persona që I ka arestuar si pjestarë ose simpatizuesa të Lëvizjes, të cilët janë internuar në fusha të ndryshme përqëndrimi.

Me një fjalë ka kryer mjaft vepra kriminale kundra popullsisë dhe pjestarëve të Lëvizjes, ka luftuar vazhdimisht kundër Ushtrisë Nacional Çlirimtare, është përpjekur të mashtrojë popullsinë katundeve për ta larguar prej Lëvizjes dhe për t’i hedhur në rradhët tradhëtare të Ballit, duke i shërbyer kështu me plot vullnet dhe koshiencë tradhëtarëvet dhe okupatorit nazist.

Fajet dhe veprat kriminale që u sipër-mendën janë provuar plotësisht e në mënyrë bindëse nga procedimenti hetimuer i zhvilluar prej Komisionit hetues për zbulimin e kriminelëv të luftës dhe armiqëve të popullit; nga deponimet e dëshmitarëve dhe të ankuesavet Koçi Ambos, Kristaq Koçi Ambos, Neki Alush Agos, Nezir Qemal Qyrkut, Bajram Myslimit, Sefer Mahmutit, Demir Lekës, Isuf Vaskut, Jonuz Bishtogut, Veli Gjymengës, Dyle Elezit, Shahin Vlashit, Osman Allës e shumë të tjerë; nga ankesat deklaratat dhe akt-akuzat e ndodhura në dosje dhe qe janë dhe që janë paraqitur nga të dëmtuarit; nga rrjedhimi I gjykimit para Gjykatës së faktit dhe nga pohimet e pjesëshme të bëra prej tij.

NË LIGJE:

Akt gjykimi i Gjykatës së faktit është i konformuar në dispozitat ligjore përkatëse; gjithashtu dhe ndëshkimi i caktuar kundra të dënuarit është me vend edhe në proporcion me fajet dhe veprat kriminale të kryera prej tij.

P r a n d a j :

Gjykata e Naltë në bazë të nenit 31 të Ligjit Nr. 41 dat 14 Janar 1945 (të Ligjit Nr.41 dhuhen katër fjalë) mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatave ushtarake duke pranuar dhe mendimin e çfaqur prej Prokurorit.
V e n d o s i :

Aprovimin e akt-gjykimit Nr.79 Dat. 20 Qershor 1945 të Këshillit Gjyqësor Ushtarak pranë Komandës së Qarkut Elbasan, me të cilin është vendosur ndëshkimi ME VDEKJE i të pandehurit NEZIR MEHMET MUZHAQIT, nga katundi Polis t’Elbasanit, humbjen e të drejtave të tij qytetare e politike dhe konfiskimin e pasuris së lujtshme e të palujtshme në bazë të dispozitavet ligjore në fuqi.
Tiranë, më 23/VII/1945.
S E K R E T A R I: A N T A R: A N T A R: K R Y E T A R I
Firma firma firma firma

 

110 VJET ECJE N’ TERR – Nga Fritz RADOVANI

Zoti njëherit me ballin e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut shndriti edhe mendjen e të gjithë Atyne Shqiptarve që e mbajtën me nderë këte Emen në gjakun e vet, Atdheun dhe Flamurin, me Shqipen Dykrenare dhe Gjuhen e Bekueme të Imz. Pal Engjullit.

Ajo Gjuhë Shqipe e Bekueme mbi ballin e çdo Shqiptari, provoi se nuk shuhet as, nuk fshihet dhe as nuk humbet as edhe qinda e mija vjetë, nga Toka Ilire! E prova ma e sakta e Historisë së lavdishme të Shqipnisë së Gjergj Kastriotit, asht edhe sot, Ajo rrenojë e vjeter shkodrane, ku u formue Shoqnia Atdhetare “Bashkimi” në 1899.

E nder shkambijt e Shirokës, në shtëpinë e Tom Mark Radovanit, camerdhokët e atij fshati nën kujdesin e Dom Zef Ashtës, mësonin prej vitit 1874 me shkrue Shqip. (Ky material historik i saktë me mësuesa dhe nxanësa u shkrue nga mësuesi i nderuem Gjush Sheldija në vitin 1933.)

Mbas vitit 1902 Françeskanët e vendosun në Shqipni që në Shekullin XIII, i japin një drejtim të posaçëm arsimit, kulturës, shkrimit, revistave, dokumentave historike dhe në bashkpunim me Jezuitët italianë, Shkodra asht nder qendrat kulturore t’Europës.

Në vitin 1908 asht At Gjergj Fishta, që na dha Alfabetin e Gjuhës Shqipe, aprovue ky alfabet nga Shqiptarët e të gjithë Trojeve të Shqipnisë në Kongresin e Manastirit.

Kishin kalue jo vite, po shekuj kur Flamuri i Gjergj Kastriotit kishte ra nga Kështjella e Krujës Heroike dhe bashkë me Heroin tonë Kombëtar ishin vorrosë për me u kalbë. Shtërgata e robnisë turke kishte mbulue me brraka uji gjithë Trojet tona, ku shuhej çdo ditë çdo virtyt dhe shpresë e Shqiptarëve. Ishin përdhosë kështjella e kulla ku dikur ndër ato hatlla varej me madhshti Lahuta, martina e huta; tashma ishin ba vetem vende të shkreta ku këndonte qyqja e kulumrija…Ishin thye e ra përtokë deri ndër vorret e të parëvet Kryqat e drunit të lisit e të çamit.  Deri poshtë ku derdhej gryka e lumit ishin shue shenjat e pushimit, vue me dalta ndër shkambij. Shqiptarët, rrugë pa rrugë, përditë e ma shumë zhyteshin në humnerën e mjerimit e të padijes. Dhuna kishte shpërba edhe gurin e kthye në ranë, thonë disa, po vende-vende edhe në pluhun e baltë të kuqe nga gjaku me të cilin mbruhej e njeshej për thundra të kuajve të robnuesit, i cili krenohej ngallnjimtar mbi eshtnat e nxjerruna nga vorret e shpuplueme, të shkapërndame e të tretuna në të katër anët. Mbi kumbonaret e Kishave të vjetra monumentale ngrihej nalt një copë zhele robnije, që tregonte se mbi këte “minare” nuk do të ketë kurrma Kryqa, dhe se Shqiptarët nuk do të dijnë “asnjëherë” çka u pat mësue dikur Imzot Pal Engjulli i Drishtit, rrenuem e ba rrafsh me tokë.

Ishte shue jo vetëm rrezja e dritës së shpresës për Liri, po edhe dielli ishte zanë nga një tymnajë e vransinë që njillte kob. Vetullat e burrave ishin bashkue e ba hudhi si t’ u kishte shkrepë rrufeja në votër e shkimë me farë e fis gjithshka që u kishte falë i Madhi Zot brez mbas brezi. Vetëm kelkaza aty-këtu çilte ndonjë lule e vyshkej nën ferrat e morrizat e pafarë që e patën mbulue këte Dhé të bekuem dikur, ku, tashma as dallëndyshat nuk vinin në stinën e tyne, se as pranverë nuk kishte ma! Zhegu aziatik kishte përvlue e zharitë si mos ma keq fusha e male e kthye në shkretinë, ku ndonjë gomar fatzi kryente sherbimet e deves për pushtuesin barbar. Edhe qentë e fshatit nuk lehnin ma, se portarja ishte thye natën kur ndër shtëpija kishte msy e mëshef pabesia e shnderimi i robnuesit përbindsh. Burri nuk mbante ma as gurin unur të trashiguem ndër shekuj me llullën e vet prej druni ku ishte ma i forti, daltue nga çobajt fatzez që rritnin desht për me ua shtrue sofrat rrumbullake “felëshuesëve”.

Tue shfletue fletët e historisë së asaj kohë lufta e përgjakshme e Malësisë së Mbishkodres filloi në Marsin e vitit 1911 dhe vazhdoi në të gjitha ato krahina të pathyeshme shekullore deri në fundin e Gushtit të vitit 1911, ku nuk duhen lanë pa u zanë në gojë edhe klerikët katolikë që morën rrugët ndër male bashkë me Malësorët e vet besnikë, tue fillue nga Famullitari i Kastratit At Mati Prennushi, Famullitari i Bajzës së Kastratit At Lorenc Mitroviq, Famullitari i Grudës At Buonaventur (Buon) Gjeçaj, Famullitari i Vuksanlekaj At Karlo Prennushi, Famullitari i Traboinit At Luigj Bushati e Famullitari i Rrapshës At Sebastjan Hila, të gjithë bajtës të Nderuem të zhgunit të Shen Françeskut t’Asizit. Këta fretën asnjë ditë nuk pranuen me jetue në mëshiren e malazezëvet, por iu drejtuen Argjipeshkvit të Shkodres Imz. Jak Serreqit, i cili pat qendrue dorjashtë për disa kohë, e ma vonë, me ndikimn e Imz. Luigj Bumçit dhe Don Ndre Mjedjes, Famullitar në Kukël, vunë në dijeni Vatikanin, njëkohsisht edhe me konsullin Austriak në Shkodër, u lidhën në Austri me Arqiduken Franc Ferdinandi, tue i vue në dukje prirjen politike të Kryengritjes së Malësorëve të Mbishkodrës.

Kleri Katolik Shqiptar që ishte ndër Ato Malësi, kishte arrijtë deri aty sa me deklarue se: “Në kjoftë se turqit përpiqeshin me depertue ndër rrethet kishtare malore, ata do të kryesonin rezistencën me Kryq në dorë.” (The Times, Wednesday, May 10, 1911.)

110 vjet ma parë, me 6 Prill 1911, me Dedë Gjo’ Lulin.

I madh e vogël pa kursye as jeten e vet u banë mburojë! Mbarë Malësia me armë në dorë u rreshtue me e mbajtë nalt Emnin e pushken e Tij!

Atdheun filloi me e rrah flladi i freskët i Lirisë!

Fitorja e shpërblyeme me gjak prej Shqiptarve ndër shekuj erdhi!

Urata, lutja, kanga e falnderimi ndaj të Madhit Zot s’ pushonin!

Sejcili, sa kishte forcën, me një kurban i rrinte pranë shtizës.

Pikë lotit nuk shihej n’ Atë vend, veç gaz e hare në sytë e Atyne Burrneshave që këndonin e shkrepshin armët.

Edhe gratë me të zeza e gjetën një “shenjë” me u gazmue!

Aty pranë në trungun e një gështenje gjuhej në shej një kapicë…

Sa andej këndej kriste bataria e Malësorëve e zanet ma  të forta e të fuqishme thenin heshtjen shekullore me ushtimën e tyne ndër ato maje malesh, tue jehue e tue u derdhë me jone hyjnore drejt Qiellit paster me një Kushtrim të pafund, që zbriti ndër ato lugina të prarueme e u bashkue me valët e dallgët e harrlisuna të Adriatikut, tue zgjue nga kllapia shekullore mbarë një Europë: “Oooo… Burra bre.., çonju se Flamuri i Gjergj Kastriotit u ngrit edhe njëherë në Tokën Arbnore!

Në vitin 1994 Profesor Gjon Sinishta, në revistën e drejtueme prej Tij, Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq.150, University of San Francisco USA, botoi një dokument që u pat shkrue nga amerikani Profesor Dr. Stephen Schwartz:

On March 24, 1911 the Albanian double-headed eagle flag was raised for the first time in five centuries since the death of Scanderbeg. The flag was raised on the top of Deçiq mountain, near the toën of Tuzi. It had been wrapped and secretly carried from Shkoder by Franciscan Father Mati Prennushi under his religious habit.” Që në gjuhën shqipe domethanë: “Më 24 Mars 1911, pesë shekuj mbas vdekjes së Skënderbeut, për herë të parë u ngrit Flamuri Shqiptar me shqiponjën dykrenare. Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiq, afër qytetit të Tuzit. Atë e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani At Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e tij.” U ngrit për mos me zdrypë kurrma, kurrma!

Tingujt e Lahutës.., vazhdonin Kangët e veta…Ky dokument i randësishëm Historik ka të shenueme datën që u firmue nga Atdhetarët: Gërçe, 23 Qershor 1911.

Sigurisht, kjo lejon me pranue pa kushte edhe pjekuninë e Tyne  politike dhe kulturore, të cilën sot fatkeqsisht e dishrojmë në të gjitha hallkat Shtetin Shqiptar, deri tek Presidenti, që kur pret qeveritarë turq heqë nga zyra e vet bustin e Heroit kombëtar Gjergj Kastriotit..

Me 28 Nandor 1912 Shqipnia fitoi Pamvarsinë vetem me kambnguljen burrnore të Luigj Gurakuqit, i cili me revole mbi tavolinë u tha të gjithë pjesmarrësve n’ Vlonë:

“Sot me 28 Nandor 1912, o do të Shpallet Pamvarsia e Shqipnisë, ose nuk del i gjallë asnjeni prej këtu ku jemi të mbledhun!” Dhe, ashtu u ba!

Eshtnat e Ded Gjo’ Lulit i treguen Shqiptarëve e Shqipnisë mbarë, se:

Për Ty vdiqa, Për Lirinë tande! Nuk kam dashtë tjetër!”

Shqiptarët dolën nga robnia Turke me armë në dorë dhe janë të gjithë tradhëtarët e vendit që po me armë e vrasje të pabesa u shërbyen serbëve me sjellë një okupacion tjetër, vetëm pse nuk arrijtën asnjëherë me u çveshë nga fanatizmi anadollak, i cili ndër shekuj e ka tregue këtë qendrim të tyne antikombëtar, tue i shërbye kujtdo përveç Atdheut! E persa vite, mbas 1912, nuk u gjet asnjë Shkodranë me drejtue  një ditë të vetme Shtetin Shqiptar?

***

Qeveria e parë e Shqipnisë u krijue në vitin 1912 me kryeministër Ismail Qemal beu, nga data 29 nëntor 1912 deri më 1914.

Mbas qeverisë së tij radhiten 44 kryeministra të tjerë deri tek kryeministri i sotëm të cilët kanë ushtrue këtë detyrë për periudha të ndryshme kohore:

 

Mehmed Fevzi bej Alizoti; janar-mars 1914.

Turhan Pashë Përmeti; 15 mars deri më 3 shtator 1914, dhe 1918 deri në vitin 1920.

Esat pashë Toptani; 5 tetor 1914 – 27 janar 1916.

Sulejman bej Delvina; 30 janar 1920 – 14 nandor 1920.

Iljaz bej Vrioni; 10 dhjetor 1920 deri 19 tetor 1921

Pandeli Evangjeli; 19 tetor 1921 deri 6 dhjetor 1921

Qazim Koculi; 6 dhjetor 1921 deri 7 dhjetor 1921

Hasan Prishtina; 7 dhjetor 1921 deri 12 dhjetor 1921

Idhomene Kosturi; 12 dhjetor 1921 deri 30 dhjetor 1921

Xhafer Ypi; 30 dhjetor 1921​ deri 4 dhjetor 1922

Ahmet Zogu; 4 dhjetor 1922 deri 5 Mars 1924

Shefqet bej Vërlaci; 5 Mars 1924 deri 2 qershor 1924

Iljaz bej Vrioni; 2 qershor 1924 deri 16 qershor 1924

Fan Noli; 16 qershor 1924 deri 26 dhjetor 1924

Ahmet Zogu; 26 dhjetor 1924 deri 30 janar 1925

Koço Kota; 10 shtator 1928 deri 5 Mars 1930

Pandeli Evangjeli; 5 Mars 1930 deri 22 tetor 1935

Mehdi bej Frashëri; 22 tetor 1935 deri 9 nandor 1936

Shefqet Vërlaci; 12 prill 1939 deri 4 dhjetor 1941

Mustafa Kruja; 4 dhjetor 1941 deri 19 janar 1943

Eqrem bej Libohova​; 19 janar 1943 deri 13 shkurt 1943

Maliq Bushati; 13 shkurt 1943 deri 12 maj 1943

Eqrem bej Libohova​; 12 maj 1943​ deri 9 shtator 1943

Ibrahim bej Biçaku; 9 shtator 1943 deri 24 tetor 1943

​Mehdi bej Frashëri; 24 tetor 1943​deri 3 nandor 1943

Rexhep bej Mitrovica; 3 nandor 1943 deri 18 korrik 1944

Fiqri Dine; 18 korrik 1944​ deri 26 tetor 1944

​Enver Hoxha;​1 janar 1946 deri 20 korrik 1954​

Mehmet Shehu; 20 korrik 1954 deri 18 dhjetor 1981

​Adil Çarçani ;18 dhjetor 1981 deri 22 shkurt 1991

​Fatos Nano; 22 shkurt 1991 deri 5 qershor 1991

​Ylli Bufi; 5 qershor 1991 deri 10 dhjetor 1991

Vilson Ahmeti; 10 dhjetor 1991 deri 13 prill 1992

​Aleksandër Meksi; 13 prill 1992 deri 11 Mars 1997​

Bashkim Fino; 11 Mars 1997 deri​ 24 korrik 1997​

Fatos Nano; 24 korrik 1997 deri 2 tetor 1998​

Pandeli Majko; 2 tetor 1998​ deri 29 tetor 1999​

Ilir Meta; 29 tetor 1999 deri 22 shkurt 2002

Pandeli Majko; 22 shkurt 2002 deri 31 korrik 2002

​Fatos Nano;31 korrik 2002 deri 11 shtator 2005

​Sali Berisha; 11 shtator 2005 deri 8 shtator 2013​

Edi Rama; 8 shtator 2013 -​Kryeministër në detyrë…

Nga viti 1939 e deri në vitin 1944, 29 Nador Shqipnia asht e pushtueme.

 

 

PRESIDENTA TË SHQIPNISË:

 

  1. AHMET ZOGU, president i 1-rë i Republikës

Ditëlindja: 8 tetor 1895

VENDLINDJA: Burgajet, Mat.

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 30 janar 1925  deri më 1 shtator 1928

ARSIMIMI:I paarsimuem në Turqi dhe Austri dhe i padiplomuar në Akademi. PËRKATËSIA FETARE: Musliman

DETYRA TË TJERA SHTETËRORE: Mbret, kryeministër, ministër i Brendshëm, deputet.

VDEKJA: 9 prill 1961, I daignostikuem me kancer. Vorroset në Francë.

  1. OMER NISHANI, presidenti i 2-të i Republikës (President i presidumit të Kuvendit Popullor)

Ditëlindja: 1887

VENDLINDJA: Gjirokastër.

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 10 janar 1946 deri më 31 korrik 1953

ARSIMIMI: Mjek, i diplomuar në Stamboll, Turqi.

PËRKATËSIA FETARE: Orgjinë muslimane. Ateist

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Jashtëm, deputet.

VDEKJA:  25 maj 1954 me vetëvrasje.

  1. HAXHI LLESHI, presidenti i 3-të i Republikës (Kryetar i presidumit të Kuvendit Popullor)

Ditëlindja: 19 tetor 1913

VENDLINDJA: Dibër,

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 1 gusht 1953 deri më 21 nëntor 1982.

ARSIMIMI: Arsimim fillor, i padiplomuem.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Brendshëm, deputet.

PËRKATËSIA FETARE: Me orgjinë muslimane, atesit.

VDEKJA: 1 janar 1998, natyrore. 84 vjeç, 9 muaj e 18 ditë.

  1. RAMIZ ALIA, presidenti I 4-ët I republikës (Kryetar i presidumit dhe president)

Ditëlindja: 18 tetor 1925.

VENDLINDJA: Shkodër. (Ardhë nga Bosnja)

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: Që nga 22 nëntori 1982 deri më 2 prill 1992.

ARSIMIMI: Diplomuar në shkollën e Partisë, Moskë, Rusi.

PËRKATËSIA FETARE: Me orgjine muslimane, ateist.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Arsimit, deputet.

VDEKJA: 17 tetor 2011, natyrore.

  1. SALI BERISHA, presidenti I 5-të i Republikës.

Ditëlindja: 15 tetor 1944.

VENDILINDJA: Vuçidol, Tropojë.

MOSHA KUR MORI DHE LA DETYRËN: E mori detyrën në moshën 47 vjeç, 5 muaj e 25 ditë dhe e la 52 vjeç, 8 muaj e 26 ditë.

ARSIMIMI: I diplomuar për Mjekësi në universitetin e Tiranës.

PËRKATËSIA FETARE: Familja me prejardhje muslimane.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Kryeministri i 32-të i shtetit shqiptar, deputet.

  1. REXHEP MEIDANI, presidenti i 6-të i republikës.

Ditëlindja: 17 gusht 1944.

VENDILINDJA: Tiranë

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 1997 deri më 24 korrik 2002.

ARSIMIMI: I diplomuar për fizikë në universitetin e Tiranës.

PËRKATËSIA FETARE: Familja me prejardhje muslimane.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Deputet.

  1. ALFRED MOISIU, presidenti i 7-të i republikës

Ditëlindja: 1 dhjetor 1929.

VENDLINDJA: Shkodër. (Me origjinë nga Jugu)

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 2002-24 korrik 2007.

ARSIMIMI: I diplomuem ushtarak.

PËRKATËSIA FETARE: Ortodoks

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Mbrojtjes.

  1. BAMIR TOPI, presidenti i 8-të i Republikës.

Ditëlindja:24 prill 1957

VENDLINDJA: Durrës.

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: Nga 24 korriku 2007 deri më 24 korrik 2012

MOSHA KUR MORI DETYRËN: E mori detyrën 50 vjeç e 3 muaj.

ARSIMIMI: I diplomuem si mjek veteriner në Universitetin Bujqësor, Kamëz.

PËRKATËSIA FETARE: Familja me prejardhje mulsimane.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Bujqësisë, deputet.

  1. BUJAR NISHANI, presidenti i 9-të i Republikës.

Ditëlindja: 29 shtator 1966.

VENDLINDJA: Durrës

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 2012–24 korrik 2017

ARSIMIMI: I diplomuar ushtarak dhe jurist.

PËRKATËSIA FETARE: Familja me prejardhje muslimane.

DETYRA TJERA SHTETNORE: Ministër i Brendshëm, ministër i Drejtësisë, deputet.

  1. ILIR META, presidenti i 10-të i Republikës

Ditëlindja: 24 MARS 1969

VENDLINDJA: ÇEPAN, SKRAPAR.

DITA KUR U ZGJODH PRESIDENT: 28 PRILL 2017, ORA 18.00.

ARSIMIMI: DIPLOMUAR PËR EKONOMI NË UNIVERSITETIN E TIRANËS.

PËRKATËSIA FETARE: Musliman Bektashi.

***

Janë plot 110 vjetë që Shqiptarët kujtojnë se kanë fitue Pamvarsinë Kombtare, me 28 Nandor 1912. Por prej asaj ditë, me 29 Nandor 1912, Shtetin Shqiptar e ka drejtue Ismail Qemal beu i Vlonës që s’ishte dakord me  “Pamvarsi të plotë nga Turqia”.

E Shqiptarët tash 110 vjetë vazhdojnë të qeverisen nga disa“mbeturinat anadollake”!

Shteti ma i mbrapambetun i Europës, dhe gjithnjë jashta Saj, ku sundon korrupsioni, hajnia, imoraliteti, vllavrasja, shfarosja, pabesia, paburrnia, urrejtja, ateizmi, shperdorimi i detyrës, injoranca, mendjemadhsia, kapadailleku, trafikantët e drogës. E gati harrova: Shkatrrimtarët e vertetë të Shtetit Shqiptar!

Melbourne,  21 Janar 2022.

Historia e panjohur e Pashait të Janinës me Kalivaçin e Tepelenës – Me rastin e 200 vjetorit të vrasjes së Ali pashë Tepelenës Nga Prof. Dr. Vezir Muharremaj

 

Ali pashë Tepelena lindi në fshatin Beçisht të Tepelenës në vitin 1744 dhe u vra më 5 shkurt (24 janar me kalendarin e vjetër) 1822 në Janinë.

Ndonëse i ndodhur në skajin veri-perëndimor të trevës së Tepelenës, fshati i Kalivaçit ka pasur të bëjë me Ali pashë Tepelenën, jo thjesht se ka ndjerë shtypjen e regjimit të tij, si krejt vilajeti, por edhe ka disa ndodhì me lidhje të drejtpërdrejtë me të.

Gjatë kohës së sundimit të Ali Pashës, disa kalivaças përmenden të kenë pasur raporte me Pashanë, sipas tregimeve të transmetuara nga të moçmit e fshatit dhe të tjerë nga krahina.

Ormën Alli Kalivaçi, kapedan në oborrin e Ali Pashë Tepelenës (ka vepruar rreth viteve 1800). Sipas Muharrem Haredin Agaj, Ormëni i parë ka qenë nga lagjja Hasanimeraj (ka vepruar ndoshta para vitit 1750) dhe ka pasur djalë Alli Ormënin (rreth viteve 1775). Alli Ormëni ka pasur tre djem: Ormën Alliu, Mato Alliu dhe Ago Alliu (të cilët mund të kenë vepruar rreth viteve 1800).

Mato Alli Ormëni pati djalë Dulen, prej nga nis fisi Dulaj në fshat.

Nga Ago Alli Ormëni thuhet se rrjedh fisi i Agajve.

Ormën Alliu thuhet se ka pasur një vajzë por nuk la pas djalë tarshëgimtar dhe ajo derë u shua. Ormën Alli Ormëni ka qenë prijës dhe një prej figurave më të rëndësishme të fshatit Kalivaç, nga lagja Hasanimeraj. Sipas tregimeve nga të moçmit (treguar nga Begzo Hysenaj), shtëpitë e fiseve Ormënaj, Hysenaj e Haxhiaj kanë qenë mbi shtëpitë e sotme të Sadik Xhemal Hysenaj (të ndërtuara në vitet 1919-1921), të cilat ndodheshin në oborrin e Ormënit. Edhe sot, murishtet e Ormënit quhen ato ngjitur me të Sadikut. Edhe një arë e vogël mbi shtëpitë e Muharremajve quhej ara e Ormëne.

Sipas Tafil Stafaj nga Ploça e Vlorës, i cili e ka dëgjuar historinë nga i jati (Tafili i intervistuar në video nga poeti popullor Gjergji Hoxha nga Krahësi, në Vlorë, më 21 dhjetor 2021): “Ormën Alli Kalivaçi ka qenë me shërbim në oborrin e Ali Pashë Tepelenës në Janinë me gradë të krahasueshme Gjenerali (kapedan). Në të njëjtën kohë, në shërbim të Aliut në Janinë ka qenë dhe Kapo Kanani nga Sevasteri me një gradë më të lartë se Ormëni. Ali pasha deshi të shtronte një vend dhe zgjodhi Kapo Kananin, i dha ushtri dhe i fali një kalë shumë të mirë dhe i tha: “Ik e do më shtrosh filan vënd”. Në këtë kohë kur Kanani mori ushtrinë dhe kalin, Aliu nuk besonte njeri, mendonte se pasi të shtronte atë vend, Kanani do t’i kthehej Aliut dhe mendohej si t’ja bënte se i dha shumë ushtri, shumë fuqi.

Ormën Alliu kishte kërkuar për të fejuar një vajzë në Sevaster, në Nazaj por nuk ia kishin dhënë hairin. Në të njëjtën kohë, këtë vajzë e kërkonte edhe i vëllai i Kapos, Harizi nga Sevasteri. Plaku i shtëpisë së vajzës i jep llafin Ormën Alliut për të fejuar vajzën. Kurse vëllezërit e vajzës, kur erdhën në shtëpi, nuk deshën për Ormënin e thanë:

  • Do ia japim Harizit, vëllait të Kananit, se është i dyti i Ali Pashait.

Aty filloi divergjenca brenda në familje. Kananajt i shkruajnë letër Harizit në Janinë dhe i

thonë:

–  Ktheu se Ormën Alli Kalivaçi na mori nusen.

Kjo letër për fat të keq, i bie Ali Pashës në dorë. Ali pasha e shfrytëzoi rastin, e thërret Ormën Alliun dhe i thotë:

  • Atë zakonin, bashkë e kemi bërë apo e kam bërë vetëm unë?
  • Jo, iu përgjigj Ormëni, bashkë e kemi bërë, po pse?
  • Po ti ke marrë nusen e Kapo Kananit, i thotë Aliu. Ormëni iu përgjigj:
  • Unë nuse kërkova e nuse fejova.
  • Jo, jo, ke marrë nusen e Kapo Kananit. Jo vetëm që ti ike që ike, por ikën dhe Kalivaçi, çfarë do bësh?
  • Çfatë të bëj? Kërkova nuse, më dhanë hairin dhe e fejova, foli Ormëni.

Sa kishin marrë hairin këta tek Ormëni, por as kishin vajtur e as ardhur.

  • Ti do dalësh filan vënd, do marrësh dhe një tjetër e do vrasësh Kapo Kananin, i thotë Ali pasha, se ndryshe e ke punën keq. Sa të kthehet Kapua këtu, do i paguash të gjitha gjërat.

Me urdhërin e Ali Pashës, Ormëni së bashku me Mënon, zunë pritë në qafën e Memete, nën fshatin Martalloz dhe vranë Kapo Kananin nga Sevasteri.

Vrasja e Kapos ishte ofendim i madh për Kudhësin, kështu që, për të marrë hakun u ngarkua Hysen Luzi nga Shkoza (me nofkën ‘Maçi’). Hyseni ishte trim. Në vitin 1805, në Janinë vrau Kurt Mahmarin, komandantin e togës, ku Hyseni kryente shërbimin. Qeveria turke e futi në burgun e Janinës, por dhe aty Hyseni lidhi çarçafët dhe zbriti nga kati i tretë i burgut e u arratis. Rojet turke s’u besonin syve dhe e thirrën me nofkën ”Hysen Maçi”. Që atëherë i mbeti nofka ”Maçi”. Më pas, Hysen Maçi e vrau Ormën Allinë në Fushën e Kalivaçit, sikurse thuhet në vargjet e këngës popullore:

Në fushë të Kalivaçit,

Lufton palla e Hysen Maçit,

Vuri në vendin e nderit,

Kanunin e Sevasterit”.

Tafili vazhdon: “Ormën Alliu ishte nisur [nga Janina] për të ardhur në Kalivaç, se e dinte që mbas të shtatave do të kishte diçka. I vëllai i Kapos, Harizi, pas të shtatave të vrasjes së Kananit, mblodhi krushqit që bëheshin 500 burra, jo pak. Ndërkohë, Aliu, për të mos u kuptuar urdhëri që kish dhënë vetë për vrasjen e Kapos, emëroi me detyrë të vëllanë Harizin në vend të Kapos në Janinë; me këtë, donte të thoshte që “unë nuk kam punë në këtë ndodhi”. U mblodhën Kudhësi, u hodhën në Kalivaç dhe e kanë djegur fshatin. Kur erdhi Ormëni nga Janina, erdhi me ushtri por fshati ka qenë djegur, është bërë luftë në fushë të Kalivaçit, ushtria bashkë me fshatin, Kudhësi është thyer dhe është hedhur në lumë”.

[Shënim: nuk ka ndonjë të dhënë se është djegur fshati i Kalivaçit ndonjëherë].

Sikurse tregojnë dhe në Shkozë, Ormën Alliu është vrarë nga shkozioti Hysen Maçi në Fushë të Kalivaçit, në hakmarrje për vrasjen e Kapo Kananit.

Historiani Shyqyri Hysi shtjellon një trajtesë tjetër për Ormën Alliun:  “Një tjetër emër prijsi popullor dhe trim i Ali Pashë Tepelenës është ai i Ormën Alliut (Agës) që ka udhëhequr fshatin në kapërcyllën midis dy shekujve. Në mbledhjen që Valiu i Janinës organizoi në Sevaster për mbledhjen e taksave, Ormëni përfaqësoi Kalivaçin. Pas konfliktit me Valiun për taksat e fshatit, Ormëni vendosi t’i zinte pritë në Qafën e Mehmete, në zonën e Sinanajve. Për këtë duhej dhe fshehtësi, ndaj me vete mori vetëm djalin dhe nipin.

Bëmat e trimit kalivaças Ormën Alliu janë përjetësuar, ndër të tjera edhe në këngën “Ormëni ç’i hipi kalit”, e cila është kënduar me mjeshtëri në festivale kombëtare nga Grupi i Këngës Polifonike të Kalivaçit, i drejtuar nga marrësi virtuoz i këngëve Shyqyri Hysi.

Në disa këngë popullore të zonës së Kudhësit përmendet dhe një trim tjetër po me emrin Ormën, por ky është Ormën Dashi nga Golimbasi (dajua i babait të Tafil Stafajt) që ka vrarë Hariz Kananin, të vëllanë e Kapo Kananit nga Sevasteri dhe nuk duhet ngatërruar me Ormën Alli Kalivaçin.

Kundërshtimi i kalivaçasit Rrapo Mustafai ndaj raprezaljeve të Ali Pashë Tepelenës.      

Sipas Xh. Aliut, Rrapo Mustafai ka qenë nga lagja Hasanbegaj dhe kishte dy vëllezër të tjerë. Ky  kalivaças ka kundërshuar Ali Pashë Tepelenën për raprezaljet që ai kryente ndaj popullsisë së pafajshme. Rrapo Mustafai ka vepruar rreth viteve 1800. Ai ka qenë njeri nga tre djemtë e Mustafait, pasardhës i Mato Hasanit, që banonin në pronat e tyre në Leshnje e Mëhallë të Specovës. Kalivaçasi Rrapo Mustafai, si dhe prijësa të tjerë të njohur të krahinës, si Caush e Lame Lika në Dorëz (para se të shpërnguleshin në Specovë të Kalivaçit), Demirajt në Kutë dhe Leskajt në Levan të Tepelenës nuk i kishin mirë punët, por konflikte me Ali Pashën, ndaj të cilit kishin reaguar hera herës. Kur Aliu deshi të dënonte pa të drejtë këta prijësa, fshatarët çorrushiotë vihen në ndihmë të tyre për të mos u kapur nga pashai. Beber Sadikaj nga Çorrushi (i ngarkuar nga Ali Pasha si shef i armatimit për pashallëkun e Janinës, si dhe përgjegjës i depove të armatimit për zonën Tepelenë-Mallakastër), megjithëse shërbente pranë pashait, nëpërmjet angazhimit të bashkëfshatarëve çorrushiotë ndihmoi Rrapo Mustafain nga Kalivaçi me municione e fishekë, që të mos binte në pritën e ngritur nga Aliu.

Çaush Lika e Lame Lika

Fisi i  Çaush Likës dhe të vëllait, Lames u shpërngulën nga fshati Dorëz për në Specovë të Kalivaçit, për t’u shpëtuar raprezaljeve të Ali Pashës. (Çaushnënoficer me gradën e rreshterit në ushtrinë  e Perandorisë Osmane; ushtarak pranë një oficeri të lartë ose një komandanti për të kryer detyra të ndryshme; topçi; por edhe emër që u vihej djemve).

Për këta dy burra të shquar ka disa rrëfenja të treguara dhe këngë të kënduara qysh para më shumë se 200 vjetëve në zonat tona, të cilat kanë mjaft ngjajshmëri midis tyre, por në disa aspekte ndryshojnë nga njera tjetra. Tregimet dhe këngët e kanë burimin nga tradita gojore prej pasardhësve të fisit të Çaushajve në Dorëz (e treguar nga Agron Mema), sipas tregimit të mësuesit Syrja Dalipi dhe tregimit të publikuar nga Xhelil Aliu nga Kalivaçi, në këngët popullore që këndohen në trevën tonë, si dhe në një këngë popullore Kënga e Lame Ligës e marrë nga MBLETA e Thimi Mitkos.

Tek ‘Kënga e Lame Ligës’ (Mitko, Th. 1918, popullore, marrë nga MBLETA e Mitkos, botuar në ‘The Adriatic Review’ September 1918, f. 45)  të Thimi Mitkos: Sipas titullit dhe shënimeve sqaruese del se kënga i kushtohet Lame Ligës nga Mallakastra. Nuk ka dyshim se këtu, për ‘Mallakstër’ duhet kuptuar Kalivaçi, fshat që bënte pjesë në këtë krahinë dhe është e njohur historikisht se këtu kanë ardhur nga fisi Çaushaj nga Dorëza pas konfliktit me Ali Pashën. Po ashtu, në këngë, fjala‘Çaush’  mendoj se ka të bëjë me detyrën që i kishte caktuar Ali pasha Lame Ligës (si nënoficer me gradën e rreshterit, që komandonte grupin e rojeve në kalanë tek Shkëmbi i Ylynecit për kontrollin e rrugës Vlorë-Ylynec-Tepelenë-Janinë dhe marrjen e taksës për rrugën). Kështu që, fjalët  “Çaush Liga’ duhen kuptuar si ‘Çaushi – nënoficeri Lame Liga’.  Kënga e përshkruan Lamen si një  burrë të shkurtër por trim, i cili ka patur djalë Tahirin dhe vajzë Havanë. Në shtëpinë e Lames vjen një mysafir që e ndiqnin armiqt’ e tij t’a vrisnin. Por, sipas traditës dhe besës, i zoti i shtëpisë nuk mund t’a dorëzonte mysafirin dhe lufton me armiqt e tij. Lufta zgjat një ditë e një natë, dhe, megjithëse Çaushi Lame ka vetëm 28 fishekë, arrin të vrasë 7 a 8 armiq deri sa plagoset rëndë duke iu thyer një dorë dhe një këmbë. Tahiri, i trëmbur nga frika e braktisi të jatin, teksa e bija Havaja trime i  qëndroi pranë duke i mbushur fishekët dhe ai qëllonte.

Vrasja e Ali Pashë Tepelenës

Trima nga fshati i Kalivaçit, si dhe Krahësi etj., e mbështetën fuqimisht Ali Pashë Tepelenën. Mjaft bashkëfshatarë kanë qenë oficerë dhe ushtarë në garnizonin e Janinës, në kalanë e Gjirokastrës e gjetkë. Thuhet se edhe në momentet e fundit kur ishte i rrethuar nga ushtritë turke, pasi ishte shpallur ‘fermanlli’ nga Sulltani për synimet e tij për shtet të pavarur, Aliu dërgoi njerëz dhe pyeti nëse Kalivaçi i qëndronte besës dhe a do të vinte në pranverë ta çlironte nga rrethimi (me sa duket mbështetur në besnikërinë e kapedanit kalivaças në shërbim të tij, Ormën Alliut dhe kalivaçasve të tjerë).

Aliu ushqeu synimin për pavarësi të plotë ndaj Turqisë, duke u ngritur hapur kundër saj në vitin 1820, vit në të cilin shpallet “Fermanlli” prej Sulltanit (shkelës i dekretit të Sulltanit dhe duhej ekzekutuar). Për rreth dy vjet ndodh përballja e madhe e Aliut me Perandorinë. Paralelisht, ai ndihmon lëvizjet çlirimtare të popujve të ballkanit e vecanërisht kryengritjen e popullit grek. Megjithëse i tradhtuar prej bijve dhe prej shumë nga trashëgimtarët krahinorë, përballoi me dinjitet perandorinë. I quajtur nga personalitetet më në zë të kohës ‘Pirrroja i ri’, “’Pantera e Epirit’, ‘Asllani i Shqipërisë’, ‘Luan i Janinës’, ‘Napoleoni i vogël’, ‘Skënderbeu modern’, vritet pabesisht te kisha e Pandelejmonit nw ishullin e liqenit tw Janinës, më 24 janar (5 shkurt me kalendarin e ri) 1822, duke i prerë kokën. Trupi i Ali pashë Tepelenës u varros përkrah Eminesë së tij të virtytshme në kështjellën e Litharicës, Janinë ndërsa koka e tij, pasi i bënë të githa nderet dhe e shetitën mbi një tepsi nëpër rrugët e qytetit të Janinës, e treguar nga posta në postë, u dërgua në Stamboll si peshqesh Sulltanit dhe u vendos në oborrin e Sulltanit në ‘Kamaren e Turpit’.

Lidhur me vrasjen e Ali Pashë Tepelenës po përmendim dy raste.

(i) Tregimi i cicerones së Muzeut të Ali Pashë Tepelenës në ishullin e Janinës: gjatë një vizite në shtator 1986, ciceronia e Muzeut tregonte se kjo shtëpi ka qënë pronë e Aliut, por që nuk e dinte njeri. Dukej se nga një derë anësore e brendshme e shtëpisë dilje në një tunel, i cili kishte lidhje me kështjellën e Litharicës, në anën tjetër të ishullit, në Janinë. Kur Aliu ishte i rrethuar në kështjellën e Janinës dhe priste fermanin e faljes nga Sulltani, nëpërmjet tunelit erdhi tek shtëpia e ishullit i shoqëruar nga e shoqja dhe një numër i vogël besnikësh të tij. Për habinë tonë, ciceronia na tregoi se Aliun e tradhtoi e shoqja, Vasiliqia. Vasiliqia ka qenë mjaft e bukur dhe portreti i saj thonë se njihej në Perandori. Kur ushtarët osmanë endeshin duke kontrolluar nëpër ishull, Vasiliqia doli në hajatin e katit të dytë, ku qëndronte me Aliun dhe u bëri shenjë ushtarëve. Kur ushtarët hynë në katin e parë, Vasiliqia goditi me këmbë dyshemenë në vendin ku qëndronte Aliu. Ata qëlluan me kobure që poshtë (tre vrima duken edhe sot në atë dysheme), duke e plagosur Alinë. Pashai së bashku me trimat e tij luftoi egërsisht me ushtarët osmanë, por më në fund, e nxorrën tek shkallët dhe atje i prenë kokën. Vasiliqinë nuk e prekën por i dhanë një çiflik ku jetoi deri në fund.

Mendojmë se kjo rrëfenjë mund të mos jetë pa bazë, përderisa edhe studiuesi A. Baldaçi e përmend tradhtinë e Vasiliqisë.

(ii) Baldaçi, në librin e vet (Baldacci, A Rrugëtime Shqiptare1892, f. 119) shkruan për vizitën e tij “… në nisinë e famshme (ishulli i Pandeleimonit në liqenin e Janinës) për vrasjen e Aliut, kryer në bashkëpunim me bukuroshen e tij të dashur Vasiliqi (e cila rrinte shtrirë me tiranin, ndërsa armiqtë po vërshonin në shtëpi, duke shkallmuar dyert dhe duke kërkuar prenë, që ua tregoi tradhtarja greke, pasi e braktisi menjëherë në fatin e vet)”.

La Quotidienne (1831)- Fjalimi i Mustafa Pashë Bushatlliut para njerëzve më të rëndësishëm të Shkodrës: “Preferoni të qëndroni nën zgjedhën e Portës apo të mbroni lirinë tuaj?”

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Janar 2022

 

“La Quotidienne” ka botuar, të hënën e 18 prillit 1831, në ballinë, një shkrim në lidhje me fjalimin e mbajtur nga Mustafa Pashë Bushatlliu para njerëzve më të rëndësishëm të Shkodrës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

 

Shqipëri

 

Shkodër, 5 mars. (Korrespondencë nga Gazeta Augsburgut.)

 

Pak ditë më parë, Mustafa Pasha thirri njerëzit më të rëndësishëm të qytetit tonë, për të marrë mendimin e tyre për raportin që kishte marrë se Veziri i Madh kishte marrë vendimin për fillimin e luftimeve kundër Pashallëkut të Shkodrës. Mustafai iu drejtua këtij kuvendi në një fjalim, pasazhet më të shquara të të cilit janë si më poshtë :

 

Veziri i madh (e ka fjalën për Reshid Pashën) dëshiron të ndajë territorin tonë. Tashmë, qoftë me kërcënime, qoftë me premtime të rreme, ai ia doli të nënshtrojë nën pushtetin e tij qytetetet e Elbasanit, Tiranës, Kavajës, Durrësit, Krujës dhe Ohrit.

 

Ju kam thirrur së bashku për t’ju bërë të ditur gjendjen e gjërave dhe për të ditur nëse preferoni të qëndroni nën zgjedhën e Portës dhe t’i nënshtroheni sistemit të ri ushtarak dhe sistemit të ri të taksave, apo të mbroni lirinë tuaj; në këtë rast jam gati të sakrifikoj deri në pikën e fundit të gjakut tim; Më duhet t’ju them se e gjithë forca e Vezirit të Madh përbëhet nga vetëm 16.000 burra. Prandaj nuk është e frikshme dhe nuk duhet të frymëzojë ndonjë frikë serioze.

 

Djali im është vendosur në Dibër me 8.000 burra të fisit të Madganit (Matjanit), gati për të hyrë në fushatë. Boshnjakët, zotërit e Gjakovës dhe Prizrenit, si dhe një pjesë e Serbisë, më dhanë sigurinë se do të më vinin në ndihmë në luftën që po përgatitet. Unë kam kërkuar një burrë nga çdo familje e pashallëkut tim dhe besoj se jam në gjendje të hyj në fushatë katër ditë pas festës së Bairamit.

 

Ky ligjërim ndërpritej shpesh nga shenja të qarta pëlqimi. Kuvendi njëzëri deklaroi se duhej luftuar për ruajtjen e pavarësisë së vendit.

 

Mësuam se qytetet e përmendura më lart ishin të pushtuara vetëm nga një pjesë e vogël e ushtrisë së Vezirit të Madh, ai vetë ishte ende rreth Korçës me dhjetë mijë burra.


Send this to a friend