VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Vizita në shtëpi, biblioteka dhe arkivi vetjak i Martin Camajt

By | July 10, 2020

Komentet

Njomësi e bukur – Poezi nga Albert Habazaj

Nipit tim, Mares Habazaj pasi mbushi 10 muajsh
Nga Albert Habazaj
Me këmbë e me duar, duke ecur
Mares sikur flet, tek më sheh habitshëm:
– Ka tre muaj që pena të ka ngecur,
Ku humbe, o gjysh i “vargut të ndritshëm”?!
Apo shkruan mençurira të tjera
Që, ca herë, as vetë nuk di ç’thua,
Ç’i bëre fjalët? Mos t’i mori era?
Si merr gjumë e s’bën vjersha për mua?!
I papërmbajtshmi im me syrin serbes
Nuk më kupton që e kam një shqetësim,
Mares i vogël, trëndafil me vesë
Druhem të të pikturoj në vargun tim.
Njomësi e bukur çel herët çdo mëngjes
Tek zgjat doçkëzat ta marr hopa-hopa,
Sikur më fal dhjetë planete me shpresë
Sa Mares hedh këmbën, merr dritë bota.
Me guriçkat në breg loz si zog i kaltër,
Futet në ujë ta vërë detin përpara,
Qesh ëmbël, si ujë qielli i pastër
Dhe zgjatet të lozë me pulëbardhat…
Lixha, Çikallesh, Malësi e Elbasanit
14.08.2020

Lasgush Poradeci një vlerësim për “Siç më thotë nënua plakë” e Musine Kokalarit

“Është një dhuratë e thjeshtë që na jep zonjusha Kokalari, sapo e dalë nga bankat e Institutit të Tiranës. Sapo e dalë. Sepse vepra në vetëvete paraqitet jo si një provë shkollore e klasave të larta, jo si një shëmbëll zotësije, si një hartim që ka fituar çmimin e parë, – ajo përmban së-kundrazi mê pak dhe mê shumë se kaq. Mê pak sepse ka mungesat e veta, të papranuarshme në një konkurs letrar të nxënëseve të shkollës së mesme; mê shumë, sepse na çfaqet, me këtë përjashtim, nënë kushtin e domosdoshmë të artit që domethënë krijim.

Librëza e z-shës Kokalari është pra një krijim origjinal, dhe si i tillë meriton të heqë për një shënim vërrejtjen t’onë.

Krijim origjinal? Ç’do të thotë kjo? Kjo do të thotë me fjalë të thjeshtë, të pangatërruar, me fjalë drejt për drejt siç është jeta vetë, se autoresha e këtyre skicave rastore e ka zënë jetën mu në mezin e saj, në momentin kritik që është momenti i math i çdo manifestimi të jetës njerëzore, që përmbleth edhe çfaq, në një pikë tërësije, gjithë kuptimin e vërtetë të jetës të çfaqur rastësisht. Zënia e jetës, kapja e menjëherëshme e saj në fond dhe në formë dhe çfaqja imediate, pa asnjë ndërmjetësim, me anën e artit, kjo është origjinalitet – origjinalitet letrar. Nënë mprojtjen e kësaj cilësije, që është cilësija e parë e çdo vepre shkrimi për të dëfryer shpirtin, qëndron siç thamë libra e shkrimtares s’ onë. Ky karakter, cilësija e origjinalitetit të kapur shpejtazi dhe mu në thelb të zhvillimit psikologjik të jetës, sjell me vete dhe pikë-së-pari të metën e vet, si drita që sjell pàs hijen. Përshtypja e efektit kryesor i ka mënjanuar hollësirat rrethonjëse, që janë siç kuptohet vetvetiu hollësira forme, çështje trajtimi të përjashtëm, kujdes me durim i gjithë atyre ndërtimeve, drejtpeshimeve dhe kundërpeshimeve të fjalës dhe të frazës, të cilave nuk i-a-u vuri dhe aq shumë veshin në shkollë, për hir të punës kryesore: origjinalitetit.

Dhe kështu vijmë tashi në gjënë që na intereson mê shumë për këtë shënim, në meritat artistike të shkrimtares së re shqiptare. Ato janë një virtut i pamohuarshëm i saj, ku mund të kënaqet me të vërtet nevoja jonë për një shijim estetik të plotshëm, ku gjejmë, si në bërthamë, premtimin e heshtur të shvillimit të mëpastajmë të atyreve që ajo mundet të na japë në kohën e duhur. Me sa vërrejtje të përpiktë, plot gjallësi dhe plot freskësi, janë zënë këto miniatura të Musine Kokalares! Të thuash, si të kish këputur një copë të gjallë të jetës, një pjesë që rron më vetëvete gjithë jetën e organizmit shoqëror, një fragment që përfaqëson origjinalin dyke e përmbledhur. Janë skica këto, me një intuim psikologjik të math. Ato s’venë, siç do t’ i detyronte lloji i tyre, rrugës në gjërësi. Nuk çikin, nuk prekin vetëm. Nuk i afrohen sipërfaqes vetëm, për t’ a relevuar me një ngjyrë të lehtë, me një efekt pamjeje të çasit. Nuk përdorin frymën, as humorin, as ironinë ose sarkazmin e tharbët, të shkurtër, të një lloji letrar me qëllim dhe ekspresivitet të përcipshëm siç janë skicat nga natura e tyre. Nuk mbajnë, me fjalë të tjera, distancën subiektive të autorit kundrejt motivit që trajtojnë. Musine Kokalari hyn në thellësi drejtpërdrejt në thelbin psikologjik. Me-njëherë, ajo bashkëjeton me atë që na rrëfen. Nuk tall as nuk qesh përciptas, nuk vajton dyke spiritizuar. Situacioni komik i saj përmban një tragjedi, një tragjedizmë me të vërtet për të ardhur keq mi karakterin ose mi fatin, që është d h e  d e s t i n i  i njeriut, veçanërisht i njeriut – g r u a. Gruaja e l a g j e s – e dyerve dhe e portave, vizitonjësja e vatrës dhe oborit, fjalamania tradicionale që përfaqëson tipin e përbashkët dhe të përditshëm të intrigonjëses, të intrigantes, të asaj që bën intriga, që fut fitila, që shtje spica, që shan dhe heth në sherr dhe shtyn në ndarje – kjo: m ë h a l l a x h e s h a  shqiptare e pavdekur për gjithë herën dhe për gjithë kohën, përbën fondin e inspirimit të librës S i ç  m ë  t h o t ë  n ë n u a  p l a k ë. Epigon Mefistofeli femëror, Meduzë me gjarpërinjtë gati, ajo e ka për gjaku, prandaj di dhe përmbush mirë mjeshtërinë e saj. Ç’ bën ajo? – Atë që pat bërë, atë që do të bëjë: Fut fite andej, fut fite këndej, bjer e shpjer fjalë. Nga ato zënkat, zëniet, zihjet që përsëriten gjithnjë: Nga to e ma ta to, siç e ka fiksuar mirë me shprehjen e përshtatur zonjusha Musine Kokalari.

Dhe të gjitha këto në një stil origjinal, në një stil të saj, të çfaqur për së pari me kaq përmbledhje në letrat t’ ona. Cilësija e tij është natura e tij. Dyke trajtuar një motiv çkëlqimërisht popullor, ay mban, përmban me paramendim, me paravendim, këtë karakter që është karakteri primordial i vet: popullorësija. Sikundër janë marë, desha të them janë rrëmbyer, nga zemra popullore motivet e këtyre skicave kaq të hijshme, ashtu është marë dhe rrëmbyer nga goja popullore fjala që i vesh, robja e paraqitjes së tyre përpara lëçitësit. Vetëm origjinalitet, vetëm popullorësi. Janë fjalë ekspresive, fjalë të urta, proverbe të vendosura, shprehje popullore, mënyra thënieje dhe foljeje, përgëzime, përvajtime, mallkime, urime, gjithë një thesar frazeologjije së gjallë, të marë drejt për drejt, si të këputur, si të çkëputur nga fryma dhe kraharori i atij që flet dhe të cilat përbëjnë kësisoj gjuhën dhe stilin e Kokalares. Një përshkrim i gjallë, realist, dhe një rrëfim i freskët, plot ngjyrë, plot shije, i nxjerë krejt dhe befas nga momenti natural i burimit të tij: “Në këtë kohë dolli te porta teto Shekua, plakë cite mënt, e urtë që nuk ka shoqe, q’e dëgjojnë të mëdhenj e të vegjël: ju preftë Zoti ditën! si s’keni turp fare nga bota! moj nuk shikoni se si janë mbledhur dhe ju dëgjojnë se ç’thoni” (P ë r  m u s t a q e t  e  Ç e l o s, f. 15). Më duket akoma në si , sikur e gjej përpara të shkretën plakë; dhe kur e pyetja se ku vente: ja, thoshte, vete një çikë tek Mukadesi, se kam ditë pa parë, i shpie dhe një çikë gjë se s’ na zihet t’ a hamë vetë si mua ashtu dhe plakut; me zi e kemi, atë vështrojmë në si” (B u r r i  s h o k u  i  q e n i t, f. 19). Ajo moj Aishe, ajo që s’ t’ a zë sinë . Është thingjill i mbuluar, mësallë me di  faqe, shpon ndënë dhè. Pa… pa, s’ ke parë bushtër si ajo, nuk ka shoqe. Moj të keqen, se ku i gjen gjithë ato rena nuk di, pastaj se si i ndreq e i thotë… aqë të bën t’ i besoç një-me-një. Gjë s’ lë pa trazuar, vënd s’ lë pa futur turitë. Dal, kthehem në darkë- na! Kështu e gjej sepetin [të trazuar]. S’ lë haps e buqice  pa ndrequr. Në të mbaruar e sipër më heth një herë sitë , si e ka zakon, dhe më thotë: ej, hë! m’ i vure dorë djalit sot? u bëre dhe ti të na kreç inatet kështu? e di ç’ të bëj? që të këput kokën- trak, si të pulës! që të marr shpirtin të gjallë! që të marr frimën mu atje ku je! (Ë s h t ë  e  t h e l l ë, f. 26, 29). “Ç’ e do, kush m’ a prishi punën e vajzës s’ ime mos pastë h a i r  në shtëpi, i rëntë së mirës me këmbë, mos e trettë balta, e gjeftë nga mos e pandeftë (P a ç  f a t i n  e  s ë  l i g a v e t, f. 26). Ç’e do, kush ma prishi punën e vajzës s’ime mos pastë hair në shtëpi, i rëntë së mirës me këmbë, mos e trettë balta, e gjeftë nga mos e pandeftë  (U d h ë n  e  m b a r ë  p a s t ë, f. 45).

Ç’duhet përfunduar prej kësaj veprëze pa pretendime, prej kësaj prove shkrimi femëror shqiptar? Art domethënë realizim dhe ne nxjerim përfundimin e realizimeve të shkrimtares. Dyke lënë mënjanë të metat, pa rëndësi, të limosjes së gjuhës dhe të frazës, të cilat ajo, si k l a s i k e që janë, i pat lënë njëherë e përgjithnjë në k l a s ë n  e shkollës, ne i falemi nderit me gjith zemër për paraqitjen letrare të këtyre subiekteve të neveritura, veçanërisht për stilin e ri, substancial, që i-u ka përshtatur me aq vërrejtje shpirtërore dhe që është në gjithë kuptimin e fjalës shënja e një talenti të pamohuarshëm. Vazhdimi në këtë drejtim duhet të na japë masën e përsosjes së saj.”

Librat e Musine Kokalarit

  • Siç me thotë nënua plakë (1941)
  • Rreth vatrës (1944)
  • Sa u tunt jeta … (1944)

Të isha një lule… Poezi nga Musine Kokalari

Të isha një lule…

Të isha një lule vjollce në mes të ferrave
të qëndroja e fshehur, e pa dukur
dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të rinjve.
Prej frike, të larguar prej njerëzis do t’më këputnin
do të dhurohesha te njëri-tjetri
për shenjë kujtimi.

Karafil i kuq të lulzoja
dhe me kujdes të vaditesha…
një ditë të vendosesha në jakë të palltos.
Do të shëtisja dhe unë rrugëve të qytetit,
do të kuptonja jetën djaloshare
dhe të gjithë do të vështronin atë dhe mua;
që të dy qënkan të bukur, do të thoshin.

Më së fundi le t’isha
së paku një lule e egër,
midis rrugës dhe gurëve
pa kujdesin e të tjerëve.
Një ditë do të shtypesha prej ndonjë këmbe njeriu,
një burrë ose grua… e di por s’ka gjë,
një lule të isha dhe jo njeri…

Kjo është poezia e parë e Musine Kokalarit. Shkruar pas përfundimit të shkollës së mesme, në korrik të vitit 1937 publikohet në gazetën “Shtypi”. Në po të njëjtin vit ajo do të nisej në udhëtimin e saj për në Romë, për të vazhduar studimet e larta në Universitetin “La Sapienza”.

Ashtu siç shprehet Visar Zhiti në librin “Jeta ime universitare”, poezia e Musinesë nuk i përngjan poetëve të kohës së shkuar, as atyre bashkëkohorë. Në të gjen trishtim, pakënaqësi, asnjë poezi dashurie, asnjë rimë kumbuese, më rrallë ndonjë rimë të brendshme, dhe vetëm një zë të ngjirur që provokon një britmë.

Më 15 gusht 1870 lindi Josif Bageri, një ndër figurat më të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare

Josif Bageri (1870, Nistrovë, Reka e Epërme – 1915, Prishtinë, Kosovë) ishte një ndër figurat më të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare. Ai ishte poet me talent të rallë, prozator që shkroi shumë tregime (sidomos për fëmijë), mësues, gazetar e publicist, si dhe atdhetar i flakët, i cili tërë jetën dhe veprën ia kushtoi çështjes kombëtare shqiptare.

JETËSHKRIMI

Fëmijëria dhe rinia

Josif Bageri u lind më 15 gusht të vitit 1870 në Nistrovë të Rekës së Madhe, (asokohe Malësia e Dibrës se Madhe kurse tani i takon komunës së Mavrovës dhe Radushës) në kohën kur lëvizjet e mëdha çlirimtare kishin marrë hovin e zhvillimit, kur popullit i nevojiteshin intelektualë dhe atdhetarë të tillë. Vitet e rinisë se hershme i kaloi në vendlindje, i angazhuar si bari i varfër. Për shkak te rrethanave të prapambetura ekonomike, sociale e arsimore, Josifi nuk pati mundësi që të vijojë ndonjë shkollë, edhe pse, qysh në fëmijëri shfaqte interesim, dashuri e dhunti për arsimim. Në vitin 1887, në moshën 17 vjeçare, për shkak të varfërisë së rëndë, emigroi në Sofje të Bullgarisë. Krahas punës se rëndë fizike, u angazhua edhe në lëvizjen kombëtare çlirimtare kundër pushtuesit. Frymëzimet e para për të zënë dituri krijuese i kishte nga Dhimitër Mole i Korçës. Dhimitrin e takonte në dyqanin e tij në Sofje. Ai dyqan, njëherësh shërbente edhe si pikë takimi dhe organizimi e patriotëve shqiptarë. Ndodhte kështu sepse Dhimitri sillte libra dhe gazeta nga Bukureshti dhe mbrëmjeve u mësonte mërgimtareve të interesuar shkrim dhe lexim të gjuhës shqipe. Pra, Josifi, për herë të parë, vullnetarisht, në moshë 17 vjeçare, mëson shkrim e lexim nga Dhimitër Mole.

Rilindja Kombëtare

Krahas punës si këpucëtar Josifi në Sofje, prej vitit 1887 u inkuadrua edhe në lëvizjen kombëtare shqiptare. Në këtë kohë, Sofja ishte e stërmbushur me atdhetarë, te cilët i ndiqte pushteti osman, për shkak të veprimtarisë së tyre. Më 1 janar te vititi 1893 ne Sofje u themelua shoqëria shqiptare “Dëshira”,[1] ndërsa Josifi ishte njëri ndër themeluesit dhe aktivistët më të shquar të sajë. Kah fund i vitit 1899 shkoi në Stamboll për të vizituar poetin tonë të madh Naim Frashëri, i cili ishte shumë i sëmurë dhe dergjej në shtrat. Takimi me Naimin i la mbresa të mëdha. Ndikimi i tij ishte jashtzokinsht i madh tek Josifi, sa që pas vdekjes se Naimit shkruajti edhe poezi për të.

Gjatë periudhës së viteve 1905 – 1907 Josifi ndihmoi shumë në përhapjen e arsimit shqip ndër masat popullore. Ishte luftëtar i denjë për gjuhën dhe shkollën shqipe dhe si rezultat i saj, në shtator të vitit 1908 në fshtatin e tij të lindjes, Nistrovë hapi edhe një shkollë shqipe. Në periudhën mes viteve 1909 – 1911, në Sofje fillon të botojë gazetën me titull “Shqypeja e Shqypënis”, e cila luajti një rol të madh në përhapjen e arsimit dhe shkollës shqipe si dhe në trajtimin e çështjes kombëtare.

Vitet e fundit

Pas shpalljes së pavarsisë së Shqipërisë, Bageri kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Durrës. Qeveria e kohës e ngarkon me drejtimin e gazetës “Ushtima e Krujës”. Kjo gazetë, për shkaqe të varfërisë ekonomike, pas disa numrave pushon se botuari. Kushtet e rënda jetësore, keqësimi i shëndetit dhe dëshpërimi i thellë politik e social, e shtynë Josifin që në qershor të vitit 1915, të vendoste të kthehej serish në Sofje. Para nisjes për Sofje, Josifi pati një takim të fundit me Fan Nolin, Faik Konicën e personalitete të tjera, ku u bisedua për qëndrimin që duheshin mbajtur ndaj vendimit të Fuqive të mëdha, që vendosen të dërgonin Princin Von Vid, për të menaxhuar Shtetin e pavarur dhe të njohur shqiptar. Në atë takim ata vendosen që të mos protestonin, por fillimisht të mbanin qëndrim vëzhgues. Rrugës për në Sofje ndalon në Prishtinë, për të takuar Hasana Prishtinën dhe personalitete të tjera, me mision që t’i njoftonte për vendimet e takimit me personalitete në Shqipëri. I lodhur dhe i rraskapitur fizikisht nga rruga e mundimshme, vdes në Prishtinë, më 15 qershor 1915.

Kontributi

Josif Bageri punoi shumë për çështjën shqiptare. Punoi pa u lodhur, duke lënë pas shumë shkrime të botuara e të pabotuara; poezi e prozë, platoforma politike, artikuj, komente, reagime, klidhje politike etj. Gjate veprimtarisë së tij pati një bashkpunim te ngushtë me dibranët: Said Najdenin e Jashar Erebara, Atanas Albanskin nga Reka e Epërme, me Nikolla bej Ivanajn, Luigj Gurakuqin dhe shumë atdhetar të tjerë.[6] Personaliteti dhe veprat e tij politike, letrare e publicistike meritojnë respekt të lartë.

Bustet e Said Najdenit dhe Josif Bagerit në Dibër

Krijimtaria

Vepra

KOPËSHT MALSORI (Mësime të shqyptarueta dhe vjersha), Sofje, 1910.
REKA VENDI IM (Vjersha nga Josif Bageri, të përmbledhura nga Dr. Nexhat Abazi), Tetovë 1995

Artikuj e shkrime

Josif Bageri:Mësoni gjuhën e vet, 1909

Secili nga ne lypen te mbjell fare te mire e jo te lig, “Diterrefenjesi shqip“, Sofje 1897
Dashuri e mëmëdheut, “Kalendari Kombiar”, Sofje 1899
Bariu, „Kalendari Kombiar“, Sofje 1906
Mjaft në durim, „Kalendari Kombiar“, Sofje 1907
Përmendim, „Kalendari Kombiar“, Sofje 1909
Mesimi dëbon errësirën, „Drita“, Sofje 1902
Ngreu amdhe, “Drita“, Sofje 1902
Rrojtje e merzitun, „Drita“, 1909
Mesoni gjuhen e vet, „Besa“, Konstatinopoje/Stamboll 1909
Vajtim e mallkim, „Shqiperia“, Bukuresht 1899
Cilët jena na?, „Liria“, Selanik 1908
Kushtrimi i shqyptarëve në Manastir, „Liria“, Selanik 1908
Fortësia e pares dhe vepra e saj, „Shpnesa e Shqypnise“, Raguzë 1907
Qajtje! zot. Nikolle bej Ivanajt, „Shpnesa e shqypnise“, Raguzë 1906
Nihma skemi as pi kuj, „Shpnesa e Shqypnise“, Raguzë 1906
Hurra!, „Shpnesa e Shqypnise“, Raguze 1907
Urime!, „Shpnesa e Shqypnise“, Raguze 1907
Për vehte kangmbaronjesh, „Shpresa e Shqypnise“, Raguzë 1907
Thirrje, “Shpnesa e Shqypnise“, Raguze 1907
Lamtumir, „Shpnesa e Shqypnise“, Raguze 1907
Afron dita, „Shpnesa e Shqypnise“, Raguze 1907
Vajtim, „Shpnesa e Shqypnise”, Raguze 1907
Mbrini dita, „Shpnesa e Shqypnise“, Trieste 1907
Para fytyres se Naim Frasherit, „Shpnesa e Shqypnise“, Trieste 1909
„Klithje mbi gjith Shqypetaret“, „Shpnesa e Shqypnise“;
„Detyra e shqiptarit“, “Shpnesa e Shqypnise“;
„Shkoj theror edhe një përpjekës“ (kushtuar Vasil Negovanit), „Shpnesa e Shqypnise“;
„Gjuha Shqype dhe shkronjesit e saj“, „Shpnesa e Shqypnise“

Unё shikoj pёrmes syve tё majmunёve – Cikël poetik nga AMIR OR – Përktheu MIMOZA EREBARA

 

 Unё shikoj pёrmes syve tё majmunёve

 

Unë shikoj pёrmes  syve të  majmunëve,

Sikur tё jem majmun,

Po ndoshta jam, po, po, tani jam

Pёrndryshe nuk do kёnaqesha teksa ata

luajnë me kafkën time..

Ndihem I  ҫuditshёm  nё fluturim  me shqiponjën

Qё mbart  zorrët e mia brenda saj

Dhe pёrnjёherё  në barkun e tokës

Gjendem duke u zvarritur me krimbat

Që mё  hëngrёn sytë.

Tani

Unë jam jeshil, jam shndrruar  në bar

Dhe  mishi im kalbës ҫdo dite  zbukurohet.

O trupi im,

Ҫfarё shndёrrimi!

 

BARBARЁT

Nuk ishte e kotë që prisnim barbarët,

nuk ishte kotё  që u mblodhëm në sheshin e qytetit.

Nuk ishte e kotë që të pushtetshmit dorёzuan pushtetin

duke përsëritur tё njёjtat fjalime .

Nuk ishte e kotë që ne shkatërruam  tempujt

dhe ngritiёm të rinj pёr nder tё perëndive të tyre,

qё i pranuam si tonat,

dhe dogjёm librat tanë

që nuk na thanё  asgjë për njerëz si kёta.

Ndërsa Profecia  paratha se barbarët erdhën,

dhe morёn  çelësat e qytetit nga dora e mbretit.

Por kur erdhën,

zakonet e tyre u bёnё  zakonet e shtetit;

dhe kur ata na urdhëruan në gjuhën tonë

nuk e dinim më, kur

kishin ardhur barbarët tek ne.

 

DISA  SHENJA   JETE

Disa thonë se jeta ёshtё ekzistenca përballë alternativave,

disa thonë – pushtim,

disa shtrijnë  shenjën e të barabartës

midis jetës dhe mungesës së saj,

dhe disa thonë se jeta

na u dha t’u shërbejmë atyre të cilët nuk kanë jetë.

Unë them: Jeta ёshtё Ju!

Dhe kjo shpjegohet lehtësisht:

nё njё natё tё gjatё e tё mundimshme

Pagjumёsie , çfarë mund të shohёsh?

Në shtëpi janë ndezur llambat. Edhe pse  dritë, nuk shohim

Përveçe imazhin nga pasqyra, asgjë përveç asaj që më sheh

Dhe veten duke e parë atë,

Dhe kjo nuk mё çliron, veҫ mё shton dëshirën e madhe,

sigurisht, jo pёr vdekjen,por pёr Jetёn.

Pёr Ju.

Dhe mendimet e mia tё rrёmujshme

Vrapojnё sa andej- kёtej, si loja e stinёve nxehtё -ftohtё

unë I mbyll sytё nё  natën qё mbështjell gjithçka

dhe e robёroj veten me prekjen, frymё marr pёr Ju.

Dhe nuk mbaj mend asgjë. Kaq

 

NJЁ GOTЁ BIRRЁ

Vrasja e përsosur nuk ka arsye, tha ai,
vrasja e përsosur ka nevojë vetëm për një objekt të përsosur,
sikur ishte në Aushvic.
Dhe jo vetёm krematoriumi natyrisht, por  gjithҫka

ashtu siç ishte
e hidhur nё ҫdo ҫast,

edhe “jashtë orarit të punës(!!!)”.
Dhe ai  heshti
duke shikuar gotёn e  birrës
e duke  gjerbur ndonjё  gllënjkë.

Vrasja e përsosur është dashuria, tha ai.
Vrasja e përsosur nuk kërkon ndonjë gjë të përsosur
përveç vet-dhënies
derisa shpirti tё mё lerё.
Ёshtё kujtimi i përjetshem i ngёrҫit të fytit

Ёshtё ulurima që më tronditi dorën,
edhe tё pshurrurit që ra si hiri pёrvёlues

mbi mishin e ftohtë,
Ёshtё  thembra e këpucës

qё zgjon një amshim tjetër,njё tjetёr botё
Ёshtё  heshtja iluzionisht e pёrsosur
tha ai
me shikimin e pёrhumbur në gotë.

Energjia qё vjen nga ndjesitё  mё çliron shumë,

por e di qё
një vrasje e përsosur nuk humbet kurrё
kurrё nuk zhduket,
njёlloj si pёrjetёsia e buzëve tё një fëmije, -shpjegoi ai,
si rëra (vetja jonё e shpёrbёrё nё mijёra vjet)

dhe gëzofi ku strukemi nga frika e pёrsosmёrisё
-si TI,
mrekulli e zёrit tё kulluar, tha ai
duke kthyer me fund atё gotё birrё.

 

EPITAF

O shëtitës!  lёre  shtegun një  ҫast,

Dhe ulu mes manaferrave e vreshtave,

Mes ujit  gurgullues  ndёr  pemë dhe gurёve  rreth e rrotull

aq tё bardhë….

Këtu, unë, një djalë dhe një mbret si Unё,  bёj ҫ’tё dua

Them tё vёrteta, ndoshta, po mё shumё  gёnjeshtra.

Fytyra ime  prej mermeri tё ftohtë, duart, këmbët e mia

Tё ftohta.edhe ato, ma lejojnё kaq gjё.

Gjysёm i fshehur nёpёr gjethe fieri e mikesha tё tjera tё tij,

Po pra, gjethe gjithёfarёlloj, tё  rrёzuara edhe ato

Sikur Unё-Mbreti,

Nuk shkova dot larg

Por dikur, nuk vishesha me gjethe  fieri

O shëtitës!  lere  shtegun dhe  hapësirën qё  tё pret,

shtypi manaferrat e egra e skuqma   fytyrën time

prej mermeri tё bardhё.

*Amir Or (Izrael, 1956) është një poet izraelit. Botues, përkthyes dhe autor i vlerësuar me shumë çmime, veprat e të cilit janë përkthyer në më shumë se 30 gjuhë.

Apo është autori i shtatë vëllimeve me poezi dhe botimi i tij i fundit në Hebraisht, Kënga e Tahirës (2001) është një epikë e hartuar në prozë metrike.

Më 14 gusht 1983 u nda nga jeta Musine Kokalari, veprimtare politike dhe shkrimtare e shquar disidente shqiptare

Ditëlindja: 10 shkurt, 1917
Vendlindja: Adanë, Perandoria Osmane
Ditëvdekja: 14 gusht, 1983
Vendvdekja: Rrëshen, Republika Popullore e Shqipërisë
Kombësia: Shqiptare
Edukimi: Universiteti i Romës, Fakulteti i Letërsisë dhe Filozofisë
Zhanri: memuaristikë
Vepra të shquara: Siç më thotë nënua plakë, Nënua në Romë

Musine Kokalari (Adanë, 10 shkurt 1917 – Rrëshen, 14 gusht 1983) ka qenë një veprimtare politike e kulturore dhe shkrimtare shqiptare e shekullit XX. Së bashku me Selfixhe Ciun dhe Jolanda Kodrën ka qenë ndër shkrimtaret e para në Shqipëri.

Biografia

Lindi në Adana në Turqinë Jugore, në gjirin e një familjeje gjirokastrite. Më 1920 u kthye së bashku me familjen në Shqipëri, ku nisi shkollën fillore në Gjirokastër. Familja e saj u vendos në Tiranë nëntë vite pasi u rikthyen në atdhe. Vëllai i saj, Vejsimi, kishte një librari në kryeqytet në mesin e viteve ’30.[1]

Më 1937 mbaroi Institutin “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas vijoi studimet në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941 me një temë diplome për Naim Frashërin.[1]

Së bashku me Mit’hat Aranitin dhe miq të të tjerë, themeloi më Partinë Socialdemokrate.[2] Më 12 nëntor 1944 iu pushkatuan pa gjyq vëllezërit Muntaz e Vejsim Kokalari.

Pas Luftës së Dytë Botërore u ftua nga Sejfulla Malëshova që të merrte pjesë në Lidhjen e Shkrimtarëve. E përndjekur nga pushkatimi i vëllezërve dhe duke pasë qenë themeluese e partisë Social-Demokrate dhe organit të shtypit “Zëri i lirisë” u arrestua më 17 janar 1946 dhe më 2 korrik të po atij viti u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si sabotatore dhe armike e popullit.

Pak përpara arrestit i dërgoi një letër Aleatëve, të cilët ende ishin në Tiranë. Në letrën e saj kërkonte zgjedhje të lira dhe lirinë e shprehjes. Në gjykatë, Kokalari mbajti këtë qëndrim:

“Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund ti persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!”

Më 1964, pas 18 viteve burgim në Burgun e Burrelit, e izoluar dhe nën vëzhgim, kaloi 19 vitet e tjera të jetës së saj e internuar në Rrëshen. Musineja punoi fshesare[1] dhe 11 vjet[3] në ndërmarrjen e Ndërtimit në Rrëshen, mes tullave, llaçit dhe betonit. Kur i mbaroi internimi më 1979 i thanë të shkonte në Gjirokastër, por pasi nuk e lejuan të shkonte në Tiranë, nuk pranoi të lëvizte nga Rrësheni. Ndërroi jetë më 13 gusht 1983.[4]

Më 1991 familjarët e saj e zhvarrosën, tani e ka varrin në Shish-Tufinë.[4]

Vepra

Vepra e saj e parë, “Siç më thotë nënua plakë” botuar në të përjavshmen politike e letrare “Bota e re”, më korrik të vitit 1940, ishte në fakt një hartim i bërë në klasat e larta të Institutit Femnor. Pasi u botua u përcoll nga një kritikë prej Lasgush Poradecit më 30 të atij muaji.[5]

Mirënjohje

Musine Kokalari ishte një nga 30 shkrimtarët e parë të burgosur që u regjistruan në vitin 1960 nga Komiteti i Treshit (pararendës i Klubit PEN).

Në 1993, Kokalari u shpall pas vdekjes “Martir i Demokracisë” nga Presidenti Sali Berisha dhe një shkollë në Tiranë tani mban emrin e saj.[6]

Tituj të veprave

Seç më thotë nëna plakë, Tiranë, Bota e re, 1940.
Rreth vatrës – 1944
Sa u tund jeta – 1945
Vepra vëllimi i parë – 2009

Njohje
Referencat

^ a b c Robert Elsie (1995), Histori e Letërsisë Shqiptare, përktheu Abdurrahman Myftiu, Tirana & Peja: Dukagjini, 1997.
^ Ndoja, Leka (2013). Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri. Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. f. 26. 978-9928-168-12-2.
^ Musine Kokalari (1972), Tmerrësisht e vështirë jeta e punëtorit në socializëm, Shqiptarja.com, 6 shkurt 2018.
^ a b Ndue Dedaj (2015), Musine Kokalari, gruaja e parë e letrave shqipe, mapo.al, 7 shkurt 2015.
^ Musine Kokalari në letrat me Lasgushin: I çmoj kritikët e mi…, Shqiptarja.com, 7 shkurt 2017.
^ “1960: Musine Kokalari”. International Pen. Arkivuar nga origjinali më 28 mars 2010.

Më 14 gusht 1946 lindi shkrimtarja e shquar shqiptare Zhuliana Jorganxhi

Zhuliana Jorganxhi lindi në Korçë më 14 gusht 1946, është shkrimtare shqiptare.

Biografia

Zhuliana Jorganxhi lindi në qytetin e Korçës në vitin 1946, në një familje me tradita muzikore. Është një nga katër fëmijët e këngëtarit veteran “Artistit të Merituar” Gaqo Jorganxhi, që për 65 vjet këndoi pa rreshtur si solist dhe në grupin e mirënjohur të këngëve karakteristike korçare “LIRA”.

Mësimet e para dhe ato të mesme i mbaroi në qytetin e lindjes më 1964. Më vonë ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës ,në fakultetin Histori-Filologji dhe krahas tij ndoqi pranë Fakultetit të Shkencave Juridike, kursin dyvjeçar të gazetarisë, duke u diplomuar njëkohësisht si mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe për shkollën e mesme dhe si gazetare.

Me njëherë mbas mbarimit të studimeve ka punuar për gjashtë vjet si gazetare në revistën “Shqiptarja e Re” dhe nga viti 1975 si redaktore letrare dhe poete e këngës në redaksinë e krijimtarisë dhe inçizimeve muzikore pranë Radiotelevizionit shqiptar. Aktivitetin e saj letrar e ka filluar në moshë të njomë dhe që prej moshës 17 vjeçare, poezitë e saj shohin dritën e botimit në gazeta dhe revista si “Drita”, “Zëri i Rinisë”, “nëntori” dhe “Les lettres albanaise” etj.

Ka botuar libra me poezi si “Net provimesh”(1969), “Rritje”(1971) ,”Lule në pemën e lirisë” (1982) dhe vëllimin me tregime për fëmijë “Fëmijët e teto Nastës”(1975). Ka marrë pjesë në konkurse letrare kombëtare dhe ka fituar dy herë çmimin e dytë dhe të tretë për poemat e saj.

Por aktivitetin e saj më të madh, krahas poezisë dhe tregimit, e ka zhvilluar mbas vitit 1974 në gjininë e tekstit poetik të këngës.

Është autore e qindra teksteve poetike nëpër festivalet e këngës në Rtvsh dhe rrethet e Shqipërisë, në anketat dhe koncertet e Rtvsh si ai “Kur vjen pranvera”, “Këngët e stinës”, dekadat e Majit dhe në festivalet e fëmijëve në Tiranë dhe rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Është fituese e gjashtë çmimeve të para dhe shumë të tjera.

Poezitë e saj janë botuar në Greqi, Rumani, Hollandë, Kosovë, Slloveni dhe Japoni. Në vitin 1996 iu dha Disku i Artë i Festivalit, kurse për 40 vjetorin e Festivalit të këngës në Rtvsh më 2001, ju dha “Çmimi i Karrierës”.

Ndër tekstet poetike të këngës mund të përmendim: “Jon”, “Se kënduam Let it bi”, “Jeto dhe jetën time”,”Bashkëmoshatarët”, “Në duart e nënës”, “Jemi emri i vet jetës”, “Kthehu për vete, për mua!” , “Ne, bijtë e lirisë” ( me këtë të fundit, në dhjetor të ‘ 90-tës, hapeshin dhe mbylleshin manifestimet e studentëve në sheshin, sot të quajtur “Demokracia”). Sot Zhuliana Jorganxhi jeton jashtë Atdheut në qytetin e Triestes të Italisë, por asnjë çast nuk ka ndërprerë lidhjet e saj artistike me vëndin e saj. Ajo ka marrë pjesë me tekstet e saj poetike në Festivalin e këngës triestine , si dhe bashkëpunon me kompozitorët dhe këngëtarët e vendit të saj nëpër festivale dhe për albumet e tyre muzikore. Wikipedia

Më 14 gusht 1994 u nda nga jeta shkrimtari nobelist Elias Canetti

VOAL – Elias Canetti ka lindur më 25 korrik 1905 në Ruscuk, Bullgari, nga një familje sefardike që fliste spanjishten e shekullit të pesëmbëdhjetë. Pas vdekjes së babait të tij, ai dhe dy vëllezërit e tij e ndoqën nënën e tij në qytete të ndryshme në Evropë: Zyrih, Frankfurt, Vienë.

Në vitin 1938, pas Anschluss, ai emigroi në Londër, qëndroi atje deri në 1971, kur vendosi të kthehej për të jetuar në Zyrih, “parajsën e humbur” të adoleshencës së tij, ku vdiq më 14 gusht 1994.

Gjatë rinisë, marrëdhëniet dhe udhëtimet ndihmojnë në formësimin e të menduarit të tij, theksojnë shpirtin e tij, e hapin atë në botë, si dhe e bëjnë atë të vetëdijshëm për rolin e njohurive si motori i lirisë.

Në vitin 1931, dy vjet përpara ardhjes së Adolf Hitlerit në pushtet, ai hyri në skenën letrare me “Autodafè” mahnitëse, romanin e tij të parë dhe të vetëm, përshkuar nga fryma melankolike dhe aftësia për të eksploruar tërësisht thellësitë e vetmisë, çka është tema qendrore e librit. Protagonisti është një intelektual që digjet metaforikisht nga djegia e njëqind mijë vëllimeve të tij, një armiqësi e pashmangshme e botës së ideve ndaj realitetit, ndëshkimi për njeriun që zgjedh të jetë “i gjithi kokë dhe aspak trup”: intelektualisht pikërisht.

Por fokusi i romanit është gjithashtu një parashikim i qartë, i preokupuar dhe vizionar alegorik i totalitarizmit, një paralajmërim i vetë-shkatërrimit të arsyes perëndimore.

Në nivelin ekspresiv, në vend të kësaj, nuk ka ilustrim më të mirë të asaj “gjuhe të shpëtuar” të përfaqësuar nga gjermanishtja, një gjuhë që ia kishte mësuar nëna e tij nga dashuria ndaj Vjenës perandorake dhe që për të përfaqësonte qendrën e kulturës evropiane dhe që Canetti do të përpiqet ta ringjallë në dritën e “shpërfytyrimit” të njëjtë që ai tha se ishte operuar me kalimin e kohës.

Vepër e madhe është edhe “Masa dhe pushteti” (1960), një ese mbi psikologjinë e kontrollit social, në këtë aspekt shumë e ngjashme, madje edhe në tridhjetë e pesë vjet ndryshimesh, për disa tema të “Autodafe”.

Vlen të përmendet edhe autobiografia e jashtëzakonshme, një nga dokumentet më intensive të shekullit të njëzetë, i cili u nda në disa vëllime (“Gjuha e shpëtuar”, “Fytyra e zjarrit” dhe “Shfaqja e syve”) krijuar midis viteve 1977 dhe 1985, e bëjnë atë përfundimisht si një nga zërat më të lartë të letërsisë të të gjitha kohërave.

Juria e Stokholmit e kupton atë dhe në vitin 1981 ata i caktojnë atij çmimin më të merituar, çmimin Nobel për letërsinë.

Duke marrë çmimin, në fjalimin e tij falënderues ai tregon si “territorin” e tij Evropën e katër shkrimtarëve gjermanë që kanë jetuar në Austri të së kaluarës: Karl Kraus, Franz Kafka, Robert Musil dhe Hermann Broch, ndaj të cilëve ndihet borxhli, si dhe gjithë traditës së Vienës. Ai gjithashtu do të pranojë haptazi se pasioni për lexim, shija për tragjeditë greke dhe autorët e mëdhenj të letërsisë evropiane kishin një ndikim vendimtar në punën e tij./Elida Buçpapaj

Qetësi shtrigore-shtriganësh Poezi nga Elida Buçpapaj

qetësi e gjatë
e gjërë
rrethore
katrore
hipotenuzë
pitagorike
konike
honike

qetësi
gojëqepur
e belbur
e qelbur
ujëndenjur
moçalore
pa ngjyrē
lëtyrë

qetësi
shtrigore
shtriganësh
katranësh
të belbët
të qelbët
moçalues
kutërbues
të djerrët
të tharë
pa farë

Orwell dhe ne – Esé nga Marco Alloni – Përktheu Skënder Buçpapaj

Një nga klishetë më kokëforta që shoqërojnë kohërat tona është ajo sipas së cilës “Orwell e kishte parashikuar në mënyrë të përkryer”. Çfarë është ajo, nuk ia vlen të hetosh. Herë pas here është vëzhgimi policor i shteteve diktatoriale ose fallco-demokratike, mbyllja e gojës që i imponohet sistematikisht shtypit të pabindur, nënshtrimi i proletariatit ndaj modeleve të errëta dhe jodemokratike të Partisë, fundi i socializmit si një projekt humanitar etj.

Sigurisht që nuk ka asgjë si romani 1984 për t’i nxitur lexuesit (madje edhe secilin që nuk e ka lexuar librin në fjalë) të flasë për “letërsinë profetike”, “vështrimin profetik”, “aftësinë parashikuese” dhe “intuitivizmin gjenial”.

Por 1984 është shumë më tepër një libër autentik sesa është një libër profetik. Meqenëse nuk pret një parashikim të shkëlqyeshëm të së ardhmes, në fund të fundit është një aftësi brilante për të vëzhguar në të tashmen – në çdo moment të çdo epoke – cila është prirja themelore e pushtetit: të mposhtësh, të sundosh, të burgosësh, të nënshtrosh.

Kushdo që dëshiron të shpëtojë nga një lexim historik i kryeveprës së Orwell-it, pra, menjëherë e kupton se është një sistem i tërë mendimi, ne pothuajse do të donim të thonim një antropologji, e cila kurrë nuk ka pushuar së qeni identike me vetveten: sipas së cilës njerëzimi është i ndarë, në mënyrë të pashpjegueshme dhe hierarkike, në sovranë dhe viktima dhe në fitues dhe humbës. Dhe se një ndarje e tillë – midis tjetërsuesve dhe atyre të tjetërsuar – është larg nga përfshirja në vetëm Socing (ose në “Newspeak” vetëm Socializëm Anglez) ose ndonjë formë tjetër e ardhshme e socializmit ose statizmit patologjik: përcaktim duke investuar ndonjë formë të pushtetit në çdo gjerësi dhe në çdo kohë historike.

Fuqia parashikuese e Orwell-it është, le ta përsërisim, një fuqi e kulluar dhe e thjeshtë e shikimit: e cila në fushën narrative përkon me fuqinë e një vështrimi autentik.

Atëherë, cili është origjinaliteti në letërsi? Padyshim jo aftësia e thjeshtë, përfundimisht shumë e përhapur, për të hamendur koordinatat e së ardhmes, por ajo e të shkuarit në rrënjë të çdo tundimi për të lexuar ekzistuesen sipas të njëjtave kategori të ekzistueses. Një aftësi që është aq më e vërtetë – dhe sa më shumë i referohet origjinalitetit – aq më thellë arrin të fokusojë tëhuajtjen (atë që Brecht, në mënyrë ndoshta shumë didaktike, e quante Verfremdung).

Personazhet e vitit 1984, duke filluar nga protagonisti Winston, nuk janë atëherë specie të thjeshta të një karikature profetike të kohës sonë: ato janë anasjella dhe para së gjithash ajo që ne të gjithë jemi tashmë, ne kemi qenë qëkur, kemi qenë gjithmonë, nëse vetëm duam ta njohim atë përtej tjetërsimit tonë: përbindësha pa vetëdije. Dhe jo vetëm atje ku dikush dëshiron të lexojë përbidshmërinë e lindur, instiktive të dikujt në pushtet, por ku dikush e di se i përbindshëm është vetë viktimizmi dhe vetë begenisja ndaj pushtetit.

Këtë, pra, Orwell ndoshta dëshironte ta vinte në pah. Jo shktja e mundshme autoritare e çdo regjimi që pretendon se bazohet në pastërtinë e Partisë dhe pakundërshtueshmërinë e saj. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë qysh para ardhjes së romanit 1984, aq sa ishin edhe “e djathta” dhe “e majta” tradicionale ato që e tërhoqën nga xhaketa Orwellin për ta bërë atë një aleat ose antagonist herë pas here. Jo, ajo që në thellësi të veprës së tij madhore dëshiron të stigmatizojë është se në marrëdhëniet e tyre me pushtetin (sinenkdokisht me Partinë) “proleti” dhe “Big Brother” janë dy anët e së njëjtës monedhë, atë të nënshtrimit ndaj vetë pushtetit: qoftë ajo nënshtrim ndaj sugjerimeve të tij për komandim ose nënshtrim ndaj verbit të tij nën petkun e të dominuarve.

Me pak fjalë, përbindëshi është antropologjik, nuk është historik. Përbindëshi është paaftësia jonë mijëvjecare, e pathyeshme, e padepërtueshme për të organizuar jetën tonë – qoftë individuale, qoftë kolektive, private apo politike – më shumë sesa në logjikën e pushtetit. Dhe kjo, duke folur antropologjikisht, është shenja më e gabuar e njerëzimit tonë ose më e vërteta e çnjerëzimit tonë.

TE VARRI I TIM VËLLAI – Poezi nga JORGO BLLACI

 

E di që më ke pritur, vëlla,
E mbase dhe ke thënë me vete:
“Po ky njeri pse s’bëhet gjallë? Ç’ka,
Që thuajse një jetë
Nuk vjen këtu së paku për t’u çmallur?”.

I shtrenjti im!
Në këtë kënd të qetë
Ku s’fishket lulja e moshës,
Gjashtëmbëdhjetë vjeç ke mbetur ti,
Po mua nuk m’u nda stuhi’ e kohës,
Më la pa fletë që filiz të ri.
Aq sa përpara kohe krejt jam thinjur.
Ndaj në s’kam ardhur deri sot, besomë,
S’kam dashur që me lotin tim të hidhur
Të ta helmoja shpirtin tënd të njomë.
Se ty të mori plumbi armik, po mua
M’i nxinë ditët mizorisht ata
Që më të shtrenjtat, ëndërrat e tua,
Ti amanet ua le, o im vëlla!

Po sot s’kam ardhur të të qaj,
As të t’ankohem për kalvarin tim.
Një tjetër brengë kam që s’di me kë ta ndaj
Në këtë mot zhgënjimesh pa mbarim!
Se s’më kish vajtur nëpër mendje kurrë
T’arrinte marrëzia gjer këtu,
Sa me kurora lulesh e flamurë
Të rivarrosen vrasësit e tu
Edhe të mijëra djem e vajza që si ti
Atdheun duke vënë përjetësisht mbi veten,
N’altarin e lirisë bënë fli
Atë ç’ka patën më të shtrenjtën, jetën!

Oh, kur mendoj se ajo turmë e çmendur
Mund të të shkelë edhe ty mbi varr,
Vëlla, më ngjethet mishtë e s’më mban vendi,
Ndaj erdha të të marr.
Dhe meqë te kjo tokë që e pandehëm mëmë,
Që ti i fale gjakun, unë shpirtin tim,
Të afërmit e varfër s’arritën të na lënë
Asnjë pëllëmbë truall trashëgim,
Do të të gjej një kënd mes këngëve të mia,
Të prehesh në qetësi,
Larg britmave t’atyre që u ka hyrë babëzia
Ta lënë këtë vend pa histori!

Jeta dhe vepra e poetit dhe përkthyesit të shquar Jorgo Bllaci

Jorgo Bllaci, (lindur më 10 tetor 1938 në fshatin Karjan afër Gjirokastrës, vdiq më 28 shtator 2001 në Moskë) – poeti shqiptar, përkthyes i poezisë ruse dhe një i burgosur i ndërgjegjes. Për përkthimet e tij nga letërsia ruse, Bllaci është dekoruar më 1993 nga ish-presidenti Boris Jelcin me dekoratën e lartë të «Urdhërit të Miqësisë».

Biografia

Kreu fakultetin e Gjuhë-Letërsisë, më pas punoi si mësues. Në vitet ’50 u dënua me dhjetë vjet burg, për shkak të bindjeve politike. Pas daljes nga burgu, më 1964-1967 Bllaci u detyrua të punojë si punëtor ndërtimi.

Më 1990 u kthye përsëri në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Pas vdekjes u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”.[2]

Pas vdekjes, më 2004 ai u nderua me titullin Mjeshtër i Madh.

Veprat

  • Ligjërimet e Pyllit, lirika, Tiranë: Naim Frashëri, 1964.
  • Epika e Trëndafilave, poezi, Tiranë: Naim Frashëri, 1990.
  • Zërat e natës, poezi, Tiranë: Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, 1993.
  • Kuja e violinës, poezi të zgjedhura, Tiranë, 2007.

Përkthime

  • Sergej A. Esenin, Vjersha dhe poema të zgjedhura, Tiranë: Monroe, 1994. ribot. Bllaci, 1996.
  • Ivan S. Turgenev, Ujrat pranverore: Rudini, Tiranë: Naim Frashëri, 1996.
  • A. S. Pushkin, Vjersha dhe poema, Tiranë: Naim Frashëri, 1997.
  • Hajnrih Hajne, U hodha – dhe u zgjova shpejt; Lermonov, Goethe, Kitsi, etj.

Referimet

  1. ^ Brenner-Wilczek, Sabrine, red. (2017). “Heine-Jahrbuch”. Springer-Verlag. ISBN 9783476045140.
  2. ^ Fjalor Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist I (A-Ç). Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. 2012. f. 189. ISBN 978-9928-168-01-6.