VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

VLERË E RE E KOMBIT TË LASHTË – Poezi nga GJON MARKOKAJ

By | August 10, 2016
blank

Komentet

blank

VRASJA E SHOTE GALICES – Poezi nga VEHBI SKËNDERI (18 maj 1927 – 13 qershor 2011)

 

Shota nuk shkoi, siç thonë, prej plagëve të veta.
Megjithëse njëzet plagë s’qenë pak! Ja piu Këneta gjakun.
Shushunjat ia thithnë pak nga pak.

Ngulur te ky batak, ku pyll harlisen drizat:
Nën terr lufton mushkonjat. Nën diell vret Shota mizat.

Eh, Dadë, motër e dashur! Shtrëngata nuk të ndahet:
“Thumanën pi”, të thonë: “Pi gjersa të thahet!”

Ty, që nderove kombin dhe i tmerrove serbët
(Posa ta ndjenin emrin, elika i bënin këmbët!)
As vetë Qoftëlargu e gjithë mbretëria dreqe
Nuk shpiknë dot për ty mynxyrë më të keqe:

“Me këtë degë shtog”, të thanë, “Vraj kunupet
Gjersa amebë e fundit në horizont të zhduket!”

E nga kjo ndeshje fyese, që s’e ka parë toka
U bëre prapë foshnjë: dhjetë okë mish e kocka.

Po zëri nuk t’u meh: “Ej, krajla e vojvodë!
Dy mijë vjet të shkojnë, unë do të quhem Shotë:”

E gaz buron nga shpirti, si ujët e burimeve,
T’u zbutësh pak pikëllimin bijve të tu… jetimëve.

Shota Galica, kur kaloi kufirin (1926) mori me vete një “çetë” jetimë: fëmijët e trimave të vrarë.

(Nga libri “Bëjmë sikur” 1995)

 

blank

Rezear Xhaxhiu i dërgon letër të jatit prof.Muzafer Xhaxhiut: “Nje leter per Ty, Ne kete 100 vjetor te ditelindjes Tende

Gazetari i njohur Rezear Xhaxhiu i shkruan një letër të jatit të tij Prof.Muzafer Xhaxhiut me rastin e 100 vjetorit të lindjes. Prof Xhaxhiu është ndarë nga kjo jetë më 28 janar 2012, në ditën e lindjes të Ismail Kadaresë. Ai gjithë jetën ia kushtoj letërsisë, studimit, përkthimit, mësimdhënies dhe dijes. Më poshtë po i sjellim lexuesit letrën e Rezearit:
“Nje leter per Ty💌,
Ne kete 100 vjetor te ditelindjes Tende💫.
Sa do te doja te ishe sot ketu,per te te thene disa fjale ne forme perqafimi,malli dhe djali.
Disa fjale qe duhej te t’i kisha thene ne kohen e duhur dhe qe, edhe sot me mundon fakti se perse nuk arrita te t’i thoja.
Ndaj mendova te ta nis kete leter atje,ne shtepine tende,ne rrethin e katert te Parajses se Dantes, atje ku kane habitatin e tyre te diturit e mençur e te urte.
Atje ku ti duhet te jesh tani nen shoqeri te mire mes Getes e Lasgushit,Eskilit, Shekspirit,Homerit, Euripidit,Petro Markos e Drago Siliqit,Nonda Bulkes apo Mark Gurakuqit,Greta Garbos apo Gary Kuperit,shoqeria jote e perhershme e 91 viteve te tua jete.
Dhe te mendosh sa zili te kam.
Ti Bab ndoshta nuk e di, por sa here me mbeshtjell malli per ty hyj neper librat e tu te letersise antike greko-romake, ai Universi yt tokesor ku ti jetoje jeten e vertete dhe komunikoje me Akilin apo Priamin,Odisene apo Edipin,Hektorin,Poseidonin, Beatricen apo Zhuljeten.
Shpesh,dikur, kur isha femije, e me pas student i yti me dukej se ti nuk ishte ai profesori klasik i letersise greko- romake,
por ishe vete letersia antike,here mitologjia dhe here legjenda.
Nje nga ato lloj legjendat levizese qe frymonte,dashuronte,pelqente te bukuren dhe qe kish zbritur rastesisht nga Olimpi I Zotave si per te na rrefyer,ashtu sic vetem ti dije, se çfare behej atje,ne ate bote magjike Perendish.
Ti me rrefeje mua,por edhe gjysmes se Shqiperise qe kaloi ne auditoret ku ti dhe letersine perrallore te grekerve e romakeve ne ate mase, sa qe pas 45 vitesh ne aresim ti u ktheve copez pas cope ne vete letersine antike,madje pse jo ne vete mitologjine.
Ka pastaj dite te tjera qe me merr nje tjeter mall.
Dhe ngjitem neper librat e tu poetike.Ndalem tek “Cmenduri natyre“,pi dashuri ne “Ujrat Pranverore“ apo vallezoj nen rritmin e “Lirikave“dhe te “Kenges se mjelmes“…Me kujtohet kur me thoje se “ sa here kur shkruaj poezi e harroj lexuesin,pasi ne vend te tij kam nje tjeter poet qe me degjon“…
Tani te besoj Bab,sepse edhe kur te lexoj tani ne prozen tende gjej poezi ne brenda saj,pasiqe ti ishe i gjithi poet edhe kur shkruaje ne proze.
Sot ne kete 100 vjetorin tend do te doja te mblidhja bashke te gjithe ish studentet e tu tashme mbi 80 vjeçare,koleget,miqtë,mikeshat e tua,te therrisja ‘Nen arme’ Hektorin e Paridin, t’i beja nje ze Penelopes,te bashkoja Antignen dhe Elektren e Sofokliut,
t’i fishkelleja Driteroit e Dragos,Fatosit e Lasgushit,Dhimitrit e Nashos…dhe ashtu te gjithe bashke te vinin poshte ballkonit,atje ne rrethin e 4-te te Parajses duke kenduar bashkarisht vargun Eskilian
….“Omnia vincit amor“-dashuria triunfon mbi gjithçka.
Sa mall kam sot.Dhe te mendosh se sa e habitshme eshte qe me mungon,me mungon pikerisht atehere kur kam me shume nevoje per ty,edhe pse mungesa jote eshte nje prani e vazhdueshme,fale çka ke lene pas.
Ja pse i falem Zotit,dhe ja pse te falenderoj qe te kam patur Baba.
Vetem me mall❤,
Biri yt,
Rezear Xhaxhiu”
blank
blank

Sot 100 vjetori i Profesor Muzafer Xhaxhiut

Profesor Muzafer Xhaxhiu ka qenë pedagog në Universitetin e Tiranës, studjues, shkrimtar dhe përkthyes shqiptar. lindi në

Ai lindi në Gjirokastër, më 15 maj 1921 dhe ndërroi jetë në Tiranë më  28 janar 2012.

I diplomuar në Beograd dhe në Moskë, për letërsinë klasike greke dhe latine, jeta e tij i është kushtuar gjithmonë klasikëve të mëdhenj të njerëzimit.

Shkrimet e para letrare të profesorit kanë të sigluar vitin 1939.

Veprimtaria krijuese është e shtrirë në atë shkencore, letrare, në përkthime etj.

Si studiues profesor Xhaxhiu do të punonte për etnogjenezën e shqiptarëve, si pasardhës të pellazgëve dhe ilirëve.

Krijimtaria letrare e tij përmendet që nga “Lirikat” në vitin 1957 dhe deri në “Këngët e Mjellmës”, botim i vitit 1999.

Ndërsa, dy nga veprat e tij më të spikatura janë “Letërsia antike greke” dhe “Letërsia romake”.

Muzafer Xhaxhiu mbante titullin “Mjeshtër i Madh” dekoruar nga Presidenti i Republikës për punën e tij afro shtatëdhjetëvjeçare dhe kontributin e çmuar për letërsinë dhe fjalën shqipe.

Janë dhjetra breza studentësh në Universitetin e Tiranës që kanë patur pedagog të letërsisë antike greke dhe romake Profesor Xhaxhiun.

 

… poligloti i përndritur gjirokastrit, Myzafer Xhaxhiu

 

Profesor Myzafer Xhaxhiu njihte 8 gjuhë të huaja. Studiuesi I njohur, I cilësuar si helenisti I fundit shqiptar, mësimin e gjuhëve të huaja e filloi me latinishten dhe greqishten e vjetër që në gjimnaz dhe e përfundoi me anglishten, të cilën e ka mësuar në mënyrë autodidakte.

E ka mësuar italishten në moshën 11 -vjeçare, dhe më pas për nevojë të profesionit I është dashur të mësojë dhe shumë gjuhë të tjera. Nuk ndan asnjë prej tyre. Ashtu sikurse prof. Myzaferi, I cili thotë se po të përzgjedhë njërën prej tyre i duket sikur do të hedhë poshtë gjuhët e tjera dhe shkrimtarët e mëdhenj që kanë përfaqësuar ato. Sepse në fakt, sipas tij, me gjuhën që flet dhe studion, njeriu krijon edhe marrëdhënie shpirtërore. “Duke dashur dhe duke çmuar Shekspirin, Hygonë, Danten, Tolstoin, lidhesh dhe me vendin ku flitet gjuha e tyre”, thekson professor Myzafer Xhaxhiu.

 

Poezia  për të ka qenë ‘stacioni’ i tij i parë

 

Muzafer Xhaxhiu ka lindur dhe është rritur në Gjirokastër. “Gjirokastra, siç është shprehur dikur ai, ka qenë një qytet i çuditshëm, madje vazhdon të jetë i tillë. Ka shumë mister në atë qytet prej guri dhe atje gjërat nuk ngjanin me asgjë tjetër. Pra, vetë Gjirokastra ishte një qytet që nuk ngjante me asgjë. Dëshira për të shkruar nuk më kujtohet saktësisht se kur më lindi. Por kam në mendje nënën time. Ishte bijë nga bektashinjtë e lagjes, Pllakë, në Gjirokastër. Duhet të kem qenë shumë i vogël, kur, me rastin e festës së Novruzit, në një ditë marsi, dëgjoja të thoshte përmendësh disa vargje nga një vjershë e Naimit.

Ç’është ai që shkon kaluar

Është Abaz Aliu

Me dy-tri foshnja në duar,

Ikën si veriu.

Aneja i thoshte këto vargje me një zë si në të qarë. Ka qenë kjo magji që më shtyu t’i thosha: “Dua edhe unë të bëj vjersha si Naimi.” Isha në klasën e dytë fillore, dhe nëna m’u përgjigj: “Proto parë, mëso mësimet dhe bëhu djalë i mirë të të mbajë bota në golë.” (të të lavdërojë bota). Më pas fillova të hidhja ku këtu e ku atje nga një strofë e nga një varg. Herë në letra e herë në fletore, në kapakë librash e ku të mundja. Kështu nisi rruga drejt poezisë…Ishte një kohë e magjishme për krijuesit. Kishte emra dhe stile të fuqishme. Shkruhej drejt dhe fort për halle njerëzish e për një vend që duhej të ishte ndryshe. Secili kishte zërin e tij, penën që e dallonte. Migjeni ishte Migjen, po kështu Bulka, Shuteriqi dhe shumë të tjerë. Unë isha një prej të shumtëve. Vija me skica, artikuj, poezi dhe shkruaja te gazeta “Bleta” apo te “Tomori i vogël”. E kujtoj me shumë mall atë kohë”.

 

Poezi lirike të Xhaxhiut

 

Kusarë

Ma vodhe zemrën,

Kusare!

Pa të, si mund të ndiej?

Dhe tani s’kam ç’bëj,

Do të të vjedh ty!

Kusarë që të dy!

Njësoj.

 

Për V. K. -në

Veten s’e mbyta dot me nikotinë.

Dhe e gëlltita si t’ish ujë e verë,

Paçka se mushkërinë

E kam të nxirë sterrë.

E shoh se koha rrjedh e fluturon,

Dhe e pangopur na gëlltit çdo ditë.

Si me dhe pa cigare, gjë s’ndryshon.

Vdekja çdo çast, njësoj na rri në pritë.

 

E po nuk erdha…

 

Kur të largohem un’ nga kjo jetë,

Qoftë mot i mirë apo shi, furtunë,

Mos qani, veç i ngrini syt’ përpjetë,

Shikoni retë. Aty do jem dhe unë.

I djegur mallit do të zbres në tokë,

Në ndonjë rreze dielli a lot qielli.

Do të pi kafe në ndonjë kioskë me shokë,

A do pushoj në ndonjë hije bredhi.

E, po nuk erdha, lus mos më gjykoni.

Një hall të madh do të kem pas’ në jetë.

Ësht’ më e fortë se vdekja, më besoni,

Kur një Kalipso të zë rob në rrjetë…

Dëgjomëni, pa më përgojoni

Dhe kur të vdes, mos m’i përmendni vitet,

Mos thoni, se ishte kaq e aq,

Iu hoq qafe shtëpisë.

Doni t’jua them?

Vdiqa në moshën e dashurisë.

 

Nga krijimtaria letrare

“Lirika” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1957

“Rapsodi magjare” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1957

“Vargje për dashurinë” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1963

“Ujërat e pranverës” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1971

“Ditë maji” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1987

“Kënga e mjellmës” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1999

“Çmenduri natyre” (poezi) – “Dituria”

Vepra të përkthyera në shqip

“Vesë lotësh” (antologji e poezisë botërore) – Toena, 1994

“Endre Ady” (poezi) – Albinform, 1998

Giovani Bernardi, “Faleminderit” (poezi) – Toena, 1998

“Antologji e poezisë bullgare” – Dudaj, 2001

“Antologji e poezisë lirike botërore” – Toena, 2005

 

Tituj, medalje, urdhra

Mban titullin Profesor Doktor

Medaljen “Mësues i merituar”

Urdhrin “Naim Frashëri” i Klasit të Parë

Urdhrin “Naim Frashëri” i Klasit të Dytë

Medaljen “Mjeshtër i madh i Punës”, dhënë nga Presidenti i Republikës më 2001-shin /voal.ch/Gazeta Telegraf

 

blank

PRIT, O I VERBËR, PRIT – Poezi nga VEHBI SKËNDERI (18 maj 1927 – 13 qershor 2021)

Mas rrugët e hapësirat vazhdimisht
Posi terziu që mat njerëzit e stofën.
Një zë dëgjoj, si në ëndërr: Prit, o i urtë, prit!
Mos u zemëro me peshqit a me kohën.

Dhe lumin që buron e rrjedh me ngut në det.
Prit, o i mençur, prit! Si mjerë ai që s’pret.

Prit, o i verbër, prit!
Gjersa të ikë dimri dhe të ndërrojë e thëna.
Gjersa të mpaket mali e të plaket Hëna.

Prit, o i marrë, prit!
Gjersa të pjekë fikun akullnaja.
Të shkrijë si dromcë e kripës Himalaja.

Prit, o i shurdhër, prit!
Gjersa të bëhen pluhu zaje e gurë.
Të flakë, i ziu njeri, këtë lëkurë.

Prit, o i urtë, prit!

 

Tiranë, 2 dhjetor 1992

 

(Nga libri “Bëjmë sikur” 1995)

 

blank

Më 13 maj 1948 lindi Natasha Lako, shkrimtare, skenariste, publiciste

Natasha Lako lindi në Korçë, më 1948. Ajo është shkrimtare, skenariste e një sërë filmash shqiptarë, publiciste. Dy here deputete e PD ne Parlamentin e pare pluralist.

Ka botuar disa libra me poezi, si: “Marsi brenda nesh”, 1972, “E para fjalë e botës”, 1979, “Këmisha e pranverës”, Prishtinë 1984, “Yllësia e fjalëve”, Tiranë 1986, “Natyrë e qetë”, Tiranë 1990, “Thesi me pëllumba”, Tiranë 1995, Këmbë dhe duar 1998, Perkthim Tomas Transtromer “Perandoria e barit” 2002, Lëkura e ujit 2005, Ribotim Tomas Transtromer-ripermbledhje” Qielli i lene pergjysem” 2011 Ese Energjia filmike 2006, romanin “Stinët e jetës” etj.”Kunderperfytyrimi” 2016 skenare filmash: Mësonjtorja, Një emër mes njerëzve, Fjalë pa fund, Muri i gjallë, Partizani i vogël Velo, Rruga e lirisë, Një vit i gjatë, Plumba perandorit, I paharruari, Fletë të bardha, Lule të kuqe, lule të zeza, Përcjellja, shkronjat e pavarsisë, Te fala Ndreke Luca, Koha e pelikules( Xhanfise Keko)

E perfshire ne antologji boterore te poezise dhe ne disa permbledhje nderkombetare poetike.

Natasha Lako i përket brezit të parë të grave shkrimtare të vendit.  Lako ka studiuar shkenca politike në Universitetin e Tiranës, i specializuar në gazetari. Ajo ka punuar gjithashtu në New Albania Film Studios në Tiranë.  Nga 1991 në 1993, ajo u zgjodh si anëtare e Partisë Demokratike në qeverinë e koalicionit. Më 1997, ajo u bë drejtoresha e parë e Arkivave të Filmit Shqiptar, duke punuar atje për disa vjet.

Natasha Lako, e cila ka punuar edhe si skenariste, është e martuar me aktorin dhe regjisorin shqiptar të filmit Mevlan Shanaj. Ata kanë dy fëmijë, Hera dhe Joni.(Wikipedia)

blank

O DITË ULOKE – Poezi nga VEHBI SKËNDERI (18 maj 1927 – 13 qershor 2021)

O ditët e mia sakate e uloke.
Ju bluaj, si kocka, çdo çast nëpër dhëmbë.
Dhe nuk ju përcjell dot!
O ditët e mia…
Pa duar e pa këmbë.

Ku shkoni?
Gërmuqeni, tërhiqeni e zvarriteni së prapthi.
S’më vreni, që plasa nga fjalët e urta
dhe ankthi!

Nuk shihni në ç’tmerr jeton Kombi
Më trimi e më Fatkobi!

I vetmi Aparteid… Kosova
I vetmi skllav, në robni, që ka Globi!

Tiranë, 28 prill 1994

(Nga libri “Bëjmë sikur” 1995)

 

blank

10 poezi Nga Fejzi Zenelak

Dashurisë

Të duash sa gjumi mos të zerë,
A mendja sytë aty sapo çel,
Të presësh në shi, në borë e erë,
Kjo po, është dashuri vërtet.

Nuk ka asgjë gjer sot në botë,
Që sa ajo të lumturon,
Po dhe në pastë, është e kotë,
Dashurisë nuk ia kalon.

 

Si pëllumbi me guguçen

Sa avaze ka biilbili,
E sa thëllëza çuçuret,
Aq të mira pastë idili,
Më i miri në planet.

Djalë e vajzë si llastarët,
Si pistil secili ngjet,
Në muaj mjalti, vit të parë,
Gjithë pjalm, gjithë polen.

Si pëllumbi me guguçen,
Gu, gu, gu, kur bëhen një,
Një si syth, një si burbuqe,
Kur shpërthejnë, s’ mbahen më!!

Ndaj, sa avaze ka bilbili,
E sa thëllëza çuçuret,
Aq të mira pastë çifti,
Që si yll e hënë ngjet.

 

Unë të mbolla për merak

Mu në mes të bashtës sime,
As në krye, as në fund,
Kam mbjellë edhe një hithkë,
Që më djeg kur e këput!

Pse moj hithkë fletë, fletë,
Unë të mbolla për merak,
Që mos të të ndotnin qentë,
Të të kem për nonjë rast.

– Epo unë e kam në gen,
Duke djegur, mbroj vetëveten,
Po ti zëmë me një leckë,
E lermë një çast në Diellë.

Kështu tha hithka e gjatë,
Dhe e la vetëm me kaq,
As më dogji as fulltakë,
Duke ngrënë u bë ilaç.

 

Pranverës

Hajde moj pranverë hajde,
Plot me lule, me blerim,
Përveç gjakut që ma ndrove,
Më solle dhe frymëzim.

Po jam plak moj, më vjen rëndë,
Nuk po ndahem dot nga muza,
Sikur njërzit s’ kanë ç’bëjnë,
E do merren veç me mua!

 

Frutit i gëzohem unë

 

Lermë moj qershi belicë,
Pse ma shkel syrin që larg?
Nuk e sheh që unë u plaka,
Kam haruar të çel prap!

Kot që po më fton së largu,
E ma bën shpirtin ujem,
Mua nuk më bje më lëngu,
Sado vlagë që të kem.

Lermë moj qershi e tultë,
Që petalet po i shkund,
Frutit i gëzohem unë,
Se të tjerat morën fund.

Njeriu s’ rron veç për të ngrënë

Njeriu s’rron veç për të ngrënë,
Ka nevojë dhe për relaks,
Ndaj të bëjë si të bëjë,
Shtëpinë e dytë ta ketë në fshat.

I lirë, si zogu kur fluturon,
Ne kjo shtëpizë ku së paku,
Më kënaq, më relakson,
Sa gjithë bota marë së bashku.

 

Seç më shkrepi mor aman

Seç më shkrepi mor aman,
Të dehem gjer në çmënduri,
Po dhe ta provoj, sa mbaj,
E çfarë ndjen një terjaki.

Nuk dua as verë, as birrë,
Raki të më zerë vënd,
Turshi që të kripem mirë,
Pa le të më bëjë dëm.

Të më turbullohet koka,
Të më meren mëntë ca,
Pa le të më qeshë bota,
Nuk më bëhet von për ta.

Se ku jam të mos e di,
Shkujdesur të vërshëllej,
Të këndoj, të hingëllij,
Si amshori ergjele.

Ti hap sytë dalngadal,
Gojën tharë krejt nga etja,
Kur rakia të më dalë,
Të më vijë turp nga vetja.

Ka nevojë njeriu i ngratë,
Ta dijë atë që s’ ka lezet,
Çfarë i shtyn të bëhen tapë,
Kur i duket vetja mbret.

Le ta marrim për një moment

Jo se rrotën e historisë
Kam aftësi ta ndryshoj krejt,
E prap mundohem ta lëviz.
Një milimetër e pak më shpejt.

Po le ta marrim për një moment,
Se e realizova sa më sipër,
Një pikë ujë brënda në det.
As e shton, as ja heq kripën.

 

Ra Ylberi aty prapë

Më dy këmbët e tij si hark,
Njëri sup te gur’ i cjapit,
Kokën gjer lart në çardak.
Me shtatë ngjyrat më të forta,
Retë u shpërndanë e u strukën,
Nuk ka penel në këtë botë,
Që ta bëjë aq të bukur!

Çfarë flet lule çikore?

-Çfarë flet luleçikore?
Gonxhe-verdhë, fyl nga brënda,
Ka dy muaj që ke çelur,
Tani të ra ndërmënd për këngë?

– Epo unë nuk e dija,
Që ti thurke edhe vjersha,
Ndaj të lutem mos ma prish,
Thurmë e mua disa reshta!

-Paçka se vlen për terapi,
Di që je e hidhur shumë,
– E de mos ma verë re,
Se lule jam edhe unë…

Atëherë ç’ne nga boçja?
Hedhur farën si vragji
Apo përfiton nga goçja,
Që u plak, pa qënë i ri!

Çikorja e huli kokën
U bë gati për të qarë
-Nuk e dija unë e gjora,
Pa të thosha ca më parë.

 

blank

DY USHTARËT – Poezi nga VEHBI SKËNDERI (18 maj 1927 – 13 qershor 2011)

Guri i Topit – Lenie. Fronti italo-grek 1940-1941

Kish disa ditë që s’ndjehej luftë e shkretë!
Nën një jorgan të butë prej dëbore
Po flene tok: dhe italianë, dhe grekë.
Kush qit një këmbë, kush një fyell dore…

Po ne fëmijët, trima si komitë –
Të armatosur me shkopinj e torba –
Përmbi Lenie, ku u grinë dy ushtritë:
Mbledhim fyshekë, rrushka, fiq e komça.

Duam të mbathim, si zotrinj, këpucë
Dhe mund të hamë tri depo peksimete!
Kush mban një thes, kush katër pash tërkuzë
Drejt Gurit Top u qepmë asaj përpjete.

Por, krejt papritur, ngrimë gur në vend
Duke vështruar majën, buzëtharë.
Aty mbi akull, përmbi një çukë shkëmb:
Presim në këmbë: vështroni! dy ushtarë.

Po del prej nesh më trimi nga të gjithë,
E mban fjalim, si kapidan i thekur:
– Phu, kalaviça! turp që kini frikë,
Nga bubuzhelë e buburecë të vdekur! –

Nga dy fantazmat na drithrohet zemra,
Po frikacakun s’e afron njeri.
E, që të gjithë, ndezur prush nga sedra,
Pas kapedanit, rendim si veri.

Ushtari grek, një ish, ndoshta, mësu’s
Dhe italiani, ndoshta, ish trenist?
Jo! mos betohi! nuk e di askush
E pse u vranë të dy kaq mizorisht!

Dy bajoneta ngulur shoku-shokut,
Dy fjalë sharje, ngecur nëpër dhëmbë.
Ah! janë therur, që të dy, së toku…
E shoqi-shoqin mbajnë prap në këmbë!

Te Guri Top ndriçon ky diell i ngrohtë,
Nga pisha e bukur rrjedh cyrilë e artë.
Në sytë – zgavra vezullojnë lotë.
Ndoshta po qajnë, njeri-tjetrin, bashkë.

 

(Nga libri “Bëjmë sikur” 1995)

 

blank

BEZJA GRI DHE EKSPOZITA RUMUNE – Tregim i vërtetë nga Agim Xh. Dëshnica

 

 

Pritja në Rinas

 

Kur dimri me acar e borë qe harruar, miqësia me pasardhësit e dakëve, çuditërisht e ftohur, u ngroh sërish,

Ishte fundi i qershorit të blertë 1986. Etnografja rumune F. Jankulesku qe nisur dy orë më parë nga Budapesti me ajrorin hungarez Malev. Për ta pritur  kishin dalë në Rinas profesor Koka, bashkëpunëtori i tij, Mati, dhe tri gra të Institutit të Kulturës Popullore.

Burrat të rruar e të krehur, me kostum të errët e me kravatë, shkëmbenin mendime për zakonet dhe për folklorin e fiseve iliriane, të afërt me dakët. Pak më tej qëndronin Lora, Elsa dhe Natasha. Nëse dikush do të ndodhej pranë tyre, do të vinte re se të tria ishin të hirshme e të veshura  më së miri. Të tria  të lyera si nuse, në vetulla e qerpikë, në faqe e buzë. Të tria mbanin në këmbë këpucë me taka të larta. Dëgjohej shkoqur biseda e tyre e zgjatur me zë pak si të ngritur. Hera – herës, ato qeshnin me gjithë zemër, pastaj e vijonin bisedën vetëm për modën. Për dijetaren asnjë fjalë! Shoferi i mikrobusit nuk e vriste mendjen. I mbështetur mbi timon kotej e shihte ëndrra  me shishe birre.

– Këtë fund me copë polake, – thoshte Lora, – ma ka qepur një mik që kam në pallat. Si më rri?

– Shumë mirë! Ta mbash me shëndet! – ia priti Elsa. Megjithëse, të të them të drejtën, më duket pak si i shkurtër. Ta ka prerë  mbi gju më shumë nga ç’duhet!

– E po, ashtu është moda tani! – ia  ktheu  Lora. –  Po ti,  ku i ke gjetur ato këpucë?

– M’i dërgoi  para një jave mbesa  nga Praga. Eci lehtë fare me këto!

– Qenkan mjaft elegante! – ndërhyri Natasha. – Veçse, takat i paskan shumë të holla! Nëse kalon para Muzeut Historik, vështro me kujdes  përdhe, se po ngece në vijat e thella, që ndajnë pllakat, mund të rrëzohesh sa gjatë e gjerë dhe të lësh nam bash në qendër të Tiranës.

Qeshën të tria.

– Po fustani im si ju duket? – pyeti Natasha.

– Mos e bleve dje në MAPO? – i tha Lora

– Çne! Si ky nuk gjen në asnjë dyqan! Ma dërguan para një jave nga Budapesti. Është i kohëve të fundit.

– I mirë qenka! – shtoi Elsa. – Ta tregoka trupin për bukuri, se, megjithëqë je belhollë, të rri pak si i ngushtë. S’të pengon fare, kur  nxiton për në punë?

– Jo, hiç! Kështu vishen hungarezet e hijshme! Kurse ti, mesa shoh, ndjek  veshjen e hershme! Ja, fustani yt sa s’prek tokën! Dhe xhaketa, ndonëse s’ka të sharë, nuk të shkon me flokët e tua  bionde.

 

 

Etnografja rumune

 

Ora  e mbërritjes së Malevit pak nga pak po afrohej. Mbi male, nga ana e veriut, u pa diçka si shqiponjë.

– Ja, ja, po vjen! – thirri dikush.

Shumë vetë kthyen sytë drejt qiellit. Për dhjetë minuta avioni hungarez u duk qartë. Pasi përshkoi një gjysmë rrethi, mori drejtim të pjerrët e, më në fund, preku fushën. Gratë nuk u trazuan aspak. Të zhytura në kënaqësitë, që u jepnin ngacmimet e ndërsjellta, vazhdonin të flisnin, por zëri dhe shenja me dorë e profesorit, ua preu fjalët që s’kishin të mbaruar. Të pestë nxituan për në sallën e pritjes. Kur porta u hap, udhëtarët nisën të hynin njëri pas tjetrit, me vonesa që zgjateshin nga kontrolli. U duk tek hynte edhe një si zonjë flokëgështenjë, me çantë  të madhe në krah, e veshur thjesht dhe me këpucë të sheshta. Profesori e njohu menjëherë. Ajo buzëqeshi dhe ngriti dorën drejt tyre. Pasi mbaroi punë me doganierët, u erdhi pranë. Të parët që e takuan ishin burrat.

– Bine venit! – e përshendeti në rumanisht, profesor Koka.

– Mirëse ju gjej! – ia ktheu në shqip Jankulesku.

Pas tyre  e kishin radhën  puthjet e ngrohta të grave tërë parfum.

Nga të kuqtë e buzëve të tyre në faqet e rumunes mbetën njolla të zbehta ovale. Pas pritjes së njohur shqiptare, në zyrën e drejtorit të Institutit, u kalua tek detyra e dijetares, hapja e ekspozitës etnografike rumune në Tiranë. Kutitë e mëdha me krijimet e artit popullor rumun, të ngjashme me tonat, do të mbarteshin me kamionçinë. Me ketë punë do të merrej Haxhi Braçja, ekonomist pranë Akademisë së Shkencave. Në maj ai pati ndihmuar gjallërisht edhe për ekspozitën „Etnografia shqiptare“. Atje, ndër të tjera, në një faqe muri, bariu me kërrabë i binte fyellit afër tufës së bagëtisë. Mbi kokën e tij zbardhte qylafi i gjatë i labit. Shtatin e lartë ia hijeshonin xhokja e praruar dhe fustanella e bardhë. Përbri, vashat e një kooperative fushore, me fustane fërfëritëse plot lule, të kërrusura,  mblidhnin të lumtura  pambuk.

Haxhi Braçe

Haxhiu kishte lindur në ishullin e Maltës. Babai i tij tiranas merrej në Valeta me tregti basmesh. Në moshën pesë vjeç, ai, tek luante me disa fëmijë italianë rreth një grope të thellë, ra në ujë e desh u mbyt.  Si u kthye në atdhe, tek mblidhte në kopsht kumbulla të tharta, befas u rrëzua tok me degën dhe humbi ndjenjat. Në kohën e luftës, kur ishte nxënës, gjatë pushimeve të verës, shkonte pa leje në lumin e Tërkuzës.  Ashtu siç bënin edhe shokët,  hidhej me kokë nga bregu i lartë në Pellgun e thellë të Palaços. I ati i shqetësuar e dërgoi tek vëllai i vet këpucar, në Pazarin e Vjetër të Tiranës. Haxhiu, qysh ditën e parë, nisi të ndreqte me çekiç gozhdë të shtrembëra. Në vend të gozhdës, u binte shpesh gishtrinjve të dobët. Pas pesë ditësh, u mërzit sa s’ka, ndaj iku nga xhaxhai e s’u kthye më tek ai. Atëherë, i ati vendosi ta mbante në dyqan. Një ditë, kur pati dalë për kafe, një oficer gjerman kaloi pragun e dyqanit. Përshëndeti me dorë, hodhi sytë përqark dhe foli shkurt:

– Haben zi Gumiband?

Haxhiu për një hop e humbi. Kur gjermani kaloi dorën rreth belit, u kujtua. I hutuar i tregoi  rripin e pantallonave.

– Nain!

– Llastik?

– Ja! Ja!-  iu përgjigj gjermani dhe duke ngritur tre gishta, tha: – Drai meter!

Tregtari i vogël u gjallërua, mori shiritin e llastikut, e vendosi në banak e me kutin metalik,  nisi matjen.

Papritur, oficeri e ngriti zërin:

– Nain! Nain! – i tha, duke i bërë shenjë me duar, që mos ta  tërhiqte aq fort.

Çuni i trembur e mati nga e para. Llastiku ndërmjet dy skajeve të  kutit, dridhej, thuajse gjarpëronte.

 

Liria dhe jeta e re

 

Kur armët heshtën në botë, i ati u shpronësua vullnetarisht. Madje, atë e thirrën në Degën e Brendshme, ku shokët e hetuesisë e strehuan pak kohë në qeli për disa sqarime. Edhe tregtarët e tjerë, me hir e me pahir, dorëzuan çelësat. Gjuhëtarët e rinj, sajuan emra dyqanesh me rimë: NTLAP, NTSHAP, NTLUS, NTSHUS. Nëse dikush hynte në ata dyqane për të blerë, i habitur vinte re se raftet ishin pothuaj të zbrazur. Më vonë u shfaq në Tiranë dyqani i madh, i ngjashëm me ta, me emrin MAPO.

Në shkollën e mesme Haxhiu u shqua me krijime romantike për bukuritë e natyrës. Në pushimet e verës, ndërsa punonte me shokët për hapjen e një rruge në Mat, një ledh i madh që u shemb  për pak e zuri nën vete. Pas studimeve për ekonomi, punoi me shifra pa mbarim, në tym e pluhur, vite me radhë i harruar, në një kombinat ndërtimi. Para se të niste nga puna, i dhanë të plotësonte një formular me shumë pyetje. Sado kanë shkuar vite e vite, për dreq dy nga ato e trazojnë edhe sot: “A ke qenë xhandar gjatë regjimit të Zogut?„ , “A ke qenë milic në kohën e fashizmit?” Haxhiu pa u menduar gjatë, pati shkruar qetë dhe pastër: “Jo, nuk kam qenë xhandar gjatë regjimit të Zogut!” “Jo, nuk kam qenë milic gjatë kohës së fashizmit!” Në kujtesën e tij ka mbetur edhe koha, kur punonte në një kooperativë bujqësore përtej Fushë-Krujës. Në Tiranë atëherë kthehej më të rrallë. Atje, si strehë e vetme për punë e për gjumë, i shërbente zyra e tij. Kryetari, Cen Hysa, e donte  ta  kishte pranë në çdo mbledhje të kryesisë, edhe nëse ato bëheshin në mes të natës. Tërë ditën Ceni ose fugonte me fuoristradën BÇ, ose shtrihej dhe prehej në shtrat.

Ishte ditë e diel. Në pragun e zyrës, si përherë, sekretari i kryesisë i tha:

– Xhike, sot në ora dymëdhetë e gjysë të natës, ke me ardhë në mbledhje! Mos harro!

Qysh në fillim  kryetari u tregoi  anëtarëve të përgjumur:

– Me urdhër  nga lart, magjarët do t’i hekim prej pune.

U ngrit  Zydi,  plak i urtë, e ia ktheu:

– Gjynaf, vallaj! Ina mësu’ me ta, denbabaden!

– Të tanë duhet me dijtë, – ia preu fjalën kryetari, – se teknika, shokë, teknika, osht sot ma e para!

Më vonë u përhap lajmi se magjarët e gjorë i dërguan jashtë shtetit për sallam. Në pranverë ata nuk u dukën më në ara për mbartjen e farës, të fidaneve e të plehut. Në vend të tyre, nga vendet e huaja mbërritën makina bujqësore të vogla, me karroceri të ngushtë e pa targa. Ngarkesa qe e njëjtë si dy koshat e veshgjatëve të palodhur, që ushqeheshin vetë, me ferra, driza e gazeta. Fshatarët i quajtën makinat e reja, disa „Ysh-ysha“, disa “Dum-duma”. Emri i parë u harrua shpejt.

Në korrik me një Dum-dum të atillë pa targa, Haxhiu, i ulur shesh në karroceri, udhëtoi me shërbim deri në Otllak të Beratit, për të cilin e kishte djegur malli. Rrugës policia nuk i ndali askund, duke pandehur  se ishin të kooperativës fushore atje pranë. Kur u kthye,  ai vuri re se i qenë bërë rrobat tërë pluhur dhe qe nxirë në fytyrë, si mos më keq. Kjo ngjante me aventurën e Fernandelit, rob lufte, tek arratisej drejt Francës nëpër rrugët e Gjermanisë, duke patur si leje kalimi lopën e një fermeri gjerman. Policia ushtarake nuk e ndali në asnjë fshat. Madje, në një urë të ngushtë, një repart këmbësorësh në marshim i hapi rrugën të kalonte bashkë me lopën.

Një ditë prej ditësh dum-dumët ngecën nëpër ara. I shihje tek dergjeshin nëpër hangarë, shumica për mungesë pjesësh ndërrimi, disa për naftë.

Në mbledhjen e mesnatës u ngrit Rrema dhe foli shkurt:

-Meqenëse dum-dumët s’punojnë dot ma, mendoj  me marrë disa karroca në Ndërmarrjen Karro-Qerre në Shijak.

-Pa plan s’të jep askush, lum miku! – u hodh e tha Haxhiu.

Më së fundi, u vendos që punën e Dum-dumëve ta kryenin vajzat e shkathta të fshatit, me kosha mbi shpinë.

.                         Haxhiu në Akademinë e Shkencave

Kur filloi të punonte në Akademinë e shkencave, Haxhiun, këtë burrë të shkathët e të pashëm, nuk e gjeje ndër lokale me gotë në dorë. Kafenë e pinte më të rrallë. Duhanin s’e vinte në gojë. I pëlqente të shëtiste i vetëm nëpër trotuare. Në zyrë nuk mungonte kurrë. Në punë ishte këmbëngulës e nuk dorëzohej lehtë. Atë që niste, do ta mbaronte se s’bën. Vendoste thuajse gjithë dosjet mbi tavolinë dhe punonte, sidomos për hartimin e planit të importit për tërë institutet pa u lodhur, sepse ai duhej dorëzuar brenda afatit në çdo qershor. Punën e ndërpriste veç, kur aty nga ora njëmbëdhjetë, shkonte në dyqanin pranë, ku shiteshin petulla të fryra me sheqer e me vaj të përzjerë me dhjamë. Zakonisht merrte vetëm dy. Në ora pesë, tek kthehej për shtëpi, hynte në dyqanin poshtë pallatit me kolona, plot me mallra artizanati të prodhuar në fabrikat moderne dhe mendohej: “Përse vlen ky dru i gdhendur keq, kur në dyqane mish nuk ka? Po lugët prej alumini, apo xhezveja prej teneqeje, kur kafe s’ka!?„ Haxhiun e gjeje edhe në dyqanin e ushqimeve të lagjes. Atje i ndodhi diçka e papritur. Pasi kishte marrë dy qese prej letre, njërën me sheqer e tjetrën me oriz, tek po nxirrte lekët për të paguar, një grua e re me flokët kaçurrel i tha:

– O shoko! T’u ka derdhë sheqeri ndër kambë!

Ai hodhi sytë përdhe. Vërtet i ishte derdhur. Kishte marrë pantallonat, këpucët dhe dyshemenë. I tronditur  mërmëriti:

– Dreqi ta hajë, prandaj më qenka lehtësuar njëra qese! Paska ikur gjysma!

Këtë ngjarje, si pa të keq, e tregoi një ditë në zyrë. Nëpunëset u gajasën me lot, kurse njëra u mek fare.

“ O shoko! T’u ka derdhë sheqeri!“ – jehon në veshët e tyre  edhe sot.

 

Ekspozita dhe gozhda e planit

Pra, Haxhiu ynë u ngarkua të ndihmonte zonjën nga Rumania. Me atë ai merrej vesh nëpërmjet një djaloshi, që e dinte  rumanishten. Në Hotel Tirana porositi një dhomë të mirë në katin e tretë, me pamje nga sheshi Skënderbej. Te përgjegjësi i ekspozitës “Shqipëria sot”, prenotoi një sallë të veçantë. Tani ai kishte në dispozicion kamionçinën Zuk  me shofer Fatin e shkathët. Po atë ditë tërhoqi  nga Rinasi kutitë  me krijimet e popullit rumun.

Koha me diell qershori, blerimi në fusha e male, bënë të mundur vizitat e Jankuleskut. Profesor Koka e grupi i grave e shoqëruan atë në Opera e në Muzeun Historik. Ata nuk iu ndanë as në kafenetë e hoteleve Tirana e Dajti. Me mikrobus vizituan Kalanë e Krujës, Durrësin e Beratin. Në fund i treguan  sallën e caktuar për ekspozitë.

Etnografja rumune e kënaqur kërkoi tre zdrukthtarë dhe dy  metër kub dërrasa. Kjo detyrë natyrisht iu ngarkua Haxhiut. Dërrasat e punëtorët ai i mori pa vështirësi në Kombinatin e Drurit. Veçse Jankulesku nuk u mjaftua me aq. Duke mos ditur rregullat tona,  ajo kërkoi papritur pesë topa me beze gri. Edhe kjo detyrë iu ngarkua po prapë Haxhiut. Madje, bezja duhej të gjendej brenda dy ditëve dhe të ishte patjetër e ngjyrës gri. Me atë do të visheshin tri faqet e sallës, pastaj do të niste puna më e rëndësishme e etnografes, vendosja e krijimeve të artit popullor rumun. Por, kjo porosi sa nuk e luajti mendsh Haxhiun, se i ngeci sharra në gozhdën e fortë të planit. Në magazinë nuk kishte asnjë metër beze gri. As në ekspozitën e madhe nuk i vishnin sallat me të. Me të kuqe po. Ndaj, mori kamionçinën dhe nisi të endej nëpër Tiranë, nga një dyqan në tjetrin.  Tashmë atë s’e gjeje më në zyrë, po as edhe te dyqani i petullave. Mendja e tij punonte vetëm për bezen. Ditën e parë hyri në tërë dyqanet e veshmbathjes. Në MAPO takoi përgjegjësin dhe i tregoi një copëz nga ajo beze.

– Për një ekspozitë të huaj, – i  tha, – na duhen pesë topa si kjo!

– Edhe sikur të kishim, nuk mund t’i shisja një sasi kaq të madhe, për më tepër, një institucioni shtetëror! – iu përgjigj ai.

Kudo që vajti Haxhiu tha po ato fjalë dhe dëgjoi i shqetësuar të njëjtat përgjigje pa  bukë.

“E pat!„ – pëshpëriti  i mërzitur e i lodhur . Mendoi të hidhej deri në Berat, në Kombinatin e Tekstilit, por meqenëse po ngrysej, e la për të nesërmen.

Dielli po ulej mbi kodrat e Kasharit. Dyqanet së shpejti do të mbylleshin. Qytetarët, sipas zakonit, po vërshonin në bulevardin e madh për shëtitjen romantike të ngjashme me shëtitjet në Shamps Elize të Parisit.

 

 

Konti Drakula dhe Kombinati

 

“Për sot puna mbaroi me kaq!” – mendoi Haxhiu i dërrmuar fizikisht e shpirtërisht dhe i tha shoferit:

– Ktheu në park! Nesër, në ora  gjashtë të mëngjesit, të pres përpara Akademisë, nën hijen e blirit!

– Si urdhëron, shef!

I lodhur e i uritur, mori udhën për shtëpi. Gjithë natën në shtrat, u kthye nga një krah në tjetrin. Iu bë se dikush trokiste fort. Me ballin mbështetur në xhamat e dritares, shfaqej i mbështjellë me bezen e gjatë gri vetë Konti Drakula. Nëpër rrugën e Kavajës pesë topa gri, rrukulliseshin njëri pas tjetrit drejt Kombinatit të Tekstilit të Beratit. Më në fund, u zgjua i trembur. U ngrit dhe vrapoi drejt banjës. Atje lau mirë e mirë me ujë të ftohtë fytyrën, veshët e qafën. Tek pinte kafenë e mëngjesit, iu kujtua një shok shkolle, Muhin Masari, nëndrejtor në Kombinatin e Tekstilit të Tiranës.

Kur dielli nuk qe shfaqur ende mbi Dajt, u vesh dhe doli me nxitim, duke harruar të përshëndetej me gruan, të cilën zakonisht e përqafonte në prag të derës. Para Akademisë e priste Fati me kamionçinë. Hipi atje me kërcim djaloshar.

– Mirëmëngjes! Të lumtë! Paske ardhur në kohë!

– Jo, jam këtu qysh njëzet minuta më parë! Meraku yt m’u ngjit mbrëmë edhe mua.

– Të besoj, prandaj s’të ndërroj me asnjë shofer tjetër! Dëgjo tani! Në Berat nuk do të vemi, është larg.  Jepi për në Kombinatin tonë!

Pranë fabrikës së birrës, një plak me biçikletë, befas ua preu keqas udhën, por Fati me shkathtësi e ktheu timonin djathtas.

– Je i madh! – e përgëzoi Haxhiu i tronditur. – E shmange për bukuri aksidentin!

– E mori dreqi! – ia ktheu shoferi. – Për pak e shtypa hutaqin! Edhe shoferë të tjerë kanë gjetur belanë me të. E ndeshin shpesh, tek bredh me biçikletë nëpër fushat e druve për tallash e bujashka.

Në Kombinat, para harkut të gjerë të drejtorisë, makina frenoi. Haxhiu  zbriti dhe nxitoi për te kabina  e rojës.

– Vij nga Akademia e Shkencave! – i tha. – Kam nevojë urgjente të takoj  nëndrejtorin!

– Shoku Muhin është i zënë! – iu përgjigj roja. – Pret vetëm në ora dymbëdhjetë.

– Merre në telefon dhe thuaji  se jam i vëllai! – e gënjeu Haxhiu.

– Ashtu!? – Ai ngriti receptorin, formoi numrin dhe foli: – Shoku nëndrejtor, ju ka ardhur vëllai! Pastaj roja e la telefonin dhe iu kthye prapë Haxhiut: – Shkoni në katin e dytë!

Haxhiu i ngjiti shkallët dy nga dy. Eci gjatë korridorit, e gjeti zyrën e nëndrejtorit, trokiti butë dhe hyri. Në atë çast Muhini po mbyllte me ngut në sirtar  romanin  e verdhë  “Maska e zezë”.

– Ou, ti qenke! – i tha Haxhiut. – Ç’ia paske hedhur atij rojes!

–  Ç’të bëja! S’më linte të hyja!

– E, punë e madhe! Po sa kohë kemi pa u parë! Si ke qenë?

– Eh, jo keq! Po ti?

– Mirë, mirë, po na mori malli! Jemi a s’jemi shokë të vjetër?

– Qysh jo! Më kujtohet, kur më tregoje gjëra për të qeshur!

Muhini vuri buzën në gaz.

– E, ashtu! Po ç’e mirë të solli?

– Kam një hall!

– Hajt se kemi kohë ta shohim hallin tënd! Shkojmë njëherë në klub për kafe!

– Jo, jo, ngutem!

– Fol, pra! Si është puna?

– Për një ekspozitë më duhen pesë topa me beze! Të jenë gri, ama!

– Beze? Gri? Ou! Kam në magazinë një mal të tërë stok nga ajo!

Haxhiu u çel në fytyrë dhe sa s’u hodh përpjetë.

– S’thonë keq, –  ia ktheu, – më mirë një mik se një çiflik!

Nëndrejtori  për një hop heshti, pastaj duke buzëqeshur tha:

– Prit, se problemi është që për atë mall unë vetëm çelësat e kashtës kam në dorë! Edhe drejtori po ashtu! Bile, edhe vetë  ministri! E kanë caktuar në plan për eksport! Vetëm me urdhër të Kryeministrisë, mund të bëhen përjashtime!

Haxhiu u ngrit, përshëndeti dhe doli duke psherëtirë. Shkallët i zbriti i plogët, një nga një. Hipi në Zuk në një gjendje vërtet të rëndë shpirtërore.

– As këtu s’ paskan nga ajo bezja!? – e pyeti Fati i shqetësuar.

– Këto punë qenkan më të ngatërruara nga ç’i dija! – iu përgjigj ai. – Nisemi!

Tek po ktheheshin nëpër rrugën e Kavajës, Haxhiut të heshtur e të zymtë, qielli i kaltër i bëhej gri.

 

Magazinieria kapedane

Kur mbërritën para parkut të kamionëve, Haxhi Braçes i shkrepi ndër mend diçka. Diku pranë, në punishten e rrobaqepësisë për veshmbathje të lehta, punonte në furnizim Reizi, shok banke i tij në  shkollën e mesme.

– Ndaloje! Ktheje djathtas! – i tha Fatit me zë të lartë.

Makina ndaloi para një porte prej hekuri, në fund të një rruge qorre. Roja, kushëri i largët i shoferit, lejoi të hynte vetëm shefin. Po, për çudi, në zyrën e furnizimit, shoku i bankës e priti Haxhiun me këmbët e para:

– E pamundur! Atë beze mund ta lëvizim vetëm me vendim nga lart!

Atje ndodhej rastësisht edhe kryeteknologu, një burrë i kërrusur e pak thatim. Kur dëgjoi për çka flitej, tha:

– Mor shok, ja ta dhamë bezen, po neve me se do ta realizojmë planin e eksportit?

Haxhiu u zverdh. Humbi çdo shpresë. I hutuar, doli pa përshëndetur dhe u ngatërrua nëpër rrugicat e reparteve. Tek po kalonte, pa ditur se ku, u gjend para magazinës. Në prag  pa një grua bullafiqe.

– Shoqe,  magaziniere jeni ju?

– Po! Cilin kërkoni?

– Kam një hall të madh! Për një ekspozitë të huaj më duhen pesë topa me beze si kjo! – Ai i tregoi copën që kishte në dorë. – Në drejtori nuk më dhanë urdhër furnizmi!

– Po nga puna juaj a keni autorizim?

– Si jo!

– Ejani brenda! Shih sa kam! Topat sa s’prekin tavanin. Herë pas here shoh minj përmbi ta. Dalin, sillen rrotull dhe zhduken. Janë të zgjuar! Asnjë çark s’i kap dot. E dini çfarë? A nuk merrni gjashtë topa?

Ajo zgjati krahët e fuqishëm dhe, sakaq, pa marrë përgjigje, i hodhi vërtet gjashtë prej topave përdhe.

Haxhiu, me një frymë, nënshkroi fletë-daljen. Lajmëroi menjëherë shoferin. I ngarkoi me gjallëri, falënderoi magazinieren kapedane dhe u largua i trembur si vjedhës. Kur dolën jashtë portës së lartë, të kontrolluar nga roja,  thirri:

– Jepi, Fato, mos ndalo!

Rrugës ia mori me fërshëllimë kavatinës së Figaros: ”Tuti mi kiedono, tuti mi voliono. Ehi,  Figaro, son kua! Figaro kua, Figaro la, Figaro su, Figaro xhu… “

Kështu, ajo punë me tërë ato ecejake mori fund. Pesë topa i dorëzoi në ekspozitë, një e futi në magazinën e Akademisë.

Atë mbrëmje, për herë të parë në jetë, u shtrua me shoferin te një Bar-bufe, tavolinën plot me pije e mezera, dhe u deh paq. Tek po kthehej në shtëpi, duke u lëkundur gjatë Rrugës së Durrësit, llampat e gjata me neon ndërmjet shtyllave, i bëheshin si sfera me shkëlqim verbues, që silleshin me shpejtësi rrotull e rrotull, lart e para, djathtas e majtas. Së fundi, me hamendje, e gjeti shtëpinë. Këmbadoras kaloi nga një shkallë në tjetrën. Në katin e tretë trokiti me pëllëmbë. Sapo hyri, ashtu siç qe,  i veshur e me këpucë ndër këmbë, ra në shtrat dhe humbi në një gjumë të thellë.

Të nesërmen drejtori i dha leje të shkonte me pushime. Kur u kthye, Fanka, sekretarja e shkathët e kryesisë së Akademisë, i dorëzoi një shkresë zyrtare, tek thuhej:

“Shokut Haxhi Braçe,

Për shkeljen e disiplinës, ikje pa leje nga zyra, ju jepet vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna.

Për kryetarin,

zëvendëskryetari i degës së kuadrit,

Lipe Guri. “

 

Dielli i korrikut shkrinte asfaltin në rrugët e zhurmëshme, por nën bliret e  përpjetë, në sallat e Akademisë së Shkencave, bënte fresk dhe kishte qetësi…

blank

KUR IKTE BUHARAJA – Poezi nga AGIM XH. DËSHNICA

 

 

Kush ia thot’ aty matanë

me një fyell që përvëlon?

Vexhi  Buharaja

 

Nën hijen  Kalasë,

ku çohej drejt për qiell,

minare e rrënuar,

nuk rrjedh më çezmë e vjetër,

nën  gurët e latuar.

S’dëgjohet më këmbana,

jehona tej Beratit,

shkallmuar, rrafsh me tokën,

hesht Kulla  e Sahatit…

 

Sofati  i xhamisë,

i heshtur e pa jetë,

askush nuk falet

te sallë e shkretë.

Asnjë shandan, asnjë qiri

dhe Libri i Shenjtë  i fshehur rri.

 

S’dëgjohet më nga larg,

as thirrje e myezinit.

S’këndon me fjalë të urtë,

fjalën shqip,

Firdusi si qëmoti,

veç shpirt e mendje e thellë,

me besë i falen Zotit.

 

Kur nata shkon e dita kthen sërish,

as hije, as fresk, as fëshfërimë selvish,

veç fryma e Tomorit

në gërmadhë ka zbritur,

e qan se fluturoi e shkoi,

bibili i ndritur.

 

Mos shkoi te Mali i Thatë

e yjet lasgushiane gjen,

apo ku hesht lopata në Liqen?

 

A mbi Tomor  ndër lule dimërore,

dëgjon i lumturuar,

xhuranë baritore?

Takon Naimin,

në male e pyje, bukurinë,

larg prangash e qelisë,

dhunës, padrejtësisë.

 

Ndër hulumtime zhytet,

në shekuj historie,

ndër bëma  Skenderiane,

shpatash trimërie,

me arbër  legjendarë,

në ndeshje për lirinë.

 

Lë librat, meditimet

e penën mbi letër,

me shpresë rilindjesh

në një kohë tjetër.

 

Hipur deveve në karvane,

niset për shtegtim,

me Shahnamenë në duar,

me shqipe plot shkëlqim.

 

Në fund të shkretëtirës,

kanë dalë Firdusiu dhe Sadiu,

me çallma, bardhë dëborë,

se ja,  po vjen, po vjen Vexhiu.

 

* * *.

Poeti  i hijshëm

me tungjatjeta, kur vije,

gëzonin  dyer, dritare,

mure me gurë shtëpish

në sheshe e faqe tatëpjeta,

bahçetë  me fryta,

lule e fletë të blerta.

 

* * *

Nga  hija-kullë e Sahatit

jehon  këmbana tej Beratit.

Osumi nëpër urë kalon,

zhurmon e diç mendon…

blank

SIJAVUSHI PËR TË TRETËN HERË NË HAREM – Poezi nga FIRDUSIU – Përktheu VEXHI BUHARAJA

 

(Poezia e fundit e librit SHAH-NAMEJA botuar në shqip)

SIJAVUSHI PER TE TRETEN HERE

NE HAREM

 

E ulur mbi fronin krenarja shaheshë,

Me të artën kurorë, me vëthë në veshë.

 

Sërish urdhëroi që princi i ri,

Të vinte patjetër në haremin e zi.

 

Tha: „ Mbreti peshqesh ty të ka dërguar,

Stof, fron dhe kurorë, që s’kanë të çmuar.

 

Dhe unë ty çupën ta jap, o xhanan,
Por shih sa e bukur dhe e hijshme jam!

 

E si nuk të joshka hiç kjo dashuri,

Kjo pamje, ky ashk, dhe ky shtat selvi?!

 

Që prej shtatë vjetësh kam rënë në lak,

Mbi faqet  veç lotë, përzier me gjak.

 

Të lash të më falësh veç pak dashuri,

Sikur dhe një ditë nga e jotja rini.

 

Yt atë dhurata të dha pa hesap,

Po unë kurorën dhe botën të jap.

 

Por po s’ma shove ti epshin që kam,

Dhe po nuk i vure kësaj plage balsam,

 

Ti fronin e mbretit, ta dish, nuk e merr,

Ta kam për ta kthyer gjithë jetën në ferr.“

blank

TAHMUREZI – Poezi nga FIRDUSIU – Përktheu VEXHI BUHARAJA

 

 

(Poezia e parë e librit SHAH-NAMEJA)

 

TAHMUREZI

 

Një djalë të mençur Hushengu na kish

Tahmurez divlidhësin me shpirt fildish.

 

Me bujë ky hipi në fronin e t’et,

Në mes ngjeshi brezin që ngjishte çdo mbret.

 

I thirri mobedët, që ishin në ushtri,

Pastaj seç u foli me shumë rtësi:

 

„ Selinë e lartë sot unë e mora,

Rreth meje shkëlqejnë thesari, kurora.

 

Të ligën nga bota me sulm do ta shporr,

Që strehë për njerëzit ta bëj këtë oborr.

 

Dhe duart t’u priten kudo që  ka djaj

Khediv i polemit të bëhem pastaj.

 

Për ju do nxjerr sheshitt të fshehtën e vyer,

Ta nzgjidh nga zinxhrët ku është mbërthyer.


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend