VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

unë jam amerika Poezi nga Elida Buçpapaj

By | May 1, 2018
2 Comments
  • author avatar
    Anonymous 8 months ago Reply

    E mrekullueshme. Të perqaf me përmallim. Ti e qan edhe mallin tim.

  • author avatar
    Anonymous 8 months ago Reply

    Je e madherishme mike e shtrenjte !.. gros bisous.. ma plus belle amie !

Komentet

ATENTAT NË PARIS – Fragment romani nga SKIFTER KËLLIÇI

(Fragment nga romani i mirenjohur i shkrimtarit Skifter Këlliçi, me rastin e 99-vjetorit të atentatit të Avni Rustemit kunder Esat pashë Toptanit, (13 qershor 1920)

Ora shënonte 12.30, kur Avniu la restorantitn. Pas paku ndodh në krye të rrugës “Kastilione”. Qëndroi ca. Pastaj, me hapa të ngadalshëm zuri t’i afrohej hotelit “Kontinental”. Makina e Esat pashës, si zakonisht gjatë atyre ditëve, qëndronte  buzë këmbësores. Eci përgjatë saj dhe u ndodh para shkallëve të hotelit. Në holl nuk kishte lëvizje, por përmes qelqeve shqoi Esat pashën dhe përkrah tij një grua të re që po gajasej.

Avniu shtrëngoi revolverin që mbante në xhepin e zhaketës dhe bëri tutje, pranë njerës prej kolonave me harqe, që mbulonin balloren e “Kontinentalit”.

Priti… Kaluan kwshtu edhe njwzetw minuta tw tjera.

Ndwrkohw, Esat pasha u duk në shkallët e hotelit dhe nisi t’i zbriste ato ngadalë, për të shkuar te makina që priste gjithnjë pranë këmbësores. Përreth kalimtarët e paktë nxitonin, pa u shkuar ndërmend se ç’do të ndodhte ca më pas.

Diell zhuritws, vapw, zaguzhi. E tillë ishte ajo mesditë e 13 qershorit të vitit 1920.

Avniu u shkëput nga kolona pranë së cilës kishte qëndruar deri atëherë. Tani ndodhej thuajse përballë tij, përballë Esat pashës.

Roja pranë  tendës e shoqëroi me sy atë që po sillte habere valiut. Dhe ai  ishte Gjoleka.Valiu e këqyri nga sytë këmbët. Edhe Gjoleka e këqyri valiun. Valiu i kishte duart të skuqura, sikur të kishte vrarë dikw dhe prej tyre të ridhnin pika gjaku…Vrasësi duhej vrarë. Gjoleka nxori koburen. Valiu deshi të ngrihej, t’i sulej. Por ishte tepër vonë

Edhe Avniu nxori revolverin. Vetëtimthi si Gjoleka. Esat pasha shqeu sytë dhe u drodh.

U dëgjua një e shtënë. Një klithmë e çjerrë shpërtheu përmes buzëve të llagavituratë Esat pashës. Sytë e tij me vështrim të mjegulluar po humbisnin çdo lidhje me gjithçka përreth tij, që valëvitej, shfigurohej, shuhej. Veçse vdekja në trajtat e një djaloshi përftohej gjithnjë e më shkoqur.

U dëgjua njëtjetër e shtënë.

Dërgoi Gjolekë Spanoi,

Tafil Buzit të m’i thoi,

Gjoleka s’e turpëroi,

Me të shtata e qëlloi…

Esat pasha lëshoi goja një rënkim që zuri të shuhej si llokoçitjet e ujërave të ndenjura. Trupi i tij i bëshëm u lëkund, u mpak dhe u këput për tokë.

..Në brinjët e shekujve të zymtë, mbi të cilët shkelte atdheu, kërrusur, por kurrë  gjunjëzuar, tradhtia ishte shfaqur jo rrallë në trajtat e një vogëlusheje lozanjare, ose të një gruaje fatkeqe që të ndjell mëshirë, duke fshehur kthetrat e saj të kobshme dhe të lemerishme. Por mjaftonte një grimë dhe ajo, kur nuk e prisje, t’i ngulte ato kthetra në grykë, ose, për më keq, të hidhte kupën e helmit për të të mbytur e për të të vajtuar pastaj të nesërmen me kuje, ashtu si$ dinte të të vriste e të të qantevetëm ajo, tradhtia…

Avniu shtrëngoi edhe një herë këmbëzën e revolverit, thua se duke qëlluar mbi Esat pashën, po qëllonte mbi tradhtinë,që për shekuj e shekuj, duke u ngjeshur e shtrydhur si plehra të mykura, si zhele të ndotura, si fëlliqësira të neveritshme, kishte marrë përmasat e këtij pashai. Revolveri këtë herë nuk mori zjarr. Avniu e shtëngoi sërishmi këmbëzën e tij, por arma edhe këtë radhë heshti.

U bë rrëmujë. Dy gra që po kalonin praën, ia dhanë ulurimës. Të tjerë atypërreth, u hallakatën si mundën. Britma, vikama, lebetije mbuluan rrugën “Kastilione”.

-Ndihmë, ndihmë! Dikë qëlluan, ndihmë!…

Avniu u përkul tërë ankth mbi trupin e Esat pashës.

“Dy të shtëna, vetëm dy…Thua të këtë vdekur?…”.

Ai deshi të vintë dorën në gjoksin e pashait të gremisur përdhe, për të parë nëse i rrihte zemra, por ndjeu se dikush e gotiti fort nga pas. Pastaj një tjetër dhe ca më pas disa të tjerë.

-Vrasës!

-Ti je vrasës mizor!…

Ktheu kryet. Mbi të u sulën sakaq edhe të tjerë, që zunë ta qëllonin ku të mundnin, në kurriz, nw kokw, gjoks, fytyrw.

– Nuk jam vraës, jam student shqiptar, – briti Avniu.- Befas m’u shfaq përballë ky,Esat pasha, tradhtar i popullit tim dhe unë nuk u përmbajta e kështu qëllova mbi të.

– Atë do ta shohim, ndaj mos bëj gëk!…

– Lereni, nuk e shihni që ai nuk kërkon të ikë?…

– Vërtet, as që e bëri këtë përpjekje…

Dy policë e mbërthyen Avniun nga krahët dhe me forcë e shtynë përpara.

Turma njerëzish u grumbulluan tanimë në hyrje të hotelit. Policët mezi i përmbanin. Disa prej tyre e ngritën trupin e Esat pashës dhe e futën në hollin e hotelit.

-Një mjek, gjeni një mjek!- briti dikush.

U dëgjua një klithmë e mbytur.

– Gjenerali im, gjenerali im!…

-Kush është kjo? – pyeti dikush.

-Ndoshta e bija!

-Ç’thua! E njoh unë këtë. Esat pasha e kishte të dashur…Pale, ishte edhe i martuar!..

-Ç’burrështeti na qenkësh, pra, ky Esat pasha?…

Turmat e kurreshtarëve shtoheshin gjithnjë e më shumë. Policët përsëri mezi i përmbanin.

-Më lini të futm brenda, – i tha ndërkohë dikush një polici.

Ishte Gaston Rishari, që sapo kishte arritur para hotelit “Kontinetal”.

-Nuk lejohet!

-Ju lutem, më lini! Jam gazetar i “Lë Pëti Parizienit”. Erdha këtu, sepse dua t’i marr një intervistë Esat pashës.

-Keni ardhur tepër vonë. Atij sapo i bënë atentat.

-Atentat ? Cili pati këtë guxim prej të çmenduri?- pyeti Gaston Rishari i $meritur.

-Një djalosh nga Shqipëria.

-Ç’u bë, ia mbathi?

-Jo, çuditërisht shtjeu mbi të dhe nuk bëri asnjë lëvizje tjetër.

“ E habitshme, – tha me vete Gaston Rishari.- Ky djalosh qwllon mu nw mes tw ditws, pashain e Tiranws dhe nuk bwn si atentatorw të tjerw, qw pasi shtien, nw vrimw tw miut kwrkojnw të futen.

-Po pse nuk ia mbathi? – pyeti dikush.

-Vwrtet, nw kwtw zallamahi , nuk e kishte tw vwshtirw qw thembrat t’i shpine prapa kokws., – u dwgjua njw zw.- Po njw djall e merr vesh e pwrse nuk e bwri kwtw…

– Po Esat pasha wshtw gjallw? – pyeti pwrswri Gaston Rishari duke kapsalitur sytw.

-Nuk e di, zoti gazetar. Plumbat e kanë qëlluar në gjoks.

Gaston Risharit thuajse nuk i besohej se ç’kishte ndodhur.

-Qenka me të vërtetë e çuditshme, – tha pastaj.

-Për ju gazetarët atentatet janë sensasionet më të mëdha…Do të keni me se ta mbushni gazetën, – ia priti dikush nga turma.

Avniun e futën në hollin e hotelit, gjithnjë nën mbikqyrjen e rreptë të policëve.

Mbi tapetin e gjerë të hollit dergjej trupi i Esat pashës.

-Ka vdekur?- pyeti Gaston Rishari, që mundi të depërtonte deri aty.

Dikush u përkul mbi trupin e viktimës. Ishte një mjek që rastësisht ishte ndodhur në rrugën “Kastilione”.

-Për fat të keq, po. Dy të shtëna nga afër i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme, – shpjegoi pastaj mjeku.

“ #’trim! – mendoi Gastin Rishari.- Vret Esat pashwn, nuk pwrpiqet tw humbw gjurmwt, por qwndron aty ku ishte, që tw presw ditwn e gjykimit tw tij.. Si$ duket, ka $’tw rrwfejw pwr kwtw pasha, qw besonte se shpejt do kthehej sultlan nw Shqipwri.

Avniu ndjeu se ankthi, që si kafshë e padukshme e kishte brejtur nga brenda gjatë atyre katërmbëdhjetë ditëve kur, hap pas hapi e kishte ndjekur Esat pashën, kudo që vinte, po tretej nga qenia e tij.

Ktheu sytë nga trupi i shtrirë i pashait.

Por ai trup tanimë ishte kufomë.

(Ky fragment është shkëputur nga romani “Atentat në Paris”, (1978 dhe ribotur me 2011). Në qendër të romanit është akti heroik i atdhetarit Avni Rustemi, i cili më 13 qershor të vitit 1920 vrau në qendër të Parisit një ndër tradhtarët më të mëdhenj të historisë së Shqipërisë, Esat pashë Toptanin. I ndodhur në kryeqytetin francez, ai thurte intriga në favor të Fuqive të Mëdha, të cilat kërkonin copëtimin e vendit tonë pas Luftës së Parë Botërore dhe vendosjen e Esat pashw Toptanit nw krye tw shtetit shqiptar).

Festivali nderkombetar i poezise ” Azem Shkreli” mbledh poete nga Bota Nga Entela Kasi, Presidente e PEN Qendrës të Shqipërisë

Letërsia mbetet atdheu universal i njerëzimit në të gjitha kohët.

Prej 17 vjetësh, Peja është kthyer në një qytet të kulturës evropiane dhe asaj botërore, falë Takimeve Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli, të cilat i kanë sjellë Kosovës, personalitete të letërsisë botërore dhe asaj shqiptare.

Përmes këtij manifestimi nderkombëtar, Kosova ka shpalosur vlerat e humanitetit, parimet universale të lirisë, duke dëshmuar trashëgiminë kulturore jo vetëm letrare por edhe atë historike të shqiptarëve e cila mbetet një pasuri e çmuar për njerëzimin dhe kulturën botërore, e sidomos për Evropën e shekullit në të cilin vlerat e dinjitetit njerëzor mbeten vlera të mbarë njerëzimit.

Letërsia , artet, janë pasuri e çmuar për njerëzimin. Punët e artit janë trashëgimia e kulturës së qytetërimeve nga antikiteti në kohët moderne.

Ky Manifestim i cili mban emrin e poetit Azem Shkreli, një prej majave të letërsisë shqipe, mbetet i një rëndësie të veçantë, dhe njëkohësisht një urë lidhëse midis Kosovës, rajonit të Ballkanit, Evropës dhe botës.

Komuna e Pejës, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sporte, stafet organizative të këtij Manifestimi Ndërkombëtar, kanë ditur të sjellin elita të mendimit botëror në Kosovë, duke i dëshmuar krejt kryeqendrave të botës, jo vetëm trashëgiminë kulturore identitare të shqiptarëve, por vlerat e humanitetit të kulturës shqiptare e cila mbetet përfaqësuese dhe e rëndësishme për botën e madhe të letërsisë.

Ismail Kadare, shkrimtar dhe intelektual i përmasave evropiane dhe botërore ka nderuar Takimet Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli, në vitin 2016. Kadare, laureat i Çmimit Ndërkombëtar Letrar Azem Shkreli në vitin 2016, me pjesëmarrjen e tij në këtë manifestim të përmasave elitare, i bëri një shërbim të çmuar Pejës dhe Kosovës. Fjala e Kadare drejtuar lexuesit, publikut dhe autoriteteve përcjell ende edhe sot mesazhe të rëndësishme për shqiptarët, rajonin dhe botën.

Poetë shqiptarë dhe të huaj kanë qenë Laureatë të Çmimeve Azem Shkreli, mes tyre Visar Zhiti, e shumë të tjerë, maja të poezisë dhe letrave. Studiues, albanologë, përkthyes, nga vendi dhe bota mbeten ambasadorët më të mirë të përfaqësimit të kulturave duke ndërtuar me punën dhe veprën e tyre ura komunikimi midis kulturave tashmë të përfaqësuara ku secila mbetet pasuri e çmuar për njerëzimin pavarësisht kufijve gjuhësorë, politikë dhe kufizimeve të tjera.

PEN International, Organizata Ndërkombëtare e Poetëve , Eseistëve, Shkrimtarëve, e themeluar në Londër në vitin 1921 nga autoritetet e letërsisë dhe mendimit botëror, gjatë këtyre ditëve është në Pejë, Kosovë, në Takimet Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli, duke u përfaqësuar nga personalitete dhe autoritete të letersisë botërore të sotme.

Emmanuel Pierrat, shkrimtar, Kryetar i PEN Francës, njëkohësisht edhe Kryetar i Komitetit të Shkrimtarëve për Paqe të PEN International, do jetë i pranishëm në këtë Manifestim, në ceremoninë zyrtare të Takimeve Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli, ku do ketë fjalën ceremoniale dhe po ashtu do të lexojë gjatë takimeve fragmente nga libri i tij Morali i lajmit dhe morali i çensurës. Veprat e Emmanuel Pierrat janë botuar nga Gallimard dhe Fayard në Francë. Po ashtu janë përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë dhe vende të ndryshme të botës.

Sylvestre Clancier, poet dhe intelektual francez, një prej drejtuesve të bordit të PEN International, po ashtu mik i çmuar i letërsisë shqipe dhe njohës i thellë i veprës së Kadare, është pjesëmarrës në këto takime. Clancier me elegancën e mendimit dhe diplomacinë në komunikim ka bërë të mundur që PEN Kosova, themeluar në vizionin e Presidentit Ibrahim Rugova, të pranohet në asamblenë ndërkombëtare të PEN mbajtur në Tromso të Norvegjisë, kur për herë të parë Kosova kishte vendin e vet në këtë Organizatë të rëndësishme për kulturën botërore, përfaqësuar nga Presidenti i PEN Kosovës, poeti Basri Qapriqi.

Antonio Della Rocca, poet dhe shkrimtar italian, nga Trieste vjen në këtë manifestim nën përkthimin e poetes dhe gazetares së njohur Ilire Rugova Zajmi. Vepra e Antonio Della Rocca prej vitesh i ka kapërcyer kufijtë e Italisë.

Rafaël Newman, poet, kritik arti, përkthyes , një nga artistët hebrenj të Zvicrës është pjesëmarrës në këtë aktivitet të rëndësishëm.

Për herë të parë në Pejë , vjen nga Izraeli poetja dhe studiuesja e njohur Hava Pinhas Cohen, autore e shumë librave në gjuhë të ndryshme të botës. ‘ Të bashkosh të ndarët’ është libri më i ri i saj i cili ka tërhequr vëmendjen e kritikës letrare në botë.

Hemuth A Niederle, poet, antropolog, drejtues i PEN Austrisë, një emër i njohur për kulturën evropiane, e njëkohësisht një përkrahës dhe mbështetës i kulturës shqiptare dhe autorëve shqiptarë me banim në Austri, vjen në këtë manifestim nderkombëtar, duke sjellë jo vetëm poezi por kujtimet dhe lidhjen e tij tepër të veçantë me Kosovën dhe Shqiptarët.

Përveç autorëve të huaj, poetë dhe studiues të letërsisë shqipe do të jenë gjatë ditëve të këtij aktiviteti me promovime librash, lexime dhe takime me publikun.

Erestina Halili, Anton Nikë Berisha, dhe të tjerë autorë do të promovohen gjatë ditëve të manifestimit.

Poetë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe rajoni do të lexojnë poezi të tyre.

Mes emrave të 18 autorëve shqiptarë, në Takimet Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli, do të jenë për publikun në orën qëndrore të Manifestimit, Aleksandër Çipa, Rozafa Shpuza, Naime Beqiraj, Arjan Kallço, Flamur Shala, Xhevat Latifi, Irena Gjoni, Lindita Ramushi Dushku, Rami Kamberi, e shumë autorë të tjerë shqiptarë nga hapësirat mbarë shqiptare.

Në këtë vit, djali i poetit Azem Shkreli, Valon Shkreli, do të jetë në të gjitha ditët e Manifestimit.

Ashtu siç është në traditën e Takimeve Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli, do të ndahen edhe çmimet letrare.

Përgjatë këtyre ditëve Peja , vendlindja e poetit Azem Shkreli, do të jetë një qendër e Kulturës Evropiane.

Me këtë rast, Qendra PEN e Shqipërisë , Qendra PEN e Kosovës dhe PEN International, do të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Pejës, për aktivitete të rëndësishme të cilat do të bëjnë të mundur që qyteti i Pejës të gëzojë statusin e qytetit të kulturës evropiane.

Entela Kasi
Presidente e PEN Qendrës të Shqipërisë
Tiranë,
21 Maj 2019

Një ditë – Poezi nga NEKI LULAJ

Do të shkruaj ninulla, detyra e vargje

Kur mes jush një ditë më s’do të jem

Do rrah krahët si pulëbardhë në livadhe.

Do më keni thellë tokës në mermer.

 

S’do të jem një ditë në shetitore

As nuk do të  hipi në agim në makinë.

Do të mbetem gjallë mes një shkronje

Kur t’kërkoni me qiri  diturinë.

 

Aty unë nuk do të gërhas më i lodhur.

Për një kafe në çajtore  nuk ju ftoj.

Dora e balli mes dheut do jenë ftohur

Kur në livadhet me bar do të shkoj

 

Ma vini diku ditarin e punës tek vatra

Se profesori më nuk do t’i shfletojë

Bankat të  jenë përherë të pastra

Pa lapsa, libra, gazeta e ndonjë gomë.

 

Një vend i zbazët do të jetë

Ilaçet e mbetura hidhini në shportë

Ato shpesh me ndihmuan diku në jetë

Por ja erdhi koha e që të shkoj me shokë

 

Shumë herë për to ju kam munduar

Dhe ndonjë kollë kam bërë më shumë

I leni të lexojnë në Biblotekën e shenjtëruar

Ku ditët me të bukura i kam kaluar dikurë

Ca gjëra që ndodhin veç në ëndërr – Tregim lirik nga Përparim Hysi


Po shkruaj nën mbresat e një ëndërre dhe nuk kam se si mos pohoj një fakt! Sa të drejtë paska patur ai që shkroi  për dashurinë:”  Përplas një flutur krahët në Kinë dhe shkakton furtunë në Karaibe”. Kjo metaforë kaq groteske i rri qepur si kostum kësaj postëndrrës sime. Dhe është aq e vërtetë, se them unë, nuk ka se si të ndodhte ndryshe që ti erdhe dhe më gjete në gjumë që nga mijëra kilometra larg. Më gjete në gjumë dhe,pikërisht, në gjumë filloi dalldia ime.
M’u shfaqe si në ato pikturat e Botiçelit me një lëkurë prej petale trëndafilash. Mandej si ajëri,sado i padukëshëm dhe gjithmonë i pranishëm, për të cilin kishin nevojë mushkëritë e mia. Ozoni që solle me vete, zuri të m’i mbushte mushkëritë me ajër të pastër dhe,sakaq, aorta zuri të përcillte gjak të pastër nga gjithë atë gurgullimë gjaku,pasojë e asaj dalldie apo ca më sakt: kënaqësie. Ti qe për mua një lule që nuk vyshkeshe kurrë. Me buzët krejt të hapura që ndillnin vetëm etë dhe,veç atëherë kuptova, që sa të drejtë kanë  ata që besojnë,kur thonë:” Eva ka dalë nga një brinjë e Adamit”.
Mua më dukej se nuk ishin më dy trupa në atë”dalldi kolovitëse”,por një. Dhe nuk ka asgjë për t’u çuditur: ose ti kishe dalë nga trupi im, ose unë kisha hyrë atje, tek trupi yt. Dhe nuk ke pse shqetësohesh,nëse unë shkruaj kështu. Sekreti ynë është i siguruar. Të paktën nga ana ime. Ti e shikon që unë nuk po lakoj emrin tënd dhe i vetmi, i demaskuar, jam vetëm unë. Nga kjo anë, unë e kam vënë kryqin mbi shpinë dhe i pres hapur gjembat që më shpojnë. Çdo grimë e qenies sime u ndje e ekzaltuar. Në atë”dalldi aq mbresuese”, ti kishe një lulëzim e dritë të tillë si ai feneri i ndritshëm drejt të cilit lëshohen dhe rrahin krahët qindra flutura nate. Një nga ato”flutura nate”,nën dritën e atij feneri, më duket qeshë dhe unë që pashë tek ti një fytyrë aq të bukur,që nuk e kisha parë ndokund kurrë. Dhe rashë nën”kthetrat e asaj dalldie”. Nuk kam gjë për të fshehur apo të hiqem si ndonjë moralist par exelencë. Jo.Edhe burrat që,me demek,  hiqen si trima, gjunjëzohen para një”beteje të tillë”. Nuk ka burrëri në dashuri.
Qe apo nuk qe betejë? Për mua qe një”betejë” e shkuar betejës. Ti erdhe me një buzëqeshje mbushur me çiltërsi dhe, kur m’u afrove më shumë se sa duhej, gjoksi i hapur m’u bë “kërcënues” me ato thithkat (po unë i kisha thithur dikur) dhe,ndërsa sytë e kaftë përcollën diçka në shpirt,  ja tek u “dorëzova” rob i gjallë. Mora frymë thellë,si ata palombarët që zhyten thellësive për të kërkuar perlat në det, dhe humba në një kundërmim kënaqësie që më dhe si një lule e rrallë, rritur në një kopsht magjik. Çdo gjë e mëpastajme qe veç nga ato gjërat që ndodhin veç në ëndërra.
Tek afrohej,e harlisur dhe tërë energji gjallese; tek lëshon britma kënaqësie të thellë; britma që shndrrohen në drithërima që regëtijnë në shpirt, nuk mbet gjë tjetër,po ta zhytësh kokën tënde në hapësirat e gjirit dhe,pasi ta thithësh këtë “lloj droge” aq të njohur, të  sosësh atë që ke nisur.

Se,nën mbresat e kësaj ëndrre të bukur,shkrova:
“Humbën buzët mbi supet e zhveshur
Të një Diane të mbushur me freski pylli
Duart e mia shtrëngojnë gjinjtë si të zilepsur
Ndërsa mushkëritë m’u ngopën me erë jasemini.”
…………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………
O çaste të bukura! Rehat pse nuk më lini?…
 
                                  Tiranë, 20 maj 2019

JAM KOSAR – Poezi nga THANI NAQO

Livadhin kosit nën të fundmen hënë,
Psherëtin bari fshap-fshup, fshap-fshup.
Majëdirekut të mullarit vari limën e ngrënë
E gjysma e hënës m’u ul mbi sup.
Livadhin e fundit kosit sonte,
Hapësira e zhveshur më fut në trishtim.
Përçartazi i flas me gjuhët e përbotshme,
Gjoksbardhës nuselalë që u fsheh për dimërim…
Tehu i kosës fap-fap, fap-fup,
Mpikset nata me klorofil të tretur.
Gjarpëron mes yjeve një meteor, e u zhduk,
Prej syri më del yll’ i vockël, i mekur.
Hije dyshimtare pret tehu i kosës.
Gjysma e hënës mbi sup më rëndon,
I verbër, qofsha, në anën tjetër të botës,
Dielli të më shohë, mjafton!…
Brymohet streha e kapelës së vjetër,
Zemra e mullarit më fal shtratin me bar.
Në ardhtë dimri, fshehur, si dhelpër,
S’ka ç’ të më bëjë; jam kosar!
2015

TI MOS MË LER VETËM – Poezi nga FATOS ARAPI

Une jam pare sy – me – sy me jeten,
Une jam ngrene dhemb – me – dhemb me vdekjen.
Dhe jeta dhe vdekja ishin te egra
Ti mos me ler vetem.

Tiranet me njohen, ne firome u prene
Me ndjene qe erdha, ne zemer u zbehne
E di: me ta do perleshem prape neser
Ti mos me ler vetem.

Liria ime eshte si jam vete
I vdekur? – U ngrita: Serish me therrasin…
Prej meje kerkojne dhe jeten dhe vdekjen
Ti mos me ler vetem.

“Lotët që përcëlluan faqet e mia dhe të plakut tim madhështor…” – Fragment nga libri i posa botuar “Njeriu ‘pa’ vendlindje” – Nga SEJDI BERISHA

SI U PËRJASHTOVA NGA GJIMNAZI, SI E FSHEHA KËTË “TRAGJEDI” DHE SI E KUPTOI BABAI SE ISHA PËRJASHTUAR NGA SHKOLLA…!
LOTËT QË PËRCËLLUAN FAQET E MIA DHE TË PLAKUT TIM MADHËSHTOR…

Një ditë prej ditësh, në një “lojë” me shokun e bankës, Xh. M., duke vrapuar shkallëve për në katin e parë të ndërtesës së gjimnazit, morëm “n’thua” në bustin e një prej figurave politike të ish Jugosllavisë. Dhe,… ndodhi më e keqja: busti u bë copë e grimë. Ishte kjo ngjarje që ndodhi “pa dashje”. Pas kësaj, sikur i tërë gjimnazi u trondit, dhe, normalisht pasoi përjashtimi im (me 04 janar 1967) dhe i shokut të bankës nga procesi mësimor!
Isha maturant, dhe më së shumti më dhembte zemra e shpirti, kur për këtë ngjarje do ta merrte vesh babai. Por, pasi na kumtuan përjashtimin përmes librit të shpalljeve dhe njoftimeve klasë për klasë, sikur e “zgjodha” problemin me babanë: për çdo mëngjes dilja nga shtëpia si gjithnjë kur shkoja për mësim në gjimnaz. E bëja këtë, për ta mos kuptuar babai këtë, sepse, më kishte djalë hasreti, dhe më kishte thënë se do ta hiqte nga goja edhe kafshatën e bukës vetëm e vetëm që të shkollohesha unë dhe të mos vuaja si ai që ishte punëtor krahu por bujk i përkryer.

Është interesant të theksohet se gjimnazi i Pejës konsiderohej një ndër shkollat e mesme më të forta dhe më në zë për mësimin dhe gjeneratat që shkolloheshin aty. Por, thënë të drejtën, nëse vetëm pak analizohet puna e personelit mësimor, nuk ishte edhe ashtu. Ndoshta këtë e “ndrydhte” edhe frika nga regjimi i atëhershëm, por kishte edhe mësimdhënës që nuk kishin kualifikim përkatës për lëndën që ligjëronte. Kurse, për sjelljen pedagogjike mbase edhe edukative, edhe kjo ishte lëngim dhe çalim në vete, i cili ndoshta edhe sot ky sindrom e përcjell arsimin tonë.
Për këtë që theksova, dëshmon edhe dëshmia-shënimet nga ditari për suksesin dhe nivelin e notave, e cila dëshmon për gjendjen e atëhershme në mësimdhënie…!

Lotët që përcëlluan faqet e mia dhe të plakut tim madhështor…

Por, pas disa ditësh që isha përjashtuar, i kishte “shkuar” haberi se unë isha përjashtuar nga gjimnazi. Por, babai im, si gjithnjë ishte shumë i kujdesshëm dhe ruhej që të mos ma lëndonte as karakterin, as zemrën, as shpirtin dhe as rritën time në lulen e rinisë! Kështu, atëbotë ishte ditë e hënë, ditë vjeshte e vitit 1968, dhe, si çdo ditë, dola nga shtëpia kinse po shkoja në shkollë. Por, kur arrita tek Shatërvani”, ose, atëherë tek pompa e benzinës “Jugopetrol”, pa ndonjë qëllim, veç hajt, ktheva kokën pas dhe kur e pashë babanë që më vinte pas, më përcillte se a më të vërtetë shkoja në shkollë, apo ishte vërtetë ajo që kishte dëgjuar: isha përjashtuar nga shkolla?!
M’u bë se i tërë qyteti së bashku me Bjeshkët e Nemuna më ranë mbi mua dhe ma ndrydhen e shtrydhen çdo qelizë gjaku e trupi. Në atë moment sikur m’u kujtua e tërë jeta e babait tim, djersa e tij, qëndresa por edhe vuajtje që atë por edhe neve na bënë të fortë. Këtë moment, vetëm shpirti im e ka brenda të mbyllur si momentin më të rëndë, si momentin më të dhembshëm, por që brenda tij sikur ndriçonte diçka e lumtur dhe hyjnore.
Dhe, në atë moment, pa kontroll, pa marrë parasysh se kishim dallim të madh në moshë dhe që e doja shumë dhe pamasë, iu kam “vërsulur”: çfarë je zgjuar kaq herët,… Ku je duke shkuar…?!
Babai, nuk reagoi fare, por duke i buzëqeshur pleqëria e tij, më tha:
-Pashë të Madhin Zot, biri im, a je duke shkuar në shkollë apo të kanë përjashtuar?!!- dhe, përnjëherë iu kanë mbushur sytë me lot, kurse mbi mua edhe njëherë gjithçka dhe e tërë bota u rrënua mbi mua, ndërsa, lotët e babait i përcëlluan faqet e mia dhe të plakut tim madhështor…
Në atë mëngjes, te Shatërvani, ia shtrëngova duart dhe e përqafova duke i thënë:
-Për të Madhin Zot, më kanë përjashtuar nga gjimnazi, por po ta jap besën se do të diplomoj përnjëherë më shokët e klasës…!
Nuk e kisha idenë se si dhe çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por vetëm m’u dha t’i them dhe t’i premtoj ashtu. Shpirti ashtu ma diktoi t’i them plakut tim, themelit të jetës dhe të lumturisë sime.
U buzëqesh, dhe në ato faqe plot rrudha, m’u bë se pashë amanetin tim për fatbardhësinë e jetës dhe për kryerjen e obligimit ndaj zemrës, shpirtit dhe madhështisë së tij që e kishte edhe në mua.
Edhe njëherë e përqafova duke i thënë që të mos merakoset. Më shikoi gjatë pa ma thënë asnjë fjalë dhe u kthye për në shtëpi. Ndërsa, unë vazhdova rrugën për në qendër të qytetit, sepse nuk kisha ku të shkoja diku tjetër, por lotët më tradhtonin, siç e kanë shprehi gjithherë, e edhe tash!
Prej asaj dite, pasi kuptova se babai veç e kishte marrë vesh se isha përjashtuar nga shkolla, më nuk dilja në mëngjes nga shtëpia kinse shkoja në shkollë. Por, tash më doli një problem tjetër. Sikur ngulfatesha derisa përfundonte mësimi në gjimnaz, sepse, isha mësuar ta kaloja ditën në mësim së bashku me shokë. Kisha mendjen se si ta mbaroja gjimnazi ashtu siç i kisha premtuar babait, sepse, nga gjimnazi më kishin përjashtuar pa të drejtë regjistrimi edhe një vit tjetër. Kjo, me siguri ishte një metodë perfide, që pas një viti, praktikisht të rinjtë ftoheshin nga mësimi dhe kështu ngelnin pa u shkolluar, që ishte edhe synimi i pushtetit serb.
Megjithatë, provova ta vazhdoja shkollimin në gjimnazin “Hajdar Dushi” të Gjakovës, dhe, edhe përkundër ndalesave ligjore, drejtori i atëhershëm i këtij gjimnazi, i cili më duket se ishte Ekrem Murtezai (më vonë një intelektual dhe shkencëtar i përkryer, e që pastaj na ra që të punojmë së bashku në Radio-Prishtina), me gjithë rreziqet, ma mundësoi vazhdimin e shkollimit. Por, pas një jave, këtij drejtori iu falënderova dhe e njoftova se nuk isha në gjendje t’i vijoja mësimet për shkak të kushteve të vështira sociale; sepse, duhej të udhëtoja për çdo ditë nga Peja në Gjakovë dhe e anasjelltas. Kurrë nuk e harroj mirësjelljen e këtij drejtori, i cili, kur ia tregova shkakun dhe arsyen, u përmallua, bile edhe iu përvodhën lotët. Më tha: më vjen keq, në aspektin material nuk mund të të ndihmojë…!
Më tha edhe këtë: mendo edhe pak dhe mos i tërheq dokumentet! Por, isha i prerë, të cilën gjë i “kontribuonte” edhe rebelimi im shpirtëror.
I tërhoqa dokumentet. Edhe njëherë u përshëndeta me drejtorin, i cili më përqafoi si fëmijën e vetë.
U ktheva në Pejë, dhe tash kishte ngelur vetëm një shpresë; që ta lusja sekretarin e gjimnazit të Pejës, z. Xhevat Gjikollin, që disi të ma mundësonte që vitin e katërt ta kryeja privatisht, edhe pse, sipas vendimit të kësaj shkolle nuk kisha të drejtë.
Një ditë prej ditësh, ktheva në Gjimnazin “11 Maji” në Pejë, edhe pse tani, dorën në zemër, edhe shokët dhe shoqet frikoheshin apo edhe nuk kishin dëshirë të takohen me mua. Bile, edhe disa nga profesorët bëheshin sikur kurrë nuk më kishin parë edhe as sikur kurrë nuk kisha qenë nxënës i tyre dhe as ata profesorë të mi!
Hyra në zyrën e sekretarit të shkollës, dhe kur më pa, më duket se nuk i erdhi fare mirë pse kisha kthyer tek ai. Andaj, pak si i befasuar, më pyeti:
-Hë, çfarë ka të re?!…
I rrëfeva për tërë atë problemin tim dhe e luta se nëse ka ndonjë mundësi të ma mundësojë që privatisht t’i kryeja provimet e vitit të katërt të gjimnazit.
Ne fillim, desh i doli flaka.
-Nuk bën! E din se edhe një vit nuk ke të drejtë shkollimi në këtë gjimnaz?!…
Por, decidivisht i thash:
-E di. Por, nëse mund të bësh diçka në këtë drejtim, kurrë në jetë nuk do ta harroj! Për asgjë tjetër nuk do të lutesha dhe as nuk do të të përkulesha, por për këtë, po…! Sepse, i kam premtuar plakut tim se përnjëherë me shokët e mi do ta mbaroj gjimnazin.
Për disa minuta më shikoi, më dukej se sikur të tërin më maste, sikur ma shprushte mendjen e synimin. Pas një kohe, më tha:
-Nuk mund të të premtoj asgjë, por eja edhe njëherë nesër…!
Shumë u gëzova dhe m’u shtua shpresa se do të ndodhte diçka mirë.
U ktheva në shtëpi plot shpresa, por asgjë nuk i bisedoja plakut. Të nesërmen, edhe me gëzim, edhe me shpresë, që më ishin të mbërthyera në frikë, ktheva në gjimnaz te sekretari. Nuk më shikoi fare dhe sikur nuk ma vente në fare. Nuk bëzaja as unë, dhe deri sa i rregulloi disa letra mbi tavolinën e punës e pasi u ul, edhe pse as tash më shikoi mu sikurse dje, megjithatë më tha:
-Nuk kam çfarë të të bëj… Nuk kam kurrfarë mundësie, prandaj më vjen keq…!
Tash, m’u bë se m’u mbyllen të gjitha rrugët dhe dyert. Nuk di si më erdhi, dhe i thash:
-Sikur të ishit Ju si unë, e unë në vendin Tuaj, do të bëja çdo gjë dhe do t’i hapja rrugët e shpresës dhe të ardhmërisë, edhe sikur të më kushtonte shumë një gjë e tillë…
Nuk më ecnin këmbët për të dalë nga zyra e tij. Por, çfarë ndodhi. Nuk e kisha të qartë se si iu ndërrua mendja, dhe më tha:
-Prit!… Sjelli nesër dokumentet për gjysmën e lëndëve-provimeve!
U dridha. Tash, nuk di si u s’lirova, dhe i thash:
-Jo gjysmën, por të gjitha lëndët-provimet…
-Si?!!… A je në vete…!
-Unë, nesër do t’i paraqes të gjitha provimet…
-Shiko, pra. Për këtë, askujt asnjë fjalë, dhe kur t’i sjellësh dokumentet, hynë atëherë kur nuk të sheh askush…
Ashtu edhe ndodhi. Kur erdhi koha e provimeve, asnjë prej profesorëve nuk bëri pyetje se pse e si për çështjen time.
Të gjitha provimet i kalova për mrekulli. Dorën në zemër, disa profesorë edhe e kishin në konsideratë edhe çështjen e rastin tim, për çfarë edhe atëherë por edhe tash u jam mirënjohës dhe u falënderohem.
Tash, i erdhi radha temës së diplomës. Kishin ikur të gjitha temat nga gjuha dhe letërsia shqiptare, në ç’drejtim unë jetësisht isha i interesuar, sepse, edhe kisha afinitet të jashtëzakonshëm nga kjo fushë.
E, për temën e diplomës kisha problem, sepse, arsyetimi ishte se i tërë viti i katërt i gjimnazit dhe diploma të jepeshin privatisht, nuk kishte kuptim që të përfundonte kështu. Megjithatë, edhe ky problem u zgjidh. Por, nga gjuha dhe letërsia shqiptare kishte ngelur vetëm një temë, të cilën, si duket nuk kishte pasur guxim ta merrte askush, ishte tema “Fati i femrës dhe i nënës në letërsinë shqiptare”.
Me të vërtetë ishte temë e gjerë por edhe kërkonte leximin e shumë veprave. Për atë, për te edhe nuk ishte për caktuar askush. Vërtetë ishte temë e rëndë, por shumë interesante dhe joshëse, që linte përshtypjen e diçkaje si nismë për një studim të mirë dhe të rrallë në letërsinë kombëtare. Më provokonte dhe më grishte me të vërtetë fati i nënave, i motrave, i vajzave dhe i gruas shqiptare.
U përcaktova për te dhe se një muaj e kam “humbur” duke e përgatitur këtë temë, sepse, libra dhe vepra kushtuar femrës sonë kisha lexuar bukur shumë, për të mos thënë edhe më shumë se që e kërkonte tema, dhe, isha shumë i lumtur, sepse, për mua tema kishte rëndësi të dyfishtë; një, sepse diplomoja në të njëjtën kohë me shokët e klasës, ashtu siç i kisha premtuar edhe babait tim. Dhe dy. Sepse, ishte një temë për mua monumentale, një temë e prekshme, aktuale, mbase ndoshta edhe shumë e veçantë.

Gjatë tërë kohës, për çdo ditë kam kthyer në Patrikanën e Pejës, dhe aty përbri Dudit Plak, atëherë 200-vjeçar, e pranë ujit që kalon përmjedis oborrit të Patrikanës. Aty, që nga mëngjesi e deri vonë lexova, studiova dhe u kënaqa por edhe u frymëzova për shumëçka duke punuar në temën e diplomës së maturës. Kisha material të bollshëm, bile bile, edhe më shumë se që ndoshta do të kërkonin profesorët dhe komisioni gjegjës.
Një muaj, që nga mëngjesi për çdo ditë qëndrova në oborrin e Patrikanës, të këtij kulti historik i tokës shqiptare, dhe askush asnjëherë nuk më ka pyetur se përse isha aty aq i rregullt. Nuk më ka pyetur askush as nga personeli i Patrikanës por edhe askush nga ndokush jashtë. Bile, përshëndetja ime e mëngjesit sikur e kënaqte personelin e këtij tempulli me histori të veçantë, me histori interesante, të drejtë, të shtrembëruar, mbase edhe jo të saktë…!
Në këtë Patrikanë, si nxënës i gjimnazit kisha punuar edhe në cilësinë e punëtorit fizik për ndërtimin e Kambanarit, për çfarë kishte financuar Dimitrije Funduc, një gjakon që atëherë kishte shkuar për të jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky njeri, e kishte financuar ndërtimin e këtij objekti, dhe prej themelit e deri në kulm të këtij kambanari, derdha edhe djersën time, për njëzetë e pesë dinarë të atëhershëm në ditë. Kuptohet, kjo ishte kënaqësi imja, sepse, edhe unë, përveç babait, e fitoja një “grimë” bukë për familje. Por, për këtë do të flasë më vonë.

Diplomimi në temën : “Fati i femrës dhe i nënës në letërsinë shqiptare”

Dhe, mori fund përgatitja e temës së diplomës. Gjatë mbrojtjes së temës, në komision ishin pesë profesorë, më shumë se zakonisht deri atëherë! Më sa më kujtohet mua, në komision ishin: prof. Xh. B. (Kryetar komisioni), prof. Sadik Berisha(anëtar komisioni), prof. Sveta Gjurishiq (profesor i gjuhës serbokroate-anëtar komisioni), prof. Ismet…(profesor i arrtit figurativ-anëtar komisioni) dhe një tjetër profesor, i cili ishte sa për formalitet, sa për ta kënaqur numrin e anëtarëve të komisionit.
Më pyeten se a isha përgatitur për të mbrojtur temën. Po, u thash. Dhe vazhdova: unë sot përgjigjem vetëm për notën pesë, ose për notën e dobët-njësh!
Edhe pse nuk ishte i mirë nga ana ime ky “kushtëzim”, unë këtë ua thash me gjithë mend. Po ashtu, u thashë se brenda temës mund të pyesnin gjithçka dhe çfarë të donin, ndërsa, jashtë temës nuk do të përgjigjem!
Pas kësaj, kryetari i komisionit ndërroi në fytyrë, por nuk foli. Më pyetën për gjithçka e për çdo gjë. Por, pa modesti po them se isha shumë i përgatitur. Dikur, nuk patën se çfarë të pyesnin gjë tjetër, por, Kryetari i komisionit më pyeti: cili personazh tek letërsia serbe mund të krahasohet me Hajrijen e romanit “Malësorja” e Nazmi Rrahmanit?!…
I thash se kjo pyetje që ma kishte drejtuar ishte jashtë temës, por megjithatë, po të përgjigjem: është Sofka te romani “Gjaku i papastër” i Bora Stankoviqit. Atëherë, profesori i gjuhës serbokroate, Sveta Gjurishiq, tha: “Pse po e mundoni djalin, a nuk po e shihni se temën e ka përgatitur për mrekulli!
Atëherë, sikur të gjithë anëtarët tjerë të komisionit që ishin shqiptarë u shliruan, kushedi nga ndonjë ankth i mundshëm. Dhe vetë, S. GJ. Tha: unë e vlerësoj me notën pesë! Atëherë “krisën” pesat edhe nga anëtarët tjerë të komisionit, dhe diplomova në Gjimnazin “11 Maji” në Pejë, me rezultat të shkëlqyeshëm përnjëherë me shokët e klasës me të cilët, para përjashtimit tim, e kishim vijuar mësimin e rregullt. Bile, unë diplomova dy-tri ditë më përpara.
Pas këtij akti, mëzi prisja të shkoja në shtëpi dhe ta gëzoja babanë duke ia komunikuar se kisha diplomuar ashtu siç ia kisha dhënë fjalën.
Ashtu, pjesë të shpirtit dhe shok siç e kam pasur por e kam edhe tani, edhe pse nuk është në këtë jetë, iu afrova dhe i thash:
-Babë, zgjate dorën!
Ma zgjati dhe ia shtrëngova e ia shtrëngova tej mase dhe e putha në të dy faqet, atëherë ia komunikova premtimin të cilin në atë moment nuk e kishte në mendje:
-Babë, unë sot diplomova!…
-Si…?! –ngeli pa tekst, por në vend të fjalëve e shoqëruan lotët, prapë të dyfishtë; lotët e tij që kishin aromën e peshën e moshës dhe të harresës së kohërave, dhe lotët e mi, që ishin si larje e borxhit ndaj babait, nënës dhe motrës Sofije.
Ishte një gëzim i përzier, i bërë “katralëmsh”, që sikur tani ndezi dritën e rrugës sime por edhe të familjes, e cila familje e tëra më bëhej se më ishte përkushtuar mua dhe vetëm mua…!
Tash, angazhimi dhe problemet për t’u regjistruar në fakultet…
25 mars 2018, kur po e nis këtë vazhdim të shkrimit pas gjashtë muajsh “pauzë”, paraprakisht por edhe në fillim sikur diçka ma rëndonte mendjen dhe shpirtin dhe u përmallova pa ditur as arsyen dhe as shkakun se për çfarë ndodhte kjo?! Ndoshta pse tash në kokën time kisha problemin e regjistrimit në fakultet, problemet dhe dhembjet e mëdha që i kisha për motrën Sofije, e cila tani ishte e sëmurë dhe ndodhej në Spitalin për Shërimin e Mushkërive në Pejë, dhe e treta, problemet sociale që m’i ngushtonin të gjitha rrugët. Këto çështje i merrja mëme “ngushtim”, sepse tani jetën e kuptoja ndryshe, isha më i pjekur, por edhe mosha rinore, normalisht, m’i “turbullonte” ndjenjat dhe përjetimet që ishin të pashmangshme.
I kompletova të gjitha dokumentet dhe u regjistrova në Fakultetin Filologjik, dega gjuhë dhe letërsi shqipe. Në fillim assesi nuk mund e përthekoja se do të mund të kalova jetë normale studentore pa para dhe mjete për të jetuar. Por, para se të fillonim me ligjërata në fakultet, unë më shokun tim të ngushtë nga shkolla, Prend Markun, në vitin shkollor 1968-1969, u punësuam në Shkollën fillore “Boro Millatoviq” në fshatin Zllakuqan të Klinës, për të marrë disa paga derisa sa të fillonin studimet. Unë, ligjëroja gjuhën shqipe, kurse Prendi, lëndën e kimisë.
Ishte hera e parë që takohesha me ditarin e shkollës, me ligjërimin, me orën mësimore, të cilat gjithnjë i kam konsideruar dhe i kam ëndërruar si diçka të shenjtë por edhe të paarritshme për mua!
E kisha ëndërr që gjeneratën e re ta edukoja me atë mendjen dhe tharmin e shëndosh të diturisë, atdhetarisë dhe të njerëzores. Dhe, ashtu edhe fillova, por nuk doli siç kisha ëndërruar. Mësimi dhe puna në arsim ishte shumë më komplekse se që kam menduar, dhe atë për shumë arsye, duke filluar nga kushtet në shkollë, nga kushtet dhe gjendja ekonomike e nxënësve, por edhe nga marrëdhëniet në mes të personelit mësimdhënës, të cilat shumë reflektojnë në suksesin e punës, por edhe në edukimin e gjeneratës së re në baza të shëndosha dhe të padjallëzuara…

Më 20 maj 1609 u botuan për herë të parë sonetet e Shekspirit

Më 20 maj 1609 – Sonetet e Shekspirit botohen për herë të parë në Londër nga Thomas Thorpe. Sonetet hapen me një përkushtim për ” WH”. Identiteti i këtij personi mbetet mister dhe, që nga shekulli i 19-të, ka nxitur shumë spekulime. Një gabim i thjeshtë për inicialet e Shekspirit, “WS” ose ‘WSH”, kjo është sugjeruar nga filozofi Bertrand Russell në kujtimet e tij. Sonetet (gjithësej 154) njihen edhe për ndikimin; nuk ka gjuhë të përhapura ose jo, që këto sonete nuk janë përkthyer, duke përfshirë gjuhët gjermanisht, frëngjisht, shqip, arabisht, hebraisht, esperanto, madje edhe në gjuhën e sotme angleze.

Sonet # 30, nga W.SH.

(shqipërim)

“Kur në heshtje rri

mendoj të kaluarën,

që rëndësi s’i dhashë,

mërzitem për gjërat

që nuk i kam por, doja…

Brengave të vjetra lot të rinj u shtoj,

sytë nga të qarët rrallë i pata njomur.

Por, tani përmbyten për miqtë

e çmuar humbur a vdekur.

Qaj, vuaj, ankohem edhe për të tjera

si të mos mjaftonte dhembja që provova,

atëhere, kur i humba shumë nga këto gjëra.

Janë plagë të kohës që prapa s’kthehet,

si për t’më dënuar me dhembje pa fund.”

Kukulla – Tregim nga FERIDE PAPLEKA

Kur isha e vogël kisha mbledhur ca copëza kadifesh të mbetura nga një fustan që më patën qepur prindërit si dhuratë për Vitin e Ri. Ëndërroja shumë të bëja me to një kukull. Kukull të vërtetë nga ato që shiten sot në treg ende s’kisha parë, por i kisha parë shoqes sime një kukull të bërë vetë. Edhe ajo mbase e kishte parë te dikush tjetër. Ku ta dish? Ideja për të sajuar këto perëndesha të vogla është shumë e lashtë, ndoshta, që nga koha e qytetërimit sumero-akadian.
Me copërat e kadifes të palosura e të vendosura në një kuti tualeti të vjetruar që e kisha gjetur midis sendeve të nusërisë të nënës sime, vajta te shtëpia e Lilit – kështu e quanin shoqen time. Kishim biseduar për kukullën një ditë më parë dhe mezi prisnim të bëheshim bashkë. Do të doja ta riprodhoja këtu atë bisedë, nga e cila zë fill kjo ngjarje, që duke e shkruar, më duket sikur e zbuloj, por më pengon harresa.

Shtëpia e Lilit ishte nga ato ndërtesat tip njëkatëshe, me bodrum poshtë, me një verandë të vogël përpara, rrethuar me gjithfarë lulesh. Në verandë hyje duke ngjitur katër- pesë shkallë, me parete borë të bardha, ngaqë mami i Lilit i lyente vazhdimisht me gëlqere. Për të qenë sa më rehat, ne shkuam në një kthinë pas shtëpisë, në të cilën futeshe ose nga një derë e brendshme në korridor ose nga jashtë, përmes një deriçke, me dalje në kopsht. Aty në atë kthinë, mes asaj qetësie e ndieja veten gjithnjë të lirë. Ndoshta nga ajo liri fare e thjeshtë buronte ngazëllimi im i atyre çasteve. Shtëpia ime, ndryshe prej asaj kthine, ishte një apartament në një pallat dykatësh që sa futeshe brenda, kuptohet që do të mbyllje derën. Megjithëse isha dy pëllëmbë mbi dhe, kur kthehesha nga shtëpia e Lilit në apartamentin tonë, më dukej sikur më zihej fryma.
Iu vumë punës të dyja. Ishte një ditë pranvere nga ato që truri i fikson në kujtesë për mos t’i harruar. Shushurima e gjetheve të pemëve më bën sot të përfytyroj ekstazën e analfabetëve kur dëgjonin vargje nga Kantika e kantikave, ndërsa zogjtë që përplasnin flatrat të dehur nga rrezet e diellit, më shtyjnë të mendoj se mbase kanë qenë pikërisht zogjtë që qëndruan dikur mbi supet e Françisko de Asizit.

Lëviznim duart të heshtura e tërë seriozitet, siç veprohet nga të rriturit për një porosi që duhet mbaruar. Pre, qep e shqep deri sa kukulla mori formë. Ishte hera e parë që provoja të bëja një kukull. Më në fund i vendosa mbi flokët e sajuar prej një cope mëndafshi në ngjyrë të errët edhe diçka të shndritshme që shëmbëllente me një kapëse argjendi. Doli një kukull aq e përkryer, sa kur e vura përpara syve për ta soditur, m’u duk se diçka më pëshpëriti. Unë iu përgjigja me ca fjalë të ëmbla, shijen parajsore të të cilave e kam të gjallë si sot. Vonë, kur u bëra nënë, duke mbajtur foshnjën time në duar, kam menduar se këtë çast tashmë e kisha përjetuar.

Kishte kaluar thuajse gjysma e ditës, kur u ngrita për të ikur. Mamaja më kishte thirrur dy-tri herë nga dritarja e një dhome që binte në vijë të pjerrët me derën e pasme të kthinës, për t’u siguruar që s’isha larguar, sepse e dinte që kur s’luaja jashtë, isha atje, dhe më kishte lënë të mbaroja më nge kukullën.

U ndava me Lilin – edhe ajo ishte si e shtangur nga bukuria e kukullës – dhe me shpirt krejt të mrekulluar, vrapova për në shtëpi. Kukullën e mbaja në duar. Teksa po i afrohesha shtëpisë – largësia ishte a s’ishte pesëdhjetë metra – më kapi një ankth që papritur ma rrëmbeu tërë lumturinë. Kalimi i viteve ma ka zbehur rrethanën e kësaj ndjesie, por pushtetin shtypës të atij çasti e kam të gdhendur në tru si shenja fatale e yllit në të cilin kemi lindur. Ankthi u kthye në një llahtari aq tronditëse, sa për një grimë here u ndala, pa ditur ku isha e ç’po bëja. Edhe të kisha qenë Judita me kokën e prerë të Holofernit ndër duar, nuk do të ngurosesha ashtu. Jam përpjekur ta shpjegoj atë transformim të beftë të gjendjes time psikike dhe lëmshi i mendimeve përherë më ngatërrohet. Isha aq e vogël, robinë e mikrouniversit tim fëmijëror, ku lulëzonte një jetë e dëlirë si te të gjitha vajzat e asaj moshe! Por historia jonë nuk nis në ne! Prej ç’kohë e prej ç’grimcë atomi, brofi nga gjaku im kompleksi se të mbash një kukull në duar, do të thotë të guxosh e të shkosh larg, të ngjitesh te e ardhmja jote e të shikosh pasqyrën tënde në fytyrën e një bebeje!? Është mendim tepër i çuditshëm për një vajzuckë që sapo ka mbushur pesë vjeçe. Unë as që e kisha menduar ndonjëherë këtë gjë, madje as se do të isha një ditë e rritur. Isha në moshën kur këto nocione nuk ekzistojnë, ngaqë fëmijët kanë një përfytyrim metafizik për kohën. Dikush tjetër që flinte në mua, pa dijeninë time u zgjua papritur.

Shtyva derën e shtëpisë, me kukullën në njërën dorë, e zhveshur nga çdo lloj emocioni të gëzueshëm dhe hyra në korridor si hije. Kur pashë tim atë në këmbë, në mes të kuzhinës, e humba fare. Ai më thirri që të më puthte, siç bënte kur ndodhej në raste tepër të rralla ditën në shtëpi. Me dridhma në shpirt, pa vetëdije, unë u futa në dhomën e gjumit, e prisha me të shpejtë kukullën dhe e çartallosur e hodha në një qoshe prapa dollapit. Golemi im dergjej tani i zhbërë në mënyrën më mizore.
Fare e papërqendruar pastaj iu afrova babit, e ftohtë, e zhveshur nga çdo ndjenjë. Zemra më rrihte aq fort, sa dëgjoja buçimat e saj në vesh e në tëmtha. Im atë u përkul në gjunjë, më mori pranë, më puthi sytë e më pa nga duart. “Ç’e bëre kukullën, shpirt?”- më pyeti. Unë e vështrova gjatë, pa mundur të nxirrja qoftë edhe një tingull. Dhe sytë m’u veshën nga dy pika të mëdha loti që rrinin gati për të rënë sa të ulja qepallat. “Vajza është e sëmurë”, – i tha ai mëmës që po përgatiste drekën. Dhe duke më vënë dorën e tij të shtrenjtë mbi ballë, më ngriti hopa e më çoi në shtrat me pamje të trishtuar.
1986

Skicë për një Elegji – Poezi nga PETRO MARKO

Ja
Kjo shtëpi
Ka një të vrarë
Dhe kjo këtu
Dhe kjo pranë saj
Dhe kjo tjetra
Dhe kjo dhe kjo dhe kjo

Ja
Dhe ajo shtëpi
Ka një të vrarë
Dhe ajo atje
Dhe ajo pranë saj
Dhe ajo tjetra
Dhe ajo dhe ajo dhe ajo

Si e krijoi Zojsi Dardaninë – Poezi nga PETRO MARKO

Nuk dihet
Nga koka a nga kofsha
Zojsi nxori Dardaninë
Dhe e deshi, e deshi, shumë e deshi
Nga dashuri e madhe
Kish rrezik ta mbyste

Sot e atë mot
E varim në dardhë
Dashurinë e tij të madhe
Dhe kryqin e marrim në shpinë
Duke pritur të ndodhë mrekullia
Eshtrat i bëjmë grumbull
Në Kodrën e Kafkave

Mungesa e lirisë – Poezi nga PETRO MARKO

Ti ishe
Një mëngjes i freskët
Që lëshonte
Tinguj të kthjellët

Dhe ishe një kopsht i derdhur
Zot sa i derdhur
Me erë me ngjyrë
Mbytje çdo gjë përreth

Nga duart nga yjet
Si nga një libër i hapur
Mund të parathoshe çdo gjë

Si fatthënë e rysur që ishe

Po jepeshe lehtë
Si një kafshë
E lodhur nga ndjekjet
Se në flokë
Në ballë
Në sy
Kudo
Të vihej re
Mungesa e lirisë