VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

VIRUSI PYET: A E DINI KET ? – Nga Fritz RADOVANI: Pyetja I.

By | March 27, 2020

Komentet

Propozimi amerikan më ’45: Shqipëria të japë Shkodrën e të marrë Kosovën, pretendimet greke të ekzagjeruara, Italia të kthejë Sazanin – Nga Armand Plaka

“Shqipëria të marrë pjesë nga Jugosllavia e Jugut me popullsi shqiptare dhe ta kompensojë atë mundësisht me Shkodrën e  rrethinat në Veri. Pretendimet greke duhen trajtuar me vëmendje, megjithëse janë të ekzagjeruara. Italianët t’i japin Sazanin Shqipërisë”.

Kështu apo pak a shumë kështu, në mënyrë të përmbledhur ishte ajo çka Departamenti Amerikan i Shtetit, në fillimvitin 1945, e përshkruante si pikëpamjen e vet mbi rregullimin territorial të Pasluftës për Shqipërinë.

Pikëpamja në fjalë në fakt gjente një shtrirje më të gjerë, duke skicuar në këtë kontekst edhe të ardhmen e rajonit të Ballkanit e atë të Europës Lindore, e përcaktur kësisoj edhe disa korrektura “të nevojshme” në lidhje me të ardhmen e kufinjve të Bullgarisë, Greqisë, Jugosllavisë, por edhe të Qipros, Turqisë, Rumanisë, Italisë etj.

Situata për Aleatët tashmë dukej tejet pozitive dhe fitorja përfundimtare ishte vetëm çështje kohe e formaliteti. Ajo çka duket interesante, është fakti se për herë të parë kjo mund të shihet pas kaq shumë viteve, si një pikëpamje e shfaqur në mënyrë eksplicite – edhe pse jo në kufinjtë e qëndrimit zyrtar – mbi të ardhmen e kufinjve të Shqipërisë e rajonit.

Kufinjtë shqiptarë, vëmendje themelore

Nëse zhvendosemi në kohë, kuptojmë se këto përçapje për rregullim “të drejtë” të kufinjve, vinin pikërisht në kohën kur fuqitë e mëdha po shkonin drejt dy konferencave që vulosën “de facto” për një kohëzgjatje të konsiderueshme, fatin e shumë kombeve e shteteve të kontinentit.

Pjesa ku flitet për Shqipërinë, duket se përbën edhe thelbin e mendimeve amerikane për të ardhmen e rajonit të trazuar. Materiali që ne kemi shkëputur për botim në DITA, është marrë nga një gazetë australiane (“The Mercury”, 2 janar 1945, fq. 4), e cila në fakt i referohej raporteve të një korrespondenti shumë të njohur të kohës së vet, ikonë e gazetarisë botërore – Cyrus Sulzberger, asokohe i angazhuar për prestigjozen amerikane “New York Times” – me raportimet nga fronti aleat, me qendër në Kajro.

Nga materiali në fjalë, kuptojmë se tashmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin kristalizuar një program për rregullimin e kufinjve të Europës Lindore, duke përfshirë shkëputje territoresh në favor të Greqisë, ku njëra prej tyre duhej të ishte dhe Qiproja, e cila pas Luftës duhej t’i kalonte kësaj të fundit, duke u shkëputur nga kolonizimi britanik.

Përsa i përket pretendimeve greke mbi kufirin shqiptar të jugut, Departamenti i Shtetit, sipas Sulzberger, i shihte ato si “disi të ekzagjeruara”, megjithëse atyre i duhej kushtuar vëmendje dhe se e nevojshme, jo vetëm në marrëdhënie me Shqipërinë, por edhe me Bullgarinë e Jugosllavinë, bëhej kësisoj vetëm një korrekturë e pjesshme e tyre.

Nga plani s’preket vetëm Turqia

Liderët aleatë gjatë Konferencës së Jaltës, shkurt 1945

Liderët aleatë gjatë Konferencës së Jaltës, shkurt 1945

Po ashtu, sipas Departametit të Shtetit, duheshin siguruar të drejtat e Bullgarisë e të Jugosllavisë për të pasur akses në portin grek të Selanikut. Jugosllavia duhej të merrte nga Italia dhe Austria rajonin e Fiumes e të Zarës, pra ishujt jashtë brigjeve kroate dmth. jugosllave, ndërsa kufinjë e saj të Paraluftës me Hungarinë, Austrinë dhe Rumaninë, thuhej se duhet të mbeteshin ato që kishin qenë.

Më tej në raport thuhej se: Rumania duhet t’i japë Besarabinë dmth. Moldavinë Rusisë dhe jugun e rajonit të Dobruxhës, Bullgarisë, duke u kompensuar me rikthimin e të gjithë rajonit verior të Transilvanisë që do i merret Hungarisë, përveç një copëze të vogël që do vijojë t’i mbetet Hungarisë në rajonin rreth Aradit.

Dukej qartazi se nga ky plan mbeste pa u prekur pra vetëm Turqia, e cila nga fundi i Luftës shihej tashmë si aleate e frontit antinazist dhe që edhe gjatë Luftës nuk kishte vuajtur nga “shkëputje territoresh”, apo pushtim si pak vende europiane në atë kohë, duke ruajtur “pro forma” neutralitetin.

Shqipëria të japë Shkodrën e të marrë Kosovën

Për Shqipërinë, në mënyrë të veçantë e të nënvizuar thuhet se: duhet të jetë një shtet sovran dhe duhet t’i jepen pjesë nga Jugu i Jugosllavisë, me një kompensim në formën e shkëputjes së një pjese të territoreve veriore të saj, duke përfshirë mundësisht Shkodrën, që duhet t’i shkojnë Jugosllavisë. Ndërkohë, Italia duhet t’i dorëzojë shqiptarëve, ishullin e Sazanit në Gjirin e Vlorës.

Në raport fillimisht theksohet se pikëpamjet e zyrtarëve amerikanë kanë si synim vendosjen e parakushteve bazë për arritjen e paqes në një rajon të trazuar. Plani përbante tri objektiva: i pari paraqet një rishikim apo një rirregullim të kufinjve në bazë të negociatave direkte të shteteve të përfshira. Objektivi i dytë synonte sponzorizimin e idesë së bashkëpunmimit rajonal.

I treti thuhej se dëshiron të inkurajojë rehabilitimin ekonomik të vendeve të Ballkanit, pasi ata të kenë zgjedhur lirisht qeveri të dala nga vota popullore. Kjo politikë, sipas Sulzberger, duket të jetë shumë më pozitive se sa ajo aktuale.

Planet amerikane, skica “jozyrtare”

Në artikull theksohet se: “megjithëse pikëpamjet e Departamentit të Shtetit janë skicuar në një bazë specifike, në dukje nuk shihet ndonjë këmbëngulje për t’i zbatuar ato domosdoshmërisht në terren”, çka i jepte këtij raporti të drejtën për t’a trajtuar atë thjesht si një pikëpamje jozyrtare, i cili në fakt do të zinte vend pjesërisht në formësimin e Europës së Pasluftës, pas Konferencave të Jaltës ( shkurt 1945) e asaj të Potsdamit (korrik 1945).

Më tej, në raport thuhet se: Shetet e Bashkuara mendojnë se grekët duhet të lejohen të zgjedhin në mënyrë demokratike formën e regjimit, duke votuar mes monarkisë e republikës. Departamenti i Shtetit aprovon shkëputjen e ishujve dodekanezë nga Italia në favor të Greqisë, përveç Castellorizzo-s, i cili duhet t’i shkojë Turqisë. Qipro gjithashtu i duhet dhënë Greqisë.

Në kohën për të cilën po flasim, në Shqipëri kishte filluar punën ajo që njihej si “qeveria demokratike e Tiranës”, megjithëse akoma nuk ishte njohur zyrtarisht as nga SHBA, as nga Britania e Madhe e as nga BRSS. Nga ajo çka tregojnë raportet e mëvonshme, rezulton se paradoksalisht, pikërisht SHBA ishin një hap para BRSS dhe Britanisë së Madhe në njohjen e qeverisë komuniste të Tiranës, duke rekomanduar njohjen kundrejt refuzimit që vinte akoma nga Moska dhe Londra, të cilat do ta bënin këtë përgjatë harkut të dy viteve në vijim.

Çurçilli dhe Stalini:  Europa të ndahet, Amerikën nuk e pyesim!

Konferenca e Jaltës, mbajtur në gadishullin e Krimesë në ish-Bashkimin Sovjetik,  në datat 4 deri më 11 shkurt 1945,  ishte një takim diplomatik i tre krerëve aleatë gjatë Luftës së Dytë Botërore, i dyti në radhën e atyre që njihen si tri konferencat e mëdha aleate, duke pasuar atë të Teheranit ( 28 nëntor-1 dhjetor 1943) e paraprirë atë të Potsdamit (17 korrik-2 gusht 1945).

Në të morën pjesë tri liderët kryesorë të frontit aleat; Franklin D. Roosevelt (SHBA), Winston Churchill (Mbretëria e Bashkuar) dhe Josif V. Stalin (ish-Bashkimi Sovjetik). Stalini këmbënguli pikërisht në këtë konferencë, që ndër të të tjera, i gjithë rajoni i Ballkanit, ashtu sikurse vendet Balltike e ato të Europës Lindore (përfshirë këtu fillimisht madje edhe Italinë) duhej të përbënin një unazë sigurie për interesat e Bashkimit Sovjetik, duke formuar një rreth vendesh satelite që do të mbronin kufinjtë e tij.

Dëshirave të tij, dy liderët perëndimorë, i shkuan prapa vetëm pjesërisht. Interesant është fakti se sferat e influencës në Europën Lindore ishin vulosur mes Stalinit dhe Çurçillit “de facto” qysh në Konferencën e Moskës, në tetor 1944, në mënyrë informale, duke anashkaluar pikëpamjet e Francës e sidomos ato të SHBA. Për Shqipërinë aty nuk flitej thuajse fare dhe ajo konsiderohej si pjesë e fatit të Jugosllavisë, e cila në atë letër ishte përcaktuar si e ndarë 50% me 50%, sipas interesave të “të mëdhenjve”.

Pretendimet territoriale greke ndaj Shqipërisë u shfaqën me forcë sidomos gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës së Paqes në Paris (29 korrik – 15 tetor 1946). Përveç argumentave të vjetra rreth Vorio Epirit, Greqia e cilësonte Shqipërinë si pjesë të agresionit ndaj vendit të saj në vitin 1940, kur nisi konflikti italo-grek. Ato u kundërshtuan forcërisht nga kreu i delegacionit shqiptar, ish-Kryeministri Enver Hoxha. Kundrejt tyre, Shqipëria do të mundohej të vinte në pah kontributet e Shqipërisë përkrah koalicionit antifashist dhe krimet e bandave të Napoleon Zervasit kundër popullsisë çame, gjë e cila do të tolerohej nga fuqitë aleate, megjithëse për këtë çështje konferenca autorizoi ngritjen e një komisioni ndërkombëtar.

Ky komision nuk do ta zgjidhte dot këtë çështje, pikësëpari, për shkak të orientimit prolindor të qeverisë së Tiranës, por edhe këmbënguljes britanike në krah të qeverisë greke në kontekstin e luftës civile që po zhvillohej asokohe në Greqi./dita

VIDEO: Filmimi i rrallë i varrimit të regjentit Fuad Dibra në Tiranën e shkurtit 1944, ku shfaqen drejtuesit e shtetit shqiptar nën pushtimin gjerman

Marenglen Kasmi

Një video e rrallë e ceremonisë së varrimit të regjentit Fuad Dibra, i cili ndërroi jetë më 22 shkurt 1944 në Tiranë është ripublikuar sot nga DITA.

Ky filmim, i nxjerrë nga arkivi gjerman i filmit në Berlin, është një sekuencë e shkurtër e një dokumentari javor informues që përgatitej dhe shfaqej në kinema për popullin gjerman.

Në këtë dokumentar jepeshin lajme nga të gjitha frontet e luftës.

Kjo video është interesante jo vetëm se ilustron ceremoninë e varrimit të një prej regjentëve shqiptarë por, po ashtu, është një nga filmimet e rralla të drejtuesve të shtetit shqiptar nën pushtimin gjerman.

Siç shikohet në video, fjalën e rastit e mbajti regjenti Mehdi Frashëri, i shoqëruar nga kryeministri Rexhep Mitrovica, ministri i jashtëm Bahri Omari etj.

Madje, Bahri Omari e ka dorën e majtë të lidhur, si pasojë e një plage të marrë nga një atentat ndaj tij në fund të muajit janar 1944.

 

Zbulohen dokumentet- Si dhe kush e prishi kishën e Vaut të Dejës e shekullit të XIII, denoncimi nga legjenda e Institutit të Monumenteve dhe vendimi i Prokurorisë

Historia e panjohur e prishjes dhe shkatërrimit të Kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës në fillimin e qershorit të vitit 1969, i cili ishte një objekt kulti me vlera të rralla për trashëgiminë kulturore shqiptare, pasi ishte ndërtuar në shekullin e XIII-të dhe konsiderohej si një nga të vetmet ndërtime të mbetur ende në këmbë që nga periudha e para pushtimit turk, çka e bënte atë unik, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan si i tillë, ishte futur e përfshirë edhe në katalogët e revistat europiane të trashëgimisë kulturore.

Si reagoi drejtori dhe njëkohësisht themeluesi e legjenda e Institutit të Monumenteve të Kulturës, arkitekti i njohur Gani Strazimiri, (i diplomuar në Itali dhe Bashkimin Sovjetik), duke denoncuar në Prokurorinë e Shkodrës dhe Prokurorinë e Përgjithshme, të gjithë autorët e atij akti vandal, si drejtorin e kantierit të ndërtimit, Muhedin Muço, brigadierin, Hashim Zyberi (“Hero i Punës Socialiste”), drejtorin e Ndërrmarjes Shtetërore të Ndërtimit të Hidrocentralit, Emin Musliu, etj., duke i konsideruar ata si fajtorët kryesorë dhe duke kërkuar nxjerrjen e tyre para gjyqit për krimin që kishin bërë, si dhe pushimin e çështjes penale disa muaj më vonë nga Prokuroria e cila doli në konkluzionin se: “drejtori i kantierit të ndërtimit, nuk e dinte se ajo kishë ishte monument kulture, pasi nuk e kishte parë tabelën në derën e saj, ku thuhej se ajo mbrohej nga shteti”?!

Edhe pse kanë kaluar më shumë se gjysmë shekulli nga prishja dhe shkatërrimi i Kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, e cila ishte ndërtuar në shekullin e XIII-të dhe ishte i vetmi objekt kulti që mbahej në këmbë nga ato që i përkisnin periudhës së para pushtimit turk, madje duke u konsideruar si një nga objektet e trashëgimisë kulturore me vlera të rralla dhe unike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, ende dhe sot e kësaj dite vazhdon të diskutohet dhe të përflitet, jo vetëm për rëndësinë e madhe që kishte ai objekt që mbrohej nga shteti si Monument Kulture, por edhe për mënyrën se si e prishën dhe kush ishin ata që urdhëruan shkatërrimin e saj?! Që prej atij fillim qershori të vitit 1969, kur atij objekti të rrallë të trashëgimisë kulturore shqiptare që ishte futur edhe në katalogët e revistat e ndryshme europiane, i doli “tymi i zi”, kanë qarkulluar e vazhdojnë ende gojdhëna dhe dëshmi nga më të ndryshmet, duke mos “rakorduar” kurrë në një emër konkret, si për autorin e vërtetë të shkatërrimit të saj dhe ata që u fshehën pas tij…?!

Kjo ngjarje që është konsideruar me të drejtë nga shumë personalitete të trashëgimisë kulturore, studiues të ndryshëm, etj., si një nga vandalizmat më të mëdha të regjimit komunist të Enver Hoxhës, në “aksionin e madh për luftën kundra besimeve fetare” që çoi në shaktërrimin e rrënimin e dhjetëra objekteve të kultit me vlera të mëdha kulturore. Lidhur me këtë ngjarje të pashoqe, që atë ditë kur sapo u mësua lajmi, apo më saktë “mënxyra”, se ajo nuk ekzistonte më, drejtori dhe njëkohësisht themeluesi i Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë, arkitekti i njohur, Gani Strazimiri, (i shkolluar dhe diplomuar në Itali dhe Bashkimin Sovjetik), i njohur ndryshe si “legjenda e monumenteve të kulturës”, bëri denoncimin në prokurori dhe hodhi shtetin në gjyq. Dhe pas një kalvari të gjatë të tij, duke trokitur në zyrat më të larta të shtetit komunist të asaj kohe, ku ai bëri denoncime me emra konkret për autorët e asaj maskare, si dhe me letra, telegrame, raporte, informacione, etj., ajo çështje u mbyll nga Prokuroria e Përgjithshme, me argumentin më banal të mundshëm, se: “drejtori i kantierit që urdhëroi shkatërrimin e asaj kishe, nuk e dinte se ajo ishte monument kulture, pasi nuk e pa tabellën që ishte te dera e saj”?!

Lidhur me këtë ngjarje dhe gjithë historinë e shkatërrimit të atij objekti kulti që tashmë ka mbetur vetëm në memorien e atyre njerëzve që kanë pasur rastin dhe fatin ta shohin nga afër, apo në disa imazheve filmike e fotove të rralla, na njohin disa dokumente arkivore që Memorie.al i ka siguruar nga fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku dëshmohet qartë dhe saktë, “fytyra” e vërtetë e atij regjimi, që edhe pse mori vendimin për prishjen e asaj kishe, s’pati kurajo t’i dilte zot atij veprimi, por u fsheh pas disa punëtorësh e drejtues të një kantieri ndërtimi që punonin në ngritjen Hidrocentralit të Vaut të Dejës, duke thënë se: “ata e prishën me iniciativë në kuadrin e luftës kundër ideologjisë fetare”?!

Telegrami urgjent i Institutit të Monumenteve, drejtuar Prokurorisë së Shkodrës, ku denoncon prishjen e Kishës së Vaut të Dejës
11. 6. 1969

Tiranë
Prokurorisë Shkodër, për dijeni Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë
Informohemi se është hedhur në erë me mina Kisha e shekullit të XIII-të e Vaut të Dejës që mbrohet me ligj nga shteti. Lutemi të bëni ndjekje ligjore.

Instituti i Monumenteve
Proces-verbali për prishjen e kishës, i mbajtur nga përfaqësuesi i Institutit të Monumenteve të Kulturës

PROCES – VERBAL
I mbajtur sot më datën 12/6/1969 në Shkodër nga inspektori i seksionit të arsimit dhe kulturës të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Shkodër, Agim Kodraliu edhe përfaqësuesi i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Miltiadh Papa mbi shkatërrimin e kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, e cila është shpallur monument kulture.

Rreth datës 30/5/1969 (data ekzakt nuk u vërtetua) kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës, në portën e së cilës ishte vendosur tabella e monumentve të kulturës, u hodh në erë me dinamit. Mbasi u takuam me drejtorin e N.SH.N. Hidroelektro, të Vaut të Dejës, dhe sekretarin e Komitetit të Partisë së Ndërrmarjes, na u tha në fillim se punëtorët me inisiativën e tyre, për të zhdukur influencën e fesë, shkatërruan monumentin. Patsaj drejtori na tha se kishte dijeni për shkatërrimin e tij dhe ky veprim i dukej krejt normal.

Sot kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës është krejtësisht e shkatërruar dhe përveç grumbullit të gurëve nuk ruhet asnjë gjurmë tjetër.

Përfaqësuesi i Instit. Mon. Kult.
(Miltjadh Papa)

Inspektori i Arsimit dhe të Kult. Pranë K.E. K.P. Shkodër
(Agim Kodraliu)

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
INSTITUTI I MONUMENTEVE TË KULTURËS
Vërtetohet se është njësoj me origjinalin

KRYETARI I DEGËS SË PLAN-ADMINISTRATËS
P(Nikolla Leshnja)

Letra e Drejtorit të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Gani Strazimiri, për Prokurorinë e Shkodrës, ku denoncon autorët e prishjes së kishës

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

INSTITUTI I MONUMENTEVE TË KULTURËS Tiranë, 16/6/1969
PROKURORISË SË RRETHIT

SHKODËR

PROKURORISË TIRANË

Në vijim të telegramit tonë Nr.5/13 datë 11/6/1969, ju sqarojmë rrethanat që kosntatuam rreth shkatërrimit të Kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, e cila është shpallur momunent kulture.

Siç do të shifet dhe në proces-verbalin, të cilin u’a dërgojmë bashkangjitur, kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës u shkatërrua plotësisht me lëndë eksplozive, bashkë me kishën e madhe pranë saj, e cila nuk ishte monument kulture, por ishte adaptuar për kino-klub.

Në portën e kishës së shpallur monument kulture ishte vendosur tabela përkatëse dhe dihej prej të gjithëve se ishte vënë nën mbrojtjen shtetërore. Edhe mbas studimit që i’u bë të gjithë monumenteve fetare nga një komision i ngritur nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës dhe seleksionimit të tyre, kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës kishte mbetur përsëri monument. Lista përfundimtare e monumenteve fetare i’u dërgua Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Shkodrës me shkresën e Ministrisë së Arësimit dhe Kulturës Nr.68/7 Prot. Datë 30/5/1969, por Kisha e Vaut të Dejës ka qenë shpallur qysh përpara monument dhe asnjëherë nuk u bë fjalë për heqjen e saj nga mbrojtja shtetërore, kështu që nuk kishte vënd të lindëte ndonjë keqkuptim në këtë drejtim.

Pasi muarrëm vesh për shkatërrimin e monumentit dërguam përfaqësuesin tonë për të verfikuar këtë fakt në vënd dhe u takua me drejtorin e N.SH.N. Hidroelektrike të Vaut të Dejës shokun Emin Musliu, i cili megjithëse ishte në dijeni të plotë për veprimin që do të kryhej, në fillim pretendonte se monumenti u hodh në erë me inisiativën e punëtorëve, në kuadrin e luftës kundër ideologjisë fetare, por nga biseda e mëtjejëshme u nënkuptua se ai ishte shkakëtari kryesor i asgjesimit të këtij monumenti, përderisa u shpreh se “edhe po të ketë monumente të tjera fetare në territorin e hidrocentralit, do t’i shkatërrojmë”. Pretendimi se punëtorët, pa dijeninë e drejtorisë hodhën në erë monumentin, na duket krejtësisht pa baza, mbasi nuk mund të përdoret lëndë eksplozive nga kushdoqoftë, aq më tepër në territorin e Vaut të Dejës që është populluar dëndur.

Monumenti u shkatërrua jo pse ishte e domosdoshëme për ndërtimin e hidrocentralit, fakt që nuk u mohua nga drejtuesit e tij, por edhe sikur të pranohet për një moment ky variant, duhej vepruar konform rregullores “Mbi ruajtjen e monumenteve të kulturës”, aprovuar me vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 130. Datë 9/4/1955.

Kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës ishte një monument me rëndësi të madhe arkitekturale dhe artistike, i ndërtuar në shekullin e XIII-të dhe i vetmi i stilit romak që ruhej në vëndin tonë, për këtë arsye shkatërrimi i tij solli një humbje të madhe trashëgimisë të së kaluarës në fushën e kulturës materiale.

Mendojmë në përgjegjësinë kryesore për shkatërrimin e këtij monumenti të rëndësishëm e ka drejtori i N.SH.N. Hidroelektro të Vaut të Dejës, shoku Emin Musliu dhe kërkojmë që të bëhen ndjekje penale në bazë të paragrafit të dytë të nenit 265 të kodit penal. Theksojmë se ky nuk është i vetmi rast i shkatërrimit të monumenteve në rrethin e Shkodrës, prandaj dënimi do të ketë efekt për mbrotjen e monumenteve të tjera në të ardhmen.

DREJTORI
(Gani Strazimiri)

Ankesa e Gani Strazimirit në Prokurorinë e Përgjithshme, për pushimin e çështjes penale nga Prokuroria e Shkodrës

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
INSTITUTI I MONUMENTEVE TË KULTURËS

Nr. 5/25 Prot. Tiranë më 30/8/1969

PROKURORISË SË PËRGJITHËSHME

TIRANË

Prokuroria e rrethit të Shkodrës me shkresën Nr. 192/3 Prot. Datë 15/8/1969 na dërgon vendimin për pushimin e çështjes penale lidhur me denoncimin tonë të bërë me telegramin e datës 11/VI/1969 dhe me shkresën e Prot. Datë 16/6/1969 për shkatërrimin e Monumentit të Kulturës, kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës. Ne nuk jemi dakort me këtë vendim për këto arsye:

Vendimi për pushimin e çështjes penale që bazohet në nenin e K.Pr.P. nuk është i argumentuar dhe ka kontradikta në vehtëvete. Më gjerë në fillim për-shkruhen rrethanat mbi shkatërrimin e monumentit, pranohet fakti se drejtori i kantierit të Qyrsaqit Muhedin Muçua dha urdhër për këtë gjë, në fund me një arsyetim pa baza duke aplikuar pa vënd nenin 98/5, shkarkohet ai nga përgjegjësia penale. Në rastin konkret veprimet e kundraligjëshme të Muhedin Muços, ose ndonjë personi tjetër, përmbajnë përafërsisht element të figurës së krimit të parashikuar nga neni 265/2 i Kodit Penal.
Hetimi i çështjes nuk është i plotë, për arsye se, ne mendojmë se fajtori kryesor për shkatërrimin e monumentit është drejtori i N.SH.N. të Hidro-Elektro të Vaut të Dejës, Emin Musliu, i cili as që u muarr fare në pyetje nga hetuesia. Punonjësi i Institutit tonë që u dërgua për të verifikuar në vënd çështjen e shkatërrimit të monumentit, u takua me Emin Musliun, i cili duke treguar një nënvleftësim të theksuar për monumentet e kësaj gjinije, i tha se jo vetëm që ishte në dijeni të çështjes, por edhe po të ketë monumente të tjera të tilla në territorin e hidroçentralit do t’i shkatërrojnë! Por shprehje më mospërfillëse, që kanë indinjuar tërë kolektivin e këtij Instituti, pjesërisht janë fiksuar edhe në proces-verbalin që ju kemi dërguar me rastin e denoncimit. Por edhe vetë fakti se në qëndër të kantierit të Vaut të Dejës u bënë përgatitje për të hedhur në erë një objekt me lëndë eksplozive, nuk lë asnjë dyshim se drejtuesit kryesorë të ndërrmarjes, nëse nuk e kanë urdhëruar një veprim të tillë, të paktën e kanë aprovuar. Bile mendimi ynë është se në rastin konkret nuk duhet të jetë vepruar pa dijeninë e drejtuesëve në rreth.
Megjithatë, përderisa, Muhedin Muçua merr përsipër fajin, me sa mendojmë, për të fsheur autorin kryesor të veprës, sepse siç u tha është e pamundur që drejtori i ndëqrrmarjes të mos ketë aprovuar këtë veprim. Se ai duhet të përgjigjet penalisht.

Gjithashtu, me gjithëse u zgjat tre muaj, hetimi i çështjes ka qenë i njëanëshmë, përderisa u pyetën vetëm personat që kanë kryer, ose kanë lidhje me krimin dhe as që u thirr fare në hetuesi punonjësi i Institutit Miltiadh Papa, që shkoj në vëndin e ngjarjes dhe u takua me drejtuesit kryesorë të Hidroçentralit, të cilët nuk mohuan aspak faktin, se ishin të vetëdijshëm për shkatërrimin e monumentit.

Në bazë të vendimit të hetuesisë të rrethit të Shkodrës, arsye për pushimin e çështjes penale, pranohet fakti që Muhedin Muçua nuk dinte që kisha e Shën Mërisë ishte monument kulture. Këtë konkluzion e hedh poshtë vetë arsyetimi i vendimit, gjersa pranohet se në derën e kishës ishte vendosur tabela përkatëse. Nga vendimi, del se këtë arsye nuk e dinte Muhedin Muçua vetë, i cili për t’i shpëtuar përgjegjësisë penale, thotë se ai nuk ka dhënë urdhër për prishjen e kishës, gjë që përgënjeshtrohet nga deponimet e Ingj. Vangjel Paskos, teknikut, Gani Beqiri dhe brigadierit, Hazhim Zyberi.
Në fillim të punimeve për ndërtimin e Hidrocentralit të Vaut të Dejës, u interesuam dhe konstatuam se kisha e Shën Mërisë ishte jashtë territorit të punimeve dhe nuk pengonte kryerjen e tyre. Fakti se ajo ishte monument kulture, është e pamundur që të mos dihej prej punonjësve të Hidrocentralit dhe sidomos prej drejtuesëve kruesorë të punimve, siç është Muhedin Muçua. Edhe po të pranohet për një moment thënia e tij, atëherë inxhinjeri, tekniku dhe brigadieri që studiuan në vënd hedhjen e kishës në erë, të paktën kanë parë se në portën e saj ishte vendosur tabella e monumenteve të kulturës dhe këtë gjë duhet t’ja kenë thënë drejtorit të kantierit të tyre.

Para dy vjetëve me rastin që kisha e madhe, e cila nuk ka qenë monument kulture u adaptua për kino-klub, patjetër është bërë e ditur, e ndryshe pse nuk vihej dorë edhe në kishën e vogël. Gjithashtu i pabesuesdhëm është dhe pretendimi i Muhedin Muços, se nuk ka qenë kurrë në vëndin e ngjarjes, se siç u tha, kisha e madhe ngjitur me monumentin e kulturës, për një kohë të gjatë ka shërbyer si kino-klub për punëtorët dhe ai është drejtor kantieri. Megjithatë, Këshilli Popullor i fshatit Vaut të Dejës, si organ i pushtetut lokal në vënd, ka qenë rilajmëruar se kisha e Shën Mërisë është monument kulture me shkresën tonë Nr. 6/11 Prot. Datë 1/4/1966. Ju ritheksojmë se ekzistenca e tabellës në derën e monumentit është fakti kryesor që hedh poshtë pretendimin e shkatërruesëve të tij dhe arsyetimin e vendimit për pushimin e çështjes penale.

Pretendimi se kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës u shkatërrua për të zhdukur influencën e fesë tek fshatarët na duket krejt pa baza dhe për këto raste shoku Enver në raportin “Mbi rolin dhe detyrat e Frontit Demokratik në luftën për fitoren e plotë të socializmnit në Shqipëri”, 14/9/1967, ka thënë: “Duhet luftuar koncepti i gabuar se feja është kisha, xhamia, prifti, hoxha, ikonat etj., dhe se po u zhdukën këto, u zhduk automatikisht dhe feja e ndikimi i saj në popull”. Populli ynë është i ndërgjegjshëm dhe bën shumë mirë diferencimin midis ndërtimeve të kultit që janë shpallur monument kulture dhe institucioneve fetare. Ky dallim në mënyrë shumë të qartë dhe në praktikë në Vaun e Dejës, përderisa, para disa vjetëve nga dy kishat, ngjitur midis tyre, njëra që ishte monument kulture nuk u prek, kurse tjera u adaptua për kino-klub. Këto gjëra i kanë patur shumë të qarta, patjetër, si punëtorët, aq më tepër…/Memorie.al

La France (1943)- Deklarata e Winston Churchill në Dhomën e Komunave për Shqipërinë dhe luftëtarët e saj

Sir Winston Churchill

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Maj 2020

 

“La France” ka botuar, të premten e 5 nëntorit 1943, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me deklaratën e Winston Churchill-it për Shqipërinë dhe luftëtarët e saj, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Një deklaratë e z. Churchill për Shqipërinë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Në përgjigje të një pyetjeje të parashtruar nga një deputet i Dhomës së Komunave, dje, z. Churchill mbajti një fjalim në shenjë nderimi për mijëra luftëtarë shqiptarë që luftojnë në male për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tyre.

 

Nga përvoja e të gjitha vendeve të pushtuara, tha ai, ata kanë mësuar se pavarësia e pretenduar dhe e ofruar nga Gjermania është veçse një mashtrim. Disa javë më parë, pushtimi fashist, të cilin ata refuzuan ta pranojnë për katër vjet, u zëvendësua me atë gjerman. Gjermanët përdorën të gjitha metodat e tyre të zakonshme, me të cilat ata përpiqen të nënshtrojnë të gjithë popujt luftëtarë. Ata kanë bombarduar fshatrat shqiptare, kanë vrarë gra dhe fëmijë shqiptarë. Por luftëtarët shqiptarë vazhdojnë të ngacmojnë armikun dhe të sulmojnë linjat e tij të komunikimit.

 

Oficerët ndërlidhës britanikë që gjenden me luftëtarët u bëjnë një homazh të madh për cilësitë e tyre luftarake. Ne presim që shqiptarët të luajnë rolin e tyre në përputhje me traditat e tyre të lashta të luftës në ngjarjet e ardhshme ushtarake në zonën e Mesdheut.

 

“Politika e qeverisë britanike mbetet ashtu siç është përcaktuar nga Ministri i Punëve të Jashtme në deklaratën e tij të 18 dhjetorit 1942 : domethënë, ne duam ta shohim Shqipërinë të çliruar nga zgjedha e fuqive të Boshtit dhe të pavarur.

 

Sigurisht, çështja e kufijve do të shqyrtohet gjatë zgjidhjes së paqes.”

 

The Times (1880)- Protesta e ulqinakëve drejtuar konsujve të Anglisë, Francës, Italisë, Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Rusisë në Shkodër

 

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Maj 2020

 

“L’Union Conservatrice” ka botuar, të enjten e 30 shtatorit 1880, në faqen n°2, shkrimin e gazetës britanike “The Times” në lidhje me shkresën e ulqinakëve drejtuar asokohe konsujve të Anglisë, Francës, Italisë, Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Rusisë në Shkodër, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Protesta e Ulqinakëve

 Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ja, sipas Times-it, përkthimi i mirëfilltë i protestës së banorëve të Ulqinit drejtuar konsujve :

 

Konsujve të Anglisë, Francës, Italisë, Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Rusisë në Shkodër.

 

Shkëlqesi, me shumë pikëllim kemi mësuar se brenda disa ditësh, flotat e fuqive evropiane do të arrijnë në ujërat e Ulqinit për të na detyruar të dorëzojmë qytetin tonë të dashur Malit të Zi.

 

Për shumë shekuj, ne, banorët e Ulqinit, kemi qëndruar nën sundimin dhe mbrojtjen e pushtetit osman, dhe do të ishte e pamundur për ne që të përshtasim zakonet, traditat, gjuhën dhe fenë tonë me ato të Malit të Zi, të cilat janë të gjitha të ndryshme dhe madje të kundërta.

 

Kjo është arsyeja pse ne jemi të vendosur me rreptësi për të zmbrapsur çdo sulm, çfarëdo qoftë ai, nga ana e Malit të Zi dhe të vuajmë asgjësimin e qytetit dhe të popullit tonë, sesa të nënshtrohemi. Përgjegjësia për gjakun që mund të derdhet në kufijtë e tij do të bjerë mbi malazezët, sepse ne nuk do të jemi shkaku.

 

Sidoqoftë, shpresojmë që rreziku i një konflikti të shmanget, pasi ne e dimë se fuqitë e mëdha nuk synojnë shkatërrimin, por mirëqenien e popujve.

 

Ne kërkojmë nga Shkëlqesia Juaj që të njoftoni qeverinë që ju përfaqësoni për vendosmërinë tonë të pakthyeshme dhe do të jemi shumë mirënjohës nëse ky komunikim nderohet me një përgjigje.

 

[Shkrimi përfundon me tridhjetë firmat e anëtarëve të komitetit për mbrojtjen e Ulqinit (me vulat e tyre bashkangjitur), plus atyre të krerëve të vullnetarëve, të pleqve të qytetit, etj.]

X – VIRUSI PYET PO KET A E DINI, KU KULLOTË KALI I SKENDERBEUT? – Nga Fritz RADOVANI

 

Ky ishte Sheshi i Monumentit Skenderbeut 1968…

 

 

Ky asht livadhi i kalit Skenderbeut 2018

Forca “Rilindja” e shkatrrimit Shqipnisë! Per ju kishim nevojë…

Vetem ju i mungojshi “mirqenjes” së Atdheut… Iku Teatri ma i vjeter në Shkoder, iku Kisha e Vaut të Dejës, Iku sheshi i Skenderbeut, iku Teatri i Tiranës…Po iken edhe gjithshka me pamje Europjane drejtë shkatrrimit perfundimtar! Kjo ishte edhe porosia e PPSh.., para se me ngordhë…

Forca tradhtarë t’ Atdheut, ashtu si po ju mëson Partia e “Rilindjes”..!

            Melbourne, 20 Maji 2020.

Gazeta franceze (1904)- Letërsia turke sapo ka pësuar një humbje shumë të madhe me vdekjen e Sami Frashërit, publicistit dhe leksikografit të shquar me origjinë shqiptare

 

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Maj 2020

 

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të dielën e 26 qershorit 1904, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me vdekjen e Sami bej Frashërit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Turqi

 

Letërsia turke sapo ka pësuar një humbje shumë të madhe në personin e Shemsedin Sami Beut, publicistit dhe leksikografit të shquar, i cili vdiq këto ditë në Kostandinopojë, në moshën pesëdhjetë e katër vjeçare.

 

Me origjinë shqiptare, Sami Beu kishte marrë një arsim shumë të mirë, të cilin e kishte plotësuar me studime të forta personale. Përveç gjuhës amtare dhe turqishtes, ai e dinte mirë arabishten, persishten, greqishten e lashtë dhe modernen, si dhe më vonë frëngjishten dhe italishten.

 

Fillimet e tij në karrierën e letërsisë nisën rreth tridhjetë vite më parë. Ai ka botuar një numër të madh veprash dhe bashkëpunoi në disa gazeta dhe revista periodike në Kostandinopojë. Shkrimet e tij të të gjitha zhanreve, të një stili të qartë dhe të fuqishëm, tregojnë një mëndje të zgjuar, delikate dhe cilësore shumë e rrallë në Orient (Lindje) me vullnetin për të edukuar lexuesit.

 

Ndër veprat e tij të shumta, mund të përmendim veçanërisht fjalorin e tij frëngjisht-turqisht dhe turqisht-frëngjisht, një model në zhanrin e tij; “Kam’usul – Aalam”, enciklopedinë historike dhe gjeografike në gjashtë vëllime të mëdha; dhe, veçanërisht “Kam’usul – Turki”, fjalorin më të plotë turk deri tani në këtë gjuhë.

 

Me një natyrë të thjeshtë dhe jo shumë komunikues, Sami Beu jetonte i tërhequr në vilën e tij në Erenkeuy, në bregdetin aziatik të detit Marmara, afër Kostandinopojës, midis librave dhe fëmijëve të tij, të cilët i donte gjithashtu. A. LEVAL

 

Korrespondenca politike e Vjenës (1881): “Abdyl Frashëri u arrestua në hyrje të Durrësit, si shkoi deri aty dhe çfarë i gjetën me vete?”

 

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Maj 2020

 

“Le Temps” ka botuar, të premten e 27 majit 1881, në faqen n°2, shkrimin e Korrespondencës politike të Vjenës në lidhje asokohe me arrestimin asokohe e Abdyl Frashërit në hyrje të Durrësit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Turqi

 

Tani që është nënshkruar marrëveshja për kufirin grek, z. Goschen do të lërë postin e tij Lordit Dufferin. Një shkresë nga Kostandinopoja njofton pikërisht sot largimin e tij.

 

Lajmërohet nga Kostandinopoja, më 24 maj, se ka filluar marrja në pyetje e Midhat Pashës (Ish-kryeministrit të perandorisë osmane dhe guvernatorit të Sirisë në atë moment).

 

Dervish Pasha (komandant në ushtrinë osmane) arrestoi me sukses një numër të caktuar udhëheqësish shqiptarë (ndër të cilët Hodo bej Sokolin dhe Preng Bib Dodën), të cilët do të sillen para një gjykate (këshilli) lufte, ai që u burgos së fundmi quhet Abdyl-Bej, për të cilin Korrespondenca politike e Vjenës jep detajet e mëposhtme :

 

Ky Abdyl Beu është i njëjti njeri që, si i dërguar jozyrtar i Portës dhe i shoqëruar nga dy zyrtarë të tjerë shqiptarë, vizitoi Evropën për t’u ekspozuar fuqive rreziqet që do të lindnin në rast të një ndërhyrje në favor të Greqisë.

 

Ai sapo ishte ngarkuar të paraqiste (dërgonte) edhe një herë një peticion te kabinetet evropiane duke i lutur ato që të mbështesnin çështjen e shqiptarëve pranë Portës së Lartë.

 

I detyruar të kapërcente territorin e pushtuar nga trupat e Dervish Pashës, me qëllim arritjen pranë një porti, ai u maskua dhe arriti në fakt pa pengesa në Durrës. Por në momentin kur ai tentoi të futej në qytet, e njohën dhe e arrestuan.

 

Ai u kap me disa dokumente të rëndësishme që thuhet se komprometojnë seriozisht disa figura të larta turke.

 

VIRUSI PYET PO KET A E DINI, A PO KNAQENI ME “RILINDJEN”? – Nga Fritz RADOVANI

 

I  SHKRETI… KUSH  I  SHKRETI ? – I SHKRETI POPULL…

Pse i shkreti Popull? – Prap me fillue me “Rilindë” partizanët e maleve?!

Jo, ore jo! Ata të maleve iken… Tashti provoni këta të territ t’ bregdetit!

Po, tek këta të Durrësit nuk shihet asnjë shenjë ditet as dritet more…?!

Prit ore, se asht heret… Ata që iken ka 76 vjetë që thonin se po del drita e, drita nuk ishte askund! Kujtoni ju se del drita edhe naten? – Jo, jo…  

A e dini ju zotnijë se Rusia ka 103 vjetë që pret driten, e Rusia prap terr!.. Ka disa prej atyne që flasin per “Rilindjen” dhe janë shumë të mendshem madje, ma të squet se ata që na i dolen zot si “magjypi dinit” kësaj idesë “Rilindjes”, thotë ky “Marxi” i rij… Po, ky kaq i shkathët tue kenë, ku kje kur Everit i pat fluturue mendja, e nuk dinte me shkue as në banjo more? E shkreta… – Boll ma i shkreti ! – Jo, jo e shkreta Nexhi more, iu donte me la frigoriferin nga 8 a 10 herë në ditë, pa le naten, që i ndezej drita asaj me shtupa në dorë, Everi shkonte shpeshë në frigorifer, nga diabeti, e i shkreti…– Prap ti i shkreti? – Lene bre se m’ asht mësue goja, 76 vjet…

A di shka do me thanë 76 vjetë jo natë, po mesnatë… Delte heret pa dalë drita… E vinte mbasi errej nata! Ecte tue u mbajtë per Sulon, e nuk dinte as ku ia vente doren atij, Everi i shkretë… – Boll ma, i shkreti Ever!..

Ashtu n’ terr as unë, nuk e kuptoj si i numronte napolonat florij? – Kur?

Kur merrte rrogen e shoqja… Ajo donte napolona, se pareve shqiptare, na thonte “i vjen era peshk”… – E shkreta! – Prap ti e shkreta… A sheh ti, paska kohë që ata na e paskan ndijë eren e “Rilindjes”, me erë peshkut…  – Po pse, ky që formoi “Rilindjen”, Everi thonte se asht peshk? – Jo, jo… Ky noton si peshk… Hidhet si peshk… E fergohet si peshk… I pelqen me u zgjue heret me shkatrrue ata Europjanet, shkon shpesh edhe në Turqi…

I shkreti! – Edhe ky “i shkreti”? – Ky asht “dy herë i shkreti”! Një herë se e ka koken e madhe, e një herë tjeter, se “naten i ven virusin e Everit per me shkatrrue”…kur asht terr “dyrnjaja”.., thonë “vëllezërit e gjakut”… As n’ Ballkan Perendimor e, as n’ Athinë, ky nuk flenë si në Stamboll…

Ka pas thanë Zef Mala “i shkreti”: “Rrij e vrojtoj deren, kur po hyn e më merr Populli, e bashkë me ty o Ever, me na varë per shka i kemi ba!..”

            Melbourne, 18 Maji 2020.

Abdyl Frasheri – Giuseppe Garibaldit: Gjeneral, ju mund te keni te drejte, por ne jemi epirote, dhe per momentin armiku yne i menjehershem eshte Greqia…”

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Maj 2020

 

“La France” ka botuar, të hënën e 5 majit 1879, në faqen n°2, shkrimin e Korrespondencës politike të Vjenës në lidhje me çështjen greke si dhe takimin asokohe të Abdyl Frashërit me Guiseppe Garibaldin, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Buletini i jashtëm

 

Propozimi i Waddington-it.

 

Kohët e fundit kemi folur për propozimin e Waddington-it dhe cituam Pester Lloyd-in në lidhje me lajmet për një pajtim zyrtar të Austro-Hungarisë. Korrespondenca politike e Vjenës, e 2 majit, shprehet kështu në një artikull kushtuar çështjes greke :

 

Kabineti francez duhet të dijë që një fuqi e madhe fqinje dhe miqësore dyshon për mënyrën me të cilën Franca kërkon që të zgjidhet çështja greke. Fuqia e madhe në fjalë propozon të mos e paraqesë këtë pyetje në një konferencë ambasadorësh, por të lë, përkundrazi, ambasadorët e akredituar pranë Portës së Lartë ta zgjidhin atë përmes rrugëve të zakonshme diplomatike.

 

E njëjta gazetë botoi një ditë më parë një korrespodencë nga Kostandinopoja, në të cilën thuhej se një figurë e lartë u ishte përgjigjur delegatëve shqiptarë : Ne nuk mund të bëjmë asgjë në mënyrë të hapur për ju, por nuk refuzojmë t’ju bëjmë një favor; takoni Garibaldin.

 

Korrespondenti gazetës austriake shkon më tej. Ai vazhdon në këto fjalë :

 

Heroi i Caprera-s, pasi dëgjoi dëshirat e tyre, u tha që në fillim : Ju nuk duhet të injoroni se armiku juaj më i rrezikshëm është Perandoria Austro-Hungareze. Ju duhet të ruheni dhe të jeni të përgatitur veçanërisht kundër këtij armiku.

 

Thuhet se Abdyl beu i ka kthyer këtë përgjgje : Gjeneral, ju mund të keni të drejtë, por ne jemi epirotë, dhe për momentin armiku ynë i menjëhershëm është Greqia, dhe ne ju kërkojmë të na mbroni nga orekset e saj.” — “Me gjithë dëshirë, u tha heroi. Do tu japim tridhjetë mijë pushkë që mbushen nga gryka dhe municionet e nevojshme. Vetëm ju do të angazhoheni t’i përdorni ato ditën kur do të merrni sinjalin tonë dhe kur partia ime dhe unë do t’ju thërrasim.

 

Delegatët shqiptarë premtuan gjithçka që Garibaldi dëshironte.

 

Edhe pse Avvenire d’Italia pretendon se është në gjendje të pohojë se fuqia miqësore dhe fqinje në fjalë nuk është Italia, kjo gazetë beson se marrëveshja nuk është arritur ende midis kabineteve.

 

Sa i përket Italisë, ajo nga ana e saj i kushton një artikull të madh mosmarrëveshjes turko-helene dhe sugjeron që në Prevezë, në bisedimet e fundit, është vërejtur se ka aspirata të tjera për të mbrojtur sesa ato të racës helene.

 

Çështja, siç mund të shohim, është larg e të qenit e zgjidhur.

 

Deutsche Zeitung (1880) : “Sipas gazetës shkodrane, e botuar sot për herë të parë në shqip, Shqipëria ka shpalluar pavarësinë e saj! Ja emrat e firmëtarëve : Ali Pashë Gucia, Hodo bej Sokoli…”

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 16 Maj 2020

 

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të mërkurën e 12 majit 1880, në faqen n°2, shkrimin e gazetës “Deutsche Zeitung” në lidhje me shpalljen asokohe të pavarësisë së Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Turqi.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Këtu janë disa detaje të huazuara te Deutsche Zeitung për ngjarjet në Shqipëri, detaje të dërguara nëpërmjet një shkrese nga Shkodra, të datës 7 maj :

 

Shqipëria ka shpallur pavarësinë e saj dhe nuk e njeh më sovranitetin e padishahut. Gazeta zyrtare “Skodra – Shkodra”, e shkruar sot për herë të parë jo vetëm në turqisht, por edhe në shqip, boton në krye të kolonave të saj një shpallje (deklaratë) të gjatë të Lidhjes dhe të Komitetit. Ajo deklaron që Shqipëria ka pushuar së qeni nën sundimin e Sulltanit.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Të gjithë zyrtarët (nëpunësit) turq që nuk janë me kombësi shqiptare do të pushohen nga puna dhe do të duhet të largohen nga vendi; një përjashtim bëhet në favor të atyre që e kanë treguar veten miq të “Skipétars – shqiptarëve”. Populli shqiptar tani duhet t’u bindet vetëm urdhrave të Lidhjes dhe atyre të Pleqve të Fisit (klaneve), të cilët mbesin, deri më tani, ligjvënësit e vetëm.

 

Kanë nënshkruar : Ali Pasha, Hodo Beu, Preng Bib Doda, myftiu Hafiz efendi, peshkopi Partew dhe Nikolla Xaba në emër të parisë dhe njerëzve. (Kjo listë përbëhet nga myslimanë e të krishterë.)

 

Një telegram tjetër që e njëjta gazetë mori nga Shkodra mbrëmjen e 7 majit deklaron :

 

Të gjitha trupat e Haxhi Osman Pashës të vendosura në kampin e Koplikut kanë kaluar në anë të Lidhjes. Shqiptarët sekuestruan zyrat (të ardhurat) publike dhe pushuan nga puna punonjësit osmanë. Lidhja u ka ofruar mbrojtje konsullatave. Rendi nuk u shqetësua.

LETRA E LAURES – Nga Fritz RADOVANI

LAURA  KEÇI

 

Lexova lajmin e vdekjes së parakohëshme të Laures… Po, botoj një leter të Saj:

Letra asht kopjue nga origjinali që më ka dërgue Zonja Laura Keçi pa ndryshime. Janë hjekë ato pjesë që kanë karakter përsonal, si përshëndetjet apo opinjonet e Zonjës Laura etj. Kam kopjue me kujdes ligjëratat e drejta dhe fjalët e Martirit për të cilat e falnderoj Zonjën Laura, që i ka rikujtue me saktësi në këtë kohë, kur shumica e bashkëvuejtësve të këtyne Heronjve nuk kujtohën ma për ta, ose ma keq, i kanë harrue…

Laura, nuk më shkruen asnjë rresht për vuejtjet e saja. Na që kujtojmë kohën e arrëstimit të Laurës, duhët të jemi ma të kujdesëshëm në shkrimet tona mbasi edhe 16 vjeçaria Laura, zën vend në vargun e vajzave të nderueme shkodrane që janë masakrue nga sigurimi i komunizmit gjakatar. Gjyqi i kësaj vajze trandi Shkodrën!

Me këtë rasë edhe e falnderoj Zonjën që me letrën e sajë, më ka nderue tue pranue botimin e sajë prej meje dhe, njëkohësisht i kërkoj të falun që ndër ato 17 faqe letër të shkrueme me dorën e sajë, e kam ba me rikujtue atë kohë të mjerueshme që Ajo, ka kalue në birucat e Sigurimit komunist në Shkodër, kur Ajo ishte pa mbushë 16 vjet…

***

“Kur isha ende pa u arrestue kisha ndigjue se një prift i rinj predikon pa frikë për Jezu Krishtin dhe ban shërbime fetare, edhe pse Feja ishte ndalue me ligj. Kur u zhvillue gjyqi ai u dënue për agjitacion e propagandë kundër pushtetit dhe për propagandë fetare, tue vue gojë në vëprimet e shëmtueme të Enver Hoxhës kundër Fesë.

Këta “faje” komunistët kërkonin me i la me gjakun e tij prandej edhe e dënuan me vdekje. Populli i Shkodrës u trondit shumë nga ky vëndim kundrejt një njeriu të pafajshëm që me qëndrimin e tij burrnor, ringjalli në opinionin publik edhë njëherë kujtimin e Martirëve të Fesë.

Isha 16 vjeç kur u arrëstova dhe shprehja e parë që ndigjova porsa më futën në hetuesi ishte: “Ç’ti bësh, po të ishte pak më e madhe në moshë do ta pushkatoja pamëshirë me priftin që sonte… dhe, më futën në një birucë aty afër tij.”

Dua të tregoj si e torturonin njeriun e Zotit: Komandanti Basri Temja nga Lushnja i sillte gjellën Don Mikelit, që ishte i lidhun kambësh e duersh me sigjir në birucën e tij, ku priste vëndimin e Tiranës për pushkatim. Gjella si dukët ishte shumë e ngrohët mbasi nga djegëja e sajë ndigjohej virrma e Priftit që nuk mund të kapërdihej. Kur mbyllte gojën dëgjohej krizma e tasit të aluminit që rrokullisej nëpër çimento mbasi ia hidhte fëtyrës “supën” përvluese. Kjo ishte një torturë që përsëritej gati çdo ditë ose edhe dy herë në ditë. Një polic i birucave me emnin Shefik, vinte me çizmët e tija të randa, hapte birucën e Don Mikelit, veç, kur ndigjohej krizma e kockave të kupave të gjunjëve nga shqelmat që i binte të shkretit Prift. Goditjet ishin aq të forta sa që, betohëm, se kam ndigjue me veshët e mij kockat e Don Mikelit tue u thye…

Njëditë, përsonaliteti dhe vëndosmënia e tij e friksoi antikatolikun Shyqyri Qoku, i cili shfreu dufin e tij patologjik prej sadisti tue e torturue aq shumë fizikisht Don Mikelin, sa, kur, më mori mue fillë mbas tij në zyrën e hetuesisë, u tmerova dhe gati nxora zorrë e mushkni nga goja, kur pashë një bluzë të bardhë me të cilën na mbështillnin gjatë torturës, të lame me gjakun e pastër të Martirit dhe me njolla ngjyrë jeshile të bame nga vjelljet, prej shqelmave të tyne… E mbajta vedin, u kapërdiva dy-tre herë për mos me kënaqë xhelatin e përbashkët të tonin dhe komandantin që ishte aty me te. Kur i pashë fëtyrat e tyne të zverdhuna si fëtyra të vdekuni që zbulonte ndërgjegjën e tyne të randueme me krime e që, shpesh edhe i kalonte në bisha të pavetëdijshme, m’u duk sikur, po analizonin pafajsinë e Don Mikelit dhe peshën e randë të “fajeve” të mija, që nuk isha aspak ma shumë se 16 vjeçe… Mora zemër nga qëndrimi i mpimë i këtyne dy kafshëve të tërbueme e, u thashë: Shihni vehtën në pasqyrë!… Shihni si jeni ba!… Moralisht jeni të dy të mposhtun nga Don Mikeli, ju jeni si të vdekun para tij, Ai ka fitue mbi ju edhe pse fizikisht ndoshta, Ai asht i shkatrruem, ju jeni të shpartalluem në ndërgjegjën tuej mbasi nuk dini se për çka e torturoni. Kjo asht dëshmia ma e kjartë e fitorës së Jezu Krishtit përmes dyshepullit të tij Don Mikelit, i cili, ju ban ju, me pa me sy praninë e Jezusit në tokë, kenjën e fuqisë së Zotit këtu, që na jep ne forcë për me përballue torturat tueja…

Përgjegja e tyne kje vetëm kjo: Prandej asht tue ju ndihmue…

Kur pashë gjunjëzimin e tyne mora edhe njëherë zemër dhe ju thashë: Pse, ndihmë e vogël ju dukët ju lutja e tij, ju e torturoni e Ai lutët për shpirtin tuej të kacafytun me djallin. Ai i lutët Nanës së Jezusit për shpëtimin tuej nëpërmjet të Birit të saj dhe ju e gjakosni, ju i bini me shqelma e, Ai, vazhdon me ju tregue ju, se keni kohë me u pendue për çka jeni tue ba… Pse, a ndihmë e vogël ju duket ju që unë një vajzë e re nuk frigohëm aspak para jush?… Hë… pse nuk keni forcë me na mposhtë?

Ku asht forca e atij kryexhelatit tuej?.,Veç, një virrëm qeni ndigjova: Dil jashtë… jashtë!… Aq shumë ishte torollosë sa kishte harrue se unë nuk kisha si me lëvizë, se isha e lidhun për karrigë. Kur u kujtue komandanti më zgjidhi, urdhnoi policin që ishte mbas dere me më çue në birucë. U shtrina përtokë si zakonisht por e kënaqun.., fjeta pak…

Mbas pak kohe më doli gjumi nga zani i fuqishëm i predikonjësit të Ungjillit. Don Mikeli ishte zgjue para meje dhe po bante lutjen e përditëshme për shpëtimin e shpirtit të torturuesve të tij: Mos torturoni vëllaun tuej… Jam tue u lutë për shpëtimin tuej edhe pse ju më torturoni mue, kërkoni falje Jezusit, se Ai asht aq i mëshirëshëm sa ka me i falë gjynahet tueja… Pendohuni! …Lypni falje!… Keni humbë logjikën, mos humbni shpirtin! Ai ka mëshirue kryqëzuesit e vet, Ai do të ju falin edhe ju!…

Tregoni edhe Hoxhës e Shehut, se edhe ata që nuk kanë lanë gja pa ba mbi kristjanët dhe besimtarët e Zotit.

Tregoni atyne që me krimet që kanë ba kanë shkretnue familjet shqiptare dhe kanë vorfnue edhe kombin tonë… Hiqni dorë nga vrasjet e djelmëve, vëllazënve tuej, mos veshni  zi nanat, motrat e gratë shqiptare që tash sa vjet nuk i kanë hjekë rrobat e zisë…

I thoni damave të tyne mos u kënaqni me vrasjët  e gjakun e bijve e bijave të Shqipnisë! Keni harrue se jeni tue vra shqiptarë! Shkatrruet Atdheun! 

Ndigjova se u hap biruca numur 3, ku ishin dy përsona për çështje ordinere dhe u futën në birucën ku ishte tue predikue Don Mikeli. Filluan me i ra me shqelma mbasi torturat që i banin ata Priftit, ishin mjet lehtësues për vuejtjen e tyne. Shpesh ata i çonin në dhomën e tij për me e zgjue nga dremitja e agonia e vuejtjes së vazhdueshme.

Këta predikime filluan me kenë një mjet forcimi për të gjithë ne që ishim ndër ato biruca ku vuejtja ishte e përgjithëshme. Erdhi një kohë që zani i tij ndigjohej ma rrallë, filluen me i ba gjylpana për me e vue në gjum. Tashti e kuptoj se i banin gjylpana se, kur fillonte me ikë efekti, ndigjohëshin gjamët e dhimbjeve e si nëpërgjum fliste: Ah, moj nanë… nuk kam kockë të pathyeme…Ah, sa janë kah më dhambin eshtnat!

Mbas pak minutash që zgjohej hynin xhelatët e torturonin dhe prap nuk ndigjohej ma zani i Tij. Kishin kalue disa muej që Ai vuante pandërpremje e bashkë me te edhe unë, që ndigjojshe me veshë dhe, shpesh, nga një vrimë e vogël e derës e shihja tue e marrë rrëshqanë për me e çue në tortura, ose tue e këthye nga zyrat e tmerëshme të hetuesisë ku, vuejtjet ishin ma të mëdha se ata të fundit të ferrit.

Asnjëherë nuk e pashë atë njeri tue u këthye me kambët e veta në birucë…por gjithmonë zharg…Përballë birucës numur 1 ku isha unë, në ditët e caktueme vinte bërberi që shërbente në degë të mbrendshme.

Vërejta njëditë një burrë me trup mesatar, pak zeshkan, me sy të zezë, i parruem prej shumë kohe dhe me një ngjyrë të bardhë të fëtyrës së papame nga dielli. E shikova pak me kurreshtje mbasi bërberi që ishte një spiju i ndytë i Sigurimit, në fund i tha: Tashti, Prift, të kam ba gati për dhandërr! U sigurova se po shihja me sy Martirin e Fesë…

I ngula sytë në atë vrimë të vogël të derës sime, që nuk kisha si me e ba ma të madhe e, me kapë e me e pré në fyt me briskun e tij atë bërber, që për dy pare të ndyta po tallej me një Predikonjës të pafajshëm, vetëm se ishte Prift.

Mbas pak ditësh, nuk mora vesh sësi isha zhytë në një gjum deke. Po shihja andrra të llahtarëshme, vuejtje, tortura, gjak, një tmer i vërtetë më kishte pushtue, u dridhësha si thupra në ujë nga frika, një frikë që nuk e kuptoja nga vjen. Isha mbushë me vajë, vajë frike apo dëshprimi nuk e kuptoja, një tmer i vërtetë….isha e lame në djersë… Disi u skapullova kur pashë se jam në birucë por, sidukët, ndër andrra kisha lëshue ndonjë thirrje, veç kur pashë sportelin e hapun të derës prej ku, shihej fëtyra e kriminelit Alush Bakalli, që me gisht vërtikal para gojës lëshoi një sh sh sh…t!!, shenjë me të cilin urdhnonte heshtje… Një lëvizje rojesh jo e zakonëshme në atë orë. Nuk dija çka ka ndodhë… Edhe zhurma që më zgjoj ndryshonte, mujta me dallue zanin e katilit Shyqyri Qoku, që i vërriste Don Mikelit: Pusho… pusho, po të tham… Këtë herë dallohej se nuk ishte vetëm. Në atë lamsh mendimësh përzi me zhurmën e vargojve ndigjova zanin e Don Mikelit, e zemra m’u mbush me vajë.

Ishte mjedis kafshëve të egra që donin ta shkynin, e thërriste: “O Jezu Krisht! Zoti em, më jep forcën e fundit, o Shenjtja Mari, Nana e eme e përjetëshme për të fundit herë po të kërkoj, fali vëllaznit e mijë, kij mëshirë për ta se nuk dinë shka bajnë! Fali o Krisht! O Zot ndihmoje Shqipninë me shpëtue nga këta kriminelë komunistë. Zoja e Bekueme, Nana e Krishtit dhe e gjithë Botës, lutju Birit tand Zotit tonë Jezu Krishtit, që të më pranojnë në Mbretninë Qiellore, në duert Tueja të Bekueme ardhët Shpirti em!…Rrnoftë Shqipnia, Rrnoftë Krishti!” Zani i tij sa vinte e fikej derisa nuk u ndigjue ma… U mbyllën edhe shulat e dyerve…edhe dryjtë. Isha me sy nga dritaria tue vështrue nëse ndigjohet prap zani i tij por, kuptova ma vonë se isha ngritë kot për një kohë të gjatë, derisa, u kujtova se iku! Ai iku në Mbretni të Qiellës…

Jam kenë interesue se çka u ba me Don Mikelin, mbasi e morën atë natë, nga një roje që ndryshonte pak nga të tjerët me emnin Ndue. Ai më pat tregue se janë nisë për Tiranë dhe rrugës i kanë ba një ingjeksion dhe ka vdekë. E kanë çue të vdekun në Ministrinë e Mbrendshme dhe prej aty e kanë futë në një kasetë frigoriferike me nr. 7 (shtatë). Mendonte se ai asht coptue nga mjekët e besueshëm qeveritarë për studim, nga studentët e fakultetit të mjeksisë së Universitetit të Tiranës.

Atëherë, dhe sot, që ka kalue një çerek shekulli nga kjo ngjarje, i drejtoja dy pyetje vehtës për këtë njeri që torturohej aq mizorisht nga kriminelët komunistë: 1. Pse e torturonin ndryshej nga të tjerët dhe, 2. Ku i merrte forcat Don Mikeli për me përballue ato tmere vuejtjesh? – Gjithmonë e njajta përgjegje: E para, vetëm pse ishte Prift Katolik dhe e dyta, Ai fliste me Jezu Krishtin çdo çast që goditej nga kriminelët…

Vetëm Ai e forconte Até dhe mue…

Gjithmonë kam besue se Don Mikeli asht Shenjt i pashpallun në Mbretninë e Qiellit! Ai asht i përjetëshëm në kujtimet dhe lutjet  e mija!

 

       Shkodër, 15 shtator 2000                                Bashkëvuejtësja e Tij,  Laura  Keçi  d.v.

 

Shenim nga FR: Letra e Laura Keçit asht botue në librin tim “Një Monument nën dhe”.

            Melbourne, 14 Maji 2020.