VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Vdes regjisori çekoamerikan Millosh Forman

By | April 14, 2018

Komentet

Sot shpallen nominimet për çmimet Oscar 2019

Akademia e Arteve dhe e Shkencave në Shtetet e Bashkuara do të zbulojë sot nominimet për çmimet Oscar 2019.

Nominimet do të shpallen në Teatrin Samuel Goldwyn në Beverlli Hills të Kalifornisë.

Ngjarja – më e rëndësishmja në industrinë e filmit – do të transmetohet drejtpërdrejt në ueb-faqen e Oscar-ëve dhe në mediat sociale, si Facebook, YouTube dhe Twitter.

Përpara se të vinte deri këtu, kanë ndodhur disa gjëra të papritura.

Shumë shpejt pasi është emëruar nikoqir i ceremonisë së ndarjes së çmimeve Oscar, më 24 shkurt, komediani Kevin Hart është detyruar të tërhiqet për shkak të disa postimeve homofobike në mediat sociale, për të cilat më pas ka kërkuar falje.

Kjo ka bërë që Oscar, vetëm një muaj para ceremonisë së dhënies së çmimeve, të mbetet pa një mikpritës zyrtar.

Mbrëmja Oscar për herë të parë pa moderator

Pas mosmarrëveshjeve me moderatorin e ceremonisë Oscar, Kevin Hart, organizatori ka bërë një ndryshim drastik në skenarin e sivjemë, duke bërë që për herë të parë në tre dekada, eventi të mos ketë një moderator klasik.

Siç bën të ditur Variety, producentët do të përzgjedhin disa nga yjet e Hollywoodit të cilët do të ngjiten në skenë për të prezantuar kategoritë e ndryshme të mbrëmjes, e cila do të mbahet pas gjashtë javësh.

Pak orë pasi emri i tij u përzgjedh të jetë moderator i mbrëmjes së sivjetshme të Oscarit, Kevin Hart është lënë anash nga shkaku se refuzoi të kërkojë falje për disa cicërima në Twitter, që i kishte bërë në periudhën 2009-2011, e që janë vlerësuar si homofobe.

Të dhënat nga brenda flasin se Akademia nuk është në kërkim të një moderatori të caktuar, por nëse dikush do të shfaqej si mundësi, do ta pranonin.

Si zëvendësim, ata aktualisht janë duke llogaritur disa yje të profilit të lartë të cilët do të prezantonin kategoritë garuese.

Lady Gaga është një kandidat i mundshëm, ku skaj prezantimit do të performojë një këngë nga filmi i saj A Star is Born, në të cilin luajti me Bradley Cooper.

Mbrëmja Oscarëve do të mbahet më 24 shkurt në Los Anxheles, ndërsa nominimet do të shpallen më 22 janar.

Bohemian Rhapsody, befasia e Golden Globes më 2019

Rami Malek, fitues i Çmimit për Aktorin më të Mirë në Golden Globe.

Filmat “Bohemian Rhapsody” dhe “Green Book” kanë qenë befasitë e ceremonisë për ndarjen e Çmimeve Golden Globes më 6 janar.

Aktori amerikan, Rami Malek, që ka portretizuar figurën e Freddie Mercuryt, pjesëtarit të grupit britanik, Queen, ka fituar Çmimin për Aktorin më të Mirë.

Ky film, me producent, Bryan Singer, ka befasuar të gjithë, pasi ka mposhtur filmat, “A star is born” të Bradley Cooper dhe “BlacKkKlansman”, të Spike Lee.

Filmi i kategorisë komedi-dramë, “Green Book,” që paraqet shoqërinë e një piansti me ngjyrë dhe drejtuesit të bardhë të makinës së tij më 1960, ka fituar çmimet për komendinë dhe skenarin më të mirë.

Filmi, “A Star Is Born,” rikrijimi i kartërt i filmit original të vitit 1937, ka fituar Çmimin për Këngën më të Mirë, mirëpo nuk ka fituar edhe katër çmime tjera, pavarësisht se ishte konsideruar favorit nga kritikët.

Ndërkohë Çmimin për filmin më të mirë në Gjuhë të Huaj, e ka fituar filmi “Roma”, i regjisorit meksikan, Alfonso Cuaron.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve Golden Globes është mbajtur në Beverli Hills të Kalifornisë.

DiCaprio merret në pyetje për skandalin rreth Fondit Zhvillimor të Malajzisë

KUALA LUMPUR – Aktori hollywoodian Leonardo DiCaprio u mor në pyetje para gjykatës amerikane në kuadër të hetimeve lidhur me korrupsionin në Fondin Shtetëror Zhvillimor të Malajzisë 1MDB, në të cilin është përfshirë edhe ish-kryeministri i Malajzisë, Najip Razak, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Washington Post” publikoi lajmin se DiCaprio ka dhënë fshehurazi deklaratën para gjykatës në Washington. Një zyrtar i Departamentit Amerikan të Drejtësisë, i cili foli për këtë gazetë, nuk zbuloi çfarë ka thënë konkretisht DiCaprio lidhur me hetimin por tha se aktori i njohur me deklaratën e tij ka dhënë një kontribut dhe ka ndihmuar drejtësinë.

Hetuesit konsiderojnë se DiCaprio si një dëshmitar mund të japë informacione të dobishme lidhur me hetimet për larje të disa qindra miliona dollarëve nga fondi investues. DiCaprio nuk është objek hetimi.

Autoritetet amerikane e ngarkojnë ndërmarrësin malajzian Jho Taek Low për larje të disa qindra miliona dollarëve të cilat i kishte marrë nga Fondi për Zhvillim të Malajzisë dhe këto para ua ka shpërndarë të afërmve të tij.

Pretendohet se në mesin e tyre ishte dhe aktori DiCaprio. Në mes tjerash janë përhapur edhe spekulimet se filmi “The Wolf of Wall Street” i vitit 2013, në të cilin DiCaprio luan rolin kryesor është financuar nga këto para.

Gjithçka gati për spektaklin filmik Globi i Artë

Industria më e madhe e filmit në botë, Hollywood-i, po rregullon detajet e fundit për eventin e 76-të me radhë të ndarjes së çmimit të Globit të Artë i cili do të zhvillohet sonte në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) pak pas mesnate sipas kohës sonë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia e parë e madhe e çmimeve filmike paraqet një tregues të asaj se çka mund të presim nga Oscari i sivjetshëm.

Listën e nominimeve e kryeson filmi “Vice”, që është një biografi satirike e ish-nënpresidentit amerikan Dick Cheney, me gjithsej gjashtë nominime.

Vijon filmi i shumëpërfolur, që për protagonistë kryesorë ka këngëtaren Lady Gaga dhe tashmë yllin Bradley Cooper, me pesë nominime, aq sa kanë edhe filmat The Favourite dhe Green Book.

Mary Poppins Returns dhe BlackkKlansman i Spike Lee kanë nga katër nominime.

Nominimet janë si vijojnë:

Filmi më i mirë në kategorinë Dramë:

Black Panther

BlackkKlansman

Bohemian Rhapsody

If Beale Street Could Talk

A Star is Born

Filmi më i mirë në kategorinë Muzikal/Komedi:

Crazy Rich Asians

The Favourite

Green Book

Mary Poppins Returns

Vice

Performanca më e mirë e një aktori në filmin-dramë:

Bradley Cooper – A Star is Born

Willem Dafoe – At Eternity’s Gate

Lucas Hedges – Boy Erased

Rami Malek – Bohemian Rhapsody

John David Washington – BlackkKlansman

Performanca më e mirë e një aktoreje në filmin-dramë:

Glenn Close – The Wife

Lady Gaga – A Star is Born

Nicole Kidman – Destroyer

Melissa McCarthy – Can You Ever Forgive Me?

Rosamund Pike – A Private War

Performanca më e mirë e një aktori në filmin komedi ose muzikal:

Christian Bale – Vice

Lin-Manuel Miranda – Mary Poppins Returns

Viggo Mortensen – Green Book

Robert Redford – The Old Man and the Gun

John C Reilly – Stan and Ollie

Performanca më e mirë e një aktoreje në filmin komedi ose muzikal:

Emily Blunt – Mary Poppins Returns

Olivia Colman – The Favourite

Elsie Fisher – Eighth Grade

Charlize Theron – Tully

Constance Wu – Crazy Rich Asians

Performanca më e mirë nga një aktor në rol dytësor:

Mahershala Ali – Green Book

Timothee Chalamet – Beautiful Boy

Adam Driver – BlackkKlansman

Richard E Grant – Can You Ever Forgive Me?

Sam Rockwell – Vice

Performanca më e mirë nga një aktore në rol dytësor:

Amy Adams – Vice

Claire Foy – First Man

Regina King – If Beale Street Could Talk

Emma Stone – The Favourite

Rachel Weisz – The Favourite

– Regjisori më i mirë:

Bradley Cooper – A Star is Born

Alfonso Cuaron – Roma

Peter Farrelly – Green Book

Spike Lee – BlackkKlansman

Adam McKay – Vice

Skenari më i mirë:

The Favourite

Green BookIf

Beale Street

Could Talk

Roma

Vice

Në eventin e 76-të me radhë të Globit të Artë, do të ndahen çmime edhe në kategorinë e filmit të animuar, filmit të huaj, për muzikën më të mirë në film, si dhe për serialet më të mirë dhe aktorët më të mirë në këto seriale.

Ngacmimet seksuale, Elisa Dushku merr 9.5 milionë dollarë nga CBS

Është 9.5 milion dollar shifra që Elisa Dushku do të marrë nga networku televiziv amerikan CBS.

Dushku, një nga personazhet e serive televizive ‘Bull’ kishte denoncuar se ishte ngacmuar seksualisht nga kolegu dhe protagonisti Michael Weatherly. Detajet e marrëveshjet mbi fajësinë, të publikuar nga New York Times, i referohen komenteve që Michael Weatherly kishte bërë për pamjet e saj fizike, si dhe për një raport tresh, të cilës I shtohet edhe një batutë për një përdhunim.

Pasi ka diskutuar për sjelljen e Weatherly, Dushku ishte përjashtuar nga telefilmi. Artistja kishte një kontratë për tre episode me mundësinë për të zgjatur pjesëmarrjen e saj në seritë televizive.
Në një komunikatë për shtyp rrjeti Cbs konfirmon marrëveshjen dhe pranon fajësinë duke u angazhuar për përmirësimin e kushteve të punës, pas skandalit të muajve të fundit.

Në shtator ishte pikërisht presidenti i networkut Les Moonves që u akuzua për ngacmime dhe agresione seksuale.

Ylli i Hollivudit thirrje për të bërë “diçka” mbi vrasjen e Khashoggit

RABAT – Ylli i Hollivudit, Robert De Niro, bëri thirrje për të bërë “diçka” lidhur me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

“Jam i shqetësuar për atë që i ka ndodhur Khashoggit”, u tha De Niro gazetarëve në margjinat e festivalit të 17-të ndërkombëtar të filmit Marrakech me bazë në Marok.

“Kjo nuk është gjë e mirë, e papranueshme, dhe diçka duhet bërë lidhur me këtë,” tha ai.

Khashoggi, një gazetar dhe kolumnist saudit i “The Washington Post”, u zhduk pasi hyri në konsullatën saudite në Stamboll në fillim të tetorit.

Pasi fillimisht u tha se ai kishte lënë konsullatën i gjallë, Arabia Saudite pranoi javë më vonë se është vrarë atje, duke fajësuar për vdekjen e tij një grup operativësh sauditë.

Të mërkurën, një grup senatorësh amerikanë sfiduan Shtëpinë e Bardhë dhe paraqitën një rezolutë që do ta mbante përgjegjës princin e kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, për vrasjen e gazetarit. aa

Aktori Kevin Hart do të udhëheqë ceremoninë e çmimeve Oscar

LOS ANGELES – Aktori dhe komediani amerikan Kevin Hart do të udhëheq ceremoninë e ndarjes së 91-të të çmimeve Oscar, që do të mbahet në Los Angeles të SHBA-ve.

Aktori në Instagram shkroi se në këtë mënyrë i është realizuar ëndrra shumëvjeçare. Atij i dëshiruan “mirëseardhje në familje” edhe anëtarët e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit.

Ndarje e çmimeve Oscar do të bëhet më 24 shkurt. Hart u bë i njohur me filmat “Ride Along”, “Jumanji: Welcome to the Jungle” dhe “Night School”. aa

In Memoriam JETA E ËNDËRRUESIT LEGJENDAR Bernardo Bertolucci

I mbushi shtatëdhjetë e shtatë vjet më 16 marsin që shkoi ëndërruesi i pashoq i filmit italian, Bernardo Bertolucci, ikonë e kinemasë ndërkombëtare, prej kur fati dhe arti e kanë çuar atë larg nga Parma e tij e lindjes, nga ajo ‘bota e vogël’, ku e solli në jetë Giovanardi Ninetta, më 16 mars 1941, në mes të breshërive të luftës dhe bibliotekës së babait të tij, poetit të madh Attilio Bertolucci. Bernardi lindte, siç e ka përmendur shpesh dhe simbolikisht e ka treguar në skenat e para të filmit të tij ‘900’, pak hapa larg çifligut ku jetoi Giuseppe Verdi dhe tërë jetën e tij melodramën romantike e ka pasur pishtar frymëzues, duke e kombinuar me temat e përjetshme të dashurisë dhe vdekjes. Është një fëmijë gjeni i kulturës italiane dhe ndoshta këtë ardhje të parakohshme e vuan sot: janë të njohura vështirësitë personale dhe sëmundja që e ka pllakosur atë vitet e fundit, ashtu si dhe përtacia e tij krijuese (më shumë e stisur se e vërtetë), por është e vështirë ta fajësosh atë për këtë mungesë të tij të gjatë nga sheshi i xhirimit pas xhirimit të filmit “The Dreamers”‘).

Është një mungesë të cilën premton ta ndërpresë së shpejti me adaptimin e romanit të Niccolo Ammanitit ‘Unë dhe ti ‘në skenarin e të cilit Bertolucci është duke punuar me bashkë me shkrimtarin Umberto Contarello. Projekti, i cili mund të shohin dritën edhe në versionin 3D, duke pasur parasysh pasionin e regjisorit për eksperimente teknike, është në të vërtetë një histori minimale, e gjitha e konceptuar në hapësirën e ngushtë të një dhome, ku protagonisti shumë i ri ngujohet për t’iu dhënë jetë ëndrrave të veta dhe për t’u mbrojtur nga bota.

Pasi la Parmën kur ishte 15 vjeç dhe u zhvendos me familjen e tij në Romë, Bertolucci shkoi në universitet, botoi përmbledhjen e tij të parë të poezive (‘Në kërkim të misterit’) çmim Viareggio për debutim më ’62), u miqësua me Pier Paolo Pasolinin, i cili jetonte pak banesa larg. Do të ishte asistenti i tij në sheshin e xhirimit të filmit ‘Accattone’ dhe do të arrinte që shkrimtari t’ia besonte një subjekt të tijin me të cilin ai bëri debutimin e tij si regjisori më 1963. Do të ishte “Korrësja e zymtë” ku bota e periferive është e përzier me tragjedinë e vdekjes. Filmi tërheq përkrahje në mjedisin kritik dhe intelektual, duke e lejuar Bernardon ta përsëritë suksesin më 1964 me filmin tashmë të “pjekur dhe të bukur” Para Revolucionit “. Ndërkohë punon me Sergio Leone (dhe Dario Argento) në skenarin e “Njëherë e një kohë në Perëndim, ‘dhe’ Leo ia mëson përdorimin makinës së xhirimit si sy të privilegjuar të një rituali kolektiv.

Njëzet vjeç do të ishte ‘tashmë një regjisor i afirmuar, i cili me ‘Partneri’ dhe episodin ‘Agonia’ në ‘Dashuri dhe zemërim” kap fermentet e trazirave të revolucionit të viti ’68; dy vjet më vonë me ‘Manovra e merimangës’ ( për televizion) dhe “Konformist” (kandidimi i parë për çmim Oskar për skenarin nga romani i shkrimtarit Moravia) bën interpretimin personal të identitetit kombëtar. Vizitor kurioz për avantgardës ndërkombëtare dhe publikut të pasionuar i Kinematekës Franceze në Paris, zgjedh pikërisht këtë shesh xhirimi për “Tango e fundit në Paris”, këngë dashurie për nouvelle vague dhe pasionet e e tij të mëdha kinofile. Bernard merr ndihmën e Marlon Brandos për rolin udhëheqës, së bashku me Girotti Massimo si një haraç për traditat e tij italiane, fton një të panjohur Maria Schneider (vdekur kohët e fundit) si protagoniste, konfirmon bashkëpunimin me Vittorio Storaro (pas ‘Manovra e merimangës’ ) për të shfaqur Parisin e tij në tone të buta, të njoma dhe të panatyrshme. Por filmi pushton botën për pamjet e tij ‘skandaloze’ çka i sjellin Bertolucci-t një gjyq dhe dënim në atdhe (5 vjet i hiqet e drejtat e votimit) dhe djegien simbolike të kopjeve të filmit. “E doja dhe e dua lirinë,” thotë Bertolucci – dhe kam qenë gjithmonë kundër çdo forme të censurës. Asomohe mendoja se fati im ishte bashkuar me atë të Pasolinit dhe ndihesha si një hero i mallkuar. Sot unë e shoh atë ndryshe, por në qoftë se filmi im ka disa merita, llogaris edhe atë të thyerjes së tabuve anakronike.” Regjisori i ‘Tangos’ është gati për hopin e madh: krahasimin me industrinë e filmit amerikan. Ai e bën atë në mënyrën e tij, duke iu imponuar Studiove të Hollivudit logjikën evropiane, duke sjellë Robert De Niro, Burt Lancaster dhe Sterling Hayden në luginën e lumit Po, duke e shndëruar Donald Sutherland nga fashist në prehrin e muzës pazoliniane Laura Betti, duke rekrutuar yje si Gerard Depardieu dhe Dominique Sanda përkrah një legjende të kinemasë italiane si Francesca Bertini.

Lind ‘900 ‘ i ndjekur nga legjendari “Perandori i fundit “(1987, i filmuar në Kinë me marrëveshjen e qeverisë dhe pastaj vlerësuar me 9 Oskar, të gjitha ato për të cilat ai ishte kandiduar), “Caji në shkretëtirë” (1990) dhe ‘Buda i vogël’ (1993). Në mes dy kllapave e mesme si “Hëna” (1979) dhe “Tragjedia e një njeriu qesharak ‘(1981), me Ugo Tognazzi-n. Në vitet ’90 vetëm dy filma: intimi ‘Unë kërcej vetëm” (1996) dhe” Rrethimi “(1998). Por tani duken larg utopitë që e kanë bërë vital Bernardon. “Duke pasur parasysh sa më tërheq gjithçka që është e ndryshme – thoshte vetëm një vit më parë – unë ende kam iluzionin se një ditë kulturat do të dashurohen me njëra-tjetrin. Unë fuqimisht besoj se do të dashurohen me njëra tjetrën kulturat edhe pse në realitet në Itali për shembull ne shohim se të gjithë këto janë refuzuar. Ne e shohim rritjen e ksenofobisë.” Edhe për këtë arsye më 2003 realizoi “The Dreamers” (‘Ëndërrimtarët’): për të treguar se si utopia mund të jetë një ëndërr e bukur, por edhe një burg dramatik./Elida BUÇPAPAJ/2011

Bildergebnis für bernardo bertolucci

ME FILMIN “TANGOJA E FUNDIT E PARISIT”, BERTOLUÇI PATI SHPARTALLUAR ME GUXIM DOGMAT E KOHËS

Ultimo tango a Parigi” (Tangoja e fundit në Paris) është një film rekord. Kurrë kaq skandal, kurrë kaq shumë procese nuk ka ngjallur më herët a më vonë një film. Kurrë një publik kaq të madh, 14 milionë e 728 mijë spektatorë, kurrë një fitim më përrallor nga shitja e biletave nuk ka pasur ndonjë film. Muzika xhaz (jazz) e Gato Barbierit ishte tejet ngjethëse. Dhe Bertoluçi (Bertolucci) ka qenë i vetmi regjisor që i ka humbur për pesë vjet të drejtat civile, si një kriminel.

INTERVISTA

PYETJE: Nëse e rikujton çfarë efekti të bën?

BERTOLUÇI: “Më duket se i përket një tjetër jete, por vetëm tani unë arrij tza shikoj filmin nga një largësi e caktuar, i pashqetësuar nga sharjet”.

PYETJE: Kush ishte Bertoluçi i “Tangos së fundit në Paris”?

BERTOLUÇI: “Një Bertoluçi romantik pa e ditur as vetë, i tronditur dhe i frymëzuar nga një ekspozitë e Bacon. Historia e çiftit që heq dorë nga identiteti i vet për të kërkuar raporte me shqisat, jashtë çdo kushtëzimi shoqëror, është maksimumi i romantiçizmit”.

PYETJE: E pra gjyqtarët e shikonin me një sy tjetër.

BERTOLUÇI: “Edhe të gjitha ato procese më duket se bëjnë pjesë në një jetë pararendëse, shumë të hidhur. Janë edhe sot raste të ndrydhjes dhe të poshtërimit. E kupton sa e rëndë është kur shkon të kërkosh emrin në listën e votimeve dhe nëpunësi përkatës të thotë se ke qenë nga ata që nuk ke pasur të drejtë të votosh?”.

PYETJE: Bëjmë një retrospektivë. Dalja e filmit më 16 dhjetor 1972, sekuestrimi i filmit kur të gjithë e kishin parë, shndërrimi juaj në hi nga inkuizicioni më 1976 dhe pastaj ringjallja juaj nga hiri më 1987?
BERTOLUÇI: “A nuk ju duket gjithçka sureale? Megjithatë, një ditë disa adhurues e organizuan ekspozitën “Hajdutët e kinemasë”, më thirrën edhe mua, u projektua një kopje pirate e filmit dhe pati një seri problemesh sepse ishte jashtë ligjit”.

PYETJE: Por këtu mori pikënisje falja jote.

BERTOLUÇI: “Po, sepse një gjyqtar e pa dhe vendosi që ajo që i skandalizonte njerëzit më 1972, nuk bënte të njëjtin efekt më 1987. Me një vendim gjyqësor të hartuar për bukuri, ai shpalli se filmi skishte asgjë të dëmshme për shoqërinë”.

PYETJE: A është e vërtetë se aktorët i refuzuan ato pjesë që më vonë u quajtën skandaloze?

BERTOLUÇI: “Si jo, është shumë e vërtetë. Aktori i parë që iu dha roli ishte Jean Louis Trintignant, me të cilin sapo kisha xhiruar në një film tjetër. Ai tha se i pëlqente pa masë teksti, por atij i vinte rëndë ta shikonte publikut të zbuluar”.

PYETJE: Kujt ia propozove pastaj?

BERTOLUÇI: “Jean Paul Belmondo, që e lexoi tekstin në zyrën time, e hodhi atë tutje. E lexoi më në fund Alain Delon, të cilit i pëlqeut teksti shumë, por tha se i pëlqente të ishte porducent por jo aktor në film”.

PYETJE: Po Marlon Brando kur arriti?

BERTOLUÇI: “Arriti krejt rastësisht, si në rastet më të mira, një mbrëmje kur po darkoja me miqtë në sheshin Navona. U takua me ndërmjetësin. Marlon vinte nga Parisi, ishte një 48 vjeçar, i shkëlqyer. Shumë i frikësuar e lexoi tekstin e rolit. Në fakt ishte tejet i nervozuar. Në drekën e së nesërmes më thirri dhe më tha se pranonte. Pastaj qëndruam disa javë në shtëpinë e tij në Los Anxhelos dhe u bëmë shumë miq, duke ia hapur plotësisht zemrat njëri- tjetrit”.

PYETJE: Gjithçka u zgjidh?

BERTOLUÇI: “Jo, sepse “Paramount Pictures” nuk pranoi. Kështu projektin e mori për zbatim United Artists”.

PYETJE: Edhe me Maria Shnaider (Schnieder) patët një Odise?

BERTOLUÇI: “Jo, kisha zgjedhur aktoren Dominique Sanda e cila ishte shtatzënë. Atëherë u detyrova të shikoj për vajza të tjera. Në listë kryesonin Maria e Aurore Clement, që ishin krejt të ndryshme, por unë e zgjodha Marien”.

PYETJE: Po Marlon Brando si reagoi pas dënimit të filmit?

BERTOLUÇI: “Për një kohë u zhduk, nuk më foli. Thoshte se filmi e kishte çoroditur në sytë e njerëzve. Në fakt kështu ishte. Filmi e kishte bërë të vuante shumë. Pastaj, kur po xhironte filmin “Apocalypse now” e pyeti regjisorin Vittorio Storaro: “Si është profeti foshnjë?” E kishte fjalën për mua. Rifilluam miqësinë. Takoheshim, por nuk flisnim për filmin, ai ishte një kapitull i mbyllur ».

PYETJE: A të pëlqen filmi sot si atëherë?

BERTOLUÇI: “Besoj se është nga ata filma që i rezistojnë kohës, sepse peshkojnë në thellësi”.

PYETJE: Tani a do ta ribëje?

BERTOLUÇI: “Nuk mund të them se jo. Filmi i përket një tjetër Bernardoje, por edhe një tjetër eopke, asaj kur shkelja e dogmave të kinematografisë ishte një domosdoshmëri që duhej bërë me çdo çmim. Por kjo është një fjalë që të rinjtë nuk e njohin”./Elida BUÇPAPAJ

Ndahet nga jeta regjisori italian Bernardo Bertolucci, fitues i dy çimeve Oscar

Mjeshtri i fundit i madh i kinemasë italiane ishte 77 vjeç, ai kishte qenë i sëmurë për një kohë të gjatë

VOAL – U nda nga jeta Bernardo Bertolucci. Mjeshtri i fundit i madh i kinemasë italiane, fitues i dy Oscarëve në vitin 1988 për Perandorin e fundit, vdiq në shtëpinë e tij në Romë në moshën 77 vjeçare. Ai ishte i sëmurë për një kohë të gjatë.

Kanë hyrë në historinë e filmit 12 nga kryeveprat e tij: La commare secca (1962), Prima della rivoluzione (1964), Strategia del ragno (1970), Il conformista (1970), Ultimo tango a Parigi (1972), Novecento (1976), L’ultimo imperatore (1988), Il té nel deserto (1990), Piccolo Buddha (1993), Io ballo da sola (1996), L’assedio (1999), The Dreamers (2003).

Në vitin 1997, Festivali i Filmit Locarno ia dha atij Leopardin e Nderit, dhe në vitin 2007 ai u nderua me Luanin e Artë për Arritjen Jetësore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Venecias, dhe në vitin 2011 mori Palme d’Or nga Festivali i Kanës. Filmi i fundit që ai drejtoi është Io e te (2012), bazuar në romanin e Nicolò Ammanitit.

Bernardo Bertolucci, djali i madh i poetit Attilio, u rrit me kinemanë e Pier Paolo Pasolinit (ai ishte asistent regjisor në vitet ’60 dhe ’61) dhe me poezinë e babait të tij (që e inkurajoi për të publikuar përmbledhjen e parë In cerca del mistero- Në kërkim të misterit, me të cilin fitoi çmimin Viareggio më ’62. Në të njëjtin vit, Bernardi bëri debutimin e tij si një regjisor me La commare secca, nga një tregim i Pasolinit, duke fituar më shumë se dy vjet më vonë, me Prima della rivoluzione- Para revolucionit, reputacionin e padiskutueshëm si autori më i mirë i një brezi të ri të kineastëve në të cilën frymëzimi krijues shkon paralel me angazhimin civil.

Pas viteve të eksperimentimi mes Teatrit Living dhe Sergio Leone (për të cilën ai shkroi me Dario Argenton skenarin e C’era una volta il west- Njëherë e një kohë në Perëndim) dhe fiton famën ndërkombëtare në vitin 1970 me dy kryeveprat: Strategia del ragno – Manovër merimangash dhe Il conformista – Konformisti, nga tregimi i mikut të tij Alberto Moravia.

Dy vjet më vonë ai e skandalizoi gjithë botën me Ultimo tango a Parigi – Tangoja e fundit e (ndaluar në Itali më ’76 në mënyrë përfundimtare). Dhe po më 1976 ai shkrinte shpirtin e tij poetik, të lidhur ngushtë me atdheun dhe botën, duke ndërthurur humorin amerikan me ndjeshmërinë evropiane në filmin Novecento diviso in due atti – Shekulli i njëzetë ndarë në dy akte.


Pas disa regjive minore, del filmi La luna kushtuar një akti dashurie të paragjykuae, ai vendoset në Londër, ku punon për Hollywoodin, të cilit i dhuron trilogjinë ekzotike, vlerësuar me nëntë Oscarë L’ultimo imperatore, il viaggio disperato del Te’ nel deserto, la pace interiore del Piccolo Buddha.

Lëvizjet kundër seksizmit në Hollivud

Prej fillimit të lëvizjeveMeToo” dhe “TimesUp” shumë filma kanë sjellë personazhe femërore më të përpunuara dhe histori me në qendër gratë. Por aktivistet e këtyre lëvizjeve thonë se duhet bërë më tepër për trajtimin e barabartë të grave në Hollivud. Korrenspondetja e Zërit të Amerikës Penelope Poulou ka biseduar me disa aktiviste, producente filmash e aktore, lidhur me përpjekjet për fuqizimin e pozitës së grave në industrinë e filmit.

“Wonder Woman”, “A Wrinkle in Time”, “The Beguiled“, janë disa nga filmat e kohëve të fundit me autore gra dhe kushtuar grave. Ato janë shumëfishuar që nga fillimi i lëvizjes “MeToo”, që vë theksin tek seksizmi dhe abuzimi seksual si fenomene të përhapura në këtë industri. Lisa Koch pedagoge në universitetin “George Mason”, thotë se numri i grave që po bëhen bashkë po rritet gjithnjë e më shumë dhe se ato po mbledhin shumë para për financimin e lëvizjes së tyre:

“Lëvizja nisi me 300 gra në Hollivud, por është zgjeruar fuqishëm. 700 mijë gra që punojnë në ferma kanë premtuar mbështetjen e tyre dhe ky është vetëm një shembull. Brenda 60 ditëve të para të lëvizjes u krijua një fond prej 21 milionë dollarësh.”– thotë ajo.

Në Hollivud, regjisore dhe aktore me ndikim të madh po flasin hapur në emër të grave të abuzuara në të gjithë spektrin social-ekonomik. Një prej tyre është fituesja e çmimit Oscar Jane Fonda, e cila dëshmoi në Kongres në emër të grave, lidhur me të drejtat e tyre.

“Nëse duhet të ballafaqohemi me këto çështje të grave, për hir të dinjitetit dhe sigurisë së tyre nga ngacmimet seksuale në vendin e punës dhe çështjet ekonomike dhe seksuale janë tepër të lidhura me njëra-tjetrën, duhet t’u qëndrojmë pranë, t’i duam dhe të jemi aleate të motrave tona në të gjithë sektorët.”– thotë aktorja.

Aktivistja dhe producentja Shannon Lee thotë se në industrinë e filmit grave po u ofrohen më shumë vende pune, paga të barabarta dhe më tepër mundësi për të krijuar.

“Ava DuVernay për shembull, që ka një kompani për shpërndarjen e filmave ka urdhëruar që të gjitha regjisoret e filmave që ajo shpërndan, të jenë gra,”– thotë aktorja.

Por ajo thotë se seksizmi ndaj grave në vendin e punës është shumë i përhapur ndaj dhe situata nuk mund të ndryshojë menjëherë.

“Atje ku mungon ekuilibri në pushtet ka edhe abuzim me të”– thotë ajo.

“Vetëm 18 për qind e atyre që merren me prodhimin e filmave, producentë, regjisorë, skenaristë, kineastë, montazhierë, janë gra”- thotë Lisa Koch.

Por gratë thonë se synimi është që shifra të shkojë në 50 për qind deri në vitin 2020.

Mijëra vetë kanë shkuar në Qendrën Kombëtare Ligjore të Grave në Uashington DC, për të kërkuar ndihmë ligjore ndaj ngacmimit dhe diskriminimit seksual. Drejtoresha ligjore e qendrës Sunu Chandy thotë se lëvizje si ajo “MeToo” dhe “Time’s Up”, falë të cilave abuzues seksualë si Bill Cosby u ndoqën penalisht dhe u dënuan, janë hapa të rëndësishëm ligjorë që ndihmojnë në vendosjen e barazisë gjinore në Hollivud dhe gjetkë.

“Punësimi i grave në pozita që tradicionalisht kanë qenë për burrat, është pikërisht ajo që synojmë”, – thotë zonja Chandy.

Por sipas zonjës Chandy megjithë përparimin e bërë, duke i ofruar grave ndihmë dhe mbështetjen ligjore që meritojnë, mbetet ende shumë për t’u bërë, për të sjellë ndryshim e nevojshëm në vendin e punës, qoftë në fabrikë, në fermë apo në skenën e një filmi të Hollivudit.

Më 30 shtator 1955 u nda nga jeta në moshën 24 vjeçare aktori i paharrueshëm hollivudian James Dean

Ishte pasdite vonë, pak para mbrëmjes, më 30 shtator 1955: në autostradën kombëtare 466 në drejtimin Salinas, Kaliforni, një Porsche Spider nuk mundi të shmangte përplasjen me një tjetër automjet që, ndoshta për shkak të një pakujdesie të shoferit, kishte shkelur korsinë. Pasoja ishte fatale: për drejtuesin e veturës nuk mund të bëhej asgjë, kishte mbaruar në sekondë dhe vetura e tij ishte thërmuar. Pak orë më vonë, mes pikëllimit të përgjithshëm, filloi të përhapet lajmi se James Dean kishte vdekur. Ishte 24 vjeç. Tani nga largësia e viteve nga humbja e aktorit dhe nga lindja e mitit, figura e James Dean është një ikonë që kultura rinore e ka bërë pjesë të jetës së saj, tashmë në mënyrë pothuaj të pavetëdijshme. Dhe legjenda e tij vazhdon të pavdekësohet në brezni pas breznish, pa u zbehur magjepsja e tij dhe aktualiteti i tij. Nuk është e lehtë të gjesh një tjetër personazh që, sa ai, të ketë ndikuar kaq shumë dhe kaq gjatë, në mënyrën e sjelljes, më mënyrën e veshjes, në mitologjitë metropolitane të të rinjve; deri në atë pikë sa mund të pohosh se në çdo të ri ka gjetur strehë diçka që i përket aktorit James Dean, prototipit të çdo adoleshenti.

Në të njëjtat vite kur fillonte të përvijohej legjenda, rokenrolli i hidhte hapat e tij të parë dhe  figura e “rebelit” (kryengritësit) e mishëruar nga aktori, qysh nga fillimi, qe pranuar si e vetja nga prirja e re muzikore: në SHBA lindte kultura rinore, e cila shpejt do të pushtonte dhe do ta revolucionarizonte botën. Ashtu si për vdekjen e tij aq të parakohshme, për jetën e James Dean është shkruar përgjatë dhjetëra viteve, shpesh me thekse gati epike që do të arrinin të ishin burim i pashtershëm i krijimit të hendekut midis jetës private dhe publike, por, mbi të gjitha, midis jetës dhe artit. Kjo formë e hendekizimit, nëse nga njëra anë mund të përfaqësonte një kufi, sepse shpesh përballej me rrezikun e vënies në plan të dytë të atyre që janë merita të padyshimta artisitke të aktorit në krahasim me një dobësi të veçantë për jetën anekdotike të njeriut, nga ana tjetër është ndoshta njëkohësisht e pashmangshme të kuptohet një personazh enigmatik dhe të pakëndtjetër si James Dean, i cili luajti rolet e tij filmike sikurse në mënyrën që jetoi, dhe jetoi si në mënyrën që luajti në ekranin e madh.
James Byron Dean lindi më 8 shkurt të vitit 1931 në Marion, në Indiana, në shtetin që ishte asokohe ndër shtetet amerikane më të prekura nga kriza ekonomike dhe ndër më bujqësoret. Fëmijëria e tij e parë u shënua nha humbja shumë e shpejtë e nënës dhe nga raportet e vështira me babain. U rrit me një dashuri të madhe nga dajët dhe, i pasionuar që në moshë të vogël ndaj teatrit e veprimtarive të tjera krijuese, filloi të zhvillojë një personalitet të trazuar, egoist, ambicioz, dhe që do të ishte plot e përplot me konflikte adoleshente të cilat kurrë nuk u zgjidhën. Disa vite më vonë do të ishin pikërisht këto karakteristika të veçanta të tij që do ta bindnin regjisorin Elia Kazan se njëzet e tre vjeçari James Dean – i cili kishte studiuar për aktor, pasi kishte mbaruar “Actors Studio” e kishte tashmë një mori përvojash teatrore, por edhe radiofonike e televizive – zotëronte personalitetin më të përshtatshëm për ta luajtur personazhin e vështirë të Cal Trask në filmin Ana lindore e Parajsës (“East of Eden”, 1955), përshtatur nga romani me të njëjtin emër i Steinbeck. Për këtë rol ai ishte parapëlqyer qoftë përkrah Marlon Brandos, qoftë përkrah Montgomery Clift: dy “kryengritësve më të vjetër” të tjerë të Hollivudit, të dy modele për të riun James Dean, nuk zotëronin sipas Kazan të njëjtën ngarkesë emotive, të njëjtën ndjesi në përballjen me figurën atërore, të njëjtën vrull, si dhe palumturinë e thellë të atij.
Në këtë mënyrë ndodhi që aktorit të ri, për herë të parë, iu hapën dyert e mëdha të famës dhe të suksesit, për të cilat ai ishte stërvitur aq gjatë. Por nëse James Dean kishte nevojë për Hollivudin që të realizonte qëllimin e tij të pashembullt dhe të pandalshëm, edhe Hollivudi kishte nevojë për aktorë si ai. Në po ato vite, në fakt, “fabrika e famshme e ëndërrave” po hapej edhe drejt një mënyre të re për të bërë kinema: më të lirë dhe të pavarur, të karakterizuar nga një stil më realist, më të plotë dhe më pak vetafirmues, të vemendshëm ndaj dukurive sociale dhe sidomos në drejtim të universit rinor që po lindte, për të cilin vetë kinemaja dha ndihmesën që ta përftonte dhe ta ushqente. James Dean qëndroi në Hollivud nja tetëmbëdhjetë muaj dhe pati kohë të luante vetëm në tre filma, por pikërisht në këtë hark kaq të ngushtë, revolucionarizoi jo vetëm jetën e miliona adoleshentëve, por edhe stilin e lojës së shumë aktorëve kinematografikë. Autori Truffaut shkruante për të, pas vdekjes së tij: “Dean shkon kundër pesëdhjetë viteve të kinemasë. Ai luan diçka tjetër nga ajo që e shpall, shikimi i tij nuk ndjek të folurit e tij, provokon një shfazim midis shprehjes dhe gjësë së shprehur. Çdo gjest i tij është i paparashikueshëm. Dean, duke folur, mund t’ia kthejë shpinën makinës së xhirimit dhe ta përfundojë në këtë mënyrë skenën filime, mund ta përplasë kokën vrullshëm prapa ose ta hedhë përpara, mund të qeshë aty ku një aktor tjetër do të qante dhe anasjelltas, sepse e ka vrarë lojën psikologjike të aktoritn në të njëjtën ditë kur ai është shfaqur në skenë.”
Vetmitar, rreban, me një magjepsje disi të errët, që nga loja e tij Ana lindore e Parajsës, ky fëmijë i tmerrshëm i Hollivudit u konsideua një hero i rinisë amerikane, duke demonstruar aftësinë për ta përfaqësuar tëhuajtjen, të denonconte moskuptimin, ta shprehta ashpër vetminë. Filmi vuri në skenë historinë e vrazhdë të raporteve midis një babai e më të voglit të djemve të tij, i cili ushqen inat për babain e tij sepse, ndryshe nga i vëllai, nuk është ndjerë kurrë i vlerësuar dhe i dashur. James Dean, për jetën e tij të ngjashme personale,  e karakterizoi në mënyrë të thellë personazhin Cal Trask, të palumtur dhe të keqkuptuar, saqë nuk kishim të bënim vetëm me një interpretim të hatashëm kinematografik; ishte diçka me një fuqi dhe ngarkesë shumë më të madhe që shkonte përtej trillit filmit, përtej skenarit: aty për aty ai u pranua zëdhënës i një breznie të tërë rinore e cila, për herë të parë kërkonte të afirmonte veten. Po gjatë atyre muajve, një tjetër dukuri revolucionare, rokenrolli, shfaqje në mënyrën më të bujshme. Nëse “Ana lindore e Parajsës” nxori në dritë një zbulim të ri të kinemasë, dhe filloi të skicohet si simbol i breznisë së tij, do të ishte mbi të gjitha roli i dytë, Rebel pa Arsye, ai më i paharrueshmi dhe që e përjetësoi legjendën James Dean në formën që ka ardhur deri sot: është imazhi i tij në këtë rol më i lidhuri me mitin e aktorit, sepse  në këtë film njeriu Dean e  personazhi Jim Stark, falë edhe një regjie të hatashme, duket se arrijnë të identifikohen me gjithçka; kështu filmi transformohet gati në një dokument biografik të aktorit, një pjesë e jetës së tij të shkurtër dhe, në të njëjtën kohë një parathënie e vdekjes së pafat, të cilin para se filmi të dilte në salla, ai e kishte gjetur. “Ankthi i tij ishte i mirëfilltë si në ekran, edhe në jetë,” thoshte për të vite më vonë Andy Warhol. Për koincidenca të habitshme, dhe dy aktorët e tjerë kryesorë të rinj të filmit- Natalie Wood e Sal Mineo- do të gjenin edhe ata një vdekje tragjike të përkohshme e të pashpjegueshme.

Rebel pa Arsye (“Rebel Without A Cause”, 1955), me regji të të talentuarit Nicholas Ray, vë në skenë historinë dramatike e shokuese të tre adoleshentëve përballë kalimit në moshën e rritur dhe kërkimit këmbëngulës të identitetit të tyre. Bota e të rriturve, ajo e prindërve, është parë nga larg dhe me tëhuajtje të madhe, si një botë që është e pazonja të gjejë përgjigje për shqetësimet e të rinjve, sidomos ta gjejë atë me ngut. Pason një moskomunikim total midis dy horizonteve: atij të të rriturve, trajtuar si i dobët, mungues e dyfytyrësh; atij të të rinjve, pikturuar si sentimental e idealist. Pasiguria ekzistenciale, vetmia e thellë, mungesa e përkrahjes, i bën të rinjtë të kërkojnë rrugën e tyre edhe me kusht që ta humbasin atë. Në fund, historia e dashurisë midis Jim e Judy do të jetë ndoshta për dy të rinjtë një mjet për ta risuar e përshtatur jetën prej të rriturish, një jetë njëkohësisht e vetëdijshme dhe guximtare; çmimin do ta paguante, megjithatë, më i vogli e i pambrojturi i tre protagonistëve: Plato, viktima e pafajshme e një shoqërie të sëmurë dhe të rrënuar. Rebel pa Arsye bëhet shpejt një film-kult, vërshojnë vrullshëm edhe ato tematika që e shoqërojnë nga pikëpamja e natyrës së tij, që nga mosha më e re, jetën e shkurtër e të trazuar të James Dean: konkurenca, vënia e vazhdueshme në provë e vetvetes, ngutja për të jetuar, sfida kundër vdekjes. Siç dihet, në fakt, aktori ishte nga natyre e tij një “rebel” jo më pak se në ekranet kinematografikë, duke bërë një jetë të ngjeshur, të papërmbajtur dhe të çrregullt.
Jimmy (Xhimi) – siç thirrej nga miqtë – ushqente një pasion të pamasë për garat me motoçikleta dhe automobilë, me të cilët kalonte shumë kohë, shpesh duke marrë pjesë edhe në gara zyrtare të motoçiklizimit dhe automobilizmiz. Ditën kur vdiq, ai ishte nisur për në Salinas për një garë ku ai do të merrte pjesë të nesërmen. Ironia e fatit kishte dashur që edhe pak më shumë se një muaj para incidentit, Jimmy të kishte marrë pjesë në qendër të një spoti televiziv për sigurinë e drejtimit të veturës.  Në atë rast fjalët e tij qenë këto: “Drejtoni me kujdes,” – e pastaj, duke e kthyer shikimin tek telekamera, me një buzëqeshje enigmatike shtonte: “Sepse jeta që do të shpëtoni mund të jetë imja.” Ndonëse më pas ishte qartësuar se incidenti viktimë e së cilës ishte, nuk lidhej me shpejtësinë e madhe, epilogu i trishtë përfaqëson fundin e një jete të jetuar gjithmonë në fill të perit. Një nga refrenet që kishte për autor atë vetë ishte: “Ëndërro sikur do të jetosh përjetësisht, jeto sikur do të vdesësh sot.” Ashtu jetoi, ashtu vdiq.
Atë 30 shtator 1955, Amerika e të rinjve – e jo veç ajo – u gjet prapë në lotë për humbjen e një heroi; ishin skena të një dehjeje tragjike të krahasueshme vetëm me ato të tridhjetë viteve më parë, që kishin shoqëruar humbjen e Rudolph Valentino. Bash një javë para përplasjes tragike në timon të veturës së tij “Little Bastard” – kështu e kishte quajtur veturën fringo të re Porsche 550- aktori James Dean kishte mbaruar në Hollivud, pranë Liz Taylor, xhirimet kryesore të kolosalit Gjiganti (« Giant », 1956), me regji të George Stevens; roli i tij i tretë dhe i fundit kinematografik, madje rol jokryesor. Filmi doli një vit më vonë pas vdekjes së tij dhe u prit me bujë të madhe. Disa muaj më vonë, Hollivudi i kushtoi gjithë ato nderime heroi të tij të ri dhe të pafat: The James Dean Story (1957), një dokumentar i gjallë me bashkëregji të djaloshit Robert Altman, dhe kolona zanore e të cilit do të kishte intepretues xhazistin e jashtëzakonshëm Chet Baker (i cili, gjithashtu i bukur e rebel, ishte quajtur James Dean i jazz). Në film, pavarësisht natyrës dokumentaristike, dilej përtej normave të gjinisë duke i dhënë aktori përmasat e legjendës. Legjendë që nuk duket se do të njohë ndonjëherë perëndim. Nga mesi i viteve 50 deri sot, James Dean është objekt i një kulti të vërtetë: për dhjetëra vjet, mijëra e mijëra fansa e kanë nderuar dhe imituar, e kanë përkujtuar, ia kanë vizituar varrin, ia kanë koleksionuar objektet e jetës private, disa kanë marrë pjesë edhe në gara në nderim të kujtimit të tij. Figura e tij është përdorur pa fund nga industria e kinemasë, televizionit, modës. Mund të thuhet edhe se askush tjetër nuk ka ndikuar si ai për mënyrën e sotme të paraqitjes së jashtme të të rinjve në gjithë botën e sotme: jeans e t-shirt, veshje të pandashme nga të rinjtë. Por ndoshta kjo është në natyrën e rokut dhe të mitologjive përkatëse që ndikimi i autorit ka qenë kaq i mirëfilltë dhe i pareshtur. Bash të nesërmen e vdekjes së tij, rock&roll që po lindte mori jo vetëm bukurinë e tij estetike, por edhe shpirtin anarkoid e rebelues: Elvid, për të konsoliduar figurën e tij, përshtati në mënyrë strategjike pamjen dhe gjestet “prej kafshe” alla James Dean, admirues fanatik i të cilit ishte; Gene Vincent e Eddie Cochran, patën një njëjtësim shpirtëror shumë më të madh.
Trashëgimia mitike e rebelit të Hollivudit, gjithsesi, nuk u kufizua vetëm në rock&roll, prej atëherë e tutje, bëhet përfundimisht pjesë organike e kulturës muzikore dhe deri në ditët tona figura e James Dean e shoqëron krejt historinë e rokut; duke mishëruar atë shpirt rebel e magjepsës, por edhe të brishtë e fëminore, duke karakterizuar personalitetin e tij të të “ashpirt me zemër të butë” dhe duke sfiduar deri edhe betejet mes breznive, duke u pranuar sa nga fëmijët edhe nga prindërit. Nëse i riu Bob Dylan e konsideronte James Dean një idhull dhe e vajtonte vdekjen e tij, disa vjet më vonë Beach Boys-at ia kushtuan një këngë. Nga ana e këndejme e oqeanit, John Lennon arrin të deklarojë “pa James Dean nuk do të kishin ekzistuar kurrë Beatles”. Vetë Lennon, në e ballinën e albumit të tij “Rock’n’roll”, ishte në një montazh fotografik me James Dean, duke e bërë kështu të qartë lidhjen shpirtërore të aktorit me kulturën dhe muzikën rok. Në vitet 70 do të kishim shprehës më agresivë të rinisë së rebeluar, larg engjëllit të mallkuar të Hollivudit. Në vitet 80, do të ishte Morrissey – këngëtari i grupit Smiths – që do t’iu jepte jetë anëve më intime e melankolike të aktorit, të cilit ia kushtoi edhe një libër (“James Dean Is Not Dead”, 1983). Në vitet 90 arrin tërmeti Kurt Cobain dhe grupi i tij Nirvana, duke sjellë një James Dean modern. Ndoshta nuk qe humbja e James Dean ajo që solli mitizimin e vdekjes së parakohshme, por sigurisht humbja e tij solli një formulim të ri të idealit romantik. Ishte James Dean në fakt intepretues i pashoq i “live fast, die young” (jeto shpejt, vdis i ri” që u bë lajtmotiv i rokut./Elida BUÇPAPAJ