VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Vezë e rrahur me kos dhe djathë – Shije dhe shëndet

By | September 4, 2019

Komentet

Sultjash i pjekur – Receta me shije dhe shëndet të mirë

Përveç shijes, kjo recetë që sjell AgroWeb.org është e shëndetshme dhe zgjedhja perfekte pas një vakti të plotë.

Nëse ju ka pëlqyer sultjashi kur e përgatiste gjyshja, atëherë keni për t’u mrekulluar me këtë recetë.

Sultjashi i pjekur është një ëmbëlsirë delikate me bazë orizi dhe qumështi, e cila përgatitet në disa hapa.

Përveç shijes, kjo recetë që sjell AgroWeb.org është e shëndetshme dhe zgjedhja perfekte pas një vakti të plotë.

Mund të serviret e ngrohtë ose e ftohtë, por përbërësi kryesor, qumështi, duhet të jetë me patjetër i papërpunuar i fshatit.

Amvisat thonë se kleçka e përgatitjes së kësaj recete, është gatimi në zjarr të ndagaltë, përzjerja e përhershme dhe shumë shumë durim.

Përgatitja e Sultjashit të Pjekur

Përbërësit

Gjysmë gotë me oriz të bardhë

4 gota e gjysmë me qumësht fshati

4 lugë gjelle me sheqer

2 lugë gjelle me niseshte misri

1 e kuqe veze e rrahur me tre lugë gjelle qumësht fshati

Përgatitja

Ndizni furrën në 180 gradë Celsius.

Pasi të keni larë me ujë të bollshëm orizin vendoseni në një tenxhere të madhe dhe mbulojeni me ujë.

Vendoseni në zjarr që të zjejë dhe kur të shikoni që krijohen bulëza ulini nxehtësinë.

Lëreni orizin që të zjejë ngadalë dhe të zbutet përreth pesë minuta.

Shtoni aty tre gota e gjysmë me qumësht fshati, sheqerin dhe nëse dëshironi pak vanilje për më shumë ëmbëlsi.

AgroWeb.org ju këshillon që të vashdoni ta përzjeni me ndihmën e telit të kuzhinës derisa të vlojë përsëri.

Duke e përzjerë gjatë gjithë kohës duhet të prisni dhe dhjetë minuta, por AgroWeb.org ju sugjeron që të tregoni kujdes me orizin.

Nëse nuk e përzjeni gjatë gjithë kohës, ndërkohë që qumështi me orizin zjenë, ka shumë mundësi që kokrrat e orizit do të ngjiten në fundin e tenxheres.

Në një tas të vogël, përzjejmë gotën e mbetur të qumështit me niseshtenë e misrit derisa të formohet një masë e njëtrajtshme.

Duke e përzjerë orizin me qumështin, shtojmë masën me niseshte ngadalë.

Më pas ngrini nxehtësinë dhe vashdoni të përzjeni derisa të vini re që qumështi ka nisur të avullojë.

Në këtë moment masa e përgatitur do të fillojë të mpikset, AgroWeb.org ju këshillon që të vazhdoni të përzjeni dhe përreth dy minuta.

Për pjekjen

Largojeni tenxheren nga zjarri, dhe me një garuzhde mbushni tasa të vegjël balte apo inoksi me këtë përbërje.

Me një lugë spërkatni pak nga e verdha e vezës e rahur në qumësht, në sipërfaqen e sultjashit.

Sigurohuni që ta hidhni nga qendra e tasit drejt buzëve të tij.

Vendosini tasat e vegjën në një tavë të mbushur me pak ujë, e më pas në furrë për t’i pjekur për rreth 20 minuta, ose derisa të krijohet një shtresë e artë.

Pasi t’i keni nxjerrë nga furra lërini që të ftohen pak, nëse doni mund ta servirni të ngrohtë, ose ta vendosni në frigorifer për cilindo që kërkon diçka të freskët.

Vezë e rrahur me kos dhe djathë – Shije dhe shëndet

Receta e Përgatitjes së Vezës me Kos.

Veza e rrahur është ushqimi ikonë i fillimit të mëngjeseve thuajse në të gjithë globin.

Gjendet e kombinuar dhe e gatuar në shumë mënyra në varësi të shijeve të gjithësecilit.

Përveçse shumë e shijshme, veza është perfekte për të nisur ditën me energjitë dhe vlerat e duhura.

Për të gjithë adhuruesit e saj AgroWeb.org sjell një mënyrë të re dhe shumë të shijshme përgatitje.

Veza e rrahur me kos dhe djathë të bardhë është një mrekulli që duhet patjetër t’a provoni.

Shija e butë që i dhuron kosi dhe djathi këtij gatimi e bën atë ideal edhe për fëmijët.

Më poshtë do të gjeni mënyrën e saktë të përgatitjes së kësaj recete.

Përbërësit

4 vezë

1 lugë çaji vaj ulliri

2 lugë gjelle kos

2 feta djathë i bardhë

kripë

piper i zi

disa fije koper sipas dëshirës

Përgatitja

Për të nisur këtë recetë AgroWeb.org ju këshillon të zgjidhni tiganin ku do të skuqni vezët.

Vendoseni atë në zjarr mesatar duke e spërkatur me pak vaj ulliri.

Ndërkohë në një enë të thellë hidhni vezët, kosin, pak kripë, piperin e zi të bluar dhe një lugë gjelle koper të bluar sipas dëshirës.

Filloni t’i rrihni bashkë të gjithë këta përbërës me anë të një teli kuzhine, piruni apo rrahësi elektrik derisa të jenë përzier mirë me njëri tjetrin.

Më pas hidheni vezën e rrahur në tigan dhe përziejini rregullisht për 4-5 minutate para, derisa të fillojë të skuqet dhe fryhet.

Shtoni edhe copat e djathit të therrmuar dhe vazhdoni me përzierjen.

Bëjeni këtë derisa të shikoni që të gjithë përbërësit janë skuqur dhe lidhur me njëri tjetrin.

Hiqeni vezën nga zjarri dhe mund t’a shërbeni menjëherë duke i hedhur sipër edhe disa fije të tjera koperi.

Si të përgatisni dhallë me ujë të gazuar – Plot vlera dhe shije të mrekullueshme

Përveç ujit shumë të shëndetëshëm, në Shqipëri një ndër pijet më të dashura dhe të shëndetëshme gjithashtu është dhalla.

Vera e lajmëroi ardhjen e saj me temperaturat që çdo ditë e më shumë po arrijnë majat dhe duket sikur nuk po mbaron.

Zgjidhja e vetme për t’i shpëtuar nxehtësisë duket se janë pijet e freskëta.

Përveç ujit shumë të shëndetëshëm, në Shqipëri një ndër pijet më të dashura dhe të shëndetëshme gjithashtu është dhalla.

E pasur me kalçium dhe proteina nga kosi, është shumë e thjeshtë në përgatitje dhe e mrekullueshme në shijim.

Ka shoqëruar familjet për qindra vite me rradhë dhe është një pije tradicionale me bazë kosi të holluar me ujë.

Prandaj sot po j’ua sjellim në vëmendje dhallën e mrekullueshme dhe freskuese.

Në shkrimin e sotëm AgroWeb.org ju tregon se si t’a përgatisni këtë pije me dy shije të reja.

Ndiqeni më poshtë mënyrën e saktë të përgatitjes së re të dhallës që do t’ju freskojë gjatë gjithë verës.

Dhallë me ujë të gazuar

Uji i gazuar i jep një shije interesante kësaj pije pasi e bën të ngjashme me pijet e zakonshem të gazuara, veçse shumë më të shëndetëshme.

Duke qënë se është një pije tradicionale dhalla përgatitet me një mjet po ashtu tradicional siç është dybeku.

Gjithësesi nëse nuk e keni në shtëpi mund të zhgjidhni t’a kryeni proçesin e bërjes së kësaj pije në mikser apo duke e tundur për disa minuta në një shishe të thjeshtë.

Për të përgatitur këtë dhallë të gazuar do t’ju duhen 500 ml kos dhe 1 litër ujë i gazuar.

Hidhini të dy këta përbërës në mikser, dybek apo shishe dhe mbyllini mirë me kapak ose tapë.

Nëse ju pëlqen që kjo pije të ketë një shije më të trashë mund të shtoni pak më shumë kos.

Një tjetër mënyrë është të mos shtoni shumë ujë në këtë mënyrë do të jetë më kremoze.

Ndërkohë filloni të tundni apo përzieni dhallën për 30 sekonda deri 1 minutë derisa të shikoni që është holluar plotësisht.

Sipas dëshirës shtoni akull dhe ruajeni gjithnjë të freskët në frigorifer.

Dhallë me gjethe nenexhiku

Mënyra e dytë dhe shumë interesante e përgatitjes së kësaj pije plot me shije, është t’i shtoni disa gjethe nenxhiku brenda.

Njejtë si në proçesin e mësipërm do t’ju duhen 500 ml kos dhe 1 litër ujë që në këtë rast mund t’a zgjidhni natyral.

Tundini mirë të dy këta përbërës dhe në fund shtojini disa gjethe të grira nenexhiku.

Lëreni dhallën në frigorifer për rreth 1 orë, në mënyrë që të jetë mjaftueshëm e ftohtë.

Në këtë mënyrë edhe nenexhiku të lëshojë aromën e tij të freskët.

Bashkimi i freskisë së nenexhikut dhe shijes së mirë të dhallës do të kthehet ndër më të preferuarat e të gjithë stinës.

Jo vetëm shumë e shijshme dhalla me nenexhik është edhe një burim i madh vlerash për kockat dhe qetësimin e mendjes.

Ditëve përvëluese të verës tashmë mund t’ju bëni ballë duke konsumuar këtë pije të mrekullueshme.

Picë e pjekur në tigan – Si ta përgatisni plot shije vetë në shtëpi

Mënyra e saktë e përgatitjes së brumit është çelësi i përgatitjes së një pice të mirë.

Kjo është një recetë fantastike, me shije të mrekullueshme e mbi të gjitha krejt e shëndetshme.

Kjo recetë kërkon durimin e amvisave, kjo pasi procesi i përgatitjes së brumit pavarësisht se është shumë i thjeshtë kërkon kohë të jetë gati.

E veçanta e kësaj recete është pjekja e saj në tigan dhe jo në furrë.

Mënyra e saktë e përgatitjes së brumit është çelësi i përgatitjes së një pice të mirë.

Më poshtë do mësoni nga AgroWeb.org hapat që duhet të ndiqni për përgatitjen e picës së shtëpisë në tigan.

Përgatitja e Picës në Tigan

Përbërësit

400 gr miell gruri

2 lugë çaji me kripë

4 gr maja ose 1 lugë çaji

280 ml ujë

1 lugë gjelle vaj ulliri

1 filxhan çaji me salcë domateje si pure

Mbushja sipas dëshirës

300 gr djathë kaçkavall i grirë

Një filxhan çaji me ullinj të prerë në feta

Salçice ose proshutë

Një filxhan çaji me kërpudha të ziera më parë

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon që të shtoni në një tas miellin, ujin e vakur, kripën, majanë e tretur në pak ujë të vakët më parë si dhe vajin e ullirit.

Përgatisni brumin me duar derisa të krijohet një masë e butë.

Tasi ku përgatisni dhe do vendosni brumin e përgatitur duhet të jetë shumë i madh pasi brumi do lihet që të pushojë dhe vëllimi i tij do të rritet.

Pasi keni përgatitur brumin mbulojeni me një qese plastike kuzhine duke puthitur mirë gjithë sipërfaqen e tasit.

Lëreni të pushojë në temperaturë ambjenti përreth 2 orë.

Vëllimi i brumit do rritet.

Pasi të jetë gati, spërkateni pak brumin e ardhur me pluhur mielli dhe transferojeni në tavolinën e kuzhinës, të cilën për parë e keni spërkatur me pluhur mielli gjithashtu.

Ndajeni brumin në dy pjesë, dhe secilën prej tyre dhe punojeni me dorë duke i sjellë të dyja masat në toptha të rrumbullakët.

Merrni një tigan, AgroWeb.org ju këshillon që të përdorni një tigan me sipërfaqe me diametër  28 cm dhe lartësi 6 cm.

Shtoni dy lugë vaj ulliri dhe përhapeni në të gjithë sipërfaqen duke u kujdesur që përmes një furçe kuzhine të lyeni edhe anët e tiganit.

Vendosni një nga topthat e brumit të përgatitur dhe përdorni pëllëmbën e dorës duke përhapur brumin rreth e rrotull gjithë sipërfaqes së tiganit.

Mbulojeni sipërfaqen e tiganit me një qese plastike kuzhine dhe lëreni brumit të pushojë edhe për 2 orë të tjera në temperaturë ambjenti.

Pas dy orësh, brumi do ketë rritur vëllimin e tij, shtypeni me pëllëmbën e dorë rreth e rrotull tiganit derisa volume të sheshohet disi.

Mbushja e Picës

Lyejeni gjithë sipërfaqen e brumit në tigan me salcën e domates.

Spërkateni me djathë kaçkavall, shtoni fetat e ullinjve, kërpudhave, mbushja mund të jetë sipas preferencës. mund të shtoni speca të grirë hollë, salçiçe të prera në feta etj.

Spërkateni me pak kripë dhe vaj ulliri.

Vendoseni tiganin në zjarr të ngadaltë, mbylleni me kapak dhe lëreni të piqet ngadalë.

Kontrollojeni herë pas herë përmes një thike apo spatule pjesën e poshtme të picës derisa të piqet plotësisht.

5 minutat e fundit para se ta hiqni nga zjarri spërkateni sërish me djathë kaçkavall mbylleni sërish kapakun, lëreni edhe për pak minuta derisa djathi të shkrijë dhe pica është gati.

Llokuma Veriu – Mësoni recetën e shijshme të traditës

Llokuma Veriu.

Nga emri mund të gënjeheni e të mendoni për llokumet me arra, por receta e më poshtme bën fjalë për petulla.

Njihen më së shumti si “llokuma”, këto petulla janë karakteristikë e veriut të Shqipërisë dhe Kosovës.

AgroWeb.org ju sjell këtë recetë tradicionale që premton shije perfekte.

Mund t’i përgatisni kurdoherë për të miqtë dhe të afërmit tuaj pasi janë shumë të lehta për t’u përgatitur.

Mjafton kombinimi i duhur i sasisë së miellit dhe kosit dhe ju do të mrekulloheni me shijen e tyre.

Përbërësit

700 – 800 gr miell

1 gotë uji me kos (250 ml)

3 vezë

1 lugë çaji me sodë buke

Pak sheqer dhe kripë

Përgatitja

Në një tas të madh hidhni vezët, kosin, sheqerin e kripën  dhe me telin e kuzhinës rrihini derisa të formoni një masë të njëtrajtshme.

Ndërkohë bashkoni miellin me sodën e bukës dhe së pari kalojini në sitë.

Kështu do të shmangni krijimin e kokrrizave në brumin e petullave.

Hidheni miellin tek përzierja e kosit dhe vezëve me ndihmën e një lugë gjelle.

Brumi do të jetë më i trashë se i petullave të zakonshme por më i butë sesa ai i byrekut.

Kur të keni mbaruar sasinë e miellit kalojeni në tavolinë dhe punojeni me duar.

Ndajeni brumin në dy pjesë dhe lëreni të pushojë për 30 minuta.

Më pas AgroWeb.org ju sugjeron që ta hapni me petës në formën e një pete me trashësi 1 cm.

Priteni në forma të ndryshme me ndihmën e një thike dhe ndërkohë vendosni një tigan me vaj që të ngrohet.

AgroWeb.org ju këshillon që t’i skuqni petullat duke i kthyer nga të dyja anët derisa të marrin një ngjyrë të artë.

Kur të keni mbaruar me pjesën e parë të brumit hapni dhe tjetrën dhe ndiqni po të njëjtët hapa.

Servirini të ngrohta duke i shoqëruar me reçel, mjaltë ose për personat që preferojnë ushqimet e kripura mund t’i kombinojnë me djathë të bardhë.

Salcë me patëllxhanë – Nga të vjetrat e traditës shqiptare

Në Shqipëri, patëllxhani kultivohet prej shekujsh dhe është pjesë e pandarë e gatimeve vendase.

Përdorimi i tij mbetet pjesë e traditës orientale të gatimit me shembullin më të mirë atë të tavës ‘imam bajalldi’, por edhe format e reja të gatimit si pjesë e turlive me zarzavate të ziera janë tradicionale për shqiptarët.

Pa harruar që glikoja me patëllxhanë të vegjël mbushur me bajame është një specialitetet më vete.

Më poshtë AgroWeb.org u sugjeron një recetë fantastike, të vjetër të kuzhinës shqiptare, atë të salcës me patëllxhanë, e cila përgatitet krejt lehtë dhe është e mrekullueshme në shije e në shoqërimin e vakteve të drekës apo darkës.

Salca me Patëllxhanë e Hudhra në Shtëpi    

Përbërësit

4 patëllxhanë mesatarë

Gjysmë kokërr qepë të grira hollë

2-3 thelpinj hudhër e shtypur

Gjysmë filxhani çaji me vaj ulliri

Katër lugë çaji me lëng limoni

Kripë

Piper

Majdanoz i freskët i grirë hollë

Përgatitja

Për të përgatitur këtë salcë fantastike niseni punën duke pjekur patëllxhanët në furrë të parangrohur me 200 gradë celcius.

Nëse vendosni t’i piqni të paprera përmes një piruni bëni disa vrima mbi patëllxhanë dhe lërini të piqen përreth 1 orë.

Në të kundërt, nëse doni të shkurtoni kohë prijini patëllxhanët në feta, hidhuni sipër dy tre thelpinj hudhre, kripë dhe piper, vaj ulliri dhe mbulojini me një letër pjekjeje. Për këtë version lërini të piqen për 20 minuta derisa të zbuten.

Për këtë recetë u duhet të përdorni vetëm tulin e patëllxhanëve dhe jo lëkurën. Qëroni lëkurën e patëllxhanëve dhe mbani tulin.

Vendosni tulin bashkë me përbërësit e tjerë në një tas të madh dhe përzjejini me një lugë druri.

Nëse preferoni që kjo salcë të ketë një përmbajtje kremoze atëherë shtojini të gjithë përbërësit në mikser duke hedhur gradualisht vajin e ullirit.

Në të kundërt shtypni tulin e patëllxhanit përmes një piruni dhe pasi salca të jetë bërë e njëtrajtshme vendoseni në frigorifer që të pushojë.

Kjo salcë shërbehet e spërkatur me vaj ulliri dhe me disa kokrra ulliri sipër saj. Shoqërohet në mënyrë të përkryer me bukë të thekur.

Gliko tradicionale shalqini – Dy receta fantastike si ta përgatisni në shtëpi

Glikoja u ofrohet miqve me të hyrë në shtëpi dhe është një tregues i mikpritjes shqiptare.

Mënyrat e përgatitjes lehtësisht në shtëpi

Shqipëria është e njohur për glikotë e saj të mrekullueshme me fruta, por edhe me perime si patëllxhani apo edhe domatet, por ajo që pëlqehet veçanërisht, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga të huajt është reçeli apo glikoja e shalqinit.

Glikoja u ofrohet miqve me të hyrë në shtëpi dhe është një tregues i mikpritjes shqiptare.

Glikotë më popullore janë edhe ato të arrave, rrushit pa fara, manave, kajsive, mollëve, pjeshkave, qershive të ëmbla dhe të tharta, portokalleve e qitrove, limonëve e mandarinave.

AgroWeb.org do t’ju tregojë dy mënyra për përgatitjen e glikosë së shalqinit.

Mënyra e parë

• 1 kg lëkurë shalqini
• 2 shkopa vanilie
• 2 limona
• 1 kg sheqer

Për të përfituar një reçel shalqini sa më të mirë, së pari ju duhet një shalqi me lekurë të trashë, pasi ky reçel behet vetëm me të bardhën e lëkurës së shalqinit.

Pasi të qëroni pjesën e jashtme jeshile të tij, priteni pjesën e bardhë në copa 1 centimetër të trashë. Futini copat e shalqinit në tenxhere dhe ziejini për 10 minuta.

Ndërroni ujin e nxehtë me ujë të ftohtë dhe ziejini përsëri për 10 minuta.

Pastaj futni copat në tenxhere me ujë të ftohtë dhe i ndërroni ujin 6 – 8 herë për 24 orë.

Për një kilogram shalqi duhen 1 kilogram sheqer kaf, ose sipas dëshirës. Në tenxhere hidhet sheqeri dhe ujë sa të mbulojë nivelin e sheqerit.

Ziejeni deri sa të keni shërbetin e trashë e pastaj hidhen copat e shalqinit.

Më pas shtohet edhe vanilja dhe 2 limonat e shtrydhur. Ziejeni edhe për 20 minuta dhe fikeni zjarrin.

Hiqni shkumën dhe mbuloni tenxheren me napë deri sa të ftohet. Ruajeni në frigorifer dhe servireni të ftohtë

Mënyra e dytë

1 kg lëkura shalqini të qëruara
1 kg sheqer
1/3 lugë kafe me vanilie
1 limon (lëngun)

Për lëkurat e shalqinit

2 lugë supe me gëlqere
10 gota me ujë

Përgatitja

Pasi të qëroni pjesën jeshile të jashtme të shalqinit prisni pjesën e bardhë të lëkurave në kubikë.

Tretni 2 lugët e gëlqeres në 10 gota ujë dhe hidhni në të shalqinin e prerë në kubikë.

Lereni shalqinin në ujin e gëlqeres për 2 orë dhe më pas kullojeni dhe shpëlajeni me ujë të rrjedhshëm.

Në një tenxhere hidhni pjesët e shalqini, sheqerin dhe lerini të ziejnë në zjarr te ngadaltë.

Pasi fillon të trashet shtoni vanilien, lengun e limonit përziejini mirë dhe lerini edhe 7 minuta te tjera ne zjarr me temperaturë të ulët.

Hiqni nga zjarri dhe lereni të ftohet plotësisht.

Vendoseni në vazo të sterilizuara./AgroWeb.org

Bukë misri me vaj ulliri – Receta me butësinë dhe aromën më të mirë

Receta që AgroWeb.org ju sjell sot është perfekte për ta shoqëruar me çdo recetë supe apo sallate.

Një recetë që vërtetë do t’ju pëlqejë dhe do të bëhet e preferuara juaj.

Ju duhen vetëm 20 minuta dhe do të shijoni një bukë të ngrohtë, të butë dhe plot aromë falë vajit të ullirit dhe erëzave.

Receta që AgroWeb.org ju sjell sot është perfekte për ta shoqëruar me çdo recetë supe apo sallate si me perime të freskëta por dhe me të pjekura.

Madje mund ta konsumoni në çdo vakt të ditës, pasi ajo qëndron e butë për një kohë të gjatë.

Përbërësit

100g miell misri

60g miell gruri

1 lugë gjelle me djathë kaçkavall të grirë

1 lugë e gjysmë me sodë buke

1 lugë çaji me gjethe rozmarine të grirë

Gjysmë thelbi hudhër i grirë

Gjysmë luge çaji me kripë

1 vezë

180 ml qumësht

3 lugë gjelle me vaj ulliri

Përgatitja

AgroWeb.org ju këshillon që në fillim të ndizni furrën në 220 gradë që të ngrohet.

Ndërkohë në një tas të madh hidhni miellin, sodën e bukës, djathin, rozmarinën e grirë, hudhrën dhe kripën.

Përzjejini mirë në mënyrë që përbërësit të krijojnë një masë të njëtrajtshme.

Më pas në një tas tjetër rrihni vezën me qumështin dhe dy lugë gjelle vaj ulliri, derisa të formohet një salcë e hollë.

Hidhni ngadalë miellin me përbërësit e tjerë, dhe përzjejeni pa ndërprerje në mënyrë që të mos krijohen kokrriza.

Pasi brumi të jetë lidhur, duhet ta përzieni edhe për disa minuta të tjera në mënyrë që brumi të ketë ajër.

Ndërkohë tavën spërkateni me vajin e mbetur dhe spërkatni djathë kaçkavall në fundin e saj.

Hidhni aty brumin që përgatitët dhe përhapeni mirë me ndihmën e një luge në mënyrë që buka të piqet njëtrajtësisht.

Futeni për ta pjekur për 12-15 minuta ose derisa sipërfaqja e saj të jetë e artë.

Priteni në katrorë dhe shërbejeni të ngrohtë duke e shoqëruar me djathë apo kos dhe dhallë.

Patate të pjekura me krem qumështi – Receta me shije fantastike

Të përgatitura me krem qumështi, patatet arrijnë të zbuten plotësisht por pa e humbur formën e tyre.

Një recetë perfekte e cila me aromën e saj do t’i tërheqë të gjithë pranë tryezës.

Në dy hapa ju do të keni përgatitur një drekë të shijshme dhe të plotë e cila mund të shoqërohet me çdo sallatë.

Të përgatitura me krem qumështi, patatet arrijnë të zbuten plotësisht por pa e humbur formën e tyre.

Vetëm kini kujdes pasi është një ushqim kalorik të mos e shkelni me sasinë që konsumoni.

AgroWeb.org ju këshillon që për këtë recetë të zgjidhni patatet e reja ose ato të vogla.

Përbërësit

3 lugë gjelle gjalpë

3 lugë gjelle me miell

Një lugë e gjysmë me kripë

Një majë luge piper i zi

2 gota me qumësht

1 gotë me djathë kaçkavall të grirë

6 patate mesatare te reja ose 8-9 patate te vogla

Gjysmë qepe

Përgatitja

Si fillim AgroWeb.org ju këshillon që të qëroni dhe të prisni në feta jo shumë të trasha patatet.

Mbushni një tas me ujë dhe futini fetat e patateve aty kështu do të largoni niseshtenë e tepërt që ato kanë.

Ndërkohë në zjarr vendosni një tenxhere dhe hidhni gjalpin që të shkrihet.

Më pas shtoni dhe miellin dhe me një lugë druri përzjejeni mirë në temperaturë të ulët.

Hidhni kripën dhe piperin dhe skuqeni derisa të jetë formuar një pastë e njëtrajtshme.

AgroWeb.org ju këshillon që tani të shtoni ngadalë qumështin dhe ta lini të kthejë një valë.

Pasi të ketë valuar lëreni të ziejë dhe për dy minuta të tjera, në mënyrë që masa të trashet.

Largojeni nga zjarri dhe shtoni aty djathin e grirë kaçkavall dhe përzjejeni derisa ai të ketë shkrirë.

Qëroni qepën dhe grini vetëm gjysmën e saj.

Shtojeni qepën tek kremi i qumështit dhe pasi ta keni përzierë shtoni fetat e patates.

Merrni një tavë dhe lyejeni me pak gjalpë ose vaj ulliri sipas preferencës dhe aty hidhni masën që përgatitët.

Piqeni tavën për 30-40 minuta ose derisa patatet të jenë zbutur plotësisht.

Pasi sipërfaqja të ketë marrë një ngjyrë të artë hiqeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet, në mënyrë që të mpikset.

Më pas priteni dhe servireni për të gjithë të dashurit tuaj.

Mund ta ruani edhe në frigorifer, mjafton që ta mbuloni me qese kuzhine dhe ta fusni në frigorifer.

Prevedeja e Thanës – Si ta përgatisni për shije dhe shëndet të mirë

Prevedeja e thanës përdoret edhe për lehtësimin e komplikacioneve që sjell i ftohti.

Prevedeja është e shijshme, e lehtë dhe e butë, delikate në përbërjen e saj xhelatinoze dhe fantastike teksa përgatitet si shurup.

Prevedeja është simboli i mjeshtërisë së amvisave shqiptare në përgatitjen e ëmbëlsirave unike të kuzhinës sonë tradicionale.

Në vazhdën e recetave interesante të publikuara rregullisht, lexuesit e AgroWeb.org, kanë mësuar sekretet e recetave tradicionale, por edhe unike të prevedesë së manaferrës, kumbullës apo ftoit dhe boronicës, të cilat mund të përgatiten lehtësisht në shtëpi.

Kësaj here AgroWeb.org sugjeron recetën e përgatitjes së simbolit të prevedesë shqiptare, atë të thanës.

Prevedeja e thanës është me patjetër ëmbëlsira që nuk duhet të mungojë absolutisht në kuzhinën e familjeve shqiptare, jo vetëm për shijen e saj fantastike të ëmbël, të athët por mbi të gjitha për vlerat kuruese që ajo mbart.

Një gotë shurup nga prevedeja e thanës apo një dy lugë prevede prej saj kanë qenë përherë kura natyrale e përdorur nga nënat e gjyshet për lehtësimin e dhimbjeve të barkut të shkaktuara nga i ftohti.

Gjithashtu, prevedeja e thanës përdoret edhe për lehtësimin e komplikacioneve të tjera që sjell i ftohti siç janë dhimbjet e fytit por edhe të kokës.

Krahas vlerave të saj kurative, prevedeja e thanës është një kombinim i mrekullueshëm në përgatitjen e shumë ëmbëlsirave.

Më poshtë mund të ndiqni recetën e sugjeruar nga AgroWeb.org për ta përgatitur prevedenë e thanës krejt lehtë në shtëpi.

Si të përgatisni prevedenë e thanës në shtëpi

Përbërësit 2 kg thana pa bërthamë

7 filxhanë çaji me sheqer

4 gota me ujë

Udhëzimet

Merrni një tenxhere të madhe. Ziejini thanat deri sa të zbuten dhe të bëhen të bardha. Procesi i zjerjes mund të zgjasë deri në 40 minuta.

Pasi kanë zjerë thanat, kulloni lëngun përmes një site kuzhine apo kullorëse dhe hidheni në një enë.

Lëngu i nxjerrë duhet të arrijë në sasinë e përafërt me 5 filxhanë e gjysmë dhe duhet lënë të ftohet për 30 minuta.

Më pas hidheni lëngun sërish në tenxhere.

Shtoni sheqerin dhe lëreni të valojë derisa masa të trashet në formën e xhelatinës.

Hiqeni nga zjarri dhe me një lugë hiqni shkumën e formuar.

Masën e nxehtë hidheni me kujdes në kavanozë të sterilizuar duke lënë një hapësirë nga kapaku.

Përdorni një lugë për të larguar bulëzat e krijuara dhe mbylleni kapakun fort.

Kavanozët duhen vendosur për pesë minuta në një tenxhere të madhe me ujë të valuar. /AgroWeb.org 

Pastiço me kos – Receta e veçantë me shije të lehtë

Pastiço është një nga recetat tashmë tradicionale dhe në tryezat tona.

Një pjatë që ka aq shumë mënyra për ta përgatitur, nga ajo klasikja me kimë dhe beshamel e deri ajo që përgatitet me spinaq.

Diçka e tillë mundëson që çdo familje ta përgatisë pastiçon sipas preferencave personale.

AgroWeb.org ju sjell një recetë aq të thjeshtë dhe me përbërës që gjenden në çdo shtëpi.

Pastiçoja me kos kërkon vetëm tre përbërës, kos vezë dhe makarona dhe pak mund për ta përgatitur, por është aq e shijshme sa ja vlen çdo minutë.

Përbërësit

750 ml kos

400 g makarona

4 lugë gjelle me vaj ulliri

4 vezë

Kripë

Piper i zi

Përgatitja

Si fillim vendosni një tenxhere me ujë në zjarr.

Kur uji të ketë zierë hidhni kripë dhe më pas shtoni dhe makaronat.

AgroWeb.org ju këshillon që të përzieni pak makaronat në mënyrë që të mos ngjiten me njëra tjetrën.

Ndërkohë që ato ziejnë, merrni një tas dhe thyeni të gjithë vezët që nevojiten dhe përzjejini me kosin.

Shtoni kripë dhe piper sipas dëshirës për t’i dhënë shije.

Kosin dhe vezët duhet t’i rrihni derisa të krijohen një masë e plotë dhe kremoze.

Hiqini makaronat nga zjarri, kullojini dhe shpëlajini me pak ujë të ftohtë, në mënyrë që të mos vazhdojnë të zbuten.

Makaronat shtojini tek masa e kosit dhe vezëve dhe me një lugë mundohuni që t’i përzieni.

Shtoni në këtë fazë dhe vajin e ullirit dhe përsëri përzjejini.

Merrni një tavë dhe spërkateni me pak vaj, dhe më pas kaloni të gjithë masën e përgatitur.

Me lugë përpiquni ta drejtoni sipërfaqen e saj që të jetë e njëtrajtshme.

Piqeni me 200 gradë derisa masa të jetë mpiksur plotësisht dhe sipërfaqja e pastiços të jetë skuqur.

Mjafton që ta nxirrni nga furra e ta lini sa të ftohet pak, kështu do të mpikset më mirë dhe do ta keni më të lehtë për ta prerë.

Nëse dëshironi mund t’i shtoni djathë të bardhë ose gjizë, pasi receta bazë i pranon dhe variacionet e tjera të përgatitjes.

Kefiri – Mësoni të përgatisni pijen e jetëgjatësisë

Si kosi dhe produktet e tjera të bulmetit, kefiri është i pasur me probiotikë, që ndihmojnë në tretjen e ushqimeve.

Kefiri është një nga super ushqimet më të kërkuara të momentit.

Me shijen e tij karakteristike, që vjen pak si e athët, ai është i pasur me probiotikët që kemi dëgjuar kaq shumë.

AgroWeb.org ju sjell mënyrën se si ta përgatisni në shtëpi këtë pije plot vlera.

Çfarë është Kefiri?

Kefiri është një produkt bulmeti i ngjashëm me kosin dhe ajkën e qumështit.

Por ajo që e bën të veçantë këtë pije është mënyra se si përgatitet.

Në vend që të ngrohet qumështi dhe të lihet në ambient të ngrohtë, siç bëjmë kur përgatisim kosin, ju duhen vetëm të keni farat e kefirit.

Këto fara nuk janë vërtetë fara si ato të grurit apo elbit.

Por janë disa struktura qelizore të baktereve dhe tharmit, të cilët fermentojnë qumështin.

Çfarë vlerash ka për organizmin?

Si kosi dhe produktet e tjera të bulmetit, kefiri është i pasur me probiotikë, që ndihmojnë në tretjen e ushqimeve.

Gjithashtu kjo pije ndihmon në rujatjen e florës dhe nivelit të aciditetit të sistemit tretës.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, procesi i fermentimit ndryshon disa nga proteinat e qumështit, duke e kthyer në një pije që tretet më lehtë.

Për disa persona që janë intolerant ndaj qumështit, kefiri është një zëvendësues perfekt.

Ku t’i gjeni farat e kefirit?

Mënyra më e mirë është që ta merrni nga një miku juaj.

Njihen si fara por në të vërtetë kanë formën e kërpudhës.

Farat pas një kohe të caktuar fillojnë dhe shtohen, dhe kushdo që e përgatit qumështin e kefirit vetë ka mjaftueshëm për ta shpërndarë.

Por nëse asnjë nga miqtë tuaj nuk e konsumon, mos u shqetësoni, farat mund t’i gjeni edhe në supermarkete ose në markete të specializuara.

Si të përgatisni Kefirin?

Për një gotë ju nevojiten:

250 ml me qumësht natyral jo i pasterizuar (si për shembull qumështi i fshatatrëve)

Një lugë çaji me fara kefiri

Një kavanoz apo enë qelqi

Përgatitja

Tek ena e qelqit vendosim farat e kefirit dhe më pas shtojmë qumështin me temperaturë ambienti.

E përziejmë ngadalë përbërjen me një lugë druri, duke treguar kujdes që të mos shkëputni farat e kefirit.

Mbulojmë kavanozin me një napë të pastër (si ato që kullojmë kosin) ose mund të përdorni një pecetë të hollë duke e kapur me një llastik.

Mos i vendosni kapak me filetim, pasi avujt që formohen nga fermentimi i farave mund të shkaktojnë një presion që në disa raste e thyen dhe kavanozin.

Përbërjen lëreni në temperaturë ambienti, për 16-18 orë.

Kur të vini re që qumështi ka filluar të pritet, pra të marrë formën e kosit, edhe pak orë duhen që ta keni gati.

Në periudhën e verës, fermentimi kryhet më shpejt, dhe mund të duhen rreth 12-16 orë.

Pasi kefiri të jetë gati, kullojeni me ndihmën e një site të vogël plastike.

Farat e kefirit që mbeten është e këshillueshme që t’i shpëlani pak në ujë të ftohtë para se t’i përdorni përsëri.

Si dhe të përdorni një enë të re qelqi sa herë që përgatisni kefir.

Qumështin e kefirit mund ta pini direkt pasi e keni kulluar ose ta ruani në frigorifer për jo më shumë se sa një javë.

Nëse doni që t’i ruani farat, AgroWeb.org ju sugjeron t’i vendosni në një enë me pak qumësht, dhe të mbuluar vendoseni në frigorifer.