VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Trungu i familjes mbretërore saudite

By | November 8, 2018

Komentet

11 e 14 janar 1990 – Shkodra e demokracia – Nga Fritz RADOVANI

TRADHTARËT E ATDHEUT NEN MASKEN E “HARRESËS” PO SHESIN TROJET SHQIPTARE DHE PO SHFAROSIN POPULLIN SHQIPTAR.
SHKODRA ISHTE QË NË 1911 DJEPI I LIRISË DHE I DEMOKRACISË !
TRADHTARËT PO “HARROJNË” DEMOKRATIN E MADH SHKODRANË QË PUNOI GJITHË JETEN PER PAMVARSINË, LIRINË E KULTUREN TONË, TË PAVDEKSHMIN LUIGJ GURAKUQI.

PO “HARROHET” DEMOKRATI I PARË SHQIPTAR MARK ÇUNI, QË PA U PERFUNDUE ENDE LUFTA E DYTË BOTNORE, FORMOI ORGANIZATEN E PARË ANTIKOMUNISTE “BASHKIMI SHQIPTAR” PER ZGJEDHJE TË LIRA DHE SHQIPNI DEMOKRATIKE, PA NDASI FETARE E DIKTATURË.
PO PUNOHET ME U SHUE EMNI I RIN MONAJKËS (DUKAGJINI), FIGURË E PASTER DHE BURRNORE, PASQYRË E KULTURËS DEMOKRATIKE PER TË GJITHË RININË E TROJEVE SHQIPTARE, PA ASNJË NJOLLË GJAKU SI TË GJITHË PARAARDHËSIT DHE MBASARDHËSIT FISNIKË E TRIMA.
VETEM TRADHTARËT E POPULLIT SHQIPTAR, POPULLIT BESNIK DHE PASUES I GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT, KERKOJNË ME I FSHIJ ME TË GJITHA MJETET FIGURA AQ TË MËDHA DHE ME VIRTYTE SHPIRTNORE E ATDHETARE SI KËTA BURRA QË DHANE JETEN PER FLAMURIN HEROIK KUQ’ ZI QË, VALVITET TASH SA SHEKUJ NË KËSHTJELLEN ROZAFAT, HOT E GRUDË E DERI NË KULLAT E VERMOSHIT E KELMENDIT BURRAVE…
NJË PERPJEKJE SHEKULLORE EDHE KJO… PA FRYT E ME TURP…
Melbourne, 20 Janar 2019.

Disa foto që i shtojnë dyshimet mbi vetëvrasjen e Mehmetit – Nga XHEVDET SHEHU

Ngacmimin për këtë shkrim mbi fundin e Mehmet Shehut ma dhanë disa foto të panjohura dhe të publikuara dje nga D.Kaloçi.

Ka afro 30 vjet, mbase 38 që në kohën që u krye akti, që pyetet pambarimisht: Vrau veten apo e vranë Mehmet Shehun në natën midis 17 dhe 18 dhjetorit 1981?

Unë kam qenë gjithnjë dyshues në fundin e Mehmet Shehut. Më shumë kam anuar dhe anoj nga vrasja se sa nga vetëvrasja. Këto i kam shkruar në një libër me titullin “Prapaskena” të botuar katër vjet më parë. Fotografitë e botuara dje në “Tema” ma përforcuan këtë bindje. Një bindje që e kanë dhe shumë njerëz të tjerë, ish-bashkëluftëtarë të Mehmetit dhe simpatizantë të tij, që vazhdimisht pyesin më shumë veten se të tjerët: Kush e shkrehu koburen?

Pse fotografitë e publikuara dje e shtojnë më shumë dyshimin?

Shikoni fotografinë ku pranë krevatit ku flinte Kryeministri ndodhen edhe këpucët me qafat tij. Kush mund ta besojë se Kryeministri shkonte me këpucë deri te krevati?

***

Në mbrëmjen e ftohtë të 18 dhjetorit 1981, ndërsa binte një shi i rrëmbyeshëm dhe qielli çahej shpesh nga rrufetë,  TVSH i filloi lajmet e orës 20 me një njoftim të pazakontë:

“Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë, Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë njoftojnë se natën duke gdhirë 18 dhjetor 1981, në një moment krize nervore, shoku Mehmet Shehu, anëtar i Byrosë Politike të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, vrau veten”.

Kaq ishte lajmi. Më tej vijoi një nekrologji e shkurtër që zgjati ndonjë minutë dhe më tej u kalua në lajme të tjera nga vendi. Më pas u dha një telekomedi. Mirëpo lajmi i vdekjes së Kryeministrit i mpiu të gjithë dhe i la pa gojë. Askush nuk  guxonte të përmendte emrin e tij apo të shtonte ndonjë fjalë më shumë në atë histori, deri sa ndonjë vit më vonë Enver Hoxha bëri një “Tablo sinoptike” ku e shpalli ish-krahun e tij  të djathtë armikun më të rrezikshëm të partisë dhe të popullit, poliagjent etj.

Mirëpo, pas përmbysjes së regjimit komunist filloi të flitej gjithnjë e më shumë mbi atë çfarë kishte ngjarë atë natë dhjetori 1981. Të tërheq vëmendjen fakti se figura e Mehmet Shehut, kryeministrit më jetëgjatë të Shqipërisë, pas përmbysjes së regjimit komunist ka qenë në mënyrë të pakrahasueshme vazhdimisht e pranishme në shtypin shqiptar. Fundi tragjik i ish-kryeministrit është njëra nga arsyet. Por ndoshta se misteri i asaj nate mund të shpjegonte shumë enigma të viteve të diktaturës komuniste. Vrau veten (sipas versionit zyrtar) apo e vranë? Kjo është pyetja që vazhdon të bëhet dhe që ngjall diskutime të llojllojshme.

Mbledhja e stërgjatur e Byrosë Politike më 17 dhe 18 dhjetor 1981, dhe fundi tragjik i Mehmet Shehut në natën midis, edhe pse kanë kaluar më shumë se tri dekada, vazhdon të ngjallë kureshtje, të diskutohet e shkruhet me një interesim të jashtëzakonshëm në shtypin shqiptar dhe të debatohet në mjedise të ndryshme.

Ish-kryeministri Mehmet Shehu nuk e ka vrarë veten! Ky pohim në shtyp i shefit të rojeve personale të Mehmet Shehut tërhoqi menjëherë vëmendjen e opinionit shqiptar në mes të qershorit 1993. Në një intervistë të tij ato ditë, Ali Çeno bëri përpjekjen e parë për të zbardhur sadopak misterin e madh të asaj nate të dhjetorit 1981… Më saktë, të kthente gjithçka përmbys mbi sa ishte thënë deri atëherë. Megjithëse kishin kaluar 12 vjet, ngjarja vazhdonte të ruante të gjallë kureshtjen e njerëzve, ndoshta për shkak të intrigës së madhe që mendohet se fshihet pas saj.

Duke folur për natën e fundit të Mehmet Shehut, ish-shefi i rojeve tregon se ka qenë me shërbim para vilës së tij atë natë dhe se nuk ka dëgjuar asnjë të shtënë e nuk ka vënë re lëvizje të dyshimta. Ai thotë se arma që vrau Mehmet Shehun nuk ishte ajo që u gjend pranë kufomës së tij, por një tjetër me silenciator (heshtues). Çeno thotë se dikush mund të ketë hyrë në vilën e ish-kryeministrit nga korridori i fshehtë i tuneleve të nëndheshme.

Ndërsa ish-oficeri i Sigurimit të Shtetit, Kristofor Martiro, pjesëtar i grupit hetimor për ekspertizën e vdekjes së Mehmet Shehut, këmbënguli deri në fundin e jetës së tij në vrasjen e ish-Kryeministrit. Duke pirë kafe tek ish-godina e SHQUP-it, (tani seli e PD-së) më ka sjellë një sërë argumentesh që hedhin poshtë versionin e vetëvrasjes.

“I pari që e kundërshtoi versionin zyrtar për vetëvrasjen e Mehmetit ishte Llambi Ziçishti, asokohe ministër i Shëndetësisë. I  pranishëm në vendngjarje që në momentet e para, ai ishte shprehur se kryeministrin e kishin vrarë. Këtë e kishte konsumuar së pari me grupin e ekspertëve që këqyrnin kufomën, pastaj me rrethin e miqve dhe shokëve të besuar. Ky opinion i Ziçishtit, pavarësisht se më vonë e tërhoqi nga presionet në qeli, më vuri në një llojtundimi sa njerëzor, aq edhe profesional. Megjithatë, për rrethanat delikate ku punoja, nuk mund të shprehja as dyshimin më të vogël  për atë që ishte saktësuar zyrtarisht”,- më ka treguar Martiro.

Më tej, Martiro tregonte se gjatë procesit të hetimeve, si ai, edhe grupi, kanë konstatuar prova të besueshme se kryeministrin e kishin vrarë.

“Këtë për mua nuk e luan topi, pavarësisht alibive të shumta që janë hedhur në treg gjatë kësaj periudhe”. Sipas tij këtë e konfirmojnë: “Pamja e trupit të Shehut e shtrirë në krevat me syze, mbuluar me batanije deri në fyt, me duar të mbledhura mbi gjoks, me pistoletë mbi krahun e djathtë, nuk të afron kurrë në një situatë vetëflijimi. Nga përvoja ime, sasia e paktë e gjakut që pashë kur zbulova mbulesën e krevatit, më bindi edhe më shumë për idenë e një vrasjeje. Shumë vite më parë kur isha në Degën e Brendshme të Korçës, pata rastin të drejtoja grupin e ekspertëve që këqyrën trupin e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, Zenun Shahollari, që kishte vrarë veten. Gjithçka në zyrën e tij ishte mbuluar me gjak. Po këtë skenë e kam parë kur vrau veten Pirro Gusho, ish-anëtar i Komitetit Qendror dhe sekretar i Parë për rrethin e Fierit… Në rastin e Shehut binte në sy vetëm një njollë gjaku. Po kështu, mënyra se si ishte regjistruar në akt-ekspertizë rruga që kishte përshkruar plumbi, të lë të kuptosh se kemi të bëjmë me manipulim të provave reale”, – thoshte Martiro.

Historiani Pëllumb Xhufi beson në versionin e vetëvrasjes. “Nuk do të mund ta mendoja kurrë një veprim ndryshe të Shehut. Iku për t’i shpëtuar poshtërimit. Vetëvrasja ishte e vetmja formë që mund t’i jepte zë protestës së tij. Sigurisht, ishte një gjest i fuqishëm, por edhe shumë njerëzor”, thotë ndёr tё tjera Xhufi.

Duke gdhirë 18 dhjetori i vitit 1981 qielli çahej pamëshirshëm nga vetëtimat dhe gjëmimet, ndërsa një shi i acartë binte pareshtur në Tiranë dhe gjithë vendin. Dajti kishte hedhur një pelerinë resh të errëta, ndërsa horizonti perëndimor, andej nga deti, dukej sikur ulërinte dhe sa s’pëlciste nga rrufetë… E pikërisht, në këtë kohë,mu në zemër të kryeqytetit në një nga dhomat e vilave kryesore të Bllokut komunist, në orët e para të mëngjesit, një krismë pushke plotësoi simfoninë e gjëmimeve dhe bubullimave të asaj nate të lemerishme. Kryeministri i Shqipërisë, Mehmet Shehu, jepte shpirt dhe fundosej në humbëtirën e pashmangshme të botës së përtejme me jehonën e një krisme pushke.

Përmes shkreptimave dhe vetëtimave dhe në korin e gjëmimeve dhe bubullimave që nuk do të reshtnin as të nesërmen, ai do të përcillej pa asnjë nderim disa orë më vonë për në banesën e fundit. Me pjesëmarrjen e 4-5 vetëve të rrethit më të ngushtë familjar dhe ca pak zyrtarëve të Kryeministrisë, kjo ishte ceremonia funebre për tё pёrcjellё një njeri, që në këtë rast qëlloi të ishte Kryeministri më jetëgjatë në detyrë i Shqipërisë moderne…

Mbase ky ka qenë fundi i parashikuar, i ëndërruar dhe dëshiruar prej vetë Mehmetit…

Vështruar nga një distancë kaq e kargët, nuk është e vështirë të dallosh se Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu janë dy figurat më të rëndësishme e më të spikatura të diktaturës komuniste. Ata ishin shtyllat që e kishin mbajtur në këmbë atë regjim.

Ata ishin të jashtëzakonshëm, gjëmimtarë e dhétundësa, dhe si të tillë bënë epokë. Në këngët e kohës emrat e tyre gjenden shumë shpesh së bashku. E, ashtu, të lidhur pazgjidhshmërisht e fatalisht me njëri-tjetrin, ata mbetën edhe pas vdekjes. Njëri nuk kishte dhe nuk ka kuptim pa tjetrin. Enveri nuk bënte dot pa Mehmetin… Mehmeti (ndoshta) mund të bënte pa Enverin, pas Enverit. Por kjo mbeti vetëm hipotezë.

Ata ishin vëllezërit siamezë të një sistemi që e ngritën dhe mbajtën në këmbë vetë. E, sikurse thonë mjekët, kur vdes njëri nga vëllezërit siamezë, automatikisht dhe pashmangshmërisht vdes edhe tjetri. Ata janë bashkautorë dhe bashkëpërgjegjës për atë sistem, për luftën antifashiste dhe diktaturën unikale, për arritjet dhe dështimet, për burgjet dhe internimet, për elektrifikimin dhe arsimimin, për emancipimin shoqëror dhe njëherësh degradimin, për izolimin dhe pushkatimet, për bunkerët dhe hidrocentralet, për ateizmin dhe kultin që krijuan…

Por këta ‘vëllezër siamezë’ përfunduan si Kaini me Abelin në rrëfimet biblike.

E vërtetë është se eliminimi i Mehmetit, (vetë)vrasja e tij, shkaktoi një thyerje të rëndë dhe të pariparueshme në ashtin kryesor të sistemit. Kjo thyerje nuk u shpall kurrë zyrtarisht, por ishte e dukshme në të gjitha drejtimet. Shteti u zbeh, humbi ekuilibrin, filloi tatëpjetën e pakthyeshme dhe të pandalshme.

Tërheqja e këmbëzës dhe krisma e asaj arme në natën e 17-18 dhjetorit 1981 ishte goditja fatale, pashmangshmërisht vdekjeprurëse, që mori sistemi komunist në Shqipëri dhe vetë Enver Hoxha. Sepse, në të vërtetë, me (vetë)vrasjen e Mehmetit, mori fund edhe Enveri.

Në një letër të gjatë që bashkëshortja e Enver Hoxhës, Nexhmije Hoxha, më ka dërguar pasi kishte lexuar librin tim “Prapaskena” më ka shkruar në vitin 2015 ndër të tjera:

“Unë, duke qenë pranë Enverit natë e ditë, jam dëshmitarja e vetme sa e thellë ishte tronditja shpirtërore e Enverit për vetëvrasjen e papritur të Mehmetit. Që në momentet e para të njohjes së lajmit të hidhur, mbeti i habitur, duke përsëritur pyetjen, sikur ia bënte vetes: “Pse e bëri këtë Mehmeti? Pse ma bëri këtë Mehmeti!?”

Pas leximit të letrës që i la Mehmeti, unë jam dëshmitare për angazhimin e tij total, për të parë qartë pse Mehmeti zgjodhi këtë akt ekstrem të vetësakrifikimit e pas hetimeve e reflektimit me përgjegjësi të lartë, erdhi zemërimi i njohur i Enverit në fjalimet e shkrimet e tij, i prekur e i zhgënjyer thellësisht nga mënyra më e keqe që zgjodhi Mehmeti për t’ia shpërblyer Enverit gjithë ndihmën që i kishte dhënë sa herë kishte gabuar, besimin që kishte treguar duke e ngarkuar në funksionet më të larta shtetërore partiake, politike, ekonomike e ushtarake, për miqësinë e shoqërinë e sinqertë ndaj tij, si shok e vëlla, ndaj Fiqretit e gjithë familjes së tij.

Unë, duke parë e ndjerë gjithë mobilizimin total e punën intensive të Enverit, në zhvillimet e reja që u krijuan, nga ana politike, organizative etj., kam deklaruar me dhimbje se:

“Nuk është Enveri që vrau Mehmetin, por është Mehmeti që vrau Enverin”.

Në fakt, pas vetëvrasjes së Mehmetit, në dhjetor 1981, gjendja shëndetësore e Enverit, me sëmundjen e rëndë të zemrës, mori tatëpjetën deri sa mbylli sytë në prill të vitit 1985.”

Kështu ka shkruar Nexhmije Hoxha.

Ramiz Alia pati fatin të jetonte gjatë dhe të shikonte e të përballej me reagimet dhe dëshmitë kundër për këtë ngjarje. Ndaj dhe në një farë shkalle bëri një lloj purifikimi të ndërgjegjes nga fundi i jetës, duke thënë ca të vërteta që nuk do të guxonte kurrë t’i shprehte më përpara, të cilat në fakt përgënjeshtrojnë ato që kishte thënë Enveri…

Ramiz Alia e pohoi tërthorazi pak para se të vdiste, në librin e tij me kujtime “Jeta ime”, të botuar në vitin 2010, afro 30 vjet pas eliminimit të Mehmetit. Me mënyën e tij dhe stilin gjithnjë evaziv, ja çfarë shkruan Ramiz Alia:

“Nuk jam në gjendje të them asgjë lidhur me mendimet që ka pasur M. Shehu, a ka “ëndërruar”, dhe në veçanti a ka vepruar, që të marrë pushtetin. Nga zhvillimi i ngjarjeve, por edhe duke pasur parasysh mentalitetin dhe qëndrimet e tij, jam i prirur të besoj se M. Shehu, vazhdimisht ka pritur rastin për t’u bërë njeriu i parë në Shqipëri. Por a e synonte këtë gjë duke projektuar edhe përmbysjen e vrasjen e vetë E. Hoxhës apo priste vdekjen e tij natyrale, këtë gjë nuk mund ta them me siguri. Nga analiza që ka bërë E. Hoxha në “Tablonë Sinoptike”, rezulton se Shehu, sidomos vitet e fundit, i nxitur nga agjenturat e huaja, ka vepruar që të merrte pushtetin sa më parë, duke planifikuar edhe zhdukjen fizike të Enverit. Ky konkluzion, është arritur më tepër duke lidhur e interpretuar ngjarje të veçanta, por pa iu referuar fakteve konkretë. A do të dalin ndonjëherë fakte të tillë, dokumente të agjenturave të ndryshme të spiunazhit, që të zbulojnë zhvillimin e vërtetë të ngjarjeve? Derisa dokumente të tilla nuk ka, për M. Shehun mendimet janë të ndryshme: Disa, duke menduar se me vetëvrasjen e tij M. Shehu diçka donte të “mbulonte”, kanë të drejtë të besojnë se ai me ndërgjegje ka vepruar kundër E. Hoxhës dhe ka qenë në shërbim të të huajve. Të tjerë, në mungesë të dokumenteve, mendojnë se Shehu e vrau veten, jo sepse ishte agjent i të huajve, por sepse ishte “me sedër e krenar” dhe nuk duronte “dënimin” publik.” (R. Alia “Jeta ime”, faqe 301-302).

Dhe menjëherë në paragrafin pasardhës, Ramiz Alia, pasi ka marrë vesh të gjitha gjykimet, hamendësimet dhe konkluzionet me atë ngjarje të paharruar, duket se është i sinqertë kur në fund të jetës së tij thotë këtë të vërtetë për Mehmetin:

“Sidoqoftë, me vetëvrasjen e tij, M. Shehu i bëri një dëm shumë të madh partisë. Jo vetëm tek komunistët, por sidomos në masat e njerëzve, u shfaq një shqetësim i justifikuar. M. Shehu, ishte një personalitet i njohur dhe i nderuar, si për luftën e tij për çlirimin e vendit nga fashizmi (kush nuk e njihte Komandantin legjendar të Brigadës së Parë!), ashtu edhe kryeministër i vendit për gati 28 vjet me radhë. Nuk kishte krahinë e zonë të Shqipërisë, ku nuk kishte shkelur këmba e tij. Nuk kishte vepër industriale a bujqësore të njëfarë rëndësie, që të mos kishte vizituar kryeministri. Nuk kishte krahinë që në festën e saj, të mos e ketë pasur pjesëmarrës Mehmet Shehun!” (Po aty, faqe 302).

Mirëpo, kush e hoqi këmbëzën e revolverit atë natë për t’i marrë jetën Mehmet Shehut? Një njeri që vret veten nuk mund të gjendej në atë gjendje të qetë, të padeformuar nga ngërçi i fundit, thuajse ëndërrimtare, dhe me syze… Vërtet nuk i hiqte syzet Mehmeti kur flinte?

Më 20 janar 1940 u mbajt konferenca në Wansee, ku nazistët vendosën “për zgjidhjen përfundimtare të çështjes hebreje” – Nga Fulvio Caporale

Vila në afërsi të liqenit Wannsee, ku u zhvillua konferenca

“Zgjidhja përfundimtare” ishte një formulë e tmerrshme gjuhësore e shpikur nga nazistët për të përpunuar një plan që parashikonte emigrimin, skllavërinë dhe shfarosjen e një pjese të popullit hebre që jetonte në territoret e pushtuara nga ushtria gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Me qëllim të realizimit të këtij plani Adolf Hitleri i kërkoi Marshallit Herman Göring të bëjë organizimin logjistik dhe ushtarak për t’i deportuar të gjithë njerëzit me origjinë hebreje në një vend të paracaktuar.

Herarku nazist Hermann Göring

Goering urdhëroi Reinhard Heydrich, oficeri SS, kreu Reichssicherheitshauptamt (emri i plotë i Zyrës së “RSHA” Qendrës së Sigurisë, e cila ka kryer funksionet e spiunazhit, kundërzbulimit dhe zbatimin e ligjit në territoret e Rajhut) dhe guvernatorit të protektoratit të Bohemisë dhe Moravisë për të organizuar një konferencë, në të cilën të diskutohej se si të fillohej zgjidhja përfundimtare e çështjes hebreje dhe në këtë mënyrë të thirreshin të gjitha personalitetet që do të duhej të përfshinin ministritë dhe institucionet e Rajhut për të bërë eksodin dhe gjenocidin më të madh në histori.

Konferenca u mbajt më 20 janar 1942 në një vilë pranë Liqenit Wannsee jo shumë larg nga Berlini. 15 hierarkë të qeverisë naziste morën pjesë:

Reinhard Heydrich, Shefi i Policisë së Rajhut, Shefi i Shërbimit të Sigurisë dhe Shërbimit Informativ dhe Guvernatorin e Protektoratit të Bohemisë dhe Moravisë.

Alfred Meyer, Sekretari i Shtetit i Ministrisë së Territoret Lindore nën domenin e qeverisë gjermane.

George Leibbrandt, Shef i Departamentit Politik të Ministrisë së Territoret Lindore nën domenin e qeverisë gjermane.

Wilhelm Stuckart, Sekretar i Shtetit i Ministrisë së Brendshme.

Erich Neumann, drejtor i departamentit për planin katërvjeçar.

Roland Freisler, Sekretare e Shtetit e Ministrisë së Drejtësisë.

Josef Bülher, Sekretar i Shtetit të Guvernatorit të Përgjithshëm.

Martin Luther, nënsekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Gerhard Klopfer, Sekretar i Kancelarit të Rajhut.

Friedrich Wilhelm Kritzinger, Drejtor i Përgjithshëm i Kancelarisë së Rajhut.

Otto Hofmann, Udhëheqës i Zyrës Qendrore për Gara dhe Kolonizim.

Heinrich Müller, Udhëheqës i Gestapos.

Adolf Eichmann, sekretar i konferencës dhe kreu i Departamentit të Gestapo B4.

Karl Eberhard, komandant i policisë dhe Shefi i Shërbimeve të Sigurisë të Guvernatorit të Përgjithshëm.

Rudolf Lange, Komandant i Policisë dhe Shef i Shërbimeve të Sigurisë në Letoni.

Konferenca e Wannsee – ftesa dërguar nga Reinhard Heydrich për Martin Luther

 

Heydrich hapi takimin me një fjalim hyrës të gjatë për strategjitë politike dhe organizative të miratuara deri atëherë nga Qeveria gjermane për transferimin e hebrejve që jetonin në kontinentin evropian në një zonë të caktuar. Fillimisht kishte qenë e planifikuar të dërgoheshin në Madagaskar, si një vend mërgimi, por më vonë, kryesisht për shkak të zhvillimeve që po merrte lufta, u vendos që hebrejtë të dërgohen në kampet e përqëndrimit në Evropën Lindore në mënyrë që të përdoren si krah pun e lirë në gjitha strukturat operacionale dhe industriale që shërbenin për të mirëmbajtur makinerinë e luftës, ata do të merreshin edhe me ndërtimin e rrugëve, veçanërisht në ato vende të Evropës Lindore ku mungonin punonjës të aftë dhe të kualifikuar në fabrikat dhe industritë e territoreve të pushtuara dhe Rajhut.

Këta të fundit nuk do të evakuoheshin derisa të zëvendësoheshin nga punonjës me të njëjtin nivel kualifikimi. Nuk përmendet, në fakt, në raportin e konferencës (e vetmja kopje e ruajtur i përkiste Martin Lutherit, nënsekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme, por ato janë shkruar 30 kopje) nuk përmendet shfarosja, nuk përmenden armët ose metodat e shtypjes së hebrejve, por është identifikuar deportimi dhe puna e detyruar si metoda më efektive për të bërë një përzgjedhje natyrore të të burgosurve. Hebrejtë që jetonin në Evropë ishin rreth 11 milionë, kështu që kjo do të ishe shifra e dëbimit.

Gjatë punës së konferencës në Wannsee u diskutua se si, në vende të ndryshme evropiane të pushtuara nga ushtria gjermane, do të jetë e nevojshme për të realizuar sa më shpejt emigrimin e detyruar të njerëzve me origjinë hebraike: ishte verifikuar prania e hebrejve në të gjitha vendet evropiane dhe u përcaktuan vështirësitë në organizimin e emigrimit të detyruar në mënyrë efektive në Rumani, ku ishte më e lehtë për të blerë në mënyrë të paligjshme dokumente false dhe në Hungari, ku ende nuk ishte emëruar kreu i çështjes hebreje. Në Francë ai u vuri në dukje se nuk ka pasur probleme të mëdha në sajë të bashkëpunimit të qeverisë së Vichy ndërsa Bohemia dhe Moravia, e sunduar nga Heydrich, duhet të kenë qenë fushat e para në të cilat për të aplikuar zgjidhje përfundimtare. Italia dhe Spanja gjithashtu do të bashkëpunonin pa vështirësi në sajë të lidhjes së fortë me nazistët.

Konferenca përfundoi me kërkesë të Heyndrich për të gjithë pjesëmarrësit, për të ndihmuar menjëherë me zellin e tyre dhe njohuritë e tyre për të realizuar këtë projekt sa më shpejt dhe në mënyrë efektive. Dhe është me interes të theksohet se puna e detyruar e personave me origjinë hebreje është përdorur edhe nga industria gjermane, e cila pas luftës ka arritur një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe ku kërkohet të fshihet fakti se u përdorën skllevër për të realizuar prodhimet e tyre. Ka shumë libra që tregojnë cilat kompanitë ishin të përfshira dhe ia vlen t’i lexosh për të kuptuar shkallën e komprometimit që populli gjerman pati me trajtimin e rezervuar nga nazistët ndaj popullit hebre./VOAL

 

 

Le Radical, 1914 – Ismail Qemali, princ Vidit : “Do t’ju shërbej me të njëjtën besnikëri që i kam shërbyer vendit tim.”

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Janar 2019

 

“Le Radical” ka botuar, të martën e 16 qershorit 1914, në faqen n°3,  një shkrim në lidhje me telegramin e Ismail Qemalit dërguar asokohe princ Vidit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Në Shqipëri

Ismail Qemal beu i dërgon një telegram princit të Shqipërisë

 

Vjenë, 15 qershor. – Sipas Korrespondencës Shqiptare, Ismail Qemal beu i dërgoi princit të Shqipërisë, para se të nisej për në Vlorë, një telegram në të cilin e suguron atë se ai do të kalonte pjesën tjetër të ditëve të tij duke i shërbyer sovranit me të njëjtën besnikëri që i kishte shërbyer vendit të tij.

 

Vetëvrasja e Mehmetit – Letrat sekrete të Enverit për Hetuesinë: Ja pyetjet që duhet t’i bëni Fiqret Shehut

Publikohen letrat sekrete të Enver Hoxhës të shkruara me dorën e tij në një bllok shënimesh në vitin 1982, në lidhje me pyetjet që hetuesit e Grupit Sepcial të Hetuesisë duhet t’i bënin Fiqret Shehut, e cila së bashku me dy djemtë e saj, Skënderin dhe Bashkimin, mbahej e izoluar nën masa të rrepta sigurie në një nga qelitë e Repartit 313 në Tiranë, i njohur ndryshe, si kaushi.

 

Çfarë i kërkonte Enveri asaj të depononte për Mehmetin dhe si i modifikonin hetuesit më pas pyetjet që duhet t’i bënin edhe disa pjestarëve të tjerë të atij “grupi armiqësor”?!

Nga Dashnor Kaloçi/ Plot 36 vjet më parë, në janarin e 1983-it, në “Repartin 313” të Tiranë, apo siç njihej ndryshe “Burgu i vjetër i Tiranës” (afër stacionit të trenit) filloi intesifikimi i procesit hetimor ndaj të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut” që akuzoheshin si bashkëpunëtorë të ngushtë të “poliagjentit Mehmet Shehu”, ku bënin pjesë edhe Feçor Shehu, (ish-zv/ministër i Brendshëm dhe Drejtor i Sigurimit të Shtetit), Nesti Nase, (ish-ministër i Punëve të Jashtëme), Llambi Ziçishti, (ish-ministër i Shëndetësisë), Llambi Peçini, (ish-drejtor në Sigurimin e Shtetit për ruajtjen e sigurinë e personaliteteve të udhëheqjes), Mihallaq Ziçishti, (ish-zv/ministër i Brendshëm), Fiqret Shehu (bashkëshortja e Mehmetit), Ali Çeno, (ish-komandant i grupit të shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu), Gani Kodra, (ish-funksionar në Sigurimin e Shtetit), Xhavit Ahmetaga (berber në Hotel Dajti), Skënder dhe Bashkim Shehu, etj. Lidhur me këtë ngjarje tashmë të njohur dhe të shumpërfolur vetëm pas viteve ’90-të me shëmbjen e regjimit komunist u bë e mundur publikimi dokumenteve arkivore me proces-verbalethetimore dhe gjyqësore si dhe disa dëshmi të dhëna nga ish-pjestarë të atij “grupi armiqësor”, duke hedhur dritë e dëshmuar mbi akuzat që u bëheshin atyre si dhe dëshmitë e të pandehurve. Pjesë e tyre janë edhe këto dokumente mjaft të rralla dhe autentike që po botojmë në këtë shkrim, të cilat po i publikojmë në vazhdën e atyre dhjetëra e dhjetëra dokumenteve dhe materialeve të ndryshme arkivore, të cilat i kemi pasqyruar prej vitesh në faqet speciale të rubrikës dossier.

Dokumentet në fjalë, janë disa letra në dorëshkrime të shkruara nga ish-diktatori komunist Enver Hoxha me dorën e tij, ku ai ka formuluar një sërë pyetjesh për Fiqret Shehun dhe veprimtarinë armiqësore të bashkëshortitit të saj, ish-kryeministrit shqiptar Mehmet Shehu, i cili vetëm pak kohë më parë, në mëngjesin e 18 dhjetorit të vitit 1981, u gjet i vdekur nga plumb-a pistolete në dhomën e tij të gjumit në vilën e re të “Bllokut” ku ai banonte. Këto dorëshkrime të Enver Hoxhës me pyetjet përkatëse për Fiqretin, i përkasin periudhës së fillimit të vitit 1982, pak kohë pas vetëvrasjes (sipas versionit zyrtar) të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, kur bashkëshortja e tij Fiqreti, së bashku me dy djemtë, Skënderin dhe Bashkimin, ishin arrestuar dhe mbaheshin të izoluar në burgun 313 të Tiranës, të akuzuar si “bashkëpunëtorë të armikut Mehmet Shehu”.

Bashkë me këto letra origjinale të shkruara nga ish-diktatori komunist i Shqipërisë, po publikojmë edhe disa nga process-verbalet hetimore, në ngarkim të Fiqret Shehut, të bëra kryesisht në periudhën mars-qershor të vitit 1982, kur ajo mbahej e izoluar në qelitë e Repartit 313, siç quhej asokohe burgu i vjetër i Tiranës që ndodhet edhe sot fare pranë Arkivit Qëndror të Shtetit.

 

PYETJET E ENVERIT ME SHKRIMIN E TIJ

Dorëshkrimet e Enver Hoxhës, me pyetjet që ai ka hartuar e përpiluar në fillimin e vitit 1982, për Fiqret Shehun, janë të shkruara me stilograf (bojë blu “Pelican”), në disa fletë blloku shënimesh me katrorë, (apo siç quhen ndryshe nga nxënësit: fletrore matematike), të cilat Enveri i praktikonte shpesh. Mbajtja e shënimeve nga ana e Enver Hoxhës në blloqe të tillë me katrore, veç të tjerash konfirmohet edhe nga faksimilet e shënimeve të tij të botuara edhe në albumin luksoz me ngjyra, që iu kushtua pas vdekjes së tij, ku pjesa më e madhe e shënimeve janë të shkruara në të tilla blloqe. Në krye të faqes së parë të dorëshkrimeve të Enver Hoxhës është shkruar:

“Pyetje për Fiqret Shehun” dhe më pas janë radhitur pyetjet e shkruara në formë poezish, duke u vënë edhe numrat përkatës nga njëshi e me radhë. Disa nga pyetjet, si p.sh. katra apo gjashta, kanë dhe disa nënpyetje, të cilat Enver Hoxha i ka vënë me gërma nga a-ja tek d-ja. Ajo që bie në sy, po të shihet ana formale e radhitjes së pyetjeve, është se pas pyetjes së katërt, e cila është ndarë në pesë nënpyetje nga a-ja tek e-ja, Enveri nuk është treguar shumë i vëmëndshëm, pasi i vazhdon pyetjet e tij duke filluar përsëri nga numri katër. Pra, në pyetjet e tij janë dy pyetje me numrin katër.

Pyetjet e Enverit i transmentonte Ramizi me Nexhmijen

Por, ajo që ka më shumë rëndësi në letrat me dorëshkrimet e Enver Hoxhës, nuk është renditja apo radhitja e tyre, por mënyra se si ato përcilleshin deri tek hetuesit, që ishin caktuar në Grupin Special të Hetuesisë së Përgjithshme, për të zhvilluar procesin hetimor në ngarkim të “Grupit armiqësor të Mehmet Shehut”, ku, përveç Fiqret Shehut dhe dy djemve, Skënderit e Bashkimit, bënin pjesë dhe një numër i madh ministrash e funksionarësh të tjerë të lartë të cilësuar si bashkëpunëtorë të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, si Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Nesti Nase, Llambi Ziçishti, Llambi Peçini, Mihallaq Ziçishti, Fiqret Shehu, Ali Çeno, Gani Kodra, Xhavit Ahmetaga etj.

Sipas dëshmive të njërit prej ish-hetuesve të atij procesi hetimor, (i cili ka preferuar të mbetet anonim), në lidhje me këtë problem, bëhet e ditur se Enver Hoxha nuk kishte përpiluar pyetje vetëm për Fiqret Shehun, por edhe për disa nga “kokat” e tjera të atij grupi, si Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase e ndonjë tjetër. Po sipas dëshmisë së këtij hetuesi, bëhet e ditur se pyetjet e përpiluara nga Enver Hoxha në adresë të personave të sipërpërmendur nuk kalonin drejtpërsëdrejti tek hetuesit e Grupit Special të Hetuesisë së Përgjithshme, por ato kalonin disa shkallë hierarkike të regjimit të asaj kohe. Lidhur me këtë, ish-hetuesi në fjalë, tregon se janë tre variante me të cilat pyetjet e Enver Hoxhës mund të kenë mbërritur tek hetuesit.

Varianti i parë, sipas tij, është ai që: Enveri ia ka komunikuar ato njeriut më besnik të tij, Ramiz Alisë dhe më pas Ramizi ka thërritur Kryehetuesin e Republikës të asaj kohe, Qemal Lame, duke ia dhënë me shënime, ashtu siç i merrte nga Enveri. Varianti i dytë është ai që: Enveri ia ka besuar ato Nexhmijes, e cila mund dhe duhet të ketë qenë bashkëpunëtore në hartimin e përpilimin e atyre pyetjeve dhe më pas ato janë transmetuar shkallë-shkallë deri sa kanëmbërritur tek hetuesit e Grupit Special të kryesuar nga Sokol Spiro Koleka, Thoma Tutulani e Pelivan Luçi (në përbërje të grupit ishin edhe Sh.B., F.S., F.K., F.Ç., M.N., D.P., B.A., B.C., S.M., L.B.,).

Ndërsa varianti i tretë është ai që: Enveri ia trasmetonte pyetjet ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai, dhe ky më pas i kalonte ato tek Kryehetuesi i Republikës, i cili ua jepte ato vartësve të tij. Por ish-hetuesi i përmbahet dhe beson në variantin e parë dhe të dytë të transmetimit të pyetjeve, atë me anë të Ramiz Alisë ose Nexhmijes, të cilët ishin dhe dy njerëzit më të besuar të tij, që kontrollonin dhe vendosnin për gjithçka.

Pyetjet e Enverit dhe hetuesve për Fiqretin

Në pyetjen e parë që Enver Hoxha ka përgatitur për Fiqret Shehun shkruhet:

“Ç’di ajo për jetën aventureske të M. Shehut.

1.a) në Spanjë

2.b) në kampe përqëndrimi”.

Pas këtyre pyetjeve, në pikën e dytë shkruhet:

“Lidhjet e tij me agjenturën amerikane, Gestapo, franceze”.

Këto pyetje të përpiluara nga Enver Hoxha, dhe të shkruara me dorën e tij, më pas i jepeshin Hetuesisë dhe ajo i rregullonte, duke i koncentruar apo zgjeruar ato sipas rastit. Kështu, lidhur me pyetjen e pikës së dytë, ku thuhet:

“Lidhjet e tij me agjenturën amerikane, Gestapo, franceze”, në process-verbalin e Hetuesisë Speciale dy hetuesit (D.P. dhe S.F.), që kanë marrë në pyetje Fiqret Shehun, e kanë formuluar atë duke ia paraqitur asaj në këtë mënyrë:

“Na shpjegoni e pandehur, a është vënë armiku Mehmet Shehu në shërbim të agjenturave të shteteve të huaja? Në rast se po, cilës agjenturë, në ç’kohë është vënë në shërbim dhe kur e keni mësuar ju këtë?”

“Deponimet” e Fiqret Shehut

Pas pyetjes së hetuesve, në “përgjigjen” e Fiqret Shehut, e cila në fund mban firmën e saj dhe të dy hetuesve në fjalë, midis të tjerash, shkruhet: “Këto dyshime që m’u krijuan për tëkaluarën e Mehmet Shehut, m’u forcuan me çlirimin e Shqipërisë e pikërisht në vitin 1945, kur në vëndin tonë erdhi misioni amerikan.

Më kujtohet se në këtë kohë ne kemi banuar në një godinë që sot është shtëpia e pritjes Nr.1, ndërsa misioni amerikan ishte vendosur në godinën ku sot është Ambasada italiane. Në këtë kohë, një ditë erdhi Mehmet Shehu dhe më kërkoi që t’i bënim një vizitë mirseardhje misionit amerikan, në krye të të cilit ishte ish drejtori shkollës Teknike Amerikane ku kishte mësuar Mehmet Shehu. Kur Mehmet Shehu më bëri këtë propozim, unë i thashë: “Ç’duhet kjo vizitë, aq më tepër ç’dua unë për t’i uruar shefit të Misionit Amerikan mirseardhjen?” Mehmet Shehu më tha: “Unë e kam pasur drejtor shkolle dhe thjesht një vizitë mirseardhje do t’i bëjmë”. Së bashku me Mehmet Shehun shkuam në godinën e misionit amerikan, ku na priti kryetari i misionit, Fulci.

Mbaj mënd se në atë rast atje kishte dhe njerëz të tjerë nga tanët, por mua s’më kujtohen as emrat dhe as fytyrat, sepse në fakt nuk i kisha parë ndonjëherë. Në këtë rast, Fultz-i duke iu drejtuar të pranishëmve tha: “O bijt e mi, tani jeni bërë të mëdhenj dhe keni shumë punë për të bërë, prandaj veproni”. Pas mbarimit të vizitës, unë e pyeta Mehmet Shehun se ç’duhej kjo vizitë, cilët ishin ata njerëz që ishin të pranishëm në vizitë dhe unë nuk njoh asnjë, dhe në formë vërejtje shtova se s’duhet ta kishim bërë këtë vizitë.

Ndërsa ai m’u përgjegj, s’bëmë keq që vajtëm, ndërsa njerzit që ishin atje, përgjithësisht ishin ish nxënës të Shkollës Teknike. Kur Mehmet Shehu ishte ministër i Punëve të Brendëshme, viti s’më kujtohet, ishte vendosur zyrtarisht që të liroheshin disa të burgosur politikë. Me ketë rast në një bisedë që më bëri Mehmet Shehu më tha se kishte marrë detyrë nga Zbulimi Amerikan që së bashku me të tjetër të mundohej të lironte nga burgu edhe disa të dënuar nga ish gjyqi i grupit të intelektualëve si agjent të Zbulimit Amerikan.

Unë, më tha Mehmet Shehu në këtë bisedë, do t’i liroj këta nga burgu që ata të vazhdojnë të punojnë e të veprojnë në shërbim të amerikanëve kundër vëndit e rendit tonë. Unë i thashë Mehmet Shehut: “Çështë kjo që thua, si do t’i lirosh këtë agjentë për të punuar kundër vëndit e rendit tonë!” Ai m’u përgjigj: “Unë jam detyruar që të veproj kështu sepse që kur kam qenë nxënës në shkollën Teknike Amerikane, ish drejtori i kësaj shkolle, Fultz-i më ka vënë në shërbim të Zbulimit Sekret Amerikan.

Unë kur dëgjova Mehmet Shehun që tha këto fjalë, i thash duke qenë e tronditur: “Çfarë bëre kështu Mehmet, po tani si do vej halli?” Me sa më kujtohet koha e kësaj bisede ka qenë viti 1953-1954. Përsa i përket mënyrës se si armiku Mehmet Shehu është lidhur me agjenturat e huaja, si në rastinkonkret, ashtu edhe në rastin që do të shpjegoj më poshtë, sot për sot unë nuk do të jap shpjegime…”

Si i modifikonte Hetuesia pyetjet e Enverit për Fiqret Shehun

Në pyetjen e tretë që Enver Hoxha ka formuluar për Fiqret Shehun, lidhur me shpjegimet që ajo duhej të jepte për bashkëshortin e saj, Mehmetin, thuhet:

“Lidhjet e tij me titistët. Si është angazhuar prej tyre dhe si i mbante lidhjet me ta para dhe pas prishjes (1948)”.

Këtë pyetje të Enverit hetuesit e Grupit Special të Hetuesisë së Përgjithshme që ishin caktuar për të zhvilluar procesin hetimor ndaj të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i Mehmet Shehut” ia kanë paraqitur Fiqret Shehut duke e formuluar në këtë mënyrë:

“Cila është veprimtaria armiqësore konkrete që grupi juaj, i kryesuar nga Mehmet Shehu, ka zhvilluar në zbatim të detyrave të dhëna nga revizionistët sovjetikë e jugosllavë, për të goditur vijën marksiste-leniniste të Partisë në Konferencën e Partisë të Tiranës të vitit 1956?”.

Lidhur me këtë pyetje të hetuesisë, në “dëshminë” e Fiqret Shehut e cila ndodhet në proces-verbalet e saj, midis të tjerash shkruhet: “Unë kam folur se në zbatim të detyrave që më kanë vënë jugosllavët, kur isha Sekretare e Parë e Komitetit të Partisë të Tiranës, kam zhvilluar veprimtari për të goditur vijën e Partisë, si p.sh. në Konferencën e Partisë të Tiranës. Veç sa kam shpjeguar për lidhjet e mija me elemnetë antiparti dhe armiq, unë sot do të shpjegoj edhe se si është organizuar dhe drejtuar kjo punë armiqësore direkt nga grupi ynë, i kryesuar nga Mehmet Shehu, sipas orientimeve që i janë dhënë atij nga Legata Jugosllave në Tiranë.

Para zhvillimit të punimeve të Konferencës së Partisë të Tiranës, Mehmet Shehu, në linjën e lidhjeve të tija të fshehta me sovjetikët dhe unë me jugosllavët, jemi orientuar të punonim për të aktivizuar elementë armiq dhe antiparti në drejtim që edhe në vëndin tonë partia të ndërronte kursin marksist-leninist e të fillonte i njëjti proces si në Bashkimin Sovjetik e në vëndet e demokracisë popullore. Për këtë qëllim si platformë do të ndiqej vija e Kongresit të XX-të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, meqënse vija e këtij Kongresi ishte plotësisht në favor të jugosllavëve, sepse siç dihet, atje Jugosllavia u mor në mbrojtje duke u konsideruar si një vënd socialist.

Punë të madheme ne në këtë kohë bëri Legata Jugosllave. Siç kam shpjeguar nëpërmjet Feçor Shehut nga Legata Jugosllave mua m’u caktua detyra që duhej të kryeja për aktivizimin e elementëve antiparti dhe armiq dhe unë në mënyrë të kamufluar kam punuar me këta elementë, disa prej të cilëve me pyetjet e diskutimet që bënë dolën hapur duke kërkuar rishikimin e vijës së ndjekur nga Partia e Punës së Shqipërisë që nga prishja e marrëdhenieve të vendit tonë me Jugosllavinë e deri në 1956”.

“Lidhjet agjenturore të Mehmetit brenda dhe jashtë”

Në një nga pyetjet e tjera të Enver Hoxhës për Fiqreten, ndër të tjera shkruhet:

“Me kë kish lidhje Mehmet Shehu brenda dhe si i mbante lidhjet me jashtë?”.

Këtë pyetje të Enverit hetuesit e kanë ia kanë paraqitur Fiqretes duke e formuluar në këtë mënyrë: “Çfarë veprimtarie konkrete është kryer nga grupi i juaj armiqësor në rastin e zbulimit të të puçit në ushtri, të kryesuar nga Beqir Balluku, dhe sabotatorëve në ekonomi të kryesuar nga Abdyl Këllezi?” Lidhur me këtë pyetje, në deponimet e Fiqret Shehut, midis të tjerash thuhet:

“Në proceset e mia unë kam shpjeguar se Mehmet Shehu ka qenë organizator dhe frymëzues i i veprimtarisë komplotiste që kryhej për të goditur Partinë e Punës të Shqipërisë, nga grupi i puçistëve në Ushtri dhe i sabotatorëve në sferën e Ekonomisë dhe të organizimit shtetëror. Duke ekzistuar një lidhje e tillë në këtë veprimtari armiqësore, Mehmet Shehu që ishte në krye të grupit tonë, qysh në atë kohë ka marrë masat dhe masat që nga zbulimi dhe demaskimi i veprimtarisë komplotiste të mos shfrynte asnjë e dhënë ose sinjal që mund të rrezikonte qoftë drejtpërsëdrejti Mehmet Shehun, qoftë edhe ndonjë nga pjestarët e tjerë të grupit tonë armiqësor.

Nga bisedat që kam zhvilluar në atë kohe me Mehmet Shehun, unë jam ne dijeni të këtyre manipulimeve që janë bërë, si në fazën e hetimit të këtyre grupeve ashtu edhe në periudhën e mëvonëshme. Kur hetohej grupi i puçistëve në ushtri, Mehmet Shehu më ka thënë se ai kishte udhëzuar Feçor Shehun që të merrte masa dhe hetimet të përqëndroheshin në drejtim që puçistët të flisnin për veprimtarinë armiqësore që kishin kryer me njëri tjetrin ose në bashkëpunim me kuadrot e tjerë të ushtrisë që u goditën nga Partia si pjestarë të kastës. Feçori ishte porositur që me pretekstin e ruajtjes së kuadrove e që të mos “hidhej” baltë mbi ta, me forma të kamufluara t’u bëhejpresion, sidomos Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos, që të mos flisnin për lidhje në veprimtari armiqësore me kuadrot e tjera dhe të flisnin vetëm rreth fakteve që dolën nga Partia në pleniumet e pestë dhe të gjashtë të Komitetit Qëndror.

Në një bisedë tjetër në vitin 1970-‘71 që më ka bërë Mehmet Shehu, më ka thënë se nëpërmjet agjenturës së huaj, sovjetike ose jugosllave, sakt kjo nuk më kujtohet, ai ishte vënë në dijeni se në ushtri vepronte një grup armiqsh i kryesuar nga Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako etj, ndërsa në ekonomi një grup që drejtohej nga Abdyl Këllezi, Kiço Ngjela etj. Në këtë bisedë Mehmet Shehu më ka thënë se nga agjentura e huaj ishte porositur që pa zbuluar veten si agjent, të futej në këto grupe armiqsh, t’i organizonte dhe të vepronte bashke më to. Më kujtohet se në mars prill të vitit 1972 kur së bashku me Mehmet Shehun shkuam në Paris, se ai do të operohej, në klinikën ku u bë operacioni, të professor Arnusit, një ditë kishte shkuar një person i veshur si mjek, të cilin se njihte dhe se kishte parë në atë klinikë. Kur unë shkova në klinikë, Mehmet Shehu më tregoi se ky person i ishte paraqitur si mjek, por në fakt ishte njeri i agjenturës amerikane dhe i kishte dhënë porosi Mehmet Shehut që kur të kthehej në Shqipëri të vepronte më aktivisht për të përmbysur pushtetin popullor në Shqipëri. Ditët e fundit të marsit 1981 kur unë do të shkoja për kontroll mjeksor në Paris e Suedi, Mehmet Shehu më dha një porosi dhe më tha:

Në Paris, tek hyrja kryesore e shtëpisë do takosh një person dhe do të japë diçka për mua, ti merre këtë plaçkë, mbaje me vete dhe ta ruash me kujdes e do të ma dorëzosh vetëm mua. Në të vërtetë disa ditë para se të largohesha nga Parisi tek hyrja kryesore e shtëpisë, pasi zbrita nga makina, tek pjesa me xhamllëk, m’u afrua një person i panjohur për mua. Ky person kishte këto karakteristika: Ishte i gjatë mbi mesataren, i holl, bjond dhe duke më folur në frëngjisht më tha:

“Kam një pako të vogël për zotin Shehu”. Në këtë kohë më jep pakon dhe më thotë t’ja japësh vetëm zotit Shehu. Pakua që më dorzoi ishte me madhësi sa një pakte cigaresh dhe në letrën mbëshjtjellëse i adresohej e shkruar në frëngjisht, zotit Shehu. Unë duke pasur parasysh porosinë e Mehmetit, e mora dhe e futa menjëherë në çantë dhe u largova. Pakon e mbaja gjithmonë me vete në çantën e dorës dhe asnjëherë nuk e lija në vende pa qenë e pranishme vetë. Disa ditë më vonë pas marrjes së pakos, unë kam shkuar në Suedi për kontroll mjeksor dhe pasi kam qëndruar për dhjetë ditë, jam kthyer në Shqipëri duke qëndruar dy tre net në Itali.

Më datën 2-3 dhjetor të vitit 1981 mbasi Mehmeti i kishte bërë një letër djalit në Suedi, unë e gjeta shumë të shqetësuar në dhomën e tij të punësnë katin e parë dhe kur e pyeta sepse je në këtë gjëndje, ai më tha: Unë ty, lidhur me fejesën e Skënderit nuk të kam treguar të vërtetën, por atë fejesë unë e bëra jo nga e mira, por nga e keqja. Kur unë e pyeta pse nga e keqja, ai vazhdoi të më shpjegoi duke më thënë se ato që bëra në rini, po i vuaj në pleqëri duke më përsëritur faktin e vënies së tij në shërbim të agjenturës amerikane.

Po në këtë rast Mehmeti më tha se në pakon që unë solla nga “miku i tij” nga Franca, mora porosi nga agjentura e huaj që duhej të veproja në aktivisht për goditjen e vijës së Partisë deri në likujdimin e Sekretarit të Parë të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë, për këtë qëllim ata më dërguan edhe helmin në formë sheqerke dhe me veprim të ngadalshëm që unë ta përdor për të likujduar Sekretarin e Parë të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë”. Për këtë çështje unë do të jap shpjegime të hollësishme më vonë…

Proces-verbalin pasi e lexova vetë dhe pasi pashë se thëniet e mija ishin shkruar drejt, i nënshkruaj pa vërejtje.

E pandehura Fiqret Shehu

Hetuesit S.F. dhe D.P.

Kështu thuhet në një nga process-verbalet e shumtë në ngarkim të Fiqret Shehut, i cili mban datën 18 mars të vitit 1982. Po si qëndron e vërteta rreth këtyre dëshmive?

Mashtrimi i madh i Enverit

Nga shumë dëshmi të marra nga ata pak persona që jetojnë ende nga ashtuquajturi “Grupi armiqësor i Mehmet Shehut”, ashtu dhe nga njëri prej hetuesëve të atij procesi, bëhet e ditur se ai ka qenë një proces farsë dhe i montuar sipas porosive dhe udhëzimeve Enver Hoxhës, me qëllimin e vetëm që ai të mbulonte eleminimin fizik të ish-kryeministrit Mehmet Shehu për të cilin u tha se vrau veten. Si dëshmitë e Fiqret Shehut ashtu dhe të gjitha dëshmitë e atij procesi janë hartuar e përpiluar nga vetë hetuesit, sipas porosive të dhëna nga eprorët e tyre në bazë të pyetjeve që kishte hartuar më parë vetë Enver Hoxha.

Dhe më pas të pandehurve u janë marrë firmat nën presione fizike dhe psiqike nga më monstruozët. Po kështu si Fiqreten ashtu dhe të tjerët hetuesit i kanë detyruar që t’i lexonin me zë dëshmitë që kishin parashkruar vetë dhe pa dijeninë e tyre ata i kanë incizuar dhe më pas ato incizime u lexuan në të gjitha ndërrmarrjet e qëndrat e punë kudo në Shqipëri. Veç të tjerash,farsa e porcesit të “Grupit armiqësor të Mehmet Shehut” vërtetohet më së miri edhe nga këto dorëshkrime të Enver Hoxhës (me pyetjet për Fiqret Shehun) që po publikojmë në këtë shkrim të cilat hedhin dritë duke konfirmuar katërcipërisht atë çka është folur prej kohësh për këtë çështje.

Po të shikojmë ato çka ka shkruar Enver Hoxha në veprat e tij në “Tablo Sinoptike” për Mehmet Shehun, në mes të tjerash thuhet: “Nga hetimet pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut dhe nga dokumentet që ka në dorë Partia, rezulton se Mehmet Shehu ka qenë rekrutuar agjent i amerikanëve që kur ndiqte shkollën e Fulcit në Tiranë…” Por kjo thënie deklamative e Enverit e cila është dhe epiqendra e akuzave të tij ndaj Mehmet Shehut, nuk qëndron dhe bie tërsisht poshtë, pasi nuk ka qenë Hetuesia ajo që ka ngritur e para akuzat për Mehmet Shehun, por vetë Enveri.

Kjo gjë shihet më së miri edhe nga këto faksimile me dorëshkrime që po publikojmë në këtë shkrim, të cilat nuk kanë fare nevojë për koment. Pra, gjithshka që lidhet me çështjen e eliminimit të Mehmet Shehut, u u realizua nga Enveri e Nexhmija për t’i hapur rrugën për pushtet Ramiz Alisë, garantuesit të sigurtë të familjes Hoxha pas vdekjes së Enverit dhe në këtë kuadër, u pushkatuan Kadri Hazbiu, Feçorr Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini.

PYETJET E ENVERIT PER FIQRET SHEHUN

4.Si i mbante lidhjet Mehmet Shehu me shërbimet e fshehta të huaja: me amerikanët-Inglezët-Sovietikët-Jugosllavët etj.

5.Ç’detyra këto agjentura i kishin caktuar Mehmet Shehut? Si i kryente ai këto

6.a) Cila agjenturë ishte më kërkuesja dhe kërcënuesja.

7.b) a kishte përplasje në mes tyre?

8.Cila agjenturë i kërkoi që të vepronte?

9.a) cili ishte pllani i veprimit të M.Sh.

10.b) Ç’kondita i vunë për të vepruar?

11.c) Me ç’anë ia vunë këto detyra d) Me kë kish lidhje Mehmet Shehu brenda, dhe si i mbante lidhjet jashtë

Le Gaulois (1913) – Miratimi i Ismail Qemalit për krijimin komitetit shqiptar të Milanos

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Janar 2019

 

“Le Gaulois” ka botuar, të premten e 11 prillit 1913, në faqen n°2,  një shkrim në lidhje me krijimin e një komiteti shqiptar në Milano me miratim të Ismail Qemalit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Një komitet shqiptar

 

Milano, 10 prill.

 

Në mesin e refugjatëve shqiptarë u formua një komitet, nën patronazhin e princit mirditor Bibdoda, me ndihmën e disa personaliteteve të kolonive shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe Itali.

 

Ky komitet, i miratuar nga Ismaïl Qemal Beu, ka për qëllim të informojë opinionin publik evropian mbi kërkesat e kombit shqiptar dhe të mbrojë të drejtat e tij; ai përfshin përfaqësues të krahinave të ndryshme të Shqipërisë;

 

Ky komitet do të fillojë publikimin e një gazete me seli të përkohshme në Milano.

 

M.

Historianëve, mashtrues të historisë kombëtare, ta mësojnë se jo përjetësisht mund t’i mbajnë të përbaltur personalitete si Mustafa Merlika Kruja – Nga Mërgim Korça

(Komente rreth Letërkëmbimit Mustafa Kruja – Patër Paulin Margjokaj)

 

Jemi në mesin e dhjetvjeçarit të dytë qëkur de jure u përmbys diktatura, ai sistemi i dhunshëm komunist, por praktikisht mendësía komuniste ësht’ajo e cila vazhdon e mbisundon në vëndin tonë lidhur me parimet e demokracisë si edhe gjykimin e historisë. Nisur nga ky pohim i përgjithshëm, që të jetë ky edhe i besueshëm, doemos që duhet t’a mbështes këtë arsyetim por, me që objektivi i këtij shkrimi nuk është analiza e krahasuar e dy sistemeve, atij diktatorial nga njera anë si edhe i atij demokratik, por analiza e letërkëmbimit të lartpërmendur në titullin e shkrimit, do të trajtohen vetëm themelet mbi të cilat duhet mbështetet demokracía që analizat historike të rezultojnë sa më racionale e po aq edhe të paanëshme.
I a fillojmë pra, hap mbas hapi, mbështetur në kriteret bazë të koncepteve lidhur me demokracinë, rreth të cilëve fatkeqësisht aq është spekulluar edhe vazhdon e spekullohet, të vemë në dukje se cilët duhet të jenë vetë këto koncepte.
Etimologjikisht koncepti demokrací nënkupton pushtet të popullit por, në regjimet diktatoriale në emër të këtij pushteti, për ironí janë ndërmarrë veprimet më antipopullore.
Koncepti i dytë themelor ësht’ai që u takon politikave demokratike. Këto duhet t’i mishërojë të zbatuarët e një qeverisjeje kushtetuese ku, përligja e ushtrimit të saj, të përcaktohet nga vullneti i lirë dhe i pavarur i popullit. E mbi gjithë këtë kollonë mbi të cilën duhet të mbështetet demokracía e vërtetë, themelorja e themeloreve është kontrolli si edhe kufizimi i pushtetit të udhëheqësit i cili kurrsesí nuk duhet të ketë pushtet absolut ! Në të tillë pushtete, e ka treguar përvoja, edhe historia deformohet simbas interesave të udhëheqësve.
Herodoti, i cili ruan veçorí arsyetimesh tejet bashkëkohore, ka shpjeguar qartë nga ana filozofike ndryshimin ndërmjet mythos (shtrëmbërimit me qëllim) dhe histora (fakteve historike). Ai tregonte se si Egjyptasit e vjetër i quanin barbarë të gjith’ata që nuk e flisnin gjuhën e tyre (Hist.II 158, 5) e njëkohësisht ka lënë edhe maksimën e madhe : … është kusht i pakundërshtueshëm fakti që pushteti i pakufíshëm, detyrimisht çon në pushtet absolut !
Që këtej lind edhe koncepti i tretë bazë lidhur me domosdoshmërín’e njohjes hollësishme të fakteve të kaluara të pashtrembëruara, për t’a gjykuar të kaluarën si edhe për të mos rënë më në gabime të përsëritura. I konkretizuar ky koncept, gjëndet i zbatuar në hulumtimet tejskajshmërisht të gjera të Sokratit përtej normave e përtej tabúve !
U zunë në gojë këto premisa pikërisht sepse paralelisht ka ardhur duke u rritur nevoja e leximit të historisë sipas optikës gjyqësore, gati domosdoshmëría e vënjes nën proces e historisë ose së paku të episodeve të saja më tragjike. Planet e veprimit të historianit me të gjykatësit të paanshëm, dëndur thuajse mbivendosen ndaj njeritjetrit dhe sinteza e tyre duhet të shërbejë si udhërrëfyese për veprimet bashkëkohore si edhe të na bëjë sa më të vëmendshëm lidhur me të ardhmen. Gërshetimi kompleks ndërmjet historisë dhe kujtesës, ndërmjet dëshirës për drejtësí si edhe gjykimit historik, ndërmjet rindërtimit të së vërtetës dhe dënimit, (moral apo faktik), të personave përgjegjës për egërsín’e regjimeve të përmbysura, duhet t’i zhdukë përfundimisht disa nga fantazmat që veç makth vazhdojn’edhe mbjellin.
Mbështetur tashti në gjithë premisat e shtruara më lart ku sintetizimi i tyre na çon në përfundimin se : Mësimet e të vërtetave pa shtrembërime, të së kaluarës, kanë vlera absolute lidhur me të ardhmen, e ftoj lexuesin t’a ndjekë këtë analizë fluturimthi që do t’i bëhet vëllimit të botuar me letërkëmbim 11-vjeçar (1947 – 1958) ndërmjet Mustafa Merlika Krujës si edhe priftit françeskan Patër Paulin Margjokajt. Në qoftë se, mbas leximit të kësaj analize, lexuesi intrigohet t’a lexojë gjithë letërkëmbimin origjinal, suksesi do të jet’i dyfishtë : Së pari, kjo analizë do t’ia ketë arritur qëllimit, si ftesë në vetvete, që të lexohet krejtë vëllimi. Nga ana tjetër, lexuesi i ndershëm dhe objektiv, shpresoj se do t’a zgjerojë shumë këndvështrimin rreth gjykimeve që ka dhënë përparandej, i keqinformuar, krahasuar me ato që do të japë në të ardhshmen, mbas leximit të këtij margaritari patriotizmi, guri themeli të një sjelljeje shëmbullore etiko – morale si edhe të një erudicioni skajor !
E ndjej me vënd t’a filloj analizën e vëllimit me letërkëmbime, me portretizimin e bërë nga Tahir Kolgjini të figurës Mustafa Krujës : Dy gjâna ishin ato që mund t’ia lidhshin kâmbë e duer Mustafës në zbatimin e vendimit të vet : Kur çashtja paraqitej e pápajtueshme me interesat e Atdheut, ose kur ajo vinte ndesh me parimet e Tija morale.
Tek i shkruan Padres Mustafa Kruja se e ndjen veten në shkretí “… pa familje, por me uzdajë (shpresë) se nji ditë e shoh, veçse pa miq për gjithmonë … un kam me kênë këtu deri qi mos të jetë gjetun në çdo skânj të botës nji kafshatë buke për mue e fitueme me djersën t’eme … ” (Fq. 13). E lemë në një anë situatën e trishtë ku familja dhe gjiníja e tij u kalb burgjeve e internimeve e ai s’e pa kurrë më përgjatë jetës tij. Po a mund të mendohet e të bëhen përqasje me ish kryeministra bashkëkohës ? M.Kruja, sapo nuk e mban më postin e kryeministrit, për t’iu shmangur të jetuarit në kurriz dashamirësh e mirëbërësish, gjashtëdhjetëvjeçar ëndërron t’a nxjerrë kafshatën e bukës me djersë të tijën !
Mirënjohje Abas Kupit i cili, duke e marrë vesh se M.Kruja nuk e përballonte dot jetesën në Itali, e fton në Egjypt pranë Ahmet Zogut. E M. Kruja shkruan “… rrethanat më kanë pasë pajtue me Zogun qyshë më 1943, kur m’u mbush mêndja se populli shqiptar ka nevojë për Të. Tash po pajtohem edhe për s’afri …! (Fq. 20).
Sa prekëse tek M. Kruja, duke zënë në gojë veprën e Patër Gjergj Fishtës Anzat e Parnasit, ku autori ka vënë mbishkrimin filozofik “Qeshem veç pse s’muj me kjá”, (marrë nga një autor latin), i tregon Padres se si ndërsa ai (M.Kruja) rrekej t’ia mbushte mëndjen më 1920-ën Patër Gjergjit të hartonin një program partije politike, Ai (Patër Gjergji) i kishte thënë “… Pse po lodhe, more Mustafë, Shqipnija qi duem ti e un nuk bâhet!” (Fq. 26).
E ftoj lexuesin t’a ndjekë me vëmëndjen e duhur, si edhe sipas optikës së sotme të viteve 2000, arsyetimin e M.Krujës hedhur në letër më 20 dhjetor 1949 (Fq.26 – 27). “… Nji dhunë, po, na kanë bâmë Tyrqit kombtarisht. Jo qi na sunduen katër shekuj e gjysë, se pa ta ndoshta do të na kishte pasë sundue Sllavi me konsekvenca shumë mâ të këqija kombtarisht, por qi na ndërruen fén, neve nji grusht gjind mjedis nji bote të krishtenë. Kjo gjâ mund të na e ketë vonue indipendencën t’onë nja 100 vjet e me atë vonesë pengue unitetin t’onë kombtar.”
Një mësim i madh nxirret teksa frati i lutet M.Krujës të mos humbasë kohë por t’i shkruajë kujtimet e tija, e M.Kruja i flet lidhur me dy pengesa themelore q’e bëjnë të stepet në atë drejtim. Pengesa e parë, ngurrimi para faktit se duhej të shkruante shumë si edhe gjerësisht për vete, duke pasë qenë gjithmonë protagonist në jetën politike që nga pjesëmarrja e tij në ngritjen e flamurit në Vlorë më 28 Nëntor të 1912-ës e në vazhdim.
Kurse pengesën e dytë, dhe më themeloren, M.Kruja e lidhte me faktin që “… Me shumë prej njerëzve qi bâjnë pjesë të padame të kujtimeve të mija kam pasun kundërshtime politike mjaft t’ashpra e prandej drue se nuk mundem me qênë nji gjykues aqë objektiv sa e lyp historija për ta e për veprat e tyne.” (Fq. 29). Duke mos dashur as të bëjmë përqasje konkrete, pa le të shprehemi me insinuata, por e ftojmë secilin nga ata që profesionalisht e kanë titullin historianë, t’a venë dorën në zemër e të shprehen sinqerisht rreth këtij pozicionimi të atij që ka qenë dhe vazhdon e mbetet nga personalitetet e shquara të kombit tonë mbi të cilët më shumë mllef, baltë dhe insinuata janë derdhur që nga traktet e para komuniste e përgjatë gjithë periudhës diktaturës. Po nuk e bënë shkencëtarët historianë këtë gjë, atëhere e ftoj lexuesin e gjerë që vetë ai, tashti që i ndriçohet ky pozicionim i M.Krujës të cilin vetë lexuesi kurrë nuk do t’a kishte menduar, t’a krahasojë me pohimet tendencioze e deri edhe me qëndrime rrugaçëríje të mbajtura nga pseudo-historianë, (t’ashtuquajtur edhe të shquar), përgjatë ballafaqimesh televizive!
Lidhur me përgatitjen e kryengritjes kundra Mbretit Zog për t’a rrëzuar atë nga froni, M.Kruja si përfaqësues i të gjithë patriotëve të emigruar, kur takon përfaqësuesin e qeverisë italiane, Giovanni Giro, i thotë se donin marrëveshje me karta të hapura. Kur italianët i zbuluan ato, patriotët shqiptarë njëzëri i refuzuan të tëra pikat duke i thënë M.Kruja, në Hotelin Exelsior – Gallia të Milanos, Giros : “Me këto kushte, njiqind vjet mbretnoftë Zogu mbi thronin e Shqipnis!”. A ka nevojë për koment ky qëndrim skajshmërisht kombëtar ku, para plotësimit të ambicjeve italiane, le të qëndronte më mirë mbi fron armiku i M.Krujës, por shqiptar e jo mik i huaj. Pa le të ketë nevojë e të fillohet nga përqasjet me pozicionimet e P.K.Sh. ndaj Jugosllavisë, pa le në vazhdim ! (Fq. 45).
M.Kruja, shtjellon një kuadër tejet të qartë, (Fq.54-55-56-57), si nga ana e prejardhjeve historike e pastaj edhe e zhvillimeve dinamike, që çuan në L.N.Çl., Konferencën e Pezës, qëndrimet e tri partive kryesore shqiptare, lindjen dhe qëndrimin ndaj fenomenit të vëllavrasjes, si edhe dredhítë komuniste ballafaquar me naivitetin dhe pavendosmërín’e nacionalistëve për t’a kuptuar qartë situatën. Përgjatë leximit të këtyre faqeve lexuesit, hap mbas hapi, i kthjellohen pyetjet të cilat kurrë nuk guxoi t’i bënte hapur, por dhe të cilave vetë, kurrë nuk u pati gjetur përgjigje. Le t’ia lemë lexuesit të gjykojë vetë. T’i bashkojë ai ato që dinte, (me gjithë ato që i dukeshin jo aq bindëse), me këto që M.Kruja me aq pozicionim hulumtuesi të drejtpeshuar, thjeshtësí dhe racionalitet i shpjegon, (e që lexuesi nuk kishte se si t’i dinte përparandej), dhe le t’a krijojë vetë mozaikun e atyre ngjarjeve që sido që të jetë, i krahasuar me mozaikun e mëparshëm aq të vagëlluar e me boshllëqe që kishte, do të ndikojë që jo vetëm rrethanat, por edhe gjykimin rreth personave aktivë në ato rrethana, t’a japë shumë më racional e të drejtë tashti e në vazhdim.
Tek u përgjigjet pyetjeve të Padres françeskan, (Fq.63-64-65-66-67), M.Kruja me vërtetësí nxjerr në dritë shumë momente që kanë qenë të vagëlluara nga historiografía komuniste ku me qëllim shtrembëroheshin të vërteta, liheshin pa treguar rrethana si edhe fakte, ose bëheshin insinuata që kuadri historik të deformohej simbas interesave komuniste. Kur lexuesi e ndjek se si M.Kruja e përshkruan dështimin e qeverisjes F.Nolit e gjithashtu se si ky i fundit i kërkon mbështetje B.Sovjetik, del në dritë të diellit se ajo nuk qe një nismë apo simpatí thjeshtë e F.Nolit ose e Kosta Boshnjakut komunist por patriot, por ai bashkëpunim kishte gjetur edhe mbështetje më të gjerë, bilé edhe bejlerësh të kamur. Kësisoji arsyetimi i M.Krujës pse e vetmja alternativë ndihme për t’a përmbysur regjimin e Zogut kishte ngelur kërkimi i mbështetjes nga B.Sovjetik është tejet bindës, sepse vëndet perëndimore europiane pa përjashtim e mbështesnin Zogun. Jo vetëm bindës, por edhe tejet domethënës shpjegimi i tij. Gjithashtu e posaçme dhe pa rrëmbime vërtetësía me të cilën M.Kruja referon pozicionimin e klerit katolik ndaj marrëveshjes eventuale me sovjetikët e se si, kur ata deshën të tërhiqeshin e të mos pranonin se e kishin mbështetur atë përkrahje, ngrihet Patër Ambroz Marlaskaj edhe e thotë të vërtetën në mes burrave pa u stepur fare se i nxirrte gënjeshtarë kolegët të tij klerikë. Këto janë momente kyçe të historisë së Kombit tonë të cilave u hidhet dritë që e vërteta, edhe kur ësht’e hidhur, të dalë në shesh. Kësisoji gjykohet drejtë e pa asnjë prirje, qoftë lavdíje apo errësimi figure, rreth atyre që ishin farkëtonjësit e së kaluarës të popullit tonë. E kjo në ndryshim me historiografinë komuniste e cila shihte vetëm heronj ose tradhëtarë e gjatë së cilës në fund, dilte në shesh, se udhëheqësi i vetëm dhe i pagabueshëm kishte qenë një dhe vetëm një, e të tjerët që e kishin rrethuar për 40 vite në masën 90 %, kishin qenë të gjithë tradhëtarë. Me gjithë shpjegimet e hollësíshme të M.Krujës lidhur me prirjen e F.Nolit, Padreja françeskan, në përgjigjen e tij shkruan së rishmi “ … në letrën e ardhshme bani mirë me më diftue prap mâ gjatë mbi Fan Nolin. Prej kah vjen qi atij i ka hî aq fort në zemër Rusija me komunizëm? A thue âsht se ai don me u bâ papë i ortodoksve në Shqypni? …” Në përgjigjen e tij, M.Kruja, i shtjellon edhe një herë edhe më thellë ngjarjet e doemos edhe ndërthurjen me to të figurës F.Nolit, por jo pa e theksuar qart’edhe shquar “… Âsht nji punë tepër e vështirë me u gjykue në se kjo rrjedhë e ndodhívet shqiptare në perjodën e mbasluftës botnore ka qênë historikisht nji fat i mirë apo i keq për Kombin (Fq.76). Kallzimet e mija këtu kanë vetëm karakter kronike e jo historije.” Nuk ka se si të mos vihet në dukje përgjegjësía e jashtëzakonëshme që e karakterizon M.Krujën në dhënjen e gjykimeve të karakterit historik e prandaj ai dëshmon vetëm faktet si kanë ndodhur e nuk jep asnjë gjykim për tá ! Në këto rrethana ësht’e pamundur të mos i rikujtojmë lexuesit pozicionimin e M.Krujës kur Padreja françeskan e nxit të shkruajë kujtimet e ai, duke qenë se duhet të gjykojë edhe veprimet e kundërshtarëve të tij pohon “…nuk mundem me qênë nji gjykues aq objektiv sa e lyp historija për ta e për veprat e tyne.” (Fq. 29). Pa dashur fare të jepen konsiderata apo të bëhen krahasime, vetëm një moment duhet theksuar : vetë lexuesi potencial i vëllimit me letërkëmbimin që po analizojmë, me gjithë indoktrinimin e pranuar të kohës kaluar, do të vrejë se sa më shumë që dora dorës shtohen faqet e lexuara të vëllimit, n’atë raport, por me kah të kundërt, do të vijë duke i u zvogëluar konsiderata për ata historianë q’e kanë shkruar historin’e kombit tonë duke mbajtur syze të kuqe.
Me që Padreja kërkon thellim, M.Kruja nuk përton dhe ia plotëson dëshirën. Kësisoji, përgjatë shpjegimeve dhe analizave që bën, (Fq.77-78), me një stil konçiz, elegant por edhe gjithëshpjegues, bën radiografinë e Fan Nolit nga ana shoqërore, vlerave të mëdha intelektuale si edhe figurës si politikan. Dhe jo vetëm kaq, por ve në dukje edhe burrërín’e tij tek rikujton se si, ndonëse Luigj Gurakuqi i lojti të gjitha kartat që Imzot Noli mos të emërohej kryeministër, ky i fundit jo që e mposhti egoizmin duke e emëruar Gurakuqin ministër financash, por, siç e citon tekstualisht M.Kruja, kur Faik Konica do t’a përbaltë Nolin duke shkruar në Gazetën Dielli, mbas ardhjes në fuqí të Zogut, se Noli qe bërë vegël si edhe kukull në duart e Gurakuqit, Noli përgjigjet gjithë modestí edhe madhështí njëheresh “… edhe në qofsha bâmë vegël e nji Luigj Gurakuqit, siç thotë Faiku, kjo gjâ s’do të ishte veçse nji nderë për mue.”
Pa le se si e përshkruan M.Kruja me penën e tij të fortë, po n’ato faqe, ngjarjen rreth takimit të Mussolinit me përfaqësuesin e Shqipërisë në Romë, Tefik Mborjen. Rreth bisedës tyre tepër sekrete, ku Mussolini këmbëngul mos të dilte asnjë fjalë se ndryshe do t’i quante të pabërë propozimet e tij, brënda tri ditësh biseda mori dhénë kafeneve të Tiranës. E M.Kruja intuitivisht merr pozicion duke i dalë zot T.Mborjes se veç kryeministrit Noli, Mustafa nuk besonte se Tefiku mund të kishte informuar as pjestarët e qeverísë. Por nga ana tjetër hedh dritë mbi rrethanat duke u shprehur “… sigurisht sekretarët e tij, miqtë e tyne e të vet sigurisht po … fati i qeverisë së Fan Nolit ishte caktue qyshë prej atij çasti.”
Nuk mund të lihet pa u përmëndur përgjigja e fratit françeskan, sepse në përgjigjen e tij lidhur me F.Nolin, do t’a shohin veten shumë lexues të këtyre radhëve. “Letra e juej âsht nji minierë njoftimesh fort të randsishme. Kta mund të thohet tashmâ për të tana letrat t’Ueja. Përshkrimi i jetës së Fan Nolit më ka interesue fort. Me u diftue të drejtën, përpara kësaj letre e kam gjykue Fan Nolin krejt ndryshej. Un nuk dijshem kurrgja tjetër për te, veç se ai âsht mik i Rusve, e kjo më shtynte mue me formue nji gjykim jo aq të favorshëm për te.” Ndonëse Padreja e njihte mirë anën intelektuale të Imzot Nolit, duhet theksuar se sa i takon anës politike sa keq kishte ndikuar mosnjohja nga ana e tij e personalitetit te Nolit, mbetur deri atëherë në errësirë.
Ësht’e qartë se, po të mos ishin intriguese pyetjet që i drejtonte Padreja M.Krujës, letërkëmbimi do të kishte zgjatur jo më shumë se tri letra të ndërsjella. Por ishin pyetjet e françeskanit të atij niveli që ia ngacmonin fantazínë edhe M.Krujës të zgjatej me to. Rezultati ? Kemi para nesh një letërkëmbim hiç më të vogël po prej 123 letrash të ndërsjella. E përgjatë kësaj vazhde, në letrën me nr. 31, Padreja shtron pyetjen madhore “ Po t’u vête nji i huej e me të shá tue të përmendun punën e gjakut në Shqypni, (vendetta, ose Blutrache), shka kishi e si kishi me i përgjegjë Ju atij ? Trajtimi i problemit të gjakmarrjes nga ana e M.Krujës, (Fq.106-107-108-109), ndonëse zhvilluar fare shkurt prej tij, pa as më të voglën mëdyshje, është një leksjon i mirëfilltë akademik ku ai gërsheton këndvështrimin juridik teorik, (si duhet konsideruar nga shoqëría e organizuar në shtet), me filozofín’e të gjykuarit të kësaj forme barbare të shpagimit, që e sintetizon në mënyrë konçize : “… parimin e drejtsís s’ka bir robi në botë qi t’a mohojë e qi, kur kjo s’i bie krés së vet, të mos t’a dishrojë e mos t’a kërkojë me kâmbëngulje e me zâ të naltë … Ndër shoqnít qi e kanë kapërcye kamot atë fazë drejtsíje, kërset shkandulli (skandali). E në vazhdim trajtohet me një kompetencë të lartë shkencore edhe problemi i parë nga këndvështrimi i besimeve fetáre ku M.Kruja shtjellon kthimin e shoqërisë Ilire pagane në fen’e krishterë e cila mbeti sipërfaqësore. E mbi këtë nënshtresë pagane “ erdh shqizma e Shqipnija u ndodh shí në kufi të Okcidentit e t’Orjentit ku s’prâni lufta fetare ndërmjet këtyne dyve deri në ditën qi i a mbërrini Tyrku me nji fé tjetër. Kështu qi ndërgjegja fetare e popullit t’onë, pa qenë formue ende mirë, u pështjellue e u bâ lamsh. Anarqija morale vazhdoi e nji pushtet i fortë s’u themelue kurrë në vêndin t’onë. Prandej zakonet e vjetra, me të mirat e të këqijat bashkë, mbetën gjallë. Ndër ta edhe ndiesija e shpagimit të gjakut.” Gjithashtu M.Kruja shpjegon se si këto zakone e kanë rrënjën kush e di sa mijë vjet para Lekë Dukagjinit.
I gjithë trupi i vëllimit me letërkëmbimin ndërmjet M.Krujës dhe Patër P.Margjokajt, përshkohet pandërprerë nga një mësim etike dhe morali niveli të lartë kur është fjala lidhur me të vërtetat historike. Padreja i kërkon M.Krujës hollësira rreth delegatëve në Kongresin e Paqës në Paris si Patër Gjergj Fishtës si edhe Imzot Luigj Bumçit. Do sqarime të hollësishme rreth Kongresit të Lushnjes, etj.etj. Pa dashur t’ia shuajë aspak kërshërínë lexuesit të këtyre radhëve duke u zgjeruar rreth përgjigjeve që i dha M.Kruja Atit françeskan, duke ia lënë kësisoji lexuesit të plotë kënaqësínë e të lexuarit të vëllimit të botuar, do të ndalem vetëm në disa momente kulmore që e ndjej të nevojëshme t’i nënvizoj. M.Kruja pohon dhe ripohon vazhdimisht se të dëshmuarit si edhe dhënja e gjykimeve rreth faktesh e rrethanash historike e ballafaqojnë studjuesin me vështirësí shkalle sipërore (Fq.161 deri 173). E këto ai i sheh akoma më të theksuara tek i duhet t’ia fillojë me autobiografín’e tij, para Padres. Nuk mund të mos vihen në dukje, përgjatë kësaj hullíje, disa momente kulmore që kanë të bëjnë me karakterin e M.Krujës. Princ Wiedi ishte larguar. Esat Pashë Toptani e kishte vendosur pushtetin e tij dhe i kishte burgosur të gjithë meshkujt Merlikas, përfshirë edhe të atin e M.Krujës. E sikur nuk mjaftonte me kaq, por burgosi edhe xhaxhan’e Mustafës, të famëshmin Xhiun e Fajës që kishte vrarë mu në Stamboll, tek Ura e Gallatës, të birin e vetë Vezirit të Madh të Turqisë. Në ato rrethana Esat Pasha lëshon një urdhër që, po të mos dorëzohej M.Kruja, të gjithë burrat Merlikas do të vareshin. Lind natyrshëm pyetja se ku e kishte shkelur në kallo M.Kruja Esat Pashën që ai të vepronte me aq armiqësí? Kur Pashai e kishte kërkuar bashkëpunimin e M.Krujës, ky i qe përgjigjur me shkrim: “ Juve ju ka falë Perëndija nji emën të madh e nji kambë të naltë, páre edhe gjâ; un s’kam veçse nji nderë, po t’a humb edhe këtê, s’më jet mâ kurrgjâ tjetër!” Ky refuzim i prerë i M.Krujës e kishte mbushur kupën e prandaj edhe Esat Pasha i vendosi atë kusht madhor alternativ M.Krujës. E Mustafa ç’bëri? Vete e dorëzohet me këmbët e veta. Tek e sheh në burg i ungji, Xhiu i Fajës dhe mëson se ai qe dorëzuar që të liroheshin Merlikasit e tjerë u hidhërua keq dhe tha: “Paj flaka t’i kish mbërrîmë në kupë të qiellit krejt familjes me sa ka e ça ka, veç ty mos të të shihshem këtu!”. Situata qe e rëndë. E.Pasha kishte varur në litar gjithë rebelët që mbas ikjes Princ Wiedit nuk ishin bashkuar me të. Kështu që veç kob pritej nga ai. Kurse, të nesërmen e vetdorëzimit të M.Krujës, gjithë burrat Merlikas u kthyen të lirë në vatrat e tyre. Le këta, por në vazhdim, jo që nuk e vari M.Krujën por edhe së bashku me 300 të burgosur të tjerë, mbas gjashtë muajsh kur pushteti i E.Pashës u lëkund, i ngarkoi në anije dhe i dërgoi në burgun e Barit. Vazhdimi është histori dhe lexuesi do t’a mësojë kur t’a lexojë gjithë vëllimin me letërkëmbime, por për t’u ndalur dhe nënvizuar janë dy momente. I pari, se si M.Kruja me ndershmërinë dhe drejtësínë që e karakterizon, rikujton faktin historik duke pohuar se si fjalën e dhënë Esat Pasha e mbajti : me t’u dorëzuar Mustafa, burrat Merlikas u liruan nga burgu. E pastaj vjen pohimi i dytë i M.Krujës që për armikun e tij pohon: Me mue u suell burrë (e ka fjalën për E.Pashën). Rebelët e zakonshëm i kishte varur në litar, ndërsa M.Krujën, jo. E M.Kruja e thellon gjykimin gjithmonë në favorin e armikut të tij duke shtuar … Nuk bâni asnjânën prej dy anve të dilemës qi kishem drashtun un. Shërbimet qi i kishte bâmë familj’e ime s’i kishte harruem.
I kërkoj tashti ndjesë lexuesit por nuk mundem të hesht pa e bërë një përqasje. Të krahasohet mirënjohja e E.Pashës ndaj Merlikasve me qëndrimin e mbajtur nga Enver Hoxha jo vetëm ndaj mirëbërësve të tij ku miqtë e ngushtë i pushkatoi, por edhe ndaj atyre që duke rrezikuar kokat e tyre i kishin shpëtuar jetën atij gjatë luftës si edhe e kishin mbështetur diktatorin në vazhdim. Në këtë kontekst binomi E.Pashë – E.Hoxhë.
Nga ana tjetër pastaj marrim binomin M.Kruja – E.Hoxha. Si i pohon të vërtetat M.Kruja për E.Pashën e si i shtrembëron të vërtetat E.Hoxha për tërë viktimat e tija ku bukëdhënësit bëhen armiq kurse heronjtë bëhen herë tradhëtarë të atdheut e herë poliagjentë.
I gjithi ky material shtjellohet në letrën me nr. 49 të M.Krujës. E Padreja, duke e lexuar të gjithë atë letër me vëmëndjen më të madhe e duke patur parasysh qëndrimin e M.Krujës se si ai trembet se mos duke i trajtuar faktet historike mos nuk është skajshmërisht i drejtë ndaj vlerave të kundërshtarëve politikë të tij, Padreja pohon e thotë në letrën me nr. 50 … Njerzt, qi nuk shofin veçse deri sa t’u mbërrijë maja e hundës, mâ vonë, edhe ata kanë me e justifikue veprimin t’Ând politik … Shqypnija e shkretë në periudhën ndërmjet dy luftave nuk ka pasë tjetër alternativë, posë asaj: Itali-Jugosllavi …
Padreja, në vazhdim, i bën edhe një analizë tamam radiologjike vetë popullit tonë. Ai e sheh si të keqe të madhe dembelizmin e tij, egoizmin, mosmbajtjen e fjalës së dhënë, të mos kuptuarit se vjedhja e shtetit është po aq e dëmshme sa edhe vjedhja e pronës së privatit, etj. etj. dhe përfundon me pohimin se … Mkati mâ i madh i shqyptarit, mbas mendimit t’em, âsht ky : na e mbajmë vehten për dishka. Po t’i njihshim na mungesët e mdhaja t’onat, kishin me shkue shum punë fort mâ mirë se shkojn …
Letra me nr. 51, ku M.Kruja përshkruan gjëndjen e tensionuar të fund vitit 1918 e në vazhdim, e gjithashtu sqaron se si duke pëgatitur materialet për delegacionin e Konferencës së Paqës të Parisit, gjatë 4-5 muajve pune gjithëditore së bashku me Luigj Gurakuqin, ata të dy nuk kanë ditur se ç’ishte e si ishte Parisi, duke i përshkruar në një mënyrë tejet bindëse rreziqet që i kanoseshin vëndit tonë nga qëndrimet shoviniste, i ve kapak me pohimin madhor konkluziv … Çë çase trishtimi e dëshprimi kemi kalue n’at Paris … 800.000 bajonetat e mobilizueme t’Austro-Hungaris në 1913 për me shpëtue qytetin e Shkodrës, tash s’ishin mâ. Italija mbahej në konferencën e paqës për njâj traktati që shënonte dekën e Shqipnis … Franca përkrahte miqt e vet qi ishin anmiqt t’anë. Anglija, si gjithmonë kur s’luejnë interesa direkte të saja, kishte për ligjë oportunitetin. Wilsoni mjedis dhelpnave plaka t’Evropës i kishte harrue 14 pikat e tija. Me ç’vërtyt do të bâjshim mrekulli na të shkretët në kët lâmsh pasjonesh e padrejtsish …
Vetëm nëntë janë faqet e kësaj letre. Por ato nëntë faqe hedhin dritë të madhe rreth zhvillimeve të asaj kohe si edhe ndikimeve ndaj së ardhmes së vëndit tonë.
Letra me nr.53, në përgjigje të letrës Padres ku ai i shtron M.Krujës pyetje karakteri themelor historije kombëtare, nuk mund të ishte e shkurtër, (Fq.191 – 214). Në përfundim vetë autori i drejtohet Padres duke i theksuar : “… me këtë kapitull Të kam dhânë çelsin e historis politike shqiptare ashtu siç e shoh e e gjykoj un vetë. Mund të jem i gabuem, mund të kemë harrue a mbajtun mênd keq ndonji pikë ndër hollsina qi s’e prek e s’e cënon themelin; por të jesh i sigurtë se me qëllim s’kam ndryshue asnji germë …”.
Vetë ky pohim i M.Krujës në përfundimin e shtjellimit të pyetjeve që kërkonin përgjigje, menjëherë e intrigon lexuesin kureshtár të mësojë se si i trajton M.Kruja problemet. Unë as nuk do t’ia prish bukurinë leximit të materialit origjinal e as do t’ia shuaj kureshtjen atij që dëshiron t’a lexojë materialin e plotë, duke cituar ndonjë kalim. Përkundrazi, do t’ia mpreh akoma më shumë dëshirën e leximit të plotë duke cituar dy nga pohimet madhore të M.Krujës të cilët janë leksjone si edhe themele etiko – morale mbi të cilat duhet të jet’i mbështetur mirë historiani tek e fillon ai trajtimin e problemeve. M.Kruja pohon : “… gjyqtarët n’Angli përpiqen me i kufizue sa mâ fort qi munden miqsít e tyne. Edhe historjani mund të krahasohet shumë mirë me gjyqtarët, se edhe ai âsht nji gjyqtar, sidomos ky krahasim vlén aqë mâ tepër po qe se marrim me shkrue historín’e kohës s’onë.” Në vazhdim, gjithmonë përgjatë kësaj hullíje, M.Kruja këmbëngul në pohimin madhor : “ Miqsija e mirnjohja janë sende të shênjta, por ka përmbi ta nji gjâ tjetër edhe mâ të naltë : e vërteta.”
Që të dy këta pohime madhorë të M.Krujës, posaçërisht në kushtet e sotme të zhvillimeve post – komuniste në Shqipëri, do të ishin objekt trajtimi më vete si në shtrirje e gjithashtu edhe në thellësí të një analize konkrete shumë interesante. Ësht’e qartë se një analiz’e tillë në vazhdim, do t’a devijonte vetë objektin e temës që trajtohet, (e prandaj nuk po bëjmë përqasje as me gjyqtarë e as me historianë bashkëkohës). Prandaj, në sintoní me linjen që i kemi vënë detyrë vetes që të ndjekim, (përgjatë trajtimit të letrës me nr. 53), nuk i shmangemi dot sjelljes para lexuesit edhe të një pozicionimi të M.Krujës, i cili është shëmbëlltyrë e një qëndrimi karakterial konsekuent. Tregon M.Kruja se si Esat Pashë Toptani i drejtohet Xhemil Bej Vlorës duke i thënë për Mustafën : … Ky âsht mâ i madhi kundrështar i im, ky qi kam pasë kujtue se s’do t’ia pritonte edhe pushkë me qitun për mue, si axha i vet ! E M.Kruja flakë për flakë i përgjigjet : “Pashë, hiq dorë prej këtyne punëve qi ke nisun për dâm të Shqipnis e provomë atëherë a qes a s’qes pushkë për ty !” Ky qëndrim i M.Krujës patjetër që më shtyn t’ia drejtoj lexuesit pyetjen vërtet retorike, (që në rastin e M.Krujës aspak e tillë, sepse historiografia komuniste ç’nuk volli kundra tij përgjatë dhjetëvjeçarësh), se si e gjykon lexuesi tashti, nën dritën e re që hidhet rreth personalitetit të M.Krujës, patriotizmin si edhe karakterin e tij ?
Derisa M.Kruja ka mbajtur letërkëmbim të rregullt me Padren, siç është përmëndur edhe më parë, kuptohet se ai e vlerësonte lart vetë fratin. Mirëpo përgjatë kësaj analize të vëllimit me letërkëmbimin e cituar, nisur nga fakti se protagonisti është M.Kruja i cili sjell faktet historike edhe jep në vazhdim gjykimet e tija, doemos figura e Padres, ndonëse kuptohet se ai ka qenë nxitësi i bisedave, detyrimisht ka ngelur dishka si në hije. Për t’i dhënë pak larmí analizës e doemos edhe për të hedhur së rishmi dritë mbi figurën e Padres, po i sjellim lexuesit pyetjen nr.5 që françeskani i drejton M.Krujës (nga 12 pyetjet e letrës me nr. 56) :
5) Mons.Kaçorri, me të cilin – si më ke shkrue përpara – keni pasë punë sa heresh, a âsht kenë mâ fort italofil apor austrofil a por âsht kenë shqyptar i saktë si Ti e Luigji, qi mendojn kryekrejet të mirën e atdheut pa u fiksue në nji idé : jo Italí, jo Austrí, jo Francë e jo Gjermaní !
Me pyetjen që frati drejton si edhe me bindjen e tij të shprehur pa mëdyshje ose dyshime, duhet vënë në dukje së pari, se si ai me ndershmërínë si edhe atdhedashurínë që e karakterizojnë dhe pa u prirur fare nga fraternalizmi ekleziast heton, kur është fjala për besnikërí kombëtare, edhe Monsinjorin e tij ! Nga ana tjetër, sa bukur e shpreh ai pozicionimin e tij nga lartësít’e vitit 1952, lidhur me shqiptarofilínë e dy laikëve, Mustafa Krujës dhe Luigj Gurakuqit ! Çfarë shëmbulli për t’u marrë si model i një qëndrimi të prerë atdhetar, objektiv si edhe mospërfillës i shkarravinave pseudohistorike të kalemxhinjëve të periudhës komuniste, për të cilat ai ishte krejtësisht në dijení ! Qëndrova tek kjo pika “5” e pyetjeve të fratit françeskan, sa për të hedhur një rreze drite më të shtrirë edhe mbi Padren.
E tashti doemos duhet t’i kthehemi e t’i a përndritim lexuesit përgjigjen që jep M.Kruja : “Kaçorri ka mendue thjesht e vetëm si mâ i kullueti Shqiptar idealist , e ashtu edhe ka veprue.”
E donte dhe e priste këtë përgjigje frati, për Monsinjorin e tij; sepse e donte të pamëdyshur. Nga ana tjetër aq më shumë të vyer e konsideronte ai përgjigjen, se e dhënë nga një laik feje muslimane ! Nga ana tjetër M.Kruja, tejet objektiv dhe i ndershëm, duke dijtur t’i gjykojë qëndrimet të pandara nga rrethanat, kushtet si edhe mundësítë për të arritur sa më maksimalisht objektivat nga kënvështrimi atdhetár, jep gjykimin e tij të prerë Nuk qëndroj dot pa hedhur dritë edhe sa i takon pikëpamjes së M.Krujës lidhur me dokumenta që, po qenë të shkruara veçanërisht nga studjues të huaj dhe sjellin ujë në vijën e mullirit të historianëve shkarravitës të historisë kombëtare, merren si fakte historike të mirëfillta. Tek i citon frati se çfarë ka shkruar studjuesi italian Giannini rreth kërkesave të Kongresit të Lushnjes lidhur me kufijtë tonë kombëtarë, M.Kruja replikon me një pozicionim studjuesi të mirëfilltë … Për mue ai tekst âsht apokryf (me autenticitet të dyshimtë – shënim i M.K.). Do t’a besojshem vetëm kur të më provohej me dokument authentik, b.f. (bie fjala – shënim i M.K.) me proces – verbalin e nënshkruem prej delegatvet ase nji kumtim diplomatik t’atij kongresi kancellarive të hueja. Giannini ka gabime edhe n’atë pjesën tjetër …
Me këtë rast nuk kam se si të mos i kthehem edhe një herë atij që do t’a quaja postulati i M.Krujës, i cili duhet të jetë A-ja e moralo – etikës së studjuesit të historisë: “ Miqsija e mirnjohja janë sende të shênjta, por ka përmbi ta nji gjâ tjetër edhe mâ të naltë : e vërteta !” Dhe kërkimi i kësaj të vërtete i përshkon të gjitha letrat e përgjigjeve që M.Kruja i drejton fratit.
Përgjatë të gjithë letërkëmbimit bije në sy edhe një element shum’i veçantë i mënyrës së të shkruarit të M.Krujës. Se sa konçiz ishte ai, del në pah në dy përgjigjet që i jep Padres lidhur me personalitetin e fortë e karakterplotë të Luigj Gurakuqit. Rasti i parë është tek përshkruan skenën e ngjarë në shtëpin’e nipit të Ismail Qemalit, Xhemil Bej Vlorës ku e kishte selínë akoma qeveria e porsadalë mbas shpalljes së mëvehtësísë. Përshkruhet se si i zoti i shtëpisë i drejtohet me përçmim Luigj Gurakuqit duke i thënë ushak, (turqisht – shërbëtor – shënim i M.K.), shprehje përbuzëse me të cilën Xhemil Beu aludonte marrëdhënjet në mes L.Gurakuqit si edhe I. Qemalit. E Gurakuqi ç’qëndrim mban ? Ja si e përshkruan M.Kruja skenën : … Gurakuqi u çue si rrufeja e i mbet me nji paravesh (shuplakë fytyrës – shënim i M.K.) turîjve. Tjerët e kapën beun e e çuen në harém te gratë e s’u bâ mâ kurrfarë reakcjoni. Luigji s’e hiqte n’ato kohna të turbullta kurrë alltijen (koburen – shënim i M.K.) nga brezi … (Fq.219 – 220).
Rasti tjetër i një qëndrimi të papërkulshëm të Gurakuqit, ka lidhje me Faik Konicën. Ishte viti 1914. Esat Pashë Toptani, sipas mendimit të shumë patriotëve, ishte tradhëtar. Italia e mbështeste atë. Faik Konica bashkëpunonte ndërkohë me E.Pashën. Një grup patriotësh caktojnë L.Gurakuqin që të përgatiste një dokument i cili do t’i paraqitej Princ Wiedit. U mblodhën në Durrës shumë intelektualë që t’a miratonin dokumentin, mbasi t’i bënin vrejtjet që mendonin. Sapo del Gurakuqi para tyre me dokumentin në dorë që t’a lexonte, (vazhdojmë tani me fjalët e M.Krujës) … Faik Konica s’e lên me çelë gojë : Ç’janë ato intriga italiane (?) këlthet (Konica – shënim i M.K.). Gurakuqi edhe s’bâni tjetër, veç përlau shkopin qi kishte atje pranë dhe ia veshi krés si nji rrufé. Gjindja u çue në kambë, hyni ndërmjet e n’emën t’Atdheut, vûni paqë. U ndëgjuen spjegimet, u këndue memorandumi, u pëlqye pa asnji ndryshim, pa asnji objekcjon as prej Konicës e puna mbaroi me kaq. (Fq.225). Paraqitin interes të veçantë në këtë kontekst pikëpamja e fratit lidhur me incidentin e gjithashtu përgjigja që i jep M.Kruja Padres. (Fq.229) Padreja është çuditur se si Konica i hodhi Gurakuqit fjalët … Ç’janë ato intriga italiane dhe vazhdon … Luigji e tjerë nacjonalista bashkëpunojnë me Wiedin kundra Esatit, i cili asht i ndihmuem e i prujtun prej italjanvet, e si mund t’i hidhet Luigjit kjo fjalë ? E M.Kruja i përgjigjet: “ Paj duhet me e pasë njohun Konicën. Cili shqiptar s’ka qênë për tê tradhtuer, intrigant, vagabond, kusar, ignorant, etj.etj.? Ai Luigjit s’i ka lânë vênd në vorr, se jo mâ kur ishte gjallë …” (Fq.233).
Në vazhdim lexuesi do të verë re se kemi kapërxime periudhash kohore. Kjo nuk shpreh moskujdesje nga ana e ynë, porse stilin pindarik me të cilin Padreja i drejton pyetjet. Megjithatë secila pyetje si edhe përgjigjet, në bashkësín’e tyre, hapin dritare që kanë qenë të mbyllura dhunshëm duke filluar që nga periudha e diktaturës e në vazhdim që të vërtetat të mos e shihnin dritën e diellit por të rrinin e t’i mbulonte tisi i harresës nëpër fondet e ndaluara të arkivave të ndryshme !
Përgjatë vazhdimit të letrës me nr.59, Padreja shtron tezën e tij se si lidhur me çfarosjen e elitës shqiptare fajin e kanë serbët që e dinin se si nuk mund të kishte patriot shqiptar i cili të mos ishte antiserb dhe vazhdon shprehimisht … Mbas mendimit t’em prá, Enver Hoxha me klyshat e vet të kuq, s’ka bâ tjetër veçse me çue në vend urdhnat e Belgradit qi prá, simbas mendimit t’em, e ka plotsisht fajin e shfarosjes s’elitës shqiptare … (Fq.230) Nuk shmangemi pa e vënë në dukje objektivitetin e fratit që krim primar quan hartimin e listave të personave për t’u pushkatuar, ndonëse vazhdon duke pohuar se si … Mbas gjaset, edhe po t’ mos ishin kenë urdhnat e Belgradit, do t’ishin kenë shqiptarët vetë qi me u derdhë trûtë vllazënve të vet shqyptarë … Si thue ti ? M.Kruja përgjigjet : “… a i a ka fajin pyllit spata apo bishti ?” (Fq.234). Por në vazhdim pastaj ai, duke i bërë një analizë diferenciale të një niveli tejet të thellë problemit, e çon Padren drejtë përfundimit se kur një armik arrin e fut përçarje në familje, si në rastin tonë ku vëllai vret vëllanë për të qen’i parë, kurse armiku do t’a gëzojë grabitjen që po përgadit (Kosovën), padyshim që faji kryesor dhe më i madh u mbetet shqiptarëve ! Kjo sa i takon krimit të madh të zhdukjes së elitës të kombit tonë. Në vazhdim pastaj nuk ka nevojë për koment qëndrimi i qeverisë komuniste shqiptare nga njera anë lidhur me problemin e Kosovës e pa le pastaj se si, mbas aneksimit të saj Federatës Jugosllave pa plebishit, (votim i përgjithshëm popullor – shënim i M.K.), kur pyetet Enver Hoxha gjatë Konferencës Paqës në Paris më 1946-ën lidhur me marrëdhënjet Jugosllavi – Shqipëri, (ku pyetja i drejtohet me tendenciozitet ), ai përgjigjet : “ … Ne nuk kemi asnjë problem me Jugosllavinë, përkundrazi … “ Duke e lexuar këtë pohim profesorët tanë historianë në dokumentat lidhur me Konferencën e Paqës të Parisit të vitit 1946, e kuptoj se janë gjëndur para vështirësishë por, me që ato vështirësi si edhe të tjera partia dhe komandanti u kishin thënë se duhej t’i kapërxenin, historianët ashtu bënë. E pastaj në vazhdim doemos edhe u specializuan dora–dorës në këtë drejtim e s’pati më vështirësí që ata të mos i shmangnin dot, doemos jo pa ndihmën e partisë mëmë !
Letra me numër 61 e shkruar prej fratit dhe e drejtuar M.Krujës, mund të thuhet pa as më të voglën frikë, se është një dokument ku ndërthuren hulumtimet e bëra nga frati rreth së vërtetës lidhur me veprimet e karakterit “tërhiq e mos këput” të nacionalistëve shqiptarë, në ballafaqim me politikën italiane, për të arritur maksimumin e të mirave të mundëshme në favor të Shqipërisë, ku sinteza e Padres bëhet bartëse pyetjesh kardinale nga ana e tij. Frati citon pohimet e studjuesit gjuhëtar edhe historian Kostë Çekrezit, (botues në Londër më 1919-ën i punimit Shqipëria, e kaluara dhe e tashmja – shënim i M.K.), i cili në një fashikull botuar nga fundi i vitit 1951 në Washington shprehet se pas dështimit të lëvizjes së Fierit … parësia e vëndit dhe jo vetëm bejlerët, arriti në përfundimin logjik që, mbasi Zogu mbahej në fuqi me anën e përkrahjes që kishte nga Italija Fashiste, e vetmja rrugë për t’a hequr qafe ishte q’ata, si të parët e vëndit, të bënin një marrëveshje direkte me qeverinë e Romës. Ndërmjetës për këtë marrëveshje ishin Shefqet Bej Vërlaci i Elbasanit dhe Mustafa Merlika i Krujës. Marrëveshja u plotësua në Dhjetor 1938. E mbasi shtron pikëpamjen e Çekrezit, frati e fton M.Krujën t’ia kthjellojë mirë rrethanat, pozicionimin e Italisë si edhe përzgjedhjet që detyrohet të bëjë paría e emigracionit shqiptar, nisur gjithënjë nga parimi i veprimit sa më në favor të interesave kombëtare shqiptare. Në faqet 239 e deri në faqen 248, M.Kruja i bën Padres një paraqitje të plotë e me të gjitha detajet, (të cilat pikë për pikë gjënden në Arkivin e Shtetit Shqiptar si edhe në Arkivin e Ministrisë Jashtme të Italisë – shënim i M.K.), duke treguar hapat e ndërsjella të ndërmarra përgjatë bisedimeve si nga përfaqësuesi i qeverisë fashiste italiane Giovanni Giro e nga ana tjetër nga ana e M.Krujës si i caktuar të përfaqësojë të katër grupet e nacionalistëve shqiptarë jashtë Atdheut mëmë. Ësht’e qartë se vetëm leximi i plotë i atyre dhjetë faqeve shkruar nga M.Kruja në sqarim të pyetjes fratit, e ndriçojnë lexuesin. Megjithatë, me pak rrjeshta të mijtë sa për t’a ngjallë kërshërín’e mëtejshme të lexuesit, do të cek ndonjë moment kulmor pozicionimi nga ana e M.Krujës sipas marrëveshjes me grupet nacionaliste. * Shqiptarët e pranonin një princ të shtëpisë Savoia (siç kishte qenë edhe Princ Wiedi). * Nuk pranonin regjim fashist në Shqipëri. * Asnjë koncesjon, (lëshim në dëm të vëndit), Italisë në kundërshtim me pavarësinë kombëtare shqiptare. E mbasi i shtrohen G.Giros këto sinore, M.Kruja e ndjen nevojën edhe t’i shtojë … me që ndërmjet shteteve kurrë nuk është dhënë asgjë e as jepet pa një leverdí të ndërsjellë, e pyes Qeverinë Italiane nëpërmjet teje, në se Italia e ndjen veten plotësisht të kënaqur me një Princ të Shtëpisë Savoia mbi fronin e Shqipërisë apo mendon të parashtrojë edhe pretendime të tjera … E kur Giro-ja shton se mendimi i palës italiane është që të ketë shkrirje të dy kurorave mbretërore, të ketë shkrirje të ushtrive, të diplomacisë si edhe financave, M.Kruja i pohon pa lëkundje “… Atëhere, i dashur Giro, në këto kondita dhe përsa më takon mua si edhe miqve të mi, Mbreti Zog mundet të mbretërojë edhe njëqind vite mbi fronin e Shqipërisë !”
Pa dashur të zgjatem, i lejoj vetes t’i drejtoj vetëm një pyetje lexuesit : përgjatë 47 viteve të diktaturës komuniste, është ndeshur lexuesi me ndonjë qëndrim sadopak të krahasueshëm me pozicionimin krenár dhe dinjitoz të M.Krujës ndaj shtetit që ai priste t’a mbështeste ? Edhe pak fjalë lidhur me një fakt me të cilin lidhen spekullime tejet të ulëta të bëra gjatë dhjetravjeçarësh për t’a ndikuar opinionin publik shqiptar në një drejtim krejtësisht të padrejtë ndaj realitetit. Fjalën e kam rreth telegrameve të drejtuar Mussolinit nga Grenobli. Kopjet e telegrameve ndodhen në arkiva dhe janë të botuara në gjithë shtypin italian të datës 8 prill 1939. Ata kurrë nuk janë botuar integralisht përgjatë diktaturës, kurse popullit, duke ia cituar me nënkuptime dhe insinuata, i janë paraqitur ata si kulmi i tradhëtisë ndaj Atdheut. Ja se si formulohej pak a shumë (sipas kujtesës së M.Krujës – shënim i M.K.) telegrami i parë : “ Në çastin që fati i Kombit t’onë gjëndet tashmë krejtësisht në dorën t’uaj, duam të shpresojmë se do t’a tregoni bujarínë t’uaj duke i respektuar të drejtat e tija si Shtet i pavarur.” Lidhur me telegramin e dytë, të nisur me 13 ose 14 prill 1939, M.Kruja pohon … si pamë qi u shpall bashkimi personal, të cilin na e kishim prapsun, si dhe formimin e nji qeverije shqiptare me të gjithë ministrat, si ma parë, aty mbrenda edhe ministër të jashtëm, lufte e financash, na erdh pak shpirti e i dërguem Mussolinit nji telegrafë të dytë tue i thânë se i pranojshim vêndimet e atij kuvêndi me shpresë qi prej atyne vendimeve do të dilte bashkimi i të tânë Shqiptarvet nën flamurin e Skënderbegut.
Këta telegrame aq të përfolur nga historiografía komuniste, a nuk na dalin tashti në një dritë krejtë tjetër pa le edhe të gjindshëm (vetë telegramet) si qenë formuluar origjinalisht ? Dhe momenti që duhet theksuar e nënvizuar është se në telegramin e dytë i mëshohet të kujtuarit të marrëveshjes kaluar për t’u bashkuar gjithë Trojet Shqiptare, Kosova, pjesërisht Maqedonia si edhe Çamëria, nën flamurin e Skënderbeut !
Me këtë rast kërkimi i së vërtetës si edhe pozicionimi i ndershëm ndaj fakteve historike të paraqitura pa deformime, pa le pastaj shtrembërime në interpretim, më detyron t’ia nënvizoj lexuesit vullnetmirë faktin se si Mustafa Kruja, kur flet për pastërtín’e figurës historianit kërkon që historiani t’a pohojë të vërtetën siç është, qoftë ajo e vërtetë edhe kundra bindjeve patriotike të historianit vetë ! (Fq.285).
Siç e sheh lexuesi i këtyre radhëve, jemi munduar të vemë në dukje pohimet madhore të Mustafa Krujës përgjatë letrave të tija me përgjigje drejtuar Padres, ku si një fill i ngjyrosur duket qartë pozicionimi i tij tejet i ndershëm ndaj të vërtetave historike pa marrë parasysh interesa as partishmërí edhe kur është fjala të thuhen të vërtetat cilatdo qofshin ato, edhe kur bijnë ndesh me bindjet patriotike të hitorishkruesit !. Ja ku po e kujtojmë, mes shumë syresh, edhe një pohim gati – gati të pabesueshëm (Fq.315). Tek e pyet frati në se ishte e vërtetë që gjatë tërheqjes së ushtrive serbe nëpër Shqipëri, (mbas thyerjes që pësuan ato prej ushtrive austro – hungare), ato ishin sulmuar nga njësi ushtarake shqiptare, M.Kruja, ai antiserbi i regjur, pohon : … Ça paske kënduem mbi trazimin e Sërbet prej nesh kur janë tërhjekun nëpër Shqipni përpara sulmit austro –hungar në fillim të 1916-s nuk âsht rrênë, mjerisht. Po thom mjerisht, se mbas mendimit t’em nuk na nderon aspak. Esati nuk kishte kurrfarë pushteti ndër malet asokohe. Ç’mësim niveli tejet të lartë etiko – moral duhet të nxjerrin nga ky pozicionim historianët bashkëkohorë ! E konsideron turp goditjen mbrapa krahëve të një ushtríe të thyer në ikje e sipër, qoftë ajo edhe ushtría serbe armike tradicionale e jona. Nga ana tjetër, edhe në rastin kur e kishte mundësínë të heshtëte, duke ia lënë përgjegjësínë Esat Pashës, armikut të betuar të vetë Mustafa Krujës, ky i del zot duke u shprehur se ai (Esat Pasha – shënim i M.K.) nuk kishte asnjë pushtet në malet shqiptare. A kanë nevojë për komente këto pozicionime shkencore jashtë ç’do kuadri politik dhe mëríshë personale të M.Krujës, pa le të bëhen përqasje me pseudostudime e pseudoanaliza historishkruesish të periudhës diktatoriale e që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite e mbahen akoma për historianë ?
Letra e 101-të është një model analize shkencore historike se si M.Kruja i përgjigjet Padres lidhur me pyetjet rreth rolit të Esat Pashës në vrasjen e komandantit të Shkodrës së rrethuar, Hasan Rizait.
Në faqen 382 M.Kruja u bën një ndarje krerëve kosovarë në katër kategori, lidhur me pozicionimin e tyre ndaj pavarësísë. T’a lexojë lexuesi atë faqe. Të qëndrojë pastaj dhe me mëndje të tijën emrat e Hasan Prishtinës ose Bajram Currit e në vazhdim, t’i zëvëndësojë me emrat e drejtuesve të sotëm të Kosovës, (doemos edhe në kushtet e rrethanave të sotme). E kur t’a ketë ndërtuar këtë kuadër në mëndjen e tij, nga përqasja a nuk vjen në përfundimin e M.Krujës që pohon se … ndër krenët e Kosovës mbretnonte Khaosi …? (rrëmuja – shënim i M.K.).
Përmbyllje :
Për një gjysëm shekulli historia u shkrua sipas fitimtarëve dhe pavarësisht nga
deformimet dhe shtimit të radhëve të tradhëtarëve me armiq të rinj, historianët zyrtarë shkruanin histori të re sipas skenarit të urdhëruar nga udhëheqësi i pagabuar. Edhe sot, me inercinë e autoritetit shkencor të fituar në sistemin e kaluar, vazhdojnë të përkujtojnë dhe të shkruajnë nëpër tekste historie, sipas tyre te vertetat e ashtuquajtura historike !
Përgjatë kësaj hullíje nuk i shmangem dot dhe e ftoj grupin e personave që e kanë paraqitur librin e Çatin Saraçit si hedhje dritë mbi figurën e Ahmet Zogut, t’a dëgjojnë një këmbanë rreth ortakut të tretë të treshes A.Zogu, Jak Koçi dhe Ç.Saraçi, të cilët honoraret (lexo ryshfetet) i ndanin më tresh me përqindje të caktuara. Këta janë vallë njerëzit pohimet e të cilëve na rekomandohet t’i marrim si fakte historike ? Njihemi tashti me përgjigjen që i jep M.Kruja fratit, tek e pyet ky se si e njihte ai Jak Koçin. M.Kruja i përgjigjet duke e cilësuar si aventurier nga më të poshtrit në botë dhe të pashoq ndër shqiptarë. E bile shton se po të kishte qenë Jak Koçi personalitet historik, M.Kruja do të sillte në tryezë edhe fakte por shton … Jaku s’e meriton as me ndymë gojë e letër me tê …
Gjithsecili person që rreth M.Krujës nuk ka pasë dëgjuar asgjë tjetër veç propagandës komuniste, e mendon atë tradhëtar të atdheut, të shitur tek Italia Fashiste si edhe kriminel. Si pasojë as e përfytyron dot se si ky njeri ishte bashkënënshkrues i Dokumentit të Mëvehtësísë më 28 Nëntor të 1912-ës në Vlorë, bashkëhartues me L.Gurakuqin i të gjitha memorandumeve edhe notave që delegacioni shqiptar i paraqiste Konferencës së Paqës në Paris. Nga ana tjetër as që mund t’a mendojë se M.Kruja qe personi që për të pranuar portofolin e kryeministrit i vuri kusht Italisë që flamurit t’i hiqeshin dy simbolet e fashizmit si edhe nyja e shtëpisë Savoia. A i shkon mëndja këtij lexuesi se M.Kruja, duke parë se qeveria italiane i shkeli kushtet e marrëveshjes për rrëzimin e Mbretit Zog dhe e shkeli ushtarakisht Shqipërinë, qeverin’e tij e ndërtoi me antiitalianë të njohur ? Dhe cili qe pikësynimi i tij me këtë veprim ? Që qeveria, në të gjithë sferën e veprimtarísë së saj, të ishte sa më e ngurtë ndaj ndërhyrjeve të qeverisë italiane duke e frenuar shtrirjen e ndikimit të saj.
Mund të duket e pabesueshme, por M.Kruja qé kryeministri i cili jo që Qazim Koculin, ish udhëheqësin ushtarak të Luftës Vlorës të vitit 1920, e pati emëruar komisar të lartë të qeverisë, po kur italianët nxitën veglat e tyre t’a vrisnin me atentat Qazim Koculin, Mustafa Kruja në emër të qeverisë tij dha dorëheqjen e pakontestueshme dhe të prerë !
Mbasi të jenë lexuar këto radhë e pastaj të jetë zgjeruar fusha e njohjes duke e lexuar edhe vëllimin e plotë të letërkëmbimit, ësht’e qartë se secili që ka një minimum ndershmëríe në ndërgjegjen e tij do të duhet tani e tutje t’a rishikojnë me sy si edhe mëndje kritike gjithë morínë e pohimeve që janë paraqitur dhe predikuar si të vërteta historike deri më sot nga ata historianë shkarravinash pseudohistorike për të cilët folëm pak më sipër.
Kaq sa u shkrua deri më tani, ka për qëllim vetëm t’a tërheqë lexuesin potencial të vëllimit të plotë, për t’a parë Mustafa Krujën në dritën e tij të vërtetë që i takon si atdhetar i skajshëm dhe i papërkulshëm lidhur me pozicionimet e tija parimore të një qëndrimi etiko – moral shkalle nga më sipëroret. Mirëpo diktatura veç baltës që hodhi e nuk pushoi së hedhuri mbi këtë figurë patriotike madhore të kombit tonë, me dhunë bëri të mbulohet me harresë ana tjetër, po aq e shquar e këtij personaliteti vërtet shumëplanesh, si studjues i gjuhës edhe prejardhjes së saj, aspekt i cili, për të mos u zgjatur shumë materiali, nuk u trajtua fare. Kërshërínë edhe në këtë drejtim lexuesi do t’a shuajë kur t’a ketë në dorë vëllimin e mirëfilltë origjinal.
Detroit, dhjetor 2006

Bardha Melyshi: 7 vjeçe në kamp internimi

Historitë e rralla të koleksionit të dëshmive “Edhe muret kanë veshë” (Remembrance to Heal and Prevent), mbledhur dhe përshkruar me në gjuhën angleze nga gazetarja shqiptaro-amerikane Kristalé Ivezaj Rama tani mund të gjenden edhe online.
Projekti i realizuar nën kujdesin e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të shtetit u ofroi mundësi shumë njerëzve të sillnin dëshmitë dhe përjetimet e tyre personale në vitet e regjimit komunist, duke bërë që edhe të rinjtë të njohin një pjesë të historisë më të errët të vendit tonë.
“Jemi për të mbledhur mesazhet e pathëna që kanë mbetur gjatë diktaturës, përjetime, vuajtje, shija e kurajës dhe e solidaritetit. Është një projekt i Autoritetit, që bashkë me dosjet, që janë përgjithësisht instrumente të shtypjes dhe denigrimit të personave të rëndësishëm të shoqërisë sonë të asaj kohe, dhe dëshmive gojore, ta themi historinë në 360 gradë. Pra, për të thënë atë që është shkruar, por edhe për atë që është përjetuar në atë kohë”- shprehej Kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula.
Artistja Alketa Xhafa Mripa theksoi se kjo nismë, përmes artit dhe historisë, kërkon të provokojë mbi të shkuarën.

“Për këtë vepër kemi takuar dhe biseduar me mbi 60 persona të dënuar politikë dhe të përndjekur politikë. Tekstet janë rrëfimet e tyre të sinqerta. Unë jam shqiptare e Kosovës, edhe atje muret kanë pasë veshë, por atje krimet i kryen armiqtë serbë, ndërsa këtu në Shqipëri është e pabesueshme se çfarë krimesh kanë kryer komunistët shqiptarë mbi shqiptarët e thjeshtë. Shumë nga të dënuarit që takuam po presin vetëm një kërkim falje e ndjese nga persekutorët. Shqiptarët e kanë në fisnikërinë e tyre historike edhe kërkimin e faljes edhe me falë, dhe ndjesa duhet të kryhet, edhe pse me kaq vonesë” – qe shprehur atë kohë artistja Alketa Xhafa Mripa.

RRËFIMI I MËLYSHIT
Vetëm 7 vjeç, Bardha Melyshi u dërgua në kampin famëkeq të Tepelenës, nga ku pak dolën gjallë, bashkë me të ëmën dhe 2 motrat. Në të njëjtën kohë, familja e saj ishte përçarë, me 35 njerëz të dërguar nëpër kampe të ndryshme rreth e përqark vendit. Shumë nga pjesëtarët e saj të familjes ishin djegur të gjallë kur oficerët e Sigurimit të Shtetit dogjën shtëpitë e tyre në Rrëshen.
Fëmijëria dhe adoleshenca e Bardhës në Tepelenë ishte e mbushur me kushte sanitare të pabesueshme, uri, mbipopullim dhe nevoja bazike non-ekzistente. Bardha Melushi lindi në 5 gusht 1939 në Kthellë të Mirditës. Ajo është 79 vjeç dhe jeton në Shkodër me babain e saj.
Qindra fëmijë vdiqën në këtë kamp, i pushtuar nga sëmundjet. Disa trupa janë varrosur në varre pa emër, disa të tjerë janë hedhur në lumin Bënçë, që t’i merrte lumi me vete. Vendndodhja e shumicës së trupave nuk dihet.

Kampi mbahet mend nga mbijetuesit si një kamp skllavërie, ku të internuarit liheshin të uritur dhe në mëshirën e sëmundjeve të ndryshme, të cilat vinin nga ushqimi i keq dhe mungesa e higjienës. Racionet e ushqimit ishin planifikuar në limitin e mbijetesës.
Bardha ishte 20 vjeç kur u lirua. Tashmë 79 vjeç, historitë e saj janë kaq pikëlluese, sa edhe nipat dhe mbesat e saj dhe familjarë të tjerë, e kanë të vështirë ta besojnë që kanë qenë të vërteta; kështu që ajo flet për ato shumë rrallë. Ajo thotë se i ka thënë gjithmonë vetes që “edhe muret kanë veshë”, kështu që ka qëndruar e heshtur – deri tani.
Fjalët e saj:
Ky vend për ne ishte si një burg, në të cilin dënoheshim ilegalisht dhe pa gjykatë.
Ishim nën urdhrat direkte të dikujt tjetër, as nuk guxonim të merrnim frymë. Duhet të mblidheshim për apel 3 herë në ditë dhe na jepnin 300 gram bukë për të gjithë ditën. Ky ishte një kamp shfarosjeje, jo kamp internimi.

Isha 7 vjeç kur hyra në kampin e Tepelenës dhe isha 20 vjeçe kur u lirova.
Ditën që u liruam nga kampi, mamaja ime ra në gjunjë dhe tha: “Oh Zot i madh çfarë të mire më ke bërë. Hyra në kamp me 3 vajzat e mia dhe po dal me të tria!” Kishte nëna që kishin hyrë me 5 fëmijë dhe dolën pa asnjë, pasi shumë vdiqën gjatë epidemisë.

Ishte një herë gjatë qëndrimit tim në kamp kur fjeta dhe u zgjova me një dhimbje të madhe fyti. Isha në gjendje të rëndë për 3 ditë.
Isha me fat, sepse kishte njerëz që i kishte ndodhur kjo dhe kishin vdekur në kamp dhe asnjë nuk kishte treguar ndonjë interes për t’i ndihmuar.
Di që trupat e vdekur i varrosnin pranë kodrës dhe më vonë i zhvarrosën dhe i dërguan diku tjetër pranë lumit. Por kodrën e mbaj mend shumë mirë.
Në kamp flinim në rreshta; kishte një oficer policie të armatosur, i cili ecte para-mbrapa me një elektrik dore, që të sigurohej që të gjithë ishin në vendet e tyre gjatë natës; në qoftë se nuk ishim, na dënonin.

Mbaj mend që kur dërgonin 3 vajza më të mëdha se unë për të mbledhur dru zjarri, i shoqëronte gjithmonë një polic. Ne nuk na duhej druri, sepse nuk kishim një oxhak ku mund të ngroheshim. Vajzat e mblodhën drurin dhe e lidhën me litar. Gjatë rrugës së kthimit, duhet të kalonin në një kodër dhe druri i ra gabimisht. Ushtari i bëri të vraponin që të merrnin drurin që kishte rënë në fund të kodrës, ta çonin lart, dhe pastaj ia hodhi përsëri. Mbasi shkuan ta merrnin drurin dhe u ngjitën prapë lart, u dënuan për 24 orë pa bukë.

Një rast tjetër që mbaj mend, është rasti i djalit të xhaxhait tim Simonit. E pyeti mamanë nëse mund t’i jepte një palë çorape leshi, në mënyrë që t’i këmbente me miell misri. Ai u kthye në kamp mbas orarit të lejuar dhe tentoi të futej brenda fshehurazi. Një oficer e pa me miell në dorë. Ja hodhi miellin në tokë dhe e lidhi përballë hyrjes së kampit për 24 orë. Ne na dhimbsej shpirti për të, por nuk kishim se si ta ndihmonim.
Por sot, unë jam kush jam, sepse kam punuar natë e ditë dhe e kam mbajtur gojën mbyllur. I thosha vetes që edhe muret po më dëgjonin. Jam e lumtur që ka ardhur demokracia.
Deri dje kisha një lepur në bark, ndërsa sot kam një qen. Flas sa më shumë që mundem, sepse të paktën sot nuk ka asnjë që mund të më lëndojë.

Dokumenti i 1946 – Të arratisurit, faji i vetëm: “Nuk u dorëzohen komunistëve”

“Kur do të demaskojmë në popull reaksionarët, duhet të dalin përgjegjësat, si Fiqiri  Dine, Hysni Dema, Dan Kaloshi, Cen  Elezi, Bilal  Kola etj, por të mos harroni që të theksoni se të gjithë ata që janë në mal, janë fajtorë qoftë se s’kanë bërë gjë, por që nuk dorëzohen….”

 

Kjo qarkore e shpërndarë në ditët e para të gushtit 1946, në Dibër e Mat, për gjithë strukturat partiake komuniste atje, është shembulli më i pastër se si i eliminuan kundërshtarët e komunizmit, duke përdorur çdo mjet sado të ulët. Qëllimi i vetëm dhe i patundur i komunistëve ishte asgjësimi i kundërshtarëve politik dhe prerja e çdo ndihme që ata mund të merrnin në popull, gjatë kohës së vështirë të arratisë së tyre në mal.

Propaganda e komunistëve kundër tyre ishte një prej armëve, ndërsa dredhitë, mashtrimi, spiunimi, kërcënimi dhe dhuna e hapur në popullsinë e pafajshme ishin disa prej mënyrave të tjera.

Në një varg dokumentesh të verës së 1946, zbulohen pothuajse gjithë metodat kriminale të ndjekura në Dibër e Mat, për të eliminuar aty kundërshtarët politik të komunistëve, faji i vetëm i të cilëve ishte se dikur kishin qenë “bajraktarë” apo se “ishin kundër regjimit komunist” dhe “nuk dorëzoheshin e të binin në burg”.

Për të zbuluar se me ç’mjete punonin komunistët, për të luftuar kundërshtarët, lexoni më poshtë dokumentin e zbardhur nga “Kujto.al”.

KOMITETI QARKOR I P.K.SH.    PËR PESHKOPINË

Nr. 43/6 Res.

Peshkopi më 3-8-946

GJITHË KOMITETEVE TË PARTIS TË N/PREFEKTURAVE DHE KOMITETIT QARKOR TË RINIS K.SH.

K Ë T U

Të dashur shokë!

Çështja e reaksionit qëndron një problem me rëndësi për qarkun t’onë. Ju e shihni se me përjashtim të Matit ku atje qëndron më ndryshe, gjendja ka ndryshuar shumë. Janë vrarë, kapur dhe dorëzuar me dhjetra të arratisur, armiq të popullit dhe që akoma vazhdon ky rithmë.

Këto rezulltate janë frutet e një pune të gjithëanshme, të operacioneve që bënë forcat e Mbrojtjes, të rjetit informativ, i mobilizimit t’organizatës dhe të popullit në këtë drejtim. Sot ne kemi situatën në dorë. Për ta mbajtur këtë duhet ta shohim konkretisht si u arrit kjo gjendje dhe çduhet të bëjmë. Sukseset dhe enthusiazmin që është krijuar në popull e organizatë ta shfrytëzojmë për suksese të reja deri në likuidimin e tyre. Është për tu theksuar që të mos kënaqemi dhe të flemë mbi dafina, pse çdo tërheqje nga ana t’onë është një sukses për mbeturinat e rreaksionit për të marrë vehten ose për tu riorganizuar.

Parrulla t’onë është për likuidimin e gjithë të arratisurve. Përpara kësaj gjendje cilat janë detyrat t’ona:

Né dhe i gjithë populli duhet ti shikojmë këto suksese si rrezulltat të punës t’onë. Prandaj organizata duhet ti popullarizojë sidomos pjesëmarrjen e popullit në këtë veprim. Të dalë e kjartë se populli nuk u jep bukë, i kap vetë p.sh. Mahmut Kaloshin, Isa Xhetatin etj. dhe si rrezulltat të punës t’onë agitative duhet që populli t’armiqësohet me elementat e arratisur dhe miqt e tyre dhe të shikojë se çdo gjë e keqe u vjen prej tyre.

Duhet ta njohim mirë rreaksionin, prej kujt përbëhet. Reaksioni është ana e kundërt e interesavet të popullit. Ay është i pa pajtushëm me punën e popullit prandaj né duhet ti gjejmë ku e ka burimin. Kundërshtarët t’anë në qarkun t’onë janë mbeturinast e bajraktarëve dhe të parive të mbështetur në njerzit e privilegjuar të regjimit anti-popullor të Zogut si oficera e mercenarë të ndryshmë. Duhet të kini kujdes se bashkë me t’aratisurit kanë shkuar edhe njerës prej popullit të lidhur me ta nga miqësira ose nga forca e zakonit që janë të një randësi të dorës dytë. Këtu del çështja e diferencimit. Kur do të demaskojmë në popull reaksionarët duhet të dalin përgjegjsat, si Fiqiri  Dine, Hysni Dema, Dan Kaloshi, Cen  Elezi, Bilal  Kola etj. por të mos harroni që të theksoni se të gjithë ata që janë në mal janë fajtorë qoftë se s’kanë bërë gjë, por që nuk dorëzohen.

Në qoftë se ndonjë don të dorëzohet le të vijë të paraqitet në pushtet ose në Mbrojtje pse vetëm në këtë mënyrë do të lehtësojë fajin e bërë. Ju nuk duhet t’u luti ose të bëni konçesione. Ju i njohni gjithë t’aratisurit e N/Prefekturës t’uaj. Për se cilin bëni një politikë si mbas personit. Kur është i dorës dytë ndërmjetësoni duke dërguar ndonjë njeri të afërt ose mik të tij për tu dorëzuar, por që ky veprim s’duhet të tregohet si kur i lutni. Ku kini mundësi shfrytëzoni armiqësit personale të tyre për të patur rezulltate.

Né mund të ndihmojmë S.S. Shtetit duke zbuluar strehusit e tyre dhe elementat e dyshimtë që janë besnik të tyre.

Sukseset që kemi patur dhe që do të kemi janë rezulltati i një lufte të ashpër që bëjnë forcat të ndihmuar nga populli. Prandaj duke u treguar grushtin kundërshtarëve, të punojmë që ata të kapitullojnë para forcave të mbëdha të pushtetit t’onë.

Këto ditë do të rifillonjë nji operacion dhe njëherë më i madh se ay i pari. Organizata e Partisë duhet ta çmojë këtë punë, të mobilizojë të gjithë forcat e popullit në këtë drejtim.

Ky problem duhet të mbahet shumë konspirativ dhe ngarkohet me përgjegjësi direkt komiteti dhe veçanërisht sekretari.

Ju duhet t’a shtroni këtë problem si mbas udhëzimevet të dhëna me gojë dhe si mbas kësaj letre. Na njoftoni mënyrën e të shtruarit dhe mbi zhvillimin e punës.

Shtojmë që kur mobilizohemi në një drejtim nuk do të thotë të arrojmë problemet e tjera si çështjen e rindërtimit, realizimin e planit, zgjedhjet e reja të Frontit që duhet të jenë bërë mbrënda Gushtit si mbas urdhëzimeve që do tu japim më von.

PËR KOMITETIN QARKOR TË P.K.SH.

(Gaqi Nesho)

(firma, vula)

 

Kujto.al Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit

Vitet e fundit të Ismail Qemalit… – Nga Prof. dr. Bardhosh Gaçe

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë si kulmim i përpjekjet të Rilindjes sonë Kombëtare. Rrethanat politike dhe diplomatiken të cilat u krye akti i madh. Qeveria e parë dhe arsyet e dorëheqjes së Ismail Qemalit pas 14 muaj qeverisjeje. Roli i Princ Vidit dhe loja e Esat pashë Toptanit…

 Në kushtet e daljes në dritë të ngjarjeve, fakteve, shënimeve, kujtimeve lidhur me momentet madhore, si shpallja e Pavarësisë në Vlorë në vitin 1912, historiografia shqiptare gjithmonë do të ketë nevojë për të sjellë në vëmendje përjetime, pamje, të dhëna dhe dëshmi për personazhet e kësaj periudhe, për raportet diplomatike, për marrëdhëniet që ajo pati dhe krijoi jo vetëm brenda vendit, por edhe në Perëndim, në kancelaritë evropiane dhe induksionet e veçanta që lidhen me të.

Sado që është shkruar, sado që është kornizuar pamja dhe dëshmia historike për të, kohët kanë treguar se ka akoma mundësi për të sjellë në këtë dëshmi të rëndësishme fakte, interpretime dhe për të pranuar burime të tjera të nevojshme dhe për një arsye tjetër; ngjarja jonë kombëtare, përveçse ishte mu në qendrën dhe vlugun më të nxehtë të Gadishullit të Ballkanit, ajo pleksi dhe një opinion të gjerë diplomatik ndërkombëtar të kohës.

 

***

Sado që historiografia shqiptare është përpjekur të krijojë një kornizë të qëndrueshme për ngjarjen rrethanat, personazhet, aleancat dhe kundëraleancat, burimet, arkivat, librat e shkruar vonë, madje dhe në ditët tona, afrojnë një reflektim dhe vëmendje për të shkruar për të.

Pavarësia e Shqipërisë, e cila u bë e mundur në dekadën e parë të shekullit XX, i cili në një hark të shkurtër kohor i shkaktoi globit dy luftëra botërore, ka qenë një zhvillim kompleks, jo vetëm shqiptar e ballkanik, por ajo valorizon një politikë herë të hapur dhe herë nën rrogoz të diplomacisë së Lindjes e Perëndimit, të nacionalizmit e shovinizmit, të bërrylave që shtetet nacional – shoviniste të Ballkanit kishin me njëri- tjetrin dhe me fuqitë e kohës.

Po ashtu ajo shpalon një radiogramë më të plotë dritë – hije të diplomacisë së kohës, e cila dhe për ironi të kohës, i faturoi veçmas Ballkanit një konfiktualitet të hapur, një marrëdhënie aktive nacional – shoviniste të fqinjëve që rrethonin Shqipërinë.

E përfshirë në një realitet real dhe ireal, të miqve dhe armiqve, pavarësia e Shqipërisë “angazhoi” një qerthull të madh diplomatik dhe politik të kohës, që në njëfarë mënyre i ka afruar historiografisë dhe mendimit politiko- diplomatik mjaft reflektime, për njerëzit e kësaj ngjarjeje të madhe, për bashkëpunimet, rrugëtimet, refleksionet e shtypit të kohës në një valencë të gjatë dhe të gjerë kohore dhe të gjeopolitikës së kohës.

Ngjarje të tilla kanë gjithmonë arsye të vinë në vëmendjen e kohës, pasi ato lidhen me njërin nga fondamentet më të rëndësishme të qenësisë shqiptare, lidhen me tabanin kombëtar dhe mbi ekzistencën tonë, që për shkaqe po themelore, po gjeopolitike, vijojnë të krijojnë batica dhe zbatica të herëpashershme në Ballkan dhe më gjerë.

Gjeopolitika bashkëkohore evropiane dhe me gjerë, këtyre referencave të hershme nuk u është shmangur, madje ato në jo pak raste kanë qenë dhe vijojnë të jenë rezultante të bashkëpunimit diplomatik dhe të fushave të tjera të veprimtarisë së shteteve ballkanike.

Për arsye të ndryshme, këto marrëdhënie në thelb, shpjegojnë ngarkesat e historisë, termat nacional- shoviniste në Ballkan, në Jugun dhe në Veriun e Shqipërisë, po ashtu lidhur me Kosovën dhe treva të tjera, si Çamëria, të cilat vijojnë të kenë një fat tragjik dhe në kohën e globalizmit.

Pavarësia e Shqipërisë lidhet shumë me argumentin politik dhe ideologjik të Rilindjes sonë kombëtare, e cila që nga mesi i shekullit paraprijës të zhvillimeve të mëdha globale, pati shtruar para shqiptarëve, para realitetit ndërkombëtar të kohës, nevojën e krijimit të shtetit shqiptar, dhe pse shqiptarët ishin nën sundimin e plotë të Perandorisë Osmane.

Rilindësit shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve jetonin dhe kontribuonin në metropolet e mëdha të Lindjes dhe Perëndimit, hodhën idetë e mëdha humaniste, iluministe dhe patriotike në një kohë të vështirë, nga mesi i errësirës osmane, duke kuptuar drejt rrezikun në të cilin gjendej vendi i tyre, por dhe duke kuptuar rrokullimën në të cilën qe përfshirë Perandoria Osmane, e cila bashkë me shembjen e saj do të merrte më vete dhe do të zhdukte nga faqja e dheut dhe fate popujsh dhe vendesh, siç ishin edhe shqiptarët dhe Shqipëria.

Ka qenë një intelekt jo i zakontë ai i rilindësve, të cilët mjeshtërisht këmbëngulën në çështjen kombëtare shqiptare përmes fushave të ndryshme të dijes, veçmas atë të kulturës dhe letërsisë artistike, për të krijuar një dituri të rëndësishme politike.

Nevoja për shkollën shqipe, për gjuhën shqipe u reflektuan thuajse nga të gjithë ideologët e Rilindjes sonë kombëtare, duke krijuar një mundësi të reflektimit historik dhe politik. Çështja e shkollës dhe e arsimit, e gjuhës dhe e shkrimit shqip, pavarësisht se u shfaq që nga vitet 1850, ajo nuk u anashkalua për asnjë rast as nga zhvillimet e mëvonshme, qoftë dhe eksponentët politik të fillim shekullit të viteve 1900, për shkakun e njërit nga treguesit më të rëndësishëm, të cilin koha do ta kërkonte në skenën e diplomacisë dhe realiteteve historike.

***

Pavarësia e Shqipërisë u bë prezente në një garniturë të ashpër diplomatike, në të cilën ishin gati të shpërthenin luftëra, të bëheshin aleanca të çuditshme, të përplasej Lindja me Perëndimin, të zhdukeshin vende dhe popuj, të aneksoheshin territore strategjike, pjesë e të cilëve ishin dhe trojet shqiptare. Njerëzit e Pavarësisë së Shqipërisë, në fillim-vitet e nxehta 1900, duhen parë në këtë lloj aktualiteti, real dhe surreal, pasi në fund të fundit, vendi i vogël i Ballkanit po përballej me lukuninë e interesave të mëdha të fuqive të kohës. Pra, në një kohë relativisht të shkurtër, për shkakun e rënies me shpejtësi të Perandorisë Osmane, njerëzve të Pavarësisë u duhej të kuptonin interesat e shteteve aktive në diplomacinë e kohës, të gjenin aleatët dhe kundërshtarët, të manaxhonin zemërimin apo qëndrimin refuzues të Perandorisë, të kuptonin diplomacinë e kohës dhe ajo që ishte më e rëndësishme, përveç krijimit të fuqisë së vet shqiptarëve për t’i dalë zot vendit, të unifikonin qëndrimet e tyre.

Në historinë e çështjes sonë kombëtare, të paktën burimet franceze, njoftojnë se dhe në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, dalja në dritë e tri grupeve, që diferenconin qëndrime thuajse të thella, tregonte se shqiptarët kishin dhe problemet e tyre të brendshme, kryesisht me dakordësitë e mëdha, siç ishte çështja kombëtare shqiptare.

Në një kohë të ngjeshur diplomatike dhe të qëndrimeve të hapura dhe të fshehta të Fuqive të Mëdha, që nga Rusia, Anglia, Franca, Italia, Gjermania, Austro- Hungaria, Turqia, kanale të tjera të nëndheshme, midis njerëzve që mundësuan Pavarësinë e Shqipërisë, në nëntorin e vitit 1912 u shfaq edhe Plaku i mençur dhe i urtë Ismail Qemali, dhe delegatët nga të gjitha viset shqiptare të cilëtngritën flamurin shqiptar, i cili përbënte dhe simbolikën më të të rëndësishme dhe më reale për sakrificën sublime të shumë intelektualëve, mendimtarëve, njerëzve të dijes dhe të luftës.

Në kontekstin e gjerë të angazhimit diplomatik ndërkombëtar, në raportet që shkonin e vinin përmes delegacioneve, marrëveshjeve dhe pakteve të shteteve të mëdha, një rol të jashtëzakonshëm luajtën dhe zhvillimet brenda vendit. Duke qenë se shqiptarët njiheshin dhe vazhdonin qëndrimin e tyre lidhur me trojet dhe territoret që kishin të njëjtën gjuhë e dëshmi të tjera etnologjike dhe etnike, mbajtën qëndrime të forta ndaj rrezikut që i kanosej vendit. Zhvillime politike, bashkëpunime, kuvende, konferenca, vendime të një rëndësie të madhe për kohën pati në të gjithë vendin, në veri dhe në jug. Në Malësinë e Shkodrës, e cila valorizoi deri në Shqipërinë e Mesme, pati kryengritje të forta, të cilat kishin një angazhim politik të njohur, që lidhej pikërisht me zhvillimet për çështjen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë klimë bashkëpunuese, pavarësisht vështirësive detyrimet e klasës politike, që kishte marrë përsipër të bënte gjithçka për Pavarësinë e Shqipërisë ishin të mëdha. Përgjithësisht në shtresat e gjera popullore, pavarësisht organizimit administrativ – shtetëror, shkollimit, mënyrave të tjera të organizimi shoqëror, krahinor apo më gjerësisht, çështja kombëtare dhe rëndësia e shpalljes së Pavarësisë kishte krijuar një qëndrim të palëkundur, prandaj ishin të gatshëm ta ndiqnin pas dhe njerëzit e luftës për t’i ndaluar rrugën nacional – shovinizmit ballkanik.

Duke qenë një diapazon i gjerë i gjithë këtyre zhvillimeve, jo vetëm për shkakun e Shqipërisë, por valenca evropiane e kësaj kohe ishte e tillë, pasi në spektrin ekonomik të zhvillimit, aleancat e reja kapitaliste, marrëdhëniet e zhvillimit industrial ishin një “aksion” zhvillimi që reflektonin dhe në zhvillimet politike, themeluesit e Pavarësisë së Shqipërisë i ekspozohen një vëzhgimi dhe vështrimi të shumanshëm. Në qendër të gjithë “aksionit” politik, diplomatik, kulturologjik, shoqëror të kësaj kohe patjetër vazhdon të mbetet Ismail Qemali, një nga figurat më emblematike dhe të rëndësishme, jo vetëm pse ai qe personaliteti i kohës dhe figura historike që ngriti flamurin e Pavarësisë, por për arsyen e valorizimit që një figurë e tillë, kishte para se historia t’i rezervonte një angazhim të tillë, po ashtu dhe pas shpalljes së Pavarësisë.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe brenda faktorit shqiptar u shpall në rrethanat e veta të zhvillueshme, ku u shfaqën probleme të mprehta me të cilat u përball Qeveria e Përkohshme e Vlorës, ministrat dhe kryeministri, njerëz të administratës etj. E gjithë kjo kohë, kur qeveria e Ismail Qemalit qe e detyruar të ketë një jetë të shkurtër, por të rëndësishme, përkonte po ashtu dhe me zhvillimet e natyrës së vështirë për t’i dhënë rrugë një zhvillimi normal të vendit. Ismail Qemali do të mbetet njëri nga njerëzit më aktiv, më të angazhuar të historisë së Shqipërisë, i cili falë një inteligjence të jashtëzakonshme, të një përvoje prej shtetari të sprovuar të një perandorie ndër më të mëdhatë e kohës, u përball vetë me to, reagoi ndaj tyre dhe mbajti qëndrim.

Siç dihet, Ismail Qemali dha dorëheqje në vitin 1914 (22 janar) për t’i hapur rrugë një stadi të ri të zhvillimeve në vend, por dhe për shkak të një qëndrimi jo aq dashamirës të Perëndimit për drejtimin e vendit nga qeveria e tij. Duke qenë një shtetar i lartë klasi, Ismail Qeamali nuk donte t’i faturonte vendit ndonjë izolim nga Perëndimi, pasi zhvillimet ndërkombëtare dhe një lloj kobi i zi nacional- shovinist nga fqinjët i vërtitej rrotull Shqipërisë.

Poeti ynë kombëtar Ali Asllani, i cili asokohe ishte kryesekretar i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, na thotë në kujtimet e veta në gazetën “Telegrafi” që Ismail Qemali i dërgoi nga Bashkia e Vlorës prefekturave të vendit, duke i dhënë lamtumirën popullit shqiptar vlerësimin e tij ku thuhej: “E shoh për detyrë, pra, të deklaroj se edhe këtu  e tutje e tutje do t’i konsakroj  ditët e fundit të jetës sime në shërbim të Atdheut, dhe, duke qenë se po marrin në dorë qeverimin e Atdheut tonë, qëllimi i Fuqive të Mëdha është që si e si t’u japin fund invazioneve të jashtme dhe ngatërresave të brendshme, u porosis me gjithë zemër, që të tregoni bindje të plotë në urdhrat e tyre dhe funksionarëve të lartë që kanë qenë zgjedhur prej meje dhe të pëlqyeshëm për ta…”. (gazeta “Drita, Tiranë nr. 223, 22 gusht 1937).

 

***

Përveç angazhimit të plotë që Plaku i Vlorës bëri lidhur me Pavarësinë, një histori brilante është ajo që pason me të pas dorëheqjes së qeverisë së tij. Ismail Qemali mbeti aktiv gjatë gjithë jetës së tij, deri kur mbylli sytë në mënyrë misterioze në Itali. Të rëndësishme janë qëndrimet që ai ka mbajtur mbi zhvillimet pas dorëheqjes së tij, për situatën politike të Princ Vidit, ato lidhur me Esat Toptanin, Qeverinë e Durrësit, lidhur me përfaqësimet shqiptare në arenën ndërkombëtare, me zhvillimet politike, ku kishte qëndrime të ndryshme, madje dhe të kundërta. Me vendosjen e tij në Francë, Ismail Qemali mbante lidhje me mjaft mëmëdhetarë të shquar të kohës brenda e jashtë vendit si me A. Kastrioti, Rasif bej Dinon etj. Ai i ndiqte me interes zhvillimet në Shqipëri si me anën e letërkëmbimeve, ashtu edhe me udhëtimet që bënin nga Shqipëria në Nicë: Ibrahim Abdullai, Sali Hallkokondi, Elmaz Xhaferi, Zihni Abaz Kanina, Ahmet Durmishi, Spiro J. Koleka, Ymer Radhima, Xhezo Balo, Xhafer Xhuveli etj. Në Kushtet e Luftës së Parë Botërore, për t’i bërë ballë copëtimit të trojeve shqiptare, ai e shikonte të nevojshme krijimin e një qeverie kombëtare.

Në një kohë relativisht të ngjeshur me zhvillime, Ismail Qemali i ra kryq e tërthor Evropës, qendrave politiko – diplomatike të Perëndimit për të thënë atë që duhej për Shqipërinë dhe shqiptarët, për atë që kishte nevojë vendi, për shkakun e njohjes perfekte që ai kishte për gjeopolitikën evropiane, e cila lexohej prej tij përmes burimeve të shumta, që nga e kaluara e në aktualitetin e saj. Të kësaj kohe janë qëndrimet dhe për zhvillimet evropiane, të cilat janë botuar në shtypin dhe gazetat perëndimore. Një nga rrëfimet më të gjata të tij është  “Shqipëria dhe shqiptarët”, që daton vitin 1917 (Paris), i cili kapërcen kapacitetin dhe misionin e një shkrimi të tillë, botuar në “Quartely Revieë”.

Duke e parë si një zhvillim të qëndrimeve të Fuqive të Mëdha, ardhjen e një princi të huaj në Shqipëri, më së shumti për nevojën që vendi kishte, për të krijuar marrëdhënie dhe bashkëpunim të nevojshëm me vendet e huaja, Ismail Qemali e vlerësoi ardhjen e Princ Vidit. Ai mendonte se Princi do ta udhëhiqte vendin drejt bashkimit kombëtar, do ta nxirrte vendin nga prapambetja dhe do të punonte për organizimin administrativ të tij.

Zhvillimet politike në Shqipëri kishin pasur terrenin e tyre. Veçmas, gjatë periudhës së Tanzimatit, një lloj reforme të shtetit turk, shqiptarët e pritën jo mirë dhe ndonjëherë edhe me kundërshtime të forta, po ashtu gjatë kohës kur luftohej për pavarësinë e vendit, ndër shqiptarët kishte një reagim më të fortë dhe më të ashpër lidhur me faktorin ndërkombëtar. Kështu, edhe pas dorëheqjes së Qeverisë së Vlorës dhe fronëzimin e Princ Vidit, shqiptarët nuk e pritën mirë ardhjen e tij, madje pati dhe kundërshtime me forcë. Në këtë kohë Ismail Qemali ishte në Nicë të Francës. Reagimit të ashpër të kundërshtimit të Vidit iu shtua edhe ndalimi i ardhjes së Ismail Qemalit në Shqipëri, nën ndikimin e Esat pashë Toptanit, që kishte postin e ministrit të Brendshëm.

Pas largimit nga vendi, Ismail Qemali mbante lidhje dhe korrespondencë me faktorin politik dhe diplomatik ndërkombëtar. Ai, si një shtetar i zoti dhe i mençur, duke kuptuar mjaft mirë konjukturën ndërkombëtare, pushtetin ia kishte dorëzuar KNK-së, duke konfirmuar në njëfarë mase se shqiptarët kishin shtet dhe se Evropa e kishte për detyrë t’i mbronte ata. Me të drejtë një veprim i tillë ka qenë kaq i zgjuar dhe kaq diplomatik, të cilin mund ta bënte vetëm një diplomat karriere dhe një shtetar, i cili dinte të orientohej si mos më mirë në një “kaos” të kësaj natyre siç ishte Shqipëria dhe mënyra se si Fuqitë e Mëdha po menaxhonin Evropën, e cila nga dita në ditë po rrëshqiste drejt Luftës së Parë Botërore.

Duke qenë larg Shqipërisë, por duke e njohur nga afër dhe në detaje çdo zhvillim, Ismail Qemali nuk ishte për t’u acaruar situata në Shqipëri dhe pse ai e kuptoi shumë shpejt se i dërguari i Perëndimit, Princ Vidi, as kishte dëshirën dhe as kishte mundësinë të bënte ndonjë gjë konkrete në pritshmëritë e patriotëve shqiptarë prej tij. Ai ishte një lloj lodre në duart e Fuqive të Mëdha, që siç shprehej Ismail Qemali: “Mbretërimi i shkurtër i Vilhelm Vidit qe më i pasur me episode groteske se sa në përpjekje reale për të riorganizuar një shtet në lindje e sipër, nxori në shesh kujdesin e pakët që treguan Fuqitë në çështjen e zgjidhjes së sovranitetit”.

Ngjarjet në Shqipëri, pas ardhjes së Princ Vidit, ishin të paparashikueshme. Esat Toptani po krijonte precedent të paparashikueshëm, për shkakun e një egocentrizmi të theksuar të tij, pasi ai i kundërvihet dhe Princ Vidit, duke e bërë akoma më të vështirë qëndrimin e tij në Shqipëri. Largimin e Vidit e kishte kërkuar edhe kryengritja fshatare.

Ismail Qemali kishte një përvojë jashtëzakonisht të rëndësishme lidhur me aftësinë e interpretimit drejt të situatave të tilla. Shqipëria rrezikonte disa fronte për të humbur kujdesin e faktorit ndërkombëtar. Dhe pse Vidi dukej si një “gozhdë e ndryshkur” në këtë kohë, trajtimi tij në mënyrë kaq të ashpër në sytë e ndërkombëtarëve nuk i bënte mirë vendit. Në të mirë të një qëndrimi shqiptar të qëndrueshëm Ismail Qemali erdhi në Shqipëri në majin e vitit 1914, por dramatikisht Protokolli i Korfuzit, me përfaqësuesit e “Vorio Epirit” cenonte rëndë sovranitetin e shtetit shqiptar, i cili ishte dhe në kundërshtim të plotë me Statutin Organik të Shqipërisë, që e kishin miratuar edhe vetë Fuqitë e Mëdha.

Shovinistët grekë filluan një sulm të paprecedent kundër fshatarëve të viseve të Jugut për t’i detyruar ata të braktisnin trojet e tyre. Në këto rrethana kritike dhe dramatike Ismail Qemali takon në Durrës Princ Vidin, i shoqëruar dhe nga një dërgatë prej 20 vetash. Pas këtij takimi, si një diplomat dhe negociator i sprovuar në situata shumë më dramatike dhe më të komplikuara, Ismail Qemali do të shprehej: “Princi më çuditi për mungesën e një ideje mbi gjendjen e vendit dhe për mungesën e një vetëdijeje për vështirësitë e jashtëzakonshme të çastit”.

Ismail Qemali nuk u kursye kurrë për atë që kërkohej të ndihmohej vendi dhe mundësitë që ai kishte. Vitet 1912-14 ishin të rënda në Shqipëri, qoftë nga brenda, qoftë dhe nga jashtë. Nga Shqipëria e Jugut kishin lënë trojet dhe shtëpitë mijëra muhaxhirë. Në këtë gjendje, Ismail Qemali në bashkëpunim me parësinë e Vlorës vendosën të krijohej Komiteti i Shpëtimit Publik, dhe përmes njërit nga Komisionet e këtij komiteti iu kërkua Princ Vidit, KNK-së dhe Fuqive të Mëdha ndihma, duke sjellë në vëmendje edhe mbajtjen nën pushtim të tokave shqiptare nga Greqia në kundërshtim edhe me vendimet e Konferencës së Londrës dhe Protokollit të Korfuzit, të cilin e kishin nënshkruar dhe grekët.

Pa hyrë në detaje edhe më të holla, Ismail Qemali në këtë kohë përveçse iu gjend afër popullit shqiptar, ai falë përvojës diplomatike, i bënte një shërbim të rëndësishëm vendit, lidhur me një axhendë diplomatike të nevojshme konkrete. Gazeta “Populli” sjell një informacion interesant të kohës lidhur me qëndrimin e Ismail Qemalit në një situatë të tillë dramatike: “Ne kemi mbetur në një vend të pakët dhe të ngushtë. Mijëra njerëz ndodhen në mjerim e në të keqe. Në njërën anë deti, në anën tjetër armiku: kush është atdhetar dhe njeri të mos kursejë as shpirtin për t’i qëndruar këtij rreziku. Vetëm me fuqinë tonë të përpiqemi të kapërcejmë këtë rrezik e t’i themi Europës që ne kemi të drejtë të rrojmë. E drejta jonë nuk arrin për të kapërcyer rreziqet tërësisht, por të kujdesemi e të lypim prej Europës që ne kemi të drejtë të rrojmë”.

Pas këtyre ngjarjeve në gusht të vitit 1914 ai shkon në Romë, për ta përdorur dhe në këtë rast këtë pozicion për të marrë kontakte më të drejtpërdrejta me faktorin ndërkombëtar lidhur me problemet që kishte vendi i tij. Për arsye të ditura historikisht, Ismail Qemali u përball në të shumtën e rasteve me një lloj arrogance dhe nënvleftësimi të faktorit ndërkombëtar lidhur me çështjet shqiptare. Lufta e Parë Botërore do të ishte një problem i vështirë për Shqipërinë. Pasi Fuqitë e Mëdha kishin marrë nën kujdes vendin, ata kurrë nuk u interesuan dhe as patën një angazhim për ta nxjerrë Shqipërinë nga prapambetja dhe nga kaosi në të cilën ajo u gjend qoftë nga tendencat e brendshme politike, po ashtu dhe ata të huaja, veçmas të fqinjëve. KNK-ja gjatë kësaj kohe u bë inekzistente në Shqipëri. Në rrethanat e “iniciativave” të ndryshme, qoftë të forcave qeveritare, ato antividiste, ato të agjentëve turkomanë, ato greke dhe të qarqeve të tjera, të cilat vepronin në vend, Ismail Qemali kërkonte ruajtjen e flamurit shqiptar dhe mospërdorimi i flamurit turk, me ç’rast forcat greke do të kishin një pretekst më shumë që të ndërhynin në Vlorë, duke dhënë dhe këshillime për sigurimin e vendit me forcat lokale.

Ndër këshillimet e mençura të Plakut të Vlorës në këtë kohë, lidhur me tendencat dhe qëndrimet pro dhe kundër për zhvillimet në Jugun e vendit, Qeverinë e Durrësit, çështja e muhaxhirëve, antividizmin dhe zhvillime të tjera, të cilat kishin angazhuar mjaft njerëz të niveleve të ndryshme në Vlorë, Durrës, Shijak, në Jug e gjetkë, ishte që ato të interpretoheshin si zhvillime të brendshme për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë dhe Flamurin kuq e zi.

 

***

Gjatë Luftës së Parë Botërore Ismail Qemali qëndroi në Itali dhe në Francë, duke ndjekur me shqetësim zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri, e cila ishte vazhdimisht e rrezikuar nga palët ndërluftuese, pavarësisht se ishte një vend që kishte dakordësinë ndërkombëtare si shtet. Për fatin e keq, dy fuqitë ndërluftuese të kësaj drame zhvillonin luftime edhe në Shqipëri. Në këto rrethana, Ismail Qemali kuptonte rrezikun që i kanosej pavarësisë së vendit, kështu që në vitin 1915, në gazetën franceze “Le Matin” ai fliste se Shqipëria, e cila që në vitin 1913 ishte një shtet më vete, e kishte humbur pavarësinë sepse “u shtrëngua nga të gjitha anët prej serbëve, malazezëve, bullgarëve dhe grekëve” dhe u kërkonte francezëve t’i ndihmonin shqiptarët dhe Shqipërinë, pasi ata janë të besës dhe në ditët e duhura ata të vijnë në ndihmë. Por kjo thirrje nuk u dëgjua nga francezët, ndryshe ata bënin plane kundër Shqipërisë.

Ismail Qemali, për fatin e vendit të tij, kishte një qëndrim gati të formuar lidhur me fatin e luftës, duke pasur një lloj besimi tek forcat e Antantës, për një arsye të thjeshtë, sepse ata llogarisnin në krahun e tyre edhe Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, por një kumtesë e tillë nuk arriti të bëhet publike, për shkakun e kundërshtimit të Francës dhe Rusisë, sepse ishin kundër lëshimeve që i bëheshin Italisë në këtë rast, që sipas qarqeve diplomatike të kohës, shqiptarëve në vitin 1915 u premtohej nga qeveria e Londrës rimëkëmbja e shtetit shqiptar në formën e një “Shqipërie autonome nën protektoratin e Italisë”. Siç dihet nga historiografia, qëndrimet e Francës dhe të Rusisë kanë qenë gjithmonë në mbështetje të nacional – shovinizmit të fqinjëve ballkanikë për të copëtuar tokat shqiptare rast pas rasti dhe konferencë pas konference, qoftë përmes traktateve, qoftë edhe marrëveshjeve të fshehta.

Gjatë qëndrimit në Francë, Ismail Qemali trokiti disa herë në portat e diplomacisë franceze, por aty mësoi  se autoritetet franceze për çështjet e Shqipërisë  i besonin elementit më të përshtatshëm, Esat Pashë Toptani. Dhe kjo kishte arsyet e veta, pasi pozicionit të vendosur franko-anglez në favor të Greqisë dhe Serbisë, i shkonte për shtat politika që ndiqte Esat Pashë Toptani me bekimin e Serbisë, tek e cila Franca shihte një mbështetje të veçantë. Kështu, Esat Pasha u paraqit në Paris si kryetar i Qeverisë Shqiptare. Diplomacia franceze i propozoi Ismail Qemalit kërkesën e saj për të ngritur në Shqipëri një lëvizje që t’i shërbente si bazë për operacionet e ushtrisë franceze në Ballkan. Por ai e kundërshtoi hapur kërkesën  e tyre, pasi vendi i tij nuk mund të bëhej  përsëri një fushë beteje. Në këto kushte francezët e braktisën Ismail Qemalin; vetë kryeministri A. Briand u shpreh se nuk mund të ndihmonte  “një pensionist të padobishëm për Francën...”.

Si pasojë, Ismail Qemali u njoftua të largohej nga Franca dhe në maj të vitit 1918 mërgoi në Spanjë  së bashku me familjen. Siç kujtonte i nipi, Ismail Vlora, ato çaste ai u tregoi të bijve, Et’hemit  dhe Qazimit një histori: Vite më parë, më 1871, kur francezët bënin protesta për çështjen e Alsas-Lorenës, Ismail Qemali, i ftuar dhe i shoqëruar nga Viktor Hygo e Klemansoi, kishte marrë pjesë në mbledhjen e Parlamentit Francez, pas mbledhjes kishin darkuar në një lokal. Klemansoi, i befasuar nga kultura e Ismail Qemalit, e kishte pyetur: “Si është e mundur që ju dini kaq shumë për vendin tim, ndërsa ne e njohim shumë pak vendin tuaj?” Dhe Ismail Qemali ia kishte pritur: “Kështu ndodh z. Klemanso, sepse ju francezët  keni 500 vjet që e merrni baltën  dhe e fryni e krijoni heronj, ndërsa ne shqiptarët heronjtë tanë i kemi kthyer në baltë...”.

Duke udhëtuar për në Barcelonë, Ismail Qemali u takua në Marsejë me diplomatin italian Spetia, të cilit i shprehu kënaqësinë, se atje do të kishte më shumë lehtësira për të punuar për çështjen shqiptare, në veçanti përmes kontakteve me shqiptarët e Amerikës. Nga Barcelona, sipas gazetës “Koha”, 25 korrik 1918, ai udhëtoi disa herë në Madrid, ku u takua me ambasadorin e SHBA dhe përfaqësuesit  e Fuqive të Mëdha për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga rreziku i copëtimit ballkanik.

Një lëvizje tjetër e rëndësishme e Ismail Qemalit, duke parë terrenin e ashpër dhe të befasishëm evropian, ka qenë dhe bashkëpunimi me kolonitë shqiptare të mërgimit , të cilat kishin rritur mjaft rolin e tyre në Lëvizjen Kombëtare. Të gjendur në rrethana dhe më të favorshme dhe të parrezikuara, ata kishin mundësi të ishin një zë i fortë lidhur me angazhimin për t’i ardhur vendit në ndihmë nga njëra anë, por dhe për të bërë thirrje për drejtësi. Ismail Qemali e kuptonte mjaft mirë këtë mundësi që i afronte lëvizja kombëtare në Amerikë, një vend që kishte rol të rëndësishëm në zhvillimet botërore dhe ato evropiane. Shqiptarët në Amerikë ishin mbledhur rreth organizatës “Vatra” (e cila kishte dy delegatët e saj në Evropë, Mehmet Konicën në Londër dhe Mihal Turtullin në Lozanë) dhe organizata tjetër e njohur si “Partia Kombëtare Politike”, e formuar në vitin 1917, me të cilën u lidh dhe filloi bashkëpunimin Ismail Qemali. “Partia Kombëtare Politike” zgjodhi si përfaqësuesin e saj në Evropë Ismail Qemalin, duke e konsideruar atë si një nga më të njohurit në qarqet diplomatike të Evropës, më i dëgjuari në Shqipëri, i cili “numërohej një nga më të mëdhenjtë diplomatë të Evropës dhe nderohet kudo”, shkruante gazeta “Koha”.

 

***

Lidhur me qëndrimet e tij të vazhdueshme, ka një korrespondencë të rëndësishme, ku bie në sy një ekuilibër i jashtëzakonshëm. Në letrën që ai nis më 17 nëntor nga Madridi, ndër të tjera bie në sy një pasazh i rëndësishëm, që lidhet me nevojën e sjelljes së tij prej diplomati kur shkruan: “Sa qeshë në Paris, me gjithë sigurimin e plotë për fundin e luftës dhe me besimin tonë për simpathinë e Entantës (bllok i Antantës), detyra jonë ishte të mbajmë terezinë në mes të qeverive të mëdha.” Pavarësisht përplasjes që ndodhi për shkakun e të qenit delegate i Evropës nga “Partia Kombëtare Politike” e Ismail Qemalit, me organizatën “Vatra”, një debat që u zhvillua kryesisht përmes shtypit të njërës dhe tjetrës organizatë, ai pati motive akoma më të mëdha për të punuar sa ishte e mundur në shërbim të vendit. Siç edhe kuptohet, tashmë kishte dhe një dritare më shumë për të punuar dhe për t’i mishëruar idetë dhe punën e tij. E kësaj kohe është dhe thirrja që ai u drejtonte bashkatdhetarëve të tij, ku kërkohej “bashkimi i atdhetarëve”, të cilët duhet të linin grindjet e çastit për të luftuar me argumente të patundura për të drejtat kombëtare lidhur me sigurimin e tërësisë territoriale dhe të pavarësisë kombëtare të Shqipërisë.

Ismail Qemali nuk qe vënë kot në krye të lëvizjes më të vështirë dhe më madhore ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, atë të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, nëse ai nuk do të njihte mirë jo vetëm diplomacinë, jo vetëm aktet themeltare ndërkombëtare mbi kombet dhe popujt, jo vetëm historinë e zhvillimit të popujve ballkanik dhe evropian, por dhe konjukturën dhe artin e madh të të bërit diplomaci. Ai njihte mirë mekanizmat dhe mjetet që i kërkoheshin një diplomati dhe argumentet që i duheshin një vendi për t’iu imponuar realitetit ndërkombëtar që ai t’i njihte atij të drejtat e duhura.

Natyrisht, i gjendur në të shumtën e rasteve në një realitet zhgënjyes, në një diplomaci të shteteve të huaja, të cilat nuk e kanë dashur kurrë Shqipërinë, Ismail Qemali arriti të bënte kaq shumë duke e vënë çështjen shqiptare në tryezat më të rëndësishme të rendit ndërkombëtar dhe të Fuqive të Mëdha të kohës, të cilat nuk mund ta anashkalonin atë. Përveç nevojës së organizimit dhe këmbënguljes për të qenë prezent në mënyrë të vazhdueshme në Evropë, kryesisht në qendra të tilla si Londra dhe Amerika, ai kërkonte që të kishte tri sekretarë (një për gjuhën shqipe, një për gjuhën angleze dhe një për gjuhën franceze), por ishte e nevojshme botimi i një buletini  (në anglisht dhe frëngjisht), për t’i bërë jehonë çështjes shqiptare, me të  dhëna nga historia, etnografia, gjeografia, ekonomia, politika dhe shkrime nga shkrimtarë të dëgjuar nga Evropa që kishin shkruar për Shqipërinë.

Krahas këtyre, Ismail Qemali u propozonte shqiptarëve të Amerikës edhe botimin e një libri mbi gjeografinë ekonomike të Shqipërisë, ku krahas të dhënave të tjera për shtypin dhe diplomacinë e Europës, të përfshiheshin edhe dy harta: njëra etnografike dhe tjetra politiko-fizike, duke mbrojtur me argumente historike kufijtë e Shqipërisë. Ai këmbëngulte në rishikimin e të drejtave etnike  të popullit shqiptar nga Fuqitë e Mëdha, pasi: “Pa iu shtuar Shqipërisë, nga ana e Veriut Kosova dhe nga ana e Jugut Çamëria, nuk mund të shtrohet qetësia në sinisinë e Ballkanit…”.

E mrekullueshme dhe mjaft informative është dhe korrespondenca që Ismail Qemali pati gjatë kësaj kohe me “Partinë Kombëtare Politike”, ku bie në sy thirrja për të shmangur grindjet ndër shqiptarët, sepse, siç nënvizonte ai: “ky shtet, megjithëse i gdhëndur në të gjitha anët ashtu si u njoh nga Konferenca e Londrës më 1913, duke qënë i copëtuar dhe në duar të huaja, në ditën e paqes, nuk dimë cili do të na dalë mbrojtës dhe cili do të jetë miku i vërtetë i Shqipërisë”.

Në këtë kuptim, Ismail Qemali kërkonte një bashkëpunim të madh të faktorit shqiptar të organizuar, duke mos harruar kurrë padrejtësitë që Konferenca e Londrës i bëri Shqipërisë. Pasi koha nxori në skenë marrëveshje të tjera të fshehta, të cilat ishin në dëmin e Shqipërisë, veçmas pas njohjes dhe botimit të Traktatit të Fshehtë të Londrës, Ismail Qemali krijoi idenë se shqiptarët mund të mbështeteshin te SHBA-të, e cila nuk e kishte nënshkruar këtë Traktat. Lidhur me mbështetjen te SHBA-të, Ismail Qemali kishte një logjikë praktike, pasi Amerika duke mos pasur synime të drejtpërdrejta si Italia ndaj Shqipërisë, mund t’i përkrahte interesat e saj.

Kështu, shpallja e Programit të Paqes nga Uillson në vitin 1918, i dha shkas Ismail Qemalit të shprehej se qeveria e Shteteve të Bashkuara do t’i shihte “me mirëdashje kërkimet tona, të cilat hyjnë në kufirin e programit të paqes të zotit Uillson”. Duke këshilluar me mjaft intelekt politik, Plaku i Vlorës, në raportin që i dërgonte Partisë Politike, shfrytëzonte mjaft mirë manualin politik të deklaratës së Presidentit Uillson, për “pavarësinë politike e tërësinë tokësore njëlloj, si për shtetet e mëdha ashtu edhe për shtetet e vogla”, prandaj ai vinte në dukje se fusha më e pëlqyeshme për zgjidhjen e çështjes kombëtare do të qe Amerika.

 

***

Qëndrimet e Ismail Qemalit lidhur me zhvillimet kombëtare, të cilat i referohen plotësisht situatës në Shqipëri, kryesisht pas dorëheqjes së qeverisë së drejtuar prej tij, kanë një konsekuencë të hapur dhe të shquar patriotike. Ismail Qemali, si një intelektual i kohës, me dije dhe bagazh të veçantë kulturor, prej filozofi, diplomati dhe shtetari, e ka parë Evropën, Ballkanin, diplomacinë dhe politikën, paqen dhe luftën në raport me Shqipërinë dhe të drejtat e saj. Në këtë kohë të shkurtër, por nën tensionet e zhvillimeve të mëdha politike dhe diplomatike, qoftë në Shqipëri dhe jashtë saj, ka një shqisë të mprehtë diplomatike; ai u kërkon njerëzve të tij, shqiptarëve, që të jenë bashkë, të shmangin konfliktualitetin, t’i imponohen Perëndimit se janë të aftë për të ndërtuar shtet. Jo më pak, këtë e kërkon dhe tek atdhetarët, të cilët kanë kontribute jashtë vendit, ashtu siç kërkon të gjejë mjete, forma dhe mekanizma për t’iu imponuar faktorit ndërkombëtar, duke shfrytëzuar çdo klauzolë për të përfituar nga reformat dhe programet e paqes, ashtu siç është kritik në çdo rast ku shfaqet loja e të huajve kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë. Ndërkohë ai kurrë nuk harron copëtimin e trojeve si plagë që kurrë nuk mund të shërohen. Në një letërkëmbim nga Barcelona më 29 nëntor 1918, ai shkruan: “Sonte nisem për Romë”.

Në këtë qerthull kohor, kryesisht në dekadën e dytë të shek. XX, Ismail Qemali përdori shtypin e kohës, falë elegancës dhe aftësisë për të lexuar diplomacinë e shteteve të mëdha në kontekste dhe perspektivë dhe më të gjerë. Një shkrim i gjerë në të cilin mishërohet mjaft mirë njohja, dija, kultura dhe reflektimi i tyre në qëndrimet diplomatike lidhur me shqiptarët është ai që titullohet “Shqipëria dhe shqiptarët” (botuar në vitin 1917 në Francë), në të cilin arrin të përdorë me mjaft vlerë dhe funksion referenca perëndimore, siç është ajo e një letërkëmbimi të nivelit të lartë dhe të rëndësishëm të kohës, të z. Goshen, (telegram) ambasador i Britanisë së Madhe në Stamboll në vitin 1880, dërguar kreut të Foreign Officit (Lordit Granville), në të cilin flitet plotësisht për shqiptarët. Aty Goshen vëren se vendi i shqiptarëve, trojet, historia, kultura historike, pozita gjeografike e tyre përbën një nyje strategjike të dobishme dhe të rëndësishme për Evropën, që për të mos ndërhyrë në Ballkan, d.m.th për t’i vënë përpara një barrikadë perandorisë osmane për të depërtuar në Evropë, krijimi i një shteti të fortë dhe të plotë shqiptar, do t’ia kursente Evropës këtë investim. Në vijim të një opinioni të natyrës diplomatike dhe gjeostrategjike, Goshen reflekton njohjen e mirë që ai ka për shqiptarët, çka tregohet se në perëndim kishte një interesim jo të vogël për shqiptarët dhe të kaluarën e tyre në kushtet e zhvillimeve bashkëkohore.

Në këtë studim etnologjik dhe diplomatik, Ismail Qemali shpërfaq cilësime të natyrës si “fortesë e fuqishme”, “tri anë të nga rrethi i majave të maleve e nga ana e katërt nga deti”, “banuar që në fillim nga një racë, origjina e së cilës shkon në kohë të Pellazgëve”, “krenarinë e origjinës së saj parahelenike”, “peizazhe me bukuri të madhe e magjepsëse”, “fusha të gjera e pyje të veshur me gjelbërim, ose ngjyrë ari sipas stinës” pra, një përshkrim të mrekullueshëm të peizazhit shqiptar.

Më pas në shkrimin “Shqipëria dhe shqiptarët”, i cili ngjan në të vërtetë me një lloj traktati të rëndësishëm për shoqërinë perëndimore, e cila ishte e prirë të mësonte dhe nga këto vende të vogla dhe të prapambetura, shpjegon mrekullisht organizimin familjar, kodin e familjes, rregullat shoqërore të fisit dhe të hapësirave më të gjëra, organizimin shoqëror, raportet me besimin, krijimtarinë dhe konstitucionin shpirtëror, të drejtën zakonore ku spikasin cilësi të veçanta si: besa, bujaria, marrëdhëniet përmes rregullave të krijuara nga vetë shoqëria, vijimësia historike që nga origjina deri në kohët e vona, mbijetesa dhe epet mbi Pirron, Aleksandrin e Madh, sundimi otoman, marrëdhëniet me perandoritë e kohës, ndërtimi etnopsikologjik i tyre, konteksti dhe konjukturat pro dhe kundër shpalljes së Pavarësisë dhe shumë arsyetime të tjera, të cilët duhet të rishqyrtohen në një qasje të veçantë.

Pavarësisht notave deri diku sentimentale, të cilave nuk mund t’u shmangej dot, ai i bën një analizë të hollë këtij realiteti kohor historik, qëndrimevet të huajve dhe Fuqive të Mëdha, flet për Austro – Hungarinë, Italinë, Greqinë, Traktatin e Londrës, duke e faktuar Pavarësinë e Shqipërisë si një të drejtë të rëndësishme të popujve të pavarur. Analizës së tij nuk i është shmangur as dorëheqja e tij, as zhvillimet e mëvonshme në Shqipëri dhe reflektimi në kancelaritë perëndimore, të cilat më së shumti kanë mbajtur qëndrime skeptike ndaj vendit të tij.

Në shkrimin “Shqipëria dhe shqiptarët” të vitit 1917, Ismail Qemali ka një analizë të thukët dhe të qëndrueshme, e cila i ka qëndruar kohës lidhur me Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, me ç’rast u copëtuan trojet shqiptare në kontekst dhe në detaje, që lidheshin me zhvillimet në Shkodër, Malin e Zi dhe Greqi, për të cilën posaçërisht shkruan: “…simpatia që më ishte shfaqur gjatë misionit tim, qe i vetmi ngushëllim që iu afrua zemrës së copëtuar të Shqipërisë, kur morëm vesh vendimin e dhënë nga Konferenca e Londrës. Mbi gjysmën e territorit të vendit tim ia kishin dhënë Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Qytetet më të lulëzuara e rajonet më prodhimtare të vendit, i ishin shkëputur atdheut. Shqipëria kishte mbetur gati krejtësisht në zonat më të thata e më shkëmbore. Kështu, të lëshuar përsëri në një depresion të pikëlluar, dhe me vizionin e një të ardhmeje kaq të errët të vendit tonë të rilindur, qemë të ngushëlluar të sakrifikoheshim për interesat e përgjithshme të Evropës”.

Ismail Qemali e njihte mirë vendin e tij, jo vetëm në pjesën historike, shpirtërore dhe të marrëdhënieve me njëri- tjetrin, por dhe konjukturat e tjera të heshtura dhe të fshehura, të cilat kishin vazhduar të vepronin nga ndikimet e të huajve, veçmas nga pushtuesit dhe ekspansionet e caktuara, që kishin vepruar dhe vepronin dhe në Vlorën e tij, ku përziheshin ndikimet turke, greke, italiane, ortodokse dhe shqiptare, të pranishme më së shumti në shkollat qytetase ku mësonin fëmijët e shqiptarëve. Kjo kulturë dhe “garniturë” e trashëguar që nga fundvitet 1800, kur doli në skenë çështja e gjuhës dhe shkollës shqipe dhe gjatë kohës që Ismail Qemali drejtonte qeverinë e dalë nga Kuvendi i Vlorës, kishte krijuar jo pak probleme dhe për të, por ai arriti t’i kapërcente këto çështje, duke seleksionuar mjaft mençurisht nevojat më të ngutshme për vendin.

Qeveria e tij nuk u pa asnjëherë me sy të mirë nga Italia, e cila kishte qëllime të hershme ndaj Vlorës në veçanti, por Ismail Qemali nuk e ndërpreu kurrë bashkëpunimin me Perëndimin. I prirë për të marrë informacion të vazhdueshëm për zhvillimet në rajon dhe në Evropë, ai nuk reshtëte së shkruari korrespondenca me njerëz të njohur dhe miq, me të cilët ndante opinione të rëndësishme politike dhe diplomatike. Mbarimi i Luftës së Parë Botërore e gjeti në Spanjë. Edhe pse papritur i vdiq gruaja e tij, Kleoniqi Sumerli, e bija e atdhetarit Andon Sumerli (Shumeni) nga Lekëli i Tepelenës, Guvernatori i Bankës  së Danubit, duke parë dramën e Atdheut, vazhdoi veprimtarinë e tij diplomatike. I  kësaj kohe është dhe bashkëpunimi me Sevasti Qiriazin, të cilës i shkruante: “Koha erdhi edhe shkon për të hapur zënë, për të kërkuar të drejtat e Shqipërisë. Sot është dita e fundit për Shqipërinë, do të ngjallemi a do të vdesim”.

Duke ditur ekuilibrat që i kërkoheshin botës pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe se këtë do ta rregullonte një konferencë paqeje, Ismail Qemali kërkon të jetë pjesë e këtij delegacioni, e ndërsa në kushtet e reja, Italia nuk do të pranojë të copëtohet Shqipëria te fqinjët ballkanikë, vendos të kthehet në Itali, ku i qe caktuar vendqëndrimi në qytetin e Peruxhias. I gjendur në një situatë të vështirë, intriguese dhe i akuzuar si “intrigant” dhe bashkëpunëtor i “austriakëve”, ai nuk reshti së punuari për vendin e tij.  Kështu në 15 janar të vitit 1919, Ismail Qemali i dërgon një Memorandum kryeministrit të Italisë Orlandos dhe ministrit të Jashtëm Soninos, të cilëve iu kërkonte që Qeveria Italiane të merrte në mbrojtje interesat shqiptare në Konferencën e Paqes.

Në memorandumin e shkruar frëngjisht, me dorën e tij ai nënvizon: “Duke qenë i caktuar në bazë të një akti formal të Bashkësisë Shqiptare të Amerikës, me cilësinë e delegatit  për të mbajtur në Konferencën e Paqes të drejtat e Shqipërisë dhe rivendikimet e saj territoriale, ngutem të nisem për Romë me qëllim që të vihem në shërbim të Qeverisë Mbretërore të bashkërendoj në qëndrimet tona”.

Duke shpresuar se kryeministri mund ta merrte më vete në Konferencën e Paqës, gjë që nuk u realizua për shumë arsye, ai e përjetoi me një mërzi të madhe, pasi një konferencë e tillë i krijonte një mundësi të mirë për të mbështetur dhe apeluar të drejtat kombëtare të popullit shqiptar me shumë argumente që ai i kishte në dispozicion.

Në rrethana misterioze, krejt të befta, më 26 janar 1919 Ismail Qemali vdiq në hotelin “Brufani” të Peruxhias. Në Peruxhia, Ismail Qemali kishte mbërritur më 20 dhjetor 1918, së bashku me djemtë e tij, Et’hem e Qazim, pasi kishte qëndruar 10 ditë në Gjenevë të Zvicrës e ishte takuar me disa shqiptarë të njohur.

Në disa botime historike, enciklopedike, si dhe në varrin monumental të Ismail Qemalit në Lulishten e Vlorës, vdekja e tij shënohet më 24 janar 1919. Por, si në raportin e prefekturës së Peruxhias, raportin e mjekëve me në krye prof. Silvestrinin, si dhe në faqet e gazetës italiane “L’Unione Liberale”, 27 janar 1919, thuhej: “Dje në mbrëmje, më 26 janar, në orën 23.30 pushoi së jetuari në hotel “Brufani” mysafiri i shquar i qytetit, Ismail Qemal bej Vlora”. Të njëjtin njoftim jep edhe gazeta “Peruxhia” në faqen e saj të parë, duke e cilësuar “Patriot i flaktë i frymëzuar nga parimet e Lirisë dhe Drejtësisë”.

Në njoftimet e shtypit të kohës thuhet se Ismail Qemali vdiq nga një “hemorragji cerebrale”. Po misteret e vdekjes së tij u endën në qiellin e Evropës, sepse, duke pirë kafenë në konferencën me gazetarët e huaj, të vjella e helmim pësoi edhe djali i tij, Qazimi, i cili vuajti tërë jetën nga këto pasoja.

Vdekja e Ismail Qemalit ngjalli një trishtim të thellë në të gjithë hapësirën shqiptare e kudo kishte shqiptarë në botë. Lajmin e vdekjes së tij e njoftuan gazetat në gjithë Evropën dhe Amerikën, pasi personaliteti dhe veprimtaria e tij i kishte kapërcyer kufijtë e vendit të tij me kohë. Politikan kalibri, diplomat i mrekullueshëm, atdhetar dhe polemist i rrallë, emri i tij kishte depërtuar në të gjitha kancelaritë evropiane dhe ato botërore, për shkakun e një kauze të shenjtë dhe kombëtare të një vendi të vogël në kërthizën e Ballkanit dhe të Evropës.

Në njoftimet e kohës thuhet se “shtypi i gjithë botës, më 28 të këtij muaji (janar 1919) përhapi lajmin e vdekjes së njërit nga diplomatët e rrallë të sinisisë Ballkanike. Vdekja e Ismail Qemalit, themeluesit të Shtetit të parë shqiptar, ideatorit dhe kontribuesit më të rëndësishëm të Pavarësisë së Shqipërisë, shkaktoi një dhimbje të thellë. Në kumtet e kësaj kohe në faqet e gazetës “Albania” Worçester Mass, janar 1919, thuhet: “Po! Zemrat e gjithë shqiptarëve kudo që rrojnë dhe me çdo anë të botës, janë të plagosur, se ay diplomati që mbaroi jetën e tij në këtë kohë, nuk ishte përveç se Burri i Madh i Shqipërisë, i njohur dhe i dëgjuar jo vetëm prej shqiptarëve, po edhe prej gurëve dhe drurëve të Shqipërisë, si dhe prej tërë botës. Le të vajtojnë sot kombi shqiptar, le të vajtojnë shqiptarët kombëtarë kudo ku janë, edhe bashkë me Vlorën, qytetin historik të Shqipërisë, le të vajtojnë e tërë Shqipëria humbjen e birit të saj të shtrenjtë, e Atij që pas pesëqind vjet robërie e ngjalli, e liroi dhe e vuri në një sërë me shoqet e saj, dhe i cili quhesh Ismail Qemal”.

Në njoftimet e pikëlluara, të cilat u shpërndanë me shpejtësi në të gjithë vendin, përmendeshin nderi dhe sakrifica që ai i bëri vendit të tij, përmes cilësive të spikatura në të gjitha dimensionet e një burri shteti. Shtypi shqiptar kudo ishte e përcolli me vlerësimet e rëndësishme këtë ngjarje të dhimbshme. Në gazetën “Albania” nr.42, të 30 janarit 1919, ndër të tjera shkruhej: “Jo ! Emri i Ismail Qemalir nuk është për t’arruar, se veprat  e tij që ka bërë për Shqipërinë kanë për të mbetur të gjalla, dhe kanë për të treguar gjithmonë që Shqipëria ka patur në krye të të tjerëve që përpiqeshin për Lirinë dhe Indipendencën e plotë të saj, Plakun Ismail Qemal Bey Vlorën. Vetëm një ishte dëshira e Ismail Qemalit, dhe ajo qe, edhe ditët e fundit: t’i sakrifikonte për Shqipërinë dhe i sakrifikoi”.

Shumë personalitete shqiptare, të cilët jetonin jashtë vendit dhe që Ismail Qemali i kishte pasur miq, bashkëpunëtorë dhe kontribues të çështjes kombëtare shqiptare, e përjetuan me shumë dhimbje dhe si një humbje jo të zakonshme vdekjen e tij. Sevasti K. Dako (Kryetare e Partisë Politike), e cila kishte pasur fatin të bashkëpunonte pas viteve 1914, dhe Ismail Qemali ishte duke iu vënë në shërbim të kauzës kombëtare, me pikëllim shkruan në gazetën “Albania” (30 janar 1919) se, “Fati e kishte ndarë që mua të më bjerë barra e rëndë si kryetare e Partisë të lajmëroj shqiptarët e Amerikës për vdekjen e Ismail Qemalit. Kjo është një mandatë e zezë për të gjithë ne, o bashkatdhetarë të dashur.” Më tej ajo e vlerëson trashëgiminë që la pas Ismail Qemali për brezat, përmes një vlerësimi epik, kur shkruan: “Ismail Qemali, si gjithë profitët e mëdhenj, mbolli duke ju lënë me gëzim pasuesvet trashëgim të ngjerojnë edhe të gëzojnë pemët e veprave të tija. Këshillat e fundit të Plakut, të cilat u botuan tek “Albania” nr.40, lipset të jenë për çdo shqiptar dhiatë, edhe le të mos largohemi as një jotë (pikë) prej syresh, po të qëndrojmë të fortë e të patundur gjersa të harrijmë qëllimin e shenjtë edhe mos na vijë keq për çdo therori qoftë se japim edhe jetën”.

Ndërsa Mihal Grameno, një personalitet i luftës dhe dijes shqiptare, dhimbjen e madhe për humbjen e Plakut të Shenjtë të Pavarësisë dhe Shtetit të Parë shqiptar, e shndërron në krenari, në dinjitet dhe në vlerë të madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në kushtimin për Ismail Qemalin, ai me një lloj patetike prekëse shkruan: “Mos qani dhe mos vajtoni kurrë të kurrës, ju, o male edhe kodrat e Shqipërisë! Mos pushoni kurrë të kurrës ju lumenj me oshëtimat tuaja së treguari vendit të Pellasgëvet, vendit të Lirisë dhe qytetërimit, vendit ku janë lerë burrat më të mëdhenj të botës! Mos qani dhe kurrë të kurrës mos qani! Mos qani dhe prapë mos qani! Mos qani se kini për të turpëruar një komb fisnik edhe kalorës në botë. Do të turpëroni kombin antik në qoftë që kini për të treguar se, me vdekjen e Plakut të Shqipërisë, humbi ajo farë trimnore, e cila ka nxjerrë luanët e botës”. “Albania” (nr. 42, 30 janar 1919).

Ndërsa personaliteti tjetër intelektual Kristo A. Dako e përcjellë me këtë përjetim vdekjen e Ismail Qemalit: “Sot, Kombi Shqiptar, si një trup i pandarë po vajton Këshilltarin e tij besnik. Sot, Shqipëria po vajton babanë e saj që i dha lirinë pas 500 vjet robërie; Sot tërë shqiptarët me flamurin në dorë po i japin fjalën e nderit Plakut të Shqipërisë se do të qëndrojnë të patundur për programin kombëtar, për të cilin Ismail Qemali rojti dhe vdiq! (“Albania”, nr.42, 30 janar 1919)

E gjithë korrespondenca që përcolli këtë moment të dhimbshëm për vdekjen e njërit nga personalitetet më të shquara të Shqipërisë, ka një tendencë të çuditshme, ajo sjell në vëmendjen e njerëzve vlerësimet për Plakun e shquar të Pavarësisë, cilësime dhe vlerësime që e bëjnë këtë moment dhe veprën e tij të respektuar dhe akoma më të njohur për shqiptarët kudo në botë. Parashqevi Kyrias shkruan kështu në prononcimin e saj: “U bëri ballë (Ismail Qemali) tërë furtunave dhe valëve të egra që u lëshuan kundra atij, të shtyrur prej atyre të cilët dëshirojnë zgjedhën tonë. Kurrë nuk u përgjigj as që u mor me atë, të cilët përdorën mënyra kaq të panjerzorta, kaq pa shpirt kundër atij, po qëndroi deri në fund si një shtyllë e fortë, si një kala që s’do kurrë të dijë nga fishekët e armikut. Edhe në letrat e fundit që u dërgoi bashkëpunëtorëve të tij, këshillonte duke thënë; të mos vënë re ata të cilët duan, të shkojnë kohën me thashetheme dhe me shpifje, pot ë shkojnë përpara edhe të punojnë pareshtur për shpëtimin të së dashurës Shqipëri. Sa fjalë të arta që janë këto, sa fjalë me vend po ta dimë se janë fjalë të një burri të Madh, i cili është marrë gjithë jetën e tij me kryevepra.” (“Albania”, nr.42, 30 janar 1919)

Dhimbje të madhe, të cilën e lexon në çdo mjedis, njeri dhe komunikim me njëri- tjetrin e përjetoi qyteti historik i Vlorës, qyteti ku Ismail Qemali i blatoi Shqipërisë ditën më të ndritshme në historinë e tij. Në korrespondencën e kohës shkruhet: “Më 26 kallnduer vdekja e pamëshirshme na rrëmbeu mbë një kohë të papritur, në një qytet t’Italisë, në Perugia, burrin e përmenun, Ismail Qemal Vlonën. Një tjetër lule u këput prej trupit t’Atdheut për me u bashkue mb’at vend paqe të zymtë me vargun e zamdhajve të përlindjes s’onë, nji varr i ri u çel për me rritë lisin kombëtar”.

Vlora atë ditë shkurtit të vitit 1919 përjetoi një dhimbje të madhe. Më 12 shkurt 1919 në ceremoninë e varrimit të tij, sipas gazetës “Kuvendi” të Romës  në bazën detare të Skelës, si dhe në rrugët dhe sheshet e qytetit ishin mbledhur mijëra vetë, jo vetëm nga qyteti i Vlorës, por edhe nga krahinat e saj: Kurveleshi, Tepelena, Mallakastra, Lushnja, Elbasani, Fieri, Berati e Skrapari. Në rrugët e qytetit ishin vendosur banderola me shënimin: “Zi kombëtare për të madhin patriot Ismail Qemali”. Ali Asllani në kujtimet e tij na thotë, se parësia e qytetit protestoi te komandanti  i ushtrisë italiane, gjeneral S. Piaçentimi, duke e mbështjellë arkivolin e tij me flamurin kombëtar. Varrimi i Ismail Qemalit u bë në Tyrben bektashiane të të parëve të tij”.

I përcjellë me dhimbje dhe nderime të mëdha Ismail Qemali u varros në Kaninë. Nderimin e madh për Plakun e Vlorës e bëri prof. Jani Minga, i cili përveç dhimbjes, pikëllimit, humbjes dhe mërzisë për vdekjen e njeriut më të rëndësishëm të Shqipërisë, solli në vëmendje jetën, veprimtarinë dhe përmasat kombëtare dhe më gjerë të Ismail Qemalit. Jani Minga do të thoshte para trupit të tij:

Popull i përvajshëm. Kemi pra të drejtë sot t’i bëjmë gjithë nderimet njerëzore që i meritojnë këtij burri. Se humbasim më të madhin burrë të Shqipërisë, më të madhin luftëtar të pendës e të mendjes pas të madhit trim dhe mbret Skënderbeut dhe më një kohë, kur fati i atdheut ndodhet në duart e të Mëdhenjvet dhe zëri i tij duhet të dëgjohesh përpara burrave të Mëdhenj për të mburuar të drejtat e shkelura shtrembërisht t’Atdheut. Vdekja e Ismail Qemali pra sot është një dëm kombëtar, një dëm i pa treguar. Po ti o komb mos u dëshpëro! Në ka pjellë këjo tokë kaq e vjetër në Sinisi të Ballkanit Kastriotë e Qemalë, ka pjellë të tjerë burra, të cilët do ecin kurdoherë pas gjurmëve të mëdha  të këtyrevet e do ta mbajnë Atdhenë e dashur e të shenjtë në mvehtësi e në liri të plot me emrin e Ati të Madhit Zot.”

Dhimbjen e madhe dhe humbjen e thellë e dëshmoi edhe z. Qazim Kokoshi, në fjalën e tij, në përcjelljen e Ismail Qemalit në ditën mortore.  Ai e lidhte veprën madhore të Ismail Qemalit, me dijet dhe me punën e madhe që ai bëri kurdoherë gjatë gjithë jetës së tij në shërbim të atdheut dhe kauzës kombëtare. Ai tha: “Ismail Qemali, bir i këtij qyteti, qysh në vërsë të djalërisë ushqeu vetëm një qëllim; Përlindjen e  Shqipërisë e për këtë ideal të shenjtë e të hyjnueshëm u përpjekë e veproi pareshtur. Pasi mbaroi mësimet në gjimnaz të Janinës u emërua prej Qeverisë Turke sundimtar i çquar në Anadoll e më vonë këshilltar në Kuvendin Mbretëror të Perandorisë, por në mërgim e ndjen më tepër mallin për atdhenë e ndjenjat kombëtare ju bënë më të gjalla. Me gjithë që mund të gjente më të madhin nderim personal në kryeqytet të Turqisë turke, mos mundur të durojë përpara idealit dhe dëshirës që ndjente në shpirtin e madh të Tij për Kombin e vet kreshnik, padrejtësitë e sundimit të keq të kësaj qeverie, nuk pranoi asnjë shkallë të lartë që i paraqitën, por iku nga Stambolli dhe për të vënë në veprim të gjithë ato qëllime të shenjta shkoi n’atë të perëndimit t’Europës, ndër vende të lirisë dhe të qytetërimit, ku u përpoq shumë vjet me gjithë fuqinë mendore për të hedhur poshtë zgjedhën  e Turqisë, atë zgjedhë që mjeroi kombin shqiptar, më shumë se 400 vjet dhe që e shpuri në një shkallë tepër të përvajshme.”

Më pas në fjalën e tij, oratori kujton dhe vlerëson gjithë atë veprimtari të ndritshme të Ismail Qemalit, e cila e bën vdekjen e tij të madhe dhe humbjen të pazëvendësueshme.

Edhe pse kanë kaluar vite, Ismail Qemali, qoftë vepra, qoftë vdekja e tij janë të rëndësishme për historinë tonë kombëtare, pasi në personalitetin e tij u mishëruan mendimtari, filozofi, kulturologu, diplomati, burrështetasi, atdhetari, enciklopedisti, historiani, njeriu i mençur dhe trim. Rrallë gjendet në historinë e njerëzimit një përmbushje e tillë.

Më 18 janar 1919 në Paris filloi Konferenca e Paqes

Paris, 18 janar 1919. Nga e majta: Lloyd George, Viktor Emmanuel Orlando, Georges Clemenceau, Woodrow Wilson; katër të mëdhenj të pranishëm në Konferencën e Paqes.

VOAL – Në janar të vitit 1918, Woodrow Wilson kishte vendosur në 14 pika synimet e deklaruara demokratike që Shtetet e Bashkuara dëshironin të arrinin me ndërhyrjen e tyre në Luftën e Parë Botërore. Në këto katërmbëdhjetë pika, do të bazoheshin negociatat e paqes. Dokumenti propozonte liberalizimin e tregtisë botërore, duke hequr barrierat doganore midis shteteve; pakësimin e armatimit deri në minimum; zbrazjen e territoreve të pushtuara gjatë luftës; krijimin e kufijve të rinj midis shteteve evropiane sipas parimeve të kombësisë; krijimin një Lidhje të Kombeve, duke garantuar siguri për të gjitha shtetet anëtare dhe zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare në një mënyrë paqësore.

Në Konferencën e Paqes në Paris të 18 janarit 1919 morën pjesë delegatët e vendeve fitimtare: katër të mëdhenjtë – presidenti amerikan Woodrow Wilson, Presidenti i Këshillit francez Georges Clemenceau, kryeministri britanik David Lloyd George dhe kryeministrit italian Vittorio Emanuele Orlando. Konferenca zgjati deri më 21 janar 1920, me disa intervale.


Pikat e propozuara nuk u përfillën, përveç parimit të kombësisë, ku ky përputhej me interesat e fuqive të mëdha; vetëm në këtë rast u zbatua. Në të vërtetë, Franca dhe Anglia ishin të shqetësuara mbi të gjitha për të marrë përfitime territoriale dhe ekonomike dhe të vënë gjermanët në një pozitë për të qenë në gjendje nga të mos rimëkëmbeshin më, duke synuar rrënimin jo vetëm ushtarak, por edhe ekonomik në Gjermani.


U krijua Lidhja e Kombeve me seli në Gjenevë, por ajo u shndërrua shumë shpejt në një instrument pasiv në duart e Francës dhe Anglisë, në ankth për të ruajtur pozicionet e privilegjet dhe për këtë arsye e përdorën institucionin e ri për qëllimet e tyre. Këto synime u lehtësuan nga kufizimet e Lidhjes së Kombeve, në veçanti nevoja e  unnanimitetit në miratimin e çdo vendimi; por edhe tërheqja e Shteteve të Bashkuara, që nuk u bënë anëtar i Lidhjes së Kombeve; si dhe fakti që Lidhja e Kombeve nuk kishte asnjë mjet konkret të ndërhyrjes (vetëm sanksione ekonomike).


Konferenca e Paqes doli me pesë traktate: Traktatit të Versajës me Gjermaninë, Traktatin e Saint-Germain me Austrinë për Italinë, Traktati i Neuilly me Bullgarinë që u njoh pavarur, Traktati i Sèvres me Turqinë e cila u zhvesh nga të gjitha tokat arabe dhe nga sovraniteti ndaj ngushticave (Bosforit dhe Danardeleve) dhe Traktati i Trianonit me Hungarinë e detyruar të heqë dorë Galicia për t’ia dhënë Polonisë dhe Rumanisë rajonin e Transilvanisë. Në veçanti, Traktati i Versajës me Gjermaninë vendosi: të heqë dorë nga territoret e mëdha koloniale; t’ia japë Alsace dhe Lorraine Francës; të zvogëlojë ushtrinë e saj në 100 000 veta; t’ua paguajë të gjitha dëmet e luftës vendeve fituese dhe Belgjikës; t’ua kalojë aleatëve materialet e ndërtimit të anijeve, materialet hekurudhore dhe industriale, plus furnizimin e qymyrit për dhjetë vjet. Nga këtu buron poshtërimi i Gjermanisë dhe ringjallja e shpirtit të hakmarrjes gjermane.


Traktati i Saint-Germain me Austrinë: Në praktikë, Austria u detyrua që Italisë t’ia dorëzonte Trentinon, Alto Adigen, Istrian dhe Pellgun e Epërme të Ishujve. Në vend të perandorisë së vjetër austro-hungareze u formuan republikat e Austrisë, Hungarisë, Çekosllovakisë dhe Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve. Ndërsa në Detin Baltik, në territoret që dikur i përkisnin Rusisë u krijuan shtetet e reja të pavarura të Finlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.

Si vdiq në burg në moshën 30-vjeçare kompozitori i këngës aq të dashur për Shkodrën (teksti-fotot-video)

Një dokumentar kushtuar Gac Çunit, muzikantit shkodran që mbylli sytë në moshën 30-vjeçare në burgun e Burrelit. Gac Çuni është kompozitor i këngës shumë të dashur për Shkodrën, “Kaçurrelat e tu”. Si u shua zëri i djaloshit shkodran në qelitë e burgjeve komuniste; dëshmia e vëllait dhe mikut të tij të qelisë, në çastet e fundit të jetës; si u kthyen në Shkodër këngët e Gacit, nga bashkëvuajtësit e tij. Historia dhe brenga e Gac Çunit për vajzën me kaçurrela.

Nga Luljeta Progni/ Gac Çuni ishte një djalosh shkodran, që këndonte si askush tjetër në qytet. Ishte rritur në një ambient familjar e shoqëror ku muzika nuk mungonte kurrë. Në familjen e tyre miqtë priteshin gjithmonë me këngë.

Mbrëmjeve, bashkë me vëllain e tij, Lazrin, e shokët që i bashkonte muzika, Gaci merrte kitarën e këndonte. I këndonte lirisë, qytetit të tij të dashur, Shkodrës, i këndonte të bukurës, dashurisë.

Gac Çuni, lindi në Shkodër më 6 korrik 1926. Filloi arsimimin në shkollën “Skënderbeg” Shkodër, vazhdoi studimet për 4 vjet në gjimnazin e Jezuitëve dhe 4 vjet të tjera në gjimnazin e shtetit. Vitin e fundit u sëmur rëndë nga tuberkulozi, disa muaj para përfundimit të shkollës dhe nuk arriti të diplomohej. Pasi u përmirësua nga shëndeti, nisi punë si mësues në Malësinë e Mbishkodrës, në Kastrat.

E donin dhe e admironin të gjithë. Miqtë e tij tregojnë se ishte tip sportiv, i shkathët, i zgjuar, shumë miqësor, i paqtë, por mbi të gjitha me një pasion të rrallë për muzikën. Në moshë të re kishte mësuar t’i binte kitarës, e më pas ishte angazhuar në korin Scuola-kantorum të Kishës Françeskane.

Gaci këndonte një repertor të pasur me këngë shkodrane, spanjolle e italiane, por kishte kompozuar edhe disa këngë frymëzuar nga muzika e bukur popullore shkodrane.

Ai krijoi vargje e melodi për qytetin e tij të lindjes, natyrën e bukur që e rrethonte, traditat e trimërinë e të rinjve shkodranë dhe dashurisë së dlirë. Skena e tij ishin rrugicat e Shkodrës e muza e tij vetë shpirti i qytetit. Gaci e shprehte çdo ndjenjë të bukur me këngë. Këndonte serenata rrugicave të bukura të qytetit përmes dritash të zbehta poshtë dritareve, ku shquheshin siluetat e vajzave të bukura që e prisnin çdo natë këngën e Gacit. Ato serenata që më së shumti i dedikoheshin njërës prej tyre… e poshtë dritares së saj, këndoheshin ëmbël, me pasion rinor e me zë dashurie për atë vajzë me kaçurrela.

Kënga pushoi natën e 1 shtatorit të vitit 1946 sepse Gaci ishte arrestuar atë ditë nga sigurimi i shtetit, në Radio Shkodra, ku kishte shkuar për të kënduar një prej këngëve të tij. Që prej asaj dite kënga e Gacit nuk u ndje më. Kaçurrelja nuk do ta dëgjonte përsëri zërin e ëmbël, rrugicat nuk do ta prishnin më qetësinë me tingujt e kitarës së tij, e prindërit nuk do ta kishin më pranë birin e tyre. E prangosën në moshën 20-vjeçare, për të filluar kalvarin e gjatë të torturave në qelitë e hetuesisë për më shumë se 15 muaj. Gac Çuni, bashkë me Ndrekë Temalin e Lorenc Dedën ishin shënjestruar prej regjimit, si shumë prej të rinjve shkodranë që nuk e donin regjimin komunist dhe u arrestuan brenda tri ditëve. Në procesverbalin e dosjes hetimore, Gaci shënohet të ketë thënë:

“Ne, në të vërtetë nuk kemi pasun nji grup t’organizuem, po kemi qenë nji rreth shoqërije me mendime të njajta. Kur mblidheshim shoqnisht flitshim për politikën e jashtme, se si nuk pranohej Shqipnija n’Lidhjen e Kombeve. Kemi bisedue me Paulin Ternakun kundra partisë, tue thanë se këta janë horra e tue fol kundra Enver Hoxhës e Koçi Xoxes, tuej thanë se këta janë teneqexhinj e nuk dinë me drejtue qeverinë.”

Mbi të u ngarkuan akuzat e zakonshme për veprimtari armiqësore ndaj regjimit dhe pas një procesi të gjatë nën torturat ç’njerëzore të hetuesve. Më 5 dhjetor 1947 gjyqi dha një vendim edhe 5 vjet më tepër nga sa kishte kërkuar prokuroria: 20 vjet privim lirie me punë të detyruar. Gjatë kohës të qëndrimit në hetuesi, aty ku kishte qenë Kisha e Françeskanëve, Gaci i sëmurë nga tuberkulozi, u shtrua në spitalin e qytetit ku punonte sanitare e motra, Maria. Doktor Karagjozi u tregua dashamirës ndaj tij dhe e lejoi Marien e të afërmit ta takonin Gacin herë pas here. Pasi e mori veten, e morën përsëri në hetuesi për të vazhduar me torturat e përditshme.

Pasi mori dënimin, Gaci u transferua në kampet e punës së detyruar të Maliqit dhe të Bedenit, Kavajë, bashkë me rreth 2500 të dënuar të tjerë, intelektualë, shkrimtarë, muzikantë, klerikë, profesorë me tituj në Universitetet Evropiane dhe tregtarë.

Kushtet ishin aq të vështira saqë Sami Repishti do t’i quante bashkëvuajtësit e tij aty “kufoma lëvizëse”.

Bënin më shumë se 3 orë rrugë për të shkuar te vendi i punës, punonin më shumë se 10 orë të zhytur në baltë deri në brez e duronin fyerjet dhe torturat e togerëve injorantë.

Që vitin e parë më shumë se 60 të dënuar lanë eshtrat nën baltën e kënetave, përfshirë edhe inxhinierët që u shpallën grup sabotator e u pushkatuan në Maliq, ndër ta edhe Zyrika Mano, e cila ishte shtatzënë. Ndërsa qindra të tjerë u sëmurën rëndë dhe u zëvendësuan me të burgosur të tjerë politikë.

Në ato kushte, Gaci u sëmur përsëri dhe e larguan nga puna e vështirë e hapjes së kanaleve. Për pak kohë u kurua në spital, e më pas e dërguan në burgun famëkeq të Burrelit.

“Është natë prilli dhe Gaci është duke kënduar në qelinë e tij…zëri i tij i ka përpirë të gjitha klithmat prej torturash që gozhdojnë shpirtra të pafajshëm në ato biruca të errëta. Për një çast dhimbja largohet. Mendjet e shpirtrat enden të lirë ndër kujtime rinie. Ashtu, përmallshëm, vjen zëri i ëmbël, kënga e dashurisë për vajzën me kaçurrela, kujtimet e imazhit të saj të tretura si hije e largët në rrugicat e Shkodrës”. Në burg bashkë me shumë shokë të tjerë, do të përpiqeshin me mbinjerëzoren e tyre, për t’i mbijetuar torturave të pamëshirshme të xhelatëve komunistë, punës së detyruar në minierë dhe urisë… Por Gaci, kishte edhe një dënim më tepër; I ndalohej të këndonte!

Shpesh herë shokët i luteshin të këndonte për ta dhe Gaci ia fillonte këngës, edhe pse e dinte se do të përfundonte në birucën e izolimit.

***

Sapo ka hyrë prilli. I dhjeti që kur Gaci është mbyllur në qelitë e errëta. Shkodra me rrugicat e saj vazhdojnë ta presin. Edhe për 4 muaj do të rikthehej sërish në qytet sepse kishte përfunduar dënimin. Zëri i tij do të kthehej…

Vëllai i tij Lazri kishte shkuar për ta takuar sepse nuk e dinte se së shpejti Gaci do të lirohej. Për shkak të disa faljeve, Gaci do të lirohej në pranverën e vitit 1956. Kur Lazri e mori vesh se do të lirohej i vëllai u gëzua shumë, por e pa të shqetësuar Gacin… kishte një hall të madh se nuk kishte tesha të bukura me veshë kur të lirohej…

Ja çfarë tregon nga biseda e tij e fundit me Gacin, vëllai i tij Lazri, në një bisedë radiofonike të viteve ’90, me kompozitorin e njohur Zef Çoba.

“Shkova, dhe e takova. Më thotë: Tashti shkoi e shumta, mbeti e pakta.   Mor’ vëlla… Mir’po, u ngurru, nuk mujte me m’dëftu. I thashë: Më dëfto, ça ke?

M’thotë që: Sikur të dal,  nuk kam do tesha. Iu përgjigja: Kam unë, mos ki merak.”

Donte të kthehej elegant, sa më i bukur e i gëzuar… kushedi sa kohë e kishe ëndërruar atë moment kur me kitarën në dorë t’ia niste këngës në krye të rrugicës te dugajt e reja… e atje në dritare do t’i dilte kaçurrelja…..

Po Gaci nuk ka shumë kohë. Është mbërthyer nga meningjiti dhe temperatura e lartë nuk i ndalet…. duhej vetëm një penicilinë që t’ia ulë temperaturën, por xhelatët nuk duan t’ia japin. Gacin e mban gjallë gëzimi se do të shkojë te shtëpia, të nana e kaçurrelja… E ka mundur dhimbjen për dhjetë vjet në ato biruca të frikshme torturash e s’ka se si të dorëzohet tani në fund për dy javë… por jo se trupi i ligsht i Gacit ka mbaruar… nuk ka më fuqi të mposhtë sëmundjen… është duke pirë cigare përbri shokut të tij të qelisë, Xhevatit. Papritur Gaci nis e mbështetet për mur deri sa rrëzohet përtokë, i lëshon duar e këmbë si të mos ishin të vetat… cigaren e ka në cepin e buzës. Xhevati shoku i tij i dhomës e sheh se Gaci po shkon drejt fundit.

Ja si i tregon çastet e fundit të Gac Çunit, shoku i tij në qelinë e burgut të Burrelit, Xhevat Meka:

“Me Gacin kam ndenj’ n’Burrel, n’një dhomë, gati 5-6 vjet, se ai vdiq përpara, para se me dal’ ne. Ka kenë benjamini i dhomës, e kena dasht fort. Vdiq prej Meningjitit. S’kishim ku me i gjetë penicilinat se kushtonin 1 mijë lekë copa. S’kishim paré për me i ble’. Ka vdek’ në duart e mia. Ka pas përbri edhe Arshi Pipën, e të tjerë, por sidomos Arshinë, se dhe ai e donte fort. U këput. Pa prit, pa mendu. Tue pi duhan ka kenë. Ma harroi edhe emrin.

Më pyeste: A je Xhevati ti, a jo?

-Mos u tall Gac!

E pashë… At’herë u shtri. U shtri e filloi… njihet i dekuni, se jena mësu atje me pa tu dek’. Shtrin duart e këmbët…

At’herë i thashë: Kujtoje Zotin se po t’ndihmon!

-S’di, tha. -Po të mësoj unë.

Unë mbaja mend “T’falemi Mari”, megjithëse jam musliman. I thashë: Unë po e lexoj, po e them me gojë, ti më ndiq! Mendoj se aty vdiq…

Kur e kam hap batanijen për me e vesh’, me e pastru,  me e la, me teshat që ato që kishte e të tjera,  që i falshin edhe shokët. E bamë si nuse… Veç ësht’ mbushur dhoma me avull. Katërdhet e katër mund ta ketë pas’ temperaturën. Kaq i sëmurë qe! Përnjiherë vdiq. Menjiherë e këputi. At’herë, mbasi e vesha krejt… I pata premtu’ ma përpara, me kohë, se e kishte afër me dal’ prej burgut, unë kisha shumë vjet me ba, i thashë: Gac, unë s’kam me dal’ gjallë, s’ma merr mendja se dal gjallë. Po t’jap një letër e çoja nënës. Ça të ket’ rujt tesha t’i fali ty se m’bahet qejfi.

Edhe e përgatita atë letrën. Kur vdiq, atë letër ia kam fut’ në xhep. I thashë: Merre me vete dhe jepja nënës atje, se edhe ajo do të ketë vdekur… Takoheni ndokund.”

Tingujt e këngëve të tij të krijuara në burg, kanë ardhur prej kohësh në qytetin e Shkodrës, por Gaci nuk u kthye kurrë më në qytet…

Ata që i mbijetuan burgut të Burrelit i mësuan këngët e Gacit dhe i përçuan anembanë. Por një prej tyre, kënga “Kaçurrelat e tu”, ishte e parapëlqyera.

Ahmet Kopliku, një prej bashkëvuajtësve të Gacit, i përcolli notat dhe tekstet e këngëve të Gac Çunit tek Shyqyri Elezi, i cili ishte një këngëtar tjetër shkodran, që s’mund të këndonte në skenë, sepse tre vëllezërit dhe i ati ishin të burgosur politikë, por e këndoi këngën nëpër dasmat e gëzimet familjare. Sapo i ra në dorë kënga “Kaçurrelat e tu”, Shyqyri Elezi e këndoi në dasmën e parë dhe kënga u përhap nëpër qytet për t’u kënduar ashtu fshehurazi, por shpejt zuri vend mes këngëve më të dashura të qytetarëve shkodranë. Kënga u ngjit në skenën e vet dhe mbeti aty për t’u kënduar edhe sot me aq pasion e dashuri nëpër serenata, dasma e gëzime, si një ndër më të bukurat këngë për dashurinë./kujto.al

Kujto.al/ Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit