VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Vëllai i kryeministri britanik lë politikën pas diskutimeve për Brexit

By | September 5, 2019

Komentet

Ngrihen zyrtarisht akuza për korrupsion kundër kryeministrit Netanyahu

Prokurori i Përgjithshëm i Izraelit akuzoi zyrtarisht të enjten Kryeministrin Benjamin Netanyahu për një seri çështjesh korrupsioni, duke e çuar sistemin politik tashmë të paralizuar të vendit në një çrregullim të mëtejshëm dhe duke kërcënuar kontrollin e pushtetit të zotit Netanyahu për një kohë të gjatë.

Prokurori i Përgjithshëm Avichai Mandelblit e akuzoi zotin Netanyahu për mashtrim, shkelje të besimit dhe pranim të ryshfeteve në tre skandale të ndryshme. Është hera e parë që një kryeministër izraelit në detyrë akuzohet për një krim.

Akuzat kundër Netanyahut përfshijnë dyshimet që ai pranoi qindra mijëra dollarë në mallra si shampanjë dhe cigare nga miqtë e tij miliarderëve, ka ofruar favore tregëtie për një botues gazete dhe ka përdorur ndikimin e tij për të ndihmuar një manjat të pasur të telekomit në këmbim të një mbulimi të favorshëm në një faqe popullore lajmesh.

Aktakuza nuk kërkon që zoti Netanyahu të japë dorëheqjen, por pritet të ushtrojë presion mbi të që të tërhiqet nga posti.

Netanyahu i ka quajtur akuzat pjesë e një gjuetie shtrigash, duke kritikuar median, policinë, prokurorët dhe sistemin e drejtësisë. zëri i amerikës

I përfshirë në skandalin Epstein: Princi Andrew heq dorë nga detyrat mbretërore

Mbretëresha Elizabeta II dhe Princi Andrew.

Duka i Jorkut ka thënë se do të lirohet nga të gjitha detyrat mbretërore për një “kohë të caktuar”, për shkak të skandalit ku është i përfshirë, Jeffrey Epstein.

Princi Andrew ka thënë se lidhjet e tij me të dënuarin për krime seksuale kanë krijuar “përçarje të mëdha” në Familjen Mbretërore.

Përmes një deklarate, ai ka thënë se bashkëndjen me viktimat e Epsteinit dhe se “të gjithë ata që janë prekur dhe duan një epilog”.

Ky lajm vjen pasi Duka është përballur me kritika të mëdha pas një interviste të realizuar nga transmtuesi BBC.

Në letrën e shkruar për gazetën the Times nga Pallati Buckingham më 2011 shprehen dyshime për kohën kur Duka ka takuar për herë të parë Epsteinin.

Në letrën e vitit 2011, thuhet se ata janë takuar në fillim të viteve 1990, dhe jo 1999 siç ka pretenduar princi në intervistën e BBC-së.

Gjatë intervistës, ai ka thënë se e ka takuar Epsteinin “përmes të dashurës së tij më 1999”, një referencë për Ghislaine Maxwell, e cila ka njohur Princin prej kur ajo ka qenë në universitet.

Letra e vitit 2011 është publikuar pasi The Times ka raportuar për ekzistencën e një fotografie të princit dhe 17-vjeçares, Virginia Giuffre, atëbotë e njohur si Roberts, e cila më vonë ka thënë se është detyruar të ketë marrëdhënie seksuale me të.

Duka ka mohuar çfarëdo kontakti apo marrëdhënie me Roberts.

Ai ka thënë se i ka kërkuar Mbretëreshës nëse mund të heqë dorë nga deyrat publike dhe ajo i ka dhënë leje.

Ai po ashtu ka thënë se “ka gatishmëri për t’iu ndihmuar agjencive për zbatim të ligjit në hetime, nëse i kërkohet”.

Financieri, Jeffrey Epstein, ka kryer vetëvrasje në burgun federal të Shteteve të Bashkuara në gusht të këtij viti.

Ai ka qenë në pritje të gjykimit pas akuzave për trafikime seksuale.

Pema “Jacaranda” me ngjyrën e saj e zbukuron qytetin Sydney

Queensland

Pema “Jacaranda” e cila tërheq vëmendjen me lulet e saj me ngjyrë vjollce dhe aromën e këndshme në parqet dhe rrugët e qytetit australian, Sydney, u bë qendër e vëmendjes së turistëve që vizituan qytetin, shkruan Anadolu Agency (AA).

Pemët të cilat veçanërisht në Australi lulëzojnë në muajt tetor dhe nëntor stolisin shumë qytete. Pema i shton një bukuri të veçantë rrugës McDougall të lagjes Kirribilli të Sydney-it.

Origjina e kësaj peme është Amerika Jugore ndërsa rruga McDougall vizitohet shumë nga turistët.

“Ishte ëndërr e imja të fotografohem këtu”

Turistja ruse, Evgeniya Tarasova, në deklaratën për AA tha se këtë rrugë e ka parë në rrjetet sociale dhe ka patur dëshirë të madhe të fotografohet këtu. “Rruga është shumë e bukur. Ishte një ëndërr e imja të vij këtu dhe të fotografohem. Duket shumë bukur”, tha ajo.

Në një nga këngët për Krishtlindje në Australi përdoret shprehja “Kur lulëzon pema Jacaranda, është afruar koha e Krishtlindjes”. Emri i pemës në latinisht është Jacaranda mimosifolia.

Pema mund të rritet rreth 7 deri në 15 metra. Emri i saj rrjedh nga gjuha guarani që flitet në shtetet e Amerikës Jugore, Paraguaj, Bolivi dhe Argjentinë, që do të thotë “me aromë të këndshme”.

Kjo pemë mund të haset edhe në vendet evropiane ndërsa në rajonin e Egjeut dhe Mesdheut ajo lulëzon në muajt maj-qershor.

Brazil, shpyllëzimi në Amazonë në nivelin më të lartë që nga viti 2008

Rio De Janerio

Brazili ka njoftuar se përqindja e shpyllëzimit në pyjet e Amazonës ka arritur në nivelin më të lartë që nga viti 2008, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas raportit të Institutit Kombëtar Brazilian për Hulumtime në Hapësirë (INPE), humbja në pyjet e Amazonës në periudhën mes gushtit 2018 dhe korrikut 2019, në krahasim me një vit më parë ka arritur në 9.762 kilometra katrorë ose rreth 30 për qind.

Zyrtarët theksojnë se shpyllëzimi në periudhën 2018-2019 në shtetin Para të Brazilit është rreth 40 për qind, duke tërhequr vëmendjen se prerja e paligjshme e drunjve në shtetet Roraima dhe Amazonas është rritur ndjeshëm.

Më tej bëhet e ditur se të dhënat do të konfirmohen vitin e ardhshëm.

“Është e papranueshme që Amazona ende vazhdon të shkatërrohet”, thuhet nga Fondi Botëror i jetës së egër (WWF).

Më tutje, në deklaratë potencohet se shpyllëzimi do të përshpejtohet nëse qeveria e Brazilit nuk ndërmerr veprime të forta për ta parandaluar atë.

Këtë vit shpërthyen mbi 83.000 zjarre

INPE, në raportin e publikuar në muajin gusht tha se në pyjet e Amazonës në Brazil në 8 muajt e parë të vitit shpërthyen mbi 83.000 zjarre.

Amazona e cila llogaritet si “Mushkëria e Tokës” dhe prodhon 20 për qind të oksigjenit në rruzullin tokësor, gjithashtu në vit thith mbi 1 miliard ton karbon atmosferik.

Në këto pyje ndodhen 10 për qind e specieve shtazore dhe bimore të botës ndërsa është shtëpi e mbi 400 fiseve indigjene që jetojnë në 8 shtete të ndryshme të Amerikës Jugore.

Sipas faqes Global Forest Watch, në Brazil, i cili është shtëpi e 60 për qind të Amazonës, këtë vit nga 1 janari e deri më 28 gusht janë dhënë mbi 730 mijë alarme për zjarr.

Këtu tërhoqi vëmendjen se 29 për qind të alarmeve janë dhënë për vendet pyjore ku gjenden zonat minerare.

Ndikimi i presidentit Bolsonaro në zjarret në Amazon

Disa organizata joqeveritare theksojnë se në rritjen e dëmeve të pyjeve në Amazon kanë luajtur rol vendimet e presidentit brazilian Jair Bolsonaro, qeveria e të cilit ka zvogëluar luftën ndaj bujqësisë dhe aktiviteteve minerare të jashtëligjshme si dhe neglizhencën ndaj masave të marra për mbrojtjen e zonave pyjore.

Bolsonaro para zgjedhjeve presidenciale tha se mbrojtja e Amazonës është duke e penguar zhvillimin e vendit dhe premtoi se do ta hapë për përdorim tregtar këtë rajon.

Guaido fillon valën e protestave të reja në Venezuelë

Lideri i opozitës në Venezuelë, Juan Guaido, filloi një valë të re të protestave kundër qeverisë së Maduros nëpër rrugët kryesore të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përmes Twitterit, Guaido njoftoi se mobilizimi në rrugë do të vazhdojë të martën me mbështetjen e mjekëve dhe infermierëve, të mërkurën mësuesit do t’i bashkangjiten protestës ndërsa të enjten do të zhvillohen protesta të lëvizjes studentore.

Guaido gjithashtu përjashtoi kthimin në tavolinën e bisedimeve me presidentin Nicolas Maduro, madje edhe nën ndërmjetësimin norvegjez.

“Procesi i bisedimeve është i vdekur tre muaj më parë. Ata e vranë, ata ikën”, tha ai në një konferencë për media në Karakas, duke iu përgjigjur pyetjes së mundësisë për rifillim të bisedimeve në Oslo.

“Ne patjetër t’i japim fund krizës”, tha ai, duke iu referuar rëndësisë së mobilizimit të ri.

Delegacione nga të dyja palët morën pjesë në bisedimet në Oslo dhe Barbados nën ndërmjetësimin e qeverisë norvegjeze e cila ndërmori iniciativë për bisedime për të zgjidhur krizën politike.

Bisedimet në Oslo në muajin maj nuk dhanë rezultate ndërsa palët nuk dhanë një qëndrim të qartë për përmbajtjen e bisedimeve në Barbados të mbajtura në fillim të muajit korrik.

Përderisa Guaido që atëherë mbetet në retorikën e tij të ashpër kundër qeverisë, Maduro dhe delegacioni i tij e konsiderojnë procesin e bisedimeve si “të suksesshëm”.

Të dyja palët kishin caktuar një raund të ri të bisedimeve në Barbados në fillim të muajit gusht, por delegacioni i presidentit Maduro vendosi që të mos marrë pjesë në bisedime shkaku i mbështetjes së sanksioneve amerikane ndaj Venezuelës nga ana e Guaidos. Sanksionet përmbanin një urdhër ekzekutiv që ngrin të gjitha pasuritë që i përkasin qeverisë së Venezuelës.

Guaido mbështeti këtë veprim të SHBA-ve duke thënë se masat nuk janë kundër popullit të Venezuelës, por kundër “një regjimi të korruptuar”.

Që nga fillimi i vitit, Venezuela është përfshirë në trazira politike, pasiqë presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro dhe kreu i opozitës, Juan Guaido janë përfshirë në një betejë për pushtet ndërsa ekonomia e vendit ka shënuar rënie të ndjeshme pas rënies së çmimit të naftës së papërpunuar, që është eksporti kryesor i shtetit.

Analistët: Putini më i dobët se udhëheqësit sovjetikë

Biseda e përgjuara telefonike që u publikuan javën e shkuar nga një grup hetuesish të udhëhequr nga Holanda dhe që tregojnë udhëheqësit seperatisë në Ukrainë që kërkojnë udhëzime dhe mbështetje praktike nga Moska në javët para goditjes dhe rrëzimit të avionit malajzian me pasagjerë, janë një tjetër provë e lidhjeve mes zyrtarëve të lartë rusë në rajonin Donbas të Ukrainës dhe grupeve paraushtarake rebele pro-Moskës, thonë zyrtarët holandez.

Por, sipas disa ish-këshilltarëve të Presidentit Vladimir Putin dhe analistëve, bisedat telefonike të përgjuara po ashtu demostrojnë se si Kremlini u përpoq për të imponuar një komandë të bashkuar në Donbasin e kontrolluar nga separatisitët, ndërkohë që grupet rebele, oportunistët politikë dhe agjencitë ruse të sigurimit konkurronin me njëra-tjetrën për të marrë kontrollin e situatës, duke shtuar konfuzion në strategji dhe taktika.

Ata thonë se kjo përputhet me zhvillimin e ngjarjeve. Kremlini nuk i përngjet një makinerie që funksionon mirë dhe Presidenti Vladimir Putin nuk është i informuar për gjithshka dhe në kontroll të plotë, siç mendon Perëndimi. Pavarësisht përpjekjeve për të përcjellë një imazh force dhe vëndosmërie, autoriteti i tij në disa raste është i kufizuar dhe procesi i vendimmarrjes brenda Kremlinit është shumë më kaotik nga sa e mendojnë shumë njerëz. Zyrtarët e lartë shpesh marrin vendime në kokën e vet, me shpresën se do t’i bëhet qefi udhëheqësit rus. Kur gjërat shkojnë keq, ai mund të mohojë se ka miratuar veprimet, thotë Glev Pavlovsky, një ish-ndihmës.

Përshtypja në Perëndim se gjithçka urdhërohet dhe drejtohet nga Vladimir Putini është e gabuar, thotë ai. Një i ashtuquajtur “teknolog politik” për Presidentin Putin para se të ndahej me udhëheqësin rus në vitin 2012 lidhur me vendimin për të kërkuar një mandat të tretë për president, zoti Pavlovsky ofron një pamje të një Kremlini të pasigurtë që shpesh improvizon dhe bën blof.

“Idea e ‘pushtetit vertikal’ që krijova 20 vite më parë, është propagandë dhe nuk ishte e vërtetë atëherë dhe as nuk është e vërtetë tani,” tha ai për Zërin e Amerikës.

Ai thotë se manovrimet e brendshme politike të Kremlinit janë shumë të komplikuara, me fraksione që ndryshojnë ndërsa konkurrojnë për favore dhe me autoritet të kufizuar në përcjelljen e interesave të tyre lart e poshtë. Putini mund të marrë vendime, por ai nuk mund të sigurohet gjithmonë se ato po zbatohen. Procesi i vendimarrjes është ‘shumë jozyrtar’ shton zoti Pavlovsky.

Thesari i bisedave telefonike të përgjuara mes udhëheqësve seperatistë pro-Moskës dhe zyrtarëve të Kremlinit në javët para goditjes dhe rrëzimit të avionit malajzian me pasagjerë MH17, që la të vdekur të 298 personat në bord, po cilësohet nga disa analistë si dëshmi se sa kontroll ka ushtruar Moska mbi rebelët e armatosur në Donbas.

Mes zyrtarëve të lartë të përgjuar janë edhe Vladislav Surkov, një ndihmës i lartë i Putinit, të cilin udhëheqësit seperatistë e quajnë ‘njeriu ynë në Kremlin’. Mes zyrtarëve të tjerë të lartë të sigurisë që përmenden në regjistrime janë edhe ministri i mbrojtjes Sergey Shoigu dhe drejtori i agjencisë ruse të zbulimit (FSB) Alexander Bortnikov. Në bisedat mes udhëheqësve seperatistë diskutohet për dërgesën e ndihmës ushtarake, përfshirë municione dhe pajisje që mundësojnë shikim natën. Në bisedat me zyrtarët rusë ata mësojnë për planet e Moskës për të dërguar përforcime të ‘gatshme për luftë’.

Regjistrimet do të ofrojnë prova se Moska transferoi në Donbas raketa anti-ajrore të tipit BUK, një prej të cilave goditi dhe rrëzoi avionin malajzian të pasagjerëve. Regjistrimet ilustrojnë “hierarkinë ushtarake dhe administrative” e cila mundësoi rrëzimin e avionit MH17 në pjesën lindore të Ukrainës”, thotë grupi hetues i udhëhequr nga Hollanda.

Ndërsa demostrojnë lidhjet e forta mes Moskës dhe rebelëve në Donbas, regjistrimet gjithashtu çojnë në përfundimin se kontrolli rus mbi situatën në Donbas minohej nga nga linjat paralele të komandës dhe fraksionet rivale komanduese, thotë Mark Galeotti, analist britanik me “Royal United Services Institute”.

“Regjistrimet nxjerrin në pah për një situatë të çorientuar dhe kontradiktore ku fraksione dhe udhëheqës të ndryshëm po konkurojnë me njëri-tjetrin për të siguruar favore nga Moska si dhe për të çuar përpara interesat e tyre vetjake në të njëjtën kohë”, shprehet analisti përmes një komenti në variantin anglisht të gazetës “Moscow Times” .

Zoti Galeotti nënvizon problemet disiplinore dhe të komandës duke sjellë si shembull një bisedë telefonike mes seperatistëve të cilët reagojnë pasi u jepen urdhëra nga dy agjenci të ndryshme ruse të zbulimit që konkurojnë me njëra tjetërn, FSB dhe GRU.

Pjesa më e madhe e vendimmarrjes si në Donbas ashtu edhe në Rusi mbizotërohet nga linja të ngatërruara komande, thotë zoti Pavlovsky. Ai thotë se një shembull tipik për këtë kanë qënë taktikat në ndryshim se si të trajtoheshin protestat kundër Kremlinit që filluan në korrik lidhur me zgjedhjet e manipuluara për këshillin bashkiak të qytetit të Moskës. Reagimi fillestar ishte i qetë por pastaj “njerëz të sigurimit u përfshinë”, thotë ai. “Putini nuk e dha këtë urdhër”, shton ai. “Moskovitët u rrahën nga Garda Kombëtare dhe pati arrestime. Nga jashtë mund të duket si planifikim nga Shtabi i Përgjithshëm. Por nuk ishte e tillë!”

“Shteti ynë është i dobët. Duhet ta kuptojmë qartë. Është i fuqishëm kur konfrontohet me një pakicë të vogël ose kur ka operacione speciale diku, por si shtet, si një sistem i pushtetit ekzekutiv, është shumë i dobët, shumë më i dobët se qeveria sovjetike”, thotë zoti Pavlovsky. zëri i amerikës

Tensione të larta në Iran, të vrarë e të plagosur në protesta

Tensionet në Iran mbeten të larta edhe tri ditë pasi rritja e çmimeve të naftës nxiti protesta në disa qytete.

Situata në rrugë sot është e paqartë, pasi autoritetet kanë urdhëruar ndërprerjen e Internetit në disa pjesë, gjë që ka kufizuar edhe publikimin e videove dhe komunikimet e tjera në mediat sociale.

Zyrtarët thanë se gjashtë njerëz janë vrarë në përleshje – në mesin e tyre: tre protestues, dy pjesëtarë të forcave iraniane të sigurisë dhe një roje e sigurisë, por, sipas disa raporteve, numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.

Disa video që kanë arritur të dalin në mediat sociale, i tregojnë forcat qeveritare duke qëlluar në drejtim të protestuesve.

Garda Revolucionare e Iranit, përmes një deklarate të transmetuar nga media shtetërore, paralajmëroi se do të veprojë nëse trazirat nuk pushojnë.

Më shumë se 100 banka dhe dyqane janë djegur gjatë protestave dhe rreth 1,000 njerëz janë arrestuar, njoftoi agjencia e lajmeve Fars.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha të hënën se njerëzit mund të protestojnë, por jo të nxisin trazira.

“Qeveria nuk do të lejojë askënd të shkaktojë trazira dhe pasiguri. Sidoqoftë, protesta është e drejtë e njerëzve. Ata mund të protestojnë, mund të flasin dhe mund të kritikojnë”, tha Rohani.

Me rritjen e çmimit të naftës, sipas autoriteteve iraniane, pritet të mblidhen rreth 2.55 miliardë dollarë shtesë për subvencione për 18 milionë familje apo 60 milionë iranianë me të ardhura të ulëta.

Irani është i katërti në botë për nga rezervat e naftës së papërpunuar, por ekonomia e tij është dobësuar për shkak të sanksioneve ndërkombëtare.

Rusia ia kthen tri anijet Ukrainës

Rusia ia ktheu tri anije Ukrainës – gati një vit pasi i konfiskoi ato në gadishullin ukrainas të Krimesë, të cilin Moska e ka aneksuar ilegalisht në vitin 2014.

Ministria e Jashtme ruse tha se anijet janë kthyer pasi “hetuesit i studiuan plotësisht ato” për “kalim të paligjshëm të kufirit” dhe shtoi se “prania e tyre e mëtejshme në Rusi është e panevojshme”.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës e konfirmoi kthimin e anijeve përmes një deklarate të postuar në faqen e saj të internetit.

Më 25 nëntor, 2018, anijet e Rojes Bregdetare të Rusisë kanë sulmuar me zjarr dhe kanë konfiskuar tri anije, me 24 njerëz në bord, në Ngushticën Kërç në Detin Azov, derisa ato kanë qenë duke lundruar për në portin ukrainas të Mariupolit.

Rusia ka thënë se anijet kanë kaluar në ujërat e saj, por Ukraina e ka mohuar këtë, ndërsa sulmin e ka cilësuar si shkelje të ligjit ndërkombëtar detar.

Më 25 maj, një gjykatë e Kombeve të Bashkuara e urdhëroi Rusinë të lirojë menjëherë ekuipazhin dhe anijet e bllokuara, por këtë vendim Moska e injoroi.

Njëzetekatër shërbyesit ukrainas u liruan më 7 shtator, në kuadër të një shkëmbimi të të burgosurish midis Rusisë dhe Ukrainës.

Marrëdhëniet midis Moskës dhe Kievit janë të tensionuara, prejse Rusia ka aneksuar Krimenë në vitin 2014 dhe, që atëherë, ka nisur mbështetjen për një lëvizje separatiste në lindje të Ukrainës.

Konflikti midis separatistëve pro-rusë dhe forcave qeveritare të Ukrainës ka lënë mbi 10,000 njerëz të vrarë. rel

Realizohet fluturimi Londër-Sidnej për 19 orë e gjysmë

Aeroplan i llojit, Boeing 787-9 Dreamliner.

Linja kombëtare ajrore e Australisë, Qantas, ka realizuar fluturimin nga Londra në Sidnej për 19 orë e gjysmë, në kuadër të një serie testimesh për të vlerësuar efektet e fluturimeve shumë të gjata.

Aeroplani i llojit, Boeing 787-9 Dreamliner, është nisur nga Aeroporti Heathrow i Londrës të enjten dhe ka arritur në Aeroportin e Sidnejt të premten.

Udhëtimi 17,800 kilometra i gjatë, është pjesë e synimeve të kompanisë, Qantas për të realizuar fluturime të rregullta nga qytetet, Sidnej dhe Mellburn, për në Londër dhe Nju Jork.

Muajin e kaluar, Qantas ka kompletuar fluturimin e parë direkt nga Nju Jorku në Sidnej për 19 orë e 16 minuta.

Një tjetër fluturim Nju Jork-Sidnej pritet të realizohet këtë muaj. rel

Koreja Veriore: Biden është “qen i tërbuar” që “duhet të goditet për vdekje”

Gjuha e përdorur më 14 nëntor, është e pazakonshme edhe për standardet e Koresë Veriore, e cila me raste ka fjalor të ashpër kur përshkruan persona që i sheh si armiq.

Biden “kishte guxim ta sfidonte dinjitetin e udhëheqësisë supreme”, ka thënë agjencia shtetërore e lajmeve në Phenjan, KCNA.

“Qentë e tërbuar sikurse Biden mund të lëndojnë shumë persona nëse lejohen të vrapojnë… Ata duhet të goditen me shkopinj për vdekje. Kjo gjë do të jetë edhe në përfitim të SHBA-së”, ka thënë kjo agjenci.

Biden ka treguar se “se ka shenja të sëmundjeve mendore. Duket se ka ardhur koha që ai të largohet nga jeta”, është thënë ndër të tjera në agjencinë verikoreane.

Në fushatën e Bidenit të prezantuar javën e kaluar, është publikuar një reklamë që sulmon politikën e jashtme të presidentit amerikan, Donald Trump duke thënë se “diktatorët dhe tiranët po përgëzohen, aleatët tanë po largohen”.

Fjala “tiran” përmendet në kohën e njëjtë kur paraqitet një fotografi e Trumpit me liderin verikorean, Kim Jong Un, duke i dhënë dorën njëri-tjetrit, në një samit të mbajtur vitin e kaluar. rel

Kina zhvillon një provë të rëndësishme për misionin në Mars

Kina sot kreu një eksperiment, duke simuluar procesin e një anije kozmike në Mars dhe për të shmangur pengesat, raportuan media kineze, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vendi po planifikon të dërgojë një mision në Mars në vitin 2020.

Eksperimenti shkencor simuloi gravitetin e Marsit, i cili është 62 për qind më i ulët se në Tokë. Një person që peshon 100 kilogramë në Tokë do të peshonte vetëm 38 kilogram në Mars.

Procesi i ri i simulimit erdhi një ditë pasi Pekini nisi një satelit të ri në orbitën e planifikuar nga Qendra e Lançimit Satelitor Jiuquan në veriperëndim të Kinës.

Sipas agjencisë së lajmeve Xinhua, eksperimenti zbuloi procesin e qëndrimit pezull të sondave, zbarkuesit, duke shmangur pengesat dhe zbritjen në sipërfaqen e Marsit.

Eksperimenti, i cili u mbajt në qarkun Huailai, në provincën Hebei në veri të Kinës, besohet të jetë më i madhi i kryer në Azi për të provuar uljen e trupave jashtëtokësore, thuhet në raport.

Misioni i Marsit i vitit 2020 planifikohet të kompletojë orbitën, uljen dhe drejtimin në një mision, tha Administrata Kombëtare e Hapësirës Kineze.

“Si të bëjmë një ulje të sigurtë në Mars është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet misioni”, thuhet në raport.

Kina kishte ftuar diplomatët nga 19 vende përfshirë Francën, Italinë dhe Brazilin, Bashkimin Evropian, Unionin Afrikan dhe Organizatën e Bashkëpunimit Hapësinor Azi-Paqësor për të ndjekur procesin e simulimit.

Një ditë më parë, Kina dërgoi në hapësirë Jilin-1 Gaofen 02A. Ajo u lançua nga Kuaizhou-1A (KZ-1A), raketa transportuese. Dy raketa KZ-1A u përdorën këtë vit nga Kina për të dërguar misionet e saj në hapësirë.

Në janar, Kina u bë vendi i parë që zbarkoi një anije hapësinore në anën e Hënës kur sonda e saj Chang’e-4 preku sipërfaqen.

Papa Françesku kërkon që fëmijëve t’iu sigurohet mbrojtje në internet

Papa Françesku tha se drejtuesit e kompanive të teknologjisë dhe investitorët, duhet të mbajnë përgjegjësi, nëse ata vendosin në rend të parë përfitimet financiare dhe jo mbrojtjen e fëmijëve, përfshirë edhe qasjen e lehtë në pornografinë në internet.

Papa i bëri deklaratat në hapje të një konference në Vatikan me temën “Promovimi digjital i dinjitetit të fëmijëve”. Së bashku me grupet e mbrojtjes së fëmijëve, dhe zyrtarët e zbatimit të ligjit, pjesëmarrëse në konferencë ishin edhe kompanitë e mëdha si Apple, Google, Microsoft dhe Facebook.

“Kompanitë që ofrojnë shërbime interneti prej kohësh e konsiderojnë veten vetëm si furnizues të thjeshtë të platformave teknologjike, dhe jo përgjegjës moral apo ligjor për mënyrën e përdorimit të tyre”, tha Françesku.

Sipas tij “përvoja e dhimbshme dhe tragjike” e Kishës me krizën e saj të abuzimeve seksuale, i dha asaj një detyrë “t’iu qaset këtyre çështjeve me një vizion afatgjatë”.

Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Australia i bën thirrje kompanisë “Facebook” të pezullojë planet për të koduar shërbimin e tij të mesazheve, duke thënë se kjo do të pengojë në luftën kundër abuzimit të fëmijëve dhe terrorizmit.

Abuzuesit e fëmijëve kanë përdorur gjithnjë e më shumë aplikacionet për mesazhe për të shënjestruar viktimat e tyre dhe për të shkëmbyer imazhe dhe video. Numri i imazheve të abuzimit seksual të fëmijëve është rritur nga mijëra në dhjetëra miliona në vetëm disa vjet, raporton Reuters.

Shefi ekzekutiv i Facebook-ut, Mark Zuckerberg ka thënë se është “optimist” që kompania do të jetë në gjendje të zbulojë abuzuesit, me të njëjtën mënyrë që e përdorë për të luftuar ndërhyrjet në zgjedhje.

Papa Françesku u bëri thirrje inxhinierëve të fuqizojnë mënyrat e përdorimit të inteligjencës artificiale dhe algoritmeve për të mbrojtur fëmijët në internet. Ai tha se ata duhet të ndjehen “personalisht përgjegjës për ndërtimin e së ardhmes”. rel