VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Veterani i parë i gjallë nga lufta e Irakut e fiton medaljen e nderit për trimëri

By | June 26, 2019
blank

Komentet

blank

Biden realizon takim ballë për ballë me kryeministrin japonez, i pari që nga ardhja në detyrë

Washington

SHBA-ja dhe Japonia do të punojnë së bashku për të trajtuar sfidat nga Kina, tha presidenti amerikan Joe Biden në takimin me kryeministrin japonez, që ishte takimi i parë me një lider të huaj që nga ardhja në detyrë në Shtëpinë e Bardhë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën për shtyp me kryeministrin Yoshihide Suga, Biden tha se angazhimi i dy udhëheqësve për t’u takuar personalisht është tregues i rëndësisë që Japonia dhe SHBA-ja kanë në marrëdhëniet midis tyre.

Biden tha se ata patën “një diskutim shumë produktiv”, duke shtuar se ai dhe kryeministri japonez theksuan mbështetjen për aleancën amerikano-japoneze dhe sigurinë e tyre të përbashkët.

“Ne u zotuam të punojmë së bashku për të trajtuar sfidat nga Kina dhe për çështje si Deti i Kinës Lindore, Deti i Kinës Jugore, si dhe Koreja e Veriut, për të siguruar një të ardhme të një Indo-Paqësori të lirë dhe të hapur”, tha Biden.

Ndërkaq, kryeministri japonez tha se aleanca i ka shërbyer rolit të saj si themeli i paqes dhe stabilitetit për rajonin Indo-Paqësor dhe botën.

“Ne gjithashtu patëm bisedime serioze mbi ndikimin e Kinës mbi paqen dhe prosperitetin e Indo-Paqësorit dhe botës në përgjithësi”, tha Suga.

“Ne ramë dakord të kundërshtojmë çdo përpjekje për të ndryshuar status quo-në me forcë ose komplote të fshehta në Detet e Kinës Lindore dhe Jugore dhe kërcënimin e të tjerëve në rajon. Në të njëjtën kohë, ramë dakord mbi domosdoshmërinë që secili prej nesh të angazhohet në një dialog të sinqertë me Kinën”, shtoi ai.

blank

Pjetër Shala del para Speciales më 19 prill

Pjetër Shala, i arrestuar në bazë të fletarrestimit të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, do të paraqitet në sallën e gjyqit të këtyre dhomave në Hagë, më 19 prill.

Shala u arrestua më 16 mars nga autoritetet belge në bazë të aktakuzës së konfirmuar për krime lufte, të lëshuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Shala u transferua në Hagë më 15 prill, njoftuan Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Ai ngarkohet me krime lufte, si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera përafërsisht midis 17 majit, 1999, dhe 5 qershorit, 1999, kundër personave që mbaheshin të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës. Kjo fabrikë pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, hetojnë krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka konfirmuar tashmë aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ata gjenden në paraburgim në Hagë qysh në nëntor të vitit të kaluar dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Përpara tyre është arrestuar dhe dërguar në Hagë edhe Salih Mustafa, ish-epror i UÇK-së. Aktakuza e ngarkon atë për kryerje të krimeve të luftës.

blank

SHBA ndëshkon Rusinë për sulmet kibernetike dhe ndërhyrjet në zgjedhje

Marrë nga Associated Press

Presidenti Joe Biden tha në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë se ai i kishte thënë homologut të tij rus Vladimir Putin këtë javë se ai do të ndërmerrte veprime kundër Rusisë.

Komentet e Presidentit Biden pasojnë njoftimin e administratës së tij të enjten se Shtetet e Bashkuara po dëbojnë 10 diplomatë rusë dhe po vendosin sanksione kundër dhjetra kompanive dhe njerëzve, duke e mbajtur Kremlinin përgjegjës për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar dhe për ndërhyrjet kibernetike në agjencitë federale.

Masat gjithëpërfshirëse kanë për qëllim të ndëshkojnë Rusinë për veprimet që zyrtarët amerikanë thonë se kanë patur në shënjesër zemrën e demokracisë amerikane dhe për të parandaluar aktet e ardhshme duke imponuar kosto ekonomike mbi Moskën, përfshirë aftësinë e saj për të marrë hua.

“Nuk mund të lejojmë fuqitë e huaja të ndërhyjnë në procesin tonë demokratik me pandëshkueshmëri. Dhe unë i thashë atij (Putinit) se nëse del ajo që unë kam menduar mbi angazhimin e tyre në zgjedhjet tona, unë do të përgjigjem. Kur biseduam në fillim të kësaj jave, unë i thashë atij se brenda një kohe të shkurtër ne do të përgjigjemi me masa proporcionale sepse ne kemi arritur në përfundimin se ata (rusët) kanë ndërhyrë në zgjedhje dhe sulmi kibernetik ndaj kompanisë Solar Wind ishte i papërshtatshëm”, tha Presidenti Biden në fjalimin që mbajti të ejten në Shtëpinë e Bardhë.

Për këtë arsye, Presidenti Biden tha se ai ka autorizuar disa veprime kundër Moskës, përfshirë dëbimin e disa zyrtarëve rusë.

“Unë gjithashtu kam nënshkruar një urdhër ekzekutiv që autorizon masa të reja, duke përfshirë sanksione, për të trajtuar veprimet specifike të dëmshme që Rusia ka ndërmarrë kundër interesave të Shteteve të Bashkuara. Unë isha i qartë me Presidentin Putin se mund të kishim shkuar më tej, por unë vendosa të mos e bëja këtë. Unë zgjodha të jem proporcional”, tha Presidenti Biden.

Sanksionet pritet të rrisin tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, e cila ka premtuar se do të përgjigjet me veprime hakmarrëse.

blank

Pretendimi për një dokument joformal që rizgjon debatet për kufijtë në Ballkan

VOA

Departamenti amerikan i Shtetit i tha programit të Zërit të Amerikës në gjuhën serbe se Shtetet e Bashkuara mbështesin tërësinë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës, respektimi i së cilës është përcaktuar me marrëveshjen e Daytonit në vitin 1995, që i dha fund luftës në atë vend.

Po të enjten, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnjë, shefat e misioneve diplomatike të vendeve anëtare të BE-së dhe komandanti i EUFOR-it lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën theksohet se “BE-ja është padyshim e përkushtuar ndaj sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës”.

Komentet pasuan shkrimet e ditëve të fundit në Bosnjë dhe Kroaci për një dokument joformal (non-paper) me siç thuhet, propozimin për ndryshimin e kufijve ne Ballkan. Dokumentet e tilla janë joformale dhe shtrohen në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së.

Mediet kroate e boshnjake thanë se një dokument i tillë i hartuar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, i është dërguar presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe në të propozohet ripërcaktimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor si zgjidhje për problemet e hapura në rajon.

Të enjten portali slloven “Necenzurirano.si” publikoi një dokument që pretendon se është kopje e dokumentit.

Sipas atij dokumenti propozohet ripërcaktimi i kufirit të Kosovës dhe Serbisë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, bashkimi i pjesëve me shumicë shqiptare të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, mundësia e shkëputjes së Republikës Serbe nga Bosnje e Hercegovina si dhe bashkimi i një pjese të Bosnjës perëndimore me Kroacinë.

blank

Në Bashkimin Evropian thanë disa herë se nuk kanë njohuri për një dokument të tillë.

Kryeministri slloven, Janez Jansha, vendi i të cilit do të kryesojë Bashkimin Evropian në pjesën e dytë të këtij viti, shkroi se pretendimet për një dokument të tillë janë veprime që synojnë “të dëmtojnë Slloveninë në BE”.

“Përndryshe, Sllovenia kërkon seriozisht zgjidhje për zhvillimin e rajonit dhe ardhmërinë evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa pikërisht shkrimet e tilla përpiqen ta pengojnë këtë qëllim”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Udhëheqësja e Socialdemokratëve të Sllovenisë, Tanja Fajon, e cila ka shërbyer si deputete në Parlamentin Evropian, u paraqit të enjten në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë duke i bërë thirrje kryeministrit dhe ministrisë së Jashtme që të deklarohen rreth pozicionit të Sllovenisë ndaj vendeve të rajonit.

“Politika e jashtme e përgjegjshme sllovene duhet të deklarohet dhe të mbështesë perspektivën e qartë evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjë për të cilën unë i bëj thirrje Janshës që sa më parë, Ballkanit Perëndimor t’ia bëjë të qartë qëndrimin, veçanërisht Bosnje e Hercegovinës. Ne kemi një mundësi të jashtëzakonshme për të rivendosur besimin midis BE-së, Sllovenisë dhe rajonit gjatë presidencës sonë”, tha zonja Fajon.

Në Bosnjë pati shumë reagime nga myslimanët dhe kroatë ndaj çdo pretendimi për prekjen e kufijve, një çështje shumë e ndjeshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor që ende po bën përpjekje të ripërtërihet nga pasojat e luftërave të përgjakshme në fund të shekullit të kaluar.

Nuk pati ndonjë reagim në Kosovë ku në verën e vitit 2018 qenë ngritur diskutime rreth çështjes së shkëmbimit të territoreve me Serbinë.

Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një debat në kuadër të punimeve të forumit të Alpbachut në Austri, kërkuan mbështetjen ndërkombëtare për çfarëdo marrëveshje që mund të arrihej në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, edhe nëse ajo nënkupton ndryshim kufijsh.

Presidenti serb në atë kohë kishte shpallur si politikë të tij “vënien e kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, që nënkuptonte ndarjen e Kosovës, me veriun që do t’i bashkohej Serbisë, ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi angazhohej për “korrigjim kufijsh” që do të nënkuptonte bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

Idetë nxitën reagime të ashpra në Kosovë, por edhe në Serbi si dhe kundërshtimin e një pjese të vendeve të Bashkimit Evropian mes të cilave Gjermania ishte më e zëshmja.

Vëzhgues të pavarur në Kosovë thanë se publikimi i dokumentit të pretenduar slloven, mund të jetë një test i ri për opinionin publik në Ballkanin Perëndimor, aspiratat e të cilit për integrime evropiane ende rëndohen nga problemet e trashëguara.

blank

SHBA, sanksione të reja kundër Rusisë, dëbojnë 10 diplomatë

VOA

Shtëpia e Bardhë njoftoi dëbimin e 10 diplomatëve rusë dhe një raund të ri sanksionesh kundër Rusisë.

Masat vijnë në përgjigje të ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, si dhe piraterimit të agjencive qeveritare amerikane.

Masat e njoftuara të enjten përfshijnë sanksione ndaj gjashtë kompanive ruse që mbështesin veprimtaritë kibernetike të vendit, përveç sanksioneve ndaj 32 individëve dhe entiteteve të akuzuara për përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, duke përfshirë shpërndarjen e dezinformimit.

Dhjetë diplomatët që po dëbohen përfshijnë përfaqësues të shërbimeve ruse të inteligjencës, tha Shtëpia e Bardhë.

Për herë të parë, SHBA e lidhi drejtpërdrejt këtë ndërhyrje me njërin nga shërbimet ruse të zbulimit.

Presidenti Joe Biden tha se përpjekjet e Rusisë për të minuar zgjedhjet e lira në SHBA dhe në vende të tjera si dhe aktiviteti i saj keqdashës kibernetik, përbëjnë një kërcënim të jashtëzakonshëm ndaj sigurisë amerikane.

Sanksionet, të paralajmëruara prej shumë javësh nga administrata, janë kundërpërgjigjja e parë që administrata e Presidentit Biden njofton kundër Kremlinit për sulmin ndaj kompanisë SolarWinds.

Një zëdhënëse e ministrisë së Jashtme ruse tha se sanksionet amerikane janë kundër interesave të dy vendeve. Ajo tha se përgjigjja e Rusisë do të jetë e pashmangshme.

Shtëpia e Bardhë gjithashtu tha se Biden po përdorte kanale diplomatike, ushtarake dhe të inteligjencës për t’iu përgjigjur raporteve se Rusia inkurajoi talibanët për të sulmuar trupat amerikane dhe ato aleate në Afganistan, bazuar në vlerësimet e komunitetit të inteligjencës.

Nuk është ende e qartë se çfarë veprime të tjera mund të planifikohen kundër Rusisë. Zyrtarët kishin thënë më parë se ata do të ndërmerrnin veprime që duken dhe që nuk duken.

Sanksionet synojnë ne sa duket t’i dërgojnë një mesazh të qartë ndëshkues Rusisë dhe të parandalojnë veprime të ngjashme në të ardhmen.

Presidenti Joe Biden i tha Presidentit Putin në një telefonatë këtë javë se Shtetet e Bashkuara do të “veprojnë në mënyrë të vendosur në mbrojtje të interesave të tyre kombëtarë”.

Ndërhyrja ndaj SolarWinds, u dha hakerëve qasje në mijëra kompani dhe zyra qeveritare që përdorin produktet e saj.

Sanksionet pritet të thellojnë ftohjen e marrëdhënieve tashmë të akullta midis Uashingtonit dhe Moskës, e cila ka vënë në provë durimin e perëndimit me grumbullimet ushtarake afër kufirit me Ukrainën.

Me sanksionet e reja Shtetet e Bashkuara gjithashtu ndëshkojnë Moskën lidhur me aludimet për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2020.

Në një raport të publikuar muajin e kaluar, agjencitë amerikane të zbulimit thanë se Presidenti rus Vladimir Putin ka të ngjarë të ketë urdhëruar një fushatë për të ndihmuar shanset për fitore të ish presidentit Trump.

Ky hap i Uashingtonit ka të ngjarë të përkeqësojë tensionet në një marrëdhënie që ra në një nivel të ri të ulët, pas komenteve të presidentit Biden, kur ai tha ai mendonte që Putini ishte një “vrasës”.

Në një bisedë telefonike të martën, presidenti Biden i tha presidentit Putin se Shtetet e Bashkuara do të vepronin “me vendosmëri” për të mbrojtur interesat e tyre.

Presidenti Biden gjithashtu propozoi një takim me presidentin Putin “në një vend të tretë” që të mund t’u lejonte udhëheqësve të gjejnë hapësira për të punuar së bashku.

blank

Ekonomia amerikane fiton ritëm; rritet besimi i konsumatorëve

Godina e Rezervës Federale në Uashington

 

Marrë nga Reuters

Ekonomia amerikane fitoi ritëm me hyrjen e pranverës, duke përfituar nga rritja e besimit të konsumatorëve, tha Rezerva Federale të mërkurën, dhe kryetari i saj Jerome Powell tha se gjendet në rrugën e duhur për një rritje më të fortë dhe punësim në muajt e ardhshëm.

Aktiviteti ekonomik mes fundit të shkurtit dhe fillimit të prillit u rrit nga vaksinimi i shtuar ndaj COVID-19 dhe mbështetja e fortë fiskale. Tregu i punës gjithashtu u përmirësua ndërsa më shumë njerëz u kthyen në punë, thuhet nga banka qendrore amerikane në botimin e saj më të fundit “Beige Book” (Libri Bezhë), një koleksion me të dhëna për ekonominë nga 12 distriktet e saj rajonale.

Ritmi i punësimit u rrit më së shumti në sektorët e prodhimit, ndërtimit, argëtimit dhe hotelerisë.

“Të dhënat mbi turizmin ishin më optimiste, të mbështetura nga një kërkesë në rritje për aktivitete të kohës së lirë dhe udhëtime, të cilat i atribuoheshin pushimit të pranverës, një lehtësimi të kufizimeve të lidhura me pandeminë, vaksinimet e shtuara dhe pagesat e fundit stimuluese, ndër faktorët e tjerë”, thuhet në raport.

Në përgjithësi, parashikimet ishin më optimiste që nga raporti i fundit në mars, njoftoi Rezerva Federale.

Zyrtarë të sektorit të hotelerisë i thanë Rezervës Federale në Atlanta se kishin “prenotime solide për pjesën e mbetur të pranverës dhe gjatë muajve të verës e më tej”, thuhet në raport.

Ndër fushat më të dukshme të përmirësimit ishte turizmi, me një numër distriktesh që sinjalizojnë se sektori që u godit më rëndë nga fillimi i pandemisë së koronavirusit vitin e kaluar po rimëkëmbet.

Ndoshta për asnjë distrikt tjetër, toni i komenteve rreth turizmit nuk ishte aq i përmirësuar sa ç’ishte për Nju Jorkun.

Tre muaj më parë, zyrtarët e Rezervës Federale të Nju Jorkut përdorën Librin Bezhë për të përshkruar turizmin në qytetin e Nju Jorkut si “jashtëzakonisht të dobët”. Raporti i së mërkurës tha se “turizmi ka vazhduar të rritet”, me udhëtimet ajrore që po rriten me shpejtësi dhe nivelet e rezervimit të hoteleve po arrijnë më në fund mbi 50%.

Ky përmirësim duket se përforcon kushtet për rajonin më të gjerë. Ndërsa shumica e distrikteve thanë se ritmi i rritjes në ekonomitë e tyre rajonale ishte i moderuar, Rezerva Federale e Nju Jorkut tha se ekonomia e saj “u rrit me një ritëm të fortë për herë të parë gjatë pandemisë, me rritje të gjerë në mbarë sektorët”.

Kjo ndodhi pavarësisht nga një rritje e rasteve me COVID-19 në rajon, tha Rezerva Federale e Nju Jorkut. “Për më tepër, bizneset janë gjithnjë e më optimiste për perspektivën afatshkurtër”, thuhet në raport.

blank

FBI e shqetësuar nga potenciali për dhunë i grupit të së djathtës së largët QAnon

Protestuesit kundër presidentit në Peru mbartin një flamur amerikan me gërmën Q, referencë për QAnon (Lima, Peru, 9 nëntor 2020)

 

Masood Farivar

FBI-ja vazhdon të jetë “e shqetësuar” për potencialin e lëvizjes konspirative të ekstremit të djathtë QAnon për dhunë dhe së shpejti do të qarkullojë një vlerësim të paklasifikuar të kërcënimit në lidhje me këtë grup, tha të mërkurën drejtori i FBI-së Christopher Wray.

FBI-ja e shikon QAnon si një “grup teorish komplekse komploti të promovuara kryesisht në internet, të cilat janë shndërruar në një lëvizje më të madhe”, dëshmoi zoti Wray përpara Komisionit të Zbulimit të Senatit.

“Dhe jemi të shqetësuar për potencialin që mund të çojë në dhunë. Dhe atje ku ka frymëzim për vepra penale federale, ne do ta ndjekim atë në mënyrë agresive”, tha zoti Wray.

Drejtori i FBI-së Christopher Wray duke dëshmuar në Kongres

Drejtori i FBI-së Christopher Wray duke dëshmuar në Kongres

Vlerësimi i zotit Wray për rrezikun nga grupi QAnon erdhi gjatë një dëgjimi mbi vlerësimin vjetor të komunitetit të zbulimit të kërcënimeve të panumërta globale me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj gjatë vitit të ardhshëm. Drejtori i CIA-s William Burns dhe zyrtarë të tjerë të lartë të inteligjencës gjithashtu dëshmuan gjatë seancës dëgjimore.

Zoti Wray u tha ligjvënësve se FBI-ja “shumë shpejt” do të dërgojë në Kongres vlerësimin e saj të kërcënimit për QAnon. Raporti i paklasifikuar do të ofronte një pamje sesi agjencia kryesore e zbatimit të ligjit të vendit e shikon rrezikun e paraqitur nga QAnon mes shqetësimeve në rritje për ekstremizmin e dhunshëm të ekstremit të djathtë pas sulmit të 6 janarit në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara.

QAnon filloi në internet në vitin 2017 si një teori konspirative e pabazë, që pretendonte në mënyrë të gabuar se Presidenti i atëhershëm Donald Trump ishte duke luftuar fshehurazi me një qark të “shtetit të fshehtë” të përbërë nga pedofilë që adhurojnë Satanain. Por që atëherë është bërë globale, duke tërhequr një shumëllojshmëri të teoricienëve të konspiracionit.

Ndërkohë, pasuesit e QAnon kanë qenë të përfshirë në dhjetëra krime të motivuara ideologjikisht në vitet e fundit, përfshirë tre vrasje, duke tërhequr kështu vëmendjen e strukturave të zbatimit të ligjit. Zoti Wray tha se FBI-ja heton dhunën dhe kërcënimet e dhunës, jo ideologjinë që e frymëzon atë.

Në 2019, FBI-ja për herë të parë përkufizoi teoritë e konspiracionit si QAnon një kërcënim i mundshëm terrorist i brendshëm, duke paralajmëruar që aktiviteti ekstremist i frymëzuar nga këto ide mund të rritej gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale amerikane në vitin 2020.

Paralajmërimi rezultoi largpamës. Adhuruesit e QAnon u mblodhën rreth ish-Presidentit Trump gjatë fushatës dhe më pas dolën në masë kur mbështetësit e ish-presidentit zbritën në Kapitol për të prishur çertifikimin nga Kongresi të zgjedhjes së Presidentit Joe Biden. Trazirat lanë pesë njerëz të vdekur, duke përfshirë oficerin e Policisë së Kapitolit Brian Sicknick dhe ndjekësen e QAnon, Ashlie Babbitt.

Douglas Austen Jensen, me një bluzë QAnon, përballet me policinë brenda godinës së Kongresit (6 janar 2021)

Douglas Austen Jensen, me një bluzë QAnon, përballet me policinë brenda godinës së Kongresit (6 janar 2021)

Se sa përkrahës të QAnon morën pjesë në sulmin ndaj Kapitolit mbetet e pasigurt. Zoti Wray tha se FBI-ja ka arrestuar të paktën pesë “ithtarë të vetë-identifikuar të QAnon” në lidhje me sulmin.

Por studiuesit kanë identifikuar një numër më të madh. Sipas Konsorciumit Kombëtar për Studimin e Terrorizmit dhe Reagimit ndaj Terrorizmit (START) në Universitetin e Merilendit, nga gati 400 protestues të akuzuar penalisht deri më tani, 37 janë mbështetës të QAnon.

“Sipas të dhënave tona, të gjithë kanë bërë minimalisht deklarata publike në mbështetje të teorisë së konspiracionit. Dhe nëse kjo nuk llogaritet për vetë-identifikimin si mbështetës, atëherë unë nuk e di se çfarë mundet”, tha Michael Jensen, hetuesi kryesor për programin.

I pyetur se si zoti Wray arriti në shifrën shumë më të ulët, një zëdhënës i FBI-ja tha se byroja nuk kishte asgjë për t’i shtuar komentit të tij.

Zoti Jensen tha se zoti Wray është “i justifikuar” kur jep alarmin për potencialin e QAnon për dhunë.

“Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se rreziku i dhunës nga mbështetësit e QAnon nuk ka të ngjarë aq shumë sa nga llojet e tjera të ekstremistëve të brendshëm, duke përfshirë nacionalistët e bardhë, të cilët janë përgjegjës për dhjetëra sulme dhe qindra krime të urrejtjes çdo vit”, tha ai në një email.

Colin Clarke, drejtor i politikës dhe kërkimit në Soufan Group, tha se QAnon shërben si një “shumëzues i forcës” për ekstremistët e djathtë të Amerikës.

“Unë mendoj se ka të ngjarë të shohim një migrim të aderuesve të QAnon në grupe ekzistuese dhe madje edhe atje ku ata nuk bashkohen në grupe që ekzistojnë aktualisht. Unë mendoj se si aktorë të vetëm, ata janë të rrezikshëm në vetvete”, tha zoti Clarke në një intervistë.

blank

Presidenti Biden fjalim në Kongres më 28 prill

VOA

Presidenti amerikan Joe Biden pritet të mbajë fjalimin e tij të parë në një seancë të përbashkët të Kongresit më 28 prill.

Fjalimi do të mbahet ndërsa ai mbush 100 ditë në detyrë, një moment historik jozyrtar në të cilin janë gjykuar presidentët amerikanë për atë çfarë kanë arritur administratat e tyre në fillim të mandatit të tyre katër-vjeçar.

Fjalimi do të zhvillohet në Dhomën e Përfaqësuesve. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi e ftoi Presidentin Biden të fliste nëpërmjet një letre të martën, duke i kërkuar atij të “ndani vizionin tuaj për trajtimin e sfidave dhe mundësive të këtij momenti historik”.

Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti Biden e pranoi ftesën.

Nuk ishte menjëherë e qartë se si do të menaxhohet aktiviteti duke marrë parasysh pandeminë e vazhdueshme të koronavirusit dhe masat parandaluese shëndetësore.

Seancat e përbashkëta zakonisht paraqesin një Dhomë të Përfaqësuesve të mbushur me anëtarët e Dhomës dhe të Senatit, së bashku me të ftuarit që ndjekin nga galeria më sipër.

Udhëzimet aktuale të Dhomës së Përfaqësuesve kërkojnë nga ligjvënësit që të votojnë dhe të zhvillojnë aktivitetet e tjera në grupe më të vogla, ndërsa të gjithëve u kërkohet të mbajnë maska dhe publikut nuk i lejohet të vizitojë sallën plenare.

blank

Tërheqja nga Afganistani, Presidenti Biden: koha për t’i dhënë fund luftës së përhershme

VOA

Presidenti Joe Biden deklaroi të mërkurën se planifikon t’i japë fund luftës më të gjatë të Shteteve të Bashkuara dhe se është “koha që trupat amerikane të kthehen në atdhe” nga Afganistani, edhe pse kritikët paralajmërojnë se paqja nuk është e garantuar pas një pranie 20-vjeçare të trupave amerikane atje.

“Ne shkuam në Afganistan për shkak të një sulmi të tmerrshëm që ndodhi 20 vjet më parë,” tha Presidenti Biden. “Kjo nuk mund të shpjegojë se përse duhet të qëndrojmë atje në vitin 2021,” tha ai në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti Biden njoftoi se të 2,500 trupat amerikane të mbetura në Afganistan do të fillojnë të tërhiqen duke filluar nga 1 maji dhe tërheqja do të përfundojë përpara 11 shtatorit.

Duke u tërhequr pa një fitore të qartë, Shtetet e Bashkuara janë tani të hapura ndaj kritikave se largimi i trupave përbën në fakt një pranim të dështimit.

Presidenti tha se “arsyet për të qëndruar në Afganistan janë bërë gjithnjë e më të paqarta.”

“Jam presidenti i katërt amerikan që përgjigjem për praninë e trupave të SHBA në Afganistan. Dy republikanë. Dy demokratë. Nuk do t’ia kaloj këtë përgjegjësi një të pesti,” u shpreh Presidenti Biden.

“Është koha për t’i dhënë fund luftës më të gjatë të Amerikës. Është koha që trupat amerikane të kthehen në atdhe,” tha ai.

Ai tha se tërheqja amerikane “do të bëhet në mënyrë të sigurt dhe në bashkërendim të plotë me aleatët.”

Presidenti Biden tha se do të vazhdojë të punojë për të parandaluar rishfaqjen e terrorizmit .

Njëmbëdhjetë shtatori i këtij viti është një ditë mjaft simbolike, që përkon me 20 vjetorin e sulmeve të al Kaidës kundër Shteteve të Bashkuara. Ngjarja bëri që Presidenti i atëhershëm George W. Bush të niste konfliktin. Lufta u ka marrë jetën 2,400 ushtarakëve amerikanë dhe ka kushtuar rreth 2 trilionë dollarë. Prania amerikane në Afganistan arriti kulmin në vitin 2011 me më shumë se 100,000 trupa.

“Edhe pse nuk do të qëndrojmë të përfshirë në Afganistan ushtarakisht, puna jonë diplomatike dhe humanitare do të vazhdojë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Qeverinë e Afganistanit”, tha Presidenti Biden.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken u takua të mërkurën me zyrtarët në selinë e NATO-s në Bruksel, ku tha se trupat e huaja nën komandën e NATO-s në Afganistan do të largohen nga vendi në koordinim me tërheqjen amerikane deri më 11 shtator.

Zoti Blinken gjithashtu foli në telefon të mërkurën me shefin e ushtrisë së Pakistanit dhe diskutoi mbi procesin e paqes, sipas një deklarate të bërë nga krahu mediatik i ushtrisë pakistaneze.

Reagimet në Afganistan

Presidenti afgan Ashraf Ghani shkroi në Twitter se kishte folur me zotin Biden dhe se e respekton vendimin e SHBA. Zoti Ghani shtoi se “ne do të punojmë me partnerët tanë amerikanë për të siguruar një tranzicion të qetë” dhe “do të vazhdojmë të punojmë me partnerët SHBA / NATO në përpjekjet e tanishme të paqes”.

Presidenti Biden përballej me një afat tërheqjeje të 1 majit, të caktuar nga paraardhësi i tij republikan Donald Trump, i cili u përpoq por nuk arriti të tërhiqte trupat para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë. Vendimi i zotit Biden i mban trupat në Afganistan disa muaj pas këtij afati, por zyrtarët lanë të kuptohej që trupat mund të largohen plotësisht përpara 11 shtatorit.

Në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, zyrtarët thanë se ata do të vazhdonin me bisedimet e paqes dhe forcat e tyre do të mbrojnë vendin.

“Tani që ka një vendim mbi tërheqjen e trupave të huaja brenda disa muajsh, ne duhet të gjejmë një mënyrë për të bashkëjetuar,” tha Abdullah Abdullah, një zyrtar i lartë i bisedimeve të paqes dhe ish-kandidat për president. “Ne besojmë se nuk ka fitues në konfliktet afgane dhe shpresojmë që edhe talebanët ta kuptojnë këtë,” tha ai.

Zyrtarët amerikanë thonë se e kanë shkatërruar vite më parë udhëheqjen e al Kaidës në rajon, duke përfshirë udhëheqësin e grupit Osama bin Laden në Pakistanin fqinj në vitin 2011. Por lidhjet midis talebanëve dhe elementëve të al Kaidës vazhdojnë dhe paqja dhe siguria mbeten të rrezikuara.

Presidentët e mëparshëm të Shteteve të Bashkuara u përpoqën të tërhiqeshin nga Afganistani, por këto shpresa u venitën nga shqetësimet në lidhje me forcat afgane të sigurisë, korrupsioni i rrënjosur në Afganistan dhe vazhdimi i kryengritjes talebane që përdorte strehë të sigurta përtej kufirit, në Pakistan.

Ekziston shqetësimi rreth ndikimit që do të ketë tërheqja tek të drejtat e njeriut në Afganistan, duke pasur parasysh përfitimet që sollën dy dekadat e fundit për popullatën veçanërisht për gratë dhe vajzat.

“Jam e shqetësuar për të ardhmen time,” tha Wida Saghar, shkrimtare dhe aktiviste për të drejtat e grave në Kabul. “Një e ardhme e panjohur na pret, kur forcat e huaja të largohen dhe lufta civile të intensifikohet … kush do të mendojë për të drejtat e grave? Kush do të kujdeset për ne?”

blank

SHBA të udhëheqë kauzën për demokraci, thonë tri organizata amerikane

Një protestuese pro-demokracisë përshëndet me tre gishta, një simbol i protestuesve, ndërsa ajo është ndaluar nga oficerët e policisë para Qeverisë në Bangkok, Tajlandë më 28 mars , 2021.

Stabiliteti botëror, ekonomia amerikane dhe dinjiteti njerëzor janë nën kërcënim nga rritja e autoritarizmit e shoqëruar me gërryerjen e demokracisë.

Kështu thuhet në një raport të Grupit Punues për Strategjinë e SHBA-së, për të Mbështetur Demokracinë dhe Kundër Autoritarizmit.

Grupi është një nismë e përbashkët e organizatave Freedom House, Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) dhe Institutit McCain.

“Në 15 vjetët e fundit shkeljet e të drejtave të njeriut dhe sulmet mbi institucionet dhe praktikat thelbësore demokratike janë përshpejtuar në të gjithë globin”, thuhet në raport.

Kjo, sipas këtij grupi, kërkon një përgjigje urgjente dhe të guximshme, për të vënë përballjen me autoritarizmin dhe mbështetjen për demokracisë, duke e vënë këtë çështje në qendër të politikës së jashtme dhe strategjisë së sigurisë kombëtare të SHBA-së.

“Shtetet e Bashkuara duhet të përshtaten me këto realitete. SHBA-ja dhe aleatët e saj demokratikë nuk e kanë adresuar sfidën e përkeqësimit të demokracisë dhe ringjalljes së autoritarizmit në botë”, thotë raporti duke shtuar se shembulli më i rëndësishëm në këtë aspekt është Kina, e cila paraqitet gjithnjë e më shtypëse dhe agresive.

Në rekomandimet që i bëhen institucioneve amerikane, ky grup thotë se “e ardhmja e sigurisë kombëtare e SHBA-së dhe e ardhmja e demokracisë janë të ndërthurura aq thelbësisht saqë ne rekomandojmë që ngritja e demokracisë të bëhet pjesë kyçe e politikës së jashtme të SHBA-së, së bashku me diplomacinë, zhvillimin dhe mbrojtjen”.

Raporti e radhit dezinformimin si një ndër problemet kyçe në botë.

“Aktorët shtetërorë siç janë Rusia dhe Kina e kanë përdorur dezinformimin në nivel botëror për vite me radhë, si pjesë të një strategjie më të gjerë të ndikimit malinj për të mbjellë kaos, për të thelluara ndarjet e brendshme, për të diskredituar kritikët dhe për të ulur besimin në procesin demokratik. Disa qeveri i kanë bërë këto fushata të fshehta përmes aktiviteteve të hapura mediatike”, thuhet në raport.

Si veprojnë Kina dhe Rusia?

Raporti thekson se Qeveria ruse përdor dy mediat tradicionale shtetërore shumëgjuhëshe, si janë RT dhe Sputnik, si dhe rrjetet sociale për të shfrytëzuar ndasitë në rajone, veçanërisht në Ballkan, por edhe më gjerë në Evropë si dhe në Afrikë, Amerikën Latine dhe rajonin Azi-Paqësor.

Qeveria e Kinës e zhvillon propagandën dhe dezinformimin e saj në mediat zyrtare, të tilla si Rrjeti Global i Televizionit të Kinës ose CGTN, ndërsa agjendën e saj e shtyn përpara edhe përmes aseteve ekonomike, kërcënimeve diplomatike dhe kontrollit të kompanive private kineze që kanë në pronësi mediat sociale dhe platformat e dërgimit të mesazheve.

“Në shumë vende, propaganda e sponsorizuar nga shteti dhe madje dezinformimi kanë për qëllim që të përfitojnë në mënyrë të rrejshme mbështetjen e audiencës së brendshme për qeverinë, të diskreditojnë kundërshtarët politikë dhe të kontrollojnë informacionin. Gratë në veçanti kanë qenë viktima të abuzimit dhe dezinformimit në platformat e mediave sociale”, thuhet në raport.

Aty vihet në pah fakti se zakonisht dezinformimi dhe propaganda gjejnë vend në mjedise të pazhvilluara në aspektin mediatik.

“Individët nuk janë në gjendje të kontrollojnë faktet e informacionit ose të kërkojnë pikëpamje alternative për shkak të censurës ose kapjes nga shteti të sektorit të medias”, thuhet në raport.

Nuk është vetëm dezinformimi i sponsorizuar nga shteti shqetësim i vetëm, theksojnë Freedom House, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) dhe Institutit McCain.

Sipas raportit edhe figurat politike dhe aktorë të tjerë joshtetërorë kanë përdorur mediat sociale dhe mediat partiake për të publikuar gënjeshtra në mënyrë që të shtyjnë përpara agjendat e tyre. Këto aktivitete bëhen përgjithësisht për ngjarjet e mëdha siç janë zgjedhjet dhe protestat.

“Pandemia e COVID-19 ka rritur presionin ndaj informacionit. Kjo ka krijuar një ‘infodemi’ të pretendimeve mashtruese dhe të rreme në lidhje me origjinën e pandemisë, shpërndarjen e vaksinave dhe aftësinë e qeverive për të ndihmuar qytetarët e tyre”, thekson raporti.

Në rekomandimin që bën ky grup punues për Qeverinë amerikane thuhet se, ajo si hap të parë, duhet të zhvillojë një strategji për të ngritur dhe koordinuar më mirë përpjekjet për të luftuar dezinformimin, urrejtjen dhe ngacmimin në internet.

“Së dyti, Shtetet e Bashkuara duhet të rritin koordinimin e tyre me qeveritë partnere, kompanitë e teknologjisë dhe shoqërinë civile globale për të identifikuar, zbuluar dhe çmontuar fushatat e dezinformimit si dhe urrejtjen dhe ngacmimet në internet”, thuhet në rekomandim, në të cilin i bëhet thirrje Qeverisë amerikane që në partneritet me qeveritë e vendeve tjera, të ketë investime më të mëdha në programe për të ndërtuar qëndrueshmërinë e qytetarëve lokalë kundër dezinformimit.

“Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen me partnerët e tyre për të krijuar një Task Forcë të re Globale mbi Integritetin dhe Qëndrueshmërinë e Informacionit”, rekomandojnë këto organizata.

Demokracia në botë – në pikë krize

Zhvendosja nga proceset demokratike në botë, sipas raportit, ka arritur në pikë kritike. Në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar ka pasur një zhvillim të proceseve demokratike, por tash në çdo rajon të botë, sipas raportit, ekziston përkeqësim i situatës.

“Kërcënimet e brendshme duke përfshirë ekstremizmin, populizmin, polarizimin dhe korrupsionin në disa vende, po shkatërrojnë parimet e shoqërive të lira dhe të hapura. Dështimi për të ofruar rritje ekonomike dhe shërbime të barabarta nga ana e disa qeverive demokratike po minojnë besimin në vetë idenë e demokracisë”, thuhet në raport.

Në shumë vende, sulmet ndaj zgjedhjeve dhe mediave po forcojnë diktatorët e mundshëm.

“Derisa sistemi demokratik po bie, liderët autoritarë po premtojnë rend, siguri dhe përparim, ndërsa në të vërtetë ata sjellin nënshtrim, persekutim dhe korrupsion”, vlerësojnë ekspertët amerikanë.

Në shtjellimin e këtij vlerësimi, përmenden veprimet e Kinës, e cila “po e përdor detyrimin ekonomik, ushtarak dhe diplomatik për të minuar qeverisjen demokratike dhe për të avancuar ndikimin e saj në Azi dhe më gjerë”.

Pastaj, Rusia nën udhëheqjen e presidentit, Vladimir Putin, duke e parë rrezikun e përhapjes së demokracisë, po nxit ndarjen dhe pasigurinë në vendet demokratike, në veçanti te vendet fqinje të saj.

“Në të dyja rastet, ata kërkojnë të avancojnë interesat e tyre duke minuar rendin ndërkombëtar liberal të bazuar në rregulla që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë mbikëqyrur për tre të katërtat e një shekulli”, thuhet në raport.

“Një grup i vendeve partnere të SHBA-së, përfshirë Indinë, Turqinë, Hungarinë, Poloninë, Brazilin dhe Filipinet janë më të ndjeshme për t’u bërë regjime thelbësisht jodemokratike”, vlerësohet nga Grupi Punes i organizatave Freedom House, Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) dhe Institutit McCain.

Këto organizata i rekomandojnë Qeverisë amerikane që për t’iu përgjigjur kësaj situate të forcojë aleancat e saj.

“Ne (SHBA) duhet të rifillojmë me rolin tonë kryesor të udhëheqjes në kauzën e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, duke zhvilluar një ‘diplomaci të demokracisë’ për të ndërtuar dhe menaxhuar aleancat të cilat e kanë si qëllim kryesor këtë kauzë”, thuhet në rekomandim.

Si përparësi, i rekomandohet Qeverisë amerikane që të angazhohet me aleatët e NATO-s, për shkak të gërryerjes së demokracisë në Turqi, Hungari dhe Poloni.

Presidenti amerikan, Joe Biden, sipas këtyre rekomandimeve, duhet ta bëjë çështjen e antikorrupsionit, si shtyllë themelore të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, përmes bashkëpunimit me Kongresin.

Fuqizimi i gruas në udhëheqje

Derisa gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë së botës, niveli i përfaqësimit të tyre në pozita udhëheqëse në botë është shumë i ulët, thuhet në raport.

“Pavarësisht përparimeve të rëndësishme të kohëve të fundit, vetëm 11 për qind e krerëve aktualë të shteteve dhe qeverive janë gra, dhe në një pjesë të vogël të parlamenteve kombëtare gratë përfaqësohen në gjysmën e përbërjes”, thuhet në raport.

Vështirësitë që ballafaqohen gratë në botë janë të mëdha, dhe në dokument përmendet disa prej tyre, siç janë: humbja e vendeve të punës me ritme shumë më të larta se burrat, pastaj rritja e nivelit të dhunës si dhe puna pa pagesë.

Përfshirja dhe përparimi i grave në qeverisje dhe politikëbërje publike duhet të jetë një përparësi themelore për forcimin e demokracisë, thuhet në raport.

“Prandaj, Shtetet e Bashkuara duhet të krijojnë një Nismë për Lidershipin Politik dhe Qytetar të Grave”, rekomandon raporti.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
blank

Blinken: Do të largohemi nga Afganistani bashkë me aleatët

VOA

Koalicioni i trupave të drejtuara nga NATO-ja në Afganistan do të largohet nga vendi në koordinim me tërheqjen e planifikuar të forcave amerikane deri më 11 shtator, tha të mërkurën Sekretari amerikan i Shtetit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha në Bruksel se është koha që aleatët e NATO-s të venë në jetë premtimin e aleancës se ata shkuan në Afganistan së bashku dhe do të largohen së bashku.

“Unë jam këtu për të punuar ngushtë me aleatët tanë, me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, mbi parimin që kemi vendosur që nga fillimi: kemi shkuar së bashku, jemi stërvitur së bashku dhe do të dalim së bashku,” tha zoti Blinken në një deklaratë në selinë e NATO-s.

Në Afganistan ndodhen 2,500 trupa amerikane. Por atje ka gjithshtu edhe rreth 7,000 forca jo-amerikane, kryesisht nga vende të NATO-s, si edhe nga Australia, Zelanda e Re dhe Gjeorgjia, të cilat ende kanë mbështeten ajrore amerikane, si dhe bazohen tek forcat e SHBA përsa i përket planifikimit dhe drejtimit në misionin e tyre trajnues.

“Ne do të punojmë shumë ngushtë së bashku gjatë muajve në vazhdim për një tërheqje të sigurt, me synime të qarta dhe të bashkërenduar të forcave tona nga Afganistani,” tha zoti Blinken.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se e mirëpriste koordinimin për këtë çështje.

“Ne e mirëpresim këtë mundësi për t’u koordinuar dhe konsultuar ngushtë me të gjithë aleatët tanë ndërkohë që jemi dakord lidhur me praninë tonë të ardhshme në Afganistan. Kështu që unë pres të diskutoj me ju si dhe me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes gjatë ditës së sotme,” tha shefi i NATO-s.

Ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të NATO-s po diskutojnë ndërkaq planet e tyre përmes video konferencës.

Një diplomat i lartë i NATO-s i tha agjencisë së lajmeve Reuters se asnjë aleat nuk pritet të kundërshtojë njoftimin zyrtar që do të bëjë Presidenti Joe Biden për një tërheqje të plotë të trupave amerikane deri më 11 shtator.

blank

Ish-shefi i Pentagonit: SHBA duhet të dërgojë trupa përgjatë Detit të Zi

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të dërgojë më shumë trupa përgjatë Detit të Zi, në Bullgari dhe Rumani, për ta frenuar agresionin e mundshëm nga Rusia, në kohën kur tensionet mes Moskës dhe Uashingtonit janë shtuar.

Esper, tani pjesë e Institutit McCain për Lidership Ndërkombëtar në Universitetin Shtetëror të Arizonës, tha: “Unë mendoj se ne duhet të vazhdojmë të qëndrojmë përballë Rusisë dhe të përpiqemi ta frenojmë sjelljen e tyre të keqe.”

Në një intervistë për agjencinë Reuters, Esper gjithashtu tha se Uashingtoni duhet t’i sigurojë aleatët evropianë dhe duhet ta fuqizojë NATO-n duke dërguar më shumë forca në Poloni, në Baltik, dhe në vendet si Rumania dhe Bullgaria. Sipas tij, nëse jo në mënyrë të përhershme, trupat duhet të vendosen me rotacion.

Presidenti amerikan, Joe Biden, i bëri thirrje homologut të tij rus, Vladimir Putin, që t’i ulë tensionet e nxitura nga grumbullimi i trupave ruse afër kufirit me Ukrainën dhe propozoi një samit për diskutimin e mosmarrëveshjeve, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Rusia e aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, ndërsa luftimet në Ukrainën lindore janë shtuar javët e fundit, ku forcat qeveritare po përballen me separatistët e përkrahur nga Moska. Ukraina thotë se në këtë konflikt janë vrarë rreth 14.000 njerëz.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara njoftuan të martën se do t’i shtojnë trupat në Gjermani në valën e fundit të tensioneve me Rusinë për Ukrainën, duke u tërhequr nga plani i ish-presidentit Trump për largimin e rreth 12.000 ushtarëve amerikanë nga ekonomia më e fuqishme evropiane.


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend