VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

URATË PËR REFUGJATË – Poezi nga NËNË TEREZA

By | September 27, 2020

Komentet

Ujku dhe qeni – Fabul nga FEDRI

 

Sa e ëmbël është liria, dua ta shpalos shkurtimisht.

Një ujk i ligështuar dhe i uritur takon një qen të ushqyer mirë.

“Nga na vjen me kaq shkëlqim dhe bukuri? Çfarë ha për t’u mbajtur kaq mirë? Unë jam më i fortë se ti, por vuaj nga uria ”

“Edhe ti mund të ndihesh mirë nëse dëshiron, për sa kohë që i bën të njëjtin shërbim zotërisë.”

“Çfarë shërbimi?”

“Ruajtja e shtëpisë natën dhe frikësimi i hajdutëve.”

“Po, unë pajtohem! Jam lodhur nga kjo jetë e vështirë. Duhet të jetë mirë të kesh një çati mbi kokë dhe të mbushësh barkun pa gjuajtur. Unë po vij me ty.”

Duke ecur ujku pa se qafa e qenit ishte pak e dëmtuar: “Çfarë është ajo shenjë që e ke në qafë? ”

“Oh… nuk është asgjë!”

“Unë dua ta di!”

“Ndonjëherë, ata më mbajnë të lidhur në mënyrë që të pushoj ditën dhe të qëndroj zgjuar natën. Por në mbrëmje unë mund të endem lirshëm, dhe ata më ushqejnë.”

“Por nëse do që të dalësh, a ke leje?”

“Kur të dua … jo”.

“Mirupafshim mik, unë preferoj më mirë të ha pak në liri sesa shumë në robëri!!!”/Skënder Buçpapaj

ECJE MBI XHAMA – Cikël poetik nga MUSTAFA V. SPAHIU

                   ECJE MBI XHAMA    

 

 

Muzgu qeros derdhet mbi xhama – ferr,

Shputat më janë gjakosur zjarr shqim, e

Flakë nxjerrin – si gozhdat në kushtrim,

Sëmbojnë si kongjijtë beftas nëpër terr!

 

Thërmia xhamash dritës të shpërndarë,

Provo me këmbë kanjushë të fluturosh,

Ndiz kandilash plagët – var t’i mjekosh,

Mos trazo anamenë – kërko bimë e bar.

 

Pjesa tjetër e xhamave kaq po zbardhon,

Prej horizontit breshër gurët e qiellit, po

Godasin m’rrufeshëm se rrezet e dielli, e

Gjaku po ngjizet brengat po i murron, si

 

Zemra kur vithiset e shembet pa pritë!

Dhemba trashet ofkëllima deri në kulm;

Ecja mbi xhama s’është trimëri as zulm,

Kumbonaret tingëllojnë thellë në shpirt!

 

 

E martë, 19 kollozhèk 2021, në

Dardaninë Ilire

 

                FUSHË E VENDLINDJES

 

 

 

Të kam dashuruar me shpirtkrenari,

Nëpër grunajash dhe në kallamoqe

Ti si lirishte – s’të gjeta kund shoqe,

Stërgjyshërit të ruajtën me trimëri.

 

Ky zjarr i zjarrtë që prej fëmijërisë

Kur s’m’u shua thellë n’kraharor-

Vargjesh zemre t’i thuri kurorë,oh,

Fushë e vendlindjes fole e lirisë,e

 

Kupë e qiellit si vello me dëfrime,

Në ditësh lavdie si zgjua bujarie…

Dhe mezhdat s’presin ujeme urie

Qeshin frutet fushës me lavdime.

 

Fush’e vendlindjes merr një amanet:

Mua me shoq’e shokët na dhæ dritë…

– Na jep forcë për t’u mos u venitë,e

Nga të tjerët të këndon – i yti – poet!

 

Fush’e vendlindjes breroresh n’fytyrë,

Nesër mrekulli mund ta kesh,brezin –

E ru që vjen – dhuratash ta shpërblesh;

Çdo valë lumi ta shfaqën në pasqyrë…

 

Fush’e shtrenjtë û rroj me njerëzinë,

Për ty po stisi margaritar me mënd,

Zemra ime është në shpirtin tënd, e

Fjala jote e përimton tërë poezinë…

 

 

E enjte, 21 kollozhèk 2021, në

Dardaninë Ilire

 

KURRILLA OGURMIRË

 

 

Ngjatjetoj lumin fisnik sinqerisht,

Shklasin dallgët s’di si më mirë –

Krahapur vjen kurrilla ogurmirë –

E tund sqepin aq përzemërsisht.

 

Të dy sytë i shkrepin një dashuri,

Lehtë ulet prej fronit aq të lartë, e

Sqepit nxjerr krrokamë t’zjarrtë,

Kur sodit më t’madhen mrekulli!

 

Dy brigjesh hovet duke fluturuar,

Kurrilla krenare e përplot guxim-

Unë rri gati m’mbush frymëzim,

Natyrës kërkoj vargun e qëruar.

 

Më thuani miqësinë kush s’e don?

Te lumi takoheshim për çdo ditë…

Me kurrillën përmot unë jam rrit –

Thuri shpresë zogu ende fluturon!

 

Ardhja e kurrillës kishte një vlerë,

Me pendlat e paçta dukej tej larg

Dhe zogjtë tjerë vinin varg e varg

N’vendlindjen e tyre ku kanë lerë.

 

Tri stinësh shelgjet s’kishin portë,

Qielli zbarkohej nga shtegtimet,e

Plepat t’parët merrnin përqafimet;

Kurrilla “ime” vinte pa pasaportë.

 

Për kurrillën ndjejë ‘i dhëmbshuri!

S’dua kjo këngë helme t’iu sjellë,

T’panumërtat mistere ikën thellë!

Kurrilla gjeti folenë në këtë poezi.

 

 

E enjte, 21/22 kollozhèk 2021, në

Dardaninë Ilire

 

NGA GJUHË BLETE DEL

                                 FJALA

 

 

Përbiroje fjalën gamile me fije

Të tyltë në vesh gjilpëre yjesh

N’gishtërinjtë e vestaleve fute

Bërthamën n’fetus të virgjërt.

 

Nga gjuhë blete del fjala, sa

Larg meje n’urë buzësh – fjaf

Ndrit shpirti zhgrehet rrufeja

Hapen fluturimet degë vatre.

 

N’praninë time bleron kujtimi

I pranoj fjalët pa u përkulur,një

Unazë ilire më vizatohet ylber

N’mollëza t’fytyrës dikon krua.

 

Përkulem t’i ngjasoj rrënjëve

Buzëqeshja e agimit m’shfaqet

Rretherrotull nektari ma zhduk

Sëmundjen zogu s’ndal cic’rime.

 

T’mbarës s’i ndahem me gjuhën

Qepi qiellin e grisur me arnat blu

Pikojnë metafora pse shiu fshehet

Në gjuhë blete këlthet bukuria, as

 

Fjala s’të mashtron shpresa e fati

Piqen në zjarrin magjik të gjakut-

Unë e mashtroj fjalën në gjakoj lojën

Gabimisht t’keqkuptuar të urtisë.

 

 

E shtunë, 23 kollozhèk 2021, në

Dardaninë Ilire

 

             NJË PËRGJIGJE KARAGJOZËVE

 

Pa pardon t’shartuar jeni karaskaqë,

Ballë, hundebuzë uritur – fytyrëçarë

Në rropulli mallkimesh jeni t’vrarë –

Udbashët iu kanë mëkuar me kulaç.

 

Keni ndopak dinjitetin e shqiptarëve,

Bëni tuxharllëk me dreqin e të birin!

Me Nikolla Pashën,Esat Toptan qafirin,

ADN-ët e gjenit i keni si të gomarëve.

 

Në mua anakonda çka jeni hakërruar?

Nëntë vite po derdhni helme të therta,

Ju eunuk me malloçet e shterpëta,në

Shtrezash sogjoni natë e ditë t’zgjuar.

 

Publikisht! Për tutë s’ndi kur hiç e hiç!

Këtë lëkurë s’e ndërroi me tjetër lëkurë;

Llafe boshesh shajaku s’është lënurë;

Atkina s’ka pjellë asnjëherë dot kërriç?

 

Stojan Andov[1] iu futi në lojëra të kota,

Resore ministrash iu pati premtuar, Be-

Dele ngelët mëkatarë më të turpëruar

Dhe të pështyrë mbi ju po qesh BOTA!

 

 

E shtunë, 23 kollozhèk 2021, në

Dardaninë Ilire

[1] Stojan Andov,  spiker i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, disa mandate në legjislacionet e Parlametit. I dalluar si albanofob i regjur ekstrem!?!

 

THARMA E BLERIMIT

 

 

Vetveten ngjeshi n’tharmë të blerimit,

Me ujin e paparë – rruazat e shpresës,

Të përtritëm si bar rrënjve t’qëndresës

Dhe murriz qofsha n’stom të kujtimit.

 

Poezia ime të mos vuan për lagshtirë!

Me zemër ta magjepsi t’egrin gjarpër,

Me mirësi të këngës të rrimë në vatër

Për njëri – tjetrin të kemi pak mëshirë!

 

Ndrydhur e ngjeshur për jetë tē jetës,

Emblemë blerimi u bëftë mbrothësia,

Me rreze dielli të më ngroh dashuria

Fjal’e zgjedhur mbi krahët e vërtetës.

 

Tharm’e blerimit me aromë ka ardhë,

Me qiqra t’mimozës,me djersë gatuar;

Kalliri vargjesh me çdo kokërr praruar,

Këngës borxh i kam ngjyrën e bardhë!

 

 

E martë, 19 kollozhèk 2021, në

Dardaninë Ilire

Hapni dosjet – Poezi nga Neki Lulaj

 

Po hapni,  bre ato arka të mbyllura

Hapni ato Arkiva gjëmëmëdha!

Ju që rrini si thëngjill i ndezur, si struci.

E fshiheni pas ofshamave  si mëkatarë

 

Kujeni ju?

Ju oficerë fallco që mbanit çelësat e thesarit

Hapni  ato bashkë me sejmenët tuaj!

Se I fshihni nëpër gungat e qafës së malit.

Dosjet  e krimit, përt ë cilat  toka ju ka mallkuar

 

Hapni  more ato mistere  të shohim  padrejtësitë

Kush iu priu shtegut e rrufeve të krimit

E pa faj  vrau,   plaçkiti si në një lukuni

Në terrin e hipokrizisë  urrejtjes e nënçmimit

 

Hapni se shuhet dhimbja  e nënave shamizeza

Në horizontin shurdhmemec misteri ende  gjemon

Gjarpëron si vetëtimë në qiellin ku duket rrezja

E dalin plagët vdekjeprurëse që ende kullojnë.

 

Zbardhni  me drejtësi dosjet të krimeve të rënda

Nxirrni dosjet e vrasjeve  politike dhe  pritat.

Duam të shohim të vëretën që është brenda.

Se na  vrasin si gjilpera si heshta, si shtizat.

TRIP-TIK-LIRIK – Cikël poetik nga THANI NAQO

 
GJUMË TË THELLË EDHE QENTË NË FSHAT
Po qe se ti më ke fshirë nga kujtesa,
Gjer sot, kjo gjë, s’ka ndodhur me mua.
Më të bukur, se ç’je, të bëj me vjersha,
Ëndërr e ëndrrave të patreguara.
Po qe se ti ma ke shurdhuar hapin,
Hija ime s’të ndjek nga pas.
Për ty, pa gjumë, sërish e lë fshatin,
qentë egërshanë do lehin plot gaz.
Po qe se unë ta trazoj gjumin,
Mos e ngjyro dashurinë me terr.
Cilido që ty ta prek kurmin,
Më mirë se unë s’të përkëdhel.
Po qe se ti ma ke harruar fytyrën,
Buzët e mia ngjitur i ke.
Hajt, të përziejmë për të fundit herë frymën,
Unë mos plakem, ti të mbetesh e re.
***
Po qe se, (vërtet!,) më ke fshirë nga kujtesa,
E unë, (ta dish!,) do të t’ fshij pak e nga pak.
Sa mirë mos më shfaqesh nëpër vjersha,
Në gjumë të thellë edhe qentë në fshat…
2013
MË DUKET SE BASHKË KEMI NJË SHEKULL
Më duket se bashkë kemi një shekull,
I fundmi thëngjill më kleit në gjoks.
Marrëzisht, mendoj, edhe zjarri yt’ ka vdekur.
Marrëzira, marrëzira, marrëzira për kot!
Më duket se bashkë do bëjmë dhe ca rrugë,
Ku vallë është fundi i saj?
Ti thua: “Atje, ku mbollëm puthjen e parë,”
Unë them: “Diku gjetkë edhe ca më larg.”
Më duket se bashkë do jemi edhe atje,
Ku lulet çelin në çdo stinë.
Edhe thekët e yjeve varen gjer përdhe
Dhe heshtja e dashuria krah për krah rinë.
2018
BUKURIA VRASTARE
Bukuria jote, kur isha djalë,
Edhe hënën e vishte me ndryshk.
Një re, si zemër, loton sot e vrarë,
Pikëllon kalldrëmi me myshk.
Të krisur më morën, si me magji,
Sytë e ëndrra që s’vdes.
Ç’ë se s’t’i preka buzë e gjinj,
As flokët derdhur mbi bel.
Nga pas të ndiqnja,porsi gjahtar,
Paçka se një tjetër dashuroje.
Por ja, ai tjetri, dashurinë e heq zvarrë,
gjersa e shkel si lëvore.
Ende ri larg, dua të afrohem,
Të bindem  se bën magji.
Në ndodh, sërish, të plagohem,
Bukuri Vrastare je ti.
2009

PIRAMIDA TË REJA MASKASH…. – Poezi nga TON ZMALI

Sikur nuk na mjaftonin
Maskat e pafund të përditëshmërisë
Frymor e qenje shumeftyrash
Vrastar e dordoleca shpirtrash…
Që me maska fjalësh
U ngjitën në Olimpe maskash…
Dhe atje me pabesi
U vetshpallën perendi…!?
Rreth vetës mblodhën kopetë me mijë…
Ata glacuan e banë pis çdo bukuri…
Piramidat e mashtruesve e karkalecave
Piramidat e gjarpnive e brevave
Piramidat e vrasjeve të zeza, të kuqe e të fshehta
Piramidat e zagarve, qenve e meqkave
Piramidat e xhunglave e maskave të reja
Piramidat e gjembave, murrizave e ferrave
Piramidat e ajrit të pistë e votrave të shitblera
Armata skllevrish mbanin te dera
Nji virus i padukshem nji ditë u shfaq i fortë
Dhe i rrafshoj Piramidat ma të medha në botë
Faraonët e rrëme me mumjet e perendive
U gjunjëzuan pa kushte,
Nën glacat e mijve…
Nën maskat e syve….
TON ZMALI ATHINË

Dhelpra dhe maska – Fabul nga Fedri

 

Fedri

Një dhelpër një herë hyri në një teatër dhe, ndërsa rrotulloi nëpër kostume, gjeti një maskë argjile të modeluar në mënyrë perfekte. Dhelpra ngriti maskën dhe, duke e mbajtur midis putrave, bërtiti duke qeshur: «Çfarë koke madhështore! Por është për të ardhur keq që ajo nuk ka një tru ”.

Kjo fabul vlen për të gjithë ata njerëz me trup të bukur, por që nuk kanë shpirt dhe inteligjencë./Skënder Buçpapaj

Njeriu që gjeti një luan të artë – Fabul nga EZOPI – Përktheu Skënder Buçpapaj

Një njeri i cili ishte aq koprac sa edhe frikacak,
takoi një luan të artë dhe filloi kështu të flasë:
“Çfarë duhet të bëj? Po më luan mendja e kokës
i mëdyshur midis dëshirës për ar dhe drojës.
Po kush të ketë qenë, rasti apo Zoti, vallë,
cili prej tyre të ketë krijuar një luan të artë?
Shpirti im copëtuar: për arin lakmi dhe nga bisha drojë;
Dëshira më shtyn ta marr, natyra më shtyn t’i shpëtoj.
O fat që ma ofron dhe ta marr nuk ma lejon.
O thesar i çudtishëm që aspak nuk më gëzon!
O hir i Zotit që më zhyt kështu në mjerimin mizor!
Çfarë të bëj? Me çfarë mënyre mund ta përdor? …
Tash po shkoj t’i sjell shërbëtorët e mi, ta kapin këtë bishë,
Ndërsa unë nga larg gjithë skenën do ta sodis:”

 

Kjo fabul është për ata që, pavarësisht se të pasur janë,
nuk guxojnë të prekin dhe ta shijojnë pasurinë që kanë.

Hasan HASANRAMAJ: Intervistë me shkrimtarin dhe publicistin Sejdi BERISHA

KRIJUESI ASNJËHERË NUK DUHET TË SHKRUAJË VETËM SA PËR TË BËRË APO KRIJUAR EMËR…

 

…Pa gëzimin e njeriut dhe të atdheut, pa kombin e lumtur, çdo gjë sikur e ka akrepin e orës të ngadaltë dhe duhmën e dhembjes që nuk pranë. Pa këto gjëra, jeta më është boshe, e thatë dhe pa tharmin e këngës, pa dritën e mëngjesit pranveror. Andaj, të lumtur qofshim vetëm të bashkuar dhe të përqafuar. Kjo tingëllon ëmbël dhe shëndosh në të gjitha aspektet, në të gjitha rrafshet, na tha në fund të intervistës shkrimtari, publicisti, dramaturgu dhe njeriu i mirënjohur i kulturës në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare, Sejdi BERISHA!

“…Për shkrimtarin, publicistin, dramaturgun dhe aktivistin e shumë aktiviteteve Sejdi Berishën, krijuesi nga Shqipëria, Daniel Gazulli, në mes tjerash ka thënë se, Berisha, qoftë si krijues letrar në gjithë rrëmujën e vrullshme të këtij shekulli është një anije e cila lundroi vazhdimisht kundër rrymës. Gjithnjë në anën e forcave të progresit shoqëror dhe historik. E zorshme, e mundimshme, por e njerëzishme…”!

“…Edhe shkrimtari që jeton dhe vepron në Zvicër, Kadri Rexhaj, në mes tjerash ka thënë se kushdo që e lexon poezinë, dramat dhe shkrimet tjera të shkrimtarit tonë të mirënjohur, Sejdi BERISHËS, aty gjen një pjesë të vetes së vet. Pikërisht, është ky tipar, tipari i të kënduarit shpirtit njerëzor, që e bën poezinë e tij të pranueshme, të kërkueshme, të lakmueshme, të vlerësueshme…”!

“…Edhe Hekuran Halili, shkrimtar çam nga Saranda, për krijuesin Sejdi BERISHA, kanë thënë së është njeriu që urtëson dhe gjallëron kuvende dhe debate, njeriu që prinë kah atdheu dhe vendlindja me bujari dhe madhështi njerëzore, njeriu që e lartëson kulturën, vlerat shpirtërore, madhështinë e popullit dhe i nderon dëshmorët…”!

________________


Në intervistën të cilën e zhvilluam me shkrimtarin, publicistin, dramaturgun dhe aktivistin e shume veprimtarive të tjera, Sejdi Berishën, i cili në veprat e tij “Fjala e gjakut”, monografitë, “Zejtarët e Pejës” dhe “Teatri i Pejës”, dhe shumë vepra të tjera, të cilat në njëfarë mënyre janë dokumente dhe pjesë të lidhura me themelet të historisë të qytetit Pejës dhe më gjerë? Në mesin e shumë veprave tjera, këto tri vepra të shkrimtarit tonë të Madh Sejdi BERISHËS, sipas mendimit tim si gazetar, janë një pasqyrë karakteristike e rrugëtimit historik.

“Fjala e gjakut” përjetëson të gjithë emrat e luftëtarëve të rënë në Prekaz, në Koshare dhe në Gllogjan, pra, pothuaj se në pjesën dërmuese të Kosovës. Ndërsa, “Zejtarët e Pejës” dhe “Teatri i Pejës”, në mesin e shumë veprave të tjera letrare, janë vepra, nëse mund të thuhet, emblematike që janë dokument historiografik me peshë të veçantë, e të cilat janë pëlqyer dhe respektuar tej mase edhe në shumë qytete të Shqipërisë, si në Tiranë, në Durrës, në Bajram Curri, në Lezhë etj. Dhe, të mos shkruash dhe të mos lexosh vepra si këto, është dëm dhe mëkat në të njëjtën kohë, kur dihet se secilin njeri e brengos diçka, diçka që ndoshta edhe nuk di ta shpjegojë, ose, nuk ka guxim për ta shfaqur, ose nuk di për ta thënë fuqishëm dhe nga zemra, dhe kështu, përgjithmonë me te ikën i etur dhe me shkrumbin për këngën e pa kënduar!

Andaj, krijuesi Berisha, na tha në vazhdim të bisedës, se asnjëherë shkrimtari nuk duhet të shkruajë vetëm sa për të bërë apo krijuar emër. Sepse, atëherë, ai dhe krijimtaria bëjnë mëkat ndaj njeriut, por edhe u ngjajnë vagonëve dhe trenave pa itinerar!…

Peja, thotë shkrimtari dhe publicisti, Sejdi BERISHA, është njëra prej qendrave më të njohura historike, turistike dhe të kulturës më begati tradicionale kombëtare. Andaj, ajo, për thesarin, begatinë dhe vlerat shpirtërore e kulturore që i flenë në thellësitë e saj, sikur nxjerrë zërin e zemërimit, për t’i përjetësuar rrjedhat më të ndritshme të këtij qyteti, i cili ka përjetuar e palosur histori në vetvete, me të vetmin qëllim për t’iu rrëfyer gjeneratave për atë që e ka përcjellë këtë fortifikatë të gjakut që rrjedhë e flet shqip.

Çfarë mund të thuhet për gjendjen dhe për pozitën e kulturës në komunën e Pejës, në Kosovë por edhe më gjerë?

 

Që në fillim du t’u them se krijimtaria e mirëfilltë arrihet me përkrahje dhe bashkëpunim e jo me shkapërderdhje. Kujtoj se kjo mjafton për ta parafytyruar gjendjen pozitën e kulturës në Pejë, por pse jo edhe më gjerë. Ndërsa, kur është fjala për raportin në mes krijuesve, shumë prej tyre ndoshta duhet të dalim nga lëvozhga e shpirtngushtësisë dhe primitivizmi, nëse dëshirojmë të synojmë cilësinë dhe shoqërinë krijuese evropiane.

 

 

Ju keni shkruar edhe disa drama, si “Valsi i kuq”, “Lapidari pa dresë” e të tjera”?

 

Po, sa i përket kësaj fushe, kujtoj, na tha në vazhdim Berisha, se ende është bërë shumë pak, kurse, raporti përbrenda finalizimit të vlerave sikur çalon. Dua të them se në shumë raste më përgatiten dhe shfaqen drama të autorëve të huaj se sa të atyre vendas. Po ashtu, kujtoj se në këtë drejtim ka edhe shumë punë për t’u bërë, që vlerat e dramës origjinale, respektivisht të asaj kombëtare, të sjellën në binarët e duhur edhe të vlerave e të profesionalizmit.

Në vitin 1975, kur drama ime “Valsi i kuq”, tha Berisha, u përgatit dhe u shfaq në Teatrin e Pejës, atëbotë vështirë se mund të gjeje bileta. Dua të them se drama e autorëve vendas përkrahej dhe respektohej. Edhe drama ”Lapidari pa adresë” u përgatit dhe shfaq nga trupa teatrore e Teatrit të Klinës e cila edhe shfaqet edhe sot e kësaj dite. Po ashtu u përgatit dhe u shfaq me shumë sukses edhe në teatrin e Pejës…

 

 

 

Ju, për punën dhe cilësinë tuaj krijuese keni marrë shumë shpërblime ishte pyetja vijuese drejtua Sejdiut?

 

Po. Shpërblimet, nëse kuptohen drejtë, janë vetëm edhe një përgjegjësi dhe obligim për të qenë gjithnjë më shumë në brendi të njeriut, në dhembjen dhe lumturinë e tij! Deri me tash kam marrë shumë shpërblime, si për poezitë më të mira në manifestimet e shumta dhe konkurset tradicionale, në Prishtinë, në Podujevë, në Klinë, në Tiranë, në Prizren, në Gjakovë, në Malishevë, në Lezhë, në Mirditë, në Bajram Curri, në Sarandë e në vende të tjera. Po ashtu, për krijimtari të suksesshme letrare jam nderuar me mirënjohje të shumta edhe nga institucione të shumta.

Po, ja zgjidhni disa nga mendimet e krijuesve dhe lexuesve nga të gjitha anët: në udhëtimin e tij të një dashurie prekëse, shkrimtarin e shoqëron drama e popullit, drama e tij, drama jonë. Poezia është reflektim njerëzor i botës që na rrethon. Nuk është qëllimi i tij të japë modele të poezisë.

Shkrimtari që e lartëson kulturën, krijimtarinë letrare, vlerat shpirtërore dhe madhështinë e popullit

 

Pse në poezi nuk duhet të ketë modele: ajo, si çdo krijim artistik, duhet të jetë në radhë të parë origjinale. E tillë asht poezia Berishës: me një ndjeshmëri deri në dhimbje, origjinale dhe njerëzore deri në caqet e rikrijimit. Për shkrimtarin, publicistin, dramaturgun dhe aktivistin e shumë aktiviteteve Sejdi Berishën, krijuesi nga Shqipëria, Daniel Gazulli, në mes tjerash ka thënë se, Berisha, qoftë si krijues letrar në gjithë rrëmujën e vrullshme të këtij shekulli është një anije e cila lundroi vazhdimisht kundër rrymës. Gjithnjë në anën e forcave të progresit shoqëror dhe historik. E zorshme, e mundimshme, por e njerëzishme.

Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi BERISHA në një nga aktivitetet letrare në Bibliotekën Kombëtare Universitare të Prishtinës

Edhe shkrimtari nga Zvicra, Kadri Rexhaj, në mes tjerash ka thënë se kushdo që e lexon poezinë, dramat dhe shkrimet tjera të shkrimtarit tonë të mirënjohur, Sejdi Berishës, aty gjen më së paku një pjesë të vetes së vet. Pikërisht, është ky tipar, tipari i të kënduarit shpirtit njerëzor, që e bën poezinë e tij të pranueshme, të kërkueshme, të lakmueshme, të vlerësueshme. Andaj nga zemra i uroj krijimtari të gjatë dhe i këndoftë zemra e shpirti nga ku marrin udhë vargjet e frymëzimet e tij. Edhe Hekuran Halili, shkrimtar nga Saranda dhe shumë të tjerë, për të madhin Sejdi BERISHËN, kanë thënë së është njeriu që urtëson dhe gjallëron kuvende dhe debate, njeriu që prinë kah atdheu dhe vendlindja me bujari dhe pa lidhshmëri, njeriu që e lartëson kulturën, vlerat shpirtërore, madhështinë e popullit dhe i nderon dëshmorët. Njeriu, që vetëm dhuron libra, në shkolla, biblioteka, spitale, kopshte fëmijësh, njeriu që krijoi dhe linçoi lidhjet kulturore mes Pejës dhe shumë qyteteve në Kosovë dhe Shqipëri dhe të trojeve të tjera stërgjyshore.

 

 

Krijimtaria e këtij shkrimtari lartëson dhe lëron tema psikologjike, ato të njerëzores dhe të traditës, ndërsa, satira dhe ironia e tij janë “armë” që godasin saktësisht dukuritë negative të kohës që kalojmë, duke u bërë njësh me opinionin, me lexuesin, duke menduar dhe reflektuar bashkë me të, me të gjitha kategoritë e lexuesve, të çdo brezi, të çdo moshe…

Nga kjo intervistë interesante që e zhvillua me Sejdi BERISHËN, konsideruam se krijimtaria e tij letrare është oksigjeni i trupit, i mendjes, por edhe i gëzimit dhe i hidhërimit. Ndërsa, etja, lindja e fuqisë dhe dëshirës për ta bashkuar mendjen, shpirtin dhe veprimin, sot e gjithmonë se janë më se të domosdoshme, dhe si të tilla janë, si të them, shkrumbi i tij. Kurse, për Pejën mos më detyroni të flasë, sepse, për te kam dhembje e krenari përnjëherë! Mos më pyesni as se çfarë jam duke punuar…!

Kurse, pa gëzimin e njeriut dhe të atdheut, pa kombin e lumtur, çdo gjë sikur e ka akrepin e orës të ngadaltë dhe duhmën e dhembjes që nuk pranë. Pa këto gjëra, jeta më është boshe, e thatë dhe pa tharmin e këngës, pa dritën e mëngjesit pranveror. Andaj, të lumtur qofshim vetëm të bashkuar dhe të përqafuar. Kjo tingëllon ëmbël dhe shëndosh në të gjitha aspektet, në të gjitha rrafshet, na tha në fund të intervistës shkrimtari, publicisti, dramaturgu dhe njeriu i mirënjohur i kulturës në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare, Sejdi BERISHA.

 

Unë, Hasan Hasanramaj, si gazetar i kësaj interviste dhe shkrimtari e publicisti Sejdi BERISHA, gjatë karrierës sonë gazetareske, unë në Deçan e Sejdiu në Pejë kemi përjetuar momente të vështira por me peshë profesionale dhe kombëtare, por, kemi përjetuar edhe momente shumë të vështira në rrugëtimin e asaj kohe që na bëjnë krenar dhe të lumtur…!

 

Më 23 janar 1930 lindi shkrimtari nobelist Derek Walcott

VOAL – Derek Walcott (Castries, 23 janar 1930 – Cap Estate, 17 Mars 201) ishte një poet dhe shkrimtar Santalucian, i cili ka marrë Çmimin Nobel për letërsi më 1992, i njohur më së shumti për veprat e tij poetike dhe teatrale në anglisht. Idioma tjetër e përdorur në disa vepra të vogla është Creole e Antilles, kriole e tokës së tij amtare, ishullit të Shën Luçias.

Poet anglishtfolës i Karaibeve, që nga viti 1981 ai ka dhënë mësim në shkrimet krijuese në Universitetin Brown në Providence, SHBA. Si në poezi ashtu edhe në teatër ai shprehu me të njëjtën cilësi artistike, duke u mbështetur në traditën letrare angleze, por me kontribute indigjene dhe spanjolle, ndjenjën e privimit të historisë së tij, të veçantë për Karaibet me prejardhje afrikane.

Pasi mori një bursë nga Universiteti i West Indies, nga 1959 deri në 1976 ai drejtoi Workshopin e Teatrit Trinidad, ku ai ishte gjithashtu i përfshirë në vënien në skenë të disa prej dramave të tij, dhe më 1981 ai u transferua në Boston për të dhënë mësim në Universitetin e Harvardit.

Vepra e tij spikat për origjinalitetin e shprehjes, imagjinatën vizionare dhe praninë e temave metafizike. Ekziston një prani e fortë e të dhënave biografike të lidhura me tokën e tij amtare, Inditë Perëndimore, ku historikisht është krijuar një vazo e shkrirjes së popujve, racave dhe kulturave. Vetë Walcott shkruan për një personazh: … “Unë jam anglez, zezak dhe holandez/ unë nuk jam askush, ose jam një komb”. Kjo shumëllojshmëri e origjinës etnike ushqen veprën e Walcott me një humus të veçantë gjuhësor-letrar.

Josif Brodskij në “Tingulli i baticës” vlerëson Walcott në aftësinë e tij për të kënduar botën në periferi, dhe tregon Oqeanin si një sfond ose si një shtrat gjithmonë të pranishëm në poezitë e tij, Oqeani i cili sipas M. Hélène Laforest është motor i vërtetë i frymëzimit të tij./Elida Buçpapaj

Më 23 janar 1783 lindi Stendhal, një nga shkrimtarët më të rëndësishëm francezë të të gjitha kohërave

VOAL – Stendhal, pseudonimi i Henri Beyle (i lindur në Grenoble më 23 janar 1783), është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm francezë të të gjitha kohërave. Lindur në një familje të pasur të klasës së mesme, në moshën shtatë vjeçare ai u godit nga vdekja e nënës së tij, një grua që e donte një mënyrë të brendshme. Marrëdhëniet me babanë e tij (një avokat në Parlament), nga ana tjetër, ishin gjithmonë shumë të këqija, ky i fundit ishte një përjashtim i një njeriu fanatik dhe konservator.

Gjashtëmbëdhjetë vjeç, ai shkoi në Paris me synimin për t’u regjistruar në shkollën politeknike. Ai menjëherë refuzohet dhe, pasi punoi për disa muaj në ministrinë e luftës falë mbështetjes së kushëririt të tij Daru, më 1800 ai u bashkua me ushtrinë Napoleonike në Itali, të cilën shumë shpejt e njohu si atdheun e tij të zgjedhur.

Toger i dytë në kalorësi, pastaj ndihmës i kampit të gjeneralit Michaud, nga 1806 deri më 1814 ai ishte pjesë e administratës perandorake, me funksione civile dhe ushtarake që e detyruan atë të lëvizte nga Italia në Austri, nga Gjermania në Rusi. Pasi Napoleoni ra, ai u tërhoq në Itali, ku takoi dashurinë e tij të parë (Angiola Pietragrua) dhe ku qëndroi për shtatë vjet, kryesisht në Milano, duke u interesuar për muzikë dhe pikturë. I zhgënjyer në dashurinë e tij për Matilde Dembowski (i njohur më 1818) dhe i dyshuar për karbonarizëm, nga autoritetet austriake, ai u kthye në Paris (më 1821). Për të mbuluar shpenzimet e një jete të kësaj bote më të lartë se burimet e tij ekonomike, ai bashkëpunoi me disa revista angleze, të tilla si “Journal de Paris”, me artikuj arti dhe kritikë muzikore; ai gjithashtu kërkoi, më kot, një punë qeveritare.

Pas revolucionit të vitit 1830 dhe ardhjes së Louis Philippe, ai mori emërimin e konsullit në Trieste, por, për shkak të kundërshtimit të qeverisë austriake, ai u caktua në Civitavecchia. Puna konsullore i la atij shumë kohë të lirë, të cilën Stendahl e kaloi, përveç shkrimit, në udhëtime dhe qëndrime të gjata në Francë. I kërkuar për leje shëndetësore më 1841, ai u kthye në Paris dhe këtu, një vit më vonë, vdiq papritur nga një goditje në tru më 23 mars 1842.

Stendhal, pas një numri të caktuar esesh (përfshirë “Mbi dashurinë” të vitit 1822 dhe “Racine dhe Shakespeare” të vitit vijues me interes), dhe një pasioni të fortë për muzikën dhe pikturën (gjë që e shtyu atë të shkruante ese të dukshme në këtë fushë, si dhe jetët e trilluara të kompozitorëve të mëdhenj), ai e filloi aktivitetin e tij si shkrimtar me romanin “Armance” (1827) dhe me tregimin “Vanina Vanini” (1829).

Por është mbi të gjitha me romanin “E kuqja dhe e zeza” (1830) që tregon luftën e një të riu pa para dhe ambicioz, Julien Sorel, kundër shoqërisë armiqësore (Franca e restaurimit) që përuron sezonin e realizmit të madh të romanit.

Kryevepra tjetër e tij e madhe, në këtë drejtim, përfaqësohet nga “Manastiri i Parmës” e paharrueshme, një afresk i gjerë në të cilin humbja e aspiratave individuale rrëfehet ende nga një kompani që përfaqëson këtu, nën paraqitjet e një gjykate italiane të epoka e restaurimit, struktura tipike e despotizmit modern.

Vepra e Stendhal zakonisht bie brenda lëvizjes romantike, por është një romantizëm i kushtëzuar nga trajnimi iluminist i shkrimtarit, nga filozofia e tij ateiste dhe materialiste. Për këtë arsye, nga ana tjetër, Stendhal zakonisht konsiderohet si themeluesi i atij realizmi modern që përfaqëson njeriun brenda një realiteti shoqëror në zhvillim, dhe idetë dhe pasionet e individëve të kushtëzuara nga trendet politike dhe ekonomike të kohës./Elida Buçpapaj

Bilbili dhe skifteri – Fabul nga EZOPI – Përktheu Skënder Buçpapaj

Një bilbil, si zakonisht, këndoi në një lis të gjatë.
Një skifter i uritur e pa, iu hodh përmbi dhe e rrëmbeu.
Ndërsa ishte gati ta vriste, bilbili e luti ta falë,
ngaqë ishte një kafshatë e vogël për barkun e një skifteri:
më mirë të ushqehej me ndonjë zog më të madh,
nëse ai kishte nevojë për të ngrënë.
Por tjetri e ndërpreu duke thënë:
“Do të isha budalla, nëse braktis drekën që e kam gati ,
për të vrapuar pas diçkaje që nuk dihet a sjell fati!”

Pra, janë budallenj që duke shpresuar
për një të mirë më të madhe,
e lëshojnë atë që kanë në duar.

përkujtimore – malli për ibron! (ose për plakun e ri, të epokës së re!) – esé nga bajram sefaj

 

 

Riprodhohet me rastin e 15-vjetorit të vdekjes së presidentit të pavdekshëm të Kosovës – Ibrahim Rugova.

I çmuari dhe fort i dashuri, vëlla Ibro!

Unë nuk e zgjodha çastin për ta shkruar këtë letër mallëngjimi.

Çasti më zgjodhi mua!

Dhe, të them menjëherë, çast më i lig nuk mund të imagjinohej se që është ky!

Kam shumë vështirësi, të papërballueshme dhe të pakapërcyeshme fare, për ta shkruar këtë letër. Ashtu si prej kohësh, dëshiroja dhe ëndërroja të ta shkruaja. Nga ajo mori pengesash që më dalin përpara në këtë synim, e që bënë të hezitoj e të lejoj të parakalojnë një milion vjet pranë meje, si pranë një të vdekuri, pa ta shkruar këtë letër, me këtë rast, po i veçoj, vetëm dy, kur janë më të mëdhatë dhe më të papërballueshmet. E para, respekti i lartë, dashuria e madhe dhe pikëllimi i thellë, që ndiej për Ty, zoti President. Pengesa e dytë, sasi e madhe dhe kallaballëk mllefi, deri në shkatërrim, ndaj të gjithë atyre hasmëve dhe shpirtligjve, kur aq pamëshirshëm e në mënyrë trupërisht spektakolare e (krye)skandaloze iu gëzuan fatit tënd të lig! Gëzimit për fatkeqësinë e tjetrit dhe kënaqësinë për vuajtjet e tjetrit, ti e di mirë, Ibro, u thonë Sadizëm! Zoti të ruajttë prej të prekurve nga kjo dergjë e rëndë!

Fati, njëmend, ishte i tillë. Por, sa më i egër dhe tragjik që shfaqej, në destruktivitetin e tij makabër, ai fat e ai çast, në anën tjetër, nxori në pah fisnikërinë, burrërinë, besnikërinë dhe trimërinë tende të pashoqe!

Bravo!

Veprimi dhe qëndrimi yt burrëro, kur pa dy  mendje, pa dilema dhe pa më të voglin hezitim e luhatje, gjete shtëpinë tënde Kosovë! Shkove atje për të vdekur bashkë me anëtarin e fundit të familjes së madhe shqiptare të Kosovës (zot shtëpie i së cilës je tani e një mijë vjet!), kur automatikisht e përnjëherësh, hyre në odën e burrave të pavdekshëm shqiptarë. Iu bashkove, kështu, plejadës së trimave më të shtrenjtë të kombit tonë, për të cilët janë thurur dhe këndohen, legjenda.

U bëre plak i ri i epikës tonë të re!

Urime!

Po qe se them se ke pasur një milion mundësi të ngelësh jashtë Kosovës, në vend të sigurt, komod e me beneficione, kjo do të ishte vetëvrasja ime më banale. Shthurje e shkrirje e pamëshirshme e flakës së kësaj letre! Shumë herë, më mirë të menduar sesa të folur! Të realizuar.

Je shkrimtar e filozof, i çmuari im, e beson dhe e njeh (mirë) këtë dhimbje të thellë!

Et, je me demande?”.

E, bëj pyetje, me ç’rrobë të zezë e çoroditëse tradhtie do të vishej qenia jote fisnike, sikur, përnjëmend, të ngjante ajo që kurrsesi, nuk mund të ndodhte Ty, të ikje e të rrije larg popullit tënd!

Mbrojtës dhe baba i të cilit je!

Lehtë e kanë të tjerët, kur ti, në anën tjetër, nga diktatura fashiste ke kllapa në duar (pas shpine). Ke gojë të kyçur. Sy të mbyllur. Ke pranga në këmbë. Ke helm në gjak e në zemër të lënduar… Ke fëmijë e familje të kërcënuar vdekjeje…

E, si të vritet vdekja!

Më jep përgjigje kush?

Tash, keq, dhimbshëm e dhunshëm përnjëherësh, po e përfundoj këtë letër, kur dora e dridhur trishtimi, nuk arrin dot, ta shkruajë ndryshe pos ashtu si dikton zemra (ime) e plasur!

Më dhemb, me djeg e më bluan fare, keqardhja për këtë vonesë të pafalshme mijëvjeçare! Kur, në anën tjetër, u kisha aq shumë zili, kolegëve të mi, odës së madhe të burrave të dheut, brenda dhe jashtë mëmëdheut tonë, kur shkruan e folën, kur ngritën zërin e indinjatës së thellë, ndaj tërë tragjedisë që ndodh rreth teje! Veçmas ndaj trillimeve e cilësimeve, pa fije hezitimi dhe tejet të pamatura, kur, në anën tjetër, dihet e njihet aq mirë, veprimi yt fisnik. Vepra jote madhore.

Ashtu sikurse jam i vonuar në çdo shteg të jetës, nga trungu i thatë i së cilës, kurrë nuk kam vjelë asnjë fryt të ëmbël, jam vonesëmadh edhe në shkrimin e kësaj letre. E shkruaj në çastin e lig e të dhimbshëm, kur fotografia me portretin tënd, mbi tryezën time të “punës”, dot nuk më gjegjet: je, apo nuk je më në jetë?

Nuk me ngel, prandaj, tjetër udhë, i dashuri vëlla, Ibro, pos të fshij lot pikëllimi e të qes (ngjis), një varg të ri, në poemën kushtuar Ty, që e kam nisur para shumë vjetësh, diku në mërgim. Diku në Parisin e rinisë sate. Kur ishe student (nxënës) i filozofit dhe mendimtarit francez të kohës, Roland Barthes, më të shquarit të epokës sonë. Autorit të veprës së madhe, mendore, filozofike, shkencore, nga universi planetar filozofik i tij, na e solle një mendim të tij të artë, monumental do të thosha, mendim që nuk e brejnë as nuk e ndryshkun as vrushkujt e shekujve në kalim, kur thoshte: frika mbetet një, (përjetë e pandryshuar), mbetet frikë, por. ndërrojnë vetëm burimet e saj! Të kujtohet kur çdo kush matej të zhytej në thellësinë e këtij medimi, kur është një e tjetër nuk ka!

Fort mirë po e shoh se poema ime nuk do të përfundojë kurrë. Vepra jote del e denjë për penda shumë herë më të mprehta e talente shumëfish më të mëdha se që është imtësia ime e imët!

Sa më ka zënë malli, Ibro, të pimë bashkë nga një filxhan kafe te “Qarri”, në Prishtinë. E pastaj të nisim e të llafosim e të rrahim tema të letërsisë dhe të rrjedhave kulture në botën shqiptare dhe përgjithësisht. Sikur bënim shpeshherë, dikur. Të kujtohet, sigurisht! Qoftë edhe atëherë kur ishin bashkë, në emisionet e kulturës në gjuhën (tonë) shqipe të Televizionit të Prishtinës.

Ibro, më prit se, ja, po “…lidh mbathcat…” sikur na porosit i pavdekshmi varg kushtrimi i poetit Azem (Shkreli), e po vij.

Erdha, ma ki besën!                                                                        (prill, 1998)

.                      

 

————————

 

 

 

Lengjenda:

Ibrahim Rugova me plis


Send this to a friend