Faik Konica është Ustai, mjeshtri i kulturës dhe gjuhës shqipe, është ikonë e kombit me shumësinë e punëve që kreu dhe la pas
Faik Konica është ikonë e kombit shqiptar. Faik Konica, sipas metaforës aq të mençur të Fan Stilian Nolit, është “Ustai”- është mjeshtri i kulturës, politikës, diplomacisë, publicistikës; është shkrimtari, historiani, përkthyesi me personalitetin dhe shumësinë e punëve që kreu dhe la pas.
Faik Konica, si gjithë intelektualët me formim perëndimor, për gati gjysmë shekulli heshtjeje dhe harrese, por mbi të gjitha i mallkuar dhe i përbuzur nga ideologjia e regjimit diktatorial, pas viteve 1990 me vendosjen e sistemit demokratik shumëpartiak iu shfaq sërish lexuesit shqiptar. Eshtrat e Faik Konicës u rivarrosën në kodrat e Tiranës dhe vepra dhe studimet iu botuan dhe ribotuan. Por për punën e Faik Konicës për gjuhën shqipe është folur dhe shkruar gati aspak ose fare pak. Në një botim gati gjithëpërfshirës të Kristina Jorgaqit me titull “Faik Konica – Mendime gjuhësie” (2006) gjendet një hambar gjuhësor i Konicës me studime, ese, shkrime dhe artikuj për gjuhën shqipe.
Gjuha – kryesimboli i kombit shqiptar
Gjuha shqipe për Konicën është krye-simboli dallues i një kombi, së cilës i kushtoi një vëmendje të madhe dhe të veçantë. Konica jo vetëm e lëvroi dhe e pasuroi, por ndërmori kërkime dhe bëri studime të mirëfillta për shqipen duke sjellë përfundime befasuese. Natyrisht, në një shkrim të vetëm nuk mund të shtjellohet e gjithë pasuria dhe vlerat e arritura nga Konica në këtë fushë të dijes.
Tek togfjalëshi “universi aristokratik”, fjalës së dytë “aristokratik” nuk i jap vlerën e cilësorit, por të një metafore që shënon jo vetëm prejardhjen familjare, por mbi të gjitha nivelin, cilësinë, origjinalitetin dhe talentin befasues të punëve të mëdha të Faik Konicës në kulturën dhe sidomos në gjuhën shqipe.
Konica – dijetari erudit
Ai i përballoi sfidat akademike-shkencore në sajë edhe të një përgatitjeje të sofistikuar universitare, që ndofta është e rrallë në historinë e personaliteve dhe njerëzve të kulturës shqiptare.
Në fund të shekullit XIX Faik Konica duhet të kishte qenë ndofta i vetmi shqiptar që ndiqte universitetin në Francë. Ishte shqiptari që rrugën e dijes e kishte nisur duke nxënë mësimet në arabisht e greqisht dhe i vazhdoi më tej me italishten në një kolegj jezuit në Shkodër. Studimet i kishte çuar më tej në një lice francez, si liceu Perandorak i Gallata Sarajit, në Stamboll, duke ndjekur më vonë dy lice francezë dhe mori po aty diplomën e shkollës së mesme.
Në Universitetin e njohur “Collège de France” ndoqi kurset e letërsisë dhe gjuhëve klasike, gjuhësinë romane, letërsinë frënge mesjetare, sanskritishten, hinduishten e hebraishten.
Në këto institucione elitare dhe më në zë të Parisit Konica studioi asokohe gjuhë e letërsi, filozofi dhe estetikë e u njoh me teori dhe vepra personalitetesh të shkuara dhe të atëhershme dhe u ndikua fort prej tyre. (K.J.: Faik Konica, “Mendime gjuhësie”, 2006, f.11)
Këto studime kulmuan me diplomën shkëlqyeshëm të Universitetit të njohur të Harvardit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Revista “Albania” e Konicës – tribunë e shqiptarizimit
Botimi i revistës dygjuhëshe “Albania” (1897-1909) u bë jo vetëm tribunë e problemeve më madhore të kombit shqiptar, siç ishte forcimi i ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve dhe i vlerave të tyre etnike e historike, por edhe një institucion i sofistikuar i trajtimit profesional të gjuhës shqipe. Me përgatitjen e lartë shkencore dhe me përkushtim atdhetar Faik Konica e vuri gjuhën shqipe në piedestalin e nderimit më të lartë.
Gjuha shqipe e ndaluar që të flitej, të shkruhej dhe të përdorej si mjet shkollimi, ishte e para që duhej ringjallur.
Që në numrat e parë të revistës “Albania” u dukën një varg artikujsh të Konicës, gjithsej 7, që trajtonin çështjen e krijimit të një gjuhe shqipe të njësuar, ose siç e quante, letrarishtes. Ishte i vetëdijshëm se në ç’gjendje ishte gjuha shqipe nën regjimin e gjatë turko-islamik. Jo vetëm ishte ndaluar me ligj mësimi i gjuhës shqipe, hapja e shkollave shqip dhe botimi i librave shqip, por ndiqeshin, burgoseshin atdhetarët që e lëvronin, në të gjitha shkallët.
Një gjuhë e njësuar është themeli i një kombi të bashkuar
Ishte filozofia atdhetare e Konicës që e nxiste dhe ia frymëzonte përpjekjet për krijimin e një gjuhe të përbashkët shqipe, sepse duket qartë që e dinte bindshëm se një gjuhë e njësuar kombëtare është themeli i kombit të bashkuar. Edhe pse nuk mund të sillen gjithë mendimet ose gjykimet e Konicës për procesin e krijimit të letrarishtes, gjuhës së përbashkët, po citoj ndonjë prej tyre: “Kemi nevojë të shkruajmë në një mënyrë të tillë që gjithë bota shqiptare të na marrë vesh.” (Vep. cit. f.14) Ose më tej thotë: “Vetëm shqiptarët nuk kanë një gjuhë të tillë (letrare… K. J.); andaj edhe vjen që kemi mbeturë të ndarë njëri nga tjatërin, andaj kanë rrjedhur aqë të këqia për neve të mjerët.” (Po aty f. 14)
Konica shtroi me forcë dhe me profesionalizëm çështjen e krijimit të një gjuhe të përbashkët, ai është edhe teoricieni parë i shqipes letrare. Kjo shihet qartë në një varg artikujsh me titull “Për themelimin e një gjuhës letrarishtes shqip”, botuar në numrat e parë të revistës “Albania”.
Kuptimi i Konicës për letrarishten ishte, para së gjithash, ai i një gjuhe të shkruar. Ai thotë: “Është nevojë dhe shtrëngim të shkrojmë të gjithë sa jemi, p.t. bora, jo ndryshe; pastaj le të themi në kuvend, zbora, dbora, vdora, xbora, vora, çvora, kjo s’bën gjësendi”. (Po aty f.15). Pasi të krijohet kjo gjuhë e shkrimit, ajo duhet marrë si model për gjuhën e folur.
Procesi i krijimit të letrarishtes, sipas Konicës, ishte një proces sa i ndërlikuar aq edhe tepër i gjatë, që kërkonte përkushtim nga të gjithë, por në radhë të parë nga njerëzit e ditur dhe specialistë të gjuhës. “Formula” fillestare e Konicës për krijimin e një gjuhë të përbashkët ishte origjinale, ishte ajo e përzierjes a shkrirjes së dy dialekteve. “Të marrim pakë nga të tëra nënëgjuhërat”.
Me përgatitjen e lartë teorike, me njohjen thellë edhe të gjuhës shqipe, Konica ishte i ndjeshëm dhe tregohej i vëmendshëm për vlerat gjuhësore të secilit dialekt, që i vlerësonte njëlloj. Vetë ai përpiqej të shkruante në këtë gjuhë të përzier: “Me marrë nja nënëgjuhë shqipe si shtypin e gjuhës letrarishtes së kombit, – është frikë të mos mëriten ata qi kuvendojnë nënëgjuhërat e tjera”. (Vep. cit. 16.)
“Formula” e Konicës për letrarishten e përbashkët
Në faqet e revistës “Albania” dhe më vonë te gazeta “Dielli” iu përmbajt, së paku teorikisht, idesë së përftimit të një gjuhe letrare përmes përzierjes a shkrirjes së dialekteve. Vetëm në një rast, në artikullin: “Mbi përdorimin e dy dialekteve – toskërishtja është gjuha klasike e shqipes”, (Gazeta “Posta e Korçës”, 31 janar 1922) Konica iu rikthye idesë së përdorimit të toskërishtes nga toskët dhe të gegërishtes nga gegët, “gegët gegërishten, toskët toskërishten, pse jo”, (Vep. cit. 118-19) duke mos pranuar imponimin e të folmes së Elbasanit si gjuhë zyrtare. Konica gjeti rastin, në këtë artikull, të mbronte toskërishten, të cilën e quante si gjuha klasike e Shqipërisë, si forma më e lartë dhe më e mbaruar e gjuhës shqipe”. (Po aty, f.17)
Ky qëndrim lavdërues për toskërishten kompromentonte idenë e Konicës për letrarishten si një përzierje dialektore, të shprehur gjer atëherë fort në artikujt e shumtë.
Megjithatë, Konica nuk ishte optimist për ato që mund të arriheshin përmes kësaj rruge.
Konica vetë përpiqej të jepte shembullin duke shkruar herë-herë në gegërishte. Po si do të bëhej përzierja a shkrirja e dy dialekteve, sipas Konicës? Përmes një procesi të gjatë e të vullnetshëm.
Në programin shkencor për krijimin e letrarishtes së Konicës do të gjejmë edhe mjaft ide të tjera, si pjesë përbërëse e këtij programi, siç janë hartimi i një gramatike të njësuar, krijimi i një alfabeti dhe drejtshkrimi të letrarishtes.
Kërkesa kryesore e këtij programi shkencor ishte mbështetja e letrarishtes në gjuhën e popullit, “një gjuhë letrare formohet duke studiuar mirë gjuhën e popullit”.
Alfabeti i përbashkët – çështje letrare kombëtare
Në fund të shekullit XIX, kur filloi të dilte “Albania”, e gjente gjuhën shqipe pa një alfabet të vetëm e të përgjithshëm. Sipas Konicës, midis më shumë se 40 alfabetesh të përdorur gjer më 1897, asnjëri nuk kishte mundur te dilte mbi të tjerët dhe të përdorej nga të gjithë.
Çështjes se një alfabeti të përgjithshëm Konica i kushtoi një vëmendje të veçantë, si bazë e gjuhës së përbashkët që ai kishte ideuar në shumë artikuj dhe shkrime shkencore. Madje, Konica hartimin e një alfabeti të pranuar dhe të përdorur nga të gjithë shqiptarët e quante si kyçin e problemeve të shqipes, pa realizimin e së cilit shqipen nuk mundet dot që “ta lërosh, ta zbutësh, ta gdhëndësh, ta pasurosh, ta bësh një gjuhë letrare e ideologjike, ta vësh në rrugën e zhvillimit dhe të përsosjes, t’i japësh një jetë të re”. (Vep. cit. f.23)
Në më shumë se 10 artikuj të botuar në fillimet e revistës “Albania” me tituj si “Çështja e alfabetit”, “Puna e letrave”, “Çështja e abecesë apo abetari shqip” etj., trajtohen parimet dhe kriteret e një alfabeti të gjuhës shqipe. Madje, Konica krijimin e këtij alfabeti nuk e quante thjesht një punë filologjike, por “një çështje letrare e kombëtare”. Vetë Konica në botimin e revistës “Albania” përdori gjer në vitin 1900 një lloj alfabeti që ishte një përzierje e alfabetit të Stambollit (1897) me alfabetin e vjetër të Veriut. Pas 1900-s hoqi dorë nga ky lloj alfabeti dhe përdori alfabetin e shoqërisë “Bashkimi”, me fare pak ndryshime.
Konica iu përmbajt mendimit se shqipja duhej të kishte një alfabet të vetëm, të përbashkët për të gjithë, pa dallime dialektore, dhe ky alfabet duhet të ishte me bazë latine. Argumentet e Konicës pro alfabetit me karakter latin ishin dy: të natyrës historike dhe natyrës tekniko-praktike. Një alfabet me bazë latine përfaqësonte vazhdimin e një tradite që fillonte me alfabetin e Frang Bardhit në shek. XVII; një alfabet me bazë latine ishte shumë praktik, pra shtypej lehtë kudo, që nuk arrihej me shkronjat greke e cirilike.
Kundërshtimi ndaj alfabetit të Stambollit lidhej me prejardhjen e grafemave dhe për pasojë edhe me vështirësitë praktike për shtypshkrimin. Edhe pse ky alfabet i përmbahej parimit të drejtë “çdo tingull një shkronjë” dhe ishte i lehtë për t’u mësuar, paraqiste vështirësi të natyrës tipografike, pra ishte i kushtueshëm dhe jo praktik.
Konica mbajti një qëndrim mohues ndaj vendimeve të “Kongresit të Manastirit” (1908), jo vetëm se u ftua me vonesë, por mbi të gjitha për faktin se Kongresi vendosi të linte në përdorim dy alfabete, atë të Stambollit dhe atë latin; i pari për përdorim brenda vendit, kurse i dyti për përdorim jashtë tij.
Pavarësisht nga qëndrimet dhe kritikat e bëra nga Konica, alfabeti i sotëm i shqipes është alfabeti latin i miratuar prej Kongresit të Manastirit, qëndron shumë pranë modelit që “projektoi” dhe përdori Konica në shkrime, për të cilin luftoi aq shumë që ta arrinte.
Drejtshkrimi i përbashkët të mbështetet në parimin fonetik-morfologjik
Pjesë përbërëse e sistemit shkencor të Konicës për krijimin e letrarishtes së përbashkët ishte edhe trajtimi i normës drejtshkrimore. Gjuha letrare, që do të formësohej prej bashkimit a përzierjes së dialekteve, do të shkruhej me një alfabet të vetëm, duhej të kishte padyshim edhe rregullat e drejtshkrimit.
Konica ishte për një drejtshkrim të përbashkët, që të mbështetej mbi parimin fonetik, i ndjekur dhe i plotësuar prej atij morfologjik.
Konica parashtroi edhe rregulla drejtshkrimore që në disa raste përkonin me gegërishten, si b.f. zbardh (jo xbardh), zgjon (jo xgjon), zbres (jo xbres) etj.
Trajtoi edhe drejtshkrimin e emrave të përveçëm të huaj, i bindur se përdorimi i tyre në shqip duhet të ndiqte grafinë e gjuhëve prej nga kishin prejardhjen, pra të zbatohej parimi etimologjik. “Për të huajt – shkruante Konica – emri është për sy, jo për vesh”.
Kështu këshillonte të shkruhet Shakespeare, Corneille, Racine dhe jo Shekspir, Kornej, Rasin. Ky parim vlen edhe për drejtshkrimin e sotëm të fjalëve të huaja në gjuhën shqipe.
Me interes është edhe trajtimi dhe përshtatja në gjini e përcaktorëve me emra dygjinish (kombe të forta apo kombe të fortë) dhe lakimi i emrave të huaj.
Për përdorimin e nyjes në emrat e huaj, mendonte që duhet të marrin nyjen shquese, siç na e shpjegonte aq thjesht mësuesi i shquar Thoma Papano, që “fjalës së huaj t’i vëmë qeleshen shqiptare”. P.sh. Pashë BILL KLINTONin, i dhurova lule Madonës etj.
Konica e dinte dhe e kuptonte se në rrethanat historike kur shqiptarët ende nuk kishin shtet, pra një autoritet zyrtar që të bënte të detyrueshëm zbatimin e rregullave të drejtshkrimit shqip, përparësi mbetej kurorëzimi i përpjekjeve dhe luftërave për shkëputjen nga sundimi shekullor turk dhe shpallja e pavarësisë.
Pastrimi dhe pasurimi i leksikut të shqipes
Mendimi i Konicës për krijimin e letrarishtes së përbashkët, gjuhës së njësuar kombëtare, ishte i gjerë dhe i shumanshëm, ku përfshihej edhe çështja e pasurimit, kultivimit dhe modernizimit të leksikut të gjuhës shqipe.
Domosdoshmëria e pastrimit të shqipes nga turqizmat e shumtë, pasojë e një sundimi të gjatë turk, si dhe sfidat e zhvillimit të shoqërisë shqiptare në fillimet e vrullshme të shekullit XX, kërkonin njëherazi dy veprime: mënjanë dëbimin dhe largimin e fjalëve turke dhe nga ana tjetër zëvendësimin me fjalë të reja të brumit shqip ose edhe me fjalë nga shkenca dhe teknika bashkëkohore.
Pasurimit të fjalorit të shqipes i dha një rëndësi të madhe, andaj në revistën “Albania” krijoi një rubrikë me titullin “Fjalë të ra”, që më vonë do ta shënonte “Fjalë të ra dhe të rralla”. Konica, nga kërkimet dhe përvoja e fituar në procesin e shkrimeve shqip në revistën “Albania”, ndiqte disa kritere për të vjelë fjalë të reja; këshillonte që shqipja të pasurohej nëpërmjet atyre që sot i quajmë “çerdhe fjalësh”. Ngulte këmbë që në këtë gjë të respektohej natyra e shqipes, veçoritë e saj.
Meriton një vëmendje të veçantë kërkesa e Konicës për pastrimin e shqipes nga turqizmat e shumtë, edhe pse disa herë tregohej i tejskajshëm; madje edhe me fjalën mohuese “jo”, që e quante gabimisht turqizëm, kërkonte të hiqej dhe të përdorej vetëm “nuk”. Diku shkruan: “Shqipja munt të mbajë nja pesë fjalë shqip që tingëllojnë si shqipe e që janë: daull, top, dufek, barut, fishek”. (Vep, cit, f.40)
Pasurimin e leksikut, sidomos atij kulturor, Konica e shihte tek huazimi i fjalëvë të huaja. Këtu fjala ishte për ato me përhapje ndërkombëtare me origjinë latine e greke. Për më tepër, huazimin e shihte si rrugën kryesore për pasurimin e terminologjive të fushave të ndryshme, sidomos të fondit të etnonimeve e emrave të huaj të vendeve.
Konica ishte i pari që vinte në dukje dallimin midis huazimeve dhe fjalëve të huaja. Sipas tij, “Fjalët e huaja janë ato, që s’kanë zënë rënjë në gjuhë. Ato që honepsi gjuha dhe hyjtin gjer në kasollë të malësorit, ato fjalë u nacionalizuan. (Po aty, f.37). Në zëvendësimin e fjalëve të huaja, Konica pati raste të rënies në purizëm. Kështu për telefon përkrahte variantin vendas larkfolës, ose për huazimin sekretar propozonte kalkun mpshetësi etj.
Në shkrime të shkurtëra të botuara në “Albania” gjenden shpesh edhe mendime ku bën saktësime kuptimore dhe etimologjike të fjalëve shqip, vë në dukje gabime në përdorimin e fjalëve ose shpjegon dhe ia bën të njohura publikut fjalët dhe shprehjet latine me përdorim ndërkombëtar.
Në përfundim mund të themi se modernizimi dhe pasurimi leksikor i shqipes i detyrohet mjaft edhe njohjes, formimit, vullnetit, talentit, atdhedashurisë dhe përkushtimit të Faik Konicës.
Prurjet teoriko-gjuhësore të Konicës
Prurjet e Konicës për historinë e gjuhës shqipe, për historinë e saj, edhe pse kanë qenë nga ana sasiore jo dhe aq shumë, shquhen për gjykime të veçanta dhe nderim për lashtësinë e shqipes. E hyjnizonte prejardhjen e shqipes, duke menduar se ishte pasardhëse e gjuhës pellazge dhe se kishte ndikim në formimin e fjalorit helen. Madje, kultin e shqipes, si gjuha më e lashtë në Europë, Konica e shpalos edhe tek kapitulli “Gjuha dhe letërsia”, në esenë “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”.
Studiuesi Luan Starova zbuloi dhe botoi vitet e fundit një vepër teoriko-gjuhësore të Konicës, “Ese për gjuhët natyrore dhe artificiale”, shkruar e botuar më 1904 në frëngjisht me pseudonimin Pyrrhus Bardyli. Starova e quan si një “vepër kapitale të Faik Konicës, kapitale edhe për kulturën e shkencën shqiptare” (Vep. cit. f.46). Një një vështrim të përgjithshëm mund të thuhet se në këtë ese ndrit mendja dhe talenti i Faik Konicës në trajtimin e një teme gjuhësore europiane-perëndimore. Krijimi në vitet 70-80 të shekullit XIX i një vargu gjuhësh të ashtuquajtura artificiale, si volapyk, esperanto, gjuha blu etj. që synonin të ktheheshin në mjete komunikimi universal, i dha shtysë një debati të ashpër midis dy prirjeve – atyre që përkrahin këto krijime artificiale dhe atyre që mbështesnin gjuhët natyrore. Konica, si dijetar i përmasave europiane, me dashuri të thellë për gjuhën shqipe, u radhit në anën e përkrahësve të gjuhëve natyrore, Qëndrimi i palëkundur i Konicës kundër gjuhëve artificiale kishte përveç motiveve gjuhësore edhe motive të tjera, jashtëkulturore. Konica, përmes revistës “Albania”, ishte përfshirë fort në lëvizjen politiko-atdhetare, ku çështjen e zhvillimit dhe të pasurimit të shqipes e kishte një përparësi absolute.
Përhapja dhe mësimi i gjuhës shqipe nëpër botë
Ndër çështjet që meritojnë të theksohen nga hambari i thesarit të Konicës ishte edhe kërkesa dhe mendimi i tij për rëndësinë e mësimit të gjuhëve të huaja, por edhe mësimit të shqipes jashtë Shqipërisë.
Edhe më përpara, por sidomos në këto 20-vjet të regjimit demokratik në Shqipëri, mësimi i gjuhëve të huaja mund të thuhet se ka lulëzuar. Në shkolla dhe jashtë saj mësohet anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht, italisht etj. Ky është një akt sa kulturor aq edhe pragmatik sepse lehtëson komunikimin e shqiptarëve me arritjet e popujve dhe kombeve të tjerë.
Një rrugë të mbarë dhe më të gjerë ka marrë edhe mësimi dhe përhapja e shqipes nëpër botë. Prof. Peter Prifti në studimin “Mësimi i gjuhës shqipe në Amerikë” (Mozaik shqiptar, 2003, f.185- 207) jep një pasqyrë gati të plotë për përhapjen dhe mësimin e shqipes në të gjithë hapësirën amerikane.
Gjuha shqipe mësohet në mjaft qendra dhe universitete europiane dhe botërore si Gjermani, Francë, Itali, Danimarkë, Kinë etj.
Pata fatin e bardhë që në vitet 60 të shekullit të kaluar të hap katedrën e gjuhës shqipe në Pekin, të Republikës së Kinës. Gazetari Dalip Greca shkruan: “Në shkurt të 1962 profesor Fico do të udhëtonte në Kinën e largët, ku do të mbetej në historikun e gjuhës shqipe si themeluesi dhe kryetari i parë i katedrës së gjuhës shqipe në Pekin, pranë Institutit të Gjuhëve të Huaja… Në Pekin ai hodhi farën e gjuhës shqipe, e cila do të mbijetonte edhe pse u ndërpre në kohën e revolucionit kultural kinez.” (Gazeta “Illyria”, 14-17 maj 2004).
Më vjen mirë të bëjë të njohur se kjo katedër vazhdon edhe sot e kësaj dite, madje e ka rritur programin mësimor duke pranuar edhe kandidatë për gradën “master”.
Një hap tjetër me rëndësi për fatin e gjuhës shqipe në një nivel universitar ishte programi i zbatuar në shtetin e Miçiganit në vitet 1996-2000. Për këtë ngjarje të shënuar Prof. Peter Prifti në studimin “Mësimi i gjuhës shqipe në Amerikë” shkruan: “Një qendër e re për studimin e gjuhës dhe kulturës së shqiptarëve u themelua kohët e fundit (në 1996) në shtetin e Miçiganit… Themeluesi dhe drejtori i Qendrës është Prof. Dr. Agron Fico, me origjinë shqiptare, i njohur si gjuhëtar dhe folklorist…” (Mozaik shqiptar, 2003, f. 1999)
Nxënës të universit aristokratik gjuhësor të Faik Konicës
Pa na shkuar mendja të bëjmë përfundime shteruese, mund të thuhet se njohja, studimi, përvetësimi dhe përdorimi i këtij hambari dijenish gjuhësie të Faik Konicës do të ishte një kërkesë parësore sa për gjuhëtarët, aq edhe për ata që merren me problemet gjuhësore.
Kjo do të ndihmonte që debatet dhe polemikat edhe në ditët tona për fatin e letrarishtes së përbashkët, pra gjuhës së njësuar kombëtare, të shqyrtohen me kritere shkencore, cilësore dhe profesionale. Njëherazi kjo do të shmangte atë sëmundje të mbrapshtë të shkrimeve të rëndomta, amatore, me një politizimi arkaik dhe mbi të gjitha të mërzitshëm dhe me plot plagjiarizma.
Nga mosdija harrohet se Prof. Eqrem Çabej qysh kur studionte në Grac, më 1929 kishte shkruar një artikull me shumë vlerë, që është aktual edhe në ditët tona. Çabej demaskon me seriozitet ata që shkruajnë dhe flasin për gjuhësinë pa asnjë përgatitje dhe kompetence. Studiuesi i shquar ngrihet kundër tyre dhe i quan diletantë. Çabej shkruan: “Njerëz që në jetën e tyre s’kanë dëgjuar një konferencë filologjike, njerëz që s’kanë më të voglën ide mbi mënyrën si punohet sot në lëmin e gjuhës, të tillë njerëz dalin e mbushin shtyllat e fletoret me artikuj jo vetëm fare të kotë, duke u sharë me shoqishoqin”. (Shaban Demiraj: “Eqrem Çabej” 1990, f.17)
Artikulli i Çabejt mbyllet me një kërkesë të fortë shkencore dhe profesionale, që mjerisht është harruar në mjaft raste: “Kurrkush nuk ka të drejtë të shkruajë mbi gjuhën pa u pat marrë vjete me radhë me studimin e vërtetë të saj! Kurrkush! Se gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar!” (Cit. më lart, f.17)
———-
Bibliografi
-Eqrem Çabej: Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe, 2009
-Eqrem Çabej: Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, 1994
-Shaban Demiraj: Eqrem Çabej, 1990
-Faik Konica: Vepra, 1993
-Peter Prifti: Mozaik shqiptar, 2003
-Kristina Jorgaqi: Mendime gjuhësie, 2006
-Dalip Greca: “Illyria”, 14-17 maj 2004
Komentet