VOAL – Prishtinë, 16 qershor – Më 15 qershor 1389, gjatë Betejës së Kosovës ka rënë dëshmor, Sulltan Murati I dhe sot, 626 vjet më pas, ai u përkujtua dje me një ceremoni të organizuar nga Shoqata e Tyrbes së Sulltan Muratit (Meşhed-i Hüdavendigâr dernegi), Organizata për Bashkëpunim dhe Koordinim e Turqisë (TIKA) dhe Komuna e qytetit të Bursës nga Turqia, raporton Anadolu Agency.
Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin zyrtarët e lartë lokal dhe qendror të Kosovës, nga komunitetit turk, ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan, drejtori i TIKA-së, Eyup Umutlu, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, përfaqësues të kontingjentit të Ushtrisë së Turqisë në kuadër të KFOR-it, kryetari i qytetit të Bursës, Rexhep Alltepe (Recep Altepe), kryetari i Komunës Osmangazi në Bursa, Mustafa Dyndar (Mustafa Dündar), si dhe mysafirë të shumtë nga Turqia e Maqedonia.
Ceremoninë përkujtimore të 626 vjetorit të rënies së padishahut Sulltan Muratit të Parë, e hapi kryetari i Shoqatës së Tyrbes së Sulltan Muratit I (Meşhed-i Hüdavendigâr dernegi), Muhammed Ali Yıldırım duke thënë se ky vend i shenjtë është dëshmi e një periudhe të lavdishme historike.
“Vlera e këtij vendi që përcakton fatin e një populli dhe një periudhe historike, së bashku me shiun i cili ra në këtë tokë, dhe e ujiti duke sjell bereqet i cili, në këtë 626 vjetor, e përgatiti këtë tablo që po e shohim sepse, ky shahadet është shahadet i pranuar” tha Yildirim duke falënderuar në veçanti piktorët e kësaj tabloje, ambasadoren e Turqisë në Kosovë, koordinatorin e TIKA-së, si dhe kryetarin e Komunës Osmangazi dhe atë të qytetit të Bursas.
Prof.dr Yusuf Oguzogllu, ekspertë i historisë Osmane dhe profesor i historisë në Universitetin Uludag të Bursës, rikujtoi Betejën e Kosovës ku forcat e shtetit Osman luftuan kundër ushtrive serbe dhe atyre krishtere, duke iu shkaktuar një humbje të madhe.
“Më vonë, edhe burimet serbe e pranojnë këtë disfatë. Fillimisht, rënia dëshmor e Sulltan Muratit kishte krijuar një atmosferë të fitores, megjithatë, dokumentet autentike historike tregojnë se shteti turk kishte krijuar një përparësi të madhe” tha prof.dr.Oguzogllu i cili foli për historinë e Betejës së Kosovës.
Si iniciatorë për fillimin e kësaj beteje ndërmjet të forcave serbe dhe ushtrisë së perandorisë osmane, prof.dr. Oguzogllu e përmend mbretin serb Lazarin i cili, fillimisht kishte zaptuar minierat e arit dhe të argjendit në Kosovë, duke iu dhënë në shfrytëzim minatorëve sakson, si dhe një sasi të konsiderueshme të argjendit, përmes të tregtarëve të Raguzës (Dubrovnikut) e shiste në Venedik.
Në këtë mënyrë, duke shfrytëzuar këtë pasuri të madhe, Lazari synonte të krijonte perandorinë e tij në këtë rajon. Për ta bërë këtë, Lazari filloi të shpenzoi shuma të mëdha të parave duke krijuar manastire me qëllim që Kishën Ortodokse Serbe ta ngrit në nivelin e Patriarkanës dhe të shtrijë ndikimin e tij në rajon, njëherësh duke lidhur aleancë me mbretin bullgar, ortodoksët e Greqisë dhe me mercenarët katolik hungarez, çek dhe tjerë, në mënyrë që të sulmoi Perandorinë Osmane. Duke e parë këtë rrezik, Sulltan Murati I-rë, fillimisht kërcënoi mbretin bullgar dhe e prishi aleancën e tij me mbretin serb Lazarin, kurse nga ana tjetër lidhi aleancë me katër fisnikët shqiptarë të këtyre trojeve për të luftuar kundër ekspansionit serb.
Në fund, profesori Oguzogllu tregon se si me fitoren e Sulltan Muratit I, Perandoria Osmane fillon fuqizimin e saj, jo me dhunë por duke sjell mirëqenie, shkollim, duke ndërtuar rrugë dhe duke krijuar sistem të jetesës, gjë kjo e cila ka zgjatur deri në vitin 1912 kur Perandoria Osmane e humbë Kosovën, të cilën e okupojnë serbët dhe aleatët e saj gjatë luftërave ballkanike.
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi shprehu kënaqësinë dhe nderin që është në mesin e atyre që sot, në komunën e Obiliqit, janë prezent për të nderuar heronjtë, siç e quajti Sulltan Muratin I.
“ T’i nderosh heronjtë dhe dëshmorët, do të thotë ta kujtosh të kaluarën, të punosh për të tanishmen dhe të mendosh për të ardhmen” tha Gashi duke e vlerësuar lartë popullin turk për ndihmën që e ka dhënë në çlirimin e Kosovës, duke qenë pranë aleancës së NATO-së në vitin 1999, si dhe në kontributin e dhënë për ndërtimin e Kosovës së pasluftës. Në veçanti, kryetari i komunës së Obiliqit përmendi bashkëpunimin që komuna e tij e ka me Komunën Osmangazi të Bursës dhe kryetarin e saj, Mustafa Dyndar (Mustafa Dündar).
Ndërkohë, kryetari i Komunës Osmangazi, Dündar shprehi falënderimin e veçantë për të gjithë të pranishmit që në këtë ditë, 626 vjetorin e rënies së Sulltan Muratit I, kanë ardhur për të treguar respektin ndaj tij. Ai tregoi se nga viti 2006, çdo vit organizohen ceremoni përkujtimore, në Bursa dhe në vendin e rënies së tij, në Kosovë.
“Pas pushtimit të Edirnes dhe hapjes së rrugëve për zgjerimin e perandorisë në Ballkan, Sulltan Muratit I-rë në këto treva fitoi zemrat e popujve duke sjell frymën e bashkëjetesës në mirëqenie dhe paqe” tha Dundar duke shtuar se këtë traditë, komuna dhe qyteti i tij i Bursës, po e vazhdojnë edhe sot e kësaj dite duke bashkëpunuar dhe ndihmuar komunën me të cilën janë vëllazëruar, atë të Obiliqit.
Kryetari i qytetit të Bursës, Recep Altepe përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi që sot janë të pranishëm në përvjetorin e 626-të të rënies së heroit kombëtar dhe burrështetasit të madh.
“Neve na ka hije kjo. Dëshirojë që kjo traditë e bukur të vazhdojë dhe çdo vit ta kujtojmë me respekt dhe ta risim këtë manifestim” tha Altepe.
Myftiu i Kosovës, Naim efendi Tërnava, për të kujtuar figurën e Sulltan Muratit I, citoi nga Kur’an-i Kerim.
“Dhe kurrë mos thoni për ata të cilët vdesin në rrugën e zotit se ata janë të vdekur. Jo! Jo, ata janë të gjallë dhe në vazhdimësi të furnizuar me begati të madhit zot” tha myftiu Tërnava duke shtuar se është obligim për ta kujtuar Sulltan Muratin i cili kontribuoi në çlirimin e popullit shqiptar nga okupatori sllav që kishte zaptuar trevat shqiptare duke zbritur nga malet e Rusisë me qëllim që shqiptarët t’i asimilojnë plotësisht duke i zhdukur. “Me ardhjen e Sulltan Muratit, zullumqari i quajtur car Lazar u fshijë nga faqja e dheut” u shpreh myftiu Tërnava duke shtuar se për 500 vjet të tjera , shqiptarët dhe turqit bashkëjetuan dhe bashkë qeverisën këto troje.
Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan, në fillim e falënderoi profesorin e historisë, prof.dr.Yusuf Oguzogllun, për rrëfimin e tij mbi Betejën e Kosovës. Në vazhdim ajo u shpreh se është e lumtur që, vendi ku para 626 vitesh kishte rënë dëshmor padishahu i tretë i perandorisë osmane, Sultan Murati I është shndërruar në një simbol të qetësisë, paqes dhe vëllazërisë.
“Vuajtjet të cilat ja në përjetuar në Ballkan, në këto 100 vitet e fundit, na rikujtuan se sa të rëndësishme janë mirëqenia dhe paqja. Pavarësisht se sa të ndryshëm jemi për nga feja dhe etnia, nëse njëri ndaj tjetrit tregojmë respekt dhe mirëkuptim, do të kuptojmë se sa e vlefshme është paqja dhe sa duhet të ruhet ajo” tha ambasadorja Ozan.
Ajo shtoi se kjo ditë e përkujtimit të Sulltan Muratit I është ditë e cila ka tubuar vëllezërit nga Kosova dhe Turqia, me çka dëshmohet lidhja e gjatë dhe pamohueshme ndërmjet dy popujve mik dhe vëllazëror, ndër shekuj, gjë e cila është dëshmuar si para luftës së Kosovës ashtu edhe pas saj, me kontributin e shtetit të Turqisë në rindërtimin e Kosovës.
Komentet