VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Varhelyi flet për vizat dhe idenë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë

By | May 7, 2020

Komentet

Baton Haxhiu: Vendimi i Gjykatës është i pakthyeshëm, Vetëvendosje e pafuqishme për revoltë

Analisti Baton Haxhiu, duke folur në emisionin “Real Story” në “News 24” në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që vendosi që deputetët mund të zgjedhin qeverinë, tha se ky është një vendim i pakthyeshëm.

Haxhiu u shpreh se Albin Kurti nuk mund të kërcënojë me dhunim të institucioneve të shtetit.

“GJK është nën presionin e partive dhe ka qenë vazhdimisht. Kosova është ngjitur në standarde demokratike për shkak të Gjykatës Kushtetuese. GJK ka dhënë vendime në tërësi të mira, historikisht. GJK ka marrë në dorë 4000 faqe të bisedave. Vendimi ka qenë i qartë për këtë ceshtje. Faji për rrëzimin e kësaj qeverie i takon vetem Albin Kurtit.

Rruga e opozitarizmit nuk iu ka qëndruar mirë në lëkurën e tyre. GJK ka marrë vendim i pakthyeshëm, gabim do ishte nëse Albin Kurti dhunon institucionet. Në krah Kurti nuk e ka Haradinajn dhe Fatmir Limajn, duke mos pasur fuqi protestuese. Fuqinë e ka pasur për shkak të këtyre dy figurave të UCK. Duke qenë se këta dy figura të UCK janë brenda qeverisë, prandaj nuk ka fuqi”, tha Haxhiu.

Baton Haxhiu u shpreh më tej se beson se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka më sot fuqinë e duhur, pasi është dobësuar në krahasim me vitet më herët.

“Zgjedhjet janë ato që përcaktojnë fituesin. Por procedura ndonjëherë është më e vlefshme sesa zgjedhjet. Zoti Thaci njëherë e një kohë ka hequr dorë dhe u bë ministër i Jashtëm, kurse la Isa Mustafën kryeministër. Unë mendoj se VV është sot fuqia e pafuqishme. Nuk ka më fuqi. Revolta nuk ka nisur nga VV, por fitorja ka ardhur për shkak të pakënaqësisë së popullit. Vetëvendosje nuk ka më shumë se 12 përqind votues. Simpantizantët e VV kanë shpresuar që LDK do të respektohej, por panë tjetër fytyrë”, u shpreh Haxhiu.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës: Deputetët vendosin për qeverinë e re

Nuk ka zgjedhje të reja për Albin Kurtin. Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur mbrëmë me votë unanime që vendi të mos shkojë në zgjedhje të reja pas mocionit të mosbesimit, por t’i hapet rrugë krijimit të qeverisë së re. Gjykatësit kanë marrë vendim edhe sa i përket afatit që ka mandatari për krijimin e qeverisë, por pro kësaj kanë votuar 7 gjykatës, 2 kanë dalë kundër.

Presidenti Thaçi mandatoi më 30 prill Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për të formuar një qeveri të re dhe Lëvizja Vetëvendosje kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë kushtetutshmërinë e veprimit të presidentit. Të gjitha partitë politike përveç Vetëvendosjes kanë kërkuar formimin e një qeverie të re ndërsa kanë theksuar se do të pranojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje kërkon që vendi të shkojë sërish në zgjedhje dhe kryetari i kësaj partie. Ndërkohë Albin Kurti tha se kjo parti do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Para vendimit të Kushtetueses, anëtarë të VV-së organizuan pasditen e sotme në sheshet qendrore të Prishtinë një, siç thanë ata, provë proteste, duke kërkuar zgjedhje të reja.

Kurti- Thaçit: President helaq, sa herë godasim korrupsionin, filloni Amelika, Amelika, Gleneli, Gleneli

KOSOVA

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka sulmuar Presidentin Thaçi lidhur me qëndrimet e këtij të fundit për dialogun dhe SHBA.
Kurti thotë se sa herë i preket korrupsioni, nis dhe përmend Amerikën e Grenellin ndërkohë që ushtrojnë trysni mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese për të hedhur poshtë kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje.
STATUSI NGA ALBIN KURTI
Regjimi i vjetër po shpurdh nëpër studiot televizive. Ata refuzojnë ta kuptojnë se koha e tyre ka mbaruar. Po orvaten të rikthehen, përmes trysnisë mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Sa herë që ne ua godasim korrupsionin, ata piskasin “Amelika, Amelika! Gleneli, Gleneli!”. Duan ta dëmtojnë imazhin e ShBA-ve në Kosovë, ta keqpërdorin atë si strehë për ultësinë e tyre.

Një popull nuk iu nënshtrua një njeriu. Dhe, e bëri ndryshimin me 6 tetor. As qeveria në detyrë nuk i nënshtrohet këtij Presidenti helaq.

Ditët në vijim përcaktojnë dekadën e tretë të shekullit XXI. Në cilën anë je ti?

Vendimi i Kushtetueses: Për dikë pakënaqësi, për të tjerët festë

Arton Konushevci

Vetëm edhe një ditë ka mbetur kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se do të sjellë aktgjykimin në lidhje me dekretin e presidentit, Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për pozitën e kryeministrit të Kosovës.

Kjo çështje për disa javë ka qenë një nga temat më të përfolura në Kosovë.

Gjatë kësaj kohe, ka pasur edhe përplasje fjalësh, akuza e kundërakuza ndërmjet presidenti Hashim Thaçi, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Përplasjet mes Thaçit dhe Kurtit kanë pasur të bëjnë se kush ka të drejtë të formojë qeverinë e re pas mocionit të mocionit të mosbesimit, të votuar suksesshëm ndaj Qeverisë Kurti më 25 mars, në Kuvendin e Kosovës.

Analisti Agron Bajrami, kryeredaktor i gazetës “Koha Ditore”, tha për Radion Evropa e Lirë, se cilido që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, dikush nga palët do të dalë i pakënaqur.

“Tani na mbetet të shohim se si do të përpiqet Gjykata Kushtetuese të gjejë rrugëdalje nga kjo situatë, mirëpo unë nuk pres që vendimi do të zgjidhë problemin esencial që ka të bëjë me një krizë politike të zgjatur e të stërzgjatur, e cila fatkeqësisht edhe përmes zgjedhjeve nuk ka arritur të zgjidhet dhe nuk shoh ndonjë mënyrë se si një vendim i Gjykatës Kushtetuese do ta mbyllë këtë krizë, tashmë disavjeçare”, tha Bajrami.

Analisti politik Imer Mushkolaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të jetë i balancuar, por nuk mund t’i kënaqë të gjitha palët.

“Kushtetuesja duhet të veprojë me integritet e profesionalizëm, pavarësisht pritjeve që i kanë partitë politike. Vendimi i gjykatës duhet të respektohet, edhe pse nuk mund të jenë të kënaqur të gjithë. Kur bëhet fjalë për vendim të balancuar të gjykatës, mund të ndodhë që dekreti për mandatarin të shpallet antikushtetues, e ndërkohe t’i caktohet afat partisë se parë për të dërguar emrin e mandatarit te ri”, tha Mushkolaj.

Gjykata mund ta shtyjë marrjen e vendimit

Thaçi pretendon se e drejta i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe partive të saj partnere, pasi që Vetëvendosje nuk i ishte përgjigjur atij në kërkesën për të prezantuar mandatarin e ri për formimin e qeverisë.

Kurse, Kurti pretendon se qeverinë mund ta formojë vetëm partia që i ka fituar zgjedhjet dhe se në rastin konkret, kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Edhe analisti tjetër politik, Blerim Vela, tha për Radion Evropa e Lirë, se vendimi i gjykatës nuk mund t’i kënaqë të gjitha palët.

“Duke pasur parasysh pozicionin [qëndrimet] e palëve politike, është pak e vështirë që cilido aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese do t’i kënaqë palët. Në aspektin teknik ndoshta gjykata do të deklarojë se dekreti është antikushtetues për vet faktin se partia e parë shprehimisht nuk e ka refuzuar mandatin, por duhet të hapë rrugën për krijimin e një qeveri të re, pra nuk do të mbështet kërkesën kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje që është shpërndarja e kuvendit. Në këtë drejtim, do të jetë një vendim që besoj nuk do t’i kënaqë të gjitha palët, njëra palë do ta ndjejë veten fituese”, tha Vela.

Vela mendon se aktgjykimi i Gjykata Kushtetues, kurdo që do të publikohet, në një afat të shpejt nuk do ta zgjidhë krizën politike. Ai mendon po ashtu se gjykata mund të shtyjë afatin e saj për të publikuar aktvendimin.

“Gjykata në këtë rast ende nuk ka vendosur se a do te ketë seancë dëgjimore dhe ky mund të jetë një indikatorët që ndoshta edhe vendimi nuk do të shpallet brenda këtij afat i të parë, që është paraparë masën e përkohshme deri më 29 maj. Ka gjasa që ndoshta gjykatës i duhet edhe pak kohë deri sa të bëjë arsyeshmërinë e saj ligjore për vendimin që do të marrë”, tha Vela.

Pas votimit të mocionit të mosbesimit në Kuvendin e Kosovës, më 25 mars, presidenti Hashim Thaçi kishte nisur konsultimet me partitë politike për formimin e qeverisë së re.

Gjatë periudhës nga data 2 deri më 22 prill, Thaçi i kishte dërguar pesë letra kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që si lider i partisë fituese të zgjedhjeve (Lëvizjes Vetëvendosje), të propozonte mandatarin për formimin e qeverisë së re.

Marrë parasysh që Kurti i kishte kthyer atij letrat, por jo edhe emrin e kandidatit për kryeministër, Thaçi kishte ardhur deri te konkludimi se Vetëvendosje nuk e kishte shfrytëzuar të drejtën kushtetuese dhe kishte vendosur që këtë të drejtë t’ia bartë partisë së dytë, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në këtë frymë, më 30 prill, Thaçi dekretoi kandidatin e LDK-së, Avdullah Hotin për pozitën e kryeministrit të Kosovës.

Të njëjtën ditë, Vetëvendosje dërgoi lëndën në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se Thaçi kishte shkelur Kushtetutën.

Një ditë më vonë, më 1 maj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi masë të përkohshme, duke pezulluar deri në një vendim të plotë dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin nga LDK, për kryeministër.

A do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese?

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se do ta respektojë në tërësi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, kjo parti ka thënë se është e vendosur në përputhshmëri të plotë me normën kushtetuese, të krijojë qeverinë e re.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deri tani nuk është përgjigjur direkt në atë se a do ta respektojë vendimi e gjykatës, por është deklaruar se pret nga Gjykata Kushtetuese që të bëjë interpretimin e Kushtetutës dhe jo, siç ka thënë ai, shkrimin e saj.

Gjykata Kushtetuese gjatë këtyre ditëve është përballur edhe me presione nga politika, për të cilën gjë edhe ka reaguar.

Gjykata ka dënuar ashpër, atë që e ka konsideruar ndërhyrje në pavarësinë e saj, teksa ka përmendur se po ndjek me shqetësim “diskursin politik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga presidenti dhe kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike”.

“Gjykata Kushtetuese dënon po aq ashpër edhe përfoljen e gjyqtarëve individualë, si persona që kanë autorizime apo përgjegjësi vendimmarrëse individuale në këtë çështje”, është thënë në reagimin e kësaj gjykate.

Gjykata Kushtetuese nuk besohet se do të sjellë ndonjë vlerësim apo zgjidhje që nuk janë të shkruara apo parapara në Kushtetutë, ngase kjo do të nënkuptonte rishkrimin e Kushtetutës.

Pritja apo opsioni i parë, është që Kushtetuesja të japë vetëm interpretimin kushtetues se si përcaktohet identifikimi i mandatarit duke identifikuar partinë fituese dhe rastin si veprohet pas mocionit të mosbesimit.

Një interpretim i ngjashëm, ishte dhënë edhe në vitin 2014, mbi bazën e të cilit ishte përcaktuar se kush mund të formojë qeverinë (të paktën në rrethin e parë) dhe cila konsiderohet partia apo koalicioni fitues i zgjedhjeve, që çdo herë vjen në shprehje së pari kur është në pyetje formimi i qeverisë, pavarësisht nëse ndërkohë është formuar një shumicë e re parlamentare.

Nuk digjet shteti për pushtet! – Nga Florim Zeqa

 

Shkrimin e sotëm do e filloj me një rrëfim interesant, se si dy fëmijë të moshës 3-4 vjeçare duke lozur në shtëpi, me të dëgjuar në radio këngën “Qysh e don shoqnija, flakë le të kallet shpija”, për pak i kishin vënë flakën shtëpisë! Në momentin kur fëmijët grumbullit me letra filluan t’i vënë flakën, hyn brenda e zonja shtëpisë, çfarë ini duke bërë ashtu!? Të dytë njëzëri përgjigjen; “Po ai në radio na tha mi kallë shpinë”!

Fëmijët arsyetohen edhe në raste të tilla, por të rriturit dhe të moshuarit që dëgjojnë “këngë” të tilla nga politikanët e papërgjegjshëm nuk duhet t’i vënë flakën shtëpisë, por duhet ta mbrojnë shtëpinë nga flakëvënja.

Paralajmërimi i protestave nga Lëvizja Vetëvendosje për ditën e Enjtë 28 Maj 2020, është një ogurë i keq për Kosovën.

Sikurse vënja e masave të ndalimit të levizjes shkaku i pandemisë, ashtu edhe heqja e tyre në të gjitha vendet e rajonit dhe më gjërë, janë aplikuar në fillim të javës, ndërsa tek ne në mes të javës!

Ky është tregues i mjaftueshëm se diçka këtu nuk është në rregull! Ne, ose jemi me të mençurit ose më krisurit e rruzullit tokësorë.

Nga këtu shihet qartë se heqja e masave kufizuese për qytetarët e vendit tonë në mes të javës nuk ka të bëjë fare me virusin “Corona”, por me virusin politik.

Edhe protestat duhet të kenë kuptimin e vet e jo të protestohet për gjithçka dhe për asgjë.

Protesta një ditë para vendimit të organit më të lartë gjyqësor të vendit, do të thotë presion i pastër politik para gjyqësorit, kurse protesta pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të thotë mosrespektim dhe mospërfillje e vendimit të organit të pavarur juridik dhe gardianit më besnik të kushtetutës së vendit.

Parashtruesi i kërkesës në kushtetuese, LVV duke ngulë këmbë në të drejtën e saj për ta çuar vendin në zgjedhje në kundërshtim me aktet juridike, me protestën e saj para verdiktit final të Gjykatës Kushtetuese, paraprakisht po e mohon kushtetuesen dhe ekzistencën e shtetit në përgjithësi.
Meqë e kemi një kushtetutë, duhet ta kemi vetëm një zgjidhje ligjore, e jo dy e tri zgjidhje si produkt i presioneve apo ndikimeve partiake.

Mosrespektimi i vendimeve të organeve shtetërore përveqse abuzim, paraqet mohim të shtetit në veten e parë. Veprimet e pamatura dhe anarkiste mund të çojnë në rrënim dhe flakëvënje të shtetit.

Shteti i Kosovës nuk është pronë e politikanëve dhe as e partive politike, por është pronë e të gjithë qytetarëve të vendit. Meqë është kështu, nuk duhet rrezikuar shtetin për egot e sëmura të liderëve partiak, por duhet mbrojtur me të gjitha mjetet demokratike dhe juridike.

Sikurse vendimin e Kuvendit të Kosovës së 25 Marsit 2020, si organ më i lartë ligjvënës në vend, ashtu edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese si organ më i lartë juridik dhe gardian i Kushtetutës duhet të respektohet nga të gjithë.

Përderisa e njëjta gjykatë, që ka rrëzuar dy president dhe është respektuar nga të njëjtit në mënyrë të civilizuar (Fatmir Sejdiu dhe Behxhet Pacolli), pse të mos respektohet vendimi i saj nga një kryeministër i shkarkuar ligjërisht dhe me shumicë të votave në parlament!?

Pse u dashka të mbrohet me aq ngulm vullneti i 26 % të votave të qytetarëve kundrejt vullnetit të 84 përfaqësuesve të popullit në Kuvend!?

Në momentin që i është drejtuar kushtetueses, LVV-ja dhe lideri i saj, Albin Kurti duhet të tregohen të përgjgjshëm në respektimin e vendimit të saj, ashtu siq i rekomandoj Komisioni i Venedikut, në të kundërtën mbajnë përgjegjësi historike për rrezikim të shtetit.

Kontestimi i Gjykatës Kushtetuese për jo profesionalizëm dhe anshmëri si dhe kërkesa drejtuar Komisionit të Venedikut (Commissione di Venezia) lidhur me kompetencat e Presidentit të Kosovës sa i përket mandatarit dhe shpërndarjes së Kuvendit pas mocionit të suksesshëm të mos-besimit, ishin shprehje e mosbesimit të Albin Kurtit ndaj Gjykatës Kushtetuese institucioneve të shtetit në përgjithësi!

Përderisa Komisioni i Venedikut e shprehu besimin dhe mbështetjen e plotë për Gjykatën Kushtetuese dhe profesionalizmin e saj, mos respektimi i vendimeve të kushtetueses nga cilido subjekt apo lider i yni partiak paraqet paradoks, shqetësim dhe rrezik të madh për të ardhmen e shtetit.

Nuk duhet lejuar të digjet shtëpija për mosmarrëvshje mes anëtarëve të familjes dhe as të digjet shteti për inate personale dhe ego për pushtet të liderëve partiak.
Janë 1001 arsye për të protestuar në Kosovë, por jo për kauza pushteti të liderëve partiak.

NJË VENDIM I DREJTË I GJYKATËS KUSHTETUESE DO TA SHPETONTE VENDIN – Nga Binak MAXHARRAJ

 

Data 29.5.2020,konsiderohet një ndër datat me te rëndësishme për vendin në këto vitet e fudnit,sepse një vendim i drejtë i sajë i bazuar(jo ne lojra politike)por decitivishtë i bazuar në kushtetutë do ta shpetonte vendin,
nga ngerçi politik,do te sillte një kurs tjetër politikë në jetën politike te vendit,Do ti sillte shumë te mira vendit,sepse

1.Nga ky vendim i drejtë i gjykates kushtetuese,i bazuar ne kushtetutë,do ta detyronte Presidentin e Kosovës Hashim Thaçin të jepte doreheqëje si shkelës i kushtetutës duke i mandatuar joligjerisht Avdullah Hotin për kryeministër.Dobia do te ishte e shumë fishët,sepse do te dorëheqej nga Presidenca njeriu i cili për vite i solli te këqija dhe e mbeshtolli jeten pilitike ne atë masë sa qe ajo gadi të paralizohet,por edhe duke sjellë imazh te keq për Kosovën në arënën ndërkombëtare,

2.Një vendim i drejtë i gjykatës kushtetuese do ta çonte vendin ne zgjedhjet e reja që në një garë ferë midis partive do te fitonte ajo parti për te cilën populli mendon se është më e mira e cila është në funksion të tijë dhe jo të interesave të oligarkive,kriminelve dhe të korruptuarve,dhe

3.Ajo së çfarë është,poashtu shumë e rëndësishme,një vendim i drejtë i gjykatës kushtetuese,do ta pengonte ndarjën e Kosovës,coptimin e saj,më çrast do ta mbronte integritetin dhe sovranitetin e vendit qe parashihet edhe më kushtetutë.Përndryshe,çdo kushë duhet ta dijë se nese gjykata kushtetuese nuk e parandalonë këtë vedi shumë shpejtë do te coptohet,janë gadi planet,hartat,skicat,te cilat janë në tavolinat e qeverive te medha të cilat si te tilla nuk po demantohën haptasi,pos nga ajo gjermane.

Shkëlzen Gashi i reagon Hashim Thaçit: S’kam thënë asnjëherë që UÇK ishte terroriste

Shkelzen Gashi, ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, i është përgjigjur presidentit Hashim Thaçi, i cili dje në një intervistë tha se Gashi e ka quajtur UÇK’në terroriste. Ish-këshilltari i Kurtit thotë se kjo nuk është e vërtetë.  

Gashi kujton se Presidenti Thaci përmendet 26 herë në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty, i cili nga ngritur dyshime se gjatë luftës në Kosovë janë trafikuar organe. Gashi thotë se Thaci asnjëherë nuk e paditi Martyn, edhe pse kur kishte dalë raporti, në vitin 2011, ishte zotuar se do ta padiste senatorin zviceran.

Ish-këshilltari i Kurtit, përmend edhe Gjergj Dedajn, për të cilin thotë se Thaci e ka emëruar gjithmonë në pozita shtetërore, pas akuzave që Dedaj ia ka bërë Thacit se e ka torturuar gjatë luftës.

“Pra, Hashim Thaçi nuk e paditi Dick Marty-n, e themeloi Gjykatën Speciale, e emëroi, e dekoroi dhe e dekretoi Gjergj Dedajn. Me të gjitha këto, ai i pranoi akuzat se ka bërë shkelje të rregullave të së drejtës humanitare ndërkombëtare”, ka shkruar Gashi.

Shkrimi i plotë:

Hashim Thaçi, Dick Marty, Gjergj Dedaj dhe Gjykata Speciale

Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi, mbrëmë në emisionin Debat Plus të TV Dukagjinit deklaroi se «…këshilltari i Kryeministrit të Kosovës e ka quajtur UÇK-në terroriste dhe ushtarët e UÇK-së kriminelë». Nuk kam deklaruar asnjëherë se UÇK-ja ishte terroriste, e as se ushtarët e UÇK-së ishin kriminelë. Përkundrazi. E përsëris deklaratën time: «Pjesëtarë / individë nga radhët e UÇK-së, madje me pozita të larta, sipas raporteve të organizatave prestigjioze ndërkombëtare dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, kanë qenë të përfshirë në krime».

Natyrisht, lufta e UÇK-së ishte e drejtë, sepse ishte çlirimtare. A ka bërë UÇK-ja gabime? Sigurisht që ka bërë dhe për këto gabime duhet të diskutojmë. Ta zëmë, gabimi i saj i parë dhe kryesor ishte që ka pranuar ta ketë drejtor politik Hashim Thaçin.

Presidenti Thaçi në intervistën e mbrëmshme e përmendi Raportin e Dick Marty-t. Duhet thënë se në atë raport, Hashim Thaçi përmendet plot 26 herë. Pas publikimit të këtij raporti, z. Hashim Thaçi, atëherë Kryeministër i Kosovës, pati paralajmëruar se do ta padiste Dick Marty-n për shpifje. Kuptohet, lëre që nuk e paditi asnjëherë, por madje e themeloi Gjykatën Speciale mbi bazën e Raportit të Dick Marty-t.

Edhe diçka. Kryetari i Partisë Liberale të Kosovës, z. Gjergj Dedaj, e ka akuzuar publikisht Hashim Thaçin duke thënë se gjatë luftës në Kosovë e pati torturuar fizikisht atë dhe disa veprimtarë të LDK-së. Hashim Thaçi iu përgjigj këtyre akuzave duke e emëruar Gjergj Dedajn katër herë zëvendës-ministër: në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (2008); në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (2013); në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (2015) dhe së fundmi në Ministrinë e Punëve të Jashtme (2017). Më vonë, në vitin 2018, Presidenti Thaçi e dekoroi Dedajn me Medaljen Presidenciale në 10-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e më pas, po më 2018, e caktoi Ambasador të Jashtëzakonshëm Fuqiplotë në Shkup.

Pra, Hashim Thaçi nuk e paditi Dick Marty-n, e themeloi Gjykatën Speciale, e emëroi, e dekoroi dhe e dekretoi Gjergj Dedajn. Me të gjitha këto, ai i pranoi akuzat se ka bërë shkelje të rregullave të së drejtës humanitare ndërkombëtare.

Vetëvendosja përgatitet për protesta në Kosovë, nesër teston 5 mijë njerëz në shesh

Lëvizja Vetëvendosje e cila është partia qeverisëse por përgatitet për protesta pas përfundimit të pandemisë.

Nesër do të ketë një protestë provë në Prishtinë e cila është e dyta gjatë pandemisë dhe do të ketë deri në 5 mijë njerëz.

Vetëvendosja po largohet nga qeveria por kërkon zgjedhje të parakohshme por nga ana tjetër LDK- AAK- Nisma kanë lidhur një koalicion qeverisës pa qenë nevoja për zgjedhje,

“Në vazhdimësi gjatë kësaj kohe kemi pasur kërkesa e interesim të shumtë të qytetarëve për të protestuar në lidhje me zhvillimet në vend. Pas realizimit të suksesshëm të provës së parë nga qytetarë e aktivistë ne kemi menduar të realizojmë testin e dytë por në përmasa më të mëdha. Pra, kjo sigurisht se nuk është një protestë, por një performancë me 3500 deri në 5000 persona”, kanë thënë nga LVV’ja për Gazetën Express.

Rexhaj: Nëse Kushtetuesja merr vendim ndryshe nga ai i VLAN-it, Vetëvendosja s’do ta respektojë

Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Arbër Rexhaj është i bindur se vendimi për dekretin e presidentit duhet të jetë i njëjtë me atë që gjykata kishte marrë në kohën e LAN-it, përkatësisht VLAN-it, në vitin 2014.

“Një rast të tillë, pra të Gjykatës Kushtetuese, e kemi pasë në kohën e LAN-it përkatësisht VLAN-it pak më vonë kur Gjykata Kushtetuese pati thënë decidivisht që subjekti i parë – fitues relativ – e fiton Kryetarin e Kuvendit dhe ka të drejtë ta formojë qeverinë”.

“Ne si Lëvizje Vetëvendosje presim që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të vendosë në raport me atë se çfarë ka vendosur më parë – do të thotë që Lëvizja Vetëvendosje e ka të drejtën që ta bëjë qeverinë. Në ndërkohë, ne kemi insistuar në zgjedhje për shkak që kemi pasë mocion i cili e ka rrëzuar qeverinë. Në momentin kur një mocion e rrëzon qeverinë, atëherë vendi ynë duhet të shkojë në zgjedhje. Kemi shembuj kur presidenti e ka dërguar vendin menjëherë në zgjedhje”, ka thënë Rexhaj, në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Ne presim që Gjykata Kushtetuese ta rithotë fjalën e vet të cilën e ka thënë në kohën e VLAN-it, pra ta thotë vendimin e vet jo në favor tonin, por atë që e ka thënë dhe është e pakthyeshme më”.

Ai ka insistuar që Gjykata Kushtetuese duhet ta rikonfirmojë vendimin që e kishte marrë në kohën e VLAN-it pasi, sipas tij, në të kundërtën bie në kundërshtim me veten.

“Në rastin e VLAN-it, Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur në favorin tonë. Atëbotë PDK-ja pati dalë e para në zgjedhje, derisa ne kishim krijuar një bllok. Gjykata Kushtetuese pati thënë që qeverinë duhet ta bëjë PDK-ja. LDK-ja me arsyetimin se Gjykata Kushtetuese e ka bllokuar vet këtë bllok shkoi në koalicion me PDK-në”.

“Kemi vendim që është i ngjashëm 100 për qind me këtë që e kemi. Çfarëdo vendimi tjetër i Gjykatës Kushtetuese bie në kundërshtim me vet vendimin e atëhershëm të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese do të duhej që ta ritheksonte vendimin”.

Ai ka thënë se presidenti Hashim Thaçi ka bërë shkelje kushtetuese kur ka konstatuar vet që Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta japë emrin e mandatarit për formimin e qeverisë.

“Presidenti [Hashim Thaçi] kur na dërgonte letra që t’ia dërgonim mandatarin sa më shpejt së pari kalonin nëpër media dhe më pas vinin te ne. Këto letra për mandatim të LDK-së nuk i kemi parë gjëkundi, sepse ka konsideruar se po të dalin në publik mund t’i dërgonim në Gjykatën Kushtetuese për ankesë”.

“Askund në Kushtetutën e Kosovës nuk përcaktohen afatet kushtetuese se kur Lëvizja Vetëvendosje e dërgon emrin e mandatarit te presidenti – si periudhë kohore. Në këtë rast presidenti nuk mund të paragjykojë dhe as të analizojë nëse Lëvizja Vetëvendosje e dërgon emrin ose jo. Ne kemi pasë përgjigje ndaj presidentit ku i kemi thënë që do të përgjigjemi me kohë, derisa ai kokë më vete ka konkluduar se ne nuk do t’ia dërgojmë emrin. Këtu e ka bërë shkeljen e parë kushtetuese”.

Por, a do ta pranojë Lëvizja Vetëvendosje vendimin e Gjykatës Kushtetuese nëse i njëjti është ndryshe nga vendimi i vitit 2014?

“Kushtetuta e përcakton veprimin e krijimit të qeverisë. Kushtetuta e Kosovës tashmë ka dhënë një vendim. Nëse Gjykata Kushtetuese del me një vendim tjetër, atëherë bie ndesh me vendimin e mëparshëm. Atëbotë, ne e patëm pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese edhe pse nuk ka qenë në interesin tonë politik… Ndërsa tash nëse Gjykata Kushtetuese merr një vendim tjetër me të cilin nuk e respekton as vendimin e vet, normalisht që Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta respektojë”, tha ai.

“Nuk do ta pranojë vendimin, sepse një vendim i tillë do të ishte shkelje e vet Kushtetutës. Është mendimi im personal, por besoj që kështu mendojnë edhe disa nga Lëvizja Vetëvendosje. Do të mbahet një mbledhje e Kryesisë dhe do të merret një vendim i qartë, por unë insistoj që të mos pranohet një vendim i Gjykatës Kushtetuese që bie ndesh me vendimet e veta”.

Në një rast të tillë hipotetik kur Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta respektonte vendimin e Kushtetueses, a do të krijonte një precedent të rrezikshëm mosrespektimi i institucionit më të lartë juridik në vend?

“Tash po krijohet një precedent tjetër. Fituesi i zgjedhjeve nuk konsiderohet më ai i cili duhet ta formojë qeverinë, pra mund ta formojë qeverinë i pesti, i treti, i shtati, por jo i pari”, tha Rexhaj.

Zëdhënësi Kryeziu sqaron qëndrimin e Qeverisë Kurti ndaj asosacionit të komunave serbe

Qeveria në detyrë e konsideron të zhvleftësuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ani pse ky mekanizëm përmendet në Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2020-2024. Zyra e Kryeministrit këtë e bazon në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 23 dhjetor 2015.

Pjesë e obligimeve të MSA-së është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, përfshirë zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, respektimi i parimeve të bashkëpunimit rajonal dhe bashkëpunimi efektiv me misionin e Politikës së Jashtme, Sigurisë dhe Mbrojtjes. Sa i përket pikës që i referohet Asociacionit, thuhet se do të veprohet në përputhje me aktin më të lartë juridik dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se askund në këtë dokument nuk kanë paraparë ndonjë masë afatshkurtër ose prioritet afatmesëm që parasheh çfarëdo veprimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, shkruan KOHA.

Ai ka cituar pjesën e Programit ku thuhet se, “është thelbësore që Kosova të vazhdojë zbatimin në mirëbesim të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

“Në dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë një aktgjykim lidhur me Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Qeveria e Kosovës gjithnjë do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, është paragrafi vijues të cilin e ka përmendur Kryeziu në përgjigje.

“Pra, përmendet Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, nr. KO 130/15, i publikuar më 23 dhjetor 2015, i cili praktikisht e ka zhvlerësuar projektin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo nënkupton se meqë përmendet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, kjo tregon se qëndrimi i Qeverisë është se ne kemi vullnetin politik t’i zbatojmë të gjitha marrëveshjet, përfshirë këtë, në mirëbesim dhe në përputhje me Kushtetutën dhe rendin juridik. Më tej, askund në këtë dokument nuk kemi paraparë ndonjë masë afatshkurtër ose prioritet afatmesëm që parasheh çfarëdo veprimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Kryeziu për KOHËN.

“Në këtë kontekst, siç është evidente në Programin e Qeverisë – i cili në faqe 42 parasheh si në vijim: ‘Rishikim i plotë i marrëveshjeve të arritura deri më tani, me qëllim të analizimit të shkallës së zbatimit të tyre nga ana e Serbisë dhe, në bashkëpunim me BE-në, të shtrohen këto çështje në tavolinën e dialogut’ – dhe nga deklarime të vazhdueshme publike të kryeministrit Kurti lidhur me këto marrëveshje, Qeveria nuk do të marrë ndonjë vendim ose ndërmarrë ndonjë veprim para përfundimit të një rishikimi të tillë. Çfarëdo vendimesh e veprimesh eventuale që do të merren pas këtij rishikimi në çdo rast do të jenë vetëm në përputhje të plotë me frymën dhe përmbajtjen e Kushtetutës dhe rendin juridik të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.

Por edhe pse Gjykata Kushtetuese pati konstatuar shkelje në të shtatë kapitujt e marrëveshjes, ajo nuk e ka rrëzuar atë duke thënë se shkeljet duhet të evitohen me rastin e draftimit të statutit. Për Kushtetuesen vazhdon të vlejë marrëveshja e 19 prillit të vitit 2013, e cila në gjashtë pikat e saj flet për themelimin e Asociacionit.

Produktet nga Serbia rikthehen në tregun e Kosovës

Nadie Ahmeti

Produktet e prodhuara në Serbi janë rikthyer në tregun e Kosovës, që kur Qeveria në detyrë e Kosovës ka zëvendësuar taksën 100 për qind për produktet serbe, me masat reciproke më 1 prill të këtij viti.

Sipas Doganës së Kosovës, nga 1 prilli deri më datë 25 maj nga Serbia në Kosovë kanë hyrë mallra në vlerë 29 milionë euro, kryesisht produkte ushqimore dhe grurë.

Gjatë muajit prill, sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, importi i mallrave nga Serbia në Kosovë ka arritur në vlerën mbi 15 milionë euro përderisa në periudhën e njëjtë të vitit 2019, kur ka qenë në fuqi taksa 100 për qind, vlera e mallrave serbe në Kosovë ishte 637 mijë euro.

Nga Kosova në Serbi në muajin prill janë eksportuar mallra në vlerë prej 1.1 milion euro.

Një ndër kompanitë që ka filluar importin e disa produkteve nga Serbia është kompania tregtare “Elkos Group”. Kushtrim Mujaj menaxher i importit në këtë kompani, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thekson se kanë importuar sasi të vogël të produkteve, kryesisht ato produkte që kanë çmim më të ulët, sesa në vendet e Bashkimit Evropian.

“Ka disa lehtësira për disa kategori që të furnizohemi prej Serbisë me çmime më të lira, sesa jemi furnizuar deri tash nga shtetet e tjera. Një nga produktet që në tregun e Serbisë është më i lirë, është vaji i produkteve ushqimore. Disa lloje që kemi importuar më herët, kemi filluar importin gradual të tyre në sasi të vogël”, tha Mujaj.

Stavileci: Reciprociteti po zbatohet në tërësi

Qeveria në detyrë e Kosovës e ka zëvendësuar taksën prej 100 për qind për produktet nga Serbia, të vendosur nga qeveria e kaluar në nëntor të vitit 2018, duke futur gradualisht masat reciproke.

Masa e parë e tillë ka të bëjë me emërtimin e Kosovës në dokumente që duhet të përputhen me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Këto dokumente janë si certifikata fitosanitare dhe veterinare dhe dokumente të tjera ndihmëse për ushqim dhe produkte të tjera me origjinë bimore, joshtazore dhe shtazore, që janë objekt i kontrollit kufitar.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se nga 1 prilli –kur është shfuqizuar taksa dhe është vendos reciprociteti –e deri më tani, vlera e mallrave nga Serbia ka arritur në 29 milionë euro. Shumica e këtyre produkteve janë nga industria ushqimore, konkretisht gruri.

Të gjitha dërgesat nga Serbia vijnë më dokumentacion që i përmbahet vendimit të Qeverisë në detyrë të Kosovës për reciprocitet.

“Në fillim kemi pasur disa problematika, por me kalimin e kohës të gjitha dërgesat që vijnë nga Serbia, janë komplet në rregull. Deri më tani nuk kemi hasur asnjë dokument i cili nuk i përmbahet vendimit për reciprocitet të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha Stavileci.

Eliminimi barrierave, në interes të bizneseve

Edhe ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se eliminimi i barrierave me vendet e rajonit është në interes të komunitetit të biznesit. Safet Gërxhaliu, ish-kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se shifrat e shkëmbimeve tregtare me Serbinë kanë tejkaluar pritjet dhe njëherësh është tregues sa ka vështirësuar taksa tregtinë e lirë në mes këtyre dy shteteve.

“Barrierat nuk i bëjnë nderë proceseve integruese dhe partneritetit të vendeve të rajonit. Është koha kur më tepër të bëhet garë për të eliminuar barrierat, për t’i zhbërë ato. Me heqjen e asaj takse është një frymëmarrje tjetër e bizneseve të Kosovës, ku kemi të rritje të shkëmbimeve tregtare dhe importit të mallrave nga Kosova në Serbi. Prandaj, në këtë drejtim duhet të mësohemi nga e tërë kjo që dialogu nuk ka alternativë, që definitivisht eliminimi i barrierave në interes të biznesit duhet të jetë gjithmonë në funksion dhe nuk fitohet nga populizmi”, thotë Gërxhaliu.

Më 1 prill, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka hequr taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, derisa masën ndaj mallrave serbe e ka zëvendësuar me reciprocitet.

Taksa 100 për qind ishte vënë nga qeveria e kaluar në nëntor të vitit 2018.

Që nga ajo kohë është pezulluar dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel.

Shtetet e Bashkuara e kanë kundërshtuar vendimin për të zëvendësuar taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe me masa reciprociteti.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë se Kosova “duhet t’i heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja, sepse këto politika janë në dëm të qytetarëve të Kosovës dhe janë duke e bllokuar ekonominë e Kosovës”.

Intervistë me Jusuf Buxhovin 6 vjet më parë

Jusuf Buxhovi: Qeveria Thaçi ka humbur legjitimitetin,këtu kemi dyshimin e madh se e kemi këtë qeveri mafioze, pse kështu deshën të huajt

 

 

Jusuf Buxhovi, një emër i madh në aradhen e figurave më të spikatura në historinë moderne të këtij gjysmëshekulli, krahas Ibrahim Rugovës e Fehmi Aganit, të cilët i dredhuan letërsisë për një kauzë të madhe si vazhdon të mbetet në sendërtimin e paqes, në një rrugëtim që nis prej çlirimit e deri tek shteti ligjor.

Pas çlirimit të Kosovës, Jusuf Buxhovi duket sikur i ka dredhuar politikës, ndërkohë mospërfshirjen në politikën aktive ai e ka plotësuar me një angazhim të jashtëzakonshëm për të demonstruar permes shkrimit identitetin evropian të shqiptarëve. Për të rrënjosur atë që është synuar të çrrënjoset, rrënjët e shqiptarëve, produkt i së cilës ishte edhe lufta e Kosovës, si e fundit pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Vepra e tij  historiografike në tri vëllime “Kosova” ështe një Monument, që mund të kishte ardhur si rrjedhojë e punës të Akademisë të Kosovës a asaj  të Shqipërisë, o të dyjave sëbashku, ndërsa Jusuf Buxhovi e ka arritur vetë. Shoqëruar nga një sukses i jashtëzakonshëm i publikut shqiptar në trevat shqiptare dhe diasporë. “Kosova” e Jusuf Buxhovit është ribotuar disa here, kështu edhe romani i tij më i ri “Jeniçeri i fundit”.

Pikërisht në kohën më të zezë të krizës për librin shqiptar, ku shitjet janë minimale, librat e Jusuf Buxhovit arrijnë kuotat më të larta të shitjeve si bestseller. Ai ka pohuar të kundërtën e  Ivo Andriçit. Si një të vërtetë qetësuese, e cila është ilaç në kohën e integrimeve për të gjithë, kur Ballkani thuhet se e ka humbur konotacionin e dikurshëm si “FuçiBaruti”, ndërsa keqqeverisjet shqiptare iu ngjajnë fuçive të barutit.

Shitja e veprës tregon se ai gëzon një besim të padiskutueshëm tek publiku shqiptar, i cili, nëse Jusuf Buxhovi do të përfshihej në politikë, do t’i shndërrohej në votëbesim.

Unë si gazetare e kam ftuar ashtu si Ismail kadarenë, edhe Jusuf Buxhovin të përfshihet në politikë, sepse përfshirja e tij do të gjeneronte katarsis dhe do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm për të mirën e Kosovës dhe lexuesit të tij.

Bashkë me pyetjet për intervistë, katër syresh, pasi përgjigjeve që dha të cilat do t’i lexoni pak më poshtë, i dërgova këtë shënim:

“I nderuari Profesor,  ju falënderoj shumë. Ju jeni emri i vetëm në Kosovë i padiskutueshëm për ato që shprehni dhe që shkruani. Nga kjo rrjedh suksesi juaj, të cilin e garantoni me personalitetin që keni. Njerëzit e dinë edhe kur ju ende e keni veprën në laborator, pa e publikuar, se ajo që keni shkruar e po thoni përmes shkrimit, është padiskutueshmërisht me vlerë. Pra lexuesi ju beson, sepse këtë besim ju e keni ushqyer. Prandaj angazhimi juaj në politikë është shumë i rëndësishëm, jo për ju, por për Kosovën dhe shqiptarët.

Shqiptarët kudo që jetojnë janë të etur të dëgjojnë të vërtetën ku ndodhemi dhe si dalim prej kësaj baltovine. Mos u shqetësoni kurrë prej zagarëve. Kaloni në rivistë se çfarë i kanë bërë Rugovës, Kadaresë, Nënë Terezës dhe Skënderbeut. Sulmet e zagarëve merrini si sport dhe angazhohuni. Kurrë nuk jeni vonë. Tani gjithsesi koha duket më fatlume, sepse ka të paktën 15 vjet dështime në qeverisje. Ne ju duam shumë dhe vlerësimet tona janë të padiskutushme, deri në qiell. Presim të takohemi, këtu apo atje. Shumë të fala Zonjës, fëmijëve, mbesës dhe nipave – Gjinit të vogël, që e dini se ju ngjan fort. Shumë të fala prej nesh, me përqafime, Elida“

Më poshtë vjen intervista.

Në secilin vend demokratik personat e apostrofuar nga drejtësia së paku do të heshtnin – tek ne, ngjet që edhe nga burgjet jo vetëm që drejtohet shteti,  por edhe bizneset, dhe madje edhe fushatat zgjedhore!

Elida Buçpapaj: Përfaqësuesi i CDU në Bundestagun gjerman Michael Brand ka dalë deklaritivisht hapur kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë. „Deri tani – tha ai përpara Parlamentit – në Kosovë nuk kemi as stabilitet, as shtet ligjor, as struktura stabile shtetërore“. Në këto kushte, a ka të drejtë partia e Hashim Thaçit të pretendojë fitore të zgjedhjeve ?

JUSUF BUXHOVI: Edhe pa vlerësimet e qëlluara te zotit M. Brand, qeveria Thaçi qysh moti e ka humbur legjitimitetin qeverisës. Mjafton të shihet shkalla e korrupsionit, pastaj kriminaliteti dhe dukuri të tjera ku shteti zhvatet në të gjitha segmentet e tij, ndërkohë që qytetarët lokalë gjenden në një situatë kur shteti jo vetëm që nuk ua jep ato që ka për detyrë, por edhe ua merr edhe ato që kanë.

Pos këtyre është edhe çështja e krimeve të luftës dhe të tjera me të cilat ngarkohen shumica e bosëve të partisë së Thaçit, të cilët janë në qeveri dhe faktori ndërkombëtar (SHBA, Bashkimi Europian dhe NATO) përditë bëjnë me gisht kah ata.

Mjafton të shihet se si këto ditë fushata zgjedhore e kësaj partie përcillet po ashtu me një seri shkrimesh në “Kohën ditore” me plot e përplot akuza për krime të kryera gjatë dhe pas luftës nga pjesa më e madhe e liderëve të kësaj partie!

Në secilin vend demokratik personat e apostrofuar nga drejtësia, së paku do të heshtnin përderisa gjyqi ta thotë fjalën e fundit. Te ne, ngjet që edhe nga burgjet jo vetëm që drejtohet shteti, por edhe bizneset, dhe madje edhe fushatat zgjedhore!

Elida Buçpapaj: Po në Bundestagun gjerman, në debatin e organizuar për qeverinë e Prishtinës, u fol për „Mafien politike të Kosovës.“. Nisur nga fakti që Ministrja gjermane e Mbrojtjes nuk u takua me kryeministrin në ikje, çfarë do të thonë këto fakte ?

JUSUF BUXHOVI: Sa i përket “Mafias politike”, që zunë n‘gojë gjermanët, ata e dinë më mirë se ne se çfarë janë përmasat e saj, siç e dinë edhe amerikanët dhe të tjerët, të cilët, megjithatë nuk mund të bëjnë vetëm me gisht, siç po bëjnë tani, kur ata kanë përkrahur këto garnitura qeverisëse dhe shumë prej tyre i kanë përdorur dhe shfrytëzuar për të futur në dorë resurset e caktuara ekonomike të Kosovës (Telekomin e Kosovës, Elektroekonominë dhe resurset tjera).

Këtu tashmë ekziston dyshimi i madh, se ne kemi këtë qeverisje mafioze pse si të tillë e deshën të huajt, ku nuk mund të përjashtohen as gjermanët, që kanë të përzgjedhurit e tyre në këtë lëmsh kriminal, të cilët i futën në lojë qysh para luftës dhe veçmas gjatë saj, pasi përjashtuan intelektualët dhe idealistët që e donin shtetin e Kosovës të pastër dhe properëndimor.

Është për keqardhje kur dihet se Kosova si projekt  perëndimor euro-atlantik, që u vu nën protektoratin ndërkombëtar, instaloi një armatë të tërë mekanizmash ndërkombëtarë nga ata të sigurisë e deri te ekspertët dhe këshilltarët e shumtë, të cilët në vend se të punonin për këtë qëllim, vepruan për të kundërtën, gjë që katandisja e Kosovës në këtë gjendje është edhe meritë e tyre e madhe!

Në farsën mediale nuk mund të mos fajësohet edhe faktori ndërkombëtar

Elida Buçpapaj: Në Bundestag u përmend edhe liria e mediave, e cila në Kosovë është pothuaj 100 % e komprometuar, çfarë do të thotë kjo për një gazetar me përvojë dhe krijues si ju, dhe çfarë duhet të bëhet?

JUSUF BUXHOVI: Liria e mediave në Kosovë ka kohë që nuk ekziston. Kemi një farsë mediale, fund e krye në sherbim të bosëve politikë, të cilët e kanë degraduar profesionin e gazetarit tmerrësisht! Me ndonjë përjashtim të vogël, gazetat dhe televizionet drejtohen nga politika dhe interesat e tyre. Edhe këtu nuk mund të mos fajësohet edhe faktori ndërkombëtar, i cili, në vend se të forcojë fjalën e lirë dhe gazetarinë e pavarur, ka investuar te disa grupe dhe mediume që kanë qenë në shërbim dhe grupeve politike dhe mediale. Kështu që mizeria politike në të cilën ndodhet Kosova nuk do të mund të ishte e tillë pa meritën e gazetarëve dhe të gazetarisë së Kosovës dhe pa sponsorët e jashtëm, që kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë vasalë dhe jeniçerë!

Me librat e mi i kundërvihem rënies të madhe morale

Elida Buçpapaj: Jeni gjithnjë në aktivitet krijues, me trilogjinë Kosova, të përkthyer edhe në anglisht, me Jeniçerin e Fundit, gjithkund jemi i zënë në promovime, librat tuaja janë më të shiturit, ndërsa Kosova është në degradim, a nuk duhet t’i ktheheni angazhimeve qytetare si pjesë e elitës, sikur keni bërë bashkë me inteligjencien 24 vjet më parë kur themeluat LDK ?

JUSUF BUXHOVI: Është e vërtetë se librat e mia (“Kosova” dhe “Jeniçeri i fundit”) janë më të shiturat dhe më të kërkuarat, gjë që tregon se jo gjithçka e ka humbur besimin. Kjo më bën edhe më të përkushtueshëm. Përcaktimi kah krijimtaria nuk është vetëm një satisfaksion për krijuesin e dëshpëruar në kohë krize të thellë siç është kjo e jona, por është një mjet i fuqishëm që t’i kundërvihet kësaj të keqeje. Suksesi i veprave të mia si dhe interesimi i madh për to e dëshmon këtë. Ndaj, nuk do t’i kthehem politikës së papastër, e cila të kthen në shërbëtor dhe  jeniçer, por do të mbetem te librat, në mënyrë që me anën e tyre t’i kundërvihem rënies së madhe morale, shoqërore në për të cilën po kalojmë.

27 Maj 2014

ELIDA BUÇPAPAJ