VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Vijon protesta e përgjakshme në Hong Kong, dhjetëra të plagosur

By | August 12, 2019

Komentet

Pika më e thellë në tokë gjendet në Antarktidë

Një grup glaciologësh zbuluan pikën më të thellë në tokë nën një akullnajë në Antarktidë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndër gjetjet e tjera të “BedMachine Antarctica”, një projekt hartografie për kontinentin e bardhë, glaciologët thanë se gjëja më e habitshme ishte gjetja e “kanionit të tokës më të thellë në botë poshtë Akullnajës së Denmanit në Antarktidën Lindore”.

Zbulimi u bë i ditur nga Universiteti i Kalifornisë, Irvine (UCI) të enjten.

“Produkti i ri i topografisë i shtratit të Antarktidës u ndërtua duke përdorur të dhëna për trashësinë e akullit nga 19 institucione të ndryshme kërkimore që datojnë nga viti 1967, përfshirë gati një milion milje linjash të tingujve të radarit”, thuhet në artikullin mbi gjetjet në faqen zyrtare të universitetit.

“Hartat më të vjetra sugjerojnë një kanion të cekët, por kjo nuk ishte e mundur; diçka mungonte”, citonte artikulli autorin kryesor Mathieu Morlighem, profesorin e UCI të shkencës së sistemit të Tokës.

Morlighem shtoi se llogaritjet e tyre sugjerojnë se akulli që rrjedh nëpër kanion, sipas studimit të kombinuar të radarëve dhe të dhënave të lëvizjes së akullit, shkon në 3.500 metra nën nivelin e detit, pika më e thellë në tokë.
“Harta e topografisë e Antarktidës e publikuar së fundmi, “BedMachine Antarctica” dhe gjetjet lidhur më këto u publikuan dje në revistën Nature Geoscience”, thuhet në artikull.

Hendeku më i thellë në oqean është i njohur si Hendeku Mariana i cili ndodhet në perëndim të Oqeanit Paqësor.

Ajo është rreth 200 kilometra në lindje të Ishujve Mariana dhe është në formë të gjysmëhënës dhe ka gjatësi rreth 2.550 kilometra dhe gjerësi 69 kilometra.

Hakerë nga Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e e Veriut sulmojnë institucionet spanjolle

Madrid

Institucionet qeveritare dhe kompanitë private në Spanjë gjithnjë e më shumë janë të ekspozuara ndaj sulmeve kibernetike, ndërsa agjencitë shtetërore pohojnë se prapa këtyre sulmeve qëndron Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë muajve të fundit janë regjistruar madje 36 sulme kibernetike mbi institucionet shtetërore dhe shumë kompani private në Spanjë, shkruan në artikullin e gazetës spanjolle “El Pais”, e cila i referohet Qendrës Kombëtare të Kriptologjisë pranë Shërbimit Inteligjent të Spanjës.

Në artikull po ashtu thuhet se prapa sulmeve kibernetike ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, bankave, zyrat e avokatëve dhe kompanive ushtarake, qëndrojnë grupe kibernetike me seli në Rusi, Iran, Kinë dhe Kore e Veriut.

Është zbuluar se bëhet fjalë për grupe hakerësh APT29 dhe Snake (Rusi), APT39 dhe APT33 (Iran), Banda Kobalt (Kore e Veriut) dhe Emissary Panda (Kinë).

Boris Johnson shënoi fitore historike në zgjedhjet e së enjtes (video)

Partia Konservatore e kryeministrit Boris Johnson, fitoi shumicën e vendeve në parlamentin britanik, një rezultat vendimtar i zgjedhjeve të mbizotëruara nga Brexit-i, që do t’i mundësojë kryeministrit të përmbushë planet e tij për largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, muajin e ardhshëm.

Sipas rezultateve paraprake partia e zotit Johnson ka fituar 363 vende në parlamentin 650 vendesh duke lënë prapa Laburistët e Jeremy Corbyn me 203 vende.

Kryeministri Johnson e cilësoi fitoren e tij më të madhen që nga vitet e 80-ta, kur konservatorët drejtoheshin nga Margaret Thatcher.

Duke folur para mbështetësve të tij në Londër, ai tha se qeveria tani ka një shumicë të mjaftueshme në parlament për të përmbushur Brexit-in.

“Kjo do të thotë që jetësimi i Brexit-it është bërë tani vendim i pakundërshtueshëm, i pandryshueshëm për popullin britanik,” tha ai.

Zgjedhjet ishin humbje e thellë për udhëheqësin e së majtës, Jeremy Corbyn, i cili u përball me thirrjet për dorëheqjen e tij ndërsa rezultatet po publikoheshin.

Ai i cilësoi rezultatet si “shumë dëshpëruese” dhe tha se nuk do të drejtojë partinë në zgjedhjet e ardhshme, ndonëse kundërshtoi thirrjet për dorëheqje të menjëhershme.

Reagime pas zgjedhjeve

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se fitorja e kryeministrit Johnson do të thotë se Britania dhe Shtetet e Bashkuara do të kenë mundësi të arrijnë një marrëveshje të madhe tregtare pas Brexit-it.

“Kjo marrëveshje ka mundësitë që të jetë shumë më e madhe dhe më fitimprurëse se çdo marrëveshje që mund të bëhej me BE-në” shkroi presidenti Trump duke përgëzuar kryeministrin Johnson.

Presidenti i Këshillit Evropian. Charles Michel, tha të premten se Bashkimi Evropian “pret që sa më parë parlamenti britanik të votojë (Brexit-in)… Është me rëndësi që të ketë qartësi”, tha ai.

Ligjvënësi gjerman, Norbert Roettgen, nga radhët e partisë së kancelares gjermane Angela Merkel, shkroi se “nuk është fshehtësi që unë doja që Mbretëria e Bashkuar të mbeten në BE. Por qytetarët britanik vendosën dhe duhet të pranojmë zgjedhjen e tyre. Me fitoren e Johnsonit, Brexit-i është bërë i pashmangshëm. Qëllimi ynë tani është t’i mbajmë sa më të ngushta marrëdhëniet me Mbretërinë e Bashkuar”, shkroi ai. zëri i amerikës

CPJ: Kina dhe Turqia me më së shumti gazetarë të burgosur

Të paktën 250 gazetarë janë të burgosur në botë. Në këtë drejtim prin Kina, si një vend autoritar që nuk e toleron pavarësinë e mediave, tha të mërkurën, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ).

“Shumica e gazetarëve të burgosur janë akuzuar si “armiq të shtetit” apo për publikimin e “lajmeve të rreme”, theksoi organizata me seli në Nju Jork.

CPJ ka identifikuar të paktën 48 gazetarë të burgosur në Kinë, një më shumë se në vitin 2018.

Si vende tjera, ku ushtrimi i këtij profesioni është i rrezikshëm janë: Turqia, Arabia Saudite, Eritrea, Vietnami dhe Irani.

Në vendin e dytë pas Kinës është Turqia me 47 gazetarë të burgosur, që shënon ulje të numrit për dallim nga viti 2018, ku numëroheshin gjithsej 68 gazetarë të burgosur. Mirëpo, ky nuk vlerësohet si përmirësim i vërtetë i gjendjes, pasi Ankaraja arriti të mbyllte më shumë se 100 media duke ndjekur penalisht nën akuzat për “justifikim të terrorizmit”. Si pasojë, shumë gazetarë janë frikësuar dhe e kanë humbur vendin e punës.

“Dhjetëra gazetarë në Turqi janë në pritje të gjykimit, ndërsa të tjerët dënohen në mungesë dhe kërcënohen me arrest nëse kthehen në vendin e tyre”, theksoi Komiteti.

Arabia Saudite dhe Egjipti kanë nga 26 gazetarë në burg.

Në Arabinë Saudite 18 gazetarë janë burgosur pa e ditur se për çfarë u akuzuan. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve është gjithashtu i shqetësuar për rastet e “rrahjeve dhe kequshqyerjes së të burgosurve politikë, përfshirë katër gazetarë”.

Revista Time shpall Greta Thunbergun person të vitit

Greta Thunberg

Revista Time e ka shpallur aktivisten kundër ndryshimeve klimatike, Greta Thunberg, person të vitit.

Çdo vit, kjo revistë, e shpall si fitues një personalitet, grup ose lëvizje, që ka pasur më së shumti ndikim në 12 muajt e kaluar.

Në listën e Time këtë vit ishin edhe presidenti amerikan, Donald Trump, kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe protestuesit e Hong Kongut.

“Ajo ka arritur të krijojë në botë, një zhvendosje të qëndrimit për këtë çështje, duke kërkuar ndryshime urgjente. Ajo ka ofruar një thirrje morale për ata që janë të gatshëm të veprojnë”, tha revista Time, pasi e shpalli 16-vjeçaren suedeze person të vitit.

Por, sipas revistës, “veprimet për klimën janë aq komplekse sa vetë fenomeni dhe Thunberg nuk ka zgjidhje magjike për këtë çështje”.

Thunberg ka qenë favorite për të fituar Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2019, mirëpo i njëjti është ndarë për kryeministrin e Etiopisë, Abiy Ahmed.

Më 30 tetor, Greta Thunberg, ka kthyer mbrapsht një çmim për ambientin, bashkë me një shumë të të hollave, me arsyetimin se “lëvizja për klimën nuk ka nevojë për më shumë çmime”. Ajo ka falënderuar Këshillin Nordik për ofrim të këtij shpërblimi, dhe ka thënë se për të është “një nder i madh”.
Mirëpo sipas saj “politikanët dhe njerëzit në pushtet” duhet të dëgjojnë “shkencën aktuale”.

Më 11 dhjetor në kuadët të samitit për klimën të Kombeve të Bashkuara që po mbahen në Spanjë, Thunberg tha se dekada e ardhshme do të përcaktojë të ardhmen e planetit. Ajo akuzoi liderët botërorë se po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të mos bërë ndryshime thelbësore në çështjen e klimës.

Dikur ikonë e demokracisë, sot në gjyq për gjenocid

Dikur u pa si mbështetëse e zëshme e të drejtave universale të njeriut – e gatshme për të hequr dorë nga liria e saj, për t’iu rezistuar gjeneralëve të pamëshirshëm, që sunduan Mianmarin për dekada me radhë.

Aung San Suu Kyi, në vitin 1991, u shpërblye edhe me Çmimin Nobel për Paqe dhe kryetari i Komitetit të Nobelit në atë kohë e përshkroi si “shembull të shquar të fuqisë së të pafuqishmëve”.

Sot, tre vjet pasi u bë udhëheqëse de facto e Mianmarit, ajo është në qendër të kritikave nga të njëjtit udhëheqës dhe aktivistë ndërkombëtarë, që dikur e mbështetën.

Qindra-mijëra myslimanë Rohingya janë detyruar të zhvendosen nga Mianmari në Bangladesh, për shkak të sulmeve të ushtirisë. Dhe, Suu Kyi akuzohet se nuk ka bërë asgjë për të ndalur përdhunimet, vrasjet dhe gjenocidin e mundshëm. Ajo ka refuzuar të dënojë ushtrinë apo të pranojë mizoritë e kryera.

Mbështetësit e saj të paktë ndërkombëtarë thonë se ajo është politikane pragmatike, që përpiqet të qeverisë një vend multietnik, me një histori komplekse dhe me një shumicë budiste, që pëlqehet pak nga Rohingyat.

Ata po ashtu thonë se ushtria në Mianmar ende mban fuqi serioze politike.

Por, për kritikët, ajo e ka humbur qëndrimin moral dhe me siguri reputacionin e fuqishëm si dikush që është i gatshëm të ngrihet për të drejtat e njeriut, pavarësisht kostos personale.

Rruga drejt pushtetit

Suu Kyi, tani 73 vjeçe, e kaloi pjesën më të madhe të kohës nga viti 1989 deri më 2010 në një formë të paraburgimit, për shkak të përpjekjeve të saj për të sjellë demokraci në Mianmarin e udhëhequr nga ushtria. Ky fakt e bëri atë simbol ndërkombëtar të rezistencës paqësore kundrejt shtypjes.

Ajo udhëhoqi Lidhjen Kombëtare për Demokraci drejt fitores më 2015, në zgjedhjet e para të hapura në Mianmar pas 25 vjetësh.

Fitorja erdhi pesë vjet pasi u lirua nga arresti shtëpiak.

Edhe pse Kushtetuta e Mianmarit nuk e lejoi atë të bëhej presidente, sepse ka fëmijë që janë shtetas të huaj, Suu Kyi shihet gjerësisht si udhëheqëse de fakto.

Titulli i saj zyrtar është këshilltare e shtetit. Presidenti Win Myint është një ndihmës i saj i afërt.

Prejardhja politike

Aung San Suu Kyi është vajza e heroit të pavarësisë së Mianmarit – që ndryshe njihet edhe si Birmani – gjeneralit Aung San.

Ai u vra gjatë periudhës së tranzicionit, në korrik të vitit 1947, vetëm gjashtë muaj para pavarësisë dhe kur Suu Kyi ishte dy vjeçe.

Më 1960, ajo shkoi në Indi me nënën e saj, Daw Khin Kyi, e cila u emërua ambasadore e Mianmarit në Delhi.

Katër vjet më vonë, shkoi në Universitetin Oksford në Mbretërinë e Bashkuar, ku studioi filozofonë, politikën dhe ekonominë. Atje takoi bashkëshortin e saj të ardhshëm, akademikun Michael Aris.

Pas jetës dhe punës në Japoni dhe Butan, ajo u vendos në Mbretërinë e Bashkuar për të rritur fëmijët e saj, Alexander dhe Kim.

Kur u kthye në Mianmar, më 1988, për t’u kujdesur për nënën e saj të sëmurë, Mianmari ishte në mes të trazirave të mëdha politike.

Mijëra studentë, punonjës zyrash dhe murgj dolën në rrugë, duke kërkuar reforma demokratike.

Mbështetës të Suu Kyisë mbajnë fotografinë e saj dhe të babait të saj.

Mbështetës të Suu Kyisë mbajnë fotografinë e saj dhe të babait të saj.

“Si vajza e babait tim, nuk mund të qëndroja indiferente ndaj gjithçkaje që po ndodhte”, tha ajo në një fjalim në qytetin Rangon, më 26 gusht të vitit 1988, dhe mori përsipër udhëheqjen e revoltës kundër diktatorit të atëhershëm, gjeneralit Ne Win.

E frymëzuar nga fushatat jo të dhunshme të udhëheqësit të të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara, Martin Luther King, dhe nga Mahatma Gandhi i Indisë, ajo organizoi tubime dhe udhëtoi anembanë vendit, duke bërë thirrje për reforma demokratike paqësore dhe zgjedhje të lira.

Por, demonstratat u shtypën brutalisht nga ushtria, e cila mori pushtetin me anë të një puçi, më 18 shtator, 1988. Suu Kyi u vendos në arrest shtëpiak vitin pasues.

Qeveria ushtarake i organizoi zgjedhjet kombëtare në maj të vitit 1990, në të cilat Lidhja Kombëtare për Demokraci e Suu Kyisë fitoi bindshëm, por ushtria nuk pranoi ta dorëzonte kontrollin.

Arresti shtëpiak

Suu Kyi mbeti në arrest shtëpiak në Rangon për gjashtë vjet, derisa u la e lirë në korrik të 1995-ës.

Ajo u dërgua sërish në arrest shtëpiak në shtator të vitit 2000, pasi u përpoq të udhëtonte në qytetin Mandalaj, në kundërshtim me kufizimet e udhëtimit.

Ajo u la e lirë pa kushte në maj të vitit 2002, por pak më shumë se një vit më vonë u burgos, për shkak të një përplasjeje midis mbështetësve të saj dhe një turme të mbështetur nga qeveria.

Më vonë u lejua të kthehej në shtëpi, por përsëri nën arrest shtëpiak.

Disa herë iu mundësua të takonte zyrtarë të partisë së saj dhe diplomatë të përzgjedhur, por ajo nuk u lejua t’i shihte dy djemtë e saj apo burrin, i cili vdiq nga kanceri në mars, 1999.

Autoritetet ushtarake e lejuan të udhëtonte në Mbretërinë e Bashkuar kur ai ishte shumë i sëmurë, por ajo u detyrua të refuzonte nga frika se nuk do të lejohej të kthehej më në Birmani.

Rikthimi në politikë

Suu Kyi nuk u lejua të marrë pjesë në zgjedhjet e 7 nëntorit, 2010, të parat në Mianmar pas dy dekadash, por ajo u lirua nga arresti shtëpiak gjashtë ditë më vonë.

Djali i saj, Kim Aris, u lejua ta vizitonte për herë të parë pas dhjetë vjetësh.

Pasi qeveria e re filloi një proces reformimi, Suu Kyi dhe partia e saj iu ribashkuan procesit politik.

Kur zgjedhjet plotësuese u mbajtën në prill të vitit 2012, ajo dhe partia e saj fituan 43 nga 45 vendet në garë dhe ajo u betua si deputete dhe udhëheqëse e opozitës.

Në muajin maj të atij viti, Suu Kyi udhëtoi jashtë Mianmarit për herë të parë në 24 vjet.

“Tepër optimiste”

Megjithatë, ajo u irritua me ritmin e zhvillimit demokratik.

Në nëntor të vitit 2014, ajo tha se Mianmari nuk ka bërë ndonjë reformë të vërtetë dhe se Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë hequr pjesën më të madhe të sanksioneve kundër Mianmarit më 2012, kanë qenë “shumë optimiste” në të kaluarën.

Dhe në qershor të 2015-ës, Parlamenti i Mianmarit nuk arriti të heqë veton e ushtrisë për ndryshimet kushtetuese.

Katër muaj më vonë, më 8 nëntor, 2015, Mianmari mbajti zgjedhjet e para të hapura në 25 vjet. Lidhja Kombëtare për Demokraci shënoi fitore bindëse.

Edhe pse nuk u lejua të bëhej presidente për shkak të një kufizimi kushtetues, Suu Kyi u bë udhëheqëse de fakto në vitin 2016.

Që atëherë, udhëheqja e saj është përcaktuar nga kriza me Rohingyat.

Video: Heshtja ndaj spastrimit etnik

Pas sulmeve vdekjeprurëse në stacionet e policisë në shtetin Rakhine, në gusht të vitit 2017, ushtria e Mianmarit filloi sulme brutale ndaj pakicës etnike, duke detyruar qindra mijëra të iknin përtej kufirit në Bangladesh.

Kritikët thonë se Suu Kyi nuk bëri sa duhet për të dënuar ushtrinë.

Ajo dhe Mianmari tani përballen me një proces gjyqësor në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, me qendër në Hagë, dhe Suu Kyi udhëtoi këtë javë drejt Holandës, ku do t’i luftojë akuzat për gjenocid kundër vendit të saj.

Që nga marrja e pushtetit, Suu Kyi dhe qeveria e saj janë përballur me kritika edhe për ndjekjen penale të gazetarëve dhe aktivistëve, duke përdorur ligje të epokës koloniale.

Përparim është bërë në disa fusha, por ushtria vazhdon të mbajë një të katërtën e vendeve në parlament dhe kontrollin e ministrive kryesore – përfshirë atë të Mbrojtjes, të Punëve të Brendshme dhe të Çështjeve Kufitare.

Përgatiti: Valona Tela

Trump, Pompeo takohen me ministrin e jashtëm rus Lavrov

Presidenti Donald Trump u takua të martën pasdite pas dyerve të mbyllura në Shtëpinë e Bardhë me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov. Takimi erdhi pas shpalljes nga komisioni i ligjeve i Dhomës së Përfaqësuesve të akuzave që synojnë shkarkimin e presidentit.

Përpara kësaj, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo pati një takim me ministrin rus në Departamentin e Shtetit, ku deklaroi se çdo ndërhyrje e huaj në zgjedhjet amerikane është “e papranueshme” dhe paralajmëroi Rusinë dhe të tjerët se administrata Trump do të mbrojë integritetin e votës.

Në bisedimet e tij të gjera me homologun rus që përfshinin edhe mosmarrëveshjet për kontrollin e armëve, Ukrainën, Sirinë dhe Venezuelën, zoti Pompeo tha në një konferencë të përbashkët shtypi se administrata do t’i kundërvihet ndërhyrjes në zgjedhje, si në ato të kaluara ashtu edhe në të ardhmen.

Para takimit me Presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ministri Lavrov përsëriti mohimet ruse për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Ai tha se përfundimi i arritur nga bashkësia amerikane e inteligjencës se Rusia ndërhyri në favor të zotit Trump është “e pabazë”.

Nga ana e tij zoti Pompeo u shpreh: “Unë kam qenë i qartë: Ishte e papranueshme, dhe në fakt i bëra të qarta pritshmëritë tona për Rusinë.” “Administrata Trump, tha ai, gjithmonë do të punojë për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve tona. Pikë. Nëse Rusia ose ndonjë aktor i huaj ndërmarrin hapa për të minuar proceset tona demokratike, ne do të ndërmarrim veprime si kundërpërgjigje.”

Ministri i jashtëm rus, Lavrov ironizoi “valën e dyshimeve që ka përmbytur Uashingtonin” në lidhje me ndërhyrjen në zgjedhje, duke kërkuar përsëri që Moskës t’i dorëzohen provat e një veprimtarie të tillë nëse ekzistojnë.

“Të gjitha spekulimet në lidhje me ndërhyrjen tonë të pretenduar në proceset e brendshme të Shteteve të Bashkuara janë të pabaza,” tha zoti Lavrov. “Askush nuk na e ka dhënë këtë dëshmi sepse ajo thjesht nuk ekziston,” tha ai. Ministri hodhi një propozim të përsëritur të Rusisë për publikimin e komunikimeve konfidenciale me SHBA, për të zgjidhur shqetësimet për zgjedhjet e 2016-s që ai tha se administrata Obama nuk e pranoi.

Sekretari Pompeo nuk u shfaq i impresionuar nga oferta e zotit Lavrov dhe tha se SHBA tashmë i kanë bërë publike konkluzionet e tyre.

Vizita e zotit Lavrov në Uashington është e para që nga maji 2017.

Lavrov dhe Pompeo vunë në dukje bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit dhe anti-narkotikëve që ka vazhduar megjithë tensionet dhe shprehën shpresë se synimet e përbashkëta për Korenë e Veriut dhe Iranin mund të realizohen.

Por, ata pranuan gjithashtu se mosmarrëveshjet janë të mëdha dhe përfshijnë traktatin e ri për kontrollin e armëve që skadon vitin e ardhshëm dhe dëbimin reciprok të diplomatëve nga të dyja vendet. zëri i amerikës

Peter Handke mori çmimin Nobel mes reagimesh e protestash

Shoqatat e viktimave të luftës në Bosnje, vendosën një ekran gjigant elektronik në qendër të Sarajevës, duke portretizuar laureatin e çmimit Nobel për letërsinë, Peter Handke, si një djall që qëndron pranë kafkave, me një mesazh ku thuhet “turp të keni”.

Në Stokholm, grupe protestuesish vendosën slogane si “Jo Nobel për lajme të rreme”, dhe thirrje “Handke kërkoi ndjesë për viktimat e Srebrenicës. Sot”,

Këto ishin pjesë e protestave kundër autorit Handke, të cilin kritikët e quajnë mohues të gjenocidit, dhe vënë në pah lidhjet e tij me Sllobodan Millosheviçin, deklaratat në mbrojtje të nacionalizmit serb dhe kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Ai kishte mbajtur edhe fjalim në vitin 2006 në funeralin e ish presidentit serb i cili vdiq në Hagë derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid.

Ambasadorët e Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe Truqisë, bojkotuan ceremoninë.

“Sot është ditë e turpshme për Evropën dhe njerëzimin”, shkroi ministri i jashtëm i Kosovës në largim, Behgjet Pacolli. Kjo, tha ai “tregon se Evropa vuan nga harresa për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë, Bosnjë e Kroaci”, shkroi ai.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, shkroi se “Mohimi i gjenocidit duhet të kundërshtohet Kemi udhëzuar ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në Suedi që të mos marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel për (Peter) Handken”, shkroi ai.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, më herët gjatë ditës akuzoi Akademinë Suedeze për shpërblim të shkelësve të të drejtave të njeriut duke i dhënë çmimin Nobel autorit Handke.

Të hënën edhe Kroacia e Bosnja thanë se kanë udhëzuar ambasadorët të bojkotojnë ceremoninë.

Peter Handke refuzoi javën e kaluar t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me mbështetjen e tij për Sllobodan Millosheviçin, në një paraqitje në Stokholm. zëri i amerikës

OSBE-ja paralajmëron Shqipërinë të mos kufizojë lirinë e mediave online

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) u ka bërë thirrje autoriteteve në Shqipëri që të ndryshojnë projektligjin rreth sistemit të ri të regjistrimit të mediave online.

Përfaqësuesi për liri të mediave në këtë organizatë, Harlem Desir, ka kërkuar nga Parlamenti i Shqipërisë që ndryshimet të bëhen ndonëse shumica prej tyre do të varen nga “zbatimi”.

Ai ka theksuar se agjencia rregullatore duhet të jetë plotësisht e pavarur dhe e lirë nga ndikimi politik.

Projektligji i vitit të kaluar për mediat online dhe kërcënimet e qeverisë për vendosje të gjobave të ashpra në mediat e paregjistruara elektronike janë kritikuar nga OSBE-ja dhe organizatat e mediave.

Desire ka thënë se ligji nuk duhet të interpretohet si e drejtë për censurë apo kufizim i lirisë së shprehjes.

Sipas tij mundësia e bllokimit të qasjes në materiale online duhet të kufizohet në tri aspekte: pornografi të fëmijëve, promovimi i akteve terroriste dhe shkelja e sigurisë kombëtare.

Kriza në lindje të Ukrainës kthehet në axhendën globale

Gjermania, Franca, Rusia dhe Ukraina rifillojnë dialogun në formatin e Normandisë për të gjetur një zgjidhje të krizës në Ukrainën lindore, raporton Anadolu Agency (AA).

Samiti i Katërshes së Normandisë do të zhvillohet sot në Paris me pjesëmarrjen e Kancelares gjermane, Angela Merkel, Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin dhe Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Kjo do të jetë ngjarja e parë zyrtare me pjesëmarrjen e liderëve ukrainas dhe rusë, të cilët do të zhvillojnë një takim dypalësh të veçantë në margjinat e samitit për të diskutuar mbi situatën në Krime dhe Donbass.

Zelensky vazhdon përpjekjet e tij për t’i dhënë fund krizës në Ukrainën lindore, në përputhje me premtimet e tij zgjedhore, dhe ka arritur të ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm, duke përfshirë shkëmbimin e të arrestuarve dhe kthimin e anijeve ukrainase të kapura nga Rusia në një konfrontim vitin e kaluar.

Presidenti i Ukrainës nxiti rifillimin e bisedimeve në formatin e Katërshes së Normandisë, që pezulluan në vitin 2016 dhe dukej se ishin harruar nga Perëndimi.

Grupi trepalësh i kontaktit në Donbas, falë Zelenskyt, miratoi planin e veprimit “formula e Steinmeier-it” gjatë bisedimeve të shtatorit në Minsk.

Ky është një mekanizëm që sugjeron zbatimin gradual të marrëveshjes së Minskut të vitit 2015 për të ndaluar konfliktin në Ukrainën lindore, duke propozuar një autonomi më të gjerë në rajonet Donetsk dhe Lugansk të Ukrainës dhe mbajtja e zgjedhjeve lokale nën mbikëqyrjen e Kievit.

Është arritur dakordim që Formula Steinmeier të paracaktojë samitin e Normandisë gjatë takimit në Minsk.

Ish-Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, mohoi formulën e Steinmeier, duke thënë se forconte pozicionet e separatistëve. Moska e quajti të pamundur takimin e Putinit dhe Zelenskyt pa marrëveshje për këtë çështje të veçantë.

Megjithë presionin e madh të opozitës, Zelensky miratoi mekanizmin, duke gjetur reagim pozitiv te Gjermania, Franca dhe Rusia.

Pozicioni rus ka qenë i vazhdueshëm që nga fillimi i krizës në Ukrainën lindore, ndërsa Ukraina, nën drejtimin e Zelenskyt, provon mjete diplomatike dhe nuk kërkon konfrontim të mëtejshëm me Moskën.

Edhe pse Zelensky shihet si një politikan i papërvojë, ekspertët thonë se hapat e tij të ardhshëm mund të çojnë në një zgjidhje paqësore të tensioneve në lindje të Ukrainës.

Së paku pesë të vdekur nga vullkani në Zelandën e Re

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern.

Një vullkan shpërtheu në Zelandën e Re, duke lënë të vdekur së paku pesë persona dhe plagosur disa të tjerë.

Vullkani shpërtheu në Ishullin e Bardhë, nga ku u shpëtuan 23 vetë.

Autoritetet thanë se rreth 100 persona besohet të kenë qenë pranë.

“E dimë se ka pasur një numër turistësh në dhe përreth ishullit në atë kohë, si qytetarë të vendit, ashtu edhe vizitorë”, tha kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern.

Ajo shtoi se policia ka nisur operacionin e kërkim-shpëtimit, porse hiri i vullkanit po i pengon përpjekjet.

Vullkani në Ishullin e Bardhë është një nga më aktivët në Zelandën e Re.

Më 3 dhjetor, ueb-faqja e monitorimit të rreziqeve gjeologjike GeoNet paralajmëroi se “vullkani mund të jetë duke hyrë në një periudhë kur aktiviteti shpërthyes ka më shumë gjasa të ndodhë”, megjithëse shtoi se “niveli aktual i aktivitetit nuk paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për vizitorët”.

Trump realizon vizitën e parë në Afganistan

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë rinisur bisedimet me talibanët, teksa ka realizuar një vizitë të papritur për Festën e Falënderimeve te trupat amerikane në Afganistan, duke shënuar kështu vizitën e parë në shtetin e shkatërruar nga lufta prej kur ka nisur udhëheqësinë më 2017.

Talibanët dëshirojnë të arrijnë një marrëveshje dhe ne do të takohemi me ata”, u ka thënë ai gazetarëve në veri të Kabulit, duke shtuar: “Ne kemi thënë se duhet të ketë armëpushim dhe ata më parë nuk kanë dëshiruar armëpushim dhe tani duan të kenë armëpushim”.

“Me siguri se do të funksionojë ashtu”, ka thënë ai.

Udhëtimi i Trumpit vjen një javë pas lirimit të dy pengjeve perëndimore nga talibanët, në këmbim të tre të burgosurve talibanë, duke rritur kështu shpresat për rikthim të bisedimeve për paqe.

Shtetet e Bashkuara dhe talibanët kanë zhvilluar bisedime gati një vit për t’i dhënë fund luftës 18-vjeçare në Afganistan, para se Trump të pezullonte bisedimet në muajin shtator.

Agjencia e lajmeve, Reuters ka raportuar se zyrtarë talibanë ka thënë se ky grup është takuar me zyrtarë të lartë amerikanë në Doha në fundjavën e kaluar, duke shtuar se shumë shpejt do të rikthehen bisedimet.

“Qëndrimi jonë vazhdon të jetë i njëjtë. Nëse nisin bisedimet për paqe, do të vazhdojnë aty ku janë ndalur”, ka thënë zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid për Reuters, pak pasi Trump ka thënë se bisedimet do të rinisin.

Në bazën ajrore në Bagram, presidenti amerikan ka pranuar se numri i trupave amerikane është duke u zvogëluar, mirëpo ka insistuar se SHBA-ja do të vazhdojë të ketë prezencë aty derisa të arrihet marrëveshje apo të ketë fitore, meqë sipas tij talibanët duan që patjetër të ketë marrëveshje.

Aktualisht janë rreth 13,000 trupa ushtarake në Afganistan, dhe forca evropiane që marrin pjesë në kuadër të misionit të NATO-s.

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij afgan, Ashtaf Ghani.

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij afgan, Ashtaf Ghani.

Ekipi i presidentit afgan, Ashraf Ghani ka publikuar muajin e kaluar një propozim prej shtatë pikave, me qëllim të rikthimit të bisedimeve mes SHBA-së dhe talibanëve.

Deri më tani talibanët kanë refuzuar që të bisedojnë me Qeverinë afgane, duke e konsideruar kukull të perëndimit.

Në Bagram, Trump është pritur nga gjenerali ushtarak amerikan, Mark Milley.

Presidenti amerikan është shoqëruar nga Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, është takuar me presidentin afgan Ghani, zyrtarët e të cilit kanë thënë se kanë kuptuar për vizitën e Trumpit vetëm disa orë përpara.

Lideri afgan ka falënderuar Trumpin për “shtyrje përpara të paqes që do të garantonte arritjet e vitit të kaluar dhe do të garantonte siguri”.

Më vonë, përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, Ghani ka thënë se “në takimin tonë bilateral, ne kemi diskutuar përparimin e rëndësishëm që kemi bërë bashkërisht në përpjekjet ushtarake në fushëbetejë, duke përfshirë shkatërrimin e grupit militant, Shteti Islamik në lindje të Afganistanit. Presidenti Trump ka vlerësuar përpjekjet e palodhshme të forcave afgane të sigurisë në këto luftime”.

“Të dyja palët kanë vlerësuar se nëse talibanët janë të sinqertë në përkushtimin e tyre për arritje të paqes, ata duhet të pranojnë armëpushimin. Ne po ashtu kemi vlerësuar se për të zgjatur paqja, strehët e sigurta për terroristët jashtë Afganistanit, duhet të shpërbëhen”, ka shkruar Ghani.

Gjatë vizitës së tij në bazën ushtarake, Trump ka shtruar darkë për trupat amerikane, për nder të Festës së Falënderimeve.

Presidenti Trump u ka shërbyer ushqim ushtarëve amerikanë për nderë të Festës së Falënderimeve.

Presidenti Trump u ka shërbyer ushqim ushtarëve amerikanë për nderë të Festës së Falënderimeve.

Në këtë festë, që është traditë në SHBA, që familjet amerikane të darkojnë së bashku.

Përgatiti: Krenare Cubolli