VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Vazhdojnë luftimet në Gaza – palestinezët hidhen në grevë

By | May 18, 2021
blank

Komentet

blank

Rusia ndalon hyrjen e anijes së marinës britanike në ujërat territoriale

Moskë

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka bërë të ditur se vendi ka ndaluar një gjuajtës të Marinës Mbretërore Britanike për të cilën tha se po shkelte ujërat territoriale të saj, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas ministrisë ruse, anija britanike hyri në ujërat territoriale ruse pranë Kepit Fiolent në Detin e Zi dhe nuk iu përgjigj paralajmërimeve të forcave bregdetare ruse.

“Në ora 11:52, më 23 qershor, gjuajtësi Mbrojtësi i Marinës Britanike, që vepron në pjesën veriperëndimore të Detit të Zi, kaloi kufirin shtetëror të Federatës Ruse dhe hyri në detin territorial pranë Kepit Fiolent për 3 kilometra”, tha ministria ruse.

Më tej, thuhet se anija ruse e rojes bregdetare lëshoi të shtëna paralajmëruese drejt anijes britanike dhe një avion luftarak Su-24 kreu një bombardim paralajmërues pas të cilit anija britanike u kthye mbrapa.

“Në ora 12:06 dhe 12:08, një anije e patrullimit kufitar lëshoi një të shtënë paralajmëruese. Në 12:19, avioni Su-24 kreu një bombardim paralajmërues para kursit të ‘Mbrojtësit’ (anijes britanike). Falë veprimeve të përbashkëta të Flotës së Detit të Zi dhe Shërbimit Kufitar të FSB-së së Rusisë, ‘Mbrojtësi’ lëshoi kufijtë e detit territorial të Federatës Ruse”, tha ministria.

blank

Faqet e internetit të medias shtetëtore iraniane bllokohen nga Shtetet e Bashkuara

VOA

Disa faqe interneti të agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve shfaqën mesazhe të martën në të cilat thuhej se ato ishin “bllokuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara”.

Media iraniane konfirmoi të martën se një numër faqesh në internet të lidhura me agjencinë shtetërore të lajmeve duket se janë “bllokuar” nga qeveria amerikane pa ndonjë arsyetim ose shpjegim të qartë.

Një zyrtar i FBI-së konfirmoi për Zërin e Amerikës bllokimin e faqeve iraniane të internetit, por nuk pranoi të jepte më shumë hollësi për këtë veprim. Zyrtari që foli me kushtin që emri i tij të mos zbulohej, tha se Departamenti i Drejtësisë do të jepte më shumë hollësi për këtë të mërkuren.

Departamenti i Shtetit nuk u përgjigj menjëherë kur u pyet nga Zëri i Amerikës për të komentuar në lidhje me incidentin. Megjithatë, agjencia e lajmeve Associated Press citoi një zyrtar të paidentifikuar të Shteteve të Bashkuara të ketë thënë se Shtetet e Bashkuara kishin bllokuar afër 30 faqe interneti, shumica e të cilave janë të lidhura me përpjekjet e dezinformimit.

Në mesin e faqeve të internetit që u mbyllën papritmas ishin edhe ato të kanalit televiziv shtetëror në gjuhën angleze Press TV, kanalit arab Al-Alam dhe kanalit të lajmeve satelitore Al-Masirah të rebelëve huthi në Jemen.

Në mesazhet që shfaqeshin në faqet e bllokuara thuhej se ato ishin “bllokuar nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara në përputhje me një urdhër konfiskimi”, së bashku me stemat e FBI-së dhe Byrosë së Industrisë dhe Sigurisë të Departamentit të Tregtisë.

Al-Masirah lëshoi një deklaratë duke e pranuar sekuestrimin e faqes së saj, në të cilën thuhej se ajo do të vazhdonte misionin e saj “për t’u përballur me aktet amerikane dhe izraelite të piraterisë kundër vendit tonë”.

Agjencia e lajmeve Rueters tha se Al-Masirah filloi të operonte menjëherë në një adresë tjetër interneti. Edhe Press TV, përmes një postimi në Twitter, tha se ka krijuar një faqe të re interneti.

Agjencia shtetërore e lajmeve Press TV jep lajme ndërkombëtare që filtrohen përmes lenteve të udhëheqësve të Iranit, duke kritikuar zakonisht politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe atë të Britanisë.

Kjo lëvizje vjen disa ditë pasi Ebrahim Raisin, një kritik i njohur i perëndimit, fitoi zgjedhjet presidenciale në Iran.

Prokurorët amerikanë konfiskuan 92 adresa interneti tetorin e kaluar, që sipas tyre, ishin “përdorur në mënyrë të paligjshme nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit” për të përhapur dezinformata.

blank

Udhëheqësi i administratës ushtarake të Mianmarit viziton Rusinë

Kuala Lumpur

Udhëheqësi i administratës ushtarake të Mianmarit, gjenerali Min Aung Hlaing, i cili mori qeverinë e zgjedhur me një grusht shteti ushtarak zhvilloi një vizitë në Rusi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në lajmet në televizionin MRTV, një nga organet mediatike të ushtrisë së Mianmarit, thuhet se gjenerali Hlaing u largua nga kryeqyteti Nepido dje me aeroplan privat për të shkuar në Rusi.

Bëhet e ditur se Hlaing shkoi në Rusi “me ftesë të ministrit rus të Mbrojtjes Sergey Shoygu” dhe do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë që do të mbahet në kryeqytetin Moskë.

Vlen të përmendet se vizita e Hlaing në Rusi u realizua një ditë pas thirrjes së Kombeve të Bashkuara për një embargo armësh në Mianmar.

Në maj, zyrtarë të lartë nga ushtria e Mianmarit morën pjesë në panairin e helikopterëve në Moskë.

Grusht shteti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit më 1 shkurt mori pushtetin pas akuzave për mashtrim në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe ngritjes së tensionit politik në vend.

Ushtria kishte arrestuar shumë zyrtarë dhe udhëheqës të partive në pushtet veçanërisht udhëheqësin de facto të vendit dhe ministren e Jashtme, Aung San Suu Kyii dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit.

Si rezultat i ndërhyrjes së armatosur të ushtrisë së Mianmarit kundër protestuesve anti-grusht shteti dhe grupeve rebele, deri më sot 872 njerëz kanë vdekur dhe mijëra demonstrues janë arrestuar.

Ndërsa demonstratat me pjesëmarrje të madhe vazhdojnë në vend, gjykimi i zyrtarëve të lartë qeveritarë në paraburgim vazhdon në gjykatat ushtarake.

blank

Dita Botërore e Refugjatëve, OKB: 82 milionë njerëz janë zhvendosur

Laurel Bowman

Më 20 qershor është Dita Botërore e Refugjatëve. Sipas raportit të fundit të OKB-së, më shumë se 82 milionë njerëz janë zhvendosur, megjithë mbylljen e kufijve nga shumë vende për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ky është numri më i lartë i refugjatëve i regjistruar ndonjëherë.

Ajo që është mjaft tronditëse është fakti se gjatë dhjetë viteve të fundit numri i njerëzve që janë refugjatë ose janë zhvendosur me forcë është dyfishuar. Rreth 48 përqind janë fëmijë ose të rinj, kështu që ne vërtet kemi breza fëmijësh të cilët janë larguar nga vendet e tyre të origjinës”, thotë Gillian Triggs, Ndihmës Komisioner i Lartë i UNHCR-së.

OKB-ja njofton se në përgjithësi, 1 në 95 njerëz janë zhvendosur me forcë, duke përfshirë më shumë se gjysmën e popullsisë së Sirisë, si brenda vendit ashtu edhe jashtë. Sirianët përfaqësojnë grupin më të madh të të zhvendosurve ndërkombëtarisht dhe ekspertët thonë se nevojat e tyre janë të shumta.

Edukimi dhe shëndeti mendor janë çështje kryesore. Për shembull ne kemi shumë refugjatë sirianë të traumatizuar dhe ata nuk mund ta kuptojnë. Pra, ju duhet të punoni për shëndetin mendor, plus edukimin e tyre”, thotë Nancy Yarmout nga organizata “Rescue Me” .

Venezuelianët përbëjnë grupin e dytë më të madh, të njerëzve të zhvendosur me forcë.

Shumë prej tyre kanë shkuar në Kolumbi. Zhvendosja nga Amerika Qendrore është rritur 50 herë gjatë dhjetë viteve të fundit, me shumë refugjatë që drejtohen në veri për në Shtetet e Bashkuara.

Besoj se është me të vërtetë e rëndësishme të mendosh për refugjatët jo si një barrë për shoqërinë, por të mendosh për ta si konsumatorë dhe kontribues, sepse ata në të vërtetë shtojnë rritjen ekonomike … shtojnë zhvillimin ekonomik”, thotë Richard Albright, nga Departamenti amerikan i Shtetit

Numri i fëmijëve të pashoqëruar në vitin 2020 po ashtu ishte i lartë, sipas raportit të OKB-së. Dhe ndryshimi i klimës ishte një nga faktorët që shkaktoi zhvendosje të njerëzve në gjithë botën.

Nevoja për burime, ujë, tokë … Nevoja për ushqimin e bagëtive, për të shtuar të korrurat… Të gjitha këto preken nga ndryshimi i klimës, dhe çojnë në konflikt. Më pas konflikti sjell zhvendosje”, thotë Gillian Triggs, Ndihmës Komisioner i Lartë i UNHCR-së

Raporti i OKB-së tregon se 86 përqind e njerëzve të zhvendosur përtej kufijve janë pritur nga vendet në zhvillim.

blank

Kush është Ebrahim Raisi, i zgjedhuri si Presidenti i 8 i Iranit?

AHMET DURSUN

Ebrahim Raisi, i njohur për orientimin e tij konservativ, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale sipas rezultateve të para zyrtare të shpallura në Iran dhe u zgjodh Presidenti i 8-të i vendit, është një nga emrat e përfolur për t’u ulur më vonë në pozitën e liderit suprem pas Ajatollah Ali Khameneit, shkruan Anadolu Agency (AA).

Njerëzit në Iran shkuan dje në votime për të zgjedhur presidentin e ri. Gjykatësi konservator i sanksionuar nga SHBA-ja, Raisi, i fitoi zgjedhjet, në të cilat më shumë se gjysma e 59 milionë votuesve në vend nuk votuan për shkak të vështirësive ekonomike dhe thirrjeve për bojkot, të cilat u rritën për shkak të faktit se disa emra, të cilët morën mbështetjen e një pjese të publikut, nuk u lejuan të kandidojnë.

Raisi lindi më 14 dhjetor 1960 në Mashhad. Raisi, avokat, filloi karrierën e tij si prokuror i Kereç në vitin 1981, pas revolucionit të vitit 1979. Duke u ngritur shpejt në pozicionin e tij, ai shpejt u bë Zëvendësprokuror i Përgjithshëm i Teheranit.

Ai mori pjesë në komitetin që vendosi të ekzekutojë kundërshtarët e burgosur të regjimit në vitin 1988, me udhëzimin e udhëheqësit revolucionar të Iranit, Khomeini.

Raisi, i cili mori pjesë në delegacionin prej katër personash që u quajt si “komiteti i vdekjes” nga kundërshtarët e regjimit, është cilësuar si “ajatollahu i masakrës” nga opozitarët. Pretendohet se rreth 3.000 njerëz u ekzekutuan në atë kohë.

Pas vdekjes së Khomeinit, Raisi u ngrit me shpejtësi në pozitat shtetërore gjatë epokës së Khameneit, duke shërbyer si Kryeprokuror i Teheranit në periudhën 1989-1994. I emëruar më pas si Kryetar i Zyrës Shtetërore të Inspektimit në vitin 1994, ai qëndroi në këtë pozicion për dhjetë vjet.

Reisi më vonë u emërua në postin e Zëvendësit të Parë të Shefit të Gjyqësorit në vitin 2004. I emëruar në postin e Kryeprokurorit të Iranit në 2014, Raisi u caktua nga Khamenei si Kryetar i Fondacionit të Tyrbes dhe Kompleksit Imam Reza dhe Kompleksit në Mashhad vitin 2016.

Raisi ishte një kandidat edhe në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 19 maj 2017 në vend, kur humbi nga presidentit aktual Hassan Rouhani.

Raisi u emërua nga Khamenei si Shef i Gjyqësorit në mars 2019 pas lirimit të detyrës nga Ajatollah Amuli Sadik Larijani-t.

Ai filloi hetime për “korrupsion në gjyqësor” kundër zyrtarëve të nivelit të lartë gjyqësor të mandatit të Larijani-t, duke theksuar se korrupsioni, i cili konsiderohet si një nga problemet më të mëdha të vendit, do të trajtohej gjatë mandatit të tij.

Ai u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara në nëntor 2019 për rolin e tij në ekzekutimin e të burgosurve politikë dhe shuarjen e trazirave sociale të vitit 2009, por nuk ka bërë asnjë deklaratë publike në lidhje me rolin e tij në ekzekutime.

Emri i Ebrahim Raisit, i cili pretendohet të mbështetet nga Ushtria e Gardës Revolucionare, është ndër kandidatët që ka të ngjarë të ulet në udhëheqjen e vendit pas Khameneit.

blank

Minatorët gjejnë diamant në Botsvana, mund të jetë i treti më i madh në botë

VOA

GABORONE, BOTSWANA – Një diamant i madh më shumë se 1.000 karat, i cili mund të jetë i treti më i madhi në histori i nxjerrë nga minierat, u zbulua në Botsvanë të Afrikës.

Guri i çmuar me cilësi të lartë, me peshë 1098,3 karat u nxorr në fillim të këtij muaji në minierën Jwaneng në pronësi të firmës Debswana, kompani minierash në pronësi të përbashkët të qeverisë dhe grupit De Beers.

“Me prezantimin e kësaj fabrike të mrekullueshëm të teknologjisë së lartë për zbulimin e diamanteve, kam shpresë se do të jemi në gjendje të gjejmë më shumë diamante të mëdhenj,” tha Lynette Armstrong, drejtoresha e përkohshme e kompanisë.

“Kjo është një arritje e madhe metalurgjike, sipas të gjitha standardeve të nxjerrjes së një diamanti të kësaj madhësie të paprekur përmes fabrikës sonë konvencionale,” tha ajo.

Diamanti me përmasa- 73x52x27 milimetra – është diamanti më i madh me cilësi të lartë i gjetur në minierat e Debswanas në historinë më shumë se 50-vjeçare të kompanisë, tha ajo. Diamante janë zbuluar në Botsvana në vitin 1967, ndërsa kompania Debswana u formua në vitin 1969.

Diamanti i fundit i gjetur në minierën Jwaneng në vitin 1993 ishte një gur me peshë 446 karat, tha ajo.

Diamanti i madh është një lajm i mirë për ekonominë e Botsvanës, që ka përjetuar një rënie të konsiderueshme gjatë pandemisë COVID-19. Diamantet përbëjnë rreth dy të tretat e fitimeve të eksportit për Botsvanën.

blank

Guterres riemërohet Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, ka emëruar të premten Antonio Guterres për një mandat të dytë si Sekretar të Përgjithshëm, duke ia mundësuar atij që për pesë vjetët e ardhshëm të drejtojë organizatën me 193 anëtarë.

Më herët gjatë këtij muaji, 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kanë mbështetur kandidaturën e Guterresit për një mandat të dytë.

Sipas Kartës së OKB-së, Asambleja e Përgjithshme emëron Sekretarin e Përgjithshëm me rekomandim të Këshillit të Sigurimit.

Mandati i ri i diplomatit portugez 72-vjeçar, do të nisë më 1 janar të vitit 2022. rel

blank

Shkretëtirëzimi prek jetën e rreth 2 miliardë njerëzve në të gjithë botën

Sipas drejtueses së një grupi mjedisor jofitimprurës, shkretëtirëzimi prek jetën e afërsisht 2 miliardë njerëzve në të gjithë botën dhe i kthen njerëzit në “migrantë ekologjikë”.

Duke folur për Anadolu Agency (AA) me rastin e Ditës Botërore për Luftimin e Shkretëtirëzimit dhe Thatësirës, shefja ekzekutive e Fondacionit Turk për Luftimin e Erozionit të Tokës, Ripyllëzimin dhe Mbrojtjen e Habitateve Natyrore (TEMA), Deniz Ataç, tha se degradimi i tokës shkakton 11 për qind ulje të prodhimit të ushqimit.

17 qershori, Dita Botërore për Luftimin e Shkretëtirëzimit dhe Thatësirës, është një ditë e shënuar nga Kombet e Bashkuara (OKB) që përqendrohet në ndryshimin e qëndrimeve të opinionit ndaj shkaktarëve kryesor të shkretëtirëzimit dhe degradimit të tokës.

“Degradimi i tokës është zvogëlimi i produktivitetit të tokës, biodiversitetit, potencialit të sekuestrimit të karbonit dhe të gjitha shërbimeve të ekosistemit të natyrës, duke përfshirë ligatinat. Shkurtimisht, (shkretëtirëzimi) do të thotë varfërim, mungesë ushqimi, më shumë thatësirë ​​dhe etje”, tha Ataç, duke shtuar se shkretëtirëzimi i referohet degradimit të tokës në zonat e thata.

Duke theksuar se rajonet e thata që kanë ekosisteme të brishta do të vuajnë më shumë nga ndryshimet klimatike, Ataç tha se thatësirat në këto rajone të thata pritet të rriten dhe intensifikohen.

“12 milionë hektarë tokë bujqësore degradohen çdo vit për shkak të erozionit, menaxhimit jo të duhur të tokës, përdorimit të tepruar të plehrave kimikë, përdorimit të pesticideve për qëllime bujqësore, ujitjes së tepruar dhe jo korrekte dhe ndotjes”, shtoi ajo.

“Me shkatërrimin e pyjeve të shiut, rajonet tropikale me një klimë të lagësht kanë filluar të përballen me rrezikun e shkretëtirëzimit edhe në këtë klimë të lagësht. Shkretëtirëzimi prek jetën e afërsisht dy miliardë njerëzve, zvogëlon mirëqenien e tyre, shkakton mungesa të ushqimit dhe i kthen njerëzit në migrantë ekologjikë”, theksoi ajo.

Në përgjigje të një pyetjeje se cilat hapa duhet të ndërmerren për të zbutur shkretëtirëzimin dhe thatësirën, Ataç tha se parandalimi i degradimit të tokës, fillimi i menjëhershëm i aktiviteteve të restaurimit dhe zgjerimi i praktikave të qëndrueshme bujqësore janë prioritet.

Ajo gjithashtu rikujtoi përgatitjen e raportit të OKB-së për Rivendosjen e Ekosistemit për Njerëzit, Natyrën dhe Klimën me rastin e Ditës Botërore të këtij viti për Luftimin e Shkretëtirëzimit dhe Thatësirës.

Konventa e OKB-së për Luftimin e Shkretëtirëzimit njoftoi se tema e këtij viti e ditës është “Restaurimi. Toka. Riparimi. Më mirë ndërtojmë në tokë të shëndetshme”.

Rëndësia e rikthimit të natyrës

“Puna e restaurimit dhe parandalimi i shkatërrimit të tokës dhe pyjeve janë gjithashtu të rëndësishme si pjesë e luftimit të humbjes së biodiversitetit dhe ndryshimeve klimatike si dhe uljen e efekteve të saj”, vuri në dukje ajo.

Duke nënvizuar se temperatura globale është tashmë më shumë se 1 gradë Celcius më e lartë se në epokën para-industriale dhe se akullnajat në pole vazhdojnë të shkrihen, Ataç tha se angazhimi i restaurimit konsiderohet i nevojshëm për të rivendosur pragun e ngrohjes globale që është tejkaluar.

“Është vlerësuar se punimet e restaurimit që do të kryhet vetëm në 15 për qind të tokave të degraduara në botë do të zvogëlojë humbjen e specieve me 60 për qind”, shtoi ajo.

Duke deklaruar se shkatërrimi i pyjeve dhe bimësisë natyrore rrit thatësirën, Ataç tha se rajonet tropikale me një klimë të lagësht janë nën rrezikun e shkretëtirëzimit si një shembull tipik i kësaj.

Duke folur për përpjekjet e vazhdueshme të TEMA në terren, ajo vuri në dukje se fondacioni vazhdon aktivitetet e saj në pesë fusha kryesore, duke përfshirë pylltarinë, avokimin dhe politikat mjedisore, zhvillimin rural, arsimin dhe organizimin dhe vullnetarizmin.

Ajo shtoi se TEMA aktualisht kryen dy projekte të rëndësishme. Një prej tyre është Hayrettin Karaca Projekti Natyror i Pyjeve i cili u nis për të përcaktuar dhe hartuar pyjet me rritje të vjetër në Rajonin Lindor të Turqisë të Detit të Zi.

Projekti u emërua sipas Hayrettin Karaca, themeluesit të TEMA, i cili ishte i njohur edhe si Gjyshi i Tokës. Ai vdiq në vitin 2020 në moshën 97-vjeçare.

Një tjetër është Projekti i Biodiversitetit Nihat Gokyigit i cili u nis për të rritur ndërgjegjësimin e publikut dhe për të minimizuar humbjen e biodiversitetit të shkaktuar nga njerëzit.

E themeluar në 1992, TEMA është grupi kryesor i mbrojtjes së mjedisit në vend që përqendrohet në ruajtjen e natyrës duke luftuar erozionin dhe duke kryer projekte të ndryshme.

blank

Hong Kong, policia arreston pesë drejtuesit e gazetës “Apple Daily”

Marrë nga Reuters

HONG KONG – Policia e Hong Kongut arrestoi pesë drejtues të Gazetës Apple Daily herët në mëngjes të enjten, përfshirë kryeredaktorin e saj, njoftoi media lokale, në goditjen më të fundit ndaj pronarit të burgosur të gazetës Jimmy Lai.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare të Policisë së Hong Kongut tha në një deklaratë se pesë drejtorë të një kompanie ishin arrestuar nën dyshimin e bashkëpunimit me një vend të huaj ose me elementë të jashtëm për të rrezikuar sigurinë kombëtare.

U tha vetëm se ndër të pestët ishin katër burra dhe një grua të moshës midis 47 dhe 63. Nuk u dhanë detaje të tjera.

Apple Daily tha se pesë nga drejtorët e saj, duke përfshirë kryeredaktorin Ryan Law, shefin ekzekutiv Cheung Kim-hung, shefin operativ Chow Tat-kuen, zëvendës kryeredaktorin Chan Puiman dhe kryeredaktorin Cheung Chi-wai ishin arrestuar të gjithë në bastisjet e mëngjesit.

Gazeta tha se rreth orës 7:30 të mëngjesit me orën lokale rreth 100 oficerë mbërritën në selinë e gazetës dhe rrethuan zonën.

Masa është goditja e fundit për gazetën Apple Daily pasi autoritetet muajin e kaluar udhëzuan ngrirjen e aksioneve të zotit Lai në Next Digital, kompaninë botuese të gazetës.

Jimmy Lai duke hipur në furgonin e burgut

Jimmy Lai duke hipur në furgonin e burgut

Lai u arrestua në gusht të vitit të kaluar dhe më vonë u akuzua sipas ligjit të sigurisë kombëtare të vendosur nga Kina në qytetin e saj më të lirë. Asetet e aktivistit pro-demokracisë ishin gjithashtu të ngrira sipas të njëjtit ligj.

Ai ka qenë në burg që nga dhjetori pasi iu refuzua garancia në një gjyq të veçantë të sigurisë kombëtare. Ai përballet me tre akuza sipas ligjit të ri, përfshirë bashkëpunimin me një vend të huaj. VOA

blank

Marshi i nacionalistëve izraelitë rrit shqetësimet për shpërthim të dhunës

RFE/RL

Grupet e ekstremit të djathtë në Izrael pritet të mbajnë një marsh kontrovers në Jerusalemin Lindor më 15 qershor, duke rrezikuar shpërthim të ri të dhunës në mes të Izraelit dhe militantëve të Gazës.

Nacionalistët e të djathtës ekstreme pritet të mbajnë një paradë në zonën myslimane të Jerusalemit Lindor, duke bartuar flamurin kaltër e bardhë të Izraelit.

Palestinezët e shohin marshin si provokim ndërsa Fatah e Hamas, dy organizatat më të mëdha palestineze, kanë bërë thirrje për “ditë të zemërimit” në Gaza dhe Bregun e pushtuar Perëndimor.

Liderët e Hamasit, që udhëheqin Gazan, kanë paralajmëruar për rikthim të armiqësive, nëse marshi realizohet.

“Ne po paralajmërojmë për pasoja të rrezikshme që mund të rezultojnë nga qëllimi i fuqisë pushtuese që të lejojë ekstremistët izraelitë të zhvillojnë marshin me flamur në Jerusalemin e pushtuar”, ka thënë kryeministri i Autoritetit palestinez Muhammad Shtayyeh, përmes një postimi në Twitter.

Protestat palestineze është planifikuar që të nisin në mëngjesin e së martës në Rripin e Gazës.

Hamasi dhe Fatah u kanë bërë thirrje palestinezëve që të nisen drejt zonës së Qytetit të Vjetër në Jerusalemin Lindor, në zonën ku pritet të mbahet marshi.

Tensionet në Jerusalem kanë rezultuar me nisje të raketave nga Hamasi në 11 ditë luftime, në muajin maj.

Grupet e ekstremit të djathtë kanë ricaktuar datën 15 qershor për mbajtje të marshit, pas arritjes së armëpushimit.

Ky marsh përbën sfidë për kryeministrin izraelit Naftali Bennett, i cili ka marrë këtë pozitë më 13 qershor, i përkrahur nga një koalicion i brishtë.

Qeveria e Bennett ka miratuar marshin më 14 qershor.

blank

Kush është Naftali Bennett, lideri i ri i Izraelit?

RFE/RL

Naftali Bennett, i cili është betuar të dielën si kryeministër i ri i Izraelit, mishëron shumë prej kundërthënieve që definojnë kombin 73 vjet të vjetër.

Ai është hebre fetar, që ka bërë milionat në sektorin kryesisht laik të teknologjisë, kampion i zgjerimit të vendbanimeve izraelite, por që jeton në një lagje në Tel Aviv dhe ish-aleat i Benjamin Netanyahut, që ka bashkëpunuar me partitë e qendrës dhe ato të krahut të majtë për t’i dhënë fund udhëheqësisë 12-vjeçare të këtij të fundit, transmeton agjencia e lajmeve Associated Press.

Partia e tij ultranacionaliste, Yamina ka fituar vetëm shtatë ulëse në parlamentin me 120 të tilla në zgjedhjet e muajit mars – të katërtat në vetëm dy vjet. Mirëpo, duke refuzuar që të ofrohet me Netanyahun apo kundërshtarët e tij, Bennett e ka pozicionuar veten si lojtar kryesor. Edhe pasi një anëtar i partisë së tij nacionaliste fetare e ka braktisuar atë për të protestuar marrëveshjen e re të koalicionit, ai ka përfunduar me kurorë në kokë.

Ultranacionalist me koalicion të moderuar

Bennett e ka pozicionuar veten për kohë të gjatë krah Netanyahut. Mirëpo, ai tani do të kufizohet nga koalicioni i tij me shumicë të thjeshtë në parlament që përbëhet nga partitë e të djathtës, të majtës dhe qendrës.

Ai kundërshton pavarësinë e palestinezëve dhe mbështet fuqishëm vendbanimet hebreje në Bregun Perëndimor në Jerusalemin lindor, të cilin palestinezët dhe një pjesë e mirë e komunitetit ndërkombëtar, e konsiderojnë si pengesë të madhe për paqe.

Bennett ka kritikuar ashpër Netanyahun pasi ky i fundit, sa ka qenë kryeministër, është pajtuar për të ngadalësuar shpejtësinë e ndërtimit të vendbanimeve nën presion e ish-presidentit amerikan, Barack Obama, i cili ka tentuar, por ka dështuar të jetësojë një proces të paqes gjatë mandatit të parë si president i SHBA-së.

Ai ka shërbyer shkurt si kryetar i Këshillit për vendbanime në Bregun Perëndimor, Yesha, para se të hynte në parlament më 2013. Bennett ka shërbyer më vonë si ministër në kabinetin e Ministrisë për Çështje të Diasporës, Edukimit dhe Mbrojtjes, në disa qeveri të udhëhequra nga Netanyahu.

“Ai është lider i krahut të djathtë, pjesëtar i linjës së ashpër të sigurisë, mirëpo në të njëjtën kohë edhe pragmatik”, ka thënë Yohanan Plesner, udhëheqës i Institutit të Izraelit për Demokraci, që ka njohur Bennettin për dekada dhe ka shërbyer me të në ushtri.

Ai pret që Bennett të angazhohet me fraksione tjera për të gjetur “një faktor të përbashkët”, teksa tenton të fitojë përkrahje dhe legjitimitet si lider i kombit.

Rivaliteti me Netanyahun

Bennett, 49-vjeçar është baba i katër fëmijëve, ndjek linjën e ashpër sikurse Netanyahu sa i përket Lindjes së Mesme, mirëpo të dy kanë pasur marrëdhënie të tensionuara përgjatë viteve.

Bennett ka shërbyer si shef i stafit të Netanyahut për dy vjet, mirëpo të dy kanë ndarë rrugët pas një misteri që mediat izraelite e kanë lidhur me gruan e Netanyahut, Sara, e cila ka ndikim tejet të madh në rrethin e ngushtë të burrit të saj.

Bennett ka nisur fushatën si politikan i krahut të djathtë para zgjedhjeve të muajit mars dhe është zotuar para televizionit kombëtar, duke thënë se nuk do ta lejonte kurrë Yair Lapid, rivalin kryesor të Netanyahut, që të bëhej kryeministër.

Mirëpo kur është bërë e qartë se Netanyahu nuk mund të formonte koalicionin qeverisës, kjo ka qenë pikërisht ajo që ka bërë Bennett, duke u pajtuar që të shërbejë si kryeministër për dy vjet, para se t’ia dorëzojë mandatin Lapid, i cili konsiderohet arkitekt i koalicionit të ri.

Mbështetësit e Netanyahut e kanë shpallur Bennettin si tradhtar, duke thënë se ai ka mashtruar votuesit. Bennett ka mbrojtur vendimin e tij, duke e konsideruar pragmatik, me qëllim të bashkimit të shtetit dhe anashkalimit të raundit të pesë të zgjedhjeve.

Ndyshim gjeneratash

Bennett, hebre ortodoks modern, do të jetë kryeministri i parë i Izraelit që vendos vazhdimisht kapelën, e cila karakterizon hebrenjtë. Ai jeton në lagjen Raanana të Tel Avivit.

Ai ka nisur jetën në Haifa, me prindër të lindur në Shtetet e Bashkuara, dhe më pas ka kaluar kohën me familjen mes Amerikës Veriore dhe Izraelit, ka kryer shërbimin ushtarak, ka kryer studimet për çështje ligjore dhe ka punuar në sektorin privat.

Përgjatë kësaj kohe, ai e krijuar një imazh për veten si zyrtar modern, fetar dhe nacionalist.

Pas shërbimit në njësitin elitë Sayeret Matkal, Bennett ka kryer studimet për çështje ligjore në Universitetin e Hebrenjve. Më 1999, ai ka bashkudhëhequr një kompani softuerike Cyota, e cila i është shitur kompanisë amerikane në fushën e sigurisë RSA për 145 milionë dollarë më 2005.

Bennett ka thënë se përvoja e keqe e luftës së vitit 2006 në mes të Izraelit dhe grupit militant Hezbollah e ka shtyrë atë në politikë. Lufta e gjatë për disa muaj nuk ka pasur ndonjë përfundim dhe udhëheqësia e asaj kohe është kritikuar ashpër.

Bennett përfaqëson gjeneratën e tretë të liderëve izraelitë, pas themeluesve të shtetit dhe gjeneratës së Netanyahut, e cila ka ardhur në pah gjatë viteve të tensionuara, të shënuara me luftëra të përsëritura me shtetet arabe.

“Ai është izraelit i versionit 3.0”, ka thënë Anshel Pfeffer, kolumnist për gazetën e krahu të majtë Haaretz.

“Një nacionalist hebre, por jo në të vërtetë dogmatik. Pak fetar, por jo i devotshëm. Njeri i ushtrisë që preferon jetën civile urbane dhe ndërmarrës që nuk synon të bëjë miliona. Mbështetës i Tokës së Madhe të Izraelit, por jo banor i zonës së vendbanimeve të zgjeruara. Dhe mund të mos jetë as politikan për kohë të gjatë po ashtu”.

Përgatiti: Krenare Cubolli
blank

G-7a bie dakort për një gamë çështjesh të rëndësishme

Steven Herman, Patsy Widakuswara

Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se samiti i G-7ës ishte një “takim jashtëzakonisht bashkëpunues dhe produktiv” që shënoi përparime në luftën kundër pandemisë së koronavirusit, ringjalljen e ekonomisë globale dhe që veçoi Kinën me emër për sjelljen e saj të keqe.

Duke folur për gazetarët të dielën në fund të mbledhjes në Gjirin Carbis të Britanisë, Presidenti Biden vlerësoi gjithashtu marrëveshjet mbi trajtimin e korrupsionit, luftën kundër programeve të hakerimit dhe dhënien fund të financimeve publike për projektet e qymyrit (por pa ndonjë marrëveshje të përcaktuar kohore).

Drejtuesit e G-7ës të dielën nënshkruan Deklaratën e Gjirit Carbis, https://www.g7uk.org/g7-leaders-to-agree-landmark-global-health-declaration/ duke u zotuar t’i “japin fund pandemisë dhe të përgatiten për të ardhmen”, si dhe të “gjallërojnë ekonomitë” me 12 trilionë dollarë mbështetje të vëna në dispozicion gjatë pandemisë.

Udhëheqës të tjerë, përfshirë Kryeministrin britanik Boris Johnson, mikëpritës i takimit, i bënë jehonë motos së përdorur nga presidenti Biden për të “ndërtuar më mirë”.

Deklarata përfundimtare, që e merr emrin nga vendndodhja e takimit të G-7ës në qytetin bregdetar Cornwall në Britani, parashtron nevojën për të trajtuar problemin e pandemisë në një nivel global. Qëllimi është të shkurtohet koha e nevojshme për t’u përgjigjur në rastin e një pandemie, përfshirë zhvillimin e vaksinave, brenda 100 ditësh.

“Kishte një konsensus të qartë midis të gjithë kolegëve tanë në G-7 se ky nuk është fundi,” tha Presidenti Biden për betejën kundër koronavirusit. “Ne do të ndihmojmë derisa të sigurojmë nevojat e të gjithë botës”.

Krerët e Britanisë, Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë – një grup i demokracive më të pasura në botë, i njohur si Grupi i Shtatëshes – u shoqëruan në diskutimet e tyre mbi shëndetin global edhe nga udhëheqësit e Koresë së Jugut, Afrikës së Jugut dhe Australisë. Kryeministri indian Narendra Modi u bashkua virtualisht. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres dhe udhëheqës të organizatave të tjera ndërkombëtare ishin gjithashtu të pranishëm.

Konferenca demonstroi për udhëheqësit e G-7ës dhe popujt e tyre se “Amerika është përsëri në tryezë”, tha presidenti Biden, pas katër viteve të administratës së Donald Trumpit. “Unë mendoj se kemi bërë disa përparime në rivendosjen e besueshmërisë tek Amerika mes miqve tanë më të ngushtë.”

“Mungesa e pjesëmarrjes dhe angazhimit të plotë në të kaluarën u vunë re jo vetëm nga udhëheqësit e këtyre vendeve, por edhe nga njerëzit e vendeve të G-7ës”, shtoi presidenti Biden gjatë një konference për shtyp.

1 miliard vaksina

Udhëheqësit e G-7 njoftuan se do të dhurojnë një miliard doza vaksinash për botën, me gjysmën e tyre që do të vijnë nga Shtetet e Bashkuara. Ata u angazhuan për një seri veprimesh për t’i dhënë fund pandemisë dhe për parandalimin e një pandemie tjetër në të ardhmen, duke përfshirë rritjen e kapacitetit global të prodhimit dhe përmirësimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se nevojiten rreth 11 miliardë doza vaksinash.

“Rezultati i këtij samiti jo frymëzues do të jetë një pandemi e zgjatur që kushton më shumë jetë njerëzish dhe burimesh, jo vetëm në të gjithë botën, por edhe në vetë vendet e G7-ës,” tha Tom Hart, ushtrues i detyrës së shefit ekzekutiv të organizatës ONE CAMPAIGN, një organizatë shëndetësore kundër varfërisë.

“Mendoj se ka një mundësi përtej vitit 2022, ndoshta në fillim të vitit 2023 që ne të jemi në gjendje të sigurojmë edhe një miliardë (doza) të tjera nga Shtetet e Bashkuara,” tha presidenti Biden.

G-7 dhe Kina

Presidenti Biden tha se ishte i kënaqur që G-7a u përqëndrua tek Kina.

Herën e fundit që G-7a u takua, Kina nuk u përmend”, vuri në dukje presidenti amerikan. “Por kësaj herë përmendet Kina me emër. G-7a shprehimisht ra dakord për t’i bërë thirrje Kinës mbi abuzimet e të drejtave të njeriut në Xinjiang dhe Hong Kong. Kina ka goditur ashpër kryesisht ujgurët e pakicës myslimane në Xinjiang dhe shtypi lëvizjen pro-demokracisë në Hong Kong.

Në komunikatën përfundimtare thuhet se G-7a “do të vazhdojë të konsultohet mbi qasjet kolektive për të sfiduar politikat dhe praktikat që minojnë funksionimin e drejtë dhe transparent të ekonomisë globale. Ai gjithashtu i bën thirrje Pekinit “të respektojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, veçanërisht në lidhje me provincën Xinjiang dhe të drejtat, liritë dhe shkallën më të lartë të autonomisë për Hong Kongun të pranuara në Deklaratën e Përbashkët Sino-Britanike dhe Ligjin Themelor”.

Presidenti Biden tha se “Kina duhet të fillojë të veprojë më me përgjegjësi në drejtim të normave ndërkombëtare të transparencës dhe për të drejtat e njeriut”.

Grupi njoftoi një mekanizëm të ri të financimit të infrastrukturës për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të quajtur “Build Back Better World”, ose “B3W”, i projektuar për të rivalizuar nismën kineze “Një Brez, Një Rrugë”- strategjia globale e investimeve për zhvillimin e infrastrukturës në qendër të politikës së jashtme të Pekinit . Fusha dhe burimi i financimeve janë ende të paqarta.

Të dielën Kina u kundërpërgjigj, duke thënë se ditët kur vendimet globale diktoheshin nga një “grup i vogël” vendesh janë shumë larg.

Bideni dhe Putini

Gazetarët amerikanë i bënë disa pyetje Presidentit Biden në lidhje me takimin e planifikuar të kësaj jave me Presidentin rus Vladimir Putin, duke vërejtur se sanksionet ndaj Moskës nuk kanë ndryshuar sjelljen e udhëheqësit rus.

“Autokratët kanë pushtet të madh dhe nuk kanë pse t’i përgjigjen një publiku”, u përgjigj zoti Biden. “Dhe mund të ndodhë që nëse unë përgjigjem me dashamirësi, gjë që do ta bëj, ai të mos shkurajohet dhe të dëshirojë të vazhdojë”.

Biden tha se ai ishte dakord me vlerësimin e Putinit se marrëdhëniet midis dy vendeve të tyre janë në një pikë të ulët.

Një fushë e marrëveshjeve të mundshme me Rusinë, sipas presidentit amerikan do të ishin ekstradimet reciproke të kriminelëve kibernetikë të cilët kanë shënjestruar vendet e tyre përkatëse – diçka që Putini ka thënë se e favorizon.


Send this to a friend