VOAL

VOAL

Votimi për sovranitetin e Kosovës 1991 – Nga ALBIN KURTI

September 26, 2021

Komentet

SHBA teston raketën balistike ndërkontinentale “Minuteman 3”

VOA

Ushtria amerikane njoftoi sot se kreu një provë me raketën balistike ndërkontinentale “Minuteman 3”, provë e shtyrë për të shmangur shkallëzimin e tesioneve me Kinën, gjatë manovrave që Pekini kreu pranë brigjeve të Tajvanit.

Prova me raketë tregon “gadishmërinë e forcave bërthamore amerikane dhe tregon besim në forcën goditëse dhe efektshmërinë e politikës amerikane të frenimit bërthamor”, thuhet në njoftimin e ushtrisë amerikane.

Zyrtarët thanë se në të kaluarën janë kryer rreth 300 prova të kësaj natyre dhe e tanishmja nuk lidhet me ndonjë zhvillim të caktuar ndërkombëtar.

Në muajin prill ushtria amerikane anuloi një tjetër provë me raketën ndërkontinentale për të ulur tensionet bërthamore, ndërsa Rusia po kryente sulmin në Ukrainë.

Raketa “Minuteman 3”, prodhim i firmës Boeing, e aftë të pajiset me mbushje bërthamore, është një nga raketat kryesore të arsenalit bërthamor amerikan.

Ajo ka një rreze prej mbi 9600 kilometrash dhe lëviz me një shpejtësi mbi 24 mijë kilometrash në orë.

Banka e Austrisë: 75% e familjeve në Shqipëri nuk kanë mundësi të kursejnë asnjë lek

Si para dhe pas pandemisë Shqipëria paraqitet me numrin më të lartë të familjeve në 9 vendet e Rajonit të Europës Juglindore që nuk kanë mundësi të kursejnë sipas anketës së Bankës Qendrore të Austrisë të vjeshtës 2021 (shih grafikun bashkëngjitur).

Siç tregojnë të dhënat e anketës, rreth 75 për qind e familjeve në Shqipëri nuk kanë plane për të kursyer pas krizës pandemike. Kjo tendencë mund të thellohet nga çmimet e larta pas luftës në Ukrainë.

Gjithashtu Serbia dhe Bullgaria kishin një përqindje të konsiderueshme të familjeve që nuk kishin mundësi të kursenin pas pandemisë.

Por rreth 10 për qind e familjeve në Shqipëri kanë deklaruar se kanë plan të kursejnë më shumë se para pandemisë. Niveli i familjeve që kanë në plan të kursejnë më shumë është i krahasueshëm me atë të vendeve të tjera.

Madje përqindja e familjeve që kanë në plan t’i rrisin kursimet në Shqipëri është sa dyfishi i familjeve në Bullgari dhe më i lartë se në Hungari dhe gati në nivel të njëjtë me Serbinë.

Image

Përqindjet e larta të familjeve që nuk kanë mundësi të kursejnë dhe atyre që do të kursejnë më shumë tregojnë për një polarizim të shoqërisë në Shqipëri.

Sipas statistikave monetare për nëntë vendet e Europës Juglindore (CESE) norma e rritjes e depozitave të individëve mbeti pozitive gjatë rrjedhës së pandemisë COVID-19. Në Çeki dhe Rumani, rritja e depozitave të individëve u përshpejtua gjatë viteve pandemike 2020 dhe 2021, ndërsa në Bullgari, Kroaci, Hungari, Shqipëri dhe Serbi, filloi përshpejtohet në vitin 2021.

Në Poloni, norma e rritjes së depozitave ishte përshpejtuar në 2019 dhe u ngadalësua disi gjatë pandemisë, por mbeti më lart se nivelet e para krizës. Vetëm në Bosnje dhe Hercegovinë rritja e depozitave u ngadalësua, por u kthye në nivelet e para krizës në vitin 2021.

Rritja e depozitave të familjeve gjatë pandemisë kryesisht reflekton kursimin e detyruar për shkak të kufizimeve në lëvizje.

Ndërsa disa familje mund kanë rritur kursimet e tyre, shumica nuk kishin mundësi për kursime.

Anketa e Bankës Qendrore të Austrisë në vendet e CESE u bë vjeshtën e vitit 2021, pasi e para, se të fillonte kriza e çmimeve të energjisë, rritja e çmimeve të lëndëve të para dhe lufta në Ukrainë, ku pasojat e saj do të vënë më shumë nën presion familjet në Rajon.

Mesatarisht në të gjithë Rajonin 12 % e familjeve pohuan se kursimet e tyre ishin rritur gjatë pandemisë, ndërsa 33% thanë se kursimet e tyre ishin ulur. /B.Hoxha/MONITOR

Në Kosovë do të mbahet stërvitja më e madhe fushore e Ballkanit: ‘Defender Europe 23’

Në Kosovë do të mbahet stërvitja më e madhe fushore e Ballkanit ‘Defender Europe 23’. Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj i cili shkruan në Fb:

“Republika e Kosovës do të jetë vend pritës i ushtrimit më të madh fushor në rajonin e Ballkanit “Defender Europe 23”.

Përgatitjet janë duke vazhduar, ushtrimet parapërgatitore të ushtrisë sonë, blerja e pajisjeve dhe kompletimi i infrastrukturës, i paraprijnë këtij ushtrimi.

Në “Defender Europe 23”, ushtria e Kosovës do të marr pjesë me dy regjimente. Gjatë këtij ushtrimi, planifikohet që të validohen kapacitetet e këmbësorisë së FSK-së në nivel të Regjimentit , nga njësi të specializuara për validim të Ushtrisë Amerikane.

Ushtrimi “Defender Europe 23″, do të dëshmoi edhe një herë përgatitjen dhe profesionalizmin e lartë të ushtrisë sonë”, ka theksuar Mehaj.

SHBA dhe Koreja e Jugut pritet të nisin stërvitjet e përbashkëta ushtarake

Stërvitjet e përbashkëta mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut. Fotografi ilustruese.

RFE/RL

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut javën e ardhshme pritet të nisin stërvitjen më të madhe ushtarake të kombinuar në vitet e fundit, përballë një Koreje të Veriut gjithnjë e më agresive, e cila ka shtuar testet e armëve dhe kërcënimet e konfliktit bërthamor kundër Seulit dhe Uashingtonit, tha të martën ushtria e Jugut.

Stërvitjet verore të aleatëve, të cilat do të zhvillohen nga 22 gushti deri më 1 shtator në Korenë e Jugut nën emrin “Mburoja e Lirisë Ulçi”, do të përfshijnë ushtrime në terren me avionë, anije luftarake, tanke dhe potencialisht dhjetëra mijëra trupa.

Stërvitjet nënvizojnë angazhimin e Uashingtonit dhe Seulit për të kthyer trajnimet në shkallë të gjerë, pasi viteve të fundit ata anuluan disa prej stërvitjeve të rregullta për të krijuar hapësirë për diplomaci me Phenianin dhe për shkak të shqetësimeve të COVID-19.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha gjithashtu se marina e SHBA-së, Koresë së Jugut dhe Japonisë morën pjesë në stërvitjet e paralajmërimit të raketave dhe kërkimit të raketave balistike në brigjet e Havait prej 8 deri më 14 gusht, të cilat sipas tij synonin të çonin përpara bashkëpunimin trepalësh përballë të sfidave me Korenë së Veriut.

Derisa SHBA-ja dhe Koreja e Jugut i përshkruajnë stërvitjet e tyre si mbrojtëse, “Mburoja e Lirisë së Ulçit” me siguri do të ketë një reagim të zemëruar nga Koreja e Veriut, e cila i përshkruan të gjitha stërvitjet mes aleatëve si prova pushtimi dhe i ka përdorur ato për të justifikuar zhvillimin e armëve bërthamore dhe raketave.

Më herët SHBA-ja dhe Koreja e Jugut zhvillonin stërvitje të mëdha të përbashkëta çdo pranverë dhe verë në Korenë e Jugut. Ato pranverore ishin me zjarr të vërtetë që përfshinin një gamë të gjerë mjetesh tokësore, ajrore dhe detare dhe zakonisht përfshinin rreth 10.000 trupa amerikane dhe 200.000 trupa koreane.

Dhjetëra mijëra trupa aleate kishin marrë pjesë në stërvitjet e verës, të cilat kryesisht përbëheshin nga simulime kompjuterike për të përmirësuar vendimmarrjen dhe planifikimin e përbashkët.

Deri tani nuk është bërë publik numri i trupave që do të marrin pjesë në stërvitjen e javës së ardhshme.

Stërvitjet të cilat do të nisin me një program trajnimi katër-ditor të mbrojtjes civile të Koresë së Jugut, të udhëhequr nga punonjës të qeverisë, thuhet se do të përfshijnë ushtrime që simulojnë sulme të përbashkëta, përforcime të vijës së parë të armëve dhe heqjen e armëve të shkatërrimit në masë.

Aleatët gjithashtu do të stërviten për sulme me dronë dhe zhvillime të tjera të reja luftarake të treguara gjatë luftës së Rusisë ndaj Ukrainës dhe do të praktikojnë reagime të përbashkëta ushtarako-civile ndaj sulmeve në portet detare, aeroportet dhe objektet kryesore industriale.

“Kuptimi më i madh i (Mburojës së Lirisë Ulçi) është se ajo normalizon stërvijet e kombinuara dhe ato në terren mes Korensë së Jugut dhe SHBA-së, duke duke kontribuar në rindërtimin e aleancës Kore e Jugut-SHBA”, tha Moon Hong-sik, një zëdhënës i ministrisë së Mbrojtjes.

Disa ekspertë thonë se Koreja e Veriut mund t’i përdorë stërvitjet si një justifikim për të nxitur tensionet.

Në një intervistë për Associated Press TV, Choe Jin, zëvendësdrejtor i një instituti kërkimor të drejtuar nga ministria e Jashtme e Phenianit, tha se SHBA-ja dhe Koreja e Jugut do të përballen me sfida “të pashembullta” të sigurisë nëse nuk heqin dorë nga fushata e tyre armiqësore ushtarake kundër Koresë së Veriut, duke përfshirë stërvitjet e përbashkëta ushtarake.

Kim Jun-rak, zëdhënës i shefave të Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut, tha se ata dhe amerikanët po vëzhgojnë nga afër aktivitetet dhe objektet ushtarake të Koresë së Veriut.

Armiqësia në Gadishullin Korean është krijuar që kur negociatat bërthamore SHBA-Kore Veriore dështuan në fillim të vitit 2019.

Korea V. e ka të ndaluar përdorimin e raketave balistike nga rezoluta e Këshillit të Sigurisë në Kombet e Bashkuara, dhe është nën sanksionet e SHBA-se dhe Britanisë për programin bërthamor.

Kim Jong Un që atëherë ka deklaruar se do të forcojë parandalimin e tij bërthamor përballë presionit të SHBA-së “si gangster” dhe ka ndërprerë të gjithë bashkëpunimin me Korenë e Jugut. Duke shfrytëzuar një ndarje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për luftën e Rusisë ndaj Ukrainës, Koreja e Veriut ka rritur testimin e armëve me një ritëm rekord këtë vit, duke kryer më shumë se 30 lëshime balistike.

Koreja e Jugut dhe zyrtarët amerikanë thonë se Koreja e Veriut që nga shtatori 2017 po përgatitet gjithashtu për testin e saj të parë bërthamor.

Presidenti Bajram Begaj takon kryeministrin Albin Kurti

Presidenti i Republikës Bajram Begaj është sot në një vizitë zyrtare në Kosovë, e para që nga marrja e detyrës.

Pas takimit me homologen e tij Vjosa Osmani dhe kryetarin e Parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca, ai ka vizituar edhe memorialin e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Kreu i shtetit shqiptar po zhvillon një takim edhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Njoftimi i Presidencës:

Presidenti Begaj ka përshëndetur angazhimin e dy qeverive për zhvillimin e një Kuvendi Kombëtar më 28 nëntor 2022, moment që sipas tij, do të përcjellë për mbarë popullit shqiptar dhe bashkësisë ndërkombëtare mesazhe të unitetit të faktorit shqiptar dhe aspiratave tona për zhvillim, paqe dhe vlerat më të mira demokratike.

Presidenti i Republikës ka përshëndetur maturinë e institucioneve të Kosovës në përballimin e krizës së 31 korrikut dhe mbështeti të drejtën legjitime të Kosovës për shtrirjen e autoritetit dhe vendosjen e sundimit të ligjit në veri të vendit, në bashkëpunim me ShBA-në dhe BE-në.

Në takimin me kryeministrin Kurti dhe kryeparlamentarin Konjufca, Kreu i Shtetit theksoi se, abetarja e përbashkët do të jetë gati për 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe do të punohet për projektin madhor të Enciklopedisë shqiptare.bw

Ndërron jetë pas një sëmundje të gjatë gazetari Mehmet Emerllahu, detajet e ceremonisë mortore

Ditën e sotme është ndarë nga jeta gazetari nga Kosova Mehmet Emerllahu.
Një njoftimin mbi detajet e ceremonisë mortore, bëhet me dije se i ndjeri vuante nga një sëmundje e rëndë.

Gazetari do të përcillet për në banesën e fundit ditën e nesërme.

“Miq, me dhimbje të thellë u njoftojmë se sot pas një sëmundje të gjatë ndërroi jetë më i dashuri ynë, Mehmet Emerllahu.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër më 16.08.2022 ora 15:00 në varrezat e fshatit Ramjan.

Nisja e funeralit organizohet nga shtëpia e të ndjerit në rrugën Astrit Bytyqi në Ferizaj.

Do të mbetesh përgjithmonë shembull i një intelektuali të mirëfilltë dhe udhërrëfyesi i familjes dhe jo vetëm:, thuhet në njoftim.bw

Kosovë- kthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se është kthyer furnizimi i rregullt me energji elektrike, shkruan Express.

 

Komunikata e plotë:

Kthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike

Nr.86/22

Prishtinë, 15.08.2022 – Duke u nisur nga situata botërore me krizën energjetike që ka prekur edhe rajonin, të gjitha institucionet përgjegjëse po punojnë intensivisht dhe në koordinim për sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike.

Institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim. Megjithatë, marrë parasysh situatën, luten të gjithë qytetarët dhe bizneset që të marrin masa kursimi dhe të jenë sa më të kujdesshëm në përdorimin e energjisë elektrike.

Bashkëpunimi me Shqipërinë do të pasohet nga të tjera masa në adresim të krizës energjetike dhe gjendjes së emergjencës ku ndodhemi.

Osmani: BE-ja të jetë më e zëshme karshi tendencave destabilizuese serbe

RFE/RL

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova dhe Serbia nuk mund të trajtohen njëjtë kur bëhet fjalë për përdorimin e retorikës luftënxitëse, teksa kërkoi që Bashkimi Evropian të reagojë ndaj “tendencave destabilizuese të Serbisë”.

Ky reagim i Osmanit vjen një ditë pasi Bashkimi Evropian u bëri thirrje liderëve në Kosovë dhe Serbi t’i japin fund retorikës nxitëse pasi tha se “do t’i mbajë përgjegjës liderët politikë për çfarëdo përshkallëzimi të situatës në rajon”.

“Ne presim që Bashkimi Evropian të jetë më i zëshëm karshi tendencave destabilizuese të Serbisë ndaj gjithë rajonit, tendenca këto që janë të nxitura dhe i shërbejnë interesave të Rusisë. Nuk ka dhe nuk mund të ketë ekuivalencë të trajtimit të palëve kur qartazi Serbia është agresori dhe është ajo që po përdor retorikë luftënxitëse në raport me Kosovën. Por edhe veprime të cilat cenojnë paqen dhe stabilitetin ndaj Kosovës”, tha Osmani gjatë një konference për media në Prishtinë me homologun e saj shqiptar, Bajram Begaj.

BE-ja shprehu shqetësimin e saj më 14 gusht, teksa zyrtarët në Serbi dhe Kosovë kanë shkëmbyer akuza për rritjen e tensioneve. Përderisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ka pasur rrezik që tensionet e fundit në veri të përshkallëzoheshin në konflikt të armatosur, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ka informacione se Prishtina po përgatitet të “likuidojë” serbët në veri.

Ndërkaq, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se Kosova shprehu maturi në tensionet e fundit në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht, kur serbët lokalë bllokuan rrugët për të shprehur kundërshtimin e tyre për vendimet e Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.

Presidenti shqiptar tha se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, midis Kosovës dhe Serbisë, është mënyra e vetme për, siç tha ai, t’ia bërë të qartë Serbisë se “realiteti i Kosovës së pavarur është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm”.

“Formula e zgjidhjes së dialogut Kosovë-Serbi e shprehur nga presidenti [i Shteteve të Bashkuara, Joe] Biden, si marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve e fokusuar në njohje reciproke. Apo qëndrimi i përsëritur i kancelarit [gjerman, Olaf] Scholz se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE, janë inkurajuese në përpjekjet tona që rezultati përfundimtar të jetë një: marrëveshje e detyrueshme ligjore që përcakton saktësisht njohjen e ndërsjellë, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtimin e drejtë të minoriteteve sipas Kushtetutës së Kosovës”, tha Begaj.

Presidenti i Shqipërisë po ashtu shprehur mbështetjen e shtetit të tij për anëtasëimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare, sikurse BE-ja dhe NATO-ja, por po ashtu tha se Tirana do të punojë që liberalizimi i Kosovës të ndodhë shpejt.

Begaj u zgjodh president i Shqipërisë më 4 qershor, ndërkaq bëri betimin më 24 korrik. Presidentët shqiptarë tradicionalisht vizitën e parë jashtë shtetit e realizojnë në Kosovë, një traditë që është ndjekur edhe nga pala kosovare.

Begaj: Shtrirja e autoritetit të Kosovës në veri – tërësisht e ligjshme

VOA/Edlira Bllaca

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha të hënën në Prishtinë se i mbështet plotësisht veprimet e autoriteteve të Kosovës, pas tensioneve në veriun e vendit më 31 korrik, ku protestuesit bllokuan rrugët për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për masat e reciprocitetit me Serbinë për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.

Këto komente zoti Begaj i bëri pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në vizitën e tij të parë jashtë vendit që kur mori detyrën.

“Përshëndes maturinë e shtetit të Kosovës në përballimin e krizës së 31 korrikut dhe mbështesë plotësisht të drejtën e saj legjitime për shtrirjen e autoritetit dhe vendosjen e sundimit të ligjit në veri të vendit, në bashkëpunim me partnerët tanë strategjik – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Vlerësoj qëndrimin e presidentes dhe qeverisë së Kosovës në vazhdimin e dialogut me Serbinë, si e vetmja mënyrë për të bërë të qartë se realiteti i Kosovës së pavarur është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm”, tha zoti Begaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi nga Bashkimi Evropian të jetë më i zëshëm përballë tendencave, siç tha ajo, destabilizuese të Serbisë ndaj gjithë rajonit, të cilat tha se janë të nxitura dhe në shërbim të interesave të Rusisë.

Bashkimi Evropian u bëri thirrje të dielën udhëheqësve të Kosovës dhe të Serbisë t’i japin fund retorikës nxitëse, duke iu referuar deklaratave për luftë dhe konflikt në Ballkanin Perëndimor. Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ka pasur rrezik që tensionet e fundit në veri të përshkallëzoheshin në konflikt të armatosur, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha javën që lamë pas se ka informacione qe Prishtina po përgatitet të “likuidojë” serbët në veri.

“Nuk ka dhe nuk mund të ketë ekuivalencë të trajtimit të palëve kur qartazi Serbia është agresori edhe një herë, dhe është ajo që po përdorë retorikë luftënxitëse në raport me Kosovën por edhe veprime të cilat cenojnë paqen dhe stabilitetin ndaj Kosovës. Prandaj presim që sinjale të qarta nga Bashkimi Evropian të jepen në raport me Serbinë, e cila duhet një herë e përgjithmonë të ndalojë këto veprime që cenojnë sigurinë në rajon”, tha zonja Osmani.

Presidentja Osmani dhe presidenti Begaj, u zotuan se do të përpiqen të thellojnë bashkërendimin në një kohë të ndjeshme për sigurinë në rajon dhe botë, duke iu referuar agresionit rus në Ukrainë.

“Lufta në Ukrainë na tregon edhe një herë se paqja është delikate dhe si asnjëherë më parë bota po përballet me kërcënime të reja. Siguria kombëtare, pavarësia energjetike, siguria ushqimore, pandemitë, siguria kibernetike, rezervat ujore e shumë të tjera, janë fusha me rëndësi prioritare dhe më shumë se kurrë kërkojnë bashkëpunim të shtuar”, tha presidenti Begaj.

“Fakti që Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s krijon siguri më të madhe në gjithë rajonin tonë, në këtë kohë kur po sfidohet arkitektura e sigurisë jo vetëm në kontinentin tonë por edhe më gjerë, siguria është shndërruar në përparësi. Prandaj krahas procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO, që mbetet synim i yni i vazhdueshëm, ne po bëjmë bashkërendim të plotë e të afërt me partnerët tanë strategjik në mënyrë që rajoni të ndjehet çdo herë e më i sigurt”, tha presidentja Osmani.

Ajo nënvizoi se me presidentin Begaj ka diskutuar edhe mundësinë e nënshkrimit të një traktat për mbrojtje të ndërsjellë.

Presidenti Begaj, tha se mbështet anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, ndërsa siguroi se Shqipëria do të jetë zëdhënëse dhe përforcuese e zërit dhe interesave të Kosovës.

“Jam i lumtur që vij në shtëpinë e Shqiptarisë”- Presidenti Begaj në Prishtinë: Mbështesim aspiratën e Kosovës për anëtarësim në NATO

Presidenti Bajram Begaj ka nisur vizitën e tij zyrtare në Kosovë, me ftesë të homologes Vjosa Osmani.

Në konferencën e përbashkët për mediat, Begaj theksoi se është i lumtur që viziton shtëpinë e Shqiptarisë dhe e vendosi theksin te mbështetja që Shqipëria i jep Kosovës për anëtarësimin në NATO dhe të gjitha organizatat e rëndësishme ndërkombëtare.

“Jam shumë i lumtur për ftesën tuaj. Vij në shtëpi. Në shtëpinë e shqiptarisë. Aty ku shtëpia është e zotit dhe e mikut. Dy dialekte dhe një gjuhë. Dy republika dhe një komb. Kjo është harta jonë patriotike për rrugën drejt Brukselit. Së bashku fituam luftën dhe bashkë do të luftojmë për të ruajtur paqen. Kjo është motoja në çdo kulm kulle dhe çdo pëllëmbë të kësaj toke që quhet Dardani. Asnjë raport i trilluar që tenton të njollosë gjakun dhe vetëflijimin e shqiptarëve në mbrojtje të lirisë dhe identitet kombëtar nuk do arrijë të zbehë përpjekjen. Shqipëria mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO”, tha Begaj.

Më tej Kreu i Shtetit deklaroi se Shqipëria qëndron në krah të Kosovës dhe përshëndeti “maturinë e autoriteteve për mënyrën e menaxhimit të situatës së 31 korrikut” në Veri të Kosovës, ku zbatimi i reciprociteti nga Prishtina zyrtare nxiti zemëratën e serbëve lokalë, që sulmuan me armë policinë e Kosovës.

“Vazhdimi i dialogut me Serbinë, e vetmja mënyrë që të bëhet e qartë se realiteti i Kosovës së pavarur është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm”, nënvizoi Begaj.BW

“Perëndimi të na ndihmojë për anëtarësimin në BE dhe NATO”, Kurti flet për FT: Beogradi vazhdon me ëndrrat e vjetra, por ne nuk frikësohemi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka kërkuar fuqive perëndimore që ta ndihmojnë vendin të arrijë ambicien për t’iu bashkuar BE-së dhe NATO-s. Ai u kërkon shteteve perëndimore të ushtrojnë presion ndaj qeverive që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, teksa kërkon edhe zgjidhjen e tensioneve me Serbinë.

Këto thirrje vijnë pak ditë përpara se kryeministri Kurti të takohet në Bruksel me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ne kemi nevojë për ndihmën e aleatëve dhe partnerëve tanë – Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të tjerëve për të na ndihmuar me mos njohësit”, tha kryeministri Kurti për Financial Times.

 

Kosova shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Që atëherë, më shumë se 100 vende, duke përfshirë SHBA-në dhe shumicën e anëtarëve të BE-së, e kanë njohur vendin si shtet të pavarur. Por disa vende të BE-së dhe NATO-s si Spanja, Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania ende nuk e kanë bërë këtë.

 

Ndërkohë, Beogradi vazhdon ta shohë Kosovën, popullsia e së cilës është rreth 90 për qind shqiptarë etnikë dhe më pak se 10 për qind serbë, si një krahinë të Serbisë. Ai thotë se shpallja e pavarësisë së Kosovës shkeli një marrëveshje paqeje të bërë në fund të luftërave jugosllave të viteve 1990, në të cilat NATO ndërhyri, duke bombarduar Beogradin në vitin 1999. Tensioni midis të dyve kërcënon rregullisht të minojë stabilitetin në Ballkan.

 

Çështjet në dukje të zakonshme kanë çuar në shpërthime të dhunshme, më së fundmi muajin e kaluar, kur serbët u përleshën me policinë pasi Prishtina tha se targat serbe nuk do të ishin më të ligjshme për qytetarët e Kosovës, përfshirë serbët etnikë. Individëve që hynin në Kosovë nga Serbia u kërkua gjithashtu të përdornin letërnjoftimin e përkohshëm të lëshuar nga Prishtina.

 

Kurti ka argumentuar se përplasjet janë të nxitura nga qeveria serbe. Beogradi ka mohuar përfshirjen. BE-ja kërkoi të dielën që “të dyja palët duhet t’i japin fund menjëherë armiqësive të ndërsjella dhe deklaratave të rrezikshme dhe të veprojnë me përgjegjësi” përpara bisedimeve midis rivalëve në Bruksel këtë javë.

 

Kurti, i cili foli me FT përpara se BE-ja të bënte thirrje për t’i dhënë fund përdorimit të retorikës nxitëse, është planifikuar të takohet me Vuçiçin të enjten kur ata do të diskutojnë për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe lidhjet dypalëshe. Kurti tha se çdo rezolutë duhet të përqendrohet në njohjen reciproke.

 

Duke i bërë thirrje Serbisë të lërë mënjanë nacionalizmin, ai tha: “Këtu mendoj se është problemi me Beogradin. Ata thjesht vazhdojnë me ëndrrat e vjetra, të cilat bëhen makthe për fqinjët e Serbisë, por edhe për popullin serb”.

 

Një “simetri e të drejtave të pakicave” – të njëjtat të drejta për serbët në Kosovë dhe kosovarët në Serbi – do ta luftonte më së miri nacionalizmin, shtoi ai.

Kurti tha se pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë në shkurt kishte nxjerrë në pah besnikërinë konfliktuale në Ballkan. Ndërsa Kosova ishte ndër vendet e para që iu bashkua sanksioneve kundër Rusisë, Serbia ka lidhje të ngushta me Moskën.

Sektori energjetik i vendit është shumë i varur nga burimet ruse dhe i ekspozuar ndaj shumicës së pronësisë ruse të kompanive kryesore. Beogradi mbështeti disa deklarata të OKB-së që mbështesin sovranitetin e Ukrainës pas pushtimit të Moskës në shkurt. Por ajo nuk pranoi t’i bashkohej sanksioneve perëndimore kundër Rusisë dhe këmbënguli në mbajtjen e lidhjeve të ngushta me Kremlinin.

Serbët ushqejnë gjithashtu pakënaqësi ndaj perëndimit për ndërhyrjen e NATO-s në luftën e Kosovës 1998-99, njohjen e Kosovës nga disa qeveri dhe një sërë vendimesh gjyqësore që thanë se shpallja e pavarësisë ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar, thonë analistët.

Kurti tha se ekziston një rrezik i qartë i përfshirjes ruse në marrëdhëniet Serbi-Kosovë, duke rritur shanset për konflikt.

Ne jemi të shqetësuar, por jo të frikësuar”, tha ai. “Si do të zhvillohet situata do të varet shumë nga qëndrimi dhe presioni i demokracive perëndimore ndaj Beogradit.”

Petar Petkoviç, zyrtari më i lartë i qeverisë serbe për çështjet e Kosovës, tha në një përgjigje me shkrim ndaj pyetjeve të FT se Beogradi po ndiqte një “politikë të pavarur kombëtare dhe të sigurisë, duke bashkëpunuar në mënyrë të balancuar si me lindjen ashtu edhe me perëndimin”.

Qëllimi përfundimtar i Beogradit ishte anëtarësimi në BE, tha ai, por shtoi se Kosova dhe Kurti po shtynin një axhendë nën “pretekstin” e luftës në Ukrainë.

Megjithatë, Kurti tha: “Ajo që dëshiron Serbia është të marrë fondet e BE-së, armët ruse, investimet kineze dhe tolerancën amerikane. Nëse demokracitë perëndimore nuk e lejojnë këtë, një zgjidhje do të jetë shumë e lehtë për t’u arritur. Por nëse [serbët] lejohen të luajnë këtë lojë, ky tension do të vazhdojë.”

Duke iu referuar ish-udhëheqësit serb Slobodan Millosheviç, i cili udhëhoqi forcat serbe në një seri luftërash brutale pas rënies së ish-Jugosllavisë në vitet 1990, Kurti tha se që të arrihet përparim, “është shumë e rëndësishme që [serbët] të emancipojnë veten e tyre. nga Millosheviqi dhe nga [presidenti rus Vladimir] Putin”.

Nacionalizmi serb dhe interesat ruse shkuan krah për krah, shtoi ai. “Është e njëjta gjë,” tha ai, duke vënë në dukje se zbërthimi i njërës do të dobësonte tjetrin.

Udhëheqësi i Kosovës tha se edhe pse Prishtina punonte drejt anëtarësimit në NATO, vendi i tij synonte të përmirësonte sistemin e saj ekonomik, ligjor dhe institucional për të treguar se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 kishte krijuar një shtet të qëndrueshëm që ishte një aleat besnik perëndimor.

“Putin. . . dëshiron të tregojë se ndërhyrja ishte një sukses i përkohshëm. Por ne jemi dëshmitarë se Kosova është këtu për të qëndruar”, tha ai duke përdorur emrin e vendit në gjuhën shqipe. “Si në ndërtimin e shtetit demokratik dhe në zhvillimin socio-ekonomik”.

Presidenti Begaj sot dhe nesër në Kosovë- ja agjenda e vizitës

Presidenti Bajram Begaj nist sot vizitën e tij në Kosovë, e para si President i Republikës së Shqipërisë. Ai do të zhvillojë takime në datat 15-16 gusht 2022, i ftuar nga homologia e tij  Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës.

Begaj do të pritet me ecremoni shtetërore në orën 10:00. Në axhendën e tij parashikohet takime kokë më kokë me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin dhe nesër, takim edhe me komandantin e KFOR-it.

Agjenda e vizitës, si më poshtë vijon:

E hënë, 15 gusht 2022

10:00-10:10 Ceremonia pritëse nga Sh. S. Dr. Vjosa Osmani – Sadriu,
Presidente e Republikës së Kosovës.

10:10-10:15 Fotografimi i dy Presidentëve
Nënshkrimi në librin e miqësisë nga Presidenti i Shqipërisë.

10:15-10:30 Takimi Tête-à-tête mes:
Sh. S. Dr. Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës
Sh. T. Z. Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë.

10:30-11:30 Takim me Presidenten e Republikës së Kosovës,
Sh. S. Dr. Vjosa Osmani -Sadriu dhe delegacionin.

11:45 Nderime para memorialit për Personat e Zhdukur.

11:50-12:10 Deklaratë e përbashkët e dy Presidentëve.

12:15-12:55 Takim me Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Kosovës, Sh. T. Z. Glauk Konjufca.

13:00-13:10 Takimi Tête-à-tête mes:
Sh. T. Z. Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë
Sh. T. Z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës.

13:00-13:45 Takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Sh. T. Z. Albin Kurti dhe delegacionin.

15:45 Homazhe tek varri i Presidentit Rugova dhe vendosje e Kurorës.

16:35 – 17:00 Homazhe tek varrezat e Familjes Jashari dhe vendosje e Kurorës. Vizitë në shtëpinë muze të Familjes Jashari.

E martë, 16 gusht 2022

Me ftesë të Presidentit të Shqipërisë, do të zhvillohen në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës takime me:

09:00-09:30 Takim me Kryetarin e PDK-së, Z. Memli Krasniqi.

09:35-10:05 Takim me Kryetarin e LDK-së, Z. Lumir Abdixhiku.

10:10-10:40 Takim me Kryetarin e AAK-së, Z. Ramush Haradinaj.

10:45-11:00 Takim me partitë minoritare.

11:15-11:45 Takim me Komandantin e KFOR-it.

12:20-12:50 Takim me trupat e Forcave të Armatosura Shqiptare, që shërbejne në KFOR (Pejë).

13:35–14:15 Takim me Kryetarin e Komunës së Prizrenit.

14:25-14:45 Vizitë në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit.


Send this to a friend