VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Vaksinimi kundër COVID-19 – Kur mund ta hiqni maskën tuaj?

By | April 26, 2021
blank

Komentet

blank

Kafe turke për një jetë të gjatë? – Fakte shumë interesante

Çdo ditë, amvisat shqiptare përballen me mëdyshje, sfida dhe punë. Përpara se të përballen me këto sfida, tradita e kërkon një filxhan me kafe turke.

Shkencëtarët kanë kryer disa studime në lidhje me jetëgjatësinë e njerëzve në zonën e Ballkanit dhe të Mesdheut në përgjithësi të cilët pinë kafe turke ose siç njihet ndryshe kafeja e bluar imët.

Kafeja Turke: Një Histori Intrigash Politike dhe Dashurie

Kafeja ka origjinën në Kaffa të Etiopisë, megjithatë emri i saj vjen nga Arabishtja. “Qahëa” përkthehet “Verë”.

Kafeja e parë është prodhuar në Jemen, ku shumë besimtarë pinin kokrrat e kafesë të tretura në ujë, për të qëndruar zgjuar gjatë lutjeve.

Nga Jemeni, në vitin 1517 kafeja rrugëtoi në Stamboll. Asokohe, Turqit zbuluan se me kokrrat e kafesë ata mund të përgatisnin një pije të shijshme, të athët dhe me ngjyrë të zezë, me anë të së cilës mund të merrnin shumë energji dhe të shuanin urinë.

Kafeja u bë e preferuara e Sulejmanit të Madhërishëm, Sulltaneshave dhe Konkubinave të Haremit. Sulltan Sulejmani u marros pas kafesë dhe i dha ‘pijes së zezë’ vulën perandorake.

Turqit shpikën metodën e përgatitjes së kafesë me xhezve. Ata i bluan kokrrat e kafesë shumë hollë dhe i zien në ujë. Fisnikët e Oborrit të Sulltanit e kishin kafenë si kriter në përzgjedhjen e nuseve.

Nëse kafeja që një grua shërbente ishte e bluar dhe bërë mirë, atëherë ajo do të ishte një grua e shkëlqyer, thotë legjenda. Kafeja u kthye në një instrument edhe për vetë gratë.

Legjenda thotë se nëse ato servirnin një kafe të ëmbël atëherë do të thotë që ishin të lumtura me zgjedhjen e bashkëshortit. Nëse kafeja ishte e hidhur, bashkëshorti nuk u pëlqente.

Asokohe, sipas të dhënave, një grua e martuar kishte të drejtën të ndahej nga bashkëshorti, nëse ai nuk sillte kafe në shtëpi.

Shumë shpejt në të gjithë perandorinë Otomane u përhapën kafenetë e para të cilat vite më vonë u shpallën të paligjshme, sepse njerëzit qëndronin shumë gjatë në këto vende ku sipas spiunëve të oborrit thureshin kurthe dhe plane për vrasjen e sulltanit.

Në vitin 1656, ndëshkimi për këdo që kapej duke bluar kafe ishte kamzhiku dhe mbytja në det.

Kafeja Turke dhe Jetëgjatësia

Në ishullin Ikaria të Greqisë, të gjithë banorët e nisin ditën me një kafe turke. Ky ishull gjithashtu njihet të ketë popullsinë më jetëgjatë në të gjithë vendin.

Kjo frymëzoi disa shkencëtarë të studionin efektin e kafesë dhe mënyrës së jetesës tek jetëgjatësia e njerëzve. 142 njerëz të grupmoshave të ndryshme morën pjesë në studim.

Shkencëtarët morën në konsideratë edhe faktorë të tjerë si, gjinia, pesha, gjatësia, pirja e duhanit, sëmundjet e zemrës dhe hipertensioni.

Rezultatet e studimit treguan qelizat endoteliale tek njerëzit që pinin më shumë kafe turke, kishin një performancë më të mirë.

Këto qeliza kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në enët e gjakut.

Nëse ato nuk funksionojnë mirë, me kalimin e kohës mund të shkaktojnë bllokimin e kapilarëve dhe enëve të gjakut, madje mund të shkaktojnë edhe vdekje të parakohshme.

Krahasimi mes grupmoshave në studim tregoi se konsumi në rritje i kafesë turke ka një ndikim pozitiv në elasticitetin e arterieve. Kjo pakëson shanset e shfaqjes së tensionit të lartë të gjakut.

Kafeja turke përmban dy substanca të rëndësishme. Ato njihen si kafestol dhe kaheol, të cilat kanë vlera të mira kundër inflamacionit por edhe shërbejnë si antioksidantë.

AgroWeb gjithsesi këshillon të mos e teproni me sasinë, pasi si çdo gjë, kur teprohet kthehet në dëm të shëndetit.

blank

Gati 50 000 kafshë të gjalla kanë qenë në shitje në Vuhan para pandemisë

RFE/RL

Më shumë se 47,000 kafshë të gjalla kanë qenë në shitje në tregjet e Vuhanit dy vjet e gjysmë para se të raportoheshin rastet e para të koronavirusit në fund të vitit 2019, kanë treguar disa hulumtime, duke vënë në pah rreziqet për sëmundje nga tregtia me kafshë në Kinë.

Në një punim kërkimor të publikuar në revistën Raportime Shkencore, është thënë se rreth 38 lloje kafshësh janë shitur në 17 tregje në Vuhan në periudhën maj 2017- nëntor 2019, duke përfshirë 31 lloje të kafshëve të mbrojtura.

Disa prej rasteve të para të infektimit me koronavirus te njerëzit janë lidhur me një treg të ushqimit të detit në Huanan të Vuhanit, ku është thënë se virusi ka kaluar nga kafshët te njerëzit.

Në një studim të kryer në mes të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Kinës, të publikuar në fund të muajit mars, është thënë se nuk ka raportime të verifikuara se gjitarë të gjallë kanë qenë në shitje të Huanan më 2019, ndonëse ka pasur të dhëna se diçka e tillë ka ndodhur në të kaluarën.

Ndonëse ka pasur spekulime se koronavirusi mund të ketë dalë nga një laborator në Vuhan, që analizon koronaviruset, ende një pjesë e mirë beson se koronaviursi i ri ka origjinën nga lakuriqi.

Studimi i përbashkët mes OBSH-së dhe Kinës ka thënë se ka shumë mundësi që koronavirusi ka kaluar te njerëzit përmes një krijese ndërmjetësuese, dhe pagolina është identifikuar kandidatja më e mundshme.

Në hulumtimin e fundit, të përpiluar nga shkencëtarë nga Kina, Britania dhe Kanadaja, është thënë se nuk të dhëna që lakuriqët e gjallë apo pagolinat, janë shitur në Vuhan, mirëpo disa brejtës, ketrat dhe dhelprat, kanë qenë në shitje.

Pas shpërthimit të koronavirusit në Vuhan, Kina ka shtypur trafikimin e kafshëve të egra dhe ka mbyllur tregjet e kafshëve, ndonëse disa prej tyre ende shiten për qëllime të mjekësisë tradicionale kineze.

blank

Shqipëri: Kequshqyerja në fëmijëri lë pasoja të përhershme si në zhvillimin fizik dhe në kapacitetet mendore

Një fëmijëri e shëndetshme hedh bazat e hershme të produktivitetit në një shoqëri të civilizuar.

Kequshqyerja në fëmijëri lë pasoja të përhershme si në zhvillimin fizik dhe në kapacitetet mendore, duke i bërë ata kur të rriten të nënshtruar vetëm ndaj nevojave për ushqim.

Një studim i INSTAT për mirëqenien e fëmijëve dhe adoleshentëve për periudhën 2016-2018 ka gjetur se rreth 40% e fëmijëve në këtë periudhë kanë qenë të privuar të ushqehen së paku me një vakt në ditë me mish, peshk, fasule ose thjerrëza, pasi familjet nuk kanë mundësi financiare t’ua sigurojnë.

Studimi referon se gjithashtu mbi 31% e fëmijëve nuk kanë mundësi që të ushqehen të paktën një herë në ditë me fruta dhe perime, qoftë të freskëta apo të përpunuara.

Fëmijët shqiptarë janë të privuar edhe nga aktivitet të tjera që ndikojnë në zhvillimin e tyre të shëndetshëm siç janë veshja, argëtimi dhe aktivitete jashtë shtëpisë.

Mbi 40% e fëmijëve nuk marrin pjesë rregullisht në aktivitete jashtë shtëpisë për një kohë të gjatë, të tilla si sport, muzikë, etj,, ndërsa më shumë se 18% e tyre nuk kanë akses në lodrat e përshtatshme për moshën e tyre.

Mbi 28% e fëmijëve nuk kanë asnjë mundësi të ftojnë shokët dhe shoqet në shtëpi apo të konsumojnë diçka me ta jashtë.

blank

Gjithashtu 17% e fëmijëve nuk kanë mundësi të kenë të paktën një veshje të re.

Më shumë se gjysma e fëmijëve, rreth 54% e tyre, nuk kanë mundësi të ikin me pushime një javë në vit, qoftë duke shkuar tek një i afërm.

Gjithashtu më shumë se një e treta e fëmijë kanë vështirësi në infrastrukturën mbështetëse për të studiuar.

Më shumë se 39% e fëmijëve nuk kanë mundësi të ndjekin aktivitetet jashtë shkollës pasi nuk kanë mundësi të paguajnë ekstra dhe 28% e fëmijëve nuk kanë një hapësirë të përshtatshme në shtëpi për të studiuar./Burimi:Monitor

blank

Vlerat e Lulëkuqeve Rrezatuese të Shqipërisë

Lulëkuqja që rritet kudo në Shqipëri është e njohur për vlerat e saj të rëndësishme shëndetësore.

Po të pyesni gjyshërit tuaj do t’ju tregojnë më shumë për aftësitë e lulekuqeve për të qetësuar dhe vënë në gjumë fëmijët.

Lulëkuqja ishte një nga lulet më të preferuara të Venusit, perëndeshës romake të bukurisë dhe dashurisë. Prej shekujsh lulekuqet janë pranuar si simbol i qetësisë, gjumit dhe paqes.

Në vendin tonë deri sot lulëkuqja nuk është kultivuar dhe është rritur në mënyrë të pavarur si bimë e egër.

Burimet e AgroWeb.org tregojnë se duke parë kërkesat e tregut për lulëkuqen, kultivimi i saj është me leverdi ekonomike.

Lulëkuqja është e përhapur dhe rritet e zhvillohet thuajse kudo në vendin tonë.

Kërcenjtë e lulëkuqeve jetemot janë përdorur nga amvisat shqiptare si pjesë e grupit të barërave të egër në përgatitjen e byrekut të famshëm me lakra të egra së bashku me hithrat dhe lëpjetat.

Lulëkuqja fuqizon sistemin imunitar, mbron shëndetin e zemrës, forcon kockat, rrit qarkullimin e gjakut dhe ndihmon tretjen.

Por lulet e vogla të kuqe prodhojnë edhe fara të ngrënshme që janë të mbushura plot me minerale, substanca të shëndetshme, por edhe me alkoloidë që nëse merren në doza të mëdha mund të kenë efekte të forta.

Farat magjike sot i gjejmë në shumë ushqime të përgatitura me vaj lulëkuqeje ose fara siç janë: paninet, salcat, sallatat, supat, buka dhe ëmbëlsirat.

Këto fara të vogla nga një lule që të themi të drejtën nuk ta mbush shumë mendjen janë shumë të fuqishme.

Doza të vogla të këtyre farave mund të kenë një efekt të jashtëzakonshëm në trup.

Por le t’i hedhim një sy së bashku se çfarë mund të bëjë kjo lule me petale të kuqe si gjaku.

Efekti qetësues

Disa nga aspektet më të studiuara të lulëkuqes janë efektet analgjesike të saj. Nëse konsumon fara lulëkuqeje, atëherë mund të zbusësh dhimbjet, veçanërisht ato të kokës dhe të përshpejtosh proçesin e shërimit.

Farat janë të pasura me zink dhe si rrjedhojë ndihmojnë metabolizmin për të përshpejtuar proçesin e rimëkëmbjes.

Fuqizon sistemin imunitar

Studime të shumta kanë provuar lidhjen që ekziston mes zinkut dhe sistemit imunitar .

Zinku që gjendet me bollëk në çdo farë lulëkuqeje arrin të stimulojë prodhimin e qelizave të bardha të gjakut dhe të forcojë reagimet e trupit ndaj substancave dhe agjentëve të huaj.

Përmirëson shikimin

Me plakjen, sytë tanë fillojnë e na lënë në baltë. Megjithatë kjo nuk duhet të na demoralizojë. Ka shumë gjëra që mund të bëjmë për të ndaluar proçesin e përkeqësimit të shikimit.

Antioksidantët janë të nevojshëm për të na mbrojtur sytë. I tillë është edhe zinku që gjendet në sasi të mëdha tek lulëkuqja.

Zinku e mban shikimin të forte dhe ngadalëson degjenerimin makular – që është edhe shkaktari kryesor i humbjes së shikimit tek personat mbi 70 vjeç.

Mbron zemrën

Hekuri është një nga mineralet më të çmuar që gjenden tek lulëkuqja. Siç e dimë, hekuri është një përbërës integral në prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut.

Kur rrisim dozën e hekurit, ne përmirësojmë qarkullimin e gjakut dhe si rrjedhojë nivelin e oksigjenit në pjesët më vitale të trupit.

Nëpërmjet hekurit, ne zvogëlojmë simptomat e anemisë, marrim më shumë energji dhe përshpejtojmë proçesin e shërimit.

Ndihmon me tretjen

Nëse vuani nga konstipacioni ose diarea, atëherë keni nevojë për më shumë fibër në dietën tuaj.

Farat e lulëkuqes kanë një nivel të lartë të fibrës që rregullon lëvizjet e zorrëve në favorin tuaj.

Ato kanë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e dhimbjeve dhe inflamacionit dhe lehtësojnë funksionimin e sistemit të tretjes.

Diabeti i Tipit 2

Nivelet e ulëta të zinkut në organizëm janë tregues i rëndësishëm i nivelit të diabetit të tipit 2.

Nëse dëshiron të mbrohesh nga kjo epidemi globale, atëherë duhet të shtosh zinkun në dietë. Përse mos të përdorësh fara lulëkuqeje atëherë?!

Funksionet e nervave

Shumë njerëz nuk arrijnë të kuptojnë plotësisht rolin e kalciumit në trupin tonë.

Kalciumi është nga të paktët minerale që forcon funksionimin e sistemit nervor.

Lulëkuqet kanë një nivel të lartë kalciumi dhe me to mund të bësh një tonik të shijshëm për nervat dhe të mbash larg çregullimet nervore.

Shëndeti i kockave

Kalciumi është gjithashtu i rëndësishëm për shëndetin e kockave. Kalciumi tek lulëkuqja mund t’ju japë kockave tuaja forcë dhe elasticitet.

Tensioni i gjakut

Kaliumi që gjendet tek farat e lulëkuqes zbut tensionin në arterie dhe promovon një qarkullim sa më normal të gjakut.

Një gjë e tillë parandalon zhvillimin e arteriosklerozës dhe dhe sëmundjeve të zemrës.

blank

Ja pse duhet të hani më shumë fruta deti këtë verë

Frutat e detit janë ndër burimet më të mira të vitaminave dhe mineraleve për të cilat trupi dhe truri kanë shumë nevojë, sidomos në verë.

Arsyet i gjeni të shpjeguara më poshtë në këtë artikull të AgroWeb.org

Frutat e Detit Ulin Rrezikun e Atakut Në Zemër
Sëmundjet e zemrës kanë një prevalencë të lartë në vendin tonë.

Ekspertët thonë se konsumi i bollshëm i produkteve të detit mund të ulë ndjeshëm rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve të zemrës.

Sipas tyre, ngrënia e produkteve të detit, përfshirë peshku dhe frutat e detit, një ose dy herë në javë ul rrezikun e vdekshmërisë nga këto sëmundje me 36%.

Burimi Më I Mirë I Vitaminës D
Njeriu e merr vitaminën D kryesisht falë ekspozimit në diell por produktet e detit janë ndër burimet më të mira ushqimore të kësaj vitamine.

Për pasojë, frutat e detit dhe produktet e tij në përgjithësi rekomandohet të konsumohen rregullisht jo vetëm në verë por edhe në dimër.

Cilësia e Gjumit
Konsumi i tre racioneve me produkte deti në javë besohet të përmirësojë cilësinë e gjumit dhe funksionet e trurit.

Kjo, sipas ekspertëve, i atribuohet përmbajtjes së lartë të vitaminës D dhe acideve yndyrore omega-3.

Azma Tek Fëmijët
Një studim danez ka zbuluar se nëse fëmijët konsumojnë rregullisht peshk dhe fruta deti janë më pak të rrezikuar nga azma.

Sipas studimit, fëmijët që nisin konsumin e produkteve të detit dhe veçanërisht peshkut kur janë 12 muajsh janë 36% më pak të rrezikuar nga azma.

Frutat e Detit Për Shëndetin e Trurit
Ngrënia e peshkut dhe frutave të detit në mënyrë të rregullt përmirëson shëndetin e trurit.

Acidet yndyrore omega-3 që gjenden tek këto produkte përmirësojnë kujtesën dhe funksionet ditore të trurit.

Peshqit më të mirë për shëndetin janë: salmon, sardelet, peshku ton, trofta dhe skumbria.

Frutat më të shëndetshme të detit janë: gocat e detit dhe fruta të tjera me guackë, oktapodi, kallamari, karkaleci i detit dhe midhjet./AgroWeb.org

blank

SHBA do të ndajë 80 milionë doza vaksine për vendet e tjera

RFE/RL

Shumë shpejt presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden do të shpallë detaje të një plani për dërgesën e 80 milionë doza vaksine në vendet e tjera, ka njoftuar Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Duke folur nga Ambasada Amerikane në San Jose të Kosta Rikës, Blinken tha se plani do të jetë në bashkërendim me programin COVAX- një projekt global për shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

“Ne do të angazhohemi shumë për rritjen e kapacitetit prodhues në Shtetet e Bashkuara dhe në të gjithë botën”, tha ai.

Sekretari i Shtetit tha se plani i presidentit bazohet në shkencë dhe nevojën për vaksina nga ana e vendeve dhe nuk do të “ndërlidhet me asnjë çështje politike”.

Presidenti Biden ka thënë se synon që Shtetet e Bashkuara të udhëheqin luftën globale kundër pandemisë, duke theksuar përpjekjet e Kinës dhe Rusisë për të dhuruar vaksina në mënyrë që të rrisin ndikimin në botë.

Shumë vende kanë nxitur SHBA-në që të shpërndajë tepricën e vaksinave kundër koronavirusit në vendet tjera.

COVAX ka marrë premtime nga vendet dhe donatorët privatë ndihmë prej 2.4 miliardë dollarësh.

Premtimet u bënë gjatë një samiti online të organizuar nga Japonia dhe Aleanca e Vaksinave GAVI, e cila kryeson strukturën e COVAX së bashku me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Fondet do të lejojnë që COVAX të sigurojë 1.8 miliardë doza për vendet me të ardhura më të ulëta më 2021 dhe në fillim të 2022, mjaftueshëm për të mbrojtur 30 për qind të të rriturve në ato vende, tha GAVI në një deklaratë.

Fondet e reja rritën financimin e përgjithshëm të COVAX në 9.6 miliardë dollarë, tha Jose Manuel Barroso, kryetari i GAVI-t.

Që nga muaji shkurt mekanizmi COVAX ka shpërndarë 77 milionë doza në 127 vende, por është bllokuar nga India e cila kufizoi eksportet e vaksinave, pasi situata epidemiologjike atje u përkeqësua.

blank

KE: Personat e vaksinuar të mos kenë asnjë kufizim në udhëtim

RFE/RL

Të hënën (31 maj) Komisioni Evropian u propozoi të gjitha vendeve anëtare të BE-së që gradualisht të lehtësojnë masat e udhëtimit gjatë verës.

Ashpërsia e pandemisë në BE është zbutur, ndërsa numri personave të vaksinuar kundër COVID-19 po vazhdon të rritet.

Komisioni Evropian është duke bërë përpjekje që të harmonizojë masat e udhëtimit që do të vlenin për të gjitha vendet anëtare.

Komisioni tha se propozimi i tij është që njerëzit plotësisht të vaksinuar duhet të përjashtohen nga testimi ose karantina kur udhëtojnë nga një vend i BE-së në një tjetër.

Komisionari për Drejtësi, Didier Reinders, ka prezantuar propozimet e masave të reja, sipas së cilave personat të cilët do të kenë certifikatën digjitale COVID-19, përmes së cilës dëshmojnë se kanë marrë dozën e fundit të vaksinës kundër COVID-19, nuk duhet t’u nënshtrohen asnjë mase kufizuese.

Për një mundësi të tillë, ata duhet ta kenë marrë dozën e fundit të vaksinës më së paku 14 ditë para udhëtimit.

E njëjta e drejtë do të duhet të vlejë edhe për personat të cilët dëshmojnë se e kanë kaluar infektimin nga ky virus. Të miturit që udhëtojnë në shoqërinë e atyre që gëzojnë këto mundësi do të duhej të kenë të njëjtat të drejta.

Për të tjerët, Komisioni Evropian ka propozuar që masat të zbatohen varësisht se nga cila zonë arrijnë në BE.

Për ata të cilët arrijnë nga zonat e gjelbra nuk do të ketë asnjë masë kufizuese. Për ata që arrijnë nga zona portokalli do të kërkohet vetëm testi negativ, por jo edhe karantina.

Për ata që arrijnë nga zonat e kuqe do të kërkohet karantinë vëtëm derisa të jenë në pritje të rezultatit të testit.

Vetëm për qytetarët që vinë nga zona “e kuqe e mbyllur”, pra ato që kanë një situatë të rëndë epidemiologjike, do të kërkohet testimi dhe karantina.

Komisioni Evropian para disa ditësh kishte arritur një marrëveshje me Parlamentin dhe Këshillin e BE-së për certifikatat digjitale të COVID-19.

Me këto dokumente do të dëshmohet se personi është vaksinuar, ose se e ka kaluar këtë sëmundje, ose se e ka rezultatin e testit ndaj virusit COVID-19.

Komisioni ka propozuar që PCR testet të pranohen me afat prej 78 orësh, ndërsa testet e shpejta – antigjen të jenë të vlefshëm për 48 orë.

Komisioni Evropian është duke diskutuar edhe me shtetet tjera që të kenë një njohje të ndësjelltë të certifikatave të COVID-19 në mënyrë që të lehtësohet udhëtimi edhe nga ato shtete.

blank

Nga 1 korriku e disponueshme, ja si do të jetë certifikata dixhitale e vaksinimit që lehtëson udhëtimet brenda BE

Kjo do të jetë certifikata dixhitale e vaksinimit që hap rrugët në BE. Këshilli Europian dha ‘dritën jeshile’ ditë më parë për këtë mjet që do të jetë metoda e re e udhëtimeve, të paktën derisa pandemia të largohet.

Kartën në foto do e përdorin qytetarët grekë që kanë bërë vaksinën ndaj COVID-19 ose kohët e fundit kanë bërë një test PCR.

Greqia ishte e para që propozoi një model të ngjashëm për të lehtësuar udhëtimet brenda BE.

Tashmë me këtë kartë hiqen kufizimet brenda BE dhe qytetarët mund të identifikohen me këtë kartë e cila tregon automatikisht nëse qytetari që e disponon ka bërë vaksinën, ka bërë test PCR apo është rekuperuar nga COVID-19.

Nga 1 korriku gjithë qytetarët europianë që do e kenë këtë kartë dixhitale mund të kapërcejnë kufijtë lehtësisht me të. bw

blank

Shifrat dramatike: 7 – 13 milionë më tepër vdekje në të gjithë botën gjatë pandemisë

Vendet e varfra kanë vuajtur shumë, por shumica e vdekjeve ka ndodhur gjetiu, shkruan The Economist.

Sipas shifrave zyrtare, në Afrikën e Jugut ka pasur 55,000 vdekje nga Covid-19 që nga 27 marsi i vitit të kaluar. Kjo do të thotë se shkalla e vdekshmërisë në vend është 92.7 për 100,000 njerëz, më e larta në Afrikën Nënsahariane. Shifra është gjithashtu një nënvlerësim domethënës, ashtu si të gjitha të dhënat e tjera afrikane mbi sëmundjen.

Gjatë vitit, deri më 8 maj, vendi regjistroi 158,499 vdekje shtesë – pra vdekje mbi numrin që pritej në vitet e kaluara, duke pasur parasysh ndryshimet demografike. Zyrtarët e shëndetit publik mendojnë se 85-95% e këtyre vdekjeve janë shkaktuar nga sars-cov-2, virusi i Covid-19.

Kjo mospërputhje ndodh sepse, në mënyrë që një vdekje të regjistrohet për shkak të Covid-19, i ndjeri duhet të ketë kryer një test Covid-19 dhe duhet të regjistrohet se ka vdekur nga kjo sëmundje. Megjithëse Afrika e Jugut kryen shumë më tepër testime në krahasim me vendet fqinje, niveli i përgjithshëm i testimit është ende i ulët.

Afrika e Jugut nuk është ndonjë rast unik dhe i pazakontë për sa u përket niveleve të testimit, ose vdekjeve të paregjistruara nga sistemi mjekësor. Vdekshmëria shtesë ka tejkaluar vdekjet e raportuara zyrtarisht si pasojë e Covid-19, të paktën në disa periudha gjatë epidemisë, në pjesën më të madhe të botës. Sipas të dhënave më të fundit, vdekjet shtesë në Amerikë ishin 7.1% më të larta se vdekjet zyrtare nga Covid-19, midis fillimit të marsit 2020 dhe mesit të prillit 2021.

Shumë vende kanë pasur mospërputhje të tilla. Për shembull, Britania kishte vdekje shtesë më të larta se vdekjet zyrtare nga Covid-19 gjatë valës së parë, por më të ulëta se vdekjet zyrtare nga Covid-19 në valën e dytë – një efekt që tregon se masat për të ndaluar përhapjen e Covid-19 kanë shpëtuar jetë, të cilat në një vit të zakonshëm do të ishin humbur nga sëmundje të tjera, si gripi sezonal. Një dukuri e ngjashme ndodhi edhe në Francë.

Por metoda e vdekshmërisë shtesë nuk ka mundësuar shifra të dobishme globale, sepse shumica e vendeve, në veçanti shumica e vendeve të varfra, nuk japin statistika të vdekshmërisë shtesë në kohën e duhur. Vlerësimet globale kanë përdorur shifrat zyrtare, pavarësisht se e dinë se këto shifra – aktualisht 3.3 milionë – janë shumë larg realitetit.

Për të kuptuar se sa larg realitetit janë në të vërtetë këto shifra zyrtare, The Economist është përpjekur të përcaktojë nivelin e vdekshmërisë shtesë gjatë rrjedhës së pandemisë në vendet që nuk e raportojnë atë. Studimi arriti në përfundimin se ka një probabilitet prej 95% që numri i të vdekurve deri më sot të jetë midis 7.1 milionë dhe 12.7 milionë, me një vlerësim qendror prej 10.2 milionë. Në rastin më të mirë, shifrat zyrtare përfaqësojnë më pak se gjysmën e numrit real të vdekjeve, dhe në rastin më të keq, vetëm një të katërtën e tij.

Përveçse jep një vlerësim të ri të shtrirjes së përgjithshme të pandemisë, modelimi nga The Economist hedh dritë mbi shpërndarjen e efekteve të pandemisë dhe rrjedhën e përgjithshme.

Vendet e varfra kundrejt të zhvilluarave

Nuk është për t’u çuditur se pjesa më e madhe e vdekjeve të shkaktuara nga Covid-19 por që nuk janë përcaktuar zyrtarisht si të tilla, vijnë nga vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Sipas studimit, shkalla e vdekshmërisë në vendet e pasura që janë anëtare të grupit OECD, ishte 1.17 herë më e lartë se numri zyrtar. Ndërsa shkalla e vlerësuar e vdekshmërisë për Afrikën Nënsahariane ishte 14 herë më e lartë se numri zyrtar. Dhe struktura e valës së parë dhe të dytë që vihet re në Europë dhe Shtetet e Bashkuara është shumë më pak e dukshme në shifrat e studimit për botën në tërësi. Në përgjithësi, pandemia po përqendrohet gjithnjë e më tepër në ekonomitë në zhvillim dhe kjo dukuri po vazhdon të rritet.

Për të krijuar këto vlerësime globale të vdekjeve totale shtesë gjatë pandemisë, ne kemi marrë parasysh një gamë të gjerë të dhënash. Numri zyrtar i vdekjeve nga Covid-19, sado i pasaktë, është mundësuar nga shumica e vendeve. Po ashtu ka të dhëna mbi numrin e rasteve Covid-19 dhe përqindjen e testeve pozitive. Në përgjithësi, nëse shumë teste dalin pozitive, do të thotë se shumë më tepër infeksione po humbasin nga një regjim testimi që po vëzhgon vetëm njerëzit që kërkojnë trajtim mjekësor.

Vekjet Ditore Shtese Ne Nivel Global 982
Vekjet Ditore Shtese Ne Nivel Global 982

Faktorët

Në disa vende, janë kryer sondazhe që tregojnë se sa njerëz kanë antitrupa të zbulueshëm sars-cov-2, një shenjë e infeksionit të hershëm. Faktorë të tjerë që menduam se mund të kishin rëndësi janë hapat që kanë ndërmarrë qeveritë për të frenuar përhapjen e sëmundjes, si mbyllja e shkollave, dhe shkalla e lëvizshmërisë së njerëzve.

Demografia ka shumë rëndësi: vendet me më shumë të rinj zakonisht kanë një shkallë më të ulët vdekjesh. Një rol luajnë edhe faktorë më pak të dukshëm si sistemet e qeverisjes dhe shkalla e lirisë së medias. Për të marrë një shembull specifik, vdekjet shtesë në Rusi janë 5.1 herë më të larta se vdekjet zyrtare nga Covid-19.

The Economist ka mbledhur të dhëna për 121 tregues, për më shumë se 200 shtete dhe territore. Më pas u krijua një model i të mësuarit makinerik, i cili përdor një proces të quajtur rritja e pjerrësisë për të gjetur marrëdhëniet midis këtyre treguesve dhe të dhënave për vdekjet shtesë në vendet ku ato ishin në dispozicion. Modeli i përfunduar i përdori këto të dhëna për të siguruar vlerësime të vdekjeve shtesë në kohë dhe vende për të cilat nuk kishte të dhëna të disponueshme.

The Economist vlerëson se, deri më 10 maj, ka një probabilitet prej 95% që pandemia të ketë shkaktuar vdekje shtesë midis 2.4 dhe 7.1 milionë në Azi (vdekje zyrtare nga Covid-19: 0.6 milion), 1.5-1.8 milionë vdekje në Amerikën Latine dhe Karaibet (zyrtare: 0.6m), 0-2.1 milionë vdekje në Afrikë (zyrtare: 0.1m), 1.5-1.6 milionë vdekje në Europë (zyrtare: 1.0m) dhe 0.6-0.7 milion vdekje në Amerikë dhe Kanada (zyrtare: 0.6m). Në Oqeani, me vetëm 1,218 vdekje zyrtare, modeli parashikoi diku midis 12,000 dhe 13,000 vdekje, ku kufiri i poshtëm reflekton mundësinë që masat paraprake kundër Covid-19 të kishin zvogëluar vdekjet nga shkaqe të tjera.

Diferencat për Afrikën dhe Azinë janë shumë më të mëdha. Të dhënat për të kryer parashikime të forta nuk janë të disponueshme dhe në disa vende nuk ekzistojnë fare. Megjithatë, ato ofrojnë një pamje më të besueshme sesa statistikat zyrtare. Shkalla e probabilitetit prej 50% ngushtohet ndjeshëm: 3.3m-5.2m për Azinë, 0.8m-1.6m për Afrikën, 8.2m-10.5m për botën.

Gjatë vitit 2020, vdekjet ditore u rritën për 33 nga 52 javë. Pas një qetësie të shkurtër në fillim të vitit 2021, ato arritën rekorde të reja, të nxitura në pjesën më të madhe nga tragjedia që po ndodh aktualisht në Indi. Modeli tregon se në vend po ndodhin midis 6,000 dhe 31,000 vdekje shtesë në ditë, shumë më tepër se rreth 4,000 vdekje që tregojnë shifrat zyrtare. Kjo është në të njëjtën linjë me vlerësime të pavarura epidemiologjike prej 8,000 deri në 32,000 vdekje në ditë. Modeli tregon se rreth 1 milion njerëz mund të kenë vdekur nga Covid-19 në Indi deri tani këtë vit.

Do të vijë një pikë kur katastrofa në Indi do të zbutet, siç ka ndodhur edhe në vende të tjera. Por kjo nuk do të thotë se gjendja globale do të përmirësohet. Megjithëse sëmundja rritet dhe bie në valë në vende të caktuara, valët nuk janë të gjitha në sinkronizim. Një valë e parë pasohet nga përgjigje që frenojnë përhapjen, ndërsa një valë e dytë ndërtohet pasi këto përgjigje zbuten dhe lihen pas dore. Kjo është arsyeja pse, deri më sot, numri i vdekjeve në ditë në të gjithë botën është rritur në 10 nga 15 muaj.

Ia vlen të përmendet se, pavarësisht se vendet më të varfra të botës janë goditur më tepër nga ana ekonomike, mbi bazën “për person” Covid-19 ka qenë më i rëndë për vendet e pasura. Për Azinë dhe Afrikën, vdekjet mesatare të vlerësuara për 1 milion banorë, janë sa gjysma e atyre të Europës (përfshirë Rusinë). India është e krahasueshme me Britaninë, të paktën tani për tani.

Kjo mund të tingëllojë e habitshme për europianët, të cilët kanë qenë nën karantinë për një pjesë të mirë të vitit. Si ka mundësi që në këto vende kryesisht të varfra të ketë pasur më pak vdekje, pavarësisht mungesave të ndërhyrjeve për të frenuar përhapjen e virusit dhe me një kujdes shëndetësor më pak të financuar? Duket se çelësi i përgjigjes është mosha. Nëse dy popullata kanë të njëjtin nivel të kujdesit shëndetësor, popullsia me më shumë njerëz të moshuar do të ketë më shumë vdekje. Nëse demografia do të ishte ndryshimi i vetëm, atëherë, duke marrë si bazë moshën, sëmundja do të ishte 13 herë më vdekjeprurëse në Japoni (mosha mesatare 48 vjeç) sesa në Ugandë (mosha mesatare 17 vjeç). Të dhënat e besueshme të vdekshmërisë shtesë zakonisht vijnë nga vendet me popullsi më të vjetër.

Megjithëse i ulët në terma absolutë, niveli i vdekjeve tek popullsitë e reja të varfra është shumë më i lartë sesa do të ishte për popullsitë e vendeve të pasura me profile të ngjashme moshe. Dhe për të moshuarit në vendet e varfra, perspektiva është mjaft e zymtë. Afrika e Jugut ka pasur 120,000 vdekje shtesë te personat mbi 60 vjeç.

Fakti që një mungesë relative e vdekjeve në vendet në zhvillim duket se është për shkak të moshës dhe jo për ndonjë arsye tjetër, ka implikime të ndryshme. Njëri është se virusi po përhapet lehtësisht midis të rinjve – një zbulim i mbështetur nga sondazhet, të cilët zbulojnë nivele shumë më të larta të infeksioneve në Afganistan, Indi dhe gjetiu sesa në Europë ose Amerikë. Kjo tregon se ka shumë raste jo-fatale të sëmundjes, çka sugjeron se problemi i “covidit të gjatë” do të jetë më i keq në këto vende. Kjo gjithashtu do të thotë se virusi po gjen shumë mundësi për të kaluar nëpër mutacione.

Covid 19 Sipas Demografise Shkalla E Pritur E Fatalitetit 982
Covid 19 Sipas Demografise Shkalla E Pritur E Fatalitetit 982

Ka një përjashtim nga ky rregull. Në disa vende në Azinë Juglindore, vdekjet duket se janë jashtëzakonisht të ulëta, të paktën deri tani. Por kjo nuk e hedh poshtë studimin e mësipërm: të dhënat e vdekjeve shtesë për Malajzinë dhe Tajlandën thuajse nuk janë rritur fare. Është e mundur që njerëzit në këto vende përfitojnë nga “ndër-imunitetet” – një nivel mbrojtjeje kundër sars-cov-2 i mundësuar nga infeksionet e kaluara nga viruse të tjerë që qarkullojnë në rajon. Për fat të keq, ka shenja që shifrat tani janë në rritje.

Vlerësimet globale të numrit të vdekjeve shtesë nga The Economist janë të parat në llojin e tyre. Ato nuk janë mënyra e vetme për të matur numrin e përgjithshëm të vdekjeve nga Covid-19. Më 6 maj, Instituti për Matjet dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME) në Universitetin e Uashingtonit publikoi rezultatet e një modeli më të thjeshtë. Kjo metodologji shpesh mundëson shifra që nuk përputhen me vdekjet shtesë të raportuara. Për shembull, IHME vlerëson se ka pasur 100,000 vdekje nga Covid-19 në Japoni, shumë më tepër sesa janë raportuar, por shifra e vdekjeve shtesë në vit deri në mars 2021 ishte 11,000.

Sidoqoftë, vlerësimet nuk mund të zëvendësojnë dot të dhënat, vëren Ariel Karlinsky, në Forumin Ekonomik Kohelet, një think-tank izraelit, i cili si udhëheqës i projektit World Mortality Dataset ka mbledhur shumë nga të dhënat e vdekshmërisë shtesë ku është mbështetur modeli i The Economist.

Vetëm duke ndjekur më mirë vdekshmërinë në vendet e varfra mund të përmirësohen vlerësimet e shkallës së vdekjes. Burimet e të dhënave duhet të organizohen në mënyrë të drejtë, jo vetëm për të nderuar të vdekurit dhe të vërtetën, por edhe sepse, pa një shifër kaq themelore, vlerësimet e ndikimeve të tjera – ekonomike, arsimore, kulturore ose në shëndetin e të mbijetuarve – janë të vështira për t’u kuptuar, ose për t’u krahasuar./Monitor

blank

Mbi 170 milionë raste me COVID-19 në mbarë botën

Numri i rasteve të koronavirusit të ri (COVID-19) në mbarë botën ka shkuar mbi 170 milionë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me pandeminë, deri më tani në të gjithë botën janë regjistruar gjithsej 170.157.408 raste me COVID-19.

Numri më i madh i rasteve deri më tani është regjistruar në SHBA, me gjithsej 34.022.657.

Pas SHBA-së radhiten India me 27.729.247, Brazili 16.392.657, Franca 5.646.897, Turqia 5.228.322, Rusia 5.044.459, Britania e Madhe 4.447.705, Italia 4.209.707, Argjentina 3.702.422, Gjermania 3.680.159, Spanja 3.668.658, Kolumbia 3.342.567, Irani 2.886.111, Polonia 2.870.595, Meksika 2.408.778, Ukraina 2.199.769, Peruja 1.947.555, Indonezia 1.803.361, Çekia 1.660.481, Afrika e Jugut 1.654.551, Holanda 1.641.318 dhe Kanadaja me 1.374.275 raste.

Deri tani, në të gjithë botën nga COVID-19 kanë humbur jetën 3.538.083 persona ndërsa 151.996.303 janë shëruar duke mposhtur virusin.

Aktualisht, në botë ka 14.623.022 të prekur nga COVID-19 që ndodhen në trajtim.

blank

Si do të funksionojnë pasaportat e vaksinave për udhëtimet globale?

RFE/RL

Të etur për të shmangur humbjet edhe të një vere tjetër me të ardhura nga pushimet, shkaku i pandemisë së koronavirusit, Bashkimi Evropian, disa qeveri aziatike si dhe industria e linjave ajrore, po mundohen të zhvillojnë të ashtuquajturat pasaporta të vaksinave kundër COVID-19, për të ndihmuar fillimin e udhëtimeve ndërkombëtare.

Ata janë duke punuar në sisteme që do t’u mundësojnë udhëtarëve të përdorin aplikacione të telefonave celularë, për të dëshmuar se janë vaksinuar, gjë që mund t’u ndihmojë të shmangin kërkesat e shumta për karantinim në destinacionet e tyre.

Por, përpjekjet e shumta nënvizojnë mungesën e një sistemi qendror ndërkombëtar për të verifikuar në mënyrë elektronike statusin e vaksinimit. Projektet gjithashtu po përballen me sfida teknike për të punuar së bashku, derisa çështjet rreth privatësisë dhe pabarazisë së vaksinave, mbeten.

Pasaportat e vaksinimit do të shtonin një shtresë tjetër digjitale në morinë e shëndetit ekzistues të koronavirusit dhe aplikacioneve për gjurmimin e kontakteteve, pasi që shumë shtete si dhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë përfshirë në të. Përdorimi i tyre brenda vendit për të rihapur ekonomitë lokale është debatuar me ashpërsi, me shumë kundërshtime ndaj kërkesave për sa u takon kafeneve, koncerteve dhe ngjarjeve sportive. Sidoqoftë, ka më shumë prirje që ato të përdoren për udhëtime ndërkombëtare, veçanërisht pasi vende si Islanda, që hapi kufijtë e saj për vizitorët e vaksinuar dhe të tjera vende si Arabia Saudite, po fillojnë të lejojnë qytetarët e vaksinuar të udhëtojnë jashtë vendit. Vendimi i BE-së javën e kaluar për të hapur kufijtë e vendeve të saj për udhëtarët e vaksinuar plotësisht, rrit edhe më shumë urgjencën për këtë çështje.

Përpjekjet zyrtare

Pjesa e parë e një pasaporte vaksinimi është regjistri zyrtar apo regjistri i aprovuar i imunizimit eletkronik të përdoruesit të saj.

Bashkimi Evropian, Kina dhe Japonia po punojnë që të kenë certifikatat e tyre digjitale të vaksinimit për udhëtimet ndërkufitare. Ndërkohë që Mbretëria e Bashkuar, javën e kaluar përditësoi aplikacionin e saj të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar, ashtu që t’u mundësojë përdoruesve të vaksinuar plotësisht, që të provojnë statusin e tyre kur udhëtojnë jashtë vendit, çfarë është një lehtësim i rregullave të udhëtimit.

Është në proces e sipër testimi për certifikatën digjitale të BE-së, e cila gjithashtu do të konfirmojë rezultatet e testit për COVID-19, ose rikuperimin nga virusi dhe është vendosur të vihet në qarkullim nga fundi i qershorit, duke u mundësuar të ribashkohen me miqtë dhe të afërmit, banorëve që jetojnë në 30 vende të Evropës. Por, ende është e paqartë se ku dhe si saktësisht do të kontrollohen certifikatat e udhëtarëve të BE-së, të cilët nuk kanë pika kontrolli brenda kufijve. Zyrtarët në Bruksel thonë se kjo do të varet nga secili vend konkretisht. Ideja është që udhëtarët të vendosin një kod QR në telefonat e tyre, ashtu që të mund të skanohen, le të themi në një aeroport apo stacion treni, duke përdorur një aplikacion zyrtar verifikimi që kontrollon mbi bazë të të dhënave kombëtare, përmes një “porte hyrëse” teknike të BE-së.

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk rekomandon provë të vaksinimit si një kërkesë për udhëtimet ndërkombëtare, duke theksuar shpërndarjen e pabarabartë e vaksinave, edhe pse këshillohen udhëzime të përkohshme për zhvillimin e një “Certifikate Vaksinimi të Mençur”.

Aplikacionet e udhëtimit

Udhëtarëve gjithashtu u duhet një aplikacion për telefonat e tyre të mençur, për të patur eventualisht certifikata zyrtare të vaksinimit.

Projekti i BE-së përfshin teknologji me burime të hapura, që mund të përdoren nga vendet evropiane për të ndërtuar portofolët e tyre zyrtare të lëvizshme.

Asociacioni Ndërkombëtar i Transportit, një grup i industrisë së linjave ajrore, ka telefonat e saj të mençur “IATA Travel Pass”, në të cilat janë regjistruar linja ajrore si Qantas, Japan Airlines, Emirates, British Airways dhe Virgin Atlantic. Një përpjekje tjetër rivale me të, Common Pass, ka regjistruar duke bërë për vete transportuesit si Cathay Pacific, JetBlue, United dhe Lufthansa.

Tashmë udhëtarët mund të përdorin aplikacione për të verifikuar që rezultatet e tyre të COVID-19, janë të pranueshme në destinacionet e tyre. Travel Pass dhe Common Pass deri më tani janë në dispozicion vetëm për udhëtarët e linjave ajrore që i përdorin ato. Të dyja ato gjithashtu mund të integrohen në aplikacionet e udhëtimeve të linjave ajrore, në mënyrë që përdoruesit të kenë mundësi të verifikojnë statusin e tyre të vaksinës kur të kontrollohen online. Gjithashtu, të dyja pritet të punojnë me certifikatat e BE-së. Common Pass thotë se përdoruesit do të jenë në gjendje të importojnë kredencialet e vaksinave deri në mes të qershorit.

Çfarë duan udhëtarët

Udhëtarët e biznesit sikur Richard Fogg, zbatues britanik i marrëdhënieve me publikun, mirëpresin pasaportat e vaksinave. Firma e Foggit zvogëloi planet për të marrë pjesë në një shfaqje të madhe tregtare të telekomit në Barcelonë muajin tjetër, duke pasur parasysh rregullat e karantinës për njerëzit që kthehen në Britani të Madhe.

“Ato dhjetë ditë të karantinës do të kenë implikime negative në biznes – nuk ka asnjë rrugë tjetër”, tha Fogg, teksa pranoi edhe shqetësimet në lidhje me privatësinë e të dhënave.

Eymeric Segard, shef ekzekutiv i ndërmjetësit Lunajets të avionëve privatë me qendër në Gjenevë, vuri në dukje se udhëtarët tashmë po dorëzojnë pasaportat me të dhëna personale pas mbërritjes.

“Ju e dini që personalisht, unë do të isha i lumtur t’i tregoja kujtdo, që po, jam i vaksinuar ose jo nuk jam i vaksinuar”, tha ai, duke shtuar se pasaportat e vaksinave do të ndihmonin në shmangien e “makthit logjistik” të provave të COVID-19, në fytyrat e evropianëve kur vizitoni vendet e tjera të BE-së.

Çfarë me falsifikimet?

Dokumenti i rremë COVID-19 i shitur nga mashtruesit, ka qenë një problem gjatë pandemisë, por zhvilluesit e tij thonë se versionet digjitale kanë masa mbrojtëse që i bëjnë ato vështirë të falsifikueshme.

IATA thotë se nuk verifikon rezultatet e testit apo statusin e vaksinimit, por vepron si kanal për laboratorët e regjistruar, për të dërguar me siguri ato detaje tek udhëtarët, identitetin e të cilëve, aplikacioni mund t’i përputhë me personin që është testuar ose vaksinuar. Aplikacioni skanon fytyrën e një udhëtari duke përdorur kamerën e telefonit dhe e përqas atë me detajet biometrike të pasaportës dhe ka kontrolle për të parandaluar që dikush tjetër të përdorë identitetin e tij.

Siguria dhe privatësia

Pasaportat e vaksinimit janë një temë polarizuese, me diskutime online që nxjerrin në pah frikën e pabazuar, se ato do të përdoren për të kontrolluar njerëzit, për të kufizuar lirinë dhe për të thyer privatësinë. Zhvilluesit e këtyre pasaportave theksojnë se të dhënat minimale personale, mbahen në telefona dhe se e vetmja gjë që transmetohet, janë çelësat e kriptimit që lejojnë shkëmbimin e informacionit në mënyrë të sigurt.

“Nëse bëhet ashtu siç duket, kjo nuk shton një nivel shtesë të rrezikut të privatësisë sepse thjesht po vendos një status kredencial për ‘po’ ose ‘jo’”, tha Kevin Trilli, zyrtari kryesor i produktit në kompaninë e verifikimit të ID-së, Onfido, e cila po punon për teknologjinë e kartave të vaksinimit.

Gjithashtu shtrohet pyetja se sa mirë do të punojnë sistemet e ndryshme të kredencialeve të vaksinave dhe nëse vendet do t’i njohin certifikatat e njëri-tjetrit. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka paralajmëruar se aktualisht, jo shumë vende pranojnë prova të vaksinimit nga udhëtarët.

“Ju nuk mund të keni një sistem ndërveprues në ditën zero”, por me kalimin e kohës do të shihen dhe përpunohen ngërçet, gjë që ndihmonin në hedhjen e bazave për pandeminë e ardhshme, tha Trilli.

Por, çfarë për njerëzit që nuk kanë telefona të mençur? Apo për familjet që nuk kanë pajisje teknologjike për secilin anëtar? Zyrtarët e IATA dhe të BE-së thonë se po punojnë për zgjidhje, përfshirë opsione të bazuara në letër.

Përgatiti: Durim Abdullahu
blank

Miratohen pasaportat e COVID, BE: Marrëveshje që mundëson lëvizjen e lirë të qytetarëve

Bashkimi Evropian ka miratuar “certifikatat digjitale”, për banorët e vendeve të unionit, të cilat do të shërbejnë për udhëtimin e lirshëm të qytetarëve brenda kësaj zone.

Komisionerja për Shëndetin në BE, Stela Kiriakides e komentoi marrëveshjen mes vendeve anëtare si një hap të rëndësishëm drejt qarkullimit të lirë të shtetasve europianë.

Edhe qytetarët e vendeve të treta, përfshirë ata nga Ballkani Perëndimor, që janë vaksinuar me dy doza kundër koronavirusit në vendet e tyre, do të mund të udhëtojnë në Bashkimin Evropian pa kufizime.

Rekomandimi u bë të enjten nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian.

Ndërsa për personat që janë nga vendet jo anëtare të BE-së dhe që janë injektuar me vaksinat kineze dhe ruse ende nuk ka një vendim për ta, nëse do të munden të udhëtojnë apo jo në vendet e unionit./Burimi:EuroNews


Send this to a friend