VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Varrezë e improvizuar me çanta shkolle për fëmijët e vdekur në luftëra

By | September 10, 2019

Komentet

Amerika Jugore ka humbur 3 miliardë zogj nga viti 1970

Amerika Jugore ka humbur rreth 3 miliardë zogj nga viti 1970, kanë thënë shkencëtarët, të gjeturat e të cilëve flasin për një krizë të madhe ekologjike.

Në një artikull të publikuar në revistën Shkenca, ekspertët kanë thënë se numri i zogjve në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada ka rënë për 29 për qind në 50 vjetët e fundit.

“Shifra e zvogëlimit prej 3 miliardëve ka qenë shokuese për ne”, ka thënë Kenneth Rosenberg, shkencëtar në Universitetin Cornell dhe autori i kërkimit për zogjtë.

Shkencëtarë tjerë kanë thënë se ekzistenca e kafshëve është duke u rrezikuar për shkak të aktivitetit të njeriut.

Mirëpo zhdukja e tyre mund të ketë më pas ndikim të madh te njeriu për shkak të pasojave që mund të ketë ky fakt në ekosistem.

Trudeau kërkon falje për fotografinë me “fytyrë të zezë”

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau.

Një fotografi e siguruar nga revista amerikane Time Magazine tregon se kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, në një festë të shkollës, më 2001, e kishte lyer fytyrën me ngjyrë të zezë.

Temë e festës ishin “Netët arabe”.

Duke iu adresuar fotografisë, Trudeau tha se i vjen “thellësisht keq”.

“E marr përgjegjësinë për vendimin tim. Nuk është dashur ta bëj”.

“Nuk kam menduar se është raciste në atë kohë, por tash e kuptoj se është dhe më vjen keq”, tha Trudeau.

Kryeministri Trudeau po lufton për rizgjedhje më 21 tetor.

Rivali i tij, Andrew Scheer, udhëheqës i Partisë Konservatore, tha se Trudeau nuk është i përshtatshëm për të qeverisur vendin.

“Lyerja e fytyrës me të zezë është një akt i talljes dhe racizmit”, tha Scheer.

Këshilli Kombëtar i Myslimanëve Kanadezë e kritikoi po ashtu Trudeaun për fotografinë, duke thënë se ajo “i bën jehonë historisë së racizmit”.

Zgjedhjet në Izrael pa fitues të qartë

Anketat paszgjedhore në Izrael tregojnë se Kryeministri Benjamin Netanyahu nuk ka fituar vota të mjaftueshme për të formuar një koalicion shumice prej të paktën 61 vendesh në parlamentin me 120 vende. Të njëtat të dhëna nga anketat paszgjedhore tregojnë se as rivali i tij, ish shefi i ushtrisë izraelite Benny Gantz nuk ka fituar mjaftueshëm për të formuar një qeveri.

Zoti Netanyahu foli para një grupi të vogël mbështetësish të mërkurën në Tel Aviv, pak orë pas votimeve.

“Gjatë ditëve që vijnë do të vazhdojmë negociatat për të formuar një qeveri të fortë hebraike dhe të parandalojmë një qeveri të rrezikshme anti-zioniste.”

Të dhënat paraprake paszgjedhore tregojnë një avantazh të vogël të partisë “Blu dhe Bardhë” të kundërshtarit Benny Gantz përballë partisë “Likud” të zotit Netanyahu. Kjo do të dëmtonte shanset e këtij të fundit që të mbetet në postin e kryeministrit. Zoti Netanyahu tha se do të priste rezultatet zyrtare para se të merrte vendime.

Në krahun tjetër, zoti Gantz u tha mbështetësve se po synon të formojë një qeveri të popullit.

“Dua tu drejtohem të gjithëve. Duke filluar nga sot ne do të punojmë për të formuar një qeveri të gjerë uniteti që do të shprehë vullnetin e popullit dhe të shumicës së shoqërisë.”

Me daljen e rezultateve përfundimtare, Presidenti Reuven Rivlin do të zhvillojë konsultime me kryetarët e partive dhe do t’i kërkojë ose zotit Netanyahu ose zotit Gantz të formojë një qeveri. za

Policia tajlandeze kërkon nga universitetet të dhënat e studentëve myslimanë

Kryeministri i Tajlandës, Prayuth Chan-ocha. (Foto nga arkivi)

Kryeministri i Tajlandës po e mbron një vendim për të kërkuar informacione nga universitetet, për studentët që i përkasin minoritetit mysliman.

Masa ishte kritikuar si diskriminuese dhe joligjore.

Kryeministri, Prayuth Chan-ocha, tha se kërkesa e policisë ishte e nevojshme për të ndërtuar një bazë të dhënash të sigurisë kombëtare.

Ky vendim pason një seri shpërthimesh me bomba në Bangkok, në muajin gusht, për të cilat u fajësuan të dyshuarit myslimanë.

Një letër zyrtare e policisë, të cilën e shpërndau në internet, Angkhana Neelapaiji, ish-komisionere për të drejtat e njeriut, kërkonte nga një universitet të sigurojë informacione për numrat, vendin e origjinës, përkatësinë e sektit dhe detaje të tjera rreth grupeve studentore të organizuara nga myslimanët.

“Kjo është një ndërhyrje në të drejtat personale dhe një diskriminim i bazuar në fe”, tha Angkhana, duke shtuar se liria e fesë dhe e drejta e privatësisë ishin të garantuara me kushtetutë.

Por kryeministri tajlandez tha se “asnjë e drejtë nuk është shkelur, pasi autoritetet nuk mund të menaxhojnë më asgjë nëse nuk posedojnë të dhëna”.

Rreth 90 për qind e tajlandezëve janë budistë, megjithëse myslimanët janë shumicë në tri provincat jugore që kufizohen me Malajzinë.

India pretendon pjesën e Kashmirit të kontrolluar nga Pakistani

Foto nga Kashmiri

Ministri i Jashtëm i Indisë, Subrahmanyan Jaishankar, tha se pjesa e Kashmirit e kontrolluar nga Pakistani i përket Indisë dhe se ai pret që India, një ditë, të fitojë kontrollin fizik mbi të.

India administron Luginën e Kashmirit e cila është në masë të madhe e populluar, ndërkaq Pakistani kontrollon rajonin në perëndim, të cilin New Delhi e quan si Kashmiri i pushtuar nga Pakistani.

“Pozicioni ynë është, ka qenë dhe do të jetë gjithmonë i qartë. Ai rajon është pjesë e Indisë dhe ne presim një ditë që të kemi juridiksionin fizik mbi të”, tha ministri Jaishankar.

Më 5 gusht, India e revokoi autonominë e pjesës së administruar prej saj në Kashmir.

Në një fjalim, kryeministri i Indisë, Narendra Modi, tha se masa do të lejojë që Nju Delhi të heqë qafe rajonin e “terrorizmit dhe separatizmit”.

Pakistani tha se e “dënon me forcë” vendimin e Indisë.

Kashmiri pretendohet edhe nga India dhe nga Pakistani.

Të dyja vendet posedojnë armë bërthamore.

Netanyahu: Do të aneksoj të gjitha vendbanimet hebraike

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, tha se nëse i fiton zgjedhjet e së martës, do të aneksojë të gjitha vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor, megjithë protestat e udhëheqësve palestinezë.

Ai i bëri deklaratat nacionaliste të hënën, në klimën e një gare të ngushtë elektorale me rivalin kryesor, Benny Gantz.

Zoti Netanyahu i tha Radios së Ushtrisë Izraelite: “Synimi im është ta zgjeroj sovranitetin në të gjitha vendbanimet dhe blloqet e banimit”, duke përfshirë “objektet që kanë rëndësi sigurie ose janë të rëndësishme për trashëgiminë e Izraelit”.

Netanyahu është udhëheqësi më jetëgjatë në politikën izraelite. Ai po zhvillon betejën e tij më të ashpër për të fituar një mandat të pestë rekord për të qëndruar në pushtet edhe pse përballet me akuza të mundshme për korrupsion.

Në Izrael, këto janë zgjedhjet e dyta parlamentare në më pak se gjashtë muaj. Zoti Netanyahu nuk qe në gjendje të formonte një shumicë parlamentare për të krijuar qeverinë pas votimeve të prillit.

Sondazhet tregojnë se gara është tepër e ngushtë dhe e paparashikueshme mes partisë së djathtë Likud të Netanyahut dhe partisë së qendrës Blu dhe Bardhë të Gantzit për të fituar një shumicë në Knessetin me 120 anëtarë. Dhjetë parti mund të fitojnë vende në parlament.

Kjo mund të lejonte ish-ministrin e mbrojtjes Avigdor Lieberman, dikur aleat i Netanyahu, por tani rival, të marrë mandatin për krijimin e një qeverie koalicioni. Lieberman, kreu i partisë Izrael Beitenu, mund t’i dyfishojë vendet që ka në parlament, nga pesë në 10. Parrulla e tij e fushatës është “Ta bëjmë Izraelin përsëri normal”, një moto që synon të luftojë atë që ai thotë se është ndikim i padrejtë i partive ultra-ortodokse të Izraelit mbi jetën politike në vend.

Në kuadrin e zgjedhjeve, Netanyahu është përpjekur të forcojë mbështetjen e tij nacionaliste, duke patur edhe ndihmën e mikut të tij të vjetër, presidentit amerikan Donald Trump, i cili fundjavën e kaluar hodhi mundësinë e një pakti të ndërsjellë mbrojtjeje mes dy vendeve aleate.

Zoti Trump tha se një traktat i tillë “do ta forconte më tej aleancën e jashtëzakonshme midis dy vendeve tona”.

SHBA kanë edhe një lidhje tjetër me zgjedhjet izraelite. Administrata Trump pritet të shpallë planin e saj tashmë mjaft të vonuar për paqen izraelito-palestineze menjëherë pas zgjedhjeve. Në qershor, SHBA bënë të ditur një plan prej 50 miliardë dollarësh për të forcuar ekonominë palestineze, por as palestinezët dhe as izraelitët nuk morën pjesë në ceremoninë e njoftimit në Bahrein.

Zoti Netanyahu ka bërë disa premtime fushate në përpjekje për të bërë për vete votuesit nacionalistë. Ai deklaroi se do të aneksojë Luginën e Lumit Jordan, një zonë që palestinezët e konsiderojnë si tokë bujqësore kryesore për çdo shtet palestinez që mund të krijohet në të ardhmen. Në shenjë proteste, Autoriteti Palestinez mbajti të hënën një mbledhje kabineti në fshatin Fasayil të luginës, një ditë pasi kabineti izraelit zhvilloi një takim diku tjetër po në luginë.

Rusia dhe talebanët mbajnë bisedime në Moskë

Moskë

I dërguari special i Rusisë për Afganistan, Zamir Kabulov, sot zhvilloi bisedime me krerët e talebanëve afganë në Moskë, raporton Anadolu Agency (AA).

Delegacioni i talebanëve mbërriti në kryeqytetin rus disa ditë pasi SHBA papritmas hoqën dorë nga negociatat e paqes me grupin.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, më parë u shpreh se bisedimet e paqes me talebanët janë “të vdekura” pasi anuloi një takim të planifikuar me talebanët, në shenjë hakmarrjeje për sulmin e fundit në Kabul, në të cilin humbën jetën një duzinë njerëz, përfshirë edhe një anëtar të shërbimit amerikan.

“Delegacioni është në Moskë. Ne tashmë jemi takuar me të dërguarin presidencial rus për Afganistanin, Zamir Kabulov, për të diskutuar ngjarjet e fundit në lidhje me procesin e paqes afgane”, u tha gazetarëve zëdhënësi i talebanëve, Suhail Shaheen.

Rusia, megjithatë, shpresonte se bisedimet e paqes midis SHBA-ve dhe talebanëve janë të “pezulluara”, e jo “të vdekura”, pasi Moska e konsideron marrëveshjen mes SHBA-ve dhe talebanëve si një “hap të rëndësishëm” i cili do t’i hapte rrugën pajtimit kombëtar dhe zgjidhjen gjithëpërfshirëse të krizës afgane.

Kanadaja arreston një zyrtar të inteligjencës

Fotografi ilustruese.

Një zyrtar i lartë i inteligjencës është arrestuar në Kanada dhe është akuzuar se ka zbuluar informacione të klasifikuara ndal një entiteti të huaj, ende të paspecifikuar.

Cameron Jay Ortis, drejtor i përgjithshëm i njësisë së inteligjencës në Policinë Mbretërore të Kanadasë, doli para gjykatës për t’u përballur me akuzat.

Prokurorët thanë se Ortis po abuzohet për posedim, ruajtje dhe përpunim të informacionit të klasifikuar, me qëllim që këtë informacion ta ndajë me një entitet të huaj.

Media kanadeze, Globe and Mail raportoi se njëri prej rasteve të profilit që Ortis kishte punuar ishte hetimi lidhur me atë se nëse paratë e rastit të madh të korrupsionit rus – që fillimisht ishte zbuluar nga avokati Sergei Magnitsky – ishin dërguar në Kanada.

Bill Browder, kreu i Hermitage Capital, që kishte punësuar Magnitskyn, ka shkruar në Twitter se arrestimi i Ortis ishte lajm “i pabesueshëm”.

Magnitsky vdiq në një burg rus më 2009, pasi kaloi 11 muaj në paraburgim.

Ortis raportohet se në muajin gusht kishte mbikëqyrur rastin e mashtrimit prej 230 milionë dollarësh, që dyshohet se ishin marrë nga fondi i investimeve të Browder në Rusi.

Megjithatë, ende është e paqartë nëse arrestimi i tij ka lidhje me punën në rastin Magnitsky.

Mercedes Stephenson, kryeredaktorja e gazetës Global News, tha në rrjetet sociale se “Ortis kishte pasur qasje në këto informacione: identitetet e policëve kanadezë që punojnë në mënyrë sekrete dhe po ashtu identitetet e agjentëve kanadezë që punojnë brenda dhe jashtë vendit”.

“Ka shqetësime serioze lidhur me atë nëse identiteti i këtyre persona është kompromentuar”, shkroi ajo.

Sipas mediave në Kanada, inteligjenca amerikane kishte njoftuar Otavën se Ortis po ofronte informacione të klasifikuara.

Nëse ai dënohet për akuzat që e rëndojnë, mund të dënohet deri me 37 vjet burgim.

Presidenti i Filipineve fton qytetarët të qëllojnë me armë çdo pushtetar të korruptuar

Presidenti i Filipinës Rodrigo Duterte ftoi qytetarët të qëllojnë me armë çdo pushtetar të korruptuar

Presidenti gjithashtu i bëri thirrje Filipinasve të rrahin zyrtarët e korruptuar që hasin, raporton Manilla Bulletin, me gjithë pasojat e mundshme shkatërruese për ligjin dhe rendin.

“Nëse paguani një taksë, një tarifë ose merrni një certifikatë, dhe zyrtarët kërkojnë ryshfet, goditni ata. Nëse keni armë, mund t’i qëlloni, por mos i vrisni, sepse gjatë procedurave nuk mund të merrni falje, “tha presidenti.

Ai shtoi se ata që e bëjnë këtë nuk do të dërgohen në burg, por vetëm do të ndëshkohen rëndë fizikisht.

Rebelët huthi, sulm në rafinerinë e naftës në Arabinë Saudite

Dronë që thuhet se janë drejtuar nga rebelët huthi të Jemenit, sulmuan objektin më të madh në botë për përpunimin e naftës në Arabinë Saudite dhe një fushë të madhe nafte të kompanisë Aramco të shtunën në mëngjes, duke shkaktuar një zjarr të madh në një nga rafineritë më të rëndësishëm për furnizimet globale me naftë.

Nuk është e qartë nëse kishte ndonjë viktimë në sulmet në fushat e naftës Buqyaq dhe Khurais, apo çfarë efekti do të ketë ky sulm në prodhimin e naftës në mbretëri.

Videot në internet, siç duket, të xhiruara në Buqyaq përfshijnë zhurmën e armëve në sfond.

Tymi dhe flakët mund të shiheshin nga larg në objektin Abqaiq të përpunimit të naftës.

Ministria e brendshme saudite tha përmes një deklarate se zjarret filluan pasi objektet ishin “në shënjestër të droneve. Agjensia Shtetërore saudite e Shtypit tha se po kryet një hetim lidhur me sulmin.

Kompania Saudi Aramco e përshkruan objektin e tij të përpunimit të naftës Abqaiq në Buqyaq si “impiantin më të madh të naftës së papërpunuar në botë”.

Objekti përpunon naftën dhe më pas e transporton atë në pikat e transportit në Gjirin Persik dhe Detin e Kuq. Llogaritet se ky impiant mund të përpunojë deri në 7 milion fuçi naftë në ditë.

Kina, tjetër gjest i vullnetit të mirë në tregtinë me SHBA

Kina bëri të enjten një tjetër gjest të vullnetit të mirë në mosmarrëveshjen tregtare me Shtetet e Bashkuara, duke njoftuar se po shihte mundësinë për të blerë mallra bujqësore amerikane.

Zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë Kineze Gao Feng tha se Kina i mirëpret gjestet e vullnetit të mirë nga ana e administratës Trump, dhe se Kina shpreson që dy palët do të vazhdojnë të krijojnë kushte të favorshme për negociatat tregtare.

Të enjten, Kina njoftoi se po shihte mundësinë për të blerë mallra bujqësore nga SHBA, si mishi i derrit dhe soja.

Presidenti Donald Trump thotë se ai po e shtyn vendosjen e tarifave prej 250 miliardë dollarësh ndaj mallrave kineze si një “gjest i vullnetit të mirë”. Ai thotë se Kina e kërkoi shtyrjen me rastin e 1 tetorit, 70 vjetorit të ditës kombëtare.

Rritja e tarifave nga 25 në 30 për qind duhet të hynte në fuqi ditën e parë të tetorit, ndërsa tani është shtyrë për më 15 tetor.

Njoftimi i Presidentit Trump vjen pas deklaratës së bërë nga Kina të mërkurën, se do të përjashtojë një pjesë të vogël të produkteve amerikane nga raundi tjetër i sanksioneve të vendosura prej saj që duhet të hynin në fuqi më 17 shtator.

“Mendoj se ata bënë gjënë e duhur, mendoj se ishte mirë për ta, ata i hoqën. Po, mendoj se ishte një gjest. Ishte një hap i madh, njerëzit u habitën. Unë për vete nuk u habita. Por mua më takon të merrem me ta. Unë i njoh dhe më pëlqejnë ata; pra shpresoj se mund të bëjmë diçka”, tha Presidenti amerikan Donald Trump.

Bisedimet tregtare të cilat pritet të hapen muajin tjetër në Uashington janë të parat midis dy vendeve që nga korriku.

Presidenti Trump ka akuzuar prej kohësh Kinën për vjedhje të pronës intelektuale dhe manipulimin e monedhës, për t’i bërë produktet e saj më të lira se produktet amerikane në tregun botëror.

Kina thotë se politikat tregtare amerikane kanë për qëllim të dobësojnë aftësinë e saj për të konkurruar. za

Facebook pezullon faqen e Netanjahut për shkak të gjuhës së urrejtjes

Facebook-u njoftoi se ka pezulluar faqen e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu për shkak të shkeljes të politikës së kompanisë që lidhet me përdorimin e gjuhës së urrejtjes.

Facebook-u njoftoi të enjten se rrjeti social e ka pezulluar faqen për 24 orë.

Nëpërmjet faqes së kryeministrit izraelit u bëhej thirrje votuesve të parandalonin krijimin e një qeverie të përbërë sikurse thuhej: ”nga arabë që duan të na shkatërrojnë të gjithëve, gra, fëmijë dhe burra”. Postimi shkaktoi zemërimin e politikanëve të opozitës.

Zoti Netanjahu e mohoi të ishte ai autor i postimit gjatë një interviste për radion izraelite “Kan Reshet Bet”. Ai tha se bëhej fjalë për një gabim nga një përfaqësues i stafit të tij dhe se postimi ishte hequr.

Kryeministri izraelit Netanjahu po lufton për mbijetesën e tij politike në pritje të zgjedhjeve që mbahen javën e ardhshme. Ai po ushqen votuesit nacionalistë me gjuhë të fortë dhe premtime të një linje të ashpër. za