VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

VATIKANI DHE KOSOVA DARDANE – Nga Frank Shkreli

By | May 28, 2019

Komentet

DEMOKRACIA NUK PRET- ROLI I SHOQËRISË CIVILE – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, 2019 – Nga Frank Shkreli

 

Ashtu si çdo vit edhe sivjet me 15 shtator, bota shënoi Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.  Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, e përcaktuar si e tillë më 2007-n me një rezolutë nga Asamblea e Përgjithëshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, (OKB) me qëllim që të promovohen dhe të zbatohen parimet e demokracisë.  Njëherazi u kërkohet vendeve anëtare të OKB-së, që të kujtojnë këtë ditë në mënyrë të përshtatshme, nepërmjet veprimtarive të ndryshme për promovimin e vlerave dhe parimeve bazë të demokracisë, anë e mbanë botës

 

“Pyetja sot është e njëjtë, ashtu siç ka qenë gjatë gjithë historisë: nëse njerëzit do të lejohen të qeverisin veten, apo do të qeverisen nga një elitë e vogël”, është shprehur para më shumë se 200-vjetësh, Tomas Xhefersoni, njëri prej themeluesve të Shteteve të Bashkuara.

 

Në mesazhin e tij në Ditën e Ndërkombëtare të Demokracisë, për vitin 2019, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres’, u shpreh se, “Demokracia ka të bëjë me njërzit.  Ajo ndërtohet duke përfshir të gjithë njerëzit të marrin pjesë lirisht në procesin politik, pa dallim, duke i trajtuar ata në mënyrë të barabartë…Demokracia” tha udhëheqësi botëror, “është një gur themel për paqën në botë dhe për zhvillimin e vazhdueshëm demokratik, për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut.”  Ai vazhdoi mesazhin e tij për Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, duke thënë se, “Këto vlera dhe frymëzime duhet të mbrohen jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra.  Këto vlera duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e përditëshme të njerëzve”, ka thënë ai.   Z. Guterres theksoi se sivjet kjo ditë po shënohet në një kohë kur “besimi është i ulët dhe shqëtësimet janë shumë të mëdha.   Njerëzit, anë e mbanë botës, janë të shqetësuar nga pabarazitë në rritje e sipër dhe nga ndryshimet e mëdha që po sjell globalizimi dhe teknologjia.”   Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, shtoi se njerëzit anë e mbanë botës, janë dëshmitarë të konflikteve të pazgjidhura dhe ngushtimin e hapësirës së veprimit për organizatat e shoqërisë civile” kudo, një shqetësim ky, siç do të shohim pak më poshtë, edhe i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Z. Mike Pompeo, shprehur në mesazhin e tij mbi Ditën Ndërkombëtare të Demorkacisë. Ndërsa, Z. Guterres e përfundoi mesazhin e tij për vitin 2019 kushtuar Ditës Nëdrkombëtare të Demorkacisë, me një thirrje drejtuar të gjitha qeverive që, “Të respektojnë të drejtën e njerëzve për të marrë pjesë aktive, domethënse dhe substantive”, në zhvillimet demokratike, ndërsa përshëndeti të gjithë ata, të cilët punojnë pa u lodhur në këtë fushë, për realizimin e një demokracie të vërtetë.

 

Ndërkaq, Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Mike Pompeo, në mesazhin e tij të këtij viti, të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, shfaqi gjithashtu  shqetësimin e tij në lidhje me ngushtimin e hapësirës së veprimit të organizatave vërtetë të pavarura të shoqërisë civile.   “Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Demokracisë, ne pasqyrojmë angazhimin tonë të patundur ndaj të drejtave të patjetërsueshme të njeriut, të cilat përbëjnë bazën e demokracisë tonë.   Në Shtetet e Bashkuara”, shtoi kryediplomati amerikan, “Këto të drejta përcaktohen nga respekti për lirinë individuale dhe për dinjitetin njerëzor të çdo përsoni, pa dallim.”   Në mesazhin e tij me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë ai theksoi rolin e shoqërisë civile, tema krysore e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë këtë vit, duke thënë se, “Një shoqëri civile aktive, e pavarur dhe gjithë përfshirse është gur-themeli për të siguruar zbatimin dhe respektimin e këtyre lirive.”   Prandaj, shtoi Z. Pompeo,”Hapësira e veprimit të lirë për shoqëritë civile, në mbrojtje të drejtave të patjetërsueshme të njeriut, është tepër kritike për kontributin që organizata të tilla për të siguruar veprimtarinë e institucioneve të forta demokratike, mbështetjen e tyre ndaj të drejtave bazë të njeriut dhe lirive themelore, për luftën kundër korrupsionit dhe për forcimin e transparencës në jetën publike.”   Ndërkohë që disa qeveri kanë ndërmarrë bërjen e reformave për të lejuar veprimtarinë e lirë të shoqërive civile, “Ne mbetemi shumë të shqetësuar ndaj prirjeve botërore, në rritje e sipër, të cilat po ngushtojnë dukshëm hapësirat për veprimtarinë e grupeve të shoqërisë civile.”

 

Në lidhje me përfitimet që sjellë demokracia — përfshir edhe lirinë e veprimtarisë së pavarur të shoqërisë civile — kryediplomati amerikan e përfundoi mesazhin e tij kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, duke thënë se, popullit amerikan dhe shumë prej aleatëve tanë, demokracia i ka sjellur shumë të mira.   “Ne përparojmë dhe jemi të suksesshëm sepse përdorim liritë tona themelore për të krijuar mundësi për përparime në fushën ekonomike, kulturore, arsimore dhe shoqërore. Kombet janë më të sigurta, më në paqë dhe më të begatëshme kur shoqëria civile angazhohet lirisht dhe kur merr pjesë në proceset demokratike, pa frikë dhe pa kërcënime.   Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë udhëheqse në mbrojtje të hapësirës së veprimtarisë së shoqërive civile, me qëllim për të forcuar themelet e demokracisë kudo”, u angazhua Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo në mesazhin e tij që Departamenti Amerikan i Shtetit përhapi me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.

 

Ndonëse nuk permendin ndonjë vend me emër, nuk jam i sigurt nëse në mesazhet e tyre zotërinjtë Antonio Guterres dhe Mike Pompeo — kishin ndërmend veprimtarinë dhe rolin e kufizuar të shoqërisë civile — që normalisht duhej të ishin jo-qeveritare — edhe në botën shqiptare.   Por, dihet se qeveritë shqiptare nuk janë dhe nuk kanë qenë shumë miqësore ndaj organizatave të tilla, të pakën ndaj atyre që janë vërtetë të pavarura prej autoriteteve qeveritare, megjithëse të tilla mund të jenë të paka, ose jo ekzistuese.   Analistë dhe vërejtës të pavarur kanë qenë kritikë ndaj shoqërisë civile në botën shqiptare, në përgjithësi, duke i akuzuar ato si të varura nga qeveria dhe nga interesa të tjera vendore, të lidhura me qeverinë.

 

Liria e veprimit të pavarur e një shoqërie civile energjike me një veprimtari të shëndoshë dhe dinamike, është një prej vlerave dhe gurthemeleve më të rëndësishme të zhvillimeve të demokracisë në një shoqëri post-komuniste, siç është hapësira shqiptare në Ballkanin Perëndimor.  “Shpëtimi i vetëm për botën sot është përhapja e shpejtë e vlerave bazë perëndimore të Perendimit, e që janë idetë demokratike, të drejtat e njeriut, shoqëria civile dhe tregu i lirë”, ka thënë i ndjeri Vaclav Havel, një burrë shteti i kombit çek, shkrimtar dhe disident anti-komunist.   Ndërsa ish-Presidenti amerikan, Barack Obama ka vlerësuar lartë gjithashtu rolin e shoqërisë civile, si një prej vlerave kryesore për zhvillimin e demokracisë, për një të ardhme më të mirë.   “Vlerat që ne ndajmë, siç janë liria e fjalës, liria e praktimit të fesë, liria e veprimtarisë së pavraur e shoqërisë civile, zgjedhje të lira dhe të drejta, si dhe inovacionet që janë krijuar nga ekonomia e bazuar në tregun e lirë – të gjitha këto, më në fund, do të jenë rruga që na çon drejtë një të ardhme më të mirë…”, është shprehur ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, në lidhje me rolin e vlerave të demokracisë në përgjithësi në shoqëri dhe rolin e pavarur të shoqërisë civile në promovimin e demokracisë, në veçanti.

 

Demokracia nuk pret!   Nuk ka demokraci pa përgjegjësi nga autoritetet qeveritare, por edhe nga organizata të shoqërisë civile që e quajnë veten vërtetë të pavarura nga autoritetet.  Liria, demokracia, respekti dhe zbatimi i të të drejtave bazë të njeriut –përfshir edhe rolin që duhet të luaj shoqëria civile — janë të lidhura ngusht edhe me angazhimet që kanë marrë përsipër shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale, përfshir Bashkimin Evropian dhe vendet që synojnë të bëhen anëtare të këtij enti ndërkombëtar evropian, si Shqipëria dhe Kosova.   Kjo është arsyeja që Kombet e Bashkuara dhe vende të ndryshem anë e mbanë botës, kujtojnë çdo vit Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, përfshir rolin dhe pjesëmarrjen e shoqërisë civile në forcimin e zhvillimeve demokratike, që këtë vit është tema e përzgjedhur për të kujtuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, 2019.

 

Organizata për zhvillimin e shoqërisë civile në vendet e Ballkanit, “Balkan Civil Society Development Network” ka njoftuar vitin që kaloi se qeveritë anë e mbanë botës janë përgjigjur pozitivisht ndaj angazhimit politik, në rritje e sipër, të qytetarëve dhe enteve të shoqërisë civile.   Por, fatkeqësisht, shënon kjo organizatë, këto prirje pozitive kanë anashkaluar vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshir Shqipërinë dhe Kosovën.   Nuk ka demokraci pa përgjegjësi! Demokracia nuk pret!

MBURRJE DHE ANTIPATI PËR BE: JOHNSON E TRUMP NË PASQYRË – Nga SERGIO ROMANO – E përktheu Eugjen Merlika

Në betejën e tij për të dalë nga Bashkimi Evropian me çdo kusht, Boris Johnson ka mundur të mbështetet mbi dy aleatë, deri në humbjet e ditëve të kaluara në Dhomën e komuneve. I pari është pasaktësia e një sistemi insitucional që i lejon kryetarit të qeverisë të mbyllë Parlamentin për pesë javë pa u këshilluar me të. Mbasi është kënaqur gjatë me veçoritë e tij (Britania e Madhe nuk ka një Kushtetutë dhe është qeverisur mbi bazën e ndodhive të hershme) Vëndi  zbulon se kryeministri mund t’i veshë vetvetes fuqitë e plota edhe se përkohësisht.

Aleati i dytë është Donald Trump. Johnson e di se mund të mbështetet në simpatinë e Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Dy burrat shëmbëllejnë. Janë mburracakë e lakmues për t’u përmendur, kanë një koncept shumë të shpenguar të së vërtetës e të njëjtësisë së mendimit e veprimit, janë të regjur në artin e gicilimit të mallit kombëtarist të bashkëqytetarëve të tyre dhe kanë në Bashkimin Evropian  një armik të përbashkët. Politikat e tyre nuk janë të njëjtat, por të dy besojnë se BE mishëron parime dhe ideale “të rrezikëshme”: një prani të tepruar të Shtetit në disa sektorë të ekonomisë e të jetës publike, forma të bashkëpunimit ndërkombëtar (si zona të shkëmbimit të lirë) që pakësojnë në mënyrë të konsiderueshme autonominë tregtare të shteteve të veçantë dhe, mbi të gjitha në rastin e Trump-it, një parapëlqim për të gjitha masat e politikës mjedisore që i pëlqejnë interesave të mëdha ekonomike e financiare të Shteteve të Bashkuara. Të dy urrejnë BE sepse janë të bindur se është më e lehtë të fitohet një ndeshje duke tregtuar veçmas me Vëndet e veçanta se sa duke e bërë këtë me një bashkësi shumëkombëshe.

Në rastin e Trump-it një nga arsyet për të cilat presidenti amerikan e quan BE një armik të mundshëm është Irani. Don të bojkotojë Planin e veprimit të përbashkët global të firmosur në Vjenë më 14 korrik 2015 (kur  presidenti i Shteteve të Bashkuara ishte Barak Obama) dhe t’a shtynte Iranin të braktiste politikën e tij bërthamore. Trump-it nuk i pëlqejnë zgjidhjet e arsyeshme të bashkërenduara me flijime të ndërsjellta. Don t’i a përkulë Iranin vullnetit të tij dhe të nxisë kundër regjimit të Teheranit masat popullore. Nuk dijmë se kush do të ishte në këtë fushë politika e Boris Johnson-it. Por nëse do të dojë të bëjë miqësinë amerikane hallkën kryesore të politikës së tij të ardhëshme, do të duhet sigurisht t’i paguajë Washingtonit ndonjë borxh.

Përballë këtij boshti të ri e të mundshëm anglo – amerikan Evropa duhet të përforcojë mbrojtjet e saj. Nuk duhet të lejojë që në fazën e fundit të bisedimeve (dalja nga BE është parashikuar për më 31 tetor dhe Këshilli i ardhshëm evropian më 17 e 18 të të njëjtit muaj), Londra të bindë ndonjë sovranist të shkëputet nga vija e Brukselit. Dhe duhet të bëjë me më shumë njëjtësi mendimi e veprimi e vendosmëri një politikë të përbashkët ushtarake.

 

“Corriere della Sera”, 7 shtator 2019     E përktheu Eugjen Merlika

Unë të dua ty, vendi im, i njomur në gjak – Nga Aurel Dasareti*

 

Duaje vendin tënd! Mërgimi është njëkohësisht një temë tërheqëse për të menduarit dhe një përjetim i tmerrshëm në përvojën njerëzore. Kjo është një ndarje e papërshkrueshme midis një qenieje njerëzore dhe një vendlindjeje, midis vetes dhe shtëpisë së vërtetë, gjë që krijon një tronditje të pamposhtur të trishtimit.

***

Njeriu është krijesa e vetme në të cilën emocionet shoqërohen me kujtime.

“Ka shumë vite që jam larguar (1943). Më pushton mallëngjimi për prindërit kur përpara derës së oborrit më përqafuan për së fundi herë dhe kurrë më nuk jemi parë me njëri-tjetrin. Mallëngjehem për vëllezërit, lotët e motrës së vogël që qante me zë duke më lutur që të mos iki. Mallëngjehem për atë derë të lëkundur, për valixhet e paketuara. Dhe, atje është Shqipëria ime, Shkodra-qyteti im, Rozafa-Kalaja ime, lumenjtë e mi, kodrat e mia. Kaq shumë herë i kam përjetuar ato shtigje ku kam ecur i lumtur. Unë të dua ty, vendi im, i njomur në gjak.nxjerrë nga “Ditari i Kujtimeve” të gjyshit tim.

***

A ka diçka më të këndshme sesa të bartësh paqe në jetën tënde, të mos ikësh kot (sepse tjerët ikin) por të qëndrosh në vendin tënd, pranë prindërve tuaj që të kanë lindur? Vëllezërve, motrave, gjyshit, gjyshes. Të jetosh në heshtje, thjeshtë dhe mënyrë modeste. Duke vazhduar kështu rrugën tënde ashtu siç është, me dëshirën për tu ngritur edhe të nesërmen në mëngjes, t`i sjellësh një buzëqeshje vetes dhe të tjerëve, dhe përqafosh fortë atë që ke, pa prekur askënd dhe të askujt. Kuptimi i jetës nuk është të jesh më i pasuri, më i rëndësishmi ose më me ndikim por të jesh vetja jote në Atdheun tënd, i qetë dhe i kënaqur. Asgjë nuk marrim me vete kur vdesim.

Edhe pse historia nga jeta e të mërguarve përmban episode heroike, romantike, të famshme dhe madje edhe triumfuese, ato nuk janë asgjë tjetër veçse një përpjekje për të kapërcyer impotencën e një ndjenje të tjetërsimit.

Arritjet në mërgim janë dëmtuar vazhdimisht nga humbja e diçkaje që përgjithmonë është lënë prapa, më të dashurve, vendlindjes.

Ka një diskutim të vazhdueshëm rreth largimit nga Shqipëria, Dardania (Kosova) dhe trojet tjera shqiptare – qoftë të largohet nga vendi apo të qëndrojë. Alarmante. Ikjet masive nuk kanë të ndalur. Cili është mesazhi juaj për ata që largohen?Øverst i skjemaet

Fundi vitit afrohet. Shumë shqiptarë, sidomos rinia, përsëri, me zemër të thyer, do të braktisin atdheun dhe marrin rrugën për në vendet e huaja, ku po kërkojnë të ardhmen e tyre, sepse nuk e kanë në vendin e tyre për shkak të politik-bërësve hajdutë, analfabet, tradhtarë-kriminelë pis-milet. Por edhe këta, para se të blejnë bileta udhëtimi në një drejtim, duhet ta dinë se lumturinë e vërtetë nuk do ta gjejnë kurrë në tokën e huaj. Ju vetëm duhet të shikoni me zemrën tuaj kështu që ju mund të shihni bukurinë kudo, në vendin tuaj, në Shqipëri-të tona.

Në jetën e çdo mërgimtari, vjen agimi i ndonjë dite kur ai nuk mund të thotë me siguri se ku është. Pothuajse çdo mëngjes, përballen me pyetjet:

A thua vallë jam në shtratin tim ose të dikujt tjetër, a është kjo jeta ime jashtë vendit tim – në vend të huaj – ose vendi i huaj është në jetën time, a jam këtu apo kjo këtu është atje, njoftimet që po shkruaj a i shkruaj për në shtëpi apo nga shtëpia?

 

Emigrantët janë si hijet e endacakëve të humbur, pa numra dhe germa. Dhe pa një adresë, natyrisht.

 

Nostalgjia është një sëmundje e ligë, pa aromë, erë dhe ngjyrë, nga e cila lumi i lotëve të qara rrjedh drejtë shtëpisë. Pothuajse çdo ditë pyes veten se çfarë po bëj këtu. Mendova se ditët dhe muajt do të sillnin përgjigje, por ato vetëm sjellin pyetje të reja.

 

Ti i lutesh Perëndisë që koha të ecë më shpejt, që të mësohesh me një mënyrë të re të jetës, dhe njerëzit. Dhe pastaj të kaplon frika, sepse zakoni (mënyra e jetës) është si një lumë i tej-mbushur që nuk mund ta kalosh lehtë. Vetëm ditët dhe orët janë të njëjta, edhe pse të duket se minutat janë orë, dhe orët minuta. Dhe jo, kjo nuk është një tjetër histori klasike, ky është realiteti, e tashmja dhe e ardhmja e shqiptarëve nga Gadishulli Ilirik kodrinor.

 

Pavarësisht nga mosha apo gjinia. Pavarësisht nga përkatësitë fetare, ose politike etj., ne të gjithë në zemrat tona e duam vendin tonë, miqtë tanë, vëllezërit tanë, motrat tona, prindërit tanë, por ne nuk mund të jetojmë vetëm nga dashuria. Dhe kur një nënë e lë vajzën e saj të vetme me gjyshen, dhe kur i ati i lë katër fëmijët e tij me gruan – nuk ka dallime.

 

Ndarja nga të dashurit më të afërm, dhe ikja në kurbet për shkaqe varfërie të skajshme (mbijetese), shkakton dhembje të hatashme, që me kalimin e kohës shtohet, deri në vdekje.

 

Unë e kam parë vetë këtë në rastin e gjyshit tim, që edhe ma ka lënë amanet të angazhohem disi për atdheun e tij, Shqipërinë brenda dhe jashtë murit të imponuar.

 

Mos e braktisni vendin që ju lindi dhe ju rriti. Mos e humbni kurajën, guximin e fuqishëm për të depërtuar nëpër stuhitë. Do të ecim përpjetë, bashkarish, dhe do të arrijmë majat.

 

Gjithmonë ecni me një buzëqeshje në fytyrën tuaj. Nganjëherë buzëqeshje të vogël, nganjëherë të madhe, nganjëherë edhe asaj të rreme, të simuluar. Nganjëherë me një buzëqeshje me lot. Dhe pavarësisht situatës së jetës, çfarëdo qoftë ajo, mos harroni buzëqeshjen. Mos lejoni të tjerët, qofshin ato armiq të jashtëm apo të brendshëm, të qeshin me “humbjen” e mundshme tënden. Le të shqetësohen nga buzëqeshja jote. Sepse pavarësisht nga rrethanat se si është ajo, vetëm të rrallët do ta diktojnë. Gjithsesi, ju e meritoni lirinë e vërtetë, vendbanimin në atdheun e juaj dhe mirëqenien.

 

Ka ardhur koha të zgjidhet kjo çështje madhore, të pastrojmë oborrin nga kloun, këlysh të armiqve, bërllok dhe ndyrësira të ndryshme që synojnë shpërbërjen e Kombit, copëtimin e Vendit.

 

Unë, ti, ai, ajo, domosdoshmërish ta përgatisim terrenin, që trojet tona pellazge/ilire/arbërore të trashëgohen deri në amshim nga pronarët e saj të vërtetë, shqiptarët, e jo nga pushtuesit gjakpirës apo “Refugjatët”- ardhacakët e paftuar, kushdo qofshin ata.

 

Dhe mos harroni, nuk ka asnjë rrugë të vërtetë dhe asnjë rrugë të gabuar, ka një rrugë që ju vet e zgjidhni.

 

Dhe kjo është arsyeja pse unë apeloj tek të gjithë ju atje larg në Atdhe, dhe tek të gjithë ne në diasporë që jemi shpërndarë në të gjitha skutat e botës. Asnjë shqiptar nuk duhet të jetë i vetmuar në emigrim, askush nuk duhet të jetë i vetmuar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Kosovën Lindore dhe trojet tjera arbërore. Solidariteti, atdhedashuria, miqësia, vëllazërimi dhe uniteti, ndihma e ndërsjellë është ngasësi (shoferi) themelor i çdo gjëje. I ardhmërisë me dinjitet të pasardhësve tanë.

 

Nuk ka asgjë që një njeri i gjallë nuk mund ta përballojë, sepse dëshpërimi është diçka që njeriun e kthen në një “makinë lufte”. Në një makinë që do të notojë në lumin e lotëve, por çdo lot ka vlerën e vet, dhe do të kthehet në diçka të mrekullueshme, premtuese. Do të kthehet në qetësi, në një gjendje pa çrregullime, pa shqetësime e pa rreziqe. 

 

Shqiptar, kudo që të shkosh, merre me vete gjithë zemrën tënde!

 

https://www.youtube.com/watch?v=rwR7-IJ9hc8

*Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Pandeli Majkos i bëj ftesë që mos të shkelë në Zvicër se është non grata! Nga Elida Buçpapaj

Më datën 26 korrik një autor i respektuar në diasporë na dërgoi një ftesë ku lexohej se Shoqata Kulturore Bashkimi në Uster të Zvicrës lajmëronte mbajtjen e Panairit të Librit Diaspora 2019 dhe ftonte shtëpitë botuese dhe krijuesit nga Europa të bëheshin pjesë! Vura pikëçuditëse në fund të fjalisë pararendëse për të shprehur habi, sepse pronarët e Shtëpive Botuese e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë të organizosh një panair libri! Por, megjithatë, kur është fjala për përhapjen e librit shqip në diasporë, hiperbolat janë të lejueshme.

Në pamjen e parë, ftesa ishte e thatë. Nuk orientohej askush, si, qysh e tek, vetëm thuhej se në datën aq e në orën kaq hapej Panairi i Librit Diaspora 2019.

Duke patur shumë respekt për kolegun, nuk paragjykova asgjë.

Diaspora shqiptare në Zvicer deri në vdekjen e Rugovës ka qenë shembull i shkëlqyer i organizimit të komunitetit. Megjithë traumën e vitit të mbrapshtë 1997 dhe konfliktit në Kosovë 1998/1999 që u reflektua në Zvicër me ringjalljen e celulave staliniste/enveriste/thaçiste, komuniteti ia kishte dalë të mbetej pothuaj solid.

Vdekja e Rugovës dhe kalimi i LDK në krah të Hashim Thaçit pëmbysi gjithçka për mbrapsht dhe sot diaspora shqiptare në Zvicër është shembulli më i shëmtuar i çorganizimit, nën drejtimin e politikave antikombëtare nga shteti amë dhe Kosova si dhe zëdhëndësave te tyre ambasadat, të cilat përfaqesohen përgjithësisht nga anonimë, të zgjedhur të politikës me skeletë në sirtarë dhe shërbëtorë të regjur të regjimeve të Edi Ramës, Hashim Thaçit & Co.

Nëse diaspora shqiptare në Zvicër do të qe open- minded dhe e organizuar në vetvete, komuniteti shqiptar në Konfederatën Helvetike do të duhej të protestonte përpara dyerve të ambasadave përkatëse, sepse në vendet e prejardhjes shqiptarët vuajnë mungesën e shtetit të së drejtës, varfërinë, padrejtësinë, papunësinë, korrupsionin dhe pasojat e një shteti që i ka lënë carta bianca mafies dhe botës së nëntokës.

Komuniteti shqiptar në diasporë sikur shqiptarët që jetojnë në shtetin amë e Kosovë kanë mbetur të paralizuar dhe mosveprues edhe kur janë dëshmitarë se ka stanjacion dhe asnjë vend nuk njeh prej vitesh shtetin e pavarur të Kosovës apo kur në Shqipëri është instaluar një narkoshtet! As amerikanët, as francezët, as italianët, as kroatët dhe asnjë komb në Perëndim nuk ka pritur që t’i çlirojnë të tjerët apo t’jua dhurojnë demokracinë në tabaka të tjerët!

Nëse diaspora shqiptare në Zvicër është për të qarë hallin, fajin e ka politika e Tiranës dhe Prishtinës me portavocet e tyre, por fajtor është edhe vetë komuniteti me indiferencën dhe papērgjegjshmerinë e vet.

Por le të kthehemi tek ftesa. Kolegu më 24 gusht komunikoi direkt dhe më dha disa sqarime. Nuk e paragjykova, dhe nga dëshira e mirë e prita me gëzim dhe naivitet.

Duke patur parasysh se të dy me Skënderin vitet e fundit kemi dhjetë botime plus librat e tim eti poetit Vehbi Skënderi, i qava hallin kolegut për transportin e tyre deri afër Zürichut ku do të mbahej aktiviteti dhe ai më premtoi se do të gjenin mjet për t’i çuar aty.

Të gjithë jemi dëshmitare të rrëmbimit pa pikë meritokracie të projekteve e fondeve publike nga gojët e pangopura klienteliste apo nepotike. Në këtë krizë identiteti, kur shqiptarët nuk kanë mecenatë që mbështesin zhvillimin e kulturës,  janë të mirëpritura iniciativat e shoqatave apo të individëve, që të japin kontribute në të mirë të interesit të përbashkët.

Si shembull të shkëlqyer në Zvicër po kujtoj periudhën e 3 % apo sot Shoqatën e Sali Çekajt që kontribuon në Kosovë, që i jep Kosovës pa e rrjepur, ndryshe nga të tjerët që zhvatin, sepse imitojnë politikën.

Zvicra ka qenë model brilant i aktiviteteve kulturore të komunitetit shqiptar edhe kur Kosova përjetonte pushtimin e egër. Shqiptarët e Kosovës e kanë patur të edukuar dashurinë për kulturën, për poezinë dhe poetët, ndryshe nga në Shqipëri, ku diktatura i persekutonte dhe vriste poetët.

Me këtë rast duhet të nënvizoj rolin e rëndësishëm që luajti LDK në Zvicër prej 1989 pasi Ibrahim Rugova dhe rrethi që krijoi këtë formacion politik si lëvizje kombetare për çlirim ishte vetë shkrimtar, dijetar dhe njeri i letrave. Edhe nën pushtim shkrimtarët dhe poetët e Kosovës ftoheshin në Zvicer nga komuniteti që organizonte mbrëmje dhe orë poetike ku lexohej poezi dhe bliheshin libra. Tek poezia e Mekulit, e Din Mehmetit e me rradhë shqiptarët e Kosoves zbulonin alfabetin e mbijetesës. Në mbrëmje të tilla në Zvicër kemi patur fatin të takoheshim me Ali Podrimjen, Azem Shkrelin etj.

Në Zvicër, Gjenevë e kishte selinë Ministria e Informimit që drejtohej nga ministri për Informim Xhafer Shatri një figurë e shkëlqyer e diasporës, ku mbulohej informimi dhe i tregohej Perëndimit për monstruozitetet e regjimit pushtues, që kishte mbyllur shkollat, Universitetin, që i kishte nxjerrë gjithë intelektualët në rrugë të madhe.

Në Zvicër gëlonin aktivitetet e komunitetit, këtu mikpritej Ibrahim Rugova dhe gjithë personalitetet që ishin pjesë e institucioneve të Kosovës. Këtu mikpriteshin figura të elitës dhe politikës nga të gjitha trevat shqiptare!

Këtu në Zvicër komuniteti ishte i gjallë, vital, sakrifikonte, kontribuonte, ishte solidar.

Këtu në Zvicër zjente dëshira dhe vullneti për të ndryshuar fatin e kombit për të mirë.

Këtu nga Zvicra u nis Agim Ramadani me shokë për të çliruar Kosovën.

Këtu në Zvicër, Zürich e kishte selinë qendrore gazeta më e madhe shqiptare e asaj kohe, Bota Sot, me një tirazh që botohej deri në 200 mijë kopje në ditë dhe shpërndahej në të gjithë Europën, SHBA, Kosovë, një kohë edhe Maqedoni,  një primat i paarritur kurrë nga ndonjë media në historinë mbi njëqindvjeçare të shtypit shqiptar.

Por prej vdekjes të Rugovës kjo kulturë e bukur u zhduk. Ambasadat filluan të promovonin nepër selitë e tyre antivlerat, antikulturën që t’i përdornin pastaj si detashmente të injorancës.

Në Zvicër u shua përkohësisht ajo frymë e bukur dhe e gjallë e komunitetit!

Politika defaktorizoi komunitetin që me remitancat mban gjall frymën e jetës në Kosovë!

Them përkohësisht sepse shqiptarët nuk mund t’i sundojë kurrë më e keqja shqiptare!

Aq më pak shqiptarët në Zvicër dhe në Perëndim, sepse ata tashmë janë vetë të identifikuar me Europën dhe Perëndimin!

Nga klima e keqe e Tiranës dhe Prishtinës nuk ka shpëtuar as vetë komuniteti i autoreve dhe artistëve shqiptarë në Zvicër, të cilët më së shumti të angazhuar me impenjimet e tyre profesionale kanë preferuar të qendrojnë larg moçalit që me kohë është kthyer në kënetë të instrumentalizuar nga mafia politike.

Pse e quaj mafie politike?

Disa kohë më parë në Zvicër erdhi Ilir Enver Hoxha që të promovonte librat e tij dhe te Nexhmije Hoxhës! I ftuar nga segmente të komunitetit shqiptar! Ilir Enver Hoxha nuk është distancuar nga vepra kriminale e prindërve dhe nuk u ka kërkuar ndjesë shqiptarëve.

Prandaj them mafie politike!

Për deri sa politika shqiptare me prejardhje komuniste përmes zëdhēnësve të saj këtu në Zvicër që janë ambasadat vijon e ndjek politika armiqësore kundër palës të cilën e kishte shpallur armik Enver Hoxha, ndërsa i biri i diktatorit ftohet dhe shet librat që i bëjnë jehonë regjimit kriminal!

Kjo është mafia politike e inkriminuar që shpërdor pushtetin politik dhe abuzon me taksat e qytetarëve për të arritur qëllimet që bien ndesh unitetit kombëtar të një vendi që si anëtar i NATO-s do të duhej të paktën të garantonte pluralizmin dhe shtetin demokratik.

I bëj këto paranteza si të nevojshme dhe rikthehem tek Panairi i Librit i Diasporës 2019.

Në vijim të bisedës i thashë kolegut të nderuar që të na jepte hollësi me qëllim pasqyrimin e aktivitetit. Hollësitë nisin zakonisht nga sponsorët. Këtu në Zvicër pēr të gjitha eventet paraprakisht publikohen sponsorët që i mbulojnë financiarisht, pra transparenca është alfa e demokracisë, që zakonisht në aktivitetet shqiptare mbulohen me terr.

Kolegu në vijim të komunikimit më tha se kish konfirmuar praninë e saj zonja Elena Kocaqi, një emër shumë i nderuar, që ai e merrte me mend se do ta prisja shumë mirë. Mrekulli ia ktheva. I kemi dërguar ftesa, shtoi, ministrive përkatëse të diasporës, ambasadorëve, Toenës… Po Onufrit e pyeta. I bëjmë më tha. Ok, i thashë, shumë mirë. Por ama sipas modelit zviceran që miku kur ftohet, do të thotë se i paguhet udhetimi dhe bujtja. Do ta bisedoj me z.Vaxhid Sejdiu, një nga organizatorët, më tha. Kush është e pyeta, se nuk e njoh. Magjistër dhe mësues i shkollës shqipe. Nuk vonoi ma dërgoi ftesën pēr Onufrin, duke premtuar pagesën pēr bujtjen por jo udhëtimin. Ishte një komunikim shumë korrekt deri në fund nga ana e bashkëbiseduesit. Deri këtu gjithçka në rregull.

Por kur më dërgoi programin, m’u hapēn sytë dhe pashë se Panairi i Librit Diaspora 2019 ishte vetēm një show në shërbim të politikave të pista zyrtare dhe në dëm të interesave të diasporës dhe autorëve të saj.

Pse do të thoni ju?

Sepse i gjithë programi ishte ndërtuar në funksion të atyre që ishin vendosur nga lart, jo nga Zoti, por nga mafia politike. Me stilin e njohur, shkrimtari i partisë, shtëpia botuese e partisë, panairi i librit i partisë…

Panairi i Librit Diaspora 2019 hapej me fjalimin e Pandeli Majkos, vijonte me fjalimin e ministrit të diasporës të Kosovës, pastaj e merrte fjalën Ilir Gjoni, pastaj ambasadorja e Kosoves, pastaj Toena ( e orientuar majtas) bënte prezantimin e bibliotekës të saj, pastaj, shoqata Mergimi do të përfaqësohej nje ore nga Bardhyl Mahmuti, pastaj prezantohej Qendra e Botimeve për Diasporën, një zyrë qeveritare që akaparonte fonde për t’i shpërndarë sipas shijes të Edi Ramës. Në panair nuk kishte asnjë hapësirë për autorët shqiptarë në Zvicër, as për shtëpitë e tjera botuese që mund të vinin, sepse panairi fillonte me ta dhe mbaronte me ta. Ndërsa prania e Prof.Elena Kocaqi, një emër shumë i nderuar, ishte “koka e turkut”.

Kur lexova programin, iu riktheva realitetit të egër që sundon në Shqipëri e Kosovë, të cilin politika e ndyrë shqiptare e ka mbjellë edhe në Zvicër.

Por ky bar i keq nuk ka shanse të mbijetojë në një tokë ku rritet bari i lirisë dhe shteti i së drejtës.

Duke hulumtuar pashë se organizatori i Panairit Diaspora 2019, si mësues i shkollës shqipe mbështetej nga Ambasda e Shqipërisë në Berne, ndërkohë që kishte mosaprovim nga LAPSH-I, një organizëm i krijuar në Zvicër prej 30 vitesh nga komuniteti! Do të më vinte shumë mirë nëse kjo Ambasadë do të përdorte autoritetin e shtetit në mënyrë të barabartë e të drejtë për të gjithë anëtarët e komunitetit dhe mos vijonte luftën e klasave.

Jemi tre krijues në familjen tonë, rast shumë i veçantë. Ambasada e Shqipërisë në Zvicër prej 1997 na ka trajtuar si armiq të klasës, sikur dikur baballarët e tyre. Jemi profesionistë të natyralizuar që kemi arritur të integrohemi në Konfederatën Helvetike në menyrë shumë dinjitoze me punë dhe integritet.

Si gazetarë dhe krijues, që prej gati një çerek shekulli nga Zvicra japim kontributin tonë në shtypin shqiptar të diasporës në të mirë të interesit kombëtar dhe integrimeve shqiptare euroatlantike, duke i denoncuar politikat antikombëtare që përçon politika dhe diplomacia shqiptare e unifikuar në të keqen e saj, si në shtetin amë ashtu edhe në Kosovë. Përfaqësuesit politikë të diplomacisë shqiptare në Zvicër kanë ndjekur kundër nesh politikën kriminale të injorimit. Me kallashnikovët e injorimit, kanë zëvendësuar luftën e klasave, burgjet dhe persekutimin.

Janë shkelës të ligjit. Si të tillë janë kriminelë!

Në Zvicër prehen eshtrat e tim eti, poetit Vehbi Skënderi, që ka vuajtur i gjallë dhe i vdekur mizoritë e diktaturës dhe të postdiktaturës, të etërve dhe bijve! Do të ishte normale që shoqatat kulturore të vendosnin një buqetë lule në varrin e tij në një ditë lindje apo përvjetor vdekje! Të njëjtën gjë do të duhej të bënin edhe diplomatët shqiptarë nëse do të kishin format Perëndimor, sepse kush do Perëndimin, do kombin e vet dhe poetët  !

E persekutojnë tim atë edhe në varr, por nga parajsa nuk e heqin dot, as ferrin e tyre nuk e shmangin dot!

Mizoria e tyre është e frikëshme, por nuk të frikëson, përkundrazi të mbush me dëshirën për drejtësi dhe sikur thotë Albert Camus vetë ekzistenca ime është një akt rebelimi kundër padrejtësisë!

Ata janë shpërdorues pushteti dhe shkelës të lirisë . Si të tillë i kap ligji. Sepse janë kundër civilizimit, kundër rilindjes së kombit, kundër iluminizmit, humanizmit, shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore të njeriut.

Ata e kanë çuar në gijotinë kriterin e meritokracisë, sepse duke qenë mediokër, e duan gjithçka për vete për gjithmonë dhe asgjë për të tjerë! Por këto privilegje ua jep vetëm shteti antiligjor!

Duke u kthyer tek Panairi i Librit i Diasporës 2019 natyrisht që nuk pranuam të ishim pjesë e skenarëve të pistë, të profiterëve të politikës që nuk i lejon shqiptarët të zgjedhin librat sipas shijes së tyre.

Gjithashtu i ftoj shqiptarët që ta bojkotojnë Panairin e Librit Diaspora 2019 sepse organizuesit kanë përdorur kriterin politik që është përçarës dhe bie ndesh me pluralizmin dhe multikulturalizmin që përfaqëson Zvicra dhe demokracia, ndërsa Pandeli Majkos, këtij politikani parazit që ka 27 vjet që riciklohet por nuk ka arritur kurrë të konvertohet, i bëj ftesë që mos të shkelë në Zvicër se është non grata!

Shembja e ish “perdes së hekurt” dhe ish “murit” të Berlinit kishte filluar në Dancig (Gdanjsk)! – Nga AGRON SHABANI

“Zoti sekretar i përgjithshëm, e shihni ju lutëm këtë lumë! Ky lumë patjetër do të derdhet në det. Për me tepër ndërkaq, nëse këtij lumi për çastin ose momentin ia ndërpresim ose ndryshojmë rrjedhjet (rrjadhat) ose valët e tij, lumi do vërshejë (shpërthejë) dhe do dalë nga shtrai, por prap se prap do derdhët në det. Kështu është edhe me fatin e ribashkimit të shtetit dhe kombit gjerman… Ai patjetë do të ndodhë një ditë z. sekretar i përgjithshëm., do i thoshte dikur gjatë vitit 1989, ish Kancelari i Gjermanisë, Dr. Helmut Kohl ish liderit të shquar dhe reformator të shtetit dhe partisë ruso-sovjetike, Mihail Sergejeviç Gorbaçov, tek po shtetisnin dhe bisedonin së bashku buzë Lumit të Rinit (Rhein) në Bonn të Gjermanisë.
Rënia e ish ‘murit’ famëkqe të Berlinit dhe procesi i njohur i ribashkimit historik të shtetit dhe kombit të madh gjerman do fillonte vetëm një trohë me vonë. Respektivisht, me 199O etj. Kur në Berlin, Lajpzig (Leipzig), Dresden si dhe në qytete ose vendbanime tjera gjithandej ish Gjermanisë Lindore (DDR ose ish RDGJ) populli ishte ngritur në protesta të fuqishme dhe barrikada ku kërkohej shëmbja e ish ‘murit” të Berlinit dhe bashkimi i tyre me shtetin Èmë.
Ndërkohë që lideri i lartëpërmendur ruso-sovjetik, z.Gorbaçov, sipas analëve dhe kronikave të shumëta të asaj kohe, i pyetur ose konsultuar mbi mundësinë e intervenimit ushtarak të ushtrisë ruso-sovjetike në Gjermaninë Lindore, Çekosllovaki, Hungari, Rumani si dhe në vende të tjera të ish “Traktatit të Varshavës” për shkak të ngjarjeve dhe zhvillimëve të atëhershme revolucionare ose historike në ish bllokun lindorë ose komunist që i takonte sferës ose hemisferës së njohur ruso-sovjetike: Gjatë bisedave të tij me liderët e atëhershëm të Gjermanisë, Çekosllovakisë, Hungarisë etj, i kishte siguruar ose garantuar homologët ose bashkëbiseduesit e tij, duke u thënë: “Përderisa unë, Mihail Sergejeviç Gorbaçovi, ndodhëm i ulur në karrigën (fotelen) e shefit të shtetit dhe partisë ruso-sovjetike, nuk do ketë intervenime ose skenare të përgjakshme si dikur në Berlin, Pragë, Budapest (Hungari) ose dikund tjetër nga ana e ushtrisë dhe policisë së BRSS-s.” (fund i citatit.)
Se këndejmi, për ata që i njohin ose kuptojnë sadopak ngjarjet, zhvillimët, proceset ose fenomenët e njohura shtetrore, nacionale, politike, ushtarake (luftarake), historike, gjeografike dhe të tjera në vende dhe rajone të ndryshme të kontinentit të vjetër evropian: Vlenë të cekën ose rikujtohen në menyrë të shkurtër ose telegrafike ngjarjet dhe zhvillimet e njohura epokale dhe historike të Levizjes Punëtore ose Sindikaliste “Solidarnost” në Dancig (Gdanjsk) të Polonisë (të banuar kryesisht me popullsi autoktone gjermane)- gjatë vitit 198O, kur Leh Valenca së bashku me intelektual dhe patriot të tjerë polak dhe gjerman, atëbotë si të thuash i shëmben ose tunden themelët e ish “perandorisë së kuqe” komuniste ose ruso-sovjetike së bashku me ato të ish “Traktatit të Varshavës” dhe kështu me radhë. Në kontekst të suspektshëm dhe dubioz, duhet veçuar edhe rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm misionar dhe patriotik të Kardinalit të shquar Karol Vojtila (Papa Gjon Pali II) me origjinë nga Polonia etj.
E thënë ose formuluar ndryshe, kjo do thotë se shembja e ish “murit” famëkeq të Berlinit dhe “perdës së hekurt” ruso-sovjetike, kanë filluar dikund pranë Detin Baltikë, respektivisht në Dancig (Gdanjsk) me “Solidarnostin”, për të vazhduar tutje, tuje..në Sudete ose Friedland (Friland) të Çekisë, nepër Hungari dhe deri në Mamaj ose Konstancë të Detit të Kuq në Rumani, me një largësi ose hapësirë ajrore ose gjeografike me tepër se 4OOO km.
Asokohe duhësh (duhej) të kishe maturi dhe urtësi sokratiane si dhe frymëzim platonik për t´i njohur dhe identifikuar problemet, sfidat, rreziqet dhe vështirësitë e hetueshme që ekzistonin atëbotë në kuader të “hemisferës” ose “perdës së hekurt” të Lindjes ose ish “Traktatit të Varshavës” por, edhe të Paktit të Natos. Pa ide, teori, koncepte, definicione, studime, analiza dhe vizione të njohura shkencore ose humaniste, çfarëdollojë gjykimi asokohe ishte i pamundur dhe i gabuar. Kjo për faktin se edhe idetë ose teoritè e njohura të demokracisë perëndimore ose kapitaliste, nuk paraqisnin (nuk paraqesin as sot) një model ose koncept të qartësuar dhe final i cili e kishte ( e ka) arritur përsosjen ose perfeksionin e tij optimal ose maksimal. Jo. Sepse, Idetë ose teoritè demokratike tè Perëndimit nuk përmbanin (nuk pèrmbajnë) ndonjë substrat ose substitut esencial ose substancial që do e imponin vetvetën e tyre si fakte ose realitete të pakontestueshme ose relevante.

Kush ishte Mihail Gorbaçovi?

Koncepti mbi demokracinë si një koncepcion shhkencor ose metodologjikë, nuk do vlente aq shumë poqëse nuk do nxirrej nga ndërthurjet dhe interferimet e njohura të interaksionit social dhe atij antropologjiko-epistemologjik.
Ndaj, a ishte e mundur dhe si ishte e mundur që një qenie e lartë intelektuale dhe politike si Mihail Gorbaçovi, asokohe të mund të gjennte një ujdi ose pajtim me aparatin konservativ dhe burokratik të Kremlinit si dhe me grupin shoqëror ose politik qè e rrethonte? Me rregullat e tyre sidomos? A ishte vërtetë i dënuar asokohe Gorbaçovi i guximshëm dhe reformator i cili për të jetësuar të drejtat dhe liritë e tjerëve, ishte i detyruar të asgjësonte ose suprimonte individualitetin dhe karierën e tij?
A është e mundur ndonjëherë që të kënaqen të tria shtysat e mëdha njerëzore ose qytetare: Liria individuale dhe kolektive si dhe solidariteti njerëzor?.
Ky duket së ishte kuptimi i përkufizimit që Mihail Gorbaçovi i jepte koncepcionit mbi drejtësinë, lirinè dhe barazinè.
“Me drejtësi duhet kuptuar një koncepcion të caktuar të jetës së përbashkët, përkatësisht të organizimit të bashkësisë shtetrore, nacionale ose politike e cila sëcilit individ i mundëson të zërë vendin që i takon në pajtim me natyrën e tij (me dëshirat dhe aftësitë e tij intelektuale dhe profesionale) dhe në të njëjtën kohë siguron mirëqenien e shoqërisë si tërësi ose totalitet” (Filozofia franceze)
Ishte pikërisht kjo çështje kardinale (si shpata e Damokleut) të cilën Gorbaçovi asokohe pranoi t’a vënte mbi kokë me “Gllasnostin” ose “Perestrojken” e tij. Duke u ndeshur ose përballur vazhdimisht me sfidat ose provokimet e ndryshme epokale ose monumentale siç ishin Bashkimi i Gjermanisë, shpërbërja e ish BRSS-s dhe “Traktatit të Varshavës” etj.
Pikërisht përmes këtij koncepti esencialist ose substancialist, respektivisht, përmes kuptimit, përceptimit dhe akceptimit të qytetarit jo si banori i rëndomtë, por si shtetas i barabartë tek i cili do mund të pajtoheshin edhe dimensioni i veçantë personal edhe dimensioni i përgjithshëm i qenies shoqërore, qytetare ose politike. Duke e gjetur ose zbuluar oratorinë ose të folmen e harmonisë dialektike, z. Gorbaçov si duket i ngriti dhe projektoi “Gllasnostin” dhe “Perestrojken” e tij famoze.
Do të jenë pikërisht edukuata, kultura dhe humanizmi, ylli ndriçues i ngadhënjimit të personalitetit tè z. Gorbacov dhe i ndërtimit të botës së vlerave globale ose universale. Vetëm duke u kultivuar, edukuar dhe arsimuar, qenia njerëzore, qytetare, kulturore ose politike, mund të zotërojë fatin e tij jetësor dhe t’i mbarësojë fatet e të tjerëve. Kjo ndodh pikërisht për faktin se arsimimi i mundëson njeriut të jetë ai që është: qenie që mendon, rezonon që flet dhe komunikon me të tjerët. E drejta bazike e individit dhe kolektivitezit, përveç lirisë individuale dhe kolektive, është edhe e drejta për të pasur mundësi intelektuale dhe profesionale për ta fituar atë liri. E gjitha kjo në një mjedis ku dhuna refuzohet si një mjet për të arritur qëllime. Ku si zëvendësim ose alternim i dhunës kërkohet dialogu dhe diskutimi si burime të vetme për njeriun e ngritir dhe liberatorë si z. Gorbaçov etj.
Një komunitet politik definohet përmes refuzimit të dhunës si metodë e zgjidhjes së konflikteve, apo për t’a thënë me konkrezisht, nga zgjedhja e diskutimit publik si mjet për zgjidhjen e konflikteve përmes të cilit arrihet deri tek vendimet e përbashkëta dhe racionale.
Nga kjo rezulton se identiteti i një kombi dhe shteti, është identitet polemik, uniteti i të cilit konsiston në debatin ku ballafaqohen, kundërshtohen, por edhe pajtohen preferencat ose opsionet e ndryshme politike, konceptuale, ideologjike, fetare, kulturore, moral etj., të cilat bashkërisht i japin një kombi dhe shteti imazhin dhe fizionominë e tyrej. Është diskutimi ai që përbën unitetin dhe jetën e shtetève dhe popujve tè popujve tè ndryshèm gjithandej globit, janë gjuha, stili ose forma e debatit ato që krijojnë imazhin e tyre.

P.S. Boshti i secilës etikë intelektuale dhe profesionale është aftësia për universalizimin e koncepteve dhe postulimin e parimeve. Ndërsa, për të pasur një shtrirje të përgjithshme ose masive, etika duhet të jetë universale. Ngritja ose ndërtimi i një etike universale dhe humaniste. Domethënë, një gjakim për virtytin përmes një shtegtimi përmasash globale ose universale.
Ndaj, sa më të qarta, precize ose konçize të jenë prononcimet, deklaratat ose premtimet e një lideri shtetror, nacional, qeveritarë ose politikë, aq më të prirura do jenë të prirura do jenë ato të definojnë në mënyrë pozitiviste se çfarë do të duhej të ishte rregullimi shoqëror, qytetar ose politik në morinë e kontroversave ose diversitetëve të njohura shtetrore, nacionale, politike, partiake, fetare, kulturore, konceptuale, ideoligjike dhe të tjera.
Ndonëse, edhe jeta dhe bota jonë idealiste dhe materialiste së bashku me shtetët dhe shoqëritë e ndryshme njerëzore ose qytetare gjithandej globit, në esencën ose substancën e tyre ndodhën të ngritura ose projektuara mbi përvojat dhe aftësitë e njohura shkencore dhe intelektuale të njerëzve të ditur, mbi humanizmin dhe karitativitetin e njerëzve të pasur, mbi heroizmin dhe sakrificat e njohura ushtarake ose luftarake të njerëzve të guximshëm dhe liberator si dhe mbi drejtësinë, harmoninë dhe barazinë e gjithëmbarëshme njerëzore ose qytetare.

Shqipëria pati aleatë Jugosllavinë e Bashkimin Sovjetik, jo SHBA-të e Anglinë! – Nga GANI MEHMETAJ

Kreu i shtetit shqiptar Tito-Stalinin e zëvendësuan me Erdoganin, rilindjen evropiane me xhihadin islamikë e lindjen kaotike.

 Nuk është e vërtetë se Shqipëria ishte në aleancën amerikano-britanike, aleatëve perëndimor ua ktheu shpinën. Nuk është e vërtetë se forcat partizane bënë luftë antifashiste, nazistët e fashistët ishin tepër të fortë për ta, partizanët bënë luftë antikombëtare kundër forcave nacionaliste e demokratike, ata e nisën luftën civile, duke bërë gjenocid në disa krahina shqiptare, pastaj masakruan elitën e kombit. Partizanët e Enver-Miladinit aleancën perëndimore e shpallën armike, ndërsa aleancën me shtetet armiqësore ndaj shqiptarëve (Jugosllavinë e Bashkimin Sovjetik) e forcoi si kurrë më parë në histori.

Shqipëria ishte satelit-aleatë i Jugosllavisë. Më vonë u bë satelit-bazë ushtarake e deponi mbeturinash e Bashkimit Sovjetik, pastaj e Kinës “së madhe shumë të fortë, që s’i trembet kujt në botë!”. Përderisa Shqipëria ishte vazale e Jugosllavisë-Bashkimit Sovjetik, Kosova ishte koloni e Serbisë. Por Shqipëria e Enver Hoxhës e pranoi me vullnet vazalitetin jugosllavë, kurse Kosova e territoret etnike e kundërshtuan më forcë pushtimin serbo-malazezë.

Shteti shqiptar Bashkimin Sovjetik e Kinën e zëvendësoi me Turqinë, ndërsa Serbisë po i qasen me nostalgji iditotësh. Ndërkaq, në planin strategjik vendin e Titos e të Stalinin e zuri Erdogani.

SHBA-të e NATO e çliroi Kosovën nga Serbia, e çliroi edhe Shqipërinë nga diktatura staliniste shqiptare. Por kreu i shtetit e një pjesë e opozitës tru shpërlarë e përsërisin si papagaj islamikë: “falënderimi i shkon Turqisë e Erdogan-Allahut). Shqiptarët janë tmerrësisht mosmirënjohës ndaj Perëndimit.

Në Tiranë e në Prishtinë është një diplomaci dhe politikë e çoroditur antishqiptare që vepron kundër interesave kombëtare.

Reciprociteti juridik me Serbinë në akull! – Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Barometri diplomatik

 

 *** Derisa OKB-ja nuk e njeh Kosovën si subjekt juridik ndërkombëtar, zbatimi i parimit të reciprocitetit nga ana e Serbisë, do të jetë vazhdimisht problematik me gjithë garancitë politike të fuqive të mëdha evropiane dhe botërore.

Gjithashtu, derisa Beogradi zyrtar nuk e njeh Kosovën, reciprocitet juridikisht të detyrueshëm nuk do të ketë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Këtë difekt ligjor, duhet ta mbajnë parasysh si presidenti, qeveria, ashtu edhe parlamenti i Kosovës. Ndaj, do të ishte e gabueshme nëse pala shqiptare e Kosovës, do të lidhte ndonjë marrëveshje me Serbinë pa ndonjë garanci ndërkombëtare (Amerika, OKB-ja dhe BE-ja), sepse Serbia nuk do t’i përmbahej zbatimit të parimit të reciprocitetit, duke qenë se Kosovën nuk e njeh si shtet të pavarur dhe sovran ngase  kjo ende nuk nijeht si subjekt juridik ndërkombëtar nga ana e Kombeve të Bashkuara,  por edhe pas pavarësimit të saj(17 shkurt 2008), Serbia e trajton dhe e konsideron si krahinë të saj, ashtu siç figuron në Kushtetutën e vitit 2006, si dhe në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

 Pra, duhet të pranojmë faktin se, qëkur Kosova është njohur në mënyrë unilaterale nga Amerika dhe nga alaeatët e saj perëndimorë, si dhe nga 100 shtete të tjera të bashkësisë ndërkombëtare (17 shkurt 2019) ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, zbatimi i parimit të reciprocitetit ka qenë  i brishtë si  de fakto, ashtu edhe de jure. Këtë e provoi edhe përgjigjja formale e taksës së tarfiës doganore 100% ndaj mallrave  tregtare të Serbisë nga ana e ish-qeverisë së Ramush Haradinajt (nëntor 2018), e cila ende është në fuqi (shtator 2019), edhe pse është e kontestuar nga Beogradi zyrtar, vënien e së cilës po shfrytëzon si pretekst për bllokimin e Dialogut të Brukeslit (2011-2018). Me një fjalë, presidenti  Aleksandar Vuçiq,  kryeministrja e qeverisë Ana Bërnabiq dhe  ministrii i Jashtëm Ivica Daçiq të Serbisë, BE-së, përkatësisht bashkësisë ndërkombëtare i kanë vënë si kusht, që së pari, ta detyrojnë Prishtinën zyrtare ta heqë taksën doganore 100% ndaj produkteve tregtare të Serbisë, në mënyrë që të rihapet Dialogu i Brukeslit.  Mirëpo,  autoritet zyrtare të Kosovës nuk do të duhej ta pranonin një kusht të këtillë, para se Beogradi zyrtar ta njihte Republikën e pavarur të Kosovës, spese juridikisht në  frymën e së drejtës ndërkombëtare, vetëm pas njohjes së Kosovës si subjekt juridik ndërkombëtar të barabratë me Serbinë si dy shtete sovrane-anëtare të OKB-së, do të krijoheshin dispozitat juridike ligjore të detyrueshme, që të dyja këto shtete  në mënyrë  të ndërsjellë konskeuente të zbatonin parimin e reciprocitetit ndërshtetëror, duke u bazuar në konventat përkatëse ndërkombëtare  dhe në Kartën e OKB-së, si dhe në normat e  parimet  e së drejtës ndërkombëtare.

Traktat paqësor me Serbinë, pasi OKB-ja ta njohë Kosovën

Të gjithë shqiptarët e Kosovës duan të kenë paqe dhe bashkëpunim ndërshtetëror me Serbinë, por vetëm (kur të krijohen kushtet normale, ligjore dhe kushtetuese) mbi bazën e reciprocitetit si dy shtete të barabarta, të pavarura dhe sovrane. Kjo do të ishte esenca dhe kuptimi përmbajtësor i përfundimit të çdo traktati a marrëveshjeje paqësore me Serbinë.

Mirëpo, çështja është tejet e ndërlikuar ( se si të arrihet një paqe e tillë e ndërsjellë serbo-shqiptare), kur Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës, por sipas Kushtetutës së saj të vitit 2006, Kosovën e konsideron “pjesë territoriale të saj”!

Pikërisht mbi këtë “bazë juridike kushtetuese”, Serbia qe 19 vite ka pushtuar pjesën veriore të Kosovës, ku serbët e atjeshëm, të mbështetur nga Beogradi, nuk njohin institucionet legjitime, legale dhe kushtetuese të Kosovës, por vetëm Serbinë si shtet të tyre.

Logjikisht, derisa Serbia ushqen ambicie dhe pretendime territoriale ndaj Kosovës, si dhe nuk e heq këtë “klauzolë juridike” nga kushtetuta e saj në fuqi (2006), qeveria, as parlamenti, asnjë parti politike (pozitë apo opozitë) nuk kanë asnjë të drejtë morale, ligjore dhe kushtetuese, që të lidhin ndonjë traktat a marrëveshje paqësore me Serbinë. Këtë fakt, do të duhej ta mbanin parasysh si presidenti, qeveria dhe parlamenti i Kosovës.

Fundja, edhe sikur Serbia të njihte Kosovën, edhe sikur Beogradi zyrtar, të pranonte ofertën e Prishtinës zyrtare për lidhjen e ndonjë “traktati paqësor” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kosova nuk mund të jetë palë nënshkruese e atij traktati derisa nuk njihet nga ana e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ky është problemi i pakapërcyeshëm juridik ndërkombëtar, që hëpërhë Kosovës “ia lidh duart”, të lidhë dhe të nëshkruajë traktate ndërkombëtare me ndonjë shtet tjetër të bashkësisë ndërkombëtare, që nuk e ka njohur Kosovën, siç është edhe vetë Serbia.

Fantazma “paqja e përjetshme” !?

Pavarësisht nga dëshirat dhe nga objektivat e politikës iluzioniste të qeverisë së ish- kryeministrit Hashim Thaçi dhe të  ish-zëvendëskryeministrit të tij, Hajredin Kuqi, që në vjeshtën e vitit 20012, të lidhnin ndonjë “traktat paqësor” me përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë, Kosova si shtet i ri, nuk e gëzonte një të drejtë të tillë, sepse ( as dje, më 2012 e as sot më 2019) sipas së drejtës ndërkombëtare, Kosova nuk mund të lidhë asnjë traktat dhe, asnjë marrëveshje juridike ndërkombëtare me Serbinë, sepse ende nuk është anëtare e Konventës së Vjenës mbi të drejtën e traktateve (1969), duke qenë se ende Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nuk e njeh subjektivitetin juridik ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, edhe pse atë e kanë njohur mbi 100 shtete të bashkësisë ndërkombëtare.

Ky është problemi juridik ndërkombëtar, mirëpo ish-profesori i së drejtës ndërkombëtare, ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-zëvendëskryeministri i qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi e pati anashkaluar atë, duke deklaruar të kundërtën, duke u mbështetur në gjendjen faktike se ” Kosova i ka kaluar dy faza, fazën e mbijetesës që ka ardhur me lirinë e Kosovës dhe fazën e pavarësisë që ka ardhur me 17 shkurt 2008. Kosova duhet të fitojë paqen e përjetshme, harmoninë me qytetarët e vendit dhe paqen e përjetshme me fqinjët. Dhe po e them kështu jo me i harruar armiqësitë e të kaluarës, por me krijua paqe për gjeneratat që do të vijnë. Dhe çdo vend në botë pas një konflikti ndërshtetëror përfundon me një traktat të paqes dhe vetëm atëherë ka kuptim paqja e përhershme”. (www.kosovapress.com/08/08/2012).

Mirëpo, shpërfillja dhe injorimi i së drejtës ndërkombëtare nga politika fiktive e qeverisë së Kosovës së dikurshme, të drejtuar nga Hashim Thaçi dikur kryeministër, sot president dhe nga “violina juridike” e tij shumëvjeçare, Hajredin Kuçi , nuk  solli kurrfarë “paqe të përjetshme” e as kurrfarë traktati paqësor me Serbinë (2008-2019),  sepse deri më sot në historinë e së drejtës ndërkombëtare dhe të marrëdhënieve politike ndërkombëtare, nuk figuron ndonjë shembull i dokumentuar i ndonjë “paqeje të përjetshme”, apo i ndonjë lufte a konflikti të përjetshëm , sepse sipas materializmit dialektik shkencor, nuk ekziston asgjë e përjetshme dhe, asgjë absolute, por relative dhe e ndryshueshme sipas ligjeve të dialektikës së natyrës.

Cila është baza juridike ndërkombëtare e “traktatit të përjetshëm paqësor”  sipas ish-zëvendëskryeministrit të Kosovës,  Hajredin Kuçi?

Kjo është pyetja thelbësore, cila kërkon përgjigje të kualifikuar nga juristët e së drejtës ndërkombëtare në Prishtinë, në mënyrë që t’ia bëjnë të qartë ish-zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi se, Kosova nuk ka të drejtë të jetë palë e asnjë traktati ndërkombëtar qoftë dypalësh, qoftë shumëpalësh ngase ende Organizata e Kombeve të Bashkauara nuk e ka njohur cilësinë e subjektivitetit të saj juridik ndërkombëtar sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare, edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka dhënë  një opinion të saj pozitiv se pavarësia e Kosovës nuk është në kolizion me normat e së drejtës ndërkombëtare (22 korrik 2010).

Baza juridike e “traktatit të përjetshëm paqësor” mes Serbisë dhe Kosovës e deklaruar nga Hajredin Kuqi, më 2012,  de fakto dhe de jure,  do  duhej të ishte kjo: – Së pari, Kosova duhet të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara; së dyti, të jetë anëtare-palë nënshkruese e Konventës së Vjenës mbi të drejtën e traktateve (1969); së treti, pasi Serbia ta ketë njohur Republikën e Kosovës; së katërti, pasi Kosova t’i ketë të zgjidhura të të gjitha çështjet kontestuese me Serbinë kolonialiste, duke zbatuar edhe parimin postliminium, sepse pas përfundimit të luftës, në Kosovë, ende mungojnë mbi 1800 persona të zhdukur; së katërti, pasi Serbia t’i ketë paguar reparacionit e luftës për të gjitha dëmet e shkaktuara në Kosovë; së pesti, pasi Serbia t’i ketë tërhequr të gjitha strukturat kiriminele paralele nga pjesa veriore e Kosovës.

Në kuptim të ngushtë (Kosovë – Serbi) , kjo do të duhej të ishte ecuria metodologjike e pajtimit paqësor me Serbinë, kurse në kuptim të gjerë dhe të drejtë, pasi ajo t’ua njihte të drejtën e vetëvendosjes Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës së Shqipërisë etnike. Mirëpo, duke qenë se këto territore etnike shqiptare hëpërhë janë skairfikuar nga Kosova dhe nga Shqipëria, duke u pajtuar me statusin e tyre vasal kolnialist nën Serbi, hajredinë “pashëve” të Kosovës, edi ramëve dhe ilir metëve  “sulltanë” të Shqipërisë, nuk u ka ngel tjetër veç të “ngushëllohen” me vetën e tyre, duke shpikur ndonjë “traktat paqësor të përjetshëm” me Serbinë, që të gjejnë gjuhë të përbashkët me kolonialistët hegjemonë të Serbisë, duke u përqëndruar në devizën e turpshme dhe absurde të vetëkënaqësisë politike, thënçin paqësore “daj shto dash”! – E, “shumë dert i thellë” për shqiptarët e kolonizuar të Preshevës, të Bujaniocit dhe të Medvegjës, is dhe për pretendimet e Serbisë për copëtimin e territorit verior të Kosovës, në emër të ndonjë “shkëmbimi” a “korrigjimi” të kufijve sipas projektit të sajuar Vuçiq-Thaçi-Rama.

Pse duhet ta shpërblejmë Serbinë me territore të Dardanisë? – Nga GANI MEHMETAJ

Sepse ushtarët e policët e tyre përdhunuan e pastaj masakruan mijëra gra e vajza tona? Sepse vranë foshnjë, fëmijë, gra e burra të pambrojtur? Sepse kryen gjenocid të paparë ndaj popullatës shqiptare në Dardani? Sepse as pas njëzetë vjetësh nuk u përkulën para varreve të viktimave të tyre, nuk i kërkuan falje kombit tonë? Sepse, vazhdojnë të bëjnë shantazhe e të pengojnë shtetin tonë me të gjitha mjetet? Sepse e ushqejnë me urrejtje të sëmurë popullin e tyre kundër kombit tonë? Sepse nuk ndjejnë pendesë as nuk duan t’ia dinë për ato që bëri ushtria e policia e tyre?

Serbinë duhet ta shpërblejmë me territore tona edhe për faktin se janë arrogantë e primitiv ndaj nesh si ai rrugaçi që të ka rrahur e keqtrajtuara dhe prapë të kërcënon se do të te rrah e do të te keqtrajtojë.

ShBA-të me Bill Klintonin dhe Britania e Madhe me Toni Blerin, krahas Francës, Italisë, Gjermanisë etj.  e bombarduan  Serbinë, për t’i shpëtuar shqiptarët nga shfarosja dhe për ta ndëshkuar Serbinë për gjenocid. NATO e çliroi Dardaninë dhe e dëboi ushtrinë serbe që të na e jepte mundësinë ta bënim shtetin tonë të lirë e të pavarur, në kufijtë që na i pranoi bota.

Pse sot disa qarqe ndërkombëtare e harruan gjenocidin serb dhe përpiqen ta trajtojnë të barabartë xhelatin (Serbinë) e viktimën (Dardaninë)?  Pse nuk ua nxjerrim sërish në sheh krimet e përdhunimet serbe, por heshtim si qyqe? Pse takohemi me udhëheqjen e Serbisë sikur të mos kishte ndodh asgjë, ndërsa nuk ia përmendim asnjëherë të kaluarën?

Pse kreu i shtetit tonë me mediat që e mbështesin përpiqen ta bindin popullatën se nuk është asgjë t’i japim copa territoresh Serbisë? Pse i kemi bërë militantët partiakë koka delesh që vetëm të blegërijnë dinë? Pse po përgatitëm për të keqen me gjakftohtësi të frikshme?

Kush është ai që do të guxojë të jep copa territoresh dhe të mos e mallkoj historia  brez pas brezi?  Pse duhet ta lejojmë kreun e shtetit shqiptar ndërmjetës, apo mesit për faljen e territoreve tona, kur i njohim dhe e dimë se ata janë të gatshëm të shesin nanë e tatë, prandaj nuk e kanë vështirë të shesin edhe një copë tokë ‘kosovare”. Pse duhet të lejojmë të bëjnë tregti territoresh me Serbinë kreun e shtetit tonë, kur e dimë se ata akuzohen për krime lufte, akuzohen për vrasjen e shqiptarëve, territorin e të cilëve duana t’ia falin Serbisë?

Ditë të liga për Kosovën…!? – Nga AGRON SHABANI

Bashkimi Evropian (BE-ës ) edhe përkunder “arkitekturës” dhe një “infrastrukture të përbashkët” monetare, finansiare, industriale, tregtare, ekonomike, politike etj., vazhdon të futët në krizë ose në një recesion të thellë së bashku me Gjermaninë si Fuqinë ose Lokomotiven kryesore të UE-s (BE-s). Duke i ngjarë kështu “kullës së Babilonisë” ku krahu i djathtë i saj, nuk di kurrë për levizjet e të majtit ose anasjelltas.
Aty janë edhe tendencat ose pretëndimet e ndryshme dominante dhe eksluziviste të popujve dhe vendëve të ndryshme “superiore” ose “ambivalente”-ndaj popujve dhe vendëve të tjera me të vogla së bashku me pëngesat ose barierat e njohura kufitare, administrative, politike, finansiare, industriale, ekonomike dhe të tjera ndaj popujve ose vendëve të ndryshme aspirante ose kandidate për t´u anëtarësuar në familjen e madhe europiane të popujve dhe shtetëve të pavarura dhe sovrane që patjetër të shpiejnë të mendosh dhe reflektosh një trohë në etapat ose periudhat e dikurshme të absolutizmi, kolonializnmit, imperializmit etj.
Se këndejmi, në pjesën me të madhe ose substanciale të saj, Kosova ndodhët e varur ose ndërlidhur me zhvillimët e përgjithshme konjukturale, manufakturale, tregtare, ekonomike dhe të tjera në BE (UE) e sidomos në Gjermani e cila njihet edhe si investitorja ose kontribuesja më e madhe ose kryesore në Kosovën e pasluftës dhe paraluftës.
Me fjalë tjera kjo do thotë se çdo krizë ose recesion i mundshëm në Gjermani (UE) ose SHBA, shtetin dhe ekonominë e brishtë kosovare, mund t’i vëjnë përballë një të të fikëti ose infrakti të përgjithshëm. Për të mos thënë këtu-para bankrotit ose kolapsit të rëndë me pasoja të paparashikueshme. Kosova është shteti më i varfër dhe më i pazhvilluar industrial dhe ekonomik në kontinentin e vjetër evropian dhe me largë, si dhe një prej vendëve me shkallën më të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel kontinental dhe interkontinental. Kosova nuk ka industri dhe as ekonomi substanciale ose bazike. Mos të flasim këtu mbi stadin ose nivelin e ulët intelektual, profesional ose kadrovikë të politikës së jashtme ose diplomacisë kosovare në të gjitha fushat ose drejtimet e mundshme së bashku me animozitetët, amorozitetët, paradokset, anomalitë dhe patologjitë tjera reaksionare dhe anakronike të shtetit dhe pushtetit kosovarë.
Ndonëse, gjithënjë duke menduar në krizën ose recesionin e mundshëm (eventual) në Gjermani (UE-s), SHBA-s dhe më largë si pasojë e luftërave të ndryshme tregtare, ekonomike ose kabinetike në mes SHBA-s dhe UE-s, të cilat patjetër t’i rikujtojnë luftërat e njohura tregtare, ekonomike, kabinetike dhe të tjera nga etapat ose periudhat e ndryshme të absolutizmit, kolonializmit, imperializmit etj.

Një digresion: Pas firmosjëve të njohura të “Paqes së Vestfalisë” me 1648, “Paqes së Pirinejeve” me 1659 , “Marrëveshjes së Utrehtit” me 1713 dhe vendosjes sè të të ashtuquajturit “Sistemit të Balansës” (“Balance of Powers” ) në mes fuqive të atëhershme tregtare, industriale dhe ekonomike të kontinentit të vjetër europian: Etapat ose periudhat e ndryshme të luftërave dhe konfliktëve të mesipërme fetare, kulturore ose kolonialiste në Evropë, do i zëvëndesonin të të ashtuquajturat “luftërat” ose “konfiktet kabinetike” së bashku me luftërat ose konfliktët e njohura tregtare dhe ekonomike në mes vendëve ose fuqive të ndryshme industriale dhe ekonomike. Duke e përfshirë dhe nënkuptuar këtu edhe të të ashtuquajturin “liberalizmin kapitalist” , gjegjësisht, “anarkoliberalizmin kapitalist” nè stadin me të lartë të imperializmit të mevonshëm kolonial ose gjysëmkolonialist nga i cili dikur me vonë do të lindnin dhe gjeneronin edhe luftërat ose konfliktët e njohura botërore ,lokale ose rajonale, gjegjësisht, shtetërore, nacionale, konceptuale, ideologjike etj.

Ndryshe nga kjo, luftërat ose konfliktët e njohura tregtare ose ekonomike në mes SHBA-a dhe UE-s (BE-s), pos tjerash i kanë fuqizuar dhe multifikuar edhe indikimet (influencat), penetrimet, implikimet dhe interferimet e ndryshme finansiare, konjukturale, nomenklaturale, manufakturale dhe të tjera të oligarkëve (multimiliarderëve) të Kremlinit (Rusisë) dhe homologëve të tyre kinez në tregun e përgjithshèm ose kapitali të UE-s dhe SHBA-s. Ndërkohë që largimi i Britanisë së Madhe (Brexit) nga BE-së, sikur u ka hapur rrugën ose efektin domino edhe procesëve tjera të dezintegrimit ose dekompozimit ( dekompozicionit) të pashmangshëm të ” kompozicionit të përbashkët evropian” në të ardhmën.Thuhet se anglezët ose britanikët e braktisen BE-së; edhe për shkak të ndikimit ose influencës së madhe të kapitalit dhe oligarkëve rusë në disa shtete kryesore të BE-së si në Gjermani, Francë etj. Turqia (e nxitur dhe stimuluar nga Rusia) e kèrrcnon sèrish Evropèn (UE-s) me krizèn e refugjatève etj.

Ndaj, edhe “rruga e mundshme” e anëtarësimit të Kosovës në BE-së ose UE-së, sipas të gjitha gjasave do kalojë përmes koncesioneve ose kompromisëve te vazhueshme ndaj Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë etj. Mbase, përmes nënshkrimit dhe respektimit të domosdoshëm të “marrëveshjeve”, ” traktatëve” ose “diktatëve” të njohura “ultima ratio” ose “urbi et orbi” të Vjenës, Brukselit dhe kështu me radhë….!? Duke i nënkuptuar këtu të të ashtuquajturin “asociacionin e komunave të pavarura serbe ” (lëxo “republika serbska”) në Veriun e Kosovës ose Mitrovicës së bashku me ” demarkacionet”(koncesionet) kufitare me Malin e Zi, Serbinë dhe Maqedoninë, ndofta edhe “ndryshimin e kufijve” si dhe shumë kompromise dhe koncesione të tjera në sfond. E tërë kjo nën regjinë dhe kujdestarinë e njohur të Rusisë ose Kremlinit zyrtarë. Jozyrtzarisht thuhet se Rusia është mikja, aleatja dhe partnerja kryesore e disa shtetëve të fuqishme të UE-s në domenin ose kontekstin e gjithëmbarëshëm strategjik, tregtar, ekonomik, konjuktural, industrial, teknologjik etj…?! Për të mos thënë këtu komanduesja ose pilotuesja kryesore e ” lokomotivës së përbashkë evropiane”! (…)

Sidoqoftë, edhe përkunder asaj se jetojmë si të thuash në “Evropèn e bashkuar dhe tè pa kufije”, akoma ka grupe ose individ të ndryshëm që vazhdojnë t´i llogarisin kohën dhe vitët e dritës me vitët e henes dhe kalendarët e ndryshëm gjeocentrik ose egocentrik të Ptolomeut, Jul Cezarit, Ivan Groznit etj. Dhe, jo me sistemin dhe kalendarin e njohur gregorian dhe heliocentrik të Galileut, Kopernikut etj. Disa vende të BE-së, zyrtaisht janë me Naton dhe SHBA-së, ndërsa jozyrtarisht me Rusinë dhe Kinën ose me dikënd tjetër në prapavija të ndryshme komplotiste, konspirative, dekonspirativiste dhe të tjera…?!

Dhe, kush janë BE-s dhe OKB-s…?

1. Siç dihet, Bashkimin Evropian e përbënin dikur ( para Brexitit ose largimit britanik) 28 shtete të pavarura dhe sovrane të përfshiera dhe inkorporuara brenda “modeleve” ose konceptëve të larmishme industriale dhe ekonomike si “Modeli i Rajnës” i përbërë nga Gjermania, Franca, Belgjika dhe Luksemburgu, “Modeli Skandinavë” i përbërë nga Holanda, Austria, Danimarka, Finlanda dhe Suedia, “Modeli Anglo-Sakson” i përbërë nga Britania e Madhe, Irlanda dhe Portugalia dhe”Modeli Jugor ose Mesdhetar” i përbërë nga Spanja, Italia, Qiproja dhe Greqia. U mor vesh se Briania e Madhe nuk i takon më “ambrellës” ose “çatisë së përbashkë evropiane” për shkak të specifikave ose karakteristikave tè njohura që jo rrallë e kolidojnë dhe eklipsojnë njëra tjetrën në sfond.

2. Bashkësinë e sotme botërore ose ndërkombtare ndërkaq, e përbëjnë dhe karakterizojnë një mori popujsh dhe vendësh (shtetësh ) të ndryshme ose specifike nga njëra tjetra për nga forca ( fuqia ) dhe madhësia e tyre shtetërore, teritoriale ose gjeografike, për nga numri i banorëve, resursëve, potencialëve, fuqisë ose kapacitetëve të përgjithshme ushtarake ( luftarake), politike, materiale, industriale, teknologjike, ekonomike dhe të tjera, për nga modelët, sistemët, konceptët ose rregullimet e ndryshme shtetërore, nacionale dhe politike, për nga zhvillimi, mentaliteti, edukata, kultura, emancipimi dhe traditat e ndryshme shtetërore, nacionale, politike, historike, fetare, kulturore, ideologjike dhe të ngjashme. Ndërkohë që në planetën tonë sot supozohet se jetojnë dikund afro mbi 8 miliardë njerëz racash, ngjyrash, gjihësh, gjinishë , profilesh dhe përkatësishë të ndryshme shtetërore, nacionale, etnike, fetare, kulturore, historike , gjeografike etj. Përderisa në kuader të Organizatës së Kombëve të Bashkuara (OKB-së ) sot ndodhën të regjistruara dhe anëtarësuara 195 shtete të pavarura dhe sovrane në të cilat të drejtat dhe liritë e tyre globale ose universale i gëzojnë dhe realizojnë me tepër se 1OOO popuj dhe komunitete të ndryshme nacionale ose etnike anëkënd globit. Aty janë edhe me tepër se 2OOO organizata të ndryshme botëre ose ndërkombëtare së bashku me dhjetëra- mijëra shoqata, grupe, shoqëri dhe kompani të ndryshme multinacionale, humanitare ( karitative) ose kosmopolitike në të mirën e përgjithshme të njerëzve dhe popujve të ndryshëm gjithandej rruzullit tonë tokësor.

Se këndejmi, diversifikimi (diversiteti), universalizimi (universaliteti), globalizimi (globaliteti) dhe multilateralizimi (multilateraliteti) i marëdhëniëve dhe raportëve të sotme botërore ose ndërkombëtare, në një masë tepër të madhe do t´u shkojnë për shtati bashkëpunimëve, koperimëve, aleancave, konvërgjencave, fuzionimëve dhe transaksionëve të ndryshme kontinentale ose interkontinentale në kontekstin e njohur global ose universal. Kjo mu për faktin se në kushtët ose rrethanat e sotme moderne ose bashkohore të “tregut global” dhe një ekonomie të përgjithshme globale ose universale në nivel botëror ose planetar: Ekonomia e tregut në radhë të parë i përfshijnë dhe nënkuptonë mekanizmat dhe instrumentët e njohura infrastrukturale, konjukturale, manufakturale dhe të tjera të tregtisë së jashtme së bashku me atributët, prioritetët dhe favorët ose benificionet e njohura monetare, sociale, industriale dhe ekonomike të tregut global të vlerave dhe kapitalit të përgjithshëm botëror ose ndërkombëtar. Në retrospektivë: Sipas Kartës (Deklaratës) Universale të OKB-së të firmosur me 25 prill, përkatësisht, me 26 qershor të vitit 1945 në San Francisko të SHBA-së dhe Rezolutës së njohur të Këshillit të Sigurimit të OKB-se (Nr. 1815) të kodifikuar dhe ratifikuar me 18 dhjetor të vitit 1962 , si dhe në bazë të një sërë konventash dhe rezolutash të tjera botërore ose ndërkombëtare mbi të drejtat dhe liritë e njohura globale ose universale të njerëzve, popujve dhe vendëve të ndryshme gjithandej globit tonë tokësor: Pavarësia, sovraniteti dhe integriteti i garantuar shtetëror dhe nacional , koekzistenca paqësore, liritë, të drejtat dhe barazitë e njohura shtetërore dhe nacionale së bashku me njohjen dhe respektimin e ndërsjellë ose reciprok të lirisë, pavarësisë, integritetit dhe sovranitetit të lartëpërmendur shtetëror, nacional, teritorial dhe politik në mes vendëve dhe popujve të ndryshëm kudo në botë: Paraqesin si të thuash rrënjët, themelët ose fundamentët(bazamentët) kryesore ose substanciale të shtetëve dhe shoqërive të pavarura, sovrane, integrale, qytetare dhe demokratike kudo në botë. Duke i përfshirë dhe nënkuptuar këtu edhe disajnin ,arkitekturën, strukturën ose infrastrukturën e njohur institucionale dhe konstitucionale së bashku me edukatën, kulturën, arsimin, profesionalizmin, etikën, estetikën, rezonansën, kohezionin dhe performansën e njohur shtetërore dhe institucionale të cilat së bashku me korin e njohur politik dhe diplomatik, paraqesin degët ose segmentët (shtyllat) me të rëndësishme ose kryesore në kontekstin e njohur konjuktural ose konjuktivë të politikës së jashtme dhe diplomacisë. Aty i kemi edhe të drejtat dhe liritë e garantuara individuale ose kolektive së bashku me spontanitetin ,subjektivitetin, objektivitetin, individualitetin, ekskluzivitetin, reflektimët e ndryshme objektive dhe subjektive, intimitetin, dinjitetin, imunitetin, sovranitetin dhe integritetin e garantuar politik dhe juridik të lidershipit të njohur shtetëror, nacional dhe politik të një shtetit të pavarur dhe sovran që paraqesin çelësin ose formulën kryesore të edukatës, kulturës dhe një demokracie të zhvilluar, të pavarur (sovrane), integrale, parlamentare ose pluraliste.
Në këtë frymë të njohur parlamentare dhe demokratike, rrethi(qarku) i mendimëve dhe opinionëve të lira qytetare dhe demokratike së bashku me pluralizmin e njohur politik, dialogun, mirëkutimin, tolerancën, edukatën, kulturën, kompromisin dhe konsenzusin e njohur shtetëror, nacional ose nacional, ndodhën në funksion të paqës sociale dhe politike. Respektivisht, koekzistencës paqësore, bashkëjetesës dhe një harmonie të gjithëmbarshme shoqërore ose qytetare të shtetëve dhe shoqërive të përparuara parlamentare dhe domkratike gjithandej globit tonë tokësor.
Në këtë sfond duhet veçuar peshën e madhe dhe rëndësinë e posaçme të partive ose subjektëve të ndryshme parlamentare dhe politike në jetën e përgjithshme shtetërore ose institucionale të shtetëve dhe shoqërive të përparuara (qytetare), parlamentare dhe demojratike. Kjo sidomos në ngritjen, konstituimin, konsolidimin dhe afirmimin e vazhdueshëm dhe permanent të pluralizmit të njohur politik dhe demokratik, në miratimin dhe respektimin e ligjëve të njohura kushtetuese dhe juridike në kuadrin e njohur të shtetit ligjor, sovran, integral dhe demokratik. Në ngritjen, konsolidimin, afirmimin dhe avansimin e vazhdueshëm ose permanent të vlerave, parimëve dhe principëve të larta të kauzalitetit shtetëror, nacional dhe politik në sfondin e lirisë, pavarësisë, integritetit dhe sovranitetit të njohur shtetëror, nacional dhe politik dhe kështu me radhë.

Rrëzimi i Kullave Binjake – 11 shtator 2001 – Nga GANI MEHMETAJ

Rrëzimi i Kullave Binjake më dukej si në filmat e tmerrit. Një ngjarje e papritur, e thekshme që të lë pa frymë e s’di si ta shpjegosh. Kur më dolën pamjet fillestare të goditjes së aeroplanit në rrokaqiellin e parë, m’u duk si në montazhet e kurdisura të filmave. Nuk doja ta besoja as kur aeroplani e goditi kullën e dytë binjake.

Kisha parë shumë filma për fundin botës, kisha parë filma edhe për katastrofat e ndryshme të Kullave binjake, mirëpo asnjë ngjarje tjetër nuk ma dha fundin e  botës sikur pamjet e para vizuale të goditjes së rrokaqiellit të parë, fillimi i djegieve,  klithmat e njerëzve pas disa minutash, fillimi i rrënimit. Nuk dija si t’i shpjegoja këto pamje makabre, nuk më vinte në mendje asnjë sqarim- kush e bëri dhe pse e bëri. Këto pamje përmes ekranit të televizorit vinin gati surreale, ndërsa ishin aq reale, kishin një pse edhe një kush.

Shikoja i habitur në ekran, pa asnjë njëri afër, i vetëm në zyrë. Rrija si statuja e shtangur. Vazhdoja të shikoja pamjet, i heshtur e i tronditur. Sa do të doja t’i komentoja me dikë, por kur të duhen miqtë nuk i ke afër. Përpiqesha ta vija në lëvizje trurin, por asgjë nuk më vinte nëpër mend.

Amerika ishte simboli i forcës së pathyeshme, vendi ku nuk mund të ndodhnin ngjarje të tilla të paparashikuara. Pamjet në shikim të parë ishin më të forta sesa transmetimet e fillimit të luftës. Fillimin e bombardimeve në Kosovë e ndoqa natën nga ekrani. Hidhej një raketë me kamerë në majë të kokës së predhës, pastaj afrohej në pikiato caku dhe shpërthente depoja e goditur. E  dija kush, kundër kujt po luftonte, i dija pasojat, por shpresoja që së shpejti kësaj drame do t’i vinte fundi i lumtur si në filmat e Hollivudit.

I ndoqa ngjarjet dramatike në Shqipëri, atëherë kur u shkërmoq tragjikisht shteti shqiptar. Mbaja në mend kur njerëzit dilnin në rrugë, bërtisnin, shkrehnin breshëri plumbash, këndonin këngë morbide dhe vazhdonin rrugës, të çmendur, pa u ndalur askund, derisa e dogjën shtetin.

 Kësaj radhe sikletin më të madh e vuaja, sepse nuk ia gjeja dot  burimin së keqes, nuk e dija kush qëndronte prapa. Ashtu i shtangur shihja bardh para ekranit, në një pozicion gjysmë kruspull. Dikur rrëmbimthi u ngrita në këmbë, e lashë ekranin e hapur e dola në rrugë. Më kapi një frikë e pashpjegueshme se po vinte fundi ynë, aq shumë e kishim lidhur fatin tonë me këtë shtet të fuqishëm, saqë m’u krijua bindja se kur mund t’ia bëjnë një gjë të tillë Amerikës, po neve çfarë mund të na bënin?  Më mbërtheu makthi se do të ndërhynin në Kosovë për të gjitha fyerjet që ia kishte bërë Amerika e Perëndimi Serbisë e Rusisë. Nuk e shpjegoja dot kush mund të qëndronte pas këtij krimi: terroristët serbë të sponsorizuar nga rusët? Apo të dytë së bashku?

U futa në kafenenë e parë, ku po ashtu televizori jepte të njëjtat pamje. Njerëzit ia kishin gapërruar sytë televizorit, asnjëri nuk e ktheu kokën të më shihte, gjë që në këto kafene të vogla ishte diçka e pazakonshme. Kamerieri nuk erdhi fare të më pyeste çfarë doja, megjithëse isha klient i rregullt i kësaj kafeneje. Ndenja pak, u mata t’i pyesja: O, burra, a e dini kush e bëri këtë hata, porse si më vinte turp, ata prisnin që unë t’i informoja, ndërsa unë kërkoja ndihmë nga ata. Nisa ta qartësoja zërin e komentatorit në ekran, kolegut tim të “Rilindjes”, Avni Spahiu. Më erdhi pak fryma në vend, të paktën e kapja një pjesë të informacionit. Nga nervat e acaruar s’pata durim të dëgjoja fjalët e tij sqaruese, me informacionet e nevojshme, sepse edhe ai më bëhej tepër i shqetësuar, sa unë.

Dola rrëmbimthi nga kafeneja, për të vazhduar tutje. S’di pse i thirra të gjithë njerëzit e mi me telefon, sikur doja t’i pyesja: A jeni mirë? Ata nuk më ndihmonin asgjë, ishin të shqetësuar e të hutuar sikurse unë, më pyesnin në vend të më tregonin ndonjë gjë.  Ndërkaq, pyetja banale: A jeni mirë në këtë situatë? qe tejet e pavend. Të ne nuk bëhej luftë, nuk kishte shpërthime, por më mbeti nga lufta, kur thërrisja të afërmit, ndërsa pyetjen e parë që ua shtroja ishte: A jeni mirë?

Me asnjërin nuk arrita të komunikoja si duhet, sepse secili prej tyre më pyeste: E shikon televizorin? Çfarë po ndodh? Çfarë t’u thosha? Për herë të parë nuk dija asnjërit t’i jepja informacionin e duhur. E ndieja frikën e tyre.

Po ta gjunjëzonin Amerikën, si do të bëhej halli ynë? Me shkrepi pa dashje kjo pyetje, e cila duket gjatë gjithë kohës më sillej nëpër mend, por vetëm tash i dhashë kahe konkrete, asaj që s’doja ta pranoja. Më dolën para sysh imazhet se si do të futeshin trupat serbe në Kosovë, sesi do të nisnin inkursioni e hakmarrja, sesi do të masakronin popullatën, ndërsa ne s’do të dinim nga t’ia mbathnim.
Një ftohtësi e akullt ma mbërtheu zemrën. Nuk i jepja rrugëdalje vetes, ndërsa kisha qenë më i hapur ndaj vetes edhe në situatat  më kritike, gjithnjë e gjeja një ngushëllim se do të bëhet mirë, do të kalojë kjo krizë.

Nuk e di kush ma tha në telefon, ato që mua më silleshin gjithë kohën në mendje: Serbia e bëri këtë hata. “Mos fol marrëzira!” – ia ktheva i mllefosur. “Ata janë të çmendur, kanë urrejtje të pafre kundër Amerikës, por nuk i kanë mundësitë as nuk janë aq budallenj. Ata nuk futen në situata pa qenë të sigurt që do të shpëtojnë, përpiqesha ta bindja se e kishte gabim.

“Atëherë i kanë futur në lojë arabët budallenj”, përpiqej të më bindte zëri nga celulari. Ti e di sesa mirë i ka punët Serbia me arabët. Kanë bërë aleancë dhe ia kanë krisur Amerikës”, vazhdonte të mos hiqte dorë nga teoria e tij e konspiracionit ndërkombëtar.  E shkëputa lidhjen, kinse nuk po e dëgjoja mirë.

Ndërrova dy-tri kafene, u stabilizova në kinemanë ABC, ku porosita një kafe dhe nisa ta çmbështillja fillin e kësaj tragjedie, e cila e goditi Nju-Jorkun, e preku Uashingtonin, madje Pentagonin, duke e alarmuar botën si uragan i papërballueshëm.

Gati gjithë ditën nuk ia shqita sytë televizorit. Dhe nuk më jepej të bisedoja me askënd. Pamjet përsëriteshin, shtoheshin informacionet, shpalohej tragjedia e tregoheshin viktimat. Në vend të mllefosesha edhe më me numrin e të vrarëve pas goditjes së dy aeroplanëve vetëvrasës, sesi nisa të shkarkohesha nga tensioni nervor. Tashmë e dija kush ishin armiqtë, cili qe qëllimi. Dhe ajo që më shkarkoi edhe më shumë, e dija se nuk po i vjen fundi botës, por para syve tanë u zhvillua një episod tragjik në historinë e re amerikane, episod të cilin ata ditën ta menaxhonin si duhet. U qetësova edhe më, kur e binda veten se Amerika nuk humbi asgjë nga forca e saj mbrojtëse.

NJË ZË NAZI-FASHIST ANTI-SHQIPTAR NGA QENDRA E EVROPËS – Nga Frank Shkreli

Media të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare njoftojnë se në Beograd arrijti për një vizitë dy-ditëshe, presidenti i, Republikës së Çekisë, Milosh Zeman, ku u prit nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.  Pa zbritur ende në tokën serbe, udhëheqsi çek nuk mund të priste që të shprehte dashurinë e tij për Serbinë dhe urrejtjen shekullore fashiste të disa elementëve evropianë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, duke u shprehur se atij i pëlqente shumë Serbia dhe nuk i pëlqente aspak Kosova.  (Unë besoj se përkthimi i vërtetë I deklaratës së tij duhet të ishte: “Unë dashuroj pa masë Serbinë dhe poplin serb, por urrejë për vdekje Kosovën)   Këto komente kundër Kosovës dhe shqiptarëve, pasi në Kosovë shumica është shqiptare, Zemani i përforcoi pak më vonë gjatë një takimi me Vuçiqin, me një deklaratë tjetër kundër pavarësisë së Kosovës duke shtuar se me të këthyer në Pragë, ai do të japë urdhër që për një muaj të shqyrtohet mundësia se çfarë mund të bëhet në lidhje me tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Republika çeke.   Deklarata e Zemanit pra nuk ishte një “gafë diplomatike” për të cilën ai njihet mirë në vendin e tij dhe në qarqet ndërkombëtare, por është një shprehje e menduar mirë dhe me paramendim, prej tij.

 

Fjalët e Zemanit duhet të kenë tingëlluar si një muzikë e preferuar dhe e këndshme në veshët e Vuçiqit dhe të ish-bashkpuntorëve të tjerë të kriminelit të luftës në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi, Millosheviqit — nëpër korridoret e diplomacisë serbe, ku si gjithmonë ashtu edhe sot, përpilohen politikat më anti-shqiptare serbe në takime me përfaqsues evropianë e rusë, të tipit Zeman.  Mirë e ka thënë dikurë At Gjergj Fishta i ngratë, për të cilin fatkeqsisht, urrejtja komuniste ndaj tij vazhdon ende në trojet shqiptare, trashëgimi kjo e pashlyer e historisë komuniste të Enver Hoxhës.  Ai nuk gëzon as sot respektin e merituar të Tiranës dhe as të Prishtinën zyrtare, e jo më të Beogradit dhe të përfaquesve të Evropës dhe këlyshve të Rusisë, si Aleksandër Vuqiç dhe Millosh Zeman.  Ashtu si në kohën kur i ka shkruar këto rreshta At Gjergj Fishta, disa elementë të politikës evropiane edhe sot mbrojnë gjithnjë interesat e klyshëve të Rusisë, në kurriz të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve:

 

                                  Uh! Evropë, ti kurva e motit!

                                  Që i re mohit, besës së Zotit!

                                  Po, á ky asht sheji i qytetnisë?

                                  Me da tokën e Shqypnisë,

                                  Për me mbajt klyshtë e Rusisë?

 

Fatbardhësisht – megjithë zhurmën që shkaktoi deklarata që bëri në Beograd presidenti çek –Zemani dhe Vuçiqi nuk kanë kompetenca që të tërheqin njohjen zyrtare diplomatike të Republikës së Kosovës nga ana e Republikës e Çekisë.   Janë ente të tjera qeveritare në Pragë që vendosin një gjë të tillë, gjë nuk pritet të ndodhi, pasi kam besimin se në Pragë ka ende njerëz që janë të influencuar nga politikat pro-shqiptare euro-atlantike, të dy ish-udhëheqësve çekë të njohur, pro-shqiptarë: ish-Presidentit Vaclav Havel, simbolit të lirës dhe të drejtave të njeriut në botë dhe ish-Sekretares Amerikane të Shtetit Madeline Albright, mbështetses së fortë të Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve.   Kontributet e tyre në mbështetje të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi, janë të njohura, tanimë.  Në raste të tilla si kjo deklarata e Zemanit kundër Kosovës , duhet të na kujtojë se edhe sot,  30-vjetë pas shembjes së komunizmit dhe 20-vjetë nga ndërhyrja e NATO-s për çlirimin e Kosovës nga forcat kriminele serbe – ekziston nevoja për të kujtuar kontributin e miqëve tanë me origjinë çeke: Vaclav Havel dhe Madeline Albright. Deklarata e papërgjegjshme e presidentit Zeman në Beograd na tregon edhe njëherë se bota nuk është kurrë e sigurt, se të drejtat dhe liritë njerëzore janë gjithmonë në rrezik nga individë në detyra të larta si Zeman e Vuçiq.

 

Mendojmë se mori fund komunizmi, mori fund lufta në Kosovë e tani jemi në rregull.   Asgjë nuk është e garantuar në këtë botë.  Por ajo që mund të bëjnë shqiptarët në trojet e veta, është që të zgjedhin personat që do të mbrojnë – mbi të gjitha – interesat kombëtare – liritë dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve, brenda kufijve të dy shteteve shqiptare dhe anë e mbanë trojeve shqiptare në përgjithësi, si dhe përforcimin e institucioneve demokratike në vend, në rrugën eventuale drejtë integrimeve të plota euro-atlantike.  Tjetër rrugë nuk ka për shqiptarët!

 

Si reagim i menjëhershëm ndaj deklaratave të Zemanit në Beograd, u takon enteve më të larta të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë që të bashkrendojnë një përgjigje të fortë diplomatike ndaj këtyre deklaratave të pa përgjegjshme të Presidentit të Republikës së Çekisë gjatë vizitës së tij zyrtare në Beograd.  Si fillim, Ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës në Pragë të kërkojnë takime në Ministrinë e Jashtme të Çekisë për shpjegime në lidhje me deklaratën e papërgjegjshme të udhëheqsit çek në Serbi.  Të njëjtën të bëjnë ministritë e jashtme në Prishtinë e Tiranë, të ftojnë ambasadorët çekë atje dhe tu paraqesin protestën zyrtare të qeverive shqiptare.   Mos kini frikë! Çonju prej gjumi dhe mbroni interesat kombëtare!  .Eh, në duar të kujt ka mbetur fati i Kombit!

 

Ish-Presidenti Vaclav Havel, ndryshe nga Millosh Zemani i sotëm, ishte i mirë informuar për vuajtjet e shqiptarëve gjatë shekujve përfshirë periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës.   Ai ishte gjithashtu edhe një zë i shpresës për njerëzit e shtypur kudo, i cili aktivisht ka kritikuar politikën serbe të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë dhe ndryshe nga zemanët e kësaj bote, ka qenë mbështetës i vendosur i sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave kriminale të Serbisë për çlirimin e Kosovës.  “Edhe më parë kam mbrojt qëndrimin se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë sa më parë për të mbrojtur jetën e njerëzve nga arbitrariteti i shtetit”, ka thënë Vaclav Havel, në lidhje me sulmet ajrore të NATO-s kundër regjimit kriminel të Sllobodan Millosheviçit të Serbisë.

 

Unë për veten, preferoj të kujtoj trashëgiminë dhe miqësinë e politikës zyrtare çeke ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, të promovuar nga i ndjeri Vaclav Havel dhe jo qëndrimet aktuale të Millosh Zemanit, në mbështetje të kriminelëve të luftës në Kosovë, shumë prej të cilëve vazhdojnë të shërbejnë në detyra të larta të shtetit dhe të qeverisë serbe, disa prej të cilëve ishin bashkbisedues me presidentin Zeman, gjatë vizitës së tij në Beograd.

 

Pa marrë paraysh se çthonë dhe ç’mendojnë Vuçiqi dhe Zemani për pavarësinë e Kosovës, si pasojë e kësaj pavarësie, gjëndja sot në Ballkanin Perëndimor është shumë më e mirëdhe më e sigurt për paqën në Ballkanin Perendimor, se ç’ishte 20-30 vite më parë.  Por kjo situatë nuk ndodhi vetvetiu.  Ajo është zhvilluar falë — ndër të tjerë – kontributit të patriotit të madh të Republikës Çeke, Vaclav Havelit, i cili me zërin e tij moral, gjithë jetën kundërshtoi dhe luftoi diktaturën komuniste në vendin e tij dhe në mbarë botë, si dhe padrejtësitë dhe shkeljen e të drejtave të njeriut kudo që ndodhnin ato.   Është trashëgimia morale dhe veprimtaria e Çekut të Madh, Vaclav Havelit, që sipas Madeline Albright, “Ka treguar se një vend i vogël mund të ndryshojë shumë gjëra kur ka udhëheqsin e duhur me parime morale”.

 

Fatkeqsisht, në takimet e tija këto ditë me zyrtarët serbë në Beograd, presidenti aktual i Çekisë, Millosh Zeman me deklaratat e tija raciste anti-shqiptare dhe kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës, ndryshe nga Vaclav Havel, tregoi edhe njëherë (kjo nuk është hera e parë që ai shprehet në këtë mënyrë), se ai nuk ka asnjë parim moral, as si njeri, e si presidenti Çekisë, jo se jo!

 

Frank Shkreli

 

Gjatë vizitës së parë të Vaclav Havelit në Washington (Zëri i Amerikës) 1990

I ndjeri President i Çekisë dhe mik i Kosovës dhe i shqiptarëve, Vaclav Havel me Atifete Jahjaga

DI MAIO, MINISTRIA E JASHTME DHE GAFAT PËR T’U HARRUAR – Nga GIAN ANTONIO STELLA – E përktheu Eugjen Merlika

            Herkuli i vogël gjithënjë në këmbë, në shekull Luigi di Maio ia doli mbanë. I rrëzuar nga votimi në Abruzzo, në Sardegna, në Basilicata, në Piemonte dhe në Evropianet, në mes të gushtit dukej se kishte rënë nokaut një herë e përgjithmonë. Çfarë thua: si kukulla e Karoselit të vjetër, e veshur mirë e me kravatë si ai, ka dalë në shesh përsëri. Madje ka marrë ministrinë e Jashtëme. Urime. E sigurtë është se shkon në Farnesina mbasi ka unazuar një sërë shumë të gjatë rrëshqitjesh, kacafytjesh, gafash, shpërthimesh…. Për Zotin një gabim trashanik si ai që i shpëtoi mbi Amerikën e Jugut mund edhe të ndodhë. A e kujtoni? E kishte me Renzin të cilit i tha mjaft në facebook saqë bëri një kollotumbë të paharrueshme duke paditur Matteon e urryer se “kishte pushtuar me arrogancë gjënë publike si në kohët e Pinochet-it në Venezuelë”. Po si, u hodh përpjetë webi: ngatërron diktatorin kilian me ndonjë tjetër udhëheqës karaibas? Në Shangai, më 2018, shkoi më keq. Në dy mbledhje e quajti udhëheqësin kinez Xi Jinping kështu : “Ping”. Për t’u mbajtur mënd. Më pak zëmërdhemshur qenë izraelianët kur në petkun zyrtar të nënkryetarit të Dhomës së deputetëve, vizitoi me të besuarin Alessandro di Battista fshatin Bil’in, duke paditur qeverinë e Tel Aviv-it se i ndalonte delegacionit të tij të hynte në rripin e Gazës dhe u betua: “ “Atë që themi ne e bëjmë: nëse L5Y do të vijë në qeveri, do të njohim shtetin e Palestinës. Një nismë, për t’a thënë diplomatikisht, pak e nxituar.

I pajisur me një anglishte jo tamam në lartësinë e rolit të ri, por me një të folur të rrjedhëshme dhe tërheqëse (në Pomigliano d’Arco dikush e quan Giggi “gojëtari”) nuk duhet të ketë shumë probleme: Gianni De Michelis, i vendosur nga Bettino Craxi në Farnesina, u praktikua në gjuhën në dy muaj. Problemet mund t’i ketë më shumë për karakterin tymues, shpesh të treguar në këto vite, krejtësisht të papërfillshëm kundrejt kundërveprimeve të Vendeve të tjera. Siç ka ndodhur për ngulmimin me të cilin ka folur e stërfolur mbi daljen e Italisë nga euro, duke u shtyrë edhe dy vjet më parë, në dhjetorin 2017, katër muaj para votimeve që do të fitonte, të thonte në një intervistë televizive: “Nëse do të arrihej në referendum, të cilin e quaj si mjetin e fundit, është e qartë se un do të votonja për daljen sepse do të nënkuptonte se Evropa nuk na ka dëgjuar”. Për të mos folur për marrëdhëniet me “makinën evropiane”, të sulmuar në ballë të gjërë deri në majin 2018 duke bërë një front të përbashkët me Matteo Salvinin: “Ne kemi kundër eurokratët të zgjedhur nga kurkushi. Sigurisht qendra drejtuese ka frikë, i trembet ndryshimit. Lidhjet evropiane duhen rishikuar sepse n’Evropë luhet loja më e rëndësishme për të financuar të gjitha masat ekonomike që i japin të drejta shoqërore italianëve”. Sigurisht, mbas votës përcaktuese të dhënë nga Lëvizja në zgjedhjen e Ursula von der Leyen (në sajë të këshillës së Giuseppe Conte-s?) si kryetare e re e Komisionit evropian, është e mundëshme që Evropa të jetë më e gatëshme të hapë një fazë të re me drejtuesin e ri politik grilin. E të harrojë disa dalje të tij. Si ajo e vitit 2015 në dobi të Ukip-it të Nicholas Farage. Sigurisht ai mbulohej duke thënë se “do të jetë rrjeti ai që do të vendosë” se me kë do të rrijmë apo të mos rrijmë por ai ishte shumë i rrjeshtuar në krah të fanatikut më të madh të Brexit-it: “Do të jetë kryeministri i ardhshëm anglez e me të n’Evropë do të bëjmë një grup të përbashkët”.

Veç pasojave të “mosmarrëveshjeve”, t’i quajmë kështu, me amerikanët mbi mos pranimin e njohjes së Juan Guaidò si president i Venezuelës e më shumë mbi hapjen ndaj Kinës nëpërmjet memorandumit të vetmuar dhe veç mërive të vjetra me Angela Merkel (e mërzitur, duket nga zgjedhja italiane mbi Farnezinën), ministri i ri i jashtëm duhet të  qepë, mbi të gjitha, marrëdhëniet me Francën e Emmanuel Macron-it. Nuk do të jetë e lehtë. Jo vetëm Di Maio ishte lidhur së bashku me mikun e tij më të mirë, Matteo Salvinin, me armiken më të keqe të presidentit francez, pra Marine Le Pen, por ishte mburrur në dhjetor: “Jam krenar: kërkesat e francezëve në sheshe kundër Macron-it ne i kemi vënë në ligjin e bilancit”. Sikur të mos mjaftonte kjo, në janar kishte hedhur një thirrje të frymëzuar nga kryengritja në sheshet franceze: ”Jelek-verdhë mos u tërhiqni! Nga Italia jemi duke ndjekur betejën tuaj nga dita që jeni dukur për të parën herë, duke ngjyrosur me të verdhë rrugët….”. Pastaj kishte zbrazur gjithë armët kundër ministrit të Brëndshëm parizian Christophe Castaner. Pra i kishte dhënë jelek-verdhëve, për inat të kazanave të plehrave të përmbysur dhe vetrinave të prishura, patentën e të qënit demokratë të sinqertë: “E dijmë mirë se lëvizja e juaj është paqësore”.

Sikur të mos mjaftonte akoma, kishte dashur të takonte për t’i inkurajuar dy drejtues të lëvizjes përtejalpeve duke twituar: “Era e ndryshimeve ka kapërxyer Alpet!” Një e shtënë me të vërtetë e tepruar. Me një mea culpa përfundimtare para telekamerave të “Çfarë kohe bën” të Fabio Fazios: “Jo, nuk do t’i takonja më. Jam larguar prej tyre. Kur pashë se një pjesë e jelek-verdhëve donte të krijonte një listë shkova t’i takonja. Por zbuluam se kishin ide pak të dhunëshme dhe shkatërruese”. Na falni vonesën…. Çfarë do të bëjë tashti si drejtues i diplomacisë italiane? Kushedi…. Një gjë është e sigurtë: në rolin e tij tejet të brishtë, këshilla e parë i ngjet një fjale t’urtë të Venetos të dashur për alpinët: më parë se të flasësh hesht.

 

Corriere della sera, 5 shtator 2019            E përktheu Eugjen Merlika