VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Turqia liron shkencëtarin e NASA-s

By | May 30, 2019

Komentet

Petrich e pranon që shkëmbimi i territoreve s’është zgjidhje, nuk do që SHBA ta kryejë punën e Kosovës

Diplomati austriak, Wolfgang Petrich, në një intervistë të gjatë për edicionin e BBC-së në gjuhën serbe ka folur për rrjedhën e dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bllokimin e procesit, idenë e korrigjimit të kufijve dhe aspekte të tjera, shkruan Gazeta Express.

Teksa ka folur për idenë e korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve, Petrich ka thënë se fillimisht ka qenë i hapur ndaj një ideje të tillë, por thekson se ishte i bindur që një ide e tillë nuk ishte një zgjidhje që mund të aplikohej në shekullin 21.

“Ndryshimet kufitare kanë ndodhur në të kaluarën përmes luftës dhe konflikteve”, ka thënë Petrich për BBC, transmeton Gazeta Express.

Në këtë intervistë diplomati austriak ka treguar edhe për kundërshtimin kategorik të Gjermanisë për idenë e ndryshimit dhe shkëmbimit të territoreve.

“Wolfgang Ischinger më ka thënë se ne e dimë çfarë nuk duan në Berlin, por ata nuk ka thonë neve se çfarë dëshirojnë”, ka shpjeguar Petrich.

Ai thotë se edhe nëse dy palët do të pajtoheshin për ndryshime të kufijve, konsensusi i palëve të përfshira do të ishte i nevojshëm dhe se një gjë e tillë do të merrte shumë kohë për të analizuar në mënyrë të detajuar i gjithë procesi.

“Përndryshe nuk ka zgjidhje të mira ose perfektë në Ballkan”, konkludon Petrich, transmeton Gazeta Express.

Teksa flet për përfshirjen e fuqive të mëdha në gjetjen e një zgjidhje finale për problemin Kosovë-Serbi, Petrich thotë se involvimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të paraqiste problem për procesin.

“Unë, si evropian nuk do të doja të shoh një zgjidhje amerikane për problemin evropian”, ka thënë Petrich.

Diplomati austriak ndërkohë nuk ka ngurruar që të thur lavde për ambasadorin aktual të Rusisë në Beograd, Alexander Bocan-Harchenko, më të cilin ishte njohur gjatë kohës sa kishte qenë përfaqësues i Lartë në Bosnje e Hercegovinë.

“Diplomatët rus janë profesionistë të vërtetë, ata nuk kanë pozicione politike si amerikanët”, ka thënë ndër të tjera Petrich.

Ai ka shtuar në këtë intervistë ndër të tjera e ka pranuar hapur se është angazhuar që të afrojë sa më shumë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin me atë të Serbisë, Aleksander Vuçiq, duke zbuluar kështu që kishte qenë edhe iniciator i organizimit të Forumit të Alpbachut në Austri, forum ky ku për herë të parë filluan hapur diskutimet për korrigjimin e kufijve.

“Unë i propozova një takim të tillë presidentit austriak, kështu që u organizua në Forumin Alpbach”, ka thënë Petrich.

Përveç kësaj diplomati asutriak propozon edhe ndryshimin e formatit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se do të ishte ide e mirë të organizohej një konferencë ndërkombëtare.

Duke folur rreth rolit të Rusisë në bisedimet për Kosovën dhe kthimin e Grupit të Kontaktit, Petrich thotë se “ Moska është duke i dërguar porosi Washingtonit që është e pamundur që SHBA të vijë në Ballkan dhe t’i marrë gjërat në duar duke theksuar interesat e saj.

E sipas Petrich, Moska është duke ia dërguar një porosi të veçantë BE’së.

“Moska dëshiron ta prishë situatën, sepse nuk e do një BE të fortë dhe të vendosur – dhe Ballkani është një dëshmi për këtë” ka thënë Petrich.

Publikohet video nga momentet e fundit të Milosheviqit para ekstradimit në Hagë

Gazetari serb Stefan Cvetkoviq, ka publikuar një video në të cilën shihet ish-presidenti i Republikës Federale të Jugosllavisë Sllobodan Milloshevic, pak para ekstradimit nga Tuzla në Hagë, në vitin 2001

Sipas mediave serbe, pamjet tregojnë se si Milloshevici po hynte në një dhomë, siç pretendohet, në një bazë ushtarake amerikane në kampin “Eagle” në Bosnje dhe Hercegovinë, fillimisht i shoqëruar nga një person me uniformë ushtarake.

Pas hyrjes, Milloshevic është në shoqërinë e një oficeri me të cilin, sipas regjistrimit, ai po fliste në mënyrë paqësore.

Vuçiç: Nuk ka marrëveshje nëse shqiptarët fitojnë gjithçka e Serbia asgjë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha në një intervistë për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se është i ndërgjegjshëm që nuk do të ndryshojë qëndrimin amerikan në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, por Beogradi kërkon një kompromis i cili nënkupton se shqiptarët nuk mund t’i fitojnë të gjitha e Serbia asgjë.

Ai u takua të martën me Sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo dhe të mërkurën me zotin Matthew Palmer, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, të cilëve u ka shprehur gatishmërinë e tij për rifillimin e bisedimeve me Prishtinën pas heqjes së tarifave ndaj mallrave serbe.

Ai tha se shpreson që Shtetet e Bashkuara të shtojnë trysninë mbi Kosovën për këtë çështje, ndonëse nuk pret rifillim bisedimesh para dhjetorit, meqë Kosova pritet të mbaj zgjedhjet e parakohshme.

“Amerika në vitin 2008 e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Të gjitha vendet e fuqishme perëndimore e kanë njohur pavarësinë e Kosovës më 2008 dhe 2009. A mendoni që vërtetë, ndonëse Serbia sot është në gjendje më të mirë ekonomike, në pikëpamje ushtarake e politike është më e fuqishme dhe ka më shumë respekt në botë sesa që kishte, vërtetë mendoni se jemi në gjendje të ndryshojmë vendimin e Shteteve të Bashkuara”?

Por kjo, tha ai, nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. “Mund të bisedojmë për çdo gjë nëse bëhet fjalë për kompromis. Por, për atë që shqiptarët të fitojnë gjithçka e Serbia asgjë – nuk mund ta keni nënshkrimin tim kurrë”, tha presidenti serb, duke theksuar se amerikanët sërish i kanë thënë hapur se duan “njohje të ndërsjellë”.

Ai tha se për këtë arsye ka propozuar zgjidhje kompromisi dhe për këtë ka diskutuar sërish me zyrtarët amerikanë duke përfshirë shumë “modalitete”.

“Por duhet të kuptojmë që ëndrrat tona boshe nuk kanë lidhje me realitetin”, tha ai, duke nënvizuar se “çdo luftë, çdo konflikt, çdo përulje do të ishte katastrofë për Serbinë”.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, janë bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj, siç është thënë, qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat për t’u hapur rrugën bisedimeve. Por qeveria e Kosovës i ka rezistuar trysnisë ndërkombëtare.

Aktualisht Kosova ka një qeveri në dorëheqje, pasi më 19 korrik kryeministri Ramush Haradinaj paraqiti dorëheqjen e pakthyeshme meqë u thirr për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme për krime lufte me seli në Hagë.

Të enjten pritet shpërndarja e parlamentit të Kosovës dhe pas atij vendimi edhe shpallja e datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Greqia rikthen çështjen “Katsifas”: Të përfundojnë menjëherë hetimet

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dhendias u ka dërguar një mesazh autoriteteve shqiptare për të përfunduar sa më shpejt hetimet e organeve përkatëse për sqarimin e rrethanave nën të cilat humbi jetën Konstantinos Katsifas.

Mesazhi i tij përfshihet në përgjigjjen e interpelancës që ka kërkuar për këtë ngjarje një deputet i partisë së re “Zgjidhja Greke”, në datën 8 gusht dhe publikohet sot.

“Athina i ka bërë të qartë palës shqiptare se hetimet përkatëse duhet të përfundojnë menjëherë dhe të publikohet sa më shpejt të jetë e mundur, pa vonesa të mëtejshme, raporti i hollësishëm që do të hedhë dritë mbi të gjitha aspektet e çështjes dhe kjo do të çojë në dhënien e drejtësisë, por dhe sigurisë për minoritetin kombëtar grek”, thekson kryediplomati grek.

Ai nënvizon gjithashtu faktin se  Ministria e Jashtme që ai drejton  tregon seriozitet dhe përgjegjësi në trajtimin e çështjes së rëndësishme të Katsifas-it, duke informuar në mënyrë sistematike dhe sensibilizuar partnerët ndërkombëtarë në këtë drejtim, si dhe për çdo zhvillim që ndikon negativisht te minoriteti grek në Shqipëri.

Dhendia kritikon vonesën e madhe në hetime, që ka ardhur edhe si rezultat i ndryshimit të prokurorit të çështjes dhe kërkon që në këtë fazë të publikohet Raporti Zyrtar i Prokurorisë së Pergjithshme të Krimeve të Rënda për kushtet në të cilat humbi jetën një pjesëtar i minoritetit dhe njëkohësisht shtetas grek.

Ministri i Jashtëm përfundoi përgjigjen e tij duke theksuar se  pozicionimi i përhershëm i Athinës është dhe ka qenë mbrojtja e të drejtave të Minoritetit Kombëtar Grek, e cila ka të bëjë jo vetëm me marrëdhëniet bilaterale Greko-Shqiptare, por edhe me perspektiven evropiane të Tiranës, pasi përbën  një nga 5 prioritetet kryesore që Shqipëria duhet të përmbushë në mënyrë që të marre në tetor datën për hapjen e negociatave për integrim në BE.

Bashkëpartiakja: Të huaj, shqiptarë e serbë, të përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit

Nënkryetarja e Iniciativës Qytetare “Sloboda, Demokratija, Pravda’ (SDP), Ksenija Bozhoviq, ka deklaruar se në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq janë përfshirë të gjithë, të huajt, shqiptarët dhe serbët. Ajo gjatë një interviste për KosovaPress, u shpreh skeptike se do të gjendet ndonjëherë autori i vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Sipas saj, hetimet rreth kësaj vrasje që nga fillimi kanë shkuar keq.

“Pas tërë kësaj kohe dhe në bazë të komplet procedurës se si ka shkuar deri tash, si dhe mënyrës së kryerjes së likuidimit, ne dyshojmë se këtu janë të përfshirë të huajt, shqiptarët dhe serbët… Hetimi që nga dita e vrasjes, organet hetuese nuk e kanë kryer punën në mënyrë profesionale, që është shumë me rëndësi për tërë procedurën e cila po vazhdon. Kjo punë është bërë jo profesionalisht dhe në mënyrë të shëmtuar, që është pasojë e gjithë asaj që ka ndodhur deri tani.. Ashtu siç qëndron situata tani, nganjëherë mendojmë se sikur nuk dëshirohet që vrasësi i Oliverit të gjendet”, ka thënë Bozhoviq.

Ajo tha se anëtarët e SDP-së do të insistojnë vazhdimisht dhe nuk do të ndalen kurrë, duke kërkuar nga organet gjegjëse që vrasjen e liderit të tyre ta zbardhin sa më parë dhe që autori apo autorët e kësaj vrasjeje të vihen nën pranga. Në lidhje me pjesëmarrjen në zgjedhjet e mundshme që do të ndodhin në Kosovë, Bozhoviq ka bërë të ditur se akoma nuk janë krijuar kushtet në atë pjesë për zgjedhje të lira dhe demokratike, andaj nuk është marrë ndonjë vendim rreth pjesëmarrjes në këto zgjedhje.

“Duke marr parasysh tërë situatën, ne që nga zgjedhjet e kaluara dhe deri tani, konsiderojmë se asgjë konkrete nuk ka ndryshuar. Ne patëm shkuar në dy procese zgjedhore, dhe në të dyja këto zgjedhje kemi dy vrasje të cilat deri sot nuk u ndriçuan. Pastaj Ligji për zgjedhjet nuk ka ndryshuar fare. Të kujtojmë ato spotet e mundimshme gjatë fushatave të kaluara për të cilat njëjtë askush deri tash nuk ka dhënë përgjegjësi. Kështu që nuk janë krijuar kushtet që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike, në mënyrë që qytetarët të japin votën e tyre për njeriun të cilin konsiderojnë se do të ndryshojë diçka dhe do të krijojë kushte më të mira për jetesë. Andaj, ne akoma jemi duke menduar sa i përket këtyre zgjedhjeve, dhe nuk kemi marr ndonjë vendim”, theksoi Bozhoviq.

Ndryshe, ish politikani serb Oliver Ivanoviq ishte vrarë me gjashtë plumba në një atentat të organizuar më 16 janar 2018 para selisë së partisë së tij në veri të Mitrovicës, ndërsa rreth kësaj ngjarje deri tani janë arrestuar disa persona si të dyshuar dhe janë intervistuar mbi 100 të tjerë, por deri tani pa ndonjë rezultat konkret.

Izetbegoviç: Zgjidhja midis Beogradit e Prishtinës nuk duhet të ndikojë në BeH

Saraybosna

ALMIR TERZIC, LEJLA BIOGRADLIJA

Kryesuesi i Dhomës së Popujve të Asamblesë Parlamentare të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) dhe kryetari i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), Bakir Izetbegoviç, duke iu referuar mosmarrëveshjeve aktuale në rajon ka deklaruar se zgjidhja mes Prishtinës dhe Beogradit nuk duhet të ndikojë në vendin e tij.

Izetbegoviç i cili është lideri i partisë më të madhe boshnjake në vend, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) foli për punimet për krijimin e qeverisë të cilat vazhdojnë për më shumë se 10 muaj, si dhe për çështje tjera rajonale.

Nuk vjen parasysh ndërlidhja e çështjes së të ardhmes së Kosovës me atë të BeH-së

Izetbegoviç thekson se po tentohet që të ndërlidhet çështja e së ardhmes së Kosovës me atë të BeH-së, për të cilën thotë ai, “kuptohet se nuk vjen parasysh”.

“Por ja që në politikë gjithçka është e mundur. Nëse ndonjëherë mund të ndërlidhen këto dy çështje, ky pazarllëk (polemikë) i yni në raport me Beogradin dhe Prishtinën, atëherë e përbashkëta është ajo që pala serbe në Kosovë dhe BeH ka kryer krime të ngjashme, gabime dhe mëkate të ngjashme. Dhe në fund të fundit, me këtë sjellje dhe me këtë dhunë janë shkaktuar sulmet e NATO-s. Kështu që, kjo nuk mund të ndërlidhet në asnjë mënyrë më tej në kuptim që diçka të kompensohet në BeH, eventualisht atë që Serbia mund ta humbasë me zgjidhjen për Kosovën. Vetëm mund të lëshohemi në disa aventura të vështira dhe në skenarë shumë të paqartë. Shpresoj se do të ketë mençuri të mjaftueshme që të mos shkojmë në këtë drejtim”, tha Izetbegoviç.

Autostrada Sarajevë-Beograd

Izetbegoviç, ndër të tjerat foli edhe për Projektin e Autostradës Sarajevë-Beograd të cilën e mbështet Turqia, ku tregoi se para një kohe të shkurtër ka biseduar me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe i ka transmetuar se ndërtimin e autostradës planifikojnë ta fillojnë menjëherë pasi të themelohet qeveria në vend.

Siç thotë ai, ndërtimi i autostradës nënkupton punësimin e mijëra personave.

“Një tjetër shkak që të tejkalohet kriza politike është ndërtimi i kësaj autostrade, sepse ky projekt i madh është shumë i rëndësishëm për të gjithë”, u shpreh Izetbegoviç.

Krijimi i qeverisë

Duke rikujtuar marrëveshjen e koalicionit të cilin më 5 gusht e ka nënshkruar partia e tij SDA me Bashkësinë Demokratike Kroate (HDZ) të Bosnjes dhe Aleancën të Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), Izetbegoviç theksoi se me këtë marrëveshje janë përcaktuar principet e krijimit të qeverisë së re në nivel shtetëror.

Në lidhje me Planin Vjetor Kombëtar (ANP), i cili është një ndër hapat më të rëndësishme për çështjen e anëtarësimit dhe procesit të anëtarësimit në NATO, të cilën e kundërshtojnë serbet e vendit, Izetbegoviç tha se, “Pa u zgjidhur çështja e Planit Vjetor Kombëtar nuk mund t’i jepet askujt detyra për krijimin e qeverisë”.

Edhe pse anëtari serb i Këshillit Presidencial të BeH-së, Milorad Dodik, ka nënshkruar në emër të partisë së tij SNSD marrëveshjen e koalicionit, ai vërehet të jetë kundër ANP-së, thotë lideri boshnjak.

“Dy pika më të rëndësishme nga procesi i anëtarësimit në NATO janë këto, pajtueshmëria me kushtetutën dhe sundimi i ligjit, nga të cilat nuk do të dorëhiqemi. Nuk është e mundshme që një entitet brenda shtetit ta urdhëroj shtetin. Dodik nuk mundet të na imponojë vullnetin e tij”, tha ai.

Ende nuk dihet nëse cisterna iraniane do të ankorohet në Greqi

Transportuesi iranian duke dalë nga Gjibraltari.

Greqia tha se nuk ka marrë kërkesë për të lejuar arritjen e një cisterne të naftës, e cila është nisur nga porti i Gjibraltarit.

Shtetet e Bashkuara e paralajmëruan Greqinë kundër pranimit të cisternës.

“Anija po lundron me shpejtësi të ulët, dhe ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar se do të arrijë në Kalamata. Ministria e Tregtisë Detare po monitoron çështjen së bashku me Ministrinë e Jashtme të Greqisë”, tha një zëdhënës i ministrisë greke të transportit.

Cisterna ishte konfiskuar në Gjibraltar para rreth pesë javësh, pasi autoritetet thanë se ajo po transportonte naftë iraniane në Siri. Kjo përbënte shkelje të sanksioneve të Bashkimit Evropian.

Konfiskimi i saj u ndihmua nga marinsat britanikë, të cilit ishin ftuar nga autoritetet e Gjibraltarit.

Tensionet ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Iranit u përshkallëzuan.

Disa ditë më pas, Irani njoftoi se ka konfiskuar një cisternë me flamur britanik.

Pasi autoritetet e Gjibraltarit lejuan që anija të dalë nga porti i këtij vendi, Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara bëri kërkesë për ndalimin e cisternës.

Kërkesa nuk u pranua nga ana e Gjibraltarit. rel

Vuçiq do të takohet me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo

Më 20 gusht, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, do të takohet me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo, në margjinat e një takimi të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në New York, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit.

Radio Televizionit i Serbisë, raportoi se tema kryesore e bisedimeve midis Vuçiqit dhe Pompeos, do të jetë situata në Kosovë.

Pompeo do të marrë pjesë në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, dhe është planifikuar të takohet edhe me sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteres.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për arritjen sa më parë të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo, bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian janë ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar, për shkak të tarifës ndaj mallrave serbe të cilën e ka vendosur Qeveria e Kosovës.

Masa, sipas zyrtarëve në Prishtinë, është ndërmarrë për shkak të fushatës kundër shtetësisë së Kosovës, që e kanë zhvilluar zyrtarët serbë. rel

Shoferi shqiptar ndalohet nga policia serbe, fëmija në bagazh

Në Merdare, duke kaluar kufirin me Serbinë, policia serbe ka ndaluar një shofer shqiptar. Nga burimet e Indeksonline mësohet se arsyeja e arrestimit ka qenë për shkak se shoferit shqiptar i është gjetur një fëmijë në bagazh.

Në këto momente shoferi shqiptar është duke marrë në pyetje nga policia serbe.

Ndodh në Serbi,gruaja paguan një burrë që t’i vrasë bashkëshortin

SERBI

Një ngjarje e rëndë dhe e rrallë vjen nga Serbia. Policia serbe ka arrestuar Tatjana B. nga Senta në veri të Serbisë me dyshimin se nxiste një burrë për të vrarë burrin e saj.

Kjo ngjarje ka ndodhur mes majit dhe kohës së arrestimit të gruas. Plani i saj ishte të linte derën e shtëpisë të zhbllokuar dhe i sugjeroi vrasësit të gatshëm që të hynin brenda shtëpisë natën dhe ta vrisnin burrin në dhomën e gjumit, ta rrihnin, dhe në fund të bënin sikur në banesë ka ndodhur një grabitje, shkruajnë mediat në shtetin serb.

Ajo i kishte dhënë vrasësit të paguar 1000 euro, kurse i kishte premtuar sedo i japë gjithsej 1600 euro. Ajo u vu në pranga, në momentin që po i jepte vrasësit me pagesë edhe 80 euro, të cilat ishin për një bashkëpunëtor tjetër të vrasësit me pagesë.

Pas arrestimit të saj, Tatjana B. u mor në pyetje dhe u urdhërua të mbahej në arrest për 48 orë. Hetimi për këtë ngjarje vazhdon.

(Balkanweb)

Daçiq: Tërheqja e njohjeve të Kosovës, proces i pandalshëm

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se tërheqja e njohjeve të Kosovës është proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm.

Sipas tij, këtë javë është dashur të shpallet edhe një vendim i ri për tërheqje të njohjes, por Serbia “nuk dëshironte të krijonte shqetësime gjatë kësaj jave”.

“Nuk kemi dashur të dëmtojmë shëndetin e atyre që shkruajnë deklaratat e Kuint-it dhe këtyre në Prishtinë”, ka thënë Daçiq, në një intervistë për televizionin Prva.

Deklarata e ministrit të Jashtëm të Serbisë, bëhet dy ditë pasi vendet e Kuint-it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara), përmes një deklarate kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare.

“Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për tërheqjen e njohjeve kundër Kosovës”, është thënë në deklaratë.

Ministria e Serbisë reagon pas vendimit për mos-ekstradim të Tomor Morinës

Ministria e Drejtësisë në Serbi, Nela Kuburoviq.

Ministrja e Drejtësisë në Serbi, Nela Kuburoviq ka thënë se vendimi i Gjykatës Supreme të Maqedonisë së Veriut, për të mos-ekstraduar ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, në Serbi, sepse nuk janë plotësuar kushtet, tregon edhe njëherë se politika ishte mbi ligjin dhe drejtësinë.

“Ky është një turp i madh për të drejtën ndërkombëtare, por është një goditje akoma më e madhe dhe trishtim i madh për familjet e viktimave, të cilat kanë dekada në pritje të drejtësisë për të dashurit e tyre”, është thënë në një deklaratë të kësaj ministrie.

Kuburoviq ka theksuar se Serbia nuk do të heqë dorë nga kërkimi i autorëve të akteve më të rënda kundër njerëzimit, pavarësisht nga origjina e tyre kombëtare ose etnike, “sepse ne ia kemi borxh viktimave dhe familjeve të tyre”.

Gjykata Supreme e Maqedonisë se Veriut ka vërtetuar vendimin e Këshillit Penal për krim të organizuar dhe korrupsion pranë Gjykatës Penale Shkup, se nuk janë përmbushur kushtet për ekstradimin Morinës në Serbi.

Tomor Morina ishte arrestuar nga policia maqedonase më 24 korrik, në bazë të një fletarresti të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të Serbisë.

Morina dyshohet nga ana e autoriteteve të Serbisë se para 20 vjetëve, si pjesëtar i UÇK-së, ka bërë krime kundër popullatës civile në Kosovë.