VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Vazhdojnë tensionet mes Turqisë dhe Greqisë

By | September 10, 2019

Komentet

Vuçiç e pranon që është mërzitur pas shkarkimit të John Bolton nga Trump

Presidenti serb Aleksander Vucic tha sot se, pavarësisht se presidenti amerikan Donald Trump ka larguar këshilltarin e tij për siguri, John Bolton, me administratën amerikane do të vazhdojnë bisedimet për të gjetur një emërues të përbashkët me ta dhe me shqiptarët dhe për të siguruar një paqe të qëndrueshme.

Siç raportojnë mediat serbe, i pyetur se si komenton faktin se John Bolton u desh ta linte postin e tij, njeriun që avokoi në bisedimet për çështjen e demarkacionit dhe ndarjes së Kosovës, Vuçiç tha se me të nuk pati rast të takohej, por kishte zhvilluar bisedë telefonike.

“Ne serbëve na pëlqeu qëndrimi i tij për Kosovën, prandaj nuk e kuptoj gjithë atë gëzim dhe lumturi te disa, që janë të kënaqur me faktin se ai nuk është më këshilltar [i presidentit Trump] për sigurinë kombëtare”, ka thënë sot Vuçiç.

Ai ka treguar se gjatë vizitës së tij të paradokohshme në SHBA, është me Sekretarin e Shtetit Amerikan Mike Pompeo dhe Matthew Palmer, Përfaqësuesin e Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor.

“Ata janë përfaqësues të drejtpërdrejt të presidentit amerikan Trump dhe të Departamentit të Shtetit. Ne do t’i vazhdojmë bisedimet. Kemi të bëjmë me njerëz të përgjegjshëm dhe seriozë me të cilët nuk është e lehtë të bisedosh, as të negociosh”, tha ai.

“Do të kërkojmë një emërues të përbashkët me shqiptarët dhe amerikanët për të siguruar paqen e qëndrueshme, nëse është e mundur”, përfundoi Vuçiç.

“Njeriu i artë” 2.500 vjeçar ekspozohet në Turqi

Në Turqi ka mbërritur për t’u ekspozuar armatura e njeriut me veshje prej ari i njohur ndryshe si “njeriu prej ari” i cili është gjetur gjatë punimeve ndërtuese në Kazakistan dhe i cili mendohet se i përket një perandori ose djalit të tij princit për shkak të më shumë se 3 mijë pllakash ari të përpunuara që ndodhen mbi të, raporton Anadolu Agency (AA).

Armatura e cila ekspozohet në Muzeun e Qytetërimeve të Anadollit në kuadër të projektit të Kazakistanit “Njeriu prej ari në muzetë botërore”, ndodhet në mesin e argumenteve të rëndësishëm që vërtetojnë kulturën turke dhe thellësinë brenda historisë së qytetërimit.

Mbi “Njeriun me veshje ari” i cili u gjet gjatë punimeve ndërtimore në vitin 1969 në rajonin Yedisu të Kazakistanit ndodhen mbi 3 mijë pllaka në formë trekëndëshi ku janë përpunuar me motive të ndryshme si leopard, pars, dashi, dreri, dhie, kali dhe të zogjve.

 

Veshja e cila përbëhet një mantel me jakë V që mbyllet nga e djathta në të majtë, pantallona të ngushta kalorësi, çizme të shkurtra poshtë gjurit, tërheq vëmendjen me kapelën e saj prej 65 cm. Në kapelën e cila në majë ka një motiv me dhi të egër tërheq vëmendjen gjithashtu kali me dy krahë i cili simbolizon perëndinë e diellit me 4 shigjeta, që simbolizojnë mbizotërimin e botës.

Krahas mantelit dhe kapelës në armaturë ndodhen edhe një shpatë e gjatë e veshur me ar me 150 madhësi të ndryshme, një thikë gjysmë lëkurë dhe gjysmë dru, si dhe kamxhiku i përpunuar me ar. Po ashtu “njeriu prej ari” ka edhe një unazë që mendohet se është përdorur si vulë.

Pjesët që ndodhen pranë armaturës së nxjerrë nga varri i quajtur si “Issyk Kurgan” vërtetojnë se turqit kanë formuar një qytetërim dhe një shtet të madh para 2.500 vjetëve dhe se kanë përdorur gjuhët e tyre të shkruara.

Dy rreshta mbishkrimi që ndodhen mbi një garuzhdë argjendi me bisht të thyer që është nxjerrë nga dhoma e varrit, konsiderohen teksti më i vjetër turk. Shumica e shkencëtarëve bashkohen në mendimin se mbishkrimi ka kuptimin “Djali i Khanit vdiq në moshën 23 vjeç, ngushëllime popullit Issyk”.

Kjo vepër e rrallë 2.500 vjeçare, trashëgimi e përbashkët kulturore e botës turke, që reflekton besimet turke, rregullin shtetëror dhe pikëpamjet mitologjike do të vizitohet deri më 12 tetor.

“Njeriu i artë, është Tutankamuni i nomadëve”

Ambasadori i Kazakistanit në Ankara, Abzal Saparbekuly, në një deklaratë për AA lidhur me ekspozitën tha se armorja e njeriut të artë e përcaktuar se i përket shek.5 para erës sonë, është një vepër e rrallë e cila vërteton thellësinë e historisë së turqve.

Pasi ka shpjeguar se “njeriu i artë” është gjendur gjatë punimeve të një rruge në Issyk Kurgan, ambasadori Saparbekuly, është shprehur: “Historia është shumë interesante. Gjatë punëve rrugore, makinat që kalonin pranë një kodre të madhe përballen me disa gjetje ari. Pastaj fillojnë gërmimet. Gjendet kjo vepër e përpunuar plotësisht me ar. Është një gjetje shumë e rëndësishme për sa i përket përpunimit të arit dhe vlerave shpirtërore të asaj periudhe”.

Gjatë gërmimeve në Issyk Kurgan janë gjetur mbi 4 mijë vepra arkeologjike, ka rikujtuar Saparbekuly, i cili ka theksuar më tej se “Themeluesi i Kazakistanit, presidenti Nursultan Nazarbayev, lidhur me këtë gjetje thotë se ‘Njeriu i artë, është Tutankamuni i nomadëve’. Është një vepër e rëndësishme nga pikëpamja historike. Varri (Kurgani) i njeriut të artë është vendi i dytë pas varrit të Tutankamunit nga ku janë nxjerrë më shumë sende”.

Saparbekuly, bëri të ditur se pas Issyk Kurgan në vende të ndryshme të Kazakistanit janë gjetur edhe “5 meshkuj dhe gra të arta” të cilët janë trashëgimi e periudhës së Skithëtve (Saka). Njeriu i artë tregon se historia jonë nuk fillon vetëm nga periudha e Göktürks, por që nga Hunët dhe Skithët (Saka).

Duke shpjeguar se ekspozita është hapur në Bjellorusi, Rusi, Azerbajxhan, Kinë, Poloni, Korenë e Jugut, Uzbekistan dhe Maqedoninë e Veriut, ambasadori Saparbekuly tha se “njeriu i artë” do të dërgohet në vendet e Lindjes së Largët, kryesisht në Malajzi dhe në Evropë dhe Amerikë.

“Ekzistenca e një pasurie dhe civilizimi të tillë historik dhe kryevepra e artit e qëndisur me ar, në një vend nomad si Kazakistani i mahnit të gjithë”, tha Saparbekuly, i cili ka bërë të ditur se të gjithë vendet ku ka vajtur “njeriu i artë” është treguar interes.

Edhe mbishkrimi më i vjetër turk në ekspozitë

Saparbekuly shpjegoi se në Muzeun e Qytetërimeve të Anadollit ekspozohen 207 objekte, të cilët u zbuluan nga 7 rajone në Kazakistan, duke përfshirë një garuzhdë argjendi mbi të cilën ndodhet mbishkrimi më i vjetër turk.

“Sendet e vlefshme në ekspozitë do t’i bëjnë vizitorët të ndiejnë jetën dhe frymën e periudhës. Unë i ftoj vëllezërit tanë turq, artdashësit, dashamirët e historisë dhe të gjithë njerëzit e Ankarasë që për të njohur tokën dhe historinë e tyre të vizitojnë ekspozitën, e cila do të zgjasë deri më 12 tetor”, tha Saparbekuly.

Turqi, lirohen 5 ish-gazetarë të së përditshmes opozitare

Pesë ish-gazetarë të së përditshmes opozitare “Xhumuriet”, përfshirë karikaturistin e shquar Musa Kart, u liruan nga burgu të enjten në mbrëmje pas një vendimi të gjykatës së apelit.

Të pesë ata po vuanin dënime prej më pak se pesë vitesh për “ndihmë dhe forcim të grupeve terroriste, pa qenë anëtarë të ndonjë grupimi”.

Të pesë gazetarët ishin në mesin e 14 anëtarëve të stafit të gazetës, përfshirë gazetarë e drejtues, të dënuar në vitin 2018. Në fillim të këtij viti ankimimi i tyre u kundërshtua nga një gjykatë më e ulët.

Ata u akuzuan se mbështesin, përmes mbulimit në shtyp, tre organizata që Turqia i ka shpallur si grupe terroriste, Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, Frontin Ultra të Majtë Revolucionar për Lirinë e Popullit si dhe lëvizjen Gulen, që autoritetet turke e akuzojnë si autore të grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016.

Gazetarët qëndruan në burg 142 ditë.

Gazeta e përditshme “Xhumuriet” ka pasur shpesh probleme me autoritetet qeveritare. Ish-kryeredaktori i saj Xhan Dundar u arratis drejt Gjermanisë pasi u dënua në vitin 2016 për një artikull ku thuhej se Turqia kishte furnizuar me armë grupet islamike në Siri. za

Policia greke bllokon një ton marijuanë në Janinë, afër Shqipërisë

Policia greke tha se ka sekuestruar rreth një ton marijuanë në një kamion që u bllokua në hyrje të Janinës, qytetit verior grek fqinj me Shqipërinë. Sipas policisë greke shoferi i kamionit që rezulton i vjedhur është një 30 vjeçar, shtetas i huaj.

Sipas policsë greke operacioni kishte nisur në brezin kuftar me Shqipërinë. Sipas mediave greke dyshohet se lënda narkotike ishte transportuar nga brezi kufitar në sasi të vogla në kamionin që kishte destinacion qytetet në thellësi të Greqisë. Operacioni antidrogë u krye nga Divizioni i Antidrogës Greke dhe sasia e narkotikëve është ndër më të mëdhatë e bllokuara gjatë viteve të fundit nga policia greke.

Po sot policia shqiptare arrestoi një tjetër pjesëtar të 4 grupeve kriminale që u ndaluan dje për aktivitet në fushën e narkotikëve. Sipas Policisë shqiptare numri i të arrestuarve ka shkuar ne 58 persona qe akuzohen si të përfshirë në kultivimin dhe më pas trafikimin e lëndëve narkotike drejt Greqisë.

Vuçiq pas takimit me Papën: Vatikani nuk do ta njohë Kosovën

Pas takimit me Papën, Presidenti serb Aleksander Vuçiq tha se Vatikani po ndjek një politikë serioze dhe do të ruajë pozicionin e tij për Kosovën, raporton Sputnik.

Pas takimit, presidenti i Serbisë u tha gazetarëve se ka biseduar me Papën për vendet e shenjta në Kosovë, për situatën e ‘vështirë’ të popullit serb atje, por edhe për raportet e këqija të kroatëve ndaj serbëve. I pyetur nëse Vatikani do të mbante qëndrimin e tij për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës, Vuçiq tha se Vatikani po ndjek një politikë serioze dhe do të mbajë qëndrimin e vet, por dëshiron një zgjidhje paqësore me shqiptarët.

“Kjo është ajo që mund të them dhe që është e rëndësishme për qytetarët”, tha Vuçiq.

Zeman në Beograd: Do të shtroj çështjen për tërheqjen e njohjes së Kosovës

Beograd

Presidenti i Çekisë, Milosh Zeman sot në Beograd deklaroi se do të ngritë çështjen e tërheqjes së njohjes së Kosovës brenda një muaji në Pragë, duke thënë se “një vend i udhëhequr nga kriminelët e luftës nuk duhet të jetë në bashkësinë e vendeve demokratike”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai tha se Gjykata e Hagës kishte shprehur më parë dyshime për krimet e luftës të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës.

“Unë mendoj se pikërisht për këtë Haradinaj dha dorëheqje. Më lejoni të shprehem personalisht, por me këtë edhe bindjen, se një vend i udhëhequr nga kriminelët e luftës nuk duhet të jetë në bashkësinë e vendeve demokratike”, tha Zeman në konferencën e përbashkët për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ai gjithashtu deklaroi se çdo politikan duhet kryesisht të mbrojë interesat e vendit të tij dhe të mos jetë një kukull e autoriteteve të huaja.

Zeman paralajmëroi se brenda një muaji në seancën e Qeverisë në Pragë do të ngritë çështjen e tërheqjes së njohjes të Kosovës.

Sipas tij, ai nuk është diktator dhe nuk mund të imponojë qëndrimin e tij, por mund që gjatë këshillimeve qeveritare të ngritë çështje.

Duke folur për Serbinë, Zeman tha se nëse vazhdon në këtë drejtim, ajo do t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe nuk do të ishte vendi i pari që nuk është në NATO, sepse Austria tashmë ka të njëjtin model.
Ai gjithashtu vlerësoi se Serbia dhe Republika Çeke janë vende të mesme që ndajnë fatin e përbashkët.

Vuçiç deklaroi se “me mikun e sinqertë të Serbisë dhe popullit serb” me presidentin çek biseduan për marrëdhëniet gjithëpërfshirëse dypalëshe të të dyja vendeve si dhe problemet specifike dhe se ndjehen krenarë se tregtia mes tyre ishte trefishuar.

“Ne folëm për politikën, vështirësitë me të cilat përballet sot Serbia, si në rrugën evropiane ashtu edhe në marrëdhëniet me Prishtinën. Unë besoj se mund të mësoj shumë nga ai, dhe besoj se do të jemi në gjendje të ruajmë interesat kombëtare dhe shtetërore, megjithë vështirësitë e shumta dhe që në të njëjtën kohë ne do të jemi në gjendje të sigurojmë jetesë për qytetarët tanë”, tha ai.

Vuçiç theksoi se Serbia i është shumë mirënjohëse Zeman-it për pikëpamjet e tij ndaj Kosovës.

I pyetur në lidhje me zgjedhjen e Komisionerit të ri për Zgjerim të BE-së, Laszlo Trocani, Vuçiç tha se mirëpret zgjedhjet e tij dhe beson se kjo do të thotë shumë për përparimin e mëtutjeshëm të Serbisë në rrugën evropiane dhe se vendi do të ketë mbështetje shumë më të madhe sesa që kishte më parë.

Ndërsa rreth deklaratës së ish-kryeministrit kroat Zoran Milovanoviç se Vuçiç nuk do të shëtiste lirshëm në vendin e tij nëse bëhet president i Kroacisë, presidenti i Serbisë tha se ai gjithmonë ka dëshiruar bashkëpunim më të mirë me Kroacinë në të ardhmen.

“Unë rrallë shëtis kudo, veçanërisht nuk jam që lëvizi e as atlet, nuk shkoj në det në Kroaci, as kam shkuar apo nuk planifikoj të shkoj. Nuk kam nevojë për diçka të tillë. Unë gjithmonë kam dashur bashkëpunim më të mirë dhe do të dëshiroj që edhe ata në të ardhmen të shëtisin lirshëm në Serbi”, tha ai.

Më parë, ministrat e Mbrojtjes të të dyja vendeve nënshkruan një marrëveshje midis qeverive të Serbisë dhe Çekisë për bashkëpunim në mbrojtje si dhe memorandum bashkëpunimi për inovacione, inteligjencën artificiale dhe robotikën.

Vazhdojnë tensionet mes Turqisë dhe Greqisë

Anija eksploruese turke Yavuz.

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, tha të martën se Turqia “vazhdon të provokojë” në qasjen e saj ndaj Qipros, dhe se Ankaraja po izolohet ndërkombëtarisht.

Kryeministri grek i bëri komentet gjatë një takimi me presidentin Qipros, Nicos Anastasiades, kreu i parë i një vendi të huaj që vizitoi Athinën, qëkur Mitsotakis fitoi zgjedhjet e korrikut.

Vizita e Anastasiades bëhet një ditë pasi përpjekjet për të rifilluar negociatat për ribashkimin e ishullit u goditën nga deklarata e ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, i cili tha se qipriotët grekë duhej të binin dakord që qipriotët turq, të kenë barazi vendimmarrëse në qeverisjen e vendit.

Nikozia është në mosmarrëveshje me Turqinë që nga pushtimi turk, më 1974, i cili ka ndarë ishullin në dy pjesë: Qipron greke, e cila njihet ndërkombëtarisht si Qipro, dhe rajonin separatist të Qipros turke.

Qiproja turke njihet vetëm nga Turqia dhe është subjekt i sanksioneve ndërkombëtare.

Tensionet janë shtuar në periudhën e fundit, për shkak se Turqia pretendon se ka të drejtë të kërkimit të gazit natyror në rajonin e Qipros.

Ministri turk tha se shpimet për gaz natyror, në ujërat ku qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Qipros ka të drejta ekskluzive, do të vazhdonte për sa kohë që grekët qipriotë refuzojnë propozimin për të udhëhequr kërkimet bashkërisht me turqit qipriotë.

Turqia ka këmbëngulur gjithashtu se ka të drejtë të bëj stërvitje ushtarake në zonë, duke thënë se po mbron të drejtat e turqve qipriotë.

Turqia vazhdon të mbajë 35.000 në pjesën e ishullit, që ajo e njeh si shtet.

Bisedimet për bashkimin e ishullit janë ndërprerë disa herë gjatë disa dekadave. rel

Sllovenia fuqizon lidhjet ekonomike me Rusinë

Pallati presidencial në Slloveni.

Kryeministri slloven, Marjan Sarec, ka mbërritur në Moskë për një vizitë dy-ditore, gjatë së cilës ai do të zhvillojë bisedime me homologun e tij rus, Dmitry Medvedev.

Në këtë vizitë, kryeministri slloven është i shoqëruar nga një grup afaristësh sllovenë.

Medvedev dhe Sarec do të diskutojnë një “spektër të gjerë temash të bashkëpunimit dypalësh në tregti, ekonomi, energji, investime dhe sektorë të teknologjisë, si dhe bashkëpunim kulturor dhe humanitar”, thuhet në faqen e internetit të qeverisë ruse.

“Tregu rus është shumë interesant për ne. Dhe sigurisht, ne do të kërkojmë të gjejmë mundësi të reja për bashkëpunim, pavarësisht sanksioneve të Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Rusisë për veprimet e saj në Ukrainë”, citohet të ketë thënë kryeministri Sarec, sipas agjencisë ruse Tass.

Zyra e tij njoftoi se vizita do të përqëndrohet në bashkëpunimin ekonomik, por edhe në temat e politikës së jashtme.

Sarec dhe Medvedev gjithashtu pritet të marrin pjesë në zbulimin ceremonial të një monumenti kushtuar sllovenëve që vdiqën në tokën ruse gjatë të dy luftërave botërore.

Nuk dihet nëse kryeministri slloven do të pritet nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Parlamenti i Sllovenisë e zgjodhi Sarec – një rishtar politik – si kryeministër në gusht të vitit 2018.

Më parë, ai kishte punuar si kryetar i qytetit Kamnik në Slloveni. Ai gjithashtu ishte një zjarrfikës vullnetar.

Sarec ka punuar edhe për transmetuesin publik, ku u bë i njohur për imitimin e zërave të politikanëve në emisionet humoristike.

Palmer: SHBA sërish e përqëndruar në Ballkanin Perëndimor

Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mathhew Palmer (djathtas) dhe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mathhew Palmer, tha se me emërimin e tij në këtë pozitë, SHBA-ja tregon se është sërish e përqendruar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Palmer i bëri këto komente të hënën në Podgoricë, në takim me kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e Markoviqit, Palmer tha se Mali i Zi është shteti më i suksesshëm multietnik në rajon dhe se “nuk është rastësi që Mali i Zi është shteti i parë që viziton pas marrjes së detyrës”.

Palmer u emërua përfaqësues për Ballkanin nga Departamenti amerikan i Shtetit më 30 gusht.

Duke e uruar për këtë post, Markoviq tha se vendimi për emërimin e Palmerit paraqet mundësi reale për përshpejtimin e realizimit të qëllimeve strategjike dhe se kontribuon në stabilitetin e gjithë rajonit.

Markoviq e cilësoi Palmerin si “njohës të shkëlqyeshëm të Ballkanit”.

Duke folur për Malin e Zi, Markoviq theksoi “suksesin e politikës ekonomike të Qeverisë”, e cila, sipas tij, jep “rezultate të shkëlqyeshme në zhvillim”.

Palmer bisedoi edhe me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. rel

Ish-diplomati serb: Vuçiç mos u lodh, Kosovën e kemi humbur

Ish-diplomati serb, Milan St. Protiç, që kishte shërbyer si ambasador i Serbisë në Washington, thotë se Vuçiq duhet të kuptojë që Kosova është humbur dhe nuk duhet të merret më me këtë çështje.

“Kosova është humbur, dhe nuk duhet harxhuar energji shtesë. Një gjë të tillë nuk e pranojnë vetëm politikanët e pa sinqertë. Ajo betejë është humbur”, ka thënë historiani serb Protiç, raporton Gazeta Express.

Teksa ka folur për vazhdimin e dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfshirjes së SHBA’së në këtë proces, Protiç thotë se ofensiva e fundit e SHBA’së për të zgjidhur problemin mes Prishtinës dhe Beogradit vjen si rezultat i zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në Amerikë në vitin 2020.

“SHBA’ja u fut në ofensive sa i përket zgjidhjes së çështjes së Kosovës, sepse u vlerësuar që një zgjidhje mund të arrihet para zgjedhjeve presidenciale”, ka shtuar tutje ish-diplomati serb, shkruan ‘Pravda’, transmeton Gazeta Express.

Protiç madje angazhimin aktual të SHBA’së e krahason me atë të para disa viteve, kur u arrit Marrëveshja e Dejtonit pas dështimit të Evropës që ta bindte Millosheviqin për bashkëpunim.

Sipas tij aktualisht Kosova nuk është tema kryesore globale, por që në rast të ardhjes së Joseph Biden si demokrat në krye të SHBA’ve, thotë se interesi për Kosovën mund të rritet.

Njeriu i Merkelit ia propozon Vuçiqit në Beograd idenë gjermane për finalen Kosovë – Serbi

Deputeti i Bundestagut gjerman nga radhët e CDU/CSU, Peter Beyer, gjatë takimit që ka pasur javën e kaluar me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, në Beograd, ka thënë se “Modeli i dy Gjermanive” është një ide për të cilën ia vlen ende të mendohet për zgjidhjen e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përveç tjerash Beyer ka ripërsëritur qëndrimin gjerman kundër shkëmbimit të territoreve dhe ka thënë se njohja e plotë e Kosovës është një kusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkim Evropian, shkruan Gazeta Express.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian së fundi kanë ndezur motorët sa i përket çështjes së rinisjes së dialogut dhe arritjes së një marrëveshjeje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta Express.

Washingtoni zyrtar ka përcaktuar Matthew Palmer-in si përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, i cili do të merret ekskluzivisht me çështjen e bisedimeve Prishtinë – Beograd, ndërkohë duarkryq nuk ka ndenjur as kancelarja gjermane, Angel Merkel. Javën e kaluar në Prishtinë e Beograd ka qëndruar i dërguari i saj special deputeti i Bundestagut nga radhët e koalicionit CDU/CSU, Peter Beyer.

Beyer në Prishtinë ka takuar kreun e LDK-së, Isa Mustafa, dhe kryeministrin e dorëhequr, Ramush Haradinaj.

Pas Kosovës deputeti gjerman ka vazhduar për një vizitë në Beograd, ku ka takuar kreun e shtetit serb, Aleksander Vuçiq, ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiq dhe Marko Gjuriqin.

Ndërkohë sot mediat serbe shkruajnë se Beyer në takim me Vuçiqin ka propozuar “Modelin e dy Gjermanive”, si ide për të cilën ka thënë se ia vlen të mendohet.

“Harta e rrugës është e qartë, dy palët, Serbia dhe Kosova, duhet të punojnë për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Ne kemi folur për procesin e njohjes. Sigurisht që ne mendojmë se do të ishte më mirë që anëtarësimi i Serbisë në BE të vijë si rezultat i njohjes së plotë të pavarësisë së Kosovës, por ne e dimë që një gjë e tillë është e ndërlikuar dhe pothuajse e pamundur. Sepse ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës, dhe nuk është një çështje e thjeshtë, megjithatë ky koncept dhe propozim nuk është i ri. Ky është një koncept që ne e kemi pasur një herë në mes të dy Gjermanive, që rezultoi me ribashkimin e dy Gjermanive, gjë që nuk është dëshira jonë në rastin e Kosovës dhe Serbisë. Gjermania Lindore dhe Gjermania Perëndimore bashkëjetuan në aspektin e organizatave ndërkombëtare, por nuk e njihnin njëra tjetrën. Një lloj i tillë bashkëjetese do të ishte i mundshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë kam folur për një gjë të tillë me presidentin e Serbisë, dhe është një ide për të cilën ende ia vlen të mendohet”, citohet të ketë thënë Beyer, shkruan Blic.rs, transmeton Gazeta Express.

Ndër të tjera deputeti gjerman ka treguar se ia ka ripërsëritur kreut të shtetit serb, qëndrimin e palëkundur gjerman kundër idesë së shkëmbimit të territoreve.

“Edhe presidenti edhe ministrat janë të vetëdijshëm për pozicionin tim dhe atë të Gjermanisë. Ne jemi kundër idesë së shkëmbimit të territoreve”, ka thënë Beyer.

Tutje, teksa ka folur për anëtarësimin e Serbisë në BE, Beyer ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë pa njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Pritet të zëvendësojë Johannes Hahn si Komisionere e Zgjerimit, mësoni kush është deputetja kroate

Postin e Komisionerit për Zgjerimin në Bashkimin Europian mund ta marrë eurodeputetja kroate Dubravka Suica. Lajmi nuk është konfirmuar zyrtarisht, por burime diplomatike në Bruksel thonë se zonja Suica është pjesë e listës që do të prezantohet të martën nga presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.

Eurodeputetja kroate, Dubravka Šuica, pritet të kandidohet në postin e Komisionerit për Zgjerimin dhe Fqinjësinë nga presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.

Lajmi nuk është konfirmuar zyrtarisht, por burime diplomatike në Bruksel thonë se zonja Suica është pjesë e listës që do të prezantohet të martën.

Pasi të prezantohet përbërja e Komisionit, duhet të merret në tërësi edhe votëbesimi i Parlamentit Europian, ndërsa më parë do të zhvillohen edhe seanca dëgjimore me të gjithë kandidatët e përzgjedhur nga zonja von der Leyen. Mandati i Komisionit të ri Europian do të fillojë zyrtarisht më 1 nëntor 2019.

Por kush është Dubravka Suica?

Ajo është anëtare e Bashkimit Demokratik Kroat që prej vitit 1990, ndërsa nga viti 2001 deri në vitin 2009, ka shërbyer si kryebashkiake e Dubrovnikut.

Kur Kroacia u anëtarësua në Bashkimin Europian në vitin 2013, Suica u zgjodh eurodeputete. Këtë vit ajo u zgjodh edhe nënkryetare e grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane.

Nëse kandidatura e saj konfirmohet, atëherë ky është një lajm i mirë për aspiratat e Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Ndërsa në rastin e Serbisë, në disa raste Šuica ka deklaruar se nuk është realiste që Serbia të anëtarësohet brenda vitit 2025.

Në një deklaratë të bërë në maj të vitit të kaluar, ajo tha se Serbia duhet të paraqesë më herët listën e personave të zhdukur gjatë luftës si dhe të kthejë pasuritë e trashëgimisë kulturore.

Deri tani, postin e Komisionerit për Zgjerimin e ka mbajtur Johannes Hahn, i cili pritet të marrë një portofol të ri në kabinetin e ardhshëm.