VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Ushqimet që lehtësojnë simptomat e artritit, rëndësia e aktivitetit fizik

By | May 18, 2018

Komentet

10 këshilla për nxirjen perfekte

Përpos gjithë të mirave që na sjellin rrezet e Diellit nuk duhet të harrojmë kurrsesi se ato mund të jenë edhe të rrezikshëm sidomos nëse ekspozohemi pa asnjë mbrojtje, pasi mund të kemi probleme të rënda në lëkurë.
Duke mos lënë mënjanë kujdesin për lëkurën më poshtë gjeni një listë esenciale në 10 hapa për të pasur nxirjen perfekte.
1- Përgatite lëkurën nga ekspozimi duke bërë një pastrim për të hequr qelizat e vdekura dhe pa harruar eksfoliatin për një nxirje uniforme.
2- Nëse të duhet të depilohesh, çfarëdo lloj mënyrë të zgjedhësh, lëre lëkurën të qetësohet për të paktën 24 orë, për të evituar acarimet e padëshirueshme.
3- Aplikoni kremin/vajin mbrojtës gjysmë ore përpara ekspozimit në diell për ta bërë atë sa më efektiv. Aplikojeni edhe më vonë përgjatë ditës, nëse është e nevojshme.


4- Rrisni kohën e ekspozimit në mënyrë graduale: fillojeni duke qëndruar në diell 1 orë, për të mbërritur më pas te disa orë më shumë, si në mëngjes edhe pasdite. Bëjeni lëkurën të mësohet gradualisht me diellin e mos harroni që ka qenë për shumë muaj e mbuluar me rroba të trasha.
5- Mos u ekspozoni gjatë orëve të nxehta të ditës, madje edhe nëse je e re në moshë, sepse të shndërrohesh e kuqe nuk është mirë për më tepër që djegia nuk transformohet si me magji në nxirjen e dëshiruar, përkundrazi mund të shkaktojë një lëkurë të shëmtuar.
6- Rrotullohuni dhe ndryshoni pozicionin shpesh, rreth çdo 15/20 minuta, për ta lejuar diellin të nxijë çdo pjesë të trupit. Më mirë akoma, mund të praktikosh sport ose shëtitjen në breg.


7- Evitoni qëndrimin për orë të tera në diell dhe më pas minuta të tëra në det, ndonëse është e vërtetë që zhytja të rifreskon, por lëkura do të vazhdojë të jetë e ekspozuar në det apo pishina. Balanconi kohën duke pasur parasysh këtë këshillë.
8- Nëse jeni të lodhur dhe doni të merrni një sy gjumë, shkoni nën çadër, kështu do të jeni më të qetë për të evituar nxehtësinë apo skuqje/ nxirje vetëm nga njëra anë e trupit, duke qëndruar për një kohë të gjatë në të njëjtin pozicion.
9- Preferoni diellin natyral në vend të llambave nxirëse, që kanë një përqendrim të lartë të rrezeve ultravioletë, më të dëmshme për lëkurën sepse mund t’i shkaktojnë asaj plakjen e parakohshme.


10- Lyejeni gjithmonë shumë mirë lëkurën tuaj, duke aplikuar edhe në fund të ditës një krem të mirë hidratues ose një qetësues pas diellit. Zgjidhni produktet më të përshtatshme për ju dhe aplikojini edhe pas dushit të mbrëmjes.

Përse femrat shtatshkurtra kanë shtatzani më të shkurtër dhe lindin bebe të vogla?

Një hulumtim i ri i publikuar në revistën PLOS Medicine ka zbuluar që femrat shtatshkurtra lindin bebe me peshë dhe gjatësi më të vogël.

Nuk është fjala vetëm për gjenet

Shkencëtarët nga shoqata Marchof Dimes pas studimit të hollësishëm, kanë zbuluar lidhjen gjenetike midis gjatësisë së femrës dhe peshës dhe gjatësisë së bebes, gjë që ishte e pritur – femrat e vogla lindin bebe të vogla.

Mirëpo, atë që nuk e kanë pritur është që në zgjatjen e shtatzanisë nuk ndikon vetëm gjenetika e nënës.

“Ajo që ndikon në gjatësi, siç janë gjenet, por edhe ushqimi dhe shprehitë e tjera – ndikojnë edhe në zgjatjen e shtatzënisë”, thotë dr. Muglia.

Me fjalë të tjera, faktorët jetësorë ndikojnë në gjatësinë e femrës, gjë që ndikon edhe në gjatësinë e shtatzënisë.

“Periudha e shtatzanisë është kontrolluar me gjatësinë e femrës, ndërkaq gjatësia shprehet me gjëra të tjera në jetën e femrës, siç janë statusi nutritiv apo ekspozimi ndaj ndotjes.

Edhe gjatësia e babait ka rëndësi

Nuk ekzistojnë shumë gjëra të cilat mund t’i bëni kur është fjala për gjenetikën, mirëpo nëse jeni shtatshkurtër, shtrohet pyetja: “A mund të bëni diçka tjetër në mënyrë që të pengoni lindjen e parakohshme?”

“Mendoj që gjatësia është vetëm një ndër disa faktorë të cilët ndikojnë në rrezikun nga lindja e parakohshme. Shëndeti është faktor kyç. Përfshin peshën e shëndetshme në fillim të shtatzënisë, peshën e përshtatshme gjatë shtatzënisë, mospirjen e duhanit dhe pritjen e kohës së përshtatshme midis shtatzënisë (18 – 23 të muajit). Gjithashtu, mjeku juaj me siguri do t’ju mbikëqyrë, nëse jeni shtatshkurtër.”

“Kur kam paciente të cilat janë të gjata 150 cm, në mënyrë intuitive e di që shtatzënia me siguri nuk do të zgjasë gjatë gjithë nëntë muajve dhe me siguri do të ketë nevojë për prerje cezariane për shkak të madhësisë së komblikut”, thotë dr.Muglia dhe shton se si në favor të kësaj shkon edhe gjatësia e babait, posaçërisht nëse babai është njeri shumë më i madh se nëna, andaj kjo nënkupton edhe bebe më të madhe.

Nëse jeni nënë shtatshkurtër, nuk ka nevojë të jeni shumë e brengosur rreth lindjes së parakohshme, derisa i përmbaheni kurës së drejtë gjatë shtatzënisë.

Megjithatë, rezultatet e hulumtimit janë të rëndësishme, sepse u ndihmojnë mjekëve lidhur me shkaktarin e lindjes së parakohshme dhe cilat veprime mund t’i ndërmarrin për ta penguar.

E dimë që shumë femra të cilat përballen me shumë stres, kanë ushqim të vobektë apo jetojnë në shtete ku ka ndotje të ambientit, gjithashtu e çojnë deri në fund shtatzëninë. Vetëm kanë rrezik më të madh nga lindja e parakohshme.

“Gjatësia është pjesë e mozaikut, mirëpo shtatzënia është fenomen shumë kokëfortë, prandaj asnjë femër shtatshkurtër nuk do të çonte deri në fund shtatzëninë, përfundon dr. Muglia.

A munden valët zanore të ndihmojnë për mjekimet e Alzhaimerit?

Membrana filtruese e enëve të gjakut që furnizojnë trurin, parandalon depërtimin në sistemin e qarkullimit të gjakut në tru, të mikrobeve dhe lëndëve të tjera të dëmshme. Por në të njëjtën kohë ajo pengon edhe ilaçet kundër Alzhaimerit, tumorëve të trurit dhe sëmundjeve të tjera të kryejnë funksionet e tyre. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Faith Lapidus njofton se si studiuesit po përpiqen të gjejnë një mënyrë për të anashkaluar barrierën.

Provat me minjtë në Kolegjin Imperial në Londër, kanë treguar se valët zanore me frekuencë të lartë, që përçohen përmes një lëndë viskoze të ngjashme me atë që përdoret për sonogramën e grave shtatzëna, mund të depërtojë përmes mekanizimit filtrues të enëve të gjakut në tru.

“Mekanizmi filtrues i enëve të gjakut në tru është si një lloj roje që lejon vetëm substancat për të cilat ka nevojë truri, ndërsa patogjenët i frenon dhe nuk i lejon të kalojnë”.

Studiuesit injektojnë fllucka të vogla ajri në enët e gjakut dhe i godasin ato me valë zanore me preçizion të lartë, duke i detyruar të dridhen, në këtë mënyrë qelizat në muret e enëve të gjakut tkurren dhe lejojnë depërtimin e ilaçeve në tru.

Një studim i ngjashëm po bëhet në Qendrën për Shkencat Shëndetësore Sunnybrook në Toronto. Pacienti me alzajmer, Rick Karr është pjesë e një prove klinike që synon të zbulojë nëse valët zanore mund të krijojnë një të çarë të përkohëshme në barrierën mes gjakut dhe trurit.

Eksperimenti me zotin Karr dhe pesë pacientë të tjerë me alzajmer tregon se barriera krijoi një hapësirë, lejoi një substancë të padëmshme të depërtojë dhe u mbyll përsëri.

“U deshën vetëm dy trajtime ultrazanore për të treguar se barriera mund të hapej. Është entuziasmuese dhe jam shumë e emocionuar sepse kjo metodë hap një botë të re mundësish. Por duhet të hedhim hapa të matur, të sigurohemi që është një metodë e sigurt”.

Sapo një MRI përcakton pikën e duhur, studiuesit i drejtojnë me preçizion valët ultrazanore. Inovacione të mëtejshme do ta bëjnë edhe më të saktë këtë praktikë.

“Mund të krijojmë rrjete komplekse me mostra me shumë rrezatime, mund t’i bëjmë të vogla dhe të mëdha. Mund ta drejtojmë rrezatimin në çdo pjesë të trurit. Pra teknologjia është aq e avancuar saqë ne mund ta dërgojmë ilaçin në çdo zonë të trurit, nëse e ndërtojmë depërtuesin ashtu siç duhet”.

Mundësia për terapi është ende larg, por ndërsa sëmundje si alcajmeri bëhen një barrë përherë e më e rëndë për shumë shoqëri në gjithë botën, nevoja për një zgjidhje po i shtyn shkencëtarët që të eksplorojnë çdo alternativë të mundshme.

Rëndësia e ushqimeve proteinike në dietën ushqimore

Voltiza Duro – Të gjithë flasin për ushqimet me proteina dhe rëndësinë që ato kanë në dietën tonë ushqimore. Këtë herë blogerja healthy lifestyle, Çenkuela Hasa do të sjellë për ju disa informacione të vlefshme se përse ushqimet proteinike janë kaq të rëndësishme për organizmin tonë dhe pse janë kaq të rëndësishme kryesisht për personat që merren me aktivitet fizik. Ato janë baza e qelizave të trupit tonë. Proteinat janë të përbëra nga njësi më të vogla të quajtura aminoacide të cilat lidhen në zinxhirë me njëra-tjetrën. Proteinat kanë funksion ndërtues në organizmin tonë, janë shumë të rëndësishme për të na mbajtur në jetë, duke ndikuar edhe në rritje. Por kur bëhet fjalë për dieta që kanë rezultate shumë pozitive në humbjen e peshës dhe ndërtimin e masës muskulore, patjetër do zbuloni se përfshirja e proteinave në të tilla dieta është e lartë.

Pse duhet të përdorim proteina?
Nëse ju përdorni ushqime me proteina më shumë se karbohidrate do të keni mundësinë të digjni kalori më shumë. Kjo për arsyen e vetme sepse të tretësh ushqime proteinike kërkon shumë herë më shumë energji. Disa nga ushqimet klasike me proteina të larta janë veza, kryesisht e bardha e saj, fileto pule, peshku kryesisht salmoni, frutat e thata, bulmeti, brokoli, hirra e qumështit. Një funksion tjetër i proteinave është se ato ndikojnë në nxitjen e metabolizmit. Më shumë proteina do të thotë një metabolizëm më i shpejtë. Dhe një metabolizëm i shpejtë do të thotë më pak kilogramë dhe më pak dhjam.

Shtimi i masës muskulore
Më shumë masë muskulore do të thotë që trupi juaj djeg më shumë kalori, madje edhe në gjendje qetësie. Ju mund të shijoni më shumë ushqime se dikush tjetër dhe muskujt tuaj nuk do ju lënë të shtoni peshë. Por proteinat janë elementi kryesor që do ju ndihmojë që të shtoni masë muskulore. Sidomos pas stërvitjes kur muskujt tuaj dëmtohen përdorimi i proteinave më pas me ushqime proteinike do ju ndihmojë që të rigjeneroni muskujt . Por roli i saj në shkrirjen e dhjamit është shumë i rëndësishëm edhe për faktin sepse në momentin që ju merrni mjaftueshëm proteina, trupi aktivizon prodhimin e hormonit glukagon që është përgjegjës për shkrirjen e dhjamit pasi sinjalizon trupin tonë që yndyrën e ushqimeve ta përdorë për energji. Proteinat kanë edhe shumë funksione të tjera si balancimi i sheqerit në gjak, ndihmojnë në zbutjen e urisë duke na dhënë ndjesinë e ngopjes. Prandaj për këtë edhe shumë arsye të tjera, përdorimi i tyre ka shumë rëndësi. Sasia e përdorimit të tyre varet nga pesha, aktiviteti fizik, mosha dhe gjinia. Por për njerëzit me jetë normale dhe që nuk merren me sporte, sipas studimeve të fundit është rezultuar që sasia e proteinave të marra duhet të jetë 0.6 deri 0.9 gram të peshës trupore në ditë.

A e dini se birra dhe vera kanë këto efekte pozitive për shëndetin?!

Nëse bëhet fjalë për shëndetin, atëherë një prej këshillave kryesore që të gjithë dimë është të mos abuzojmë me alkoolin.

Dhe pikërisht togfjalëshi që duhet të kemi parasysh është “të mos abuzojmë”.

Kjo pasi konsumi me kontroll i birrës dhe verës sjell përfitime shëndetësore sipas hulumtuesve.

DailyMail shkruan se këto pije alkoolike janë të pasura me vlera ushqyese.

Birra është e pasur me potazium, magnezium, selenium. Po ashtu, ajo ka vlera të larta të vitaminave B6 dhe B2.

Pra, mos i thoni “jo” një gote verë apo një shisheje birrë. Por mos harroni, ju nuk duhet ta teproni pasi alkooli dihet se është një prej rreziqeve më të mëdha për shëndetin.

Mushkonjat që marrin jetë

Të martën është identifikuar rasti i tretë me virusin e Nilit në Kosovë, ndërkaq ditë më parë, një person ka ndërruar jetë, si pasojë e këtij virusi.

Zyrtarë shëndetësorë thonë se edhe një tjetër person është trajtuar në Klinikën Infektive me virusi Nil, por që i njëjti pas trajtimit është larguar në shtëpi.

Lajmin për prezencën e këtij virusi e ka konfirmuar drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, duke shtuar se deri më tani tre pacientë janë diagnostikuar me këtë virus.

Infeksioni i virusit të Nilit te njerëzit, kryesisht është rezultat i kafshimit nga mushkonjat e infektuara. Shtatëmbëdhjetë të vdekur si pasojë e virusit të Nilit është bilanci i një jave në vendet e Evropës. Kështu bën të ditur Qendra Evropiane për Mbrojtje dhe Kontroll nga Epidemitë.

Sipas të dhënave të këtij institucioni, në Serbi janë nëntë të vdekur, tre në Greqi, një në Itali, një në Rumani dhe një në Kosovë.

Njollat kafe, pasojë e moshës apo nxirja diellore

Hiperpigmentimi është një theksim i ngjyrimit normal të lëkurës me përhapje difuze (nxirja) ose i lokalizuar në disa zona të veçanta (njollat), në origjine të të cilit qëndron një çrregullim në akumulimin dhe shpërndarjen e pigmentit normal të lëkurës (melaninës).

Çfarë ndodh në lëkurë?
Një element i rëndësishëm karakterizues i lëkurës sonë është ngjyra apo pigmenti i saj. Përgjegjës për të janë disa pigmente të pranishme në kushte normale në lëkurën tonë dhe secili prej tyre është përcaktues për një kolor specifik si p.sh.:

– Melanina është përgjegjëse për ngjyrime që variojnë nga e verdhë-kafe në të zezë, ndërsa hemoglobina është përgjegjëse për ngjyrimet në të kuqe.
– Karoteni është përgjegjës për ngjyrimet në të verdhë-portokalli.
Në kushte normale, rolin kryesor në pigmentimin e lëkurës sonë e luan melanina dhe qelizat përgjegjëse për prodhimin e saj (melanocitet). Melanocitet lokalizohen në shtresën bazale të epidermës (shtresa më e thellë e pjesës së sipërme të lëkurës). Ata prodhojnë melaninën, e cila më pas transportohet drejt qelizave më sipërfaqësore të lëkurës (keratinocitet), duke i dhënë ngjyrën asaj, si dhe kryen funksionin fotombrojtës ndaj rrezatimit diellor.

Dielli është shkaku
Për ta thjeshtuar, hidhini një sy pjesës së brendshme të kofshës suaj. Nuk ka njolla kafe. Pesë shenjat e plakjes së lëkurës janë njollat kafe, rrudhat, poret e zgjeruara, lëkura e lëshuar dhe shfaqja e enëve të dukshme të gjakut në fytyrë (kapilarë merimangë).
Dielli është shkaku kryesor. Me kalimin e kohës, si pasojë e mbiekspozimit në diell, të tilla njolla shfaqen kryesisht në fytyrë, por edhe në trup. Lëkura jonë është përherë e më shumë subjekt i mjaft dëmtimeve nga dielli. Pigmenti i melaninës, i pranishëm në lëkurë e mbron atë në mënyrë natyrale ndaj rrezatimeve UV, por sidoqoftë, me kalimin e moshës, aftësia mbrojtëse natyrale ndaj rrezatimeve UV e lëkurës bie dhe për pasojë, njollat e moshës apo të diellit shfaqen më shpesh.

A janë të gjitha e njëjta gjë?
Ka tipa të ndryshëm njollash kafe, që shfaqen në lëkurë. Grupet kryesore janë njollat kafe nga dielli apo të moshës (solar lentigines) dhe qukat (ephelides). Njollat kafe apo të moshës janë më të mëdha, shfaqen kryesisht në fytyrë dhe duar, tek personat e moshës së mesme, si pasojë e dëmtimeve nga rrezatimi diellor. Ato kanë tendencë të persistojnë më gjatë dhe nuk zhduken gjatë dimrit. Shfaqen zakonisht tek personat me lëkurë të bardhë, por janë gjithashtu të shpeshta tek personat që nxihen lehtë dhe që kanë lëkurë të errët. Qukat janë njolla kafe të sheshta, që shfaqen në lëkurë dhe në pjesët e ekspozuara ndaj diellit që në moshë të vogël. Ato janë pasojë e grumbullimit të lokalizuar të melaninës në qelizat e lëkurës (keratinocite) dhe shihen kryesisht tek personat me lëkurë të bardhë dhe flokë të kuq ose biondë. Janë më evidente gjatë verës dhe zbehen dukshëm ose mund të zhduken gjatë dimrit.
Një grup të veçantë përbën Melasma ose Chloasma ose e njohur ndryshe si “maska e shtatzënisë”. Janë njolla të errëta ose kafe të lëkurës, që shfaqen te gratë shtatzëna ose tek ato që marrin terapi hormonale zëvendësuese (kontraceptive). Lokalizohen kryesisht në faqe, hundë, ballë dhe buzën e sipërme. Ato kanë tendencë të përkeqësohen me kalimin e kohës dhe të bëhen persistente edhe pas shtatzënisë.

A janë të rrezikshme?
Gjëja më e rëndësishme që mund të bëni kur shihni një njollë të pigmentuar në lëkurën tuaj është të mos e neglizhon i atë. Nëse dalloni një njollë në lëkurën tuaj e sidomos nëse ka ndryshuar ngjyrën apo formën, ju duhet të konsultoheni me një dermatolog, i cili do të përcaktojë natyrën e saj dhe më tej trajtimin e duhur.

A shkakton nxirja e lëkurës njolla kafe?
Lëkura e nxirë nuk është një lëkurë e shëndetshme. Nxirja është mënyra e trupit që na tregon se lëkura jonë është dëmtuar dhe si e tillë, ajo bën një tentativë për të mbrojtur veten nga dëmtimi i mëtejshëm. Ky dëmtim çon në shfaqjen e njollave të ndryshme në lëkurë.

Trajtimi
Për trajtimin e njollave kafe, dermatologët kanë në dispozicion një sërë preparatesh me aftësi depigmentuese. Ndër principet më të rëndësishme, përmendim arbuitinën (hydroquinone-beta-D-glucozid), alfahidroksiacidet (acid laktik, glikolik dhe laktobionik), acidin azelaik, acidin retinoik Go gjatë shtatzënisë), acid in elagikoid, vitaminën C etj., të cilat gjenden kryesisht të formuluara në trajtë kremi, solucioni apo xheli. Ndërkohë që dermatoloqët, për të trajtuar hiperpigmentimet, përdorin sot edhe metoda të tjera, si: lazerin, krioterapinë, peelingun dhe mikrodermoabrazionin.

Kremra me filtër solar gjithë ditën, çdo ditë
Trajtimit të hiperpigmentimeve, dermatologët i bashkëngjisin pothuajse gjithmonë edhe kremrat fotombrojtës me SPF 30-50, që jo vetëm ruajnë efektin e agjenteve depigmentues, por edhe sepse kjo do t’i mbrojë ndaj dëmtimeve të mëtejshme dhe shfaqjes së njollave kafe. Edhe nëse ke lëkurë të dëmtuar nga dielli, qoftë edhe shumë evidente, nuk është kurrë shumë vonë për t’u mbrojtur.

Kujdes! Pjesa më e madhe e dëmtimit nga dielli ndodh kur ngasim makinën. Xhami i makinës bllokon 100% rrezet UVB (të cilat shkaktojnë djegien e lëkurës) dhe aspak ato UVA, rrezet shkaktare të plakjes së lëkurës dhe të dëmtimeve nga dielli.

Duhet theksuar se çdo rast me hiperpigmentim përbën një rast specifik dhe si i tillë, duhet trajtuar në mënyrë specifike dhe vetëm nga një mjek dermatolog. Dermatologu është trajtuesi i vetëm që merr përsipër të trajtojë problemin dhe pasojat që mund të rrjedhin nga trajtimi.

Kafe turke për një jetë të gjatë? – Zbuloni faktet shumë interesante

Kafeja turke përmban dy substanca të rëndësishme si kafestol dhe kaheol, të cilat kanë vlera të mira kundër inflamacionit

Çdo ditë, amvisat shqiptare përballen me mëdyshje, sfida dhe punë. Përpara se të përballen me këto sfida, tradita e kërkon një filxhan me kafe turke.

Shkencëtarët kanë kryer disa studime në lidhje me jetëgjatësinë e njerëzve në zonën e Ballkanit dhe të Mesdheut në përgjithësi të cilët pinë kafe turke ose siç njihet ndryshe kafeja e bluar imët.

Kafeja Turke: Një Histori Intrigash Politike dhe Dashurie

Kafeja ka origjinën në Kaffa të Etiopisë, megjithatë emri i saj vjen nga Arabishtja. “Qahëa” përkthehet “Verë”.

Kafeja e parë është prodhuar në Jemen, ku shumë besimtarë pinin kokrrat e kafesë të tretura në ujë, për të qëndruar zgjuar gjatë lutjeve.

Nga Jemeni, në vitin 1517 kafeja rrugëtoi në Stamboll. Asokohe, Turqit zbuluan se me kokrrat e kafesë ata mund të përgatisnin një pije të shijshme, të athët dhe me ngjyrë të zezë, me anë të së cilës mund të merrnin shumë energji dhe të shuanin urinë.

Kafeja u bë e preferuara e Sulejmanit të Madhërishëm, Sulltaneshave dhe Konkubinave të Haremit. Sulltan Sulejmani u marros pas kafesë dhe i dha ‘pijes së zezë’ vulën perandorake.

Turqit shpikën metodën e përgatitjes së kafesë me xhezve. Ata i bluan kokrrat e kafesë shumë hollë dhe i zien në ujë. Fisnikët e Oborrit të Sulltanit e kishin kafenë si kriter në përzgjedhjen e nuseve.

Nëse kafeja që një grua shërbente ishte e bluar dhe bërë mirë, atëherë ajo do të ishte një grua e shkëlqyer, thotë legjenda. Kafeja u kthye në një instrument edhe për vetë gratë.

Legjenda thotë se nëse ato servirnin një kafe të ëmbël atëherë do të thotë që ishin të lumtura me zgjedhjen e bashkëshortit. Nëse kafeja ishte e hidhur, bashkëshorti nuk u pëlqente.

Asokohe, sipas të dhënave, një grua e martuar kishte të drejtën të ndahej nga bashkëshorti, nëse ai nuk sillte kafe në shtëpi.

Shumë shpejt në të gjithë perandorinë Otomane u përhapën kafenetë e para të cilat vite më vonë u shpallën të paligjshme, sepse njerëzit qëndronin shumë gjatë në këto vende ku sipas spiunëve të oborrit thureshin kurthe dhe plane për vrasjen e sulltanit.

Në vitin 1656, ndëshkimi për këdo që kapej duke bluar kafe ishte kamzhiku dhe mbytja në det.

Kafeja Turke dhe Jetëgjatësia

Në ishullin Ikaria të Greqisë, të gjithë banorët e nisin ditën me një kafe turke. Ky ishull gjithashtu njihet të ketë popullsinë më jetëgjatë në të gjithë vendin.

Kjo frymëzoi disa shkencëtarë të studionin efektin e kafesë dhe mënyrës së jetesës tek jetëgjatësia e njerëzve. 142 njerëz  të grupmoshave të ndryshme morën pjesë në studim.

Shkencëtarët morën në konsideratë edhe faktorë të tjerë si, gjinia, pesha, gjatësia, pirja e duhanit, sëmundjet e zemrës dhe hipertensioni.

Rezultatet e studimit treguan  qelizat endoteliale tek njerëzit që pinin më shumë kafe turke, kishin një performancë më të mirë.

Këto qeliza kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në enët e gjakut.

Nëse ato nuk funksionojnë mirë, me kalimin e kohës mund të shkaktojnë bllokimin e kapilarëve dhe enëve të gjakut, madje mund të shkaktojnë edhe vdekje të parakohshme.

Krahasimi mes grupmoshave në studim tregoi se konsumi në rritje i kafesë turke ka një ndikim pozitiv në elasticitetin e arterieve. Kjo pakëson shanset e shfaqjes së tensionit të lartë të gjakut.

Kafeja turke përmban dy substanca të rëndësishme. Ato njihen si kafestol dhe kaheol, të cilat kanë vlera të mira kundër inflamacionit por edhe shërbejnë si antioksidantë.

AgroWeb gjithsesi këshillon të mos e teproni me sasinë, pasi si çdo gjë, kur teprohet kthehet në dëm të shëndetit.

Fuqia kurative e nenexhikut të egër dhe roli i fortë në organizëm

Nenexhiku i egër është një nga erëzat më të preferuara, jo vetëm për vlerat mjekësore, por edhe për shijen dhe aromën që përcjell.

Gjethet e nenexhikut të egër janë përdorur që në lashtësi dhe aroma e tyre gjithnjë ka simbolizuar mikpritjen në shumë kultura.

Kërkimet shkencore të kohëve moderne vazhdojnë të provojnë atë që tashmë dihet në mbarë botën: nenexhiku i egër është një nga kurat bimore më të çmura të natyrës.

Ndryshimi kryesor mes nenexhikut të egër dhe atij të kultivuar qëndron në faktin se ndryshe nga nenexhiku i butë i vazove apo oborreve, nenexhiku i egër gjendet i rritur në natyrë duke i mbijetuar vetë kushteve atmosferike dhe elementëve natyrorë.

Shqipëria është një nga vendet e bekuara me këtë bimë mjekësore dhe nenexhiku i egër gjendet shpesh nëpër pyje dhe kullota.

Çaji i nenexhikut të egër përgatitet njëlloj siçdo çaj tjetër bimor. Mjaftojnë dy lugë kafeje me nenexhik të thatë në një gotë ujë të valuar. Kullojeni dhe ëmbëlsojeni sipas dëshirës.

Pesë vlerat shëndetësore të çajit të nenexhikut të egër

1. Largon stresin

Çaji i nenexhikut të egër është aleat shumë i fuqishëm kundër stresit dhe ankthit.

Mentoli që gjendet në këtë barishte, qetëson muskujt, një aspekt fizik që përkthehet në një trup dhe mendje të qetë dhe pa ankth.

2. Sjell gjumin e munguar

Nëse pini çaj nenexhiku përpara se të shkoni në shtrat, atëherë do të bëni një gjumë të qetë. E gjithë kjo aftësi e këtij çaji, vjen nga përmbajtja e mentolit tek nenexhiku.

Jo vetëm që ai qetëson muskujt, por edhe ju ndihmon të keni ëndrra të bukura. Përpiquni të lexoni një libër teksa pini çaj nenexhiku.

3. Rrit përqendrimin

Keni vështirësi të përqendroheni? Zgjidhja qëndron tek çaji i nenexhikut të egër i cili rrit përqendrimin dhe vigjilencën.

Hidhni gjethet e nenexhikut në një enë me ujë të valuar dhe mbulojeni me kapak deri sa të ziejë. Mbajeni çajnikun në dhomën e ndenjes dhe lëreni aromën të pushtojë shtëpinë tuaj. Do të ndieni ndryshimin menjëherë.

4. Kuron sinozitin

Konsumi i lëngjeve të ngrohta si çaji me mjaltë mund të ndihmojë me zhbllokimet në rrugët e frymëmarrjes, por çaji i nenexhikut të egër është më special.

Lëngu i ngrohtë i nenexhikut gjithashtu kuron fytin e lënduar, një nga simptomat më frekuente të virozave dhe të ftohtit.

5. Zgjidh problemet me stomakun

Çaji i nenexhikut është një kurë natyrale për disa probleme me stomakun, siç janë fryrjet, gazrat dhe konstipacioni.

Ditët e sotme vaji i nenexhikut përdoret nga ekspertët për të kuruar problemet me stomakun dhe zorrët.

Çaji i nenexhikut lehtëson kalimin e gazrave në organizëm, largon të vjellat, zgjidh problemet me diarenë dhe konstipacionin.

Pavarësisht këtyre vlerave të mira, nuk duhet harruar që çaji i nenexhikut të egër mund të ketë disa efekte anësore. Disa njerëz janë alergjikë ndaj mentolit, ndaj duhet pasur kujdes. Femrat shtatzënë duhet të dinë gjithashtu që çaji i nenexhikut relakson uterusin dhe mund të rrisë rreziqet e abortit./AgroWeb.org

Lëkura e fytyrës – Sekretet e rinisë së përjetshme

Një lëkurë e pastër, me shkëlqimin që të jep shëndeti i mirë nuk ka të paguar

Kur vjen puna tek lëkura disa njerëz janë të bekuar nga natyra e ca nga genet e mira.

Lëkura, është ajo që na përfaqëson në pamje të parë dhe kërkon shumë mirëmbajtje dhe ushqim.

Stresi, ndotja mjedisore dhe faktorë të tjerë ndikojnë në përkeqësimin e saj.

Një lëkurë e pastër, me shkëlqimin që të jep shëndeti i mirë nuk ka të paguar.

Por përse të paguash shumë kur mund të provosh këto çajra të rëndësishëm bimorë të cilët përmbushin nevojat më bazike të lëkurës.

Shëndeti dhe bukuria e lëkurës nisin pikë së pari tek ushqimet që konsumoni.

Studimet kanë konfirmuar se antioksidantët, polifenolët dhe substancat kundër inflamacionit përmirësojnë dhe mirëmbajnë shëndetin e lëkurës.

A ka një produkt ushqimor që i përmban të gjitha këto?

Patjetër që po. Ai është çaji.

Lëkura e fytyrës dhe çajrat

Ekspertët janë dakord me idenë se antioksidantët tek çaji luftojnë radikalet e lira që sulmojnë shëndetin e lëkurës dhe flokëve.

Këto antioksidantë e mbrojnë lëkurën edhe nga dëmet e rrezeve ultravjollcë dhe faktorët agresivë të ambientit.

Më poshtë do të gjeni një listë nga AgroWeb.org me çajrat më të mirë për lëkurën.

Çaji i Zi

Çfarë bën: Çaji i zi është plot me antioksidantë, vitamina dhe minerale si magnezi, kaliumi dhe zinku.

Të gjitha këto parandalojnë shenjat e plakjes, shfaqjen e kancerit dhe inkurajojnë rigjenerimin e qelizave.

Si ta përdorni: Çajin e zi mund ta mbani në ujë të valuar për 10 minuta.

Më pas mund të shtoni disa gjethe mente dhe t’i lini së bashku për 45 minuta.

Pasi e keni kulluar, zhysni një napë të pastër dhe me të lyeni lëkurën për të hequr çdo gjurmë inflamacioni ose problemi.

Nëse keni sy të enjtur, kafeina tek çaji ju vjen në ndihmë.

Mund të vendosni bustinat e çajit të zi në pjesën e rrathëve të syve përpara se të vendosni kremin.

Çaji kamomil

Çfarë bën: Ky është çaji më i mirë bimor kundër sëmundjeve të lëkurës, akneve, irritimeve apo përtharjes.

Kamomili përmban flavonoidë dhe terpenoidë që e zbusin dhe e ushqejnë lëkurën e fytyrës.

Si ta përdorni: Nëse e vendosni në lëkurë, çaji do e ushqejë, do largojë skuqjet dhe irritimin thonë ekspertët.

Pasi çaji të ketë zier përdorni një napë dhe vendoseni në zonat më problematike të lëkurës.

Çaji jeshil

Çfarë bën: Çaji jeshil po përfshihet në shumë produkte kozmetike dhe ushqimore.

Çdo gllkënkë e këtij çaji ju ushqen me antioksidantë. 15-20 përqind e përmbajtjes së çdo gjetheje përbëhet nga katekina, një antioksidant i fuqishëm.

Ky antioksidant largon radikalet e lira dhe shmang shenjat e plakjes.

Çajin pijeni rregullisht çdo ditë, thonë ekspertët.

Si ta përdorni: Mbushni dy lugë me gjethe të çajit jeshil dhe hidhni sipër tyre tre lugë me ujë të nxehtë.

Lërini për pak minuta.

Në një tigan të vogël të thellë hidhni një filxhan me vaj arre kokosi.

Kur të jetë shkrirë shtoni gjethet e çajit dhe disa pika nga një vaj esencial që ju përshtatet më shumë.

Uleni temperaturën dhe lërini të gjithë përbërësit të ziejnë ngadalë për 30 minuta.

Më pas kullojeni lëngun dhe futeni në frigorifer për 30 minuta të tjera.

Më pas futeni në një mikser dhe përzijeni për 3-5 minuta.

Ky krem zbutës mund të përdoret për 2 javë.

Xhenxhefili

Çfarë bën: Xhenxhefili ka një ndkim zbutës dhe qetësues për lëkurën sepse lufton inflamacionin.

Si ta përdorni : Thjesht duke nuhatur aromën e xhenxhefilit gjatë zierjes do të përmirësoni qarkullimin e gjakut dhe transferimin e oksigjenit.

Qërojeni dhe grijeni dhe ziejeni në ujë bashkë me pak lëng limoni dhe mjaltë.

Ekspertët rekomandojnë konsumimin e një luge gjelle me xhenxhefil të freskët e të grirë çdo ditë./AgroWeb.org

Disa trajtime shpresëdhënëse për kancerin në tru

Senatori republikan John McCain është ndoshta personi më i njohur me kancer në tru. Ai ka llojin glioblastoma të kancerit, më vdekjeprurësin.

Ish kandidati për president njoftoi se ishte i sëmurë vitin e kaluar. Nuk ka shërim për llojin e kancerit që ai ka; edhe kur mjekohen, shumica e njerëzve me atë lloj kanceri nuk jetojnë më shumë se tre vjet pas zbulimit të tumorit, por shkencëtarët po eksperimetojnë trajtime të reja shpresëdhënëse. Kronika në vazhdim na njeh me disa kërkime të kohëve të fundit, që po i japin shpresë pacientëve me tumor në tru.

Lori Mines u diagnostikua me kancer në tru dy vjet më parë:

“As që doja të dija më tepër për këtë lloj kanceri, doja vetëm të bëhesha më mirë,”– thotë ajo.

Edhe forma jo-kanceroze të tumorit në tru mund të bëhen vdekjeprurëse, në se prekin pjesë të trurit që komandojnë funksionet vitale të trupit.

Trajtimi i tyre mund të bëhet me ndërhyrje kirurgjikale, kimioterapi, ose rrezatim, ose me kombinim të të gjithave.

Glioblastoma është forma më e zakonshme e tumoreve kanceroze të trurit dhe më pak se 6 për qind e personave të prekur mund të jetojnë 5 vjet pas zbulimit të tumorit. Këtë lloj tumori ka Lori Mines.

“Shpresoj të jetoj më gjatë, por jam realiste. Jam me glioblastoma, por unë do të vazhdoj të luftoj,”– thotë ajo.

Shkencëtarët në Univeritetin “Duke” zbuluan se mund t’i shtojnë shanset e mbijetesës për disa pacientë, duke injektuar tek tumori i tyre një virus të modifikuar të poliomelitit. Ky është shembull i një terapie me goditje të përcaktuar.

Studjues të tjerë po përpiqen me terapinë e goditjes së tumorit përmes sistemit imunitar të trupit.

“Jemi duke studjuar metoda të reja klinike, me terapi të përcaktuar, me imunoterapi, disa prej të cilave duken shumë premtuese. Ka shumë shpresa për pacientët me këtë sëmundje.”– thotë Dr. Arnab Chakravarti.

Dr. Arnab Chakravarti udhëhoqi një studim të Qendrës së Kancerit në shtetin e Ohajos, që bazohej tek përbërja gjenetike e gliomave, tumoreve të trurit, qofshin ato kanceroze, ose beninje.

Mines u përfshi në këtë studim.

Studjuesit zbuluan se mund të arrihej më tepër se sa thjesht dyfishimi i viteve të jetës për pacientët me një lloj të veçantë kanceri, kur ata trajtoheshin me kimioterapi dhe rrezatim.

“Është shumë e rëndësishme që çdo pacient të ketë trajtim individual për llojin e tij të kancerit, prandaj është duhet të njihen mirë predispozitat biologjike, treguesit dhe shenjat paralajmëruese të sëmundjes.”– thotë Dr. Chakravarti.

Ekspertët thonë se analizat me treguesit gjenetikë do të bëhen standarte për të gjithë pacientët me tumor malinj në tru. Po ashtu, ata po shqyrtojnë përdorimin e terapive të përqëndruara me ilaçe, si pjesë e trajtimit të individualizuar. Ka shpresa se një ditë, diagnostikimi me kancer në tru nuk ka për të qenë më si një dënim me vdekje për pacientin.

Si të mbillni dafina në vazo – Për shije dhe shëndet në shtëpi

Dafinën e gjejmë të mbjellë në shumë kopshte dhe hapësira të gjelbëra

Dafina nuk është thjeshtë një erëz që i shton shije fantastike gatimeve por mbi të gjitha ajo është e pasur me vlera të jashtëzakonshme shëndetësore

Dafinën e gjejmë të mbjellë në shumë kopshte dhe hapësira të gjelbëra.

Nëse dëshironi, mund të merrni një degë të hollë të pemës së dafinës.

Dega duhet të ketë një gjatësi prej 8-10 centimetrash. Hiqni gjethet e sipërme dhe të poshtme duke vendosur degën në një vazo.

Mbusheni dy të tretën e saj me rërë e guralecë dhe një të tretën me dhe’ të plehëruar organik. Mbulojeni vazon me një qese plastike, por mos e lejoni të prekë degën e dafinës.

Mbulimi do të krijojë një serë të vogël për rritjen për së mbari të dafinës që nga dega.

Kësaj të fundit do t’i duhen disa muaj deri sa të lëshojë rrënjë dhe kur ta bëjë këtë gjë, atëherë mund të vendosni nëse dëshironi ta transportoni bimën e re në kopsht apo në një vazo tjetër.

Të dyja vendet janë të përshtatshme, por nëse zgjidhni vazon atëherë duhet të angazhoheni t’i ndërroni dafinës së re ‘shtëpi’ herë pas here dhe ta ushqeni me pleh për të siguruar rritjen e saj.

Pema ka nevojë për shumë diell dhe rritet mirë në klima të freskëta, por nëse ndodheni në një vend me klimë të nxehtë, atëherë sigurohuni që bima të ketë hije të pjesshme.

Dafina kërkon të mbrohet edhe nga era. Zgjidhni një vend me tokë të kulluar mirë.

Nëse dëshironi ta mbillni në vazo atëherë shtoni lëngun e gjysëm limoni jeshil për të ekuilibruar aciditetin e dheut.

Dafina duhet ujitur herë pas here, por sigurohuni që dheu përreth të jetë i thatë kur ta ujisni.

Ujiteni më shpesh, kudo që ta keni mbjellë.

Trungu i ri i pemës duhet të ketë hapësirë dhe nuk duhet mbuluar me shumë pleh.

Pema e dafinës nuk ka nevojë për krasitje, përveç se në rastet kur dëshironi t’i jepni një formë që ju pëlqen, ose të parandaloni zgjatimin e saj.

Forma e rekomanduar është ajo rrethore, kryesisht për dafinat e rritura në saksi.

Pema e dafinës rritet nga toka me metra. Por nëse e keni mbjellë në një saksi, atëherë ajo do të jetë shtatshkurtër pasi zhvillimi i rrënjëve ndikon gjatësinë e shtatit.

Gjethet e saj mund t’i këpusni kur pema të jetë formuar plotësisht. Gjethet duhen këputur herët gjatë ditës për të ruajtur aromën e tyre.

Nëse gjethet kanë marrë nuanca të verdha, atëherë me siguri po e teproni me ujin dhe rrënjët janë tepër të lagështa.

Dheu përreth dafinës duhet të ngjajë me një sfungjer të shtrydhur, jo të zhytur në ujë./AgroWeb.org