VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

U NDA NGA JETA VATRANI SOTIR PANI, NJERIU QE DESHI MEGJITHË SHPIRT DARDHËN DHE SHQIPËRINË – Nga Fuat Memeli-Boston

By | January 6, 2021
1 Comments
  • author avatar
    Anonymous 2 weeks ago Reply

    Ich denke, dass ich Ihnen helfen kann, Schlosser zu finden, da ich sie kürzlich selbst kontaktiert habe und im Allgemeinen mit der geleisteten Arbeit zufrieden war. Sie halfen mir, die Tür zu öffnen, da ich den Schlüssel verloren hatte. Wenn Sie Rat benötigen, wenden Sie sich bitte an schlüsseldienst-bolligen.ch. Ihnen wird sicherlich geholfen.

Komentet

DEKLARIMET ELEKTORALE PËR DIASPORËN – Nga ESAD GJONBALAJ, New York

Po i dëgjoj subjektet politike që janë në pushtet për mbi 20 vite duke deklaruar se  tani u paska ra ndërmend që po ekzistoka diaspora dhe se janë pro asaj që zëri i diasporës të degjohet në Parlamentin e Kosovës. Vallë, ku ishin këto parti dhe liderët e tyre deri sot,  kur dihet mirë se ato  ishin bartëse te pushtetit. Pse nuk e ndërmorën asnjë  veprim konkret për diasporën deri sot. Kam një bindje se madje edhe qëllimisht e kanë injoruar dhe abstraguar komunitetin dhe diasporën si tërësi, sepse komuniteti ua prish rahatinë klasës se krijuar politike.

Le të më thotë dikush se a e kanë  realizuar ndonjë takim me komunitetin tonë  këta ish zyrtarë apo udhëheqës të partive. Jo, nuk e kanë bërë një gjë të tillë, sepse me më shumë kënaqësi dalin e pozojnë krahë për krah me ndonjë biznesmen në ndonjë restorant ekskluziv të New Yorkurt sepse komuniteti është jo i rëndësishëm për pushtetarët.

Po ashtu këto parti politike brenda komunitetit kanë edhe levat e tyre që hiqen si kinse “neutralë e patriotë” ndërsa  në mënyrë perfide tentojnë që ta ulin dhe ta neutralizojnë rëndësinë e komunitetit.

Diaspora dhe komuniteti i kuptojnë mirë këto lojëra, prandaj bëhuni të sinqertë e leni pallavrat elektorale se nuk jemi në ëndërr.

Diaspora është mbushur mend.

 

Esad Gjonbalaj,

14 Janar 2021 NY

Shqiptarët e Amerikës dhe tensionet politike në SHBA

lir Ikonomi

Si i shohin shqiptaro-amerikanët zhvillimet e fundit politike në SHBA në prag të inaugurimit të Presidentit të Zgjedhur Joe Biden? Zëri i Amerikës bisedoi në Skype me dy prej tyre.

Më 6 janar, ditën kur një turmë e dhunshme sumoi Kapitolin, Marko Kepi, mbështetës i Presidentit Donald Trump nga Nju Jorku, ishte në Uashington.

“Ne ishim në pjesën ku mbajti fjalimin Presidenti Trump, që ishte më shumë afër Shtëpisë së Bardhë se sa afër Kapitolit. Kur iu afruam Kapitolit, pas fjalimit të Presidentit, e pamë që filloi rrëmuja dhe me grupin tonë vendosëm të largoheshim që të mos bëheshim pjesë e trazirave. Ishte një gjë shumë negative, që nuk duhet të ndodhte, sidomos këtu në Amerikë. U duk si një gjest ballkanik dhe jo si një gjest amerikan,” thotë zoti Kepi, i cili drejton organizatën Albanian Roots.

Shumë amerikanë ndajnë mendimin se me zhvillimet e fundit, siç ishte sulmi kundër Kapitolit, saga e gjatë e zgjedhjeve dhe sidomos teoritë konspirative që qarkullojnë me lehtësi në mediat sociale, demokracia amerikane është e kërcënuar si asnjëherë.

Edhe zoti Kepi shpreh shqetësimin e tij për kërcënimet ndaj demokracisë. Ai nuk është dakord, për shembull, me vendimin e kompanisë Twitter që i mbylli llogarinë presidentit Trump.

“Në një anë them se po, është e kërcënuar, sepse kur sheh akte të tilla që një kompani ia bllokon Presidentit të SHBA të drejtën e fjalës, ky është një shqetësim për demokracinë amerikane. Qeveria duhet të reagojë që të mos ndodhin këto gjëra. Nëse kjo i ndodh presidentit, atëhetë ç’mund të thuhet për ne? Sa i përket shtetit dhe ligjit nuk shikoj se do të ketë një ndryshim shumë të madh. Shteti amerikan gjithnjë do të funksionojë, sepse kemi Kongresin, Senatin dhe dy parti që mundohen të ruajnë ekuilibrin.” thotë zoti Kepi.

Richard Lukaj, themelues i grupit bankar Bank Street në Stamford të shtetit Konektikat, është i regjistruar si republikan dhe në të kaluarën ka patur rastin të njohë si Presidentin Trump gjatë marrëdhënieve të biznesit me të, ashtu edhe Presidentin e Zgjedhur Joe Biden. Ne e pyetëm zotin Lukaj nëse një proces shërimi në SHBA është i mundur me ardhjen e administratës së re:

“Mendoj se është shumë e mundur. Vazhdimisht në këtë vend ka patur erëra ndryshimesh. Votuesit kësaj here u shprehën për një ndryshim në drejtimin e vendit, një ndryshim të tonit, një ndryshim në karakterin e presidentit madje edhe përtej kësaj, siç u pa me fitoren e dy senatorëve në shtetin Xhorxhia, njëri prej të cilëve afrikano-amerikan dhe tjetri hebre. Mendoj se mesazhi ishte shumë i qartë. Era e ndryshimit e ka lënë pas retorikën populiste që pamë disa vite më parë,” thotë zoti Lukaj.

Por zoti Lukaj mendon se situata është ende shqetësuese, kur dëgjohen paralajmërime për kërcënime ndaj sigurisë në ditën e inaugurimit që po afron:

“Është ende një kohë tensionesh, kur zërat e njerëzve të arsyeshëm duhet të dëgjohen. Mendoj se mendjet inteligjente në të dyja anët e spektrit politik duhet të bien dakord se e ardhmja e vendit është më e mirë kur ka pajtim dhe dialog konstruktiv për zgjidhjen e problemeve, se sa grindje politike që e përçajnë vendin.”

Në mënyrë të veçantë, Partia Republikane ka qenë kohët e fundit mjaft në qendër të debateve politike. Për mbështetës të zotit Trump si Mario Kepi, e ardhmja e partisë është ende e panjohur. Kjo parti prej disa vitesh lëkundet mes besnikërisë ndaj Presidentit Trump dhe largimit nga ndikimi i tij.

“Si anjëherë më parë, nuk shikoj që ky kandidat, ose ky president që ne kishim, do të jetë si të tjerët që thjesht kryejnë mandatin dhe zhduken. Ai nuk kishte thjesht votues por një bazë që e ka mbështetur, një grup personash që më shumë besojnë tek ai sesa tek partia. Mendoj se mënyra se si do të sillet Partia Republikane me Presidentin Trump, do të tregojë për të ardhmen e kësaj partie,” thotë republikani Kepi.

Në komunitetin shqiptaro-amerikan pasionet politike nuk mungojnë. Richard Lukaj beson se politikisht ky është një komunitet si gjithë të tjerët, i integruar thellë në jetën e vendit, por me tiparet e veta sa i përket prirjeve politike.

“Mendoj se komuniteti shqiptaro amerikan nuk është ndryshe nga pjesa tjetër e vendit… Shumica e shqiptarëve që emigruan në SHBA erdhën këtu me një preferencë për të djathtën, siç ishte familja ime dhe të tjerë që ikën nga regjime socialiste dhe komuniste. Por është interesant se me kalimin e kohës, përvoja amerikane bëri që preferencat e tyre partiake të balancoheshin, duke arritur gati 50 me 50 për qind,” thotë bankieri Lukaj.

Ai shpjegon se ashtu siç ka ndodhur edhe me pjesën më të madhe të vendit, shqiptaro-amerikanët janë luhatur nga njëra anë e spektrit tek tjetra në varësi të çështjes që ka patur përparësi për komunitetin.

“I tillë ka qenë konflikti në Kosovë, kur simpatitë shkonin drejt sekretares Madeliene Albright dhe Presidentit Bill Clinton. Në fillim të viteve 90, kur Shqipëria po shkëputej nga komunizmi, ishte sekretari James Baker dhe presidenti Xhorxh Bush i vjetër që nxorën më në pah prirjet republikane tek komuniteti shqiptar,” thotë ai.

Zoti Lukaj bën thirrje që në momentin e tanishëm njerëzit të jenë më objektivë e më të peshuar, larg ndikimit të emocioneve që errësojnë gjykimin.

Zgjedhjet në Kosovë: Do të kalojnë fill e për pe nëpër livadhin e kositur…! – Nga Skënder Karaçica


Paksa si debat


Do të ishte mirë që,përmes programeve politike dhe herë-herë më shumë fjalë e punë pak,të mendojmë  për kahet e zhvillimit të shtetit të Kosovës,përmes botës kadrovike,e jo si deri tash (lexo:parti-shtet)koncept ky që i ka kaluar koha.

Demokracia kërkon rrafshe të reja të dijes,të përkushtimit,të spektrit kadrovik të përzgjedhur edhe nga vota e popullit,që të nisin pa u vonuar kahet e zhvillimit të shtetit dhe shtetndërtimit të Kosovës.

Isa Mustafa,kryetar i LDK-së pati thënë se,qytetarët nuk vendosin për zgjedhjen e kuadrove për ushëheqje të shtetit,por kjo e ,,drejtë,,sipas tij u takon partive politike(sic!)

Ajme!

Përmes zgjedhjeve,sovrani i votës së lirë në Kosovë duhet të shikojë nga afër kontratën demokratike për të gjitha ata që,dalin në listat zgjedhore,të marrin këtë besim ose të prishet kontrata e votës së lirë për mandatin e ardhshëm…!

Mbi të gjitha:Shtetndërtimi kombëtar,demokratik dhe ligjor i Kosovës…!Sovrani duhet të vendosë për udhën dhe për të zgjedhurit e popullit në institucionet e shtetit…!

Jo vetëm fjalë për Kosovën…!

Çikago,janar të motit 2021

Reflektime në ditëlindjen e Fan S.Nolit – Nga Keze Kozeta Zylo

 

(Janullatosi që ecën triumfator mbi Kishën shqiptare të Nolit)

 

Sot ka ditëlindjen Fan Stelian Noli, Burri i ndritur i Kombit.  Vepra dhe historia e Tij janë përjetësuar në zemrat e shqiptarëve.  Në këtë shkrim nuk do të rendis veprat, përkthimet, publicistikën si një intelektual erudit, ngase janë thënë, lexuar dhe sigurisht do të mësohen dhe përsëriten brez pas brezi, por dua të ndalem se si kemi reflektuar ne si shqiptarë dhe a ecim në hapat e udhërrëfyesit?  Një burrë të ndritur nuk mjafton vetëm ta përjetsosh duke i përmendur thëniet e famshme ku shumë politikanë, kuvendarë, gazetarë, përdorin për t’i dhënë pak më vëmendje vehtes së tyre apo shkrimeve, por një burr të ndritur e respekton atëhere kur ndjek në cdo hap rrugën e tij.  Ka shumë gjëra kur politikanët, udhëheqësit sot pas një shekulli mund të reflektojnë, të hedhin sytë se sa është udhëhequr nga vepra e të ndriturve, që në fakt dhe mjerisht vazhdon të jetë një rrugë e gjatë dhe e mundimshme për ta bërë…

Ja po e vë gishtin vetëm në disa plagë të trupit të sëmurë të Mëmëdheut tonë në ethe:  Ndonëse Noli e shkëputi njëherë e përgjithmonë kishën ortodokse shqiptare nga Patrikana e helmuar greke dhe për herë të parë në saje të përkujdesit të tij atdhetar dha meshën e parë në gjuhën shqipe në Kishën “Shën Gjergji” në Boston, më 22 mars, 1908, ka që nga viti 1992 që në krye të saj është prifti grek Janullatosi i cili trazon dhe kockat e të vdekurve.  Ai ecën triumfator mbi tokën e Nolit dhe shkel mbi gjakun e Papa Kristo Negovanit, Petro Nini Luarasit, Pandeli Sotirit dhe shumë e shumë të tjerë patriotë që u helmuan pabesisht nga vëllezërit e një gjaku të Janullatosit.  Priftit grek Janullatos ka 22 vjet që i puthin duartë dikush dhe në buzë, si qeveritarët, kuvendarët dhe një pjesë e sahanlëpirësve që u hedh nga një kockë për të lëpirë dhe për të ruajtur gjithçka që ai ka futur në Shqipërinë tonë nëpërmjet kalit të Trojës, sidomos kur shumë shqiptarëve iu ndërron emrat nga Ilir në grekë, ndërsa për vehte e mban dhe e ruan me fanatizëm, pa frikë, pa ndrojtje me krenari mu në zemër të Arbërit në Tiranë: Anastas Janullatos.  Sidoqoftë në këto trazira dhe konfuzione historike shqiptarët e vërtetë e kanë në mendje vlerësimin e Faik Konicës për Nolin i cili thotë: “Dita që mëshoi për të parën herë, është ogur i bardhë n’udhë të përparimit t’onë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët të harrojnë.”

Një plagë tjetër e hapur që nuk ja kemi zbatuar amanetin Nolit është asimilimi i mijëra femijeve shqiptarë në Diaspore që nuk flasin dhe shkruajnë shqip, nga se nëpër shtete të ndryshme ose ka shumë pak shkolla ose nuk egzistojne fare.  Shqiptarët vazhdojnë si në eksodet biblike duke marrë rrugët e mërgimit për një jetë më të mirë.  Duam nuk duam ne të gjitha këto probleme çojnë ujë në mullirin e Janullatosit që bluan dhe prodhon pesticide për Kombin Shqiptar dhe për kauzën e Nolit.

Kryeprifti Janullatos nuk ka dhënë një meshë për shpirtrat e çamëve te masakruar nga genocidi që kreu gjenerali Zerva rreth popullsise çame, nuk është distancuar nga ligji i luftës me vendim të parlamentit grek të vitit 1940 dhe 1966 për Vorio Epirin, pajtohet me qeverinë greke për të mos lejuar të hapen shkolla shqipe në Greqi për emigrantët etj, etj…  është tragjike dhe komike se çfarë ndodh me politikanët tanë mjeranë dhe puthadorës të Janullatosit.

Noli e kaloi pothuajse gjithë jetën e tij në Amerikë dhe edukimi i lartë që mori medoemos që lanë gjurmë në veprimtarinë e tij.  Edhe në Diasporë ai punoi jashtëzakonisht, mbi të gjitha i bashkoi shqiptarët për çështjen kombëtare por dhe tregonte kujdes dhe për emigrantët e thjeshtë, gjë që është shumë e domosdoshme dhe për ne që jetojmë në Diasporë të reflektojmë në prurjen e re të emigrantëve të rinj që ikën nga Shqipëria në këto 20 vjet.  Në lidhje me kujdesin e Nolit për emigrantët dhe duke pasur fatin të kem komunikim të rregullt me prof.Peter Priftin do të ndalem në një letër të tij i cili ma dërgoi në vitin 2010 për ta lexuar në Boston ku shoqata e shkrimtarëve në Amerikë shkoi për të nderuar veprën e Nolit, në 101 vjetorin e Meshës së tij në shqip, atje u mirëpritëm nga At Artur Liolin.

Prof.Peter R.Prifti, një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, ish bashkëpunëtor i ngushtë i Fan Nolit dhe sekretar i Vatrës, ndërmjet të tjerash kujton: “…pata fatin të ndodhem në Boston kur ishte Noli gjallë, më saktë, gjatë shtatë viteve të fundit të jetës së tij. Shumë bashkatdhetarë, që nuk u njohën me Nolin, më kanë thënë se do të dëshironin fort të kishin të njëjtën fat si unë. Nuk habitem aspak, kur dëgjoj fjalë të tilla. Une mbaj mend shumë gjëra nga takimet me Nolin. Por këtu do të përqëndrohem vetëm tek një a dy gjëra, që më bënë përshtypje të madhe, dhe këto kanë të bëjnë me marrëdhëniet e Nolit me emigrantët e thjeshtë, që s’kishin bërë emër, por që ishin megjithatë ndër veteranët e lëvizjes shqiptare në Amerikë. Vura re se Noli e çmonte shumë punën e tyre vetëmohuese për të mirën e çështjes kombëtare. …Noli e respektonte dhe e çmonte përkrahjen e tyre, dhe kështu së bashku ata bënë histori”.

Prandaj në se do të vazhdohet të mbahen vetëm konferenca, përkujtimore, ngritje monumentesh, apo perkujtime ditelindjesh dhe ditëvdekjesh, sa per t’i hedhur hi syve popullit, atëhere rrezikohesh se nuk ndjek udhërrëfyesin, por zjarrvënësin që djeg dhe shkrumbon kulturën duke të humbur identitetin ngadalë dhe pakuptuar…

6 Janar, 2020

Staten Island, New York

Çfarë po kërkon Donald Trump përmes demonstratave në Washington…? – Nga Skënder Karaçica

Demokracia në Peshojë
Gabimin më të madh historik  dhe të pafalshëm që ka bër(Partia Republikane)në Amerikë është fakti pse pati lejuar,që,me rastin e fushatës zgjedhore për presidentë të SHBA-së të nominojë ad hoc Donald Trump,i cili në fillim pati konkuruar si individë dhe nga bota e biznesit e jo si anëtar i PR-së.

Tërë mandatin e tij katërvjeqar e kaloi me thyerje të mëdha brenda kabinetit,duke ndërruar anëtarët  e stafit dhe të administratës në Washington si dhe ftohja e raporteve,veçmas më vendet  kryesore të Evropës,si aleati kryesor i Amerikës.

Tashti kanë përfunduar zgjedhjet presidenciale(2020)për president të Amerikës dhe fitorja bindëse e PD-së me Joe Biden,që pritet të marrë  detyrën e re më 21 janar 2021.

Nuk e kemi të qartë pse Donald Trump po i organizon demonstratat në rrugët e Washingtonit,kjo nuk i duhet Amerikës dhe ky vend i lirë për qytetarët e lirë amerikanë,nuk është vendi si në Amerikën Latine(Venezuelë e gjetkë),ku zgjedhjet mbahen dhe përfundojnë nën tytën e pushkëve dhe të flakës së demonstratave për pushtetarët më të korruptuar dhe pa asnjë përgjegjësi ndaj shteteve të tyre të Amerikës Latine.

Për të gjitha këto,Donald Trump,do të mbajë përgjegjësi politike dhe kushtetuese dhe,për qytetarët amerikanë dhe për Amerikën si shteti më i fortë në botë,do të mbahet mend si një nga presidentët më të dobët që ka pasur ky vend i lirë me një demokraci të avancuar dhe si fidanishte e saj për botën e lirë!

Më shumë sesa Donald Trump,është Anmerika dhe qytetarët amerikanë të lirë,ku kontrata e votës së lirë të sovranit ka peshën e vet kushtetuese!

Amerika e ka rrugën e vet shekullore,me Trumpin dhe (pa)Trumpin,nuk na duhen modelet e demonstratave si në vendet e Amerikës Latine dhe të (disa)vendeve me regjime të kulteve të përsonaliteve(vendet arabe)deri në shkallën e mungesës së lirisë dhe të vlerave  të demokracisë!

Amerika është vetë pranverë e demokracisë!Amerikës nuk i duhet ,,pranverë,,që e dëshirojnë armiqët saj nëpër botë e sidomos regjimi putinist në Moskë!

(Çikago,kallnor të motit 2021)

Lamtumirë poeti penë ndritur Luigj Çekaj! – Nga Keze Kozeta Zylo

Nuk kam shkruar gjatë gjithë jetës sime dhe t’i përcjellë publikut kaq shumë homazhe sa viti që shkoi dhe po aq gllabërues po duket dhe ky fillim viti…

 

Sot është ndarë nga jeta poeti penë ndritur Luigj Çekaj.  Lajmin e dhimbshëm e dha në llogarinë e saj në F/B, vajza e tij Enkolana Çekaj Mundija.  Me trishtim dhe keqardhje të madhe e prita këtë lajm të ndarjes së parakohshme të Luigjit mikut tonë të perbashket për të cilin kishim nje respekt reciprok nga më njerëzorët.  Kur ngushëlluam të bijen dhimbja të kaplonte shpirtin, kur tha që ju donte dhe ju respektonte shumë të dy me Qemalin.  Natyrshëm të vinë kujtime dhe komente pafund për shkrimet dhe poezite, përvojat tona artistike që shkembenim midis.  Poeti Luigj Çekaj është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë e cila humbi një poet të mirënjohur, kurse Diaspora një atdhetar zemërzjarr.

Dritë të pastë shpirti poeti penë ndritur Luigj Çekaj!

 

Si homazh po sjellë pranë jush essenë time kushtuar poetit brilant Luigj Çekaj

 

Poezia e Luigj Çekaj një hartë me metafora plagësh…

 

…Pasi me ta mbusha sarkofagët, vjeshtat dhe lumenjtë/ Nxorra sytë nga vendi dhe vendosa t’i hedh në det/ Bota nënujore me lashtësinë e shkruar në shtrat/ Me sytë e mi sfidoi thellësinë e ujit të vet…

 

Marrë nga poezia “Me lotët e popullit tim” fq.102

 

Kam kohë që lexoj poetin Luigj Çekaj, ish të vuajturin nga diktatura, por jo në kohën e akullt kur dritën mbyllnin nën gur morti…

I lexoj sot nën urën e dhimbjeve të emigrantëve që lëkundet në Oqean midis Shqipërisë dhe Amerikës.  Vetëtima zhuritëse e mohimit nën diktaturë nuk mundi dot t’ju zhveshë atyre fisnikërinë si poet dhe njerëz, edhe pse mbi shpinë të tyre rëndon pesha e vuajtjeve dhe e mundimeve si guri i Sifizit.

Ndonëse kanë kaluar 22 vjet nga rënia e diktaturës është e çuditshme se si këtyre poetëve të persekutuar dhe burgosur më parë nuk iu kushtohet vëmendje e merituar anipse poeti Çekaj rilindi në Amerikë…

Poezite e tij të shkruara brenda qelive pus të zi të burgjeve, apo nën një Hënë të përgjakur nga hanxhari i një gardiani, medoemos bëhen si gjoksi i Rozafës së murrrosur që la amanet për të ushqyer fëmijët.  Ndryshe çmimdhënësit i lënë poetët siç do të shprehet Çekaj në poezinë “Justinës”  Kryet si qyqe shkoj dhe i mbëhtes tek vrasësi im i vjetër.  De-pre-si-o-ni.

Ai shkruan me një butësi Bible për nënën e tij të shtrenjtë dhe kjo ndodh shpesh me poetë të kësaj race dhe ja se si:

Kur ti erdhe nga Shqipëria/ Besoja se as vdekjet nuk do të mund të na ndanin më/ si as distancat/ Ndërsa pranë teje kam celuloren me dyqind fotografi/ Një dosje dhimbjesh në ermrin tim/ Që më kujton prangat/ si dhe tre a katër stilokalema…

Këtë lidhje aq të ngushtë nënë e bir e bën dhe më hyjnore poeti bir që qan dhe e puth, dhe dy pikëlzat e lotit të tij varen si rruaza argjendi në qafën e bukur dhe të rrudhosur të nënës halleshumë.

Duke lexuar ndjen se poeti i burgosur i ka shkruar me lotin blu të Hënës vargjet dhe i ka stamposur brenda trupit ku me siguri kishte fshehur fletoren poetike të shpirtit.

Ai i shkruante natën në muret e ftohta të dhomës së burgut ku metafora bëhej zjarri i ngrohtë, ndërsa qerpikët e rënduar nga lodhja bënin roje për të ruajtur legjendat që shkruheshin në libërthin e zemrës.

Libërthi u bë si një dritëz ylli, violinë Apostulli, një legjendë që do të tregohet gjatë… Autori shpesh duket dhe një romantik i kohës plot kulturë dhe mirësi dhe ja si e përshkruan bukurinë e një vajze meksikane:  Balli i saj paksa i verdhë, dukej si një shpatullëz hënet/ ku si dy pellgje të kaltër yjesh, i shkëlqenin fort dy sytë/ Ngado që ta shikoje/ dukej se ishte meksikane/ por një meksikane e çuditshme, që sfidonte dhe mrekullitë.  Me këto vargje Çekaj të kujton ciganen e bukur të Frederica Garsia Lorkës i cili u frymëzua prej saj dhe ja se si: “O mjellmë e zeshkët që noton në një liqen/ Me lotuse të rritura, me valë të portokallta/ Me karafila të kuq, ku shkulma kundërmon/ Foletë e roitura që ti mban nën flatra/ Martire andaluze, grua e mbetur beronjë/ Ç’janë puthjet e përflakura ti s’e di/ Puthjet e përziera me heshtje të thellë nate/ Dhe me zhurmën e turbullt të ujit që rri”.

Pena e tij nxjerrë nga gjoksi nimfat e bukura, perëndeshat e bukurisë që emocionojnë me ndjesi të holla si filigramet e artizanëve të punuara në shekuj aq mjeshtërisht në poezinë “Trëndafilat e Majamit”.  “Sapo i pashë këta trëndafila m’u kujtuan buzët e tua të kuqe/ Kopshtet erotike të Shkodrës dhe gjethet jeshile të tulipanit/ Tani dhe shpirti im i lodhur belbëzon dalëngadalë emrin”…

E bukura tërheq kudo e për më tepër një poet si Çekaj që prek ylberet përmallimthi në qerpikët e bukur të vashave.  Poeti aty ndërton folezën e dashurisë hyjnore, i cili i jep një dritëz të re botës dhe ndez flakën e dashurisë aq të munguar.  Poezitë e tij kanë mbirë natyrshëm si një ngushëllim për shpresë, ato janë filiza të një aristokrati të poezise dhe bëhen model qytetarie të një poezie në perfeksion.

Vargjet e tij më duket sikur më sjellin pranë Ana Ahmatovën ku nobelisti Brodcki thotë se rigjeti gjuhen e ligjërimit në universin shurdhmemec.

Në dhuratën me librat e tij që më dërgoi midis të tjerave në dedikim më shkruante se: “Lorka e quan poezinë thjesht si…”Një drer të plagosur”,  kurse unë vazhdon poeti me një modesti për t’u pasur zili, vjershat e mia dosido do t’i quaja “si një Njeri i plagosur” duke e zëvendësuar me artin e zëvendësimit fjalën dreri me njeri …

Ashtu si dreri me sy të magjishem dhe vështrim te butë që shetit pranë pemëve dhe ul kokën për të pirë ujë, buzë një pellgu a liqeni të pastër plagoset pafajësisht nga gjahtarët, ashtu më duket dhe poeti, zemra e të cilit u plagos pafajësisht nga gardianët e dhjamosur që zbatonin urdhërat e diktaturës verbërisht.

Diçitura e shkruar me një shkrim të bukur kaligrafik do të ruhet gjatë dhe me krenari në arshivën time personale dhe ndërkohë të kujton poetin tjetër hyjnor Frederik Rreshpjen me poezinë vdekjen e Dedelit të cilit varrin ja bënë në aerodromin e qiellit, ndërsa Zeusin modern e mallkoi.  Poezite e Çekajt jane si një far që fshehin shkëndijëza brenda metaforave të tyre me një ngarkese të theksuar emocionale plot gazavaje që prekin thellë zemrat e lexuesve të shumtë.

Shokët e burgut të tij janë dhimbja e madhe e poetit.  Një prej poezive kushtuar bashkëvuajtesve është ish të burgosurit politik “Luigj Kabashit” të cilët kanë lindur në një qytet me disidentë të rebeluar si metaforat e Selman Ruzhdiut, ku plagët e viktimave s’ka mundur asnjë pushtet t’i shërojë, mjerisht…

“Me Luigjin, dashtë pa dashtë/ Kam patur një si fat absurd/ Sepse kur Ai shpresonte të dilte jashtë/ Unë trëmbesha se do të hyja në burg”/

Në poezitë e tij ngrihen probleme të mprehta sociale dhe shoqërore që po kalon shoqëria jonë.  Kështu hapja e dosjeve me të cilët spekullojnë shumë nga parlamentarët tanë ai shkruan:  “Hapeni shtatoren/ o ushtarë që të shoh/ Shkodrën dhe time motër…” Dhe krejt si në historinë e njërës nga ato me telefaks ma dërgoni urgjent “Dosjen”.  Dhe nxini ku të mundni/ Bëjeni sterrë deri në fund/…Se me “dosjen” time të bardhë, Kam ndërmend të bëj biznes, Në blefsha atje njëqind dollarë, Dy milion këtu do e shes…”

Ato pikojnë dhe trokasin mendueshëm mbi shpirtrat tanë, mbi shpirtrat e lexuesve, por nuk jam e sigurtë, se sa ndihen ndër shpirtra ligjvënësish??

Poezitë e Çekaj janë vatër e prushtë me thëngjij ndezur.  Ai bisedon poetikisht me shkrimtarë të shquar i ka ftuar për darkë në tryezën e tij dhe  ndjen dhimbje për njerëzit e papërgjegjshëm që gjejnë lloj lloj mënyrash per të hedhur baltë mbi punën e tyre dhe ja se si: “Parmbrëmë, Noli me Konicën qenë për darkë tek unë, Të dy nervoz, sepse i shanin në Internet edhe pas vdekjes!… Kurse Millosh Gjergj Nikolla/ Me një penë të ngulur në gjoks!  I tundur më tha: Atdheu im m’u ankua!  Tashti duket se s’ka më nevojë për mua!”

Marrë nga poezia “Shpirtrat e Shqiptarëve më duken si Ata të purgatorëve”, fq.34.

Poeti ndjen dhimbje gjer në eshtër për përbaltjen që iu bëhet burrave të ndritur të Kombit, apo vuajtjet e tmerrshme që pësoi kjo klasë fisnikësh, ndaj ai lutet duke thënë në poezinë: “Le të jem unë shpirti i fundit/ Që po gërryhem/ Nga tërë ky përrua gjaku/ Sajuar për zhdukjen e popullit tim.  Marrë nga poezia “Le të jem unë” fq.25

Duke përfunduar poezitë e Cekaj pashë dhe preka nga afër një hartë me metafora plagësh, ku pena e tij siç dhe shprehet është një lufte poetike, është hartë e dhimbshme plagësh vizatuar me thika hijesh mbi shpinë…

 

Staten Island, New York

5 Janar, 2020

 

U NDA NGA JETA VATRANI SOTIR PANI, NJERIU QE DESHI MEGJITHË SHPIRT DARDHËN DHE SHQIPËRINË – Nga Fuat Memeli-Boston

“Jeta është e gjatë kur është e plotë. Le ta masim jetën me veprat dhe jo me kohën” Seneka
-Covidi na mori edhe një shqiptar tjetër. Në kthetrat e tij ra edhe dardhari, Sotir Pani. Kishte rreth 12 ditë që luftonte me virusin në një nga spitalet e Bostonit. Megjithë shërbimin e veçantë që iu bë, nuk ja doli dot. Në prill do festonte 86 vjetorin e lindjes. Megjithë vitet mbi supe, ai ishte plot energji. lëvizte, takonte shokë e miq, përjashto periudhën e virusit. Punonte kopështin te shtëpia e Andreas, djalit të tij. Kujdesej për perimet që mbillte vetë. Kujdesej që të rritej shpejt një filiz kumbulle i sjellë nga Dardha prej Andreas. Ajo kumbull i dukej si një “copëz” Dardhe. Lexonte e shkruante. Mbante ditar që nga viti 1954 dhe kishte shkruar 1000 faqe. Shkonte në kishat shqiptare të Bostonit. Fliste në veprimtari të ndryshme të shqiptarëve që zhvilloheshin këtu. Mosha nuk e pengonte për të qënë aktiv. Na merte në telefon ne shokët e tij. Edhe ndonjëherë kur ne “binim në gjumë”, ai na “zgjonte” Nuk ndihej i plotësuar po mos komunikonte me njerzit, po mos dëgjonte zërin e tyre, po mos bënte shaka me ta. Na kujtonte jo vetëm neve këtu në Boston , por edhe miq të tjerë në Amerikë, në Shqipëri e vende të tjera ku jetonin miqtë e tij. Komunikonte në Amerikë me shkrimtaren dardhare , Rozi Theohari, fizikantin e shquar dardhar, Petrit Skënde, që të dy kanë ndruar jetë, me veprimtarin dardhar Vaskë Bruko, etj. Nuk harronte të merte në telefon miqtë e tij Teodor Laço, Niko Balli e dardharë të tjerë që jetonin në Shqipëri. Dardha ishte pjesë e shpirtit të tij. Dashuria e malli për të nuk kishin kufi. Kontribuoi edhe për kishën dhe muzeun e ri të Dardhës. Fliste shpesh edhe me kolegët e tij zooteknikë si Nevrus Shtylla, Viktor Puka, Sotir Pasko, etj me të cilët kishte punuar një jetë.
Në rrugëtimin e gjatë të jetës së tij ka plot “stacione” ku ai ka lënë gjurmët e veta. Vështirë t’i përmendësh të gjitha. Po ndalem vetëm në disa prej tyre. Pasi mbaroi Institutin e Lartë Bujqësor, punoi 8 vjet zoteknik dhe dy vjet shef bujqësie për rrethin e Korçës. Këto 10 vjet punë në këtë rreth ishin një shkollë e dytë për të, pasi njohu e punoi me shumë specialistë e fshatarë. Siç thotë vetë në kujtimet e tij shkoi e takoi njerëz në 200 fshatra të rrethit të Korçës. “Stacion” tjetër i punës së tij ishte Devolli. U caktua kryetar i kooperativës së fshatrave Vranisht- Pilur- Bickë, ku qëndroi afro katër vjet. Edhe pas largimit që andej, ai e mbajti miqësinë me fshtarët jo vetëm sa ishte në Shqipëri, por edhe pasi ardhi në Amerikë. Kjo ndodhte pasi Sotiri ishte njeri i “tabanit, i rogozit” siç thotë populli. Teknikumi Bujqësor “Irakli Terova” ku u caktua drejtor, ishte “stacioni” i fundit i tij i punëve në rrethin e Korçës. Do largohej nga Korça për në Tiranë ku ishte emëruar. Po largohej nga qyteti që e deshte aq shumë, nga qyteti ku kishte kryer shkollën 7 vjeçare e të mesme, nga Korça ku punoi aq vjet, nga qyteti ku njohu dhe u martua me bashkëudhatren e jetës, Ritkën e tij të dashur, siç e thëriste shkurt ai. Puna dhe jeta e tij më pas vazhdon në Tiranë. Ministria e Bujqësisë e emëron zv. drejtor në Institutin e Kërkimeve Zooteknike në Tiranë. Më pas vazhdon përgjegjës i sektorit racor e më pas kryespecialist i Stacionit të Gjedhit e Shpendëve. Gjatë viteve të punës shkroi e botoi plot artikuj për blegtorinë. Me skenar të tij unë realizovarë dy dokumentarë me temë nga blegtoria. Në Stacionin e Gjedhit e Shpendëve, punoi 10 vjet deri sa doli në pension në vitin…Kur filluan grabitjet e shkatërimet edhe në këtë stacion në fillim të viteve ’90, nuk nuk i duronte dot , doli para kohe në pension dhe shkoi me gruan e fëmijët në Dardhë. Më vonë u rikthye përsëri në Tiranë.
Pas viteve ’90, emigrimi u rizgjua edhe në familjen e tij. Kjo ndodhi për arsye se ai kishte patur në Amerikë, gjyshin e tij Josif Pani, patriot i shquar, mik i Nolit dhe Konicës. Kishte patur edhe babanë e tij, Vasil Pani, figurë e shuqar edhe ky i shqiptarëve të Amerikës. Babai i tij shok i ngushtë gjithashtu i Konicës dhe Nolit. Vasili ishte kryetar i “Vatrës “ për 11 vjet. Në fillim në vitin 1995 ardhën në Boston dy djemtë e tij , Andrea dhe Vasili. Ardhi për vizitë edhe Sotiri. E që nuk ariti ta marë nga Dardha në Amerikë familjen e tij .Takoi shumë dardharë e shqiptarë të tjerë. Vizitoi varrin e të jatit, ndarë nga jeta në vitin 1947, vizitoi varrin e Nolit e Konicës. Qëlloi që atë vit do ktheheshin në Shqipëri eshtrat e Faik Konicës nga një delegacion i kryesuar nga ministri i Kulturës së atyre viteve, Teodor Lço. Konica duke qënë shok i ngushtë i të jatit, nuk mund të rinte pa pa folur aty edhe Sotiri.. Si u shmall me njerzit e tij në Amerikë, Sotiri u kthye në Shqipëri për të jetuar në Dardhë e në Tiranë. Por, malli për djemtë, për motrën, për njerzit e tjerë që ardhën në Amerikë pas viteve ’90, filloi ta brejë. Në vitin 1996, le Shqipërinë dhe vjen bashkë me gruan të jetojnë në Boston pranë djemve të tyre. Kalonin vitet dhe malli për Dardhën e Shqipërinë ndizej më shumë. Krahas bisedave në telefon, brenda 10 viteve të para në Amerikë dërgon në Shqipëri 400 letra dhe mer prej andej 350 .Është ky një rast i rrallë i njerëzve që të kenë dërguar kaq letra në atdheun e tyre. Siç ka thënë Horaci ”qiellin po jo shpirtin ndryshon ai që shkon përtej detit”. Në Boston takon shokë e miq të tij si dardharin Kiço Çeku, korçarin Jani Plasa, gjirokstritin Kostandin Mosko, mua sinicarin e plot të tjerë. Ne miqtë e tij këtu e quanim kryetar i grupit ”Na bashkoi Bostoni”. Shkon në biblioteknën e Bostonit dhe lexon gazetat “Dielli” “Kombi” e
“Sazani”. Mbledh të dhëna për gjyshin, të jatin, për Sotir Pecin e dardharë të tjerë. Shkoin në kishat shqiptare “Shën Gjergji” e “Shën Trinia” ku meshojnë At Artur Liolini dhe Peshkop Ilia Ketri. Kënaqej kur meshonte në shqip Peshkop Ilia dhe thoshte:” Gjuha shqipe na ngjit në zemër”. Me një grup shqiptarësh si At Artur Liolini, Polikron Trebicka, Sotiri dhe djali i tij Andrea, u bënë nismëtarë për hapjen e shkollës shqipe në mjediset e kishës së Shën Gjergjit. Pas dy vjetësh me shkollën u mor shoqata “Mass.Besa”. Ndër nxënësit e shkollës ishin edhe katër nipërit e tij. Me dardharët e Usterit insiston për ringritjen e shoqatës “Bleta” ku zgjidhet zv. kryetar i saj. Rrallë ka veprimtari të shqiptarëve të Bostonit ku të mos ketë folur Sotiri si ajo për 28 Nëntorin, në veprimtarinë kushtuar 100 vjetorit të kishës së Shën Gjergjit, në takimin e organizuar nga kisha Shën Trinia për jetën dhe veprën e mikut të tij, Dritëro Agolli, në takimet e organizuara nga shoqataa “Bleta” , etj. Çdo 28 Nëntor në shtëpinë e tij në Boston, ngrinte flamurin shqiptar, siç kishte vepruar prej shumë vitesh edhe në Dardhë. Në shtëpinë e tij në Dardhë si dhe në Boston, kishte përgatiur dy fotoekspozita, kushtuar gjyshit e babait të tij si dhe patriotëve të tjerë dardharë
Ndër punët e veçanta në Boston, ishte edhe botimi i librit për jetën dhe kontributin e gjyshit dhe babait të tij, Josif e Vasil Pani. Porosinë për të shkruar këtë libër, ia kishte dhënë Skënder Luarasi kur kishte qënë në Dardhë. Edhe titullin” At e bir për mëmëdhenë”, Skënderi ia kishte thënë. Punoi shumë për këtë libër dhe me ndihmën e mikut të tij, redakktorit Kolec Traboiini, libri u botua dhe u promovua në Muzeun Historik në Tiranë. Sotiri kishte në plan të botonte edhe një libër tjetër për emigrantët dardharë në Amerikë. Kishte mbledhur shumë të dhëna e dokumenta por… virusi i rezikshëm nuk e la ta kryejë këtë punë. Megjithatë puna e tij siç thotë Seneka”, matet me veprat e jo me kohën”.
Sotiri u nda nga jeta më 4 janar të këtij viti, duke shkaktuar një plagë të thellë te fëmijët e tij , te miqtë e shokët e shumtë. Ai iku të prehet pranë Ritkës, shoqes së tij të jetës e cila ndrroi jetë disa vjet më parë. Ai iku por la pas emrin e tij të nderuar, “mbolli” shpirtin e tij patriotik , dashurinë për Dardhën dhe Shqipërinë te djemtë, Andrea dhe Vasili, te katër nipërit e mbesa, etj. Situate e virusit do t’i pengojë shumë shokë e miq të tij për t’i bërë nderimet e fundit, ashtu si e meritonte. Por, ata do mblidhen një ditë , do flasin me dashuri e mall për të dhe ai do t’i dëgjojë aty lart ku prehet. Lamtumirë miku ynë Sotir Pani! U prehsh në paqe!/DIELLI

Qeveria Zaev po i frigohet numrit të shqiptarëve! – Nga Skënder Karaçica

Në dritën e regjistrimit të popullisë

Tash e tetëmbëdhjetë vjet në Maqedoninë e Veriut nuk ka pasur regjistrim të popullsisë.Pas ardhjes në pushtet për të dytën herë,Zoran Zaev dhe qeveria e tij do të organizojë regjistrimin e popullsisë në prill të këtij viti.

Qysh në fillim,qeveria Zaev ka vërë vija zyrtare sesi do të organizohet regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut sipas ligjit në parim që ka ky shtet multinacional.Por,sipas deklaratave  zyrtare thuhet se ky shtet ka lejuar dyshtësinë për qytetarët e vet,por me kusht sipas ligjit të tyre,nëse kanë qendrim rezidentë në këtë vend pa u larguar më shumë se një vit jashtë vendit.

Për qyetarët që nuk gjenden më shumë se një vit në Maqedoninë e Veriut,thotë Zoran Zaev,ata nuk do të regjistrohen si rezident por vetëm si numra të statitstikave tona pa ndonjë vlerë ligjore(sic!).

Për regjistrimin e popullsisë dihet tashmë se përqindja e madhe (statistikore) e shqiptarëve gjënden nëpër vendet evropiane dhe në Amerikë,ndonëse për shkak të kushteve të rënda ekonomike dhe të presioneve politike,ata janë larguar nga vendi i tyre për të jetuar e punuar në këto vende të botës.

Për shqiptarët si populli i dytë shumicë,që sipas një vlerësimi në Samitin NATO(Çikago,2012)thuhej se në Maqedoninë e Veriut  jetojnë në hapësirën etnike 40% të përberjes etnike shqiptare.Këto të dhëna zyrtare të Aleancës Ushtarake (NATO)partitë politike shqiptare as që u ra në sy ndonjëherë dhe nuk i patën vërë në rend të ditës në ,,programet,,e partive politike shqiptare përmes institucioneve të  jetës  parlamentare dhe qeveritare në Shkup.Çfarë do të duhej bërë për pozitën kushtetuese të shqiptarëve si shtetformues e jo pakicë kombëtare,që ndër vite pozita e tij ishte e nëpërkëmbur dhe shtresuar me përmasën si popull i rendit të dytë.

Ende pa filluar regjistrimi i popullsisë,Zoran Zaev paraljmëron pakicat kombëtare (shqiptare,bullgare dhe të tjera),por kjo nuk vlen për ,,popullin shumicë maqedonase,,(sic!)sipas Kushtetutës aktuale se,të gjithë ata që nuk janë një vit brenda shtetit,nuk do të regjistrohen si rezidentë të këtij shteti(sic!).Pse kjo nuk vlen për maqednasit,ndonëse edhe ata me shumicë sot gjënden jashtë vendit si diasporë(?).

Po e ritheksojmë për opnionin e gjerë një të dhënë (zyrtare) e pa ndryshuar tash sa vjet në qeveritë në Shkup,që ka bëjë me Entin Republikan të Statistikave sot e kësaj dite nuk ka asnjë ekspert (shqiptar)të punësuar të fushës së statistikave,pos një shoferi (sic!).
në këtë institucion shtetëror të Maqedonisë së Veriut.

Çfarë do të ndodhë me statistikat që kanë të bëjnë me regjistrimin e popullsisë(shqiptare)në këto hapësira etnike,kur duhet se që nga Lufta e Dytë Botërore dhe në të gjitha regjistrimet e kohës,populli shqiptar ka dalur me numrat e statistikave si ,,pakicë kombëtare,,
duke i fshehur numrat nën tovolinat e punës të ekspertëve (vetëm)maqedonas pa asnjë shqiptar në Entin Republikan të Statistikave në Shkup(sic!).

Qysh tash ka synime për frigën shtetërore që numri i regjistrimit të popullsisë në këtë vend të bëhet,duke ruajtur me kujdes që mos të dalë numër më i madh në (përqindje)për popullin shqiptar në Maqedoninë e Veroit,por të mbetën konstant të dhënat ,,statistikore,,për pozitën e ,,pakicës kombëtare,,të shqiptarëve në hapësirën e vet etnike.

Do të ishte mirë që shoqëria civile,institucionet shkencore-universitare,intelektualë,gazetarë dhe vetë diaspora shqiptare nëpër botë,të kërkojnë nga BE-ja dhe Washingtoni,që e drejta e regjistrimit për popullin shqiptar në Maqedoninë e Veriut mos të shkelet përmes ,,ligjeve,,dhe të denigrohet si deri më  tash me përqindjet e dyshimta gjithherë kur vijnë të dhënat e regjistrimit të popullisë shqiptare në zyrat e Entit Republikan të Statistikave në Shkup(!).

Diaspora shqiptare nëpër botë duhet të realizojë të drejtën e dyshtetësisë në të gjitha aspektet jetësore dhe të regjistrimit të popullsisë në prill 2021 si rezidentë e jo vetëm si numra të statistikave pa ndonjë vlerë ligjore(sic!).

Çikago,janar të motit 2021

“Trojet e Arbrit” organizon sesionin shkencor: “Masakrat dhe krimet serbe,malazeze dhe maqedonase në trojet shqiptare 1912-1999”

Shoqata e Intelektualëve Shqiptar “Trojet e Arbrit” organizon sesionin e XVI shkencor më 18  korrik 2021 në Skënderaj, më temën: ” Masakrat dhe krimet serbe, malazeze dhe maqedonase në trojet shqiptare 1912-1999″

 

Njoftim

Shoqata e Intelektualëve Shqiptar “Trojet e Arbrit” njofton të gjithë studiueset dhe studiuesit shqiptar anë e kënd trojeve etnike shqiptare dhe nga diaspora atdhetare shqiptare se këtë vit pra,në vitin 2021 do të organizojmë sesionin e XVI të rregullt shkencor më temën boshtë: “Masakarat dhe krimet serbe, malazeze dhe maqedonase në trojet shqiptare 1912-1999.”Ftojmë të gjithë ligjeruesit që të paraqesin temat e tyre lidhur me masakrat dhe krimet serbe prej vitit 1912 e deri në vitin 1999.Këtu hynë të gjithë masakrat dhe krimet që ka kryer Serbia,Mali i Zi dhe Maqedinia në trojet shqiptare.Një vend të rëndesishëm do ti kushtohet edhe krimeve komuniste në trojet shqiptare që janë kryer si fryt i ardhur nga politika serbe,në bashkëpunim me politikën ruse.

Gjatë shekullit XX ne shqiptarët u ballafaquam me shumë sfida të mëdha historike.Është fatkeqësi se ende nuk kemi arritur ti shkruajmë me emra dhe mbiemra të vraret dhe të masakruarit shqiptar.Studiuesit të cilët do të paraqesin temat e tyre ata duhet të gjurmojnë masakrat dhe krimet serbe,malazeze dhe maqedonase, që kanë ndodhur nëpër komunat, fshatrat dhe lagjet e qyteteve.Perveç lëndës arkivore studiuesit duhet shfrytëzuar edhe historinë gojore që është përcjellur nëpër breza si kujtim i familjeve që humbën të afërmit e tyre, nëpër periudha historike.Është detyrë atdhetare shqiptare ti bëjmë evidentimin e çdo shqiptari të vrarë dhe të masakruar në çfardo forme nga Serbia,Mali i Zi dhe Maqedonia.Po njashtu një fakt i rëndësishem që duhet të shënohet patjetër në këto shenime është çështja se sa nga këta të masakruar dhe të vrarë në forma të ndryshme patën fatin që t´iu gjinden kufomat e tyre dhe sa prej të cilëve u masakruan dhe u lanë pa varre.Të gjitha punimet e ardhura deri në, fundë te majit 2021, do të botohen në librin apo librat e radhës varësisht nga sasia e materialeve dhe pas botimit në gjuhën shqipe do të gjejmë forma dhe mundësi të përkthimit në gjuhën angleze dhe gjermane në mënyrë që të njoftohet bota lidhur me maskrat serbe,malazeze,maqedonase në trojet shqiptare në shekullin XX.

Të gjithë studiusitë për te qenë pjesë e programit duhet që ta paraqesin një abstrakt të shkurtër se bashku me pikat kryesore të punimit në mënyrë që mos të kemi punime të njëjta dhe të dërgohen në email adresën: nue_oroshi@yahoo.de

Ne emër të Shoqatës se Intelektualëve Shqiptar “Trojet e Arbrit” Nue Oroshi Kryetar

Pse po e ,,harrojnë,, Joe DioGuardin…? – Nga Skënder Karaçica

(Lidhur me emsionin festiv ,,Odeon,, në TV21 dhe biseda me kryetarin e ,,Vatrës,, Elmi Berisha)
Në TV21 (Prishtinë) në programin festiv për Motmotin  e Ri 2021 të drejtuar nga Naim Abazi,ekrani i këtij televizioni ishte i mbushur me pika të sukseshme të orëve festive.Në programin festiv ndër të tjera,moderatori N.Abazi,përmes linnjes ,,doli,,nga Prishtina në Amerikën e largët për të biseduar me të parin e ,,Vatrës,,të kësaj organizate kombëtare të diasporës Elmi Berisha,që,verpimtarinë e vet po e zhvillon tash e  një shekull në krah të çështjes shqiptare në hapësirën etnike në Ballkan.
I pari i ,,Vatrës,,foli gjerë e gjatë për historinë e kësaj organizate ndër vite,që,për kohën ishte edhe ambasador,edhe qeveri,edhe parlament,edhe diplomaci në krye të herës për të shpëtuar Panteonin e shtetit shqiptar(Shqipërinë)nga fqinjët  tanë grabitqarë të dirigjuar nga projektët pansllaviste ndaj tokave dhe të nënqiellit tonë.Në këtë rrugëtim shpirti kombëtar i ,,Vatrës,,me prijësit e saj Noli,Konica dhe zëra të tjerë nga atdheu që kishin ardhur në Amerikë,u bë një zë i fuqishëm për të shpëtuar Shqipërinë në shatin e lindjes së  shtetit para yrysheve dhe të tradhëtive të mëdha kombëtare që kurdiseshin në Moskë,Beograd,Athinë,Podgoricë me argatët renegatë të shitur në Tiranë(!).
Për të hedhur dritë në këtë rrugëtim shekullor të ,,Vatrës,,i pari i saj Elmi Berisha,i gjeti fjalët nga arkivat historike të kësaj organizate dhe tërë meritat për çështjen kombëtare shqiptare karshi atdheut,ia veshi vatranëve  në Nju Jork dhe nëpër Amerikë,duke lënë nën hije aktivitetin e të tjerëve,që,me përkushtim i dolën ballë për lirinë e Kosovës dhe për ndryshimet demokratike të Shqipërisë në shekullin e kaluar.Këtu  duhet të vihet në spikamë arbëreshi me gjak shqiptari(LQSHA)Joe DioGuardi,i cili në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi në Hagë,i doli përballë kyrekriminelit dhe kasapit të Ballkanit,Slobodan Milosheviq për të treguar projektët ushtarako-policore dhe paramilitare për shfarosje deri në substancë dhe të gjenocidit ndaj popullit shqiptar dhe për tokën e djegur të Kosovës…!
Në këtë bisdë për (TV21-Emisioni festiv ,,Odeon,,)i pari i vatranëve në Nju Jork nuk ia qiti gaja (asnjëherë)të përmend aktivitetin tash e  tridhjetë vjet të LQSHA-së Joe DioGuardi për programin kombëtar në dritën historike të lobimit në isntitucionet e shtetit amerikanë(Senat,Kongres, diplomaci dhe në të gjitha administratat e deritashme,për të qëndruar në krah për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe të kaheve të shtetndërtimit si dhe djelmeninë e zjarreve të pushkëve në malet e Kosovës të UÇK-së.
Për këtë pikë,i pari i vatranëve harroi fare dhe bisedën e tij nga Nju Jorku e nisi dhe e përfundoi(vetëm)me të aktivitetin shekullor të kësaj  organizate,që në kohën që po flasim përmes analeve historiek të kohës,nuk ishte në krye të herës sa për të rrahur gjaksin(sic!),ndonëse koha dhe kronikat e kohës tregojnë ndryshe se në vitet (1990-2021),në Nju Jork dhe në Washington,u dëgjua zëri i arbëreshit Joe DioGuardi,i cili kishte edhe miqësi private me disa nga presidentët e Amerikës,Bushi i vjetër,Bushi i Ri,Bill Klinton,Obama dhe me Tramp,saherë vinin në krye të herës problemet që i bën dhe po i bën Serbia bashkë me Moskën kundër shtetndërtimit të Kosovës dhe për trazimin e Ballkanit.
Për fund po theksojmë se,tashmë është bërë një praktikë jo e mirë,sa herë që duhet të përmendet aktiviteti dhe lobimi në shkallë kombëtare (LQSHA-së në Nju Jork)nën drejtimin e arbëreshit Joe DioGuardi,dikush në Kosovë dhe Shqipëri dhe në këtë rast i pari i vatranëve Elmi Berisha,nuk ia qiti goja në emisionin  ,,Odeon,,të përmend emrin e tij dhe,aq më keq asnjë fjalë për djelmeninë e zjarreve të pushkëve  në malet e Kosovës të UÇK-së(!)Të gjitha organizatat politike dhe  kombëtare në Amerikë e aq më shumë,,Vatra,,duhet të jetë shembull kur hedh dritë në kronikat historike të ndërtuara në shekullin e kaluar në Amerikë , bashkë me forcat tjera të diasporës dhe me shpirtin dhe gjakun e arbëreshit Joe DioGuardi(LQSHA)me seli në Nju Jork.
Mos ta lamë nën hije veprimtarinë kombëtare të Joe DioGuardi!

URIME PER VITIN E RI 2021! – Nga Thanas L. Gjika

Viti 2020 ishte nje vit i covidit-19 me plot veshtiresi dhe me akrobaci te Kryeministrit Z. Edi Rama, i cili nga nje ane mbodhi dy qeverite (te Shqiperise e te Kosoves) ne nje mbledhje e shpalli se punon per planin strategjik KUQ E ZI, pra per bashkimin e shqiptareve ne nje shtet kombetar, nga ana tjeter vendosi trarin te kufiri Shqiperi-Kosove dhe nuk shkoi per te degjuar e pershendetur fjalimin historik te Z-njes V. Osmani qe mbajti ne parlamentin e RSH dhe i kritikoi idete e saj atdhetare te nje politike te re…

Por une nuk behem pesimist sepse vetem duke lexuar ne gazeta e fb gjate ketij viti vura re se ne shqiptaret jemi nje popull vital. Me gjithe kete gjendje te veshtire shume prej nesh kete vit hartuan disa krijime shume te goditura, ndoshta me te mira se te viteve te tjere qe kane qene me te mbare. Nuk po permend shume emra, por sa per ilustrim po permend poetet e talentuar Shinasi Rama, Xhevdet Bajraj, Agron Tufa, Petraq Risto, Vangjush Ziko me vellimet e tyre te rinj poetike me figuracione origjinale, Luan Ramen me krijimet poetike e tregime te ndjera; kampionin e te perndjekurve Lek Pervizin, jetegjatin Sami Repishti; analistet Jozef Radi, Adriatik R. Dostin me artikujt e kthjellet, gazetaret Frank G. Shkreli, Beqir Sina, Dalip Greca, Ruben Avxhiu, Edlira e Skender Bucpapaj, Fatmir Terziu; Visar Zhitin me shkrime brilante ne proze e poezi, romancieret Thanas Medi, Thanas Jorgji, Kristaq Turtulli, Agim Bacelli me romanet e tyre terheqes; Grigor Jovani me poezite e tij plot ndjenja te ngrohta; Kostandin Koliqi me analizen e mbrekullueshme te vitit te mbrapshte 1997, Akri Cipa me analizat e shkurta plot mendime te thella, Baki Ymeri qe ka vijuar te botoje ne Bukuresht revisten “Albanezul”, Sami Milloshi me vellimin me tregime perkthyer anglisht nga zonjusha Carrie Hooper e shume tregime e piktura, piktore te shumte si Haxhiraj, Rizaj, Karanxha , Xega, etj; agronomin Koco Mosko me studimet per drure frutore e dekorative; komentatore te shumte ne fb midis te cileve shquhen Z. Klodi Stralla, George Fefa (Gjergji Pano), Anthony Perdoda, Arben Kallamata dhe i ndjeri Kliti Kallamata, Agustin Mirakaj dhe Leon Mirakaj, etj; fotografi i talentuar Eliano Kalemi qe po e afron fotografine me pikturen; shkrimtarin memuarist e fotograf artistik Ylli Demneri e nje mori shqiptaresh te tjere ne diaspore e brenda ne Shqiperi, Kosove e Maqedoni te Veriut qe kane botuar vepra te shumta cilesore. Si dhe shume femra intelektuale si qe kane botuar poezi, tregime, skica, romane, studime midis tjerash popermend Meri Lalaj, Eglantina Mandia, Julia Gjika, Emrie Krosi, Merita Shkupi, Klara Celo, etj…

Ky vitalitet krijues me jep kuraje te mendoj se Viti i Ri 2021 do te jete edhe me i mbare, madje shpresoj e uroj qe ne zgjedhjet e 25 prillit votuesit shqiptare te fshijne nga lista emrat e kandidateve qe kane vene partite politike dhe te vendosin emra njerezish te ndershem qe nuk kane qene me pare pjese e klases se korruptuar politike…

Përmes ,,Minishengenit,, Serbia do ta  pushtojë Shqipërinë – Nga Skënder Karaçica

Si shihet atdheu nga larg
 
Tirana zyrtare duhet të mbajë qendrim konstant karshi Kosovës dhe ndaj politikës  hegjemoniste e nacionaliste të politikës së (dhelprës,-nënvizimi im)të Serbisë fashiste…!Tirana nuk duhet të bëj politikë dhe ,,diplomaci,,(sic!)me Beogradin pas shpinës së Kosovës,ndonëse dihet se tash e dy shekuj (1844-1999)
regjimet e Serbisë ishin grabitqare të tokave shqiptare përmes boshtit pansllavist me Moskën si ,,vëlla,,dhe të shfarosjes deri në substancë të projekteve ushtarako-policore të gjenocidit (lufta e Kosovës për liri dhe pavarësi 1998-1999).
 
E shihni z.Bujar Nishani se çfarë qendrimi po mbanë Zagrebi zyrtare  dhe tërë mekanizmat e shtetit të Kroacisë karshi Serbisë dhe ndaj regjimit të Aleksandër Vuçiç,dikur pioner i kryekriminelit Sllobodan Millosheviq(sic!).Ka vdekur koha kur komunistët serbë vinin në Shqipëri për të formuar orën ugurzezë të PKSH-së (1940-1945) dhe,së kendejmi nuk na duhet projekti i ashtuquajtur,,Minishengen,,që përmes këtij mekanizimi ekonomik të tregëtisë së lirë(?)Serbia po orvatët me të gjitha forcat e veta që të bëhet faktor kyresor në Ballkan  për ta pushtuar Shqipërinë dhe për ta shkelë me të dyja këmbet shtetin e Kosovës(!).
 
Raportet e bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë duhet rregulluar në rrafshin e vediktit kushtetues të dyja vendeve dhe guxojmë që ky bashkëpunim të marrë modelin e dy Koreve (sic!).Kjo po me nxit të shprehëm në këtë mënyrë për shkakun në krye të herës,ndonëse vizita e ud të presidentës së Kosovës Vjosa Osmani dhe takimi i ftohtë me kryeministrin shqiptar Edi Rama,sikur rrëshqiti në udhën e përqarjeve politike si dhe në relacionet e hidhërimit të ,,vëllait  të madh,,me ,,motrën e vogël,,nga Kosova…!
 
Në këto përkime të kohës dhe dabati me ish presidentin Bujar Nishani,duhet të kujtojmë sot e këtu, se politika është art i mashtrimit…!
 
Çikago,dhjetor të motit 2020

Send this to a friend