VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Votimi elektronik në Zvicër – ZVICRA PIONIERE E DEMOKRACISË DIREKTE NË BOTË Nga ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ

By | February 13, 2017

Komentet

Protestat – Ambasada e SHBA paralajmëron qytetarët amerikanë: Shmangni grumbullimet e mëdha

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, lidhur me protestat e planifikuara të opozitës, i ka bërë thirrje shtetasve të saj që të kenë kujdes.

Në një reagim në faqen zyrtare, thuhet se demonstrata të përsëritura pritet të ndodhin në Shqipëri, ndërsa bëhet thirrje që të shmangen vendet ku demonstratat janë të pashmangshme ose në vazhdimësi.

 

Njoftimi i plotë:

Pikat që duhet të shmangen
Ndërtesa e Parlamentit (Tiranë)
Zyra e Kryeministrit (Tirana)
Ndërtesa të tjera qeveritare (Në të gjithë vendin)
Rrugët kryesore në të gjithë vendin
Demonstrata të përsëritura pritet të ndodhin në të gjithë Shqipërinë për një periudhë të pacaktuar kohore, me mundësinë që të bëhen të dhunshme. Datat e sakta dhe kohëzgjatja e këtyre demonstratave janë të panjohura. Demonstrimet e kohëve të fundit kanë përfshirë dhunën, disa demonstrues kanë përdorur pajisje shpërthyese dhe molotov.

Forcat e sigurisë janë përgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat. Personeli i Ambasadës së SHBA-së ju drejtohet që të shmangni të gjitha pikat e grumbullimit dhe vendet ku demonstratat janë të pashmangshme ose të vazhdueshme.

Shmangni grumbullimet e mëdha dhe vendet ku demonstratat janë të pashmangshme ose në vazhdimësi.
Monitoroni mediat  për përditësime.
Jini të vëmendshëm për mjedisin që iu rrethon
Mbani një profil të ulët

Presidenti Meta u kërkon partive të shmangin konfrontimin civil

Ilirian Agolli

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta u bëri thirrje partive kryesore politike të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme në këtë situatë të trazuar dhe të zgjidhin krizën politike.

Presidenti Meta tha se maxhoranca dhe opozita duhet të jenë të përgjegjshme dhe të vetëdijshme për pasojat, që i presin, nëse ndodh që vendi të shkojë në konfrontim civil.

“Kjo situatë nuk duhet të ekzistonte kurrsesi pas 22 vitesh që kur Shqipëria u nda me vitin 1997, që ishte një vit mjaft fatkeq. Të gjithë t’i thërrasin mendjes dhe të marrin përgjegjësitë e tyre. Për interesa tërësisht egoiste dhe okulte Shqipëria nuk ka pse të shkojë në konfrontim dhe as shqiptarët. Ata kanë vendosur të bashkëjetojnë në mënyrë demokratike dhe janë ndarë nga sistemet përjashtuese që në vitin ’90” – tha presidenti Meta.

Ai tha se askush nuk mund të hedhë përgjegjësitë tek të tjerët, aq më pak tek Presidenti i Republikës.

“Ata e dinë vetë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe duhet të jenë të ndërgjegjshëm për pasojat që do të kenë në rast se e çojnë vendin drejt konfrontimit” – tha zoti Meta.

“Ma plasët zemrën”, e mbijetuara e dhunës seksuale flet pas publikimit të fotos në Kuvend

E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi Goodman ka reaguar pas publikimit të fotografisë nje dite me pare nga deputetja Flora Brovina, ne Kuvendin e Kosoves.

 

“Mos e përdorni dhimbjen tonë dhe vuajtjet për përfitimin tuaj. Ma plaset zemrën”, ka shkruar Krasniqi në Twitter.

Një fotografi e publikuar dje nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, tronditi opinionin në Kosovë e më gjerë.

Brovina prezantoi atë që e cilësoi dëshmi fotografike të përdhunimit të një gruaje kosovare në kohë të luftës, nga ushtarët serbë, në sytë e familjes së saj.

Por, fotografia e shfaqur nga Brovina rezultoi të jetë aspak e vërtetë. S’është as nga lufta e Kosovës, e madje as nga ndonjë luftë tjetër.

Në të vërtetë, bëhet fjalë për një film pornografik, skenë të të cilit paraqet fotografia e prezantuar nga Brovina.

Gazeta Express ka raportuar dje se fotografia e publikuar nga Brovina nuk është e vërtetë, dhe se rrjedh nga një ueb-sajt me përmbajtje pornografike.

VAZHDIMËSIA HISTORIKO-GJUHËSORE DHE ETNOKULTURORE E SHQIPTARËVE PËRMES MIJËVJEÇARËVE – Nga Isuf B.Bajrami

 

Me mbështetje të: Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Në bashkëpunim me: Institucionet Universitare të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.

U mbajt Kuvend Ndërkombëtar,“Vazhdimësia Historiko–Gjuhësore dhe Etnokulturore e Shqiptarëve përmes mijëvjeçarëve”.

Tiranë, 09-11 Maj, 2019, Muzeu Kombëtar.

 

Çdo popull ka të drejtë të kërkojë dhe njohë rrënjët e historisë së tij,si gur themelor për ekzistencën dhe ndërtimin e së ardhmes së tij

 

 

Aktualisht qytetërimi shqiptar është në rrezik, për shkak se kujtesa kombëtare e shqiptarëve ndodhet e sulmuar nga të gjitha anët të huajt dhe “shqiptarët”! Ajo që është më e keqja është amullia. Ajo që është më e rrezikshmja, është se shkencat tona, sidomos ato mbi kujtesën edhe shpirtin e kombit kanë hyrë në një greminë negative. Institucionet tona, që duhet ta gërmonin kujtesën edhe të nënvizonin momente të rëndësishme për t’i shërbyer gjuhës, por flenë gjumë.

Studiues shkencorë nga mbarë trevat shqiptare janë bërë bashkë këto ditë në Tiranë për të diskutuar për gjuhën, historinë edhe kulturën shqiptare.

Udhëtimi i Shqiptarëve në rrugëtimin e tyre të dritës dhe të mbijetesës,vërtetë është një udhëtim biblik. “Ne shqiptarët që prej më se katër mijë vjetësh jetojmë në trojet tona në Europën Juglindore; Historia, trashëgimia, humanizmi, iluminizmi, toleranca shoqërore, familjare, etnike, fetare, bashkëjetesa e bashkëveprimi ndër shqiptar, brendashqiptar dhe jashtë shqiptar, rajonal e më gjerë vazhdojnë të tregojnë se shqiptarët janë një komb me virtyte të rralla. Ndaj ne themi me bindje se Shqiptarët janë njerëzit më miqësorë, paqedashës, paçebërës dhe më mirënjohës në botë, prandaj ato janë sjellë si qytetarët më të mirë të Europës. Këto i dëshmon historia dhe vetëm nëse kthejmë kokën e vështrojmë mund të kujtojmë se;-Pellazgët ishin zotëruesit shpirtëror, moral, kulturor, të qiellit, tokës dhe hapësirës së tyre (qielli, uji, toka, ajri).Këtë na e dëshmojnë peripecitë e fatit tonë si komb.”. Theksoi,Av. Prof. asoc. Dr. Astrit Memia.

Konsiderata e gabuar edhe shumë rrezikshme, se gjuhën shqipe e kërcënon gegërishtja dhe jo gjuhët e huaja, që po e kërcënon shqipen, jo pjesët e saj organike.

Ky grupim, kjo iniciativë e këtij kuvendi “Rrënjët tona” do të tregojë se ne kemi bërë shumë faje historike, edhe nga kjo kemi një varfërim të kulturës sonë si shumë nacionaliste, por në këto rrethana kemi nevojë për serum të fortë edhe për nacionalizmin.

Dr. Stefan Pinguli,President i Kuvendit Ndërkombëtar “Vazhdimësia historiko-gjuhësore dhe etnokulturore e shqiptarëve përmes mijëvjeçarëve”. Dr. Stefan PINGULI tha se;” Ka albanologë kolosë, histori të pazbuluara dhe të vërteta që nuk iu vihen aq dritë. Ka shumë albanologë që janë lënë në harresë,është disi e turpshme që shqiptarët nuk vënë në dukje se komb i lashtë, ndërsa grekët njihen si të tillë. Do shpërndajmë informacion për shqipen,sepse kështu e promovojmë. Gjuha “barbare” – që tingëllon dhe kuptim vetëm në shqip bar(a)bar(e) bara-bare është e vërteta e shqipes”, deklaroi Pinguli. Kuvendi ka për qëllim të evidentonte disa fakte, sipas tij, të pathëna.; “Mendoj në radhë të parë se ne duhet të njohim rrënjët tona. Ne kapitalin më të çmuar në Shqipëri, kemi gjuhën dhe historinë tonë, të cilat janë shumë interesante. Sidomos marrëdhënia etimologjike që kemi ne në krahasim me gjithë Rajonin. Ne mendojmë se ka shumë gjëra të pathëna në historinë tonë. Historinë e kemi pasur shumë të ndritur dhe interesante dhe kjo histori do të ishte bazamenti për të ecur përpara. Harrojmë që ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi dikushi në histori, dhe duke zbuluar rrënjët tona ne mendojmë se do të shkojmë përpara.”.

Sekretarët Organizativ këtij Kuvendi Prof. Ing. Sazan Guri,shpjegon arsyet e këtij organizimi mbarëkombëtar;“Qëllimi është ai që ka thënë profesor Çabej, se “dimë se çfarë kemi marrë, por nuk dimë se çfarë kemi dhënë”. Është zbuluar, që gjuha ilire ka vazhduar si e thënë, si e shkruar me arbrit, e më pas me shqiptarët. Ne këtë duam që të evidentojmë, të gërmojmë, të gërvishtim edhe të themi ato që janë të pathëna, apo që kanë qenë të detyruara nga akademitë e shteteve fqinje” shprehet studiuesi Prof. Guri.

 

 

Pse duhet Kuvendi Ndërkombëtar?

Ideja: “Në kërkim të historisë së prejardhjes dhe zhvillimit të gjuhës sonë përmes mijëvjeçarëve”.

Qëllimi: “Rritja e vetëdijes së shqiptarëve mbi rëndësinë e njohjes së lidhjeve të historisë së tyre me  kulturat e antikitetit”.

PSE DUHET TË ORGANIZOJMË KUVENDIN “VAZHDIMËSIA HISTORIKO-GJUHËSORE DHE ETNOKULTURORE E SHQIPTARËVE PËRMES MIJËVJEÇARËVE”

  1. Qasja, sikundër sot, me një KUVEND Ndërkombëtar sillet në një kohë, ku vepra historike shqiptare vjen duke u zgjeruar, për pasojë, siç arsyeton filozofi Korçe, çdo gjeneratë e ribën historinë e vet, ndaj edhe vetëdija historike na bën të arsyetojmë, pse jo, për një histori tjetër. Ka ardhur koha të mendojmë sesi historia e shqiptarëve të shkruhet me dashuri nga bijtë e vet, sepse mosdija e historisë sonë, harresa në të cilën gjendemi për gjyshërit e stërgjyshërit tanë, mos kujdesia ndaj armikut dhe mikut kombëtar, gjithë këto, na kanë bërë që të mos njohim veten tonë dhe të na duken të mira disa të meta, po edhe të harrojmë virtytet tona.
  2. Ngjarje të tilla si ky KUVEND duhet të na bëjnë që të mësojmë të vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët, për të cilat ka nevojë çdokush, por ne shqiptarët kemi nevojë më tepër se gjithkush, që siç thotë akademiku kosovar Feti Mehdiu: “E vërteta është ilaç i hidhur, por shërues, me kushtin që ilaçi të përdoret me kohë”.
  3. Një KUVEND i tillë duhet të na tregojë sesi manipulimi nuk duhet të rrisë shanset që sharlatanët të jenë të pëlqyeshëm për turmat, ndërsa miqtë e vërtetë të popullit të dështojnë. Prandaj, Shqipëria ka nevojë për qytetarë e patriotë që nuk bien viktimë e manipulimit të pasioneve mbi historinë, qoftë nga ata jashtë ose ndonjë syresh brenda. Një KUVEND i tillë duhet të na bëjë që individi dhe populli të ndjehen të pjekur, se ndryshe po vemi drejt një prirje të dëmshme për demokracinë. Sigurisht, nuk do të merren armët, por një shpirt kritik duhet t’i qaset interpretimeve të ngjarjeve historike dhe historisë së gjuhës shqipe.
  4. Një KUVEND i tillë duhet të na sjellë filozofi që ka nevojë historiani, gjuhëtari, arkeologu, studenti në mësim e bujku në arë, por për atë filozofi, siç shprehet Niçe-ja “perëndeshë të ndershme dhe lakuriqe”. Boll më me historinë e shpikur helene e latine. Po këta ilirë, thrakë e pellazgë që jetuan midis tyre, ç’ishin? Si mbijetuan, si komb e si gjuhë, kur këta të fortët dolën nga faqja e historisë. Pse ishin komb e gjuhë e ‘dobët’ apo pse ishin më të vjetër e më të rrahur me historinë?
  5. Një KUVEND i tillë duhet të na kthejë vëmendjen te fryma e Shkollës Albanologjike të arbëreshëve, i cili nuk ishte një institucion arsimor, por një veprimtari e bashkuar e një elite autodidakte, e cila kishte kohë që e kishte nisur rrugëtimin e saj. Në radhët e kësaj shkolle renditen shumë eruditë priftërinj arbër të shekullit XVII-XIX, si Nilo Katalano (1637-1694), Josif Nikollë Brankati (1675-1741), Gjergj Guxeta, Giorgio Guzzetta 1682– 1756), Pal M. Parrino (Paolo Maria Parrino 1710-1765), Jul Variboba (1727-1788). Nikolla Keta (1741-1803), Ëngjëll Mashi (1758-1821), Mikel Skutari (1762-1830), Zef Krispi (1781-1859), Vinçenco Dorsa (1823-1885), Zef Skiroi (1865-1927) por edhe intelektuale si Jeronim de Rada, etj.
  6. Një KUVEND i tillë duhet të na sjell fakte e interpretime, sesi mund të na ndihmojë historia për të organizuar lirinë dhe të bëhemi pjesë dinjitoze e komunitetit vleror që quhet Europë, me atë lloj moto “Të jetojmë së bashku dhe në dinjitet të barabartë”.
  7. Një KUVEND i tillë duhet të na sjellë gjithë mendjet e ndritura përsëri pranë Eduard Shnajderin me “Pellazget e pasardhesit e tyre”, i cili është autori i vetëm dhe i pari që ka dëshmuar se përse e quajmë gjuhen shqipe “gjuhe natyrale” apo Aristidh Kolën që me veprat “Gjuha e Perëndive” dhe “Arvanitasit …” ka dhënë dëshmi të rëndësishme mbi origjinën dhe lashtë sine e fiseve arbërore dhe pellazge, në një hapësirë të paprekur asnjëherë nga shkruesit e lashtë dhe ata modernë.
  8. Një KUVEND i tillë duhet të na japi mundësinë që të mos e trajtojmë historinë, si një koleksion të thjeshtë antikitetesh, sikundër thotë filozofi i shquar gjerman Haideger, por para së gjithash ne duhet të kuptojmë se historia nuk qëndron pas nesh si një objekt. Përkundrazi, ne jemi vetë historia. Për pasojë, jemi ne përgjegjës për mënyrën sesi e trajtojmë atë. Ndaj, pesha e fajita është aq, sa dëmi i bëhet atdheut.
  9. Një KUVEND i tillë duhet të na bëjë që të shikojmë dy hapa para, por edhe një hap prapa, ndryshe nga mendësia e sotme politike botërore që iu kërkon popujve të mos merren shumë me histori dhe të mos shikojnë nga e kaluara. Nëse njeriu, thjesht shikon, ka veçse logjikën e kafshës.
  10. Një KUVEND i tillë duhet të bëjë qytetarin dhe shtetarin shqiptar që duhet të dijë kush jemi, për të qenë të barabartë me të tjerët. Ndaj është koha që ne vetë të shkruajmë historinë tonë, duke mos qenë, as të verbër e as sqimatarë, dhe historia jonë nuk mund të shkruhet nga okupatorët e shërbëtorët me mel’hem e pa bereqet, sepse historia na ka mësuar deri më sot, siç na thot i madhi filozof Hegeli, atë që nuk para mësojmë shumë nga historia. Ndaj shqiptarët do të vuajnë dhe syresh të tjerë do të përfitojnë, kjo e lidhur edhe me servilizmin e pashoq të bashkë atdhetarëve tanë, kinse gjoja pragmatistë.
  11. Një KUVEND i tillë duhet të na bëjë të mbajmë qëndrim ndaj këtij realiteti që më të trishtë e më zezan e kanë bërë vetë shqiptarët, ca nga padija e mungesa e vizionit, ca nga ofertat e vjetra e të reja në lëmin e konspiracionit. Sikur nuk mjaftojnë paudhësitë e shteteve fqinj dhe atyre perandorakë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarit, ndaj historisë dhe gjuhësisë sonë, por na duhet të jemi dhe servil ndaj tyre, aq sa shumë syresh prej nesh i quajnë pushtimet bashkëpunime.
  12. Një KUVEND i tillë dhe nisma të tilla duhet të na sjellin të verteta historike, për të qenë të vërtetë me faktet, sepse nga historia e shkruajtur për shqipërinë dhe shqipëtarët ka thënie të tmershme, sidomos kur i dëgjon nga goja e personave kyç të vendit, me po aq urrejtje sa akademikët serb e maqedonas.
  13. Një Kuvend i tillë na ndihmon që të bëhemi të vetëdijshëm për rëndësinë e njohjes së historisë së prejardhjes sonë, për të kuptuar peshën e kësaj vlere historike në shkallë kombëtar dhe ndërkombëtar, për të marrë përsipër me dinjitet përgjegjësinë e kësaj peshe si trashëguesit dhe mbartësit themelor dhe të drejtpërdrejtë të këtyre vlerave historike dhe gjuhësore.
  14. Një Kuvend i tillë na ndihmon që të kuptojmë realitetin e trishtë që po jetojmë sot, për të zgjedhur me zgjuarsi rrugë të reja për kapërcimin e tij.
  15. Ky Kuvend do të na ndihmojë që të drejtojmë vëmendjen tek fryma e Shkollës Arbëreshe mbi Albanologjinë, e cila më tepër se një Institucion Arsimor, ishte veprimtaria e një elite të bashkuar, që bëri si qëllim të saj, ruajtjen e gjuhës dhe historisë kombëtare, për ruajtjen e prejardhjes dhe etnisë.
  16. Një Kuvend i këtij formati na afron mundësinë që nëpërmjet fakteve të hidhet dritë mbi atë pjesë të hershme të historisë sonë, e cila deri tani është lënë në harresë
  17. Duke njohur historinë tonë të hershme ne do të dimë të bëhemi të vetëdijshëm për rolin tonë në kohët e reja. Gjithë këto e të tjera na bëjnë ta shohim historinë sy më sy, sepse ta rishkruash historinë nuk do të thotë aspak ta qortosh atë.

QËLLIMI I KUVENDIT

  1. Mbajtja e këtij kuvendi ka si qëllim që të parashtrojmë fakte historike, gjuhësore dhe etnokulturore të hulumtuara nga studiues të ndryshëm, të cilat vërtetojnë lidhjen e shqipes së sotme me gjuhët e antikitetit, dhe nëpërmjet tyre vazhdimësinë e pandërprerë të historisë sonë.
  2. Mbajtja e këtij kuvendi ka si qëllim që të ndricojë atë pjesë të historisë sonë më të hershme, e cila deri tani është lënë në harresë.
  3. Një KUVEND i tillë vjen për të ndihmuar në krijimin e një ndërdije tjetër, sepse ‘ndërdija deri më sot për shqipërinë dhe shqiptarët është tmerruese’. Dhe meqënëse, kjo ndërdije, njeriut i është futur në ndërlidhje si ndodhi apo si e thënë, pavarësisht, a qëndron apo nuk qëndron, është krijuar bindja se ajo është e vërteta”.
  4. Ky KUVEND duhet t’i tregoj shqiptarëve, përse janë në mesin e Europës dhe jo europian, ku piketa të pakontestueshme vertetojnë ne emra toponimesh praninë e tyre qysh në antiktet dhe para saj?
  5. Kësisoj, një KUVEND i tillë, nuk do të përbëjë aspak një apologji për shqiptarët, por një KUVEND, ku mund t’iu japim atyre të drejtën. Sepse, ata vetë kanë neglizhuar shumë për publicitetin dhe kanë bërë gabim – thotë e fortndritura Elena Gjika (Dora d’Istria) që shqiptarët, kanë jetuar shumë pak për veten e tyre. Veprimtarinë e tyre, gjakun e tyre, talentin e tyre e kanë përfituar fqinjët. Ndaj, ata (shqiptarët) duhet të fillojnë një epokë të re sot, të jetojnë dhe të punojnë për veten e tyre, për shqipen e tyre.

KOMITETI ORGANIZATIV

Dr. Stefan PINGULI, PRESIDENT I KONGRESIT

Prof. Sazan GURI, QENDRA KOMBETARE RRENJET SHQIPTARE

Prof. Lirim MUHAJ, GJUHËTAR

Fatbardha DEMI, STUDIUSE E LASHTËSISË

Fred BALAJ, STUDIUS I GJUHËSISË

Dr. Astrit MEMIA, HISTORIAN

Besir BAJRAMI, PUBLICIST

Manjola PERJA, PEDAGOGE

 

KOMITETI SHKENCOR

 

Dr. Eleni KOCAQI, GJUHETARE

Prof. Nexhmi GANIU, HISTORIAN, PODUJEVE, KOSOVE

Dr. Shpresa MUSAJ, GJUHËTARE/HISTORIANE

Prof. Xhemaledin SALIHU, SHOQ. TRASHËGIMI KULTUR. PRESHEVË

Niko STILLOS, GJUHËTAR

Ing. Mark PALNIKAJ, INXHINIER/HISTORIAN

Dr. Saimir LOLJA, PUBLICIST/KANADA

Dr. Linda SPAHIU, ETNOGRAFE

 

Shoqatat organizatore:

QENDRA KOMBËTARE ‘RRËNJËT TONA’

“ALEANCA QYTETARE PËR MBRUJTJEN E VLERAVE KOMBËTARE”

“ILIRICUM SACRUM’

“IMAZHI SHQIPTAR”

“Vlerat shqiptare”

QENDRA KËRKIMORE SHKENCORE – G & G GROUP

 

Studiues të fushave të ndryshme nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia janë mbledhur këto ditë në Kuvendin Ndërkombëtar “Vazhdimësia historike-gjuhësore dhe etnokulturore” për të zbuluar rrënjët tona.

Qasja, me një Kuvend Ndërkombëtar erdhi në një kohë, ku vepra historike shqiptare vjen duke u zgjeruar, çdo gjeneratë e ribën historinë e vet, ndaj edhe vetëdija historike na bën të arsyetojmë. Ka ardhur koha të mendojmë sesi historia e shqiptarëve të shkruhet me dashuri nga bijtë e vet, sepse harresa në të cilën gjendemi për gjyshërit e stërgjyshërit tanë, mos kujdesia ndaj trashëgimisë kulturore kombëtare, na kanë bërë që të mos njohim veten tonë dhe të na duken të mira disa të meta, po edhe të harrojmë virtytet tona.

Studiuesja e njohur Fatbardha Demi duke treguar rreth librit të saj, “Sellenizmi – besimi që sundon botën” thekson faktin se: “e ka shkruar librin për tu treguar Shqiptarëve” se ato duhet të dinë vlerën se nga janë”.“Rilindasit – vazhdon për më tej – thonin të vërtetën por jo për tu rritur mendjen, por e thonin të vërtetën për të ditur shqiptarët se kush janë dhe të dinë edhe të huajt se kush janë shqiptarët”.

Referuesit e pranishëm në Muzeun Historik Kombëtar e konsiderojnë këtë kuvend, si një përpjekje shumë serioze, për të konceptuar pluralizmin në kulturë, si diçka që nuk u përket vetëm akademive dhe fakulteteve, por që mund të iniciohet edhe nga iniciativa të pavarura.

Të gjithëve neve na bashkoi pasioni për kombin tonë, sepse ishte Kuvend intensiv dhe me plot dëshirë për të kontribuar që gjurmët e historisë shqiptare të tregohen ashtu siç janë. Siç është edhe vetë historia e një populli parahistorikë, që reflekton në të gjithë botën demokratike dhe nuk mund të fshihen gjërat sikurse kanë ndodhur më parë.

I përgëzojë dhe urojë suksese nismës së shoqatës “Rrënjët tona”, si dhe kujtdo i cili kërkon të bashkëpunojë në mbarëvajtjen e zhvillimit të përmirësimit të imazhit dhe materialeve në dobi të historisë së kombit shqiptar.

Kuvendi Mbarëkombëtar i vazhdojë punimet deri më datë 12 në Muzeun Historik Kombëtar,ku edhe u rrumbullakos me një Projekt Rezolutë.

Gjilan;14.05.2019

Analisti sulmon Flora Brovinën: Turp, je mashë e pushtetit

Analisti politik Haki Abazi ka reaguar ashpër, pas publikimit të një fotografie, ku shihen disa ushtarë serbë duke dhunuar seksualisht një grua shqiptare gjatë luftës.

Abazi shprehet se fotoja duhet të ishte material për gjykata dhe serbët të merrnin dënimin e merituar, por shton se ajo publikohet duke trazuar ndjenjat e popullatës shqiptare.

Shkrimi i plotë i analistit Haki Abazi:

Ju jeni për turp Flora Brovina

Ju jeni bërë, jo për herë të pare masha e mbeturinave të qelbura. Ju jeni pjesë e hordhisë mafioze që keni kapur Kosovën dhe po doni me ja nxjerrë edhe atë pak frymë e nderë që e ka.

Po, janë femrat e dhunuara që i ka kryer Serbia si krime gjate luftës po ju nuk jeni ajo që po mendoni se jeni duke e zbuluar këtë gjë me një fotografi, përkundrazi. E gjithë Kosova dhe tanimë edhe bota e di këtë gjë- e dijnë edhe nga Vasfije Krasniqi- Godman. Por ata e dinë dhe ndajnë dhembjen e përkrahjen jo për poena politike e as për të mbuluar krimin, korrupsionin dhe dështimet e ndarjes së Kosovës dhe gjithcka tjetër që është e stampuar me vulën e PDK, partisë të cilës ti verbërisht i ke shërbyer dhe vazhdon t’i shërbesh.

Ti që ke qenë sabotuesja e kushtetutës duke e mbajtur peng gjithë parlamentin për të zgjedhur Veselin kryetar dhe për të bërë një qeveri e cila më së paku i ka shërbyer popullit dhe interesave të vendit. Ju jeni profitere lufte dhe profitere paqeje që ka instaluar mendësinë e nepotizmit dhe korrupsionit si normë të pranuar shoqërore- ky është dhunim i gjithë popullit çfarë jeni duke bërë ju. Ju nuk keni bërë zë kur Shaip Muja ka dalë në foltore të parlamentit dhe ka thënë se të dhunuarat nuk janë viktima, ju nuk keni votuar për ligjin për viktimat, dhe ju për 20 vite nuk keni folur asnjë fjalë të vetme në dialogun me Serbinë. Nuk ju lejojmë sot që ju, themeluesit e gjykatës speciale të përdorni dhembjen dhe dhunimet e grave shqiptare për të treguar ” patriotizmin” e shpifur e për të mbuluar të zezat tuaja.

Ju nuk keni folur asnjë fjalë as për dhunimet e vajzës nga Drenasi që janë bërë nga njerëzit e uniformuar dhe pjesëtarë të institucioneve shtetërore tona sot. Dhunimet e luftës të armikut kanë vazhduar pasluftës dhe ju jeni spektatorë në rastin më të mire e mirëmbajtëse e një pushteti në rastin më të keq i cili nuk ka dënuar as ato të luftës e as këto tani e ty nuk të është dëgjuar zëri deri sot kur ke nxjerrë një fotografi te guzhvatur që do të duhej të ishte material i gjykatave dhe jo fyerje ndjenjave dhe emocioneve të popullatës që po dhunohet në vazhdimësi .

Ambasadori Borchardt nuk është kërcënuar – Nga BESNIK MUSTAFAJ

Shkas për këtë shkrim u bë telefonata e një miku të vjetër, anëtar i Parlamentit Europian prej shumë vitesh. Ai ka mbajtur disa herë edhe poste ministrore në një nga vendet e mëdha të Bashkimit Europian. Miku im ishte i shqetësuar për kërcënimin ndaj ambasadorit të OSBE-së dhe po më kërkonte që unë të përcillja në rrugë informale këshillën e tij për drejtuesit e Partisë Demokratike, me qëllim që ata të dënonin hapur dhe pa vonesë këtë akt jo vetëm të shëmtuar, por edhe të dëmshëm për imazhin e opozitës.

– Po çfarë i kanë thënë? Si e kanë kërcënuar? – e pyeta unë.

Pa hyrë në hollësitë e bisedës sonë, miku im nuk dinte asgjë konkrete lidhur me përmbajtjen e këtij kërcënimi. Ai dinte vetëm se ambasadori i OSBE-së në Tiranë është kërcënuar, njoftim që e kishte marrë nga burime zyrtare brenda Parlamentit Europian. Unë i tregova pa shtuar as hequr asnjë fjalë çfarë kishte ndodhur. Madje i nisa edhe me Watsapp fotografinë e murit të pallatit ku jeton ambasadori, në hyrje të të cilit ishte shkruar “Ambassador Borchardt, shame on you”. (Ambasadori Borchardt, turp për ju!)

– Vetëm kaq është? – më pyeti ai.  – Nuk ka diçka tjetër?

– Vetëm kaq. Nuk ka asgjë tjetër.

Pastaj, me dëshirën për ta kuptuar më thellë çështjen, miku im më pyeti nëse në kulturën tradicionale shqiptare damkosja me “turp” nxiste ndjenja urrejtje, të cilat sigurisht do të linin vend për ta menduar kërcënimin. Një pyetje e tillë në gojën e mikut tim vinte pse ai, me aq  tekst sa kishte ngjarja, nuk po e shihte ku ishte kërcënimi në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. I shpjegova se edhe në kulturën tradicionale shqiptare, një vlerësim i tillë nuk shkonte përtej një degradimi moral të njeriut. Aq më pak mund të përbëjë kërcënim sot, kur turpi i burrit është bërë një shfaqje banale në shoqëri. Turpi ka rëndësi vetëm atje ku nderi ka rëndësi. Pra, turpi në Shqipëri e ka humbur vlerën si emocion, sepse vetë nderi në thelbin e tij e ka humbur rëndësinë.

Me Bernd Borchardt jemi miq qysh në fillim të viteve 2000, kur ai erdhi në Tiranë si ambasador i Gjermanisë. Pas përfundimit të mandatit këtu, ai shkoi në Kosovë për të drejtuar Eulex. Jemi takuar po ashtu edhe në Prishtinë, kur unë isha Ministër i Jashtëm. Dhe kjo miqësi vazhdon me kthimin e tij në Tiranë, në krye të zyrës së OSBE-së. Shihemi herë pas here për kafe. Kam qenë i ftuar për darkë edhe në shtëpinë e tij. Po  i përmend këto fakte për të pohuar vlerësimin tim për të si njeri dhe si diplomat. Me kaq sa e njoh, mbetem i bindur se ai e ka kuptuar shumë mirë që fjala e shkruar në hyrje të pallatit, ku ai banon, nuk përmban ndonjë kërcënim. Rrjedhimisht, mbetem i çuditur si pranoi ai të marrë rolin e një viktime të paqenë, duke u bërë protagonist deklaratash deri në nivelin më të lartë të diplomacisë evropiane, shoqëruar kjo edhe me teatrin e rojave që nxitoi t’i vinte qeveria e Ramës për ta marrë në mbrojtje, pra, për ta bërë edhe më të dukshëm kërcënimin që rëndonte mbi të.

Unë do ta kuptoja që ambasadori Borchardt të ndjehej i fyer dhe ta shprehte me plot zërin indinjatën e tij. Jo thjesht për solidaritet prej miku, por për parim do t’i bashkohesha në shprehjen e kësaj indinjate. Sepse ajo fjalë është një akt etik i papranueshëm nga ana e atij që e ka shkruar edhe shpresoj të mos përsëritet kurrë më ndaj një diplomati të huaj në Tiranë. Ma merr mendja se ambasadori Borchardt do të dilte shumë më i larë nëse këtë ngjarje të vogël, do ta trajtonte natyrshëm si një fyerje personale, morale, siç edhe është në të vërtetë. Konventat ndërkombëtare, në të cilat aderon edhe Republika e Shqipërisë, nuk i marrin në mbrojtje diplomatët kundrejt vlerësimeve morale, qofshin ato edhe padrejtësisht degraduese. Nga ana tjetër, duke e mbajtur incidentin brenda caqeve banale të përmbajtjes së tij, ambasadori Borchardt do t’i kishte hequr Kryeministrit Rama mundësinë për ta bërë manipulimin e tij të radhës me faktet, siç e bëri, duke dërguar skuadrën me roja. Në fjalë të fundit, me dëshirën apo pa dëshirën e tij, ambasadori i OSBE-së u përdor në këtë rast nga Kryeministri i Shqipërisë.

Rojet përreth banesës, zyrës apo çdo vendi ku gjendet ambasadori, për sytë e të huajve janë sot treguesi më domethënës për pasigurinë që sundon në vend. Përfshirja e këtij incidenti në raportet ndërkombëtare e prish imazhin e Shqipërisë shumë më tepër edhe se vjedhja e miliona eurove në pistën e aeroportit apo vrasjet për larje hesapesh midis bandave në Vlorë apo në Shkodër. E kam fjalën për imazhin që ndikon në udhëtimin e të huajve drejt Shqipërisë, kryesisht si turistë. Kërcënimi i një ambasadori nxjerr në pah pikërisht atë pasiguri, nga e cila tremben të huajt. Kryeministri ynë as që i mendon gjërat nga kjo anë. Ai madje gëzohet kur i jepet rasti të hedhë baltë mbi opozitën. Kështu veproi edhe kësaj here. Pa bërë asnjë hetim, ai nxitoi të niste drejt Brukselit, Vjenës apo Strasburgut mesazhe, ku fajësonte opozitën si kërcënuese të ambasadorit. Është pikërisht ky kryeministër, i cili ankohet kundër atyre që shajnë Shqipërinë në gjuhë të huaj.

Nga ana e saj opozita iu përgjigj në të njëjtën mënyrë. Domethënë, pa asnjë profesionalizëm. Ajo akuzoi Ramën si porositës të “kërcënimit”, me qëllim për t’i kthyer aleatët europianë kundër saj (opozitës). Pra, de facto e pranoi  se ambasadori ishte kërcënuar. Sigurisht që as Partia Demokratike nuk bëri ndonjë hetim për të arritur në këtë përfundim mbi fajësinë. Por ajo ndoqi rrugën e Ramës: shpifjes iu përgjigj me shpifje, duke përforcuar kështu tek “aleatët europianë” bindjen se, pavarësisht të vërtetës rreth fajtorit, ambasadori ishte kërcënuar. Opozitës do t’i mjaftonte një distancim nga ky akt, duke kërkuar një hetim serioz për përgjegjësit. Dhe, po t’ia thoshte zemra, le t’i shprehte ambasadorit mbështetjen e vet për të kryer detyrën. Nuk nevojitej asgjë më tepër.

Haradinaj: Opsioni për të ndarë Kosovën është “i vdekur”

Kryeministri Ramush Haradinaj në emisionin “Debat Plus”, ka thënë se me prekjen e kufijve, Rusia do të ishte ftuar të rrisë ndikimin e saj në Ballkan. Ai gjithashtu ka folur për dialogun, marrëdhëniet me SHBA-të e çështje tjera. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit, tha se hapja e kufijve do të ishte një ftesë për Rusinë për t’i dhënë më shumë rol në rajon.

“Hapja e kufijve dhe lëvizja me kufi është proces që vështirë se do të mbyllet pastaj. Nuk dihet kush fiton, supozohet se krijohet një situatë e paqartë që do të ishte një ftesë për Rusinë për më shumë rol… Presidenti i Kosovës mban këtë pozitë në bazë të kushtetutës, por opsioni për ndarje të Kosovës, që ndoshta dikush e ka shty atë për ta promovuar, ka “vdekur” realisht”, tha Haradinaj

Idenë e hapjes së kufijve Haradinaj e cilësoi të rrezikshme duke e krahasuar me temën e demarkacionit e cila mund të provokonte luftë civile. “Ju e dini që për pak hektarë të vlefshëm që fatmirësisht u gjet zgjidhje, ishim duke shkuar drejtë luftës civile. Askush nuk mund të bëj shaka më me këtë vend”, shtoi Haradinaj,

Ndërkaq duke folur për marrëdhëniet me Amerikën, Haradinaj pranoi se ka takime me përfaqësues të Ambasadës dhe se marrëdhëniet nuk kanë qenë kurrë më të mira. Është normale që Ambasada e Amerikës të na jep vërejtje të sinqerta për çdo gabim që ne bëjmë… Kurrë më të mira dhe më të qëndrueshme marrëdhëniet nuk kanë qenë”, tha ndër të tjera Ramush Haradinaj. Haradinaj mes tjerash foli edhe për vazhdimin e dialogut për të cilin tha se duhet të vazhdojë me qëllim që të arrihet njohja nga Serbia, ndërsa ka potencuar se taksa mbetet deri në njohje.

Kosovë, komisioni hetimor për dëbimin e shtetasve turq përfundoi raportin

Komisioni parlamentar që po heton operacionin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq, një vit më parë, miratoi të mërkurën projekt raportin mbi operacionin dhe bëri thirrje që çështja të trajtohet nga prokuroria e posaçme e Kosovës.

Kryesuesi i këtij komisioni, Xhelal Sveçla, tha se komisioni ka konstatuar dhjetëra shkelje nga institucionet e vendit ndërsa, sipas tij, urdhrin për dëbimin e gjashtë shtetasve turq e ka dhënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Mund të them lirisht se janë mbi 31 shkelje, por të faktuara nga dy e më shumë burime janë 31 shkelje të cilat janë evidentuar nga komisioni. Pak a shumë duke marrë parasysh edhe sjelljen e presidentit edhe reagimet si të tij, si të njerëzve përreth tij, tashmë është bërë e qartë se urdhërdhënës për këtë që ka ndodhur është vet presidenti Hashim Thaçi, i cili në mënyrë jashtëzakonisht të papërshtatshme dhe arrogante parandaloi raportimin para komisionit”, tha ai.

Muajin e kaluar në këtë komision ishte thirrur të raportojë presidenti Thaçi, por paraqitja e tij ishte përshkruar me përplasje të ashpra dhe akuza të ndërsjella duke çuar edhe në dështimin e seancës dëgjimore. Presidenti Thaçi kërkoi në atë takim hetim ligjor për ekspertin ndërkombëtar që ka hartuar raportin mbi dëbimin e shtetasve turq.

Presidenti Thaçi hodhi kërkesën që të hetohet edhe vet komisioni pasi që sipas tij ka bërë shkelje ligjore me punësimin e ekspertit ndërkombëtarë duke vlerësuar se ai ka qenë i njëanshëm.

Por, anëtari i këtij komisioni, Driton Selmanaj, tha sot se e gjitha kjo ishte përpjekje e presidentit për ta penguar punën e tyre.

Mbi 51 profesorë të Harvardit dhe të shumë universiteteve amerikane na kanë dërguar letra neve në mbrojtje të ekspertit. Por, ky skenar i tyre shihej qartazi që është tendencë për ta penguar dhe denigruar përfundimin e kësaj pune. Por ne jemi të bindur dhe tashmë e dëshmuam që kur ekziston vullneti maksimal i politikanëve dhe i kujtdo qoftë, nuk ka person as faktor që mund ta ndalë një proces, në mënyrë që të zbardhet e vërteta, dhe e gjitha kjo në funksion të vetëm një gjëje; që Kosova të jetë shtet i së drejtës”, tha ai.

Raporti përfundimtar i komisionit do të hidhet për diskutim në parlamentin e Kosovës, tha zoti Sveçla, ndërsa i bëri thirrje prokurorisë që të trajtojë seriozisht këtë çështje.

Unë mendoj që shkelja më e rëndë është shkelja me vetëdije e institucioneve kryesore të udhëhequra nga presidenti i Kosovës, të të drejtave të njeriut, të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, por edhe të konventave ndërkombëtare,të cilat edhe vet sipas Kushtetutës i mbivendosen Kushtetutës së Kosovës. Është faktuar se me vetëdije të plotë janë bërë këto shkelje, motivet ne pak a shumë mund t’i supozojmë dhe besoj që prokuroria duhet t’i thërrasë të gjithë këta bartës të institucioneve veç e veç për të dhënë dëshminë e tyre dhe në bazë të këtyre gjetjeve si dhe gjetjeve të mëtutjeshme të prokurorisë, të ngritën aktakuzat e para”, tha ai.

Më 29 mars të vitit 2018, autoritetet në Kosovë arrestuan gjashtë shtetas turq, punonjës të institucioneve në pronësi të klerikut turk Fethullah Gulen, të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje për grusht shteti në Turqi.

Të gjashtët ju dorëzuan autoriteteve turke në një operacion që la pas vetes shumë paqartësi, shumë kritika ndaj institucioneve dhe nxiti një përplasje deklaratash ndërmjet presidentit turk Recep Tayipp Erdogan dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Komision parlamentar për hetimin e operacionit, që u themelua në korrik të vitit të kaluar, kishte pohuar edhe më herët se shkeljet më të mëdha, janë bërë nga Agjencia e Zbulimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Këto gjetje, nxitën edhe reagimin e ambasadës amerikane në Prishtinë, e cila kishte tërhequr vërejtjen se “trysnia politike mbi sektorin e sigurisë është shkelje skandaloze e vlerave demokratike”.

Gjermanët e CDU/CSU, të gatshëm të ulin palët në dialog. Rama e Basha lëvizin nga pozicionet e tyre

Johann David Wadephul dhe Christian Schmidt

ARISTIR LUMEZI/ Kryeministri Rama dhe kreu demokrat Basha shfaqën dje shenja tërheqjeje nga pozicionet e mëparshme, duke pranuar të ulen për dialog.

Pas deklaratës së zëvendëskryetarit të Grupit Parlamentar të Unionit Kristiandemokrat (CDU/CSU) në Bundestag, e njëherazi kryesues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor, Johann David Wadephul, si dhe raportuesit për Shqipërinë në Komisionin për Çështjet e Jashtme, Christian Schmidt, që kërkuan dy ditë më parë dialog pa kushte mes opozitës dhe qeverisë, palët lëvizën nga pozicionet e tyre.

Si Basha, edhe Rama kanë bërë dy ditë rresht bashkëbisedime me gazetarët për të treguar pozicionet e tyre të reja.

“Të dyja palët janë njësoj përgjegjëse për paqen e brendshme dhe për krijimin e kushteve për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Ata që nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë menjëherë, janë duke e çuar veten drejt izolimit politik. Ne jemi të gatshëm për të ndihmuar në kapërcimin e krizës”, thuhet në deklaratën e dy politikanëve gjermanë. Mësohet se selitë diplomatike kanë lëvizur dy ditët e fundit, kur ka qenë edhe afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve në KQZ. Kreu demokrat ishte më i qartë dje për të marrë pjesë në angazhimin gjerman.

“Jam njohur këto 24 orë me qëndrimet e partnerëve ndërkombëtare. U kam komunikuar miqve ndërkombëtarë se mirëpres angazhimin e tyre për zgjidhjen e krizës politike në vend. PD dhe opozita kanë qenë dhe janë gati të përfshihen në një proces të vërtetë politik me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë për të zgjidhur këtë krizë dhe për t’iu kthyer shqiptarëve sovranitetin nga një qeveri dhe Parlament ilegjitim”, u shpreh dje Basha.

Ndërsa Kryeministri Rama, edhe pse u shpreh i vendosur për të mos negociuar për datën e zgjedhjeve për shkak të Kushtetutës, tha se do të ulej të fliste me Lulzim Bashën për të përmirësuar kuadrin ligjor për të gjitha shqetësimet e opozitës.

Pritet që deri në fund të javës të kemi një produkt të këtij ndërmjetësimi ndërkombëtar, edhe pse Rama u shpreh se nuk ka nevojë për të huajt për të dialoguar me Bashën. Por e shkuara e afërt dhe e largët na kujton gjetjen e zgjidhjeve në minutën e fundit, duke shkuar dhe në ndërhyrjet në Kushtetutë dhe ndryshimin e datës së zgjedhjeve.

Në maj 2017, pas afro tre muaj proteste, pasi ngriti një çadër para zyrës së Kryeministrit, duke kërkuar dorëheqjen e tij, Rama e Basha ranë dakord me propozimet e “Paketës McAllister”, e cila u pasurua dhe me disa propozime të zyrtarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Hoyt Yee.

Marrëveshja mes tyre i jepte më shumë garanci opozitës për të kontrolluar qeverinë dhe administratën që të mos përfshiheshin në fushatën zgjedhore dhe të pranonin rezultatin e zgjedhjeve.

Ndonëse data e zgjedhjeve edhe në 2017 ishte caktuar, 18 qershori, Presidenti Nishani, në zbatim të marrëveshjes Rama-Basha, i shtyu ato me një javë, duke dekretuar datën e re, më 25 qershor 2017. Dhe në 2007, kriza e certifikatave e ngritur nga PS në opozitë çoi në një marrëveshje mes opozitës dhe maxhorancës, duke shtyrë datën e zgjedhjeve nga 20 janari në 18 shkurt 2007.

Gazeta gjermane “BILD”: Kryeministri Rama është një gangster, Shqipëria një shtet i mafias

Gazeta më e madhe në Gjermani BILD ka botuar sot një speciale për Shqipërinë ku e konsideron kryeministrin Edi Rama ‘një gangster’ dhe Shqipërinë ‘një shtet të mafias’. BILD përmend faktin se dy ministra të Ramës, Xhafaj dhe Tahiri, janë të përfshirë në trafikun e drogës dhe janë detyruar të largohen.

Ky është shkrimi më negativ i botuar në shtypin e huaj për Shqipërinë.

Më poshtë i plotë i përkthyer nga origjinali:

Ditët e fundit ka patur përleshje në rrugë, në protestat kundër qeverisë shqiptare në kryeqytet, Tiranë; demonstruesit e opozitës kanë hedhur koktejle molotov dhe bojë kundër selisë së qeverisë të kryeministrit Edi Rama. Policia ka përdour gaz lotsjellës dhe ujë me presion kundër njerëzve. Një duzinë policësh dhe shumë protestues janë plagosur

Tani është e qartë për pjesën tjetër të Europës se diçka është seriozisht gabim në tokën që ishte krejtësisht e izoluar nën regjimin e epokës së gurit të komunistit Enver Hoxha në periudhën 1944 -1985. BE vendosi në vitin 2017 të hapte negociatat e antarësimit me Shqipërinë.

Ironikisht me Shqipërinë. Ironikisht me një shtet të mafias.

Shqipëria është shembulli kryesor i një vendi kaotik në duart e një gangsteri: Për më pak se një vit, opozita është tërhequr nga Parlamenti- në protestë kundër korrupsionit dhe blerjes së votave nga qeveria. Prej dy vitesh, vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese- Kushtetuta e vjetër është shfuqizuar, e reja nuk është akoma në zbatim.

Kryeministri Rama u desh të shkarkojë gjatë viteve të shkuara dy ministra të Brendshëm: Fatmir Xhafajn, dyshohej fort si pjesë e mafias së drogës, që ka në dorë vendin dhe gjysmën e Europës Perëndimore. Saimir Tahiri është aktualisht nën akuzë- vetëm politika mund të parandalojë një shqyrtim gjyqësor.

Po Rama vetë? Emri i tij lidhet shpesh me drogën. Kështu, opozita e akuzon atë për blerjen e votave me paratë e drogës. Regjistrimi i një telefonate duhet ta provojë këtë. Më 11 shtator të vitit 2016, Rama i telefonoi kreut të një Komisioni zgjedhor rajonal për të pyetur nëse zgjedhjet kishin shkuar ashtu siç ishte diskutuar. Përgjigja e drejtuesit të zgjedhjeve: Po, shef, gjithçka siç e kemi diskutuar.

Rasti është i njohur në Shqipëri si ‘Dosja 184’.

Akuzat për blerjen e votave i ngre edhe ish-ministri i Drejtësisë i Ramës, Ylli Manjani. Manjani, një profesor i respektuar i ligjit, thotë për BILD: “Organizata të ndryshme ndërkombëtare kanë konfirmuar se ka pasur blerje të votave në masë”. Manjani sheh pas kësaj një projekt të përbashkët të Ramës dhe mafias: “Qeveria mbron mafien dhe lejon biznesin e tyre të drogës. Në këmbim, bandat dhe klanet blejnë vota për qeverinë”.

Gazetari investigativ Basir Çollaku thotë: “Nën Edi Ramën, ka patur një përhapje eksplozive të prodhimit të drogës në Shqipëri. Sipas përllogaritjeve të shërbimeve inteligjente perëndimore, më shumë se 70 përqind e kanabisit të shitur në Europë vjen nga Shqipëria”.

Drejtuesit e policisë janë të korruptuar  

Policia shqiptare vetë konsiderohet e korruptuar, veçanërisht drejtuesit.

Policët shqiptarë që, në fakt, hetojnë kundër Policisë dhe politikanëve janë arrestuar ose vënë në arrest shtëpiak. Në Zvicër, Itali, Holandë, Itali dhe Finlandë disa oficerë të lartë Policie kanë fituar azil politik.

Një prej tyre është Dritan Zagani, ish-Shefi i Policisë Kufitare të rajonit të Vlorës dhe hetues i anti-drogës. Zagani u mbajt në qeli izolimi për gjysmë viti dhe më pas në arrest shtëpie pasi u tregoi shefave të tij të dhëna konkrete për përfshirjen në trafik droge të ministrit të atëhershëm të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai më në fund qe në gjendje të ikte nga Shqipëria bashkë me familjen falë policëve dhe agjentëve italianë.

Përfundimi i tij për BILD: vendi im është një shtet i mafias. Aty sundon mafia.

Basha del në konferencë me mesazhe të qarta: PD dhe opozita gati për proces politik me ndihmën e ndërkombëtarëve dhe…

Kreu i PD, Lulzim Basha, një ditë pas protestës së mbajtur në Tiranë, ka dalë në një komunikim me mediat.

Basha pasi ka falënderuar të gjithë ata që dolën në këtë protestë, të cilën ai e quajti madhështore dhe marshimin më të madh, ka dhënë edhe disa mesazhe.

Mesazhin e parë Basha e ka dhënë  për qeverinë, duke bërë me dije se kjo protestë nuk do të ndalojë deri në largimin e kreut të qeverisë, Edi Rama, ndërsa mesazhin e dytë e ka dhënë për të gjithë të arrestuarit gjatë protestave, duke thënë se drejtësia për ta do të vihet në vend.

Basha është shprehur se ka marrë mesazhe nga ndërkombëtarët, dhe se e mirëpret angazhimin e tyre për të zgjidhur krizën politike në vend, ndërsa ka shtuar se PD dhe opozita janë gati të përfshihen në një proces politik me ndihmën e ndërkombëtarëve, por me kushtin për largimin e Ramës dhe qeveri tranzitore.

Pjese nga fjala e Bashes:

Ky ishte një mesazh kombëtar i qartë dhe i prerë për këto dhe në veçanti për pengmarrësin e Shqipërisë, demokracisë dhe drejtësisë, që ka bllokuar derën e BE, se nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë hap pas, bashkimi ynë ka marrë përmasa që i tejkalojnë kufijtë politik të mbështetësve.

Përshëndes të gjithë ata socialist që iu  bashkuan dje kësaj protestë, duke dhënë mesazh se kjo që kemi nisur është një beteje për të transformuar vendin dhe nuk është betejë për pushtet.

Kjo pjesëmarrje dëshmoi besimin e madh që qytetarët kanë tek kauza e vendosmërisë sonë të hekurt për të mos bashkëpunuar me krimin.

Zemra e protestës vazhdon të jetë kryeqyteti, mirënjohje qytetarëve të Tiranës, por edhe më të madhe e atyre që erdhën nga çdo skaj i vendit.

Do ta ndryshojmë fatin e vendit, nuk do ta lëmë në duart e një njeriu që ka marrë peng të ardhmen e shqiptarëve.

Mesazhin e dytë e kam për ata dhjetëra të shoqëruar të shtunën që u bashkohen të arrestuarve të tjerë më parë, dua tu them se nuk jeni vetëm. Sakrifica juaj për demokraci është shënuar në kujtesën e opozitës, por dhe në mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve. Ju siguroj se çdo e drejtë  e juaj  e dhunuar do të vihen në vend, dhunuesit do vihen para drejtësisë, duke nisur me pinjollin e Ramës.

Shqiptarëve ju them se nuk do ta lëmë reformën në drejtësi  të përfundojë duke i lënë në dorë të Ramës dorë të gjitha institucionet,  është një ndër qëllimet kryesore të protestës, të ndajmë institucionet nga krimi.

Mesazhet e partnerëve tanë janë të qartë, ata thonë fut në burg kriminelët, ky fut protestuesit, ata thonë s’ka zgjedhje pa opozitë, ky mendon se do shkojë në zgjedhje…

Koha e kriminelit ka mbaruar.

Sot shqiptarët e kanë marrë fatin në dorë, asgjë nuk do na pengojë në rrugën tonë drejt BE.

Ky mesazh kumboi mbrëmë në entuziazmi i protestës, që nuk e fiku as shiu dhe jo më ta fikë një barbar që përdor dhunë shtazarake kundër qytetarëve të vet.

Populli dhe opozita do e vazhdojnë këtë betejë deri në fund.

E mirëpres angazhimin e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës politike në vend. PD dhe opozita janë gati të përfshihen në një proces politik me ndihmën e ndërkombëtarëve.

Largimi i Ramës është çelësi që i hap rrugën këtij procesi politik, dhe një qeveri tranzitore.

Humbje e thellë për atdheun! Nesër mbërrin në Shqipëri trupi i major Tanushit

Trupi i pajetë i major Klodian Tanushi, që ra në krye të detyrës gjatë misionit të NATO në Letoni, mbërrin në atdhe ditën e mërkurë, datë 15 maj, ora 12.45, me avion ushtarak dhe do të pritet me ceremoni e nderime në pjesën ushtarake të aeroportit “Nënë Tereza”.

Homazhet për Dëshmorin e Atdheut major Klodian Tanushi dhe më pas Ceremonia Shtetërore, do të zhvillohen ditën e enjte, datë 16 maj, ora 10:00 – 12:00, tek Muzeu Historik Kombëtar. Menjëherë pas përfundimit të ceremonisë shtetërore, arkivoli me trupin e major Tanushit do të vendoset në shtrat topi dhe të përcillet në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku do t’i jepet lamtumira e fundit.

Ngushëllime në ambasadat shqiptare jashtë vendit:

Në nder të major Tanushit, në grup-batalionin e NATO-s në bazën Adazi, ku shërben kontingjenti shqiptar është zhvilluar një ceremoni. Ndërsa në ambasadat shqiptare në SHBA, Kanada, Kosovë, Rumani, Turqi, Bullgari, Itali, etj, është çelur libri i ngushëllimeve për të dy efektivët e Forcave të Armatosura shqiptare, të rënë në krye të detyrës, major Klodian Tanushi dhe nëntetare Zarife Hasanaj, të cilët humbën jetën për shkak të një shpërthimi, javën e kaluar në Letoni.

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Mbrojtjes i Letonisë, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në SHBA, vizitoi Ambasadën e Shqipërisë në Uashington, ku la shënimin e tij në librin e ngushëllimeve për dy efektivët.

Në librin e ngushëllimeve në Ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë, ndër të tjerë, kanë lënë shënimet e tyre edhe kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj dhe ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha.