VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Uragani Dorian la 20 të vdekur në Bahamas; niset drejt SHBA-së

By | September 5, 2019

Komentet

SHBA, arrestohet Ghislaine Maxwell, ish e dashur e financierit Epstein

FBI-ja tha se ka arrestuar Ghislaine Maxwell, ish e dashur dhe bashkëpunëtore e të akuzuarit për krime seksuale Jeffrey Epstein. Arrestimi u bë të enjten në shtetin New Hampshire.

Ndaj 58-vjeçares rëndon akuza se është përpjekur të joshë persona të mitur për t’u përfshirë në akte seksuale të paligjshme.

Ajo ka qendruar larg syve të publikut që nga vdekja e financierit Epstein, i cili u akuzua për përdhunim dhe trafikim të vajzave të mitura prej gati dy dekadash.

Disa nga viktimat e supozuara të financierit kanë thënë se Maxwell i kishte joshur ato në rrethin e tij, ku ishin abuzuar seksualisht nga ai dhe miq të tij të fuqishëm.

Maxwell aludohej se i sillte viktimat në shtëpinë lukzose të Epsteinit në Manhattan, por deri tani ndaj saj nuk ishin ngritur akuza penale.

Ajo është e bija e manjatit britanik të medias, Robert Maxwell, themelues i një shtëpie botuese dhe pronar i disa tabloidëve si Daily Mirror. Pas vdekjes së tij misterioze në vitin 1991, doli se ai kishte vjedhur qindra miliona dollarë nga fondet e pensioneve të punonjësve për të mbajtur në këmbë perandorinë e tij mediatike që ishte në rënie.

Në fillim të viteve 1990, Ghislaine Maxwell u zhvendos në Nju Jork, ku u mor me shitje pronash të patundshme. Rreth kësaj kohe ajo nisi një marrëdhënie romantike me financierin Epstein, i cili bënte jetë luksoze dhe kishte mjaft njohje në sferat e larta. zëri i amerikës

Apeli lejon publikimin e librit të mbesës së Trumpit

Një gjyqtar i Gjykatës së Apelit në Nju Jork ka hequr ndalesën në publikimin e librit të Mary Trump, mbesës së presidentit amerian Donald Trump, rreth historisë familjare.

Gjykata ka thënë më 1 korrik se do të heqë ndalesën e vendosur ndaj shtëpisë botuese, Simon & Schuster, e cila synonte të bllokonte shpërndarjen e librit “Shumë dhe asnjëherë mjaft: Si krijoi familja ime personin më të rrezikshëm në botë”.

Libri është planifikuar të publikohet zyrtarisht më 28 korrik, mirëpo shtëpia botuese ka thënë se mijëra kopje të librit veçse janë shpërndarë nëpër librari.

Robert Trump, vëllai i presidentit amerikan, ka kërkuar kufizim në botim të librit, duke thënë se Mary është duke shkelur një marrëveshje të vitit 2001, që ndalon zbulimin e detajeve pas shpërndarjes së pasurisë në familjen Trump.

Gjyqtari, Alan Scheinkman ka thënë se shtëpia botuese, Simon & Schuster “nuk është pjesë e marrëveshjes” andaj nuk vlen bllokimi i publikimit të librit.

Simon & Schuster ka thënë se Mary, psikologe, ka rikujtuar në librin e saj për “familjen toksike” në shtëpinë e gjyshërve të saj.

Javën e kaluar, një gjyqtar ka refuzuar të ndalojë publikimin e librit të ish-Këshilltarit amerikan për Siguri Kombëtare, me titullin “Dhoma ku ka ndodhur”.

Në të besohet se ka detaje të punës së administratës Trump. rel

Senatorët amerikanë do të shqyrtojnë fondet për Agjencinë e Medias Globale

Një grup dypartiak senatorësh amerikanë thotë se ka në plan të shqyrtojë fondet për agjencinë e transmetimeve ndërkombëtare (USAGM) që mbikqyr Zërin e Amerikës dhe rrjetet e tjera të informacionit nën ombrellën e kësaj agjencie, pasi shefi i ri ekzekutiv shkarkoi krerët e atyre rrjeteve.

Senatorët e njoftuan Shefin Ekzekutiv të USAGM-së, Michael Pack me një letër të mërkurën.

Ligjvënësit thanë se ishin “thellësisht të shqetësuar” nga vendimi i zotit Pack për të pushuar nga puna shefat e Radios Azia e Lirë; Radios Evropa e Lirë/Radio Liria; Rrjetit për Trasmetimet për Lindjen e Mesme; si edhe të Fondit për Teknologji të Hapur.

“Këto veprime që u bënë pa asnjë konsultim me Kongresin, madje as me një njoftim të tij, ngrenë pikëpyetje serioze lidhur me të ardhmen e Agjencisë Amerikane për Median Globale (USAGM) nën udhëheqjen tuaj”, shkruajnë senatorët.

Ata i cilësuan drejtuesit e shkarkuar si “staf të kualifikuar ekspertësh”, që u larguan nga detyra “pa arsye konkrete”.

“Ne do të bëjmë një analizë të detajuar të fondeve të USAGM-së për të siguruar që transmetimet ndërkombëtare të mos politizohen dhe që agjencia të jetë në gjendje të kryejë plotësisht dhe me efektivitet misionin e saj themelor”, thanë senatorët.

Letra ishte nënshkruar nga demokratët Patrick Leahy dhe Chris Van Hollen, dhe republikanët Lindsay Graham dhe Marco Rubio. Ish-ndihmësi i zotit Rubio, Jamie Fly, që drejtonte Radion Evropa e Lirë, ishte një prej të shkarkuarve nga zoti Pack.

Deri tani as zoti Pack as ndonjë zyrtar tjetër i lartë i USAGM-së nuk ka komentuar.

Senati e konfirmoi zotin Pack në krye të USAGM-së muaji e kaluar, dy vjet pasi Presidenti Donald Trump e kishte paraqitur kandidaturën e tij për të drejtuar rrjetin informativ që financohet nga qeveria amerikane.

Zoti Trump e ka sulmuar së fundmi Zërin e Amerikës për ato që ai i quan transmetime pro-kineze dhe raportime pozitive për mënyrën se si e ka trajtuar Kina pandeminë e koronavirusit.

Ai e përmendi vonesën prej dy vitesh në konfirmimin e zotit Pack si shembull të bllokimit demokrat.

Zoti Pack ka premtuar të ruajnë pavarësinë tradicionale të Zërit të Amerikës në mbulimin e lajmeve, gjë që është e garantuar në ligjin amerikan.

Zoti Pack emëroi gazetarin me përvojë të Zërit të Amerikës dhe ish-shefin e Divizionit të Euro-Azisë, Elez Biberaj në postin e drejtorit në detyrë. Zoti Biberaj zëvendëson ish-drejtoren Amanda Bennett, që dha dorëheqjen sapo u konfirmua zoti Pack, duke thënë se ai kishte të drejtën të caktonte drejtuesit e pozicioneve të nivelit të lartë.

“Misioni ynë është sot më i rëndësishëm se kurrë, dhe askush nuk mund të përçojë historinë frymëzuese të Amerikës, perspektivat amerikane dhe të shërbejë si model i lirsë së shtypit, si Zëri i Amerikës”, shkruante të martën zoti Biberaj, në një letër drejtuar punonjësve të Zërit të Amerikës.

Zoti Pack ka emëruar edhe drejtuesit e rrjeteve të tjera të USAGM-së: Jeffrey Scott Shapiro si drejtor në detyrë dhe zëvendës drejtor të Zyrës për Transmetimet në Kubë (OCB); Parameswaran Ponnudurai si president në detyrë për Radion Azia e Lirë; Kelley Sullivan si presidente në në detyrë e rrjetit për Trasmetimet për Lindjen e Mesme ; dhe Daisy Sindelar, si presidente në detyrë e Radios Evropa e Lirë/Radio Liria.

SHBA: Zyrtarët më të lartë të zbulimit do të informojnë Kongresin për pagesat e dyshuara ruse

Zyrtarët më të lartë amerikanë të zbulimit, pritet të informojnë anëtarë me peshë të Kongresit për çfarë dihet dhe çfarë nuk dihet lidhur me një përpjekje të dyshuar ruse për të paguar militantë për sulme ndaj ushtarëve amerikanë dhe forcave të koalicionit në Afganistan.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi të mërkurën se Drejtorja e CIA-s, Gina Haspel dhe Drejtori i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare, Paul Nakasone do të takoheshin me të ashtuquajturin Grupin e të Tetëve të enjten.

Takimi do të jetë hera e parë që ligjvënësit do të informohen direkt nga zyrtarë veteranë të zbulimit lidhur me raportet se Rusia u kishte ofruar militantëve të lidhur me talebanët shpërblime për të vënë në shënjestër dhe vrarë trupa amerikane dhe të aleatëve.

Deri tani, informimet për akuzat, janë drejtuar nga Drejtori i Zbulimit Kombëtar, John Ratcliffe, një ish-anëtar i Kongresit që mori detyrën vetëm një muaj përpara, si edhe nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë Robert O’Brien dhe Shefi i Personelit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, të cilët që të dy kanë më pak se një vit në këto poste.

Që të tre u kanë thënë vazhdimisht ligjvënësve se informacioni lidhur me programin e dyshuar rus për pagesat, nuk mund të konfirmohet, duke mbrojtur vendimin për të mos ia paraqitur këtë informacion Presidentit Donald Trump.

“Personi që vendosi që herët nëse presidenti duhej të informohej në informimin për zbulimi në zyrën Ovale, është një punonjëse karriere me peshë. Dhe ajo e mori kërë vendim sepse nuk ishte e bindur në cilësinë e informacionit të zbulimit që kishte dalë”, u tha zoti O’Brien, gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën.

Ai tha gjithashtu se Shtëpia e Bardhë po punonte për reagimet e mundshme ndaj Rusisë, nëse informacioni i zbulimit konfirmonte besueshmërinë e raporteve fillestare.

“Këto janë akuza të rëndësishme që nëse verifikohen, ju siguroj që presidenti do të marrë masa të forta. Kemi disa muaj që punojmë për opsionet e mundshme”, tha ai.

Por zyrtarë të tjerë nuk pranuan të flasin për hapat e mëtejshëm.

“Unë nuk do të flas para presidentit për masat. Dhe nuk flas para zbulimit”, tha sekretarja e shtypit, Kayleigh McEnany në një konferencë për shtyp.

Dhe vetë President Trump, të mërkurën vazhdoi ta hedhë poshtë akuzën për një komplot rus, si sajesë, fillimisht në Twitter…

…dhe më pas në një intervistë në Fox Business News.

“Nuk kemi dëgjuar asnjëherë më parë për këtë, sepse informacionet e zbulimit nuk konfirmuan asnjëherë të ishte në atë nivel”, tha presidenti.

“Shumë nga zyrtarët e zbulimit, nuk besonin që kishte ndodhur. Besoj se është një sajesë e ngritur mbi gazetat dhe demokratët”, tha ai.

Por disa njoftime mediash po e sfidojnë këtë qëndrim.

Agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar katër burime të qeverive amerikane dhe evropiane, njoftonte të mërkurën se Shtetet e Bashkuara kishin siguruar informacione të reja javët e fundit që mbështesnin besueshmërinë e pretendimeve se Rusia kishte ofruar militantëve të lidhur me Talebanët shpërblime për të sulmuar trupa amerikane dhe të koalicionit.

Edhe zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Talebanëve, kanë folur duke thënë se programi ekzistonte.

“Komandantë të veçantë kanë marrë para dhe armë nga zbulimi rus. Këto janë grupe kriminale që punojnë në krah të muxhahedinëve dhe dëmtojnë reputacionin tone”, i tha gazetës Business Insider, Moulani Baghdadi, një komandant talebanësh nga Ghazni.

Mullah Manan Niazi, dikur zëdhënës i ish udhëheqësit të Talebanëve, Mullah Omar, tha për The Daily Beast, se një program i tillë nuk do të kishte qenë i pazakontë.

“Talibanët janë paguar nga zbulimi rus për sulme ndaj forcave amerikane dhe ndaj forcave të ISIS-it në Afganistan, nga viti 2014 e deri sot”, tha ai.

Zyrtarë amerikanë të mbrojtjes dhe zbulimit, kanë pasur prej kohësh shqetësime për ndërhyrjen ruse në Afganistan, duke thënë shpesh se Moska kishte furnizuar Talebanët me armë dhe i kishte trajnuar.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo të mërkurën u përpoq t’i minimizonte shqetësimet.

“Fakti që rusët janë të angazhuar në Afganistan kundër interesave amerikane nuk është diçka e re”, tha ai duke shtuar se kur të ketë informacion të besueshëm që të lë të kuptosh që rusët po vënë në rrezik jetën e amerikanëve, “ne do të reagojmë me seriozitet”.

Megjithatë demokratët të mërkurën vazhduan të shprehin pakënaqësi dhe padurim me mënyrën se si po reagon administrata e Presidetit Trump.

Shtëpia e Bardhë tha se nuk ka të dhëna që trupat amerikane ishin dëmtuar.

“Departamenti i Mbrojtjes ka thënë se nuk di që ndonjë amerikan të jetë vrarë në lidhje me këtë informacion zbulimi të paverifikuar, që po vlerësohet aktualisht”, u tha McEnany gazetarëve të mërkurën në mbrëmje. zëri i amerikës

SHBA, mbi 130 mijë të vdekur nga COVID-19

New York

Numri i personave të vdekur nga koronavirusi i ri (COVID-19) në SHBA është rritur në 130.134, prej të cilëve 1.315 kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).

SHBA vazhdon të mbetet vendi me numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara dhe të viktimave.

Të dhënat nga faqja e internetit “Worldometer” tregojnë se në 24 orët e fundit, numri i rasteve pozitive me koronavirus në SHBA është rritur për 47.499, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 2.730.803.

Ndërkaq, në mbarë vendin, deri më tani janë shëruar mbi 1 milion e 143 mijë të infektuar, ndërsa numri i personave të testuar ka arritur në më shumë se 34,2 milionë.

Shteti i New York-ut mbetet më i godituri në SHBA, me gjithsej 417.386 raste të konfirmuara dhe 32.129 viktima.

Pas SHBA-së, numrin më të madh të të infektuarve e kanë regjistruar Brazili me 1.409.693 raste, Rusia me 654.405 dhe India me 591 mijë raste.

SHBA, shtim rekord i rasteve të reja me koronavirus

Shtetet e Bashkuara thyen një tjetër rekord shqetësues të martën, kur regjistruan 47 mijë raste të reja me koronavirus, numri më i lartë i infeksioneve të reja brenda një dte që nga fillimi i pandemisë.

Infeksionet e reja shfaqen kryesisht në shtetet jugperëndimore, Arizonë dhe Teksas si dhe në Kaliforni. Po ashtu ka pasur rritje të infeksioneve edhe në Florida, Xhorxhia dhe Karolinën e Jugut.

Përhapja e infeksioneve në SHBA u shoqërua me paralajmërime nga eksperti kryesor amerikan për sëmundjet infektive, Dr. Anthony Fauci, i cili tha në një seancë informimi në Senat se ritmet e përhapjes së infeksionit mund të arrijnë në 100 mijë raste të reja në ditë nëse nuk merren masa.

“Pa diskutim, për momentin nuk e kemi problemin nën kontroll,” tha Dr. Fauci. Ai paralajmëroi se reagimi me masa të përqëndruara vetëm tek shtetet që aktualisht po regjistrojnë keqësim të problemit, “e vë të tërë vendin në rrezik”.

Më shumë se 127,000 amerikanë kanë vdekur nga COVID-19, mbi 2 milionë e 636 mijë kanë rezultuar pozitivë dhe miliona kanë humbur punën. Ekonomia u tkurr mjaft në tremujorin e parë dhe pritet të shënojnë rënie edhe më të thellë për tremujorin prill-qershor.

Dr. Fauci po dëshmonte në Kongres, ndërkohë që guvernatorët e Nju Jorkut, Nju Xhërsit dhe Konektikatit, tre shtete në pjesën verilindore të vendit që u përballën me pandeminë në fillimet e përhapjes në SHBA, shtuan shtetet e Kalifornisë, Xhorxhias, Ajdahos, Ajovas, Luizianës, Misisipit, Nevadës dhe Tenesisë në listën e shteteve, banorët e të cilëve do të kërkohen të qëndrojnë në karantinë për dy javë.

Lista përfshinte fillimisht tetë shtete – Alabamën, Arizonën, Arkansasin, Floridën, Karolinën e Veriut, Karolinën e Jugut, Teksasin dhe Jutan në karantinën e vendosur nga Nju Jorku, Nju Xhërsi dhe Konektikati.

Harta e COVID-it

Harta e COVID-it

Shtimi i rasteve me koronavirus ka detyruar guvernatorët e Floridës, Teksasit dhe Kalifornisë të ngadalësojnë planet e rihapjes, duke u dhënë urdhër bareve dhe restoranteve të mbyllen dhe duke bërë të detyrueshme vënien e maskave.

SHBA kryesojnë në botë me numrin më të lartë të infeksioneve. Si rezultat amerikanët nuk janë përfshirë në listën e vendeve që do të lejohen të vizitojnë Bashkimin Evropian.

Bashkimi Evropian heq disa kufizime

BE hoqi të martën kufizime udhëtimi për vizitorë nga Algjeria, Australia, Kanadaja, Gjeorgjia, Japonia, Mali i Zi, Maroku, Zelanda e Re, Ruanda, Serbia, Koreja e Jugut, Tajlanda, Tunizia dhe Uruguaj.

Por udhëtarët nga vende ku ka pasur përhapje të epidemisë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Brazilin dhe Indinë, nuk lejohen në këto momente.

Vizitorë nga Kina do të lejohen të futen në vende të BE-së me kusht që Kina të heqë kufizimet ndaj evropianëve.

Pritet që lista të ndryshojë çdo dy javë me emra që shtohen, apo përjashtohen në varësi të ritmeve të përhapjes së koronavirusit, por nuk parashikohet që kufizimet e vëna nga BE ndaj Shteteve të Bashkuara të hiqen së shpejti.

Kriteret e deklaruara nga Bashkimi Evropian diktojnë që numri i rasteve të reja me koronavirus në një shtet të caktuar të jetë i krahasueshëm ose nën mesataren që po regjistron BE-ja dhe se shifrat e përgjithshme po stabilizohen ose po bien në mënyrë që të lejohen vizitorë.

Në shkallë botërore, afro 10.5 milionë vetë kanë rezultuar pozitivë me koronavirus që kur virusi u diktua për herë të parë në Kinë vitin e kaluar dhe filloi të përhapej në të gjithë botën. Aktualisht në shkallë globale numërohen mbi 512 mijë të vdekur nga COVID-19.

Reagime të forta në Kongres pas njoftimeve për pagesat ruse

Media njofton se Presidenti Trump ishte informuar për pagesat që u kishin ofruar rusët operativëve të Talebanëve për të vrarë ushtarë amerikanë në Afganistan. Ligjvënësit tani po kërkojnë përgjigje pasi Shtëpia e Bardhë tha se presidenti nuk ishte në dieni të këtyre informatave të zbulimit, pasi nuk ishin verifikuar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson raporton mbi jehonën që ka bërë kjo temë në Kongres:

Trupat amerikane në Afganistan janë shënjestruar nga Rusia – ky raportim i New York Times ka shkaktuar reagim të fortë në të dyja forcat politike në Kongres. Janë ngritur pyetje: a janë verifikuar këto informata? A e ka parë presidenti këtë informacion?

“Presidenti nuk është informuar asnjëherë për këtë. Këto informata të zbulimit nuk ishin verifikuar dhe agjencitë e zbulimit nuk kishin dalë me të njëjtin përfundim,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

Disa republikanë në Senat, të cilët u informuan mbi këtë temë të martën, vunë në pikëpyetje saktësinë e artikullit të gazetës.

“Provat që kam parë dhë dëgjuar nuk mbështesin ato që u publikuan nga New York Times. Kjo më shqetëson,” thotë senatorja republikane Joni Ernst.

Por ka njoftime se Presidenti Trump është informuar këtë vit për këto informata të agjencive të zbulimit. Demokratët që ndoqën seancën informuese të martën, thanë se janë të shqetësuar:

“Asgjë nga ato që dëgjova në seancë nuk më bën të mendoj se kemi të bëjmë me sajesa. Mund të gjykohet në mënyra të ndryshme se sa të besueshme janë informatat, por nuk janë sajesa,” thotë ligjvënësi Steny Hoyer.

Marrëdhëniet e Presidentit Trump me homologun rus Vladimir Putin kanë qenë shqetësim madhor për demokratët, të cilët këmbëngulin se nuk ka mundësi që presidenti nuk është informuar për një kërcënim kaq serioz për sigurinë.

“Nuk mbahet presidenti i painformuar për të dhëna që i duhen për të mbrojtur trupat amerikane, thjesht pasi nuk është krejt e verifikuar. Nëse do të bësh një telefonatë me Presidentin Putin, patjetër, më parë duhet të kesh qenë informuar për këtë temë,” thotë ligjvënësi demokrat Adam Schiff.

Rusia ka hedhur poshtë njoftimet për pagesa për atentate. Republikanët shprehen se komplote të tilla të thurura nga Rusia nuk janë të paimagjinueshme, megjithëse ende nuk ka verifikim të plotë për këtë informacion:

“A do të habitesha nëse Rusia vërtetë e ka bërë diçka të tillë? Aspak. Ata përpiqen të na krijojnë probleme kudo. Në veçanti duan të na dëbojnë nga Siria dhe Afganistani,” thotë Senatori republikan Mitch McConnell.

Shtëpia e Bardhë thotë se artikulli i New York Times kërcënon sigurinë kombëtare, por demokratët i kërkojnë presidentit të mbajë përgjegjësi për sigurinë e trupave amerikane.

“Në vend që të merremi me tema se çfarë dihej, kur ia thanë presidentit, duhet të kemi plane. Si do të veprojmë? Duhet t’i kundërpërgjigjemi Putinit,” thotë Senatori demokrat Chuck Schumer.

Udhëheqës të lartë të Kongresit dhe krerë të komisioneve për zbulimin në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve do të kenë mundësi të ngrenë pyetje gjatë një takimi mbi këtë temë në Shtëpinë e Bardhë.

A ishte informuar presidenti Trump nga bashkësia e zbulimit amerikan?

Katherine Gypson

Ligjvënësit amerikanë bënë thirrje për një hetim të menjëhershëm të hënën lidhur me njoftimet në media se Rusia u kishte ofruar pagesa militantëve të mbështetur nga talebanët, për vrasjen e trupave amerikane në Afganistan. Shtëpia e Bardhë mohoi njoftimet se Presidenti Donald Trump ishte informuar për këto pagesa, duke thënë se ato nuk ishin verifikuar plotësisht nga bashkësia e zbulimit amerikan.

Sipas një artikulli të gazetës Nju Jork Tajms, një njësi ushtarake ruse u ofroi para militantëve të mbështetur nga Talibani si shpërblim për vrasjen e trupave amerikane në Afganistan – ky informacion i komunitetit amerikan të zbulimit iu përcoll Presidentit Trump.

Shtëpia e Bardhë e quajti të rremë njoftimin e Tajmsit.

“Nuk kishte një konsensus mes bashkësisë së zbulimit, në fakt kishte mendime kundërshtuese brenda komunitetit dhe ato nuk do të përcilleshin tek presidenti derisa të verifikoheshin”, tha sekretarja e shtypit, Kazleigh McEnany.

Kjo pason mohimin të dielën nga Presidenti në Twitter për çdo njohuri mbi këtë informacion të zbulimit – një pozicion që demokratët e Senatit thonë se është i pafalshëm.

“Presidenti Trump, je i humbur gjithsesi. Nëse nuk jeni informuar për këtë raport të rëndësishëm, si mund të drejtoni një administratë kur diçka kaq e rëndësishme nuk është përcjellë në nivelin tuaj? Dhe nëse jeni informuar për raportin dhe nuk keni bërë asgjë kjo është edhe më keq. Turp të kesh. Turp të kesh”, tha senatori Chuck Schumer.

Republikanët e Kongresit po kërkojnë të dinë gjithashtu përse presidenti nuk u informua … dhe i bën thirrje presidentit Trump që të shqyrtonte pretendimet me seriozitet. Demokratët thanë se kjo është një tjetër provë se presidenti Trump nuk është i ashpër sa duhet ndaj presidentit rus Vladimir Putin.

“Presidenti po thotë se nuk kishte dijeni, por nuk po shohim ndonjë zemërim prej tij, se nuk ishte informuar. Ku janë pyetjet dhe kërkesa e tij për informacion? Është një shembull tjetër i kësaj kapje të pazakontë që Putini ka ndaj këtij presidenti”, tha ligjvënësja demokrate Katherine Clark.

Shtëpia e Bardhë po e kundërshton këtë kritikë.

“Ky president ka qenë jashtëzakonisht i ashpër ndaj Rusisë, duke vendosur sanksione ndaj qindra individëve rusë, duke dëbuar dhjetëra diplomatë, duke mbyllur dy konsullata ruse, duke u tërhequr nga një traktat bërthamor dhe disa veprime të tjera”, tha sekretarja McEnany.

Rusia dhe Talibanët kanë mohuar ofrimin e pagesave – por raporti i Nju Jork Tajmsit u konfirmua nga inteligjenca britanike. Schumer dhe kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi u kanë bërë thirrje të gjithë anëtarëve të Kongresit që të marrin një informacion të plotë për zbulimin dhe sa ishte në dijeni presidenti për këtë.

Përmendorja gjigante mes polemikash

Planet e Presidentit Donald Trump për të nisur festimet e Ditës së Pavarësisë me një shfaqje madhështore në monumentin Mount Rushmore të Dakotës së Jugut kanë zemëruar amerikanët vendas, të cilët e shikojnë përmendoren gjigante si një përdhosje të tokës që u është vjedhur atyre me dhunë e që sot përdoret për të nderuar udhëheqës armiqësorë ndaj indigjenëve.

Disa grupe të drejtuara nga aktivistë indigjenë po planifikojnë protesta për vizitën e 3 korrikut të Presidentit Trump, pjesë e fushatës së tij të rihapjes së vendit, i cili po del nga një periudhë pandemie, papunësie dhe, së fundmi, trazirash sociale. Ngjarja është parashikuar të përfshijë avionë luftarakë që do të fluturojnë me zhurmë mbi monumentin 79-vjeçar prej guri në Black Hills të Dakotës së Jugut si dhe një shfaqje me fishekzjarre, e para në këtë objekt që nga viti 2009.

Mount Rushmore

Mount Rushmore

Planet për festime në Mount Rushmore vijnë ndërkaq në kushtet kur vendi po reflekton mbi problemin e racizmit dhe kur në të gjithë globin ka nisur një rishikim i simbolizmit të monumenteve. Shumë aktivistë indigjenë amerikanë thonë se memoriali në Mount Rushmore është po aq i neveritshëm sa edhe monumentet e shumta të Konfederatës që po rrëzohen në të gjithë vendin.

“Mount Rushmore është një simbol i epërsisë së të bardhëve, i racizmit strukturor që është akoma gjallë në shoqërinë e sotme,” thotë Nick Tilsen, anëtar i fisit indigjen Oglala Lakota dhe president i një organizate aktiviste vendëse të quajtur NDN Collective. “Është padrejtësi të vjedhësh në mënyrë aktive tokën e njerëzve indigjenë, pastaj të gdhendësh fytyrat e bardha të kolonizatorëve që kryenin gjenocid,” thotë ai.

Ndërsa disa aktivistë, si Tilsen, duan që monumenti të hiqet dhe mali Black Hills t’i kthehet fisit Lakota, të tjerët kanë kërkuar që përfitimet ekonomike që nxirren nga monumenti të ndahen mes të gjithëve.

Presidenti Trump prej kohësh ka shfaqur magjepsjen e tij me monumentin Mount Rushmore. Siç tregon guvernatorja e Dakotës së Jugut, Kristi Noem, në një rast presidenti i tha asaj fare pa drojë se e kishte ëndërr që fytyrën e tij ta gdhendnin në monument. Më vonë, gjatë një aktiviteti fushate, ai tha me shaka se do të donte të renditej së bashku me presidentët George Washington, Thomas Jefferson, Theodore Roosevelt dhe Abraham Lincoln.

Republikania Noem ka kërkuar një rikthim të fishekzjarreve në prag të Ditës së Pavarësisë, ndërsa Presidenti Trump ka premtuar se do të vizitojë Dakotën e Jugut për festimet.

Disa ekspertë kanë ngritur shqetësimin se fishekzjarret mund të shkaktojnë zjarre, sidomos sepse në këtë zonë moti ka qenë tepër i thatë këtë vit. Zjarrfikësit thirrën të enjten ekuipe nga dy shtete të tjera për të ndihmuar në shuarjen e flakëve që dogjën rreth 61 hektarë pyje 10 kilometra në jug të monumentit.

Të katër fytyrat, të gdhendura në mal me dinamit dhe pajisje të rënda dekada më parë, njihen si “një tempull i demokracisë”. Presidentët u zgjodhën nga skulptori Gutzon Borglum për rolin e tyre udhëheqës gjatë katër fazave të zhvillimit amerikan: Uashingtoni drejtoi krijimin e vendit; Jeffersoni nxiti zgjerimin e tij drejt perëndimit; Lincolni ruajti bashkimin e vendit dhe u dha lirinë skllevërve; Roosevelti i dha hov novacionit industrial.

Në SHBA mund të jenë 20 milionë të infektuar me koronavirus

Së paku 20 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara mund të jenë infektuar me Covid-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, thanë zyrtarët shëndetësorë.

Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve në SHBA tha se numri i vërtetë i rasteve ka të ngjarë të jetë dhjetë herë më i lartë se shifra e raportuar.

“Llogaritja jonë më e mirë është se për çdo rast që është raportuar kanë qenë edhe dhjetë të infektuar të tjerë”, tha drejtori i kësaj qendre, Robert Redfield.

Ai tha se 5-8 për qind e popullsisë i është ekspozuar virusit dhe u bëri thirrje amerikanëve që të mbajnë distancën fizike, të vendosin maska dhe të lajnë duart.

Komentet vijnë pasi shteti i Teksasit ka anuluar rihapjen e ekonomisë, pasi numri i të infektuarve dhe i të shtruarve në spitale është rritur.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar mbi 2.4 milionë raste me koronavirus dhe mbi 122,000 viktima.

Shtetet jugore dhe perëndimore kanë raportuar shifra rekorde të rasteve në ditët e fundit.

Parashikimet e Universitetit të Uashingtonit janë që numri i viktimave në SHBA të arrijë deri në 180,000 deri në tetor, ose në 146,000 nëse amerikanët mbajnë maska.

Në gjithë botën, koronavirusi ka prekur mbi 9.5 milionë njerëz.

Prej tyre, mbi 4.8 milionë janë shëruar, ndërsa mbi 486,000 kanë vdekur.

Burns dhe Wisner pas dështimit të takimit në Washington: Ishte një ide e keqe

Ish-zëvendëssekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicholas Burns, dhe Frank Wisner, ish-përfaqësuesi special për Kosovën në administratën e presidentit amerikan George W.Bush, kanë thënë se ideja për takim në Washington mes Kosovës dhe Serbisë, ishte e gabuar që nga fillimi.

Në një opinion të publikuar në prestigjiozen “WashingtonPost”, dy figurat e njohura kanë thënë se takimi i planifikuar për 27 qershor ka dështuar ende pa nisur, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi të mërkurën aktakuzën ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të tjerëve për krime lufte.

Megjithatë, ata e kanë vlerësuar të gabuar idenë e këtij takimi duke kundërshtuar qasjen “e njëanshme” të administratës së presidentit Donald Trump. Sipas tyre, ngritje a akuzës ndaj Thaçit është arsye shtesë që SHBA-ja të rikonsiderojë përpjekjet e veta për negociata. Për këtë kanë dhënë disa arsye.

“E para, Trumpi ka ndërmarrë një kampanjë diplomatike i vetëm në Kosovë në vend se të bashkëpunonte në tandem me Bashkimin Evropian, përfshirë aleatët e mëdhenj Gjermaninë dhe Francën. Ai ka ‘shqelmuar’ ndërmjetësuesin e BE-së dhe madje edhe presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili kishte propozuar të mbante një Samit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, për herë të parë në dy dekada, po udhëhiqnin ndaras dy kampanja negociuese, duke shkaktuar konfuzion te serbët dhe kosovarët. Kjo kërcënon të ngadalësojë, në vend se të përshpejtojë, progresin drejt marrëveshjes”, kanë thënë ata si arsye të parë.

Si arsye të dytë, ata kanë renditur çështjen se shtetet e Ballkanit më së shumti kanë nevojë për ndihmën ekonomike nga Evropa.

“SHBA-ja, në anën tjetër, ka një prezencë më të dobët ekonomike në rajon”, kanë shpjeguar ata.

Sipas tyre, përçmimi i Evropës nga Trumpi ka ndarë miqtë e rajonit dhe ka ulur shanset që të arrihet një marrëveshje e suksesshme mes Kosovës e Serbisë.

Ata kanë shtuar se një nga arsyet e përzierjes së Trumpit në këtë çështje mund të jetë edhe përplasja që ka pasur me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Në arsyen e tretë, Burns e Wisner kanë theksuar se motivi kryesor i Trumpit ka qenë arritja e një marrëveshjeje për të marrë lëvdata për politikën e jashtme para zgjedhjeve të 3 nëntorit.

“Ekziston frika se Trumpi mund të shtyjë Kosovën për të bërë lëshime territoriale për Serbinë që do të ishte potencialisht shpërthim i paprecedent në rajonin jostabil të Ballkanit”, kanë shkruar ata.

Të dy njohësit e situatës së Kosovës kanë thënë se dyshojnë se “mund të arrihet një marrëveshje e suksesshme me një qasje kaq të njëanshme”.

“Presidentët Bill Clinton, Bush dhe Barack Obama janë nisur nga një premisë e përbashkët për shtetet e Ballkanit – me theks Serbia, Kosova, Bosnja, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria, si dhe Bullgaria, Kroacia, Greqia e Sllovenia – duhet të jenë të sigurt në kufijtë e tyre dhe t’u bashkëngjiten NATO-s dhe Bashkimit Evropian për të ardhmen e tyre të sigurt”, kanë thënë ata.

Ata kanë theksuar se SHBA-ja gjithmonë ka kundërshtuar shkëmbimet territoriale për shkak të frikës se mund të nxisë luftë të re dhe ka kundërshtuar edhe idenë e “Shqipërisë së Madhe”. “Shtyrja e Kosovës dhe Serbisë për të rivizatuar kufijtë është precedent i rrezikshëm që mund të minojë edhe marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë si dhe të shthurë marrëveshjen e Daytonit në Bosnje”, kanë shtuar Burns e Wisner.

“SHBA-ja ka qenë mike e mirë e Kosovës që kur intervenuam me aleatët në NATO për të parandaluar masakrimin e shqiptarëve të Kosovës nga ushtria serbe më 1999. Ne i dhamë fund asaj lufte. Forcat e NATO-s, përfshirë kontingjentet e SHBA-së, kanë ruajtur paqen që nga ajo kohë. Shërbimi i Jashtëm dhe Ushtria kanë punuar shumë të ndihmojnë Kosovën të arrijë dhe të sigurojë paqen dhe pavarësinë. Presioni i hapur i administratës Trump ndaj liderëve të Kosovës në muajt e fundit, dhe qëndrimi më i përshtatshëm ndaj qeverisë autoritare në Serbi, ka qenë në mospërputhje me miqësinë tonë dhe ka dobësuar institucionet fragjile qeverisëse në Kosovë. Lëvizja e mençur e Trumpit do të ishte po të bashkonte forcat me evropianët, kosovarët e serbët për t’u pajtuar në masat për të rritur investimet në infrastrukturën në rajon dhe për të hequr barrierat në tregti”, kanë shtuar ata.

E kanë quajtur gabim edhe kërcënimin e administratës Trump për heqjen e trupave të SHBA-së nga misioni në Kosovë.

“Nuk ka zgjidhje të shpejta në Ballkan”, kanë thënë të dy.

Burns është profesor në Universitetin e Harvardit dhe ish-zëvendëssekretar i Shtetit. Ai është këshilltar i Joe Bidenit, kandidatit të Partisë Demokratike për president. Frank Wisner ishte përfaqësuesi special për Kosovën në administratën e presidentit George W.Bush.

DASH: Ngritja e akuzave nga Prokurori i Specializuar, hap përpara për drejtësinë në Kosovë

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara inkurajojnë Gjykatën Speciale për Kosovën dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar t’i përmbahen mandatit të tyre ndërkohë që avancon kjo çështje përmes sistemit të drejtësisë.

“Njoftimi është rezultat i një procesi që vazhdon prej 20 vjetësh,” tha zëdhënësi, i cili bëri komente për Zërin e Amerikës, në kushte anonimiteti.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se ngritja e akuzave e njoftuar nga Prokurori i Specializuar është një hap përpara për procesin e realizimit të drejtësisë dhe ripajtimit në Ballkanin Perëndimor. Njoftimi është esencial për avancimin e shtetit ligjor dhe drejtësisë për viktimat në Kosovë, si dhe për vendin, që të kapërcejë këtë periudhë të tmerrshme dhe të bashkohet me komunitetin euro-atlantik,” tha për Zërin e Amerikës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, njoftoi të mërkurën se ka ngritur akuza ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill.