VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Votimet e para pluraliste në Pogradec

By | June 25, 2019

Komentet

Henri Çili i përgjigjet Sadik Bejkos: Pse e botuam “Bllokun” e Isuf Kalos

Poeti Sadik Bejko reagoi për librin “Blloku” të profesor Isuf Kalos, ish-mjeku personal i Enver Hoxhës, në të cilin ai tregon jetën në ishBllokun e udhëheqjes komuniste, marrëdhëniet mes banorëve në të, por dhe portretizime të mjaft drejtuesve kryesorë të asaj kohe.

 

Poeti Bejko e cilëson ishmjekun personal të Enver Hoxhës nëpunës besnik ndaj shefit të tij. “Lexova një fragment, që qarkullon në rrjetet sociale nga libri ‘Blloku’ i doktor Isuf Kalos dhe po jap përshtypjen time: Ky fragment më ngjan me shkrimin e një nëpunësi besnik ndaj shefit/shefes së vet… edhe kur atë e kanë liruar nga shërbimi.

Të mbetesh besnik është një virtyt i rrallë në këto kohë. Për më tepër kur ishshefin tënd, të rënë nga fiku me turp, më e pakta e përçmojnë.

Kjo shkon dhe me përtej të qenurit besnik. Ky është shërbim devotshmërie”, shkruan Bejko në reagimin e tij. Por ai ka dhe një mesazh për botuesin e këtij libri, Henri Çili, i cili është autor i parathënies së këtij libri.

“Shqipëria prapë na del sui generis. Askush në botën e sotme nuk boton libra/shkrime rehabilitues për të vejat e diktatorëve komunistë. Kjo është dhe ‘energji pozitive’ e Shqipërisë, sipas botuesit, reklamuesit Henri Cili. Janë të mjerë popujt që vuajnë sindromin e viktimës: adhurojnë dhunuesit e vet”, përfundon reagimin e tij shkrimtari dhe poeti i njohur Sadik Bejko.

Në fakt, autori i librit, Isuf Kalo, duke e pritur debatin dhe polemikat që do të shkaktonte libri i tij, ka vendosur në parathënien e tij një thënie të shkrimtarit Bashkim Shehu, ish-djalit të Kryeministrit Mehmet Shehu. “Nëse lexuesi mendjen e ka tek autori, jo te libri, gabohet që lexon”, shkruan Bashkim Shehu.

Ky libër nuk është për Enver Hoxhën. Është për Bllokun, është për një territor, mendësi, e mënyrë e konceptimit të rolit të tyre dhe marrëdhënieve me publikut. Figura e Enver Hoxhës del qoftë si pacient, qytetar apo si udhëheqës”, u shpreh Isuf Kalo ditën e promovimit të librit.

Henri Çili: Pse “UET PRESS” e botoi librin “Blloku” të Isuf Kalos

Në një status në “Facebook”, Sadik Bejko, një personazh gjithsesi prezent në jetën letrare për të cilin kam pasur një konsideratë miqësore dhe korrekte, edhe sepse e kam ndeshur në rrethin miqësor të Ismail Kadaresë, më përmend duke më keqvendosur edhe mua si botues i librit të Isuf Kalos, “Blloku”.

Është në të drejtën e z. Bejko ta shohë përmbajtjen e një libri në një shoqëri të lirë, sipas mënyrës së tij, por dy gjëra duhen saktësuar ndërsa moralizon libra, autorë, botues, diktaturën dhe totalitarizmin shqiptar. Së pari, është paragjykim të shkruash për një libër, qoftë edhe një impresion, pa e lexuar të tërin dhe të gjykosh librin, autorin me kaq pak, është aprofesionale.

Së dyti, ky qëndrim moral për diktatorin, diktaturën, të venë e diktatorit, bllokun që përfaqësojnë totalitarizmin shqiptar bëhen duke rënë mbi një totalitarizëm tjetër, praktikisht mbi pretendimin për të mos botuar këso librash me këso përmbajtjeje. Ndaj, si botues i “UET PRESS” gjej rastin të shpjegoj pse e botova me shumë kënaqësi, duke e shoqëruar me një parathënie librin “Blloku” të profesor Isuf Kalos.

Arsyeja e parë, koncepti demokratik i botuesit nuk presupozon, madje përjashton çdo formë të censurimit, mosbotimit apo mbajtjes qëndrim përmes mosbotimit të librave me një përmbajtje të caktuar, këndvështrim të caktuar, pikëpamje e mendim të caktuar, edhe mbi temat më të ndjeshme të një shoqërie, siç ka qenë e do të mbetet tema e diktaturës komuniste shqiptare.

Liria e botimit është një premisë themelore e kohës së re demokratike dhe askush nuk ka të drejtë të identifikojë apo të pretendojë se identifikon një këndvështrim dhe të ketë monopolin e tij, qoftë ky edhe këndvështrimi mbi një regjim mizor, siç ishte diktatura komuniste apo një diktator të urryer si Enver Hoxha dhe derivatet e familjes apo sistemit.

Ndaj, propozimit për një botues të totalitarizmit të ri totalitar i themi apriori ‘Jo’ si “UET PRESS”. Arsyeja e dytë është fakti që platforma e një shtëpie botuese universitare, aq më tepër është universale.

Ajo parasheh të gjitha këndvështrimet, të gjitha pikëpamjet, të gjitha idetë, të gjitha këndgjykimet, pa privilegjuar askënd, pa përjashtuar askënd, derisa kjo i shërben kujtesës dhe nuk përbën thjesht liri botimi. Arsyeja e tretë është fakti që libri “Blloku” i profesor Kalos kompleton një projekt më shumë se 10-vjeçar të “UET PRESS”-it mbi Kujtesën, në të cilën janë botuar më shumë se 25 tituj.

Kujtime, refleksione, dokumente, ese, studime mbi diktaturën e tranzicionin shqiptar, ku spikasin autorë dhe vepra të shkëlqyera si Vera Bekteshi, Spartak Ngjela, Aleksandër Meksi, Preç Zogaj, Kurt Kola, Eugjen Merlika, dokumentet e Dashnor Kaloçit për Kadarenë etj.. Të gjitha këto vepra përbëjnë një kolanë të jashtëzakonshme, të dobishme për studentët e studiuesit tanë si burime parësore apo dytësore, në ndihmë të funksionit shkencor të Universitetit Europian të Tiranës.

Arsyeja e katërt është funksioni i roleve në një shoqëri, i mirëkuptimit Pse “UET PRESS” e botoi librin “Blloku” të Isuf Kalos HENRI ÇILI për rolin e secilit në jetën e tij, apo rolit social. Si botues, unë jam totalisht i detyruar by definition të botoj këndvështrimin e mjekut të diktatorit shqiptar mbi Bllokun, regjimin komunist, postkomunizmin apo tranzicionin shqiptar. Po të shkruaja vetë si autor një libër për Bllokun, diktaturën, Enverin apo Nexhmijen, kjo do të ishte një gjë e rol krejt tjetër.

Por ne duhet të kemi mirëkuptimin që mjeku i Enver Hoxhës është brenda rolit të tij si mjek dhe ai do të ketë këndvështrimin e mjekut mbi ngjarjet, regjimin, fenomenet. Një këndvështrim tjetër ka i burgosuri politik X, i internuari Y, një këndvështrim tjetër ka një funksionar i diktaturës apo një studiues i huaj. Kjo është minimalja. Arsyeja e pestë është fakti që, duke bashkëpunuar me profesorin e nderuar Kalo për ndërtimin e Fakultetit të Shkencave Teknike Mjekësore në UET në tri vitet e fundit, kam krijuar një simpati e miqësi personale të veçantë, jo thjesht për këtë profesionist të shkencave mjekësore, por për këtë intelektual, figurë publike, e njeri me energji pozitive.

Dhe po ashtu, duke qenë nga lexuesit e parë, në dorëshkrim të librit mes më shumë se 50 njerëzve që doktor Kalo ua dha dorëshkrimin dhe u mirëpriti vërejtjet, më duket se prof. Kalo ia ka dalë me sukses misionit për të shkruar nga pozicioni e këndvështrimi i tij për një temë kaq delikate, që siç e ndeshim edhe në shënimet e fundlibrit edhe nga të tretë si prof. Fatos Tarifa, Luçiano Boçi apo çifti Ismail e Helena Kadare.

“Libri është shkruar shumë bukur, me shumë kujdes, çka nuk ka qenë e lehtë për një temë delikate”, është citimi i tyre. Personalisht, mendoj se prof. Isufi ia ka dalë e s’mund të paragjykohet, aq më pak pa u lexuar libri. P.S. Keqpërdorimi i termit “energji pozitive”, i përdorur nga unë në parathënien e librit, për personin e Isuf Kalos dhe për asgjë tjetër, të cilin e njohin të gjithë për natyrën e tij dhe kjo e imja nuk është veçse një konfirmim, është një nga spekulimet e statusit të Sadik Bejkos, i cili duket një spekulim i tipit old school, së cilës Bejko siç duket s’mund t’i ikë dot.

Gazeta “The Daily Mail” boton kabllograme të reja të ish-ambasadorit të Britanisë

Gazeta britanike “The Daily Mail” botoi të dielën kabllograme të reja të klasifikuara të ish-ambasadorit të Britanisë në Shtetet e Bashkuara Kim Darroch.

Në to zbulohet se ambasadori Darroch besonte se tërheqja e presidentit amerikan Donald Trump nga marrëveshja bërthamore me Iranin ishte një “vandalizëm diplomatik” kundër paraardhësit të tij, Barak Obama.

Javën e kaluar, gazeta publikoi kabllograme të tjera të klasifikuara të zotit Darroch rreth Presidentit Trump, ku diplomati britanik e përshkruante udhëheqësin e Shteteve të Bashkuara si një njeri “të paaftë”, “të pasigurt” dhe “jokompetent” dhe administratën e tij si “jofunksionale”.

Ambasadori Darroch dha dorëheqjen nga funksioni i tij të mërkurën pas rrjedhjes së infromacionit të kabllogrameve, të cilat u botuan në media dhe sulmit të zotit Trump në Twitter për këtë çështje.

Kabllogramet e ambasadorit britanik duhet të shiheshin vetëm nga ministrat kryesorë britanikë dhe nëpunësit civilë. za

Jusuf Buxhovi dhe Galileo – Nga Ilir Muharremi

Shumë të vërteta janë të kuptueshme në esencë, por duhet të thellohen të bëhen të qarta edhe për arsyen, rasti kontret i Jusuf Buxhovit që tha se lufta e UÇK-së nuk kishte qenë e pastër sepse 102 zyrtarë të LDK-së ishin vrarë. Ky njeriu sakrifikoi veten për hirë të argumenteve të cilat krejt i dinë, dhe në botë kishte edhe njerëz që kanë vdekur për hir të shumë argumenteve ontologjike. Galileu, i cili zotëronte një të vërtetë shkencore të rëndësishme, e mohoi me lehtësi sapo iu vu jeta në rrezik. A bëri mirë? Natyrisht. Pse ta humbte jetën në turrën e druve për një të vërtetë. Toka apo dielli rrotullohen rreth njëri-tjetrit, kjo gjë është pa interes. Është problem i kotë sikur ta mbronte teorinë e tij sepse do vdiste Galileo.

E Buxhovi e tha një të vërtetë të hidhur nga e cila kanë vdekur shumë njerëz, por edhe këtu para se të gjykohej nga masa sikur të ishim në mesjetë, në kohën tonë duhet gjykata të jap vendim se a gaboi Buxhovi apo kishte të drejtë e jo turma mediale. Ata njerëz më shumë e kanë zbeh UÇK-në se sa që e kanë ngritë dhe UÇK-ja kishte mision të pastër, kjo dihet. Vrasjet pas luftës nuk u mohuan, Buxhovi zgjodhi turrën e druve dhe nuk po e mohon një të vërtetë siç e bëri Galileo.

Ndoshta po t’i vihet jeta në rrezik, secili do ta mohonim. Buxhovi e ngriti problemin e ata nuk po merren me problemin, por po e kërcënojnë Buxhovin. E nëse do të vazhdon çdo zbardhje Buxhovi nuk ka nevojë të frikësohet si Galileo sepse jetojnë në kohrat tjera por me mendime të njëjta./bota sot

22 burra para pushkatimit rrethuan me trup gruan që refuzoi dashurinë e Enver Hoxhës. Si u varros për së gjalli në gropën e përbashkët

Si në çdo fushë të jetës, edhe në atë të marrjes së jetës së armiqve ndodhnin parregullsi, kur rregulli nuk respektohej korrektësisht, siç ishte rasti i një ish-shefi të shtabit të ushtrisë i cili, pasi u shpall armik, dha shpirt me mjaft vështirësi nga rrahja me purteka të trasha druri në karrocerinë e një kamioni ushtarak.

Pra në mospërputhje të plotë me rregullat elementare të ekzekutimit.

enveri

Po si pasojë e shkeljes së rregullores, ndodhi që në një pushkatim pa gjyq që iu bë 23 intelektualëve të shquar të kohës, 22 burra dhe një grua, pikërisht gjatë çastit kulmor të krejt procesit, atij të ekzekutimit, në respekt të të vetmes grua, të 22 burrat nuk ndenjën në rresht për një përballë, siç e kërkonte rregullorja, por u bënë rreth, duke e mbrojtur me trupat e tyre atë grua, i vetmi faj i të cilës kishte qenë refuzimi i dashurisë së Udhëheqësit në të ritë e saj dhe ca më pas, mospërqafimi i idealit të vetë Udhëheqësit. Ndonëse e shpëtuan nga breshëria e plumbave, qëlloi që ashtu të lidhur me një tel të përbashkët me të gjithë të pushkatuarit, këta e tëhoqën pas vetes, për së gjalli, në gropën e përbashkët, hapur paraprakisht nga ata vetë.

Si rrjedhojë, fshatarët e atyre zonave u lemerisën tek dëgjonin ca rënkime dalë nga thellësia e tokës, për aq kohë sa i duhej një qenieje njerëzore të japë shpirt, mbuluar me dhe e bërë njësh me trupat e vdekur të 22 bashkëvuajtësve të saj.

Fragment nga romani “Metamorfoza e një kryeqyteti”, i shkrimtarit Ylljet Aliçka/Gsh.al

Hooper: Merkeli bllokoi planet e Thaçit dhe Vuçiqit për ndryshim kufijsh

“Vizita e presidentit francez, Emmanuel Macron (në Serbi) ka për qëllim konsolidimin e marrëdhënieve ndërshtetërore franko-serbe, por gjithashtu me detyrë gjetjen e një mundësie për rinovim të dialogut serbo-kosovar”, thotë James Hooper, ballkanolog dhe ish-diplomat i lartë amerikan.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbe, Hooper thotë se Macroni do të shkojë në Beograd me iniciativë të kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila – siç thotë ai – ka bllokuar marrëveshjen, të cilën praktikisht dy palët veçse e kishin pranuar.

“Në gjithë këtë ndodhi një diçka e pabesueshme, liderët serbë dhe kosovarë arritën një koncept, i cili kishte të bënte me demarkacionin e kufijve, e cila përfshinte edhe një ndryshim relativisht të vogël të territoreve, por këtë nuk e pranuan evropianët. Dy liderët në parim u pajtuan për marrëveshjen, por evropianët e refuzuan atë, e më së shumti Gjermania, qëndrimi i së cilës është vendimtar. Për mua kjo është e pabesueshme që një marrëveshje gjithëpërfshirëse të refuzohet, ndërsa nuk është ofruar asnjë zgjidhje alternative. Pas kësaj, kancelarja gjermane Angela Merkel ia la në dorë Macronit që të shohë nëse ekziston ndonjë mënyrë që marrëveshja e arritur mund të ndryshojë në ndonjë proces tjetër i cili do të çonte në një marrëveshje të re”, theksoi ai, transmeton Koha.net.

Eksperti amerikan shton se Gjermania defakto është koordinuar me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili “ka bllokuar marrëveshjen në Kosovë duke luajtur me kartën nacionaliste”…

“… ndërsa kancelarja Merkel e ka bllokuar marrëveshjen brenda Bashkimit Evropian, në samitin e paradokohshëm të Ballkanit Perëndimor në Berlin. Ka zhvilluar një bisedë goxha të rëndë me Aleksandar Vuçiqin dhe mendoj se aty ka marrë fund ajo marrëveshje në të cilën Thaçi e Vuçiqi thanë shumë mund. Jam i bindur se marrëveshja do të arrihej dhe kjo të afronte Serbinë me anëtarësim më të shpejtë në BE, sikurse besoj që edhe Kosova do të anëtarësohej më lehtë në OKB”.

Hooper thotë se debakli në Berlin nënkupton edhe fundin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse në tërësi. Ai po ashtu deklaron se marrëveshja gjithëpërfshirëse nuk ka alternativë, e cila sipas natyrës së saj kërkon një rregullim territorial, të cilin Merkeli e refuzon si pjesë të zgjidhjes.

“Tash BE-ja e ka në dorë. Macronit i është lënë ‘patatja e nxehtë’ që të gjejë nëse marrëveshja gjithëpërfshirëse ka alternativë, të cilën dy palët e patën. Sepse tani e kemi situatën ku e tërë ideja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse është hedhur poshtë. Provojnë të gjejnë zgjidhje tjetër, por nuk ekziston një e tillë. Për dallim nga evropianët, administrata amerikane është e vetëdijshme që një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit duhet të përfshijë shkëmbim të caktuar territori. Realiteti është se nuk ka vend për zgjidhje të pjesshme. Ju kujtohet marrëveshja e Brukselit, në qendër të së cilës ka qenë formimi i Asociacionit të komunave serbe, të cilën marrëveshje e kishte arritur më 2013 Catherine Ashton, paraardhësja e Federica Mogherinit. Ajo marrëveshje ka vdekur, sepse pala kosovare nuk ka dashur ta pranojë”.

Hooper deklaron po ashtu se Gjermania ende s’e ka mësuar leksionin e rëndësishëm, dhe se Macroni, pas vizitës në Beograd, do të tregojë nëse edhe Franca është e vetëdijshme për këtë.

Vuajtja me moszgjedhjet – Nga Dr. TOBIAS RÜTTERSHOFF*

Zgjedhjet lokale në Shqipëri, më 30 qershor 2019, bojkoti i opozitës, janë kulmi i ngërçit politik që po zhvillohet për muaj me radhë dhe po e zhyt Shqipërinë gjithnjë në një krizë institucionale dhe kushtetuese. Partia Socialiste (PS) e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama mori pjesë në zgjedhje, edhe pse Presidenti Ilir Meta i anuloi ato më herët për shkak të situatës së tensionuar, duke i zhvendosur në tetor. Zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë paqësore, por me pjesëmarrje shumë të ulët dhe nuk u pranuan nga opozita. Mbetet të shihet sesi vendi do të të zhvillohet në krizën më serioze të historisë së saj gjatë dekadës së fundit.

GJENDJA ALARMANTE E DEMOKRACISË NË SHQIPËRI

Zgjedhjet lokale të 30 qershorit ishin të parat në 30 vjet, kur forcat kryesore opozitare të vendit bojkotuan procesin zgjedhor. Si rezultat i këtij bojkoti, kishim në 30 komuna vetëm një kandidat të Partisë Socialiste dhe koalicionit të saj, ndërsa në 31 komuna të tjera në vend kishim dy deri në pesë kandidatët nga partitë e vogla. Bojkoti ishte akti i fundit i një konflikti të gjatë dhe të thellë ndërmjet Partisë Socialiste të Kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Demokratike (PD) të udhëhequr nga Lulzim Basha, ndërmjet të cilit qëndron Shqipëria. Vendi ndodhet në buzë të një krize institucionale dhe kushtetuese, të cilat kanë ndikim negativ në hapjen e bisedimeve të pranimit me Bashkimin Europian (BE).

Mosmarrëveshja për zgjedhjet lokale dhe grindjet e mëparshme hodhën një dritë të keqe mbi Kushtetutën demokratike të Shqipërisë. Deri në mes të shkurtit 2019, opozita njoftoi se do të linte mandatet parlamentare. Ajo e argumentoi këtë lëvizje radikale me faktin se nuk donte të shërbente “fasadë e një regjimi jodemokratik”. Që nga dorëheqja e mandatit, kanë ndodhur disa protesta me pjesëmarrje të gjerë në Tiranë, të shoqëruara pjesërisht nga trazira të dhunshme në të dyja krahët. Si dhuna në protesta dhe dorëheqja e mandateve është kritikuar në mënyrë të përsëritur nga bashkësia ndërkombëtare. Me thirrjen “Rama Ik!”, opozita bën thirrje për dorëheqjen e Kryeministrit Rama dhe e akuzon për korrupsion, manipulimin e zgjedhjeve dhe lidhjet me krimin e organizuar. Në janar të vitit 2019 “Voice of America” (VOA) dhe Rrjeti i Kërkimeve Investigativ Ballkanik (BIRN), publikoi përgjimet të regjistruara nga Prokuroria, që tregonin se në disa qytete krerët e lartë të PS së bashku me krimin e organizuar, manipuluan votat në zgjedhjet e përgjithshme të 2017 dhe ato lokalet të zhvilluara në Dibër në 2016. Gazeta gjermane “Bild” botoi më 5 dhe 17 qershor 2019 përgjime të tjera ku del edhe vetë Kryeministri Rama.

Opozita (tani jashtë Parlamentit) deklaroi bojkotin për zgjedhjet lokale më 30 qershor. Kjo rezultoi jo vetëm në faktin se në shumë komuna pati vetëm një kandidat për kryetar bashkie, por edhe në komisionet zgjedhore, opozita gjithashtu nuk u përfaqësua. Edhe Parlamenti, aktualisht, nuk është në gjendje të funksionojë për shkak të dorëheqjes së opozitës. Pas dorëheqjes së mandateve nga ana e deputetëve nga PD-së dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) kandidatëve të (mbyllur) vendet u plotësuan. Këta deputetë nuk njihen nga ana e PD dhe LSI si përfaqësues të opozitës; ata duhet të jenë blerë nga PS për të vepruar si manekinë.

Pjesa më e vështirë është sigurisht se gjyqësori shqiptar, dhe në veçanti Gjykata Kushtetuese, aktualisht nuk funksionon për shkak të procesit të “rivlerësimit” të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Procesi ende nuk ka sjellë rezultatet e shpresuara, por ka çuar në një paralizim të thellë të sistemit gjyqësor. Në vend të shqyrtimit dhe shkarkimit të gjyqtarëve në baza individuale, procesi i lustrimit (vetingu) u krye njëkohësisht për gjykatësit dhe prokurorët më të lartë. Për shembull, në Gjykatën Kushtetuese, nga nëntë gjyqtarët, vetëm një kaloi procesin e vetingut, ndërkohë të tjerët dhanë dorëheqjet ose u shkarkuan.

Meqenëse institucionet, të cilat do të shqyrtonin dhe përzgjidhnin kandidatët e rinj, ende nuk ishin krijuar, që nga viti 2018 Gjykata Kushtetuese u bë jofunksionale. Kjo çon ndër të tjera për faktin se vendimet e ekzekutivit nuk mund të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese. Si rezultat, Shqipëria po përjeton një krizë të thellë politike vendore, pa një gjyqësor funksional, pa opozitë parlamentare dhe me një gjendje shoqërore të agravuar.

Presidenti Meta, zyrtarisht i pavarur, por më parë kryetar i LSI, tashmë parti jashtë Parlamentit, njoftoi shtyrjen e datës së zgjedhjeve në 13 tetor. “Pa pjesëmarrjen e opozitës nuk ka zgjedhje të sinqerta, demokratike dhe përfaqësuese”, argumentoi ai. Kryeministri Rama, megjithatë anuloi vendimin e Presidentit dhe Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) gjithashtu insistoi në datën fillestare. Kështu, më 30 qershor, u zhvilluan zgjedhjet lokale, por për shkak të rrethanave – në veçanti, se në shumë bashki kishte vetëm një kandidat në fletëvotim – në të vërtetë nuk mund të flitet për një “zgjedhje” të vërteta.

PA DHUNË

Pas mbylljes së qendrave të votimit të dielën e kaluar, kishte të paktën lajme të mira: nuk pati dhunë. Në ditët e mëparshme, ka pasur raportime për sulme ndaj qendrave të votimit për t’i ndaluar ato. Në ditën e zgjedhjeve, qeveria nxori shumë oficerë Policie për të parandaluar përplasjet gjatë procesit zgjedhor. Megjithatë, ishte gjithashtu e rëndësishme që kryetari i PD-së, Basha, bëri thirrje një ditë para zgjedhjeve në mënyrë eksplicite për protesta paqësore dhe distancim nga dhuna. Prandaj, qytetarët mundën të shkonin në votime në mënyrë të rregullt. Asnjë incident i madh nuk është raportuar, përveçse në disa qytete demonstruesit protestuan, duke kënduar këngë komuniste kundër votimit monopartiak me qëllim që të talleshin me të.

Përkundrazi, zgjedhjet u zhvilluan të qeta, në kuptimin administrativ: Nga rreth 3.5 milionë votues sipas rezultateve paraprake të KQZ, vetëm 812.249 ose 22.97% morën pjesë. Pjesëmarrja më e ulët u regjistrua në komunën e Lezhës, ku vetëm 8.93% e qytetarëve morën pjesë në zgjedhje. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së tha në një konferencë për shtyp se pjesëmarrja e votuesve ishte edhe më e ulët se ajo e raportuar nga KQZ, përkatësisht 15.12%. Për më tepër, PD vërejti shumë parregullsi në këtë proces votimi me vëzhguesit e saj, siç janë frikësimi i votuesve, blerja e votave, më shumë vota të hedhura se votues të regjistruar etj. [2]

Kryeministri Rama e quajti votimin paqësor “një fitore për një Shqipëri Europiane”. Ai i bëri thirrje opozitës për dialog dhe i ftoi ata të bashkoheshin me Reformën Zgjedhore, ndërkohë që ai tha se, duke pasur parasysh reformën e gjyqësorit, nuk mund të negociohej. Kreu i opozitës, Basha, nga ana tjetër, e përshkroi procesin zgjedhor si një farsë. Ai tha se ishte bërë një referendum anti Rama, me 85 për qind të qytetarëve shqiptarë që bojkotuan procesin zgjedhor.

“KUJDES I ULËT KUNDREJT INTERESAVE TË ELEKTORATIT”

Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), e cila monitoron zgjedhjet në Shqipëri për disa vjet, publikoi një raport paraprak menjëherë pas zgjedhjeve. [3] Drejtuesja e Misionit ODIHR, ambasadorja Audrey Glover, e cila e monitoroi procesin zgjedhor me 126 vëzhgues, e paraqiti atë në një konferencë për shtyp. Ajo përmendi shumë probleme të identifikuara edhe nga PD, të tilla si:

-Zgjedhjet lokale u karakterizuan nga një kujdes i ulët kundrejt interesave të elektoratit;

-I vetmi institucion që vendos për dekretin presidencial [zhvendosja e zgjedhjes] është Gjykata Kushtetuese;

-Vendimet e KQZ u karakterizuan nga paqëndrueshmëri, gjë që çoi në paqartësi ligjore; -Ka pasur një presion të përhapur në administratë;

-Regjistrimi i Bindja Demokratike për zgjedhje ishte i paligjshëm;

-Mediat kryesore si “Top Channel” dhe “Klan TV” raportuan pozitivisht për qeverinë dhe negative për opozitën, bazuar në interesat e pronarëve të mediave.

Për opozitën, raporti ishte, pra, një konfirmim i pozitës së tyre. Megjithatë, ambasadorja Glover bëri një deklaratë të qartë për vlefshmërinë e votës.

“Ne ende po mbledhim informacione dhe ende nuk kemi një pasqyrë të qartë të procesit zgjedhor. Deri sa të marrim këtë informacion, ne nuk mund të bëjmë ndonjë deklaratë për të thënë nëse këto zgjedhje përmbushin standardet zgjedhore”, tha Glover, duke shtuar se “nuk është misioni ynë për të certifikuar zgjedhjet. Ne i monitorojmë ato dhe përgatitim një raport përfundimtar”. Me këtë, ajo e zhgënjeu shpresën e shumë prej individëve për mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve.

Protesta të reja dhe nevoja për diskutim Topi tani është kthyer tek partitë shqiptare për të gjetur një zgjidhje për këtë krizë, sepse kryebashkiakët e PD-së kanë deklaruar se nuk do t’i lëshojnë zyrat e tyre. Për këtë arsye, Presidenti Meta njoftoi gjithashtu një propozim në një konferencë shtypi më 2 korrik. Ai propozoi të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet për Presidentin më 13 tetor. Ai u bëri thirrje politikanëve shqiptarë që të veprojnë si burra shteti dhe t’i zgjidhin vetë problemet. Megjithatë, ky propozim u refuzua gjithashtu nga Kryeministri Rama, i cili vazhdon të ndezë krizën.

Të hënën, më 8 korrik, opozita mbajti protestën e dhjetë kundër Kryeministrit Rama në zemër të Tiranës. Në prag të saj, analistët politikë ngritën jo vetëm çështjen e shpërthimeve të mundshme të dhunës, por në veçanti sa njerëz do t’i bashkoheshin thirrjes së kryetarit Basha dhe çfarë mesazhi do të dërgonte ai. Në Shqipëri, për fat të keq, është një zakon politik jo vetëm transferimi i zyrave të politikanëve në rast të ndryshimit të pushtetit, por dhe i mbështetësve të partisë së mundur, të cilët punojnë në administratë, pas humbjes së të gjithë kryetarëve të komunave të mbetura, sidomos në fortesat e PD-së në Shqipërinë e Veriut, si Shkodër dhe Kukës. Prandaj, kërcënohet humbja e mijëra vendeve të punës të përkrahësve të PD-së, ku udhëheqja e partisë është gjithashtu nën presion nga strukturat e saj. Çështja e numrit të pjesëmarrësve në demonstratën e fundit u konsiderua si përcaktues për vetë kryetarin e partisë.

Dhjetëra mijëra njerëz dolën për të protestuar të hënën mbrëma, të cilat përsëri u zhvilluan në mënyrë paqësore. “30 qershori ishte një referendum për të keqen. Rama, ik “, thirri Basha në turmë, duke u thënë atyre të bërtisnin më. “Shqiptarët tani duan një ndryshim të vërtetë, një ndryshim përfundimtar dhe ne do ta kryejmë atë,” tha kreu i opozitës, duke shtuar se protesta dhe veçanërisht përfshirja e shumë anëtarëve të partisë mund të shërbejnë si një konfirmim paraprak i bazës së partisë për kursin e Bashës. Do të jetë interesante, për shembull, në mes të gushtit, kur PS, pas publikimit të rezultatit zyrtar përfundimtar nga KQZ dhe konfirmimit nga Gjykata, do të përpiqet të marrë zyrat e kryetarëve të bashkisë.

Ndërkohë, Parlamenti shqiptar votoi të hënën për të ngritur një komision të posaçëm për të nisur një hetim ndaj Presidentit Ilir Meta për shkelje të Kushtetutës. Rama, i cili e kishte mbështetur Presidentin në zgjedhjen e tij në vitin 2017, tani e akuzon atë si “armik i Kushtetutës shqiptare”, pasi ai u përpoq të shtyjë zgjedhjet lokale, duke hequr dorë nga dekreti i tij. Për shkak të Parlamentit aktual të dominuar nga PS, pritet që të merret vendimi për të shkarkuar Metën. Në fund të fundit, megjithatë, Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë për të, por ajo, siç është u përshkruar më lart, aktualisht është jofunksionale.

Shqipëria po ecën për një verë që nuk është vetëm e nxehtë për shkak të motit, por edhe politikisht “e nxehtë”. Frontet politike janë ngurtësuar dhe një marrëveshje për të ardhmen e vendit aktualisht duket shumë e largët. Një qasje do të ishte një ndërmjetësim ndërkombëtar ndërmjet antagonistëve, ku nuk është e qartë se sa e fortë është gatishmëria për të folur ose gatishmëria për të zbatuar kompromiset e arritura. Për t’i bërë gjërat edhe më keq, BE-ja është e zënë me veten pas zgjedhjeve europiane dhe grindjeve në posedimin e posteve të larta, kështu fokusi për situatën në Shqipëri është i pakët.

Lidhja e Shqipërisë me Perëndimin është në të vërtetë e vetmja pikë ku bashkohen dy kampet politike. Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009 dhe, që nga viti 2014, një vend kandidat për në BE. Sipas sondazheve, deri në 95 për qind e popullsisë dëshiron anëtarësim në BE, vlera më e lartë në Ballkanin Perëndimor. Jo më pak, për shkak të ngërçeve politike dhe konfuzioneve të muajve të kaluar, fillimi i negociatave për anëtarësim u shty. Mbajtja e zgjedhjeve të lira është një nga kërkesat kryesore të BE-së ndaj vendeve kandidate. Me këtë parodi të zgjedhjeve, vendi nuk ka bërë paraqitje të mirë në për këtë çështje.

*Shef i zyrës së Fondacionit Konrad Adenauer në Tiranë

Vila superluksoze e Leonora Jakupit në Golem

Leonora Jakupi ka kohë që nuk ka sjell ndonjë këngë të re para fansave dhe opinionit të gjerë.

Pos që është këngëtare, shumë pak dihet për jetën private të bukuroshen gjersa ka arrit ta fshej nga syri i publikut.

Ajo që deri më tani dihet se zeshkanen nuk e kemi parë në krah të ndonjë mashkulli, por që kohë pas kohe aktivizohet në rrjetet sociale.

Duket se artistja ka edhe një vilë superluksoze në qytetin turistik të Durrësit, përkatësisht në Golem.

Leonora së fundi ka publikuar një fotografi në llogarinë personale të villës gjersa në oborr mban edhe një breshkë të vogël.

Ndryshe, Jakupi gjatë ditës së sotme pritet të sjell video projektin më të ri muzikor, i cili do t’i përshtatet stinës së verës. /Telegrafi/

Eksperti amerikan: Erdogani synon të marrë Ballkanin nën kontroll

Një profesor amerikan ka akuzuar presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan se po tenton t’i kthejë shtetet e Ballkanit Perëndimor në shtete islamike.

Alon Ben Meir është një ekspert amerikan në politikat dhe çështjet e Lindjes së Mesme, i specializuar në negociatat e paqes midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ai këtë e ka thënë nëpërmjet një statusi në Facebook ku i referohet një deklarate të presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan.

“Paqja, stabiliteti, qetësia dhe prosperiteti i shteteve të Ballkanit janë ekstremist me rëndësi për ne”, tha Erdogani dje. Po, zotëri Erdogan, ju nuk mund ta fshihni sa “me rëndësi”, është për juve ta merrni këtë regjion nën kontroll dhe t’i shndërroni këto shtete në shtete islamike”, ka shkruar në Facebookun e tij, Meir.

Ben-Meir i cili shërben si bashkëpunëtor i lartë në Qendrën e Çështjeve Globale të Universitetit të Nju Jorkut kohëve të fundit është marrë edhe me çështjen e Turqisë.

Ai gjithashtu ka marrë në fokus edhe çështjen e shteteve të Ballkanit dhe problemet në këtë pjesë të Evropës.

Një status tjetër i tij, gjithashtu tregon se si askush në Kosovë nuk ka marrë përgjegjësi për indoktrinimin e të rinjve që kanë marrë pjesë në luftën e Sirisë.

“Kosova ka tani mbi 900 xhami – 240 prej tyre të ndërtuara që nga lufta kundër Serbisë – dhe janë të fajësuara për ndihmë ndaj indoktrinimit të gjeneratës së re në Vehabizëm, dhe askush deri tani nuk ka mbajtur përgjegjësi për indoktrinimin e qindra burrave dhe grave nëpër xhami”, ka shkruar Ben-Meir.

PRESIDENTËT E SHQIPËRISË NËN HIJEN E FRIKËN E GREQISË – Pse nuk i dhanë e nuk i japin Aristidh Kolës titullin “Nderi i Kombit”? – Nga KOLEC P. TRABOINI

Që nuk gjen një grek në botë që të bëjë lojën e Shqipërisë e të shqiptareve kjo po dihet. Dhe është e natyrshme. Çdo kush punon e sakrifikon për kombin e atdheun e vet. Grekët bëjnë aq shumë për Greqinë madje duke i tejkaluar edhe të drejtat që kanë e duke spekuluar e imponuar siç është rasti me minoritetin grek në Shqipëri. E veçanta është se grekët minoritarë që kanë jetuar e jetojnë në Shqipëri, pavarësisht regjimeve që ka pasur ata kurrë nuk e kanë ndjerë veten inferiorë. Populli shqiptar është shumë dashamirës dhe nuk kemi pasur në histori ndjesi apo shfaqje racizmi. Përkundrazi mirësi dhe respekt për të huajt kjo edhe për shkak të traditave që shqiptari ka pasur në shekuj “Shtëpia e Zotit dhe e miqve!”. Këta kanë qenë shqiptarët në histori.

Por le të shohim e analizojmë veten në një kënd tjetër vështrimi, pra anën tjetër të medaljes. Si sillemi ne si shtet dhe institucione në lidhje me interesat e shqiptarëve në Ballkan e më gjerë. Sa i mbrojmë interesat e bashkëkombësve tanë jashtë Shqipërisë ? Sa e si punojmë ne, si sillemi, si shfaqemi përpara atyre që kanë gjak e gjuhë shqiptare e jetojnë anë e mbanë Ballkanit apo dhe në hapësira e shtete të tjera? Në këtë vështrim mund të them se ne jemi mjerimi i mjerimeve. Jemi shteti më i papërgjegjshëm në Europë. Ne mburremi e rrahim gjoksin “O sa mirë me qenë shqiptar!” nëpër koncerte folk a mitingje politike populiste dhe me këtë sikur e kemi kryer detyrën tonë ndaj kombit. E them këtë sepse e kam konstatuar në Atdhe, por edhe gjatë disa dekadave në mërgim. Mjerisht ne kemi shtetarë që shohin vetëm interesat e ngushta të klaneve, grupimeve, tarafeve dhe fare pak ose aspak përkujdesje për atë që na mban në këmbë si komb e si shtet.

Dua të vë në dukje e të sjell në vëmendje një shëmbëllesë mjerane për të kuptuar çfarë ndodh në Shqipëri dhe sa të papërgjegjshëm janë shtetarët e këtij vendi ani pse formalisht kanë krijuar një ministri e kanë shpallur një ministër të Diasporës që nuk bëjnë asgjë. Dhe rasti më tipik është qëndrimi ndaj një figure madhore, arvanitasit më të madh të shekullit të 20-të, veprimtaria e vepra e të cilit bën krenar çdo shqiptar kudo që ndodhet në botë. Ai është Aristidh Kola. Nuk themi se ishte, edhe pse ka vdekur i helmuar nga qarqet ultra nacionaliste të vendit fqinj, nuk themi ishte se për ne mbetet gjallë e kështu do ta konsiderojmë gjithmonë. Kam shkruar vite më parë, madje botuar edhe një libër me titullin “Vrasja e dytë e Aristidh Kolës”, i kemi rënë kambanave, por pushtetarët shqiptarë kanë bërë kinse janë shurdhë e nuk dëgjojnë se për të folur nuk bëhet fjalë, se Aristidh Kolën fizikisht e kanë hequr mizorisht nga jeta, por ai ka lënë veprën e tij të cilën edhe atë duan ta vrasin. Plot përpjekje kanë bërë. Për të vrarë historinë nuk bën punë as plumbi e as helmi. Mjafton të shuhet kujtesa. Dhe për këtë punojnë me mënyrën më të sofistikuar falangat e shovinizmit.

Ne shqiptarët nuk jemi aq të pamend të mos kuptojmë se pse grekët e mbajnë marrëzishëm Ligjin e Luftës me Shqipërinë, por ndërkohë nuk e kanë ligjin e luftës me Italinë ushtria e të cilës e sulmoi Greqinë. Mirë ata, po ne vetë çfarë bëjmë? Si e trajtojmë ne problemin e ekzistencës së shqiptarëve të Greqisë të cilët janë jo thjesht komunitet, por shtet formues. Çdo veprimtari për arvanitët dhe Aristidh Kolën është bërë me iniciativa private të atyre që e kanë njohur apo kanë bashkëpunuar me arvanitasin e madh. Vetëm një rast, edhe ky i inicuar nga grupimi “Miqtë e Aristidh Kolës” u zhvillua në Muzeun Historik Kombëtar një përkujtimore. Asnjë veprimtari nga Akademia e Shkencave ku gëlojnë eunukë të mendjes, njerëz me nivel kulturor të dyshimtë. Pse ky indiferentizëm? Mos vallë një harresë sklerotike pleqërishte? Është e thjeshtë për t’u kuptuar se nuk ka të bëjë me harrimin e rastësishëm. Megaloidheja skutave të Athinës i ka tentakulat e gjata. Arrin deri në zyrat e institucioneve të shtetit shqiptar duke përhapur idenë kinse do t’u prishet oreksi fqinjëve nëse bëjmë veprimtari për arvanitët, apo nëse e përkujtojmë apo botojmë veprat e Aristidh Kolës. Ndaj nuk duhet as ta përmendim e jo më ta dekorojmë. Kjo tregon se kemi pasur e kemi qeveritarët më të papërgjegjshëm në planet. Ministria e Kulturës së këtij vendi kur i paraqitëm projektin për të mbështetur botimin e një libri për Aristidh Kolën e refuzoi ndërsa financonte filma për djathin kaçkavall, apo për historinë pa histori të muzikës rok në Shqipëri!!!

Çmenduria institucionale nuk mund të ketë trajtë tjetër më diskredituese. Ky mjerim është i përshkallëzuar. Le të ngjitemi më lart në kupolën e shtetit. Në Presidencë. Nëpërmjet këshilltarit të presidentit Bamir Topi kemi sugjeruar shpalljen e Aristidh Kolës “Nderi Kombit”. Afrim Krasniqi u përpoq të na bindë se nuk ishte e mundur të bëhej kjo për disa arsye që kurrë nuk i mora vesh. Kam bërë debat të gjatë me këtë këshilltar të presidentit Topi, i cili më kërkoi që këtë debat të mos e bëja objekt të medias publike. Deri sot nuk e kam publikuar, por këtë edhe mund ta bëj sepse papërgjegjësia e presidencës së Republikës ka arritur deri në nivel katastrofal. Kështu presidenti Bamir Topi me ekipin e tij që dekoroi e daroviti të gjithë ata më të cilët hante pilaf e karavidhe pa harruar fërgesën tiranase, i refuzoi Aristidh Kolës titullin “Nderi i Kombit”. Bashkë me një grup miqsh nuk hoqëm dorë nga kjo dëshirë që në të vërtetë është dëshirë e qindra mijëra shqiptarëve që kanë njohur dhe lexuar veprat e arvanitasit të madh. Iniciativën e institucionalizuam nëpërmjet një fushate e veprimtarie në linjën Tiranë-Prishtinë. Arritëm të marrim firmat e 1800 intelektualeve ndër të cilët mbi 40 me titull Profesor, pedagogë universiteti, artistë, gazetarë, kineastë, studiues. Bashkuam edhe peticionin e bërë në internet ku kishin firmosur me qindra shqiptarë në Greqi, Itali, Zvicër, Gjermani, Kanada dhe Amerikë. I përgatitëm dhe siç na rekomanduan në presidencë i dërguam me postë në adresë të Presidentit Bujar Nishani. Por as gjegje nuk na dhanë dhe asgjë nuk u bë. Biseduam me këshilltarin e tij Ndriçim Kulla, i cili ishte pesimist dhe na dha të kuptojmë se presidenti Nishani nuk do të ndërmerrte një hap të tillë. Por ne ndërkohë vumë re se ky president dekoroi plot njerëz mediokër duke i shpallur “Nderi i kombit” apo dhe mjeshtra të mëdhenj tallavaxhijtë që këndojnë këngë të frymës anadollake osmane.

Po pse këto dy presidentë erdhën e ikën dhe e refuzuan nderimin e Aristidh Kolës? Nga biseda që kemi zhvilluar me ata që u rrinin afër këtyre presidentëve kemi kuptuar se ka një konspiracion të madh kundër arvanitasit të madh, se ka grupe të interesuara që shqiptarët jashtë Shqipërisë të mos nxiten në linjën e gjakut të tyre shqiptar kinse për të mos hapur plagë historike. Në të vërtetë i gjithë ky konspiracion ka të bëjë me agjenturat e Greqisë në Shqipëri. Që Greqia shpenzon miliona euro për agjenturat e veta në Shqipëri kjo nuk është gjë e fshehtë, por e paditura është si kanë arritur të ndikojnë deri tek kokat e shtetit shqiptar të cilët duhet të ishin në mbrojtje të identitetit shqiptar e jo si faktor për fashitjen e shqiptarizmës në Ballkan. Gjithsesi nga refuzimi që i është bërë Aristidh Kolës një tregues është i qartë, edhe presidentët shqiptarë bëjnë lojën e Greqisë. Nuk ka asnjë shkak tjetër.

Greqia nuk do që Aristidh Kola të lartësohet në atë piedestal që të fashiten përgjithmonë ndjenjat e shqiptarëve të Greqisë, të cilëve u mohohen të gjitha të drejtat kombëtare. U mohon kësisoj shqiptarëve shtetformues të Greqisë që janë me miliona, atë çfarë e kërkon për minoritarët grekë që nuk shkojnë më shumë se 200 mijë banorë. Ne e kuptojmë Greqinë, por nuk e kuptojmë Shqipërinë. Pse presidentët tanë nga frika apo nga interesa të caktuara personale bëjnë lojën e Greqisë?! Pse tradhtojnë interesat kombëtare? Interesi ynë kombëtar është që të gjithë ata që kanë gjak shqiptar, kudo ku ndodhen, t’u krijojmë kushte e mundësi të ndjehen mirë për gjakun e prejardhjen e tyre. E dimë se peshku qelbet nga koka, por ka një ndryshim në rastin e shqiptarëve- vërtet kanë kokat e shtetit të qelbura, por trupi i shqiptarisë është i shëndoshë. Mendoj se turpi duhet t’i mbulojë këta dy ish presidentë të papërgjegjshëm që kanë vënë axhendën e Greqisë mbi ndjesinë e shqiptarisë. Tani ne kemi në institucionin më të lartë të shtetit presidentin Meta. Duke ditur prejardhjen dhe karakterin e tij mbetemi me shpresë se ai do ta bëjë sfidën e madhe duke i dhënë Aristidh Kolës titullin “Nderi i Kombit”, çfarë është dëshirë jo vetëm e ne miqve të tij, jo vetëm e miliona shqiptarëve në Greqi, por edhe gjithë shqiptarëve në botë. Presidenti i sotëm ka rastin që më shumë se Aristidh Kolën me dhënien e këtij titulli, të nderojë veten e ne të gjithë shqiptarëve kudo ku ndodhemi dhe e kemi shqiptarinë një gjë të shenjtë e të patjetërsueshme. E mbyllim këtë shkrimi në përvjetorin e lindjes së arvanitasit të madh duke ritheksuar se ai qëndron madhërishëm në panteonin e kombit shqiptar, anipse i mohuar nga shtetarucët dhe palikarët e politikës. 1860 firma intelektualësh e njerëzish të shquar në të gjitha fushat e dijes, Profesorë e Doktorë shkencash, artistë por edhe njerëz të thjeshtë, katër shoqata në Shqipëri e Kosovë nuk mjaftuan për të akorduar një titull të propozuar në fillim të vitit 2016. Gjithsesi, duan apo nuk duan mizat e vogla në kalin e pushtetit e politikës, Aristidh Kola, është e do të mbetet Nderi i Kombit Shqiptar në jetë të jetëve.

 

8 korrik 2019

Nikollë Lesi për Ramën: Kur iu sul Metës, imagjoni si do t’i presë kokat kundërshtare në PS

Dje ndoqa jo pa interes fjalën e kryeministrit Rama në parlament. Një seancë e stisur si e jashtëzakonshme, a thua kishte sulmuar ndonjë shtet Shqipërinë apo kishte plasur lufta civile në vend!

Për të qenë korrekt me ndërgjegjen time, mëqënëse dikur e kisha analist dhe gazetar të gazetës “Koha Jone” i shkruajta (pasi vetë me shkruan sms), Edi Ramës. Pak a shumë i thashë, miqësisht, se përveç gabimëve në qeverisje e ku duhet patjetër të tërhiqet duke e çuar vendin në zgjedhje të përgjithshmë dhe lokale në një ditë, por në rastin e Presidentit i shkruajta se po bën gabim fatal.

Fatal për mazhorancën, pasi e fut në një konflikt të pakthyeshëm me njeriun që është President i vendit, që dikur ka drejtuar qeverinë e PS-së dhe i ka dhënë fitoren e një palë zgjedhje parlamentare 2001, si dhe në qershor 2013, ju solli në pushtet. Por edhe pse Meta ka vepruar drejt në rastin e shtyrjes së zgjedhjeve të 30 qershorit.

Kaq, për thelbin e sms-ve! Natyrisht nuk është etike të tregosh sms-të, por nuk thashë atë që nuk thuhet, por nisur nga shqetsimi që ka çdo qytetar u detyrova t’i drejtohem publikisht ndergjegjes së dikurshme të Edi Ramës.

Nuk kam hallin e Presidentit, pasi ai mbrohet vetë dhe me sa di as që druhet fare nga kjo idiotsi e mazhorancës me këtë komision hetimor.

Por më shqetsoj fjalori, toni dhe humbja e logjikës nga Edi Rama, dje në parlament.

Ishte, pa e zgjatur, fjalimi më i keq, më fyes dhe niveli më i ulët i një lufte politike.

Shumëkush, dje, më thoshte nga analistët e medias se “ky është Edi Rama i vertetë!”. Prapë kundërshtoja, ata, se “nuk ishte Edi Rama ai që njohim, ai që as Berishën nuk e ka sulmuar kaq keq, kaq poshtërsisht dikur kur e rrahën me leva kokës shikasit e pushtetit të PD”. Edhe i çarë në kokë e hundë, asokohe me 22 janar 1997, Edi Rama nuk lëshoi kaq batare kundër presidentit Berisha sa dje ndaj Presidentit Ilir Meta.

Dje, Rama, ka groposur Edin!

Dje kryeministri dje më bëri të mendoj si kolegët e mijë gazetarë, kritikë të sistemit të montuar nga Rilindja.

Kur iu sul Ilir Metës, që nuk ka realisht se çfarë i bën, imagjoni se si do t’i presë kokat kundërshtare në PS, sapo të lirohet paksa nga lufta me Presidentin. Do ta shikojmë “kokën” e Ditmir Bushatit ngulur në Kështjellën e Rozafës, atë të Fatmir Xhafës hedhur buzë detit në Vlorë apo të Pandeli Majkos në arat me panxhar të Maliqit!

Fitorja e Mitsotakis ngre pikëpyetje në zbatimin e Marrëveshjes së Prespës

Zërijeta Hajro Jajaga

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se fitorja në zgjedhjet e së dielës e partisë “Demokracia e Re” e udhëhequr nga Kyriakos Mitsotakis – tashmë kryeministër i ri i Greqisë – nuk do të mund të vë në pikëpyetje Marrëveshjen e Prespës e cila i dha fund konfliktit më shumë se dy dekada e gjysmë për çështjen e emrit.

Çështja e emrit kishte bllokuar Maqedoninë e Veriut për një kohë të gjatë në proceset eurointegruese.

Analistët thonë se Marrëveshja e Prespës është një marrëveshje ndërkombëtare me rregulla të qarta, të cilat, sipas tyre, duhet të respektohen. Ata vlerësojnë se një marrëveshje e tillë nuk mund të anulohet njëanshëm.

Ish-ambasadori Muhamed Halili, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Greqia në asnjë mënyrë nuk mund ta vëjë në pikëpyetje Marrëveshjen e Prespës, pavarësisht se kryeministri i ri i këtij shteti, Kyriakos Mitsotakis, e kishte kundërshtuar atë, gjersa ishte në opozitë.

“Për vetë Mitsotakisin tani do të ishte një barrë shumë e madhe, po që se do t’i rikthehej një pune të cilën ka dashur që ta kryejë, por e kanë kryer të tjerët. Ata që kryen këtë punë, tani paguan faturën dhe humbën zgjedhjet”.

“Sipas meje çdo politikan do të bënte një marrëzi të dorës së parë po që se një punë të vështirë që është dashur të kryhet dhe atë e kanë kryer të tjerët, ai e merr rishtazi përsipër. Thellësisht jam i bindur se kjo çështje edhe për Mitsotakisin është e kryer”, thotë Halili.

Edhe Lubco Petkoski, ish-drejtor ekzekutiv në qendrën për strategji evropiane “Evrothink”, për Radion Evropa e Lirë shprehet i bindur se Qeveria e re greke, e drejtuar nga Mitsotakis, nuk do ta kontestojë Marrëveshjen e Prespës, megjithëse thotë se kjo marrëveshje do të ketë shumë probleme gjatë jetësimit të saj.

Petkoski thotë se “betejat e vogla” do të shfaqen gjatë interpretimit të çështjeve të caktuara që janë pjesë e Marrëveshjes së Prespës.

“Për shembull këtu janë çështjet që kanë të bëjnë me historinë, parashtesat, shenjat tregtare si dhe çështjet të tjera që duhet t’i shqyrtojnë komisionet bilaterale”, thotë Petkoski.

Ndërkaq, Muhamed Halili nënvizon se pengesat e para nga Greqia do të jenë të dukshme gjatë zbatimit të Marrëveshje së Prespës, siç shprehet ai, sa për të krijuar imazh para opinionit grek ‘se ja Mitsotakis shpëton aq sa mund të shpëtohen gjërat që janë me interes për palën greke’.

“Unë konsideroj se Mitsotakis do të bëjë obstruksione që ta bindë elektoratin e tij se ai ka pasur të drejtë që e ka kundërshtuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës sepse sipas tij, ajo marrëveshje ka pas shumë defekte dhe tani përmes obstruksioneve do të përpiqet të përmirësojë defektet e huaja”, thotë Halili.

Përderisa Lubco Petkoski thotë se Maqedonia e Veriut duhet të tregohet vigjilente, që mos bie pre e provokimeve që mund të bëjë pala greke.

“Po mund të kemi provokime që ndërlidhen me identitetin, emërtimi sllavo-maqedonas dhe çështje të këtilla që do të tentojnë të dramatizojnë situatën, por e rëndësishme është që ne mos të bien pre e këtyre provokimeve, por të ecim drejt qëllimit tonë, i cili është i qartë, pra integrimi në BE”, thotë Lubco Petkoski .

Ndryshe, lideri i partisë “Demokracia e Re”, Kyriakos Mitsotakis, javën e kaluar, para gazetarëve ka thënë se Marrëveshja e Prespës nuk mund të shfuqizohet njëanshëm, megjithëse ka shtuar se kjo marrëveshje dëmton interesat e palës greke, pasi siç është shprehur ai, të gjithë bizneset në Greqi që kanë emrin “Maqedoni” apo të ngjashme, janë të pambrojtur.

Prona të kthehet tek i zoti i ligjshëm – Nga Dr.Hasan B.Luçi

Ka tashmë 30 vite që po nëpërkëmbet dinjiteti i pronarëve të ligjshëm nga vjedhja me ligje të shpikura qysh në vitet ‘90 të shek. XX e këtej nga çdo qeverisje alternuese PD-PS-LSI e aleancave të tyre. Ndalimi i dhënies së pronës të zotit, që ka dokumentacionin ligjor përkatës, është mohimi thelbësor i të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, është burimi i pandalshëm i korrupsionit të pushtetit të djathtë e të majtë, është rreziku më madhor e kulmor që mban në ngërç e në pritje pa fund shoqërinë tonë dhe mbarë kombin tonë.


Burimi i kësaj tragjedie nisi qysh në tetor 1989, kur në Byronë Politike të PPSH, i gjithëpushtetshmi Ramiz Alia deklaroi se, “sistemi ynë ka kapitulluar përballë atij kapitalist, ndaj ne jemi të detyruar të ndryshojmë strategji në dy drejtime: në respektimin e të drejtave të njeriut dhe në krijimin e pluralizmit politik… Në zbatim të të drejtave të njeriut duhet t’u japim edhe kompensim në para të burgosurve dhe të sekuestruarve e të shpronësuarve t’u kompletojmë komoditete banimi. Do t’u japim nga një letër në dorë që u njihet prona, por këtë (pronën), nuk do t’ua japim asnjëherë. Do t’i ngatërrojmë në forma të ndryshme me njëri-tjetrin që të kalojnë në gjykatë, ku do të zbatohet rotacioni: nga gjykata e shkallës së parë, në të dytën dhe për shkak defektesh teknike, kthim për rigjykim në shkallën e parë. Këta janë të moshuar dhe fuqi nuk kanë. Duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre. Por edhe këtyre, duke u dhënë një pasaportë dhe me pak presion i largojmë jashtë. Ata që do të pretendojnë dhe do të këmbëngulin, do të lëndohen! Pasuria e tëra na përket ne, se ne e bëmë”.

Ja pra direktiva kapitaliste lëmsh e R. Alisë (boshnjakut, i quajtur “komisar i lavdishëm” në 40-vetorin e tij nga E. Hoxha dhe që e la pasardhës me të gjitha pushtetet), që nëpërkëmbë popullin shqiptar në mënyrë cinike. Jo vetëm kaq, por ai pa pikë turpi e pendese, se ky e BP e PPSH paskan krijuar pasurinë që u përkitka, e jo populli, që punoi gjithçka pas çlirimit dhe para 1944 nuk paska pasur prona e pasuri?! Kështu, R. Alia nisi fashistizimin e vendit me ligjin ‘7501’, moskthimin e pronës tek i zoti, me shpërblimin e kuislingëve e bashkëpunëtorëve të fashizmit italian e nazist e pinjojve të tyre dhe kriminelëve ordinerë të dënuar si dhe mërgimin e detyruar të popullit shqiptar. Ai dha intervistën e parë gazetarit amerikan, filloi flirtet me Greqinë, reformoi ligjin e agjitacion propagandës e të arratisjeve nga vendi etj. Në tërësi kjo direktivë fashisto-kapitaliste vijon ende sot fuqishëm, tëpkë thonë korçarët, siç e shpiku R. Alia me urdhër të padronëve të tij, siç është dokumentuar nga shumë atdhetarë e të huaj, sipas dëshmive të ndryshme me gojë e me shkrime.

Në qershor 1991 në sheshin “Skënderbej” në Tiranë u prit me hosana Sekretari i Shtetit amerikan, James Baker, pasi ishte rrëzuar monumenti i E.Hoxhës e vala kundër simboleve të LANÇ-it e të socializmit shqiptar, dhe nisi rruga e ekonomisë kapitaliste me parullën “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, por në fakt e nisën hajdutçe duke grabitur pronat private ligjore dhe pasuritë e pronat shtetërore. Ja shembulli i “demokracisë” më të shpifur në botë, që edhe bota habitet dhe na vë epitete përbuzëse!

“Dispozitat kryesore kushtetuese” të miratuara në 28 prill 1991 nuk u zbatuan dhe qysh atëherë BE nuk zbatoi politikën e vet për pronën. Ligji ‘7501’ për tjetërsimin e të drejtës së pronës pas 1991 me privatizimet antikushtetuese të nenit 8, i cili ka shtrembëruar e maskuar plotësisht mohimin e pronës. Ky ligj u bë baza e burimit të korrupsionit galopant pushtetor, që solli shkatërrimin e plotë të ekonomisë vendëse, krijoi mijëra probleme, konflikte e hasmëri, brenda e jashtë familjeve shqiptare, pati mijëra vrasje dhe braktisje e vendit në mërgim nga mëse gjysma e popullsisë, e nxitur, organizuar e urdhëruar nga R. Alia me mërgimet biblike që nga korriku 1990.

Ky mohim e kaos i nisur në 1991 u thelluan e u zbatuan nga S. Berisha nga 1992-1997 e 2005-2013 dhe nga PS-ja nga 1997-2005 dhe nga 2013-2019. Më 2013-ën, E.Rama miratoi plot ligje në interes të mafies së pronave të organizuar mirë, duke u dhënë fund të drejtave kushtetuese të shtetasve të çdo niveli shoqëror, kryesisht të varfërve pa asnjë mundësi mbrojtjeje, me urdhrat gojorë kryeministrore dhe nga gjykatat. Në fakt, u bënë lëshime flagrante se pronat e Ahmet Zogut iu kthyen të birit, iu kthyen pronat një pjese të kuislingëve, bashkëpunëtorëve të fashizmit, tradhtarëve, ish-diversantëve e agjentëve të huaj dhe të dënuar ordinerë etj., me përzgjedhje nga brenda e jashtë vendit. Por në përgjithësi nuk dëgjohet aspak në çdo nivel zyrtar zëri i pronarit ligjor, megjithëse qeverisjet votohen nga populli, i cili vijon të kërkojë pronën e vet të trashëguar apo të blerë me flori.

Personalisht kam bërë gjyqin e shkallës së parë në Vlorë, që e humba, megjithëse kam dokumentacionin e plotë ligjor. E çova në Gjykatën e Apelit, e cila e ktheu për rigjykim në shkallë të parë sërish. E bëra gjyqin, por sërish nuk e mora pronën. Mohimi i saj u bë me ca gjykime pa baza ligjore, thuajse çmendarake, sigurisht me urdhrin gojor për moskthimin e pronës tek i zoti dhe me direktivën e R. Alisë, zbatuar nga të gjithë pasardhësit njëlloj. E kundërshtova këtë vendim mohues të padrejtë në tërësinë e tij dhe pres çdo të ndodhë më tej. Por nuk do heq dorë nga gjyqi themel, për të marrë pronën e trashëguar dhe që e kam përjetuar duke punuar në të, pasi jam tashmë 83 vjeç. Çdo trung familjar në fshat e qytet ka pasur prona, të cilat pas 1945-ës filluan të shtetëzohen në mënyra të ndryshme si reforma agrare si kudo në botë, me fermat shtetërore, me kooperativat etj., që u bë për të mirën e përbashkët dhe dokumentacioni ligjor i pronës nuk u zhduk, por u ruajt në arkivat shtetërore ose në familje. Në fshatin tim u zbatua ligji ‘7501’ dhe nuk mori secili pronat e tij, por pronën e njërit ia dhanë tjetrit, u bë lëmsh dhe grindjet dreri vrasjet nuk ndalojnë. Në veri ligji ‘7501’ nuk u zbatua dhe kushdo mori pronën e vet, veç asaj që një pjesë e tyre pushtuan në Shqipërinë e Mesme e të Jugut dhe u bënë me dy prona. Shteti hesht, se kjo ishte shpikje e bukur e PD-së, u bë edhe për konfliktin Veri-Jug.
Një shpikje tjetër skandaloze është se meqë shteti socialist shtetëzoi pronat në interes të përgjithshëm të popullit, me ligjet e kohës në vitet ‘70 të shek.XX, pra me termin “Pronë shtetërore”, i heqin të drejtën pronarit të ligjshëm ta gëzojë, siç ma bënë edhe mua në gjykatë, edhe pse dua të kthehem në trojet e mia në fshat. E.Hoxha i shtetëzoi, por nuk i mori për vete as kur ndërroi jetë, i la siç qenë, pra mund t’i marrin, se diçka e ka menduar që nuk zhduku tapitë pronësore të luajtshme e të paluajtshme. Si rrjedhojë, kjo pronë e secili duhet të kthehet tek i zoti, por ligjet e VKM janë në kundërshtim me nenin 41 e 181 të Kushtetutës së sotme. Nuk u përgjigjet askush as ankesave të bëra, as BE, as Gjykata e Strasburgut etj. Përse kjo tragjedi demokrate?! Vetëm ujqit demokratë hanë qesim.

VKM 708 dt.21 nëntor 2018 e thelloi më tej mohimin e pronës, sepse oligarkët pushtetarë e mafiozë së bashku synojnë pronat bregdetare etj., duke i përvetësuar në mënyrë korruptive e kriminale. VKM-të e nxjerra, si tërë ligjet e gjoja kthim-kompensimit e legalizimit të pronave në vend janë në kundërshtim të plot ligjor me Kushtetutën e Shqipërisë, siç është sot, edhe pas ndryshimeve të bëra në kuvende, në përputhje me interesat e pushtetarëve.

Këto ligje të ndryshuara sipas interesave janë edhe një mashtrim i pastër që i bëhet në vijimësi BE-së, se gjoja politika shqiptare e pronës, nga e djathta dhe e majta, pati sukses të plotë me ligjin 133/2015. Në intervistën e tij më 20 prill 2019, komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn, shprehu shqetësimin për pasigurinë e titujve të pronës, si pengesë edhe për investimet e huaja në Shqipëri, por propaganda mbetet me kaq, megjithëse ky e di mirë historinë e pronës qysh nga 1991, por heshtja e zvarritjet vijojnë në BE. Kështu edhe BE, për arsyet e veta, bën lëshime, megjithëse ka vënë si kusht për  hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë, kthimin e pronës tek i zoti. Nuk bëhet e gjallë as Gjykata e të Drejtave të Njeriut për t’i rishikuar këto ligje mafioze dhe t’ua kthejë pronën atyre që e kanë të ligjshme në breza. As KE, SHBA, Banka Botërore, FMN etj., që duhet ta dinë këtë gjendje heshtin, biles Banka Botërore e FMN e kanë komplikuar më keq me politikat e tyre të taksave etj., për t’i përvetësuar. Këto organe ndërkombëtare nuk kanë bërë ndonjë analizë të pronës që nga 1991 deri sot për të njohur më mirë gjendjen e marrë masa përkatëse. A i kuptojnë këta parullat mashtruese të qeverive shqiptare dhe si bëhet kompensimi qesharak? Duket se këto organe edhe i kanë mashtruar qeveritë shqiptare me termin e kompensimit, që sërish është i papranueshëm se i heq pronën të zotit ligjor. Në fakt, Kushtetuta e BE dhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut mbrojnë të drejtën e jetës e të drejtën e pronës dhe nuk mundësojnë me ndërhyrjet e tyre ligjore të dënohet mohimi e mospërfillja aspak e pronës me djallëzi në Shqipëri. Vetëm sulmet greke të Cipras ndaj VKM të E.Ramës për bregdetin Jon (Himarën) e stepën e bëri lëshime gjoja “pakicës greke” himarjote, para datës së hapjes së bisedimeve me BE. Është e pafalshme për BE edhe mosndërhyrja në këtë rast, si më sipër, që lejon Greqinë të zgjerojë zonat e pakicës greke edhe ku nuk ka të tillë! Po kështu edhe për pronat e çamëve të dëbuar tragjikisht, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore nga trojet e veta stërgjyshore, duke i degdisur në Turqi e gjetkë, veò atyre që erdhën në Shqipëri dhe presin të kthehen në pronat e tyre, se po bëhet një shekull tashmë.

Në mars 2019, ATP-ja njoftoi se ka bërë mijëra vendime kompensimi, por janë edhe mijëra dosje të tjera pa asnjë vendim dhe do t’u kthehen pronarëve pas një bllokimi e pritje mbi 10-20 vite, por duhet t’i drejtohen gjykatës për gjyq themeli?! Ja dredhia e radhës! Por sipas kreut të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame nga 3.8 milionë pasuri të regjistruara, 2.5 milionë rezultojnë me probleme. Se cilat janë problemet nuk e thotë, por kuptohen, se ky problem duhej t’ishte mbyllur me kohë, por për shkak të ligjeve mohuese e keqbërëse, gjendja është në ngërç kushtetues. Nga ndryshimet e bëra në sistemin e pronësisë, nga Thethi deri në gjithë bregdetin e jugut rezultojnë të paregjistruara, shkurt në regjistrim fillestar, kur ato janë në regjistrat themelorë të pronarëve. Prej tyre 500 mijë janë bosh dhe shtetasit kanë vite që presin tek dyert e zyrtarëve e gjykatave. Janë 600 të paregjistruara dhe me probleme si më sipër. Në fakt, pronat dhe popullsia para 1990-ës kanë qenë të regjistruar saktë, ndërsa katrahura e tranzicionit nuk ka për të marrë fund edhe disa vite, në se merren seriozisht, por si duken bathët, janë larg Pashkët! Pra, do të bëhet një rishikim plus, e do të nisë regjistrimi, por si do bëhet, ende s’dihet, megjithëse thuhet se do të bëhet unifikimi i institucioneve deri sot të shpërndara, por do të bëhet më keq me grumbullimin në një dorë të kryeministrit. Thuhet se do mbyllen proceset tranzitore dmth., u bë ç’u bë shkoi e hoxhës pa kthim se prona iu dha tjetrit. Flitet për reformim në themel i Zyrës së Regjistrimeve të Pasurive të Paluajtshme, por nuk jepen kriteret, se dhelpra do bëj punën e saj.

Nëse nuk zgjidhet drejt e shpejt çështja e kthimit të pronës tek i zoti, në Shqipëri nuk do të mbetet më këmbë njeriu, se në fakt kryesisht prona i mban njerëzit në vendlindje, ku punojnë e jetojnë familjarisht me mundësitë reale të kohës. Heqja e pronës është pushkatim për ta dhe iu mbetet vetëm rruga e mërgimit me lot lëngimi. Këta mërgimtarë, jo vetëm fëmijët, por edhe prindërit e tyre po marrin shtetësi të vendeve ku punojnë e banojnë, pra një asimilim i pastër i tyre nëpër botë, pa as të drejtën e mësimit të gjuhës amtare, pa le për të drejtat e tjera si diasporë atdhetare, siç i ka bota sot. Ky veprim 30-vjeçar është në fakt një spastrim i ri etnik i shqiptarëve, si ato të shovenëve fqinjë, por me termat e PD,PS, LSI me aleatët etj., si në interes të vendit, në fakt të milionerëve e miliarderëve të rinj vendës e miqtë e tyre ndërkombëtarë dhe mafien. Kështu, qeverisjet shqiptare vijojnë me kompensime, legalizime, dhënie tapie sipas ‘7501’-shit, shpronësime me forcë etj., dhe në kundërshtim të hapur me detyrimet kushtetuese e konventat ndërkombëtare për pronën. Deri sot janë vrarë mbi 8000 njerëz për konflikte pronësie, veç atyre që gjatë ikjes në mërgim u mbytën deteve, ranë në honet e maleve apo u vranë në kufijtë nga fqinjët etj. Për këto arsye, fshatrat shqiptare boshatisen nga banorët dhe mbi 500 fshatra nuk ka këmbë njeriu, veç ujqve e derrave. Për këto arsye lindjet bien, pleqtë shtohen e vuajnë në vend dhe të mërguarit shtojnë popullsinë ku shkojnë, megjithëse edhe atje popullsia vendëse rrudhet, por shyqyr që venë këta dhe sidomos nga Azia e Afrika etj., përmes rrugës mafioze të trafiqeve të refugjatëve, të prostitucionit etj. Rasti i anijes “Sea Watch” në fillim të korrikut 2019 e tregoi katërcipërisht këtë, kapitenia gjermane u lirua, megjithëse shkeli rëndë penalisht ligjet italiane, por Gjermania e Franca tani janë fuqitë drejtuese të BE dhe do të shkojë fjala e tyre pa tjetër?! Edhe marrëveshja e Dublinit për refugjatët është bërë në dëm të Italisë si vend pritës e transit i këtyre refugjatëve, pra duhet korrigjuar.
Shqipëria tashmë është në udhëkryqin më të rrezikshëm së pari për çështjen e pronës, veç arsyeve të tjera, pasi nuk shihet asnjë shenjë dhënie drejtësie nga gjykatat, që po sabotojnë ende edhe atë synim për të bërë vetingun, që zvarritet disa vite tashmë. Pas zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, E. Rama u zotua të çrrënjosë çdo fenomen antikushtetues, por qofsha i gabuar, ai kështu ka thënë që nga 2013, por nuk shohim asnjë përmirësim, veç thellim të mohimit të pronës për ta kthyer tek i zoti.

Qeveritë shqiptare në Tiranë e në Kosovë duhet ta ngrenë zërin deri në BE, KE, SHBA, OKB e OSBE, Bankën Botërore e FMN etj., për respektimin e të drejtave e lirive të shqiptarëve në trojet etnike në të dy shtetet dhe atyre nën Greqi, nën Serbi, nën Mal të Zi, nën Maqedoni e nën Bosnjë si dhe për shqiptarët (arvanitasit) në Greqi që u ndalohet edhe shqipja në publik, pa le më hapje shkollash shqip, megjithëse mbi një milion shqiptarët e mërgimit të fundit po nxisin zgjimin, të folurit shqip kudo në publik etj., dhe do bëhen faktor vendimmarrës në të ardhmen. E njëjta gjendje është edhe në Turqi, megjithëse pati një vendim për mësimin e gjuhës qysh vitin e kaluar, por nuk ka njoftime se si zbatohet nga “vëllezërit turq” e në partneritet strategjik me krerët tanë?!

Populli shqiptar në trojet e veta etnike dhe diaspora shqiptare e kanë të drejtën e pronës (ta kërkojnë edhe nga mërgimi si shtetas ku banojnë), prandaj duhet të organizohen me përgjegjësi e përkushtim, edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve, për të zbatuar ligjet e kthimit të pronës tek i zoti dhe jo të kompensohet me thërrime, pas fatkeqësisë tragjike e madhore, që për herë të parë shqiptarët pushtuan pronat e shqiptarëve nën qeverisjet R. Alia, S. Berisha, F. Nano, I. Meta, E. Rama, të cilëve fatkeqësisht populli edhe i voton, kurse këta ia fusin sa krahu për pronën e plot të drejtave të tjera kushtetuese njerëzore. Ky kalvar duhet të gjejë zgjidhjen e nevojshme e të domosdoshme, ndryshe vaj halli për popullin shqiptar të kudo ndodhur, nëse nuk kushtëzohet kthimi i pronës tek i zoti. Krerët tanë S. Berisha, L. Basha, F. Nano, I. Meta e E. Rama janë bërë armiq të popullit që i voton dhe meritojnë të luftohen me çdo mjet ligjor demokrat deri sa të zgjidhin drejt problemin e pronës. Shkurt, duhet bërë vetingu i pronës ligjore për çdo shqiptar që ka dokumentet ligjor. Pa zgjidhur problemin themelor të pronës, as në Shqipëri, as në Ballkan nuk do të ketë qetësi dhe problemet do të shtohen më tej edhe në BE dhe për ndërkombëtarët. Populli shqiptar duhet të marrë në dorë fatin e vet për dinjitet, sovranitet, barazi, liri e pavarësi kombëtare etnike.