VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Ukraina çon Rusinë në Gjykatën e Hagës

By | March 6, 2017

Komentet

Kodi Zgjedhor, Komisioni Venecias: Opinioni ynë në dhjetor

Komisioni i Venecias njoftoi të martën se ka vendosur të jap vlerësimin e tij lidhur me ndryshimet e fundit të Kodit zgjedhor të bërëa nga parlamenti shqiptar në dritën e ndërhyrjeve kushtetuese të 30 korrikut, lidhur me zbatimin e një sistemi me lista të hapura.

Në përgjigje të kërkesës që Presidenti Ilir Meta i drejtoi Komisionit, drejtuesi i këtij institucioni, Gianni Buquicchio bëri të ditur se “në dritën e kohës së shkurtër para seancës së ardhshme plenare dhe të ndërlikueshmërisë së çështjes, Byroja e Komisionit ka vendosur të mos autorizojë procedurën urgjente”, duke shpjeguar se “opinioni do të përgatitet sipas procedurës së zakonshme dhe do t’i paraqitet seancës plenare për shqyrtim dhe miratim në dhjetor”. Në mbyllje të letrës, zoti Buquicchio vë në dukje se “sipas praktikës sonë, ky mendim në parim do të hartohet së bashku me ODIHR-in”.

Kërkesa e zotit Meta u shoqërua me debate, kryesisht rreth faktit nëse do të duhej të pritej opinion I Venecias, përpara se parlamenti të rivotonte ndryshimet në Kod, pas dekretit të Kreut të shtetit për t’ja kthyer atë pas deputetëve.

Shumica rikonfirmoi të martën vendosmërinë e saj për të miratuar ndryshimet. Presidenti Meta i bëri sërish thirrje parlamentit që të priste mendimin e Venecias. Por Komisioni i Ligjeve rrëzoi dekretin e tij, ndërsa vetëm dy përfaqësues të opozitës parlamentare votuan kundër, duke mbështetur idenë që rivotimi të bëhej pasi të shprehej Komisioni i Venecias.

Ashtu si dhe një ditë më parë, Komisioneri për Zgjerimin Oliver Harvelyi ripërsëriti gjithashtu qëndrimin se do të ishte e udhës që parlamenti të vepronte pasi të kishte një vlerësim nga ekspertët e Venecias. “I kënaqur që Kryeministri mirëpret mendimin e Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese të korrikut. Prandaj do të ishte e matur të presim që të shprehet, para se të rivotohet në Parlament. Pres zgjedhje të lira dhe të ndershme në prill 2021”, shkruajti komisioneri europian në një postim në Twitter.

Por kryeministri Edi Rama, i qëndroi mendimit se koha nuk pret, ndërsa shpjegoi se kishte patur një komunikim të drejtpërdrejtë me zotin Harvelyi. “Unë e kam sqaruar Komisionerin në bisedat që kemi patur, si gjithmonë biseda të drejtpërdrejta, miqësore, pa dorashka, që parlamenti nuk do të presë asnjë sekondë për arsye se ne kemi zgjedhjet në 25 prill dhe nuk ka asnjë mundësi të hyjmë në spiralen e një aventure ku na fton Ilir Meta, i cili nuk ka qëllim të përmirësojë Kodin Zgjedhor, por të sabotojë nga pozicioni i tij ekstremist antishumicë dhe antiparlament, këtë proces”, tha zoti Rama duke shtuar se lëvizjet e presidentit janë një “përpjekje që është tanimë një përpjeke botërisht e identifikuar si përpjekja e një lideri alternativ të një opozite të copëtuar dhe e një lideri absolut të një partie të degraduar”.

Për zotin Rama “Komisioni i Venecias është patjetër i mirëpritur të sjellë kur të pjekë, opinionin e vet. Ai opinion do të diskutohet me të gjitha forcat politike dhe natyrisht, duke patur parasysh kohën që kemi në dispozicion, do të mbetet për të adresuar çfarëdolloj çështjeje që mund të dalë përtej 25 prillit. Nuk kemi kohë për të humbur dhe nuk mund të hyjmë në asnjë aventurë, po e përsëris, sepse strukturat e reja të administrimit zgjedhor që kanë nisur punën, kanë nevojë të kenë të shkruar të zezë mbi të bardhë ligjin zgjedhor dhe implementimi i ligjit zgjedhor kërkon kohën e vet”.

Ndaj qëndrimit të Kryeministrit reagoi menjëherë Partia Demokratike. “Këmbëngulja arrogante e Edi Ramës në injorimin e apelit të Komisionerit për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi nxjerr zbuluar Kryeministrin autokrat që, për hallin e pushtetit të tij, është gati t’i shpallë luftë Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Shqiptarët nuk do ta lejojnë këtë! Reforma Zgjedhore dhe zgjedhjet demokratike janë kusht për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE. Duke mos dëgjuar këshillën për të pritur Opinionin e Komisionit të Venecias, Edi Rama po tenton të marrë peng të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe të hedhë në erë zgjedhjet e radhës”, shkruajti në Facebook Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi.

Më vonë dhe presidenti Ilir Meta, përmes një postimi në Facebook, falenderoi “miqtë e vërtetë të Shqipërisë, që duan çeljen sa më parë të negociatave me Bashkimin Europian dhe nuk duan të na ndajnë nga Maqedonia e Veriut, për durimin e tyre dhe këshillat e sinqerta. Shpresoj shumë që ato të dëgjohen me mençuri deri të enjten. Por i siguroj miqtë tanë të sinqertë ndërkombëtarë se kohës së injorimit të kushteve dhe standardeve për integrimin do t’i vijë fundi, në çdo rast, në 25 prill 2021. Pas kësaj date të gjitha kushtet do plotësohen rrufeshëm, me qëllim që Shqipërinë europiane ta ndërtojmë këtu dhe së bashku! Në 25 prill 2021, do fillojë epoka e re e sundimit të ligjit, që do të sjellë edhe sundimin e ligjit në Shqipëri”, nënvizoi Kreu i Shtetit.

zëri i amerikës

Albright dhe Levit marrin çmimin për ”Mirëkuptim dhe Tolerancë”

Muzeu Hebre i Berlinit akordoi ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright dhe yllit të pianos, Igor Levit, titullin si fitues të çmimit vjetor për ”Mirëkuptim dhe Tolerancë”.

“Si një figurë politike, profesore dhe autore, Madeleine Albright mbetet një zë i domosdoshëm sot”, theksoi juria në një deklaratë të postuar në faqen e internetit të muzeut.

“Ndërgjegjja e tij politike bazohet në përvojën e dyfishtë të arratisjes: nga nacional-socialistët në Pragë dhe më vonë nga diktatura komuniste në Beograd”, shtoi muzeu në deklaratën e tij.

Levit, një pianist gjermano-rus, është vlerësuar si një nga “zërat më të rëndësishëm politikë të brezit të tij”.

Kreu i komitetit shkencor: Në Francë mund të kemi 100 mijë të infektuar në ditë

“Ky virus është shumë i vështirë. Kemi shumë informacion, por nuk dimë gjithçka. Kjo valë e dytë do të jetë ndoshta më e madhe se e para dhe ndikimi në sistemin shëndetësor do të jetë i menjëhershëm në tri javët e ardhshme, sidomos në shërbimet e reaminacionit”- tha tha presidenti i komitetit shkencor francez, Jean-Francois Delfraissy gjatë një interviste për radion RTL.

Sipas tij, aktualisht ka mbi 50 mijë raste të reja me koronavirus në ditë, por Delfraissy beson se kjo shifër po shkon drejt 100 mijë rasteve në ditë.

“Përballë kësaj vale të fortë të koronavirusit ekzistojnë “dy mundësi”, ose një “izolim më masiv si në orë ashtu edhe në shtrirjen gjeografike të territorit kombëtar dhe një bllokim “më pak i vështirë”, si ai i llojit irlandez. Në të dy rastet shkollat duhet të qëndrojnë të hapura”, tha Delfraissy, i cili theksoi se çdo vendim në këtë drejtim varet nga qeveria dhe politika.

Vdes papritur në moshën 66-vjeçare nënkryetari i Bundestagut Thomas Opperman

Thomas Opperman, nënkryetari i parlamentit gjerman, vdiq papritur në moshën 66-vjeçare. Oppermann ra pa ndjenja pak para një transmetimi televiziv. Kolegët nga i gjithë spektri politik kanë shprehur tronditjen e tyre.

Oppermann, Politikani kryesor Social Demokrat (SPD) dhe nënkryetari i Bundestag ra pa ndjenja të dielën në mbrëmje papritur ndërsa do të intervistohej për ZDF. Transmetuesi publik konfirmoi vdekjen e tij të hënën, duke thënë se ai ishte duke shkuar në spital pasi u sëmur.

Oppermann filloi karrierën e tij politike në 1980. Ai së pari u bë një ligjvënës në nivelin shtetëror në Saksoninë e Ulët në 1990 dhe vazhdoi të shërbejë si ministër i shkencës. Ai kaloi në skenën kombëtare në 2005, ku përfaqësoi zonën elektorale të Göttingen. Ai kishte mbajtur postin e nënkryetarit të Bundestag që nga viti 2017.

Nga 2013 në 2017 ai shërbeu si drejtues i partisë parlamentare për SPD të qendrës së majtë në Bundestag.

“Tronditje për të gjithë ne”
Bashkë-udhëheqësi i SPD-së Norbert Walter-Borjans e quajti lajmin e vdekjes së Oppermann “një tronditje të fortë për të gjithë” në një postim në Twitter.
“Thomas Oppermann vdiq papritur dje”, shkroi Walter-Borjans. “Ne jemi thellësisht të tronditur dhe të pikëlluar me të afërmit e tij.”

Ministri i Punës dhe ligjvënësi tjetër i SPD Hubertus Heil mbajti zi për vdekjen “e papritur” të Oppermann.
“Lajmi për vdekjen e papritur të kolegut dhe shokut tim Thomas Opperman më mbush me trishtim të thellë”, shkroi Heil në Twitter. “Me pasion dhe intelekt, Thomas i ka bërë një shërbim të madh vendit tonë dhe demokracisë sociale. Mendimet e mia janë me familjen e tij.”

Zëvendëskancelari dhe Ministri i Financave Olaf Scholz, i cili është kandidati i SPD për kancelar në zgjedhjet kombëtare të vitit të ardhshëm, e quajti vdekjen Oppermann një “tronditje për të gjithë”.

“Vendi po humbet një politikan të arrirë, Bundestagu një nënkryetar të shquar dhe SPD një shok të pasionuar dhe të ashpër”, shkroi Scholz në Twitter. “Ne të gjithë po humbasim një mik – dhe jemi të trishtuar.”

Kancelarja Angela Merkel, një anëtare e Bashkimit Konservator Demokristian, i cili shërben në një qeveri koalicioni me SPD, tha se ajo ishte “tronditur dhe trishtuar nga vdekja e parakohshme e Thomas Oppermann”.

“Unë e kam vlerësuar atë për shumë vite si një partner i besueshëm dhe i drejtë në koalicionin e madh”, tha ajo në një deklaratë. “Si nënkryetar i Bundestagut gjerman, ai i bëri një shërbim të jashtëzakonshëm parlamentit tonë në kohë të trazuara.”

Pensioni i planifikuar
Oppermann kishte njoftuar në gusht se nuk do të kërkonte rizgjedhjen në Bundestag në votimin e vitit të ardhshëm.

“Pas 30 vitesh si delegat në parlamentin shtetëror të Saksonisë së Ulët dhe në Bundestagun Gjerman është tani koha e duhur që unë të bëj përsëri diçka ndryshe dhe të marr projekte të reja”, tha ai në atë kohë.

Fillon llogaritja dimërore e kohës

Në orën tre pas mesnate fillon llogaritja dimërore e kohës me çka akrepat do të kthehen një orë prapa nga ora 03:00 në orën 02:00.

Parlamenti Evropian në mars të vitit të kaluar votoi për heqjen e ndërrimit të kohës sezonale nga viti 2021 ndërsa vendet anëtare të Bashkimit Evropian duhet të vendosin nëse do të zbatojnë llogaritjen e përhershme dimërore apo verore të kohës.

Ndryshimi i kohës në Evropën Perëndimore u vendos në fillim të viteve 1970 me arsyetimin se me atë zgjatet dita, mundësohet kursimi i energjisë elektrike, rritet produktiviteti, përmirësohet përshtatja e njerëzve dhe dita e punës bëhet më efikase.

Kalimi nga llogaritja verore në llogaritjen dimërore të kohës për herë të parë u vu re në vitin 1916 në vendet e Evropës Veriore dhe deri tani është vendosur në rreth 70 vende, kryesisht në hemisferën veriore. aa

Von Cramon: S’pajtohem me Lajçakun, ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës s’çon askund

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka thënë se nuk pajtohet me deklaratën e Emisarit të BE’së Miroslav Lajçak për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.

Von Cramon ka shkruar në Twitter se nuk pajtohet me qëndrimin e Lajçak duke thënë se ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës nuk dërgon askund, raporton Gazeta Express.

“As unë nuk pajtohem me lëvizjen e fundit të Miroslav Lajçakut. Nuk mendoj se të flasësh për ndryshim të Kushtetutës së Kosovës na çon diku”, ka shkruar Von Cramon.

Deputetja e Parlamentit Evropian e ka quajtur si deklaratë shumë të mirë atë të ambasadorit të Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit të OKB’së, Christoph Heusgen, i cili i reagoi Ivica Daçiqit se të gjithë fjalimin e ka copy-paste dhe nuk përmend asnjëherë faktin se Serbia ka kryer spastrim etnik në Kosovë.

“Absolutisht e vërtetë. Një deklaratë shumë e mirë e ambasadorit të Gjermanisë në OKB”, ka shkruar ajo.

Stoltenberg: NATO do të ndërtojë një qendër të misioneve hapësinore në Gjermani

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg konfirmoi të enjten se aleanca ushtarake do të krijojë një qendër hapësinore në bazën e Komandës Ajrore të Forcave Aleate në Ramshtajn të Gjermanisë.

Duke folur në Bruksel pas një konference virtuale të ministrave të jashtëm të NATO-s, Stoltenberg konfirmoi njoftimet në lidhje me qendrën hapësinore të bëra më parë këtë javë nga agjencitë evropiane të lajmeve.

“NATO është e vendosur të ruajë avantazhin e saj në të gjitha fushat”, tha ai, duke përfshirë “tokën, detin, ajrin, fushën kibernetikën dhe hapësirën”.

Gjatë një takimi dhjetorin e kaluar, Stoltenberg deklaroi “hapësirën si një fushë operacionale për NATO-n. Dhe sot ne bëmë një hap tjetër të rëndësishëm”.

Në komentet e tij, shefi i NATO-s tha se qendra hapësinore e Komandës Ajrore Aleate do të ndihmonte për të koordinuar aktivitetet hapësinore të aleatëve dhe për të siguruar mbështetje për misionet dhe operacionet e NATO-s nga hapësira duke përdorur komunikimet satelitore dhe imazhet. Stoltenberg tha se qendra gjithashtu do të ndihmonte në mbrojtjen e sistemeve hapësinore aleate të NATO-s duke shpërndarë informacione rreth kërcënimeve të mundshme.

Stoltenberg ka thënë vazhdimisht se NATO nuk ka interes në “militarizimin” e hapësirës. Por të enjten, ai tha se kërcënimet ndaj satelitëve të NATO-s dhe sistemeve hapësinore janë reale.

“Për shembull,” tha ai, “Rusia dhe Kina tani po zhvillojnë aftësi që mund të verbojnë, shkatërrojnë satelitët, të cilat do të kenë një ndikim të rëndë si për ushtrinë ashtu edhe aktivitetet civile në terren.”

Stoltenberg gjithashtu tha se ministrat e jashtëm të NATO-s shprehën shqetësimin në lidhje me arsenalin në rritje rus të raketave të sofistikuara bërthamore dhe rëndësinë e zgjatjes nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të traktatit START i Ri.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjithashtu bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe ndërprerjen e të gjitha armiqësive midis Armenisë dhe Azerbajxhanit në rajonin e debatueshëm të Nagorno-Karabakut. Ky rajoni ndodhet brenda Azerbajxhanit por ka qenë nën kontrollin e forcave etnike armene të mbështetura nga Armenia që kur përfundoi lufta atje në vitin 1994.

Luftimet aktuale në Nagorno-Karabak shënojnë përshkallëzimin më të madh të konfliktit që nga përfundimi i luftës. Stoltenberg i bëri thirrje Turqisë që “të përdorë ndikimin e saj të konsiderueshëm në rajon për të ulur tensionet”. zëri i amerikës

BE: Lajçak u keqinterpretua, ndryshimet kushtetuese vlejnë edhe për Beogradin

Brukseli vlerëson se deklarata e përfaqësuesit special për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak për ndryshimet e nevojshme kushtetuese është keqinterpretuar. Zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano, i tha Radios Evropa e Lirë se duhet bërë dallimi mes asaj që është “percepcion dhe keqinformim, me realitetin e shpjeguar nga zoti Lajçak”.

“Në këtë rast, është thënë ajo çka është e qartë – dhe zoti Lajçak ka shpjeguar se çfarë ndodh nëse je duke e negociuar një marrëveshje ndërkombëtare. Kur arrin një marrëveshje ndërkombëtare, atëherë duhet të konsiderohen rregullimet e nevojshme ligjore nga qeveria, duke përfshirë edhe nivelin kushtetues, në mënyrë që ta integrojë atë në rendin ligjor dhe kushtetues. Dhe kjo vlen për Kosovën dhe Serbinë”, tha Stano.

Të enjten, më 15 tetor, në konferencën për media në Beograd, Lajçak kishte thënë se në një proces serioz negociator, “është e logjikshme që do të duhet të ndryshojë edhe Kushtetuta”.

Një deklaratë e tillë ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, kryesisht kundër çdo mundësie për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës. Kur bëhet fjalë tek Asociacioni, brenga kryesore është te kompetencat të këtij organi.

Por, zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano thotë se qëndrimi i BE-së për Asociacionin nuk ka ndryshuar.

Ai iu referua fjalimit të ish-përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini në Parlamentin e Kosovës më 2016, ku ajo kishte hedhur poshtë mundësinë që Asociacioni të jetë pushtet i ndarë në Kosovë.

“Ky Asociacion nuk do të jetë qeveri paralele brenda Kosovës dhe nuk do të ketë kompetenca legjislative. Do të formohet brenda kornizës ligjore dhe qeverisëse të Kosovës”, pati thënë Mogherini më 6 maj, 2016 në Kuvendin e Kosovës. Sipas Stanos, ky vazhdon të jetë qëndrim zyrtar i BE-së.

Mogherini poashtu atëbotë pati thënë se Asociacioni “do të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ofron udhëzime që të sigurohemi se statuti i Asociacionit do të reflektojë ligjet e Kosovës kur të përpilohet”.

Formimi i Asociacionit është paraparë me një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Bruksel, në vitin 2013.

Dy vjet më vonë, Kosova dhe Serbia arritën edhe një marrëveshje shtesë për parimet e themelimit të tij, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që zbaton parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.

Kjo temë ka ndikuar në shtyrjen e dialogut në Bruksel, pasi Serbia po insiston që të diskutohet sërish për Asociacionin e Kosova po konsideron si çështje të mbyllur, e cila do të zbatohet pas arritjes së marrëveshjes finale për njohje reciproke.

Çka është Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanica, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas Marrëveshjes për Asociacionin dhe në përputhje me Marrëveshjen e parë të Brukselit, objektivat kryesore e Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

Frikë, revoltim pas vrasjes së mësuesit në Francë

Lisa Bryant

Franca u përfshi nga tubime në mbarë vendin me thirrjet pro lirisë së shprehjes dhe laicizmit, ndërkohë që qeveria diskutonte të dielën forcimin e masave kundër ekstremizmit islamik pas sulmit makabër që la të vrarë një mësues të premten.

Duke respektuar udhëzimet për maska, mijëra vetë u mblodhën në sheshin “Place de la Republique” në Paris, të revoltuar nga ekzekutimi me prerje koke i mësuesit të historisë Samuel Paty. Disa mbanin flamuj francezë, ndërkohë që ata që e morën fjalën kujtuan viktimën e fundit të terrorizmit në Francë.

Tronditja dhe revoltimi që përfshiu vendin i ngjante në shumë mënyra dhimbjes që përfshiu Francën gjashtë vjet më parë kur miliona protestues me lapsa në duar dolën për të mbrojtur lirinë e shprehjes, pas sulmeve terroriste në redaksinë e revistës satirike Charlie Hebdo.

“Liria e shprehjes është një ndër vlerat thelbësore të identitetit tonë,” tha Kryeministri Jean Castex për gazetën e përjavshme Le Journal du Dimanche.

Ndërkaq ata që e morën fjalën në tubimet e së dielës paralajmëruan se nuk duhet t’i përgjigjen urrejtjes me urrejtje.

Duke iu referuar slloganit “Unë jam Charlie” që u dëgjua fillimisht pas sulmeve të janarit 2015 tek revista Charlie Hebdo, zoti Castex tha “Jam më tepër se kurrë Charlie”.

Por, megjithë thirrjet për unitet kombëtar pas sulmit të dytë terrorist brenda një muaji, francezët kanë mendime të ndryshme kur flitet për përgjigjen ndaj radikalizmit islamik.

Një pjesë e këtij dallimi në mendime ushqehet edhe nga reagimi i autoriteteve ndaj koronavirusit.

“Ose ne, ose ata,” ishte titulluar një artikull redaksional i revistës Le Point lidhur me vrasjen, ndërsa Le Telegramme shkruante se sulmi i së premtes “na kujton se sa i kërcënuar është modeli ynë i sistemit arsimor si dhe ndarja e fesë nga shteti”.

Karikaturat e Profetit Muhamet

Të paktën 11 vetë janë ndaluar dhe po merren në pyetje lidhur me vrasjen e së premtes në një periferi pranë Parisit, kur mësuesi po kthehej nga shkolla në shtëpi.

Ndër të ndaluarit janë të afërm të të akuzuarit, një 18-vjeçar, refugjat nga Çeçenia i identifikuar nga zyrtarët si Abdoullakh A., i cili u qëllua për vdekje nga policia pak pasi kishte ekzekutuar me prerje koke viktimën.

Pasi kishte vënë një fotografi të viktimës Samuel Paty në Twitter, pas ekzekutimit, 18-vjeçari kishte lënë një mesazh kërcënues për Presidentin Macron.

Agjencia e lajmeve Reuters njofton se Twitter e hoqi shpejt postimin, duke thënë se llogaria ishte pezulluar sepse kishte shkelur rregullat e platformës së medias sociale.

Incidenti ndodhi më pak se një muaj pasi një imigrant pakistanez sulmoi me thikë dy persona para redaksisë së vjetër të revistës Charlie Hebdo në Paris.

Në të dyja rastet duket se autorët reaguan ndaj botimit të karikaturave të Profetit Muhamet. Sulmet u ndërmorrën ndërkohë që në Paris vazhdon gjyqi lidhur me sulmet e vitit 2015 në redaksinë e Charlie Hebdo.

Në Conflans-Sainte-Honorine, rreth 30 km nga Parisi, buqeta me lule ishin vënë para shkollës ku jepte mësim zoti Paty. Banorët nderuan mësuesin, që shumë e përshkruan si “të sjellshëm dhe të rreptë”.

A është në rrezik liria e shprehjes?

Vrasja e mësuesit ndodhi pasi kishte treguar gjatë mësimit lidhur me lirinë e shprehjes dhe karikatura të Profetit Muhamet. Sipas nxënësve, në raste të ngjashme para ditës së sulmit ai kishte paralajmëruar nxënësit myslimnë se mund të dilnin nga klasa nëse i konsideronin karikaturat ofenduese.

Por prindërit e nxënësve myslimanë kishin shprehur ankesa. Babai i një nxënësi kishte shprehur pakënaqësi në median sociale, gjë që ishte mbështetur nga Abdelhakim Sefrioui, një islamist i njohur.

Sipas gazetës Le Journal du Dimanche, autoritetet e konsiderojnë Sefriouin si agjitator të rrezikshëm, megjithëse nuk mendonin që reagimi do të ishte deri në vrasje, por vetëm me protesta.

Hetuesit ende nuk kanë gjetur ndonjë lidhje direkte mes të dyshuarit çeçen që jetonte në Normandi dhe zonës ku ndodhej shkolla.

Të dielën, Presidenti Macron u takua me kabinetin e tij për të diskutuar masat kundër ekstremizmit. Partia e zotit Macron ka përgatitur një projekt-ligj kundër separatizmit që kryesisht përqendrohet tek islamizmi radikal.

Presidenti ndërkohë ka pësuar rënie të popullaritetit si rezultat i reagimit të autoriteteve ndaj koronavirusit. Kritikët e akuzojnë qeverinë se edhe në rastin e ekstremizmit, masat e saj kanë qenë të zbehta.

Në përgjigje të komenteve të zotit Macron se ekstremistët nuk do të fitojnë kurrë, udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen reagoi në Twitter me postimin “Ata i kemi këtu, i kemi edhe në shkolla!”.

“Fjalët e mëdha duhet t’ua lënë vendin veprimeve të mëdha,” tha udhëheqësi i qendrës së djathtë Christian Jacob.

Ndërkaq, udhëheqësit e komunitetit mysliman në Francë, komuniteti më i madh mysliman në Evropën Perëndimore, shqetësohen se sulmi i fundit do të pasohet me shtim të ndjenjave anti-myslimane.

“Jam shumë i vrarë nga ky akt i papërshkrueshëm në emër të një feje që nuk ka asgjë të përbashkët me të. Pa dyshim që do të na ndikojë, si qytetarë të Francës dhe si myslimanë,” tha kleriku i xhamisë së Bordosë, Tareq Oubrou në një intervistë për radion franceze.

Merkel apel bashkëqytetarëve: Qëndroni në shtëpitë tuaja sa më shumë të jetë e mundur

Kancelarja gjermane, Angela Merkel u bëri thirrje bashkëqytetarëve të saj që të shmangin grumbullimet dhe udhëtimet për shkak të koroanvirusit.

“Hiqni dorë nga çdo udhëtim që nuk është vërtet i nevojshëm, nga çdo festë që nuk është vërtetë e nevojshme. Qëndroni në shtëpitë tuaja sa më shumë të jetë e mundur. Se si do të jetë dimri, se si do të jenë Krishtlindjet, do të vendoset në ditët dhe javët e ardhshme”, shprehet Merkel.

Për të luftuar rikthimin e epidemisë, Merkel kujtoi rëndësinë e respektimit të mbajtjes së barrierave mbrojtëse dhe maskave dhe ventilimin e rregullt të hapësirave të mbyllura duke shpjeguar se tashmë duhet të shkohej më tej.

“Nëse secili prej nesh redukton tashmë në mënyrë domethënëse numrin e takimeve jashtë familjes së tij për disa kohë, ne mund të jemi të suksesshëm në ndalimin dhe përmbysjen e trendit të rritjes së infeksioneve”, paralajmëroi ajo.

Gjermania ka regjistruar 7 830 raste me COVID-19 në 24 orët e fundit, një rekord për vendin që prej shpërthimit të pandemisë së COVID-19, sipas të dhënave zyrtare të publikuara sot.

Borrell: Kosova dhe Serbia mund të arrijnë marrëveshje brenda muajsh

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën se beson që arritja e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është çështje muajsh dhe jo vitesh, nëse të dyja palët angazhohen në mënyrë konstruktive.

Ai i bëri këto komente pas takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, të cilët diskutuan një sërë çështjesh, përfshirë bisedimet Kosovë-Serbi.

Zotri Borrell tha se Bashkimi Evropian nuk “përshkruan zgjidhjen, nuk synon të përshpejtojë artificialisht procesin por as ta zvarrisë atë”, duke theksuar se Kosova dhe Serbia e kanë të qartë se gjetja e një zgjidhjeje është kusht i domosdoshëm në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, raportoi, para ministrave të jashtëm për procesin e bisedimeve, pas të cilit tha se “diskutimi i sotëm konfirmoi që bisedimet janë qartazi të lidhura me të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë”.

Zoti Lajçak, gjatë javës do të qëndrojë në Prishtinë dhe në Beograd në përpjekje për rifillimin e bisedimeve, të cilat duket se ngecën për shkak të mospajtimeve rreth çështjes së Asociacionit të komunave më shumicë serbe në Kosovë.

Serbia kërkon që në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian të diskutohet për këtë asociacion, ndërsa Kosova thekson se kjo çështje është mbyllur me marrëveshjet ekzistuese të vitit 2013 dhe 2015.

Serbia kërkon që ky mekanizëm të krijohet sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2015, që parasheh përgjegjësi të gjera në disa fusha, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Serbia kërkon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës për të mundësuar kalimin e më shumë përgjegjësive ekzekutive tek asociacioni i komunave me shumicë serbe, por Kosova kundërshton çdo ndryshim që do t’i jepte përgjegjësi ekzekutive një asociacioni të tillë.

Përgjatë diskutimeve të së hënës, ministrat e jashtëm thanë se bisedimet Kosovë – Serbi janë thelbësore për qëndrueshmërinë e rajonit por edhe Bashkimit Evropian.

Muajin e kaluar, dy vendet kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e cila është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump.

zëri i amerikës

Komisioni Evropian: 20 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor

Komisioni Evropian synon që, gjatë dekadës së ardhshme, të investojë deri në 20 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor, thuhet në një plan investimi që ka parë Radio Evropa e Lirë.

Draft-dokumenti thekson se prioritet do të jenë lidhjet më të mira të ekonomive të Ballkanit Perëndimor, brenda rajonit, por edhe me Bashkimin Evropian.

“Një gjë e tillë kërkon një angazhim të fuqishëm nga Ballkani Perëndimor për zbatimin e reformave themelore, për thellimin e integrimit ekonomik rajonal dhe për zhvillimin e një tregu të përbashkët rajonal, bazuar në legjislacionin e BE-së, për ta bërë rajonin një zonë më tërheqëse për investime”, thuhet në dokument.

Paketa, e paralajmëruar në kulmin e krizës nga pandemia COVID-19, do të paraqitet nga Komisioni Evropian të martën pasdite.

Bashkimi Evropian konfirmon se rajoni do të përfitojë shumë nga përpjekjet e intensifikuara, që synojnë “kapërcimin e trashëgimisë së të kaluarës, jo vetëm në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, por edhe të përfundimit me sukses të dialogut, me ndihmën e BE-së”.

Paketa po ashtu parashikon që, përveç granteve, Bashkimi Evropian të ofrojë garanci që ndihmojnë në uljen e kostove për investime publike dhe private dhe, në këtë mënyrë, zvogëlojnë rreziqet për investitorët.


Send this to a friend